Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Ese për korrupsionin

Ç'është korrupsioni, si ju ka ndikuar në jetën tuaj, dhe si mund të luftohet?

Iris Taraj

Gjimnazi jopublik "Drita e Dijes", Vlorë

Kudo dëgjojmë të flitet për korrupsion. Si një problem madhor dhe me ndikime të gjithanshme, ai është shndërruar në temën e ditës së çdo individi. Gjithkush shfaqet i shqetësuar kundrejt hapave me të cilat ai po ecën. Në lagje, fshatra, qytete, shtete, në çdo emision televiziv zhvillohen debate mbi të

dhe shumë pyetje lindin. Ç'është korrupsioni? , Shkaqet e tij? , Kur janë fillesat? , Pasojat? , Pse është kaq i rrezikshëm? , Kush e bënë korrupsionin? , Kush quhet i korruptuar dhe kush jo? , dhe së fundi Si mund të luftohet korrupsioni? . Nga këto pyetje, jo të gjitha arrijnë të marrin përgjigjen e duhur. Disa prej tyre mbeten ende çështje të pazgjidhura ashtu si është sot lufta kundër korrupsionit.

Korrupsioni ka prejardhje latine dhe një kuptim shumë të gjerë. Mund të thuhet me siguri se korrupsioni ka lindur paralelisht me njerëzimin dhe e ka shoqëruar atë gjatë gjithë kohës duke arritur deri në ditët e sotme. Në përkufizimin më të thjeshtë të tij ai mund të barazohet ndryshe me shfrytëzim ose shpërdorim të fuqisë dhe pushtetit për të siguruar përfitime individuale. Të bësh korrupsion do të thotë të prishësh dikë nga ana morale për qëllime të caktuara dhe ta shtysh atë me anë të ryshfeteve që të shkelë ligjet ose të veprojë në kundërshtim me detyrën që ka, për të të bërë shërbime.

Në një kuptim më të gjerë korrupsioni nuk përfaqëson thjesht shpërdorimin e pozitës zyrtare nga nëpunësit publikë, por ai përfshin të gjithë njerëzit që abuzojnë me pozitën e tyre kudo që paraqitet mundësia për të nxjerrë përfitime me rrugë të lehta. Pra korrupsioni s'është vetëm përdorimi i pushtetit politik për përfitim personal. Ai është shumë më tepër sesa bashkëveprimi i fshehtë i nëpunësve publikë me njerëz të biznesit për të shtënë në dorë përfitime të jashtëligjshme dhe të pamoralshme.

Korrupsioni përbën një nga sfidat më kryesore të botës. Lufta ndaj tij nuk është aq e thjeshtë. Pavarësisht përmasave të korrupsionit, ai mbetet gjithmonë një dukuri negative dhe prej tij nuk mund të pritet asgjë e mirë. Ai përbën një kërcënim për institucionet demokratike dhe të drejtat e liritë themelore njerëzore dhe nga ana tjetër frenon zhvillimin.

Korrupsioni ka tri dimensione, sipas të cilave vërehen efektet negative mbi këta sektorë: Efekte mbi politikën, administratën dhe institucionet; efekte mbi ekonominë dhe efekte mbi sektorin social dhe atë kulturor.

Themi se korrupsioni ndikon mbi politikën, pasi ai e shtrembëron realitetin politik. Ai cënon dhe saboton çdo sistem demokratik. Korrupsioni ndikon në zgjedhje, në shtetin ligjor si dhe në përgjegjësinë e administratës për të kryer një punë bazuar mbi norma dhe rregulla ligjore.

