Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Do të hidhej sot në treg, por Samsung Note anullon shitjet” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Do të hidhej sot në treg, por Samsung Note anullon shitjet” plus 9 more - Gazeta Dita


Do të hidhej sot në treg, por Samsung Note anullon shitjet

Posted: 02 Sep 2016 02:17 AM PDT

Duhej të hidhej në treg pikërisht ditën e sotme, por një e papritur ka detyruar Samsung që të shtyjë me të paktën dy javë nisjen e shitjeve për Galaxy Note 7, produkti i fundit i serive Note.

Kompania koreano-jugore njoftoi se ka ndalur përkohësisht dërgesat për tre kompanitë kryesore të telefonisë celulare në vendlindje dhe shkak është një problem me baterinë e pajisjes.

Vetë kompania nuk ka dhënë shumë detaje për problemin në fjalë, por nëpër forumet teknologjike thuhet se janë regjistruar disa raste shpërthimi të telefonit gjatë ose pas karikimit.

Samsung thotë se është duke kryer testimet e nevojshme për riparimin e avarisë dhe kërkon dy javë kohë për ta korrigjuar atë.

Tërheqja e pajisjeve nga publikimi mbërrin vetëm 5 ditë nga hedhja në treg e iPhone 7, rivali kryesor në tregun e telefonave inteligjentë i kompanisë koreano-jugore.

Galaxy Note 7 u prezantua më 2 gusht. Në fakt, produkti është i gjashti në serinë e këtij lloji, por Samsung vendosi numrin "7"  dhe për këtë shpjegimin e ka dhënë kohë më parë, kur deklaroi se Note 7 do të ishte një version hibrid mes Note 5 dhe S7 Edge.

Prenotimet për këtë pajisje filluan zyrtarisht një ditë më pas ndërsa më 19 gusht ishte i disponueshëm për të gjithë të interesuarit përmes kompanive kryesore të telefonisë që operojnë ndërkombëtarisht.

Sa u takon parametrave, Note 7 ka të njëjtat me S7 dhe S7 Edge, një procesor Qualcomm Snapdragon 820, 4 GB RAM, të njëjtën teknologji karikimi dhe Wifi dhe kamera kryesore 12 megapixel.

Ndryshimi është bateria, që është 3500 mAh, 500 më shumë se paraardhësi i tij, ndërsa risia më e madhe është tek identifikimi përmes skanimit të syve, teknologjia "Iris Scan", që i shtohet asaj me gjurmë gishtërinjsh. Pajisja është rezistente ndaj ujit, madje edhe mund të shkruash mesazhe nën ujë me të.

Note 7 doli me sistemin Android 6.0 Marshmallow, por kompania koreano-jugore thotë se në muajt në vijim do të zëvendësohet nga Android 7.0 Nougat.

Grabitja e bankës në ish-bllok, flet djali i të fortit të Tiranës

Posted: 02 Sep 2016 02:13 AM PDT

Zbardhet dëshmia e Robert Kullës, djalit të "Gjeneralit" Nehat Kulla, i arrestuar për grabitjen e ndodhur në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut.

Gjatë marrjes në pyetje, Kulla është shprehur se Roland Litit i kishte dhënë disa herë lekë borxh, e së fundmi i kishte dhënë 50 mijë lekë që ende  nuk ia ka kthyer.

"Ditën që ka ndodhur grabitja e bankës kam qenë në plazh. Roland Litin e kam mik dhe e njoh prej 7 vitesh, e i kam dhënë shpesh lekë borxh. Herën e fundit i kam dhënë 50 mijë lekë që ende nuk i kam marrë",- ka thënë Robert Kulla për policinë.

Ai i ka justifikuar lekët e gjetura në banesë me faktin se i kishte nga qiratë e magazinave të tij.

"Lekët që më janë gjetur janë trë magazinave që kam lëshuar me qira",- ka thënë Kulla.

Kush ishte Luixhi Ugolini?

Posted: 02 Sep 2016 02:07 AM PDT

I nderuar lexues!

Luixhi Ugolini ishte arkeolog italian. Kryesoi misionin arkeologjik italian të krijuar më 1926. Misioni do të kryente për një afat prej 30 vjetësh kërkime e gërmime arkeologjike në krejt territorin shqiptar, me përjashtim të prefekturave të Shkodrës, Durrësit e Vlorës. Luixhi Ugolini i filloi gërmimet po atë vit në Finiq, por meqë nuk dhanë rezultatet e pritura, më 1928 u shpërngul në Butrint. Me gërmimet e bëra deri më 1937 zbuloi një pjesë të qendrës së qytetit, ku ishte ruajtur teatri, një portik, tempuj e godina të tjera, si dhe mure rrethuese etj. Botoi tre vepra të titulluara "Shqipëria antike", ku dy vëllime ia kushtoi gërmimeve të Finiqit dhe Butrintit, duke lënë një informacion të hollësishëm mbi këto dy qytete.

Filmi për Gërdecin nuk flet për Gërdecin

Posted: 02 Sep 2016 02:03 AM PDT

Asnjë fjalë për Gërdecin. Hollivudi nuk e ka parë të arsyeshme që në filmin War Dogs, të fuste edhe historinë e atij fshati të vogël me emrin Gërdec, i cili pa ferrin më 15 mars të vitit 2008.

"War dogs" me regji të Todd Phillips dhe skenar të Stephen Chin, Todd Phillips, Jason Smilovic, mbështetur mbi librin e gazetarit Guy Lawson "Armët dhe çunat", nisi të shfaqet dje në Kinema "Millenium" në Tiranë.

Me stilin e komedisë "The Hangover", Phillips tregon historinë e dy çunakëve hebrenj nga Majemi, David Packouz dhe Efraim Diveroli, të cilët u gjendën pa kuptuar mes një loje shumë të madhe, një trafiku armësh, që niste në Pentagon e mbyllej në vatra të nxehta luftimesh në Lindjen e Mesme në Irak apo Afganistan.

Me nota ironie, me shprehje të tipit "Lufta është ekonomi", "Paratë bëhen duke anashkaluar rregullat", "Kujt i intereson nëse nuk thua të vërtetën", "Kjo duket si e paligjshme", Phillips ndërton gjithë historinë e çunave, mes armëve, drogës, luksit, aventurave të frikshme, mashtrimeve.

Duket sikur Phillips mban anën e Packouz, interpretuar nga Miles Teller, i cili kur filloi biznesin me ish-­shokun e klasës, Diveroli, u bënte meshkujve të pasur masazhe për 75 dollarë.

Ai është i mprehtë, do të donte t'i bënte gjërat si duhej, por nuk i shpëtonte dot joshjes së parave, një apartamenti luksoz që sheh mbi qytet dhe shpejtësisë së "Jaguarit".

Ndërsa Diveroli, luajtur nga Jonah Hill, është një djalë i shëndoshë, me një të qeshur të panatyrshme, me një aftësi të shkëlqyer aktrimi, për të qenë ai që nuk është dhe në fund edhe besëprerë. Ai nuk i dha kurrë Packouzit paratë që i takonin për punën, edhe pse si për suport moral, regjisori ia "jep" atij në një formë tjetër, si një akt "besnikërie" nga ana e trafikantit më të madh të armëve Henry Girard (Bradley Cooper), që bënte tregti me Shqipërinë.

Historia mund të duket argëtuese, por sipërfaqësore. Me sa duket, qëllimi i regjisorit nuk ka qenë t'u hyjë thellë punëve, por thjesht të ironizojë me Pentagonin.

 

Nga shqiptarët, i vetmi personazh me emrin real është Ylli Pinari, i cili interpretohet nga aktori rumun Andrei Finti.

Ai shfaqet i veshur me një pallto të gjatë të zezë dhe kapele të zezë republike, rrasur pas koke, nën shoqërinë e një “gjenerali të lartë shqiptar”, uniforma e të cilit ishte pa lidhje: Ajo nuk përkonte me veshjet ushtarake të kohës kur zhvillohen ngjarjet, por më shumë ngjante me uniformat e periudhës komuniste.

Një tjetër personazh shqiptar është Enveri. Në historinë reale, nuk ka asnjë person me këtë emër, por lehtësisht mund të gjesh ngjashmërinë mes Enverit, që mori përsipër shpaketimin dhe ripaketimin e municioneve kineze, me Kosta Trebickën.

Në film nuk thuhet asgjë për vdekjen e tij tragjike dhe enigmatike. Roli i Enverit luhet nga aktori rumun Gabriel Spahiu, që me gjasë mund të jetë me origjinë shqiptare.

Një pjesë e mirë e filmit zhvillohet në Shqipëri.

Por Shqipëria prezantohet me një pamje gri së larti, me një rregullsi ndërtesash e me ndonjë katedrale që kalon me shpejtësi, e pamundur të gjendet në vitin 2007 apo 2008 në Shqipërinë reale.

Rrugëtimi për Tiranë shoqërohet me një këngë të viteve të komunizmit, si kolonë zanore. Bëhet fjalë për këngë "Pushka kërkon trima" (Rritu biri i nënës), me tekst të Arben Dukës, kompozuar dhe kënduar nga Tonin Tërshana, fituese e "Anketës muzikore" në vitin 1980.

Kërkimi që regjisori ka bërë rreth Shqipërisë është minimal.

