Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Gara në universitet, Vrapi: Aplikuan 27.672 maturantë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Gara në universitet, Vrapi: Aplikuan 27.672 maturantë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Gara në universitet, Vrapi: Aplikuan 27.672 maturantë

Posted: 15 Aug 2016 06:04 AM PDT

Ermelinda Hoxhaj
Pjesë e garës në universitet janë bërë në total 27.672 maturantë. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi ka deklaruar për “Gazeta Shqiptare” se në faqen zyrtare të AKP çdo maturant gjen të dhënat në Librin e Transparencës dhe Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive. Ndërkohë, sa u përket listave të kandidatëve që kanë aplikuar nëpërmjet Formularit të Aplikimit, ato do t’u dërgohen universiteteve publike dhe private brenda afateve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Shpallja e fituesve do bëhet nga Institucionet e Arsimit të Lartë në bazë të formulës, kritereve dhe kuotave që ata kanë përcaktuar. Veç lëndëve preferenciale që kanë pjesa kryesore e universiteteve, disa kanë edhe koeficientin e shkollës së mesme si kriter vlerësues, siç janë Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor. Në bazë të kuotave të pranimit, për vitin akademik 2016-2017, në 34 Institucionet e Arsimit të Lartë do të pranohen 31.579 studentë.
Konkurrentët
Në datën 12 gusht u mbyll aplikimi online në universitet nëpërmjet formularit të aplikimit. “Në total në universitetet publike dhe private për kuotat e pranimit për vitin akademik 2016-2017 kanë aplikuar 27.672 maturantë. Këta maturantë kanë aplikuar online nëpërmjet Formularit të Aplikimit, ku kanë regjistruar 10 programe studimi në të cilat dëshirojnë të vijojnë studimet”, – thekson drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi. Sipas saj, specialistët e AKP-së fillimisht janë duke punuar me listat e kandidatëve që do të garojnë në ato universitete ku parashikohet edhe konkursi i pranimit, siç janë Universiteti i Sporteve dhe i Arteve, si dhe disa programe të tjera studimi në universitetet e rretheve. “Ditën e hënë, më 15 gusht, AKP-ja do t’u dorëzojë atyre universiteteve që kanë konkurs pranimi listat e kandidatëve që kanë aplikuar, për t’u përgatitur për konkursin. Ndërsa, listat për universitetet e tjera së bashku me të dhënat e maturantëve do t’u dërgohen në fund të muajit gusht, pasi maturantët të jenë konsultuar edhe me të dhënat në Librin e Transparencës. Në këtë libër çdo maturant do të ketë të dhënat e tij, ku përfshihen, 5 notat e provimeve të Maturës Shtetërore, përllogaritja e notës mesatare si dhe 10 preferencat ku ka aplikuar në universitet”, – sqaroi Vrapi. Po ashtu, ajo bëri të ditur se në faqen e AKP-së, veç Librit të Transparencës, është dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, ku maturantët do kenë mundësi të bëjnë korrigjimin e të dhënave në rastet kur ata pretendojnë se nuk janë hedhur të saktat. “Në Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive, maturantët do të kenë mundësi të bëjnë korrigjimin e të dhënave që janë të pasakta. Ata do drejtohen në shkollë te mësuesi i tyre përkatës, më pas shkolla i dorëzon formularët në Drejtoritë Arsimore përkatëse, më pas DAR-i i dorëzon ato në AKP. Korrigjimin e pasaktësive e bëjnë specialistët e AKP-së. Pasi të përfundojë ky proces, AKP-ja u dorëzon listat zyrtare të aplikuesve së bashku me të dhënat e çdo aplikanti të ndara sipas programeve të studimit universiteteve. Në udhëzimin e MAS-it, afati i fundit është 30 gushti; normalisht që AKP-ja do respektojë afatet. Më pas institucionet e arsimit të lartë bëjnë rankimin e kandidatëve sipas kritereve dhe kuotave që ata kanë përcaktuar, dhe do bëjnë shpalljen paraprake të fituesve në datën 5 shtator. Për çdo gjë, universitetet kanë asistencën tonë”, – sqaron drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi.
Libri i
Transparencës
Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon Librin e Transparencës, ku çdo maturant/kandidat gjen të gjithë elementët kryesorë përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme: Mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, sipas VKM-së nr. 407, dt. 01.06.2016; rezultatin e provimit të Letërsisë – D1; rezultatin e provimit të Matematikës – D2; rezultatin e provimit të Gjuhës së Huaj – D3; rezultatet e provimeve të dy lëndëve me zgjedhje; preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin e Aplikimit në IAL, për programet e studimit që ofrojnë IAL-të për vitin akademik 2016-2017. Secili kandidat/maturant ka hapësirën e tij në Librin e Transparencës, ku në rreshtin e parë jepen: Numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore; në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 6 elementëve vlerësues të Maturës Shtetërore, më tej vijohet me 10 preferencat e renditura ashtu siç kandidati i ka plotësuar në formularin e aplikimit në universitet. Bashkëngjitur shkrimit janë të dhënat për maturantët e qytetit të Tiranës si dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime me të dhënat në Librin e Transparencës.

