Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Apeli i nënës së 8-vjeçarit: Zonja Nikolla, mos ma lër djalin pa shkollë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Apeli i nënës së 8-vjeçarit: Zonja Nikolla, mos ma lër djalin pa shkollë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Apeli i nënës së 8-vjeçarit: Zonja Nikolla, mos ma lër djalin pa shkollë

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj

Çdo fëmije, pavarësisht
gjinisë, racës apo af
tësisë së kufizuar, i garantohet e drejta e arsimimit, dhe në institucionet publike arsimimi ofrohet falas. Kjo gjë do ishte normale po të zbatohej ligji, por rrallëherë ndodh kështu në vendin tonë! Prindërit që kanë fëmijët me aftësi të kufizuar shpeshherë detyrohen t’u drejtohen institucioneve private kundrejt pagesave të kripura për të bërë të mundur arsimimin e fëmijëve të tyre. Këtë problem po përjeton edhe familja Hasanllari, e cila ka një fëmijë 8-vjeçar, i cili vuan nga një anomali që ka të bëjë me deformimin e kockave të këmbëve (osteogenesis imperfecta). Leart Hasanllari, apo Leo si e njohin, vitin e shkuar iu nënshtrua një operacioni i cili i dha shpresë së do të ecë. Por fatkeqësisht, edhe pse është 8 vjeç, nuk ka mundësi të ndjekë shkollën. Edhe pse prindërit e tij u janë drejtuar shumë institucioneve publike dhe private, drejtuesit e këtyre institucioneve u kanë mbyllur derën duke i përcjellë me fjalët “kur ke fëmijë të sëmurë, mos e ço në shkollë fare, por mbaje në shtëpi, se shkollat tona nuk janë për fëmijë të sëmurë”. E pra, ëndrrat e një fëmije dhe të prindërve të tij për të nisur klasën e parë, edhe pse një vit me vonesë, nuk mund të plotësohen, pasi institucionet janë të papërgjegjshme dhe nuk respektojnë ligjet. Faktikisht, e kontaktuar nga “GSH”, Ministria e Arsimit ka deklaruar se ka marrë kontakt me familjen dhe po shikojnë mundësitë për sistemimin e Leos në shkollë. Edhe pse prindërit e tij kanë thënë se kanë pasur një telefonatë nga një punonjëse e ministrisë, por jo vetëm që nuk iu prezantua kush ishte, por edhe telefonatën ua kanë ndërprerë përgjysmë, edhe pasi e ëma e Leos i ka nisur një SMS numrit të cilit i telefonoi, ende s’i kanë kthyer përgjigje.
Apeli
E lodhur duke kërkuar një shkollë për regjistrimin e të birit, Angjela Hasanllari ka bërë apel nëpërmjet një postimi në faqen e saj në “Facebook”. “Këtë vit me Leon vendosëm të shkonim në shkollë në klasë të parë. U interesuam në shumë shkolla, madje edhe në shkolla private. Më shumë për shkak të kushteve që mundësojnë ato shkolla, sepse unë nuk mund ta çoj dot Leon në krahë në shkollë, dhe kur bie shi atij i duhet një ambient i ngrohtë. Normalisht, çdo gjë do paguhej ashtu si për fëmijët e tjerë. Nuk kërkuam gjë falas, por kur drejtorët të tregojnë derën dhe të thonë që, ‘kur ke fëmijë të sëmurë, mos e ço në shkollë fare, por mbaje në shtëpi, se shkollat tona nuk janë për fëmijë të sëmurë dhe unë e kam biznes privat dhe bëj ç’të dua me të’, vetëm këtu në Shqipëri gjen. U bëj thirrje ministres së Arsimit dhe kryetarit të bashkisë të bëjnë diçka edhe për këta fëmijë, sepse dhe për këta fëmijë shkolla është shumë e rëndësishme e nuk kanë përse të privohen të drejtat e tyre vetëm, sepse ata ndodhen në një fatkeqësi”, shkruan e ëma e 8-vjeçarit Leart Hasanllari, Angjela në “Facebook”. Sipas saj, djali ka bërë operacione në të dyja këmbët, dhe ende i ka në allçi, ndaj e ka të pamundur të ecë pa ndihmë. Pas apelit të saj në rrjetet sociale, një përfaqësuese e MAS-it e ka marrë në telefon, por nuk i ka sqaruar asnjë gjë konkrete se çfarë do të bëhet me djalin e saj.
Ministria
Zyrtarisht Ministria e Arsimit ka deklaruar për “GSH” se kanë kontaktuar me familjen Hasanllari dhe po shikohen mundësitë për regjistrimin e tij në shkolla private, pasi ata ofrojnë kushte më të përshtatshme për fëmijët me probleme fizike. “Për shkak të gjendjes së fëmijës, duhet një shkollë që të ofrojë kushte të përshtatshme. Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MAS po kontakton me shkollat private që ofrojnë kushte më të mira dhe do ua përcjellë prindërve të fëmijës në mënyrë që ata të zgjedhin shkollën që iu përshtatet më shumë. Normalisht çdo fëmijë ka të drejtën të shkojë në shkollë, askush nuk mund ta pengojë”. Por a është kjo zgjidhja: një shkollë private? Përse një familje duhet të paguajë para shtesë kur Ministria e Arsimit, Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës e kanë detyrë ligjore t’i ofrojnë çdo fëmije kushtet për arsimim falas në institucione publike?! Gjë kjo që përcaktohet në nenin 5 të Ligjit për Sistemin Arsimor Parauniversitar. Më tej, nëse ti si MAS nuk i plotëson dot këto kushte sa i përket infrastrukturës, plotësoji këtij fëmije ato që përcaktohet në nenin 17 të ligjit të sipërcituar: Arsimimi në kushtet e shtëpisë. “Zonja ministre e Arsimit, Lindita Nikolla, mos ma lër djalin pa shkollë” – ky është apeli që mamaja e Leos ka përcjellë për ministren Nikolla nëpërmjet “Gazetës Shqiptare”.

