Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Drejtësia, shansi i fundit për shpëtim” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Drejtësia, shansi i fundit për shpëtim” plus 9 more - Gazeta Dita


Drejtësia, shansi i fundit për shpëtim

Posted: 21 Sep 2016 02:10 AM PDT

 

Nga Andrea Stefani

 

Në analizat apo opinionet për situatën në Shqipëri dhe ardhmërinë e saj, përgjithësisht po injorohet ndikimi që pritet të ketë mbi politikën reforma për themelimin e një pushteti të pavarur drejtësie. Në një kuptim, kjo shpreh edhe mosbesimin e thellë të analistëve dhe gazetarëve, dhe jo vetëm të atyre, se kjo reformë mund të sjellë diçka. Madje disa, kanë përvetësuar edhe tezat berishiste se reforma në drejtësi, e projektuar, e monitoruar dhe mbështetur nga ndërkombëtarët, tenton ta kalojë drejtësinë nga vartësia prej Berishës si deri më sot, në vartësi të Ramës.

Mosbesimi se do të ketë ndonjë ditë edhe në Shqipëri një prokurori që të hetojë peshkaqenët e korruptuar dhe mafiozuar të politikës dhe botës së krimit, i shtyn analizat drejt gjetjes së shpëtimit po te politika!

Duhet një forcë e tretë – thotë Fatos Lubonja. Nuk them se nuk duhet, por kush garanton se edhe kjo forcë e tretë nuk do të ndjekë po të njëjtat lakmi si përgjithësisht politika në këto 26 vjet? Ajo që e ka korruptuar kaq palcërisht politikën shqiptare është mungesa e ndëshkimit të politikanëve të korruptuar dhe kriminalizuar prej drejtësisë prandaj, është utopi të shpresosh që po në mungesë të drejtësisë, një forcë politike të mos korruptohet me të marrë pushtetin.

Ne sot vuajmë një fillim të gabuar të tranzicionit bazuar vetëm te pluralizmi, te zgjedhjet dhe demokracia por jo te drejtësia. Kjo ka çuar edhe në kalbëzimin e demokracisë, që e përjetojmë sot si klientelizëm partiak, si shitblerje të votës, si korrupsion dhe krim. Themelimi i një sistemi të drejtësisë së pavarur u neglizhua edhe nga ndërkombëtarët, por u pengua edhe nga shfaqja, me të marrë pushtetin, e prirjeve autokratike të Berishës që, ndër të tjera, zëvendësoi prokurorë dhe gjykatës të PPSH me ata të PD (kursi i Plepave). Ndërkaq, duhet shtuar se një forcë e tretë, edhe sikur të dalë, do ta ketë shumë të vështirë të fitojë mbi dinozaurët e vjetër dhe të korruptuar të politikës, nëse këta të fundit nuk do të jenë spastruar nga goditjet e ligjit me anë të një drejtësie të pavarur.

Lindja e një force të tretë politike në kushtet e tanishme kërkon politikanë të përgjegjshëm, ndryshe nga shumica e politikanëve që kemi parë deri më sot në qarkullim. Na duhen politikanë të përgjegjshëm, shkruan Enver Robelli, për të shmangur një kolaps si ai i vitit '97. Dhe shton me skepticizëm – po a ka të tillë?

Dyshimi është i përligjur. Sepse të jesh i përgjegjshëm, do të thotë mbi të gjitha të përgjigjesh jo vetëm para elektoratit gjatë zgjedhjeve, por edhe para ligjit. Por kur nuk ka drejtësi që ndëshkon deri vjedhjen e votës, politikani i korruptuar manipulon zgjedhjet dhe demokracia pushon së qenuri mekanizëm llogaridhënie i politikanit para elektoratit. Eshtë sistemi që i bën njerëzit të përgjegjshëm, Ky është rregulli. Të tjerat janë përjashtime që përforcojnë rregullin.

Edhe pse pa dyshim ka politikanë me prirje për përgjegjshmëri, mungon rrethana që ky lloj politikani të bëhet realitet dominues, sepse mungon drejtësia dhe prevalon pandëshkueshmëria. Sot përgjegjshmëria nuk është një rregull, por një përjashtim. Si rrjedhojë, prevalon edhe politikani i papërgjegjshëm, luksi i jetës private të të cilit rrëzëllin pacipërisht, me vanitet dhe cinizëm mbi sfondin e varfërisë dhe privacioneve të një pjese të shqiptarëve që, megjithatë, vazhdojnë t'i votojnë këta sharlatanë dhe maskarenj që janë shkaku i mjerimit të tyre për shkak se mungesa e drejtësisë ka bërë që të bien në kthetrat e tyre.