Olsi Qinami, dirigjenti që fitoi zemrën e Londrës

Posted: 15 Aug 2016 06:03 AM PDT

Gerilina Kodheli
I është dashur kohë të kuptojë se ajo që donte nga muzika ishte jo vetëm ta dëgjonte apo të luante në ndonjë instrument, por të drejtonte një orkestër… Të paktën kështu e përshkruan rrugën e tij të parë me muzikën Olsi Qinami, një pianist i njohur shqiptar, që aktualisht ka fituar zemrën e Londrës si dirigjent. Edhe pse studimet i ka kryer në Akademinë e Arteve shqiptare, artisti kishte ambicie drejtimin e orkestrave më të mëdha në botë, një dëshirë që ende nuk e ka arritur plotësisht, ndonëse është totalisht i kënaqur me arritjet e deritanishme. "Ka shumë dirigjentë të mirë nëpër botë, por kjo është ambicia ime, pikësynimi im", tregon Qinami në këtë intervistë për "Summer Pages".
Olsi, si ka ardhur muzika te ju?
Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë dhe kam ndjekur studimet për piano në Tiranë. Vëllai im studionte për muzikë dhe kështu hyra edhe unë në një shkollë muzikore, jo me qëllim për t'u bërë muzikant. Prindërit dhe gjyshi me gjyshen e kanë pëlqyer muzikën por nuk arritën ta mësonin, kështu na inkurajuan ne që të studionim muzikë. Qëllimi ishte të merreshim me diçka pas shkollës. Kështu kanë nisur, por prindërit nuk kanë menduar që ne të bëheshim muzikantë me patjetër.
E keni zgjedhur vetë instrumentin, pianon?
Fillimisht kam studiuar për violinë, në klasën e parë, meqë edhe vëllai im studionte për violinë. Por nuk eci shumë mirë. Violina është një instrument shumë i vështirë kur je i vogël, plus edhe mësuesi që kisha ishte shumë i rreptë, ishte shkollë e vjetër. Mua nuk më pëlqeu dhe ndërrova shkollë, dhe me sugjerimin e një fqinje që luante piano iu përkushtova këtij instrumenti. Nuk kisha ndonjë arsye të veçantë, por ndoshta për shkak të këtij profesorit të rreptë.
Kur vendosët që dirigjimi bënte për ju?
Rreth 17-18 vjeç. Megjithatë, kur isha 12 vjeç kam dëgjuar për herë të parë një koncert simfonik, një orkestër live, dhe më bëri shumë përshtypje. Më vonë ma sugjeruan edhe profesorët Thoma Gaqi dhe Roland Çenga në Akademi, që të studioja për dirigjim. M'u duk ide shumë e mirë, sepse unë njihja pianistë shumë të mirë në Akademi dhe mendoja se nuk do isha asnjëherë pianist aq i mirë sa ata, ndaj doja të bëja diçka tjetër që më tërhiqte më shumë.
Pse këto dyshime?
Nuk ishte dyshim, por pianoja, violinçeli janë instrumente shumë të kërkuara dhe ka shumë instrumentistë të mirë. Unë e kam pasur shumë pasion pianon dhe vazhdoj ta kem, sepse më duhet patjetër edhe për punë. Por dirigjentë nuk kishte shumë, nuk shihja, dhe më dukej si diçka që jo shumë persona e bënin, dhe m'u duk më shumë interesante. Dirigjimi besoj se ka qene vendi i duhur për mua.
Olsi si dirigjent ka disa përvoja të rëndësishme në Londër dhe çmime…
Në Londër kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shumë orkestra të ndryshme dhe ansamble. Ka shumë orkestra në Londër. Vitin që shkoi kam marrë pjesë në një konkurs dirigjentësh këtu në Londër dhe kam zënë vendin e dytë. Nuk e prisja çmimin sepse ishin shumë dirigjentë. Më pas kam krijuar orkestrën time në Londër, "London Temps", me të cilën kemi bërë koncertin e parë dhe do të vazhdojmë me koncerte e projekte të tjera. Planifikoj edhe një turne në Spanjë me orkestrën time, ndërkohë që punoj edhe me orkestra të tjera. Kam qenë pjesë në shumë koncerte edhe jashtë Britanisë. Kam shkuar në Austri, Francë, Poloni, ndërsa në Shqipëri gjatë muajit prill kam drejtuar premierën e Puçinit.
Çfarë emocioni është të drejtosh orkestra të mëdha dhe të ngjitesh në skena të mëdha europiane?
Është kënaqësi shumë e madhe dhe mëson shumë, sepse çdo shtet ka traditat e veta, se si dirigjohet dhe si komunikohet me instrumentistët. Në Shqipëri janë vetëm dy orkestra kryesore, ndërsa nëpër Europë ka shumë orkestra, në shtete të ndryshme. Sa më shumë orkestra të dirigjosh, aq më shumë mëson nga përvoja, traditat e tyre, repertori… Është shumë e bukur, ka shumë përgjegjësi dhe shumë vështirësi, sepse disa orkestra janë shumë të hapura dhe disa të tjera nuk e pranojnë ndryshimin, nuk duan të ndryshojnë.
Çfarë ambiciesh keni aktualisht, cili është pikësynimi juaj?
Sigurisht të drejtoj orkestrat më të mëdha në botë. Është diçka shumë e vështirë, sepse ka dirigjentë shumë të mirë nëpër botë, megjithatë kjo është ambicia ime.
Vlerësohet muzika lirike në ditët e sotme?
Mendoj se po, vlerësohet. Ka vende që e kanë traditë muzikën lirike, por në Europë është ndoshta më shumë komerciale seç ka qenë. Kompanitë përpiqen sa më shumë të vendosin artistë që shesin biletat ose që janë më tërheqës për publikun dhe jo patjetër më të mirët. Kjo muzikë ekziston në Europë prej më shumë se 300-400 vjetësh dhe nuk besoj se do zhduket. Sidoqoftë, edhe muzikantët klasikë duhet të adaptohen me ndryshimet e reja. Ndërsa sa i takon Shqipërisë, mendoj se vazhdon të jetë aty ku ka qenë, sepse janë vetëm dy orkestra që nuk kanë një cikël dhe diçka që lëviz.
Pse zgjodhe Londrën dhe jo Vjenën?
Është Berlini, Parisi, Italia… Megjithatë Londra m'u duk si një vend i hapur dhe pa paragjykime se nga vije. Në Londër nuk i shohin këto gjëra, janë të hapur.
Do të thuash që në vende të tjera të kanë paragjykuar pse je shqiptar?
Jo vetëm pse je shqiptar. Në Itali të paragjykojnë pse nuk je italian, apo edhe në shtete të tjera, si në Francë… Në Angli artistët e huaj mund të ecin edhe më shumë se vendësit, sepse mendojnë se të huajt janë edhe më ekzotikë apo më interesantë se anglezët.
Ke pasur bashkëpunime me emra të rëndësishëm të muzikës. Cilin do të veçoje?
Ndoshta drejtimin e orkestrës në Shqipëri, meqë ishte hera e parë që e bëja dhe ishte vendi im.
Cili është artisti që të inspiron më shumë?
Andreas Nelson, Bujar Llapaj; ka shumë…
Diçka të fundit, keni për të thënë?
Shpresoj që në Shqipëri të krijohen kushte më të mira për muzikantët. Shpresoj të lëvizë diçka në muzikën klasike, sepse muzikantët kanë nevojë për kushte më të mira dhe kjo mund të nxisë edhe cilësi më të mirë. Kur kushtet janë fare të papërshtatshme, është e vështirë t'u kërkosh muzikantëve të japin maksimumin.