Po ashtu themi se korrupsioni ndikon negativisht mbi ekonominë duke penguar zhvillimin e saj. Ai bëhet pengesë për sektorin privat, duke favorizuar gjithnjë e më shumë biznesin që është sa më afër pushtetarëve dhe qeveritarëve. Në këtë rast ndeshemi me krijimin e të ashtuquajturave monopole, të cilat janë të afta të kontrollojnë çdo elementë të tregut duke i bërë ato të papërballueshme nga fuqia blerëse apo konsumatori i thjeshtë. Ndërsa përsa i përket dimensionit të tretë të tij, mund të shprehemi se mjedisi dhe natyra janë pre e lehtë e korrupsionit. Ne të gjithë jemi dëshmitarë për rreziqet që po i kanosen zonave pyjore, ujore, fushore, të cilat gjithmonë e më shumë po degradojnë dhe po humbasin vlerat e tyre, qoftë ato jetësore, qoftë ato estetike dhe kulturore. Aq më tepër, nga kthetrat e këtij korrupsioni nuk mund të shpëtonte vetë shoqëria njerëzore me nevojat e saj për jetesë, punë, të drejta shoqërore.

Gjithmonë dhe nga të gjithë është pohuar fakti se korrupsioni ka qenë i nevojshëm për një zhvillim të mirë të demokracisë. i ashtuquajtur ndryshe si një lloj lubrifikanti, ai ka ndihmuar që sistemi qeverisës të kryejë më mirë të gjithë proceset e tij. Por me sa duket, po shohim se në ditët e sotme fjala korrupsion po gjen një përdorim jashtëzakonisht të madh dhe po dëgjohet kudo. Kjo tregon se korrupsioni ka arritur nivele mbi normën e lejuar të tij. Ç'ndodh kur ai është në sasi të tepruar?! Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta jap kushdo që ka një përfytyrim të qartë të fjalës korrupsion dhe të pasojave të tij. Menjëherë, me sigurinë më të plotë, mund të themi se gjërat nuk do të shkojnë mirë. Tani më shumë se kurrë situata bëhet shqetësuese dhe alarmante.

Duke qenë se një gjendje e tillë është krijuar kohët e fundit në botë, lufta kundër korrupsionit është shndërruar në sfidën kryesore të njerëzimit. Për ta korrupsioni konsiderohet si një sëmundje që ka prekur dhe ka "infektuar" gjithçka duke vështirësuar kështu edhe më shumë "kurimin" prej tij.

Është e qartë se me të përkrah, ne kurrsesi nuk mund të kemi zhvillimin që kërkojmë dhe ëndërrojmë. Si një dukuri mjaft negative, korrupsioni na bënë që të humbasim energjitë për përparim. Ai zbeh shpresat për të ecur përpara. Korrupsioni saboton mjedisin në të cilin jetojmë. Ai na bënë që ne të humbasim besimin ndaj asaj qeverie së cilës i kemi dhënë votën. Pikërisht ky kaos i krijuar na hedh në mendime dhe dyshime se ndoshta nuk kemi bërë zgjedhjen e duhur për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat në lidhje me të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Të gjithë ne jetojmë në një vend që ka vetëm 18 vjet demokraci dhe që shumë

mirë quhet një vend në tranzicion. Ishte e pritshme që gjatë rrugës, midis problemeve të tjera, të na shfaqej edhe korrupsioni si një dukuri e pashmangshme për çdo sistem demokratik. Fillesat e korrupsionit në Shqipëri u vunë re që pas vendosjes së demokracisë dhe pikërisht me procesin e ndarjes së pronave shtetërore, një ndarje që nuk u bë aspak në mënyrën më të drejtë dhe më transparente të mundshme.

Në këtë proces pati hapësira të lira në të cilat gjeti vend dhe u zhvillua reforma korruptive, duke mbetur edhe sot e kësaj dite një problem ende i pazgjidhur. Kjo ndodhi për shkak të strukturave të brishta dhe të pazhvilluara e të papërshtatshme ende për të pritur këtë sistem të ri që po hynte. Gjatë gjithë këtyre viteve, qeveritë njëra pas tjetrës janë shprehur se nuk kanë ndenjur duarkryq në luftën kundër korrupsionit, por mesa duket masat e ndërmarra nuk kanë qenë të efektshme aq sa duhet të ishin. Këtë e tregon më së miri niveli i lartë i perceptimit të korrupsionit në Shqipëri.

