Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Ndikimi i kremit të plazhit në trupin tuaj” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Ndikimi i kremit të plazhit në trupin tuaj” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Ndikimi i kremit të plazhit në trupin tuaj

Posted: 16 Aug 2016 07:06 AM PDT

Dermatologët vazhdimisht japin këshilla të ndryshme për kremin mbrojtës që duhet të përdorur për t'u mbrojtur nga rrezet e diellit. Ata shpesh theksojnë se një krem me SPF të lartë duhet të përdoret çdo ditë në fytyrë, në mënyrë që lëkura të jetë gjithmonë e mbrojtur. Por, të shumta janë rekomandimet edhe për llojin e SPF-së. SPF (Sun Protection Factor) është faktori mbrojtës kundër diellit. Gjatë stinës së verës, kur ekspozimi në diell është edhe më i gjatë, dermatologët rekomandojnë një krem mbrojtës me të paktën SPF 30. Teknikisht, kjo do të thotë se kremi me SPF 30 ose edhe me faktor më të lartë, nuk të lejon të digjesh, as ta dëmtosh lëkurën nga dielli. Sipas specialistëve, SPF 30 bllokon rrezet e diellit deri në masën 97%. Duke përdorur një SPF të lartë, që siguron mbrojtjen mbi 90%, atëherë nuk është problem për lëkurën dhe shfaqjet e sëmundjeve të saj që mund të lindin nga ekspozimi i tepërt në diell. Por, nga Akademia e Dermatologjisë Amerikane, dermatologët këshillojnë se kremi i diellit gjatë verës duhet përsëritur të paktën në çdo dy orë, në mënyrë që efekti të jetë optimal. Një krem me SPF 30 bllokon rrezet e dëmshme, por sigurohuni që ta riaplikoni çdo 2 orë për t'u ndier gjithmonë të mbrojtur.

Antibiotikët natyralë dhe efektet në trupin tuaj

Posted: 16 Aug 2016 07:06 AM PDT

Terapitë me antibiotikë janë trajtimi që përdoret për kurimin e infeksioneve. Por ato mund të çojnë
në alergji ushqimore, apo çrregullime të ndryshme të zorrëve. Prandaj, për të shmangur efektet e tyre negative, mund të provoni disa nga antibiotikët e ofruara nga natyra, të cilat në mënyrë efikase trajtojnë këto probleme dhe nuk i shkaktojnë dëme të tjera trupit.
Uthulla e mollës: Përmban acid malik, i cili lufton viruset dhe bakteret. Ajo shkatërron mikrobet që irritojnë fytin dhe thith toksina dhe mikrobet nga indet përreth.
Hudhra: Kjo perime e fuqishme është një antibiotik i shkëlqyer, por nuk ndikon në shkatërrimin e baktereve të shëndetshme. Ajo ka veti antifungale, antivirale dhe vepron si antiparazitare. Përdorimi i saj i rregullt, madje edhe në sasi të vogla, në mënyrë efektive trajton çështje të ndryshme shëndetësore, duke përfshirë infeksionet kronike sinus, diarre kronike, herpesin gjenital, tensionin e lartë të gjakut, diabetin, impotencën, nivelet e larta të kolesterolit, alergjinë, dhimbjet e dhëmbit, të ftohtin, gripin, sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin.
Xhenxhefili: Është përdorur tradicionalisht si një ilaç i fuqishëm kundër gripit dhe ftohjeve. Konsumi i tij ngre temperaturën e trupit dhe çon në djersitje. Kur djersijmë, trupi ynë lëshon një kimikat, i cili shkatërron mikrobet.
Qepët: Kanë veti të ngjashme si hudhra dhe konsumi i tyre zbut dhimbjen, nxit qarkullimin e gjakut dhe ul inflamacionin.