Vendi i Trebeshinës në letërsinë shqipe

Posted: 15 Aug 2016 06:00 AM PDT

Anila Mullahi

Trebeshina është shkrimtari që lëvroi pothuajse të gjithë zhanret letrare. Pas kaq vitesh, shkrimtarit i janë botuar vëllime me poezi, novela, romane, drama, ese, etj., ndaj dhe pozicionimi i shkrimtarit brenda traditës letrare është i nevojshëm.
Trebeshina erdhi në letërsinë shqipe, në një moment, kur tradita letrare paraqitej e konsoliduar dhe e bollshme me modele. Letërsia e viteve ’30-’40 shfaqte një larmi stilesh krijuese, si dhe përplasje produktive të prirjeve estetike. Kjo letërsi karakterizohej me krijime të cilat mbartnin elementë të romantizmit, sentimentalizmit të vonuar, diku madje edhe elementë të klasicizmit, simbolizmit, si dhe një prirje të dukshme të konsoliduar drejt stilit realist.
Kjo traditë e zhvillimit të letërsisë shqipe në gjysmën e parë të shekullit XX, do të ndërpritet pas Luftës së II Botërore nga përpjekje për të krijuar një letërsi të një lloji tjetër, nën etiketimin e termit realizëm socialist.
Shkrimtarët, të cilët e kuptonin specifikën e artit dhe nuk pranuan ta njëtrajtësojnë atë me propagandën, u përballën me faktin e ndalimit të veprave të tyre, mënjanimin nga jeta letrare, madje disa prej tyre dhe me burgosje. Një prej këtyre shkrimtarëve ishte edhe Kasëm Trebeshina, i cili u kritikua dhe u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve e më pas u dënua. Ndonëse shkrimtari e dinte që vepra e tij nuk do të botohej, ai vazhdoi të shkruante një numër të madh veprash letrare në dorëshkrime, një pjesë e madhe e të cilave do të botoheshin pas ’90. Specifika e diferencës së madhe mes kohës së shkrimit dhe kohës së botimit e receptimit, e bëjnë procesin e tij krijues të veçantë dhe interesant.
Me botimin e veprave të Trebeshinës lindi pyetja, si do të klasifikohej krijimtaria e tij e shkruar gjatë periudhës ’50-’90? Nga pikëpamja kohore, i përket kësaj periudhe sepse është shkruar në atë kohë dhe dorëshkrimet e autorit e dëshmojnë një gjë të tillë, por ka parë dritën e botimit vetëm pas ’90 e si e tillë është receptura nga lexuesi në këtë kohë dhe efekti i saj është ndjerë në letërsinë shqiptare vetëm në këtë periudhë.
Në çastin kur shkruhet një vepër, lexuesi është i imagjinuar. Trebeshina, gjatë procesit të rrëfimit, mund të ketë imagjinuar një lexues për veprën e tij, por për shumë e shumë vite, ai nuk arriti të bëhej një lexues real.
Teoricienët e letërsisë Jauss, Isser, Selden këmbëngulin në përcaktimin e letërsisë si një proces të ndërveprimit të tekstit dhe lexuesit me njëri-tjetrin, kërkojnë ta shohin veprën letrare “si një proces dialektik mes krijimit dhe receptimit “. Për aq kohë sa krijimet e Trebeshinës kanë ekzistuar si dorëshkrime, ato kanë qenë vetëm tekste, por pa arritur të bëhen vepra letrare, ngjarje letrare.
Rruga e krijimtarisë së Trebeshinës i ngjan një kalvari të vërtetë. Emrin e Trebeshinës do ta gjejmë në një sërë poezish, tregimesh në revistën “Letrari i ri” që në vitin 1951. Atij do t’i botohen në vitin ’52, drama “Heronjtë” , si dhe në 1953, po te “Letrari i ri”, botohet drama “Shtrojnë malet”. Në ’53 në revistën ‘Letërsia jonë’, paraprijëse e ‘Nëntori’ u botua drama me 5 akte “Kruja e çliruar”. Këto krijime të botuara në periodikë të ndryshëm tregojnë qartë shenjat e gjenialitetit të shkrimtarit të shfaqura që në rininë e tij. Libri i parë që do t’i botohet do të jetë “Artani dhe Minja”, për t’u shoqëruar me një ndërprerje të gjatë, e për të rifilluar me serinë e botimeve të njëpasnjëshme pas viteve ’90. Pas ndryshimeve politike, Trebeshina botoi vepra të shkruara shumë kohë më parë, si dhe vepra të shkruara në bashkëkohësi.
Sipas shënimeve të shkrimtarit, romani “Kënga shqiptare” është shkruar si tekst në vitet 1951 vëllimi i parë gjer në 1966 vëllimi i pestë, por ajo u arrit të bëhej vepër letrare, ngjarje letrare vetëm në 2001 , kohë kur u botua. ‘Odin Mondvalsen’, u shkrua sipas shkrimtarit në 1955-1956, botuar në 1992. ‘Qezari niset për luftë’ 1972, publikuar në Tiranë në 1993, ‘Mekami’ 1978 botuar në Prishtinë në 1994, ‘Rruga e golgotës’ 1989 , botuar në Tiranë në 1994.
Në diakroni, “Kënga shqiptare” mund të shihet fare mirë si produkt i zhvillimit të mëtejshëm dhe të natyrshëm të traditës paraprijëse. Ky roman shfaq shenja të drejtimit të romantizmit, por kryesisht është një vepër realiste. Të vazhduarit e të shfaqurit të tipareve romantike, krahas atyre realiste, ishte edhe një vazhdim i bashkëjetesës së shfaqjeve letrare, tipike për periudhën para 44. Ndërsa mbizotërimi i notave realiste, shihet, si vazhdim i përpjekjeve për konsolidim të realizmit. Vazhdimi i të shkruarit të veprave realiste dhe hopi letrar me romane si ato të Trebeshinës, janë rrjedha normale e kontuinitetit, ndërsa ndërfutja e metodës së realizmit socialist, ishte një thyerje inorganike e zhvillimit letrar dhe aspak e natyrshme.
Stili i të shkruarit, fryma letrare, tema e trajtuar Lufta e II Botërore, gjuha e tekstit, rrëfimtari objektiv i gjithëdijshëm, rrëfimi linear, shumëplanësh; të gjitha të bindin që vepra është shkruar vërtet në atë kohë. Po e kësaj kohe, sipas shkrimtarit, është vepra Odin Mondvalsen, vitet ’55-’56, por ajo shfaqet krejtësisht ndryshe.
“Odin Mondvalsen” ka një fabul të copëtuar, me strukturën e një teksti të hapur, ku rrëfimi është eliptik (mungesor). Vepra jep mundësi për t’u kuptuar dhe interpretuar nëpërmjet shenjave, të cilat mund të jenë të paqarta, por që lexuesi mund t’i interpretojë. Rrëfimi realizohet nga një rrëfimtar subjektiv, që është edhe protagonist i veprës. Vepra qendërzohet rreth një personazhi të veçantë, të panjohur në letërsinë shqipe. Ai është antiheroi, i cili është përballur me dhunën e një shteti që kërkon ta tjetërsojë atë. “Odin Mondvalsen”, që është tipi i prozës moderne që shfaq dhe nota surrealiste.
Të gjitha këto të bëjnë të vësh pikëpyetje për njëkohësinë e shkrimit të këtyre veprave. Janë të shkruar në teknika letrare dhe stile krejtësisht të ndryshme. Ndonëse nuk përjashtohet edhe aftësia gjeniale e shkrimtarit për të qenë njëkohësisht krejtësisht i ndryshëm në dy vepra të shkruara në të njëjtën kohë.
Romani si zhanër shfaqet në një numër të madh formash letrare. Shumësia e formave të romanit vërehet qartësisht në krijimtarinë e Trebeshinës që ofron një seri romanësh, të cilat dëshmojnë diversitet formash të ligjërimit, një shumëllojshmëri formash të endjes rrëfimore, të cilat e bëjnë shkrimtarin të shfaqet ndryshe nga njëri tek tjetri.
“Tregtari i skeleteve” është roman i një lloji të veçantë në letërsinë shqipe. Ai krijohet si formë e parodizimit të zhanrit dhe i letërsisë paraprijëse. Nuk ka subjekt të mirëfilltë, por i gjithë teksti është ndërtuar si një lojë me gjuhën. Në këtë roman bëhet ironi e gjuhës së automatizuar dhe dogmatike të një kohe të mirënjohur, të asaj të diktaturës, në shumë raste, imitohet edhe patetizmi i neveritshëm i fjalimeve dogmatike të asaj periudhe, e cila pikërisht nëpërmjet gjuhës arrin të identifikohet.
Në romanet, “Qezari niset për luftë”, dhe Tregtari i skeleteve”, rrëfimi është i ndërtuar kryesisht nëpërmjet krijimit të paradoksit dhe absurdit, gjuha është irracionale. Gjuha e tillë arrin që nëpërmjet vendosjes së të kundërtave, të ofrojë kthjelltësi më të madhe, se faqe të tëra të shkruara për diktaturat dhe fatet e njerëzve në të, si të atyre që janë viktima dhe të atyre që janë krijues viktimash.
