Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“De Biazi ka “salduar” vetëm mbrojtjet” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“De Biazi ka “salduar” vetëm mbrojtjet” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


De Biazi ka “salduar” vetëm mbrojtjet

Posted: 03 Sep 2016 06:09 AM PDT

Jeton Selimi

De Biazi ende nuk e ka ndarë mendjen për titullarët që do të hedhë në fushën e lojës këtë të hënë në përballjen e parë të vlefshme për fushatën eliminatore për Kupën e Botës, që do të zhvillohet verën e vitit 2018 në Rusi. Në stërvitjen e paradites, seanca e vetme e parashikuar për këtë të premte, Kombëtarja shqiptare është përqendruar te puna taktike. Trajneri Xhani De Biazi ka eksperimentuar pothuajse gjatë gjithë kohës me rreshtimin e skuadrës dhe emrat e lojtarëve, që ndryshonin vazhdimisht pozicionet në fushën e lojës. E paprekur nga drejtuesi i stolit kuqezi mbetej porta, me Etrit Berishën që është titullari i padiskutueshëm dhe mbrojtja, me katërshen e repartit difensiv, që duket e pandryshuar. Elseid Hysaj në krahun e djathtë, Gjimshiti përkrah Mavrajt në qendër dhe Ansi Agolli, që rikthehet në krahun e majtë, pasi u la pushim nga stafi teknik në miqësoren ndaj Marokut. Stërvitja e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” zgjati 90 minuta, me lojtarët kuqezi që fillimisht punuan të ndarë në grupe, ndërsa më pas u zhvillua një ndeshje testuese brenda grupit. Pikërisht në lojën e kontrollit, De Biazi nuk i ka kursyer eksperimentet, duke u përqendruar te rreshtimi i skuadrës në fushë, për të qenë taktikisht perfekt ndaj ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe asgjë të mos i lihet rastësisë në debutimin e Kombëtares në kualifikueset e “Botërorit 2018”. Gjatë testit, trajneri ka bërë ndryshime të vazhdueshme në mesfushë dhe në sulm, ku titullarët e miqësores me Marokun në këto reparte u rreshtuan përballë titullarëve të mbrojtjes. Për të gjetur golin ndaj ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë nevojitet volum i madh loje në mesfushë, vertikalizime dhe dalje të shpejta nga krahët. Kjo është arsyeja përse trajneri De Biazi po shqyrton të gjitha alternativat që ka në dispozicion, për ta nisur Grupin G kualifikues me fitore, çka do ta bënte më të lehtë atmosferën për ndeshjet në vijim.

Partizani huazon Mentor Mazrekajn te Kukësi

Posted: 03 Sep 2016 06:08 AM PDT

Mentor Mazrekaj mbetet në qendër të vëmendjes, edhe pse ndeshjen e fundit e ka luajtur më 4 mars dhe që atëherë më shumë ka qenë në Kosovë se sa në Shqipëri. Është thënë gjithçka për marrëdhëniet e tij aspak të mira me drejtuesit e Partizanit, por kontrata e ka mbajtur “të lidhur” me “të kuqtë”. Gjithsesi, tashmë del në skenë huazimi te Kukësi. Lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht nga asnjëra palë, por ndoshta gjithçka mbyllet me sukses, pasi lojtari ka nevojë të luajë dhe Partizani nuk dëshiron ta mbajë më, edhe pse tifozët e duan ende.