Pushimet familjare të Lorik Canës

Posted: 16 Aug 2016 07:05 AM PDT

Kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana i ka dedikuar disa ditë nga pushimet e kësaj vere edhe Shqipërisë. Në fillim Cana u pa në plazhet e jugut të vendit, ndërsa në “Instagram”-in e tij ka postuar një foto ku shihet me bashkëshorten. Por me sa duket Cana nuk ka lënë në shtëpi vogëlushin Bojken, të cilit megjithatë ia ka kursyer fotografimin. Në një cep të fotos shihet karroca e djalit, që plotëson kuadrin e një familjeje të lumtur. Me sa duket gushti do ta gjejë Canën në jug të vendit tonë, ku ka marrë me vete edhe bashkëshorten e tij italiane.

Adelina Berisha publikon këngën e re Këngëtarja kërkon sukses me të pasmet

Posted: 16 Aug 2016 07:04 AM PDT

Adelina Berisha ka ardhur ditën e djeshme me projektin e saj më të ri. Këngëtarja solli këngën “T’kom ik”, të realizuar me videoklip në bregdet. Por më shumë sesa kënga, ajo që vihet re në këtë klip janë të pasmet e Adelinës. Thuajse në të gjithë klipin, kamera fokusohet drejt fundshpinës së biondes kosovare. Edhe Adelina e ka kuptuar tashmë që më shumë sukses ka një trup seksi, sesa një këngë e bukur.

Provokon Iva Aliko fotot ‘hot’ të biondes seksi

Posted: 16 Aug 2016 07:04 AM PDT

Ajo është bërë e njohur më së shumti falë deklaratave të saj publike për një lidhje dashurie me një deputet të Kosovës, por edhe fotove të nxehta që poston në rrjetet sociale. Iva Aliko, e cila është mjaft aktive në publikimin e fotove të nxehta dhe provokuese, duket se do t’i surprizojë të gjithë me një album të ri fotografik, që sigurisht do të nxjerrë në pah format e saj bombastike. Këto janë fotot e para që ajo ka postuar në profilin e saj në “Instagram”. E kur flasim për Ivën, e dimë që foto ‘hot’ dhe sensuale na presim.

