Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Një model tjetër publicistike” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Një model tjetër publicistike” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Një model tjetër publicistike

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga ILIR SECI

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se
një nga mangësitë kryesore
të publicistikës shqiptare është
besueshmëria, një e metë e cila ka
ardhur si rrjedhojë e mungesës së objektivitetit të publicistëve shqiptarë, që janë marrë me zejen e shkrimtarisë.
Është për të ardhur keq që edhe sot në vitin 2016, ne shqiptarët, ende u referohemi studiuesve të huaj kur vjen puna për të mbyllur një diskutim apo një debat. Për të mbyllur një debat mjafton të sillet një citim nga një autor i huaj dhe me aq mbyllet argumentimi!
Arsyeja kryesore që shumica heshtin kur përmendet një autor i huaj është pikërisht objektiviteti, autori i huaj mendohet se nuk ka influenca brenda-shqiptare dhe për pasojë duhet besuar. Kjo nëmë, ky mallkim, na ka ndjekur dhe na ndjek me shekuj… dhe ka arsyen pse nuk duhen marrë për bazë publicistët shqiptarë?! Po ka, sepse në pjesën dërrmuese të tyre janë shumë subjektivë, nuk arrijnë të bëjnë distancimin objektiv të unit egocentrist nga ngjarja që kanë marrë përsipër të paraqesin, edhe pse i mungon sinqeriteti prej kompromentimit tyre në momentin e ngjarjes si konformizëm apo si shërbesë në anën e kundërt të asaj që duan të paraqiten sot apo nesër për atë që nuk ishin dje. Kjo është më e rëndë se konformizmi apo shërbimi tyre dje, pasi në kushte jo shtrënguese, sot falsifikojnë dhe manipulojnë historinë. Rrjedhimisht kjo ka sjellë zhvlerësimin e krejt asaj që është shkruar, duke e bërë të pavlefshme përpjekjen publicistike, duke e kthyer krejt mundin thjesht në shpërdorim letre dhe boje…
Janë të rralla veprat e shkruara nga publicistë shqiptarë, që të bëjnë t’u referohesh dhe t’i marrësh për bazë si analiza reale dhe t’i qëndrojnë kohës. Jo rrallë publicistë shqiptarë kur ribotojnë një vepër të botuar kohë më përpara, shënojnë në parathënie: “Autori e ka parë me vend të ndryshojë disa nga pikëpamjet e paraqitura në botimin e parë si rezultat i zhvillimeve të mëvonshme”! Kjo është e pafalshme! Historia nuk bëhet dhe zhbëhet sa herë na e kërkojnë interesat meskine, konformiste ideologjiko-politike, ajo ka shtratin e saj dhe duke u munduar ta manipulojmë, falsifikojmë atë sipas interesave të çastit dhe përfitimit të çastit. Në këtë vështrim nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se shqepim e qepim rrena historike, duke mos lënë një histori të besueshme dhe të përbashkët. Ky soj historianësh e publicistësh më mire të mos e kishin botuar fare që në herën e parë, pasi dy rrena nuk bëjnë një të vërtetë!
Pikërisht një praktikë e tillë ka sjellë këtë inflacionim publicistik tek ne! Ka sjellë zhvlerësimin e analizave! Këndvështruar nga një perspektivë e tillë botimi i veprave që sjellin tjera qasje, vepra të thukëta që bazohen në faktografi dhe sjellin dëshmi të pakundërshtueshme përbën një ngjarje publicistike! Është ngjarje kur një publicist shqiptar del nga rrjeta e konformizmit, nuk përfill klishetë politike dhe me guxim shqipton të vërtetën! Një vepër e tillë është vepra “Guri i fundit i dominosë” e publicistit Ilir Demalia…
Demalia shfaqet si zë në vitet ’90, pikërisht në kohën që është ngurtësuar në vetëdijen kolektive shqiptare si “Koha e ambasadave”, një zë mjaft i guximshëm që këlthiste në terrin e konformizmit shoqëror shqiptar jo vetëm në mesin e vitit ’90, por shumë më përpara. Ilir Demalia ishte një nga ata që hynë në ambasadën gjermane në atë korrik të vrullshëm të vitit 1990 dhe me të mbërritur në Gjermani, u bë një zë mjaft i fuqishëm që demaskonte regjimin e fundit stalinist në Evropë. Si student në atë kohë e kujtoj shumë mirë impaktin e tij që brenda oborrit ambasadës, ku sipas gjithë dokumentacioneve dhe rrëfimeve të njerëzve të Sigurimit, ai u bë njeriu më i urryer për regjimin me qëndrimin e tij politik në ambasadë kundër regjimit, gjë që konfirmohet dhe nga korrespondencat e ambasadorit gjerman Werner Daum.
Impakti intervistave të Ilir Demaliajt në radion “Zëri i Amerikës”, kur i riu i arratisur nga ferri komunist denonconte krimet e diktaturës dhe bënte thirrje për ndryshime demokratike me një gjuhë plot argumentim dhe artikuluar qartë duke sjellë fakte e të dhëna denoncuese me një kurajë që vinte nga formimi dhe bindjet e shtërezuara të një kohë të gjatë. Nga 5300 vetë që hynë në ambasada, intervistat e tij në VOA dhe jo vetëm, por edhe më pas, në mënyrë konsistente është marrë me ngjarjen e ambasadave dhe siç thotë vetë Demalia, me “Gurin e fundit të dominosë”, ai e mbylli misionin e tij për këtë ngjarje. Nuk ishte e lehtë për atë kohë të ishe kurajoz as jashtë Shqipërisë, sepse, dora e zgjatur e Sigurimit mund t’ia bënte gjëmën fare lehtë kujtdo, në çdo vend të Perëndimit siç e dimë nga plot shembuj të hidhur. Duhet vlerësuar guximi dhe kuraja e Ilir Demaliajt për dy arsye; e para sepse Iliri me intervistat dhe qëndrimet e tij u dha një pamje tjetër të strehuarve në ambasada, që u cilësuan nga regjimi dhe jo vetëm, por edhe nga elita intelektuale e kohës si huliganë, rrugaçë, antishqiptar! Demalia provoi të kundërtën duke artikuluar qartë krimet e regjimit komunist, mosbesimin në ndryshime të vërteta demokratike nga elita intelektuale e regjimit, siç provoi dhe po provon koha me tranzicionin e pafund postkomunist nga ajo elitë që po sundon skenën e politikës shqiptare prej 25 vitesh; e dyta, Ilir Demalia u bë zëdhënës duke mospërfillur as rreziqet për veten dhe kërcënimet! Nëpërmjet ambasadave u larguan me mijëra shqiptarë, por vetëm një numër i kufizuar patën kurajën që të denonconin publikisht sistemin stalinist, Demalia mbetet në kujtesën historike për intervistat e tij në VOA nga gushti 1990 deri më 21 shkurt 1990 ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha! Me të njëjtën kurajë intelektuale Ilir Demalia shkruan edhe këtë libër, zgjedh të flasë drejt, të shkruajë shqip atë çfarë ka ndodhur ato ditët e ngjarjeve që tronditën themelet e diktaturës me të egër të Evropës. Autori ka parasysh se bëhet fjalë për ngjarje epokale në të cilat ai, siç e thekson edhe vetë, pati fatin dhe u përfshi…
Shpërthimi ambasadave ishte një kthesë shoqërore e paparë në kthinën e harruar staliniste të Evropës edhe nga Perëndimi, një vend i harruar nga të gjithë, në ditët e fund qershorit dhe fillim korrikut 1990 realizon rebelimin e një thyerje të paimagjinueshme tabush, shqiptarët shpërthejnë ambasadat e huaja në Tiranë dhe kërkojnë strehim politik! Për herë të parë në historinë e saj shtetërore shqiptare, gazetat dhe televizionet botërore hapen me Shqipërinë me shpërthimin e ambasadave në Tiranë.