Sipas sondazheve të bëra, rezulton se 92%e shqiptarëve besojnë se korrupsioni është i kudondodhur. Ky mendim nuk ka ndryshuar që prej vitit 2005 e deri në vitin 2006. Vetëm 13. 3% e publikut të gjerë mendon se korrupsioni midis zyrtarëve publikë është ulur, ndërkohë që gjysma mendon të kundërtën, madje ata thonë se rritja e tij përkon me 13% më shumë se në 2006-ën. Përsa i përket vitit 2008 shifrat qëndrojnë si më poshtë. 21. 6% thonë se ai është rritur dhe 52. 4% janë të mendimit se niveli i korrupsionit nuk ka ndryshuar.

Sipas anketimit rezulton se presidenti, drejtuesit fetarë dhe ushtarakët shikohen si më të ndershmit. Ndërkohë që në antipod me ta qëndrojnë doganierët, tatimorët, mjekët, gjykatësit dhe deputetët. Siç mund ta shohim nivelet më të larta të korrupsionit hasen tek pjesët më të rëndësishme të një shteti. Si mund të mendojmë për zhvillimin dhe realizimin e reformave kur korrupsioni a "infektuar" bazën dhe themelet e kombit tonë?

Duke harruar veten, ne shpesh akuzojmë politikanët dhe qeveritarët më të lartë të shtetit si fajtorët e vetëm të korrupsionit, ndërkohë që korrupsioni fillon nga vetë ne. Përderisa ne nuk po ngrihemi siç duhet kundër tij për ta luftuar, kjo do të thotë që ne e kemi pranuar atë si të parrezikshëm dhe po i hapim dyert atij duke e lënë të hyjë pa u shqetësuar për kostot që do të na duhet të paguajmë më vonë.

Në qoftë se do ta shohim mirë mund të bëjmë një krahasim shumë të thjeshtë. Mund të themi se korrupsioni është si çdo gjallesë tjetër mbi tokë që merr frymë dhe ushqehet duke u rritur atje ku ajo gjen kushtet e përshtatshme. Ashtu edhe korrupsioni, me të vërtetë mund të themi se ka gjetur "ushqimin e nevojshëm" tek ne dhe ai vetë është "rritur". Siç duket, për të nuk ishte aspak problem përshtatja me popullin shqiptar. Përkundrazi, ai u ndje mirë aty, ashtu si çdo frymorë tjetër që ndihet mirë kur gjen përkrahjen e nevojshme. Me të vërtetë që shqiptarët u treguan shumë "të kujdesshëm" me korrupsionin dhe harruan ose nuk deshën ta pranonin se ai nuk ishte aspak pozitiv. Është e qartë dhe mjaft e dukshme se efektet e para të korrupsionit janë të kënaqshme për gjithsecilin dhe përballë tyre kushdo mund të tundohej. Pikërisht në luftën përballë këtij tundimi, dalin në pah dhe bëhet diferencimi midis individëve me virtyte të larta dhe atyre individëve të paskrupullt.

Mjaft mirë, ne shohim sot se sa rëndë është prekur djepi i diturisë në vend nga korrupsioni. Thuhet me siguri se arsimi është ai që i siguron një shteti drejtuesit, qeveritarët, politikanët, zyrtarët, mjekët, juristët, gjykatësit, mësuesit e shumë të tjerë të cilët do të luftojnë për të sjellë zhvillimin dhe përparimin. Por ç'ndodh kur arsimi është i korruptuar? Nëse arsimi bazohet mbi reformën korruptive, ç'mund të pritet më prej tij? Në qoftë se një individ ushqehet me frymën korruptive që në momentet e para që ai plotësohet me dije, do të thotë që ai mëson gjithashtu se si të përdorë shumë mirë korrupsionin për të arritur qëllime të tjera në jetë.

