Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Gledi Mici firmos për Skënderbeun” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Gledi Mici firmos për Skënderbeun” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Gledi Mici firmos për Skënderbeun

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Merr fund telenovela
“Mici” me mesfushorin fierak që ka nënshkruar për Skënderbeun, duke u dhënë fund kështu aludimeve rreth ekipit të ri ku do të vazhdonte karrierën. Lojtari ka qenë i dyzuar mes Partizanit dhe Skënderbeut, por në fund ka zgjedhur kampionët, pasi në mes ka qenë edhe Kukësi, i cili pretendonte se zotëronte kartonin e lojtarit. Mici nga ana e tij e pati çuar çështjen me skuadrën verilindore në DHZK, por duket se është tërhequr përpara seancës përfundimtare. Sipas asaj që është thënë më herët, Kukësi do të përfitojë rreth 35 mijë euro nga shitja e Micit. Ndërkohë faqja zyrtare e Skënderbeut në “Facebook” ka publikuar foton e rastit me presidentin Takaj dhe lojtarin, që pozojnë përpara trofeve të fundit të korçarëve. “Gledi Mici është zyrtarisht futbollist i Skënderbeut. Mbrojtësi ka firmosur në këto momente kontratën 2-vjeçare me presidentin Ardjan Takaj, ndërkohë që nesër (sot) do i bashkohet ekipit në fazë përgatitore”.

Telefonatat, biznesmeni: Pse më tradhton!

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Nga:Trëndafile Visha/Xhensila Kodra
Pse më tradhton?
Përse, përse?!”. Ky
ishte “refreni” i akuzave që 65-vjeçari Sokrat Shani i thoshte të dashurës së tij, Jonida Çanaku. Kohët e fundit biznesmeni i dashuruar ishte tejet i acaruar dhe debatonte pa fund në telefon me 29-vjeçaren nga fshati Kryekuq i Divjakës. Burime zyrtare nga prokuroria e Lushnjës, dje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se ky fakt është bërë me dije nga pjesëtarët e familjes Shani gjatë marrjes në pyetje. Përpjekjet për t’i dhënë fund lidhjes me një burrë 36 vjet më të madh në moshë, i ka kushtuar jetën të resë Çanaku. Ajo është vrarë mizorisht nga i dashuri i saj, me të cilin kishte lidhje intime që prej 3 vjetësh e gjysmë. I bindur se vajza do i jepte duart, biznesmeni nga fshati Krutje e Sipërme i Lushnjës ka kaluar në çmenduri. Teksa ishte në shtëpinë e së motrës në Golem të Kavajës, ai ka vendosur t’i japë fund lidhjes sipas “mënyrës” së tij. Sokrat Shani e ka zhveshur lakuriq të renë, e ka lidhur këmbë e duar në krevatin e dhomës së gjumit dhe më pas ka filluar torturat çnjerëzore ndaj saj. Sipas hetuesve të çështjes, 65-vjeçari i ka vënë 29-vjeçares një spango në formë laku në fyt dhe ia ka marrë jetën pak nga pak. Jo vetëm kaq, por biznesmeni ka fshehur dhe rrobat e viktimës. Burimet nga organi hetimor pohuan se nuk përjashtohet mundësia që Shani ka menduar fillimisht të zhdukë çdo gjurmë të krimit, përfshirë dhe vetë kufomën e të dashurës së tij. Nuk dihet ende në çfarë rrethanash, ai ka hequr dorë nga kjo tentativë dhe pak orë më vonë i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë në banesën e tij me një plumb pistolete në gojë. Një ditë pas krimit të dyfishtë që tronditi opinionin publik, grupi hetimor ka bërë të mundur zbardhjen e vrasjes monstruoze të Jonida Çanakut.
VRASJA MAKABRE
Hetuesit e çështjes kanë dalë në konkluzionin se 29-vjeçarja që u gjet e vdekur në katin e katërt të një pallati në Golem të Kavajës është dhunuar e torturuar para se të jepte shpirt. Skena e tmerrshme e krimit ka ndodhur në dhomën e gjumit të apartamentit të motrës së autorit të krimit (Ludmilla Shanit), në Golem. Sipas ekspertëve, Jonida Çanaku është gjetur lakuriq, e shtrirë në krevatin dopio, lidhur me fasheta në pjesën e këmbëve dhe në duar. Ndërsa, ka pasur shenja të dukshme hematomash të shkaktuara nga goditjet, kryesisht në pjesën e kraharorit, ku në shpatullën e majtë dëmtimi është më i theksuar. Po të njëjtat burime sqaruan se 65-vjeçari i kishte vendosur në kokë në formë laku një spango ngjyrë të verdhë, me të cilën e ka shtrënguar nga pjesa poshtë mjekrës, deri në pjesën e sipërme të kokës, që të mos rënkonte nga dhimbjet. Ndërsa, dyshohet se viktima pasi është lidhur dhe i është vënë spangoja në fyt, është goditur dhe torturuar nga i dashuri i saj 65-vjeçar. Sipas mjekëve ligjorë, Jonida Çanaku ndërroi jetë pas gjakderdhjes, nga tortura dhe dhuna. Fytyra e kufomës është gjetur e ënjtur, që dyshohet të jetë shkaktuar sipas mjekëve, nga dhuna dhe zënia e frymës. Gjithashtu, pas kryerjes së veprimeve hetimore, hetuesit e çështjes thanë se grilat e dhomës së gjumit ku është gjetur vajza kanë qenë të mbyllura plotësisht, ndërsa në njërën prej komodinave është gjetur një varëse me rruaza të Jonidës, dhe një shishe uji pjesërisht e mbushur. Sipas burimeve nga policia, Sokrat Shani pas ngjarjes në Golem është kthyer mëngjesin e së hënës rreth orës dy në banesën e tij në Krutje të Sipërme dhe pas tri orësh, pasi ka shkruar dhe tri letrat që sqaronin të gjithë dinamikën e krimit, ka kryer vetëvrasje me pistoletë.
DESHMITE
Familjarët e dy viktimave kanë pohuar se kanë qenë në dijeni të lidhjes mes Sokrat Shanit dhe Jonida Çanakut. Gjatë marrjes në pyetje, pjesëtarë të familjes Shani kanë pranuar se kohët e fundit kjo lidhje kishte pësuar krisje dhe se herë pas here 65-vjeçari shpër-thente nga zemërimi dhe i kërkonte llogari 29-vje-çares se përse e tradhtonte. Ata janë shprehur se kohët e fundit, dy viktimat debatonin gjatë njëri me tjetrin kur flisnin në telefon. Sakaq, policia dhe prokuroria e Lushnjës vijojnë hetimet për zbar-dhjen e plotë të krimit të dyfishtë. Për këtë pritet të merret në pyetje edhe Ludmilla Shani, në banesën e së cilës u vra barbarisht e reja Çanaku. Sipas bluve, Ludmilla Shani ende nuk është marrë në pyetje, pasi ajo nuk jeton në Shqipëri.

