Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Rregullorja, ndërhyrjet që nuk kërkojnë leje ndërtimi” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Rregullorja, ndërhyrjet që nuk kërkojnë leje ndërtimi” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Rregullorja, ndërhyrjet që nuk kërkojnë leje ndërtimi

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj

Punimet që nuk kanë
nevojë për leje ndërti
mi në territorin e Shqipërisë janë punimet për mirëmbajtje të zakonshme: rifreskimi i lyerjes, suvasë, dyerve, zëvendësimi i hidro-sanitareve apo vendosja e tendave. Po ashtu, edhe disa punime të brendshme nuk kanë nevojë për t’u pajisur me leje ndërtimi nga pushteti vendor. Ndërsa të gjitha punimet e tjera e kanë të domosdoshme pajisjen me leje ndërtimi. Sipas rregullores së ndërtimit, edhe disa ndërhyrje bëhen vetëm me deklaratë paraprake për kryerjen e punimeve. Të interesuarit, në tabelën bashkëngjitur kanë të gjitha llojet e punimeve që bëhen pa u pajisur me leje, të cilat përfshihen në nenin 6 të rregullores së ndërtimit, dhe ato që kanë nevojë për deklaratë paraprake, të cilat përfshihen në nenin 7 të rregullores së ndërtimit. Po ashtu, prej datës 1 shtator 2016, pritet që kërkesat për leje ndërtimi por edhe deklarata paraprake për kryerjen e punimeve të bëhet online, në portalin “e-Albania”. Kjo gjë është bërë publike nga Ministria e Zhvillimit Urban, ku sqarohen edhe procedurat se si do të bëhet aplikimi për leje ndërtimi.
Punimet pa leje
Pa leje nga autoritetet vendore mund të kryhen vetëm ndërhyrje të mirëmbajtjes së zakonshme: rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese. Pa leje do të mund të bëhet edhe pastrimi i fasadave, riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave e vitrinave, edhe këto pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente. Po ashtu, edhe zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve dhe oxhakëve, riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse, vendosja e hekurave mbrojtës në dritare, vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave. Edhe disa punime të brendshme mund të kruhen pa leje ndërtimi: riparimi dhe rinovimi i dyshemeve; riparimi dhe restaurimi i suvasë, veshjeve dhe ngjyrave; riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, përfshirë vendosjen e xhamave të dyfishtë; veprat e riparimit dhe zëvendësimit të pajisjeve higjieno-sanitare dhe riparimet e impiantit. Pa leje ndërtimi, sipas nenit 6 të rregullores së ndërtimit, mund të bëhen edhe ndërhyrje në impiante higjieno-sanitare: siç janë veprat e riparimit dhe zëvendësimit të pajisjeve higjieno-sanitare dhe riparimet e impiantit. Punime të tjera pa leje janë edhe ato për eliminimin e barrierave arkitektonike dhe përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara.
Punimet me
deklaratë
Pa leje ndërtimi kryhen edhe disa punime të tjera për të cilat, fillimisht duhet të bëhet një deklaratë paraprake e fillimit të punimeve pranë autoritetit vendor, ose në sistemin online “e-Albania” duke filluar nga shtatori 2016. Në këto punime përfshihen: punime të jashtme, si: ndërhyrjet e mirëmbajtjes së zakonshme kur sjellin ndryshime të karakteristikave, formave dhe ngjyrave ekzistuese; vendosja e shtresave për rritjen e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese. Në punime të brendshme, si: përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme; hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme; krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarëse (jombajtëse) të brendshme, i mjediseve për shërbime higjienike; realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes; struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele dhe që hiqen në çdo rast brenda një afati kohor maksimal 150-ditor etj. Të plota llojet e punimeve i keni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Zbulohet SMS-ja e policit të Ersekës, si lajmëroi kultivuesin për hashashin

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Xhensila Kodra

Një efektiv policie ësh
të shpallur në
kërkim, pasi akuzohet për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim të detyrës”. Sipas hetimeve të prokurorisë, Edvin Meko, oficeri i policisë së Komisariatit Kolonjë, rezulton të jetë kultivues i drejtpërdrejtë i lëndës narkotike, si edhe bashkëpunëtor me disa kultivues të tjerë në zonën e Ersekës, konkretisht në fshatin Qinam-Radovickë, të cilët janë identifikuar nga një hetim i Prokurorisë së Korçës, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest ne burg”. Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se 35-vjeçari Meko, nëpërmjet familjarëve të tij, ka mbjellë dhe kultivuar disa parcela me kanabis në disa zona malore të Ersekës. Pranë parcelave të familjarëve të tij kishin mbjellë lëndë narkotike edhe shtetasit Krenar dhe Mariglen Nuredini. Këtyre dy të fundit, efektivi i policisë u kishte dalë garant se do t’i njoftonte në rast se do të kishte operacione policore në atë zonë.
Operacionet
Në fund të muajit korrik, Prokuroria e Korçës siguron një informacion se në zonën ku operonin këta persona, ishin mbjellë sipërfaqe të mëdha me lëndë narkotike. Prokuroria e Korçës zhvilloi hetimet, në bazë të të cilave u krijuan dyshimet e provuara se punonjësi i policisë, Meko, bashkëpunonte me kultivuesit. Në mesin e gushtit, ndërkohë që prokuroria po zhvillonte hetimet e saj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme referon një informacion po për punonjësin Edvin Meko. Pasi u sigurua informacioni i nevojshëm, në bazë të urdhrit të prokurorisë, në datë 22 gusht të këtij viti u organizua operacioni për zbulimin dhe asgjësimin e parcelave në zonën, e cila ishte objekt i këtij hetimi të prokurorisë. Gjatë operacionit u faktuan dyshimet e krijuara nga ana e prokurorisë për kultivim lënde narkotike, pasi aty u zbuluan në total rreth 17.500 rrënjë kanabis sativa. Ndërkaq, burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se gjatë operacionit të 22 gushtit, Edvin Meko, i cili ishte edhe vetë në terren së bashku me forcat e tjera të policisë, ka njoftuar me SMS Mariglen Nuredinin, që ky i fundit të largohej menjëherë së bashku me “dhitë” nga vendi ku ishin parcelat dhe të zhdukte gjithçka që mund të provonte autorësinë e tyre në kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë operacionit kultivuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë vëzhguar në distancë veprimet e forcave të policisë që ndodheshin në vendngjarje më 22 gusht. Më tej, Prokuroria e Korçës vijoi hetimet për të identifikuar organizatorët dhe porositësit e lëndës narkotike. Ditën që u bë ndërhyrja, policia nuk arrestoi asnjë person. Ndërsa, mëngjesin e djeshëm, duke qenë se gjykata e Korçës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, u arrestuan 4 kultivues të disa parcelave me kanabis. Kështu, të arrestuarit janë Krenar dhe Mariglen Nuredini, Jorgo Kristali dhe Gramoz Beko. Sipas prokurorisë, këta dy të fundit dyshohet të jenë organizatorët dhe porositësit e lëndës narkotike të mbjellë në parcelat e të dyshuarve Nuredini. Ndërkaq, burimet e sipërpërmendura sqaruan më tej se janë duke hetuar edhe për persona të tjerë, të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në kultivimin e lëndës narkotike.

Përforcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, nxitje e përfitimit të përbashkët

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ambasadore e R.P. të Kinës, Jiang Yu

Samiti i 11-të i Liderëve të G20-s do të
mbahet në Hangzhou të Kinës, më 4
dhe 5 shtator 2016. Zhvillimi i kësaj ngjarjeje vërteton besimin e komunitetit ndërkombëtar për Kinën dhe dëshirën e sinqertë të Kinës për të dhënë kontributin e saj për komunitetin botëror.
Mekanizmi i Samitit të grupit të 20 vendeve u krijua në 2008-ën, një vit i vështirë, kur frynte fort stuhia e krizës financiare ndërkombëtare. Me qëllim nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, vendet përkatëse me përpjekje të përbashkëta krijuan këtë mekanizëm, i cili luan rolin kryesor në forumin e bashkëpunimit ekonomik në botë. Në thellimin e zhvillimit të globalizmit ekonomik, sukseset e vazhdueshmëria e G20-s vërtetojnë një gjë, që për të arritur realizimin e objektivit të zhvillimit të përbashkët përballë sfidave, vendet duhet të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
Në vitin 2016, ekonomisë botërore dhe tregtisë ndërkombëtare ende i mungon motori i fuqishëm – papunësia e lartë, zhvillimi i çekuilibruar mbeten hallkat më kryesore për shumë vende, prandaj fuqizimi i ekonomisë, dalja nga ndikimi i krizës financiare dhe realizimi i rritjes së re të ekonomisë botërore janë punët më urgjente për të bërë. Si një regjim i rëndësishëm ndërkombëtar për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim e tregjeve të reja, G20 luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik të gjithë globit dhe ka si mision luftën kundrejt krizës ekonomike, nxitjen e zhvillimit të ekonomisë botërore dhe përmirësimin e qeverisjes globale të ekonomisë.
Gjatë Samitit në Hangzhou do të sillen në diskutim çështjet më të dalluara, më të rëndësishme dhe më urgjente të fushës ekonomike që janë në qendër të vëmendjes së të gjithëve, në të njëjtën kohë, pritet të arrihen afro 30 rezultate kryesore, një numër më i madh në krahasim me të kaluarën. Këtë herë, do të jetë një takim më përfshirës dhe më përfaqësues, pasi numri i pjesëmarrësve të Grupit 20 dhe të vendeve në zhvillim do të jetë më i madh. Ne jemi të bindur që Samiti në Hangzhou do të ndriçojë drejtimin e rritjes ekonomike globale dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Vendet e botës do të frymëzohen nga ky takim për hartimin e planeve përkatëse për formimin e ekonomisë botërore që është bazuar në krijimtari, dinamikë, ndërlidhje dhe gjithëpërfshirje.
Ky vit është viti i parë i “planifikimit 5-vjeçar” të 13-të, gjithashtu viti pilot kur fillon rregullimi dhe transformimi i thellë i ekonomisë kineze. Deri më tani, ekonomia e Kinës mund të përshkruhet si një ekonomi me zhvillim të qëndrueshëm, në progres dhe që hera-herës përballet me vështirësi, të cilat nuk e kanë ngadalësuar rritjen e saj. Në gjysmëvitin e parë GDP-ja e Kinës është rritur 6.7%, janë krijuar më shumë 7.17 milionë vende pune, ndërsa të ardhurat mesatare të banorëve në qytete dhe fshatra janë rritur 6.5%. Treguesit kryesorë ekonomikë janë mbajtur në një hapësirë të arsyeshme, gjë që nënkupton përmirësimin e vazhdueshëm të ekonomisë. Duhet të kuptojmë se kjo arritje për një ekonomi mbi 10 trilionë dollarë nuk është aq e lehtë. Në të njëjtën kohë, kemi ende shumë vështirësi dhe probleme, përballë presionit të madh të rënies ekonomike, prodhimit të tepërt industrial, rrezikut të mundshëm financiar. Rruga e thellimit të reformës dhe ristrukturimit është me zigzage, dhe mund ta krahasojmë me vështirësinë e rritjes së një fëmije, si te shprehja ‘sikur një fëmijë të dorëzohej që me rrëzimin e parë, nuk do të kishte mësuar kurrë të ecte’. Po nëse hedhim në sy në zhvillimin afatgjatë të ekonomisë kineze, mund të nxjerrim një konkluzion pozitiv, sepse bazamenti i ekonomisë kineze është i fortë; ekonomia është elastike, ka potencial dhe është e lirë; baza dhe kushtet mbështetëse që sigurojnë rritjen e vazhdueshme të ekonomisë nuk kanë ndryshuar; prirja e përparimit dhe përmirësimit të strukturës ekonomike nuk ka ndryshuar, prandaj ekonomia e Kinës do të vazhdojë të ngrihet në mënyrë të balancuar. Ka shumë gjasa që Kina do të arrijë objektivin e saj të zhvillimit ekonomiko-shoqëror për këtë vit, si dhe të vazhdojë të luajë një rol dinamik në arenën ekonomike të botës.
Në kohën e tanishme, me iniciativën “Një brez, një rrugë” dhe “Bashkëpunimin 16+1”, edhe mbi bashkëpunimet konkrete mes Kinës e Shqipërisë po praktikohet koncepti i përfitimeve të përbashkëta. Të dyja palët kanë mundur të gjejnë pika të përbashkëta takimi të strategjive të zhvillimit të njëra-tjetrës, kështu që kanë hedhur hapa në periudhën e eksplorimit, zhvillimit dhe korrjes së bashkëpunimeve. Nga njëra anë tregtia dypalëshe është në vazhdim në rritje; nga ana tjetër, dy vendet kanë shënuar një rekord të ri në bashkëpunimin mbi projektet e mëdha. “China Everbright Group” ka investuar 87 milionë euro për blerjen e aksioneve të aeroportit “Nënë Tereza”, pritet të finalizohet procedura e dorëzimit, paralelisht projekte të tjera në fushën e infrastrukturës në bashkëpunim mes Pekinit dhe Tiranës po zhvillohen. Konkretizimi i këtyre projekteve do të ketë efektin e demonstrimit dhe do të hapë dyert për thellimin e bashkëpunimeve të tjera në fushën e energjisë, turizmit, bujqësisë dhe infrastrukturës.
Jemi të bindur që Samiti vjetor i G20-s në Hangzhou do të jetë një momenti kyç për nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore; ekonomia e Kinës do të lëshojë vazhdimisht sinjale pozitive, do të japë më shumë kontribut globalisht, do të çelen më shumë shanse të reja të bashkëpunimit ekonomik kino-shqiptar; të dy popujt do të shijojnë më shumë fryte të ëmbla të këtyre bashkëpunimeve.

Itali, bllokohet gomonia me 300 kg drogë, arrestohen dy drejtuesit nga Kavaja

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Një operacion i përbash
kët i Policisë Kufitare Shqiptare dhe Nuklit Detar të Guardia di Finanza ka bllokuar dhe sekuestruar një gomone 5 metra të gjatë, që transportonte rreth 300 kg marijuanë. Po ashtu, gjatë këtij operacioni janë arrestuar edhe dy shqiptarë, të cilët ishin duke drejtuar gomonen. Kështu, në pranga kanë përfunduar B.K., 46 vjeç, si dhe T.V., 36 vjeç, të dy lindur në Qerret, Kavajë. Me anë të një njoftimi zyrtar nga ana e Policisë së Shtetit u raportua se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Salla Operative e grupit Aereo Naval të Taranto ka marrë njoftim nga Patrulla e Përbashkët GdF dhe Delta, që një mjet po lëviz drejt brigjeve italiane. Helikopteri i GdF në orën 06:10 ka diktuar një gomone rreth 5 metra me dy persona në bord në një distancë 24 milje nga grykëderdhja e lumit Vjosa dhe ka konstatuar disa pako në të. Gomonia vinte nga brigjet shqiptare me shpejtësi 20 milje në orë. Mjeti lundrues i Guardia di Finanza BSO110 i Qendrës së GdF Vlorë, në bordin e të cilit ndodhej edhe efektiv i Delta Forcë Radhimë, Vlorë, si dhe një mjet lundrues i shpejtë i Repartit GdF të Puglia po mbështesnin veprimet e përbashkëta. Ndërkaq, dje rreth orës 11:00 gomonia e cila po ndiqej u bllokua dhe u ndalua nga pjesëmarrësit në këtë operacion. Në këtë gomone u gjetën 12 pako të dimensioneve të ndryshme me rreth 300 kg kanabis sativa. Gomonia u shoqërua për në portin e Brindisit. Gjatë këtij shërbimi, mjeti lundrues BSO110 me punonjësin e Policisë Shqiptare në bord, bëri kontrollin edhe të një motopeshkarexhe, e cila lundronte disa milje në distancë nga objektivi, ku rezultoi që në bordin e peshkarexhës nuk u gjendën materiale të dyshimta.