Sot ne shohim se si shumë mësues e kanë humbur sensin e vlerësimit të nxënësve apo studentëve mbi bazën e njohurive të marra nga gjithsecili. Tanimë, në themel të çdo note apo provimi të dhënë, qoftë ky një provim pjekurie, me zgjedhje, lirimi, semestral apo thjesht një provim kapitulli, qëndron e ashtuquajtura dhe e pushtetshmja "para", që dita ditës po çon drejt degradimit virtytet më të larta njerëzore. Ndërkohë që ironia e jetës vazhdon më tej me faktin se po të njëjtët individë, megjithëse të paaftë, do t'i shohësh më vonë në postet më të larta, më të paguara, me makinat më të mira, me më shumë se një shtëpi, kur në të njëjtën kohë shumë të tjerë të aftë rijnë dhe sillen rrotull si të papunë.

Dhe pikërisht kështu fillojnë të prishen bazat e një shoqërie plot vlera dhe nisin të ngrihen themelet e një shoqërie të pashpresë drejt së cilës ngurron të hedhësh vështrimin apo të zgjasësh dorën për të kërkuar ndihmë, pasi nuk je i sigurt nëse ai të cilit t'i po i drejtohesh është i aftë të të ndihmojë apo të të shërbejë ashtu siç e kërkojnë rregullat dhe normat e një shoqërie më virtyte.

Por gjendja vështirësohet dhe bëhet shqetësuese kur shohim se mjekësia renditet në listën e institucioneve më të korruptuar. Kjo do të thotë shumë mirë se ne nuk jemi më të sigurt as për shëndetin tonë. Është me të vërtetë një paradoks të mendosh që jakat e bardha, që konsiderohen si qeniet më humane, të harrojnë betimin që kanë bërë dhe t'i nënshtrohen pambarimisht këtij veprimi imoral dhe të pandershëm që bie ndesh me personalitetin dhe detyrimin e tyre ndaj popullit të thjeshtë. Persona të ndryshëm flasin për doktorë që nuk shohin kartelën e pacientit, por interesohen mbi të ardhurat dhe gjendjen financiare të tij. Nëse përgjigjet tregojnë se pacienti është i varfër, ai nuk merr trajtim mjekësor. Nëse pacienti është i pasur, doktori bën llogari sa të lartë mund t'ia vërë tarifën. Këtë e vërtetojnë më së miri sondazhet e bëra. Sipas tyre rezulton se 70% e të intervistuarve kanë paguar ryshfet për të përfituar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ndërsa në lidhje me gjykatat, 60% shprehen se e kanë humbur besimin tek drejtësia. Në një raport shqiptarët nuk mendojnë se gjykatësit janë të paanshëm në lidhje me vendimet që ata marrin pavarësisht se drejtësia është një nga shtyllat kryesore në luftën kundër korrupsionit.

Rreziku rritet dhe bëhet më kritik kur mësojmë se korrupsioni është në nivele të larta edhe tek forcat blu. Duket gati e pabesueshme që vetë policia të tregohet e gatshme të lajmërojë kriminelin përpara se forcat e operacionit të shkojnë tek ai për ta arrestuar. Njerëzit shprehin zemërim të madh për faktin se si policia rri duarkryq, javët kalojnë, muajt kalojnë dhe ndodh që akuzat lehtësohen, që disa çështje pushohen, që asnjë nuk ndëshkohet. Kjo do të thotë se korrupsioni po bëhet pengesë edhe në luftën kundër krimit. Kjo do të thotë se ne nuk jemi më të sigurtë, se po jetojmë në të njëjtin mjedis me ata të cilët përbëjnë rrezik për jetën tonë dhe të të afërmve tanë. Në një vend ku mungon siguria, rendi dhe qetësia kombëtare, të cilat janë primare për të, vështirë se mund të quhet shtet i mirëfilltë, e jo më të mendohet për integrimin e tij në organizata me karakter ndërkombëtar.

