Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Kapet me 11 kg kanabis, arrestohet” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Kapet me 11 kg kanabis, arrestohet” plus 9 more - Gazeta Dita


Kapet me 11 kg kanabis, arrestohet

Posted: 15 Aug 2016 02:04 AM PDT

Një sasi prej 11.4 kg kanabis është sekuestruar nga policia e Vlorës. Në pranga ka përfunduar shtetasi Mario Jaupi, 28 vjeç, banues në Vlorë.

Policia lokale sqaron se ai është arrestuar në banesën e tij në lagjen "4 Heronjtë", pasi gjatë kontrollit i është gjetur lënda narkotike.

"Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, është gjetur e fshehur një sasi me lëndë narkotike prej 11 kg (kilogram) e 400 gr (gram) të llojit kanabis sativa, e cila rezulton nën posedimin e Mario Jaupi-t. Lënda narkotike në formë boçesh, ishte fshehur në thasë me thurje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Bëjmë me dije se, nga hetimet e kryera ka rezultuar se Jaupaj ka qenë proceduar më parë për të njëjtën vepër penale", sqaron policia në komunikatë.

20160815_09471320160815_094912

Shqiptarët mafia e 5-të në Itali

Posted: 15 Aug 2016 01:51 AM PDT

Kreu i Prokurorisë së qytetit të Pesaros në Itali, Manfredi Palumbo, gjatë një deklaratë për median "Corriere Adriatico", është shprehur se "klani i shqiptarëve në Itali është Mafia e 5 që vepron në vendin tonë. E nuk e them sot për herë të parë".

Deklarata e tij vjen pak orë pas sekuestrimit të 1820 kg marijuanë e arrestimit të 5 shtetasve shqiptarë që trafikonin lëndën narkotike me gomone nga Shqipëria drejt brigjeve italiane, raporton oranews

"Ishte viti 1998, shprehet Prokurori i Pesaros, Manfredi Palumbo. që para 18 vitesh që kam dhënë nga të parët alarmin mbi rrezikun që vinte përtej Adriatikut.

Ishte epoka e zbarkimeve të para në brigjet italiane dhe e kriminalitetit për të fituar me anë të ligjit të terrorit, territore zotërimi për t'i shfrytëzuar për prostitucion e trafik droge.

Maxi operacioni i orëve të fundit për sekeustrimin e një sasie rekord droge shënon një pikë forcë për Prokurorinë e Policinë Italiane."

Prokurori i Pesaros e identifikon aktivitetin kriminal të organizata shqiptare në Itali si Mafia e 5, pasi në këtë vend ekzistojnë 4 mafie të njohura historikisht:

– Kamorra mafia napoletane

– Cosa Nostra, mafia siciliane

– Ndragheta, mafia calabraze

– Sacra Corona Unita, mafia pulieze.

Sëmundja e gjedhit, Panariti jep urdhër për çeljen e thertoreve

Posted: 15 Aug 2016 01:49 AM PDT

Pas urdhrave të përsëritur për ndalimin e lëvizjes së bagëtive nga fermat drejt theroreve Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti  ka urdhëruar fillimin e lëvizjes së kontrolluar të bagëtive të imta nga fermat drejt thertoreve.

Panariti ka vendosur të lehtësojë masat bllokuese pas përmirësimit te treguesve epidemioligjikë të sëmundjes dermatoza nodulare dhe konsolidimit të imunitetit vaksinal.

Sipas vendimit të ministrit Panariti, lejohet lëvizja e dhenve dhe dhive drejt thertoreve.

Letërkëmbim mes Sulltan Mehmetit dhe Gjergj Kastriotit

Posted: 15 Aug 2016 01:38 AM PDT

Aurenc Bebja, Francë – 14 Gusht 2016

Në librin e autorit francez, Camille Paganel, me titullin « Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle », të vitit 1855, gjejmë një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit dhe heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.

Sulltani, në pamundësi të mposhtë « vëllain » e tij, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në këmbim të paqes.

Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajo, duke mos dyshuar aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke e trajtuar atë si princ dhe jo si sulltan dhe emir.

Letrat, të përkthyera më poshtë në gjuhën shqipe, gjenden në faqet 302 – 305 të librit, i shkruajtur në gjuhën frënge.

Letra e Sulltan Mehmetit, 6 maj 1461 :

« Unë, Sovrani i madh, Emiri i madh, Sulltan Mehmet Beu, i biri i Sovranit dhe Emirit të madh, Sulltan Murat Beu-t, për Skënderbeun, princin e Shqiptarëve dhe të Epiriotëve, përshëndetje.