Shpërthen me eksploziv autobusi i një agjencie funeralesh

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Xhensila Kodra

jë shpërthim me
lëndë plasëse është
shënuar mëngjesin e djeshëm në Tiranë, në autobusin e një agjencie funeralesh. Burime pranë policisë bënë me dije se lënda plasëse ishte vendosur në mjetin tip “Setra” me ngjyrë të kuqe e me targë AA 940 CG, në pronësi të Edmond Rexhepit. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:35, në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Konkretisht, eksplozivi ishte vendosur në njërën nga rrotat e pasme të mjetit, ku për pasojë ka pasur vetëm dëme materiale. Po ashtu, si pasojë e shpërthimit u dëmtua lehtë edhe një mjet tjetër i cili ishte i parkuar pranë autobusit si dhe janë thyer xhamat e apartamenteve të katit të parë. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes nisi punën për identifikimin e autorëve, ndërsa në Komisariatin Nr. 4 u shoqërua një person me iniciale E.D., i cili ishte duke udhëtuar me biçikletë shumë pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Mësohet se ky person ka pohuar në polici se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se pista kryesore e hetimeve është përqendruar në faktin se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të konkurrencës. Ndërsa, vetë pronari i mjetit si dhe vëllai i tij kanë pohuar në polici se nuk kanë konflikte me asnjë person. Ndërsa në vendin e ngjarjes policia gjeti një kapele, e cila dyshohet të jetë e autorit.
Kamerat
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, uniformat blu sekuestruan pamjet filmike të një kamere sigurie për të bërë të mundur edhe identifikimin e autorit. Burimet e sipërpërmendura sqaruan se pranë autobusit vihet re duke u afruar një person i veshur me një palë treçerekëshe dhe një këmishë të gjerë dhe në kokë mbante një kapele. Autori ulet në gomën e pasme të autobusit dhe sapo ndez fitilin e kallëpit të tritolit, largohet menjëherë po nga i njëjti drejtim që u afrua. Të njëjtat burime thanë më tej se personi që shfaqet në video ngjason me një nga banorët e zonës. Lidhur me këtë fakt, burime konfidenciale thanë për gazetën se janë duke hetuar nëse pronari i mjetit, Edmond Rexhepi apo vëllai i tij kanë ndonjë konflikt të mundshëm.
Banorët
Të pyetur nga “GSH”, banorët e zonës shprehen se në momentin që kanë dëgjuar shpërthimin, kanë qenë në gjumë, dhe janë tronditur nga zhurma e fortë. “Ishim në gjumë kur ndodhi shpërthimi. Kam dalë në dritare për të parë se çfarë ndodhi, pasi zhurma ishte tepër e fuqishme. U tmerruam”, – thotë një grua, e cila banon në apartamentin pranë vendit ku ishte parkuar autobusi.

Tentoi të vriste, arrestohet Alfred Skonja nga Fushë-Kruja

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

DURRES – Policia e Durrësit dje ka vënë në pranga 29-vjeçarin Alfred Skonja nga Fushë-Kruja, pasi dyshohet se prej një jave ka ndjekur një biznesmen nga qyteti bregdetar për ta ekzekutuar. Ndërhyrja në kohë e bluve ka parandaluar krimin, ndërsa është shpallur në kërkim dhe bashkëpunëtori i të riut. Mësohet se falë hetimeve me metoda speciale dhe gjurmimi fizik prej disa ditësh i Skonjës ka bërë të mundur kapjen e tij dhe dokumentimin e krimit që pohohet se ai do të kryente në Durrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e policisë së këtij qarku dje bënë me dije se më datë 26.07.2016, Alfred Skonja në bashkëpunim me një shtetas tjetër në Fushë-Krujë, kishte vjedhur automjetin tip “Wolksvagen” me targa AA 029 MM, në pronësi të shtetasit R.B., 22 vjeç, banues në fshatin Zhejë të Kurbinit. Ndërsa, targat i përkasin mjetit tip “Peugeot” në pronësi të shtetases R.B., 37 vjeçe, banuese në Durrës, të vjedhura më datë 18 korrik të këtij viti. Automjeti i vjedhur është gjetur më datë 24 gusht, rreth mesditës, pranë lumit Erzen. Po të njëjtat burime u shprehën se Skonja është një person me precedent të mëparshëm penal, ndërsa pritet dëshmia e tij për të hedhur dritë mbi motivet se përse do ta vriste personin nga Durrësi. Burime konfidenciale deklaruan për “GSH” se personi që do të vriste 29-vjeçari është një biznesmen, por për arsye hetimore emri i tij nuk bëhet i ditur. Mësohet se denoncimi i këtij të fundit në polici se ishte kërcënuar nga Alfred Skonja ka çuar në parandalimin e krimit. Sipas policisë së Durrësit, i riu nga Fushë-Kruja dhe bashkëpunëtori i tij kishin planifikuar që pas vrasjes të largoheshin me makinën e vjedhur, të cilën do ta digjnin.

Murgesha shqiptare: Një djalë më nxori nga rrënojat, ai është hero

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Tërmeti në Amatrice
për pak më mori jetën, por një ‘hero’ më shpëtoi nga gërmadhat, duke rrezikuar jetën e tij”. Këtë rrëfim e bën murgesha shqiptare, Mariana. 32-vjecarja ndodhej në Amatrice në konventën “Don Minozzi” të fshatit. “Një djalosh i zonës rrezikoi jetën e tij për të më shpëtuar. Një gjest heroik, që Zoti do ia shpërblejë”, thotë Mariana. Ajo u shpëtua nga ndihma e shpejtë, ndërkohë që në manastirin e murgeshave po gërmohet ende pasi nga apeli i bërë, rezultojnë ende persona të zhdukur. “Kur gjithçka nisi të lëkundej, e kuptova që ishte tërmet. U ngrita nga shtrati dhe po kërkoja ndihmë nga ballkoni, shihja njerëzit sesi dilnin nga banesat. Por, ndërsa bërtisja, gjithçka sipër meje dhe rreth e rrotull po rrëzohej. Mbeta aty në dhomë. Kërkoja ndihmë dhe gjithçka shembej e rrëzohej, gurë, hekura. Gjithë natën qëndrova nën shtrat dhe një djalosh që flinte këtej rrotull më dëgjoi teksa kërkoja ndihmë. Më nxori nga aty duke rrezikuar jetën e tij. Pastaj dëgjuam zërat e tjerë që thërrisnin ‘ndihmë’, shkonim aty dhe nxorëm një tjetër të mbijetuar”. Murgesha shqiptare thotë se momentet e shpëtimit të të mbijetuarve ndodhnin në çast dhe ishte e frikshme kur nuk mund të ndërhyje dot. “Më i frikshëm ishte momenti kur dikush thërriste nga poshtë gërmadhave dhe thoshte: ‘Ndihmë! Nuk marr dot më frymë, po më mbaron ajri, më nxirrni nga këtu’ dhe ne ishim këtu jashtë dhe nuk mund të bënim dot gjë”. Mariana thotë se 3 shoqet e saj murgesha ende nuk janë gjetur.