Të kërkosh shpëtim nga kalbëzimi i sotëm politik duke bazuar vetëm te politika e kalbur, duke lënë mënjanë drejtësinë, do të thotë që edhe nja 10 a 15 vjet të tjerë të vazhdojë kjo vërdallosje që na mban të zhytur në të njëjtën kënetë ku na pijnë gjakun shushunjat dhe mushkonjat e korrupsionit dhe mafias. Do të thotë që, për shembull, të vazhdojë rutina që LSI të bëjë king-maker-in mes PD dhe PS duke vendosur ajo se kush do të vijë në pushtet. Dhe për shkak se LSI nuk e ka përdorur këtë pozitë strategjike përherë funksion të disa parimeve themelore për demokracinë (në 2008 kritikoi Berishën për amendimin e gabuar të Kushtetutës dhe pastaj bëri qeveri me Berishën duke e "harruar" fare Kushtetutën dhe atë që me të drejtë e denonconte si "Republikë Kryeministrore") por thjesht të një pragmatizmi partiak, nuk do të qe çudi që nesër, t'i hapte përsëri rrugën drejt pushtetit një force si PD që po tregon se nuk ka asnjë vullnet për t'u distancuar nga as nga tradita e një keqqeverisjeje 8 vjeçare dhe që për shkak të korrupsionit dhe kriminalizimit që trashëgon (rruga Durrës-Kukës, "Gërdeci", "21 janari") ka dalë hapur kundër reformës në drejtësi.

Shtegu për ndryshim dhe shpëtim kalon vetëm nëpërmjet një drejtësie të pavarur që, si për ironi, të detyruar nga presioni i ndërkombëtarëve, e kanë votuar edhe politikanë të korruptuar që nesër duhet të japin llogari para saj. Atë e dinë këtë dhe prandaj i shohim sot të fusin shkopinj në rrotat e reformës nën pretekstin e dhunimit të "sovranitetit" të shtetit dhe, tani së fundi, të Kushtetutës.

Prandaj në vend se të shfaqemi skeptikë për reformën, edhe pse vërtet është një sipërmarrje tepër e vështirë, duhet të këmbëngulim që ajo të bëhet. Prandaj jam edhe më i prirur të mbështes koalicionin qeveritar PS-LSI që, edhe pse i brishtë dhe i ngritur jo vendosmërisht mbi parime, por mbi pragmatizëm partiak, nuk i është bërë pengesë reformës në drejtësi. Kjo është thelbësore në qëndrimin ndaj një qeverisjeje që edhe pse nuk mund të mos ketë problemet e veta, pikërisht për shkak të heterogjenitetit të saj, shfaqet shtet-ndërtuese krahasuar me qeverisjen (nëse mund të quhet e tillë) shtet-shkatërruese të PD. Prandaj kundërshtoj PD dhe aleatë të saj që po bëjnë gjithçka ta pengojnë reformën.

E mbështes pozicionimin e koalicionit qeveritar në favor të reformës edhe nga që e di se jo gjithçka është në dorën e tyre, se një garanci shtesë janë ndërkombëtarët, SHBA dhe BE, një garanci se prokuroria e pavarur që kanë projektuar të lindë, do të thërrasë para saj jo vetëm të korruptuarit e PD por edhe të PS apo LSI, se gjykatat po ashtu, do t'i japin dënimin që meriton gjithkujt, pavarësisht pozicionit në shtet, dhe jo të fajësojnë, si deri më sot, vetëm cironkat dhe të shfajësojnë "peshkaqenët".

Nëse kjo nuk ndodh, atëhere dhe vetëm atëherë, reforma mund të quhet e dështuar. Shpresojmë të mos ndodhë kështu. Do qe fatale për Shqipërinë. Do qe prova se drejtësia e pavarur nuk lindi dhe reforma dështoi. Dhe pa drejtësi të pavarur, Shqipëria ose do binte përfundimisht nën diktaturën e mafias dhe korrupsionit, ose vetëm dalja masive e shqiptarëve të dëshpëruar në rrugë në një revoltë gjithëpërmbysëse mund ta shpëtonte situatën. Veç mund të sillte edhe kaos, një tjetër '97. Por deri atëhere, reforma duhet mbështetur si e vetmja rrugë shpëtimi.