Në krijimtarinë e tij vihen re dukshëm, transformimet e diskurseve letrare, krahasuar nga njëra vepër te tjetra, veçanërisht në prozë. Ai fillon me romanin klasik, Kënga shqiptare, romani epope, dhe romani më voluminoz në letërsinë shqipe për të shkruar romanet moderniste ‘Odin Mondvalsen’, ‘Rruga e Golgotës’ për të kaluar në romane me nota të dukshme postmoderniste si “Qezari niset për luftë”, “Tregtari i skeletëve”, për t’iu rikthyer me lehtësi realizmit në romanin “Dafina të thara. Romani i jetës time” , që është ndërtuar si ndjekje e rrjedhës jetësore të shkrimtarit dhe mund të klasifikohet si tipi i romanit autobiografik. Ai sjell novelën stina e stinëve, e cila shkruhet në ndikimin e fortë të traditës së letërsisë popullore, por shkruan dhe novelat e përmbledhjes ‘Hijet e shekujve’, ku tradita thyhet, miti çmitizohet deri në tallje.
Dramaturgjia e Trebeshinës
Nëse do të merreshin të mirëqena datat në fund të secilës prej dramave shkruar nga vetë autori, si tregues real i kohës kur janë shkruar veprat, atëherë “mund të thuhej se dramaturgjia moderne themelohet me veprat e Kasem Trebeshinës me dramën “Ëndërr e përjetshme”, që sipas shënimeve të autorit është shkruar në vitet 1952-1962, dramë që do të botohet në Tiranë vetëm në 1996″ .
Siç e theksuam për prozën, do të theksojmë edhe për dramën, një vepër letrare e përcakton ekzistencën e saj pikërisht në momentin kur i jepet mundësia për receptim.
Dramat e Trebeshinës, pjesa më e madhe e tyre, sipas datës së shkruar nga shkrimtari u përkasin viteve ’60-’70, të cilat janë vitet me trysninë më të madhe të ushtruar mbi artin. Drama iu nënshtrua një kontrolli që e skematizoj totalisht atë, duke humbur plotësisht vlerat artistike. Shteti komunist kishte dërguar disa të rinj për studime në regjisurë, në BS apo në vende të tjera të Lindjes . Trebeshina kishte qenë një nga ata të rinj, të cilët ishin çuar në ish B. S. për të studiuar teatër dhe ishte kthyer prej andej, sepse nuk ishte dakord me mënyrën sesi bëhej përzgjedhja e vlerave botërore dhe sesi trajtohej arti në funksion të ideologjisë.
Pas viteve ’90, regjisorët vrapuan të vinin në skenat e teatrove, pikërisht veprat, të cilat kishin qenë të ndaluara për kaq shumë kohë, kryesisht dramaturgë të panjohur të huaj. Botimi i dramave të Trebeshinës në fillim të viteve ’90 ishte një mundësi shumë e mirë në përputhje me tendencën e regjisorëve për të bërë një teatër ndryshe.
Në 1995, regjisori G. Kame vuri në skenë, në T. Komb. dramën “Tiranozauri”. Dramë filozofiko simboliste ku në mënyrë të sintetizuar bëhet autopsia e diktaturave, jepet tirania si një dukuri historike.
“Absurditeti antik” vihet në skenë në vitin 1999 në Teatrin Kombëtar . Në të shfaqet tjetërsimi njerëzor, nëpërmjet ndërthurjes së elementëve të realizmit me surrealizmin dhe me simbolizmin. Nga një kohë në tjetrën Trebeshina kërkon të tregojë përmes një konflikti, që përsëritet gjithë zhvillimet diktatoriale dhe postdiktatoriale në Shqipëri, ndonëse asnjëherë nuk përmendet Shqipëria dhe as emrat e as vendi nuk kanë afërsi me të, por paralelizmi është i kuptueshëm.
Në Kosovë, në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, u vu në skenë drama “Historitë e atyre që s’janë”. Heroi i Trebeshinës, duke e humbur dëshirën për të mbijetuar me çdo kusht, e mund frikën dhe si i tillë është i gatshëm të vetësakrifikohet për një qëllim më të lartë moral. Atëherë përjeton aktin e katarsisit dhe nga antihero minor shndërrohet në një hero tragjik.
Në mars 1998, sërish Kame vë në Teatrin Kombëtar, komedinë groteske “Muzeu”, e cila është ndërtuar mbi metaforën, “muzeu është bota dhe bota është muze”. Ashtu si në një muze edhe në komedinë e Trebeshinës vijnë të ndërthurura të gjitha kohët, qysh nga Egjipti i lashtë e gjer në ditët tona. Vepra paraqet idenë e riciklimit të historisë njerëzore, idenë e pakohësisë. Përtej ndryshimeve që pëson realiteti në dukje, edhe në sistemet më të moderuara, në thelbin e tyre asnjëherë problemet e njeriut të thjeshtë nuk zhduken. Komedia paraqet të ndërthurur apokalipsin e realitetit të brendshëm të njeriut të çdo kohe.
Tragjikomedia ‘Muzeu’ sipas Papagjonit , solli nga pikëpamja dramaturgjike formën postmoderne të dramës së fundme shqipe, e tipit të absurdit dhe me elementin e antidramës dhe ku sërish caqet historike të kohës përhumben qëllimisht. Spektatori me dramën e Trebeshinës përballet me një dramë të një lloji tjetër në letërsinë shqipe, me dramën e absurdit, e cila s’është asgjë tjetër, veçse zgjimi i njeriut nga letargjia banale e së përditshmes, e jetës së tij të kufizuar.
Dramaturgjia e Trebeshinës, duke u nisur nga struktura formale dhe tematike, shfaq elementë të qartë ngjashmërie me dramën e absurdit dhe paradoksit zhvilluar në Evropë veçanërisht në vitet ’50-’60 të shekullit XX me përfaqësues Beketin, Joneskon, Pirandelon, por që nuk njiheshin në Shqipëri gjer vonë. Ndaj, mund të themi se Trebeshina, është një nga themeluesit e dramës moderne shqiptare , duke u nisur jo vetëm për nga dallueshmëria me traditën shqiptare, por edhe krahasuar me përfaqësuesit kryesorë të dramës moderne botërore.
Një pjesë e dramave të Trebeshinës datojnë të shkruara dhe të botuara pas viteve ’90. Ajo që vihet re tek ato është ngjashmëria e të shkruarit dhe të konceptuarit të tyre me veprat që datojnë si kohë shkrimi shumë vite më parë. “Ky autor në kushte të lirisë krijuese, edhe në veprat e shkruara në këtë periudhë, vazhdon të kultivojë një model të shkrimit dramatik, i cili refuzon estetikisht realitetin… e sfidon, e ironizon, e stigmatizon dhe e parodizon . Pothuajse në të tëra dramat e tij vërehet një lloj i veçantë i absurdit me ngjyrim politik.
Duke përfunduar, mund të themi se të gjitha veprat e Trebeshinës, duket se trajtojnë variante të ndryshme të së njëjtës temë; tema e lirisë si forma e vetme e ekzistencës së humanitetit dhe përballja e saj me të gjitha format e mohimit, deformimit, rrezikut të zhdukjes, qoftë kur rreziku është jashtë nacionalitetit tënd, kur rreziku i humbjes së lirisë tënde vjen nga jashtë kombit, qoftë kur vjen si kërcënim nga brenda, kur ajo vjen nga ata që flasin të njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtin hapësirë gjeografike e, nëpërmjet institucioneve të pushtetit, rrezikojnë lirinë e me këtë rrezikojnë ekzistencën.
Këtë topikë e gjejmë në prozë, poezi, në drama, ese.
Trebeshina sjell në letërsinë shqipe, një krijimtari e cila ruan shenjat e qarta të traditës shqiptare para ’44, ndikimin nga trashëgimia botërore, por duke arritur të krijojë një letërsi të mirëfilltë krejtësisht origjinale e shpesh duke krijuar modele të reja.
Hendeku mes kohës së shkrimit dhe kohës së receptimit, nuk rezulton të ekzistojë nga pikëpamja estetike, pasi këto vepra, në momentin e botimit i komunikuan lexuesit vlera të qenësishme, me intensitet të lartë emocional dhe përmbajtjesor. Ky lloj intensiteti u ruajt i plotë, para së gjithash, nga strukturat e pacenuara nga kompromiset jashtëletrar, prej të cilave letërsia shqipe e gjysmës së dytë të shek. të 20-të, pati mjaft ndikime e për pasojë, mjaft deformime të dukshme.
Nga studimet e bëra, mbi specifikat dhe vlerat që paraqet krijimtaria e botuar e Trebeshinës, rezulton se ky shkrimtar është një zë i veçantë, origjinal në letërsinë shqipe. Ai tashmë është pjesë e padiskutueshme e traditës më të mirë letrare në shqip.