Progresioni shoqëror, që tek kombet e tjera gjatë historisë ka marrë epitetin e revolucionit, siç është rasti i Francës për shembull, ngriti krye edhe në kthinën e humbur e të harruar të Evropës. Imperativi për ndryshim të stanjacionit të brendshëm fillimisht ngjizet në ndryshimet e vetëdijes së individëve si pjesëtarë të shoqërisë dhe në funksion të kësaj ideje, Ilir Demalia veprën e fillon duke na sjellë kontekstin kohor kur nisën ngjarjet… Si filloi?!… Autori ndërton një parantezë social-politike duke sjellë një tablo të plotë të realitetit shqiptar të vitit 1990, vit kur shoqëria shqiptare, më e shtypura dhe e vuajtura në Evropën Lindore lëngonte nga shtypja staliniste! Shtypje që bëhej edhe më e padurueshme në erën e ndryshimeve të Lindjes Komuniste. Perestroika sovjetike kishte dështuar, KNERI (Këshilli i Ndihmave Ekonomike Reciproke), kishte falimentuar dhe Byrotë Politike të krejt Lindjes Socialiste e ndjenin që po u shkiste toka nën këmbë. Falimentimi i KNER praktikisht nënkuptonte rënien e komunizmit në Europën Lindore, sepse pa atë organizëm ekonomik nuk mbaheshin dot më ekonomitë e Lindjes, që vareshin nga KNER-i i krijuar si balancë komuniste-lindore e Tregut të Përbashkët Europian, TPE-së Perëndimore…
Prandaj, atë vit me nuhatjen e kësaj shprese në Shqipëri po bëheshin edhe më të padurueshme vuajtjet e cilitdo individ që ishte në gjendje të bënte një deduksion të thjeshtë logjik. Varfëri ekonomike e skajshme, mungesa të të gjithë artikujve bazë të jetesës, radhë të gjata dhe absurde për gjërat më elementare! Pse!? ‘Pse’-të që shtoheshin përditë duke rritur presionin… Shoqëria shqiptare i ngjante një vullkani që ziente nën koren e tokës dhe kërkonte shteg dalje… Zakonisht shpërthimet e tilla janë pozitive, sepse kërkojnë lirinë, prosperitetin dhe modernizimin e shoqërisë, ndryshe nga revolucionet komuniste që sollën çnjerëzimin, regresin, ndërhyrjen e dhunshme në natyrën njerëzore!
Korriku 1990 nuk ishte rrufe për së kthjellti në qiellin e realitetit Shqiptar! Për të mbërritur deri te korriku 1990 u desh një udhë e larë me gjak dhe Ilir Demalia e qëmton shumë qartë në vepër se si mbërriti puna deri aty tek ajo datë e paharrueshme… Qetësisht, duke lënë mënjanë çdo emocionalitet, autori sjell preludin e asaj date, ngjarjet e janarit 1990 në Shkodër. Sakrificës së shkodranëve antikomunistë Demalia u përkulet me plot respekt, pasi ai ishte hapi guximtar që u hodh drejt shndërrimeve në Shqipëri… Autori me kujdes ka ndjekur artikujt e shtypit të kohës nga janari 1990 deri në korrik 1990. Edhe pse artikujt e botuar asokohe dilnin në shtypin e kontrolluar nga diktatura, prapëseprapë në ato artikuj ndjehet sizmika e panikut që kishte kapur bllokmenët! Minjtë parandienin mbytjen e anijes! Vizitat e Nanë Terezës, Perez De Kuelarit, ardhjet e shtuara të emisarëve politikë perëndimorë po dëshmonin se në atë kohë drejtuesit e shtetit diktatorial ishin në panik dhe kërkonin shtegdalje. Mënyra si e ndërton rezymenë Demalia, nga përmbledhja e artikujve të shtypit të asaj kohe – vendosja e “gurëve të dominosë” – dëshmon qartë se PPSH-ja e asaj kohe nuk kishte as më të voglin vullnet për demokratizim të vendit!
Përkundrazi, Ramiz Alia i gjetur ngushtë në situatën e mbas falimentimit të KNER-it, me shumë djallëzi po kërkonte një shtegdalje nga kriza pa ndryshuar asgjë në kursin politik! Byroja Politike e dinte se mbas rënies së KNER-it duhej të trokisnin në Perëndim. Por, kreditë dhe ndihmat nga Perëndimi – jetike për shtetin në krizë – vinin me kushte: Ekonomi Tregu dhe Pluralizëm Politik!
Pikërisht këta muaj nga janari 1990 deri në korrik 1990 janë muajt ku Ramiz Alia luan një lojë politike, shumë të dëmshme për fatet e vendit, lojë që i kushtoi dhe po i kushton Shqipërisë: para Perëndimit shtirej si reformator që gjoja kishte vullnet për ndryshime e nga ana tjetër urdhëronte forcat ushtarake që të vrisnin këdo që tentonte të arratisej! Në libër autori rendit rastet tragjike kur djemtë dhe vajzat shqiptare vriteshin në kufi në vitin 1990, përmend rastet kur kufomat e tyre ekspozoheshin udhëve për të ngjallur terror! “Këto akte barbare – thekson Demalia, – tregonin se sa të sinqerta ishin përbetimet e ‘reformatorit’ Ramiz Alia. Ashtu siç e kishte thënë edhe vetë diktatori pasues i Enverit – “reformat do jenë sipas parimit tërhiq e mos këput”. Në hulumtimin që i ka bërë shtypit të asaj kohe dhe veprave të botuara nga personazhe të asaj kohe, Demalia në tavolinën e dominosë politike rendit gurët sipas rendit që shkojnë, roli dyfytyrësh i Ramiz Alisë që mban dopio-gjashtën, roli i lojtarëve tjerë që mbanin gurët dhe ndiqnin lojën, na shfaqen më vonë aty, në “pluralizmin” politik, saktësisht, ashtu si drejtoi lojën Ramiz Alia, të cilin shumë analistë sot mundohen ta paraqesin si “reformator”. Demalia në këtë libër me faktografinë që sjell e dëshmon të qartë këtë lojë të Byrosë në vitin 1990, ku gurët për fat të keq u renditën sipas planeve të Katovicës…
Në një kontekst të tillë social-historik ndodhin ngjarjet që njihen si “Ngjarjet e Ambasadave”. Regjimi i ngulfatun në krizë ekonomike u gjet i papërgatitur kur shqiptarët mësynë masivisht ambasadat! Rasti nuk ishte i paprecedent, siç e thekson edhe autori, në Lindje kishte ndodhur në Hungarinë e revoltës së 1956-ës, ndërsa në Tiranë kishte ndodhur me familjen Popaj nga Durrësi, të cilët kishin hyrë në ambasadën italiane në vitin 1985.
Me objektivitet, duke shmangur dozat e protagonizmit, autori shkruan si rrodhën ngjarjet! Vite mbas atyre ngjarjeve kane dalë shumë “Trima mbas Beteje e të Urtë mbas Kuvendi” dhe thonë se u shtynë nga kjo ose ajo arsye, por e vërteta është se futja në ambasada që i dha shkundëllimën më të fortë ngrehinës së diktaturës, ishte përgjigja e të pakënaqurve nga regjimi ndaj lojës “tërhiq e mos këput” të Ramiz Alisë. Futja në ambasada shërbeu si katalizator shoqëror që përshpejtoi proceset shndërruese dhe çorri maskën e regjimit që para Perëndimit luante kartën “Populli është me Partinë”. Burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që hynë në ato ambasada ishin nga të gjithë shtresat shoqërore, por e kishin të njëjtë urrejtjen ndaj regjimit. Demalia analizon këtë aspekt në libër pasi ambasada gjermane, ku u fut autori i librit, kishte numrin më të madh të njerëzve që kërkuan strehim. Demalia na jep një pasqyrim të plotë të përbërjes së asaj mase njerëzish, që për ditë dhe net me radhë ndenjën në këmbë në hapësirën e kufizuar të ambasadës. Janë përshkruar me mjaft mjeshtëri ndodhitë e atyre ditëve që Demalia i sjell para nesh si një tablo e gjallë, me një intensitet rrëfimi sikur i ka xhiruar një kamera, gjë që e bën lexuesin ta përjetojë realisht atë ngjarje. Demalia vë në lëvizje krejt natyrshëm dramatiken dhe groteskun të shkrirë deri në një absurd, ashtu siç dhe vetë absurd ishte jeta në regjimin më të egër komunist në Evropën Lindore. Libri i Ilir Demaliajt është një dëshmi që do i mbetet historisë jo vetëm për faktin që është shkruar nga një dëshmitar aktiv i atyre ngjarjeve, por edhe për faktin se është shkruar me objektivitet dhe një analizë sociale-politike të kohës me fakte të pakundërshtueshme duke na sjellë një model publicistike që mungon në traditën tonë, publicistikën objektive.