“Qeveria nuk e ka mendjen te qytetarët, por si të pasurohet vetë”

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Kreu i PD-së, Lulzim
Basha akuzoi dje nga Dibra kryeministrin Edi Rama se qeveria e tij po pasurohet me paratë e qytetarëve shqiptarë. Z.Basha u takua me banorë të fshatit Brezhdan, të cilët i bënë të ditur se 80% e bagëtive të fshatit të tyre janë prekur nga sëmundja. Ata thanë se, me gjithë shqetësimin e shprehur në instancat më të larta, për dy muaj askush nuk u erdhi në ndihmë, derisa sëmundja u përhap me shpejtësi. Gjithashtu banorët shprehën shqetësimin për mungesën e investimeve: “Asnjë metër rrugë nuk është shtruar në 3 vjet, edhe pse është fshati më i madh dhe fare pranë qytetit. Furnizimi me ujë është reduktuar në vetëm një orë gjithë ditën”. Zoti Basha theksoi se “qeveria nuk e ka mendjen te hallet e qytetarëve, por si të pasurohet vetë dhe klientët e tij”. “Këtë, – tha Basha, – e dëshmon dhe rasti i Sadri Abazit, që ka përfituar 4 herë më shumë se gjithë buxheti i bashkisë”. “Kemi shpresë se do e ndryshosh këtë fshat. Është fshati më i madh i Dibrës. Fshati me më shumë tradita në Dibër. Dhe sot shihe si është katandisur”, – u shpreh një banor. “12 milionë euro i ka marrë Sadri Abazi me një dorë. 4 herë më shumë se buxheti i Bashkisë së Dibrës. Por me këto para jo vetëm që mund t’ju vinte në ndihmë juve, mund të zëvendësoheshin lopët që janë prekur, mund të ndërtoheshin këto rrugë, mund të ndërtohej ujësjellësi, mund të merrnit subvencion për bujqësinë. Vetëm me diferencën e çmimit të asaj që ka marrë ai, dhe ofertës më të ulët, muaj për muaj mund të merrnin ndihmë ekonomike mbi 1 mijë familje" tha z.Basha.

Beqaj: Qeverisja jo e lehtë, reformat do ndërtojnë shtet

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Ministri i Shëndetësisë
Ilir Beqaj, shprehu dje besimin se reformat e qeverisë janë në shërbim të shtetndërtimit, duke i siguruar Shqipërisë që duam gjeneratës së re”. Si koordinator i programit të PS-së, Beqaj deklaroi dje gjatë Akademisë Politike të FRESH se “puna në qeveri s’është aspak e lehtë, por ekipi po jep maksimumin për të përmbushur premtimet e bëra në 2013-ën, si dhe po reflektohet për çka mund të bëhet më mirë”. Kurse deputetja socialiste Olta Xhaçka kërkon që në Partinë Socialiste, merita dhe talenti të përcaktojnë suksesin me besimin e barazisë së mundësive dhe trajtimin e barabartë për të gjithë pavarësisht gjinisë, fesë, racës etj. Sipas saj, shteti duhet të nxisë të aftin, ashtu siç duhet të mbrojë të dobëtin. Pas të rinjve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në Jalë tashmë janë vendosur të rinjtë e Partisë Socialiste. Në ditën e dytë të akademisë verore të FRESSH-it, deputetja socialiste Olta Xhaçka diskutoi me të rinjtë rreth debatit të brendshëm të zhvilluar muajt e fundit në Partinë Socialiste. Sipas Xhaçkës, PS-ja është e vetmja parti që ka debat të brendshëm, por në demokraci gjithçka vendoset me votë. 500 të rinjtë e Forumit Rinor Socialist do të qëndrojnë në Jalë deri në fund të këtij muaji, dhe pjesë e këtij organizimi do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Leksionin e ka mbajtur deputetja Olta Xhaçka, si përfaqësuese e fondacionit “Qemal Stafa”, bashkorganizator i kësaj akademie, ku foli për ideologjitë që udhëheqin partitë dhe procesin e politikëbërjes. Pyetjeve të të rinjve për debatin në Partinë Socialiste, deputetja Xhaçka iu përgjigj se PS-ja është e vetmja parti që zhvillon debat të brendshëm dhe konstruktiv për mënyrën si drejtohet, vendime dhe zhvillime të rëndësishme në Partinë Socialiste. “Demo-kracia është hegjemonia e shumicës, – u shpreh ajo, – dhe këto debate shuhen gjithnjë me votë”. Gjatë leksionit të saj ajo theksoi se kriza globale financiare që nisi me “Lehman Brothers” dhe gjunjëzoi disa nga ekonomitë më të fuqishme globale, vuri në diskutim shumë parime dhe dogma dhe risolli në vëmendje pyetjet shekullore mbi modelin më të mirë të organizimit të shoqërive dhe rolit të shtetit. Xhaçka, e cila është dhe kryetare e Forumit të Gruas Socialiste, theksoi se “vlerat dhe parimet e kohës sonë janë vlerat dhe parimet e demokracisë sociale, dhe ky është avantazhi i Partisë Socialiste dhe programit të saj qeverisës. Në Partinë Socialiste besojmë se merita dhe talenti duhet të përcaktojnë suksesin. Besojmë te barazia e mundësive dhe trajtimi i barabartë për të gjithë pavarësisht gjinisë, fesë, racës etj., besojmë te shteti i së drejtës dhe barazia sociale, besojmë se shteti që duam duhet të nxisë të aftin, ashtu siç duhet të mbrojë të dobëtin. Besojmë te solidariteti si një çështje e identitetit të përbashkët social apo kombëtar që e ka burimin te vlerat e përbashkëta”.

OSHEE, lista e 4.699 abonentëve me fatura aforfe

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ornela Manjani

Rreth 4.699 abonentë të
Operatorit të Shpërn
darjes së Energjisë Elektrike do të faturohen aforfe deri në fund të vitit. Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka miratuar listën me abonentët që do të faturohen aforfe dhe ka shtyrë afatin për pajisjen me sahate të këtyre abonentëve deri në fund të vitit për shkak se tensioni me të cilin furnizohen abonentët është 150 volt, dhe funksionimi i matësit është i pamundur. “Gazeta Shqiptare” publikon sot pjesën e tretë të listës, e cila do të vijojë nesër. Deri në vendosjen e matësve, abonentët familjarë që tarifohen aforfe në Tiranë, për periudhën e dimrit do të tarifohen 600 kilovatorë në muaj në qytet dhe 400 kilovatorë në fshat. Sipas përllogaritjeve, një abonent familjar i OSHEE-së, në Tiranë do të paguajë 6.840 lekë në muaj faturën e dritave (në vlerë është përfshirë edhe TVSH-ja), ndërsa një banor në fshatrat e kryeqytetit do të paguajë 4.560 lekë në muaj. Në qarkun e Durrësit, faturat aforfe variojnë nga 500 kilovatë në qytet, në 350 kilovatë në fshat.
Sahatet
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sapo ka përfunduar operacionin e vendosjes së matësve për të gjithë abonentët të cilët faturoheshin aforfe për muaj të tërë. Sipas detyrimit ligjor, përcaktuar nga ERE, dhe angazhimit të Ministrisë së Energjisë, OSHEE-ja ndërmori fushatën e instalimit të matësve te të gjithë abonentët, për periudhën janar-qershor 2016, të cilët ishin rreth 37 mijë. Në total duke filluar nga viti 2015, kur nisi dhe zbatimi i reformës në sektorin energjetik, deri në vitin 2016, janë instaluar rreth 71 mijë matës.
Abonentët
pa matës
Pavarësisht të gjitha masave të marra nga OSHEE-ja, me blerjen e të gjithë matësve, bazës materiale, me punonjës të angazhuar në terren me dy turne etj., instalimi i sahateve në disa zona të thella rurale malore ishte kompleks, i vështirë dhe kërkonte kohë. Bëhet fjalë për zona që duhen mbuluar ose me distancë prej 192 km kabllo/linjë e tensionit të ulët (TU), si Kelmendi, Dukagjini, malësitë e Librazhdit, Lezhës, apo dhe zona e Niklës. Në këto zona problem është niveli i tensionit, për të cilat OSHEE-ja ka gjetur dy zgjidhje për abonentët pa matës. Kështu, për zonën e Niklës do të investohet në nënstacionin në linjën e tensionit të mesëm, për të arritur parametrat e nevojshëm teknikë për instalimin e matësve. Për zonat e tjera, OSHEE-ja ka porositur matës specialë, që do të plotësojnë parametrat e nivelit të tensionit aktual.

