Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Ish-kunati i Aleksandër Kurtit: E vrau Aleks Vukaj” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Ish-kunati i Aleksandër Kurtit: E vrau Aleks Vukaj” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Ish-kunati i Aleksandër Kurtit: E vrau Aleks Vukaj

Posted: 21 Sep 2016 08:20 AM PDT

Sonila Musaj
Ish-burri i motrës së Aleksandër Kurtit që u vra në Belgjikë në vitin 1999, ka qenë dje i pranishëm në seancën gjyqësore të Mark Frrokut. Ardian Ukaj ka qenë i thirrur në cilësinë e dëshmitarit për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, gjykatës dhe avokatit të të pandehurit Frroku. Ardian Ukaj deklaroi para gjykatës se kur ndodhi vrasja e Aleksandër Kurtit, ai ka qenë duke punuar në bahçen e shtëpisë së tij. Ai tregoi se lajmin e vdekjes e mësoi nga një punonjës i hidrocentralit të Komanit që quhet Nik Nika. Ukaj deklaroi se, pasi mori vesh për vdekjen, u nis drejt Shkodrës me makinën e tij tip “Benz 2400”, ndërsa tha se vjehrra dhe vjehrri i tij ishin në dijeni të vrasjes. “U kam ndenjur pranë me sa kam mundur, i kam ndihmuar në ceremoninë mortore, por unë s’kam lidhje më me ta, pasi me motrën e Aleksandrit jam ndarë që në vitin 2001”, – tregoi dëshmitari Ukaj. Më tej ai shtoi se, dy javë pas varrimit, vjehrra e tij, Mrikë Kurti i tha që Aleksandrin e ka vrarë Aleks Vukaj, ndërsa u shpreh se e ka me të dëgjuar se janë zënë për punë femrash. Sipas Ardian Ukajt, vëllai i ish-gruas së tij punonte punë të ndershme. Ukaj tha se në Londër Aleksandri përdorte një emër kosovar, njihej si Azem Shkreli, ndërsa të afërmit e thërrisnin me pseudonim Ndoc. Ukaj tha se me të dëgjuar ka mësuar se, para se ta vrisnin, Aleksandri ishte konfliktuar edhe me persona të tjerë, të cilëve nuk ua di emrin.
E dyta që ishte thirrur në cilësinë e dëshmitares ishte Lumturi Velaj. Ajo ishte thirrur për të treguar çfarë di në lidhje me kompaninë “Xhoi Lloto”. Lumturi Velaj ka qenë drejtoreshë finance pranë “Xhoi Lloto” nga shtatori 2011 deri në shkurt 2014. Ajo deklaroi se aksionerët Ervin Canollari dhe Mark Frroku nuk kanë pasur asnjë detyrim ndaj shtetit, pasi kanë qenë të rregullt me taksat. Si ish-punonjëse, Velaj tha se kompania kishte shumë fitime, pasi “Xhoi Lloto” ushtrohej në të gjithë territorin, por me shpenzimet ata bënin edhe investime për kompaninë. E pyetur se si bëheshin transaksionet, Velaj u përgjigj se bëheshin në bankë, por edhe kesh, që ishin pjesë e bilancit, ndërsa shtoi se mbi të ardhurat ajo bazohej në server. “Çdo gjë ka qenë e dokumentuar. Unë mbaj përgjegjësi për aq kohë sa kam punuar, pasi e di se si funksiononte”, – është shprehur ajo.
E treta dëshmitare ishte Ermira Kurti, edhe kjo ish-punonjëse e “Xhoi Lloto”. Ajo ka punuar në këtë kompani që prej qershorit të 2009-ës deri në maj të 2016-ës. Kurti tha se Mark Frroku paguhej nga kompania me pagë maksimale. Ashtu si Kurti, të njëjtin qëndrim mbajti edhe dëshmitarja tjetër Lumturi Velaj.
Të dyja ish-punonjëset deklaruan se kishin dijeni edhe për dy kompani që i administronte i pandehuri Frroku: konkretisht “IDA shpk” dhe “INKAS Kafe”. Gjatë seancës, avokati i Frrokut, Tonin Prendi i kërkoi gjykatës që, pasi të mbarojë pyetja e të gjithë dëshmitarëve, të merret në pyetje edhe ekspertja Greta Danku, që ka analizuar pasurinë e Frrokut. Ndërsa ish-deputeti kristiandemokrat deklaroi se e gjithë pasuria e tij është vënë me punë të ndershme nga ai dhe familja e tij. “Prokuroria s’ka llogaritur rrogën time të deputetit, imagjino çfarë ka bërë me të tjerat! Unë i kam paguar shtetit 7 milionë USD taksa e tatime. Është e vërtetë që kam 2 milionë USD, po i kam bërë me punë të ndershme. Po deshën, le t’i marrin”, – u shpreh Frroku gjatë fjalës së tij, ndërsa iu drejtua dy prokurorëve se “ju keni urdhër nga shefi juaj që t’i sekuestroni”. Seancën tjetër pritet që të dëshmojnë ish-deputeti Tom Doshi dhe xhaxhai i Aleksandër Kurtit. Ish-deputeti Mark Frroku akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë, kur pas një përleshjeje ndërmjet tyre, në bashkëpunim me disa të tjerë, mbeti i vdekur Kurti. “Nga hetimet rezultoi se i pandehuri Frroku dhe tre bashkëpunëtorët e tij kanë vrarë shtetasin Kurti, për shkak të përplasjeve në aktivitetin e paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Mark Frroku do përballet me drejtësinë edhe për akuzën e “Fshehjes së pasurisë”. “Gjatë hetimeve të kryera, bazuar në kallëzimin penal të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), shtetasi Mark Frroku akuzohet se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milionë dollarë (saktësisht 209.627.-218 lekë të reja)”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Një tjetër akuzë që rëndon ndaj tij është edhe ajo e “Ndërtimit të paligjshëm”.