Hyrja e Kinës në konfliktin sirian

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: SHABAN MURATI

Ekuacioni gjeopolitik ndërkombëtar
në konfl iktin sirian mori
një element të ri të beftë dhe të
panjohur me vendimin e Kinës për
të dërguar këshilltarë ushtarakë dhe ndihma ushtarake për forcat e armatosura të regjimit të Asadit në Siri. Kjo lëvizje strategjike iu bë e njohur opinionit ndërkombëtar me njoftimin e agjencisë zyrtare kineze të lajmeve në 17 gusht për vizitën që zhvilloi në Damask drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ushtarak në Komisionin Qendror Ushtarak të Kinës, që është ndër mekanizmat më të rëndësishme të drejtimit të shtetit kinez. Kundëradmirali Guan Jufei, në krye të delegacionit ushtarak kinez, zhvilloi bisedime me ministrin e Mbrojtjes të Sirisë, në të cilat u vendos forcimi i bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve dhe dy ushtrive, pa dhënë shumë detaje për përmasat dhe cilësitë e këtij bashkëpunimi ushtarak.
Kina futet kështu zyrtarisht si palë dhe pjesëmarrëse në konfliktin e Sirisë, duke afishuar një zhvendosje të diplomacisë dhe të strategjisë së saj të deritanishme. Në planin politik dhe diplomatik, Kina e cila publikisht i është përmbajtur parimit se nuk ndërhyn në konfliktet e brendshme të shteteve të tjera, tani merr hapur anën e regjimit autokrat të Asadit, duke e ndihmuar ushtarakisht. Themi hapur, sepse në fakt Pekini që në fillimet e konfliktit në Siri në vitin 2011 ka përkrahur atë regjim dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB, bashkë me Rusinë, ka vënë veton për rezolutat e propozuara nga Perëndimi për dënimin e qeverisë së Asadit. Çka tërheq vëmendjen në vendimin e Kinës për të hyrë si lojtar në fushën e luftës civile siriane dhe si faktor në krizën dhe konfliktin sirian, janë dy elemente. Së pari, Kina po kapërcen kufijtë kombëtarë. Historikisht Kina ka ndjekur një politikë të jashtme dhe diplomaci të kujdesshme të ndenjes larg nga përfshirja në konfliktet lokale jashtë Azisë. Tani Kina ndërmerr hapin e parë të futjes në një konflikt të brendshëm të armatosur në një shtet shumë larg kufijve të saj, siç është konflikti në Siri. Elementi i dytë është përdorimi i fuqisë ushtarake si instrument i pranisë dhe i rolit të saj në Lindjen e Mesme. Në Siri po zhvillohet një luftë civile dhe Kina vendos të marrë anën e një pale, pra të regjimit satrap në fuqi dhe të dërgojë këshilltarët e saj ushtarakë dhe ndihmën e saj ushtarake në atë vend në mbështetje të një regjimi shtypës.
Po diskutohet shumë lidhur me motivet që e shtynë Pekinin të ndërmarrë një lëvizje të tillë strategjike, duke u futur zyrtarisht dhe ushtarakisht në konfliktin sirian. Një teori është se Kina e ndërmori këtë lëvizje si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit dhe politikës amerikane ndaj pretendimeve detare kineze. SHBA-të kanë kundërshtuar pretendimet e Kinës për monopolin e detit të Kinës Jugore dhe kanë përkrahur qëndrimet dhe të drejtat e shteteve të tjera të rajonit për hapësirat detare të atij deti. SHBA-të përkrahën edhe vendimin e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë në 12 korrik në favor të Filipineve në lidhje me çështjen e hapësirave detare të diskutueshme midis Kinës dhe Filipineve. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj politike të SHBA, Kina ndërmerr hapin e futjes në konfliktin sirian, duke marrë anën e regjimit të Asadit, që është kundërshtar i SHBA-ve dhe i Perëndimit. Një teori është se Kina vendosi të futet në konfliktin sirian për shkak të problematikës, që ka me popullsinë myslimane të krahinës së Sinkiangut, e cila i nënshtrohet një diskriminimi fetar dhe etnik. Në Siri, sipas të dhënave të mediave ndodhen mbi 200 luftëtarë kinezë nga Sinkiangu të "Lëvizjes Islamike të Turkestanit Lindor", që luftojnë në radhët e forcave kundërshtare të regjimit të Damaskut. Kina futet ushtarakisht në ndihmë të regjimit të Asadit për të mundësuar likuidimin e grupeve të luftëtarëve myslimanë nga Sinkiangu.
Në realitet lëvizja strategjike e Kinës për t'u përfshirë në konfliktin sirian është shumë më tepër dhe shumë më larg se sa motivet e shprehura më sipër. Në të vërtetë, ajo është një lëvizje gjeopolitike me synime afatgjata, në përputhje me aspiratat dhe ambiciet në rritje të Kinës si një fuqi globale. Kina ishte deri tani e vetmja anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, që nuk ishte përfshirë ushtarakisht në konfliktin sirian. Tani ajo u bë pjesë e kësaj përfshirjeje të fuqive të mëdha ushtarake në Siri. Konflikti sirian ka kohë që ka kapërcyer karakterin e një lufte civile të brendshme. Ai është shndërruar në një nga arenat më aktive të përplasjeve dhe intrigave gjeopolitike ndërkombëtare, që shtrihen në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Lojërat gjeopolitike në Lindjen e Mesme po marrin dimensione dhe komplikime të padeshifrueshme, të cilat gradualisht po lënë në plan të dytë edhe luftën kundër organizatës terroriste të ISIS-it, luftë e cila disa herë po përdoret për të kamufluar strategji të largëta dhe të nëndheshme të njërës apo tjetrës fuqi e madhe. Kina aspiron të jetë lojtar aktiv i skakierës gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe të luajë një rol më aktiv. Nxitjen për këtë mision të ri gjeopolitik kinez e dhanë me sa duket zhvillimet e reja lidhur me konfliktin sirian dhe me rajonin e Lindjes së Mesme.