Linjat antiperëndimore të qeverisë së re serbe

Posted: 15 Aug 2016 05:59 AM PDT

Nga SHABAN MURATI

Entuziazmi i pazakontë, me të cilin u prit nga disa qarqe politike e mediatike në Europë, emërimi i një ministreje gei në qeverinë e re të Serbisë, të miratuar në 11 gusht në parlamentin serb, me sa duket i pengoi të shihnin më thellë domethënien reale dhe sinjalet e kompozicionit qeveritar serb. U lanë në hije dy parametra të rëndësishëm antiperëndimorë, që evidentohen me qeverinë e re të Serbisë.
Parametri i parë është ai prorus. Mund të flasësh sa të duash për gjoja ekuilibrin, që përpiqet të mbajë kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, në formatimin e tij qeveritar, se ka zgjedhur kaq ministra me prirje proeuropiane dhe kaq ministra me prirje proruse. Është naivitet të matësh orientimin strategjik të një shteti me ekuilibër numrash. Ai matet me linjat politike e strategjike dhe ato kristalizohen qartë si antiperëndimore. Numrat e ministrave me prirje europiane në qeverinë serbe duhen parë si kontorno për të mbuluar se platforma qeveritare është një pjatë ruse. Një zëvendëskryeministre dhe ministre e qeverisë së re, duke e ndjerë se mesazhi imediat, që jep formati qeveritar është jobindës në vokacionin e tij europian, deklaroi se qeveria e re nuk është as amerikane dhe as ruse. Vetë kryeministri i Serbisë, që është edhe kryetar i Partisë Progresiste Serbe, SNS, që e trashëgoi nga presidenti ultranacionalist Tomislav Nikoliç, nuk është kujdesur shumë për ta fshehur të vërtetën e gjërave. Menjëherë pas fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 24 prillit dhe konfirmimit si kryeministër, vizitën e tij të parë Vuçiç e bëri në Moskë. Ai u thirr në Kremlin nga presidenti Vladimir Putin, në një lëvizje të pashembullt diplomatike, sepse homologu i tij është kryeministri rus. Vladimir Putin e thirri që t’i imponojë zgjedhjen e delfinëve të Moskës si ministra në kabinetin e ri serb. Dhe Aleksandër Vuçiç u detyrua që t’i japë përsëri postin nr. 2 në qeverinë e tij prorusit publik, Ivica Daçiç, ndonëse vetë Vuçiç ka deklaruar publikisht se nuk ka pikë besimi në lojalitetin e Ivica Daçiçit. Ai plotësoi kërkesën e Moskës, siç e plotësoi edhe për portofolin e energjisë dhe disa portofole të tjerë.
Rritja e dominimit rus në politikëbërjen serbe konstatohet qartë edhe nga vete aktorët e skenës politike serbe. Ambasadorja Vesna Pusiç deklaron se me zgjedhjet e fundit parlamentare është shtuar numri i partive proruse në parlamentin serb dhe është shtuar edhe kërkesa ruse për përfshirjen e tyre në qeverinë e re.
Garancia që ka kërkuar Moska për orientimin prorus të qeverisë së re të Serbisë përmban jo vetëm përfshirjen e emrave të ministrave të sugjeruar nga Moska, por edhe ndërmarrjen e hapave, që e lidhin edhe më shumë Serbinë pas strategjisë dhe interesave të tanishme ruse në Ballkan. Nuk është e rastit që menjëherë ministria serbe e Mbrojtjes shpalli në datën 8 gusht se në shtator do të zhvillohen në Serbi manovrat e përbashkëta ushtarake të forcave ajrore serbe me forcat speciale desantuese ruse. Këto manovra ushtarake kanë dy karakteristika interesante. Së pari, që janë planifikuar të zhvillohen pranë kufirit me Kroacinë, një shtet anëtar i NATO-s. Beogradi ka shumë muaj që po ndjek një kurs të acarimit të qëllimshëm të marrëdhënieve me Kroacinë dhe të ngritjes së tensioneve ushtarake me të, duke sajuar pretekste nga më absurdet. “Ne jemi të shqetësuar nga manovrat ushtarake ‘Vëllazërimi sllavik’ në Serbi”, deklaron presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç. Zhvillimi i këtyre manovrave të përbashkëta ushtarake ruso-serbe tërheq vëmendjen, sepse përkojnë me acarimin e tensionit midis Rusisë dhe Ukrainës dhe kur Moska po rizbaton taktikat ushtarako-diversioniste, që përdori gjatë pushtimit të Krimesë në mars të vitit 2014. Në analizat e mia për veprimtarinë ushtarake ruse në Serbi, unë kam shtruar shpeshherë pyetjen se përse përgatiten ushtria ruse dhe forcat e saj desantuese për të zbarkuar në Ballkan, por mendoj se përgjigjen duhet ta gjejnë qeveritë dhe diplomacitë e shteteve anëtare të NATO-s në rajon.
Karakteristikë e dytë e manovrave të përbashkëta ushtarake ruso-serbe është pjesëmarrja për herë të parë edhe e forcave ushtarake të Bjellorusisë në territorin serb. Ministria serbe e Mbrojtjes njoftonte në datën 8 gusht se këto manovra të përbashkëta të tri shteteve do të mbajnë emrin e koduar “Vëllazërimi sllavik 2016”. Nuk ka informacion nëse në Bruksel e kanë shtruar pyetjen se ç’është ky “Vëllazërim sllavik”, që po afishon dhe po e stërvit ushtarakisht Rusia qeverinë e kryeministrit Aleksandër Vuçiç, të një shteti kandidat të BE. Është vendi këtu për t’i kujtuar lexuesit se në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, parlamenti i Serbisë ka miratuar në 12 prill të vitit 1999 rezolutën e bashkimit të Serbisë me Rusinë. Në librin tim “Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë”, kam shkruar se, “ky hap i parlamentit erdhi pas vendimit të qeverisë serbe për t’i drejtuar zyrtarisht Moskës kërkesën për bashkim dhe kjo kërkesë zyrtare për bashkim të Serbisë me Rusinë i është dorëzuar presidentit Boris Jelcin me firmën e presidentit Sllobodan Millosheviç”. (Tiranë, 2005, fq.51). Ky union i tri shteteve sllave, si një projekt gjeopolitik rus, është mbajtur në sirtar për shkak të rrethanave rajonale dhe ndërkombëtare, por është fakt i çuditshëm se parlamenti demokratik dhe “proeuropian” i Serbisë gjatë 17 viteve nuk e ka denoncuar dhe as e ka shfuqizuar atë projekt strategjik të Kremlinit. Nga pikëpamja juridike dhe e së drejtës ndërkombëtare, projekti u Unionit tri shtetesh është i vlefshëm, në rrethanat kur të tria shtetet sllave do të bien dakord. Nuk duken rastësi këto manovra ushtarake të përbashkëta të tri shteteve të “Vëllazërimit sllavik” Rusi-Bjellorusi-Serbi.
Këto janë lëvizje dhe tregues, të cilat nuk mund të kalohen as me indiferencë dhe as me neglizhencë, sepse bëhet fjalë për një shtet kandidat të BE, i cili është futur në procesin e pranimit të tij, nëpërmjet bisedimeve për traktatin e pranimit dhe është një shtet, që kufizohet me shtatë shtete të NATO-s.
Parametri i dytë antiperëndimor i qeverisë së re serbe është ai kundër Kosovës. Në mënyrën më absurde, kryeministri i Serbisë dhe anëtarët e qeverisë së tij të re u betuan në parlament me një formulë qeveritare, e cila përmbante “angazhimin për ruajtjen e Kosovës si pjesë e Serbisë”. Ishte një formulë e kryeministrit, jo një formulë e detyrueshme protokollare kushtetuese. Ky është një akt, i cili kërkon një vëmendje të veçantë si nga Brukseli e Uashingtoni, ashtu edhe nga Prishtina e Tirana. Betimi i qeverisë së re serbe për të rimarrë Kosovën në hartën e Serbisë do të thotë një sfidë e re diplomatike, politike dhe nacionale e saj kundër Kosovës. Në vend që të ecë gradualisht në rrugën e pranimit të realitetit të pakthyeshëm politik të shtetit të pavarur të Kosovës, qeveria e kryeministrit Vuçiç shkon në drejtimin e kundërt, duke e bërë program dhe devizë të qeverisë së re rikthimin e Kosovës në statusin e një kolonie të Serbisë. Është sinjal për turbullira, ndërhyrje dhe provokime të reja serbe, një akt i cili kërkon reagimin nga ana e qeverisë së Kosovës. Serbia dhe Kosova po zhvillojnë bisedime në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE. Serbia ka nënshkruar marrëveshjen e njohur të 19 prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pra ka pranuar se është një proces normalizimi midis dy shteteve. Serbia është angazhuar zyrtarisht se nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe dihet që në BE hyjnë vetëm shtetet, dhe Beogradi e din se Kosova do të hyjë si shtet në BE. Tani del dhe shprehet se do të veprojë si qeveri që Kosova të rikolonizohet. Kjo jo vetëm duhet mbajtur shënim nga qeveria dhe diplomacia e Kosovës, por Prishtina duhet të protestojë me forcë në drejtim të qeverisë së Serbisë në takimin më të parë në Bruksel, sepse Beogradi po vë në dyshim vetë përmbajtjen dhe qëllimin e këtyre bisedimeve dypalëshe. BE duhet ta detyrojë Beogradin të konfirmojë angazhimin për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara në Bruksel.
Deviza antikosovare e betimit të qeverisë së re serbe është një sfidë ndaj diplomacisë së BE. BE ka toleruar shumë kritere të parealizuara nga Serbia në rrugën e saj të integrimit europian dhe disa nga këto lëshime thuhet se janë bërë për ta inkurajuar atë në drejtim të pranimit të statusit të Kosovës si shtet. Tani qeveria e re serbe i hedh poshtë këto angazhime zyrtare ndërkombëtare të marra para Bashkimit Europian. Është një moment diplomatik dhe juridik, kur Brukseli duhet t’i rikujtojë Beogradit detyrimet e marra në marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën dhe mbi këtë bazë duhet të bëhet avancimi i hapjes së kapitujve të traktatit të pranimit të Serbisë në BE.
Deviza e betimit të qeverisë së re serbe për të rikthyer statusin kolonial të Kosovës është edhe një sfidë e Serbisë ndaj SHBA. Vetë kryeministri serb, Vuçiç ka deklaruar se Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland, i ka deklaruar atij se SHBA-të kanë investuar 20 vite për pavarësinë e Kosovës. Tani qeveria e re serbe betohet se do ta zhbëjë këtë pavarësi dhe investimin kolosal amerikan për këtë pavarësi. Qeveria e re serbe as nga pikëpamja e taktikës diplomatike nuk ka vepruar në mënyrë korrekte, në një kohë kur dihet se pas disa ditësh zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Jozef Biden, do të zhvillojë një vizitë në Beograd. Kryeministri serb po kopjon në mënyrë naive dhe aspak kreative, politikën titiste të lojës me dy karrige, edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë. Pas vizitës së nënpresidentit amerikan në gusht, atje do të shkojë në shtator për vizitë kryeministri i Rusisë, Medvedev.
Cilido që e ka ndjekur prej kohësh politikën e jashtme serbe, e ka të qartë se i ashtuquajturi ekuilibrizëm i kryeministrit aktual serb është thjesht një taktikë për të bërë sikur makina e shtetit serb po jep sinjal se do të shkojë nga Perëndimi, në një kohë që timonin po e drejton nga Rusia. Moska po punon fort që Serbia t’i largohet apo të devijojë nga rruga e integrimit europian, ashtu siç e detyroi Serbinë në 2007 të devijojë nga rruga e integrimit atlantik me imponimin e të ashtuquajturës doktrinë të neutralitetit. Mediat serbe shkruajnë se Moska synon të bëjë të mundur që deri në vitin 2017 në Serbi të mbahet një referendum për hyrjen e Serbisë në BE dhe në NATO. E përditshmja serbe “Blic” shkruan se referendumi është temë e të gjitha bisedimeve të zyrtarëve rusë dhe serbë, ndërsa emisarët e Vladimir Putinit këtë temë përpiqen ta iniciojnë nëpërmjet partive proruse në Serbi. Që nga largimi i Millosheviçit nga skena politike në vitin 2000, Beogradi është drejtuar nga forca nacionaliste proruse, të cilat janë maskuar pas pozave europeiste. Kështu u zhgënjye Europa nga Vojislav Koshtunica, kështu u zhgënjye nga Boris Tadiçi dhe janë të gjitha shanset se kështu do të zhgënjehet edhe nga Aleksandër Vuçiçi.
Garnitura qeveritare që drejton sot Serbinë që nga presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm e deri te kryetarja e parlamentit kanë dalë nga manteli i Sllobodan Millosheviçit dhe shpirtin, dhe politikën e vërtetë i kanë me “Vëllazërimin sllavik” të Rusisë. Rusia është para portave të Ballkanit dhe Serbia po ia hap asaj portat e tensionit dhe të destabilizimit rajonal.