Ai është përpjekur të krijojë një copëz Shqipërie, në periferitë e Bukureshtit apo në ndonjë skutë të Rumanisë, ku ka gjetur magazina të vjetra e ish­-zona industriale. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Davidi qëndron në një hotel në një rrugë të ndyrë dhe bën vrap në mëngjes nëpër ca rrugë të fëlliqura me baraka.

Jo se në Tiranë nuk ka pasur e nuk ka të tilla, por për vërtetësi të fakteve, çunat kanë ndenjur në "Sheraton", që ndodhet në një nga zonat më të bukura të kryeqytetit dhe vrapin mund ta bënte fare mirë nga Liqeni.

Shqip dëgjon shumë pak, vetëm kur bëhet fjalë për ndonjë sharje nga nëna. Madje, në një rast, kur një punëtore ankohet për zhdukjen e të shoqit, Bashkim Trebeshina, që ishte shofer i Packouz, me gjasë ajo flet rumanisht, po shqip jo se jo.

Në Shqipërinë e Philips, Packouz rrëmbehet në mes të natës nga hoteli ku rrinte nga njerëz të maskuar që shajnë shqip…

Të gjitha të zezat janë në Shqipëri, veçse për Gërdecin nuk flitet. Tragjedia shqiptare mbyllet vetëm me zhdukjen e shoferit Bashkim, ndërsa shpërthimi nuk përmendet asnjëherë.

 

*Marë nga kritika letrare e gazetares Alma Mile për filmin

Vapa iku bashkë me gushtin! Priten reshje të dendura shiu

Posted: 02 Sep 2016 02:00 AM PDT

Me sa duket i nxehti iku bashkë me gushtin.

Duke nisur nga java e ardhshme, temperaturat do të bien, ndërsa do të ketë reshje të dendura shiu.

Edhe gjatë fundjavës, moti do të shoqërohet me vranësira të herëpashershme, ndërsa temperaturat nuk do t'i kalojnë 32 gradët.

Parashikimi nga Meteoalb:

Fundjava do te jete kryesisht me mot te kthjellet dhe vranësira të herëpashershme, me te dukshme vranësirat ne zonat lindore duke rrezikuar rrebeshe shiu. Java tjetër do të nise me vranësira dhe shira të dendur. Temperaturat e ajrit gjatë fundjavës do te jene rreth vlerës 31 – 32 grade C, ndërsa java tjeter sjell rënie të tyre.

Sa kushton të blesh Shtëpinë e Bardhë?

Posted: 02 Sep 2016 01:58 AM PDT

Washington, D.C., është i famshëm dhe shumë i vështirë për ti bërë një vlerësim prone.

Një shoqëri mori përsipër të vlerësojë sesa kushton Shtëpia e Bardhë, thjesht për humor.

"Vlerësimi është shumë kompleks. Kjo prone ikonë është shumë subjektive për tu vlerësuar" tha  drejtori i i kompanisë  Royal Institution of Chartered Surveyors me bazë në Londër, me një histori 150 vjeçare në sektorin e pronave të patundshme.

Kompania përfshiu në vlerësimin e saj një ndërtesën, veprat e artit dhe një koleksion të madh kinez.

Konsulentët  morën parasysh, 132 dhomat, 8 hektarë tokë dhe 750 vepra arti dhe arritën në përfundimin se shtëpia e presidentëve amerikanë vlen 250 milion dollarë.

Ata përdorën tre metoda standard vlerësimi të sendeve me vlerë: kostot, të ardhurat dhe  krahasimin.

A do të shkojë Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Posted: 02 Sep 2016 01:57 AM PDT

 

Nga Bedri Islami

 

Nga të gjitha parashikimet për fatin e demarkacionit, miratimit apo jo të Marrëveshjes ndërkufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, ndodhën ato që më së paku priteshin.

Shefi i qeverisë së Kosovës, Mustafa, tërhoqi vendimin e qeverisë, duke e justifikuar atë me kushtet e pafavorshme në të cilat ishte mbledhur Kuvendi dhe me presionin që po bëhej ndaj deputetëve për të mos e miratuar këtë Marrëveshje.

Në fakt, e gjitha ishte mbështjellë në kërkesat e deputetëve të Listës Serbe, të cilët, edhe tani, si më herët, nga çdo ndërlikim brenda faktorit shqiptar në Kuvend, përpiqen të nxjerrin gështenjat e pjekura për vete. Ata kërcënuan se nuk do të merrnin pjesë në Kuvend nëse nuk pranoheshin dy kërkesa tyre dhe, meqenëse nuk u pranuan, ata nuk shkuan.

Kjo ishte edhe përmbysje e "numrave" në Kuvend, për sa kohë që deputetët në atë sallë trajtohen më shumë si numra se sa si forcë mendimi e përgjegjshme.

Nuk pritej që protesta e Opozitës të ishte aq minore. Në fakt është protesta më e pazakontë e opozitës, e cila, zakonisht, ka mbushur të gjitha sheshet e Prishtinës dhe ka qenë njëra ndër forcat determinuese në përcaktimin e vendimeve, brenda e jashtë sallës. Dështimi i tyre i deritashëm është zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Kosovës, i cili, edhe atëherë, ia doli të përmbysë situatat në favorin e tij.

Si ndodh gjithnjë në Kuvendin e Kosovës, kishte edhe të arrestuara, kësaj here dy deputete të Lëvizjes VV, e po ashtu kishte edhe disa të arrestuar jashtë Kuvendit, mes të cilëve edhe një nga mendjet e vyera të mendimit politik në Kosovë, Sadri Ramabaja.

Në fakt, askush nga palët në përballje nuk mund të ndjehet e fituar. Të vetmit që mund të jenë të qetë për disa kohë janë banorët e zonave kufitare, të cilëve mund t'u kishin mbetur jashtë tokat, livadhe dhe burimet ujore të tyre.

Miratimi apo jo i Demarkacionit prej shumë kohësh ishte një çështje e nxehtë mes qeverisë dhe Opozitës. Ndoshta më e nxehta deri tani, pasi pas saj do të vijë një tjetër edhe më e zjarrtë, e njohur si Zajednica.

Demarkacioni ishte bërë guri i provës mes qeverisë nga njëra anë dhe Opozitës nga ana tjetër, rreth së cilës dhe në mbështetje të së cilës u radhitën disa nga figurat intelektuale të njohura të Kosovës, mes tyre edhe mendimtari i shquar, Rexhep Qosja.

Si pak herë më parë, krah tyre ishte edhe Organizata e Veteranëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, në shumë raste, ka patur një vijë sjellje pro qeveritare, megjithëse është tejet larg mendimit politik të dhe shefit të kësaj qeverie të tashme.

Duke qenë guri i provës, pra kufiri mes së cilës do të mund të vendosej për vazhdimin e një rrugëtimi politik, në dukje po europian, dhe një kundërveprimi politik, në dukje anti-perëndim, tani që ky gur ra, ai sjell edhe pyetjen themelore: çfarë do të ndodhë më tej?

Opozita e sotme, më shumë nga veprimet e dukshme të saj se sa nga mendimet politike të saj, duket e hasmëruar me Perëndimin. Në të vërtetë perëndimi nuk është hasmëruar me të, megjithëse nuk e pranon radikalizimin e Opozitës, kur gjërat mund të zgjidhen edhe sipas botëkuptimit të saj, që në këtë rast nuk është mentalitet ballkanik.

Qeveria, strukturat e shtetit dhe sidomos institucioni i Presidentit duken të përkëdhelurat e perëndimit në kohën e tashme, megjithëse nuk ka asnjë strukturë europiane apo atlantike që mund të jetë dakord me nepotizmin, korrupsionin dhe brutalitetin e herëpashershëm të kësaj qeverie të stërmadhe dhe të panevojshme në madhësinë e saj.

Figura të veçanta të kësaj qeverie, mes tyre ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, janë shëmbëlltyrat se përmes cilash cilësi mund e duhet të ndërtohet shteti i së nesërmes.

Pas ditës së djeshme, e gjithë ngrehina e pushtetit dhe e Opozitës ndodhen para një dileme: si do të vazhdohet?

Shtyrja, që deklaroi zoti Mustafa, më shumë se sa shtyrje , ishte një gjetje politike e minutës së fundit, për të rregulluar frymëmarrjen politike dhe, ndoshta, kjo do të ishte një fatkob për parlamentin, për të filluar allishverishet me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Duke qenë një gjetje politike e momentit, ajo lë pas vetes pyetjen: a do të bjerë pas kësaj qeveria e Kosovës?

A është koha e duhur që Kosova të futet në një ciklim të ri zgjedhor, kur njëra ndër marrëveshjet më përcaktuese të qeverisë dhe të politikës së saj, "shtyhet", ndoshta për të mos ardhur sërish?

Për cilët do të ishte më interesante dhe më e favorshme futja e Kosovës në zgjedhje politike të parakohshme?

A do të kishim koalicione të reja parazgjedhore dhe çfarë përmbysjesh mund të kishte skena politike shqiptare në Kosovë?

Nuk e besoj se qeveria do të tërhiqet, megjithëse është një koalicion i plasaritur. Nuk e besoj këtë, pasi, edhe në këtë kohë të vështirë, ajo që mund të mbajë në pushtetin politik Isa Mustafën, është pikërisht posti i tij qeverisës. LDK-ja është në pikun e rënies së saj të lirë dhe, pa asnjë droje, mund të profetizoj se në një zgjedhje të shpejtë politike, ajo do të mund të ishte partia e tretë në vendin e saj, duke rrëshqitur ngadalë – ngadalë drejt kthimit të saj në shoqatë politike.