Migjen Basha: Ta nisim si para dy viteve

Posted: 03 Sep 2016 06:07 AM PDT

Mesfushori i Shqipërisë, Migjen Basha, ka folur dje për mediat në prag të sfidës së rëndësishme kundër Maqedonisë. Është ndeshja e parë kualifikuese për “Botërorin 2018” dhe Basha heq paralele me debutimin e dy viteve më parë, me suksesin e madh ndaj Portugalisë, aty ku nisi rrugëtimi ynë drejt Europianit francez. “Duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar dhe të fillojmë me fitore ndaj Maqedonisë. Fitorja në ndeshjen e parë të jep krahë dhe këtë e pamë me Portugalinë”. Basha kërkon vlerësim maksimal për Maqedoninë, edhe pse duket rivali më i dobët në grup: “Sot fillojmë të shohim kundërshtarin, e njohim dhe e dimë që është i vështirë dhe nuk do të jetë e lehtë. Nëse mendojmë se Maqedonia është kundërshtar i lehtë dhe duhet mundur, atëherë gabojmë rëndë. Nëse futemi në fushë me Maqedoninë për barazim, atëherë jemi të humbur”. Objektivi ynë? Varet nga kundërshtari që kemi përballë, ende nuk kemi vendosur për një taktikë të mirëfilltë. Nuk shënojmë shumë, por kjo edhe për faktin se kemi pasur kundërshtarë të vështirë në Europian, ndoshta na ka munguar guximi për të sulmuar. Humbjet me Zvicrën dhe Francën nuk i kemi merituar, por është e vërtetë që duhet të shënojmë gola. Nuk është faji i sulmuesve, por i lojës sonë, pasi mesfushorët e krahut duhet të ndihmojnë më shumë. Këtë do ta shohim të hënën”. Nuk mund të mungojë një koment për Kosovën: “Gjithmonë kam pasur si objektiv Shqipërinë, pasi prita 3 vite e gjysmë për të luajtur këtu dhe nuk mendoj asnjë lëvizje tjetër. Lëvizjet drejt Kosovës i konsideroj si zgjedhje personale”.

Nuk mjafton Latifi, Greqia na mund në fund

Posted: 03 Sep 2016 06:07 AM PDT

Shqipëria u mund 2-1 nga Greqia në eliminatoret e vlefshme për Europianin e 21-vjeçarëve të vitit 2017, duke humbur dhe shpresën për një kualifikim të ëndërruar që mund të kishte qenë i mundshëm në rast të një suksesi ndaj moshatarëve grekë. Kuqezinjtë, që luajtën që prej minutës së 42-të me 10 vetë, nuk arritën të ruanin epërsinë e krijuar nga Latifi, pasi grekët arritën të përmbysnin rezultatin edhe si pasojë e inferioritetit numerik të Shpresave. Me Manajn në fushë, që iu bashkua Kombëtares së 21-vjeçarëve nga grumbullimi me ekipin e parë, trajneri Redi Jupi kërkonte të tregonte se luante për fitore dhe në të 22-tën Latifi shënoi një gol mjaft të bukur, duke u dhënë epërsinë Shpresave. Gjithsesi episodet në fundin e pjesës së parë kushtëzuan dhe vazhdimin e ndeshjes, me Shkallën që fillimisht u ndëshkua me të kuq në të 42-tën, ndërsa 2 minuta më pas Hoxhallari shkaktoi 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Ionaidis. Ashtu si në pjesën e parë, edhe në të dytën, Greqia e gjeti fitoren vetëm në minutën e fundit të pjesës së dytë, kur Tsilianidis arriti të realizojë dhe golin e fitores për Greqinë. Pas kësaj humbjeje, Shqipëria renditet në vendin e 3-të në grupin e saj, me 12 pikë pas nëntë ndeshjeve, dhe në takimin e fundit do të përballet me Izraelin në transfertë.

Akademia e Shkencave, Ramës: Na ke lënë pa para

Posted: 03 Sep 2016 06:05 AM PDT

Fatmira Nikolli

Kritikave të ashpra që lëshoi të enjten kryeministri Edi Rama në drejtim të Akademisë së Shkencave në Tiranë u është përgjigjur kjo e fundit përmes një deklarate për mediat. Në takimin e 11-të shkencor ndërkombëtar të mbajtur nga Alb-Shkenca, Rama e ka cilësuar punën e kësaj akademie si shembullin e rrënimit të saj ndër vite, ndërsa i sugjeroi anëtarëve të merren me studime që prekin drejtpërdrejt Shqipërinë, siç është problemi i përmbytjeve. Duke thirrur në ndihmë Eqerem Çabejn, shefi i ekzekutivit fshikulloi punën e Akademisë në dekada.

Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i përbërë nga Muzafer Korkuti, Gudar Beqiraj, e Vaso Tole (njëherësh kryesia e ASH-së) si edhe kryetarët e seksioneve Floresha Dado dhe Salvator Bushati) i është përgjigjur sot kryeministrit, duke u shprehur se e e quan të nevojshme të sqarojë qëndrimin e saj në lidhje me disa pohime të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke përmendur si arsye kryesore të gjendjes: mungesën e fondeve, stafit dhe nevojës për reformë, çka sipas tyre i është parashtruar më herët Ramës. Ndërkaq, “GSH” kërkoi të mësonte se sa është buxheti vjetor i kësaj akademie dhe sa prej tij shkon për kërkime shkencore e botime. Në përgjigje të interesimit tonë pranë këtij këshilli, mësohet se këtë vit Akademia e Shkencave ka pasur një buxhet rreth 85 milionë lekë të rinj, nga të cilat për kërkime nuk ka asnjë zë. Prej kësaj shume, një pjesë e madhe shkon për sigurime, paga dhe shpenzime, duke mbetur për botime rreth 15 milionë lek të rinj.

FONDET DHE KUSHTET
“Prej disa vitesh, si në pikëpamjen shkresore-institucionale, ashtu edhe përmes qëndrimeve publike të anëtarëve të saj, i ka theksuar para kryeministrit nevojën e qortimit të gabimeve që solli reforma e nxituar e vitit 2006 për kërkimin shkencor në vend dhe posaçërisht për organizimin institucional të tij. Për këtë kemi konstatuar të njëjtin preokupim edhe nga kryeministri i vendit”, thotë Këshilli.

Sipas këtij të fundit, veç një reforme të vërtetë në dije, Akademia e Shkencave e ka pasur dhe e ka synim parësor krijimin e një realiteti të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit të institucionalizuar ndërmjet bashkësisë shkencore dhe vendimmarrësve politikë; thënë ndryshe ndërtimin e marrëdhënieve të frytshme mes shkencës dhe politikës; mbështetjen e shkencëtarëve të rinj dhe krijimin e mundësive të qëndrueshme për karrierë; përfshirjen e suksesshme të diasporës akademike shqiptare dhe nxitjen e qarkullimit të prodhimit intelektual; përmirësimin e rekrutimeve dhe motivimin e punës kërkimore-shkencore të të rinjve, duke i rikthyer shkencës rëndësinë e merituar në një shoqëri të hapur, si dhe duke spikatur rolin e saj të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Në deklaratë thuhet se mendimet dhe qëndrimet e veta rreth gjendjes institucionale në rrjetin e kërkimit akademik-universitar dhe nevojës për një ndryshim urgjent ia ka dërguar Kryeministrisë, me shkresën nr. 179, datë 29 prill 2016.

Mandej, Akademia e Shkencave bën me dije edhe emrat që ka shtuar në radhët e saj nga shkencëtarët shqiptarë më të shquar të diasporës. “Shkenca dhe kërkimi shkencor në Shqipëri sot zhvillohen në kushtet e një vendi me kufizime të mëdha në burime njerëzore dhe me mundësi financiare minimale. Në buxhetin vjetor të vendit përqindja e ndarë për kërkimin shkencor institucional është më e vogël se ajo e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Akademia e Shkencave e ka bërë të njohur këtë gjendje dhe ka kërkuar shtim e përqendrim të kërkuesve të kualifikuar shkencorë në institute dhe në njësitë bazë të tyre; mbështetjen e kërkimit me laboratorë e mjete financiare të mjaftueshme”, thotë Akademia dhe shton se, “kjo duhet bërë më së pari në Tiranë, me të njëjtën përgjegjësi e me të njëjtën lartësi kërkesash bashkëkohore si në vendet e tjera (dhe siç ka qenë në kohën e prof. Aleks Budës dhe Eqrem ?abejt, kur Tirana me të drejtë njihej si kryeqendër e studimeve albanologjike)”. Kjo sipas ASH-së, do të mundësonte bashkëpunim e bashkërendim brenda vendit me studiues të dalluar në diasporë, veçmas me kërkues që merren me albanologji, të ishte shumë më i suksesshëm se deri më sot.