Teza folklorike e pajtimit të serbëve me shqiptarët

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: SHABAN MURATI

Diplomacia serbe është tepër
e varfër në veprimin dhe në
konceptet e saj për përmirësimin
real të marrëdhënieve midis Serbisë
dhe Shqipërisë. Kjo dëshmohet nga përsëritja e dy-tri tezave kryesore konceptuale, të cilat kalojnë nga një qeveri serbe te tjetra dhe nuk kanë efekt real në marrëdhëniet midis dy shteteve. Një ndër to është edhe teza e pajtimit të serbëve me shqiptarët, të cilën me kujdes të lartë propagandistik e ka vendosur në platformën e tij publike të marrëdhënieve me Shqipërinë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. Në çdo prag takimesh në nivel të lartë midis dy shteteve apo në prag të samiteve rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuara nga shtetet e Bashkimit Europian, kryeministri serb parashtron tezën e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Kështu veproi edhe në 16 gusht, kur njoftoi solemnisht në prani të nënpresidentit amerikan se ai në vjeshtë do të takohej me Kryeministrin e Shqipërisë dhe do të ndërmerrte aksionin e madh diplomatik të pajtimit të serbëve me shqiptarët, madje shpalli edhe objektivin e madh "të arritjes së një marrëveshjeje midis serbëve dhe shqiptarëve".
Në planin teorik, Kryeministri i Serbisë dhe diplomacia serbe parashtrojnë një tezë dhe një koncept të gabuar mbi kuptimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis shteteve në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në marrëdhëniet ndërkombëtare pajtohen shtetet në fillim dhe pastaj popujt. Përvoja historike, qoftë europiane, qoftë ndërkombëtare, qoftë rajonale, provon se janë qeveritë dhe shtetet që pajtojnë popujt, dhe jo popujt që pajtojnë shtetet. Dhe, po të marrim shembullin më klasik të pajtimit ndërkombëtar në historinë moderne të Europës, që është ai midis Francës dhe Gjermanisë, është një pajtim që i vendosi themelet pajtimit midis dy qeverive dhe institucioneve shtetërore, dhe pastaj erdhi pajtimi midis popujve. Do të duhej Traktati i Elizesë i 22 janarit 1963, i nënshkruar nga burrat e mëdhenj të shtetit, si kancelari gjerman Konrad Adenaur dhe presidenti francez Sharl de Gol, që të shtrohej autostrada reale e pajtimit shtetëror, që do të përbënte një kthesë historike të miqësisë dhe të bashkëpunimit shtetëror franko-gjerman dhe të dy popujve dhe të hidhte themelin e fortë të një Europe stabël dhe paqësore.
Qeveria dhe diplomacia serbe ofrojnë të kundërtën. Ofrojnë një koncept marksist, sipas të cilit popujt drejtojnë shtetet, gjë që në fakt nuk është provuar në asnjë rast, qoftë edhe të vetëm, në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci miqësitë shkojnë nga lart-poshtë dhe jo nga poshtë-lart. Në gjithë historinë 1300-vjeçare të përplasjes strategjike, nacionale dhe gjeopolitike midis serbëve dhe shqiptarëve, e vetmja periudhë "miqësie" midis Serbisë dhe Shqipërisë, ka qenë ajo e viteve 1944-1948, kur Shqipëria komuniste ishte satelit i Serbisë komuniste. Mendimi im është se qeveria dhe diplomacia e Serbisë e njohin dhe e dinë praktikën e hekurt historike, sipas së cilës pajtimin e bëjnë qeveritë dhe shtetet, dhe pastaj vjen produkti i pajtimit të popujve përkatës. Thelbi i tezës shterpë serbe është që të devijojë detyrën e vendosjes së pajtimit real midis shtetit të Serbisë dhe dy shteteve shqiptare në rajon. Teza serbe e pajtimit të serbëve me shqiptarët në rajon, nuk ka efekt në vendosjen e një pajtimi shtetëror dhe bashkëpunimi të barabartë midis shtetit të Serbisë dhe dy shteteve shqiptare në rajon.
Për sa u raporteve midis Serbisë dhe Shqipërisë, teza e pajtimit të serbëve me shqiptarët shmang krijimin e marrëdhënieve shtetërore të barazisë dhe të respektit reciprok në planin shtetëror. Në planin letrar, pajtimi shqiptaro-serb tingëllon si metaforë e bukur, por Aleksandër Vuçiç, dy herë Kryeministër i Serbisë, nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje të rëndësishme dhe të parëndësishme dypalëshe me Shqipërinë. Ai premtoi në vitin 2014 se do të nënshkruante marrëveshjen e njohjes së diplomave me Shqipërinë dhe sot e kësaj dite nuk e ka mbajtur premtimin. Është një marrëveshje, që pala shqiptare ia ka paraqitur Serbisë që në vitin 2002. Serbia nuk lejon shtetasit e Shqipërisë dhe mjetet e transportit të Shqipërisë të hyjnë në territorin e saj nga Kosova. Serbia nuk lejon as tekstet shkollore të Shqipërisë me simbolet kombëtare dhe shtetërore tonat. Kjo mungesë gatishmërie bashkëpunimi dypalësh nuk mund të fshihet me slogane efemere të pajtimit historik midis serbëve dhe shqiptarëve. Gatishmëria shtetërore, qeveritare dhe diplomatike matet me vepra dhe me marrëveshje. Nuk matet me "party" dygjuhëshe të grupeve rinore, dhe as me salsiçet serbe, që mendjelehtët e Tiranës sjellin në panairet e librave, dhe as me hamburgerët me mish "serbo-shqiptar", që shiten në Prishtinë. Shteti nuk është folklor dhe as nuk duhet të lejojë që shtetet e tjera të bëjnë folklor me historinë, me të drejtat dhe me dinjitetin e kombit shqiptar.
Beogradi tenton ta joshë Tiranën, duke i dhuruar mandatin e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve në këtë spektakël virtual të pajtimit rajonal shqiptaro-serb. Dhe në shkëmbim të këtij mandati iluzor, Shqipërisë i kërkohet të harrojë që Kosova është shtet i pavarur, subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare, të cilin e kanë njohur 111 shtete të botës. Është një hile e vjetër diplomatike e Serbisë në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë, që nga viti 2000, për të imponuar pikëpamjen dhe qëndrimin se Shqipëria dhe Serbia duhet të përparojnë marrëdhëniet e tyre, pavarësisht se çfarë bën Serbia në Kosovë dhe çfarë bën Serbia me shqiptarët e Kosovës. Është një hile diplomatike, në kurthin e së cilës kanë rënë edhe disa drejtues të qeverive dhe të diplomacisë shqiptare, të cilët të kompleksuar nga ndjenja e inferioritetit ndaj Serbisë, kanë qenë të gatshëm t'i bëjnë lëshime strategjike asaj në dëm të çështjes kombëtare.
Janë dy elementë të rëndësishëm jetikë për t'u vënë në vëmendjen e përhershme të institucioneve të shtetit, të qeverisë dhe të diplomacisë shqiptare. Së pari, që Kosova është shtet i pavarur, me të drejta të plota si të gjitha shtetet e tjera të sistemit ndërkombëtar të shteteve. Serbia duhet ta njohë dhe pranojë këtë realitet politik në rajon dhe Shqipëria e ka për detyrë, në forma dhe në rrugë diplomatike dhe politike, të ushtrojë presion mbi Beogradin që të njohë Kosovën si shtet. Elementi i dytë është që Kosova përbën një shtet shqiptar, një entitet shtetëror pjesë e pandarë e çështjes sonë kombëtare, dhe është kusht sine qua non që avancimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë të kushtëzohet nga marrëdhëniet dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës. Pa njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, nuk mund të mendohet një bashkëpunim real midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Për sa u përket raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, teza serbe e pajtimit historik të shqiptarëve me serbët në rajon, përmban strategjinë e nulifikimit të statusit të Kosovës si shtet i pavarur. Në vend të marrëdhënieve shtet me shtet midis Serbisë dhe Kosovës, kryeministri serb i ofron Kosovës pjesëmarrje si shqiptarë në delegacionin e madh të pajtimit shqiptaro-serb. Është një qëndrim i rrezikshëm serb, i cili kërkon të zhbëjë pavarësinë e Kosovës, kërkon t'i rikthejë Kosovës statusin e kolonisë serbe. Kjo tezë përpiqet të fshijë përgjegjësinë e madhe historike të Serbisë për krimet, masakrat dhe spastrimin etnik që ka kryer në Kosovë. Nuk mund të klasifikohet ndryshe, veçse si cinizëm, qëndrimi i kryeministrit serb, i cili në vend që të kërkojë falje për agresionin dhe krimet e Serbisë në Kosovë, deklaroi në 16 gusht se "në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve shumë njerëz bënë një numër gabimesh". Përzierja e krimit me pafajësinë, e së keqes me të mirën, e agresorit me viktimën, shfaqet si një taktikë qeveritare dhe diplomatike për të përligjur masakrat dhe spastrimin etnik në Kosovë me termin "gabime". Mbi këtë platformë e kërkon pajtimin shqiptaro-serb Vuçiçi. Nuk mund të presësh tjetër nga kryeministri, i cili ka dalë nga manteli i Sllobodan Millosheviçit, dhe është kryetar i qeverisë, ku zëvendëskryeministri i parë e shpalli hero të Serbisë para pak ditësh kasapin e Ballkanit, Millosheviç, dhe propozoi që t'i ngrihej monument nga shteti. Vetëm kur Serbia të ndërmarrë dy hapat e mëdhenj, të detyrueshëm në çdo lloj pajtimi ndërkombëtar, që janë kërkesa e faljes për krimet në Kosovë dhe pagesa e reparacioneve për viktimat, dëmet dhe shkatërrimet e shkaktuara në Kosovë, ahere do të dëshmojë se vërtet dëshiron të hyjë në rrugën e pajtimit real midis Serbisë dhe Kosovës si shtete.
Teza e kryeministrit serb komprometon edhe bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, që zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Komprometon marrëveshjet e nënshkruara atje, dhe sidomos marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, ku Serbia është angazhuar se nuk do të pengojë integrimin e Kosovës në BE si anëtare, pra si shtet i pavarur. Duke e shndërruar raportin Serbi-Kosovë thjesht në një raport njerëzish dhe grupesh etnike, kryeministri serb i jep trajtën e marrëdhënieve ndërnacionale brenda shtetit serb, dhe fshin statusin e Kosovës si shtet i pavarur, dhe bashkë me të fshin detyrimin ndërkombëtar të Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.
Absurditeti diplomatik i tezës serbe shfaqet më hapur me propozimin e Vuçiçit për të arritur "një marrëveshje midis serbëve dhe shqiptarëve". Në gjithë historinë e njerëzimit, të shteteve dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëveshjet, qoftë edhe midis tribuve, janë arritur nga përfaqësitë e tyre dhe nuk kanë marrë pjesë në tratativa gjithë popujt përkatës. Kryeministri serb nuk e sqaroi nëse Serbia do të pranojë që shqiptarët e Luginës së Preshevës t'i përfaqësojnë Tirana dhe Prishtina. Nuk tha as se kush do t'i përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë apo se kush do t'i përfaqësojë shqiptarët e Malit të Zi, as se kush do t'i përfaqësojë në këtë grumbullim apo kuvend virtual serbo-shqiptar, shqiptarët që jetojnë në shtete të tjera ballkanike. Konfuzioni është total, dhe ky është edhe qëllimi i tezës serbe, që të krijojë konfuzion te shqiptarët dhe për shqiptarët. Janë pikëpamje tipike bizantino-ballkanike me etiketa populisto-marksiste, të cilat në mesin e verës përpiqen të fryjnë imazhin e Serbisë si shtet kryesor paqebërës në rajon. Është një populizëm ballkanik me një destinacion eksporti diplomatik për në Europë.
Teza serbe e pajtimit historik midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon është një tezë e vjetër, e përdorur që nga koha e kryeministrit Xhinxhiç, e kryeministrit Koshtunica, e presidentit Tadiç, dhe tani e kryeministrit Vuçiç. Është vazhdimësi konceptesh dhe ndërtimesh asimetrike të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë, ku shqiptarëve u jepet statusi i turmës dhe jo i shtetit. Është koncepti hierarkik, që është ngurosur në udhëheqjen serbe për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar. Nuk të habisin shumë qëndrimi dhe konceptet e qeverive dhe të diplomacisë serbe. Ajo që të habit, është se gjatë periudhës së tranzicionit ka pasur drejtues të qeverive dhe të diplomacisë shqiptare, të cilët e kanë përqafuar tezën serbe si një gjetje të madhe. A ka ardhur kjo nga infantiliteti, nga injoranca apo nga inspirime okulte, a ka ardhur nga ndikimi i atyre që një miku im publicist i njohur i quan "këshilltarë jugosllavë të Tiranës", kjo mbetet detyrë e historisë së diplomacisë shqiptare. Pajtimi real as nuk ka ndodhur dhe as mund të ndodhte në këtë formatim konceptual.
E përsërisim: në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci, pajtimin e realizojnë shtetet dhe qeveritë, dhe pastaj shkojnë efektet te popujt. Ringjallja e koncepteve marksiste rreth popujve, që drejtojnë qeveritë, është thjesht një përpjekje për të retushuar përmbajtjen e njëjtë antishqiptare të kursit të Beogradit ndaj Shqipërisë, ndaj Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar.