I akuzuari për përdhunimin e së bijës, avokati: Jap dorëheqjen

Posted: 21 Sep 2016 08:20 AM PDT

Ashtu siç deklaroi edhe para një jave, avokat Arben Keta ka dhënë dorëheqjen nga mbrojtja e të pandehurit Fatos Gurakuqi, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të bijën 15-vjeçare, fakt ky që u vërtetua shkencërisht nga analiza e ADN-së e kryer nga Policia Shkencore. Avokati nëpër-mjet një deklarate shprehet se nuk do ta mbrojë më Fatos Gurakuqin për arsye personale. Por, i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” edhe më herët, avokati ka deklaruar se çështjen e mori në momentet e fundit të hetimeve paraprake, dhe se kur është njohur me dosjen, dhe disa akte shkencore, e përjashtonin klientin e tij si autor të kësaj vepre penale. Avokati deklaroi se, pasi e mori çështjen, kishte biseduar me klientin dhe ai e kishte bindur që nuk e kishte kryer këtë veprim. Por që, pas përgjigjes së analizës së ADN-së, ai ka mbetur i shokuar. Avokati deklaroi se, edhe pse ligji ia jep të drejtën ta mbrojë atë, nuk e lë morali, pasi është një veprim i pafalshëm. Gjatë seancës së sotme prezente ka qenë bashkëshortja e Gurakuqit, e cila duket se nuk beson tek analizat e Policisë Shkencore. Jolanda Gurakuqi deklaron për “Gazeta Shqiptare” se mund të ketë një gabim. Për të parë babain dhe për të ndjekur seancën kishte ardhur djali 11-vjeçar, por për shkak të moshës atij iu desh të priste jashtë sallës së gjykatës. 11-vjeçari, edhe pse në një moshë të vogël, deklaroi se nuk ka shkuar në shkollë pasi shokët e tij e shajnë, ndërsa me pafajësinë e tij u shpreh se “babai im nuk i bën këto gjëra”. Fatos Gurakuqi u kallëzua në polici nga vajza e tij 15-vjeçare F.G. më 18 nëntor të 2015-ës, dhe pas kallëzimit 38-vjeçari u vu në pranga nga policia. Ai gjithmonë e ka mohuar këtë akuzë, ndërsa pas 3 muajsh, vetë vajza që bëri kallëzimin ka deklaruar edhe në gjykatë që ajo ka gënjyer për të shfryrë inatin pasi babai e rrihte. Sakaq, pas dorëheqjes së avokatit Keta, gjykata i caktoi të pandehurit një avokat kryesisht, por Gurakuqi deklaroi se do të flasë me familjen për të marrë një avokat të tij personal. Seanca e radhës do të zhvillohet më 3 tetor. S.Musaj