“PËRGJEGJËSI TË PAQENA”
Sa i takon kritikës dhe pohimit të Ramës, “se është tronditëse që Akademia e Shkencave sot të mos ketë një regjistër të atyre që bëjnë, ose përpiqen të bëjnë shkencë dhe janë shqiptarë dhe që jetojnë kudo në botë”, Akademia thotë se, “jemi të shtrënguar të përmendim se kjo nuk është përgjegjësi ligjore e statutore e Akademisë së Shkencave, as ndonjë detyrë parashtruar asaj prej qeverisë”. Sipas saj, janë institucione shkencore të tjera të ngarkuara me akte rregulluese ligjore e nënligjore për këtë. Megjithatë, Akademia vëren se ka dhënë kontribut për krijimin e bazës së të dhënave për shkencëtarët që gjenden me punë jashtë vendit.
KRITIKA NË KTHIM
Në fund, Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë shënon se “kritikat e z.kryeministër për gjendjen e drejtimit në Akademinë e Shkencave ne i lexojmë në thellësi, por jemi të bindur se këto kritika janë po aq me vend t’i adresohen vetë qeverisë”. Sipas këtij Këshilli, qeveria gjatë tri viteve ka lënë shumë pak gjurmë për të realizuar detyrat e programit të saj për shkencën, miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku thuhet: Qeveria do të mbështesë rritjen e kontributit shkencor të Akademisë së Shkencave sipas vizionit shkencor për zhvillimin e vendit, e gjithashtu do t’i ofrohet mbështetje Akademisë së Shkencave, për t’u bërë një forcë shtytëse e veprimtarisë kërkimore-shkencore në vend”. Në deklaratën e djeshme shënohet se ASH “qysh prej fillimit të investiturës së kësaj qeverie është në pritje të një vizite pune të z. kryeministër, për të diskutuar rreth reformës në kërkimin shkencor dhe përballimin bashkërisht të situatave”.

Arkivi Qendror i Shtetit, ikën Gjet Ndoji, vjen Ardit Bido

Posted: 03 Sep 2016 06:03 AM PDT

Ardit Bido, përfaqësues i PDIU-së, ish-këshilltar i Shpëtim Idrizit, është emëruar drejtor i përgjithshëm i Arkivave, duke zëvendësuar në këtë detyrë Gjet Ndojin, që e mbajti postin për tri vite. Bido ka mbrojtur gradën “Doktor i Shkencave” në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Ciklin e parë të shkollës së lartë e ka përfunduar për gazetari në të njëjtin universitet. Punimet akademike përfshijnë studime të botuara në revista shkencore brenda e jashtë vendit, kumtesa të referuara në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, si edhe dy monografi: “Kisha Ortodokse Shqiptare: një histori politike (1878-1937)” dhe “Koncesioni editorial i medias shqiptare”. Ardit Bido ka një përvojë disavjeçare në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive. Prej vitit 2012 është pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës dhe pranë një universiteti privat. Ai ka pasur angazhime publike dhe komunitare, përfshi drejtimin e disa organizatave rinore, pjesëmarrjen në borde drejtuese universitare e kërkimore dhe zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Njësisë nr. 9 në Tiranë. Ndërkaq, në ikje, Gjet Ndoji ka bërë një përmbledhje të tri viteve në detyrë në Drejtorinë e Arkivave. “Pas tri vitesh, sot dorëzoj detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Arkivave. E dorëzoj duke lënë një punë dhe një bilanc”, thotë Ndoji duke shënuar se institucioni i memories ka një shërbim më të mirë e më të shpejtë për qytetarët, pasi është ndërtuar një sistem efikas, ku sekserët dolën jashtë loje. Ai shton se arkivat shqiptare gjatë këtij trevjeçari kanë përfituar fonde dokumentare me rëndësi historike kombëtare dhe se kjo ka ndodhur për shkak të vendosjes se marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit me Arkivat e Turqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Vjenës, Londrës, Kalabrisë. Ai vëren edhe se ka lënë një godine të re në Arkivin Vendor të Beratit dhe të Korçës. Në fund, Ndoji thotë se, “unë largohem duke bërë gjithçka munda në dobi të institucionit, punë të cilin uroj ta ngrejë në një shkallë më të lartë pasardhësi im”.