“Forcat e ushtrisë po përdoren në mbështetje të kandidatit të majtë”

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Ish-kryeministri Berisha publikoi dje një mesazh që sipas tij i ka ardhur nga radhët e ushtrisë, ku akuzohen krerët më të lartë të saj për përfshirje në fushatën zgjedhore të kandidatit socialist në Bashkinë e Dibrës. Sipas Berishës, ministrja Mimi Kodheli dhe një komandant i Forcave të Armatosura po ndërhyjnë në zgjedhjet e Dibrës. Në statusin e publikuar në “Facebook”, Berisha i bën thirrje Nishanit të ndëshkojë Shefin e Shtabit, Jeronim Bazo. “Oficeri dixhital denoncon Mrikën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjeneral trafikun për pjesëmarrje direkte në fushatën elektorale në Peshkopi me batalionin special, në shkelje flagrante të ligjit dhe Kushtetutës së vendit! I bëj thirrje Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të ndëshkojë me vendosmëri autorët e këtij akti kriminal elektoral të Mrikës dhe gjeneral trafikut!”, shkruan z.Berisha. Ish-kryeministri publikon mesazhin e oficerit dixhital, sipas të cilit krerët e ushtrisë janë përfshirë në fushatën zgjedhore për kreun e ri të Bashkisë së Peshkopisë. Denoncimi i Berishës shkon më tej teksa shkruan se Dauti ka vënë në shërbim efektivë të armatosur, për të ndikuar në zgjedhjet e Dibrës dhe për të ndihmuar koalicionin e majtë atje. “Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në bashkëpunim me komandantin e Batalionit Special (Eklant Dauti) dërgojnë efektivë të kësaj njësie për mbështetje të kandidatit socialist në Dibër, kundër çdo ligji e rregulloreje. Pasi i ka premtuar gradën e radhës të kolonelit, ky i fundit (Eklant Dauti) ka vënë në shërbim efektivë të armatosur të kësaj njësie. Shpresoj të jetë domethënëse për ju ky shqetësim i imi Doktor Berisha, ju përshëndes me respekt ‘oficeri dixhital'”, thuhet në mesazhin e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

LSI, thirrje politikës: Miratim konsensual të ligjit

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Valentina Madani

LSI u bën thirrje dy par
tive të mëdha, PS dhe
PD, që të miratojnë me konsensus ligjin për vetingun, pjesë e reformës në drejtësi. Sipas kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, koha në dispozicion deri më 30 gusht për të miratuar ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve është e mjaftueshme për të afruar qëndrimet. Ai deklaroi dje për “Ora News” se vullneti i mirë duhet të mbizotërojë edhe miratimin e 7 ligjeve të tjera të reformës në drejtësi. “Me vullnet të mirë mund të arrihet një miratim konsensual i ligjit. Dhe ky vullnet i mirë duhet të mbizotërojë edhe për 7 ligjet e reformës”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së. Ndërkohë, burime brenda PD-së bëjnë me dije për “GSH” se gjatë këtyre ditëve nuk po zhvillohen negociata mes palëve për miratimin me konsensus të ligjit. Gjithashtu, mësohet se PD-ja më datën 27 gusht do të paraqesë amendamentet e reja, pasi propozimet e para nuk u morën parasysh nga Komisioni i Reformës në Drejtësi. Ligji për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i miratuar pak ditë më parë në mënyrë të njëanshme në Komisionin e Posaçëm Parlamentar dhe që pritet në të njëjtën mënyrë të kalojë edhe në seancën e jashtëzakonshme të 30 gushtit, rrezikon të kthehet në nul, që do të mbajë pezull implementimin e reformës në drejtësi. Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, paralajmëroi: “Çdo instrument i nevojshëm për të garantuar që ky ligj përputhet dhe nuk shmanget nga vullneti konsensual i 22 korrikut, çdo hap i nevojshëm do të ndërmerret. Ky ligj sot devijon rëndë nga Kushtetuta e miratuar në 22 korrik”. Por, mësohet se opozita ende nuk ka një vendim zyrtar nëse këtë deklarata do t’i materializojë me padi konkrete. Mësohet se roli aktiv në ligj i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Drejtorisë së Sigurisë Informacionit të Klasifikuar është në kundërshtim me Kushtetutën e re. Gjithashtu, demokratët vlerësojnë se në ligj nuk është detajuar edhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve që do kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndryshe nga sa sanksionohet në Kushtetutën e re, demokratët pretendojnë se ligji nuk përcakton afate dhe rregulla të qarta në procesin e rivlerësimit, duke krijuar mundësinë e një procesi selektiv. Gjithashtu, ekspertët e PD-së pretendojë se mjaft dispozita të ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve cenojnë të drejtat e njeriut, por edhe bien ndesh me Konventën europaine të të Drejtave të Njeriut. Dhe nëse ligji mbetet siç është dhe vërejtjet e opozitës dhe të grupeve të interesit nuk merren në konsideratë, gjë që ka shumë pak gjasa të ndodhë, rruga drejt Gjykatës Kushtetuese e ligjit për vlerësimin mbetet e hapur. Kjo do ta ndërlikonte edhe më shumë zbatimin e reformës në drejtësi, pasi gjykata mund ta lërë në fuqi, por edhe mund ta rrëzojë dhe kjo e dyta mund të sillte pasoja të rënda sa u përket afateve të ngritjes së institucioneve të reja dhe për pasojë, zbatimit të reformës.