Gruaja e Çobos kanos 32-vjeçaren: Vetë e provokove, tërhiq denoncimin

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Nga:Abedin Kaja

Bashkëshortja e gjyq
tarit Shyqyri Çobo, i
cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe kërkim të favoreve seksuale, ka kërcënuar gruan e cila e denoncoi gjyqtarin në polici. Irma T. quhet 32-vjeçarja e cila ka marrë mbi 300 telefonata nga Shyqyri Çobo, i cili do të gjykonte procesin e divorcit të gruas. Bashkëshortja e gjyqtarit, 58-vjeçarja P. Çobo ka takuar në Berat denoncuesen dhe e ka kërcënuar nëse nuk tërheq kallëzimin për burrin e saj. "Gazeta Shqiptare" zbardh sot dialogun mes grave, ashtu siç ka deponuar në polici kallzuesja e gjyqtarit.
Ajo e ka takuar Irma T. dhe i ka thënë: “Ti je Irma?”. “Po, unë jam”. “Ti ke akuzuar burrin tim, por në fakt ti e ke provokuar atë. Se do ta heqësh nga puna pa të drejtë. Do të na shkatërrosh familjen. Por nuk do t’ia arrish dot qëllimit. Tërhiq menjëherë denoncimin ndaj burrit tim”, – i ka thënë 58-vjeçares gruas që denoncoi Çobon.
Por, 32-vjeçarja i është përgjigjur se nuk do ta tërheqë denoncimin dhe se do t’i shkojë çështjes deri në fund. E inatosur nga insistimi i 32-vjeçares, gruaja e gjyqtarit Çobo e ka kërcënuar me jetë. “Po të them edhe një herë që të tërheqësh denoncimin ndaj tim shoqi, ndryshe do të të shqyej, do të të vras”, – i ka thënë ajo Irma T., shoqëruar me fyerje të tjera.
32-vjeçarja ka shkuar menjëherë në prokurorinë e Beratit dhe ka bërë denoncimin si dhe ka kërkuar mbrojtje ligjore, duke argumentuar se ndihet e rrezikuar me jetë nga gruaja e gjyqtarit.
NJOFTIMI
I POLICISE
“Më datë 15.08.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat për shtetasen P.Ç., vjeç 58, banuese në Durrës, pasi dyshohet se në lagjen ‘Çlirim’, në banesën e saj, ka kanosur shtetasen I.T., vjeç 32, të heqë dorë nga kallëzimi i bërë ndaj bashkëshortit, shtetasit Sh.Ç.. Neni 311 i Kodit Penal.”
Gjyqtari Shyqyri Çobo u pezullua nga detyra me kërkesë të prokurorisë, pas hetimeve në bazë të kallëzimit nga shtetasja me inicialet I.T., e cila ishte palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Nga hetimi ka rezultuar se në seancën e parë të procesit, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, ndërsa më pas i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.
DOSJA E
PROKURORISE
Pas hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur në qershor 2016 pezullimin e gjyqtarit Shyqyri Çobo për “Korrupsion pasiv…” në formën e kërkimit të favoreve seksuale.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga shtetasja I.T. pranë Policisë Vendore, Berat.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.
Në vijim, nga këqyrja e aparateve dhe tabulateve telefonike, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë.
Për këtë arsye, shtetasja I.T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar këqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst.
Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzuesen që të krijonin një lidhje intime. Nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit.