I shtrenjtë Skënderbe, nuk njoh miqësi më të përzemërt se sa ajo e intimitetit (familjaritetit) të gjatë ; sidomos kur ajo lind që në rini, si në rastin tonë, atëherë kur ti mbaheshe peng tek babai im, dhe kur të dy jetonim bashkë vëllazërisht.

Kështu, kur mendoj për gëzimet e ëmbla të fëmijërisë sonë, kur kujtoj shkelqësinë e shërbimeve tuaja, gjithçka që ti ke bërë për lavdinë e Pallatit Osman, për madhështinë e Perandorisë sonë, të të pres dhe të dëshmoj këtë mirënjohje më duket një detyrë e domosdoshme.

Asgjë nuk mund të më sjellë më shumë kënaqësi, marr Zotin për dëshmitar, se sa të ritakoj më në fund, për të kaluar ca kohë në praninë tënde.

Nëse disa prej trupave të mia i kanë lejuar vetes të pushtojnë tokat tuaja duke shkaktuar përleshje, i abdikoj ato ; ato kanë vepruar pa urdhërin tim, dhe fitoret tuaja, ndëshkim i drejtë ndaj guximit të tyre, nuk më kanë inatosur.

Le ti harrojmë këto dhe të kthehemi në marrëdhëniet tona të vjetra, ku një bashkim i shenjtë dhe paqësor na pajton përgjithmonë.

Pra, ja se cilat mund të jenë bazat e aleancës sonë, po ti paraqes, duke e ditur fare mirë se nuk i përket aspak atij që kërkon paqen të vendosë kushtet.

Së pari, unë kërkoj lejekalim në tokat tuaja për trupat e mia, që të shkojnë për të luftuar venedikasit ; së dyti, që ti të më japësh si peng, Gjonin, djalin tënd, i cili do të trajtohet si djali im ; së treti dhe së fundmi, që popujt tanë të tregtojnë lirisht mes tyre.

Në qoftë se ti pranon, eja të më takosh në sigurinë më të plotë : pritja do të jetë dinjitoze e rangut tuaj. Po, mbi besën dhe fjalën e sovranit, do të mbaj besnikërisht me ty një paqe të pacënueshme ; tashmë vendi yt nuk do të shqetësohet as nga armët e mia as nga dikush tjetër.

Për më shumë, në qoftë se ke pyetje apo dyshime për të sqaruar, mund ti drejtohesh me besimin më të plotë, Mustafait, të dërguarit tim.

Letër e shkruar në qytetin tonë perandorak të Konstandinopojës, më 6 maj të vitit 1461, vit sipas lindjes së Jezu Krishtit. »

Letra e Gjergj Kastriotit, 1 Qershor 1461 :

« Gjerjg Kastrioti, i thirrur Skënderbe, princ i Epiriotëve dhe i Shqiptarëve, ushtar i Jezu Krishtit, për Mehmetin, sovranin e Turqve, përshëndetje.

Princ i dalluar, ne e kemi marrë letrën ku dallohen përshtypjet e miqësisë tënde. Të ndarë prej shumë kohësh nga njëri – tjetri, kjo miqësi reciproke, e thënë nga ti, ishte si e përgjumur, dhe ti dëshiron ta zgjosh atë nëpërmjet një aleance intime (të ngushtë).

E pranoj propozimin tënd me kënaqësi, por jo të gjitha kushtet.
Kështu, aleat dhe mik i venedikasve, nuk mundem, pa shkelur mbi betimin dhe dinjitetin tim, të të jap lejekalim për t'i sulmuar.

Përsa i përket dhënies peng të djalit tim, për ta pasur atë si nyje të një lidhje të re mes nesh, zemra e një babai dhe një nëne nuk mund të përballojë një sakrificë të tillë. Është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhuruar, dhe është akoma i mitur ! Përveç kësaj, do t'i shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk rritet me zakonet dhe fenë e vendit të tij.

Tani, mbetet çështja në lidhje me tregtinë e lirë mes dy vendeve ; këtë, i gjithë Këshilli im dhe unë, ne e mbështesim plotësisht, sepse të dy kombet gjejnë një përfitim të barabartë.

