Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Durrës, falsifikonin pasaporta dhe karta identieti; në pranga dy maqedonas” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Durrës, falsifikonin pasaporta dhe karta identieti; në pranga dy maqedonas” plus 9 more Gazeta SHQIP


Durrës, falsifikonin pasaporta dhe karta identieti; në pranga dy maqedonas

Posted: 11 Sep 2016 02:13 AM PDT

pasaporta pasaporta-2 id

Krimi Ekonomik ndalon një shtetas maqedonas dhe fillon procedimin në ngarkim të një tjetri sepse falsifikonin pasaporta dhe karta identiteti. Konkretisht është ndaluar shtetasi Zore Lozanovski, 45 vjeç, banues në qytetin e Manastirit, Bitol, Maqedoni.

Gjithashtu u referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për shtetasen: Biliana Nancovska, 35 vjeçe, banuese në qytetin e Manastirit, Bitol, Maqedoni. Në lagjen Nr.13, Durrës, shtetasi i ndaluar në momentin që është ndaluar nga Punonjësit e Policisë të Rendit Publik ka paraqitur dokumente të ngjashme si të Europolit.

Në vijim në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë kontrollit të ushtruar shtetasve të mësipërm i’ gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 1 pasaportë diplomatike me mbishkrimin Knights of Malta dhe disa karta me mbishkrimet “Europolice Fedaration”.

Dokumentet e mësipërme dyshohen që të jenë të falsifikuara. Zore Lozanovski është person me precedentët penalë të mëparshëm po për të njëjtat vepra penale. Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”dhe Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”në ngarkim të shtetasit Zore Lozanovski e Biliana Nancovska.

 

 

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Voton Muharem Rama: Procesi të jetë i qetë

Posted: 11 Sep 2016 02:00 AM PDT

1473581969rama-votaKandidati i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës, Muharem Rama, votoi në shkollën "Selim Alliu" dhe e konsideroi ditën e sotme si "shumë të rëndësishme për të ardhmen e Dibrës".

"I ftoj të gjithë qytetarët të dalin masivisht të votojnë. Procesi duhet të jetë i qetë e pa incidente. Janë qytetarët ata që me vullnetin e tyre të lirë do të përcaktojnë kryebashkiakun e ardhshëm", u shpreh Muharem Rama.

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Incidenti në Maqellarë, Imerajt: Noka më kërcënoi me armë

Posted: 11 Sep 2016 01:57 AM PDT

policiaLidhur me ngjarjen në Maqellarë, ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Përmes një komunikate për shtyp, Policia sqaron se “më datë 11.09.2016, rreth orës 02.00 jemi njoftuar nga Stacioni i Policisë Maqellarë se ishte paraqitur shtetasi D.I., i cili deklaronte se në afërsi të shkollës së mesme Maqellarë është goditur nga disa persona dhe konkretisht nga deputeti i Partisë Demokratike F.N, shoferi i tij dhe shtetasi D. S”. Gjithashtu shtetasi D.I, në kallëzimin paraprak të bërë me gojë ka deklaruar se gjatë ngjarjes deputeti F. N. dhe shoferi i tij kanë nxjerrë dhe armë zjarri të tipit pistoletë. Nisur nga kallëzimi i bërë nga ky shtetas, menjëherë nga ana e shërbimeve të Komisariatit Policisë Dibër u morën masat e nevojshme për dokumentimin e ngjarjes ku në drejtim të Maqellarës u dërguan disa forca policie.

Në hyrje të Dobrovës nga ana e shërbimeve të policisë është konstatuar automjeti tip Audi Q-7 me ngjyrë gri me targë AA 007 JF, mjet me të cilin sipas informacioneve dhe kallëzimit të shtetasit D. I., udhëtonin autorët e ngjarjes së ndodhur. Shërbimet e policisë të cilët lëviznin me dy mjete policie sapo konstatuan mjetin e mësipërm organizuan pikë kontrolli të shpejtë duke i bërë shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit tip Audi.

Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrave të punonjësve të policisë, por me shpejtësi lëvizi indietro dhe si pasojë u përplas në një nga shtyllat e ndriçimit duke e dëmtuar atë plotësisht. Megjithëse punonjësit e policisë vazhdonin t'i bënin shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit, ai përsëri nuk u bind por lëvizi me shpejtësi para në drejtim të qytetit Peshkopi duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e punonjësve të policisë .

Shtetasit të dëmtuar D. I. i është marrë kallëzimi me shkrim ku ndër të tjera ka deklaruar se: Rreth orës 01.50 në vendin e quajtur para shkollës së mesme Maqellarë i ka prerë dhe bllokuar rrugën në mënyrë të befasishme një automjet tip Audi Q-7 me ngjyrë gri ku tek targat ka fiksuar vetëm numrat 007. Nga automjeti i mësipërm kanë zbritur tre persona nga të cilët ka identifikuar deputetin e Partisë Demokratike F.N., shoferin e tij (të paidentifikuar me emër) dhe shtetasin D.S.

Sipas deklarimeve të të dëmtuarit, deputeti F.N dhe shoferi i tij kanë qenë të armatosur me Pistoleta. Ata i janë prezantuar të dëmtuarit shtetasit D. I. se jemi punonjës policie dhe do të kontrollojmë mjetin dhe personat. I dëmtuari u është përgjigjur se unë ju njoh se kush jeni dhe ju nuk keni asnjë lidhje me policinë. Pas këtij momenti deputeti F. N. e ka goditur me grushta shtetasin D. I. dhe po të njëjtin veprim e kanë bërë dhe shoferi i tij si dhe shtetasi D. S.

Më pas i dëmtuari është nisur për në banesën e tij në fshatin Dovolan, ku në hyrje të fshatit Herbel shtetasit e mësipërm po me të njëtin automjet kanë tentuar t'i bllokojnë përsëri rrugën por ai ka shfrytëzuar një hapësirë dhe është larguar me shpejtësi. Në lidhje me këtë ngjarje nga ana jonë është bërë shoqërimi në ambientet e Komisariatit Policisë Dibër i shtetasit D. S, ish punonjës policie dhe po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Për të gjitha veprimet e kryera si dhe për rrethanat e ngjarjes së ndodhur është vënë në dijeni Prokurori.

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Sherefedin Shehu nuk do votojë s’ka emrin në listën e zgjedhësve

Posted: 11 Sep 2016 01:52 AM PDT

sherefedin shehuKandidati i djathtë, Sherefedin Shehu, nuk do të votojë sot në zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës. Mësohet se shkak është bërë mungesa e emrit të tij në listën e zgjedhësve.

Në një prononcim për mediat,  Shehu tha se shkaqet e mungesës së emrit të tij në listë janë teknike, ndërsa theksoi se për të do të votojë e gjithë Dibra. Shehu nuk banon në Dibër dhe vonesat e shkaktuara në regjistrimin e tij në Gjendjen Civile, ka bërë që ai të mos e ketë emrin në listë.

“Fatmirësisht për mua do të votojnë qytetarët e Dibrës, pasi për çështje teknike nuk mund të marr pjesë në procesin e votimit. Nuk ka asnjë problem. Për mua do të votojë e gjithë Dibra.  Mazhoranca bën presione ndaj qytetarëve në përpjekje për tu diktuar votën. Nëse qeveria nuk e prish procesin, ne kemi pritshmëri të mëdha për ta fituar procesin”, tha ai.

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

 

 

 

ASHE: Flamur Noka ngriti postbllok në Maqellarë, dhunë ndaj qytetarëve

Posted: 11 Sep 2016 01:48 AM PDT

flamur-noka-1-1Shtabi Elektoral i kandidatit të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane" denoncoi, sipas tyre, presionin që po ushtrohet nga funksionarë dhe militant të Partisë Demokratike në Bashkinë e Dibrës.

Sipas ASHE, gjatë natës së kaluar, deputeti Flamur Noka, shoferi i tij dhe militant të tjerë të kësaj force politike kanë ngritur postblloqe në zonën e Maqellarës duke kontrolluar automjetet dhe dhunuar qytetarët.