Për një “Shqipëri pa kosovarë”

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Nga: Ervin Baku

Natyrisht nuk e kam fjalën
për mijërat e turistëve ko
sovarë, që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre. Nuk e kam fjalën as për kosovarët që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në shtetin tonë. Sepse janë në shtetin e tyre. Jo, jo do të flas vetëm për sportin. Bëhet fjalë për Kombëtaren tonë të futbollit. Dhe sot, në prag të eliminatoreve të Kupës së Botës “Rusi 2018”, jemi përballë një realiteti krejt të ri. Jemi përballë një fakti të kryer. Kemi dy shtete, dy flamuj, dy himne dhe për rrjedhojë kemi dy Kombëtare. Dhe nuk jemi më një, ashtu siç do të ishte dëshira e zjarrtë e çdo shqiptari këtej dhe andej kufirit. Kosova u pranua me të drejta të plota në FIFA dhe në UEFA. Dhe për këtë arritje të madhe të Kosovës punuan dhe lobuan fort, bashkërisht të gjithë aktorët e futbollit në Shqipëri dhe Kosovë. Atë që ndodhi dy ditë më parë e kam paralajmëruar prej kohësh. Milot Rashica, me gjithë të drejtën e Zotit, zgjodhi të përfaqësojë vendin e tij, Kosovën. Mes shumë arsyeve të tjera, ai nuk e kapërdiu dot as eksperimentin e trajnerit De Biazi me Veselin. Natyrisht që Milot Rashica nuk është as Mesi, as Ronaldo. Por që gjithsesi është një futbollist mjaft i talentuar, që duhej marrë në Francë. Nejse, ky është një debat tjetër. Pas Rashicës, Kosovës iu bashkuan edhe tre futbollistë të tjerë: Herolind Shala, Alban Meha dhe Valdet Rama. E respektoj plotësisht zgjedhjen e të katër futbollistëve. Ashtu siç kam respektuar zgjedhjet e Shaqirit, Xhakës, Berhamit apo të tjerëve. I uroj sukses të plotë në vazhdimin e karrierës së tyre. Me Kosovën, Zvicrën dhe klubet e tyre respektive. Nuk i kam quajtur kurrë tradhtarë. Përkundrazi, në sytë e mi ata janë të gjithë ambasadorë të Shqipërisë etnike. Le ta lëmë dhe inkurajojmë Kosovën të ketë një kombëtare të denjë. Kosova ka të drejtë të mbledhë të gjithë futbollistët e saj. Kudo që ata janë. Të falënderojmë me gjithë shpirt dhe zemër të gjithë futbollistët e Kosovës për kontributin e tyre në Kombëtaren e Shqipërisë. Përballë këtij realiteti të ri të Kosovës në futbollin botëror, kambana e alarmit bie edhe më fort për Shqipërinë. Sot, Shqipëria duhet të ketë Kombëtaren e saj me futbollistë shqiptarë të Shqipërisë. Nuk ka vend për panik. Talentet e Shqipërisë nuk mungojnë. Ka plot shqiptarë që luajnë bukur futboll në mbarë Europën dhe më gjerë. Fëmijët e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë janë një kontingjent i mrekullueshëm. Ata duhen evidentuar, duhen seleksionuar. Sa më shpejt. Sa më parë. Jam i bindur që Shqipëria ka shumë Hysaj, Agollë, Memushaj, Cikalleshë apo Sadikë, etj. Por, nuk duhet ta kemi memorien e shkurtër dhe të bazohemi vetëm tek “Europiani 2016”. T’i heqim kapelen brezit të mrekullueshëm të Shpresave të vitit 1983. Ata eliminuan të madhen Gjermani Perëndimore. Pastaj tronditën eliminatoret e Kupës së Botës 1986. Barazuan 2-2 në Poloninë e Bonjekut të madh, mundën Belgjikën 2-0 në Tiranë (belgët do të renditeshin të katërtit në botë në Meksikë) dhe barazuan 1-1 me Greqinë, po në Tiranë. Ata ishin fare pranë Botërorit meksikan, por nuk përfituan nga ndonjë fitore e mundshme në tavolinë. E pra, jam i bindur se sot në Europë ka shumë Demollarë, Zmijanë, Ocellë, Josa, Minga, Kola, etj. Nga ana tjetër, FSHF-ja duhet të punojë fort për rritjen dhe zhvillimin e kampionatit kombëtar. Zhvillimin e detyrueshëm të akademive për çdo skuadër, ekipet zinxhir, etj. Sot, Shqipërisë do t’i duhet të kthehet te Shqipëria. Zgjedhje dhe zgjidhje tjetër nuk ka.

Kristo Çipa i përgjigjet Barkës: Iso-polifonia para Dodonës, është vetëm shqiptare

