Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“DITA në Bibliotekën e Lezhës…” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“DITA në Bibliotekën e Lezhës…” plus 9 more - Gazeta Dita


DITA në Bibliotekën e Lezhës…

Posted: 30 Aug 2016 02:04 AM PDT

Përshëndetje DITA! Duke qenë se gjatë gushtit nuk ndodhesha në Shqipëri, nuk jam njohur me shkrimet tuaja. Megjithatë kisha shpresë t'i siguroja një pjesë prej tyre në bibliotekën e qytetit tim. Por për çudinë time më thanë se kjo gazetë nuk vjen prej shumë kohësh në bibliotekën tonë! Si ka mundësi që një gazetë shumë e lexuar të mungojë për lexuesit në qendër të bashkisë? A nuk paska mundësi bashkia të blejë një gazetë të pavarur që si motrat e saj të lexohet në këtë bibliotekë moderne. Kujtoj se për mungesën e kësaj gazete në këtë bibliotekë ka shkruar edhe kolegu im Preng Pjetri. E shtroj të domosdoshme prezencën e saj gazete të paktën me një kopje për lexuesit në këtë bibliotekë.

Alienët e mbollën hashashin?

Posted: 30 Aug 2016 02:03 AM PDT

E nderuar "Dita"! Fushata për korrjen dhe grumbullimin e kanabisit përfundoi me sukses. Prodhimet ishin të bollshme. Në ndihmë të kultivuesve shkoi edhe policia. Korri sipërfaqe të tëra nga Jugu në Veri, dogji disa degë si shenjë që kishte qenë atje dhe shpërndau njoftimin se po punohet për të identifikuar dhe kapur kultivuesit. Në fund, si për të gjitha fushatat e suksesshme, një veprimtari disa milionëshe për arritjet (të kultivuesve apo të policisë?!!!). Këto janë fragmente nga kronikat. Nuk kemi të drejtë të hamendësojmë e të komentojmë se ç'ndodh prapa perdeve, po ndonjë mendim mund ta shprehim.

Toka pa pronar nuk ka. Me sa di unë ka vetëm dy lloj pronarësh, individë dhe shteti. Alienët nuk kanë regjistruar asgjë në hipotekë. Po shteti ka rojtarë që duhet ta njohin zonën me pëllëmbë, edhe një trung të prerë pa leje, edhe gjuetarët që gjuajnë në atë pyll, edhe çdo vatër zjarri…Për këto të mbjella mos i ka vënë në gjumë hashashi dhe nuk kanë parë asgjë, as kur u punua ara, as kur u mboll fara, as kur u ujit e as kur u rrit?!

Në fshat ka kryeplak dhe anëtarë të kryepleqësisë. Ata dinë dhe furriqet e pulave e zbulojnë autorët e çdo keci të vjedhur në errësirën e natës. Si ka mundësi të mos u ketë zënë syri parcelat e mbjella me hashash, veprimtari që nuk përfundon në një ditë a një natë, as në një javë e as në një muaj?!

Në Shqipëri ka mesatarisht një polic për 200 banorë afërsisht. Këta kanë detyrë të parandalojnë krimin, apo të vjelin prodhimin?! Me sa duket, kur kupola ka interes, vartësit nuk kanë as sy e as veshë. Kur kupola kërcet dhëmbët, hashashit i shkulen rrënjët.

Mbytet në lumin Drin fëmija 10 vjeç

Posted: 30 Aug 2016 01:53 AM PDT

Një fëmijë 10 vjeç është gjetur i pajetë në buzë të lumit Drin pranë fshatit Muhurrr. Burime nga Policia e Dibrës bëjnë të ditur se, një ditë më parë rreth orës 21:30, shtetasi Sh. Xh. nga fshati Mazhiç, Bulqizë, ka njoftuar në Sallën Operative se që nga ora 11:00 e paradites nuk i është kthyer djali i tij I. Xh. rreth 10 vjeç.

Për herë të fundit është parë rreth orës 15.00 duke u larë në lumin Drin në fshatin Katund i Ri Peshkopi dhe dyshohet se mund të jetë mbytur në lumë duke u larë.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivë të Komisariatit të Policisë Dibër, ku kanë ushtruar kontroll gjatë gjithë natës, dhe gjatë orëve të para të mëngjezit përgjatë shtratit të lumit Drin.

