Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Luiza Gega humb në “Rio 2016”: Ju kërkoj ndjesë, por s’munda” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Luiza Gega humb në “Rio 2016”: Ju kërkoj ndjesë, por s’munda” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Luiza Gega humb në “Rio 2016”: Ju kërkoj ndjesë, por s’munda

Posted: 14 Aug 2016 06:05 AM PDT

Të gjithë shqiptarët mbajtën sytë nga Rio, aty ku sportistja e vetme nga e cila kishim pritshmëri të larta, Luiza Gega garoi për 300 m/p, por pa mundur të kualifikohet për në finale. Çdo gjë mbaroi rreth drekës, ku fatkeqësisht atletja e cila kishte thënë se kishte dëmtuar tendinën, nuk mundi t’ia dilte. Megjithatë, në rrjetet sociale kanë qenë të shumtë shqiptarët që shprehën përkrahje për atleten edhe pas humbjes së saj, duke shkruar në statuset e tyre “Je Suis Luiza Gega”. Dëmtimi bëri që Gega të mbyllte garën në vendin e 16 mes 18 garueseve, me kohën 9 minuta, 58 sekonda e 49 të qindtat. Me ketë kohë të kapur, Gega ishte shumë larg edhe rekordit kombëtar që vendosi në Kampionatin Europian, ku mori medaljen e argjendtë me kohën 9 minuta, 28 sekonda e 52 të qindtat. Një ditë para garës atletja përmes faqes së saj në “Facebook” tha se do të jepte maksimumin, edhe pse kishte problem e këtë gjë bëri, pasi nuk u tërhoq nga gara, por e vazhdoi deri në fund. “Gati për nesër. Dhe pse ndoshta jo në 100% të formës sime, pasi dëmtimi në tendinë mbas Kampionatit Europian më ka lenë pak mbrapa me stërvitjen speciale të pengesave, përsëri do jap maksimumin tim. Janë Lojërat e Para Olimpike për mua dhe dua t’i shijoj në maksimum. Gjithsesi, sporti për mua nuk mbyllet këtu, lojërat e ardhshme vijnë më shpejt se ç’i mendojmë dhe unë do të vij me synime shumë më të mëdha. Ndihem shumë me fat që kam një mbështetje shumë të madhe nga njerëzit, ku urime pa fund akoma vazhdojnë të më vijnë”, shkruante atletja. Reagimi tjetër i Luiza Gegës erdhi pas garës ku ajo shprehu keqardhjen për rezultatin. “E di që ndoshta edhe shumë prej jush janë zhgënjyer, por më besoni kisha dhimbje shumë të madhe kur kaloja pengesat, sidomos atë të ujit, sa që nuk mbaja dot veten time me këmbën e vrarë dhe fillova të bija me të dyja këmbët, thjesht luftova vetëm për mos të lenë garën, sepse s’e kam lenë kurrë gjer më sot dhe sido që të jem, s’ka për të ndodh kurrë. Gjithsesi, njerëzit që e kuptojnë sportin, e dinë se për çfarë flas. Për fat të keq duhet t’i mbyll këtu garat për këtë vit apo duhet t’i jap kohë këmbës të rikuperohet, sigurisht për t’u kthyer me objektiva tjera. Jam e rrethuar nga njerëz që më mbështesin shumë dhe kjo më bën shumë të lumtur. Ndoshta këtë vit e mbylla vetëm si nënkampione Europe, por aktivitete të tjera më presin. Shume faleminderit të gjithëve!”, shprehet Gega.

Mjeku Petrit Vargu reagon për “Rio 2016”: Talleni tr…in me këtë vend, talleni!