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Nga: Fatmira Nikolli

Atë mund ta ndeshësh
anekënd globit në forma e
variante nga më të ndryshmet, por asnjëherë e përafërt me këngën iso-polifonike shqiptare". Kështu shprehet në një intervistë për "Gazeta Shqiptare".
Kristo Çipa është një prej bartësve më të njohur të iso-polifonisë në vendin tonë. Në përgjigje të deklaratës së profesorit Panajot Barka i cili e cilëson polifoninë epirote dhe jo vetëm shqiptare, Çipa thotë se "kur është shfaqur Dodona, polifonia ishte krushka e parë dhe i ka çuar peshqesh asaj një këmishë të bërë me cipë gjarpri në këmbim të parashikimit të fatit të saj. Por Dodona e mjegulluar nuk mundi ta parashihte fatin e këngës se humbi brenda magjepjes së saj". Kristo Çipa, nderuar nga presidenti Bujar Nishani me titullin "Naim Frashëri", shton se "të gjithë ata që polifoninë shqiptare janë munduar ta shohim me syze dielli s'kanë bërë gjë tjetër veç kanë marrë imazhin e gabuar në vetvete se polifonia është aty e ylbertë dhe e pakapshme".
Çipa u nderua si "një organizator i palodhur i grupeve tradicionale të bregdetit të Himarës. Krijues i suksesshëm dhe interpretues i veçantë, mbrujtur në djepin e këngës piluriote". Ai ka qenë drejtues i grupit "Bregu i Himarës", i cili është një grup polifonik që pason traditën e grupeve të tjera më të vjetra të Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Vunoit, etj.
– A është polifonia këngë shqiptare apo e Epirit? Çfarë është përfaqësimi Epiri me këtë rast?
Përgjigja e kësaj pyetjeje gjendet në vendimin fatlum, por shumë të vonuar të UNESCO-s, e cila e quan iso-polifoninë shqiptare "Kryevepër të njerëzimit", trashëgimi gojore. Para viteve gjashtëdhjetë nuk i thoshte askush polifoni kësaj kënge të veçantë, por kënga vë(d)nçe, e cila e shprehte jo shkencërisht, por thelbësisht identitetin e saj. Përsa i përket termit 'Polifoni' dhe gjeografisë së shfaqjes së saj, atë mund ta ndeshësh anekënd globit në forma e variante nga më të ndryshmet, por asnjëherë e përafërt me këngën iso-polifonike shqiptare. Pjesa e dytë e pyetjes më sjell ndërmend hapjen e librit të Marin Barletit, ku e cilëson Gjergj Kastriot Skënderbeun, mbretin e shqiptarëve dhe të epirotëve. Ky term që po përmendet shpesh nga fqinji ynë jugor dhe nga ultranacionalistët e saj më shumë se kujtdo i përket së shkuarës sonë historike dhe kënga iso-polifonike që ka mbetur si relike në Epirin Jugor tregon më së miri unifikimin shpirtëror me Skraparin, Librazhdin, Gramshin, Elbasanin, Korçën, Vlorën, Tepelenën, Gjirokastrën, etj., nga e mori edhe pasaportën diplomatike të UNESCO-s së bashku me njohjen e identitetit kombëtar.
– Në ç'zonë tjetër këndohet?
Me këtë harmoni, cilësi, natyrshmëri, ekspresivitet, vitalitet, origjinalitet nuk e gjen në asnjë cep të globit. Natyrisht, trajta të përafërta ndesh ngado, por kjo këngë autoktone shqiptare brenda unifikimit të saj ka dhjetëra e qindra forma e tipizime që të thonë se çdo fshat, krahinë e më gjerë është djepi i saj. Forma klasike brenda kufijve shtetëror është në dy variante, atë të polifonisë dhe të iso-polifonisë. E para haset në Vlorë, Tepelenë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Sarandë e gjetkë e dyta në Skrapar, Gramsh, Librazhd, Elbasan, Korçë etj. Gjithmonë bëhet fjalë për këtë këngë të tipizuar me marrës, kthyes, hedhës, prerës dhe iso (Në ishullin e Korsikës në qershor 2011 kam hasur një variant të këngës së Skraparit, të cilën vendësit e quanin këngë vëndthi, por nuk e dinin shpjegimin e fjalës 'vëndth').
– Çfarë e bën të veçantë këtë këngë?
Së pari, harmonia muzikore pa asnjë lloj instrumenti. E dyta, teknikaliteti i interpretimit pa dirigjent. E treta, mistika e brendshme e këngës, që shpesh të kalon në tjetër univers. E katërta, tonaliteti në ngjitjen e padukshme, pa kuptuar nga rrafshi i butë i qafës muzikore ke dalë në kulmin e majës krenare të këngës. E pesta, gjuha e këngës gjendet e njehsuar pa kod midis aktorëve të këngës dhe çuditërisht protagonizmi i njohur shqiptar, vetëm në polifoni është i vetëkontrolluar. E gjashta, kronika e përpiktë historike të lë të mahnitur dhe tregon më së miri nevojën e një misioni shumëdimensional, që ka pasur mbi supe kjo këngë origjinale e një vendi që gjuha nuk i shkruhej i ndalohej me ferman dhe mallkohej me dhespot. E shtata, solidariteti i elementëve të interpretimit të bind se prejardhja e kësaj kënge duhet të jetë sipas vet mitit për të, prej perëndive. Këto karakteristika dhe shumë të tjera e bëjnë jo vetëm të veçantë, por të papërsëritshme këtë këngë dhe me të drejtë të mirëvlerësuar në vonesën e tyre nga selitë kulturore botërore.
– Cili është dallimi mes polifonisë dhe iso-polifonisë?