Gjatë kësaj kohe, thuhet në reagimin e ASHE, ka kaluar në këtë zonë shtetasi Artan Isaku i cili ka rënë pre e kësaj dhune fizike të ushtruar nga deputeti Noka dhe personat që e shoqëronin.

“I bëjmë thirrje Partisë Demokratike që të heqë dorë nga skenari për të përbaltur dhe prishur procesin zgjedhor.

Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të hetojnë dhe vënë para përgjegjësisë ligjore çdo person që ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe tenton të prishë procesin zgjedhor”, thuhet në deklaratën e Aleancës për Shqipërinë Europiane (ASHE).

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Operacionet anti-kanabis në vend; asgjësohen me mijëra rrënjë

Posted: 11 Sep 2016 01:44 AM PDT

kanabisPolicia e Shkodrës ka asgjësuar mëngjesin e sotëm 9899 rrënjë kanabis sativa të kultivuara në 68 parcela.
Përkatësisht 43 parcela me një numër prej 7932 bimë janë asgjësuar në Pult të Shkodrës. Ndërsa në Shllak të Vaut të Dejës janë asgjësuar 1967 rrënjë kanabis sativa.
Policia ka asgjësuar bimët me anë të djegies, sakaq po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Shkodër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Drogë sekuestrohet edhe në Krujë

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë, gjatë ditës së djeshme kanë goditur një tjetër rast ku kanë asgjësuar 12 300 bimë narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatrat Nikël, Cudhi, Cudhi Zall dhe “Mali i Krujës”,Krujë, u gjetën dhe u asgjësuan me anë të djegies:rreth 12 300 bimë narkotike të dyshuara të llojit kanabis sativa. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale”Kultivimi i bimëve narkotike”.
11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Bebe Rexha: Në fund të shtatorit klipi im i ri

Posted: 11 Sep 2016 01:22 AM PDT

bebe-rexhashowNë një intervistë ekskluzive për Top Channel këngëtarja Bebe Rexha, e cila një natë më parë ndezi kryeqytetin në koncertin e saj live të mbajtur në sheshin "Nënë Tereza", ka rrëfyer se fansat shqiptare janë të preferuarit e saj.

"Është e mrekullueshme të jesh këtu. Unë jam shqiptare edhe familja ime gjithashtu. Unë kam lindur në Nju Jork, por jam në vendin tim tani dhe të jesh këtu është eksperiencë e mrekullueshme. Fansat në Shqipëri më thërrasin në shqip "Bebe Rexha, Bebe Rexha". Ata janë të preferuarit e mi. E dua shumë muzikën. Nuk ka asgjë më të bukur se sa të performosh para një grupi njerëzish e kur ata këndojnë me ty, kjo është ndjenja më e bukur që përjeton", shprehet Bebe Rexha.

Bebe Rexha, ndonëse vetëm 26 vjeç, është e njohur për bashkëpunimet e saj me emra të njohur të muzikës si Nicky Minaj e David Guetta. Për mikrofonin e Top Channel, Rexha ka rrëfyer historinë e hitit "Monster", për të cilin tregon se pa nismën e Eminem nuk do t'ia kishte dalë.

"Ka një histori shumë interesante. Kur kompozova "Monster", po përpiqesha të lidhesha me shtëpitë diskografike. Kontaktova disa prej tyre, por asnjëra nuk e pëlqeu këtë këngë. Eminem e dëgjoi atë dhe ishte ai që shfaqi dëshirën të kishte këngën ndaj ia dhashë atij. Falë tij kjo këngë u bë shumë e njohur", tregon këngëtarja.

Për fansat e saj, Rexha ka zbuluar se shumë shpejt do të vijë për publikun me një album të plotë.

"Sapo kam përfunduar xhirimet për videoklipin e ri, i cili do të jetë gati pas dy javësh. Gjithashtu po punoj për albumin tim, i cili do të ketë të gjitha këngët e mia e do të jetë gati në tetor. Titullin nuk po ua zbuloj, por po ju them se është një album shumë special për mua", u shpreh Bebe Rexha.