Posted: 14 Aug 2016 06:04 AM PDT

Mjeku i njohur i urgjencës së Spitalit Universitar “Nënë Tereza” dhe njohës i mirë i sporteve, sidomos futbollit, ka bërë një deduksion të situatës së sportit në Shqipëri. Sigurisht nga analiza nuk shihje dritë, duke qenë se aktualisht sporti ndodhet në gjendje të mjerueshme. Ky është statusi i plotë i mjekut Petrit Vargu: “Një vend ku treçereku i sporteve që zhvillohen në olimpiadë nuk njihen e jo më të zhvillohen, nuk mund të pretendoje të çojë sportistë në finale. Ne jemi vetëm fasadë… dhe polemikat i bëjmë për fasada. Harrojmë që në këtë shtet nuk ka porta waterpooli e jo më skuadër. Nuk njihet gjuajtja me hark, nuk ka fushë batmintoni, s’ka një velë, një stekë hokei. Ka lumenj e liqene, por nuk ka një varkë kajaku apo kanoe. S’kemi një shpatë, përveç në muzeun e Skënderbeut. Kuptohet që beachvolley nuk mund të kemi, se plazhet i kemi shkatërruar… Ah po, kemi Ministri të Kulturës dhe Sporteve si pak vende në botë. Talleni trapin me këtë vend, talleni…!(Më falni për kakofoninë).

Luan Rama: Ku janë poetët e artistët, kur llumi ka kapur shoqërinë shqiptare?

Posted: 14 Aug 2016 06:03 AM PDT

Nga Luan Rama
othuaj dy shekuj më parë, në kaosin e filozofive të trishta e të depresionit të madh, të luftërave që gjëmonin në Europë midis perandorive, poeti i madh Höderlin bëri një thirrje duke hedhur idenë novatore se jeta duhej jetuar poetikisht, pasi kjo do ta çonte Europën drejt së mirës, humanizmit, drejt dashurisë njerëzore e progresit të vërtetë. Kështu, në kohën që përjeton shoqëria shqiptare, thirrja e Höderlin është më se aktuale, gjithnjë novatore, në atmosferën e një zhgënjimi të madh nga ëndrra e demokracisë dhe e lirisë së vërtetë nga diktaturat, pasi korrupsioni, llumi, amoraliteti, e kanë kapur për fyti shoqërinë shqiptare duke e asfiksuar gjithnjë e më shumë dhe ku shkëlqimi i vetëm është shkëlqimi i parasë, lakmisë, intolerancës, oligarkisë dhe i një klase politike që mendon vetëm për lumturinë e saj, por që në thelb është një zhbërje e vetë individit. Pikërisht, në këtë atmosferë të shoqërisë sonë, dhe të një atmosfere akoma më të rënduar luftërash hegjemoniste, fetare, intolerancash e kamikazësh, thirrja për t’iu rikthyer poezisë, është një thirrje për t’i dhënë frymë dhe ajër shoqërisë, për ta humanizuar atë, për ta bërë të ndjeshme ndaj virtytit, dhe ja pse poezia, letërsia, artet, duhet të kenë një mision të ri, atë të udhërrëfimit, pasi kur ngrihen në këmbë poetët, nuk ka forcë që të shkojë kundër vullnetit të tyre. Në kohën kur poeti i madh francez Arthur Rimbaud, ngulmonte të thoshte se poeti duhet të jetë një “Profet” i kohës, i shoqërisë, këtë e thoshte se kishte ardhur koha e një lëvizjeje të madhe humane dhe drejt një shoqërie të re, çka e gjejmë në vëllimin e tij “Përshkëndritjet”, ku poeti, siç shkruan ai, “kërkon të ndeshet, të përpiqet, të luftojë”, pra të jetë profet i një kohe të re dhe i një arti të ri. Të njëjtën gjë e kemi parë te Victor Hugo apo Majakovski i zhgënjyer në Rusinë e sovjetëve, Ricosi apo Lorca spanjoll, Whitman si dhe surealistët e Francës.