Duhet shpresuar dhe duhet bërë gjithçka që ajo të kurorëzohet me sukses. Mjerisht, reforma më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, edhe pse në sondazhe aprovohet nga shumica e shqiptarëve, nuk ka prapa saj mbështetjen e masave të organizuara qytetare. Dhe kush nuk është i organizuar, nuk ekziston si forcë, si faktor. Gjë që është në favor të klaneve të korruptuara të politikës që rreken ta pengojnë reformën. Gjë që tregon edhe se shoqëria civile nuk e ka kuptuar fare rëndësinë historike që ka kjo reformë për shtetndërtimin. demokracinë dhe lirinë në Shqipëri. Nuk e ka kuptuar se vetëm me një drejtësi të pavarur do të jetë më e mundur të kemi edhe mbizotërimin e politikanëve të përgjegjshëm edhe të partive politike që e bazojnë suksesin jo të klientelizmi, korruptimi apo blerja e votës, por te merita që është drejtësi dhe përgjegjshmëri njëherësh.

Nishani takohet me Ban Ki-moon

Posted: 21 Sep 2016 01:46 AM PDT

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në punimet e Sesionit të 71-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zhvilloi takime dypalëshe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, me Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda si dhe me Presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Presidenti Nishani, në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e vlerësoi atë për lidershipin e treguar në iniciativat e ndërmarra nga Organizata gjatë drejtimit të tij, veçanërisht në ato që lidhen me klimën, agjendën për njerëzimin, si dhe planin e veprimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. "Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe me iniciativat tuaja ju ia keni dhënë këtë", u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Nishani evidentoi gjithashtu faktin se Shqipëria është tërësisht e angazhuar për zbatimin e këtyre iniciativave në nivel kombëtar, si dhe e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm edhe për rolin pro aktiv të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare dhe avancimin e të drejtave të njeriut.

Në takimin me Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve dhe theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, i cili është ende larg pritshmërive dhe mundësive reale që kanë të dy vendet.

Gjithashtu, Presidenti Nishani e falënderoi homologun polak për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për marrjen e vendimit të hapjes së negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian.

Mes dy bashkëbiseduesve u fol edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes rajoneve evropiane, zhvillimet më të fundit në Bashkimin Evropian dhe krizën e refugjatëve, si dhe për mundësinë e mbështetjes së kandidaturave reciproke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Ndërsa, në takimin me Presidenten e Republikës së Kroacisë, zonjën Kolinda Grabar-Kitaroviç, Presidenti Nishani vlerësoi ndër të tjera edhe njëherë rolin pozitiv që Kroacia po luan në rajonin e Evropës Juglindore, si dhe shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për avokatinë që Presidentja Kitarovi? dhe vendi i saj po i bëjnë vijimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht sfidave që po kalon vetë rajoni.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në mënyrë të veçantë, në nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, në funksion të rritjes së mëtejshme të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit.

“Eskorta”, tentuan të kalojnë 19 afganë në Kosovës, arrestohen 3 persona

Posted: 21 Sep 2016 01:33 AM PDT

Tre persona janë arrestuar nga policia e Kukësit nën akuzën për "kalim të paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim", duke tentuar të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës 19 shtetas afganë.

Policia bën të ditur se në pranga janë vënë shtetasit Edmont Alishallari, 37 vjeç, Armand Mehmet, 45 vjeç, si dhe Aleksandër Lata, 31 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Sipas policisë, arrestimi i shtetasve u bë pasi nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve,  në D.V.P. Kukës,  në vendin e quajtur  "Rruga e  Kombit",  në dalje të tunelit  të Kalimashit, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri- tjetrin, janë kapur në flagrancë, duke transportuar 19 shtetas të dyshuar afganë, me automjetet e tyre, tip "Skoda" me targa AC837T, "Mazda" me targa AC 357T dhe "Opel-Astra" me targa AC 869 T, të cilët  nëpërmjet kufirit të gjelbër do ti kalonin në Kosovë, kundrejt fitimit.

Vrasja e dyfishtë tek “Lulishte 1 Maji”, prokuroria: Burg për jetë autorëve

Posted: 21 Sep 2016 01:32 AM PDT

Prokuroria e Tiranës ka kërkon dënim të përjetshëm për dy autorët e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së një personi të tretë. Autorët janë Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo, ndërsë viktimë kanë mbetur Kevin Rugova dhe Aurora Oskian. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 1 tetor të vitit 2015, në zonën e quajtur "Lulishte 1 Maji", në kryeqytet.