Ka disa zhvillime interesante kohët e fundit në dinamikën e konfliktit sirian, të cilat dëshmojnë se është fjala jo thjesht dhe vetëm për të vendosur a do të ikë apo do të rrijë regjimi i Asadit. Prapaskenat diplomatike ndërkombëtare janë për objektiva shumë më të mëdha dhe kanë të bëjnë si me të ardhmen e Sirisë, me apo pa Asadin, ashtu edhe me lëvizjet dhe aleancat e grupimet e reja, politike, strategjike, fetare, etj., që po dalin në skenë në Lindjen e Mesme.
Së pari, është roli në rritje i Rusisë në Siri dhe në rajon. Rusia ka munguar atje deri në vitin 2014, por aktualisht ajo ka qenë në gjendje të bëhet partnere bisedimesh dypalëshe me SHBA-të për krizën siriane, të gjejë gjuhën me Turqinë pas grushtit të dështuar të shtetit atje, për një mekanizëm ruso-turk të zgjidhjes se çështjes siriane dhe të fitojë plasdarme ushtarake në Iran për ndërhyrjen ruse në Siri. Duke filluar nga çështja e armëve kimike siriane në vitin 2014 e deri tek ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e Rusisë dhe vendosja e forcave të saj në Siri në vjeshtën e vitit 2015, kemi një konfiguracion të ri strategjik, që dashje pa dashje, e evidenton Rusinë një lojtar kryesor të domosdoshëm të tryezës së ngushtë gjeopolitike ndërkombëtare, jo vetëm për Sirinë, por edhe për krejt Lindjen e Mesme.
Në 16 gusht Rusia arriti që të nisë nga territori i Iranit inkursionet e saj ushtarako-ajrore kundër objektivave antiqeveritare në Siri, duke sanksionuar të drejtën e përdorimit të bazës ushtarake të Hamadanit, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë në Iran, madje as në kohën e shahut, që të vihet në dispozicion të aviacionit të huaj ushtarak territori i vendit. Ministri i Mbrojtjes i Iranit deklaroi në një konferencë shtypi në 20 gusht se Teherani është gati t'i japë edhe një bazë të dytë Rusisë, nëse ajo e kërkon. Ky zhvillim i ri përbën një avantazh strategjik të Rusisë në Lindjen e Mesme, ndryshon ekuilibrin e forcave në planin ushtarak dhe natyrisht e komplikon situatën në rajon dhe më gjerë. Në një farë kuptimi, kjo i shtyn ujërat e zgjidhjes së krizës siriane në favor të regjimit të Damaskut, çka do të thotë se diplomacia e fuqive të mëdha dhe e shteteve të rajonit, të interesuara për konfliktin sirian, po bëjnë tratativa për situatat postkonflikt.
Përballë gjithë këtyre zhvillimeve të reja, edhe Kina me sa duket ka vendosur të nxitohet që të jetë edhe ajo në tryezën e diskutimeve diplomatike për dinamikat rajonale të postkonfliktit. Drejtimi i lëvizjes strategjike dhe ushtarake kineze në Siri shkon në drejtimin e koordinimit me aleatin e saj strategjik, Rusinë. Tërheq vëmendjen fakti që kundëradmirali kinez Guan Jufei, gjatë qëndrimit të tij në Damask zhvilloi bisedime me gjeneralin rus Sergej Çvarkov, i cili komandon qendrën e ndihmës ushtarake ruse në Siri. Bisedimet ushtarake kinezo-ruse në Damask janë disi të habitshme në planin protokollar dhe sinjalizojnë një koordinim ushtarak në terren midis dy fuqive të mëdha aziatike, rivale të SHBA-ve dhe të Perëndimit. Moska e ka pritur pozitivisht përfshirjen ushtarake të Kinës në përkrahje të regjimit të Damaskut, sepse përbën një zgjerim të grupit të shteteve, që mbështesin Asadin dhe u kundërvihen Perëndimit dhe forcave demokratike siriane. Kryetari i Komitetit të Dumës Ruse për mbrojtjen, admirali Vladimir Komojedov, në 19 gusht përshëndeti vendimin e Kinës për dërgimin e këshilltarëve ushtarakë dhe të ndihmës ushtarake në Siri. "Ushtarakët kinezë në Siri – deklaroi admirali rus – është hapi i parë drejt krijimit së bashku të një koalicioni ushtarako-politik, të dominuar nga vende që nuk janë bashkuar me NATO-n agresive. Ka ardhur koha që Rusia, Kina, Irani dhe India të krijojnë një koalicion antiterrorist. Këto vende kanë interesa të përbashkëta në Lindjen e Mesme".
Hyrja e Kinës në konfliktin sirian në mbështetje të regjimit antipopullor të Asadit e komplikon më shumë si konfliktin, ashtu edhe planimetrinë strategjike të rajonit. Ajo sjell një provë të re se Kina po braktis parimet e saj të shpallura të politikës së jashtme të asnjanësisë dhe të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve dhe të popujve të tjerë dhe po ndjek rrugën klasike imperiale për të dëshmuar fuqinë globale nëpërmjet ndërhyrjes në konfliktet e rajonet e largëta të botës. Kjo lëvizje e re strategjike dhe gjeopolitike e Kinës në Siri dhe në Lindjen e Mesme duhet të tërheqë vëmendjen e diplomacive dhe të qeverive të rajoneve të tjera, ku është konkretizuar një ambicie gjeopolitike kineze, siç është Ballkani dhe Europa Qendrore. Programi ekonomik kinez i quajtur "16 plus një" dhe që përfshin investimet e Kinës në 16 shtete ish-komuniste të Europës Qendrore dhe të Ballkanit nuk është as aq ekonomik dhe as aq humanitar sa ç'mendojnë disa burokratë të diplomacive ish-komuniste. Kina po lëviz me ritme më të shpejtuara dhe me hapa konkrete drejt ambicies së saj si fuqi e madhe globale në të gjitha rajonet e botës, nga Lindja e Mesme e deri në Ballkan.

