Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Krerët e ‘Vetëvendosjes’ marrin nënshtetësi shqiptare” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Krerët e ‘Vetëvendosjes’ marrin nënshtetësi shqiptare” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Krerët e ‘Vetëvendosjes’ marrin nënshtetësi shqiptare

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Krerët e lëvizjes
‘Vetëvendosje’ janë
pajisur me pasaportën e Shqipërisë. Zyrtarët e ‘Vetëvendosjes’ që kanë përfituar nënshtetësinë e shtetit shqiptar me procedurë të shpejtë janë kryetari i lëvizjes, Visar Ymeri, deputetët Albin Kurti, Glauk Konjofca, Aida Dërguti, sekretari organizativ Dardan Molliqaj dhe anëtari i kryesisë, Liburn Aliu. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i ‘Vetëvendosjes’, Frashër Krasniqi, i cili ka shtuar se krerët e VV-së nënshtetësinë e kanë marrë me dekret nga presidenti Bujar Nishani. Mediat kosovare kanë shkruar se shteti shqiptar ata i ka pajisur me pasaporta si përgjigje për deportimet e aktivistëve të kësaj lëvizjeje nga Kosova në Shqipëri. “Para pak muajsh, autoritetet e Kosovës kishte larguar nga Kosova dy aktivistë të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, sepse kishin shtetësi shqiptare. Boiken Abazi u deportua dhe iu ndalua hyrja në Kosovë për 2 vitet e ardhshme, ndërsa Arbër Zaimit iu caktua një masë më e lehtë, duke mos iu lejuar hyrja në Kosovë për dy muaj”, shkruan “Periskopi”, duke vazhduar tutje se ky portal nga burime brenda lëvizjes ‘Vetëvendosje’ mëson se këtyre masave të autoriteteve kosovare, Shqipëria i është përgjigjur duke u dhënë nënshtetësinë shqiptare krerëve të ‘Vetëvendosjes’. “Zyrtarët e ‘Vetëvendosjes’ që kanë përfituar nënshtetësinë e shtetit shqiptar me procedurë të shpejtë janë kryetari i saj, Visar Ymeri, deputetët Albin Kurti, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, sekretari organizativ i Lëvizjes, Dardan Molliqaj dhe anëtari i kryesisë, Liburn Aliu. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që t’i ndalonte hyrjen në Kosovë pa kufizim kohor, artistit Bashkim Rodoni, vetëm për shkak të pjesëmarrjes në protestat e ‘Vetëvendosjes’. Jo shumë kohë më parë, e njëjta masë iu shqiptua edhe Dejona Mihajlit, po ashtu aktiviste e lëvizjes ‘Vetëvendosje'”, shkruan portali. Deri sot nuk kemi pasur ndonjë reagim nga shteti shqiptar për këto veprime të Qeverisë së Kosovës, por ditët e fundit, sipas këtij burimi, Shqipëria ka bërë një akt simbolik që mund të merret si përgjigje ndaj Qeverisë së Kosovës.

Identifikohet shënjestra e sulmit te “Rruga Kavajës”

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Xhensila Kodra

Policia e Tiranës ka
identifikuar dhe ka
shpallur në kërkim personin që u shpëtoi mrekullisht të shtënave, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë më parë tek “Rruga e Kavajës”, në Tiranë. Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se personi i cili mbeti i lënduar lehtë është 34-vjeçari nga Tirana, Nelgert Astrit Pata, person me precedentë të mëparshëm penalë. Identifikimi i tij u bë në bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë të një biznesi në vendin ku ndodhi ngjarja, si dhe të disa bizneseve të tjera përreth. Dy ditë më parë, policia tha zyrtarisht se ndaj të riu, një person qëlloi me armë zjarri pistoletë, ku Pata mundi të shpëtonte mrekullisht. Plumbi la një vrimë në xhamin e biznesit, ndërsa burime të uniformave blu sqaruan se 34-vjeçari ka marrë vetëm një plagë të lehtë në trup nga ciflat e xhamit, për shkak se në vendin e ngjarjes u gjetën edhe disa njolla gjaku. Në momentin që ndodhi ngjarja, policia raportoi se kanë qenë tre persona, të cilët fillimisht kanë qenë duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, ndërsa më pas njëri prej tyre qëlloi me pistoletë ndaj 34-vjeçarit. Menjëherë pas kësaj, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Pata nuk është paraqitur në asnjë spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjithashtu, uniformat blu të kryeqytetit janë duke punuar për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të tjerë, të cilët u përfshinë në këtë konflikt. “Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës ka referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e po punohet për kapjen e shtetasit N.P., 34 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet të ketë marrë një gërvishtje të lehtë, por nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. 34-vjeçari akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Ndërkaq, vetëm pak minuta pas ngjarjes, policia tha se kishte shoqëruar dy shtetas kosovarë si persona të dyshuar. Ata ishin Flamur Hoti dhe Anton Azizi, përkatësisht 26 dhe 31 vjeç. Burimet e sipërpërmendura sqaruan se nga hetimet rezultoi se asnjëri prej tyre nuk kishte lidhje me ngjarjen, ndërsa Hoti u arrestua pasi iu gjet dhe bllokua 1.6 gr kanabis sativa.
Precedenti
Në vitin 2009, Nelgert Pata dhe babai i tij Astriti rezultojnë të jenë dënuar me 31 vite burg dhe 13 milionë lekë gjobë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik femrash për qëllime prostitucioni. Ata janë shpallur fajtorë për shfrytëzimin e dy femrave. Ndërsa për shfrytëzimin e një shtetaseje me emrin Brunilda, e paidentifikuar, gjykata e shpalli të pafajshëm të Nelgert Patën, për mungesë provash dhe faktesh. Në tetor të 2005-ës, babë e bir janë akuzuar se kanë trafikuar një femër me emrin Albiona Ndreca, nënë e një fëmijë të vogël. Ata nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë, duke u shprehur se nuk kanë lidhje me asnjë rast të trafikimit. Babë e bir u arrestuan në vitin 2006, pasi nga Norvegjia kishte mbërritur një letër-porosi, ku një person me emrin Silvana Kalemi i akuzonte për trafikim dhe prostitucion. Kalemi ka rrëfyer se ishte mashtruar nga Astrit Pata për martesë. Në fillim, ai e kishte dërguar Kalemin në Greqi, ndërsa djali, Nelgert Pata e ka trafikuar atë drejt Norvegjisë.