Nga ura e fshatit Katund i Ri, deri tek ura e fshatit Muhurr, në një distancë rreth 5 km, si rezultat i kërkimeve të forcave të policisë rreth orës 09:30, të datës 30.08.2016 në vendin e quajtur "Shenjat e Brezhdanit", mbi urën e fshatit Muhurr, është gjetur trupi i pa jetë i fëmijës 10 vjeç, shtetasi I. Xh, banues në fshatin Mazhiç, Bulqizë.

Nga këqyrja paraprake e kufomës e kryer nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune apo dëmtime të tjera të shkaktuara nga ndonë faktor tjetër, përveç asaj të mbytjes.

Dyshohet paraprakisht se shkaku i humbjes së jetës është si pasojë e mbytjes në lum.

Grupi hetimit vijon hetimet në vendngjarje.

Perandoria në rënie e Donald Trump

Posted: 30 Aug 2016 01:45 AM PDT

Refuzimi i tij i përsëritur për të nxjerrë pagimin e taksave ka nxitur spekulimet se vlen shumë më pak nga sa pretendon, dhe se ai përfiton prej ligjit të taksës mbi pronën, për të raportuar një të ardhur prej zero dollarë – një marifet që dikur e përdorte për të mos paguar taksë mbi të ardhurat për disa vite, në 1970 dhe 1980. Kompanitë e tij gjithashtu kanë rreth 650 milionë dollarë borxhe – disa prej tyre të marrë në Bankën e Kinës. Por Trumpi këmbëngul se vlera e tij neto nuk mund të shkëputet nga vlera unike e markës së tij personale. "Duhen tru për të nxjerrë miliona dollarë", thotë Trumpi. "Duhet Trumpi për të bërë miliarda"

Si e nisi?

Me një shtytje të fortë nga babai i tij. Fred Trump fitoi rreth 300 milionë dollarë duke ndërtuar "fshatra" me apartamente që i jepte me qera, në lagjet jashtë Nju Jorkut. Donald u bashkua me biznesin e familjes pas diplomimit në shkolla e biznesit, në vitin 1968, por pothuajse menjëherë i hodhi sytë nga pasuritë e paluajtshme, më joshëse e fitimprurëse, në Manhattan.

Në vitin 1971, në moshën 25 vjeç, ai nisi një projekt ambicioz për të zëvendësuar një hotel të rrënuar pranë Grand Central Terminal, me një Grand Hyatt. Babai i tij ishte shumë i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes: Ai i dha Trumpit 1 milion dollarë, i garantoi 70 milionë në kredi bankare, dhe përdori kontaktet e tij politike, për të ndihmuar të birin që ta realizonte projektin.

Kur përfundoiuar në vitin 1980, ndërtimi i solli Trumpit miliona dollarë, duke e vendosur atë si një lojtar të rëndësishëm në biznesin e pasurive të patundshme Manhattan. "Mua më duhej t'i provoja – komunitetit të pasurive të paluajtshme, shtypit, babait – se unë mund të kryeja projekte", ka shkruar ai në librin bestseller, "Arti i Ujdisë".

Cili ishte projekti i radhës?

Trumpi përdori fitimet nga marrëveshja e Grand Hyatt, për financimin e Kullës Trump në Fifth Avenue, një rrokaqiell 58-katësh, ku ai ende jeton dhe ku e ka qendrën sot organizata e tij. Por sipërmarrja e ardhshme pothuajse i shkaktoi falimentin. I etur për të lëvizur në botën fitimprurëse të bixhozit, ai hapi dy kazino në Atlantic City, që po konkurronte për t'u bërë Las Vegasi i bregdetit lindor.

Nisur në 1984 dhe 1985, Sheshi Trump dhe Kështjella Trump fillimisht ishin të suksesshme. Por manjati i pasurive të paluajtshme e shtriu më tepër se sa duhej perandorinë e tij me Taj Mahalin Trump, një kazino gjigante 1 miliardë dollarëshe, që "thithte" klientët nga Sheshi dhe Kështjella. Për të paguar kredinë që kishte marrë për ta ndërtuar, Taj Mahalit të Trumpit i nevojiteshin 1.4 milionë dollarë në ditë – më shumë se çdo kazino tjetër në histori.

Çfare ndodhi?

"Taj" humb sasi të mëdha parash, dhe perandoria e kazinove të Trumpit u zhyt në një spirale rënieje të pakthyeshme. Mes viteve 1991 dhe 2009, kompania e tij aplikoi katër herë për Kapitullin 11 të falimentimit.