Nesim Kohen: Jeta ime

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Nga: Monika Shoshori Stafa

Turqit dhe bullgarët kanë
zënë një vend të veçantë në
historitë që kam lexuar për Greqinë, zakonisht kanë qenë armiq që në kohë të hershme, ndërsa hebrenjtë në përgjithësi kanë qenë pak ose aspak të përfshirë në historinë kryesore dhe shumë të rëndësishme të shfaqjes së Greqisë në skenën ndërkombëtare. Dhe nuk do të ishte e tepërt të thuhej se ata për shekuj me radhë kishin mbizotëruar në jetën e qyteteve greke si Janina dhe Selaniku. Në fund të vitit 1912, ata ishin grupi më i madh etnik dhe në sabath (e shtuna e hebrenjve) në porte ishte qetësi. Hebrenjtë ishin tregtarë të pasur; por një pjesë e madhe e tyre ishin portierë dhe punëtorë krahu, rrobaqepës, shitës ambulantë, peshkatarë etj. Sot gjurmët e vetme që dëshmojnë për epërsinë e tyre janë disa emra në tabelat e vjetruara të dyqaneve dhe me dhjetëra gurë varri me mbishkrime në hebraisht. Në këto qytete si kudo tjetër nazistët i dhanë fund të papritur jetës së hebrenjve. Por, kishte dhe shumë shekuj të tjerë kur ata kishin jetuar në qytetet si Janina dhe Selaniku në paqe dhe kur problemet e perspektivat e tyre kishin qenë të ndryshme. Hebrenjtë e Janinës ndaheshin në disa grupe kryesisht në romanjotë dhe sefaradi. Quheshin romanjotë ata, të cilët prejardhjen e tyre e kishin nga Roma e lashtë. Bëhet fjalë për kohën e Cezarit kur hebrenjtë transportoheshin si skllevër në Romë. Ndërsa sefardi ata të cilët vinin nga Gadishulli Iberik pas dëbimit të tyre nga Spanja. Janina dhe Selaniku ishin përcaktuar si dy qendra të njohura të mësimit të fesë hebreje, por trazirat e shkaktuara nga Mesia i Rremë gjatë shek. të XVII, Sabata Zevi dhe besimi i ndjekësve të tij edhe pas konvertimit të tij në fenë islame, formuan një pjesë të historisë tërheqëse nga më pak të njohurat në Europë. Të favorizuar nga sulltanët, hebrenjtë arritën të kontribuojnë fort në ndërtimin e këtyre dy qendrave të mëdha qytetare. Aty besimet dhe gjuhët përplaseshin e përziheshin nën një atmosferë devocioni të përbashkët dhe misticizmi mesianik. Por, jeta nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Shpeshherë nën presione të ndryshme politike dhe nacionaliste grupe të ndryshme hebrenjsh sefardi dhe romanjotësh të profesioneve të lira u larguan prej këtyre qyteteve për t’u vendosur pranë vendeve fqinje, si Turqia, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria. Në Shqipëri për shkak edhe të kulturës së butë të sjelljes që shqiptarët kishin me të huajin, prurjet e tyre ishin jo të vogla. Ata u vendosën kryesisht në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Vlorë e Berat. Aty u mirëpritën nga shqiptarët ndër shekuj dhe në heshtje filluan të ndërtonin jetën e tyre. Historiografia tradicionale shqiptare, në atë masë që është marrë me çështjen e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, i është përmbajtur një shpjegimi thuajse folklorik, që gjithçka ndodhi për shkak të mikpritjes shqiptare, besës dhe bujarisë. Kjo mënyrë të arsyetuari ka qenë krejtësisht e kufizuar. Virtyti shqiptar si cilësi popullore përballë një doktrine filozofike racore të përpunuar në mënyrë gati matematike, siç ishte doktrina hitleriane “Final Solution”, është i pamjaftueshëm. Nesim Kohen, një shqiptar hebre, paraardhësit e të cilit kanë ardhur në Shqipëri në fund të shek. 19-të nga Janina, tregon se të afërmit e tij ikën nga ai qytet për shkak të nuhatjes që kishin për të zhvilluar më tej tregtinë. Jozef Kohen, gjyshi i babait të tij së bashku më të vëllanë vendosën të qëndronin në Delvinë dhe të nisnin jetën e tyre deri në kohën e rënies së regjimit komunist.
* * *
Shumë hebrenj erdhën e u vendosën në Shqipëri ndër shekuj, por sidomos gjatë Perandorisë Osmane. Një prej tyre është dhe familja juaj. Si u gjend familja Kohen në Shqipëri pas largimit nga Janina dhe përse në Shqipëri, në një vend kaq të varfër?
N. Kohen: Më kujtohet kur babai më tregonte thoshte shpesh se arsyeja kryesore kur ata vendosnin të banonin në një qytet, gjëja e parë që mendonin ishte se çfarë biznesi mund të ngrinin mbi bazën e studimit fillimisht të vendit ku ata do të qëndronin dhe situatës sociale. Sipas tij, edhe shtëpia duhej ngritur afër biznesit, në mënyrë që çdo gjë të kontrollohej qartësisht. Po të shohësh foton e stërgjyshit, Josef Kohen, lart duket një shtëpi dhe poshtë gjenden dyqanet. Arsyet ishin vandalizmat, vjedhjet etj. Burrat e familjes shpjegonin se ishte mirë për biznes të zgjidhje qytete-porte. Arsyeja kryesore ishte lehtësimi i transportimit të mallrave me shumicë që kryhej me vapor, sepse në këtë mënyrë kjo gjë kushtonte më lirë. Kryesisht mallrat vinin nga Italia dhe ky vend ishte burimi kryesor për hebrenjtë e Shqipërisë dhe të Greqisë. Sipas babait, një tjetër arsye ishte edhe gjetja e një vendbanimi ku kishte një dendësi të madhe popullsie, që duket të jetë një tjetër faktor pozitiv për tregtinë.
Cilat janë familjet me një status të veçantë që ju mbani mend asokohe? Familjet e mëdha hebreje që mund të mbështesnin financiarisht ngjarje të mëdha politike, si lufta e Vlorës, pavarësia e Shqipërisë, etj.