Hetimet e prokurorisë

Rreth orës 19:45, në rrugën "Beqir Rusi", në sheshin mes pallateve afër Lulishtes "1 Maji", dy persona kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një autoveture të markës BMV, seria 5, në të cilën sapo kishin hipur dhe po largoheshin shtetasit Elvis Gaçaj, drejtues, Aurora Oskian, pasagjere në vend të parë, Kevin Rugova dhe E.GJ, pasagjerë në ndenjësen e pasme, të ulur përkatësisht pas Aurorës dhe Elvisit.

Nga goditjet me breshëri me armë automatike kallashnikov, janë vrarë në vend Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, të dy të ulur në krahun e djathtë të mjetit, është plagosur Elvis Gaçaj dhe ka shpëtuar pa dëmtime Eda Gjura. Elvis Gaçaj u shtrua në spital ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirugjikale.

Nga hetimi rezultoi se objekt i këtij sulmi kriminal ishte Elvis Gaçaj, person me precedentë penal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike. Ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti mes tij dhe të të pandehurve Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo.

Shërbimet e policisë gjyqësore arritën që më 02.10.2015 të shoqëronin në mjediset e DPQ Tiranë Sael Sulajn dhe Vasiel Çavon. Të pyetur në cilësinë e personave nën hetim, të lartpërmendurit pranuan autorësinë e krimit, si dhe shpjeguan tërë mekanizmin e ngjarjes.

Nga deklarimet e tyre rezulton që motivi i kësaj ngjarjeje është një konflikt i disa muajve më parë mes të dëmtuarit Elvis Gaçaj dhe personit nën hetim Vasiel Çavo. Elvis Gaçaj e ka rrahur Vasielin dhe, në mënyrë të përsëritur, ka vijuar të fyejë dhe shajë Sael Sulajn.

Mbrëmjen e datës 01.10.2015, shtetasi Sael Sulaj ka parë rastësisht në një lokal pranë lagjes ku ai banon, shtetasin Elvis Gaçaj, duke darkuar me tre të tjerë. Ai njihte Kevin Rugovën si njërin prej personave që rrinte vazhdimisht me Elvisin.

Po ashtu, ka parë që brenda lagjes, afër me shtëpinë, ishte parkuar autovetura BMV që ai e dinte që ishte e Elvis Gaçajt. Në këtë kohë, për shkak të konfliktit të lartpërmendur, shtetasit Sael Sulaj i ka lindur mendimi që të hakmerrej ndaj shtetasit Elvis Gaçaj dhe, për këtë qëllim, i ka telefonuar shokut të tij Vasiel Çavo.

Pasi janë takuar, kanë biseduar për t'u hakmarrë. Këtë hakmarrje e kanë dëshiruar të dy sepse edhe Vasieli kishte patur debate dhe konflikte fizike me Elvis Gaçajn.

Të tilla konflikte ai i kishte patur gjashtë muaj para ngjarjes, dhe kishin edhe këmbime fyerjesh personale dhe familjare. Saeli dhe Vasieli kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit dhe kanë marrë një armë zjarri tip automatik që ishte futur në një çantë me rrota e mbështjellë me një bluzë dhe një qese të zezë. Vasieli ka marrë dhe një pistoletë.

Sipas planit të thurur prej tyre, kur Elvis Gaçaj të hipte në makinë, Saeli do të qëllonte me automatik i pari, ndërsa Vasieli do të mbështeste atë me pistoletë nëse do dilte ndonjë e papritur. Saeli ka qëndruar në sheshpushimin që ishte përballë dhe sipër vendit ku qe parkuar mjeti, pikërisht përpara xhamit të përparmë të mjetit dhe ka patur me vete automatikun. Ndërsa, Vasieli, i pajisur me pistoletë, rrinte në një shkallë ngjitur, edhe ai në sheshpushim, me fushëpamje nga pjesa anësore e autoveturës BMË.

Elvisi dhe personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga lokali dhe i janë drejtuar automjetit të tyre, shtetasi Sael ka mbushur armën automatike dhe, pasi të lartpërmendurit kanë hipur në mjet dhe mjeti është ndezur, ai është ngritur dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke qenë përballë mjetit derisa ka mbaruar të gjithë fishekët.

Menjëherë më pas, në drejtim të automjetit, anash tij, ka hapur zjarr me pistoletë dhe shtetasi Vasiel Çavo dhe të dy personat e armatosur janë larguar më këmbë në drejtime të ndryshme bashkë me armët e krimit.

I pandehuri Sael Sulaj ka marrë automatikun që e ka siguruar brenda çantës me rrota dhe e ka hedhur në Lumin e Lanës automatikun dhe çantën që mbante atë, sende këto që u sekuestruan më pas si prova materiale. Ka ecur përgjatë lumit disa qindra metra, dhe, kur ka qenë afër Bar D…, është futur pas lokalit; aty ka hequr bluzën e zezë me kapuç.