Në hapësirën gjeografike shqiptare ku e ka burimin dhe trashëgohet kjo këngë, dallimi midis polifonisë dhe iso-polifonisë është thjesht midis këngës labe dhe këngës toske, ose profesionalisht midis këngës që fillon me marrës e vazhdon me elementët e tjerë, kënga labe dhe këngës që fillon me iso dhe vazhdon me elementët e plotësues. Ky shpjegim që unë po jap nuk është i plotë se me kufizimin e kësaj kënge në polifoni dhe iso-polifoni nuk mund ta rrokësh gjithë kuptimin e saj dhe më duket pak i pavend që pasi e kemi certifikuar në UNESCO, të kërkojmë ta ripagëzojmë me emra nga më të ndryshmit, duke u kthyer tek historia sarkastike e "mustaqeve të Çelos".
– Çfarë duhet të dimë për origjinën e polifonisë?
Ditëlindja e polifonisë ende nuk dihet, por të gjithë studiuesit e saj bien dakord që është shumë e vjetër, përpara muzikës dhe shpesh i thonë një vakt përpara zjarrit. Të gjitha legjendat jugore, mitet, ritet, zbulimet arkeologjike flasin për hershmërinë e saj dhe ndaj interpretuesi i madh popull e ka pat pagëzuar këngë vë(d)nçe, duke mos i rënë në qafë askujt dhe aq më shumë ka imunizuar vetveten nga dëshira për të "pushtuar" hapësira e territore jo të sajat. Duke lindur midis tokës dhe qiellit, ajo as nuk u baltos dhe s'iku nëpër hapësira kozmike ergjele, qëndroi pranë atyre që e deshën dhe e bënë pjesë të shpirtit të tyre. Nuk e kemi braktisur dhe po e çojmë drejt përjetësisë.
-Z.Barka përmend Dodonën (si origjinë), a jeni në një mendje?
Kur është shfaqur Dodona, polifonia ishte krushka e parë dhe i ka çuar peshqesh asaj një këmishë të bërë me cipë gjarpri në këmbim të parashikimit të fatit të saj. Por, Dodona e mjegulluar nuk mundi ta parashihte fatin e këngës se humbi brenda magjepsjes së saj. Kjo këngë asaj iu duk e pafund, se kishte lindur përpara saj dhe kish për mjeshtër të plotfuqishmin Zot. Përsa i përket asaj që Barka thotë se antikiteti ka marrë shumë nga polifonia, kjo më duket e drejtë se nga oqeani i saj kanë marrë e marrin shumë dhe ajo prapë shteron. Në këtë oqean ka të drejtë të lundrojë edhe z.Barka, por nuk mbajmë përgjegjësi për dallgët oqeanike, që shpesh përmbysin anije gjigande e jo më barka të vogla. Për një gjë e sigurojmë, që polifonia kurrë nuk të mbyt, por në cektinë të zhyt.
– Këto deklarata a ndikojnë në certifikimin që i ka bërë UNESKO si pasuri botërore?
Vala sado që ta godasë shkëmbin, nuk mund t'i bëjë gjë tjetër veç ta lëmojë e zbukurojë. Dhe pasi e godet disa herë, dashurohet me të dhe ngelet në dashuri të përjetshme. Të gjithë ata që polifoninë shqiptare janë munduar ta shohim me syze dielli, s'kanë bërë gjë tjetër veç kanë marrë imazhin e gabuar në vetvete se polifonia është aty e ylbertë dhe e pakapshme. UNESCO nuk është tregtar që ndjek uljen dhe ngritjen e tregut, por selia e kulturës botërore, që neve na ka pranuar apo më mirë, kemi pranuar të hyjmë shumë vonë atje. Por, edhe asaj pjese që Panajoti i vjen si me dredhi t'i japë autorësi, ne i kemi dhënë mjaft dhe jo si Dodonës këmishë me cipë gjarpri, por fustanellë që nuk e dimë se ku u është grisur dhe e kanë shkurtuar deri mbi gjunjët burrërorë.
– A është cilësimi i saj si këngë shqiptare, në shërbim të nacionalizmit?
Nuk besoj se vlerësimi real, por e ritheksoj, i vonuar i këngës vënçe polifonike nga ana e UNESCOS-s si këngë shqiptare kryevepër e njerëzimit, përbën nacionalizëm. E kundërta flet për një gjë të tillë. Trashëgimitë gojore kanë një djep që i ka lindur dhe një shtrat që i mban. Do të dëshiroja shumë që diçka nga kultura, sjellja, psikologjia, zakonet, ritet e vendit tim të kishin pasur një grimë nacionalizmi. E kundërta ka ndodhur. Në të gjitha përmendoret e lirive të vendeve fqinje dhe pak më tej, herë shumë e herë pak do të gjesh nga lumenj deri në pika gjaku shqiptarësh dhe asnjë pëllëmbë tokë të dhunuar. Vet kënga vënçe të flet për gjeografinë e shtrirjes se këtij gjaku në ndihmë të lirisë, por në asnjë varg, në asnjë tingull, në asnjë dert nuk bëhet fjalë për të sulmuar apo dhunuar dikë. Ky është dimensioni universal i brendësisë humane e zemërgjerë të polifonisë sonë, e cila kur i drejtohet kryetrimit të Labërisë, Zenel Gjoleka, i thotë: U trete Gjolek u trete/Sos u përpoqe për vete/Po për gjithë vilajete!
– A shtrihet ajo në hartën e perandorisë së Aleksandrit të Madh?
Perandoria shpirtërore e polifonisë jeton ende dhe tani e njohur ndërkombëtarisht, duke tentuar përjetësinë. Nëpër mijëravjeçarët e kaluar, perandori ushtarake, fetare, raciste, ekonomike e të tjera kanë ardhur e kanë ikur duke u përcjellë nga polifonia me avaze sa tragjike, elegjike e komike. Nga trojet ku ka atdheun polifonia, Aleksandri i Madh pati nënën dhe bashkë me qumështin e gjirit, thithi dhe avazet e perëndishme të polifonisë. Kur ka qenë shpesh nëpër dilemat perandorake gjer në Indi, avazi brohoritës që sot e interpreton Zeqo Kallarati, e ka shpëtuar nga marrëzia. Këmbët e malit janë këputur, por vargjet e zërave të këngës së përjetshme të iso-polifonisë vazhdojnë të bashkuar nëpër të gjithë gjenezën e kombit shqiptar. Hartat gjeopolitike as nuk i ka njohur e as i ka cenuar iso-polifonia.