Mesila Doda: Në muajin shtator fillon lufta për heqjen e dekoratave

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Valentina Madani

Prej më shumë se 8 mua
jsh, në parlament janë
paraqitur tri nisma ligjore për heqjen e medaljeve dhe dekoratave të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Të tria dokumentet, i PD-së, PS-së dhe PDIU-së, synojnë heqjen e medaljeve për persekutorët dhe “xhelatët” e sistemit komunist. Nismat erdhën pasi “Gazeta Shqiptare” zbardhi vendimin e qeverisë së majtë, e cila dekoronte hetuesin e At Zef Pllumit dhe ish-drejtues të PPSH-së dhe Sigurimit të Shtetit. Por, përveç një debati të nxehtë në Kuvend në fund të legjislacionit të kaluar dhe dorëzimit në Kuvend të tri nismave ligjore, që nga dhjetori i 2015-ës politika shqiptare nuk ka bërë asgjë për heqjen e dekoratave. Nismat janë dorëzuar në Këshillin e Legjislacionit dhe që atëherë ato vazhdojnë të mos shqyrtohen nga parlamenti. Që prej atëherë, nuk u mblodhën më anëtarët e Këshillit të Legjislacionit dhe nismat janë ende të pashqyrtuara. Por deputetja Mesila Doda, që bashkë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ishin iniciuesit e parë të nismës për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit, konfirmoi dje për “Gazeta Shqiptare” një betejë të ashpër në Kuvend për anulimin e dekoratave që iu dhanë ish-persekutorëve të komunizmit. “Në muajin shtator fillojmë luftën për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit”, – deklaroi deputetja e PDIU-së, Mesila Doda. Aktualisht në Kuvend janë të paprekura tri nismat që kanë si qëllim heqjen e medaljeve dhe dekoratave të dhëna nga qeveritë për ata persona që kanë qenë bashkëpunëtorë apo zyrtarë të lartë të komunizmit, si dhe ndalimin që këto situata të përsëriten në të ardhmen. Bëhet fjalë për projektligjin e paraqitur nga zj.Doda dhe Idrizi, projektligji tjetër i mazhorancës dhe që mban firmat e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Taulant Balla, si dhe projektrezolutën e paraqitur nga demokratët dhe dorëzuar në Kuvend nga Oerd Bylykbashi. Pra, ndërsa dy nismat e para paraqesin propozime konkrete për amendime të ligjit mbi bazën e të cilit jepen medaljet dhe dekoratat në vendin tonë, nisma e tretë është thjesht një rezolutë, e cila kërkon ndryshimin e legjislacionit ekzistues. Tri nisma që kanë objekt të njëjtë: heqjen e medaljeve dhe dekoratave bashkëpunëtorëve të regjimit komunist.
Mazhoranca
Projektligji i paraqitur nga mazhoranca, i iniciuar nga kryeministri Edi Rama dhe deputeti Taulant Balla, përmban dy amendamente shtesë në ligjin aktual “Për medaljet, dekoratat dhe titujt e nderit”. Nisma ligjore propozon që pas nenit 5, të shtohet neni 5/1, i cili parashikon që “të përjashtohen nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendorë nderi, sipas këtij ligji, dhe në rast se i kanë marrë do iu hiqet, personat të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë”. Po ashtu, përcaktohet që medaljet dhe dekoratat u ndalohen ose u hiqen nëse i kanë marrë edhe “personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet si: anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Për-gjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, kryetar i degëve të Punëve të Brendshme, punonjësi i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar prej tij, anëtar i komisionit qendror të Dëbim-Internimeve, si dhe gjyqtar, prokuror, hetues, në procese politike”.
PDIU
Edhe nisma ligjore e propozuar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi propozon disa amendime shtesë në ligjin bazë, ku mes të tjerash parashikohet se “ndalohet dhe nuk mund t’u jepen dekorata, tituj nderi dhe medalje, dhe nëse u janë dhënë, institucionet dhe/ose organet që i kanë dhënë, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji ua heqin ato personave të cilët kanë qenë pjesë dhe/ose kanë punuar në institucione si më poshtë: a) Strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit; b) Bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit; c) Strukturat Drejtuese të Partisë së Punës së Shqipërisë, në nivel lokal apo qendror; d) Funksione të larta drejtuese të pushtetit ekzekutiv, në nivel lokal apo qendror; e) Drejtimin e Forcave të Armatosura; f) Strukturat e Hetuesisë së Republikës; g) Në detyrën e gjyqtarit dhe prokurorit. d) Si dhe të gjithë personave që kanë kryer veprime që bien ndesh me moralin, nderin dhe vlerat e një shoqërie demokratike”. Përmes një dispozite tranzitore, nisma Doda-Idrizi parashikon që brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, institucionet ose organet kompetente për dhënien e dekoratave, detyrohen të krijojnë pranë tyre një komision të posaçëm, i cili duhet të vlerësojë e të japë mendim në lidhje me plotësimin e kritereve të përcaktuara në nenin e mësipërm.

Sportet, emrat e 837 kandidatëve që do hyjnë në konkursin e pranimit

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj

Universiteti i Sporteve
të Tiranës publikon
emrat e 837 kandidatëve, të ndarë sipas ditës që do të hyjnë në konkursin e pranimit. Konkursi do të nisë sot, më 23 gusht, deri në datën 27 gusht, me kandidatët e Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes, ku në total janë 556 kandidatë, dhe do të zgjasë deri të shtunën, më 27 gusht. Më tej, do vijojë gara me 281 konkurrentët e Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, të cilët do hyjnë në testin praktik në datat 28-30 gusht.
Kandidatët & datat
Në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes në total janë regjistruar 556 kandidatë, mes të cilëve 161 janë femra ndërsa 395 janë meshkuj. Rektorati i Universitetit të Sporteve njofton se, “556 konkurrentët të cilët do të garojnë në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes i gjeni në listat e mëposhtme të renditur sipas rendit alfabetik si dhe të ndara sipas datës që do të hyjnë në konkursin e pranimit, i cili zhvillohet në datat 23-27 gusht”. Po ashtu, rektorati sqaron kandidatët se ditën e konkurrimit duhet të kenë me vete kartelën e rezultateve mjekësore si dhe një dokument identifikimi (karta e identitetit ose pasaporta biometrike). Ndër të tjera, në tabelat bashkëngjitur janë edhe emrat e 281 kandidatëve që garojnë për një të drejtë studimi në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit. Gara për këtë fakultet, i cili në total ka 150 kuota pranimi, do të zhvillohet në datat 28-30 gusht 2016. Mes të cilëve, 207 janë meshkuj, ndërsa 74 janë femra. Gara më e fortë normalisht është në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, pasi raporti është 1 me 4, ndërsa te Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit raporti mes konkurrentëve është më pak se 1 me 2. Universiteti i Sporteve, këtë vit të ri akademik i ka dhënë më shumë rëndësi konkursit të pranimit, pasi ndryshe nga vitet e tjera, kur 50% të pikëve maturantët i fitonin nga matura dhe 50% nga testi praktik, këtë vit këtij të fundit i kanë dhënë 60% të pikëve, ndërsa 40% kandidatët i fitojnë nga nota mesatare. Konkursi përmban dy teste praktike; kështu, te Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes kandidatët do t’i nënshtrohen: ecjes me pengesa dhe kërcimit së gjati nga vendi. Në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit kandidatët do të kenë: kërcim së gjati nga vendi dhe test kompleks koordinativ.