Të njëjtën gjë, që poezia të ndërmarrë një mision shoqëror, e gjejmë aq fort në poezitë e Migjenit të madh: atë të ndryshimit të sistemeve, të ndryshimit të vlerave, pasi në epokën moderne që jetojmë, në epokën e teknologjive të reja dhe integrimeve të mëdha, shoqëria shqiptare vuan ende nga fataliteti, nga emigrimi i madh, nga një lloj depresioni dhe pafuqishmërie për të marrë në dorë fatet e veta. Ku janë intelektualët, poetët, artistët? Jetojnë ata të ngujuar në atelierët e tyre, studiot, kafenetë? Si mund të zhvillohet një “revolucion” humanist në frymën e një Erasmus modern? Ja pse në kohën kur gjithnjë e më shumë njerëz në Shqipëri i janë kthyer poezisë e botojnë, kemi një “Poeteka”, klube të poezisë, botohen antologji, kolana poetike, njerëzit zgjohen “poetë” edhe pse janë në fillimet e tyre, rrjeti poetik po zgjerohet, poezia nuk është më pronë e një grupi elitar, por ajo është bërë pronë masive, është kthyer në shprehje personale dhe kolektive.
Përse ndodh kjo vallë? Ndoshta sepse në dëshpërimin e madh, njeriu e ndjen se ka nevojë për një ngritje poetike dhe morale të shoqërisë, duke iu drejtuar jo vetëm dashurisë, së bukurës, por dhe poezisë sociale, pasi e para që duhet rikrijuar është bukuria dhe dashuria e shpirtit, janë këto territore të trishta që sot duhen ndriçuar nga poezia, territore që kthehen në territore të solidaritetit njerëzor dhe të humanizmit. Një “revolucion” i tillë shpirtëror është i mundshëm, pasi poezia sjell optimizëm, poezia krijon një utopi, atë të asaj që duam të ndërtojmë, sepse poezia kërkon ta zgjojë ndërgjegjen njerëzore dhe t’i japë një kuptim jetës, veprimit, ndërtimit të gjithçkaje, pasi Fjala, Verbi, kanë më shumë vlerë se shkëlqimi i parasë. Dhe së fundi, poezia është arti i të guxuarit, ajo guxon të lidhë ata që janë në fronte të kundërta, pasi ajo lidh shpirtrat përmes forcës së fjalës; sepse poezia, siç thotë dhe nobelisti Saint-John Perse, “edhe përmes një strofe arrin të përmbledhë të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen, humanen me mbi-humanen dhe gjithë hapësirën planetare në një hapësirë universale”… Le të shpresojmë që ashtu si në vendet e përparuara të Europës, në kohë depresionesh, u arrit të krijohej pushteti autonom shpirtëror dhe filozofik i asaj që quhej “Respublica litteraria”, kjo lloj “republike” të krijohet edhe në vendin tonë, pasi poezia, arti, të shtyjnë të kesh një refleksion më të thellë për shoqërinë dhe ardhmërinë. Ja pse poeti 92-vjeçar francez Yves Bonnefoy, në një nga poezitë e tij të fundit, ndër të tjera shkruante: “… Miqtë e mi/ kjo tokë shkon keq e më zi/ dhe shpesh është çnjerëzore/ por unë besoj se e Bukura ekziston dhe ka domethënie/ besoj se ende ka një kuptim që ta rilindim atë…”. Ja pse më së fundi poezia është një profeci më vete, aq e dëshiruar nga Arthur Rimbaud apo Migjeni! Le t’i besojmë kësaj profecie të madhe!