Artet, 1.196 konkurrentët që do të hyjnë në konkurs

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj

Universiteti i Arteve publikon listën me emrat e 1.196 konkurrentëve të cilët dëshirojnë të vijojnë studimet në 27 programet e këtij universiteti për vitin akademik 2016-2017. Lista e konkurrentëve të cilët do të hyjnë në konkursin e pranimit u është dërguar ditën e hënë nga Agjencia Kombëtare e Provimeve në bazë të aplikimeve që maturantët kanë bërë nëpërmjet formularit të aplikimit. Sa u përket kuotave të pranimit për kandidatët brenda trojeve, në total janë 247 kuota. Gara më e fortë në këtë universitet do të jetë për programin e studimit Aktrim, pasi janë regjistruar 302 konkurrentë, por janë në dispozicion vetëm 14 kuota. Edhe dega Regji Filmi dhe Televizioni do të ketë garë të fortë, pasi nga 105 konkurrentë do fitojnë vetëm 16. Po ashtu, garë e fortë do të jetë dhe në Muzikologji, pasi nga 53 konkurrentë do fitojnë vetëm 3, si dhe në Pedagogji Muzikore, ku nga 75 konkurrentë do fitojnë vetëm 15.
Konkursi
Pesha e konkursit te Artet është kryesorja për të fituar një program studimi, pasi përbën 70% të pikëve, ndërsa 30% janë nga mesatarja e shkollës së mesme dhe provimet e maturës. Sipas udhëzimit të MAS-it, periudha gjatë së cilës do të zhvillohet konkursi i pranimit është 25-30 gushti 2016. Ende nuk është përcaktuar se sa do jetë tarifa e regjistrimit në konkurs, por vitet e mëparshme ka qenë 5 mijë lekë. Kandidatët që kanë emrat në listat e mëposhtme duhet të paraqiten në Universitetin e Arteve për të bërë regjistrimin për konkurs, ku duhet të dorëzojnë dy fotografi dhe dokumentin e identifikimit. Në programin e studimit Aktrim kandidatët duhet të interpretojnë përpara komisionit të pranimit materialet: Tregim, Poezi, Monolog(i zgjedhur nga vetë kandidati konkurrues), Monolog nga dramaturgjia klasike botërore si RaSin, Kornej, Molier, Shekspir etj. (i detyruar), një fabul ose anekdotë, bashkëbisedim mbi njohuritë e letërsisë dhe teatrit shqiptar dhe botëror, bashkëbisedim mbi njohuritë e kinematografisë shqiptare dhe botërore. Koha në dispozicion për paraqitjen e materialeve të kandidatit për student është 30 minuta. Koha e zgjatjes së konkurrimit në programin Aktrim është në varësi të numrit të kandidatëve pjesëmarrës. Në Fakultetin e Arteve të Bukura (FAB) konkursi do të mbështetet në tri rubrika kryesore, të cilat janë: Puna praktike në atelie (pikturë, skulpturë, vizatim), testimi teorik dhe prezantimi i dosjes personale (jo më pak se 20 punime).

FSHF hedh sot shortin për kalendarin

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

E pabesueshme por e
vërtetë! Më në fund Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të hedhë shortin e kampionatit 2016-2017 për të gjitha kategoritë. Si kurrë më parë, FSHF-ja e ka vonuar deri në ekstrem hedhjen e shortit, dhe shpjegimet nuk kanë ardhur kurrë nga institucioni që drejtohet nga Armando Duka. Me kampionatin që fillon më 7 shtator, ndërsa e gjithë Europa e ka nisur me të paktën një muaj sezonin e ri, skuadrat shqiptare ende nuk e dinë se me cilin kundërshtar do ta luajnë ndeshjen e parë. Problematika lidhet me licencimet, ndërsa shumë skuadra nuk kanë gjetur ende stadium, por edhe me borxhet e pafundme të Tiranës dhe Flamurtarit, me FSHF-në që ka kërcënuar më së shumti vlonjatët. Por një problem shumë i madh është edhe çështja delikate e Skënderbeut. Ndonëse FSHF-ja ka treguar në shumë raste se nuk është në unison me dënimin e UEFA-s, sidoqoftë një merak e ka, pasi korçarët ende nuk janë një dosje e mbyllur në selinë e Nionit.

Jahmir Hyka: Jam gati për Kombëtaren

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Është momenti i Jah
mir Hykës! Mesfush
ori që po shkëlqen që prej sezonit të shkuar me Lucernën në kampionatin helvet, ndërsa pasi u la jashtë Europianit të fundit dhe me largimet që pësoi Kombëtarja kuqezi ditët e fundit, trajneri Xhani de Biazi deklaroi publikisht se do të ftojë futbollistin kryeqytetas dhe Rei Manajn për fushatën e eliminatorëve të Botërorit “Rusi 2018”, që për Shqipërinë startojnë në 5 shtator kundër Maqedonisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Vetë Hyka është i lumtur për këtë rikthim, edhe pse konfirmon se ende nuk ka një ftesë zyrtare në drejtim të tij. “Normalisht jam ndier i lumtur për fjalët e trajnerit, sepse u bë një kohë e gjatë që po luaj rregullisht dhe kam bërë ndeshje të mira me klubin. Mund të them që e kam pritur një ftesë, megjithëse ka vonuar pak, por tani jam i lumtur për këtë gjë, megjithëse nuk mund të konfirmoj asgjë, pasi ende nuk ka ardhur një ftesë zyrtare, kështu që na duhet të presim pak”, – u shpreh Jahmir Hyka për “Supersport”.
U bënë më shumë se dy vjet që mesfushorit i mungon Kombëtarja, për të është pa dyshim një fitore e madhe, edhe pse ka preferuar të mos krijojë polemika, por të ulë kokën dhe të punojë duke besuar te ky rikthim. “Asnjëherë nuk i kam humbur shpresat për rikthimin në Kombëtare, dhe këtë e kam treguar edhe në kampionatin e kaluar dhe tani me Lucernën, duke ulur kokën dhe punuar, duke pritur shansin që shpresoj të vijë në këtë moment. Normalisht që nuk mund të them që unë i vetëm mund të bëj ndryshimin e madh në Kombëtare, por besoj se çdo lojtar është i rëndësishëm dhe besoj se me cilësitë e mia mund ta ndihmoj skuadrën”.
37 aktivizime si dhe dy gola të shënuar me fanellën kuqezi nga 2007-ta deri në 2014-ën, mund të thuhet me plot gojën se Hyka është gati të rikthehet për të dhënë maksimumin. “Kjo nuk diskutohet, sepse si çdo lojtar edhe unë kam një ndjesi të veçantë kur luaj me Kombëtaren, dhe nëse me jepet mundësia të luaj nuk e diskutoj që jo 100%, por 120% do të jap për Kombëtaren”.
Për Hykën ndërkohë janë ditë të nxehta merkatoje; Kaiserispor në Turqi e kërkon dhe duket se dhe vetë mesfushori e shikon me sy të mirë një transferim të tillë. “Po, ka pasur interesime të shumta nga Turqia, dhe këtë e bën më interesante pa dyshim edhe ana ekonomike që të bën të mendosh, por kjo nuk varet nga mua sepse unë kam kontratë me Lucernën dhe janë ata që vendosin, dhe për momentin çdo gjë ka mbetur pezull dhe nuk ka zhvillime të reja”, – përfundoi Jahmir Hyka.