Kryegjyshi Botëror H. Dede Edmond Brahimaj Tomorri, Dodona pellazgjike, Orakull i Zeusit, Tempulli më i lashtë në botë, krenari e gjenezës shqiptare

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ferdinand Samarxhi

Mali i Tomorrit, si një vigan
historie gjallon dhe ndriçon me
drita të ndezura, të pashuara që presin agimet dhe mëngjeset e ditëve të malit, të netëve të pagjuma, por vetëm me lutje, adhurime flijime dhe blatime i dhanë këtij vendi, këtij tempulli të lashtë hyjnor, pamje si dikur.
Gazetarja: Ka ditë që mali i Tomorit pelegrinohet nga qindra e mijëra njerëz, të ardhur nga të gjitha anët e botës, nga të gjitha besimet e ndryshme. Ç'është ky Pelegrinazh?
Përgjigjia: Një qytet i tërë kulturor, në shpatullat, korijet dhe lëndinat e malit, ku nuk mungojnë ekranet e mëdhenj, Led Hall, programet gjatë gjithë ditëve të malit, ansamble, grupe dhe artistë të ndryshëm, që siç ka qenë zakoni, të presin agimet e tyre në ngazëllimin e natës me adhurimet ndaj tempullit të shenjtë, duke flijuar dhe duke u blatuar për Perëndinë. Një pelegrinazh që vazhdon sipas traditës nga data 20-25 gusht, të ditëve të qëndrimit si dikur të Abaz Aliut në Malin e Tomorrit dhe prej andej të shkuarit e tij në malin e Olimpit, kulmon në ceremoninë që organizohet në 22 gusht. Këtë vit, në Tomorr kanë ardhur qindra e mijëra vetë si asnjëherë tjetër. Vargu pelegrinësh dhe makinash pa sosur. Pesë ditë në Tomorr, rreth 400 mijë vetë të ardhur nga të katër anët e botës, nga të gjithë besimet e ndryshme.
Të gjithë me çadra, të gjithë pranë zjarreve të ndezur, përcjellin ditët me joshjen e tyre, me joshjen e hyjnizimit të tempullit, të Dodonës pellazgjike
Gazetarja: A ka ndonjë domethënie, burim historik, ky Pelegrinazh, në Tomorr, në tempullin e lashtë?
Përgjigjia: Historia më e lashtë e Shqipërisë vërtitet dhe rrotullohet rreth Tomorit hyjnor, rreth Malit-Zot, aty ku gjenden kulmet e saj, shkëlqim i lavdisë, shenjtërisë dhe madhështisë së gjenezës shqiptare. Nga ky kulm i lartë mund të shohësh larg dhe thellë, të çash mjegullnajën e kohës dhe tisin e hapësirës, të fluturosh si shqiponjë dodoniane zeusiane, që edhe pse koha me largësinë e saj kërkon ta zvenitë këtë madhështi, konturet e tempullit të lashtë gjithnjë e më shumë rriten në horizont, gjithnjë e më shumë shkëlqejnë dhe rrezatojnë historinë e gjenezës së trojeve tona, të kombit tonë. Tomori ky tempull më i lashtë, ka gurrë meteologjike dhe ngjitet deri në lartësinë më të thellë të kohëve, të honeve, të shekujve, ku vështrimi i studiuesit, s'mbërrin dot.Emri i tempullit të lashtë të Tomorit, Dodonës pellazgjike, dokumentohet mjaft herët, që në agim të shkrimit të poemat homerike. Emri dhe historia e tempullit të malit të Tomorit është e pandarë nga emri dhe historia e Dodonës, e cila është orakullii i Zeusit, Perëndisë më të fuqishme të mitologjisë greke. Homeri, në Poemën "Iliada" thotë: "O mbret, Zeus, Dodonës pellazgjik, që banon larg, duke sunduar Dodonën (Tomorin e sotëm), që e rrahin dimra të rëndë e të egër". Historishkronjësi i vjetër, P. Aravantioit, në librin e tij, botuar në Janinë në vitin 1859, pohon: "Dodona ishte qendër pellazge parahelenike, shumë më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke, si e tillë, ajo u njoh në krejt botën e lashtë dhe këtë realitet ekzistues e kanë pranuar vetë autorët më të moçëm helenë". Herodoti, që bën fjalë për profecitë e Dodonës, priftëreshat e tempullit, në librin e tij, të cilin e ka parë vetë dhe e ka vizituar atë tempull, thotë se kjo faltore ka qenë më e vjetra nga gjithë të tjerat, dhe më e para, pra tempulli më I lashtë mbi dhe: aty vinin blatime a kushtime (aferoma) edhe nga popujt e Evropës që ndodheshin në veri të Ilirsë. Gjithashtu, ai ka shkruar "Pellazgët e kishin zakon, t'u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse mësova në Dodonë – siç thotë ai. Pellazgët…. nuk ishin veçse një popull barbar… mollosët dhe arkadasit pellazgë…" Hesiodi, libri i VII, faqe 16, përmend si vend faltores së Dodonës, qytetin Sella të Sellopisë. Ai thotë se Sellopia është një vend me plot ara pjellore me drithëra, ku rriten tufa të mëdha dhensh, lopësh e qesh. Burrat e Sellopisë janë dhenarë, të pasur, që quheshin ndryshe vuvotë. Në poemën "Carmina", Hesiodi, jo vetëm e prëshkruan Hellopinë, por edhe e cilëson si atdheu i Dodonës.
Këtu Zeusi e deshi të jetë një faltore
e vyer për njerëzit…"
Tradita mitologjike dhe historike dëshmon se banorët e lashtë të këtij vendi, të këtyre anëve, quheshin arë, argë, arkadhë, dhe më pas pellasgë, likaonë, dorë, kadmejë, heraklidë, hyllejë dhe në antikitet ilirë. Në kohët homerike, banorët e këtyre vendeve quheshin pellazgë, në antikitet eipiriotë dhe ilirë, sinonime të emrave të përgjithshëm etnikë kombëtarë. Homeri tek Iliada thotë: "Pas enianëve, vijnë perrebetë, që banojnë rreth Dodonës dimërkeqe". Sipas Homerit, këto dy fise janë pjesëmarëse në Luftëne Trojës dhe banojnë pranë Dodonës Pellazge. Festat e banorëve të këtyre anëve, siç thotë Pindari, ishin ngazëllim i madh për Apollonin.
