Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Çelet ekspozita e artisteS turke Tulin Onat” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Çelet ekspozita e artisteS turke Tulin Onat” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Çelet ekspozita e artisteS turke Tulin Onat

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Në momentin e parë kur erdha në
Galeri për të parë vendin se ku do të ekspozoja dhe të krijoja kontaktet e para me Galerinë Kombëtare, u ndjeva tej mase e emocionuar nga entuziazmi dhe interesi i tyre për këtë ekspozitë. Që në moshë të re i kam vendosur vetes një mision, që kush nuk ka mundësi të vijë për të parë punët e mija, të shkoj unë tek ata me artin tim. Veprat e mija janë pasqyrim e përjetimeve gjatë jetës time”. Kështu u shpreh dje para mediave artistja turke Tulin Onat para çeljes së ekspozitës “Qark”. Ajo u shpreh e lumtur që ka ardhur në Shqipëri dhe tha se “ndërsa shikoni krijimet e mija dhe mund të fokusoheni në copëza apo detaje të këtyre pikturave, jam e sigurtë që do të gjeni diçka nga vetja juaj”.
Pyetjes së gazetarëve rreth konceptit të “Qarkut” në punët e saj artisja Onat ju përgjigj: “Jam e mendimit se në jetë gjithçka përsëritet në formën e një qarku. Arsyeja pse merrem me qarkun është forma e tij fizike, një formë që nuk as fillim as fund, si një rrugë pa krye. Një formë rrethi e copëtova duke e prerë dhe pasi i bashkova sërish cpëzat përftova përsëri një qark”.
Pyetjes se nëse punët e saj kanë lidhje me ambientalizmin meqënëse hapësira është e pranishme në këto punë, artistja iu përgjigj se “Artisti i ditëve tona patjetër që përfshihet në çështjet e ambjentit dhe këto çështje janë edhe pjesë e punëve të mija. Disa nga veprat janë punuar për të vënë në pah tre përmasa. Edhe kur punoj me pika mjaft të vogla, mundohem të tregoj çfarë ka mbrapa tyre. Vitet e fundit arrita të nxjerr në pah përmasën e tretë duke gërvishtur apo çarë planin e parë, këto punë i kam emëruar kanavacat e prera”.
Kjo ekspozitë e kuruar nga kuratorja e mirënjohur Beste Gursu, sjell vepra të artsistes të një periudhe 10 vjeçare. Këto punë vijnë të punuara në teknikë mikse mbi kanavacë.
Konferencapara mediave u hap nga studiuesi dhe kuratori i artit pranë Galerisë Kombëtare Ylli Drishti, i cili përshëndeti në emër të Galerisë Kombëtare këtë ekspozitë. “Ekspozita e artistes Onat, vjen si një bashkëpunim me Ambasadën turke dhe Institutin Jonus Emre në Tiranë. Kjo është një ekspozitë që vjen nën kurimin e kuratores Gursu, me të cilën kemi pasur bashkëpunim edhe në të kaluarën, me ekspozitën e artistit Dervil Erbil. Kjo ekspozitë shpalos vlerat e veçanta artistike të një piktore shumë kërkuese, ku të bie në sy punimi i abstraguar në shtresëzime mbi një sfond opak”.
Salih Gultekin, drejtor i Institutit Jonus Emre në Tiranë tha se institute ka si qëllim promovimin e vlerave të tilla si arti, kultura, kulinaria etj. “Ne përpiqemi që çdo vlerë në Turqi ne ta ndajmë me shoqërinë shqiptare. Një vit më parë u zhvillua ekspozita e artistit Dervil Erbil dhe sot jemi të nderuar nga prezenca e artistes Tulin Onat me këtë ekspozitë. Jeta kulturore në Turqi vazhdon me shpejtësi, dhe unë dua të falenderoj artisten Onat që e pranoi ftesën tonë për zhvillimin e kësaj ekspozite. Gjithashtu falenderoj Shoqatën e Dialogjeve Ndërkulturore të Artit, Stamboll, Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Turkish Airlines”.
Kuratorja e kësaj ekspozite zj. Beste Gursu, si përfaqësuese e Shoqatës së Dialogjeve Ndërkulturore të Artit, vuri në dukje se evenimente të tilla forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Ajo falenderoi Galerinë Kombëtare që mirëpret për herë të dytë atistë nga Turqia, duke theksuar se artistja Onat vjen si përfaqësuese e artit bashkëkohor Turk. Më tej ajo shpjegoi se piktura e saj “Galaksi” e vitit 1988, do të bëhej pikënisje dhe lajmëtare e ekspozitës së sotme “Qark”. Kjo ekspozitë vjen me punime të 10 viteve të fundit, ku përmes ngjyrave dhe formave ajo zgjon çdo lloj emocioni tek shikuesi, shtoi kuratorja Gursu.
Në mbyllje të kësaj konference kuratorja e ekspozitës Beste Gursu, bëri me dije se artistja Onat i dhuron fondit të Galerisë Kombëtare një prej punëve të ekspozuara në këtë ekspozitë, veprën me titull “Zbrazëti Hapsinore” të vitit 2013.