Hipoteka, riregjistrim 3.2 milionë pasurive

Posted: 21 Sep 2016 08:19 AM PDT

Ornela Manjani
Zyrat e regjistrimit të pasurive në të gjithë vendin do të regjistrojnë rreth 3.2 milionë pasuri. Pronat e paluajtshme, toka, shtëpi e biznese, do të hidhen në një regjistër dixhital, i cili do të përditësohet sipas hartave që Hipoteka do t’i marrë nga ALUIZNI. Ky proces pritet që zgjidhë të gjitha çështjet e mbivendosjes së pronave. Me dixhitalizimin e hartës dhe kartelave të pronës do të kryhet edhe rregullimi i të gjithë informacionit që ka të bëjë me spostimet, zhvendosjet dhe mbivendosjet. I gjithë procesi është parashikuar të përfundojë në vitin 2018. Nisjen e punës së këtij projekti e prezantuan dje ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe kreu i Hipotekës, Ilirjan Muho.
Regjistrimi
“Sot ne fillojmë të shmangim mbivendosjen për shkak të gjendjes juridike, emrit të ngjashëm apo dokumenteve të ngjashme. Në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka më të paktën mbivendosje ose ngatërresa emrash dhe me kalimin e kohës, bashkë me mbivendosjen e emrave, do vijojmë edhe bashkëpunimin me zyrën e ALUIZNI-t”, – tha ministri Manjani. Sipas ministrit të Drejtësisë, brenda një viti do të shmangen edhe mbivendosjet e hartave. “ALUIZNI bën verifikimin në terren dhe në ZRPP, harta që vjen nga ALUIZNI pas verifikimit në terren përputhet me dokumentacionin ligjor që ndodhet në ZRPP. Kjo do të kërkojë kohë dhe kur të mbarojë, historia e mbivendosjeve në Shqipëri do të marrë fund. Me këtë projekt që fillojmë sot (dje), është e sigurt që zgjidhim mbivendosjen për shkak të emrave ose për shkak të dokumentacionit ligjor, dhe tashmë shërbehet shpejt, sepse dokumentacioni nuk do të jetë më i shkruar me dorë, por gjithçka do të jetë e kompjuterizuar dhe me një komandë printohet kartela e freskët, ose çdo informacion që kërkohet masivisht nga qytetarët do të jepet në mënyrë elektronike”, – u shpreh Manjani. Ministri bëri publik edhe shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, ndërsa u ndal edhe në disa problematika të trashëguara nga e kaluara dhe që kanë krijuar shumë shpesh shqetësime te qytetarët shqiptarë. “Ne trashëgojmë nga e kaluara praktika të patrajtuara, një numër të konsiderueshëm, ndaj dhe kemi vënë një afat për këtë. Kemi thënë se fundi i këtij viti do të jetë fundi i të gjitha aplikimeve të patrajtuara, dhe ky është një afat të cilit do t’i qëndrojmë strikt. Kemi nisur së bashku me kryeregjistruesin që të fusim në një filtër shumë të rreptë, të gjithë drejtuesit e zyrave vendore, dhe në këtë filtër kanë nisur të bien edhe elementët e parë. Lidhur me këtë mund t’ju them se regjistruesi i Beratit sot është i shkarkuar edhe për shkak të konstatimeve të KLSH-së, por edhe për shkak të filtrave të ndërtuar nga ana jonë, dhe ju siguroj që do të kemi njoftime edhe në ditët në vijim”, – përfundoi Manjani.
Programi
Kryeregjistruesi, Ilirjan Muho ka bërë me dije disa detaje teknike mbi risitë që pritet të sjellë ky projekt. Ai sqaroi se projekti është financuar dhe po zhvillohet tërësisht nga ZQRPP-ja, dhe për zbatimin e tij janë përfshirë rreth 200 deri 250 specialistë. “Filloi një projekt shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me hedhjen e të dhënave dhe gjithë informacionit që zyrat tona disponojnë në regjistra ndër vite, në një format të ri, dixhital, që do të jetë i aksesueshëm nga të gjitha institucionet që shkëmbejnë informacion me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nëpërmjet këtij procesi ne fillojmë korrigjimin e të gjithë emrave, për shkak të gabimeve njerëzore të ndodhura ndër vite. Regjistri ynë është i lidhur me regjistrin e gjendjes civile dhe burimi i informacionit është ky regjistër. Korrigjimi bëhet duke u përputhur emri me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Momenti i dytë është hedhja e informacionit ndër vite, pra i gjithë historiku i pasurive të krijuara në vite hidhet në format dixhital dhe ne në kohë reale kemi informacion se cilit person i takon pasuria. Momenti i tretë është edhe më i rëndësishmi, sepse identifikon se çfarë pasurie ka një person, dhe kjo do të ndihmojë shumë punën e organeve që kërkojnë informacion nga ne, pra prokuroria, gjykata, ILDKP-ja etj. Njëkohësisht ndodh edhe procesi i rregullimit të të gjithë informacionit që ka të bëjë me spostimet, zhvendosjet, mbivendosjet, dhe ky është momenti më i rëndësishëm. Sot informacioni ynë po përshtatet me atë që vjen nga terreni, dhe është pikërisht ai informacion që vjen nga drejtoritë e ALUIZNI-t, të cilat duke qenë se janë në terren, informacionin që gjenerojnë e kanë më të saktë, ndaj dhe ne jemi të detyruar të përputhim hartat”, – sqaroi Muho.