Basorelievet e stadiumit nxirren nga rrënojat, paketohen për t’u ruajtur

Posted: 14 Aug 2016 06:01 AM PDT

Fatmira Nikolli

Dy basorelievet e fasadës së ish-stadiumit “Qemal Stafa” nuk do të shkatërrohen. Burime zyrtare pohojnë për “Gazeta Shqiptare” se dy komplekset skulpturore që paraqesin dy futbollistë dhe tri basketbolliste do të ruhen. “Vendimi” është marrë me gjithë deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim në profilin e tij zyrtar në “Facebook” tha të premten se “kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën, kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër ia mballosën fasadës së ‘Qemal Stafës’) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe realizmin socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore”.
Pas bujës dhe debateve të ditës së premte sa i takon shembjes së fasadës së stadiumit “Qemal Stafa” ku do të ndërtohet stadiumi i ri “Arena Kombëtare”, burime konfidenciale, thanë të shtunën për “GSH” se dy basorelievet po paketohen duke i shpëtuar shkatërrimit, pavarësisht se nuk do të jenë pjesë e fasadës së rindërtuar, e cila do të ketë tri hapje, si në projektin origjinal të arkitektit italian Gherardo Bosio. Dje pasdite, grupet skulpturore janë çmontuar nga panelet, pasi kanë qenë me armaturë hekuri pas tyre.
“Ndërkohë që ne flasim, ato po çmontohen dhe po vihen në arka druri të rrethuara me bukë peshku. Do depozitohen për t’u ruajtur, për të vendosur në të ardhmen se çfarë do të bëhet me to. Nuk dimë të themi ende se cili do të jetë fati i tyre konkretisht, por meqë janë një gjurmë e asaj kohe, ato do të ruhen”, shtoi burimi, duke qartësuar se bëhet fjalë për skulpturat, pasi paneli kuadratik (që kanë qenë bërë në madhësinë e dyerve që u mbyllën pas çlirimit) ose fusha është thjesht një copë betoni ku ato qenë vënë/ngjitur.
E ARDHMJA E
BASORELIEVEVE
“Ato hiqen nga panelet kuadratike në të cilat kanë qenë vendosur, për t’iu lënë një vendimi të mëtejshëm nëse do të ekspozohen në mjediset e muzeut që stadiumi i ri do të përmbajë, apo do të ekspozohen diku tjetër. Këtë do ta përcaktojë një komision”, shtoi burimi zyrtar i “GSH”. Me gjasë në një të ardhme edhe ato do t’i nënshtrohen rivlerësimit. Nëse këto basorelieve do të bëjnë pjesë ose jo në muzeun e ardhshëm të stadiumit “Arena Kombëtare”, kjo nuk është vendosur akoma, sepse ende nuk dihet as se kush do të jetë kuratori i muzeut të ri dhe çfarë do të ketë brenda ai muze, por deri në atë kohë, ato të depozitohen në një vend të sigurt dhe larg rrezikut të dëmtimit e shkatërrimit.
“Mënyra se si do të ekspozohen, a do të bëhen sërish panelet kuadratike apo do të vihen në mur, apo do mbeten jashtë muzetë, mbetet për t’u gjykuar”, mësoi dje “GSH”.
Basorelievet nuk ishin parashikuar në projektin e miratuar që të ishin në fasadën e re. Që në fillim, ishte parashikuar që fasada e ribërë e stadiumit të ri, të vinte sipas projektit origjinal të italianit Gherardo Bosio, ndërsa dy basorelievet ishin vënë pas çlirimit të vendit. Në përgjigje të interesit të “GSH”, burimi shtoi se basorelievet nuk janë dëmtuar.
Të premten, pas deklaratës së Ramës se basorelievet ishin pa vlerë, studiuesi Moikom Zeqo tha për “GSH” se “sa i takon deklaratës, po ju them se ato nuk janë të shëmtuara dhe pasqyrojnë një kohë të caktuar, dhe pikërisht për këtë(se pasqyrojnë atë kohë) ia vlen të ruhen. Po të ishte për të shkatërruar veprat e realizmit socialist, le të shkatërrohen edhe ato që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve bashkë me fasadën e Kryeministrisë. Ky mendim është një nonsens historik dhe estetik. Nëse do ruhet një pjesë e murit, do të kish kuptim edhe ruajtja e basorelieveve”.