N. Kohen: Familjet më të pasura në komunitetin e Vlorës ishin familjet e Rafael Jakoel, ajo e Pepe Levit dhe e Josef Kantozit, kjo e fundit ishte dhe një nga familjet më të vjetra në Vlorë. Sipas rrëfenjave të ndryshme, Josef Kantozi ishte shumë i pasur. Por, gjithashtu dhe një patriot i madh. Ai mbante gjatë periudhës së fillim shek. të 20-të, një funksion në polici. Pjesëtarë të familjes së tij sot tregojnë se shtëpinë e Kantozëve e ka vizituar dhe vetë Ismail Qemali. Jozefi ka marrë pjesë në luftën e Vlorës më 1920 bashkë me Mateo Matathian, një tjetër hebre patriot, shumë i pasur po ashtu. Pepe Levi gjithashtu rridhte nga një familje mjaft e kamur. Ajo ishte një familje, e cila pat kontribuar në të holla në luftën e Vlorës. Në komunitetin tonë siç nëna më tregonte, ka pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm mes tyre. Ata e ndihmonin mjaft njëri-tjetrin ekonomikisht. Mbështetja morale ishte gjithaq për t’u lëvduar mes tyre. Kjo shkon dhe sepse hebrenjtë i mbajnë shumë afër marrëdhëniet mes tyre ndryshe nga komunitetet e tjera. Në vitet e luftës, gjyshi im Shemo Kohen kishte filluar të krijonte familjen e tij. Ai kishte arritur të siguronte një gjendje ekonomike shumë të mirë dhe rrethohej nga një rrjet shoqëror me një nivel të lartë intelektual. Disa nga miqtë e tij ishin Spiro Kondoi, që me fjalën e parë që gjyshi i kërkoi ndihmë për t’u shpëtuar gjermanëve, u tregua i gatshëm duke i strehuar në Dhivër, me të afërmit e tij për gjithë natën. Ndër të tjerë miq të tij besnikë ishin Islam Radovicka, Mustafa Qelimi, Sulo Puto, Jani Melo, partneri i tij në tregti Veliko Malile, etj. Në Vlorë, gjyshi tjetër Nesim Sollomoni dhe nipi i tij, Ilia Sollomoni të cilët nuk ishin në gjendje ekonomike aq të mirë, mundoheshin të bënin një jetë normale, por miqtë edhe ata i kishin të shumtë. Po përmend disa: Ruzvelt Ferra dhe Zudi Ferra, familja Ndini, Koco Qirinxidhi, Vangjel dhe Kiço Dhimitri, Petref Myslimi, Kico Polo, Vlas Peto etj. Gjithashtu, miqësia shtrihej deri në fshatrat e Vlorës si Izet Memet Llazaj në Trevllazër, Nuro Hoxha dhe i biri, Zahim Hoxha nga Tërbaçi, Zia Azbiu nga Kanina, Xhelo Novruzi nga Tragjasi, Muasil Dulaj nga Trevllazëri, të cilët gjyshi i ndihmoi kur u internuan nga italianët si nënshtetas grekë në Shirok të Shkodrës. Me disa nga familjet e tyre ne ende kemi lidhje miqësore. Kanë kaluar afërsisht dy gjenerata dhe miqësia vazhdon. Kjo tregon se lidhja midis popullit shqiptar dhe hebrenjve ishte unike. Ato vite fjala besë ishte domethënëse dhe kuptimplotë, prandaj mbijetonte lidhja miqësore midis hebrenjve dhe shqiptarëve. Në Vlorë ishte qendra e komunitetit tonë dhe nëse pyet dikë, jam i sigurt se do të jetë i gatshëm të tregojë histori të bukura miqësie shqiptarësh me hebrenjtë, pasi secili nga ne ka historinë e vet me ju. Të gjitha familjet hebreje pasi mbërritën në Shqipëri në periudha të ndryshme historike, filluan të lëviznin nëpër qytete të ndryshme të vendit, por sidomos në Tiranë. Peripecitë e tyre sidomos lanë gjurmë kur mbërritën në Shqipëri gjatë kohës së një Europe të kërcënuar nga pushtuesi nazistë. Ata zbritën që andej për të shpëtuar nga vdekja e sigurt. Për Shqipërinë kishin dëgjuar se në këtë vend hebrenjtë përkraheshin nga qeveria dhe mirëpriteshin nga populli shqiptar. Dhe kjo rezultoi e vërtetë. Dhe si historia tregoi më tej, asnjë hebre nuk u prek në territorin e Shqipërisë, pasi populli juaj i strehoi ata me shumë përkushtim. Sot në Muzeun e Holokaustit në Uashington dhe Izrael ndodhet ndër të tjera një mur i veçantë për Shqipërinë, ku shkruhet se: “Shqipëria, i vetmi vend në botë që shpëtoi hebrenjtë nga gjermanët”.
Përse shkruhet shpesh nëpër artikuj, qoftë edhe izraelitë, se hebrenjtë u shpëtuan nga myslimanët në Europë, siç ishin shqiptarët. Kur në fakt sipas dëshmive të mbledhura, ata u shpëtuan nga i gjithë populli shqiptar pa dallim feje e krahine? Si mendon, a është i drejtë ky përcaktim?
N. Kohen: Kam folur me disa hebrenj të moshuar të komunitetit tonë që jetuan ato kohë në Shqipëri. Ata nuk besojnë në këtë doktrinë dhe thonë se kjo mbetet një çështje politike. Sipas tyre, Izraeli, do t’i tregojë botës se një vend mysliman strehoi dhe shpëtoi hebrenjtë gjatë periudhës së luftës, ndërsa tani ka kaq shumë konflikte mes palëve. Po të tregoj një fakt që e kam dëgjuar vetë nga dr. Mordecai Paldiel. Ai ka qenë drejtor në departamentin “The Righteous Among the Nations” në Jad Vashem. Para ca vitesh erdhi të intervistonte nënën me historinë e saj. Ndër të tjera, profesori më tregonte se si lindi ideja që të shkruhej libri “Besa” dhe kush ishte iniciatori. Ai më tha se si fotografi që intervistoi dhe fotografoi njerëzit në Shqipëri kishte plan të realizonte një libër mbi hebrenjtë e shpëtuar nga gjermanët. Mendimi i tij ishte të shkonin në Rusi, por shpenzimet që do të duhej të përballoheshin ishin të larta. Atëherë, dr. Paldiel i thotë pse të shkonin në Rusi, kur do të ishte më me interes po të shkonin në një vend shumë herë më të vogël dhe pa shpenzime të mëdha si Shqipëria. Dr. Paldiel i kish treguar disa histori shqiptare dhe natyrisht kontaktet për të realizuar me sukses misionin e tij. Paldiel ndër të tjera i kish thënë edhe këto fjalë: “…në Shqipëri do të duhet vetëm një përkthyes dhe asgjë tjetër”. Kështu, fotografi erdhi në Shqipëri nëpërmjet lidhjeve që i rekomandoi dr. Paldiel dhe realizoi librin bashkë me dokumentarin “Besa”.
Si e pritën hebrenjtë përfundimin e luftës antifashiste në Shqipëri? Çfarë bënë ata pas saj? Përse disa ikën në vendet e tyre të origjinës, apo në Izrael? Deri kur vazhdoi kjo?
N. Kohen: Mbarimi i luftës dhe tërheqja e gjermanëve nazistë nga aleatët ishte njëkohësisht edhe si një lirim shpirtëror i hebrenjve në Shqipëri. Të ardhurit dhe vendësit e dinin shumë mirë se çfarë kishte ndodhur me të afërmit e tyre në vendet ku u masakruan barbarisht, prandaj dhe zgjodhën Shqipërinë për t’u strehuar. Hebrenjtë, të cilët erdhën përkohësisht duhet të ktheheshin prej nga erdhën, pasi në vendet prej nga kishin ikur, kishin lënë gjithë mundin dhe jetën e tyre. Kjo gjë ishte shumë e natyrshme në atë kohë. Është njësoj si të pyesësh, përse u kthyen shqiptarët e larguar në atë kohë në Shqipëri kur shpëtuan nga kampet e përqendrimit. Ata që erdhën përkohësisht e që ishin rreth 2000 të tillë, vinin kryesisht nga Austria apo Jugosllavia. Ata u larguan me dëshirën e tyre deri në fillim të vitit 1946. Por, një gjë është e sigurt se kudo ku ishin dhe me këdo që flisnin, rrëfenin historitë e tyre të mbijetesës mes familjeve shqiptare duke mos përveçuar, të kujt besimi ishin. Edhe sot nuk e kanë harruar këtë sjellje të tyre. Pasi mbaroi lufta, dy nga të afërmit e mi u larguan nga Vlora nëpërmjet kufirit me Greqinë. Atje mësuan se vëllai i tyre kishte shpëtuar gjallë nga kampet naziste të Gjermanisë dhe së bashku tani të tre vëllezërit, duhet të nisnin nga fillimi jetët e tyre. Dy prej tyre vrapuan drejt Izraelit, kur shteti izraelit u themelua në vitin 1948. Pas viteve ’65, u largua dhe nëna e tyre, e cila shkoi edhe ajo në Izrael. Kurse familja e dajos së babait, David Kohen u largua nga Shqipëria në vitin 1966. Asnjëherë nuk ishin ndaluar kërkesat e hebrenjve për riatdhesim, por regjimi i Hoxhës pas vitit 1947 ndoqi një politikë të hekurt. Ato familje që mund të largoheshin, gjenin si pretekst nënshtetësinë greke.