Megjithatë ekzistojnë ndryshime edhe në lidhje me faktin se kush quhet i korruptuar dhe kush jo. Shqiptarët i "gjykojnë" ndryshe ata që "marrin" ryshfet, prej atyre që e "japin" atë, duke shfaqur më shumë tolerance ndaj "dhënësve" të ryshfetit në transaksionet korruptive. Studenti që i jep mësuesit një këmishë si dhuratë me shpresën për të marrë një notë më të mirë shihet më shumë si "Jo i korruptuar" ose "i justifikuar". Gjithashtu, nëna e fëmijëve që për të marrë certifikatat e fëmijëve paguan 500 lekë si ryshfet shihet kryesisht si "Jo e korruptuar" ose "E justifikuar". Të pyetur për një "shitës lulesh i cili rrit çmimin e luleve gjatë festave", 52% e qytetarëve u përgjigjen se ky shitës është i korruptuar dhe duhet ndëshkuar. Ky është një tregues se njerëzit ngatërrojnë "abuzimin" e perceptuar të bizneseve që vendosin çmime tejet të larta për mallrat apo shërbimet e tyre me korrupsionin.

Si pjesë e kësaj shoqërie, është normale dhe gati e pashmangshme që edhe unë të mos prekem nga kjo "sëmundje" që ka infektuar botën. Për të kaluar paksa në subjektivitet dhe për të dhënë mendimin dhe shqetësimin tim, dua të them se e urrej korrupsionin. Më pëlqen transparenca dhe drejtësia, ndonjëherë në nivele të tepruara. Për këtë arsye më ndodh që shpeshherë të tjerët të ma vënë në dukje dhe të më kritikojnë për faktin se si unë tregohem shumë strikte dhe e drejtë ndaj gjykimit dhe vlerësimit të gjërave.

Përsa i përket ndikimit të tij në jetën time, më ka rastisur që mua dhe familjes sime të na kenë sjellë shqetësime njerëz jo të ndershëm. Gjithçka lidhej me një territor që për momentin nuk ka një pronar konkret, përreth biznesit privat të babait tim. Duke mos dashur të përmend emra, disa persona janë paraqitur tek ne me dokumente të falsifikuara, si pasojë e pushtetit që ata zotëronin. Sipas tyre ata rezultonin të ishin pronarët e vërtetë të këtij trualli dhe me këtë kërkonin të ndërtonin aty një objekt banimi për përfitime personale. Fuqia e pushtetit dhe njohjeve me njerëz të rëndësishëm dhe me influencë, i ndihmoi ata që gjithashtu të na e bënin të pamundur mundësinë për të kërkuar ndihmë, duke na i bllokuar të gjitha rrugët ku mund të mbështeteshim. Megjithatë ne nuk ramë pre e korrupsionit dhe mashtrimeve të tyre dhe gjërat morën për mirë. Pra, sipas shifrave të nxjerra nga sondazhet, analizave të bëra, ngjarjeve të sjella, themi me seriozitetin më të madh se korrupsioni është me të vërtetë një problem i rëndë për zhvillimin që Shqipëria kërkon. Pikërisht kjo e bën edhe më të vështirë luftën kundër tij, por jo të pamundur. Kjo tregon se shpresat nuk duhen humbur. Vërtetë korrupsionin ne e gjejmë në të gjithë mjediset, dhe shumicën e rasteve ai arrin t'u bëjë ballë madje edhe fushatave të organizuara kundër tij, për vetë faktin se ai lidhet drejtpërdrejt me dobësitë kryesore të njeriut, siç janë etja për pushtet, etja për para, etja¼. Prapëseprapë, praktika tregon se edhe shtetet më të fuqishme kanë pasur raste dështimi në luftërat kundër korrupsionit. Vetë ambasadori amerikan në Shqipëri, Z. John. L. Whithers është shprehur se korrupsioni nuk është një problem vetëm shqiptar. Sipas tij korrupsioni ekziston kudo, korrupsion ka edhe në SHBA. Por, përbërësi kryesor nuk është, nëse korrupsioni ekziston, por si mund t'i përgjigjemi.