Të dy djemtë janë larguar nga banesat, kanë qëndruar gjatë natës në lëvizje, kanë komunikuar në mëngjes ku kanë ndërruar numrat e telefonit dhe më pas, janë shoqëruar në polici pasi kanë folur edhe me të afërmit. Qesja e zezë që shërben për mbeturina dhe që kishte mbajtur të mbështjellë automatikun para ngjarjes, u la prej tij në vendngjarje, u gjet më pas gjatë këqyrjes dhe u fiksua dhe iu nënshtrua ekspertimit.

Po kështu, edhe shtetasi Vasiel Çavo ka pohuar për ngjarjen. Ai deklaroi që për praninë e Elvisit (shkurt Evit, siç njihej prej tyre), ishte njoftuar nga Saeli që i ka kërkuar që ta godisnin sepse ishte rast i mirë. Pasi kanë rënë dakord, kanë shkuar në banesën e Vasielit ku ai mbante automatikun dhe pistoletën. Automatikun e ka marrë Saeli, ndërsa Vasieli ka marrë pistoletën.

Kanë bërë kontrollin e armëve nëse ishin në rregull teknikisht dhe me fishekë brenda dhe Vasieli ka qëndruar në një hyrje pallati afër mjetit dhe është mbështetur te parvazi i shkallëve, ndërsa Saeli ka qëndruar te sheshpushimi i shkallëve në hyrje të apartamentit ku ai vetë banon dhe që ishte përballë mjetit, pikërisht përballë qelqit të parë të mjetit ku do ulej edhe Elvis Gaçaj.

Vasieli ka parë që Elvisi po afrohej me një djalë dhe dy femra dhe pretendon që nuk ka patur mundësi që të njoftonte Saelin që duhet të hiqnin dorë nga veprimi sepse kishte dhe njerëz të tjerë. Ka parë që Elvisi ka hipur në vendin e drejtuesit, një bjonde te vendi i parë dhe dy të tjerët kanë hipur pas.

Sapo mjeti është ndezur dhe ka nisur lëvizjen mbrapsht, ka dëgjuar krisma të pandërprera dhe ka kuptuar që Saeli po qëllonte sikurse kishin rënë dakord.

Pasi Saeli ka mbaruar edhe ai ka nxjerrë armën pistoletë nga brezi dhe ka qëlluar duke e mbajtur me të dyja duart në drejtim të Elvis Gaçajt. Pas kësaj është larguar mes pallateve deri afër Urgjencës, duke e fshehur armën te xhepi i barkut të bluzës që mbante veshur pa u lidhur me Saelin për të kuptuar se nga kishte shkuar ai.

Më pas, është kthyer në drejtim të unazës, ka kaluar urën e vogël të këmbësorëve që është mes rrugës "Gjin Bua Shpati" dhe ish-Ekspozitës; aty, ka hedhur kapelen që mbante në kokë dhe armën e zjarrit pistoletë.

Më pas, duke shfrytëzuar rrugicat ka dalë deri të shkolla "Sabaudin Gabrani" ku, në një kosh plehrash, ka hedhur bluzën që mbante veshur. Disa minuta më vonë është takuar me Saelin te një Fast Food, ku kanë biseduar për vrasjen, e ka pyetur pse nuk kishte ndërperë veprimet kur kishte parë që kishte dhe të tjerë. Saeli i ka pohuar që e kishte humbur kontrollin e vetes nga hutimi.

Më pas, secili është larguar; Vasieli është drejtuar në banesën e tij, ndërsa Saeli te disa të njohur në Fushë-Krujë. Ai pohon për rrahjet që ka pësuar nga Elvis Gaçaj dhe që kanë ndodhur muaj më parë por, për të cilat, ai nuk i ka treguar gjë policisë. Me gjithë kërkimet e bëra, policia gjyqësore nuk arriti të gjejë armën e zjarrit pistoletë./tvklan.al

Vëllezërit nga Saranda në krye të trafikut ndërkombëtar të drogës

Posted: 21 Sep 2016 01:30 AM PDT

Dy vëllezërit shqiptarë nga Saranda, Dhimitër e Xhevahir Poti, të arrestuar në muajin maj në Belgjikë ishin drejtuesit e organizatës së trafikut ndërkombëtar të drogës, e cila një ditë më parë u shkatërrua nga operacioni "Ring New" i Policisë financiare italiane të qytetit të Breshias.