OSHEE-ja investon 7 milionë dollarë në Tiranë

Posted: 21 Sep 2016 08:18 AM PDT

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po vijon me investimet në kryeqytet për të përmirësuar situatën e furnizimit me energji elektrike për një periudhë deri 40-vjeçare. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të OSHEE-së, në Tiranë, Klevis Jahaj, inspektoi një nga zonat e kryeqytetit, ku po ndërtohet fideri 334 (Unaza e Madhe – ish-Fusha e Aviacionit – Laprakë), i cili është drejt përfundimit, më shpejt nga sa parashikohej (nga 8 muaj, në 3 muaj). Fideri 334 është një nga 6 fidrat që po ndërtohen aktualisht nga OSHEE-ja, si pjesë e projektit me vlerë 7 milionë dollarë për forcimin e Nënstacionit të Selitës, nga ku do të lidhen fidrat dhe prekin gati gjysmën e Tiranës, nga Selita deri në Laprakë, ish-Zogu i Zi, Rruga e Kavajës etj. “Fideri 334 me tension 6 KV që furnizon aktualisht zonën është i amortizuar dhe në disa segmente jashtë kushteve teknike, i mbingarkuar dhe me humbje të larta teknike dhe joteknike. Ky projekt zëvendëson linjat e vjetra nga 6 KV në 20 KV”, – u shpreh drejtori i OSHEE-së për Tiranën. Investimi përfshin: shtrimin e 8.3 km linjë TM prej 20 KV, rikonstruksionin e 10 kabinave, ndërtimin e 18 kabinave të reja, shtrimin e 5 km rrjet të ri tensioni të ulët me linjë ABC. Jahaj tha se janë me dhjetëra kabina shtyllore/ajrore (si ajo që shikoni në krah të kabinës së re), që do të demontohen/hiqen pasi janë jashtë kushteve teknike dhe të rrezikshme etj. Projekti i fidrit 334 shtrihet në disa zona. Nis nga mbikalimi i Unazës së Re, përgjatë gjithë rrugës “Teodor Keko”, për të vijuar te pallatet “Hauai”, “Karavan”, që shtrihen përgjatë rrugës “Dritan Hoxha”, një pjesë e Laprakës, dhe përfundon deri te pallatet e “Izraelit”, pra deri në ish-Fushën e Aviacionit etj. “Deri më tani për Tiranën, OSHEE-ja ka investuar mbi 20 milionë dollarë, të cilat janë bërë publike, si zonat Bathore-Babrru-Paskuqan, Qyteti Studenti, Vasil Shanto, ish-NSHRK-u, Kinostudio, Selita etj., etj. Dhe aktualisht që flasim kemi në zbatim, pra kemi lidhur kontrata dhe po punohet në shumë projekte me vlerë rreth 12 milionë dollarë të tjera”, – u shpreh Klevis Jahaj.