Vrasja e Fabio Hilës, autori “mori hak”

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Dy muaj më parë, Fa
bio Hila dhe Fabian
Muçollari ishin rrahur me njëri-tjetrin, ndërsa ky i fundit kishte përfunduar në Spitalin e Traumës, Tiranë. “ABC News” raportoi dje se Muçollari, autori i vrasjes së Fabio Hilës në Pogradec, mori hak pasi doli nga spitali. Rreth dy muaj më parë, dy adoleshentët ishin përfshirë në një sherr, ku më pas kanë përdorur edhe sende të forta ndaj njëri-tjetrit. Pas këtij sherri, 18-vjeçari Muçollari u shtrua në spital në Tiranë, për shkak të një plage që kishte marrë në kokë. Ditët e para të këtij sherri, Fabian Muçollari ra në koma, por më pas gjendja e tij po përmirësohej. Dy të rinjtë ishin zënë për një vajzë në ambientet e jashtme të një diskoje në Pogradec. Mësohet se në atë kohë, Fabio Hila i ka kërkuar bashkëmoshatarit të tij nga fshati Vërdov që të mos e ngacmonte atë në rrjetin social “Facebook”. Pas kësaj, kërcënimet u pasuan me goditje ndaj njëri-tjetrit, ku Muçollari mori disa plagë të rënda në kokë pasi ishte qëlluar me dru. Sakaq, përveç sherrit për një femër, me sa duket shkak i ngjarjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë, ka qenë edhe ajo e hakmarrjes nga ana e autorit. Sapo gjendja shëndetësore e këtij të fundit është përmirësuar, ka menduar të marrë hak ndaj Hilës, ku e qëlloi me armë zjarri në një lokal në qendër të Pogradecit. Menjëherë pasi kreu krimin, Muçollari u largua prej andej në tentativë për t’iu fshehur uniformave blu. Ai u arrestua vetëm pak orë më pas nga policia e Pogradecit, ndërsa iu sekuestrua edhe arma e krimit. Teksa ka dhënë dëshminë e tij para oficerëve të policisë, i riu ka pranuar autorësinë e krimit, si dhe ka shpjeguar me detaje edhe vendin ku mbante të fshehur armën e zjarrit. Ndërkaq, edhe pse uniformat blu arrestuan autorin e krimit të rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Pogradecit, por mbarë opinionin publik, policia lokale po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Dëshmia
Fabian Muçollari, autori i vrasjes së djeshme në Pogradec, ka dëshmuar në polici arsyet që e shtynë të vriste bashkëmoshatarin Fabio Hila. I ndodhur para uniformave blu, mësohet se ai ka sqaruar rrethanat e ngjarjes. Ai ka deklaruar se viktima kishte ngacmuar shoqen e tij të ngushtë, shkruan “BalkanWeb”. Sipas Muçollarit, Fabio kishte nisur një lidhje intime me vajzën në fjalë, por pa pëlqimin e tij. Më tej, autori ka deklaruar se armën e mbante prej kohësh të fshehur në një pus jashtë funksionit, në oborrin e banesës.
Vrasja
Ngjarja është regjistruar në një pikë bastesh në rrugën “Rinia”, teksa dy adoleshentët, të cilët ishin grindur një ditë më parë në rrjetin social, janë përballur me njëri-tjetrin, ku Fabian Muçollari nga fshati Vërdovë qëlloi me armë automatike në drejtim të Fabio Hilës, duke i shkaktuar atij vdekjen. Fillimisht, ata kanë pasur një konflikt verbal mes njëri-tjetrit, ndërsa Muçollari i ka kërkuar Hilës që ta priste sërish në lokal pak minuta, sa të kthehej ai, për t’u sqaruar plotësisht. Më pas, autori është rikthyer i armatosur dhe ka qëlluar një herë në ajër, duke i detyruar të gjithë personat e pranishëm që të dilnin jashtë. 18-vjeçari u përpoq të fshihej pas banakut për t’u shpëtuar plumbave, por ishte e kotë. Muçollari ka qëlluar në drejtim të viktimës dhe është larguar, duke përfunduar në pranga teksa përpiqej t’i fshihej policisë.