PDK-ja , jam i mendjes, se nuk ka asnjë drojë tani për tani nga një fushatë e re politike, megjithëse është dëmtuar thellësisht nga afera e përgjimit të telefonave, nepotizmi i skajshëm që shfaqet aty, nëpërkëmbja e vlerave. Sidoqoftë ajo ende nuk ka probleme në thellësinë e saj dhe si një forcë militante, do mund të ruajë vazhdimësinë e saj.

Më të interesuarit për zgjedhje të reja politike duhet të ishte Opozita, sidomos Lëvizja VV.

Koha është e saj, por sheshi i sotëm, ndershmërisht, duhet të bëjë që mendimi politik i drejtuesit real të saj, Kurtit, të depërtojë jo përmes lëvizjes populiste, por përmes perceptimit të mendimit ndryshe dhe saktësisë. Qëndrimet e skajshme të figurave politike në drejtimin e saj nuk janë ogurmira. A do të provojë Lëvizja VV të krijojë situatën e zgjedhjeve të reja?

Me siguri që, po. Dhe është e drejta e saj të kërkojë një proces sa më të shpejtë, definitiv dhe permanent.

Megjithatë, megjithëse duket se koha është e saj, dita e zgjedhjeve në Kosovë, do të jetë më e largët se fundi i këtij viti dhe pranvera e vitit të ardhshëm.

Është e mundur që Opozita të presë edhe fillimin e punës së Gjykatës Speciale, në fundin e këtij viti apo fillimin e vitit të ardhshëm, gjithnjë me bindjen se forca kryesore qeverisëse, PDK, do të jetë ajo që do të dëmtohet më shumë. Në të vërtetë askush nuk e di se ku mund të jetë "dëmi" i ardhshëm, për më tepër, kur edhe në vetë strukturat e VV ka ish drejtues të strukturave të luftës, për të cilët përflitet se mund të jenë subjekt i Gjykatës Speciale.

AAK dhe Nisma, në strukturat e të cilave ka mjaft njerëz të devotshëm, me mendim të qartë politik, por si ndodh zakonisht, në periferinë e ngjarjeve, pasi, ose nuk janë militantë sa i duhen njerëzve, ose kanë ardhur nga e njëjta strehë ku është edhe korrupsioni, nuk besoj se do të jenë edhe aq të interesuara.

Më parë ata duhet të zgjidhin një problem themelor: do të jenë një subjekt i vetëm apo dy subjekte të shfaqura së bashku.

Kosova , duhet thënë, pas ditës së djeshme, megjithëse u duk një tërheqje normale, nuk është e njëjtë.

Tri gjëra u shfaqën dukshëm:

-Ende vendimi politik në Kosovë varet nga "dashja" ose "mosdashja" e Listës serbe.

-Demarkacioni u shty ose do të tërhiqet krejt, jo edhe aq nga protestat në rrugë apo për hatër të VV, se sa nga mendimi intelektual dhe lëvizja e njerëzve, të cilët, megjithëse kanë toleruar mjaft, tani do të thonin "mjaft".

-Nëse ky "mjaft" do të rritej, do të ishte edhe fundi i qeverisë.

Së fundi, qeveria dëshmoi se është lehtësisht e lëkundshme dhe se ajo, as njerëzit e saj, nuk mund të mbledhë rreth vetes. Një deputet i PDK-së deklaroi disa ditë më parë se kundërshtarët më të parë ndaj demarkacionit janë brenda Pozitës dhe, sado të paktë në numër, përsëri ishin sinjal për një dobësim të vazhdueshëm të qeverisjes.

Replikë me Shaqir Vukajn për tim atë, Jup Kazazin

Posted: 02 Sep 2016 01:50 AM PDT

 

Nga Hamza Kazazi

Falënderoj redaksinë e gazetës Dita për mundësinë që më dha, duke respektuar demokratikisht të drejtën e replikës dhe lexuesit të gjykojnë të dy materialet. Lufta e Reçit, një nga betejat më të mëdha kundër pushtuesit, nuk është zbardhur akoma. Me këtë rast do të sqaroj edhe çështjen e kolaboracionizmit.

Nuk duhet interpretuar me mllef e të tjerët gabojnë edhe pse të bazuar në dokumente. Shkruhej dikur se bashkë me italianët luftoi kundër tyre Jup Kazazi. Për këtë të shihen ZP ose Bashkimi. Unë them se të vërtetën e provoj me mjaft dokumente që mbas shumë vitesh kam arritë t'i gjej. Po përsëris e nuk e harroj kurrë kur fëmijë loznim së bashku, nëna e Shaqirit kur më pyeti se i kujt isha, më afroi afër trupit të vet e foli me vete: "Si baba i jot s'ka pasë burrë Shqipnija". Komunizmi ka mbjellë intolerancën e imponimin e mendimit e gjykimit të tjerëve, dhe shoh se nuk u është çrrënjosur shumë vetave në vendin tonë. Patjetër idealizon për atë periudhë që e ngriti në maja, kurse mua komunizmi më masakroi me 9 të vrarë, 11 të burgosur e të persekutuar si pak familje në Shqipëri. Që djalosh kam menduar: po me mua, nënën e fisin e pafajshëm ç'kanë? A keni menduar për këtë ndonjëherë? Disa dokumente që vërtetojnë çka them, ja kam çuar edhe gazetës Dita. Do të shtoj se kur lexova shkrimin tuaj më 2009, se ju është vrarë motra, vajzë e re, më ka ardhë shumë keq dhe e them me sinqeritet, pse e di mirë çka do të thotë të humbësh t'afërmit dhe vlerësoj burrërinë e Bejto Faslisë.

 

Kolaboracionizmi duhet analizuar me kujdes dhe individualisht. Do përpiqem të shkruaj shkurtimisht. Jupi i ka pasë thënë të shoqes dhe të afërmve, se i vetmi gabim në jetë ishte se pranoi post në periudhën e fashizmit dhe se sa të qetësohej situata, me mbarimin e luftës, do të kërkonte vetë të dilte në gjyq e pikërisht pse komunistët flitshin. Imagjinoni se çfarë gjyqesh ishin mbas 29 nëntorit '44! Mbasi që më 26 nëntor Partia Komuniste shpalli dënimin me vdekje të Jupit me 4 vëllezër, ata morën armët e dolën në mal dhe filluan përgatitjen e rezistencës. E si mund të dënonte me vdekje një parti pa proces gjyqësor? Ata kanë pasë mundësinë të iknin jashtë shtetit 4 herë e Jupi thoshte se ishte përpjekë vetëm për të mirën e vendit e s'kishte pse t'arratisej. Dokumentohet edhe nga Sigurimi më 1946, ku thonë se nuk u arratis e ndenji në Shqipëri për të organizuar kryengritje e të zbarkonin anglo–amerikanët. Jupi qe nga ata që dhanë dorëheqjen, dhe luftoi fashizmin e nazizmin. Pra e lau të mëparshmen. Kjo dokumentohet.

Për periudhën deri më 1940 në Arkivin e Min. së Brendshme në dosjen e Jup Kazazit është një jetëshkrim i shkruar prej tij. Si student përjashtohet nga Beogradi e pastaj nga Zagrebi i akuzuar për aktivitet kundër politikës shoviniste serbe e për përhapjen e gjuhës shqipe. Përzihet nga Jugosllavia. Me gjithë këtë komunizmi e ka pasë akuzuar deri agjent të serbëve! Përfundon studimet ne Torino me doktoratën në ekonomi. Atje qe vetë i dyti student që nuk pranuan të veshin këmishën e zezë. Jupi më 1936 organizon në Shkodër protestën kundër italianizimit të Bankës Shqiptare, shkulin flamurin italian krahas tonit e mban një fjalim. Prof. Bekteshi ka shkruar për këtë.

Më 7 prill 1939 me vëllezër e shumë të tjerë kaluan zhgënjimin e pritjes së armëve. Mbas disa ditësh në zyrën ku punonte ekonomist, ministri Fejzi Alizoti i jep njoftimin për emërimin si federal në Vlorë dhe ja impononte. Jupi flet me Maliq Bushatin dhe Ernest Koliqin dhe ata të dy me Tefik Mborjen, i cili nuk pranoi anulimin. Ai pranon mbas ndërhyrjes të 4 pleqve të Vlorës, heronj të luftës së 1920-s, që të mos vendosin vegla të italianëve; dhe këshillimeve të gjata të Dr. Xhevat Korçës, profesor i tij, themelues i gjimnazit të Shkodrës dhe mik i familjes. Në drejtim të federatës Jupi mori më të afërmin, mikun Dr. Sezai Agalliu, kunat i Manush Myftiut e komunist, më vonë mjek, kolonel e deputet. E kujtoj si na ka folë nënës e mua në vitet '60 për Jupin dhe më ka ndihmuar. Jupi nuk ka qenë nga themeluesit e Partisë Fashiste. Ai në Vlorë ka qenë federal nga 6 qershor '39 deri në shkurt '40 dhe transferohet në Durrës deri në fund të nëntorit. Ndihmon aktivitetet antifashiste edhe të komunistëve, e që në fillim pati thënë se ishte aty për të luftuar fashizmin. Aty vazhdon si në Vlorë e përsëri ndihmon hebrenjtë, ata të ardhur nga Gjermania e grekët. E emërojnë edhe n/prefekt e prefekt për një periudhë shumë të shkurtër por të vështirë, kur pati bombardime e në mungesë të prefektit. Në Durrës forcoi miqësinë me Shefqet Bejën, që e vlerësonte shumë. Shefqetin e bëri kumbarin tim (më mori flokët), d.m.th. ishte miku më i respektuar.