Bisedë me Shenjten Nënë Tereza, si e kujtoj ardhjen në Shqipëri

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga:Luan RAMA

Edhe pak ditë Nënë Tereza
do të shenjtërohet atje ku
u ngrit kisha e apostullit Shën Pjetri, dhe unë ende nuk mund ta realizoj peshën e këtij akti, jo vetëm në kuadrin e historisë së kristianizmit, por dhe të historisë së sotme botërore, të historisë humane. Herë pas here këto ditë më vijnë ato imazhe të kësaj nëne të madhe të të varfërve kur ajo vinte për herë të parë në Shqipëri. Ishte diçka e pabesueshme por e vërtetë, pasi ato ditë të vitit 1989 më së fundi, pas kaq vite pritjeje, ajo vinte të shikonte popullin e saj, varret e nënës dhe motrës së saj të dashur. Më kujtohet ai çast kur në hollin e muzeut në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ajo hyri ashtu e përkulur, me hapin e saj të lehtë, veshur me sarin e saj, me sytë e gëzuar dhe të qeshur, duke na dhënë dorën në atë holl, e shoqëruar dhe nga një dokumentaliste kanadeze, Jane, e cila do të projektonte filmin e gjatë dokumentar "Mother Teresa". Jane e kishte shoqëruar vitet e fundit ngado Nënë Terezën, dhe ja tani, ajo u ul bashkë me ne ku mes asaj salle të vogël, por të mbushur plot, ne do të shikonim filmin për jetën dhe veprën e misionares së madhe. Këtë dokumentariste e kisha pas kurrizit, kur një çast, gjatë transmetimit, zëri i spikerit u ndërpre, edhe pse filmi vazhdonte. E dëgjova që shau nëpër dhëmbë dhe u ngrit me të shpejtë duke kërkuar të shkonte në kabinën e projeksionit, por kur ajo mbërriti, zëri erdhi përsëri. Ishte pikërisht ai moment kur spikeri thoshte se "vetëm Shqipëria e bunkerëve tregoi veshin e shurdhër kërkesave të pareshtura të Nënë Terezës për të shkuar në Shqipëri"… Nënë Terezën nuk e pashë më. Takova misionaret e saj të vendosura në Paris, afër Notre-Dame. Larg Shqipërisë ndiqja misionet e saj, sëmundjen, vdekjen, lexoja librat për të dhe ja pse, tani, në prag të shenjtërimit, mua më shfaqet si një engjëll, e përkulur si gjithnjë pranë të varfërve, me urinë e dashurisë, për t'ua bërë jetën dhe vdekjen më të lehtë. Dhe unë kam dëshirë ta pyes për jetën e saj, për përkushtimin dhe atë çka e shenjtëroi shpirtin e saj që para se të bëhej një shenjte. Ta pyes nga vjen dhe çfarë ndodh që njerëzit e thjeshtë arrijnë të bëhen shenjtë…
– Tregomë atëherë Nënë, ç'ishte Nënë Tereza kur lindi?
– Kur isha e vogël dhe fillova të kuptoj ç'është bota, prindërit e mi më thanë se unë kisha lindur një ditë të ngrohtë vere, më 27 gusht të vitit 1910. Më quajtën Gonxhe, Gonxhe Bojaxhi. Isha bija e Kolës me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bernajt nga Novosela e Gjakovës. Nëna më ka treguar se u pagëzova në kishën e "Zemrës së Shenjtë" nga famullitari Zef Ramaj.
Ati im ishte tregtar dhe nëna merrej me shtëpinë dhe rritjen e tre fëmijëve: Llazarit, mua dhe Ages. Dy fëmijë të tjerë asaj i kishin vdekur fare të vegjël. Ishin katolikë të ardhur nga Shkodra dhe të vendosur më pas në Prizren, ku dhe u martuan e më vonë shkuan në Shkup, ku ati im Kolë Bojaxhi u mor me tregti, ndërtime banesash dhe ku më pas hapi një dyqan farmacie. Në atë kohë u lidh me një tregtar venecian dhe importonte vaj, sheqer, kafe, stofra. Udhëtonte ngado nëpër Europë dhe dinte shumë gjuhë, si shqip, turqisht, italisht, serbo-kroatisht, frëngjisht. Ishte një poliglot i vërtetë. Më 1914 shpërtheu lufta dhe më 1915 lufta mbërriti në Shkup. Isha pesë vjeçe. Më pas mësoja në një shkollë shqipe. Nëna ime ishte një besimtare e devotshme. Çdo natë, kur uleshim në tavolinë, ajo fillonte lutjen dhe ne luteshim me të. Babai ndërkohë tregonte kujdes për shkollimin tonë. Ishte shumë bujar. Në ato vite lufte, kishte shumë njerëz të vobektë dhe babai i linte të vinin në shtëpinë tonë, i ushqente, u jepte të hanin dhe porta ishte gjithnjë e hapur. Tavolina jonë ishte gjithnjë plot. Unë e doja shumë muzikën. Luaja mandolinë, isha në korrin e kishës dhe siç më thoshin se këndoja bukur. Madje luaja dhe teatër. Më pëlqente të recitoja gjithashtu.
Ati im i ndihmonte shumë patriotët shqiptarë dhe kur Shqipëria u copëtua pas Luftërave Ballkanike, ai ëndërronte gjithnjë bashkimin e saj.
Isha pothuaj nëntë vjeçe kur më vdiq babai. Ishte viti 1919, fundi i "Luftës së Madhe", dhe vdekja e tij më goditi në shpirt. Shumë shpejt, për të na rritur, nëna hapi një dyqan rrobaqepësie dhe punonte gjithë ditën. Por jetën e saj e mbushte me lumturi dashuria për ne. Jeta jonë ishte shtëpia, kisha, shkollimi. Shkonim për meshë në kishën e "Zemrës së Shenjtë" të Shkupit. Peshkop ishte Toma Glasnoviç dhe për ndihmë i erdhi më pas një jezuit shqiptar Gaspër Zadrima. Jepte mësimet e katekizmit, meqë dinte shqipen. Shpesh unë i shërbeja si interprete priftit Cepeviç. Më pas erdhi një tjetër prift kroat, Franjo Jambrenkoviç, i cili më udhëhoqi në rrugën time. E doja shumë. Ishte ai që themeloi dhe "Kongregacionin e Marisë" dhe unë shkova të organizoja punën atje. Kështu jeta ime u lidh me kishën akoma më shumë. I lexoja me pasion numrat e revistës "Misionet katolike" që vinin atje dhe që flisnin për jetën e misionarëve të katolicizmit. Aty vinin dhe misionarë të ndryshëm që kishin shëtitur nëpër botë dhe tregimet e tyre më ngacmonin. Një tjetër botë hapej para meje, ajo e përkushtimit. Një natë, Franjo hapi një hartë të madhe gjeografike dhe na tregoi për misionet katolike. Atë kohë në Vatikan ishte Papa Pie XI. Ishte ai që i dha hov punës së misionarëve nëpër botë. Ishte ai që ekzaltoi vëllazërimin mes popujve dhe ndihmën për tjetrin.
Jo larg Shkupit, në malin Or, çdo vit familja jonë bënte një pelegrinazh në vendin e shenjtë të Leshnicës. Ati im kishte ndihmuar dikur një mikun e tij për ndërtimin e shtëpisë atje dhe tashmë, ai na priste me shumë dëshirë. Ishim si në shtëpinë tonë. Ne i hipnim plaçkat mbi një qerre që tërhiqej nga kuajt dhe shkonim në këmbë përgjatë 10 km në ditët e verës së nxehtë. E lodhur, nëna hipte në karro, mes plaçkave dhe enëve të kuzhinës, por kur ishim të vegjël, ishim ne fëmijët që hipnim në karro dhe nëna na shoqëronte në këmbë.