“WUS” ofron 50 bursa nga 250 euro për studentët shqiptarë

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj

Pesëdhjetë të rinj shqiptarë që janë në fazën përfundimtare të studimeve në universitetet shtetërore do të kenë mundësi të përfitojnë bursa me vlerë 250 euro në muaj për një periudhë 6-mujore. Kjo falë projektit të University World Service (WUS), i cili veç bursës, do t’u ofrojë këtyre studentëve trajnime për aplikim për punë si dhe për të filluar një biznes të ri (trajnime individuale dhe në grupe). Nëpërmjet një interviste për “GSH”, Eda Terezi, Koordinatore e Projektit për Shqipërinë, ka sqaruar detajet dhe kriteret që duhet të plotësojnë studentët për të aplikuar. Afati i fundit i aplikimit është data 15 shtator 2016. Veç formuarit të aplikimit, të cilin e keni bashkëngjitur shkrimit, sipas Terezit përzgjedhja e studentëve do vendoset nga një intervistë përfundimtare. Ndërkohë që, sa u përket profileve dhe degëve të studimit, ato nuk kanë rëndësi, pasi do pranohen studentë nga çdo lloj fushe studimi. Veç bursës prej 1.500 eurosh në total, për 6 muaj, për këta studentë do ketë edhe shans për punësim në kompanitë aktive gjermane në vendin tonë. “Ne po punojmë me sipërmarrjet gjermane që janë aktive në Shqipëri, për t’u krijuar mundësinë studentëve të përzgjedhur të bëjnë praktikat pranë këtyre firmave”, theksoi koordinatorja e projektit, Eda Terezi. Ky projekt do të realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Ekonomisë, Energjisë, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal të Hessen-it.
Zonja Terezi, si koordinatore e projektit “World University Service” (WUS) në Shqipëri, mund të na jepni ndonjë detaj të projektit që po startoni në mbështetje të studentëve? Cilat janë kriteret që studentët të bëhen pjesë e këtij projekti?
Së pari dua të them diçka për vetë “World University Service”, të Wiesbandenit në Gjermani, që do të thotë një histori suksesi të tij nëpër botë. “WUS” u themelua me 1920-ën si një “Mbështetje për Studentët Europianë”, pra si një organizatë e anëtarëve të universitetit për të mbështetur njerëzit që punojnë në arsimin e lartë, mësimdhënie dhe të nxënit. “Wold University Service” është një organizatë ndërkombëtare e studentëve dhe mësuesve në sektorin e arsimit dhe është e angazhuar për të drejtat e njeriut për arsimim dhe krijimin e strukturave të veta sociale dhe politike. “WUS” është aktiv në mbi 50 vende të botës. Motoja e tij është: “Kush ka një ide të mirë, duhet gjithashtu ta zbatojë atë”. Këto bursa u adresohen studentëve në fazën përfundimtare të studimeve të tyre, të sapodiplomuarve (tashmë kanë përfunduar studimet) dhe studenteve që do të përfundojnë studimet në vitin 2018. Preferohen aplikante dhe aplikantë me të ardhura të pakta familjare dhe rezultate të mira akademike.
Sa është numri i bursave dhe niveli i pagesës që do ofrohet për studentët fitues?
Numri i bursave që do të jepen për studentët e universiteteve shtetërore shqiptare është 50. Studentët e përzgjedhur do të përfitojnë një mbështetje financiare 6-mujore në vlerën prej 250 eurosh në muaj.
Kur thoni se do favorizohen studentët me të ardhura të pakta familjare, çfarë nënkuptohet? Si do e verifikoni këtë gjë?
Familje me të ardhura të pakta janë ato familje që nuk kanë mundësi financiare për të vazhduar më tej me edukimin e fëmijëve të tyre. P.sh., një familje me 4 anëtarë, ku njëri nga prindërit është pa punë konsiderohet familje e tillë. Në pyetësorin e hartuar nga ana jonë ka disa pyetje përmes së cilave ne do të kuptojmë gjendjen financiare të secilit student. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se për studentët do të ketë edhe një intervistë përfundimtare që do të vendosë përzgjedhjen e tyre.
A ka nivel të përcaktuar të notës mesatare për studentët që duan të aplikojnë, apo ndonjë fushë studimi që preferohet?
Ju e dini pak a shumë se çfarë do të thotë notë e mirë, ndoshta mbi 8. Për sa u takon degëve, nuk ka asnjë kufizim. Çdo student i universitetit shtetëror, i çfarëdo dege qoftë, që mendon se plotëson kushtet e mësipërme, ka të drejtë të aplikojë për këtë lloj burse.
Po kriter gjinor, a ka?
Ne kemi vendosur një kriter gjinor duke barazuar studentet femra me ata meshkuj. Pra do të zgjidhen 25 me 25.
Ku do konsistojë trajnimi që stafi i “WUS” do zhvillojë me 50 studentët që do të përzgjidhen?
Trajnimi do të përbëhet nga: një seminar gjatë periudhës së kualifikimit, i cili do të përmbajë, orientimin profesional, një plan për krijimin e karrierës si dhe trajnimin e aftësive kyçe. Trajnim Aplikimi, i cili përfshin aplikimin me shkrim, kërkesë për punë dhe kërkim për vend pune. Përgatitje për Fillimin e një Biznesi, që përfshin konsultimin fillestar dhe hartimin e planit udhërrëfyes. Plani vetë përfshin përcaktimin e qëllimit, strukturimin e projektit, planin e veprimit dhe llogaritjet e kostove si dhe menaxhimin në rast krize. Do të ketë edhe këshillime individuale apo në grupe, sipas rastit.
Veç bursës prej 1500 eurosh, do kenë dhe shans për t’u punësuar këta të rinj?
Ne po punojmë me sipërmarrjet gjermane që janë aktive në Shqipëri, për t’u krijuar mundësinë studentëve të përzgjedhur të bëjnë praktikat pranë këtyre firmave.
Kur është afati i fundit që studentët duhet të bëjnë aplikimin?
Afati i aplikimit është 15 shtatori 2016. Informacione të mëtejshme si dhe formularët e aplikimit, i gjeni në adresën www.surplace-albania.de, ose direkt nëpërmjet znj. Eda Terezi, Terezi@wusgermany.de – Koordinatore e Projektit për Shqipërinë.
Zonja Terezi, edhe diçka të fundit. Projekti i University World Service (WUS), do ketë vazhdimësi, pra do jetë një projekt që vazhdojë edhe vitet në vijim, apo vetëm këtë vit?
Mbështetja e Ministrisë së Ekonomisë të landit të Hessen-it është dhënë deri në mars/prill 2017. Nëse detyrat tona do të plotësohen me sukses dhe mbështetja e të rinjve në fillimet e tyre do të jetë e mirë, pritet që ministria të mbështesë vazhdimin e mëtejshëm edhe për një vit tjetër. Prandaj, ne shpresojmë shumë në aplikime interesante dhe njerëz të rinj të përkushtuar.