Hesiodi, shek. VIII – VII p.e.s, pohon: "Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve", se hyjnori Lykaon ishte i biri i Pellazgut, duke sqarar dhe përforcar thënien e Homerit, shekuj më parë, se pellazgët, paraardhësit e gjenezës sonë, ishin hyjnorë. Prandaj Zeusi deshi që Dodona të ndërtohej në këtë majë të lartë (Tomor) dhe ajo të ishte orakulli i tij. Stefan Bizantini për të lidhur më mirë vijimësinë dhe ardhjen e gjenezës, pohon se Hellopia me të cilën lidhet emri i krahiës, është gurra mitologjik e emrit ku pozicionohet tempulli. Hellopi ishte i biri i Jonit, emri etnik i Hellopies, krahinë përreth Dodonës. Sipas mitologjisë, Joni është i biri i Dyrrahut. Joni është edhe biri i mbretit ilir Adria nga mori emrin deti Adriatik. Gjiri jonian është gjiri ku lindi Zeusi, deti i Kronit dhe Reas, sipas Pierre Grimalit, vendi ku shtegtoi nimfa arkade, Io-ja e ndjekur nga Zeusi, sipas Eskilit dhe Ovidit. Deti Jon në hershmëri të thellë përfshin edhe detin Adriatik.
Në lashtësi, diku midis Gjirokastrës dhe Sarandës së sotme figurojnë dy qytete, Helaon, Helakranon, fjalë ku në rrënjë të tyre gjenden hellopia, helloi, selloi, ahello, hellan, me rrënjën "hell", duke faktuar se mishi i therrur për nder të Zeusit dhe Dodonës pellazgjike piqej në hell, si blatim për Perënditë. Këtu e ka prejardhjen edhe kurbani që bëhet sot në Tomor, Dodonë pellazgjike, që nga thellësitë e lashtësisë së kohëve, që kanë ardhur dhe vijojnë edhe në ditët e sotme. Pseudo Skylasi, Tuqididi, Klod Ptolemeu, Tit Livi etj, pohojnë se paraardhësit, "elejtë", fis epirot, përkatësisht ilir, u përhapën në Italinë e Jugut. Në lashtësi figurojnë disa qytete epirote me këtë emër, por edhe gjiri elatea në Efyrë. Gjithë Epiri është "helli", "selleis", vendi i shkuarjes në hell të mishrave të pjekur, si flijim dhe blatim për Perëndinë.
Eskili, shekulli V p.e.s., tek "Prometeu i Lidhur", 800, thotë: "… Kur ju të keni arritur në tokën e Molosëve të Dodonës, së Sipërme, ka një orakull dhe tempull të Jupiterit Thesprot…". Në librin VI, 7, ai shprehet se tempulli i Dodonës gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomori i sotëm. Gjiri i Reas dhe i Kronit, prindërve të Zeusit, lokalizohet në malet e Vetëtinës, përndryshe malet Zeusiane, Hyllire. Pindari, pohon: "Prej Dodonës nisin fushat ku kullosin gjedhët". Saktësisht, fushat dotiane, sipas të gjithave gjasave, janë fushat përpara Tomorit, Myzeqeja, fusha e Shqpërisë Perëndimore, fusha e Elbasanit. Herodot, fillimisht besonte se emrat e hyjnive vinin nga Egjipti, por duke kërkuar zbuloi se ata kishin ardhur nga barbarët. Origjina e fesë vjen nga barbarët, nga pellazgët dhe nga shenjtorja ilie epirote e Dodonës". Sami Frashëri shkruan se edhe në kohët më të qytetëruara të Greqisë, tempulli i famshëm i Dodonës, që ndodhej në Epir, u përkiste pellazgëve. Priftërinjtë, që shërbenin në tempull, dhe popullsia në viset përreth, fliste gjuhën e pellazgëve. Dhe vizitorët që vinin nga krahinat greke ishin të detyruar të merreshin vesh me përkthyes. Popullsia e Atamanisë (Aspropotam, nahijet e Xhumrekës e të Kalaritës) ishte pellazge, paraardhës të gjenezës sonë. Qendra shpirtërore e tyre ishte tempulli i famshëm i Dodonës. Priftëreshat e faltorës së Dodonës, Tomorit të sotëm, nuk flisnin helenisht, por gugatnin si barbarë. Sipas mitologjisë, në orakullin e Dodonës, të gjithë njerëzit që vinin nga të gjitha anët e botës mësonin për parashikimin e fatit të tyre. Tri plakat e orakullit të Dodonës, që përmend Straboni, lidhen me emrin e fisit "Graik" – "Gratë", që lokalizohen pikërisht në Epir. Fjala "gra" është vendase, pellazge, shqipe. Sipas babait të historisë, Herodotit, feja Helene e Athinës buron nga atdheu ku ndodhet Dodona, nga Arkadia, nga "pleqtë", dmth nga pellazgë, nga Epiri, gjeneza e vendit tonë se ka patur disa orakuj të Zeusit, jo vetëm në trojet tona, por edhe në Libi e në Egjipt ka një Dodonë famëmadhe dhe disa orakuj të Zeusit, edhe jashtë epirote toske. Herodoti nënvizon një detaj të veçantë me interes të madh shkencor për kryetempullin më të lashtë të botës: "Dodona është ndërtuar nga banorët vendas të Epirit, nga ata të moçmit, pellazgët, arkadhët, nga tirrejtë. Prej kësaj vatre, tradita e shenjtërisë së Zeusit, dhe ajo mitologjike është përhapur në drejtim të Greqisë së sotme dhe më gjerë. Dionis Halikarnasi, në librin e tij të parë, thotë se pellazgu ishte i biri i Zeusit dhe i Niobës së Foronit. Dimë se Zeusi ka lindur në Arkadi, në viset e Shqipërisë së sotme, se Foronidha përfaqëson Jonë, evropën, nja nga gratë e Zeusit, se emri i nimfës lidhet me detin Jon. Në librin e dytë, ai pohon se Enea arriti në Dodonë me ushtarët më të zgjdhur, për të kërkuar mendimin e perëndisë, ku gjetën edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenën. Enea mbërriti në vendin e enianëve, me të cilin e lidh jo vetëm emri i përbashkët, por siduket edhe origjina. Halikarnasi fakton se pjesa më e madhe e pellazgëve shkuan tek aleatët dhe vëllezërit e tyre ne Dodonë, kundër të cilëve askush nuk mendonte të bënte luftë, sepse ishin të shenjtë. Meqenëse vendi aty nuk i ushqente dot të gjithë, me porosi të orakullit të Dodonës, u hodhën në Itali, në Ombri, në lumin Pad ose Spine. Dodona është ndërtuar në një epokë shumë të hershme, në epokën mitologjike, se lidhja Argë – Pellazgë – Dodonë – Likaonë – Aiakas – Pirrhej – Hyllej – Heraklidë – Epirotë (thesprotë, mollosë) është vertikale, e drejtpërdrejtë e banorëve, e gjenezës tonë. Gazetarja: Ju, me shumë informacion shkencor, të bazuar në shumë autorë dhe studiues të mëdhenj të historisë, të historiografisë, të gjuhësisë, treguart se Tomori, Dodona pellazgjike, është tempulli më i lashtë në botë, i njohur që nga periudha mitike, mitologjike, homerike, pellazgjike, epirote dhe ilirike. Në këtë mal kremtohet festa e Abaz Aliut. Si është gërshetuar miti i lashtë i Dodonës pellazgjike me Heroin e Luftës së Qerbelasë, Abaz Aliun? Përse Abaz Aliu, kjo figurë emblematike, është simbol i Pelegrinazhit sot?