Rrahja e libanezit, ndalohen si të dyshuar 3 vetë nga Shijaku

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Tre persona nga Shi
jaku janë shoqëruar
mbrëmjen e djeshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si të dyshuar për dhunën barbare ndaj biznesmenit libanez Faad Mitri. Burime pranë policisë bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasit Landi Muharremi, Arben Mërkuri dhe Skënder Krahja. Mësohet se të tre këta persona fillimisht janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, dhe më pas janë dërguar në atë të Tiranës për t’u marrë sërish në pyetje. Sipas të njëjtave burimeve, ndaj këtyre personave, hetuesit e çështjes kanë dyshime të forta se janë autorë të dhunës barbare të ushtruar ndaj 54-vjeçarit dhe se janë paguar për këtë gjë. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë një pronë në Gjirin e Lalzit, ku do të ndërtohet një resort turistik. Burime pranë hetuesve sqaruan më tej, se familjarë të Landi Muharremit, madje edhe vetë ky i fundit, pretendojnë se toka në Gjirin e Lalzit ku do të ndërtojë biznesmeni libanez u përket atyre. Para disa vitesh, për këtë sipërfaqe toke është bërë edhe një proces gjyqësor dhe Apeli i ka dhënë të drejtë biznesmenit Faadi Mitri për të ndërtuar, ndërsa është kundërshtuar nga familja Muharremi. Burimet e sipërpërmendura thanë dje për “GSH”, se i pari që është identifikuar nga policia ka qenë Landi Muharremi. Identifikimi i tij është bërë pasi policia i ka treguar biznesmenit disa prej fotove të personave që janë shoqëruar përgjatë këtyre ditëve. Nga këqyrja e këtyre fotove, biznesmeni ka treguar se një ndër personat që ai kishte parë ditën që u dhunua ishte pikërisht Muharremi. Ndërsa, dy personat e tjerë u zbuluan nga policia nëpërmjet metodave të tyre specifike. Ndërkaq, gjatë kontrolleve që uniformat blu ushtruan në banesat e tyre, në shtëpinë e shtetasit Skënder Krahja është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa. Pas kësaj, atij iu komunikua edhe arrestimi, ndërsa Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, deri në orët e vona të natës së djeshme janë mbajtur të shoqëruar në drejtorinë e policisë dhe janë marrë në pyetje veçmas njëri-tjetrit. Mësohet se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të jetë autor i rrahjes së biznesmenit, duke shtuar më tej se nuk kanë asnjë njohje me të. Kurse, Landi Muharremi, në lidhje me fotografinë ka sqaruar se autor mund të jetë një person tjetër i cili ka ngjashmëri me të. Dy ditë më parë, burime konfidenciale thanë për Gazetën se si porositës i dhunës dyshohet të jetë një biznesmen nga Durrësi. Sipas tyre, porositësi dyshohet t’i ketë paguar tre personat e lartpërmendur pikërisht për ngjarjen e ndodhur pasditen e së shtunës.
Të shoqëruarit
Numri i personave të shoqëruar pas ngjarjes ka arritur mbi 20. Ky fakt bëhet me dije nga burime të hetuesve të çështjes. Po sipas tyre, pjesa më e madhe e personave të shoqëruar kanë qenë qytetarë nga Durrësi dhe nga Gjiri i Lalzit. Mësohet se, deri ditën e djeshme, në policinë e qytetit bregdetar janë shoqëruar të paktën 16 persona. Disa prej tyre janë shoqëruar më shumë se dy herë në polici dhe janë marrë në pyetje si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo si persona të dyshuar të dhunës.
Ngjarja
Biznesmeni libanez me pasaportë amerikane ka qenë duke udhëtuar me makinën tip “Mitsubishi”. Në kryqëzimin e Laknasit me rrugën e Rinasit, automjeti i tyre është goditur qëllimisht nga një makinë tip “Touareg” me targa italiane të vjetra, e cila nuk rezulton ta ketë kaluar në rrugë zyrtare kufirin shqiptar. Agresorët sapo kanë dalë nga makina kanë ushtruar dhunë ndaj biznesmenit Mitri dhe shoferit të tij, personit me iniciale E.M. Gjatë dhunës, autorët i kanë dhënë një mesazh 54-vjeçarit duke i thënë: “Ik nga Shqipëria, ose ndalo punimet”. Biznesmeni 54-vjeçar është administrator i një kompanie të madhe nga Katari, e cila ka marrë lejen për ndërtimin e një resorti gjigant te Gjiri i Lalzit,. Ky resort kap vlerën e 180 milionë eurove. Kompania është “Omnix Albania”, e regjistruar në QKR më 27 mars të vitit 2008, me pronar Jamal Abdulsalam Abu Issa, nga Katari.