Por Trumpi u shpëtua nga fuqia e statusit të vet si figurë e famshme, që ai kishte ndërtuar përmes librave të tij, intervistave në media, si dhe "rrjedhjet" e llogaritura të informacionit, për tabloidët e Nju Jorkut. Sa herë që kreditorët kërcënonin ta falimentonin Trumpin personalisht, ai i bindte ata, se duke bërë kështu, do të shkatërronin markën e tij, duke bërë të pavlerë atë që kish mbetur nga perandoria e tij e kazinove.

Në fund, sipërmarrja e kazinove të tij ishte një dështim që kushtoi mijëra vende pune, si dhe la pa paguar dhjetëra biznese të vogla, për punën e tyre në ndërtimin ose shërbimin e kazinove. Por Trumpi sërish fitonte miliona dollarë, duke i dhënë vetes miliona në paga e shpërblime. "Unë bëra shumë para në Atlantic City," tha ai vitin e kaluar. "Dhe jam shumë krenar për këtë". (Ky artikull u botua fillimisht në shqip në ëëë.bota.al)

Po pasuritë e paluajtshme?

Këto sipërmarrje kanë qenë shumë më të suksesshme. Projektet e tij të mëdha të ndërtimit përfshijnë Kullën Trump në Manhattan, dhe Kullën Trump në Çikago, ndërtesa e katërt më e lartë në SH.B.A. Por, pas dështimit të tij në Atlantic City, bankat u bënë gjithnjë e më pak të prirura, për t'i dhënë hua.

Kështu, Trumpi filloi të përqëndrohet në monetizimin e markës së tij personale. Në vend që të ndërtonte hotelet dhe banesat e tij, Trumpi filloi licencimin e ndërtuesve të tjerë nën emrin e tij. Tani ka Kulla Trump dhe Sheshe Trump kudo, duke përfshirë Florida, Vancouver, Panama, dhe Stamboll, por Trumpi në fakt zotëron vetëm disa prej tyre.

Ku tjetër e ka vendosur emrin e tij?

Si shkruan biografi i tij, Michael D'Antonio: "Pothuajse në çdo gjë që mund të shitet si cilësi e lartë, kosto e lartë, dhe klas i lartë". Disa prej këtyre sipërmarrjeve – Koleksioni Donald J. Trump i këmishave dhe kravatave, të cilat janë bërë jashtë vendit, kanë patur sukses të moderuar.

Por shumë të tjera – biftekët Trump, revista Trump, dhe vodka Trump – u fundosën pa lënë gjurmë. Dështimet e tjera të profilit të lartë përfshijnë Universitetin Trump tashmë të mbyllur, i cili është duke u paditur nga mijëra ish-studentë për mashtrim, si dhe dhe Trump Airlines, kompani e cila zgjati vetëm tre vjet.

Por Trumpi ka gëzuar sukses të konsiderueshëm në një treg: fushat e kushtueshme të golfit. Që nga viti 1997, ai ka blerë ose zhvilluar 17 kurse në mbarë botën, në vende që përfshijnë Nju Xhersin, Skocinë dhe Irlandën.

Sa vlen Trumpi?

Bloomberg.com e vlerëson pasurinë e tij aktuale, 3 miliardë dollarë; sipas Forbes ajo është 4.5 miliardë. Vetë Trumpi pretendon se vlen 10 miliardë, ndonëse ka pranuar se kjo shifër " rritet dhe ulet sipas tregjeve, sjelljeve dhe ndjenjave, madje edhe ndjenjave të mia".

Refuzimi i tij i përsëritur për të nxjerrë pagimin e taksave ka nxitur spekulimet se vlen shumë më pak nga sa pretendon, dhe se ai përfiton prej ligjit të taksës mbi pronën, për të raportuar një të ardhur prej zero dollarë – një marifet që dikur e përdorte për të mos paguar taksë mbi të ardhurat për disa vite, në 1970 dhe 1980.

Kompanitë e tij gjithashtu kanë rreth 650 milionë dollarë borxhe – disa prej tyre të marrë në Bankën e Kinës. Por Trumpi këmbëngul se vlera e tij neto nuk mund të shkëputet nga vlera unike e markës së tij personale. "Duhen tru për të nxjerrë miliona dollarë", thotë Trumpi. "Duhet Trumpi për të bërë miliarda".

The Week – www.bota.al

Asgjesohen 7 parcela me 1205 bimë kanabis

Posted: 30 Aug 2016 01:41 AM PDT

Aksioni antidrogë ka vijuar në Lezhë dhe Kurbin ku asgjësohen me anë të djegies 1205 bimë narkotike të kultivuara në 7 parcela. 

Në Lezhë, në fshatin Gjashë i Vjetër në një terren me pisha u konstatuan dhe asgjësuan me anë të djegies 235 bimë narkotike .