Komentuesi: Nuk ishte fasadë komuniste, kryeministri: Zhvendosja, proces rutinë
Kryeministri Edi Rama ka debatuar në “Facebook” me komentuesit e statusit të tij të së premtes mbi fasadën e stadiumit “Qemal Stafa”. “Shumë interesante disa komente që thonë pse u prish fasada dhe nuk e mbajte fjalën!!! Po mirë që këta komentues nuk e kanë lexuar statusin, po albumin e fotove që tregon se si po ruhen një më një të gjitha elementet e fasadës, për t’u rivendosur fiks sipas projektit origjinal dhe integruar në projektin e ri, nuk i panë fare?! Çudi e madhe shumë, po nejse, kur të mbarojë puna si gjithnjë do dalë e vërteta e thjeshtë, që mjegullohet e errësohet nga gjithfarë profesionistësh të gënjeshtrës e të manipulimit publik për lloj-lloj arsyesh që veç në të vërtetën s’kanë të bëjnë!”, ka shkruar Rama. Pas këtij, një komentues i shkruan: “Bravo të qoftë, je shumë finok. Këtu e kupton ti ça popull dele jemi dhe shumë mirë na e bën. Shkatërron fasadën monument kulture që ruhet me ligj. Hedh në ‘FB’ dhe thua ‘do zhvendoset’ sikur po zhvendoset një vazo me lule. Dhe delet mbrapa thonë ‘bravo, fasadë komuniste’. Më tej, kryeministri Edi Rama i përgjigjet: “Më fal, po ti flet siç flasin njerëzit që nuk duan të mësojnë, nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të kuptojnë! Zhvendosja dhe rivendosja e një monumenti kulture për arsye të një ndërtimi apo rindërtimi, sot në botë është një operacion rutinë! Sepse nuk mund të ndërtohet stadiumi i ri pa u zhvendosur paraprakisht fasada e vjetër, e cila do të ruhet”. Më vonë, në një tjetër status, kryeministri e krahasoi atë që po ndodh me stadiumin “Qemal Stafa”, me tempullin e famshëm ‘Abu Simbel’ mbi lumi Nil. Në një koment në “Facebook”, Rama u shpreh dje: “Pak histori për kujëshkronjësit e fasadës së ‘Qemal Stafës’, që zhvendosjen e përkohshme të gurëve, për t’u rivendosur më pas në zemrën e stadiumit të ri, e quajnë krim dhe sakrilegj të paparë. Gjysmë shekulli më parë, me bekimin dhe angazhimin e vetë UNESCO-s, u krye operacioni kolosal i zhvendosjes së tempullit të famshëm ‘Abu Simbel’ mbi lumin Nil. Pse?! Sepse mu aty qeveria vendosi të ndërtonte një digë gjigante mbi lumin e famshëm! Tempulli u pre në blloqe dhe u rindërtua 100% siç ishte, por mbi një kodër tjetër”, sqaroi kryeministri. “Ky operacion ‘fantastiko-shkencor’ njihet si fillimi i një revolucioni, që zgjeroi këndvështrimin për si shpëtohet dhe ruhet trashëgimia kulturore, pa penguar zhvillimin e projekteve të reja që kërkon koha”, tha ai dje. “Operacionet e kësaj natyre janë të vazhdueshme në kohët moderne dhe zhvendosja e përkohshme e fasadës së ‘Qemal Stafës’ është vetëm një shembull modest; që tregon ambicien tonë për zhvillim, vetëdijen tonë për vlerat reale të trashëgimisë, aftësinë tonë për t’i kombinuar të dyja (dhe, fatkeqësisht, edhe prapambetjen mizerabël të kujëshkronjësve tanë të vajmedetshëm…”, theksoi Rama.

Një shembull si ruhet një stadium duke hequr kryqin e thyer të Hitlerit

Posted: 14 Aug 2016 06:00 AM PDT

A ka shembuj se si ruhet trashëgimia, qoftë ajo edhe nga kohë të errëta? Forumi i Trashëgimisë sjell në vëmendje rastin gjerman, ndonëse raste të ruajtjes duke hequr kryqin e thyer të Hitlerit, draprin e Enverit a sëpatën e Liktorit nuk mungojnë. “Këtu po japim vetëm një shembull që tregon se çfarë bëhet kur ka vizion, atje ku ne kërkojmë të shkojmë, në Europë. Në foto, stadiumi olimpik i Berlinit, ndërtuar nga nazistët më 1936-ën, në mes të periudhës së fashizmit, me autor Bosion gjerman, arkitektin Albert Speer. Stadiumi jo vetëm që nuk u prish që në vend të tij të ndërtohej një “modern”, por u restaurua dy herë: më 1974-ën dhe më 2004-ën, pa ndryshuar asgjë nga fasada origjinale (me përjashtim të heqjes së kryqit hitlerian), restaurim me të cilin Gjermania sot lëvdohet”.

Festa, turistët e gdhijnë me “Birra Korça”