Reali fiton në 6 minuta, Juventusi ngec me Seviljen

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Jeton Selimi

Real Madridi ka kaluar
nga ferri në parajsë
vetëm në minutat e fundit të takimit, kur arriti të përmbysë Sportingun e Lisbonës. Bruno Secar do të shënonte për luzitanët me fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Reali, ndonëse po dominonte takimin, nuk arriti të kthehej shpejt në takim. Për të qetësuar sadopak zemrat e madrilenëve mendoi i zakonshmi Kristiano Ronaldo, që e ktheu një goditje dënimi në një perlë për të barazuar takimin. Në sekondat e fundit të kohësh shtesë, i takoi Alvaro Moratës për të shënuar golin e fitores dhe për të festuar kështu përpara tifozërisë së tij. Në ndeshjen tjetër të grupit F, Besnik Hasi e nis në mënyrë horror aventurën e tij në Ligën e Kampioneve, teksa Borusia e Dortmundit ka shpartalluar Legian e Varshavës 6-0 në Poloni. Tifozët polakë, si gjithmonë, ishin spektakolarë me koreografinë e tyre, por përballë një skuadre të fortë duhet më shumë sesa kaq.
Juventusi e nis me barazim në shtëpi ndaj Seviljes. Ndonëse bardhezinjtë kishin shumë mundësi shënimi, ata nuk do të realizojnë dot asnjë gol. Të pafat Higuain e Aleks Sandro. Argjentinasi ndalet nga traversa, ndërsa braziliani sheh gjuajtjen me kokë t’ia presë në limite portieri. Kreun në grupin H e mori Lioni, që theu në shtëpi Dinamon e Zagrebit me rezultatin 3-0. Toliso, Ferri dhe Korne janë autorët e golave, që u dhanë francezëve vendin e parë.
Allbrajton dhe dy herë Marez i dhanë fitoren e parë në histori Lestërit, që theu Klub Bryzhin në Belgjikë. Ranieri ka arsye për t’u kënaqur, aq më tepër kur sheh se merr kreun e grupit G pas barazimit 1-1 mes Portos dhe Kopenhagenit.
Monako ka tronditur në shtëpi Totenhamin, ndërsa francezët fituan 2-1 me të gjithë golat e këtij takimi të shënuar në pjesën e parë. Përballja tjetër e grupit E u mbyll në barazim 2-2, ndonëse Leverkuseni kryesoi 2-0, ku njërin prej golave e shënoi Admir Mehmedi. Më pas reagojnë rusët e CSKA-së së Moskës, që barazojnë dhe ruajnë rezultatin.
Po dje u rikuperua ndeshja Mançester Siti-Borusia Munshengladbah, që u shty një ditë më parë për shkak të reshjeve të dendura në Mançester. Kun Aguero me një tregolësh udhëheq të tijtë drejt suksesit, ndërsa Iheanaço vulos shifrat 4-0 në fund të takimit.