– Po më pas Nënë, çfarë ndodhi? Si e dëgjove atë zë që të thirri, zërin e Atit të Shenjtë, siç e quan ti?
– Atëherë isha 17-18 vjeçe dhe më kujtohet që qëndrova atje në Letnicë një muaj më shumë për t'u lutur, dhe pikërisht atje e mora vendimin që të bëhesha misionare. Për këtë fola me drejtuesin tim shpirtëror. I thashë: "Si mund ta di që Zoti po më thërret dhe përse më thërret?" Dhe ai m'u përgjigj: "Nga gëzimi yt. Nëse ti je e lumtur që Zoti mund të të thërrasë që t'i shërbesh atij dhe të afërmit tënd, kjo është prova më e mirë e dhuntisë tënde! Gëzimi i thellë është si një busull që tregon drejtimin e jetës!"
Një natë, dëgjova fjalët e një misionari që kishte ardhur nga India: "Çdo njeri ka dhuntinë e tij të veçantë dhe duhet ta ndjekë atë!" Ideja që të bëhesha misionare dhe t'i shërbeja Zotit forcohej te unë dita-ditës. Një natë, me qiri në dorë, hyra në kishë dhe u gjunjëzova para Virgjëreshës Maria. Atë mbrëmje, buzëqeshja e statujës m'u duk më e ëmbël. Pikërisht aty dëgjova zërin e Zotit që më ftonte të isha e gjitha në shërbimin e tij: t'i përkushtohesha atij dhe çdo njeriu pranë meje. Dhe kjo ishte një dëshirë e fshehtë dhe e thellë brenda meje, prej shumë kohësh… Po, ishte Shën Maria që më ndihmoi të zbuloj dhuntinë time…
Më pas, kur i thashë nënës se do t'i kushtohesha Zotit, ajo nuk m'u përgjigj menjëherë. U fut në dhomë dhe lutej. E kishte të vështirë të ndahej nga unë dhe unë të shkëputesha përgjithnjë nga familja. Llazari, im vëlla nuk donte. "Ku shkon kështu, – më tha, – do ta mbyllësh jetën tënde brenda mureve të Kishës!"
Më 25 shtator të vitit 1928, unë u nisa. E kisha vendosur të shkoja fillimthi në "Urdhrin e Loretto"-s (Notre Dame de Lorette), që bënte një punë të mrekullueshme në Kalkuta. Një natë, para se të largohesha, u mblodhën të gjithë në shtëpi: ishin dhe miq të familjes, fqinjët tanë. Muzikë, këngë dhe një tekst lamtumire që shkrova në gjuhën shqipe, të cilën e lashë në kishëz.
Të nesërmen, disa miq më përcollën në stacionin e trenit, ku shkova bashkë me nënën dhe motrën time Age. Të gjithë kishim vendosur të mos qanim, por duke u ngjitur në tren nuk i mbajta dot lotët. Dola në dritare të shikoja ata njerëz të mirë që më përshëndesnin duke tundur shamitë. Nëna dhe motra Age erdhën deri në Zagreb.
Pak gjëra dija nga jeta e "Kongregacionit të Motrave të Lumtura të Virgjëreshës Maria" të Loretto-s, të krijuar që në shekullin XVII nga anglezja Mary Ward. Ky manastir donte t'i jepte një rol më të madh femrës në fushën e fesë. Ajo vdiq më 1645, por vepra e saj për të Plotfuqishmin dhe njerëzimin, jetoi.
Më 13 tetor, bashkë me një vajzë tjetër, misionare gjithashtu, ne u nisëm drejt Francës. Më kujtohet si tani fytyra e saj e mirë. Quhej Btilika Kajnec dhe ishte një mikeshë e mirë. Edhe ajo do të vinte me mua në Loretto. Kaluam nëpër Austri, Zvicër, e pastaj me tren nëpër Francë derisa mbërritëm në Calais, ku morëm më së fundi anijen për të shkuar në Londër e pastaj në Rothfaruham, pranë Dublinit të Irlandës.
Më vonë, hipur në një anije ne iu afruam brigjeve të Ceilonit. Zbarkuam në portin e Kolombos dhe që andej i dërgova një letër revistës Misionet katolike rreth udhëtimit tonë, ku ndër të tjera u shkruaja: "Me një ndjesi të veçantë shohim rrugët përreth dhe menjëherë pikasim europianët, me rrobat e tyre të fisme si dhe njerëzit me fytyrat e tyre zeshkane dhe të veshur shumë keq, shumica e të cilëve ecin në rrugë gjysmë të zhveshur. Lëkura e tyre si dhe e kuajve shndrisin nën atë diell të nxehtë. E kuptojmë që këta njerëz jetojnë në një mjerim të madh. Por na vjen më shumë keq për ata të mjerë që tërheqin karrot në rrugë si të ishin kuaj. Dhe të gjithë vendosim të mos i përdorim këto lloj karrocash, por zoti Scalon që ishte me ne, i mësuar me to, na detyroi të shkonim me karro. U mërzitëm shumë, por ishim të detyruara. Na mbetej veç të luteshim që barra e tyre të ishte sa më e lehtë. U qetësuam sapo mbërritëm në shtëpinë e tij.»
Dy ditë më vonë, në shoqërinë e një prifti katolik, ne u nisëm për në Darjeeling ku mbërritëm në janar të vitit 1929. Në mbrëmje, ne zbarkuam në Mandras. Të nesërmen vizituam qytetin. Mjerimi ishte i papërshkrueshëm. Shumë familje jetonin në rrugë, përgjatë mureve apo në udhëkalimet. Jetonin aty natë e ditë mbi një shtresë me gjethe palmash dhe më së shumti drejtpërdrejt mbi tokë. Disa ditë më vonë ne e lamë bregun dhe udhëtuam në deltën e Gangut, deri në portin e Kalkutës. Motrat tona indiane na prisnin në skenë. Motrat e Loretto-s ishin vendosur aty që prej një shekulli. Këtë vend marinarët e quanin "Golgota". Indianët e quanin fenë e tyre hinduizëm, apo "Sanatana Dharma", ose "Ligji Antik".
Më pas, nga Kalkuta ne u nisëm me tren për në Darjeeling, ku udhëtuam gjatë 24 orësh. Darjeeling gjendej në këmbët e një prej majave të Himalajës, në një lartësi mbi 2000 metra. Ishte një vend i bukur, tërheqës, një vend parajse. Kështu, më 23 maj 1929, unë hyra në Institutin e Vajzave të Lumtura të Virgjëreshës Mari, duke veshur rroben e bardhë e të gjatë. Gjatë dy vjetëve iu nënshtrova rregullave të manastirit, duke i shkëputur gjithë lidhjet e mëparshme afektive si dhe ndjesinë për të mirat private apo personale. Mjaft më me informacione nga bota, nga gazetat, spektaklet, librat profanë. Duhej vetëm studimi i Biblës, i teologjisë, i rregullave të kongregacionit. Dy vjet më vonë, pas studimeve, kisha të drejtë t'u mësoja të tjerëve ato ç'kisha mësuar, teologjinë, rregullat kishtare.
– Nënë, kam lexuar dikur se kur ishit adoleshente, nëna juaj Drane ju thoshte: "Kur bëni një të mirë, bëjeni sikur të hidhni një gur në det!"