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Memaliaj, nuk i ndalon policisë dhe arratiset, në makinë i gjenden 10.3 kg hashash

Posted: 11 Sep 2016 12:57 AM PDT

Hashash ne makinePunonjësit e policisë i bëjnë shenjë të riut që të ndalë makinë, ai arratiset duke vënë në rrezik edhe jetën e efektivëve. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Kthesa e Luftinjës” , Memaliaj.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se rreth orës 23:30 ,të mbrëmjes së djeshme, punonjësit e policisë i kanë bërë shenjë, 23-vjeçarit, A.T., 32 vjeç, banues në Tiranë që  të ndalonte, por shtetasi ai është larguar me mjetin tip “Mazda” ,me targa AA 002 LJ ,duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë.

Menjëherë Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit por ky shtetas ka braktisur automjetin në lagjen nr 4 të qytetit Memaliaj. Pas kontrollit të ushtruar, në bagazh të këtij automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 10.3 kg lëndë e dyshuar narkotike si ajo e llojit kanabis sativa.

Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme ,për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh". Ndërkaq, policia ka shpallur në kërkim të riun dhe lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Akuzat për blerje votash, Imeraj: Kjo është shpifja e radhës

Posted: 11 Sep 2016 12:44 AM PDT

dionis-imerajDrejtori i Tatimeve të Dibrës, Dionis Imeraj,  ka mohuar akuzat e bëra sot nga Partia Demokratike për blerje votash në Maqellarë. Përmes një reagimi në Facebook,  ai e cilëson shpifjen e radhës të PD-së ndaj tij.

"Sapo u vura në dijeni të deklaratës së bërë publike nga Partia Demokratike. Kjo është thjesht shpifja e radhës që bëhet ndaj personit tim. Shtetasi Artan Isaku nuk është punonjës i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër dhe unë personalisht nuk kam asnjë njohje me të.

Partia Demokratike dëshiron vetëm të përbaltë procesin zgjedhor dhe të lëshojë akuza të pavërteta në përpjekjen për të prishur procesin. I bëj thirrje Partisë Demokratike që të heqë dorë nga përdorimi i emrit tim ndërsa unë do të ndjek rrugën ligjore për të gjitha shpifjet që janë bërë ndaj meje prej këtij subjekti politik", shkruan ai.

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Zgjedhjet në Dibër, PD: Votuesve po u bëhet shantazh, votat po blihen

Posted: 11 Sep 2016 12:32 AM PDT

vota-655x356Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike pretendon se ka marrë informacion për shpërndarjen e parave, thasëve me miell si dhe përpjekje për shantazhe ndaj votuesve gjatë natës së mbrëmshme nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë e zyrtare të administratës publike, nën mbrojtjen e një grupi punonjësish te policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga.

"Kështu, banorët e Maqellarës kapën në mesnatë duke shpërndarë lekë për blerje votash zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Artan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri me detyre Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Dionis Ymeri është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në prokurori me date 1 shtator si anëtar i grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Konkretisht shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është kallëzuar në Prokurori si personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave.

Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, i kane dhënë mbështetje këtij krimi elektoral. Bert Aga është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike me 1 shtator si anëtar kryesor i grupit të strukturuar kriminal i cili në abuzim të detyrës së shefit të Komisariatit të Peshkopisë ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe ofron mbështetje logjistike dhe mbrojtje ekstraligjore për operacionin e shpërndarjes së parave në këmbim të votave.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal të kallëzuar nga Partia Demokratike që nga data 1 Shtator.

Partia Demokratike i siguron qytetarët e Dibrës së nuk do të lejojë me asnjë çmim tjetërsimin e vullnetit të tyre nga bandat e Edi Ramës.

Vota është e shenjtë. Asnjë presion, asnjë kriminel me mbrojtje shtetërore nuk do ta ndalë dot vullnetin e dibranëve.

Partia Demokratike ju bën thirrje qytetarëve dibrane të marrin pjese masivisht në votime dhe të shprehin me votën e tyre të lire vullnetin e tyre sovran e të patjetërsueshëm", shprehet shtabi Elektoral i Partisë Demokratike në një deklaratë për mediat.

 

 

11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Related Posts :