Brazili fitoi të artën, Nejmari dorëzoi shiritin e kapitenit

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Natë magjike, nga ato që
hyjnë në histori, ajo e mbrëmshmja në “Maracana”, ku më në fund ëndrra e përjetshme e Brazilit për një medalje të artë olimpike në futboll u bë realitet. Finalja kundër Gjermanisë ishte rasti ideal për të marrë hak për humbjen e turpshme 7-1 në Botërorin 2014 dhe hakmarrja është arritur, edhe pse me penallti. Ndeshja në 90 minuta përfundoi 1-1, ndërkohë që nuk pati gola as në shtesa. Nejmar shënoi një gol fenomenal me goditje dënimi në pjesën e parë, por Gjermania barazoi me meritë në minutën e 59-të me Maksimilan Majer, i cili i shënoi golin e parë Brazilit në këto Lojëra Olimpike. Më pas erdhi drama e penalltive, me gjithë stadiumin që dridhej nga emocionet dhe frika, ndërkohë që 4 penalltitë e para u shënuan nga secila skuadër. Më pas, portieri brazilian Ueverton priti penalltinë e gjuajtur nga Nils Peters dhe penalltinë vendimtare e shënoi pikërisht ai, Nejmar, i fishkëllyer para pak javësh, i adhuruar tani. Ylli i Barcelonës është krahasuar me Pelenë para pak vitesh, është bërë i urryer në Brazil kohët e fundit, por tashmë është kthyer në Olimp, si kapiten dhe lider i një skuadre, që ka bërë atë që nuk ka bërë kurrë më parë Brazili në histori.

Serbët nuk heqin dorë, sërish kore raciste ndaj shqiptarëve

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Jeton Selimi

14 tetori i dy viteve të sh
kuara nuk do të harrohet
lehtë, për të mos thënë se nuk do të harrohet kurrë! Do të mjaftojë gjithnjë një shkëndijë sado e vogël për të zgjuar në shpirtin e ekstremistëve dëshirën për hakmarrje, një dëshirë e mbushur me këngë gjakatare! Më 14 tetor Shqipëria do të luante në Beograd ndaj Serbisë ndeshjen më të ndjerë të ekzistencës së saj sportive. Në “Humska” të gjithë do të ishim dëshmitarë të një turpi me përmasa të frikshme. Një tifozëri vendëse e mbushur me urrejtje. Banderola “Kosova është Serbi” në çdo skaj, tre gishtat e “triadës së shenjtë” në çdo stol. Huliganë pa fund, 32 mijë persona të fryrë prej ditësh për të vjellë në fushën e blertë mllefin e politikës së tyre psikopateske. Më pas droni, ai që ndezi stadiumin dhe që e ktheu nga një gjoja fushë futbolli në një arenë luftimesh. Huliganë të maskuar si security dhe ultras me uniforma policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, goditën lojtarët tanë duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes së turpit në minutën e 43-të. Më pas të gjithë e mbani mend kalvarin e gjyqeve sportive me fundin e lumtur në KAS të Lozanës, ku Shqipërisë iu njoh e drejta e saj legjitime për dhunën kafshërore të një stadiumi të mbushur me urrejtje. Tani serbët nuk humbasin rastin të lumturohen e të festojnë sa herë që në mes është Shqipëria. Kështu ndodhi dhe me rastin e pasaportave të Labinot Ibrahimit dhe Ylber Ramadanit, dy shqiptarëve të Kosovës që luajnë me Partizanin. Përgjigjet negative të ambasadës ruse kënaqën mediat serbe. “Faleminderit vëllezër” do të shkruanin ato në refuzimin e radhës së Rusisë për të pajisur me pasaportë dy lojtarët e skuadrës së kuqe. E fundit ka ndodhur dje në orët e vona të natës. Serbia fitoi medaljen e artë olimpike në vaterpolo duke mposhtur Kroacinë në finale dhe kjo fitore ka bërë që Beogradi të digjet në flakë nga gëzimi i serbëve, që mbushën rrugët me flamuj në duar e duke kënduar me sa kishin në kokë “vrite kroatin që shqiptari të mbetet pa vëlla”. Kjo, por edhe fyerje të tjera janë dëgjuar gjatë gjithë natës në Beograd, ndërsa ka plot video të postuara nga tifozët serbë, që kanë shkaktuar dhe rrëmujë e aksidente të shumta në qytet, pasi kanë qenë nën efektin e alkoolit.

Tekstet shkollore, shitja në periudhën 25 gusht-12 shtator

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj

Viti i ri shkollor 2016-
2017 për sistemin e
arsimit parauniversitar në mbarë vendin do të nisë në 13 shtator 2016. Ndërkohë që, sa i përket shitjes së teksteve shkollore, pritet që të fillojë mesin e kësaj jave që nis, përkatësisht më 25 gusht. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, shitja e teksteve shkollore do të vijojë deri më datë 12 shtator dhe të gjithë librat duhet të kenë detyrimisht pullën dhe hologramën e MAS-it. Sa i përket strukturës së vitit të ri shkollor, e marta e 13 shtatorit është dita e parë e shkollës si për shkollat 9-vjeçare, edhe për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale. Ndërsa, përfundimi i shkollës do të jetë në qershor 2017, por në data të ndryshme.
Shitja e librave
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, datë 14.04.2016, përcaktohet se: “Përgjegjës për shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore janë botuesit dhe distributorët përkatës. Shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera pranë shkollave, nga subjekte të licencuara. Me kërkesën e botuesve apo distributorëve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të vënë në dispozicion falas një ose dy ambiente për shitjen e teksteve shkollore, për periudhën 25 gusht-12 shtator 2016. Tekstet që shiten duhet të kenë detyrimisht pullën dhe hologramën e MAS-it”. Po ashtu, në udhëzim saktësohet se ndalohet shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjës arsimorë, me përjashtim të teksteve për nxënësit e pakicave kombëtare. Ndërkohë që prindërit në ambientet e shkollave mund të gjejnë listën e teksteve që shkolla përkatëse do të përdorë për vitin e ri shkollor 2016-2017, ku të përcaktohet emri i botuesit/distributorit si dhe çmimi i shitjes së librit. Normalisht ky është një detyrim që drejtoritë e shkollave duhet ta kenë plotësuar duke nisur që në muajin qershor, kur dhe është bërë përzgjedhja e teksteve nga mësuesit e shkollave. Një tjetër pikë e udhëzimit të MAS-it është se: “Subjektet e licencuara për shitjen e teksteve shkollore në pikat e shitjes të hapura në ambientet pranë shkollave nuk lejohen të shesin tekste që nuk i përkasin katalogut”. Po ashtu, DAR/ZA-të kanë detyrim që, gjatë dy javëve që do të bëhet shitja e teksteve, duhet të raportojnë çdo ditë elektronikisht në MAS për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore. Katalogun e teksteve për vitin shkollor 2016-2017 mund ta gjeni në faqen zyrtare të MAS, www.arsimi.gov.al.
Viti shkollor
Për arsimin bazë, viti shkollor nis më 13 shtator 2016 dhe mbaron më 9 qershor 2017. Pushimet e para për nxënësit e arsimit bazë fillojnë më 24 dhjetor 2016 dhe mbarojnë në 3 janar 2017. Në strukturën e vitit të ri shkollor për arsimin bazë, MAS-i ka reduktuar ditët e pushimeve. Kështu, nëse vitet e mëparshme nxënësit në muajin prill kanë pasur 5 ditë pushimi, vitin e ri shkollor periudha e dytë e pushimeve nis në 31 mars 2017 dhe mbaron në 2 prill 2017. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare edhe këtë vit, provimet e lirimit do t’i zhvillojnë në periudhën 10-30 qershor 2017. Shkollat e mesme mësimin do ta fillojnë në 14 shtator, si pjesa tjetër, por viti shkollor për gjimnazet përfundon më vonë, në datën 16 qershor 2017. Vetëm maturantët vitin shkollor e nisin në 13 shtator dhe e mbarojnë në 31 maj 2017, pasi iu nisin provimet. Edhe për gjimnazet, pushimet e dimrit fillojnë në 24 dhjetor dhe mbarojnë më 3 janar 2016. Sa u përket provimeve të maturës, edhe vitin e ardhshëm shkollor maturantët do t’i zhvillojnë pesë provimet e saj gjatë muajit qershor. Në udhëzim është përcaktuar se provimet e maturës do zhvillohen në 1-30 qershor 2017.