– Sipas rregullave të kongregacionit, tashmë unë duhej të ndryshoja emrin dhe të zgjidhja një emër të ri. Në ato vite flitej shumë për Terezën e Lisieux në Normandi të Francës dhe mrekullinë e saj, përkushtimin ndaj Jezusë, çka e kishte bërë aq të njohur në Europë. Ajo ishte shenjtëruar gjashtë vjet më parë dhe ishte prijëse e misionit me François Xavier. Dhe unë zgjodha atë. Pas kësaj u nisa në një qendër mjekimi, në xhunglën e Bengalit, që të mësoja nga ana mjekësore, por ishte larg, njëqind kilometra nga Darjeeling. Aty vinin njerëz nga anë të largëta që të mjekoheshin, njerëz të mjerë. Më vonë u ktheva përsëri në Kalkuta. Tashmë kisha diplomën si edukatore dhe më 1934, u caktova si mësuese e shkollës "Shën Teresa", në një lagje të Kalkutës… Fillova të punoj për të varfrit, t'i ndihmoj kudo ata nëpër rrugë. Atëherë filluan të më quanin "Nënë Tereza e Bengalit".
I kujtoja gjithnjë fjalët e atit tim që kur ishim në shtëpinë tonë, më thoshte: "Mos prano asnjëherë një kafshatë pa e ndarë atë me të tjerët". Më kujtohen gjithnjë dhe porositë e nënës Drane që na thoshte: "Kur bëni një të mirë, bëjeni sikur të hidhni një gur në det". Dhe unë kështu bëja… hidhja gurë në det. Kishin kaluar tetëmbëdhjetë vite që unë kisha dëgjuar zërin e Zotit. Dhe tani ai më fliste përsëri. Duhej të shkoja tek më të mjerët. Duhej ta lija kuvendin dhe të shkoja pranë të vobektëve e të jetoja me ata. Ishte si një lloj urdhri, një detyrë. Tashmë e dija se ç'duhej të bëja, por nuk e dija si. Ishte një lloj iluminimi. Po, ishte zëri i Zotit. Dhe kjo ishte thirrja e dytë, pas asaj të Shën Marisë në Letnicë. Ishte si një shkreptimë rrufeje!
Kur u thashë të tjerëve që doja të ikja nga kuvendi, të gjithë u habitën. I shkrova atit tim shpirtëror, jezuitit belg Celeste Van Exem, priftit të misionit "Motrat e Lorette"-s. Ai u habit shumë. Në fillim më tha të heshtja, të lutesha e të mos u thosha superioreve të mia. Më tha se në një rast të favorshëm, ai do të fliste për këtë me peshkopin. Por arqipeshkvi francez Ferdinant Périer, kur dëgjoi për dëshirën time, u shpreh kundër. Ideja që një fetar kërkonte të largohej nga kuvendi ku ka shërbyer për tetëmbëdhjetë vjet, për të jetuar mes të mjerëve e rrugëve, u dukej pa kuptim.
Në të vërtetë nuk prisja ndonjë përgjigje pozitive, pasi ai s'mund të pranonte që një fetare e thjeshtë të vepronte në emër të Perëndisë përmes një urdhri të ri, një urdhri tjetër. Pak kohë më vonë u sëmura dhe më çuan dyqind kilometra larg, në një sanatorium të fetareve, në Asarsol. Ishte viti 1947. Në atë kohë në Indi kishte revolta. Njerëzit kërkonin paqësisht pavarësinë nga anglezët. Ishte një zgjim kombëtar. Në skenën politike ishte Mohan Das Gandhi. Mua më thirrën që të kthehesha në manastir, por unë e kisha zgjedhur rrugën time si një "dëshmitare" e Krishtit. Nuk doja të ndihmoja thjesht të varfrit, siç ishte "Misioni i Anës", për çka superioret e mia ishin dakord. Jo, unë doja të shkoja të jetoja mes tyre. Atëherë i shkrova një letër superioreve në Dublin që të më lejonin të dilja nga kuvendi. Më 20 janar 1948, Gandhi u vra, ndërkohë që unë prisja një përgjigje. Nehru u vendos në krye të vendit. Prisja që të vinte një përgjigje pozitive nga Roma. Atëherë i shkrova një letër drejtpërdrejt Shenjtërisë së tij, Pie XII. Përgjigjja në Delhi erdhi më 8 gusht të vitit 1948 dhe gëzimi im ishte i papërshkruar. Shenjtëria e kishte nisur që më 12 prill. Më akordohej veçse një vit të largohesha dhe pastaj të kthehesha.
– Ti ishe e vetme, Nënë. Ç'mund të bëje veç me dy duar dhe një zemër të vogël, në një vend ku qindra mijëra të mjerë dergjeshin rrugëve të prag të vdekjes?
– Sigurisht, të lija Misionin e "Motrave të Lorette"-s ishte e dhembshme për mua, ishte një sakrificë e jashtëzakonshme që kurrë nuk e kisha bërë në jetën time, pasi Lorette ishte gjithçka për mua, ishte familja ime. Isha 38 vjeçe dhe duhej të dilja në rrugë. Kalkuta ishte një qytet gjigant me katër milionë banorë. Kështu, mora trenin për të shkuar në Patna, kryeqendër e Bihar-it, 500 km në veri të Kalkutës. E refuzova ndihmën financiare të misionit që të mund të kisha diçka për ditët në vazhdim. Fillimisht shkova në një spital të mësoja punën e infermieres. "Atje, bashkë me motrat e tjera, hanim veç oriz dhe kripë dhe asgjë tjetër. Ishte një mjerim i madh. Qëndrova katër muaj dhe pastaj u riktheva në Kalkuta. Qëndrova disa ditë dhe vetëm lutesha, pastaj dola në rrugë. Pikasa se varfëria ekstreme e boshatiste njeriun nga ndjesitë njerëzore. Mora me vete veçse pesë rupi, të cilat i futa në librin e Biblës. Gjatë rrugës, të mjerët që zvarriteshin më kërkonin ndihmë dhe nuk kisha si të mos i ndihmoja. Ua dhashë dhe rupitë e fundit. U gjenda në mes të rrugës, pa strehë, pa ndihmë, pa para, pa asgjë. Megjithatë fillova të ndihmoj të mjerët. Një ditë, dikush më solli një zarf dhe pashë që brenda ishin 50 rupi. Kush vallë m'i kishte sjellë? Nuk e mora vesh asnjëherë. Që nga ai çast unë e kuptova se Zoti po e bekonte misionin që kisha ndërmarrë dhe se ai nuk do më braktiste…"
Në fillim kërkoja të gjeja strehë në cepat e rrugëve, me të mjerët e mi, por ngado vendet ishin të zëna. Disa ditë u ktheva natën të flija tek "Motrat e Vogla të të Varfërve", në një rrugë të Kalkutës. Pastaj shkova në lagjen "Motijhil" që të mund të filloja vërtet misionin tim. Gjeta një grup fëmijësh të braktisur gjithë lecka dhe fillova t'u mësoj shkrim e këndim. Fëmijët u habitën dhe u gëzuan me mua, pasi isha një grua europiane dhe jo një hindu. Ulesha në një trung peme dhe u mësoja. Më kujtohet që ishte 21 dhjetori i vitit 1948. Një javë më vonë arrita të gjeja një kthinë me dy dhoma ku u vendosa, por aty s'kishte as banka e as dërrasë të zezë. Në sajë të disa ndihmave rregullova një klasë mësimi.
(VIJON NESËR)