Në Kurbin, në fshatin Gërnac u konstatuan dhe  asgjësuan me anë të djegies 970 bimë narkotike të kultivuara në 6 parcela.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet procedurale u referuan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Lezhë dhe Kurbin.

Dokumenti sekret ‘73, Ramiz Alia: Si do ta forcojmë censurën në arte

Posted: 30 Aug 2016 01:39 AM PDT

Të ngrihen komisione për të kontrolluar deri në qelizë të gjithë botimet dhe veprat muzikore, teatrore dhe ato të artit pamor, pa arritur më parë tek spektatori dhe lexuesi. Ky ishte  urdhri i dalë nga komiteti qendror i firmosur në fund nga Ramiz Alia në dhjetor të vitit 1973. Është një prej dokumenteve të rralla që dëshmon qartë se si ndërmerreshin fushatat për censurë dhe kontroll nga krerët më të lartë të regjimit.

Dokumenti i i gjatë hartuar me 12 dhjetor 1973 jep orientime "për forcimin e kontrollit paraprak në krijimtarinë letraro-artistike që botohet, ekzekutohet dhe ekspozohet" dhe ishte një fushatë e re censure  dhe kontrolli të rreptë në të gjithë fushat e krijimtarisë.

Pas gjendjes së tensionuar në arte, menjëherë pas festivalit të 11-të në dhjetor 1972, dhe fushatës së paprecedentë me sulme kritika e autokritika, fletërrufe e mbledhje të hapura denigruese, arrestime e gjyqe artistësh e shkrimtarësh, terreni duhej blinduar edhe më tej. Koha e artë e një lirie gati utopike që njohu fushë  e arteve muzikës dhe letrave në vitet e pra të '70-ës, kishte përfunduar.

Nga kupola më e lartë e shtetit komunist jepeshin urdhra për të forcuar kontrollin mbi shkrimtarët, mbi muzikantët mbi interpretuesit në teatër, muzikë, balet, ansamble, për njerëzit e shtypit etj.

Ky kontroll me gjithë fushatën orientuese për secilën fushë të artit dhe letrave  dëshmohet qartë në këtë dokument që kemi zgjedhur ta botojmë të plotë për lexuesit tanë bashkë me faksimilet shoqëruese të tij.

Pjesa e parë e këtij dokumenti që botojmë sot jep orientimet për kontroll të ashpër në fushën e botimeve duke urdhëruar që të mos dalë asnjë libër, broshurë a përmbledhje pa u analizuar më parë deri ën imtësitë më të vogla.

Po ashtu jepen orientime për komisionet që do të ngriheshin për kontrollin e një varg aksionesh kulturore-artistike të rëndësishme kombëtare, si ekspozita kombëtare, festivale kombëtare, etj. E po ashtu edhe për gjithë prodhimet e kinostudios shqyrtimi i të cilave nis nga planet e reja vjetore, tek kontrolli mbi skenarët,  dhe mbi produktin final sikurse edhe për të gjithë filmat e huaj që përzgjidheshin për tregun shqiptar, ndërhyrjet dhe përshtatjet, sipas oreksit të regjimit që bëheshin në disa prej tyre dhe kontrollit final para se ti shfaqnin nëpër kinema.

Po ashtu në pjesën e parë të këtij dokumenti sjellim edhe orientimet për kontrollin që do të ushtrohej në krijimet artistike të teatrit të Operas dhe Baletit si dhe strukturat që do ta kryenin këtë kontroll.

Pjesa e dytë e dokumentit që do ta botojmë në vijim numrin e ardhshëm të gazetës sjell direktivat e Komitetit Qendror për kontrollin që duhej ushtruar në Radio Televizionin Shqiptar dhe gamën e gjerë të programacioneve tw tij, të prodhimit të filmave e dokumentarëve, muzikës, etj, sikurse edhe në disa institucione të tjera teatrore, të galerive të arteve pamore dhe shtypit.
Më poshtë e sjellim të plotë pjesën e parë të dokumentit sekret, për ta vijuar pjesën e dytë të tij numrin e ardhshëm.

Dokumenti, pjesa e parë
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR
Sektori i Arsim-Kulturës
Tiranë, më 11.12.1973
Nr. 4395 Prot.
Sekret

Lënda: Orientime për forcimin e kontrollit paraprak për krijimtarinë letrare-artistike që botohet, ekzekutohet, ekspozohet.

KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

Bashkëngjitur ju dërgojmë orientimet e përbashkëta të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave, për forcimin e kontrollit paraprak për krijimtarinë letrare-artistike që botohet, ekzekutohet, ekspozohet.