Jup Kazazi

Jup Kazazi

Në qeverinë e krijuar më 3 dhjetor1941, Mustafa Kruja e thërret dhe përsëri me këshillimin si më parë të Dr. Xhevat Korçës e aprovimin e Mit'hat Frashërit, merr postin e ministrit të Partisë Fashiste. Në atë post rri vetëm 5 muaj e jo dy vjet dhe jep dorëheqjen bashkë me ministrin e Drejtësisë Hasan Dostin para 8 majit 1942 (janë dokumentet). Patën bërë peticion për autonominë e Shqipërisë, flamurin shqiptar e për të liruar të burgosurit politikë. Qe pranuar vetëm flamuri e të dy patën paraqitur dorëheqjen dhe kur nuk u pranua kërkesa e tyre për faljen e jetës të tre të rinjve komunistë, Ferid Xhajko, Hamdi Mëzezi e Nikolla Tupe, largohen në mënyrë imediate, mbasi po na vrasin rininë tonë. Kur dha dorëheqjen, fashizmi pushtues, nuk e pushkatoi Jupin por e lanë prefekt të klasit të dytë në dispozicion. Gjatë gjithë periudhës të okupimit fashist Jupi ka ndihmuar të trija forcat politike pa dallim e mbas dorëheqjes, me anë të një majori arbëresh e me ndonjë ushtar të tij, furnizonte me armë çetat e Ballit në veri. Për këtë ka pasë dëshmi nga Ruzhdi Rroji, Tom Leci etj., përveç dy xhajave të mi. Unë hedh poshtë totalisht spjegimin e palogjikshëm e me mllef që bëhet për dorëheqjen e Jupit, duke e lidhë deri me gjermanët dhe se ka shkuar t'i presë ata. Shpifje të diktaturës. Edhe për Ernest Koliqin që paska thënë se asnjë nuk dha dorëheqje, së paku Jupi e pati dhënë. Nuk mohoj vetëm shkresën si n/prefekt zëvendësues për pak kohë, ku pyet "nëse kundra familjes së kriminelit t'arratisun Bejto Faslia a duhet marrë masa e internimit. Parashtrohet kjo pyetje mbasi çështja ka lidhje me t'arratisunit komunista, familjet e të cilëve tash së fundi janë lirue". Për këtë më vjen shumë keq, por po të thellohemi mendoj se mbas kërkesës prej lart për internim, ai ka kërkuar pse duhet zbatuar, kur të tjerët janë liruar? Pra nuk ka dashtë të zbatohet dhe urdhër internimi prej tij nuk ka. Këtë shkresë e kam gjetë edhe unë në qershor k.v. Megjithatë edhe Jupin e kanë konsideruar kriminel e sidomos diktatura komuniste e cilëson si më të rrezikshmin. Ai donte vetëm liri e demokraci të tipit perëndimor e çështja e Kosovës të zgjidhej me referendum e jo t'i falej Jugosllavisë. Falja e Kosovës a nuk ishte kolaboracionizëm shtetëror? Akoma nuk kërkohet falje dhe pendim për krime ndaj njerëzimit. Shumica e komunistëve duhet ta bënte këtë, megjithëse edhe atëherë ka pasë prej tyre që nuk kanë bërë keq dhe thonin se nuk kishin luftuar për këtë ditë. Por pati shumë që morën pjesë në krim duke bërë karrierë me luftën e klasave e duke u treguar sa më fanatikë. Këta nuk mund të mohohen. A nuk është kolaboracionizëm me diktaturën?

 

Për Luftën e Reçit, nuk mohohet lufta e komunistëve, por jo të vazhdohet si dikur me marrë meritat e të tjerëve, e jo vetëm me ju a marrë, por të bëhen tradhtarë e armiq. Në këtë kohë janë disa dokumente në shqip e italisht që urdhërojnë kërkimin e arrestimin e Jupit si Ministria e Brendshme, gjyqi i posaçëm i shtetit, gjykata ushtarake të luftës, gjykata speciale e shtetit. Italianët deshën të internojnë në Itali nënën time me mua 2 vjeç e shtatzënë, por dikush e lajmëroi dhe u mshef tek e motra, tek Qazim Ulqinaku. Aty më 18 gusht lindi në ilegalitet vajzën, e Jupi çoi fjalë të ja vejshin emrin Liri, mbasi për atë po luftonin.

Pse italianët sulmuan Reçin me Armatën e IX-të? Ajo del nga letra e ministrit të Brendshëm nr. 635/206 dt. 28-8-1943 në A.Q.Sh. dosja nr.141 Min. P. Br./Drejt. Politike, drejtuar Komandës së Armatës IX prej 3 faqesh dhe është e çuditshme që nuk rezulton e publikuar. Ky dokument është prova më e rëndësishme. Aty shkruhet se më dt. 15 janë mbledhë në Gradiski të Lohjes çetat e ndryshme me kryetarin e komisionit Jup Kazazin e se formohet "Komiteti për shpëtimin e Shqipnisë" për Prefekturën e Shkodrës e Kosovë. Kryetarët e çetave kanë emnue nji zani kryetar Jup Kazazin e organizator Llesh Marashin, sekretar Enver Bushatin e anëtarë Dom Luigj Pici, Dr. Bahri Kopliku, Hasan Isufi e Ramadan Reçi. Ne komision bajshin pjesë edhe Dom Zef Shestani, Xhelal Bushati, prof. Prek Kaçinari, Ibrahim Mandija, Gjovalin Lin Luka e bajraktari i Reçit Nuz Sokoli (Bajraktari). Pra aty ishin përveç disa çetave të Ballit e Legalitetit edhe të komunistave Gjovalin Luka e Ramadan Reçi, që votuan Jupin. Aty thuhet: "Jup Kazazi asht tuj pregatitë bandat për me sulmue Shkodrën". Po aty shkruhet: "Kryetari i Komitetit, Jup Kazazi me organizatorin e çetave, Llesh Marashin, ka formue dorën e zezë, për nji atentat kundra ministrit të Punve të Mbrendshme, këta persona janë të ngarkuem për atentat: Dan Elezi, nga katundi Zagore (prej çetës Llesh Marashit); Bejto Faslia nga katundi Reç (i çetës Ramadan Bajraktarit) dhe nji person i panjoftun i pa emën i çetës Gjovalin Lukës". Po për përgatitjen e atentatit është edhe një dokument tjetër, letër e ministrit të brendshëm nr.1937/II me 24.8.'43 ku thuhet se "i nipi i Sulçe Beg Bushatit, Fejzi Boriçi kryetar i grupit me tre shokë të tjerë janë nisë për Tiranë për atentatin. Ne kaq jemi njoftu se Kryetari i Komitetit asht Jup Kazazi me organizatorin Llesh Marashi të cilët kenë formue Dorën e Zezë për nji atentat kundër ministrit P.Mbr". Pra grupi për atentatin ka kryetar Fejzi Boriçin e Dan Elezin që janë i Jupit dhe i Llesh Marashit, Bejto Faslia dhe një pa emër të komunistave. Në fakt e jam krejt i sigurt prej tregimit të Zenel e Hamid Kazazit etj., se atentati ishte për mëkëmbësin e mbretit Jacomoni e jo për ministrin shqiptar.

Hamza Kazazi

Hamza Kazazi

Me rëndësi ku flitet për Jup Kazazin janë dokumentet në A.Q.Sh.: Min.P.Br./Drejt. Politike Nr.635/106 Fl.31 e 35 datë 1 e 3/08/'43: që Prefektura i çon Ministrisë së Br. e që Min. Br. i çon Kryeministrisë: " Tash lajmërohemi nga Komanda e Rrethit këtushmë se në katundet Linaj e Lepurosh të Komunës Rjolli nji grup personash të armatosun prej afro 500 vetësh janë mbledhë nën kryesinë e Jup Kazazit dhe Xhelal Sulo Beg Bushatit të dy nga Shkodra. Qëllimi i kësaj mbledhje nuk dihet. Ju shkrue Komandës së Sektorit këtu për masat e rastit. Prefekti – fl.31 dhe Ministri – fl.35". Telegrami shifër i ministrit, prefektit të Shkodrës nr.635/136 dt. 4-8-'43 thotë: "Me riferohet se si bashkpuntuer ma të ngushte të Jup Kazazit për kryengritje para shumë kohe ka qenë Ahmet Osi, Ujk Tahiri dhe Elmaz Hoxha të tre nga Kopliku.pikë. Më rezulton e vërtetë të arrestohen.pikë. – Ministri". Pra thuhet para shumë kohe. Telegrami 361/22 dt. 4-08-1943 e akuzon Jupin peër tradhti e përgatitje për kryengritje. Shumë i rëndësishëm është raporti i prefektit të Shkodrës, Ministrisë së Mbrendshme për luftën më date 3-9-1943 nr.635/258 (AQSH Fondi 252, dosja124, fl. 20) ku thuhet: "Kam nderin t'Ju njoftojm se operacionet e ushtrisë kundra çetave rebele të Jup Kazazit me shokë kanë fillue më datën 30 të m. kaluem n'orën 4 të mëngjesit dhe ushtria u tërhoq më datën 31/8/1943. Në ndeshje thuhet se kanë mbetë prej çetave Rifat Nuz Sokol Bajraktari, i biri i Bajraktarit të Reçit bashkë me Dr. Bahri Kopliku….." dhe vazhdon gjatë (Shënim: Në raport gabohen shifrat pse është shpejt). E pra nuk përmenden komunistat, por Jupi në krye të gjithëve. Po sqaroj se Llesh Marashi për nji periudhë shumë të shkurtër u bë komandant i çetës komuniste, por u shkëput. Ai qe me Jupin. Gjithashtu Bajraktari i Reçit ka qenë mik i Jupit dhe i pa lidhur politikisht. Patjetër ai si edhe bajraktarët tjerë e banorët kanë pritë e strehue të gjithë pa dallim se të cilës anë politike ishin. Djali i tij Rifat Nuzi, njëri prej dëshmorëve, siç me kanë pasë thanë të mijët, ka qenë simpatizant i Ballit. Ndërsa Ramadan Reçi (i shkruar edhe Bajraktari) ka qenë nip i Bajraktarit dhe komandant çete komuniste. Gazeta "Flamuri" e Ballit e atyne kohëve, shkruen gjysë faqje "Lufta e tmerrshme e Reçit" e asht Jupi që organizoi e bashkoi tri forcat politike në këtë luftë. Këto janë dokumente që z. Vukaj duhet t'i ketë parë me kohë.