Nga ky operacion u arrestuan 99 persona, e 196 persona të tjerë u vunë nën hetim.

Ky informacion u bë publik nga koloneli i policisë së Breshias, Michele Esposito, i cili për mediat italiane ka theksuar rëndësinë e koordinimit gjyqësor të agjensisë europiane Eurojust në realizimin e suksesit të këtij operacioni.

"Me anë të hetimeve, shprehet ai, synuam të identifikojmë nivelin e shitjes me shumicë të drogës, fakt që na çoi në zbulimin e organizatës ndërkombëtare greko-shqiptare në trafikun e drogës. Mundëm të zbulojmë strukturën e kësaj organizate e lidhjet e saj me organizatat kriminale italiane të mafias Ndragheta, Kamorra e Sakra korona Unita. Trafikantët shqiptarë bashkëpunonin me mafiat më të fuqishme italiane".

Sipas investiguesve italianë organizata e dy vëllezërve shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, kishte mbështetje llogjistike nga mafiat italiane gjatë operacioneve të tregtimit të drogës duke e shpërndarë në territor sipas infuencës së çdo familje mafioze.

Marijuana kultivohej në Shqipëri e me rrugë detare mbërrinte në jug të Italisë në rajonin e Pulias dhe në portin e Krotones në Kalabri, duke u kontrolluar nga grupet kriminale pulieze e kalabreze.

Tregtimi i drogës në rajonin e Kampanjës kryhej nga mafia Kamorra.

Ndërsa kokaina mbërrinte në Spanjë nga Amerika Latine, më pas transportohej në Belgjikë ku organizata e trafikantëve shqiptarë kishin bazën e tyre llogjistike.

Me anë të një shoqërie transporti kokaina transportohej në Itali e trafikohej në qytetet e Milanos e Breshias.

Dy vellezërit shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, kishin në zotërim të tyre shoqërinë e tansportit të hapur në Bullgari  "Friends Trans LTD" me punonjës me kombësi greke e cila ishte e aftë të shërbente transportin e drogës dhe për llogari të palëve të treta.

Me anë të kësaj shoqërie transporti, droga hynte në Itali me anë të mauneve me fruta, perime e prodhimeve deti.

Më pas me anë të furgonave shpërndahej në të gjithë territorin italian për llogari të 3 mafiave kryesore italiane.

Emrat e dy vëllezërve shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, janë lakuar disa herë nga mediat shqiptare për lidhjen e tyre me ish-Drejtorin e Transportit Rrugor të Sarandës Klement Balili.

Importi i mbetjeve, LSI: Shoqëria civile t’i monitorojë në dogana

Posted: 21 Sep 2016 01:29 AM PDT

Ora News zbardh amendamentin e propozuar nga  grupi parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me ligjin e importit të mbetjeve, i miratuar një ditë më parë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

LSI kërkon shtimin e një pike 3, përmes të cilës i jep mundësi konkrete shoqërisë civile që të ketë rol aktiv në këtë proces përmes monitorimit.

Sakaq LSI vlerëson se amendamenti krijon dhe një raport të ri bashkëpunimi me shoqërinë civile, i cili shëndosh raportet mes parlamentit, ekzekutivit dhe opinionit publik nga ana tjetër.

"Në mbështetje të nenit 71 të Rregullores së Kuvendit, te projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve", të ndryshuar, propozohet që në nenin 3, i cili ndryshon nenin 48 duke shtuar nenin 48/1, pas pikes 2 të nenit të ndryshuar shtohet pika 3 e formuluar si më poshtë:

 Pika 3

Organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve.

Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga Ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi.

Drejtuesit e pikave doganore kanë detyrimin e lejimit të kryerjes së monitorimit pa kufizim. "

Gramsh, vritet me thikë 30-vjeçari

Posted: 21 Sep 2016 01:18 AM PDT

Një 30-vjeçar është vrarë me thikë në Gramsh.

Viktima është Ardian Mesiti, ndërsa autori i dyshuar, Arlind Llalla, 25 vjeç, është kapur nga policia.

Dyshohet se krimi ka ndodhur pas grindjes për një vajzë.

Tatimet do publikojnë “listën e zezë” për bizneset e parregullta me kasën fiskale

Posted: 21 Sep 2016 01:06 AM PDT

Ndryshimet e fundit në ligjin për procedurat tatimore parashikojnë që të publikohen në faqen e internetit të tatimeve, emrin dhe NIPT-et e bizneseve që nuk vendosin kasë apo nuk janë të rregullt me përdorimin e saj.