Ti më fton për vizitë, me besimin më të plotë, për të përforcuar mes palëve një miqësi prej kohësh në vuajtje : falenderime princ i shkëlqyer për mirësinë tënde. Fatkeqësisht për mua, ky udhëtim në Konstandinopojë, i cili më sjell ndër mend shumë kujtime, nuk është i mundur nga që përkujdesem për qeverinë time ; sepse po të vij, nuk mund të drejtoj si duhet këtë komb krenar shqiptar po aq të zjarrtë dhe të pathyeshëm, sa dhe të padurueshëm për pushim (paqe).

Por këtë vizitë e shtyjmë për një herë tjetër, do të mundohem kur të jetë e mundur.
Nga ana jonë, 1 qershor 1461. »

 

 

skan

 

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania – http://www.darsiani.com/opinion/leterkembim-i-vitit-1461-mes-sulltan-mehmetit-dhe-gjergj-kastriotit/

 

Deklarata e avokates: Pëllumb Marnikollajt kishte mundësi të shpëtonte

Posted: 15 Aug 2016 01:33 AM PDT

Avokatja e Pëllum Marnikollajt, që vdiq në Greqi brenda rajonit të policisë, ka dhënë deklaratën shokuese se ai kishte mundësi të shpëtonte nëse do t'i ishte dhënë ndihma e parë.

"Policia më tha se dyshohej për një tjetër vepër penale dhe do të arrestohej. Marnikollaj u hodh nga kati i tretë për shkak të arrestimit.

Atij nuk ia dha ndihma e parë. Nëse do t'i ishte dhënë, kishte mundësi të mbijetonte. Pas kësaj, humbën kontaktet me njerëzit e tij.

Në Polici më thanë se ai humbi jetën. Në morg, kurrë nuk kam parë një pamje më trishtuese," përfundoi avokatja.

“Mirë e the shoku Mehmet”! Grusht hundëve e plumb ballit

Posted: 15 Aug 2016 01:28 AM PDT

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin "Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX", botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë

Cila ishte parulla e Mehmet Shehut në kongres, që u përhap me shpejtësi nga i gjithë shtypi botëror? Cila ishte atmosfera në prag të prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin "Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX", botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës.

Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

"Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqindvjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe", kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare.

Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

 

***

Më 13 shkurt të vitit 1961, u hap kongresi i IV i PPSH-së. Analiza e rezultateve të ndërtimit socialist në vitet e pesëvjeçarit të dytë u bë brenda kornizave të zakonshme të tubimeve partiako-ekonomike: arritje, disa mosarritje, detyrat për të ardhmen. Raporti i gjatë politik i E.Hoxhës u ndërpre nga duartrokitje të stuhishme dhe brohoritje, deri në ngjirjen e zërit: "Enver-Parti", dhe "Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!". Këto thirrje në gjuhën shqipe rimojnë mirë.

Një nga miqtë e huaj, të ftuar në Kongres, u ngatërrua në numërimin e çasteve, kur delegatët kërcenin nga vendet dhe shpërthenin në thirrje të fuqishme. Në fjalimin e Hoxhës nuk ndihej as aludimi më i zbehtë për akuzat, që ai ngriti kundër PKBS-së në mbledhjen e Moskës.

Përkundrazi, ai theksoi gjithanshmërinë e përvojës së BRSS-së, ngriti lart ndihmën e madhe internacionaliste, që BRSS-ja i kishte dhënë dhe i jepte Shqipërisë. Betimet për besnikërinë ndaj parimeve të miqësisë me popullin sovjetik përshkuan, në kuptimin e plotë të fjalës, diskutimet e delegatëve të kongresit dhe u pasqyruan në rezolutat e tij.

Kryetari i Këshillit të Ministrave, M.Shehu, i cili mbajti raportin mbi direktivat e planit të tretë pesëvjeçar, porositi delegatët e bazës të luftonin për realizimin e planeve ekonomike, për të çrrënjosur nga ndërgjegjja mbeturinat e dëmshme të së kaluarës dhe kjo u theksua në mënyrë të veçantë, për të forcuar vigjilencën revolucionare.

Kësaj të fundit, që lidhej ngushtë me demaskimin e "revizionizmit modern" (d.m.th. sovjetik), iu dha rëndësi e madhe. Pjesa përmbyllëse e raportit të Shehut dukej sikur u përgjigjej kritikave, që u bënë në mbledhjen e Moskës në adresë të PPSH-së.

Në mënyrë të papërcaktuar, ai hodhi poshtë akuzat për nacionalizëm, dogmatizëm dhe mosnjohje të teorisë, me pohimin bosh, por të prerë: "Ne na akuzojnë, sepse jemi të panjollosur dhe marksistë të vendosur deri në fund".