Nëna: Ja prova e dhunës ndaj vajzës sime

Posted: 03 Sep 2016 06:02 AM PDT

Klodiana Haxhiaj Fatmir Popja

DURRES-Të mohosh shenjat e dhunës në trupin e vajzës sime është një krim i dytë akoma më i rëndë se i atyre që e luajtën nga mendtë e kokës dhe e çuan në psikiatri. Ime bijë ka një plagë të madhe poshtë mjekrës. Ajo mund të jetë goditur me thikë ose kaçavidë ose me një mjet tjetër mprehës. Desara ka shenja dhune në të gjithë trupin dhe unë jua vërtetoj këtë”. Kështu u shpreh dje Nevruze Çoniku, nga lagjja nr.15 e qytetit të Durrësit. Reagimi i saj ka marrë shkas menjëherë pas deklaratës zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Durrësit dhënë për mediat, në lidhje me ngjarjen e publikuar dy ditë më parë nga “Gazeta Shqiptare”, ku bëhej me dije denoncimi i bashkëshortëve Idajet dhe Nevruze Çoniku se vajza e tyre 23-vjeçare është dhunuar e përdhunuar në familjen ku ishte punësuar si “babysiter”. Në të njëjtën linjë me nënën e së resë janë edhe mjekët e Spitalit Psikiatrik të Elbasanit. Ata pohuan se “vajza kishte shenja dhune në trup” dhe se “kjo i është referuar policisë së Durrësit që në momentin kur e solli këtu”. Ndërkaq, mjeku psikiatër i Durrësit, Gazmend Rrahmani tha se 23-vjeçarja ka ardhur në gjendje të rënduar mendore dhe për këtë arsye plotësoi kartelën për në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. “Vajza u paraqit në poliklinikë e shoqëruar nga policia. Fillimisht ajo kishte qenë në maternitet për ekspertizë mjeko-ligjore, dhe më pas e sollën tek unë. Ajo kishte pësuar trauma dhe ishte në gjendje të rënduar mendore. Nuk e di çfarë i kishte ndodhur, por nuk na lejoi t’i bënim as qetësues. Diagnoza ishte ‘Çrregullim psikotik’ dhe ende nuk dihen shkaqet”, – deklaroi Rrahmani.
MISTERI I NJE
“BABYSITER”
Si përfundoi në çmendinë Desara Çoniku?! Ngjarja e ndodhur më 23 gusht të këtij viti është e mbuluar me mister. Kjo për faktin se dëshmitë tronditëse të dhëna nga prindërit e saj hidhen poshtë nga policia e Durrësit. Blutë këmbëngulin se vajza nuk është dhunuar. Ndërsa, nëna e së resë dëshmon të kundërtën. Ditën e djeshme, Nevruze Çoniku solli në “GSH” një foto të së bijës, ku duket qartazi një shenjë plage nën mjekër. 45-vjeçarja i ka bërë disa foto në spital së bijës. Sipas saj, vetëm ata që nuk kanë sy nuk mund t’i shohin shenjat në trupin e Desarës. “Vajza kishte plagë edhe në afërsi të sqetullave, në krahë, në kurriz e në të gjithë pjesën e fundshpinës. Unë kam një mesazh për ata që duan të fshehin të vërtetën e asaj që i ndodhi sime bije. Për ata që nuk vënë para drejtësisë autorët e krimit: Ta përjetojnë te fëmijët e tyre. Dhe më pas të besojnë dhimbjen time prej nëne”, – tha Nevruze Çoniku. Ndërkaq, nëna e 23-vjeçares u shpreh se dyshon që vajzën ia kanë helmuar. “Pse nuk iu bënë analizat toksikologjike vajzës, për të verifikuar se çfarë i kanë dhënë për të pirë?” – shtoi Çoniku. Ndërkaq, “GSH”, dje u interesua pranë spitalit të Durrësit dhe rezultoi se kjo analizë shumë e rëndësishme, e cila verifikon se çfarë ka konsumuar e reja nuk kryhet në këtë spital. “Kryhet vetëm në Tiranë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thanë mjekët e spitalit të qytetit bregdetar.