Deri tani, tatimet publikonin emrat e subjekteve dhe NIPT, që ishin debitorë ndaj tatimeve, që ishin në procedurë falimenti. Tashmë "lista e zezë" do të botohet dhe për subjektet që kryejnë shkelje të tilla si mosvënia në punë, apo mosdhënie e përsëritur e kuponit.

Ndryshimet ligjore parashikojnë se nëse pas verifikimit të parë, konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë, ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 15 ditë kalendarike .

Nëse tatimpaguesi brenda këtij afati, nuk instalon pajisjen fiskale në vendin ku është konstatuar shkelja, masa e bllokimit shtyhet deri në instalimin e pajisjes fiskale. Në rastin kur situata nuk është rregulluar brenda 15 ditëve, tatimpaguesit i publikohet emri, nipti dhe emri i përfaqësuesit të biznesit,  në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Lista e zezë do publikohet dhe nëse një subjekt e bën rrugë të mos i japë kupon klientit. Sipas ndryshimeve ligjore, për çdo konstatim të përsëritur të moslëshimit të kuponit tatimor, pas dy konstatimeve të para, përveç aplikimit të dënimit me gjobë 50 mijë lekë (dhe rivlerësim për subjektet e TVSH-së), moslëshimi do konsiderohet evazion tatimor.

Gjithashtu publikohet emri tatimpaguesit, Nipti dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve./MONITOR

Vetingu/ SHBA e BE gati ekspertët: Çfarë janë Lista e Zezë, Lista e Gjelbër dhe Lista e Bardhë

Posted: 21 Sep 2016 01:01 AM PDT

Lista e Zezë, Lista e Gjelbër dhe Lista e Bardhë, tri shkallët e përzgjedhjes. OMN me ekspertë nga Gjermania, Austria, Belgjika apo Franca, jo nga Rumania, Bullgaria e vende të tjera të Lindjes. Të gjitha detajet e një procesi që synon të përmbysë sistemin e drejtësisë dhe politikës në Shqipëri.

Prej ditës së djeshme, ligji i vetingut konsiderohet i dekretuar nga ana e Presidentit. Ai nuk është shprehur për këtë ligj, duke e  miratuar me heshtje. Qetësia që po dominon këto javë pas miratimit në Kuvend të ligjit tëvetingut, nuk duket se do të zgjasë shumë. Janari do të jetë muaji, kur ekspertët ndërkombëtarë do të japin rezultatet e para të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të vetingut, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, ka nisur planin e veprimit për përcaktimin e strukturës ndërkombëtare që do operojë për zbatimin e procesit të vetingut në kuadër të zbatimit të reformës së drejtësisë në Shqipëri.

Burime nga delegacioni bëjnë me dije se ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin ka mbledhur dy ditët e fundit stafin e saj për të nisur punën për ngitjen e stukturës sëvetingut, e cila do të dominohet nga ekspertët ndërkombëtarë.

Procesi i përzgjedhjes së ekpsertëve, që do të asistojnë grupin e prokurorëve, që do të vulosin zyrtarisht pastrimin e sistemit të drejtësisë, është tashmë afër përfundimit. Ndërkohë Parlamenti parashikon që në seancën e 29 shtatorit të përmbyllet miratimi i të gjitha ligjeve të reformës në drejtësi.

Sipas parashikimeve do të jetë fillimi i janarit të vitit që vjen që do të japë rezultatet e para të procesit të vetingut. Ishte parashikuar që ky moment të ishte në muajin nëntor, por ka qënë shtyrja e miratimit në Kuvend të ligjit të vetingut që ka shtyrë në kohë procesin.

Ndërkohë që Vllahutin po bën gati të gjithë infrastrukturën pranë zyrave të delgacionit të BE-së, ambasada amerikane ka përcaktuar eskpertët amerikanë që do të asistojnë procesin e vetingut.

Hyn në fuqi vetingu, ja çfarë e pason procesin

Ligji për vetingun, ka marrë miratimin në heshtje nga ana e Presidentit Nishani, pasi ai nuk është shprehur për këtë ligj. Afati i fundit që kreu i shteti të shprehet për këtë ligj ishte dita e djeshme më datë 20 shtator.