Pas thirrjeve, që u dëgjuan në sallë ("Mirë e the shoku Mehmet"!), oratori theksoi se uniteti i radhëve të saj e kishte ndihmuar përherë PPSH-në t'u qëndronte presioneve të armiqve dhe përfundoi frazën, e cila u përhap nga i tërë shtypi botëror: "Kush prek këtë unitet, do të marrë vetëm një përgjigje nga partia dhe populli ynë-pështymën surratit, grushtin hundëve e po të jetë nevoja dhe plumbin ballit! Ne nuk dimë t'i përgjigjemi ndryshe atyre, që duan të varrosin unitetin tonë".

Në fund të prillit të vitit 1961, u mbajt kongresi i V-të i bashkimeve profesionale të Shqipërisë. Në përshëndetjen e KQ të PPSH-së drejtuar kongresit thuhej se, politika e jashtme e Shqipërisë synon në radhë të parë miqësinë dhe bashkëpunimin me Bashkimin Sovjetik dhe "nuk ka forcë apo intrigë, që mund të ndajë popullin tonë nga popujt e Bashkimit Sovjetik".

Këto fjalë, të vendosura në kolonën e parë të gazetës "Zëri i Popullit" të 25 prillit, kishin përbri me germa të theksuara njoftimin se në Pekin qenë nënshkruar tre dokumente për marrëdhënie ekonomike midis RPK-së dhe RPSH-së: protokolli për dhënien nga Kina të pajisjeve të plota dhe ndihmë teknike për ndërtimin e 25 ndërmarrjeve industriale në Shqipëri; protokolli për kushtet e këmbimit të specialistëve; protokolli për përdorimin e kredisë kineze, sipas marrëveshjes të arritur që më 2 shkurt të vitit 1961.

Përmasat e ndihmës dukeshin mjaft mbresëlënëse: 112 milionë e 500 mijë rubla valutë. Në komunikatën zyrtare nënvizohej mirënjohja e popullit shqiptar për "gatishmërinë jashtëzakonisht të shpejtë për të dhënë ndihmë internacionale", ndërsa pala kineze shprehte kënaqësinë, "për mbështetjen e përhershme vëllazërore që kishte patur populli kinez nga KQ i PPSH-së, qeveria e RPSH-së dhe populli shqiptar".

Gjithçka qe vënë në vendin e vet. Propaganda e brendshme lëshoi parullën e re: "Një ditë po të mos hajë Kina e madhe, do të hajë Shqipëria një vit". Flitej për perspektivat e shkëlqyera të industrializimit të vendit, sepse ndihma e njëhershme kineze ishte më e madhe se të gjitha kreditë e mëparshme sovjetike. Në qarkullim ishte hedhur gjithçka, që nga pickimet e pandjeshme deri te goditjet e mëdha politike.

U helmua në ndërgjegjen e popullit kujtimi për marrëdhëniet e dikurshme miqësore shqiptaro-sovjetike. Specialistët sovjetikë punonin akoma në Shqipëri, por ata qenë vënë në kushte të tilla izolimi moral e vëzhgimi policor, sa u bë e pakuptimtë, nga pikëpamja praktike dhe fyese për dinjitetin njerëzor, qëndrimi i tyre i mëtejshëm.

Në një sërë ndërmarrjesh, me nismën e drejtuesve të tyre, u fshinë nga makineritë e pajisjet sovjetike stampat e uzinave prodhuese (p.sh., në uzinën e përpunimit të naftës në Cërrik).

Në gjysmën e parë të vitit 1961, në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit si dhe në disa nëndetëse, në të cilat për qëllim mësimor shërbenin ekuipazhe të përziera sovjeto-shqiptare, u krijua një gjendje e tensionuar.

Detarët sovjetikë qenë të detyruar të shërbenin në një atmosferë dyshimi, pretekstesh të vogla e kontrollesh të përhershme. KQ i PKBS-së u dërgoi atyre një letër të posaçme, me anën e së cilës i porosiste të përmbanin shpërthimet e mundshme emocionale dhe u bënte thirrje ta kalonin në qetësi vitin e shërbimit./MAPO

HEC-t private kërcënojnë qeverinë: Nuk nënshkruajmë asnjë kontratë

Posted: 15 Aug 2016 01:14 AM PDT

Një vendim i qeverisë që parashikon që kontratat për blerjen e energjisë elektrike të hidrocentraleve private të kalojnë nga KESH tek OSHE-ja kundërshtohet nga subjektet private që prodhojnë energji.