Luiza Gega: Të pretendosh medalje ari për Shqipërinë është shkallim elektoral

Posted: 16 Aug 2016 07:01 AM PDT

Enida Himaj
Luiza Gega ishte, pa dyshim, shpresa e Shqipërisë në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Rio. Vetëm pak kohë më parë ajo mori titullin e Nënkampiones së Evropës në Atletikë, ndaj dhe të gjithë shpresonim një tjetër sukses. Megjithatë nuk ndodhi kështu; Luiza u rendit e 16-ta, nga 18 sportistë që konkurronin në garën e 3.000 metrave me pengesa. E kontaktuar nga “Summer Pages”, atletja rrëfen se nuk është zhgënjyer nga ky rezultat dhe se ka marrë mbështetjen e të gjithë atyre që marrin vesh nga sporti. Mjaft e ashpër ka qenë edhe me ata që e kanë akuzuar se mashtronte për dëmtimin që ka pasur, duke thënë se atyre që iu dhimbset Shqipëria të merren me sport dhe jo me fjalë. E në fund nuk lë edhe njëherë pa përmendur vështirësitë e një atleteje në vendin tonë. Ndaj për Luizën, të pretendosh për medalje ari në Lojërat Olimpike është një absurditet…
Si ishte për Luizën pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, u zhgënjyet nga rezultati juaj?
Jo, s’jam zhgënjyer aspak, unë e tregova veten në Kampionatin Europian, por do të kem gara të tjera plot.
Mendoni se u zhgënjyen shqiptarët, kishin më shumë pritshmëri ndaj teje?
Disa besoj që po, janë zhgënjyer, por ka edhe nga ata që e kuptojnë sportin dhe që nuk janë zhgënjyer, përkundrazi.
Keni dëgjuar komente negative pas Rios, komplet ndryshe nga ato që morët kur fituat titulli nënkampione e Evropës?
Jo, nuk kam pasur komente negative, ndoshta tek-tuk nëpër portale nga njerëz që nuk dinë ç’është sporti, por kam pasur mbështetje të madhe, se unë nuk dola sot, kam vite që jam.
Të shumtë kanë qenë ata që janë shprehur se problemi juaj shëndetësor ka qenë i sajuar pasi e dinit që nuk do të kishit rezultate të mira; si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Vërtet ka dhe nga ata që thonë “sajim”. Dua t’u them vetëm këtë: Të bëjnë sport vetë, e meqë iu dhimbset Shqipëria, të mundohen ta nderojnë e jo të merren me llafe! Kisha kohë që e kisha deklaruar që kam dëmtim, që pas kthimit nga Kampionati Evropian. Futuni shihni intervistat e mia e të trajnerit dhe do ta kuptoni se çfarë quhet sajesë dhe e vërtetë.
Pasi e patë nga afër Olimpiadën, si mendoni, sa shanse kanë shqiptarët që të marrin medalje ari në të tilla kompeticione?
Medalje ari? Më parë publiku dhe mediat duhet të marrin informacion shumë më të gjerë mbi atletikën. Më pas të përpiqen të informojnë njerëzit mbi këtë sport, konkurrencën, vështirësinë në stërvitje, pasi nuk të duhet një dhomë, një pedane apo një tapet, të duhet stadium i hapur, i mbyllur, të duhen terrene në natyrë etj. Më pas jam e sigurt që vlerësimi për ne që bëjmë këtë sport do të jetë shumë më i madh. Të thuash medalje ari në një sport ku marrin pjesë 212 shtete, ku nga çdo aktivitet si ky 160 shtete nuk marrin asnjë medalje dhe vetëm 20 shtete në botë marrin medalje ari; shtete të gjitha që kanë investime miliarda euro në atletikë dhe të kërkosh nga ne sportistët që s’kemi pistë tartani e të kërkosh medalje ari është absurde, në momentin më të mirë, të mos themi shkallim elektoral. Gjithsesi mendoj që po të fillojë investim i fortë nga shteti që tani, ku të mos na mungojë asgjë dhe jo gjërat më minimale, them që mbas disa vitesh merret, medalja e arit apo e bronzit, nuk e di, por merret, sepse s’na mungon vullneti apo talenti, na mungojnë kushtet dhe vlerësimi.

A ia vodhi këngën Leonora Albëries?

Posted: 16 Aug 2016 07:00 AM PDT

Mbase melodia mund të ketë qenë frymëzuese për autorin, ose ndoshta janë të ngjashme vetëm për veshin. Nuk është hera e parë që këngëtares Leonora Jakupi i ndodh një gjë e tillë. Kujtojmë që vite më parë, ajo u akuzua për plagjiaturë, pasi kënga e saj “Këngë e pa kënduar”, me të cilën u paraqit në “Kënga Magjike 2011”, doli të jetë shumë e ngjashme (për të mos thënë gati e njëjtë), me këngën “Oro”, të këngëtares serbe Jelena Tomaseviç. Këtë herë ajo akuzohet se ka kopjuar nga kënga e koleges së saj, Albërie Hadërgjonaj, “Herët a vonë”, gjithsesi, deri më tani asnjë nga të dyja artistet nuk ka reaguar në lidhje me këtë lajm.

