Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Kim Jong Un shkakton tërmet bërthamor. Shpërthimi, “thuajse sa Hiroshima”” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Kim Jong Un shkakton tërmet bërthamor. Shpërthimi, “thuajse sa Hiroshima”” plus 9 more - Gazeta Dita


Kim Jong Un shkakton tërmet bërthamor. Shpërthimi, “thuajse sa Hiroshima”

Posted: 09 Sep 2016 02:21 AM PDT

Koreja e Veriut ka kryer testin e pestë bërthamor rreth orës 2 e 30 të premten sipas orës shqiptare – duke shkaktuar një tërmet me magnitudë prej 5.3 ballësh.

Lajmi u konfirmua nga televizioni shtetëror i Koresë së Veriut dhe agjencia kineze Xinhua.

Pyongyang njoftoi se tashmë “mund të montojë testata bërthamore në raketa strategjike balistike”.

Sipas televizionit shtetëror të cituar nga CNN këto testata bërthamore “mund të prodhohen në sasi dhe forma të ndryshme”.

Ky është testi më i madh që ka kryer ndonjëherë vendi komunist, duke alarmuar Perëndimin.

SHBA paralajmëroi se kjo do ketë pasoja serioze.

Kina bëri të ditur se është kundër testit dhe i kërkoi Koresë së Veriut të shmangë veprimet e tjera.

Fuqia e shpërthimit ishte më e fortë se bomba që hodhi SHBA në Hiroshima.

Televizioni shtetëror e dha lajmin me gëzim me prezantuesen e zakonshme:

 

Akademia Maqedonase: Nënë Tereza nuk është shqiptare

Posted: 09 Sep 2016 02:12 AM PDT

Akademia e Shkencave në Maqedoni pretendon se Nënë Tereza nuk është shqiptare.

Presidenti i kësaj akademie, Taki Fiti, dikur ministër i Financave, thotë se i ka ardhur në majë të hundës nga propaganda politike e Tiranës zyrtare, e cila pretendon se Agnes Bojaxhi është një shqiptare etnike.

Në një fjalim në Akademinë e Maqedonisë, Taki Fiti thotë se Nënë Tereza ka lindur në Shkup dhe nuk është shqiptare, duke shtuar se babai i saj, Nikolla Bojaxhi është një vlleh maqedonas dhe nëna e saj, e lindur në Shkup, ka prejardhje të përzier, maqedonase dhe shqiptare.

Sipas tij, interesant është fakti se të afërmit e mbetur të Nënë Terezës, përfshi edhe stërnipin e saj që ka një dyqan bizhuterish në Shkup, nuk flasin shqip.

Agjencia maqedonase MINA shkruan se kjo nuk do e ndalë Tiranën në pretendimet ndaj Nënë Terezës.

"Sikur të mos mjaftonte se Nënë Tereza vjen nga një etni mikse, ajo vetë nuk e pa veten sikur i përkiste dikujt specifikisht, por të gjithëve", shkruan agjencia.

Vetë Taki Fiti thotë se këto pretendime të Shqipërisë i merr si personale pasi ai është vetë një vlleh etnik maqedonas.

E Majta me Tre Rama duhet ta fitojë Dibrën…

Posted: 09 Sep 2016 02:08 AM PDT

(Humor fushate)

I pari është Edi Rama,
kokë e parë e partisë,
i dyti është Luan Rama,
kokë e dytë e LSI-së!

Dhe i treti-i vërteti,
është Rama i Peshkopisë,
tri Rama në një llogore,
duket tamam si surprizë.

I pari është katolik,
i dyti një bektashi,
i treti është mysliman,
po jo me bomba në gji!

Natyrisht s’janë Triniteti,
i shenjtërisë kishtare,
po janë treshe tamam,
për harmoninë fetare.

Që të tre janë goxha burra,
s’vuajnë për bukën e gojës,
dhe s’mendojnë se kjo ndeshje,
është si Betejë e Trojës!

Të dy Ramat e Tiranës,
janë në pozicion luftimi,
po nuk janë ngulur në Dibër,
si ç’është ngulur Lulëzimi!