Presidenti nuk është shprehur dhe në këtë mënyrë ligji i vetingut ka hyrë në fuqi. Pasqyrimi në fletoren zyrtare është hapi i radhës, ndërkohë 15 ditë pas pasqyrimit në fletoren zyrtare, nis ngritja e institucioneve të vetingut. Më hyrjen në fuqi të ligjit të vetingut, nis ngritja e institucioneve që do të kryejnë procesin e vetingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të ketë 12 juristë, të cilët do të kryejnë procesin e vetingut. Do të jetë edhe Komisioni Publik do të ketë dy juristë dhe Kolegji i Apelimit që do të ketë shtatë juristë. Janë të lirë të konkurojnë të gjithë juristët, brenda dhe jashtë sistemit aktual, për t'u bërë pjesë e këtyre institucioneve. Kandidatët do t'i nënshtrohen një procesi të hollësishëm përzgjedhje që kalon në tri faza.

Lista e Zezë

Quhet lista me të gjithë ata kandidatë që aplikojnë për t'u bërë pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit . I pari që ka të drejtë të përzgjedh në këtë listë është Presidenti. Në kutinë e madhe, ku janë të gjithë konkurentët juristë, Presidenti heq kandidaturat që sipas tij nuk i plotësojnë kriteret.

Lista e Gjelbër

Kandidatët që arrijnë t'i shpëtojnë dorës përzgjedhëse të Presidentit mblidhen në një kuti tjetër, e cila quhet lista e gjelbër. Listën e Presidentit ose ndryshe listën e gjelbër, e merr në shqyrtim OMN (Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar) vëzhguesit e BE e SHBA-së dhe ata heqin prej asaj kutie, kandidatët që nuk plotësojnë kriteret.

Seleksionimi nga ndërkombëtarët, bëhet mbi bazën e analizës së etikës profesionale, kontrollit të figurës së kandidatit dhe kontrollit të pasurisë së tij dhe të afërmve të tij. OMN ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në këtë proces, pasi verifikon imtësisht pastërtinë e figurës së secilit kandidat, sa i përket mundësisë së të qënit të tyre të korruptuar, të lidhur me botën e krimit, apo që kanë pasuri të fshehura, të padeklaruara.

Lista e Bardhë

Lista me emrat që mbeten në kuti nga përzgjedhja pas verifikimit të figurës së secilit nga OMN, quhet Lista e Bardhë.  Kandidatët e Listës së Bardhë, i kalojnë komisionit Ad Hock pranë Kuvendit, i cili është i përbërë nga 12 deputetë. Secili nga 12 deputetët, ka të drejtë të votojë për një nga emrat e listës së bardhë dhe kështu arrihet një listë me 12 komisionerë. Më pas Kuvendi e miraton listën në grup, pra e miraton siç është pa asnjë ndryshim, ose e rrëzon atë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë

Vëzhguesit ndërkombëtarë të OMN-së (Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar), do të vijnë nga vende anëtare të BE-së të renditura në grupin e vendeve me demokraci të konsoliduar. Nuk do të ketë asnjë vëzhgues ndërkombëtarë që do të marrë pjesë në procesin e vetingut, që vjen nga vendet e  Lindjes, si Rumania, Bullgaria, Polonia apo Kroacia që është anëtarësuar së fundmi në BE.

Kjo do të thotë se ekspertët që do të vijnë nga Brukseli, do të jenë gjyqtarë ose prokurorë, me jo më pak se 15 vjet përvojë në sistemin e drejtësisë në vende si Gjermania, Austria, Belgjika, Franca, Hollanda e gjetkë. Përzgjedhja e tyre nga vende me sistem drejtësie të pavarur, është një përpjekje më shumë për të shmangur çdo mundësi manipulimi të procesit.

Afatet

Kushtetuta përcakton se duhen tetë muaj për të kryer të gjithë procesin e ngritjes së vetingut, i cili nis me verifikimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e zbret shkallë-shkallë deri në nivelin më të ulët.

Ajo çfarë po kërkohet nga ndërkombëtarët është nisja e punës në të gjitha nivelet paralelisht, për të përmbyllur sa më shpejt procesin e vetingut në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë. Burime pranë delegacionit të BE-së konfirmojnë që muaji janar do të nisë me rezultate konkrete të procesit të vetingut, në nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë./27.al

Asgjësohen 7400 rrënjë kanabis në Vlorë

Posted: 21 Sep 2016 12:54 AM PDT

Vazhdon aksioni i policisë për asgjësimin e parcelave me kanabis sativa në vend. Rreth 7400 rrënjë bimë narkotike të dyshuara të llojit kanabis sativa janë zbuluar në Vlorë.

Bimët narkotike u gjetën të mbjella në dy fshatra, në Drithas dhe Gorisht.

Policia bëri asgjësimin e bimëve narkotike me anë të djegies.

Related Posts :