Po paraqes edhe një dokument të ndryshuar nga Shaqir Vukaj. Shkruhet: "Janë të shumtë dokumentet e pushtuesit që tregojnë përgatitjet për këtë operacion, por do përmend vetëm atë që Prefektura e Shkodrës, tre dite para Luftës së Reçit, njoftonte Komandën Ushtarake Italiane: "Tash njoftohemi se sipas të dhanunave nga Komuna e Shkrelit, çetat komuniste janë bashkue me banorët e katundit Reç të rajonit të komunës së sipërme, e cila sipas shenjave u përbaka prej afro 800 vetësh të armatosun më së miri dhe se janë instalue tek Kisha e Reçit dhe në afërsi të saj. Për dijeni dhe Ministrisë Punëve të Brendshme Tiranë. Z/Prefekti e Kuestori Dh. Bala".

Dokumenti i plotë i Arkivit Qendror të Shtetit Tiranë: Ministria e Punëve të Brend./ Zyra Politike, Dosja Nr.124, Fl.18 – "Mbretnia Shqiptare / Prefektura Shkodër, Nr. 396 Rezervat, Shkodër, më 27 gusht 1943 – Komandës së Nënsektorit / Këtu: – "Tash lajmërohemi nga Nënprefektura e Tuzit se simbas informatave të dhanuna nga Komuna e Shkrelit çeta komuniste asht bashku me banorët e katundit Reç të rajonit të Komunës së sipërme, e cila sipas thanieve ajo u përbaka me afro 800 vetësh t'armatosun ma së miri dhe se janë instalue te Kisha e Reçit e n'afërsinat e sajë. Si kryetar të kësaj çete thuhet se janë Jup Kazazi dhe Ibrahim Mandiqi ish-Komandant i Bgt. Kaptina. Lutemi dispononi masat që mund të shifni t'arsyeshme. Zv/Prefekti e Kuestori/Dh.Bala" – Shënim: Këtu del qartë se çeta komuniste asht bashkë me banorët e Reçit dhe me çetat e tjera nën kryesinë e Jup Kazazit i Ballit dhe Ibrahim Mandiqit i Legalitetit. Shkresa ka gabime si çetat komuniste asht bashku – d.m.th. çeta asht bashku; dhe quan çetë 800 vetë. Është një dokument në favor të z. Vukaj i 20 gushtit ku xhandarmeria njofton se disa oficera të dizertuem bashke me 130 veta nën drejtimin e komunistit Sadik Bajraktari do të kaloje në rajonin e Malësisë së Madhe. Gjithashtu nji fuqi prej 60 vetë, oficera, ushtarë e komunista, nën komandën e Gjovalin Lukës ndodhen në katundin Ura e Shtrejtë. Pra të gjithë kanë bashkëpunuar për një qëllim.

 

Për t'u analizuar është artikulli i Qazim Kapisyzit në ZP datë 1/09/1993 "Mesazhe të mëdha dhe gjithmonë aktuale", ku shkruan për Luftën e Reçit. Ai flet si dikur: "Fashistët italianë, në bashkëpunim me krerët e reaksionit të vendit, duke parashikuar kapitullimin e shpejtë të Italisë për të përjashtuar mundësinë e pushtimit të Shkodrës nga forcat nacional-çlirimtare, ndërmorën sulmin kundër forcave partizane…". Ai shtrembëron krejtësisht të vërtetën. Kapisyzi shkruan se më 30 gusht erdhën italianët e luftuan në proporcion 30 me 1 me çetën e parë të batalionit Perlat Rexhepi me rreth 40 vetë (në fakt rreth 30), pastaj erdhën edhe banorët dhe me trimërinë e kurajon e tyre i mundën keq. Pra vetëm ata kanë meritat e "reaksioni" bashkë me italianët luftoi kundër tyne dhe ata thyen 1200 e vranë 40. Ai si pjesëmarrës i luftës, i afrohet së vërtetës vetëm me numrin 40 partizanë. Edhe për numrin e partizanëve ekzagjeron z. Vukaj, pse nuk ka qenë Batalioni 'Perlat Rexhepi' me 140 vetë, por çeta dhe me anën e tyre qe kompania e toger Fadil Deliallisit e Regjimentit të Ulqinit që dezertoi. Pse do të hiqte Kapisyzi 100 vetë të tyre? Kujt i besohet më tepër për numrin, pjesëmarrësit apo z. Vukaj me të thëna? Në shkrimin e z. Vukaj dt.1/09/2009 në Shekulli "Reç 1943, ballistët në ndihmë të partizanëve" thotë se Jupi ka qenë vetëm me 7 vetë.

Duhet të theksoj se rol e forcë të rëndësishme ka pasë regjimenti që dezertoi prej Ulqinit me kol. Fuat Dibrën e majorat Zenel Kazazi e Dilaver Dine. Ne Reç i solli Zeneli, vëlla i Jupit. Ata i lanë të lirë ushtarët të zgjidhnin. Rreth 80 vetë prej të cilëve me sa di 8 oficera shkuan me dy majorat, të Ballit, kur toger Fadil Deliallisi e një oficer me kompaninë me 42 ushtarë u bashkuan me komunistat dhe qenë baza e Batalionit Perlat Rexhepi. Pati rëndësi të jashtëzakonshme për fitoren dhe humbjen minimale në njerëz e popull, komandimi dhe organizimi prej oficerave akademista. Dy prej dëshmorëve qenë nga ushtria.

Gjatë pushtimit gjerman Jupi në pjesën më të madhe të kohës është në mal me armë në dorë. Letra e kolonelit Neel (Nil) komandant i misionit anglez për veriun në Shqipëri shkruar motrës time Liri, më dt. 29/10/1991 ndër të tjera thotë: "U kënaqa shumë që mora letër nga bija e mikut tim të vjetër dhe shokut të luftës Jup Kazazi, i cili na ndihmoi aq shumë gjatë kohëve të vështira që unë dhe kapiteni Hibberdine kaluam në vendin tuaj më 1943-1944. Fatkeqësisht kapiteni Hibberdine vdiq gati dy vjet më parë, por jam i sigurt se edhe ai do të dëshironte të bashkohej me mua për me ju shprehë simpatinë tonë të thellë për rrethanat e trishtuara që çuan në vdekjen e babait tuaj dhe për të gjitha vështirësitë dhe humbjet mizore që ka pësuar familja e juaj, që kur komunistët morën në dorë vendin tuaj". (Kopja e dixhitalizuar e letrës ndodhet në Arkivin e Shtetit). Gjithashtu janë edhe dy letra komunikimi që koloneli i çon Jupit gjatë luftës. Ai ka qenë në mal, ka bashkëpunuar me ta e kanë gjetë strehim në sajë të tij, siç shkruan edhe anglezi.

Për të sqaruar më mirë "kolaboracionizmin" e Jupit, duhet të shtoj edhe disa sqarime.

 

Një të dielë në darkë në Tiranë me dajën tim Prof. Bekteshin, takojmë Dr. Ibrahim Dervishin, anëtar i K.Q., ish-ministër Shëndetësie e gjeneral. Ndalet e flet me Bekteshin e ai më thërret, më jep dorën e pyet se i kujt isha. Daja i tha vetëm: i Jupit. Dervishi më dha dorën edhe një herë me përzemërsi e më thotë: Baba yt ka qenë patriot e trim, pune tjetër si shkoi puna më vonë (nënkuptohej Kryengritja e Postribës) e se ai kur ka ardhur në Vlorë, është lidhur me ne, na tha se ishte aty për të luftuar fashizmin, ka bashkëpunuar e na ka ndihmuar.

Nasibja kishte shoqëri me Meli Dishnicën, komuniste që e re e motër e Ymer Dishnicës. Ajo vinte ta takonte prej Pogradecit dhe një ditë flet me Jupin, pse donte ta takonte Ymeri me një "më të madh se veten" për një çështje të rëndësishme. Ata i propozuan të bëhej me komunistët e se i jepnin post me rëndësi në partinë e tyre. Kush ishte më i madhi nuk e dimë, por ka shumë mundësi të ishte diktatori i ardhshëm. Jupi patjetër nuk pranoi. Kushëriri i nënës, Osman Hajredini, komunist i vjetër, ish-sekretar i Tuk Jakovës, thonte se dokumentet fallso të ekspozuar në muze, me të cilët qarkullonte Gogo Nushi, ishin të rregulluar prej Jupit e se ai kishte ndihmuar edhe komunistët.