Posted: 14 Aug 2016 06:00 AM PDT

Ledjona Xheladinaj

KORÇË
-Mijëra vizitorë dhe turistë të huaj e gdhijnë natën jashtë. Kryeqyteti i Shqipërisë në natën e katërt të Festës së Birrës ishte Korça, pasi në çdo cep të tij takoje shqiptarë nga i gjithë vendi. Mbrëmjen e së shtunës, pjesëmarrësit zaptuan çdo cep të sheshit para stadiumit si dhe rrugët e qytetit juglindor, ndërsa dëfryen pa limit duke shijuar “Birra Korça”. “Nami në Korçë”, – ishte fjala që turistët thoshin me njëri-tjetrin në bisedat e tyre. Asnjëherë tjetër nuk ishte parë që qyteti i serenatave të kishte kaq shumë njerëz. Të gjitha hotelet brenda në qytet, por edhe në Dardhë, Voskopojë, Pogradec janë pronetuar ditë më parë nga vizitorë vendës dhe turistë të huaj, shumë prej të cilëve nuk kanë mundur të gjejnë vende bosh ku të kalojnë natën. Surpriza e mbrëmjes ishte se shumë turistë zgjodhën ta gdhijnë natën jashtë, në sheshin para stadiumit. Pavarësisht motit të freskët që karakterizon Korçën, pjesëmarrësit nuk kanë dashur t’ia dinë, por kanë zgjedhur që të sfidojnë temperaturat e ulëta me mbretëreshën e mbrëmjes, “Birra Korça”, e cila i ka shoqëruar deri në orët e para të mëngjesit.
FESTIMET
Nata e katërt e Festës së Birrës ka “harbuar” turistët, të cilët pohuan se “të festosh në Korçë është mrekulli, por të shijosh ‘Birra Korçën” është fat”. “Kam ardhur nga Tirana me shoqërinë time, jemi 10 persona dhe mezi po prisnim fundjavën që të mbërrinim në Korçë. O Zot, qenka një super ambient, një atmosferë e çmendur dhe shumë e ngrohtë, edhe pse temperaturat qenkan të ulëta. Kemi marrë të gjitha hotelet me radhë për pronetim, por është e pamundur të gjesh vende bosh”, u shpreh mbrëmë Elhaida, e cila kërcen dhe në dorë mban shishen e “Birra Korçës”. Ndërsa, të tjerë vizitorë nga rrethe të tjera të vendit thanë se do e gdhinin jashtë. “‘Birra Korça’ na ngroh shpirtin dhe nuk ndjehemi të vetmuar nën shoqërinë e saj. Është magjia e kësaj nate. Nuk ka kuptim festa pa ‘Birra Korça'”, pohuan ata. Atmosfera u ndez mbrëmë edhe më shumë me daljen në skenë të vëllezërve korçarë, Stefi dhe Endri Prifti, të cilët kanë mbajtur në “ajër” pjesëmarrësit që kanë kënduar njëzëri të gjitha këngët e tyre. Batutat kanë qenë “qershia” mbi tortë e mbrëmjes, pasi vëllezërit Prifti nuk kanë lënë asnjë moment t’iu ikë kot. Dy këngëtarët e mirënjohur kanë “çmendur” publikun. Dhe jo vetëm ata, por edhe ‘Alar Band’, Xhesika Polo dhe grupi ‘NA’. Nuk kanë munguar vallet kudo mes njerëzve, të cilët kanë shijuar çdo çast, ndërsa “Birra Korça” është derdhur ‘lumë’ duke i dhënë lezet mbrëmjes. Ndërkaq, qindra efektivë policie kanë qenë në gatishmëri, por asnjë incident nuk është regjistruar, duke e bërë këtë festë edhe më të dashur dhe të qetë. Turistët e huaj kanë qenë të shumtë, duke u bërë pjesë e festës në çdo natë. Ata janë shprehur se janë magjepsur dhe mrekulluar nga festimet në Korçë. Carolina, një vajzë simpatike, e cila ka mbërritur nga Italia për të qenë pjesë e festës tha se, “nuk e kisha provuar asnjëherë ‘Birra Korçën’ dhe më vjen shumë keq për këtë. Kur erdha këtu dhe e shijova, mësova se ajo është birra e parë shqiptare. Lumë ju që e keni konsumuar prej vitesh këtë birrë. Është super. Do të marr shumë shishe ‘Birra Korça’ me vete për t’ua bërë dhuratë miqve të mi. Ka një shije të mrekullueshme. Që nga sot, kjo është mikja ime e re dhe e pandashme përjetë”.

Zjarri i madh në Akërni rrezikon pushuesit, policia thirrje banorëve: Largohuni!