Kush do të dijë se ç'mendon populli në lidhje me të ardhmen e korrupsionit, duhet të pyesë shoferët e taksive. Kështu është shprehur kryetarja e Tranparency për Gjermaninë, Silvia Schenk. "Kur po shkoja me taksi nga aeroporti në hotel, shoferi më pyeti se çfarë bëja në Berlin. Unë i tregova për Tranparency dhe konferencën e shtypit dhe ai m´u përgjigj "Korrupsioni, është problem i madh, por nuk e lufton dot. " 54 % e të pyeturve në mbarë botën mendojnë se korrupsioni do të rritet. Vetëm 1 ndër 5 pret që ai të bjerë. Si shtetet më të korruptuara barometri nxjerr Shqipërinë dhe Senegalin. Edhe në Kamboxhia, Kamerun, Maqedoni, Kosovë, Nigeri, Pakistan, Filipine dhe Rumani njerëzit duhet të paguajnë nën dorë, në qoftë se duan të arrijnë diçka.

Duke mos e pranuar si përgjigje pamundësinë për ta luftuar korrupsionin në Shqipëri, vetë Z. Whithers është shprehur: "Shqiptarët e vlerësojnë ndershmërinë po aq shumë sa popujt e tjerë në botë dhe popujt që unë njoh. Shqiptarët e urrejnë korrupsionin. Ata e urrejnë faktin që një pakicë njerëzish të korruptuar prishin sistemin në tërësi.

Dhe në veçanti nuk më pëlqen nënkuptimi në atë përgjigje se korrupsioni është një simptomë e kulturës shqiptare; nuk është kështu. Çdokush që e njeh popullin shqiptar, e di se ai është një shkelje e kodit etik dhe moral të shqiptarëve.

Kultura shqiptare e vendos ndershmërinë dhe integritetin mbi çdo gjë tjetër. Për shqiptarët një fjalë e dhënë është një fjalë e mbajtur. Dhe parimi i Besës, virtyti klasik i shqiptarëve, është një lidhje që nuk mund të thyhet. Pra, e përsëris, gjithkush që mendon se korrupsioni është i natyrshëm për shqiptarët, e ka gabim; korrupsioni është dhunim i asaj çka do të thotë të jesh shqiptar".

Duke marrë fuqi nga ky vlerësim që i bëhet popullit shqiptar, mendoj se pasi gjithkush do ta lexonte këtë fjalim, do t'i rriteshin shpresat dhe optimizmi mbi luftën kundër korrupsionit. Me dëshirën më të mirë të të gjithëve për ta zhdukur edhe njëherë këtë mikrob nga shoqëria Shqiptare, më e mira është të studiohen rrugët që do të ndiqen në fushatën kundër tij. Sigurisht që gjithçka duhet të nisë me sensibilizimin e popullatës për të hequr dorë njëherë e mirë duke u vënë përballë çdo pasojë të korrupsionit krahasuar me virtyt e një shoqërie të ndershme. Por sigurisht që fjalët nuk mjaftojnë. Një fjalë e urtë thotë: "Nga e thëna në të bërë, është në mes një lumë i tërë". Dhe më të vërtetë, në luftën kundër korrupsionit, fjalët nuk vlejnë aspak përpara veprave.

Trajtimi i korrupsionit është një përgjegjësi e nivelit të lartë. Elita politike e këtij vendi duhet të marrë përgjegjësinë në luftën kundër korrupsionit në mënyrë domethënëse, jo thjesht nëpërmjet fjalimeve dhe fjalëve. Kjo do të thotë që udhëheqësit politikë duhet të denoncojnë aktet e korrupsionit, edhe kur këto kryhen prej kolegëve të tyre. Nuk duhet të përdorin ndikimin për të mbrojtur miqtë apo të afërmit dhe nuk duhet të përdorin pushtetin politik për të ndryshuar rrjedhën e drejtësisë. Një hap i rëndësishëm i drejtpërdrejtë që mund të ndërmerret është ndryshimi i ligjit për imunitetin, i cili mbron zyrtarët e lartë në gjykata, në parlament dhe në poste të tjera nga procedimi.