Maturantët, afati deri më 19 gusht për korrigjimet

Posted: 16 Aug 2016 06:59 AM PDT

Ermelinda Hoxhaj
Të gjithë kandidatët që janë bërë pjesë e Maturës Shtetërore, tashmë kanë të publikuar në Librin e Transparencës 6 elementet e vlerësimit. Në këto elemente vlerësimi përfshihen 5 notat e provimeve të maturës, si dhe nota mesatare e viteve të gjimnazit. Nëse kandidatët vërejnë ndonjë mangësi në këto të dhëna, ata kanë mundësinë që nëpërmjet Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive të bëjnë korrigjimin e këtyre elementeve. Afati i fundit që ata kanë për të bërë plotësimin e këtij formuari është deri ditën e premte, 19 gusht 2016. AKP-ja njofton se për çdo ndryshim që do të bëhet do të kërkohet dokument zyrtar nga drejtoria e shkollës. Në këtë libër janë pasqyruar rreth 27.672 maturantë të cilët janë bërë edhe pjesë e garës në universitet, pasi të listuara këta kandidatë kanë edhe 10 preferencat që kanë përzgjedhur. Sipas AKP-së, nuk përfshihen në Librin e Transparencës, maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në njërin prej pesë provimeve, pra janë vlerësuar me notën 4 (katër).
Formulari i Korrigjimeve
Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili maturant/kandidat mund të kontestojë me anë të Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tij në Librin e Transparencës. Sipas udhëzimit të AKP-së, për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga Drejtoritë e Shkollave dhe Drejtoritë Arsimore të rretheve (Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive e gjeni në tabelën bashkëngjitur). Sa i përket mënyrës së plotësimit të këtij formulari, AKP-ja sqaron më poshtë hapat se si do të procedojnë kandidatët që kanë kontestime të të dhënave të tyre. “Në pjesën e parë të formularit, është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë/komunën, shkollën dhe ID-në e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash në bazën e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: Emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare(me shifra dhe me shkrim). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës. Në seksionin “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi: P.sh., nëse kërkohet ndryshim tek emri, te rreshti “Emri” shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: p.sh., datëlindja dhe nota mesatare sipas VKM-së nr.407, datë 1.6.2016. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës”, përcaktohet në udhëzim. Po ashtu, këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga drejtori i DAR/ZA, që gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. “Ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në Librin e Transparencës për maturantë të ndryshëm. Pas plotësimit të tij nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar me firmë dhe vulë nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e DAR/ZA-ve, këto të fundit i përcjellin brenda ditës së premte, datë 19.08.2016, ora 14:00, dhe ndërkohë duhet t’i përcjellin dhe zyrtarisht në format letër. Hedhja e korrigjimeve në bazën e të dhënave në sistem bëhet nga specialistët e AKP-së”, sqarohet nga AKP-ja.

Artan Hoxha: Informatori im për hashashin u vra me plumb kokës

Posted: 16 Aug 2016 06:59 AM PDT

TIRANE- Gazetari i emisionit “Xhungël” në “News 24”, Artan Hoxha deklaroi dje se një nga personat që e ka informuar atë për parcelat e hashashit në investigimet e tij është gjetur i vrarë 2 muaj pas publikimit të skandalit. Teksa komentoi raportin e fundit të policisë italiane lidhur me drogën në Shqipëri, gazetari Hoxha tha se “informatori i tij për kanabisin është ekzekutuar me plumb pas koke”. Sipas Hoxhës, dy muaj pas një investigimi (fund shtatori 2015) që ai dhe stafi i tij ka bërë mbi parcelat e drogës në jug të vendit, ai është kërcënuar nga persona të ndryshëm të lidhur me drogën.
Por sipas tij, çështja nuk ka mbetur me kaq pasi vetëm dy muaj pas këtyre kërcënimeve, informatori i cili i ka vënë në dijeni për këto parcela, është rrëmbyer në orën 23.00 të mbrëmjes dhe është ekzekutuar me një plumb në kokë dhe trupi i tij është hedhur në anë të rrugës.
Vetë Hoxha tha se për më shumë detaje do flasë në shtator.
“..një nga informatorët që na ndihmoi të realizonim atë publikim u ekzekutua. Unë nuk e publikova emrin e tij, por 2 muaj pas investigimit, personi u rrëmbye në shtëpinë e tij dhe u vra me plumb pas koke, duke u hedhur më pas në rrugë. Në shtator do kemi një investigim të plotë edhe për atë rast ende i pazbardhur”, tha Hoxha.
DYSHIMET PER KRIMIN
Edhe pse Artan Hoxha tha se nuk do të jepte për momentin detaje se kush ishte informatori i vrarë, “Opinion.al” zbardhi se ai është shtetasi Jani Kollçinaku, ose ndryshe “Landi i Mirasit”, banues në Miras të Devollit. “Landi i Mirasit”, i njohur për lidhjet e tij me narkotrafikun u gjet i vrarë mëngjesin e 20 dhjetorit 2015 në krah të rrugës Korçë-Devoll shumë larg banesës së tij, i qëlluar me një plumb në kokë. Çka ngriti dyshimin te policia se viktima është rrëmbyer dhe më pas ekzekutuar disa kilometra larg banesës së tij.
INVESTIGIMI
I HOXHES
Në fakt, në muajin shtator 2015, menjëherë pas publikimit të parcelave të hashashit nga Artan Hoxha, vetë gazetari dhe operatori janë kërcënuar me një mesazh telefonik. Një mesazh kërcënues ka mbërritur në redaksinë e “News 24”, drejtuar gazetarëve të këtij televizioni. Mesazhi kërcënues mbërriti në një nga telefonat celularë të redaksisë dhe numri i takonte shtetit të Holandës. Ky kërcënim i drejtohej gazetarit Artan Hoxha dhe operatorit Ervin Daja, të cilët realizuan një reportazh në parcelat me hashash të pakorrur në Devoll. Në tekstin e mesazhit thuhej: ‘Për spektaklin që keni bërë me djersën dhe gjakun tonë do paguani me kokë. Çdo rrënjë dhe cent që na çuat dëm, do ta paguani. Faturën do ta paguajnë familjet dhe fëmijët tuaj. Do shihemi shumë shpejt, përshëndetje nga Holanda’. Mesazhi shkruhej nga numri 0031 615 538 xxx dhe për të redaksia njoftoi edhe policinë.