Po kështu me vlerësim e respekt të madh më ka pas folë Kolonel Siri Strazimiri, shok me Zenelin, bërë akademinë bashkë e miqësi me Jupin. Dr. Sitki Bushati më përshëndeste me përzemërsi e më përqafonte, po ashtu i vëllai Ismeti, dhe ka pas folë disa herë për Jupin me dajën tim Prof. Bekteshin dhe e vlerësonte si patriot e trim, megjithëse kundërshtar. Ka pas edhe komunistë të tjerë që kanë folë me respekt për babain tim.

Duhet të sqaroj keqinterpretimin me Shaqirin për reçjanët, kur kam thënë se familja e tij erdhi nga Reçi, i futën në shtëpinë tonë dhe Kazazët gra e fëmijë "në rrugë". Nuk i ka faj familja, por "pushteti popullor" që na mori gjithçka dhe 9 jetë. Por për këtë duhet ndjerë diçka nga ana shpirtërore, prej atij që ka ndjenja. E kam thënë pse më 2009 z. Vukaj njolloste tim atë e vazhdon. Atëherë e them përsëri. Ne tradicionalisht si familje dhe më tepër babai im kemi pas miqësira dhe respekt reciprok në Reç, duke filluar nga Bajraktari dhe kam opinionin më të mirë për ta. Sa herë kam shkuar në Reç më janë afruar e përshëndetur mjaft persona dhe kjo është mjaft domethënëse, deri edhe një që nuk jeton më, i mbushur me dekorata nga komunizmi.

Për këto që shtova, ndoshta z. Vukaj do t'i cilësojë përsëri "thashetheme". Janë plotësisht të vërteta dhe shtoj se së paku kush më njeh, i beson krejtësisht.

Komisia, lufta për gjuhën…

Posted: 02 Sep 2016 01:44 AM PDT

 

Nga Xhevat Lloshi

 

Vijon nga numri i kaluar

Teza për vendosjen e të folmes së Elbasanit në bazë të gjuhës së shkruar shqipe nuk është pranuar pa kundërshtime nga Komisia Letrare e Shkodrës. Një diskutim i veçantë u përftua për tekstet e përkthimeve të Kristoforidhit. Vetë Gjergj Pekmezi ishte i vetëdijshëm, se gjuha e përdorur nga Kristoforidhi nuk ishte thjesht trajta e shkruar e të folmes së Elbasanit, ndërsa Sotir Peci shtonte, se ishte një gegërishte e përzier. Rrjedhimisht, para se të vinte Nahtigali, puna e KLSH dhe debatet kishin ecur përpara dhe kryesorja ishte, se drejtshkrimi u lidh me çështjen e gjuhës së përbashkët që më 21 nëntor 1916; në fund të janarit 1917 ishin përgatitur Parimet e rregullat e drejtshkrimit; në shkurt u përcaktuan parimet për terminologjinë. Por ndihej qartë se nevojitej një njohje më e mirë në terren dhe më 3 mars u vendos që të dërgohej me grupin edhe Ndre Mjeda. Pas kthimit nga Elbasani Nahtigali dorëzoi raportin gjermanisht dhe u largua pa marrë pjesë më tej në mbledhjet e Komisisë, sepse Promemoria e tij ishte ende gjermanisht. Komanda austriake i dërgoi një letër Komisisë, të cilën ajo e diskutoi dhe pranoi më 27 qershor, që raporti të botohej, por nuk më del të jetë shtypur gjë. Kjo renditje kronologjike është me rëndësi, se jep mundësinë për ta argumentuar përfundimin, që Nahtigali nuk ishte thirrur për të marrë pjesë në punimet e KLSH, por për të bërë një ekspeditë dhe pastaj për të hartuar atë, që ne e quajmë sot oponencë kundrejt përfundimeve të arritura prej saj.

 

Promemorien e përktheu shqip N. Mjeda dhe u lexua më 3 korrik. Ashtu siç e do rregulli, pas një jave nisi diskutimi i saj. L. Gurakuqi paraqiti vërejtjet e veta, ndërsa M. Lamberci që më 4 korrik kishte shtjelluar se si ishte tërhequr për vete nga këmbëngulja për të vënë në bazë të folmen e Shkodrës dhe kishte pranuar të folmen e Elbasanit: "si themel për gjuhën e përbashkme, ase për gjuhën e shkrimit, d.m.th. si gjuhë zyrtare e ndërmjetshme, e cila do të përdoret paskëtaj si ndër dhanjet zyrtare, ashtu edhe ndepër shkollat shqipe." Një javë më pas, duke vijuar kundërshtimet ndaj Promemories së Nahtigalit, ai hodhi poshtë edhe disa zgjidhje të dhëna në gramatikën e Sami Frashërit. Ecuria historike ka dëshmuar, se zgjidhjet e Lambercit nuk gjetën vend në drejtshkrimin e shqipes.

Gjermanisht Promemoria është botuar më 17 gusht 1917 me titullin Die Frage einer einheitlichen albanischen Sprache dhe brenda ka një Parathënie, ndërsa para titullit tashti është shtuar PROMEMORIA. Vetë autori e ka quajtur një raport specialisti, një ekspertizë siç i thonë sot, ose një recension teknik, që do t'i shërbente punës së mëtejshme të Komisisë. Dhe me të vërtetë, kur u vendos rishtypja e Rregullave të drejtshkrimit më 24 shtator 1917, u vu në dukje se ishin bërë disa përmirësime, duke u mbështetur edhe në kërkimet e ekspeditës në Elbasan, e sidomos për zgjidhjen e rasteve me dysorë, por pa sjellë ndonjë ndryshim themelor. Thelbi i gjithë trajtesës së Nahtigalit është argumentimi për të zgjedhur gjuhën e Shqipërisë së mesme për një varg arsyesh, duke përfshirë edhe anën gjeografike, si dhe nga mishërimi i lëvruar i saj në tekste prej K. Kristoforidhit dhe prej autorësh të tjerë. Natyrën e një oponence këtij materiali ia japin edhe shpjegimet plotësuese në një Shtojcë, e cila zë më shumë se një të tretën e tij.

Punime të tjera lidhur me shqipen të R. Nahtigalit janë vetëm tre: Artikulli i shkurtër që u përmend i 28 prillit 1917 për pronorët e shqipes; punimi "Mbi alfabetin e Elbasanit dhe literaturën e shkruar me të" botuar më 1923; Luka XV 11-32 në përkthimin e vëllezërve Anastas dhe Spiridon Celio (Çelo) nga Gjirokastra", botuar më 1925. Titulli i punimit të dytë është me një përkthim të papranueshëm në botimin e Prishtinës më 2015, sepse nuk ka në gjuhën shqipe ndonjë fjalë "letërshkrim" për literaturën. Për shkrimin e fundit e kam shqyrtuar hollësisht rastin e vëllezërve Çelo, të J. Kopitarit dhe D. Obradoviqit në librin Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827, botuar më 2012. Përfundimi im ka qenë, se dorëshkrimi i vëllezërve Çelo u përket viteve 1827-1828.

Gazeta "Posta e Shqypnies" më 3 tetor 1917 ka botuar një njoftim, se pranë universitetit të Gracit ishte krijuar një Institut Ballkanologjik dhe nën drejtimin e R. Nahtigalit do të jepej mësim gjuha shqipe. E hetova këtë pikë në Grac dhe nuk gjeta asnjë gjurmë të një instituti të tillë, as dhe të dhënies së shqipes nga ana e Nahtigalit.

Ndihmesa e Nahtigalit është quajtur e dobishme si në vitin e vizitës në Shqipëri, edhe më pas. Gazeta "Posta e Shqypnies" më 31 tetor e ka njoftuar daljen e broshurës së Nahtigalit dhe ka dhënë një përmbledhje të shkurtër shqip. Pasi e quan një autor të zellshëm, shton se e ka shtjelluar me mjeshtëri të madhe trajtesën e vet "si mund të pritej prej mendjet t'kthjellt t'nji Nachtigalit. Tue botue i famshmi dietaar ket vepër, i ka ba letratyrës shqype e kombit shqyptar nje sherbim t'madh." Kongresi Arsimor i Lushnjes më 1920 përsëriti pothuaj të njëjtën kërkesë si katër vjet më parë nga Shkodra: "të thërrasi sa ma shpejt prof. R. Nahtigalin për të punuem bashkë me Komisinë Letrare mbi themelimin e nji gjuhe të përbashkme". Ndoshta këtë herë nisma ka dalë nga A. Xhuvani, i cili ishte edhe kryetar, por tashmë gjuhëtari slloven ishte në Lubljanë, ku ishin jo të pakta ndërlikimet pas shkëputjes prej Austro-Hungarisë dhe nuk erdhi më në Shqipëri. Ftesa është njoftuar po me ato fjalë te "Kumtari arsimuer" në prill 1921.