Arben Malaj: Avantazhet e “Luarasit”, që nga stafi, te metodat e intershipit

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga; Senada Jaho

Nëse do donit që shkol
limin tuaj ta kthenit
në sfidë, universiteti “Luarasi” ju ofron mundësinë duke u bazuar te stafi akademik me përvojë. Rektori Arben Malaj siguron maturantët se në këtë universitet synohet cilësia dhe jo madhësia e tij, dhe kjo faktohet nga degët e kufizuara që ai ofron. Çdo student do të ketë mundësi të shumta të marrjes së përvojave më të mira si në administratë, ashtu edhe në biznese private. Ndërsa të diplomuarit do të jenë pjesë e universitetit, qoftë për t’u këshilluar apo edhe diskutuar për sfidat profesionale që hasin. Universiteti “Luarasi” fton maturantët dhe studentët ta bëjnë zgjedhjen e tyre në institucionin arsimor me 14 vite përvojë dhe staf cilësor. Ky universitet ofron mundësi inovative të mësimit dhe njohje të krediteve edhe jashtë vendit. Rektori Arben Malaj është një tjetër siguri se të studiosh në këtë universitet do të jetë një sfidë që duhet ta provosh. Përmes kësaj interviste, Malaj rrëfen sfidat e universitetit që ka marrë shumë vlerësime pozitive.
Cilat janë avantazhet e “Luarasit”?
“Luarasi” është nga universitetet që mori vlerësim pozitiv në licencimin që iu bë universiteteve private, pas një kontrolli të Ministrisë së Arsimit, i cili synoi që të largonte nga tregu institucionet e arsimit të lartë të cilat nuk plotësonin kriteret. Pra është një certifikim. Programet tona, pra kreditet janë lehtësisht të transmetueshme në çdo vend evropian. Pra me të njëjtin kredibilitet që mund t’i marrësh në një universitet publik, mund t’i marrësh edhe te “Luarasi” dhe pasi ke studiuar në Shqipëri, dhe këshilla ime për studentët është që të harmonizojnë larmitë, një pjesë në Shqipëri, një pjesë jashtë shtetit, të bëhen më agresivë nga bursat që japin institucionet e ndryshme ndërkombëtare, Bashkimi Europian, ndërmjet projekteve të ndryshme, në mënyrë që ata të dalin sa më të gatshëm. Stafi akademik i “Luarasit”, do të synojë gjithnjë e më shumë që “Luarasi” të bëjë dallimin, pikërisht në harmonizimin më të mirë të stafeve akademike. Neve na duhen shumë më tepër, dhe janë të mirëseardhur ata ekspertë që kanë një profil akademik, në nivelin master apo doktor, që ndihmojë në thelbin e asaj që ne duam të ndryshojmë. Të mësosh duke i bërë gjërat, jo thjesht të lexosh. Pra në qoftë se orët e mësimit janë thjesht, dikush shpjegon dhe studentët mbajnë shënime, kjo dhe në botë shikohet se ka ulur produktivitetin e studentëve. Duke përfituar nga avantazhet që ka “Luarasi”, nga avantazhet që jep sot ekonomia e dijes, që ka rrëzuar barrierat, që është e lehtë për çdo student, për çdo profesor të update-ohet, duke e kthyer në një qendër ku nuk shkon vetëm mëson dhe ikën, por dhe në një qendër komunitare, ne mendojmë se “Luarasi” bën dallimin, dhe kjo është sfidë që studentët duhet ta provojnë. Ka kaluar raundi i parë ku studentët janë përzgjedhur. Do të jetë një raund i dytë, dhe besoj se i gjithë stafi akademik i “Luarasit”, me një lloj përgjegjësie jo vetëm akademike, por edhe njerëzore, do t’i ftonte studentët që ta përzgjedhin “Luarasin” si një sfidë. Ne jemi duke diskutuar drejtpërdrejt me ekspertë shumë të mirë për të krijuar një sistem mentorship, që do të thotë se këta do të kenë një akses të drejtpërdrejtë te “Luarasi”, që çdo student i “Luarasit” që ka mbaruar këtë universitet ka akses që gjatë punës së tij, për çdo pyetje profesionale, ai do të ketë një njeri që do t’i përgjigjet me shpejtësinë e kohës. Fillimisht do ta ofrojmë ne si universitet, pastaj këto janë shërbime që krijohet një kredibilitet. Kjo e bën më të sigurt studentin për tregjet e punës. Nëse marrëdhëniet në universitetet e mëdha janë shumë të vështira të mbahen me të gjithë ata që diplomohen, në institucionet e arsimit të lartë si “Luarasi”, kjo është shumë e thjeshtë, dhe ky është avantazh.
Cilat janë risitë për këtë vit të “Luarasit”?
Unë e kam dhe si sfidë personale si rektor i një universiteti, që të ndryshojmë mënyrën e të menduarit. Të kalojmë nga mënyra e të mësuarit tradicional, në diçka që është më novatore. Do krijojmë fleksibilitet maksimal për oraret. Ka shumë pyetje nga studentë që duan master. Tani ne e dimë që të gjithë duhet të mësohen ta ndajnë koston. Edhe ai student që duhet të vijë në shkollë, duhet të kuptojë që një pjesë të kostos duhet ta ndajë vetë, dhe jo thjesht familja e tij. Ka nga ata që punojnë pjesërisht, ka nga ata që nuk e përballojnë dot të plotë koston. Do të shikojmë bursat, por është tjetër gjë t’ia ofrosh diçka në mënyrë bamirësie një studenti, dhe është tjetër gjë të promovosh një student që është i 10-tave që punon, përkushtohet. Duhet gjetur mundësia që të ndihmohen që të kenë punësim të pjesshëm. Për programet master, fleksibiliteti do të jetë maksimal.
Sa u përket praktikave profesionale, çfarë do të bëhet në këtë drejtim?
Ka një avantazh, sepse qoftë themeluesit apo eksperienca e mëparshme me komunitetin e biznesit, e lehtëson këtë. Ne si staf akademik jemi duke menduar që edhe ta përmirësojmë. Intershipi të mos jetë thjesht një mundësi që, studenti po shkon atje por askush nuk interesohet më për të. Do të jemi më seriozë në marrëveshjet që do të realizojmë me bizneset, qoftë edhe me institucionet publike, që në varësi të aksesit që ata kanë kur pranojnë një student të “Luarasit”, ai do të ketë një manual që, ‘do shkoj atje, dikush është mentori im’. Do të jetë e lehtë? Jo! Por gjithmonë do kemi një grup studentësh që krijon një premisë pozitive dhe, nga ana tjetër, pjesa e studentëve të tjerë do shohë që ka një mundësi më të mirë dhe duan të bëhen pjesë e mundësisë më të mirë. Po marr rastin e intershipit në politikë. Ne kemi 140 deputetë. Për katër vjet nga dy sezone, janë 1.120 studentë që mund të bëjnë nga 6 muaj praktikë në parlament. Po marr vetëm qendrorin; kemi dhe bashkitë, që kanë anëtarët e Këshillit Bashkiak. Ne duhet t’i rrisim këta duke mësuar, dhe po të shikoni, edhe në vende të tjera në botë, të gjithë studentët janë të angazhuar ose me aktivitete sociale, ose me intership. Në të gjitha mundësitë që ka të mësuarit duke punuar. Po të fillojmë dhe t’i bëjmë gjërat më konkrete, unë besoj që ne do të arrijmë në mënyrë graduale që të nxjerrim studentë shumë më të mirë, nga pikëpamja e aftësive dhe jo thjesht njohurive. Inventari i njohurive është thjesht inventar, dhe ne ekonomistët themi: inventari amortizohet. Aq më tepër në ekonominë e dijes, ku shpejtësia e dyfishimit të informacionit është aq e madhe, sa tashmë asnjë student nuk mund të ketë si vlerë njohuritë që ka marrë, por aftësitë për t’i freskuar, update-uar njohuritë.