Si betejë shumë personale,
Lulëzimi e ka marrë,
po humbi Sheferedini,
do ketë shkakun për të qarë!

Rama i parë ka harxhuar,
gjithë-gjithë një fjali,
se s’e lënë punët e tjera,
të ngulet në një bashki!

Dhe në humbtë Muharremi,
gjë që s’ka gjasa të ngjajë,
Edi s’është i investuar,
pak arsye ka të qajë!

Mbase-sot ditën e Premte,
meqë s’ka fushatë të Shtunë,
do t’i shohim të Tri Ramat,
sup më sup në një tribunë!

Të dy Ramët e Tiranës,
nëse sot në Dibër shkojnë,
do jetë goxha frymëzim,
që të majtët të fitojnë!

Sot në mitingun e fundit,
ende s’dihet e vërteta,
por duhet që me Tre Ramat,
të bashkohet edhe Meta!

Nëse Metën sot në Dibër,
LSI-stët e shikojnë,
do të ngrihen dhe nga varri,
Muharremin ta votojnë!

Dhe pse Muharrem doktori,
në Dibër bën diferencën,
duhet dhe Meta me Ramën,
të tregojnë bashkëekzistencën!

Sherefedini më duket,
se vjen nga Epokë e Gurit,
tjetër gjë është Muharremi,
në krah të Damjan Gjiknurit!

Unë jam tifoz me doktorin,
që u rrit në Peshkopi,
e kam parë si rrezaton,
dashuri dhe mirësi!

Po të isha një dibran,
po këtë fat nuk e kemi,
dhe njëmijë vota të kisha,
do t’i merrte Muharremi!

Thamë që Lufta e Trojës,
në Dibër s’ka për të ndodhur,
por Shehu-siç tha dhe Rama,
më duket si shumë i lodhur!

Dibra shpesh është llogaritur,
si kala e xha Saliut,
dhe këtë të Diel kemi,
edhe koston e Shukriut!

Mendoj se për Socialisten,
do jetë njëmbëdhjetë Shtatori,
se diferencën e madhe,
e bën Muharrem Doktori!

A e ka FSHF raportin e UEFA-s për Skënderbeun?

Posted: 09 Sep 2016 01:59 AM PDT

Bëhet fjalë për dënimin e Skënderbeut nga UEFA për trukimet e ndeshjeve dhe më pas për lënien e vendimit me një vit pezullim nga kompeticionet Europiane edhe nga KAS.

Mediat kanë kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit një vendim të arsyetuar të vendimit të UEFA-s për dënimin e Skënderbeut, por institucioni i futbollit në vend gjithmonë ka bërë me dije se nuk e kishte një të tillë.

Por, nuk thotë të njëjtën gjë edhe UEFA e cila i është përgjigjur një kërkese të TVSH-së, ku i bën me dije:

"UEFA ia ka dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit, raportin e arsyetuar të Komisionit të Disiplinës".

Skuadra e Partizanit, pak kohë më parë kërkoi titullin kampion nga FSHF, duke qenë se përfaqësoi Shqipërinë në Champions League.

Mbeten për t'u parë masat që do të marrë klubi i kuq pas këtij lajmi.

Dokumenti konfidencial për Shqipërinë që pret në 9 nëntor rekomandimin e KE

Posted: 09 Sep 2016 01:55 AM PDT

Nga Arta Tozaj- Bruksel

"Shqipëria është në një moment të veçantë që imponoi dhe angazhimin tim të drejtpërdrejtë e praninë time në Këshillin e sotëm," justifikoi Rama pjesëmarrjen e tij të parë në Këshillin e Stabilizim-Asocimit. Nga ana tjetër, pala europiane përgjigjej me nivelin e Perfaqësueses së Lart të BE-së, çfarë rrëzonte praninë e Presidencës Sllovake (e përfaqësuar në këtë takim me diplomatin që mbulon Ballkanin),  përgjegjëse për përpilimin e axhendës së Këshillit të BE-së që merret me çështjet e zgjerimit, në dimër.

Për pasojë, Mogherini vetëm mundi të përsërisë vendosmërinë e Brukselit për nisjen e negociatave të anëtarësimit, porsa vendi të përmbush kënaqshëm 5 prioritetet kyçe, ndër të cilat, më thelbësorja, reforma në drejtësi, por mbetet për t'u parë humori i vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë deri në dhjetor.