Policia: 23-vjeçarja nuk është përdhunuar, ajo paraqet çrregullime të shëndetit mendor

Posted: 03 Sep 2016 06:01 AM PDT

Policia e Durrësit dje bëri me dije se “më datë 22.08.2016, rreth orës 22:00, është paraqitur nga familjarët e saj në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe e papërqendruar (në dukje me probleme të shëndetit mendor), shtetasja Desara Çoniku. Me të marrë njoftimin, Policia e Durrësit paralel me dhënien e ndihmës shëndetësore ka nisur menjëherë veprimet hetimore dhe procedurale për rastin në fjalë. Konkretisht u është marrë deklarim mamasë së Desarës, shtetases N.Ç., dhe shoqeve të saj, shtetaseve P.V. dhe A.Xh., të cilat pohojnë se kishin dijeni për punësimin e shoqes së tyre në banesën e shtetasit I.P. si “Babysiter” dhe gjendjen jo të mirë shëndetësore të saj nga data 20-23.08.2016. Gjithashtu iu mor deklarim shtetasit I.P. dhe ish-bashkëjetueses së këtij të fundit. Policia e Durrësit ka vijuar më tej hetimet në kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme shëndetësore mbi mundësinë e ushtrimit të dhunës fizike apo seksuale ndaj shtetases Desara Çoniku. Theksojmë se shtetësja Desara ka qenë e shoqëruar nga familjarët dhe punonjëse policie të seksit femër gjatë gjithë procesit të kryerjes së veprimeve hetimore. Në përfundim të hetimeve, në dijeni dhe asistencë me prokurorin e gatshëm, me aktin e dëshmisë nr.740, datë 24.08.2016, eksperti mjeko-ligjor konfirmon se ndaj shtetases Desara Çoniku nuk është ushtruar dhunë fizike apo seksuale, por ajo paraqet çrregullime të shëndetit mendor. Mjekët kanë vendosur që shtetësja Desara Çoniku duhet të dërgohet për t’u kuruar në Spitalin Psikiatrik Elbasan. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme”.

Paratë e bankës, hetime dhe në Malin e Zi

Posted: 03 Sep 2016 06:00 AM PDT

Sonila Musaj

Edhe pse Roland Liti Zekaj, Alan Babameto dhe Robert Kulla u arrestuan si autorët kryesorë të vjedhjes së bankës në zonën e ish-Bllokut, që të tre kanë mohuar akuzat dhe janë përpjekur të shfajësohen. “Nuk kam asnjë lidhje me grabitjen e bankës në ish-Bllok, mjafton të kryhet një vjedhje dhe emri im përmendet i pari”. Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë gjyqësore, Roland Liti Zekaj. Ai ka mohuar që ketë vjedhur bankën, ndërsa përsa i përket hyrjes në Shqipëri në mënyrë të parregullt nga Mali i Zi, është justifikuar për shkak të radhëve të gjata në pikën kufitare. 37-vjecari ka deklaruar se nuk e mbante mend nëse policët ia kanë kërkuar pasaportën apo jo.