Kaosi me pranimet në universitet, LSI jep zgjidhjet, preferencat të ulen në 3

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Lëvizja Socialiste për
Integrim ka një propozim konkret për zgjidhjen e krizës së maturantëve. Për këtë arsye, deputetja Monika Kryemadhi si dhe Kejdi Mehmetaj kanë shkuar ditën e djeshme në Ministrinë e Arsimit, ku kanë zhvilluar një takim me ministren Nikolla si dhe përfaqësues të tjerë të MAS-it. LSI-ja ka bërë një propozim që ka të bëjë me kriteret e garës për universitet që maturantët të mos penalizohen. Sipas propozimit të LSI-së, kërkohet reduktimi deri në 3 i preferencave për degët, ndërkohë që aktualisht sipas sistemit të ri janë 10 preferenca. Për më tepër LSI-ja kërkon më shumë transparencë në fazën e dytë të garës. Një tjetër propozim ishte që në kolonat e notave të mos ketë pikë ‘zero’, ndërsa u kërkua gjithashtu të ketë grupe konsultimi për maturantët në të gjithë vendin. Pas takimit, deputetja Kejdi Mehmetaj tha se ministrja ka pranuar që në kolonat e notave të mos ketë pikë zero. “Për një degë në universitet, nëse maturanti nuk e ka bërë në tri vite, atëherë ajo nuk do të llogaritet zero, por nuk do të ketë ndikim. Kjo do të hyjë në fazën e dytë. Kriteret janë vendosur nga universitetet dhe MAS-i duhet të bëjë marrëveshje me universitetet, por palët janë duke punuar për një marrëveshje”, – tha Mehmetaj. Ndërkohë që, Ministria e Arsimit nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me takimin që ka zhvilluar me deputetet e LSI-së, duke vijuar t’i lërë në ‘terr’ maturantët, të cilët po presin me ankth se çfarë do bëhet me pranimet në universitet.