Perçet, dynënshtetësia dhe siguria e brendshme

Posted: 15 Aug 2016 05:57 AM PDT

Nga Christoph Strack -"Deutsche Welle"
Pas sulmeve në Vyrcburg, Mynih dhe Ansbach, tema e sigurisë së brendshme renditet ndër vendet e para në axhendën politike gjermane. Dhe ajo luan një rol edhe në fushatat për zgjedhjet e ardhshme për parlamentet e landeve. Në shtator në landet federale të Berlinit dhe të Mecklenburg-Vorpommern zgjidhen parlamentet e landeve dhe pas 13 muajsh zhvillohen zgjedhjet për Bundestagun e ri.
Për këtë arsye, ministrat e Brendshëm të landeve që drejtohen nga CDU/CSU-ja, parti së cilës i takon edhe ministri i Brendshëm federal Thomas de Maizière, duan të miratojnë javën e ardhshme një deklaratë, për masa të ashpra sigurie.
Ndër kërkesat bëjnë pjesë ndalimi i perçes dhe mbulimi i plotë i fytyrës, heqja e dynënshtetësisë dhe mbikëqyrja më e ashpër e refugjatëve. Po a janë këto kërkesa ligjërisht dhe politikisht të realizueshme?
Ndalimi i perçes
Në radhët e CDU/CSU ka mendime të ndryshme për ndalimin e perçes. Disa e hedhin poshtë mbajtjen e saj sepse e quajnë shenjë të nënshtrimit të femrës, por nuk janë kundër ndalimit me ligj të saj.
Por ka edhe deputetë dhe politikanë të kësaj partie që kërkojnë edhe ndalimin me ligj të mbajtjes së perçes. Debatet dhe mendimet e ndryshme për ndalimin e perçes lidhen më tepër me integrimin sesa me terrorizmin apo sigurinë e brendshme.
Megjithatë, kërkesa të tilla nuk do të jenë të mundura të realizohen, sepse sipas këshilltarëve të parlamentit gjerman, “një ndalim i përgjithshëm i perçeve në vendet publike shkel parimin kushtetues të neutralitetit dhe nuk mund të justifikohet me Kushtetutë.”
Mendimet e këshilltarëve të Bundestagut gjerman janë të rëndësishme për deputetët që ata të krijojnë mendimin e tyre, por jo të detyrueshme. Në fund të fundit fjala është për lirinë fetare, gjë që thekson gjithmonë Gjykata Kushtetuese, e cila është gjykata më e lartë gjermane, në gjykimet e saj.
Dynënshtetësia
Në Gjermani dynënshtetësia nuk është e lejuar pa kufizime. Prej rreth dhjetë vjetësh, mundësinë për të pasur dy nënshtetësi e kanë qytetarët e BE-së dhe të Zvicrës që jetojnë në Gjermani. Po ashtu, nënshtetësia e dyfishtë tolerohet edhe për qytetarë vendet e origjinës së të cilëve nuk e lejojnë lënien e nënshtetësisë, si p.sh. Siria, Maroku, Irani dhe shumë vende të Amerikës Latine. Që nga viti 2014, shtetësia e dyfishtë u lejohet edhe fëmijëve me prindër të huaj që janë rritur kryesisht në Gjermani. Ndër ta, shumica janë kryesisht nënshtetas gjermanë me origjinë turke.
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière kërkon që personave me nënshtetësi gjermane, që kanë edhe nënshtetësinë e një vendi tjetër dhe shkojnë jashtë Gjermanisë për të luftuar si xhihadistë, t’u hiqet nënshtetësia gjermane. Për këtë ai ndoshta mund të gjejë edhe miratim në parlament, por jo për ndalimin e përgjithshëm të mundësisë për dynënshtetësinë.
Kontrolli i mediave sociale publike
Ministri de Maizière synon si pjesë të konceptit të sigurisë edhe një kontroll të postimeve që bëjnë publikisht në rrjetet sociale azilkërkuesit dhe refugjatët që vijnë në Gjermani.
Edhe pse shumë prej tyre vijnë në Gjermani pa dokumente identifikimi, ata mbajnë lidhje me familjet përmes celularëve dhe rrjeteve sociale.
Në Gjermani punëdhënësit kanë të drejtë të kontrollojnë postimet në rrjetet sociale të atyre që aplikojnë për një vend pune. Por në rastin e azilkërkuesve dhe të refugjatëve, duhet marrë parasysh edhe e drejta e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale.
Por meqenëse kontrolli i postimeve publike në rrjetet sociale, që kërkohet në këtë rast, lidhet me sigurinë e brendshme, duket se ministrat e Brendshëm të landeve të drejtuara nga CDU/CSU do të jenë dakord me kërkesën e ministrit de Maizière.