Për përmbajtjen e këtyre orientimeve të vihen në dijeni organizatat bazë të partisë të interesuara, si dhe kryesitë e organizatave të masave në rreth.
Nga ana e aparatit të Këshillit të Ministrave këto orientime u janë dërguar edhe komiteteve ekzekutive të rrethit dhe Ministrisë së Arsimit e Kulturës.

SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
RAMIZ ALIA
(firma, vula)

ORIENTIME PËR FORCIMIN E KONTROLLIT PARAPRAK PËR KRIJIMTARINË LETRARE-ARTISTIKE QË BOTOHET, EKZEKUTOHET, EKSPOZOHET

Lufta kundër shfaqjeve të huaja në letërsi e arte dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre, kërkon marrjen e masave edhe për forcimin e kontrollit paraprak të krijimtarisë në këto fusha.

Deri tani, për mjaft çështje, ose nuk ka pasur kritere të përcaktuara qartë për mënyrën e kontrollit të krijimtarisë, ose rregullat e vendosura nuk janë zbatuar me rigorozitet, prandaj janë bërë dhe lëshime.
Format kolegjiale (si komisionet, këshillat artistike, kolegjiumet), e në mjaft raste edhe instancat e ndryshme shtetërore si seksionet e arsimit e të kulturës pranë komiteteve ekzekutive, nuk i kanë ushtruar si duhet kompetencat e tyre.

Gjithashtu shpesh është dobësuar roli drejtues e kontrollues i organizatave bazë të partisë në institucionet kulturore-artistike dhe disa herë ato janë postuar.

Me qëllim që të zbatohet me rigorozitet direktivat e Partisë në fushën e kulturës e të artit dhe të mos lejohen gabime në përmbajtje të veprave letrare e artistike, është e nevojshme të forcohet udhëheqja ideologjike dhe përgjegjësia e komiteteve të partisë dhe e organizatave bazë në institucionet kulturore-artistike si dhe kontrolli paraprak shtetëror mbi krijimtarinë.

Për veprat letrare-artistike që botohen, ekzekutohen, ekspozohen, para se të dalin në publik, do të zbatohen këto forma kontrolli:

I. – Për botimet:
Plani tematik vjetor i botimeve, pasi shqyrtohet nga kolektivi, kolegjiumi dhe organizata bazë e shtëpive botuese, aprovohet nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në konsultim me aparatin e Komitetit Qendror dhe të Këshillit të Ministrave. Aprovimin për çdo vepër për botim e jep redaktori përkatës dhe shefi i redaksisë.

Veprat, për të cilat recensentët ose redaksia kanë shqetësime ideore i aprovon drejtori ose zëvendësdrejtori i shtëpisë botuese. Disa vepra, nga më të rëndësishmet, shikohen edhe nga vetë drejtori ose zëvendësdrejtori. Çdo vepër, para se të redaktohet u jepet për recension njerëzve me formim të mirë ideoestetik (shkrimtarë, kritikë, si edhe punonjës të tjerë që kanë përgatitjen e nevojshme).

Recensentët i cakton redaksia. Kur recensentët paraqesin ndonjë shqetësim ideoartistik për veprën (qoftë edhe njëri prej tyre) diskutohet në mbledhje të redaksisë, ku mund të ftohet edhe autori. Kur ka divergjenca dhe nuk arrihet në mirëkuptim, atëherë vepra shqyrtohet në mbledhjen e kolegjiumit të shtëpisë botuese. Për këtë vihet në dijeni edhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

Edhe në shtypshkronjat ku botohet letërsia artistike ushtrohet në mënyrë sistematike kontrolli punëtor mbi të, duke gjetur format përkatëse, duke krijuar komisione apo grupe punëtorësh, të cilët, herë pas here, diskutojnë mbi vepra të ndryshme dhe bëjnë vërejtjet e tyre mbi to gjer në shfaqjen e mendimit që të botohet apo të mos botohet vepra.

Veprat letrare-artistike nga krijimtaria jonë kombëtare, që do të përkthehen në gjuhë të huaja aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror e të Këshillit të Ministrave.
Ndalohet dhënia e veprave dorëshkrim të huajve, pa marrë pëlqimin e organeve kompetente.

II. – Për të gjitha aksionet kulturore-artistike të rëndësishme kombëtare, si ekspozita kombëtare, festivale kombëtare etj., Ministria e Arsimit dhe e Kulturës cakton komisione të posaçme. Në këto komisione bëjnë pjesë përfaqësues nga tërë institucionet e interesuara.
Këto komisione ndjekin e kontrollojnë tërë përmbajtjen e aktivitetit dhe japin aprovimin për publikimin e programeve, në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe aparatin e Këshillit të Ministrave.