Arrestohet vlonjati me 214 kg marijuanë në Itali

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

ITALI – Policia italiane ka sekuestruar një sasi prej 214 kg marijuanë, ndërsa ka vënë në pranga një 37-vjeçar nga Vlora. Mësohet se trafiku i drogës drejt vendit fqinj është bërë me motor uji. Sipas policisë italiane, lënda narkotike me vlerë 2 milionë euro u kap në brigjet e Santa Cataldo të Leçes, kurse korrieri shqiptar është shtetasi me inicialet T.L.. Kontrabandisti i ndaluar është një emër i njohur për policinë italiane, pasi pohohet se ai është arrestuar disa herë për trafikim droge si dhe për shkelje të kodit të lundrimit dhe të sigurisë në det. Ndërkohë, mediat italiane bënë me dije se operacioni u realizua nga Departamenti Ushtarak i Aviacionit Detar në bashkëpunim me Guardia di Finanzia të Barit. Forcat policore u vunë mbrëmjen e së dielës në ndjekjen e dy motorëve të fuqishëm që po lundronin në det. Në bordin e tyre ishte dhe ngarkesa e drogës, tashmë e sekuestruar nga policia e vendit fqinj. Gjithashtu, mësohet se autoritetet e vendit fqinj i kanë kërkuar i kërkon palës shqiptare identifikimin e krerëve të trafikut të drogës së sekuestruar një javë më parë në Itali. Mëngjesin e 12 gushtit në brigjet italiane u sekuestrua një skaf me 2 tonë marijuanë dhe u vunë në pranga 5 skafistë.