Ish-pronarët, formulari për të përfituar pagesë të përshpejtuar

Posted: 15 Aug 2016 05:52 AM PDT

Të gjithë ish-pronarët që kanë një vendim për njohjen e pronës nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për të përfituar kthimin ose kompensimin duhet të paraqiten pranë Agjencisë për të plotësuar formularët për pagesa të përshpejtuara, ose për t’u bërë pjesë e ankandeve të kompensimit fizik. Është në dëshirë të pronarit, plotësimi i secilit prej formularëve, por është e domosdoshme që pas plotësimit të tij, të paraqesin në Agjencinë e Trajtimit të Pronave 10 dokumente. “Gazeta Shqiptare” publikon formularët që mund të plotësohen që sot për të përfituar nga përparësitë, që jep ligji i ri për marrë kompensimin me procedurë të përshpejtuar apo për të marrë pjesë në ankande.
Pagesat e përshpejtuara
Janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tri vitesh dhe brenda pesë vitesh. Për secilin variant në një VKM të posaçme është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti, pronari merr 20 % të vlerës së faturës; për pagesën brenda tri viteve merr 30 % dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar. Të gjitha subjektet kërkuese, të cilët shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.
Kompensimi me ankand
Pronari që kërkon të jetë pjesë e ankandeve duhet të plotësojë në ATP formularin, ku përveç gjeneraliteteve dhe datës së aplikimit, duhet të cilësojë faktin se aplikon për kompensim fizik me ankand, si dhe plotësojë të gjitha kushtet e përfaqësimit, dëshmi trashëgimi ose prokurë.
Dokumentet
Dokumentacioni shoqërues që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor, b) dokumentacioni hartografik, c) vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Sipas legjislacionit në fuqi, dokumentacioni ligjor përbëhet sipas rastit nga: a) dokumentacion hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/ Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së; dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore; vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14, të ligjit nr.37, datë 13.1.1945, “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës ose çdo dokument tjetër ligjor i lëshuar nga institucionet shtetërore i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes”. Ndërsa kur një nga dokumentacionet e sipërpërmendura ligjore paraqet mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata si dhe aktekspertimin në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë. Sipas ligjit dhe VKM-së që rregullon funksionin e tij, dokumentacioni hartografik aktual, i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar, të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni ku sipas rastit, mund të jetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi ose Drejtoria e Shërbimit Pyjor për pyjet e kullotat dhe tokat e tjera jobujqësore, si dhe pozicionimin e pronës së pretenduar me inxhinier/gjeodet të licencuar, me përjashtim të rasteve kur pozicionimi i pronës është kryer me vendim gjykate të formës së prerë.

Pensionet para vitit ’94, si do të njihen vitet e punës

Posted: 15 Aug 2016 05:51 AM PDT

Punonjësit e ish-ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtarët e kooperativave bujqësore nuk do t’i drejtohen më gjykatave për vitet e punës, për të cilat nuk kanë dokumente të rregullta e që nuk i njihen për efekt pensioni. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, i cili tashmë ia lë këtë kompetencë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke lehtësuar procedurën për vitet e dokumentuara me laps apo regjistra të dëmtuar. Vendimi pritet të zgjidhë problemet për vitet e punës para datës 1 janar 1994. Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha periudhat e punës së para 1 janarit 1994, njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra, etj, kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas përcaktimeve të ligjeve të kohës. Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumenteve janë dëmtuar, disa me qëllim, disa nga trajtimi në kushte jo të përshtatshme, janë djegur, janë bërë të palexueshme etj.

Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund t’i njihnin këto periudha, duke i orientuar drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja që mund të njihte periudhat e punës. Tashmë këto dokumente janë marrë në ruajtje nga ISSH dhe në arkivën e saj po punohet për dixhitalizimin e sistemit. Gjatë këtij procesi janë evidentuar probleme të tilla si: Regjistra të shkruara me laps, gjeneralitete të deformuara, emra të shkurtuar, ndryshime të mbiemrave, fletë regjistri të dëmtuara, dokumentacion i djegur apo i zhdukur e për pasojë i padorëzuar në arkivat shtetërore që nga viti 1992-1993 etj. Kjo ka sjellë rritje të numrit të proceseve gjyqësore, të cilat edhe pse fitohen në shkallë të parë, përsëri nga strukturat e sigurimeve shoqërore kalojnë në proces apelimi të detyruara nga ligji. Përmes këtij vendimi të ri krijohen strukturat përgjegjëse të verifikimit dhe vërtetimit të periudhave të sigurimit dhe masave të tjera ligjore, pa qenë e nevojshme t’i drejtohesh gjykatës. “Gazeta Shqiptare” riboton sot pas kërkesave të lexuesve pikat më të rëndësishme të vendimit të qeverisë, ku përcaktohen procedurat që do të ndiqen për njohjen e këtyre viteve për efekt pensioni.

Sipas tij, të interesuarit do t’i drejtohen gjykatës vetëm në rastet kur nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e të dhënave në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative. “Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë. Për të gjitha rastet kur strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e vlefshme për caktimin e pensioneve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore merr të gjitha masat, që, brenda 6 muajve nga data e këtij vendimi, të skanojë dhe të evidentojë në një bazë të dhënash të veçantë të gjitha periudhat e sigurimit të evidentuara me laps, si dhe certifikimin me komision të përmbajtjes së tyre”, thuhet në vendimin e qeverisë.

PIKAT MË TË RËNDËSISHME TË VENDIMIT "PËR DISA ÇËSHTJE TË DOKUMENTIMIT TË PERIUDHAVE TË SIGURIMIT DHE VJETËRSISË NË PUNË, PËR EFEKT PENSIONI"
1. Të njihen vjetërsi pune për efekt pensioni periudhat e punës të kryera nga personat e punësuar në ish-ndërmarrjet shtetërore dhe
vitet e punës të ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore, sipas dokumentimit në regjistrat e vjetërsisë në punë, në rastet kur të gjitha fletët e regjistrit
ose vite pune të veçanta në të gjitha fletët e regjistrit janë të dokumentuara me laps.

2. Në rastet kur vjetërsia e punës ose elemente të veçanta të fletës individuale të regjistrit janë të plotësuara me laps dhe nga
strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e tyre në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative, saktësia e të dhënave të regjistrit ose vërtetimi i fakteve bëhet me vendim të gjykatës.

3. Në rastet kur rubrika të veçanta të fletëve individuale të regjistrave të vjetërsisë në punë janë të paplota, evidentojnë fillimin por
jo mbarimin e periudhës së punës, nuk janë të shkruara dukshëm ose kanë gërma të rishkruara, janë të dëmtuara fizikisht ose të padallueshme për shkak të periudhës së gjatë nga data e krijimit të fondit arkivor, mungojnë elemente të veçanta të identifikimit të personit ose janë të shkruara
me shkurtime dhe, për rrjedhojë, me të dhënat e fletës së regjistrit nuk mund të provohet e gjithë periudha e sigurimit ose pjesë të saj, të
kërkuara dhe dokumentuar nga personi i interesuar, strukturat përgjegjëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore marrin në konsideratë
të dhëna të tjera dokumentare, të prodhuara nga organe shtetërore, të cilat indirekt i shërbejnë vërtetimit dhe plotësimit të
periudhave të sigurimit.

4. Në zbatim të pikës 3, të këtij vendimi, për dokumentimin e vjetërsisë në punë, për efekt pensioni, përveç të dhënave të dokumentuara
në librezën e punës, në regjistrat e vjetërsisë në punë, në listëpagesat apo borderotë dhe vërtetimet e lëshuara nga ndërmarrjet dhe
institucionet me objekt vërtetimin e vjetërsisë në punë, si dokumente alternative plotësuese do të shërbejnë edhe të dhënat e regjistrave
themeltarë të punonjësve, indekset e regjistrave të vjetërsisë në punë, librat kontabël me të dhënat individuale të pagave
mujore, vendime të organeve shtetërore qendrore, lokale dhe të ndëmarrjeve e institucioneve, për emërimet, transferimet,
kualifikimet, ngritjen në pagë apo kalimin nga një detyrë në tjetrën, si dhe dokumente të tjera shtetërore, që mund të gjenden në dosjet
personale të punonjësve dhe që i shërbejnë këtij qëllimi. Saktësimi i periudhave të sigurimit nëpërmjet dokumenteve dhe të
dhënave të tjera arkivore bëhet me vendime të komisioneve të posaçme. Rregullat e funksionimit dhe procedurat administrative
të punës së komisioneve përcaktohen me vendim të Këshillit Administrativ të ISSH-së, i ngritur në zbatim të neneve 72, 73, dhe 74,
të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

5. Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, të evidentuara në pikën 4, të këtij vendimi, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë. Për të gjitha rastet kur
strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të
shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e
vlefshme për caktimin e pensioneve.