III. – Për Kinostudion:
Plani tematik vjetor, pasi shqyrtohet në kolektivin krijues, në këshillin artistik dhe në organizatën bazë të partisë, aprovohet përfundimisht nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Skenarët e filmit artistik, pasi shqyrtohen nga redaksia, diskutohen në këshillin artistik dhe aprovohen nga drejtoria e Kinostudios, në konsultim me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës.
Skenarët e filmave dokumentarë, pasi i përgatit redaktori, i kontrollon shefi i redaksisë. Aprovimin përfundimtar për fillimin e xhirimit e jep nëndrejtori artistik.

Aprovimi i të gjithë filmave artistikë si dhe i dokumentarëve me rëndësi të veçantë (për figura të shquara, me raste jubilesh etj.) bëhet nga këshilli artistik e drejtoria e Kinostudios, por nuk vihen në qarkullim pa pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Kjo do të bëhet në konsultim dhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe aparatin e Këshillit të Ministrave. Aprovimin e filmave dokumentarë e bën redaksia, por ata nuk hidhen në qarkullim pa aprovimin e Drejtorisë së Kinostudios.

Filmat e huaj i shqyrton dhe i aprovon drejtoria, nëpërmjet komisionit të vizionimit të filmave. Komisioni jep porosi konkrete për ndryshimet e nevojshme që do t'i bëhen filmit para se ai të hidhet në qarkullim. Këto ndryshime i realizon grupi i punës që përgatit filmin për xhirim. Shkalla e realizimit të tyre kontrollohet nga kryetari i komisionit të vizionimit të filmave. Filmat artistikë dhe dokumentarë që dërgohen jashtë shtetit, mbi bazën e propozimit të drejtorisë, aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

IV. – Teatri i Operës dhe Baletit:
Planin tematik vjetor, pasi e shqyrton kolektivi krijues, këshilli artistik dhe organizata bazë e partisë, e aprovon përfundimisht Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Libretet e operave, operetave e baleteve, pasi të shqyrtohen dhe të aprovohen nga këshilli artistik dhe drejtoria, i aprovon Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

Aprovimi i operave, operetave, baleteve dhe i koncerteve të jashtëzakonshme e jubilare bëhen nga këshilli artistik e drejtoria e Teatrit të Operës dhe Baletit, por nuk shfaqen pa pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës.

Premierat e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore i aprovon këshilli artistik dhe drejtoria e Teatrit. Programet e trupave artistike, profesioniste ose amatore që shkojnë jashtë shtetit, aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave. /shqiptarja.com

 

Dita Ndërkombëtare për të zhdukurit, Kosova kërkon mbi 1600 qytetarë

Posted: 30 Aug 2016 01:28 AM PDT

Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, Kosova e shënon me 1 mijë e 650 persona të pagjetur, fati i të cilëve ende nuk është ndriçuar, që nga përfundimi i luftës më 1999.

Familjarë të personave të pagjetur kanë kërkuar në vazhdimësi angazhimin e të gjithë faktorëve vendor e ndërkombëtarë për zgjidhjen e kësaj cështjeje. Ata madje kanë kërkuar që të shtohet presioni mbi Serbinë me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, zyrtarë qeveritarë thanë se presin që së shpejti të fillojnë edhe gërmimet në një vend të dyshuar për varrezë në Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se të pagjeturit mbesin një nga plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë.

"Zgjidhja e fatit të të pagjeturve paraqet një nga detyrat më urgjente dhe më të rëndësishme për të gjithë, ka thënë Thaçi, të hënën, më rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Personave të Zhdukur

"Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat", ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo çështje "rëndon familjet e të pagjeturve, por edhe tërë shoqërinë, marrëdhëniet mes komuniteteve, por edhe gjasat për një të ardhme më të mirë".

Opsionet që lehtësojnë daljen e Britanisë nga BE-ja

Posted: 30 Aug 2016 01:27 AM PDT

Si pasojë e procedurave që Mbretëria e Bashkuar duhet të ndjekë në mënyrë që të dal nga Bashkimi Evropian, e gjithë kjo situatë duket sikurse të fikësh motorët e avionit, ka thënë një zyrtar evropian.

"Gjëja më e mirë është që gjatë kësaj kohe të shohësh pistën e aterrimit. Përndryshe të gjitha palët rrezikojnë të kenë një rezultat jo të favorshëm", ka thënë ky zyrtar.