Roland Litit iu gjetën shenjat e gishtave në një shishe plastike uji në bodrumin pranë bankës që u vodh, duke e bindur policinë se kush ishin autorët e supervjedhjes. Pas ekzaminimit të shishes së ujit, 37-vjeçari është mbajtur në vëzhgim duke zbuluar lidhjen me Robert Kullën dhe 23-vjeçarin tjetër të vënë në pranga, Alan Babameton. Por, kanë qenë edhe përgjimet telefonike që arritën që të identifikojnë edhe dy autorët e tjerë të dyshuar. Edhe 23-vjeçari Alan Babameto i ka mohuar akuzat, ndërsa ka deklaruar se Roland Litin e njeh për shkak se janë në një lagje, duke thënë se nuk ka dijeni për veprimet e këtij të fundit. Ndërkaq, edhe Robert Kulla, djali i “të fortit” të Tiranës, Nehat Kulla, ka mohuar të ketë gisht në grabitjen e 19 milionë lekëve të reja në bankën në ish-Bllok. Para oficerëve të policisë gjyqësore, Kulla ka sqaruar se ditën e ngjarjes ai ka qenë në plazh. I pyetur në lidhje me paratë që iu gjetën me vetë ditën e arrestimit, Robert Kulla ka thënë se i kishte nga qiratë e magazinave në pronësi të tij. Për të verifikuar këtë fakt, prokuroria po pret aktekspertizën për të verifikuar nëse paratë e gjetura korrespondojnë me të njëjtin numër serie me ato që janë grabitur nga kasaforta e bankës. Përsa u përket njohjeve me dy të arrestuarit e tjerë, Kulla ka deklaruar para oficerëve se me Alan Babamato nuk njihet, ndërsa ka pranuar njohjen me Roland Litin prej shtatë vitesh. Madje, ka shtuar se Roland Litit i ka dhënë dhe një borxh prej 50 mijë lekësh të reja prej afro dy muajsh, që ende nuk e ka marrë. Ndërkaq, burime nga prokuroria sqarojnë se ka dyshime që paratë e grabitura mund të jenë depozituar në Mal të Zi nga dy autorët, Roland Liti dhe Alan Babameto. Pas vjedhjes së afro 200 milionë lekëve të vjetra, të rinjtë kanë ndarë paratë dhe nuk kanë nguruar t’i shfrytëzojnë në maksimum, madje ata kanë lëvizur edhe jashtë Shqipërisë, konkretisht në Mal të Zi, fakt që identifikohet edhe në sistemin TIMS. Pritet që gjatë javës që vjen drejt Malit të Zi të dërgohet një letër-porosi, ku do të kërkohet informacion për lëvizjet e 37 dhe 23-vjeçarit nga data 7 gusht deri më 11 gusht, si dhe për dyshimet për transaksione bankare. Ndërkaq, hetimet procedurale po vijojnë për veprimtarinë kriminale të personave të arrestuar, ndërsa dyshohet se rrjeti i personave të implikuar në grabitje në formën e bashkëpunimit të jetë më i madh. Tre të arrestuarit pritet që të dalin sot para gjykatës, ku do të njihen edhe me masën e sigurisë. Prokuroria do të kërkojë për ta arrest me burg, të paktën deri në përfundim të hetimeve.

Prokuroria e Përgjithshme pushon hetimin ndaj ministrit Saimir Tahiri

Posted: 03 Sep 2016 05:59 AM PDT

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk do të hetohet në lidhje me deklaratat e tij ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Arian Aliaj. Burime nga organi i akuzës sqarojnë për “GSH” se vendimi është marrë pas marrjes së dëshmisë të gjyqtarit Aliaj, i cili ka deklaruar se nuk është ndjerë i rrezikuar nga deklaratat e Tahirit. Ndaj ministrit të Brendshëm bëri një padi edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas të cilit, ministri ka treguar shprehimisht nëpërmjet deklaratave të tij se ka vepruar ndaj gjyqtarit Arian Aliaj për shkak të veprimtarisë së tij dhe se qëndrimi i ministrit jep efekte edhe ndaj gjyqtarëve të tjerë. Ky fakt sipas Këshillit të Lartë të Drejtësisë merr rëndësi përcaktuese, sepse identifikon përtej çdo dyshimi se qëllimi i veprimeve të ministrit të Punëve të Brendshme është frikësimi i gjyqtarit dhe kanosja e tij. Sipas Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ministri Tahiri ka vepruar me dashje direkt në kryerjen e kësaj vepre penale, pasi rrethanat tregojnë për veprimtari sistematike dhe të zgjatura në kohë, që tregojnë vendosmërinë e tij në shkeljen e ligjit. Ministri i Brendshëm, Tahiri filloi me deklarata publike ndaj gjyqtarit Arian Aliaj, por edhe gjyqësorit në përgjithësi, pas vendimit të gjyqtarit Aliaj për pezullimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Haki Çako edhe masës së sigurisë “arrest shtëpie” Artion Dukën dhe Entiol Xhelilajn, dy oficerë të Forcave Operacionale. Pas pezullimit nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, ministri Tahiri ka qenë i ashpër ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili dha këtë vendim. Gjatë deklaratave, Tahiri e ka cilësuar gjyqtarin Aliaj si të korruptuar e madje ka renditur disa raste që ai ka gjykuar, për vrasës e përdhunues, të cilët sipas Tahirit, i ka lënë të lirë. Në lidhje me deklaratat e Tahirit, më herët ka reaguar edhe Unioni Gjyqtarëve të Shqipërisë, që e cilëson të paprecedentë dhe aspak etik reagimin e ministrit të Brendshëm. Ndaj deklaratave të Tahirit ka reaguar, duke shprehur shprehur shqetësim edhe Unioni i Gjyqtarëve. Sonila Musaj

Related Posts :