Sourani: “Pakti detar”, çështje e zgjidhur në 2009

Posted: 21 Sep 2016 08:18 AM PDT

Ambasadorja e re e Greqisë në Tiranë deklaroi se çështja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është e zgjidhur qysh në vitin 2009. Në një intervistë për “Albanian Daily News”, ambasadorja Eleni Sourani e ka cilësuar të mbyllur edhe çështjen çame. Sipas saj, çështja çame nuk ekziston. Në të vërtetë të dyja çështjet janë tashmë në axhendën e bisedimeve dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë. “Lidhur me delimitimin e kufirit detar mes dy vendeve, do të doja të vija në dukje se kjo nuk është një çështje e pazgjidhur, përderisa ka një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2009, e cila u hartua me kujdes dhe bazuar në Konventat e OKB­së dhe ligjin e Detit, dhe që në vështrimin tonë u shërben interesave të të dyja vendeve”, – tha ambasadorja për marrëveshjen e ujërave. Ndërkohë që, pakti detar Berisha­Karamanlis i firmosur nga ish-ministrat e Jashtëm Basha dhe Bakojanis u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, që do të thotë se është një marrëveshje pa asnjë vlerë për qeverinë shqiptare. Ndaj dhe ministri Bushati e ka përfshirë në axhendën e çështjeve të pazgjidhura mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati konfirmoi gjatë vizitës së homologut të tij grek, se çështja çame dhe ajo e marrëveshjes së kufijve detarë janë dy çështje të renditura në krye të axhendës së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por ambasadorja e Greqisë duket se nuk ka dijeni për axhendën e shefit të saj, pasi ajo u shpreh në intervistë se: “Më lejoni të vë në dukje se qytetarët e kujtdo vendi, që kanë pretendime pronësore në Greqi, mund t’i kërkojnë ato duke iu drejtuar gjykatave greke, dhe sistemi gjyqësor grek, me të vërtetë i pavarur, do të prononcohet për çdo rast”. “Mbi të ashtuquajturën ‘çështje çame’, mendoj se ministri Kotzias, gjatë vizitës së tij në Tiranë qershorin e kaluar, dha një analizë shumë konkrete të pozicionit tonë dhe nuk ka nevojë ta përsëris. Çamët e Greqisë(dhe duhet t’i ndajmë nga çamët e Shqipërisë) lanë vendin në fund të pushtimit gjerman, duke ndjekur tërheqjen e trupave gjermane, nga frika e reprezaljeve që mund të kishte si pasojë e bashkëpunimit të liderëve të tyre me forcat okupatore”, – u shpreh ambasadorja greke në Tiranë. Sipas saj, “në fund të luftës, incidente të tilla ndodhën kudo në Europë. Gjithsesi më lejoni të vë në dukje se qytetarët e kujtdo vendi, që kanë pretendime pronësore në Greqi, mund t’i kërkojnë ato duke iu drejtuar gjykatave greke, dhe sistemi gjyqësor grek, me të vërtetë i pavarur, do të prononcohet për çdo rast”. Nisur nga ajo që kanë ngritur më herët ministri Bushati apo kryeministri Rama, ky qëndrim është në fakt një refuzim i Greqisë për të diskutuar politikisht çështje që sipas saj u takojnë instancave të tjera.
Qëndrimet e qeverisë shqiptare
Gjatë vizitës që bëri në Shqipëri disa muaj më parë, ministri i Jashtëm grek, Nicolas Kotzias mori një qëndrim të qartë se çështja çame dhe ajo e kufirit detar duhen zgjidhur. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në konferencën e përbashkët që pati me Kotzias, në qershor, tha: “Besoj se isha i qartë kur fola për kompleksitetin e marrëdhënies mes dy vendeve tona për listën e çështjeve dhe për një lloj kategorizimi të çështjeve. Besoj gjithashtu se respektojmë pikëpamje të ndryshme që kemi me ministrin Kotzias për disa prej këtyre çështjeve. Nuk ka asnjë diskutim që çështja çame është pjesë e kapitullit të problemeve që rrjedhin nga Lufta II Botërore. Jemi ballkanas dhe është e qartë që të kemi lexime të ndryshme për këtë çështje ose të tjera”. “Besoj se është moment i mirë dhe më i qartë e i drejtpërdrejtë. Nuk bëhet fjalë as për pretendime territoriale, sepse Shqipëria s’ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, e respekton Greqinë si një vend dinjitoz. Por, qasja jonë për çështjen çame ka të bëjë me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve të Çamërisë. Flasim për një proces, ku çdo lloj pengese e karakterit diskriminues do të duhej të hiqej ndaj kësaj popullsie. Inspirojmë të ndërtojmë një shoqëri që bazohet tek e drejta, dhe kur flasim për këtë, nuk flasim për përgjegjësitë kolektive dhe për për-gjegjësitë individuale, por për të drejtën e pronës, të lëvizjes së lirë e më gjerë. Besojmë se është e mundur të marrim shembull nga praktika të mira siç ishte ajo e marrëdhënieve gjermano­france-ze”, – tha Bushati.
Vizita
Çështjet mes Shqipërisë dhe Greqisë pritet të diskutohen edhe gjatë vizitës që do të ketë më 10 tetor kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në Athinë. Në këtë vizitë, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë do të ketë takime me homologun e tij, Nikolaos Voutsis, por njëherësh do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse në parlamentin grek. Në këtë takim Meta do të shoqërohet nga një grup deputetësh, pjesë të grupit të miqësisë Shqipëri-Greqi. Kjo konsiderohet një vizitë e rëndësishme, në këtë nivel mes dy shtetesh.