 

Meqë kërkesa është përsëritur edhe më vonë nga A. Xhuvani, ka reaguar Karl Gurakuqi (më 1928): "Ç'bani dr. Nachtigalli, që qe thirrë prej Komisis Letrare të Shkodrës? Vajti në Polis të Elbasanit për me pam a ishte gjuha e Kristoforidhit ende gjallë në popull, e kurgja tjetër." Siç shihet, ka pasur edhe ndonjë kundërshtim ndaj vlerës së ndihmesës të Nahtigalit. Kur thotë se Nahtigali vajti në Polis, K. Gurakuqi gabon, së pari për arsyen se ai ndenji në Elbasan dhe nuk ishte e nevojshme të shkohej në Polis për të parë ai ishte gjallë gjuha e shkruar e Kristoforidhit. Së dyti, dijetari slloven kishte ardhur për një qëllim më të përgjithshëm, për të bërë oponencën e punimeve të Komisisë Letrare. Këtë herë në debat u përfshinë edhe autorë të tjerë, prandaj A. Xhuvani u përgjigj në janar 1929, duke mos u druajtur ta shprehte, që disa dijetarë të huaj ishin me përgatitje më të lartë dhe pikërisht ky kishte qenë argumentimi edhe më 1917. Ai shkruante: "Më vjen liksht të trajtonj, kur shpërçmohet puna e njëj të huaji të diçmë, si të Nachtigallit, bie fjala: unë kam punue me Nachtigallin për disa ditë dhe e tregonj pa u poshtëruar, se kam fituar mjaft nga ay."

Pasi ishte vënë në zbatim kërkesa për të ndjekur shqipen e mesme në punët shtetërore, L. Naraçi ka kërkuar më 1938 që të ribotoheshin Vendimet e Komisisë Letrare dhe "Promemoria" e Nahtigalit dhe e kolegëve të tij, madje e ka përsëritur kërkesën edhe në gusht te po ajo gazetë.

Idriz Ajeti i ka bërë nderimin e duhur pikërisht në vitin e vdekjes më 1958.

lamberz ne kostum shkodran, 1916Albanologia A. V. Desnickaja (1968) ka gabuar datën, duke e quajtur se Nahtigali erdhi në Shqipëri më 1916, ndërsa si të vetmin argumentim të tij në të mirë të së folmes elbasanase sjell faktin, se ai u mbështet në të dhënat e prefekturës për rolin e tregut, ku vinin njerëz nga shumë krahina dhe tregtarët elbasanas luanin rolin e "përkthyesve", meqë të folurit e tyre kuptohej prej të gjithëve. E quan dëshminë e Nahtigalit më të saktë sesa të Pekmezit lidhur me ruajtjen e togjeve 'mb', 'nd', ndërsa i sheh si fragmentare e të paqarta dallimet e përmendura ndërmjet folësve myslimanë dhe ortodoksë të qytetit.

Disa herë është shkruar, se Nahtigali ka marrë pjesë në Komisinë Letrare. Kështu është shprehur Fadil Raka (1997): "Në punën e Komisisë Letrare morën pjesë edhe dy albanologë të huaj: R. Nahtigal e M. Lamberc, i pari nga Graci i Austrisë e i dyti nga Vjena". (f. 179) Këtë të dhënë e ka marrë nga J. Kastrati (Për historinë e ortografisë shqipe, "Përparimi", 1971, nr 7, 607). Të njëjtën gjë e ka përsëritur fjalë për fjalë më 2010 (f. 147). Po këshu Sh. Krasniqi (2004) thotë: "Në mbledhjet e mëvonshme morën pjesë edhe të ftuar të tjerë… prof. Rajko Nahtigal (albanolog)." Për më tepër, ai e ka titulluar një ndarje të Kapitullit VII: "Kontributi i Rajko Nahtigalit në Komisinë Letrare", ndërsa synimi kryesor i këtij shkrimi nga ana ime, është që të vërtetohet se kjo nuk qëndron, aq më pak që të barazohet me pjesëmarrjen e mirëfilltë si anëtar të M. Lambercit. Nga ky këndvështrim nuk do të ishte e drejtë, që të pohohej edhe se: "Në lidhje me njësimin e gjuhës letrare të shqipes, Nahtigali, sikurse edhe anëtarët e tjerë të Komisisë Letrare… u pajtua me mendimin e përgjithshëm." Të njëjtin qëndrim në kundërshtim me realitetin historik ka shprehur edhe R. Ismajli (2005), duke shkruar se "mori pjesë në Komisinë Letrare".

 

I vetmi shkrim shqip pak a shumë i gjerë për gjuhëtarin slloven është ai i vitit 1977 prej Franc Jakopinit (1921-2002), gjuhëtar slloven, akademik, specialist për gjuhët sllave lindore, autor i shkrimeve edhe për Kopitarin, Miklosiçin etj. Aty jepen të përmbledhura qëndrimet kryesore të Nahtigalit për shqipen e shkruar dhe drejtshkrimin e saj, si dhe përmbajtja përgjithësisht e katër punimeve të tij kushtuar problematikës shqipe. Artikulli përfundon me këtë vlerësim: "Nuk ka kurrfarë dyshimi se Nahtigali ishte fytyrë interesante jo vetëm në rrethin e filologëve sllavë; përvojën e tij të gjatë dhe hetimin e rrahjen e shumë çështjeve ndër gjuhë sllave diti ta transponojë në mënyrë subtile edhe në studimet e veta albanologjike." (Citimi është sipas botimit më 1977, sepse në ribotimin më 2015 është bërë një redaktim arbitrar, ndërsa do të duhej një përkthim i ri, ashtu si edhe për disa materiale të tjera që janë me dobësi të ndjeshme).

Brenda kornizës partiake të ateizmit, Androkli Kostallari më 1985 e quante thellësisht të gabuar programin e R. Nahtigalit për krijimin e gjuhës letrare shqipe mbi bazën e Biblës, të një gramatike, një fjalori dhe teksteve folklorike. Në këtë vijë e quante se edhe përkthimet e K. Kristoforidhit nuk mund ta luanin atë rol, që luajti p.sh. përkthimi i Biblës nga Martin Luteri për gjermanët. Ky arsyetim në vështrimin e parë qëndron, sepse  në Shqipëri kishte një gjendje fetare krejt të ndryshme nga Gjermania ose Serbia e V. Karaxhiqit. E megjithatë ai arsyetim është i padrejtë historikisht. Është e vërtetë, që shumica e popullsisë shqiptare ishte e islamizuar, por siç e kam dokumentuar plotësisht, përkthimet e Kristoforidhit lexoheshin me dëshirë edhe nga myslimanët, sepse ishin shqip, në një kohë kur shqipja ndalohej dhe mallkohej. Nahtigali ka theksuar, se "Ungjilli i tij është libri më i përhapur në Shqipëri." Do të shtoja, se as sot nuk botohen e përhapen libra me një tirazh aq të madh sa përkthimet e Kristoforidhit. Nga ana tjetër, proza shqipe në kuptimin e mirëfilltë në atë kohë nuk ekzistonte si pjesë e formacionit letrar shqip dhe përfaqësohej vetëm nga literatura fetare. Por kryesorja është se tema e përkthimeve të Kristoforidhit luajti rol vendimtar për orientimin e KLSH drejt të folmes së mesme aspak për arsye se ishin përkthime fetare, por sepse ato përfaqësonin një mishërim gjuhësor tashmë të pranuar me nivel të lartë, aq sa edhe Gj. Fishta i quajti si një argument të pakundërshtueshëm, kurse Nahtigali e ka vlerësuar si më të madhin mjeshtër të gjuhës shqipe dhe përfaqësuesin më të rëndësishëm të bashkimit mendor të mbarë popullit. Natyrisht, është e kuptueshme dëshira e pazbatueshme e Nahtigalit për ta nxjerrë në krye Biblën, por më duket se edhe ai vetë e ndiente këtë pamundësi, prandaj e ka mbyllur "Promemorien" e tij me këtë thirrje: "Bëni para së gjithash gramatikën sipas Kristoforidhit dhe dialektit të Elbasanit! Të tjerat vijnë më pas."

konica Pekmezi, Noli, ne Boston, fillimet e VatresËshtë një hamendësim krejt në erë pohimi i P. Duka-Gjinit më 1992, se nisma për të ngritur KLSH paska qenë "nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake të kryesueme nga gjenerali Trollman dhe i ndikuem nga dr. Nachtigall, studiues ky i gjuhës sonë." Siç e përmenda më lart, vetë Nahtigali është shprehur se ishte habitur kur e mori vesh ftesën që të shkonte në Shkodër.

Natyrisht, vend të veçantë do të zinte puna e R. Nahtigalit në të dy monografitë e vitit 2004 për Komisinë Letrare. Në të parën T. Osmani ka dhënë edhe një jetëshkrim të shkurtër të tij. Nuk është e saktë, se shkollën e mesme e bëri në Novo Mesto; e kreu në Lubljanë. Gjithashtu doktoraturën e ka marrë në Vjenë, nën udhëheqjen e Jagiqit, jo në Moskë. Me vlerë të veçantë është në këtë vëllim botimi i Procesverbaleve dhe ribotimi "Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër", Nr. 2, që ishte i panjohur edhe për gjuhëtarët. Aty përfshihen diskutimet rreth Promemories së Nahtigalit dhe në mënyrë të hollësishme kundërshtimet e M. Lambercit.

 

Monografia e dytë është botuar po atë vit nga Sheremet Krasniqi, që e përmenda pak më sipër. Ai ka grumbulluar aty një material të gjerë nga shtypi i kohës, duke ndjekur edhe jehonën e vendimeve të Komisisë deri te vlerësimi i KLSH në Kongresin e Drejtshkrimit më 1971. Përfundimi i tij për Nahtigalin është: "… dha një kontribut të çmueshëm në punën e Komisisë Letrare dhe shumë nga tezat që i kishte fiksuar atëherë si optimale, sot kanë zënë vend në gjuhën letrare shqipe".