SHBA-të “asfaltojnë” Serbinë për medaljen e 15-të olimpike në basketboll

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Tashmë janë 15 medal
jet e arta të fituara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Lojërat Olimpike në basketboll për meshkuj. Dream Team ‘shtypi’ Serbinë në finalen e Olimpiadës së Rios me rezultatin final 96-66, duke fituar medaljen e 4-rt të artë radhazi. Që amerikanët ishin superiorë ndaj serbëve në çdo drejtim kjo dihej nga të gjithë që përpara fillimit të ndeshjes, por meqë bëhej fjalë për një finale nuk pritej që diferencat të ishin kaq të mëdha. Ishte Kevin Durant lojtari i transferuar gjatë kësaj vere te Golden State Warriors frymëzuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 30 pikë realizoi në total 27-vjeçari nga Washington DC duke udhëhequr amerikanët drejt suksesit. Vetëm në periodën e parë rezistoi disi Serbia me skuadrën e Mike Krizizevskit, që kryesonte me vetëm 4 pikë avantazh në fund të 10-minutëshit të parë. Më pas dominimi i Dream Team ishte aq i madh saqë në fund të periodës tabela elektronike tregonte shifrat e frikshme 79-43 në favor të skuadrës amerikane. Nëse Durant shkëlqeu në sulm duke realizuar 30 pikë në vetëm 30 minuta lojë, poshtë tabelës si një mbret i vërtetë u shfaq DaMarcus Cousins që koleksioni plot 15 rebound ndërsa i ndihmoi të tijët edhe me 13 pikë. Te Serbia i vetmi basketbollist që spikati ishte Nemanja Nedovic me 14 pikë të realizuara në vetëm 16 minuta lojë. Totalisht në hije dy yjet e kombëtares ballkanase, Milos Teodosic dhe Miroslav Radujlica që realizuan respektivisht 9 dhe 7 pikë. Serbia u tregua krejtësisht e pasaktë nga goditjet përtej harkut duke realizuar vetëm 4 nga 24 gjuajtje për 3 pikë. Ishte një fitore e thjeshtë ajo e Shteteve të Bashkuara ndaj skuadrës së trajnerit Djordevic me amerikanët që dominuan në çdo drejtim duke fituar një tjetër medalje të Artë në Lojërat Olimpike. Në fund gjithçka u mbyll me basketbollistët e seleksionit amerikan që u ngjitën të gjithë njëherësh në podium në momentin e dorëzimit të medaljeve, për të treguar se Shtetet Bashkuara në basketbollin e meshkujve tashmë funksionojnë si një skuadër e bashkuar dhe nuk varen nga individi.

Dasma kthehet në tragjedi, 50 të vdekur nga sulmi në Turqi

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Sërish terror në Turqi.
Një shpërthim i fu
qishëm pranë ambienteve të një dasme në qytetin jugor të Turqisë, Gaziantep, ka shkaktuar të paktën 50 të vdekur dhe rreth 100 të plagosur, bëjnë me dije burime qeveritare. Qyteti Gaziantep ndodhet jo shumë larg Sirisë, vetëm 64 kilometra nga kufiri. Ngjarja ndodhi në atë pjesë të qytetit që popullohet më tepër nga studentë, citon “BBC”. Dhëndri ishte anëtar i një partie filokurde. Sipas informacioneve nga mediat turke, dhëndri dhe nusja janë plagosur, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi i fuqishëm shkatërroi plotësisht sallën ku po festohej martesa e çiftit. Gjithçka u shkatërrua, tavolina, karrige, gjithçka përfundoi në rrugë. Aty ambulanca mblodhi dhe trupat e pajetë, ndërsa u erdhi menjëherë në ndihmë të mbijetuarve. Presidenti Erdogan bëri me dije se kamikazi ishte vetëm një fëmijë. “Një kamikaz fëmijë, 12-14 vjeç”, – bëri me dije presidenti turk mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi gjatë një dasme në kufi me Sirinë, ku gjetën vdekjen 50 persona, ndërsa të plagosur mbetën rreth 100. Deri tani askush nuk e ka marrë përsipër organizimin e këtij akti. Sulmi ndodhi në një zonë shumë të populluar me studentë universiteti dhe u dëgjua edhe përtej qytetit. Sipas guvernatorit të qytetit, bëhet fjalë për një sulm terrorist. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i presidentit Tayp Erdogan. “Terroristët nuk do të fitojnë”, ka thënë ai. Zëvendëskryeministri Mehmet Simsek e quajti sulmin “barbar”, por tha: “Me vullnetin e Zotit, ne do e tejkalojmë këtë ngjarje”. Prokuroria ka bërë me dije se ka zbuluar mbetjet e një jeleku me eksploziv në zonën e shpërthimit. “Mbetjet e një jeleku me eksploziv u gjetën në vendin ku po zhvillohej martesa e shënjestruar nga një sulm ku mbetën të vrarë 50 persona dje në mbrëmje në qytetin turk Gaziantep pranë Sirisë”, njoftoi prokuroria. “Disa zyrtarë të prokurorisë kanë shkuar së bashku me policinë në vendngjarje për hetimin e këtij sulmi makabër ku kanë gjetur mbetjet e një jeleku me eksploziv”, deklaroi prokuroria, cituar nga media. Një sulm vetëvrasës në këtë qytet ka ndodhur edhe në muajin maj, duke vrarë dy policë. Pjesa jugore e Turqisë është goditur nga disa shpërthime vdekjeprurëse gjatë vitit të kaluar, përgjegjësinë për të cilat e kanë marrë herë militantët kurdë, herë ata të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Sulmet shpesh janë lidhur me zhvillimet në luftën e Sirisë. “CNN turk” thotë se bëhet fjalë për një sulm terrorist, ku dyshohet se një kamikaz ka hedhur veten në erë. Xhihadistët kohët e fundit kanë humbur terren në veri të Sirisë. Rebelët sirianë po përgatiten të avancojnë më shumë në provincën e mbajtur nga ISIS-i, Jarablus.