Si u vra në dhjetor 2015 “Landi i Mirasit”, i dyshuar për trafik droge

Posted: 16 Aug 2016 06:58 AM PDT

Një ditë dhjetori të vitit të kaluar u gjet i vrarë me plumb në kokë një 37-vjeçar nga Devolli, i cili ishte skeduar nga policia si trafikant i lëndëve narkotike. Trupi i pajetë i Jani Kollçinakut, i njohur ndryshe si “Landi i Mirasit”, u gjet në një kanal buzë rrugës Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Zëmblak. Kanë qenë banorët e zonës, ata të cilët sapo kanë parë kufomën, kanë sinjalizuar policinë. Fillimisht u dyshua se viktima mund të kishte humbur jetën në aksident rrugor, por pas kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi se Jani Kollçinaku, nga fshati Miras i Devollit, ishte vrarë. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se i “forti” i Devollit (person me precedentë penalë) është qëlluar për vdekje për larje hesapesh dhe konkretisht për prishje të pazareve të drogës. Hetuesit e çështjes pohuan se Kollçinaku njihej si person me precedentë të mëparshëm penalë dhe se ishte dënuar me 6 vite heqje lirie për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Gjithashtu, ai dyshohej edhe për vjedhje automjetesh, ndërsa kishte ndërruar shumë herë identitetin. Nisur nga ky fakt, policia dyshon se vrasja ka lidhje me aktivitetin e tij kriminal, blerjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike. Sipas banorëve të fshatit Miras në rrethin e Devollit, Kollçinaku ishte person problematik dhe se fshihej prej disa kohësh. Banorët deklaruan se disa kohë më parë në fshat kishin ardhur disa persona me dialekt verior, të cilët kërkonin 37-vjeçarin. “Landi merrte lëndën narkotike, por nuk paguante personat që siguronin mallin. Këtë e kishim kuptuar, pasi në banesën e tij shkonin persona të ndryshëm që e kërkonin dhe thoshin se nëse nuk i paguante, do ta pësonte keq”, thanë asokohe disa banorë të fshatit Miras. Sipas tyre, Jani Kollçinaku (i pamartuar) jetonte i vetëm në një vilë luksoze dhe të pajisur me kamera sigurie, për të shmangur ndonjë tentativë grabitjeje ose për t’u mbrojtur nga personat me të cilët ai ishte në konflikt për pazare droge. L. Xheladinaj

Related Posts :