Cilët prej hebrenjve qëndruan pa u larguar nga Shqipëria?
N. Kohen: Me ardhjen e pushtetit komunist, në fuqi situata ndryshoi tërësisht. Të gjithë e kuptuan se shumë shpejt do të humbnin gjithçka që kishin fituar si para, dyqane, shtëpi etj. Propaganda komuniste ishte kaq e hapur sa nuk duhej të ishe shumë i zgjuar ta kuptoje. Gjyshi im, Shemo Kohen donte të largohej bashkë me familjen e tij, fillimisht në Izrael. Atje ai kishte blerë edhe një truall për të ndërtuar shtëpi, por ishte edhe një mundësi tjetër të vendosej në Angli. Atje kishte një mik të ngushtë familjar dhe njëkohësisht një nga burimet ku ai furnizonte dyqanet me mall. Miku i tij quhej Pepe. Në të dy rastet prindërit e tij nuk pranuan të largoheshin, sepse në Shqipëri kishin gjithë mundin dhe djersën e tyre. Ata nuk mund të gjenin sigurinë se çfarë mund të ndodhte atje ku do shkonin, prandaj ndjeheshin më të sigurt në Shqipëri. Gjyshi, megjithatë, vendosi të largohej nga kufiri me Greqinë, por miku i tij, Spiro Kondoi e ndaloi sepse rrugëve për në kufi, mes maleve, dilnin banda kaçakësh të cilët grabisnin njerëzit që përpiqeshin të largoheshin si gjyshi Shemo. Ai erdhi në Vlorë pasi vëllai i gjyshes ishte në Vlorë. Ishte pikërisht ardhja në këtë qytet që shkatërroi gjithçka, sepse këtu kish shumë komunistë dhe e trajtuan gjyshin si gjithë tregtarët e tjerë, duke ia marrë të gjitha. Duhet pranuar diçka, në atë kohë njerëzit talleshin me hebrenjtë, duke i ngacmuar me shprehje të tilla si “dilni o çifutë se erdhi vapori në Gjirokastër”. Kjo ishte një ironi e tyre për t’i poshtëruar ata. Por, kjo ishte më shumë një sarkazëm që vinte prej Sigurimit të Shtetit, sepse unë jam i sigurt si çdo hebre se masa e popullsisë shqiptare ne na donte. Babai im megjithatë nuk i shpëtoi survejimit. Kjo, sepse ai ishte një nga njerëzit që ndihmonin hebrenjtë e tjerë të pajiseshin me pasaporta. Më vonë kur pasuria e tij u konfiskua, ai vendosi të arratisej.
Po në vitet e mëvonshme si shkoi kalvari i hebrenjve që kishin nisur riatdhesimet që prej vitit 1946?
N. Kohen: U bë një tjetër përpjekje e hebrenjve për t’u riatdhesuar në vitin 1952. Por dhe këtë vit ishte Enver Hoxha, ai që e nxori dhe e anuloi urdhrin. Atë kohë, familja e dajës së babait u vendos në SHBA dhe përfundimisht u lidh me familjen e hallës së babait tim, Leon Matza atje. Ky i fundit kishte shumë mik sekretarin e shtetit amerikan, z. Henry Kissinger dhe nisur nga kjo, i kërkoi ndihmë atij për të tërhequr familjen nga Shqipëria. Përgjigja që vinte prej tij ishte se “është e pamundur të bashkëpunohet me atë shtet, kështu që harroji tratativat”. Kjo ka qenë një bisedë e viteve ’70. Pikërisht atëherë kur shteti komunist ishte konsoliduar dhe kampet politike kishin ngritur muret e tyre të komunikimit, të gjithë e kuptuan se ishte e pamundur të largoheshin nga ai vend. Ata pranuan të ishin qytetarë të një vendi të palirë dhe ulën kokën si gjithë shqiptarët e tjerë ndaj fatit kokëfortë. Por, shumë nga fëmijët e hebrenjve të mbetur u edukuan nëpër universitete. Ata që ishin të shkolluar, u sistemuan menjëherë në vende të rëndësishme pune. Madje, kishte nga ata që u bënë pjesë e administratës komuniste dhe në dikastere të larta. Një nga ata ishte Pepe Kantozi, i cili punonte në zyrën sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes. Pepja doli në pension në lirim i paprekur dhe i nderuar deri sa iku drejt Izraelit në vitin ’91. Vëllai i tij, Mimiko Kantozi punonte drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Turizmit. Të dy vëllezërit ishin partizanë gjatë kohës së luftës. Shumë të tjerë shërbenin si shefa llogarie apo magazinierë nëpër ndërmarrje të ndryshme të Shqipërisë. Megjithëse, kryesisht ishin sistemuar në jetën e tyre, sërish ëndrra ishte të largoheshin nga Shqipëria, sepse në fund të fundit ata si gjithë populli shqiptar nuk e duronin dot diktaturën.
Çfarë ndodhi pas viteve ’90? Si arritën ata të organizoheshin për t’u larguar nga Shqipëria?
N. Kohen: Në vitin 1990 disa nga ne arritën të kishin pasaportat e tyre për të shkuar si turistë në Greqi. Arsyeja ishte të takonin të afërmit e familjeve. Por në fakt misioni i tyre ishte të krijonin një lidhje me organizatat e Signutit apo Hias për të na tërhequr ne të tjerëve nga Shqipëria. Dhe në vitin 1989, dr. Ana Kohen vjen në Shqipëri me një qëllim të caktuar, jo vetëm për të tërheqë të afërmit e familjes së saj, por të bëjë të mundur për të gjithë largimin e tyre nga një vend shumë i varfër, siç ishte Shqipëria e atyre viteve. Ndërkohë, babai shkon në Greqi dhe nëpërmjet babait të Anës, lidhet me organizatën dhe ndërtojnë plane se si të largoheshin hebrenjtë e fundit nga Shqipëria në rrugë legale. Zino Matathia dhe Josef Jakoel krijuan lidhjet me organizatën e Signutit e që këtej kur u kthyen në Shqipëri filluan të hartonin listat nëpërmjet njerëzve të tjerë. Ikja e fundit e hebrenjve, kjo përpjekje e tretë e tyre ishte dhe e fundit përpjekje për t’u larguar nga ky vend që megjithëse i mirëpriti në një kohë të vështirë terrori nazist, nuk ia pranuan dot regjimit mungesën e lirisë në lëvizje, shprehje, besim fetar etj.