Ata duhet të jenë po aq përgjegjës ligjërisht sa çdo qytetar tjetër i thjeshtë. Me fjalë të tjera, askush nuk duhet të ketë imunitet nga procedimi për akte të jashtëligjshme. Udhëheqja politike e Shqipërisë duhet të fuqizojë institucionet që kërkojnë të bëjnë drejtësi; të fuqizojë prokurorët që vihen pas kriminelëve dhe të bëjnë të qartë që kushdo qoftë i dyshuar, pavarësisht nga pasuria, pavarësisht nga lidhjet familjare, pavarësisht nga lidhjet politike, do t'i nënshtrohet procedimit.

Pjesa tjetër e punës i ngelet popullit të thjeshtë. Me këtë dua të them që qytetarët jo vetëm ta shohin veten si viktima të korrupsionit dhe gjithçka mbetet me kaq. Jo! Gjithçka në jetë arrihet duke luftuar për atë që kërkon, duke e ngritur zërin, duke ua bërë të ditur të tjerëve se çfarë t'i kërkon. Kështu dhe korrupsioni mund të luftohet vetëm duke protestuar, duke e kritikuar, duke denoncuar çdo raste të tij, duke mos toleruar asnjë pavarësisht njohjeve tona, duke u treguar të pamëshirshëm për këdo të korruptuar, kushdo qoftë ai, duke kërkuar më shumë nga udhëheqja e vendit për të bërë diçka për korrupsionin. Por edhe vetë profesionet mund të vendosin rregull brenda vetes; profesionet mund të ndihmojnë në eliminimin e korrupsionit brenda radhëve të veta.

Shumica e njerëzve në botë, thotë Hugette Labelle, kryetarja e Transparency International, mendon se politikanët bëjnë shumë pak kundër korrupsionit. Besimi i qytetarëve tek institucionet në lidhje me luftën e tyre kundër korrupsionit, vazhdon të mbetet i ulët. Shumica e institucioneve janë vlerësuar me më pak se 50 pikë në shkallën nga 0 në 100, ku 0 është "Aspak besim" dhe 100 është "Shumë besim"

Si në 2006, media vazhdon të shihet si institucioni i vetëm që përgjithësisht ndihmon në luftën kundër korrupsionit, duke mbajtur vendin e parë. Të gjitha institucionet e tjera vlerësohen me më pak se 50 pikë në shkallën e vlerësimit, që do të thotë se përgjithësisht shihen nga publiku si institucione që nuk ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit. Perceptimet për kontributin e institucioneve të tjera në luftën kundër korrupsionit nuk kanë ndryshuar.

Korrupsioni nuk është lojë, është luftë. Me të gjitha mundësitë tona ne nuk duhet të tregohemi aspak indiferentë në përballjen me të. Nuk mund të lejojmë kurrsesi që korrupsioni të vazhdojë të brejë akoma më tepër sistemet demokratike të shteteve dhe t'i çojë ato drejt rrënimit. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të gatshëm për të mos lejuar më tej përhapjen e tij duke sjellë kështu shkatërrimin e shoqërisë ku jetojmë.

Bëhet fjalë vetëm për pak vullnet, durim dhe mbi të gjitha shpresë e optimizëm për një të ardhme të mirë, të sigurtë, transparente dhe të shëndoshë.

Karlyl ka thënë: "Bëhu i ndershëm dhe bota me siguri do të ketë një njeri të keq më pak".

Le të jetë kjo motoja e gjithsecilit dhe jam e sigurt që bota do të ketë shumë më pak njerëz të këqij.


Bibliografi

http:www. pasqyra. com http: www. 14-ore.com

Wikipedia, Enciklopedia e Lirë

http:www. zeripopullit. com

http:www. gazetatema. net

http:www. shekulli. com



hartim per korrupsionin,ese per korrupsionin,korrupsioni ese,ese per korrupsion,korrupsioni ese shqip,hartime per korrupsioni,korrupsioni ne Kosove ese,Korrupsioni ne Shqiperi Ese,ese dhe hartime
       
   

nRelate Posts Only