Kryeministri: Gjykatësit, të parët përballë drejtësisë

Posted: 21 Sep 2016 08:17 AM PDT

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje, se për të çuar para drejtësisë ata që e çuan Shqipërinë në këtë fazë, duhen çuar më parë gjykatësit. Në përgjigje të një prej banorëve të fshatit Mashan në Gramsh, i cili i tha se ‘Pse nuk vihen para ligjit ata persona që e çuan Shqipërinë tonë në këtë fazë, pse rrinë si ferrë nëpër këmbë?’, Rama u përgjigj: “E para, duhet të shkojnë gjykatësit para ligjit, pastaj gjykatësit të çojnë para ligjit të tjerët”. “Ferrat pastrohen me kosë, thatë. Kosa është sistemi i drejtësisë. Atë po bëjmë, por jemi në fazën që kemi bërë mbjelljen. Është njësoj si të mbjellësh grurin dhe unë të të them ‘më bëj bukën’, ndërkohë që do të më thuash se ‘tani është nën tokë; do ta kultivojmë, do bëhet filiz dhe pastaj do hamë’. Ne e bëmë reformën kushtetuese në 21 korrik, kaluam ligjin për ‘kosën’ që do pastrojë ferrat në sistemin e drejtësisë”, – sqaroi kryeministri. Sipas tij, “prokurorët dhe gjykatësit, që do dalin të pastër dhe të gatshëm, do fillojnë me kosën e drejtësisë në dorë të bëjnë këtë punën tjetër. Po të mos ishte kështu, nuk kishim ardhur në këtë situatë. Njëzet e pesë vjet dhe duket sikur po i fillojmë gjërat nga e para. Madje as nga e para jo, sepse këtu duhet prishur, pastruar, ndërtuar, mobiluar, e pastaj të futemi brenda të jetojmë. Ajo kohë, që, siç tha dikush, kur edhe kosën e bënte kryetari i kooperativave, ka ikur”, – theksoi Rama. Një tjetër banor i kërkoi kryeministrit ndërtimin e rrugës së fshatit, ndërsa ai i tha: “Miku im, unë e di që secili qan hallin e shtëpisë së tij dhe secili e lidh marrëdhënien me shtetin dhe me qeverinë me rrugën e shtëpisë së tij, por po të tërhiqemi pak dhe ta shikojmë më gjerë këtë punë, nuk duhet harruar që ne gjetëm një shtëpi. Shtëpia jonë e përbashkët Shqipëria, është si çdo shtëpi e juaja, nuk është e pasur. Është një shtëpi që ne e gjetëm rrëmujë dhe të zhytur në borxhe”. Rama i shpjegoi se qeveria e tij zgjodhi të lante borxhet dhe tashmë do të investohet dalëngadalë.

“Kamerat”, Ndreu: S’votoj qorrazi. Braho: Qenke keq

Posted: 21 Sep 2016 08:17 AM PDT

Darina Tanushi
Ligji për kamerat e sigurisë përplasi dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare deputetët e LSI-së dhe të PS-së. Veç kritikave që ky ligj ka marrë prej deputetëve demokratë, ishte socialisti Pjerin Ndreu ai i cili i tërhoqi vërejtje kreut të komisionit, Spartak Braho se pse nuk ishte njoftuar si relator i ligjit, me ndryshimet që i ishin bërë. Fillimisht, deputeti i PD-së, Flamur Noka ishte i pari që kërkoi një sqarim se cilat ishin përmirësimet në ligj. “Përfaqësuesit e ministrisë të tregojnë çfarë kanë përmirësuar në ligj pasi e ktheu presidenti”, – u shpreh Noka. Ndërsa më pas, Ndreu tha: “Unë si relator nuk i di ndryshimet. Kërkoj që komisioni të shtyhet. Jam oficer policie, i tërheq vëmendjen komisionit. Nuk diskutoj duke mos ditur asnjë rresht. Nuk na është dhënë asnjë material. Kërkoj të shtyhet për nesër”. Por një kërkesë e tillë nuk u pranua nga drejtuesi i komisionit, përfaqësuesi i LSI-së Spartak Braho, i cili tha se sot do të ishte vonë, pasi ligji do të kalojë për miratim ditën e enjte në seancë. “Qenke keq sot”, – i tha Braho, Ndreut. Kaq ka mjaftuar që replikat e debatet mes tyre të zgjasin për disa minuta. Braho është detyruar të ndërpresë për rreth 15 minuta mbledhjen e komisionit, për t’u ritakuar më pas. Braho e ka ndjekur Ndreun nga pas, duke i kërkuar të sqarohen, por Ndreu ka qenë i prerë: “Mos më kap me dorë”. “Kam punë, nuk merrem me ju”, – i është shprehur Ndreu kreut të komisionit duke u larguar. Pas debateve për më shumë se dy orë, Komisioni i Sigurisë ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet në projektligjin për kamerat e sigurisë. Pas mbylljes së mbledhjes, deputeti Noka e ka quajtur atë çfarë ka ndodhur në komision një “çorbë qensh”. “Ajo që patë sot në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë ishte një çorbë qensh e përgatitur nga mazhoranca. Ju patë se komisioni ishte i painformuar dhe një përpjekje tinëzare për të shmangur nga ky pazar ministrin e Brendshëm, i cili është kryepazarxhiu i kësaj historie. U tha që janë marrë në konsideratë vërejtjet e presidentit, u tha që është përmirësuar ligji, por nuk u thanë arsyet se pse me kaq urgjencë, dhe nuk u sqaruan deputetët edhe të mazhorancës se pse nuk janë njoftuar për këto ndryshime dhe për projektligjin e sotëm”, – u shpreh Noka. “Sot ishin mbledhur deputetët për një çështje tjetër dhe me urgjencë pas pazareve të Roskovecit, u zhvillua kjo seancë e turpshme. Pas këtyre ndryshimeve dhe pas këtij projektligji fshihen interesa madhore, qindra miliona euro tendera dhe për koncesione kamerash. Fshihet një tentativë për të shkelur me të dyja këmbët liritë dhe të drejtat e njeriut. Ky komision tregoi që kjo mazhorancë është shndërruar në një çorbë qensh”, – deklaroi Noka. Ligji për masat shtesë të sigurisë publike, pësoi ndryshime, pas kërkesës së LSI-së për të ndryshuar disa nga pikat e tij, veçanërisht aty ku bëhej fjalë për pajisjen me kamera sigurie të të gjitha subjekteve private e publike që paraqesin rrezikshmëri, veçanërisht në ato subjekte private ku mblidhen më shumë se 50 njerëz. Pas negociatave mes PS-LSI, draftit i janë bërë ndryshime në 8 nene, dhe vendosja nuk është e detyrueshme për të gjithë. Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Stefan Çipa dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Relatori i projektligjit, deputeti Pirro Lutaj, në fjalën e tij sqaroi edhe ndryshimet e bëra dhe arsyen pse kanë ardhur këto ndryshime.