Përgjigjia: Sheh Hysejn Tusiu, që ishte studiues dhe kishte njohuri të mëdha për trojet tona. Stërgjyshi i tij kishte ardhur misionar i parë dhe kishte sjellë dokumente të ngrakimit të tij me mision për të përhapur Kuranin e atëhershëm, të shkruar me dorë, shpatën simbol të Islamit, dhe një torbë me dhé nga vendi ku kishin rënë dëshmorë, në fushën e Qerbelasë, Imam Hysejni dhe Abaz Aliu. Ai, duke mësuar se në këto troje gjendej tempulli më i lashtë, faltorja dhe orakulli i Zeusit, vendi më i shenjtë dhe më i hershëm, dhe siç pohon Homeri, populli më hyjnor, vendosi dhe erdhi pikërisht në këtë tempull, në majën e tij më të lartë, varrosi torbën me dhé, duke krijuar kështu mekamin e Abaz Aliut. Duke qenë se bektashinjtë përqafojnë më mirë se kushdo devizën e thënies së Profetit Muhamed se "Pa atdhe nuk ka Fe" dhe duke u nisur nga vetë jeta e heronjve mitikë, që jeta e tyre ishte përkushtim për Perënditë, u përkujdesën veçanërisht në shërbim të shenjtërimit të këtij tempulli të lashtë. Prandaj, tradita vazhdon, që nga hershmëria e njerëzimit, në ditët e sotme, dhe pa dallim midis besimeve se bektashizmi është ndër primarët e harmonisë, tolerancës dhe mirëkuptimit fetar.
Gazetarja: Meqë ceremoniali lidhet edhe me këtë figurë emblematike, mund të dimë diçka për këtë Hero të Qerbelasë?
Përgjigjia: Abaz Aliu lindi në 4 tetor të vitit 26 Hixhri Hënor (648). Ai lindi si djali i Imam Aliut, modelit të përsosmërisë njerëzore dhe nga nëna e tij, që quhej Fatime, e njohur ndryshe me emrin Ummul Benin, vajza e Hezan Ibne Halid Ibne Rabije Ibne Amer Kelbi. Nganjëherë, Aliu, kur hidhte vështrimin te djali i Tij, i shfaqej para syve e ardhmja e të birit: pas një buzëqeshje kënaqësie ndaj caktimit të Zotit, nga sytë e Tij rrjedhin lotë. Kur bashkëshortja e Tij e pyeti se pse po vajtonte, Ai tha: "Abazit do t'i presin krahët kur t'i vijë në ndihmë Hysejnit". Atëherë, për hir të dashurisë së madhe që ka Zoti ndaj tij, do t'i falë Abazit dy krahë, që të fluturojë në Parajsë, si xhaxhai i vet, Xhaferr Ibne Ebu Talib. Në vitin 37 Hixhri, në luftën e Siflinit, megjithëse ishte një djalosh shumë i njomë, ai luftoi me një heroizëm dhe trimëri të pashoqe edhe në beteja të tjera. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysejnit, rrëmbeu kacekun dhe u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. Armiku mori shenjë dhe e goditi në kraë Abaz Aliun. Trimi, si humbi dy krahët nga goditja e armikut, ra nga kali. Imam Hysejni i shkoi pranë, i qëndroi mbi kokë dhe e shtrëngoi fort në gji vëllain e dashur që më pas shkoi te Zoti.
Gazetarja: Ç'janë vendet e shenjta dhe ç'është Pelegrinazhi?
Përgjigjia: Në kohët e lashta njerëzit kishin zakon të tregonin forma lavdërimi dhe adhurimi për Perënditë, për Shenjtorët e tyre. Një prej këtyre formave ishte shenjtërimi i jetës së tyre, duke ngritur, varre, ndërtesa të bukura që në të shumtën e rasteve janë vende adhurimi. Kurani i Shenjtë, duke treguar historinë e shtatë shenjtorëve të Efesit (Ephesus), i është referuar kësaj dukurie: "Ne bëmë që historia e tyre të jetë publikë, në mënyrë që populli të dinte se premtimi i Zotit ishte i vërtetë dhe se nuk ka asnjë dyshim për ardhjen e Ditës së Gjykimit. Ata filluan të diskutojnë me njëri-tjetrin mbi çështjen e Ringjalljes dhe disa thanë: Ndërtojuni atyre një ndërtesë (të jetë shenjë), Zoti di më mirë për ta". (Sure El-Kehf, vargu 21, faqe 342). Këto vende të shenjta kanë qenë shumë shpesh burim I vendosjes së marrëdhënieve me Zotin. Njerëzit, duke e njohur veprën e Abaz Aliut kanë krijuar hapësirën e respektit që duhet të kenë për këtë figurë mitike, ndaj e vizitojnë mekamin e tij, që gjendet sot në tempullin e lashtë, Dodonën pellazgjike, orakullin dhe faltoren e Zeusit.
Në Hadithet Profetike thuhet se: "Kur ta ndjeni veten ngushtë, do t'u drejtoheni vendeve të mira. Ato e dinë hallin tuaj"!
Mekami i Abaz Aliut në të vërtetë është vend I shenjtë, një prej shtëpive mbi të cilën Zoti i Plotfuqishëm tha: "Shtëpitë që Allahu ka shpallur që të jenë tepër të respektuara dhe emri I tij të përmendet aty me nderim, në mëngjes dhe në mbrëmje" (Kuran 24:36).
Gjurma e Abaz Aliut, lidhet edhe me historinë, edhe me legjendën se si ka ardhur Abaz Aliu në Tomor. Rilindasi ynë i madh, patriot, Naim Frashëri, thotë në Poemën "Qerbelaja":
Abaz Aliu zu Tomorë
Erdhi afër nesh
Shqipëria s'mbet e gjorë
Se Zoti atë e desh…
Naim Frashëri: "Ç'është ai që shkon kaluar / me dy-tri foshnje në duar / është Abaz Ali…" Këtu, siç thuhet nga gojëdhënat dhe legjendat që janë përcjellë brez pas brezi, Heroi i Luftës së Qerbelasë, trashëgoi fuqitë e tij të mbinatyrshme dhe prej këndej, pas pesë ditëve shkoi në Olimp, prandaj edhe Pelegrinazhi i Malit të Tomorit, që nga koha e ardhjes së Abaz Aliut, kremtohet nga data 20 deri më 25 gusht, për pesë ditë rresht në përkujtim të ditëve të qëndrimit dhe të largimit të tij.
Ditët e Tomorit janë ditë blatimesh dhe lutjesh për Perënditë, janë ditë përkushtimi dhe flijimesh, për çdo njeri, pavarësisht se ç'praktikë besimi ndjek, janë ditë të një botëkuptimi, vizioni që krijon për të ardhmen e tij. Vetë ky pelegrinazh tashmë, që ka vite që është kthyer në vazhdën e kohëve të hershme, të thellësive të tyre, po merr gjithnjë e më shumë përmasat e tij botërore.