Varrimi i 29-vjeçares, banorët e fshatit Kryekuq ‘braktisin’ ceremoninë mortore

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

DIVJAKE – Vrasja makabre e 29-vjeçares Jonida Çanaku ka shokuar familjarët e saj në fshatin Kryekuq të Divjakës. Pas lajmit të kobshëm, familja ka hapur dyert e mortit, ndërsa ditën e djeshme i ka dhënë lamtumirën e fundit vajzës së vogël të shtëpisë. Ka qenë e vështirë për familjarët të pranojnë lidhjen e vajzës me 65-vjeçarin Sokrat Shano, i cili tri ditë më parë ia mori jetën në mënyrë makabre. Të afërm të 29-vjeçares dje pohuan për “Top Channel” se familja ishte përpjekur vazhdimisht ta shkatërronte atë lidhje, por e ndjera nuk ka pranuar. Historia e nisur 3 vjet e gjysmë më parë, e ka detyruar të renë të ndërpresë edhe fejesën me një tjetër djalë. Këtë herë, Jonida kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me Sokrat Shanon, por ky i fundit nuk e ka pranuar ndarjen. Jashtë kamerës, banorë të fshatit Kryekuq të Divjakës, ku banonte vajza më e vogël e familjes Çanaku, thanë se nuk mund të merrnin pjesë në ceremoninë mortore. Vetëm 25 vetë e përcollën atë në banesën e fundit. Ndërkohë, krejt e kundërta ndodhi në fshatin përballë, Krutje të Sipërme, rreth 20 minuta larg, ku dyert e mortit janë hapur prej të hënës. Bashkëshortja e biznesmenit, Margarita dhe dy fëmijët e tyre, presin e përcjellin njerëzit. Sokrat Shano u përcoll për në banesën e fundit nga dhjetëra miq e të afërm dhe banorë të fshatit, të cilët pavarësisht historisë, thanë se ai ishte njeri i ndershëm dhe bamirës. Banorët pohuan për “NeWs24” se biznesmeni ishte njeri shu-më zemërmirë dhe se i ndihmonte të gjithë ata që kishin nevojë. “Sokratin e njihja që fëmijë. Ai ishte dashamirës me njerëzit. Ka dhënë shumë kontribut për zonën tonë. Me biznesin e tij, ka ndihmuar shumë fermerë në zonë”, tha njëri prej banorëve të zonës. Ndërsa një tjetër banor u shpreh se “Sokrati ishte zemërmadh dhe ka ndihmuar shumë fermerë, duke iu falur dhe para. Kjo që ka ndodhur duket e pabesueshme. Nuk kemi se çfarë të themi më shumë”.