Artet, sot nis regjistrimi i kandidatëve

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj

Sot nis regjistrimi i kan
didatëve që dëshirojnë
të hyjnë në konkursin e pranimit në Universitetin e Arteve. Konkurset e pranimit te Artet do të zhvillohen për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë Bachelor, nga data 29 gusht deri më 3 shtator 2016, në ambientet e fakulteteve përkatëse. Sipas listave të dërguara nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, pranë Universitetit të Arteve janë regjistruar rreth 1.200 kandidatë, të cilët garojnë për 247 kuota pranimi. Emrat e kandidatëve i gjeni në listat bashkëngjitur shkrimit. Për të bërë regjistrimin, kandidatëve u duhet mjeti i identifikimit, fotokopja e diplomës së Maturës Shtetërore, së bashku me listën e notave, si dhe mandati i pagesës prej 5 mijë lekësh.
Regjistrimi
“Periudha e regjistrimit për konkurrim do të nisë nga ora 08:30 e datës 22 gusht 2016, deri në orën 16:00 të datës 28 gusht 2016. Regjistrimi i kandidatëve për konkurset e pranimit do të bëhet pranë sekretarive të fakulteteve të Muzikës, Artit Skenik dhe Arteve të Bukura. Tarifa e regjistrimit të kandidatëve për të konkurruar në një nga programet e studimit në fakultetet e UART është 5 mijë lekë, mbështetur në Vendimin e Senatit Akademik nr. 3, datë 14.07.2016, dhe do të arkëtohet nëpërmjet sistemit bankar ose në filialet e Postës Shqiptare, për llogari të Universitetit të Arteve”, njoftohet nga rektorati i Universitetit të Arteve. Konkurrentët, pasi të kenë verifikuar emrin në listat e shpallura në faqen zyrtare të universitetit, të cilat i keni të publikuara edhe në tabelat bashkëngjitur shkrimit, pajisen me mandat arkëtimi nga Drejtoria Ekonomike, pranë rektoratit, në bazë të të cilit bëjnë edhe pagesën në sistemin bankar ose zyrat e Postës Shqiptare.
Kriteret
Pranimet në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë Bachelor, me kohë të plotë, në Universitetin e Arteve, për vitin akademik 2016-2017, bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe rezultateve të fituara në konkursin e pranimit, të organizuara nga Fakulteti i Muzikës, Fakulteti i Artit Skenik dhe Fakulteti i Arteve të Bukura. Për kandidatët të cilët konkurrojnë për një nga programet e studimit të ciklit të parë Bachelor, me kohë të plotë, në Universitetin e Arteve, pikët llogariten sipas kësaj mënyre: Rezultatet e Maturës Shtetërore përbëjnë 30% të totalit të pikëve (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore); rezultatet e konkurseve të pranimit përbëjnë 70% të totalit të pikëve. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, në programin ku ka konkurruar, nuk fiton të drejtën e studimit. Mbështetur në Vendimin e Senatit Akademik nr. 3, datë 14.07.2016, pikët maksimale që mund të fitojë një kandidat në konkurrim për program studimi janë 140, pikët minimale janë 60 pikë. Në vendim përcaktohet se, ata që fitojnë nën këtë prag minimal pikësh, nuk fitojnë të drejtën e studimit.

Milani e nis me fitore, Interi, për faqe të zezë

Posted: 22 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Jeton Selimi

Karlos Baka mund
Torinon, ndihmuar
nga Donaruma: kështu mund të përmblidhet ndeshja hapëse e sezonit për Milanin plot halle. Me një merkato varfanjakësh dhe me paqartësi për të ardhmen e klubit, tifozët janë dorëzuar dhe në “San Siro” nuk ishin as shumë nga besnikët e mbetur nga sezoni i shkuar. Gjithsesi, Milani ka ende disa armë dhe kryesorja është Karlos Baka, ai që duhej të ikte këtë verë. Për fatin e Milanit, Baka refuzoi Uest Hemin dhe dje shënoi gjithë golat e fitores kuqezi. Pjesa e parë ishte e mirë për Milanin, me Niang e Baka që kuptohen shumë mirë dhe kolumbiani shënoi golin e parë sezonal. Sapo nisi pjesa e dytë, dolën në dritë problemet mbrojtëse të Milanit dhe Beloti shënoi, i lënë i lirë në zonë.
Baka riktheu Milanin shumë shpejt në avantazh dhe fitoi edhe një penallti që e shënoi, ndaj u duk se mbaroi. Në fund, makth për Milanin, sepse Bazeli shkurtoi dhe në minutën e 94-t Paleta bëri një gafë në zonë. Penallti e karton i kuq, por Donaruma u bë hero, duke pritur penalltinë e Belotit dhe duke i dhënë 3 pikët e para një Milani të dobët.
Valter Birsa, një futbollist normal, i cili në karrierën e vet ka pasur si sukses madhor një periudhë te Milani, por atje nuk është se luajti shumë. Pikërisht slloveni u bë sot “xhelati” që “vrau” debutimin e Frank de Burit në stolin e Interit. Një ndeshje perfekte e Kievos, që në pjesën e parë luajti shkëlqyeshëm faktikisht dhe nuk i la asnjë hapësirë Interit, ndërkohë që rrezikuan në fundin e pjesës së parë. Nëse kishte një skuadër që meritonte golin, ajo ishte Kievo dhe ashtu ndodhi, sepse Birsa në minutën e 49-të e pa veten të vetëm në zonë dhe nuk fali. Pritej reagimi i Interit, por nuk u pa gjëkundi, ndërsa në minutën e 81-të Birsa kompletoi kryeveprën, duke shënuar një gol fantastik nga distanca. Sezon i ri, Inter i vjetër!
Mund të kishte fituar, por gjithsesi edhe barazimi 2-2 është një sukses i madh për Peskarën. Skuadra debutuese ka ndalur Napolin në ndeshjen e parë të kampionatit, duke luajtur një ndeshje të madhe, që meritonte shpërblim më të madh. Ishte një derbi shqiptar, sepse Memushaj ishte titullar te Peskara dhe Hysaj te Napoli, ndërsa Rei Manaj e nisi nga stoli te Peskara. Pjesa e parë foli e tëra për Peskarën, që shënoi dy gola dhe luajti shumë shpejt, ndaj një Napoli që u befasua dhe ndoshta nuk është mësuar ende të luajë pa Higuainin. Megjithatë, në minutën e 60-të Napoli shkurtoi me të sapofuturin Mertens, i cili 3 minuta më vonë mori një kros nga Hysaj nga e djathta dhe nuk gaboi, duke barazuar. Ishte pikërisht momenti kur po futej Manaj në vend të Memushajt. Më pas, shumë sulme të Napolit, por asnjë gol, edhe pse në një episod arbitri akordoi penallti, por më pas ndërroi vendim, duke u konsultuar me anësorin.

Related Posts :