Gazetarja: Ju thatë se pele-grinazhi kulmon më datë 22 me ceremoninë e tij.
Përgjigjia: Po si gjithnjë sipas traditës më datë 22 gusht organizohet një ceremoni e madhe me pjesëmarrjen e të gjithë pelegrinëve.
Në fjalën e tij në miting, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i ndërgjegjshëm për ekzistencën e tempullit më të lashtë, Dodonës pellazgjike, Tomorit të sotëm, tashmë i njohur në çdo skaj të dheut, në gjithë galidhenë e madhe të kombeve, si vendi më i shenjtë hyjnor, këtë vit, më mirë se vitet e kaluara, kishte marrë të gjitha masat me sekretarin e Teqes së Skraparit z. Zalo Qato që të gjithë njerëzit e ardhur nga të katër anët e botës, megjithëse në kushtet e lartësive të mëdha, të përjetonin sa më mirë dhe sa më kënaqshëm, Pelegrinazhin në këtë vend të shenjtë hyjnor, ku asgjë të mos mungojë, por që të gjithë të lirë, t'i drejtohen këtij vendi, këtij tempulli të shenjtë, të bëjnë blatime dhe flijime për Perënditë, për Abaz Aliun.
Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, u lut tek ky tempull i lashtë, tek ky vend i shenjtë, që vendi ynë, kombi ynë, populli ynë të përjetojë ditë të mbara më të mira që paqja dhe dashuria të mbretërojë në çdo zemër njeriu, në të gjithë galidhenë e madhe të kombeve.
Doktor Honoris Causa Z. Muhamet Malo, kontributor për ndërtimin e faltores së madhe të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Odeonit, humanist, tha ky tempull I lashtë I Zotit, krenari e gjenezës të kombit tonë, ashtu siç mëkoi me dashuri heronjtë mitik homerik pellazgjik epiriot dhe ilir mëkon edhe sot këto besimtarë e këto njerëz për atdheun, shqiptarinë e kombin. Gjithnjë bektashianët kanë ushqyer paqe, dashuri dhe mirësi për njëri tjetrin, për Zotin, për atdheun. Duke përshëndetur në emër të qeverisë, ministër i punës dhe i çështjeve sociale z. Klosi tha se ky tempull i shenjtë siç ka rrezatuar në histori dashuri, mirësi dhe besim tek Zoti për njerëzit, le të na shërbejë si një burim i mëtejshëm i kësaj rruge, i kësaj fryme, i kësaj dashurie për të ndërtuar qytetërimin e lirisë të paqes të jetës për tu bërë edhe ne si gjithë të tjerët pjesëtarë të familjes së madhe Europiane. Përfaqësues i OSBE tha se ky vend i shenjtë është një tempull, një vend besimi i Zotit që gjithmonë Shqiptarët duhet ti drejtohen dhe jo vetëm për tu lutur por për të rrezatuar si në kohë të hershme atë besim që përcolli ky komb dhe ky tempull i tij i lashtë. Përfaqësues të ambasadës amerikane, të gjermanisë, të austrisë, të prefekturës, të bashkisë në fjalën e tyre uruan që kombi ynë, një komb me tradita dhe besim tek Perëndia të eci në këtë rrugë dhe të manifestojë gjithnjë mesazhin e tij të harmonisë, të tolerancës e të mirëkuptmit. Dita kulmore vazhdoi me programe të shfaqjeve të grupeve artistike të ndryshme të ardhura nga vendi e nga ballkani, si edhe artistë të njohur si Ylli Baka, Mehdi Zena, grupe polifonike etj.
Gazetarja: Pelegrinazhi po merr gjithnjë e më shumë konture dhe përmasa botërore. Po bëhet pronë e të gjithë popujve.
Përgjigjia: Ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për historinë tonë. Gjeneza jonë është sa e hershme heroike, sa e lavdishme, sa atdhetare, aq edhe patriotike. Nisur që në fillmet e para historisë, në duhet të jemi krenarë që kemi tempullin më të lashtë të botës, Dodonën pellazgjike, Tomorin e sotëm, orakullin dhe faltoren e Zeusit, perëndisë më të fuqishme të mitologjisë greke, që edhe gjeneza e tij është prej trojeve tona, prej paraardhësve tanë, e dokumentuar dhe e pranuar nga studiuesit e botës, por edhe nga vetë ata helenë. Por unë, dua të theksoj se kjo vijimësi e këtyre trojeve të lashta, ky hyjnizim i tyre, ky popull me prejardhje hyjnore nga paraardhësit e tij, ka vijimësuar edhe më tej, pas kohëve, mitike, mitologjike, pellazgjike, epirote, ilirike dhe të periudhave të mëvonshme, të Rilindjes.
Ky popull do t'i jepte historisë së Papatit të Romës në kohëra, shtatë Papë: Papa Saint Eleutherius, Shën Urbani Papë, Shën Kai Papë, Papa Pali i IV (Karafa) ku gjatë kohës së tij u botua për herë të parë në gjuhën shqip libri i parë që njihet deri tani në histori për gjuhën tonë kombëtare, Meshari i Gjon Buzukut; Papa Gjoni IV Dalmati, Papa Sisti V Pereti, Papa Klementi i XI ku me urdhërin e tij u mbajt Koncili i Arbërit, më 10 korrik 1703 në Merkinje të Lezhës, ku u morr vendimi për hapjen e shkollave shqipe, për botimin e teksteve në gjuhën shqipe. Bota njohu atletin e Krishtit, Gjergj Kastriot Skënderbeun, që mbrojti civilizimin evropian nga hordhitë osmane. Nga gjiri i kombit tonë doli simboli i dashurisë së gjithë botës, Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, që në 4 shtator të këtij viti do të shenjtërohet. Ne kemi fatin më të madh si komb, që kemi qendrën Botërore të Bektashizmit. Ati i Shenjtë Papa Françesku në vizitën e tij në Shqipëri më 21 shtator 2014 vlerësoi kombintonë kur citoi shqiponja – tha Ai, – që e shikojmë në flamurin e vendit tuaj t'ju kujtojë gjithmonë shpresën për të mbështetur besimin në hyun që nuk zhgënjen, po që është gjithnjë përkrah nesh posaçërisht në çaste të vështira. Kombi ynë mbart mesazhin më të madh me vlera dhe përmasa botërore që kohët e sotme kërkojnë ta dimensionojnë si mesazh për gjithë shoqërinë e sotme njerëzore.