Kur Britania të nis procedurat për daljen nga BE-ja – duke u thirrur në Artikullin 50 të Traktatit të Lisbonës -do të fillojë numërimi prej dy vjetësh, sa është afati kohor i negociatave për të dal nga BE-ja. Të prirur për të shmangur një përplasje, sikurse kur avioni aterron, zyrtarët në të dyja anët do të studiojnë mënyrat se si do të procedojnë më tutje.

Opsionet përfshinë edhe mundësinë në mos thirrjen në Artikullin 50-të, duke u përpjekur sërish për bisedime se cilat janë skenaret e mundshme të Britanisë, dhe shpresa për një rezultat të përkohshëm në një vend më të përhershëm post-Brexit.

Opinioni i parë ka filluar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, liderja më e fuqishme e Evropës, e cila ishte e para që u takua me kryeministren britanike Theresa May, para një muaji.

"BE-ja nuk mund ta pranojë këtë", ka thënë një burim për Reuters i afërt me Merkelin, i cili nuk dëshiron Britania të del nga BE-ja por ka një fokus më pragmatik se si blloku të qëndrojë i bashkuar por nuk beson që Britania do të mbajë edhe një referendum të dytë për anëtarësinë e saj në BE.

Edhe nëse ekonomia e vendit ka aftësi të ripërtërihet pas referendumit të 23 gushtit ku u vendos për tu larguar nga BE-ja, e lehtëson presionin ekonomik në Britani që të shkojnë përpara me Brexit, May vet ka thënë se "Brexit do të thotë Brexit".

Sidoqoftë, ajo ka thënë se Britania nuk do të fillojë procedurat për dalje gjatë këtij viti.

Për qeverinë britanike, dilema është se si të diskutojnë daljen me liderët evropianë, të udhëhequr nga Merkel, të cilët nuk e duan një gjë të tillë, përpara se Britania të nis procedurat e daljes nga BE-ja.

"Ne nuk do të flasim para kohe", ka thënë një burim i afërt me Merkelin. Një tjetër zyrtar gjerman ka theksuar se Berlini zyrtar është kundër çdo negociate paraprake."Ne nuk do të flasim për substancën", ka thënë ky burim.

Në mungesë të para-bisedimeve formale, qeveria britanike duhet të punojë në opcionin e dytë: të shikojë tek boshllëqet e zyrtarëve evopianë në mënyrë që të gjejë se cilat janë mundësitë e post-Brexitit.

Të tilla vështirësi mund t'i ndihmojnë Britanisë që të gjejë një qasje realiste në mënyrë që të shmang që negociatorët e BE-së të mos ndryshojnë pozicionet e tyre, gjatë afatit 2 vjeçar për daljen nga BE-ja.

"Mund t'ia arrini qëllimin nëse jeni në vendin e duhur", ka thënë një zyrtar evropian.

"Status Special"

Një marrëveshje për hyrjen në tregun e BE-së (të cilën Britania mund ta preferojë) dhe lëvizja e lirë e njerëzve (të cilën nuk e do) me siguri se do të largojë disa pika të arritshme, duke lënë zyrtarët britanikë që të identifikojnë këto në takimet joformale me homologët e tyre të heshtur.

Këtu mund të ketë edhe hapësirë për të gjetur shtigje të reja. Ka pasur indikacione nga të paktën një qeveri se mund të ketë akoma hapësirë për diskutime dhe jo për negociata, përpara se Britania të thirret në Artikullin 50.

Zyrtarët gjermanë gjithashtu kanë sinjalizuar se janë të gatshëm të bëjnë disa koncesione për të arritur një marrëveshje me Britaninë. Ministri për Çështje Evropiane, Michael Roth ka lënë të hapur mundësinë që Londra të fitojë "status special" në marrëdhëniet me BE-në edhe pas Brexit.

Por, liderët evropianë nuk duan që Britania të mbajë peng bllokun në aspektin tregtar para se të fillojë procedurat e daljes. Pra, në qoftë se zyrtarët britanikë përcaktojnë se llojin e marrëveshjes që duan ta arrijnë, ata ende mund të përballen me një afat të shtrënguar kohor që të arrijnë një marrëveshje post-Brexit me BE-në.

Prapa skenave, kryeqytetet evropiane kanë filluar ta kuptojnë se negociatat dy vjeçare për Britaninë, është kohë shumë e shkurtër.