Sejmen Gjokoli: Iso-polifonia është shqiptare

Posted: 17 Aug 2016 06:00 AM PDT

Nga: Fatmira Nikolli

Duke lexuar intervistën e
dhënë një ditë më parë në
gazetën tuaj, pashë goxha përdredhje, ndërkohë që tani po del se edhe herë të tjera ky zotëri shfrytëzon mediume të qarqeve vorioepiriotase për të treguar ëndrrat e radhës. Sidomos kur trajtesa apo deklarata të tilla vijnë të diskutuara nga lobe me afishim dukshëm si pretendues territoresh”. Kështu shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, specialisti i trashëgimisë kulturore shpirtërore, Sejmen Gjokoli, njëherësh drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona”, drejtor i Folk Grup “Bilbili” dhe drejtor i “Aulona Inter Folk Festival”. Njohës i mirë i këngës polifonike, Gjokoli, thekson se deklaratat e Barkës se polifonia nuk është shqiptare por epirote, nuk e rrezikojnë mbrojtjen nga UNESCO. “Kjo, pasi shteti shqiptar ia ka dalë që të argumentojë përmes dokumenteve shkencore të dosjes së aplikimit në UNESCO qysh në vitin 2004, ekzistencën dhe vazhdimësinë e kësaj trashëgimie unikale mijëravjeçare në trojet tona. Falë vendimit të UNESCO-s, sot e gjithë bota e njeh iso-polifoninë popullore shqiptare”, shton Gjokoli. Më poshtë intervista dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”.
– Si i keni lexuar deklaratat e z.Panajot Barka për polifoninë?
Si ajo fabula e dhelprës që nuk kapte dot rrushtë dhe për këtë arsye (që e dinte vetëm ajo), u tha të tjerëve se janë të papjekur.
Tamam si një rrufe në qiell të pastër. Ndonëse duke lexuar intervistën e dhënë një ditë më parë në gazetën tuaj pashë goxha përdredhje, ndërkohë që tani po del se edhe herë të tjera ky zotëri shfrytëzon mediume të qarqeve vorioepiriotase për të treguar ëndrrat e radhës.
Sidomos kur trajtesa apo deklarata të tilla vijnë të diskutuara nga lobe me afishim dukshëm si pretendues territoresh.
Afishimi në këtë krah i një mësimdhënësi në një nga institucionet e rëndësishme të arsimit shqiptar dhe që paguhet po nga shteti shqiptar, patjetër që të lë shije të hidhur. Ca më tepër që fqinjëve tanë, ndonëse në qarqe jozyrtare, asnjëherë dhe për asnjë kohë nuk u kanë munguar provokatorët dhe nxitësit e urrejtjes. Po nëse vërtet zoti Barka është i investuar për ta vlerësuar apo certifikuar mënyrën e të kënduarit të asaj ane edhe si avokat i tyre, le të përgatisë dosjen e të paraqitet në UNESCO, pa u përpjekur të hedhë baltë e të krijojë insinuata për kryeveprën tonë.
– Cila është diferenca mes iso-polifonisë dhe polifonisë?
Dihet nga të gjithë se me termin ‘Polifoni’ nënkuptojmë shumë zëra. Është një nga emërtimet e deritanishme për këndimin popullor në grup, e cila më së shumti ndodh në Shqipërinë e Jugut. Në dijeninë time, madje nisur nga argumente që kanë shoqëruar dosjen përkatëse gjatë diskutimit në UNESCO, ‘Polifoni’ me ‘Iso’ ose Iso-Polifoni shpreh më mirë specifikën shqiptare të këndimit të shumëzërëshit popullor, pra marrëdhënien mes zërave solistikë polifonikë (marrës, kthyes, hedhës, iso në grup).
Për këtë natyrë marrëdhëniesh, Ismail Kadare shkruan se: “….në këngën polifonike popullore shkrirja, komunikimi, derdhja e individit në kolektive dhe anasjelltas, vërshimi i kolektivit tek individi, arrijnë pikën më të lartë”.
Megjithatë, personalisht kam menduar se emërtimi “Iso-Polifoni”, që është certifikuar nga UNESCO duke e listuar si kryevepër të trashëgimisë shpirtërore të Njerëzimit nuk luan asnjë grimë nga kënga jonë vënçe, e cila kështu është kënduar edhe pa ekzistuar fare UNESCO apo institucione të ndryshme kulturore. Sidomos kur dimë se këtë vlerësim e ka marrë jo vetëm kënga popullore e kënduar në Labëri, por edhe zona të tjera përreth e përtej saj.
– A është ajo këngë shqiptare, apo e rajonit të Epirit?
Mendoj se institucionet tona të shtetit, në radhë të parë ato shkencore e kulturore e kanë argumentuar dhe promovuar ekzistencën e kësaj vlere tek ne. Kush tjetër që mendon se e ka këtë vlerë, thjesht duhet ta provojë atë aty ku duhet. Nuk kemi asnjë xhelozi apo pakënaqësi për këtë. Në fund të fundit popujt në gjitoni kanë dhënë e kanë marrë nga njëri-tjetri, veç gjithmonë duke ruajtur identitetin e secilit.
Pa asnjë diskutim kënga polifonike shqiptare është krejt e veçantë dhe si asnjë mënyrë tjetër të kënduari në grup, e shumë zëra.
Ajo nuk ngjason as me këngën polifonike të Korsikës, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë etj., të cilat kanë aplikuar me dosjet e tyre në UNESCO, siç dallon shumë edhe nga ato zona ku pretendon e përgjërohet zoti Barka.
– A rrezikojnë këto deklarata mbrojtjen e saj nga UNESCO?
Këto deklarata nuk e rrezikojnë mbrojtjen nga UNESCO, kjo pasi shteti shqiptar ia ka dalë që të argumentojë përmes dokumenteve shkencore të dosjes së aplikimit në UNESCO qysh në vitin 2004, ekzistencën dhe vazhdimësinë e kësaj trashëgimie unikale mijëravjeçare në trojet tona. Falë vendimit të UNESCO-s, sot e gjithë bota e njeh iso-polifoninë popullore shqiptare.
Ky debat i hapur tregon edhe një herë të mirën e madhe që i kanë bërë kombit ata që punuan e kontribuuan për përgatitjen e dokumentacionit dhe argumenteve që këngën tonë juglindore e përzgjodhën si kryevepër shpirtërore botërore. UNESCO është një nga institucionet prestigjioze dhe me integritet të kulturës botërore dhe di t’i dallojë mirë xhelozitë dhe pretendimet, sidomos kur këto pretendime kanë qasje e fryjnë me erëra shovene.
– Çfarë sipas jush e bën këtë këngë të jetë shqiptare, me ç’argumente është mbrojtur?
Është një pyetje për të cilën mund të flasësh shumë. Me shembuj dhe argumente që shtrihen nëpër shekuj dhe më duket kuturisje e madhe të vihet në diskutim nëse është apo jo këngë shqiptare.
Ne i kemi edhe sot të gjallë bardet e këngës, ata që nga brezat na përcjellin këngët e gjyshërve e të stërgjyshërve, rrënjëve tona.
Por le të themi se baza është formula e këndimit iso-polifonik, pra individë dhe kor i isos si dhe gjuha shqipe. Kjo traditë është parafetare dhe për këtë arsye, ajo buron nga vetë rrënjët e origjinës sonë.

Related Posts :