Ish-të përndjekurit, 1.550 dosjet me mangësi

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ornela Manjani

Ministria e Finan
cave publikon
listën me 1.550 trashëgimtarët e parë të ish-të dënuarve politikë që përfitojnë dëmshpërblim por duhet të plotësojnë dokumentacionin për të marrë paratë. Dokumentet që duhet të dorëzohen janë: akt trashëgimie, certifikatë vdekjeje e të dënuarit, certifikatë trungu e të dënuarit, numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose prokurë dhe dokument identifikimi për përfituesit. Ministria e Financave bën të ditur se, “në rastet kur ish-i përndjekuri nuk jeton më, një dosje quhet e rregullt dhe e gatshme për t’u paguar vetëm atëherë kur të gjithë trashëgimtarët pa përjashtim, do të kenë dorëzuar (postuar) dokumentacionin e përmendur më lart për të gjitha rastet e trashëgimisë. Në të kundërt, askush nuk mund të paguhet i veçantë, derisa i gjithë dokumentacioni i dosjes të jetë i plotë për të gjithë”. Në listë janë publikuar edhe dokumentet që mungojnë dhe dokumentet që janë dorëzuar nga përfituesit. Kështu, në rastet kur shënohet V, dokumenti është në rregull, në rastet kur shënohet X dokumenti duhet dorëzuar në Ministri të Financave. “Gazeta Shqiptare” publikon sot pjesën e parë të listës së dosjeve që janë në shqyrtim dhe presin plotësimin e dokumentacionit.
Përfituesit
që jetojnë
Sipas rasteve dhe radhës së trashëgimisë, dokumentet e nevojshme për të përfituar dëmshpërblim për ish-të dënuarit që jetojnë janë: dokument identifikimi dhe numër llogarie aktive në një bankë të nivelit të dytë. Ndërsa për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë duhet një akt trashë-gimie, certifikatë vdekjeje e të dënuarit, certifikatë trungu e të dënuarit, numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose prokurë, dhe dokument identifikimi për përfituesit. Në qoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të radhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim, në bazë të ligjit Nr.9831, datë 12.11.2007 (ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009), nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë. Trashë-gimtarët që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë së bashku me numrin e dosjes. Ministria e Financave bën të ditur se, në rastet kur ish-i përndjekuri nuk jeton më, një dosje quhet e rregullt dhe e gatshme për tu’ paguar vetëm atëherë kur të gjithë trashëgimtarët pa përjashtim, do të kenë dorëzuar (postuar) dokumentacionin e përmendur më lart për të gjitha rastet e trashëgimisë. Në të kundërt, askush nuk mund të paguhet i veçantë, derisa i gjithë dokumentacioni i dosjes të jetë i plotë për të gjithë.

15-vjeçarja: Ja si më përdhunoi babai, më la lakuriq në mes të pyllit dhe iku

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

DIBËR – Një rrëfim ndryshe vjen nga 15-vjeçarja E.P.. Gjatë marrjes në pyetje nga policia e Dibrës (një oficere policie), vajza ka treguar me detaje se si është përdhunuar nga babai i saj biologjik, Guri Përgjegji. Minorenia ka deklaruar se i ati, pasi ka abuzuar seksualisht me të, e ka lënë lakuriq në pyll. “Atë ditë ishim duke ecur nëpër pyll për t’u kthyer në banesë, kur babai ndaloi. Ai hoqi xhupin, pantallonat dhe këpucët dhe pastaj më urdhëroi dhe mua që të hiqja atletet. I hoqa. Pastaj ai më tha që të zhvishesha. Unë kundërshtova, por ai më kapi dhe mi hoqi rrobat me dhunë. Bërtita me të madhe, por nuk më dëgjonte kush, pasi nuk kishte njeri rreth e rrotull. Ima atë shtroi përtokë rrobat e të dyve dhe më pas më përdhunoi”, ka thënë minorenia. Ndërkaq, ajo ka pohuar se babai i saj la të zhveshur në mes të pyllit dhe u nis me të shpejtë për në shtëpi. “Ai iku, ndërsa mua më la ashtu lakuriq. Isha e traumatizuar. Nuk e doja veten. Nuk dija se çfarë të bëja. Më pas vesha rrobat që ishin tërë baltë dhe shkova në shtëpi. Sapo më pa njerka, më pyeti se çfarë kisha dhe pse isha bërë gjithë baltë. I tregova ngjarjen, i thashë se më kishte përdhunuar babai. Njerka më besoi dhe filloi t’i kërkonte llogari burrit të saj, babait tim. I tha që të ikte nga shtëpia. Sakaq, “GSH” ka siguruar dhe dëshminë e njerkës së minorenes. Kjo e fundit ka deklaruar se vajza ka mbërritur në shtëpi gjysmë ore pas të shoqit. “Kur erdhi vajza, vura re se ishte shumë e tronditur. E pyeta dhe ajo më tregoi se çfarë kishte ndodhur. Në çast i thashë Gurit: ‘Nëse ti e ke bërë këtë punë, ik menjëherë prej këtu’. Ai mu përgjigj se nuk kishte bërë asgjë. Ndërsa, për rrobat që i kishte tërë baltë më tha se ishte rrëzuar. Nuk doja ta dëgjoja më, por i thashë që të zhdukej nga shtëpia. Ai hëngri një pjatë me makarona dhe u largua për tek bagëtitë. Unë me vajzën shkuam te kunati dhe më pas bëmë denoncim në polici”, ka pohuar njerka e 15-vjeçares.