“Kamerat e sigurisë”, Vasili: Jo detyrim për të gjithë

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Darina Tanushi

Të ngarkuarit e PS-së dhe
të LSI-së për të negoci
uar në lidhje me projektligjin e ashtuquajtur "Për kamerat e sigurisë" ranë dakord dje ta votojnë atë, por pas disa ndryshimeve. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe deputeti Piro Lutaj zhvilluan një takim dje me kreun e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe kreun e Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, për të diskutuar në lidhje me shqetësimet e LSI-së për projektin e propozuar nga Ministria e Brendshme, "Për disa masa shtesë të sigurisë". Pas takimit, Tahiri bëri me dije se ky ligj do të rrisë masat parandaluese kundër kriminalitetit, pa dhënë shumë detaje në lidhje me pikat të cilat po diskutohen. "E ndjej detyrim madhor timin, në kuadër të detyrës që bëj dhe respektit që kam ndaj çdo deputeti në Kuvend, që të punoj me çdo deputet, veçanërisht me aleatët tanë në qeverisje, për të bërë çdo gjë të mundur që projektligji të përputhet me të gjitha standardet dhe çdo shqetësim të reflektuar nga çdo deputet", – tha Tahiri. "Jemi në detyrë për të përmbushur çdo shqetësim që kanë ligjvënësit, në mënyrë që të gjithë bashkë t'u garantojmë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë qytete dhe lagje sa më të sigurta", – tha ministri. Sipas tij, "ky ligj shtron bazat për të pasur masa paraprake të cilat do të dekurajojnë ngjarjet kriminale. Jam shumë besimplotë se me deputetët do të gjejmë gjuhën për ta miratuar, jo këtë të enjte, por të enjten tjetër, projektligjin për masat shtesë të sigurisë. Është një projektligj i domosdoshëm, jemi të fundit në Ballkan që nuk kemi ende një ligj të tillë". Në lidhje me vërejtjet e deputetëve, Tahiri tha: "I mirëkuptoj me shumë dashamirësi vërejtjet e çdo deputeti dhe jam i gatshëm t'i marr parasysh. Jemi ulur e kemi punuar siç na takon në një parlament e republikë demokratike, për të bërë gjithçka të nevojshme për të garantuar qytetarët". Nga ana e tij, edhe kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili pohoi se kishin arritur në një mirëkuptim, por ligji mund të votohet në seancën e javës që vjen. "Bëhet fjalë për masat shtesë që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë me sistemet e vëzhgimit, të cilat do të jenë prezentë në jetën publike. Nuk do të ketë një detyrim automatik për të gjithë. Por, detyrim që rrjedh – dhe kjo është përcaktuar qartë në ligj – vetëm aty ku vlerësohet në bazë të analizës së riskut për subjektet që kanë rrezik të shtuar për sa u takon sigurisë dhe premisave për të zhvilluar elementët e kriminalitetit", – u shpreh Vasili. Në seancën parlamentare të datës 10 mars të këtij viti, ky projektligj u votua "kundër" nga 10 deputetë të LSI-së, përfshi këtu edhe kryetarin e Grupit Parlamentar, Petrit Vasili, por u votua "pro" nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Më pas, në 4 prill, presidenti Nishani ktheu për rishqyrtim ligjin "Për masat shtesë të sigurisë publike", me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencën përkatëse, të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë. Në debatet që u bënë në Komisionin e Sigurisë, para se presidenti ta kthente mbrapsht ligjin si antikushtetues, deputeti i LSI-së, Luan Rama ngriti argumentin se fatura e lartë financiare nuk e lejon zbatimin e tij. Pikërisht rrëzimi i dekretit dhe lënia në fuqi e ligjit u shty për 6 muaj rresht, derisa PS-ja dhe LSI-ja të gjenin gjuhën e përbashkët. Edhe në seancën e kaluar plenare, për shkak të kësaj dakordësie nuk u arrit që ky dekret të hidhej në votë. Ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ai që kërkoi shtyrjen e votimit. Tashmë pritet që palët ta votojnë në seancën e ardhshme.

shkurt

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD-së për deputetin Rakip Suli
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje, kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit Rakip Suli. Suli akuzohet nga opozita se ka marrë me qira një godinë të OSHEE-së. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor sot, ku theksohet se pas shqyrtimit dhe analizimit të pretendimeve të ngritura nga kërkuesi, u rrëzua kërkesa. Vendimi për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit u mor nga parlamenti më 14 prill të këtij viti. Bashkë me mandatin e Sulit, në Kushtetuese u dërgua edhe mandati i deputetes Valentina Leskaj.
Reforma, brenda shtatorit. Dy seanca të dedikuara 6 ligjeve
Komisioni për Reformën në Drejtësi vendosi dje me konsensus zhvillimin e dy seancave për miratimin e 6 ligjeve për reformën. Mazhoranca pranoi kërkesën e opozitës për disa ditë kohë dhe ranë dakord që t’i miratojnë ligjet deri në datën 29 shtator. “Javën që vjen, paketa ligjore e reformës do të mbyllet”, – tha socialisti Pandeli Majko. Kurse deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi deklaroi: “Ne si opozitë, me qëllim që të jetë një diskutim i shëndetshëm e real, jo i sforcuar dhe i nxituar si deri më sot, i këtyre 6 ligjeve thelbësore për sistemin, kërkuam të bëhet me dy faza. Deri në datën 22 u ra dakord që të shqyrtohen ligjet kryesore. Diskutimi të jetë i shëndetshëm, efektiv dhe jo i nxituar siç ka dashur mazhoranca. Fati i vetingut nuk varet nga kjo. Fati i këtyre ligjeve varet nga gatishmëria e mazhorancës për të mos e shkelur Kushtetutën”.
Hafizi: Tërhiqni projektligjin për mbetjet, kjo është pabesi
Deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi kundërshtoi dje ligjin për importin e mbetjeve, i cili pritet të dërgohet për miratim në Kuvend në 22 shtator. Hafizi theksoi se ka bërë një kërkesë për tërheqjen e projektligjit, pasi sipas saj është një pabesi e qeverisë. “Këto nene janë hedhur poshtë tri vite më parë. Një nga ligjet e para të iniciuara nga ligjet e Rilindjes. U mbetem këtyre argumenteve. Ka dhe një argument politik të fortë. Ligji i tri viteve më parë kërkonte referendum. Fakti që ne rikthejmë nenet e ligjin, këtë e quaj pabesi që kjo qeveri merr. Ne jemi në diskutim edhe me shoqërinë civile”, – tha znj.Hafizi.