Posted: 14 Aug 2016 05:59 AM PDT

VLORË/PEQIN – Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e djeshme në fshatin Akërni të Vlorës. Ndërsa u raportua se janë shkrumbuar mbi 100 ha pyje dhe se flakët po përhapet me shpejtësi të madhe. Tri mjete zjarrfikëse si dhe dhjetëra punonjës janë angazhuar për shuarjen e vatrës së zjarrit, ndërsa terreni është shumë i vështirë për të ndërhyrë. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur thirrjes së zjarrfikësve duke dërguar trupa dhe një helikopter për të shuar flakët. Trupat e Forcave të Armatosura prej orën 19:00 kanë nisur aksionin së bashkë me zjarrfikësit nga tokë, ndërsa helikopteri nga ajri për të shuar flakët që kanë pushtuar zonën e hidrovorit në Vlorë. Mësohet se është rrezikuar edhe jeta e zjarrfikësve dhe e disa pushuesve, pasi zjarri ka marrë përmasa shumë të mëdha. Po ashtu, edhe “Albpetrol” ka dërguar 3 mjete dhe 13 persona për të shuar zjarrin. Nisur nga situata e krijuar, policia e Vlorës u ka bërë thirrje banorëve që ndodheshin pranë vatrave të zjarrit që të largohen. Ndërsa janë larguar edhe barinjtë e zonës që kanë ngritur stanet në zonën e fshatit Akërni, pasi rreziku është potencial nga zjarri që ka përfshirë kullotën dhe pyllin. Sakaq, një tjetër zjarr ka përfshirë një sipërfaqe prej 20 ha tokë me ullinj në Peqin, ku për shkak të terrenit të vështirë kërkohet edhe ndërhyrja nga ajri.

Ekzekuton kushëririn me breshëri kallashnikovi, kapet 39-vjeçari

Posted: 14 Aug 2016 05:58 AM PDT

Agron Lisi

MIRDITË –Konfliktet për parcelat me kanabis dyshohet t’i kenë marrë jetën një 52-vjeçari nga Mirdita. Mark Doda është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga djali i xhaxhait të tij dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është dërguar urgjentisht në spitalin e Rrëshenit, ku dhe ka gjetur vdekjen nga plagët e marra. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme në fshatin Perlat i Epërm i këtij rrethi. Pas ekzekutimit të kushëririt, autori i krimit, Ilir Doda është “ngujuar” në shtëpinë e tij. Forca të shumta policore, por edhe forcat speciale kanë rrethuar banesën e agresorit 39-vjeçar dhe vetëm pas dy orë negociatash është bërë i mundur arrestimi i tij. Ndërkohë, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës, por edhe ajo lokale bënë me dije se dyshohet që ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Sipas hetuesve të çështjes, autori i vrasjes vuan nga probleme mendore.
VRASJA
Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kushërinjtë Mark dhe Ilir Doda janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Pas debateve dhe sharjeve të ndërsjella, 39-vjeçari Ilir Doda ka marrë kallashnikovin dhe ka qëlluar në drejtim të djalit të xhaxhait të tij, i cili është plagosur. Të tronditur, familjarët e Mark Dodës e kanë çuar këtë të fundit në spitalin e Rrëshenit, ku dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të këtij spitali, 52-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkaq, policia ka shkuar në fshatin Perlat i Epërm për të prangosur autorin, por ky i fundit është mbyllur në banesën e tij. Duke qenë se agresori ishte i armatosur, blutë kanë kërkuar ndihmën e FNSH-së së Shkodrës. Pas mbërritjes së forcave speciale është dashur që të bëhen 2 orë negociata që i dyshuari për vrasje të dorëzohet së bashku me armën e krimit. Sipas burimeve policore, pas arrestimit, 39-vjeçari ka pranuar autorësinë e vrasjes së kushëririt të tij të parë. Ndërsa ka kërkuar që deponimin e tij ta kryejë në prezencë të avokatit. Burime nga grupi hetimor kanë deklaruar se konflikti mes dy kushërinjve të parë ka agravuar me përdorimin e armëve të zjarrit, pasi agresori është i sëmurë mendor. Burime të tjera policore thanë se konflikti ka ndodhur për shkak të një konflikti pronësie (për një sipërfaqe tokë). Ndërkaq, burime konfidenciale deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se konflikti mes viktimës Mark Doda dhe Ilir Dodës ka marrë shkas pas përplasjes për parcelat me hashash. Do të jenë hetimet e mëtejshme që do të hedhin dritë mbi këtë ngjarjeje. Vetëm dy ditë më parë në fshatin Dhëmblan të Tepelenës kushëriri vrau kushëririn, ndërsa dyshohet se dhe kjo ngjarje ka ndodhur pas sherrit për parcelat me hashash. Po për këtë ngjarje, policia e Tepelenës pohoi se autori vuante nga depresioni.