Me anë të një reagimi, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinoveshme (AREA) thotë se vendimi shkel të drejtat ligjore të mëhershme të subjekteve private.

"Prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese me KESH sh.a me anë të një VKM dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë", thuhet në reagim.

Ministria e Energjisë ka deklaruar se kalimi i këtyre detyrimeve për blerjen e energjisë nuk cenon të drejtat e fituara, por AREA-ja thotë se kjo deklaratë është e pavërtetë dhe fsheh qëllimin e vërtetë të vendimit.

"Por thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme, është roli që Qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet", thuhet në reagim.

Sipas reagimit, presioni i qeverisë për të firmosur nxitimthi kontratat e reja pas prishjes së njëanshme të kontratave të vjetra ka frikësuar investitorët e huaj dhe vendas.

AREA kujton se në vitin 2015, qeveria mori një vendim prapaveprues që ulte çmimin e blerjes së energjisë për vitet 2013-2014 dhe çmimi vendosej duke iu referuar çmimit të Bursës së Hungarisë që sipas shoqatës nuk merret parasysh as nga vetë qeveria hungareze. Pavarësisht se çmimi i ulët për HEC-t, kjo nuk u reflektua tek konsumatorët, thuhet në reagim.

Përballë kësaj situate, AREA thotë se nuk do të pranojë të firmosë asnjë kontratë me qeverinë, pasi shkelin hapur të drejtat e investitorëve.

"Nuk do të pranojë e siguron Qeverinë shqiptare se nuk do të pranojë të firmosë asnjë kontratë në të bardhë, e cila pasi këto kontrata shkelin hapur shkel të drejtat e fituara më parë nga investitorët e huaj dhe shqiptarë, që në këtë sektor, vetëm anëtarët e saj kanë kryer mbi 350 milionë euro investime", thuhet më tej./ORANEWS

I sëmuri mendor mbante peng 13-vjeçaren, lirohet nga policia

Posted: 15 Aug 2016 01:02 AM PDT

Një 13 vjeçare është liruar nga policia e Durrësit, pasi mbahej peng nga një 56 vjeçar.

Burri e mbante peng të miturën në banesën e tij, ndërsa më pas është vetëdorëzuar.

Sipas informacioneve paraprake, burri dyshohet se ka probleme mendore.

Ende nuk ka informacione të detajuara rreth ngjarjes.

Atentati në Shkodër, 3 të dyshuarit kapen pasi bënë aksident

Posted: 15 Aug 2016 12:54 AM PDT

Tre persona janë vënë në pranga në Shkodër të dyshuar si autorët e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmë në Shkodër, ku mbeti i plagosur Dorian Shtjefni. Tre personat, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, janë përfshirë mbrëmë në një aksident duke u ndaluar nga policia.

Kjo e fundit ka bërë të ditur se, personat e ndaluar janë ata të cilët dyshohet se qëlluan me armë ndaj Shtjefnit mbrëmjen e djeshme, për arsye gjakmarrje.

Përplasen 3 automjete, 3 të plagosur

Posted: 15 Aug 2016 12:52 AM PDT

Një aksident automobilistik ku janë përfshirë tre automjete ka ndodhur mëngjesin e sotëm.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Peqin – Elbasan , në vendin e quajtur  "Kryqëzimi i Gjocajve". Nga ky aksident raportohen 3 të plagosur.

Të njëjtat burime pohojnë se në pranga ka rënë Ali Hidri 59 – vjeç banues në  fshatin Hasmashaj.

Ky i fundit, u arrestua nga efektivat e policisë, pasi duke drejtuar mjetin tip "Ford" veturë  me targa DN 958 ZA është pëplasur me mjetin  tip  "Ford" veturë  me targa ED 537 ËK, drejtuar nga  R.B, 31 vjeç, banues në fshatin Pajovë dhe mjetin tip "Audi" veturë, me targa AA 356 JY, drejtuar nga shtetasi T.SH 39 vjeç, banues në Peqin.

Si pasojë e këtij aksidenti janë plagosur:

A.SH, 28 vjeçe, banuese në fshatin Hasmashaj Peqin.

M.K,  56 vjeçe, banuese në fshatin Hasmashaj Peqin, të dyja shtetaset ishin pasagjere në mjetin tip "Ford" me targa DN 958 ZA

P.D, 48 vjeçe, banuese në fshatin Përparim, e cila ishte pasagjere në mjetin tip "Audi" veturë, me targa  AA 356 JY.

Të plagosurat u dërguan në  Spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al

Related Posts :