Thyhet rregullorja, Ceferin është mbështetur nga Infantino

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Është raportuar se kreu
i FIFA-s ka mbështetur sllovenin drejt kreut të UEFA-s, ndonëse kjo është kundër rregullave. Por, shefi i ri Ceferin i ka cilësuar këto fjalë si gënjeshtra. President i ri i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, i ka cilësuar zërat që thonë se kandidatura e tij është mbështetur nga Xhani Infantino si një “sajesë të mediave” dhe një “gënjeshtër”. Ceferin, kreu i Federatës Sllovene të Futbollit, ishte cilësuar fillimisht si një “outsider” në këtë garë për të zëvendësuar ish-presidentin Mishel Platini, që u largua si i poshtëruar, por shpejt u kthye në një favorit. 48-vjeçari mposhti bindshëm Mikael Van Pragun në votimet e kësaj të mërkure, duke marrë 42 vota kundrejt 13 të holandezit nga 55 anëtarë që ka UEFA-s. Një raportim nga sajti norvegjez “Josimar” përpara votimit që u mbajt në Athinë, ku edhe u zhvillua Kongresi i UEFA-s, këmbëngul se ish-Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, ka mbështetur kandidaturën e Ceferinit, duke shkelur rregullat. Gjithashtu, ka dalë në dritë fakti se Ceferin ka fituar mbështetje edhe nga federatat skandinave, duke u premtuar atyre caktimin e Europianit të vitit 2024 ose 2028. Van Prag iu përgjigj këtyre publikimeve në “Twitter” më herët gjatë këtij muaji duke shkruar: “Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ne jemi kthyer në rrugën e vjetër të të bërit biznes në botën e futbollit. Kjo është pikërisht ajo që unë dua të ndryshoj. Ne na duhet një lider futbolli i ndershëm. Jo fuqia politikanëve të uritur. Duhet dikush që ti mund t’i besosh futbollin”. Por, Ceferin ka hedhur poshtë raportimet se ai ka marrë mbështetje nga Infantino, duke folur në një konferencë për shtyp. “E kam njohur Xhani Infantinon që kur jam bërë president i Federatës Sllovene të Futbollit në vitin 2011. Ai ishte një Sekretar i Përgjithshëm i mirë në UEFA, gjithçka tjetër që flitet sot është një imagjinatë mediatike dhe njerëzore. Nëse doni të më pyesni në më ka mbështetur ai mua, ju them se do të kisha dashur, por nuk di asgjë për këtë. Nëse një person që ka qenë sekretar i përgjithshëm mendon se unë isha i përshtatshëm për këtë detyrë, atëherë besoj se kjo vjen sepse ai e njeh mirë organizatën. Por, të gjitha fjalët për një mbështetje zyrtare janë thjesht gënjeshtra”.

Akuzat për blerje votash për zgjedhjet në Dibër, prokuroria nis hetimet

Posted: 15 Sep 2016 05:00 AM PDT

Prokuroria e Dibrës nisi dje
hetimet pas denoncimeve për blerje votash në zgjedhjet e së dielës. Organi i akuzës ka nisur hetimet kryesisht pas rasteve të denoncuara në media. Lajmi konfirmohet për "News 24" nga zyrtarë të Prokurorisë së Dibrës. Burime nga ky institucion thanë se nuk ka denoncime konkrete për blerje dhe manipulime votash. Ditët e fundit mediat kanë publikuar lajme, shoqëruar dhe me pamje filmike, për raste blerjesh të votave nga eksponentë të majtë, ku qytetarëve iu ofroheshin shuma të ndryshme për të votuar kandidatin e mazhorancës. Ditën e zgjedhjeve, televizioni "News 24" siguroi dëshminë e një të moshuare e cila tha se i kishin ofruar 2 mijë lekë të rinj për të votuar Muharrem Ramën. Prokuroria do kërkojë dhe administrimin e pamjeve filmike të televizioneve që kanë denoncuar këto raste. PD-ja gjatë ditëve të fundit njoftoi se banorët e Maqellarës kapën në mesnatë duke shpërndarë lekë për blerje votash zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve, Artan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Denoncimi tjetër i PD-së ka të bëjë me atë që Admir Trupja, shefi i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Dibër, po shpërndan lekë në këmbim të votave me një automjet 6-vendesh ngjyrë gri. "Trupja dyshohet se para disa javësh ka marrë 28 mijë euro në këmbim të një sasie droge. Bashkëshortja e Trupjes është zyrtare e Bashkisë Dibër dhe anëtare e shtabit elektoral socialist. Gruaja e administratorit të Partisë Socialiste, me detyrë vëzhguese, e cila merret me shpërndarjen e ndihmës ekonomike, shpërndau para dhe ushtroi presion ndaj personave që përfitojnë nga ndihma ekonomike në këmbim të votës" akuzoi PD-ja. Një tjetër denoncim i PD-së është se banorët në fshatin Lishan i Epërm, kanë konstatuar një furgon që shpërndante miell në këmbim të votës.

Related Posts :