Pesë kandidatë në garë për Drejtorinë e Operës

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Ditën e djeshme, pak para
mbarimit të afatit zyrtar të
aplikimit për detyrën e drejtorit të TKOB, një tjetër emër i është shtuar listës së kandidatëve. Ka qenë baritoni dhe solisti i parë i TKOB, Ylber Gjini, që ka dorëzuar aplikimin e tij për këtë pozicion, pas emrave të tjerë që kishin aplikuar më herët, si ish-drejtores Zana Çela, tenorit Josif Gjipali, tenorit Agim Hushi dhe ish-trombistit Kleanthi Gjika (Petrit Hajro).
Ndërsa pak kohë më parë, baritoni Gjini kishte shprehur rezerva për mënyrën e drejtimit nga ish-drejtori Ilir Kerni në një shkrim të botuar në “GAZETA SHQIPTARE”, duke renditur gabimet që sipas tij, Kerni kishte bërë gjatë ushtrimit të detyrës. Aplikimet për drejtor të TKOB u mbyllën në orën 16.30.
Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Kulturës do të përzgjedhë mes listës së kandidatëve ata tre emra që përmbushin kriteret që ishin vënë për aplikimin, dhe mes atyre që kalojnë këtë fazë, emrat e mbetur do t’i dërgohen kryeministrit të vendit, dhe do të vendosë ai se cili do të jetë drejtori i ri i TKOB. Praktikisht, Ministria e Kulturës përzgjedh tri kandidatura dje dhe sot, të cilat ia dorëzon kryeministrit. Ky i fundit, në mbledhjen e parë të qeverisë, zgjedh drejtuesin e ri, çka pritet të ndodhë ditën e mërkurë, ditë që përkon me mbledhjen e qeverisë.
GARA
Gara për drejtuesin e një ndër institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend, siç është ai TKOB, u hap më 4 gusht, pasi ish-drejtuesi Ilir Kerni dha dorëheqjen. Në thirrjen për aplikim, reforma menaxheriale merr vëmendjen kryesore, një sfidë për të dyja kandidaturat, pasi për të dy tenorët, drejtimi i një institucioni të tillë do të jetë një eksperiencë e re.
Gara për kreun e një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, u hap pas dorëheqjes nga ky pozicion të Ilir Kernit në fillim të gushtit. Nëpërmjet një postimi në “FB”, ai sqaronte se kishte drejtuar TKOB me buxhetin më të ulët ndër vite.
Zana Çela, ish-drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit deri në vitin 2003, e drejtoi TKOB në vitet 2000-2003 dhe mbahet mend si drejtoresha që shkaktoi grevën e parë të madhe të artistëve, që e kontestuan atë në vendimet që mori. Zana Çela synoi më parë, gjatë këtij viti, postin e drejtorit të përgjithshëm të Televizionit Publik, TVSH, por që nuk ia arriti. Ndërkohë që, më herët ka qenë autore dhe producente e një sërë programesh televizive dhe artistike, jo pak të suksesshme.
Agim Hushi punon e jeton prej 20 vjetësh jashtë vendit. Ai është shef i katedrës së Operës në Konservatorin e Vjenës. Hushi ka qenë tenor dhe e ka mbyllur karrierën e tij në Tiranë. Me origjinë nga Kavaja, pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve, pati një karrierë të shkurtër në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë dhe më pas u largua nga Shqipëria. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Budapestit dhe që nga ajo kohë debutoi me sukses në skenat e huaja.
Josif Gjipali – tenori i ka munguar skenës shqiptare prej 13 vitesh, por gjatë kësaj periudhe ka krijuar karrierë artistike jashtë vendit nën emrin Giuseppe Gipali. Edhe pse për mediat është shprehur se, herë pas here është kontaktuar për të qenë pjesë e TKOB-së, mënyra se si i janë servirur gjërat nuk e kanë bindur që të pranonte. Aktualisht është pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën e Kantos. Në Teatrin e Operës dhe Baletit ai është ngjitur në skenë me disa opera, si “Norma”, “Traviatta”, “Cosi Fan Tutte”, “Don Giovani” etj. Në vitin 2004, Gjipali u vlerësua me “Titto Gobbi”, çmim ky që i hapi dyert në Itali. Kritika italiane e ka vlerësuar si “Tenore lirico da grande teatro”. Josif Gjipali në vitin 2003 ka fituar konkursin më të rëndësishëm të muzikës operistike në shkallë ndërkombëtare “Plaçido Domingo”.
KRITERET
Një nga kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë dhe që për Ministrinë e Kulturës është prioritet dhe parakusht është reforma menaxheriale për zhvillimin e mëtejshëm të Teatrit të Operës dhe Baletit. Kjo reformë do të përbëjë një prej sfidave kryesore të drejtorit të ri, pasi do t’i duhet të menaxhojë një institucion vendndodhja e të cilit do të ndryshojë nga shfaqja në shfaqje, pas fillimit të rikonstruksionit të parashikuar në janarin e 2017-ës.
Çfarë kërkohet?
Drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor sipas Ministrisë së Kulturës i kërkohet që:
1-Të ketë arsim universitar në shkenca sociale, juridike, ekonomike, ose në fushën e artit.
2-Të ketë kualifikime plotësuese në menaxhimin e artit, drejtimin e projekteve kulturore, si dhe të produksionit.
3-Të ketë përvojë të konsiderueshme (minimalisht 10-vjeçare) në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e artit.
4-Të dëshmojë përvoja ndërkombëtare në fushat e përmendura në pikën 2 dhe 3.
5-Të njohë problemet aktuale dhe sfidat e teatrit shqiptar me qëllim reformimin e tij sipas modeleve më të mira bashkëkohore.
6-Të ketë përvojë në konceptimin dhe zbatimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës.
7-Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme – si të sektorit publik ashtu edhe atij privat (sa më sipër të vërtetohet me referenca apo dokumentacion ligjor).
8-Të ketë aftësi të dallueshme komunikimi në ruajtje dhe zhvillim të kontakteve brenda dhe jashtë institucionit, si dhe me partnerët vendas e ndërkombëtarë.
9-Të ketë njohuri të mira të një ose më shumë gjuhëve të huaja.

Arrestohet 25-vjeçarja e dënuar me 7 vite burg për mashtrim

Posted: 23 Aug 2016 05:00 AM PDT

Një 25-vjeçare nga Tira
na ka përfunduar në prangat e policisë, pasi ishte dënuar me 7 vite burg, për veprën penale “Mashtrim” i kryer në bashkëpunim. Bëhet fjalë për Xhuljana Fahri Çami, e cila u arrestua nga efektivë të komisariatit numër 3 në kryeqytet. Mësohet se e reja, së bashku me motrën e saj Enduina Çami, gjatë vitit 2011 kishin mashtruar persona të ndryshëm duke u dhënë banesa me qira, ndërkohë që këto banesa ishin marrë me qira edhe nga vetë ato. Nga hetimet ka rezultuar se të dyja motrat kanë marrë disa apartamente në disa zona të ndryshme të Tiranës, si tek “Rruga e Elbasanit”, zona e “21 Dhjetorit” dhe më pas ua linin me qira disa personave të tjerë në po të njëjtën kohë. Ato merrnin nga të dëmtuarit kapar ose qiranë për një vit dhe më pas zhdukeshin pa lënë asnjë gjurmë. Në të gjitha rastet e mashtrimit, vajzat gënjenin se apartamentet që ato linin me qira kanë qenë në pronësi të tyre apo të familjarëve të tyre, ndërkohë që vetë këto apartamente i kishin marrë me qira nga pronarët e vërtetë. Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se të dyja motrat prezantoheshin si emigrante në Amerikë apo edhe në vende të ndryshme të Europës. Pasi vajzat merrnin shumën e parave nga të dëmtuarit dhe largoheshin pa lënë asnjë gjurmë, u dërgonte atyre një mesazh në telefon duke u thënë se ishin familjarë të dy vajzave dhe se ato kishin pësuar aksident jashtë vendit e ndodheshin në gjendje të rëndë. Për të gjithë këtë skenë mashtruese, Gjykata e Tiranës e dënoi me 7 vite burg 25-vjeçaren Xhuljana Çamin dhe me 5 vite burg motrën e saj, Enduinën.

Related Posts :