I riu vdes nga dhuna në burgjet greke

Posted: 15 Aug 2016 05:49 AM PDT

Xhensila Kodra

Trupi i pajetë i Pëllumb Marnikolajt, nga fshati Rrile i Lezhës, i është nënshtruar një ekspertize mjekoligjore në morgun e QSUT-së. 28-vjeçari humbi jetën në mënyrë misterioze në një komisariat në Greqi, ku familjarët e të ndjerit pretendojnë se është dhunuar nga policia e huaj. Trupi i viktimës mbërriti në vendin tonë mbrëmjen e së shtunës, ndërsa mëngjesin e së dielës, ai është transportuar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes së familjarit të tyre. Burime pranë bluzave të bardha thanë për “Gazeta Shqiptare” se të riut i janë gjetur shenja dhune pothuajse në të gjithë trupin. Sipas tyre, shenjat nuk mund të dalloheshin shumë qartë për shkak se dhuna mund të ketë ndodhur disa ditë më parë. “Trupi kishte shenja të dukshme dhune, edhe pse nuk mund të dalloheshin shumë qartë për shkak të kohës se kur mund të ketë ndodhur”, thanë burimet e sipërpërmendura. Të njëjtat burime shtuan më tej, se është e vështirë të përcaktohet se me çfarë mund të jetë qëlluar për vdekje i riu derisa të dalë përgjigjja përfundimtare e ekspertizës. I riu jetonte si emigrant në Greqi dhe ishte arrestuar nga policia greke për vjedhje, duke bërë 8 vite burg. Fillimisht, ngjarja u denoncua nga faqja “Realiteti Shkodër Neës”, e cila shkruan se që prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar duke i dhënë një masë më lehtësuese, “Detyrim paraqitjeje”. Më datë 3 gusht, në orën 20:00, ai është paraqitur në rajon, por nuk ka dalë i gjallë nga aty. Policia e ka dërguar të vdekur në morgun e spitalit “Erithros Stravros” Athinë, duke deklaruar se i riu shqiptar ka rënë nga kati i katërt i godinës së rajonit. Vetëm pak minuta para se të futej në rajonin e policisë “Kato Patisia”, ai kishte telefonuar një shokun e tij. Gjatë bisedës i ka thënë se do ta telefononte sërish pasi të firmoste paraqitjen e tij në rajon. Për rreth 10 ditë me radhë, i riu nuk u bë më i gjallë, çka bëri që familjarët dhe shokët e tij të nisnin kërkimet. Për këtë çështje, avokati i cili ndiqte çështjen e 28-vjeçarit, nuk u ka folur shokëve të viktimës, duke u thënë se ishte me pushime. Nga e gjitha kjo situatë, vëllai i Pëllumbit ka udhëtuar drejt Athinës në kërkim të gjurmëve të vëllait të zhdukur. Trupi i tij u gjet në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro” gati për t’u varrosur, duke u klasifikuar si një kufomë pa identitet. Fillimisht drejtuesit e varrezave kanë refuzuar të tregojnë trupin, të cilit i ishte bërë autopsia pa praninë e prokurorisë, grupit hetimor, familjarëve apo avokatit, por vetëm me urdhër të policisë greke. Pasi drejtuesit e varrezave janë ballafaquar me familjarët dhe miqtë, kanë thënë se trupi është sjellë i vdekur dhe ai do u dorëzohej familjarëve me kushtin e vetëm, që të mos kishte denoncime dhe çështja të varrosej bashkë me të. Pasi kanë tërhequr trupin e pajetë të të riut nga dhoma frigoriferike e varrezave, miqtë e viktimës kanë shkuar në rajonin e policisë duke kërkuar pamjet filmike të hyrjes dhe daljes së 28-vjeçarit, pamje të cilat janë të zhdukura nga çdo server. Ndërkaq, familjarët e viktimës pretendojnë se autoritet greke kanë dashur ta varrosin të afërmin e tyre sa më shpejt në mënyrë që të humbnin gjurmët. Ndërsa në një reagim nga policia greke, pas kërkesës së bërë nga Ambasada shqiptare në Athinë, thuhet se i riu shqiptar është hedhur nga dritarja e komisariatit të policisë. “Viktima është hedhur nga dritarja, pasi e kuptoi se do ta arrestonin”, thuhet në reagimin e Policisë greke. Po ashtu, në reagim shkruhej se për Pëllumb Marinkolajn kishte urdhra të tjera arresti të cilat duheshin zbatuar.
Reagimi
Lidhur me vdekjen misterioze të 28-vjeçarit nga Lezha ka reaguar edhe Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi. Sipas saj, pas bërjes publike të lajmit, Federata është interesuar si dhe ka kontaktuar me miqtë dhe të afërmit e të ndjerit. “Pas komunikimit me ta dhe disa detajeve të dhimbshme, Federata konstatoi se çështja ka shumë pista të zymta që kërkojnë shpjegim nga autoritetet greke. Ndaj ajo komunikoi menjëherë me Ambasadën e Shqipërisë në Athinë dhe organet vendase, ku kërkoi që të zbardhet sa më shpejt vdekja e të riut 28-vjeçar. Eksperienca e hidhur e viteve të shkuara na ka bërë të jemi më të vëmendshëm dhe të mos lejojmë të nëpërkëmben të drejtat e njeriut. Ndaj nëse ka përgjegjës që shkaktuan vdekjen e të riut, ata duhet të përballen me drejtësinë. Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi i shpreh ngushëllimet e saj familjes Marinkolaj dhe është e gatshme të ndihmojë që të zbardhet çështja dhe histori të kësaj natyre të mos përsëriten më”, shkruhet në reagimin e Federatës.

Arrestohet në Tiranë maqedonasi, dyshohet si përkrahësi i ISIS-it

Posted: 15 Aug 2016 05:48 AM PDT

Një 46-vjeçar nga Maqedonia është arrestuar në vendin tonë pasi akuzohet si pjesëtar i ISIS-it. Sipas policisë bëhet me dije se në pranga ka përfunduar Imerli Avmeti, banues në Gostivar, Maqedoni. Ndaj këtij personi ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga prokuroria maqedonase. 46-vjeçari akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje në ushtri, polici, formacione paramilitare të huaja”, parashikuar nga neni 322 i Kodit Penal maqedonas. Menjëherë pas vënies së tij në pranga, materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për kryerjen e procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj. Ndërkohë, burime pranë policisë bënë me dije se 46-vjeçari maqedonas mbahej nën vëzhgim prej disa ditësh nga Antiterrori në vendin tonë për të dokumentuar veprimtarinë në Shqipëri. Mësohet se pak kohë më parë, Avmeti ka qenë në Siri, ku ka luftuar përkrah terroristëve. Sakaq, burimet e sipërpërmendura shtuan më tej, se dyshohet që 46-vjeçari kishte ardhur në Shqipëri për të rekrutuar luftëtarë e për t’i dërguar më pas në Siri.

Dhunoi motrën se i ndërhynte në familje, hetim 59-vjeçarit

Posted: 15 Aug 2016 05:48 AM PDT

Policia e Tiranës ka nisur hetimet ndaj një 59-vjeçari i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij. Bëhet fjalë për personin me iniciale L.P. Sipas policisë, dyshohet se në banesën e tij ai ka ushtruar dhunë psikologjike e fizike ndaj 56-vjeçares me iniciale D.B., për të cilën është plotësuar edhe kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Burime pranë policisë sqaruan se 59-vjeçari ka rrëfyer para oficerëve të policisë se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti për arsye familjare. Sipas tij, shpeshherë e motra përzihej në punët e familjes së tij, çka ka bërë që ai të mos e duronte më këtë situatë.
Vidhte çanta krahu, banesa e dyqane, përfundon në pranga.
Efektivë të Komisariatit Nr.2 në Tiranë prangosën 16-vjeçarin me iniciale D.B., i cili akuzohet për vjedhje. Sipas policisë, i riu është proceduar dhe arrestuar edhe më parë po për të njëjtën vepër penale. Ai akuzohet se është autor i disa vjedhjeve, ndërkohë që u kap në flagrancë duke i vjedhur çantën një gruaje, në të cilën ka pasur një shumë prej rreth 20.000 lekësh të reja, një telefon celular, orë dore dhe disa sende të tjera personale. Ndërkohë, pas vënies së tij në pranga, ka rezultuar se më 8 gusht, në rrugën “Skënderbej”, në banesën e shtetases L.M. ka vjedhur telefonin tip “Iphone”. Ndërsa më 9 gusht, në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, ka vjedhur një shumë prej 50 mijë lekësh në dyqanin e shtetases me iniciale A.B.

Related Posts :