Shalsi: Jo import plehrash, por mbetje të riciklueshme

Posted: 21 Sep 2016 08:16 AM PDT

Darina Tanushi
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi dje, pavarësisht kundërshtive, projektligjin për mbetjet, i cili do të kalojë për votim në seancën e së enjtes. Miratimi i ligjit është bërë edhe me konsensusin e disa prej deputetëve të opozitës. Vetëm Mimoza Hajdarmataj dhe Irma Kopliku të PD-së nuk kanë votuar pro ligjit. Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi sqaroi edhe njëherë se në Shqipëri do të vijnë vetëm mbetjet e riciklueshme dhe jo ato për t’u djegur. “Ka pasur 6 ndryshime në propozimin fillestar. Shkak, kërkesat e të gjitha palëve, deputetët bënë shumë komente e sugjerime. Ndryshimet nuk duhet të bëhen pre e debatit politik. Pika e parë e ndryshimit parashikon të ndalojë futjen në Shqipëri të mbetjeve me qëllim djegien. Në Republikën e Shqipërisë do importohen vetëm mbetje të ngurta të riciklueshme. U vendos një nen shtesë që përcakton se autorizimi për import vlen vetëm për dy vjet, dhe vetëm për subjektet që zotërojnë linjat e përpunimit. Po ashtu, është përcaktuar se ricikluesi duhet të provojë si i ka ricikluar mbetjet”, – u shpreh Shalsi. Deputeti i PD-së, Genc Ruli, tha se debati për ligjin e mbetjeve është politizuar. “Kishim një ligj shumë të mirë të mbetjeve, i cili u ndryshua nga qeveria socialiste. Rreziku i plehrave të rrezikshme është gjithnjë i pranishëm, por një ligj i mirë i minimizon këto risqe. Sot po kthehemi te ligji i vitit 2013”, – u shpreh Ruli. “Si do t’i bindni shqiptarët se jeni ndryshe sot, për një gjë të cilën nuk e kuptuat sot, që është e drejtë ta lëmë ligjin atje ku ishte, se po kthehemi te ligji që ishim në 2013-ën”, – tha Ruli. Deputeti i PD-së, Helidon Bushati u shpreh: “I çoni në tri pika vetëm sepse nuk mundeni që t’i monitoroni të gjitha pikat”.
Deputeti socialist, Besnik Baraj u shpreh: “Në Shqipëri për herë të parë ndalimi i importeve të mbetjeve është bërë në 2013-ën, sepse ka pasur një numër të madh mbetjesh që lejoheshin. Në Shqipëri asnjëherë nuk kanë ardhur plehra, por do të vijnë vetëm rryma të caktuara të seleksionuara për riciklim”. Sipas tij, “ligji i ri e kufizon edhe më shumë rrymën e artikujve që do importohen. Ne nuk bëmë pengesë ndaj ligjit të 2013-ës, por u bëmë pengesë ndaj qeverisë që ishte e papërgjegjshme. Nuk kemi më institucionet e mëparshme monitoruese, kemi laboratorë që bëjnë analizat e këtyre rrymave që do vijnë. Produktet që do prodhohen këtu do të eksportohen në Itali apo Gjermani, dhe këto vende nuk do të pranojnë produkte nga mbetje të rrezikshme”, – sqaroi socialisti Baraj. Më vonë, në rrjetin social “Facebook”, deputeti Shalsi kishte sqaruar edhe nj herë se “nuk do të ketë import mbetjesh për qëllim incenerimi (djegieje) dhe depozitimi në Shqipëri.