Shkurt

Posted: 14 Aug 2016 05:57 AM PDT

Plagosi në vesh të riun,
prangoset 28-vjeçari
KORÇË – Policia e Korçës ka arrestuar një 28-vjeçar, pasi akuzohet se pas një sherri për motive të dobëta ka plagosur një 24-vjeçar. Burime nga policia e bënë me dije se Niko Xhima nga fshati Moravë ka plagosur (i ka dëmtuar veshin) pas një konflikti të çastit (për parakalim makinash) shtetasin M.LL.. Mësohet se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në lagjen nr.7 të qytetit të Korçës. Menjëherë pas ngjarjes, i plagosuri është dërguar në spital për të marrë ndihën e nevojshme mjekësore, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të Xhimës i kaluan prokurorisë për veprën penale “Plagosja me dashje”.
Tentoi të fuste celularë
në burg, arrestohet
LEZHË – Brunilda Kaçubela nga Shkodra është arrestuar në flagrancë ditën e djeshme, pasi u kap teksa po i dërgonte të vëllait në burgun e Shënkollit, tre telefona dhe 2 karta SIM. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës pohuan se 37-vjeçarja akuzohet për veprën penale “Dhënie ndihme një të burgosuri për largim”. Materialet në ngarkim të saj iu përcollën për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Aksioni, asgjësohen
1422 bimë narkotike
SARANDË – Aksioni i policisë kundër kultivimit të bimëve narkotike vijon në mbarë vendin. Policia e Sarandës ka asgjësuar 1422 rrënjë bimë kanabis sativa, të mbjella në 15 parcela, ndërsa ka vënë në pranga njërin prej kultivuesve. Një pjesë e bimëve narkotike u gjetën të mbjella në fshatin Penkovë të Vlorës, të kultivuara nëpër 14 parcela (sipërfaqe toke pa pronar). Mësohet se është arrestuar 34-vjeçari Mikel Mero nga Konispoli, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në malin “Kalihore” pranë fshatit Vrinë Sarandë, janë gjetur të kultivuara rreth 330 rrënjë bimë narkotike.

I gjendet kokainë në ambientet e lokalit, arrestohet në flagrancë pronari Behar Fjolla

Posted: 14 Aug 2016 05:57 AM PDT

DURRËS – Pronari i një lokali në Durrës ka përfunduar në pranga, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia për rritjen e sigurisë së qytetarëve i janë gjetur dhe sekuestruar disa doza lëndë narkotike, të dyshuara si kokainë. Bëhet fjalë për shtetasin Behar Fjolla, banues në Tiranë. 28-vjeçari është person me precedentë penalë të mëparshëm (i proceduar për veprën penale të përshtatjes së lokaleve për përdorim të lëndëve narkotike). Ndërkohë, mësohet se efektivët e Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë, Durrës në bashkëpunim me punonjësit e Drejtorisë Vendore të Tatimeve dhe Inspektoratin e Shëndetit Publik, mbrëmjen e së premtes deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë vijuar zbatimin e planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale. Në bazë të këtij plani masash janë ushtruar kontrolle në akset rrugore kryesore dhe dytësore, në lokale të ndryshme dhe kryesisht në lokalet e natës, tallava. Kjo, me qëllim ndëshkimin e shkelësve të ligjit, sekuestrimin e sendeve të paligjshme, armëmbajtje pa leje, drogë, kapjen e personave në kërkim dhe me precedentë penalë dhe ushtrimin e aktivitetit ekonomik në respektim të dispozitave ligjore. Burime nga policia e qytetit bregdetar pohuan është ushtruar kontroll në 6 lokale nate, ndaj të cilave u mor masa e gjobës për shkelje të ligjit antiduhan në ambientet e brendshme. Ndërsa janë shoqëruar 14 shtetas për verifikim, ku 6 prej tyre balerina. Sipas bluve, njëra prej shtetaseve femra të shoqëruara gjatë verifikimeve rezultoi se ishte e shpallur në kërkim, pasi ishte larguar nga banesa, konkretisht shtetësia B.M., 18 vjeçe, banuese në Tiranë. Për veprime të mëtejshme iu dorëzua efektivëve të Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë. Ndërkaq, burimet e mësipërme deklaruan se kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, përgjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, duke vënë para përgjegjësisë ligjore çdo shkelës të ligjit. kl.ha.

Related Posts :