Autoriteti i Nahtigalit ka shërbyer si referim jo vetëm gjatë punimeve të KLSH, por edhe për përdorimin e një varianti të shkruar të shqipes në gjuhën zyrtare dhe shkollore gjatë periudhës së Pavarësisë. Ndihmesat e R. Nahtigalit i përkasin historisë së shqipes së shkruar, ndërsa me ngulitjen e shqipes standarde atyre nuk u referohen më në studimet për strukturën e saj.

 

Fund

Grabitja e bankës në Bllok: Prokuroria zbulon skemën

Posted: 02 Sep 2016 01:41 AM PDT

Prokuroria zbulon të gjithë skemën e grabitjes së BKT-së, ngjarje e ndodhur në datat 5 dhe 6 gusht. Dy autorët, pasi ranë në murin e parë të betonit ndërruan ambiente dhe shembën murin e tullës që i çoi pranë kasafortës. Gjurmët e gishtave të Roland Litit, të lëna në bidonin e ujit 1.5 litra, u zbuluan nga laboratori kriminalistik më datë 25 gusht të këtij viti.  

Zbardhet e gjithë skema e grabitjes së bujshme të bankës së nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Vetëm një ditë pas arrestimit të Roland Litit (Zekajt), Alan Babamatos dhe Robert Kullës, hetuesit dyshojnë se 38-vjeçari Liti dhe Babamato morën pjesë drejtpërdrejt në hapjen e murit të bankës dhe më pas rrëmbimin e të gjithë vlerave monetare nga kasaforta, ndërsa Kulla ishte bashkëpunëtor i tyre. Protagonisti kryesor dyshohet të ketë qenë Roland Liti, 38 vjeç, i dënuar më parë për grabitje, i ndihmuar gjatë gjithë kohës nga 23-vjeçari Alan Babamato.

Në një foto që është në duart e prokurorisë, një nga grabitësit shfaqet në një kamera sigurie që e ka fiksuar para kasafortës ku u grabitën të holla. Autorët janë futur nga një dritare e ish-pubit dhe më pas kanë ndërruar bravën e derës, për të shmangur çdo mundësi që personat që e kishin marrë me qira ambientin ende në rikonstruksion të futeshin brenda.

"Gjatë veprimeve hetimore të kryera është konstatuar se persona të paidentifikuar duke hapur një vrimë në murin që ndan bankën me një ambient tjetër privat dikur pub, kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës dhe më pas kanë hapur një vrimë tjetër në murin prej betoni të kasafortës së bankës.

Sipas pamjeve filmike të bankës, veprimet e autorëve janë në datën 5 dhe 6.8.2016. Në këto pamje tregohet vetëm momenti kur këta shtetas (dy autorë) dalin nën rrezen e kamerës, në korridorin e katit përdhes të bankës, ku ndodhej dhe kasaforta, si dhe veprimet e autorit kur ka hyrë në dhomën kasafortë" -thuhet në njoftimin e prokurorisë në lidhje me grabitjen e bujshme të bankës, në shumën e rreth 210 milionë lekëve të vjetra. Gjatë gjithë kohës autorët mbanin maska dhe doreza në duar, për të shmangur lënien e gjurmëve të gishtërinjve.

Dy grabitësit fillimisht kanë ndërruar fishekun e derës se ish-pubit dhe që aty kanë hyrë brenda. Në momentet e para kanë vepruar në faqen e një muri dhe më pas, pasi kanë hasur në beton, e kanë lënë atë dhe janë përqendruar në faqen e murit prej tulle, ku kanë hapur një vrimë, në të cilën mund të hynte lirshëm një trup njeriu.

"Pasi kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës ku ishte dhe dhoma kasafortë, kanë vepruar me mjete pune (çekiç, daltë, kriko) te muri prej betoni i dhomës kasafortë.

Veprimin përfundimtar ata e kanë kryer me datën 6.8.2016, në orën 23:13 minuta dhe kanë dalë në orën 23:19" -shprehen burime pranë institucionit të akuzës në Tiranë, që vërteton edhe hapjen mjaft të shpejtë të kasafortës për tre minuta. Mirëpo i vetmi detaj krejt i vogël në dukje, por që bëri zbulimin e madh ka qenë një gjurmë gishti e lënë në një bidon uji plastik 1.5 litra.

"Nga aktet e ekspertimit daktiloskopik të datës 19.8.2016 dhe nr. 8653 dhe datë 25.8.2016 rezultoi se gjurmët papilare të fiksuara në shishen plastike me mbishkrimin janë formuar nga gishti i madh i dorës së djathtë të shtetasit Roland Myslym Liti dhe gishti i madh i dorës së majtë të po këtij shtetasi",- shprehet prokuroria.

Dyshimet/Autorët dinin planimetrinë e bankës, a kishin bashkëpunëtorë të brendshëm?

Një detaj i ri dhe jo pak i rëndësishëm është se ka dyshime që një prej autorëve të grabitjes kanë pasur në duar planimetrinë e saktë të bankës. Këtë ata mund ta kenë siguruar nga një punonjës i brendshëm i filialit.

Ndonëse në këtë pikë burimet shprehen të rezervuara, mendohet se mund të jetë një punonjës i këtij filiali që ka informuar autorët si për vendndodhjen e kasafortës, ashtu edhe që të ndërhyhet në fundjavë, pikërisht në ato momente ku edhe arkëtimet janë më të mëdha. E gjithë puna për hyrjen në ambientet e bankës është kryer në datat 5 dhe 6 gusht, kohë kur është realizuar edhe grabitja.

Fillimisht autorët kanë nisur të hapin murin që të çonte drejtpërdrejt në pjesën e kasafortës, mirëpo pa kaluar pak çaste nga tentativa për ta hapur, hasën në mur betoni. Për shkak të tronditjeve të forta sistemi sizmik i alarmit ka rënë në orën 20:15 të datës 5 gusht, që ishte ditë e premte.

Me të dëgjuar sistemin e alarmit, agjentët privatë që ruanin filialin në pjesën e jashtme të saj, lajmëruan eprorin e tyre. Menjëherë në filial mbërrijnë shefi i sigurisë Florian Skarra dhe drejtori i filialit të bankës, Luigj Gjonaj.

Ata kanë kryer një kontroll rutinë sipërfaqësor dhe sipas hetuesve janë larguar pa konstatuar ndërhyrjen. Ndërkohë puna e dy grabitësve ka vijuar më tej, por kësaj radhe janë zhvendosur nga muri i betonit, në pjesën tjetër që ishte mur tulle, për ta pasur më të lehtë depërtimin në bankë. Pasi kanë punuar gjatë gjithë natës dhe në orët e para të mëngjesit, përsëri sistemi i alarmit është aktivizuar në orën 05:00, të datës 6 gusht.

Gjithsesi, në këtë rast alarmi nuk është marrë shumë në konsideratë dhe verifikimi nga ana e shefit të sigurisë është kryer rreth orës 10:00 të së shtunës, ku edhe kësaj radhe nga këqyrja e shpejtë nuk është parë ndërhyrja.

Një nga autorët, pasi e ka hapur kasafortën duke përdorur krik dhe bombol me oksigjen, rrëmben të gjithë vlerat monetare dhe del me shumën e madhe të parave po nga hapësira e murit që ishte futur. Për të mbuluar çdo gjurmë të mundshme autorët kalojnë në pjesën e pasme të bankës, që korrespondon me një parking.

Për të "festuar" grabitjen, autorët u larguan në Mal të Zi

Teksa policia konstatoi vetëm paraditen e 8 gushtit grabitjen e bankës, po atë ditë autorët largohen drejt Malit të Zi. Gjithçka ka qenë e mirorganizuar nga ana e tyre, por vetëm një detaj i vogël i tradhtoi dhe zbuloi dhe ajo ishte pikërisht gjurma e gishtave e lënë në një bidon me ujë nga ana e Roland Litit. Për shkak se 38-vjeçari ishte person i skeduar dhe dënuar më parë për akuzën e grabitjes, policia i kishte marrë shenjat e gishtave.

Menjëherë është bërë krahasimi në sistemin kompjuterik dhe aty ka rezultuar se i përkisnin Litit. Kjo e dhënë është siguruar fillimisht më datë 19 gusht dhe është konfirmuar me të tjera analiza daktiloskopike më datë 25 të këtij muaji.

Gjithsesi, e ka pasur të vështirë që ta shoqëronte, pasi nga verifikimi në sistemin TIMS ai ishte larguar, bashkë me shokun e tij Babamato.

Dyshohet se të dy të rinjtë janë rikthyer sërish në Shqipëri pas disa ditësh, duke kaluar kufirin ilegalisht, një mënyrë për të humbur gjurmët dhe shmangur ndonjë arrestim të mundshëm edhe nëse do ishin identifikuar.

Megjithatë përgjimet telefonike të tre ditëve të fundit zbuluan jo vetëm Litin dhe Babamaton që morën pjesë drejtpërdrejt në kryerjen e grabitjes, por edhe bashkëpunimin e Robert Kullës, djalit të Nehat Kullës, i njohur si "Gjenerali" dhe i akuzuar dhe dënuar për disa vepra të rënda penale./Mapo.al/

Related Posts :