Hafizi: Ka mangësi në transparencë, biznesi riciklues dëmtohet me këtë ligj

Posted: 21 Sep 2016 08:16 AM PDT

Deputetja socialiste Mimoza Hafizi, një nga kritiket e ligjit për mbetjet, mori pjesë dje në Komisionin e Veprimtarisë Pro-dhuese për të dhënë argumentet e saj kundër rikthimit të tij. “Nuk jam anëtare e këtij komisioni, por kam ardhur me argumentet e mia për t’ju kër-kuar që ta votoni ‘kundër’ këtë ligj. Ligji ka mangësi në transparencën e futjes së këtyre amendamenteve në axhendën e parlamentit. Ka pasur vetëm një mble-dhje në datën 13 korrik dhe asnjë diskutim të hapur”, – u shpreh Hafizi gjatë diskutimit në komision. Sipas saj, “ky ligj lindi në 2011-ën, vdiq në 2013-ën, dhe sot u ringjall në 2016-ën. Aq më tepër që në këtë hark kohor ne kemi dhe aktivizimin e 65 mijë firmave të qytetarëve që kërkuan ta hedhin në referendum këtë ligj, dhe nuk mund të mbyllet me dy mbledhje komisioni”. “Ky ligj dëmton menaxhimin e integruar të mbetjeve në Shqipëri në të gjitha bashkitë. Interesi ekonomik për biznesin riciklues shqiptar dëmtohet me këtë ligj. Nuk besoj se aftësitë kontrolluese të institucioneve shqiptare garantojnë shmangien e rrezikut të ndotjes. Po shohim çdo ditë raste me ushqimin, me ajrin, dhe çdo gjë tjetër që nuk kontrollohet dot, e jo më me mbetjet që do sjellim nga jashtë. Jepen shifra të pasakta, një herë 50, 120 dhe 200 milionë euro si investime në biznesin e riciklimit, gjë që tregojnë se kemi mungesë koherence. Unë nuk do ta votoj në parlament këtë ligj, dhe mirë do ishte që të shtyhet dhe të ketë një diskutim transparent”, – tha Hafizi.

Vasilika Hysi: Bojkoti i PD-së nuk cenon procesin

Posted: 21 Sep 2016 08:15 AM PDT

Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi miratoi dje, pa opozitën, projektligjin “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”. Ky ligj përcakton rregullat e funksionimit të katër organeve kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Emërimeve. Pas mbledhjes, në një prononcim për mediat, deputetja Vasilika Hysi tha se projektligji nuk do mund të kalojë të enjten në seancë, siç ishte parashikuar, pasi në draft duhet të reflektohen edhe diskutimet e mbledhjes së sotme. Po ashtu, sipas saj, nuk do të mund të jetë gati për votim në seancën e 22 shtatorit edhe ligji që parashikon ngritjen e SPAK-ut, prokuroria e posaçme, pasi ende ekspertët e misionit OPDAT nuk kanë pasqyruar në projekt propozimin e opozitës. Sipas Hysit, bojkoti i opozitës nuk cenon procesin për plotësimin e kuadrit ligjor në kuadër të reformës në drejtësi. Ndërsa tha se janë marrë parasysh shumë nga sugjerimet e demokratëve. “Procesi nuk cenohet, por do ishte më mirë edhe për vetëm procesin, por edhe për opozitën që të jetë e pranishme dhe të prezantojë dokumentet që ka dhe të diskutojë për to”, – tha Hysi. Ndërkohë dje, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutinu u takuan në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë me kryetarin e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, por nuk janë bërë të ditura detaje për bisedën. Takimi mes tyre ka zgjatur më shumë se një orë.

Related Posts :