shkurt

Posted: 29 Aug 2016 05:00 AM PDT

Tenton të vjedhë
një banesë e plagos
pronarin, arrestohet
TIRANE – Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 45-vjeçar, i cili ka tentuar të vjedhë banesën e një personi, duke e kërcënuar atë me thikë. Burime pranë policisë sqaruan se në pranga ka përfunduar Sokol Çelibashi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Toptani”. 45-vjeçari gjatë kohës që ka qenë duke u larguar nga banesa ku kishte shkuar për të vjedhur, ka plagosur me thikë 40-vjeçarin me iniciale L.B.. Burime pranë policisë thanë se nga hetimet ka rezultuar se i arrestuari është autor edhe i disa ngjarjeve të tjera të ndodhura më parë, konkretisht në datat 5, 7 dhe 25 gusht të këtij viti.
Plagosën rëndë
kushëririn, një në
pranga, 2 në kërkim
KRUJE – Një 28-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy vëllezërit e tij. Burime pranë policisë bëjnë me dije se i arrestuari është Erson Doda, banues në Bubq të Krujës. Mësohet se i riu, në bashkëpunim me dy vëllezërit T.D. 44 vjeç dhe M.D. 41 vjeç, për motive të dobëta kanë plagosur rëndë, duke e goditur me sende të forta kushëririn e tyre 55-vjeçar me iniciale B.D., banues në Krujë. Ngjarja ka ndodhur më datë 24 gusht. I riu akuzohet për plagosje, ndërsa policia vijon punën për vënien në pranga të dy personave të tjerë.
Kryeministri Edi Rama inspekton Lungomaren
Vlorë- Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme ka inspektuar punimet e Lungomares në qytetin e Vlorës. Prej dy vitesh, kjo ka qenë “thembra e Akilit” e këtij qyteti, pasi jo vetëm vlonjatët, por edhe mijëra turistë kanë vuajtur nga trafiku i shkaktuar për shkak të punimeve për ndërtimin e këtij bulevardi bregdetar të ‘mbjellë’ me pisha e beton. Po ashtu, edhe ditën e djeshme kur kryeministri Rama inspektoi punimet, ata që vuajtën pasojat ishin pushuesit, pasi u ndalua qarkullimi i automjeteve në këtë aks të rrugës dhe i gjithë trafiku i makinave është devijuar në rrugën sipër tunelit të Ujit të Ftohtë.

Related Posts :