Edi Rama promovon “Kurbanin” në Beograd dhe çel ekspozitë

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Kryeministri shqiptar do të vizitojë
Serbinë, mes të tjerash për të promovuar librin e tij “Kurban”, për të çelur një ekspozitë vizatimesh dhe për autostradën drejt Durrësit. Mediat serbe shkruajnë se Edi Rama do të niset nga Beogradi për në Nish më 14 tetor, ku do të mbahet një takim i sipërmarrësve shqiptaro-serbë, do të promovohet projekti i rikonstruksionit të autostradës Nish-Durrës, e ku zyrtarë të Kosovës do të marrin pjesë. “Kryeministri shqiptar, Edi Rama viziton Beogradin më 13 tetor, kur promovohet ‘Kurbani’ në serbisht. Më tej Rama merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd në datat 12-14 tetor. Siç jemi informuar nga burime në Tiranë, autostrada do të ndërtohet patjetër, edhe pse Bashkimi Europian nuk ka ende propozime konkrete sa i takon pyetjes sa fonde do të miratohen”, shkruan B92 duke cituar “Danas”. Libri “Kurban” botohet para mbërritjes së Ramës dhe promovohet në takimin e sipërmarrësve dhe në Nish, dhe mbase në këtë rast do të bëjmë një miniekspozitë me vizatimet e Edi Ramës. Për më tepër, para Panairit të Beogradit, do të botojmë edhe “Pallatin e ëndrrave” të Ismail Kadaresë. Do të botojmë edhe libra të tjerë të këtij autorin në serbisht”, ka thënë Veran Matic, drejtor i shtëpisë botuese “Samizdat B92”. Këshilltari politik i Edi Ramës, shkrimtari e publicisti Shkëlzen Maliqi ka folur librin e kryeministrit shqiptar që promovohet në Beograd. “Libri ‘Kurban’ u botua në vitin 2011, kur Rama humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës. Rezultati ishte shumë i ngushtë. Në numërimin e parë, Rama ishte para kundërshtarit me vetëm 9 vota. Më pas Partia Demokratike bëri një ankesë për rinumërimin e votave të pavlefshme… Rama vendosi të shkruajë dëshminë e situatës në Shqipëri duke përballur vizionin e tij në modernizimin e Tiranës dhe Shqipërinë me Bertishën autoritar”, thotë Maliqi mbi përmbajtjen e librit. Ai vëren se është libër “i pazakontë, i parë si analizë dhe i shkruar disi me një stil barok me shumë metafora e humor”. “Kur vjen puna te Kadare, ‘Samizdat’ ka rënë dakord të botojë një përzgjedhje me pesë libra që unë kam propozuar se mund të jenë interesantë për audiencën këtu”, ka thënë Shkëlzen Maliqi për “Danas”.

Orë vendimtare për Etrit Berishën

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Ditë vendimtare për
të ardhmen e Etrit Berishës. Portieri shqiptar i Lacios shpresonte që të fitonte besimin e trajnerit Simone Inzaghi për të qenë ai numri 1 i portës bardhekaltër, por mesa duket skenari nuk ka ndryshuar. Trajneri italian vazhdon të besojë te aftësitë e Marchettit, pavarësisht formës jo të mirë që ai tregoi në transfertën e Bergamos, ku pësoi dy gola të evitueshëm. Klubi do të sqarojë situatën pas ndeshjes kundër Juventusit, ku Marketi do të luajë sërish që nga minuta e parë duke refuzuar edhe një ofertë të ardhur ditët e fundit nga Xhenoa. Në këtë mënyrë, agjentët e gardianit shqiptar po kërkojnë të gjejnë një zgjidhje përfundimtare, pasi Berisha kërkon më shumë hapësira dhe në këtë moment, Inzaghi nuk ia premton një gjë të tillë. Sipas mediave italiane, në adresë të klubit roman kanë mbërritur disa sinjale nga Torino, Krotone e Palermo, por është portieri shqiptar ai që do të marrë vendimin përfundimtar dhe nuk është aspak habi që ai të zgjedhë një kampionat tjetër. Një tjetër emër që ngjall interes për shqiptarët është edhe Tomas Strakosha. Në transfertën e Bergamos i riu u ul në stol me skuadrën e parë por mbetet ende për t’u përcaktuar edhe e ardhmja e tij.

Kompensimi i pronarëve, ATP çel fondin 4 mln dollarë

Posted: 26 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ornela Manjani

Agjencia e Trajtimit të
Pronave çel fondin
4 milionë dollarë për kompensimin e 456 pronarëve, që u është toka nga ndërtimet pa leje dhe përfitojnë kompensimin. Pronarët duhet të plotësojnë Formularin TIP. Agjencia bën të ditur se nis sot procesi i pranimit të kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. “Gazeta Shqiptare” publikon listën e plotë të përfituesve dhe sipërfaqen që do të kompensohet për çdo përfitues. Kostoja e aplikimit është 2 mijë lekë, ndërsa afati i shqyrtimit të kërkesës është 90 ditë.
Dokumentet
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë kërkesën TIP, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Subjekti përfitues duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit dhe mandat pagesën. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
Pranimi i kërkesave
Procesi i regjistrimit apo pranimi i kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik. Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

Related Posts :