Kjo ngrit opsionin e tretë, i cili është diskutuar nga disa zyrtarë evropianë: një kornizë e përkohshme për marrëdhëniet në mes të Britanisë dhe BE-së, e cila do të bazohej në modelet e ngjashme ekzistuese siç janë për Norvegjinë dhe Zvicrën.

"Kjo mund të jetë një zgjidhje e përkohshme", ka thënë një zyrtar.

Bisedimet e mëtejshme do të mund të dërgonin në një opsion tjetër, përtej negociatave dy vjeçare që janë të përfshira në Artikullin 50.

Zëdhënësja e May, ka thënë se kryeminstrja dhe qeveria janë duke synuar një "marrëveshje britanike", nga e cila do të përfitonte shteti.

Pjesët më të vështira të marrëveshjes janë për qasjen në tregun e BE-së dhe liria e lëvizjes për njerëzit, të ilat për liderët e BE-së janë të shenjta.

"Çmimi për lëvizjen e lirë është i lartë", ka thënë një zyrtar evropian.

Një mundësi e mirë që të zvogëlohet rrjedhja e njerëzve në Britani është që të vendosen rregulla të tilla që vetëm njerëzit nga vendet e tjera të BE-së, nëse kanë një ofertë të mirë të punës, mund të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Merkel ia ka lehtësuar pak punën May, pasi ka rezistuar ndaj thirrjeve të Parisit dhe Brukselit- në ditët menjëherë pas votimit- që t'i bëj thirrje Britanisë që të largohet nga BE-ja "sa më shpejt që të jetë e mundur".

Pikërisht në këso situata Merkel tregon pjesën më të mirë të saj", ka thënë një zyrtar britanik. "Ajo tërhoqi të gjitha prapa dhe tha "është në rregull, merrni kohë sa t'ju duhet".

Por, ka një kufi në durimin e Merkelit. Burimi i afërt me të ka thënë se "është në interesin e të gjithëve që të ketë qartësi", lidhur me këtë çështje./REL

Shehu: Bashkia, fond të veçantë për t’u paguar energjinë familjeve në varfëri

Posted: 30 Aug 2016 01:26 AM PDT

Kandidati i Partisë Demokratike për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me banorë të fshatrave Rreth-Kale, Vajme?dhej dhe Reç.

Shehu theksoi se ndërmarrjet e Bashkisë, ajo e Mirëmbajtjes, Ujësjellësi dhe Bordi i Kullimit do të vihen në punë 24 orë për t'u shërbyer banorëve në përmirësimin e infrastrukturës, ujësjellësin dhe riparimin e pastrimin e kanaleve vaditëse.

"Në postin e kryebashkiakut që në ditën e parë do të punoj për lidhjen e ujësjellësit nga lagjja Sheh i Sipërm me Sopanitin. Do të vazhdojmë zgjatimin e kanaleve vaditës, riparimin dhe pastrimin e tyre. Këtë do ta bëj me bordin e kullimit, që i është transferuar bashkisë. Dhe e kam unë të drejtën për të marrë vendimin se ku do t'i përdor ato njerëz dhe ku do t'i përdor ato para'. Infrastruktura për mua do të ndahet në dy kategori. Infrastruktura e fshatrave që sot nuk ju sheh kush me sy kur bashkia ka një ndërmarrje të mirëmbajtjes së rrugëve. Ata njerëz do të marrin rrogat për të punuar për ju. Por ka edhe projekte të mëdha dhe ato janë projektet e zhvillimit. Unë do të bashkëpunoj me institucione ndërkombëtare për t'i realizuar", theksoi Shehu.

Shehu shtoi se në Bashkinë e Dibrës nuk do të ketë më asnjë familje që do të rrijë në errësirë sepse nuk paguan dot energjinë. Bashkia do të vërë në dispozicion një fond të posaçëm për familjet në pamundësi ekonomike për t'u paguar faturën e energjisë që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë në dritë, premtoi Shehu.

Obama do të takohet me Erdogan në 4 shtator

Posted: 30 Aug 2016 01:24 AM PDT

Presidenti i SHBA, Barak Obama do të takohet në 4 shtator me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Takimi do zhvillohet përpara samitit të G20 në Kinë. Shtëpia e Bardhë tha se në qendër të takimeve mes dy presidentëve do të jetë tentative e grushtit të shtetit në Turqi, fushata për të luftuar ISIS si dhe përpjekjet për promovimin e stabilitetit në Siri.

Një çështje tjetër që do të diskutohet është edhe zgjidhja e krizës së refugjatëve. Pak ditë më parë, zv/presidenti Joe Biden zhvilloi një vizitë në Turqi, ku u takua me Presidentin Erdogan.

Related Posts :