Edhe pse ministri i jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, është shprehur publikisht në favor të vendim-marrjes pozitive të Këshillit të BE-së, brenda mandatit të presidencës sllovake, për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ka zëra se pakënaqësitë e tij në lidhje me Fondin Ballkanik mund të ndikojnë jo për mirë ndaj Shqipërisë.

e9f61743-c9a4-48b2-9dbe-178c272e19de

Në anën tjetër, Gjermania insiston se Shqipëria duhet të vazhdojë të jap "dëshmi gjurmësh solide në 5 prioritetet kyçe për nisjen e negociatave, veçanërisht për sundimin e ligjit", siç përfshin  qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të BEsë, i miratuar  përpara votimit të Kuvendit të reformës në drejtësi.

Dokumenti konfidencial përsërit se "paanshmëria, pavarësia, transparenca, efiçenca, profesionalizmi dhe llogaridhënia e sistemit gjyqësor janë elementë qëndror për vlerësimin e kriterit politik për negociatat me BE dhe kyç për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar".  

Qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare, një pjesë e vogël e së cilës është përfshirë në deklaratën e përbashkët publike, vlerëson se" gjurmët e provave për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive të siguruara ilegalisht, mbeten shumë të ulta".

Vendi inkurajohet të intensifikojë përpjekjet "për të ngritur gjurmë provash solide për hetimet, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare në luftën kundër çdolloj forme të krimit të organizuar" dhe të sigurojë "ndjekje gjyqësore efiçente të procedimeve penale si dhe të rrisë cilësinë e padive dhe hetimeve".

4d804f4a-3164-4aa8-9787-7cae85059255

Ndërsa mirëpret rezultatet e fundit konkrete në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe trafikut të drogës, BE vëren se "nevojiten përpjekje të mëtejshme për të zbërthyer rrjetet kriminale të trafikantëve të drogës" dhe  kujton se "hetimet për rastet e trafikut të drogës duhet të shoqërohen sistematikisht nga hetimet paralele financiare".

Masa ligjore dhe politika efektive kërkohen për zbatimin e të drejtave të pronës e forcimin e mbrojtjes për të drejtat e njeriut dhe të politikave kundër diskriminimit. Edhe pse liria e shprehjes respektohet në përgjithësi, Shqipëria ftohet "të zbatoje dispozitat ligjore mbi shpifjen e dekriminalizimin dhe të sigurojë zbatimin uniform të nenit 10 të Konventës Europiane për të drejtat e njeriut".

Kërkohet forcim i kapaciteteve dhe pavarësisë për rregullatorin e medias audio-vizuale dhe transmetuesin publik, si dhe vendi ftohet të "paraqesë legjislacionin mbi reklamat shtetërore, që përputhet me standartet ndërkombëtare."

Marredheniet ndëretnike mbeten të mira dhe Shqipëria çmohet, si në këtë dokument, ashtu dhe në të dy takimet e KSA-së, për rolin e saj konstruktiv në rajon dhe përshtatjen e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në.

Edhe në rastin e një rekomandimi pozitiv të Komisionit Europian, në 9 Nëntor, Shqipëria mund të nisë bisedimet e anëtarësimit me BE-në, me shumë gjasë, vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve të verës, në fund të 2017.

Ekzekutivi Europian parashikon të publikojë edhe ndryshimet e strategjisë së zgjerimit të Unionit, ku ndërmjet të tjerash, pritet që raportet specifike të progresit për vendet e Ballkanit e Turqinë të publikohen një herë në dy vjet dhe jo përvit, si deri më tani. Kështu që, nëse vendi nuk arrin të nisë bisedimet e anëtarësimit deri në Dhjetor  të vitit të ardhshëm, do të humbiste edhe një vit kohë në këtë proces, deri në 2019 kur do të vijonte shqyrtimi i radhës për Shqipërinë./dritare.net

Habia e këshilltarit të Ramës: O Zot, po të mos e shihja nuk do e besoja!

Posted: 09 Sep 2016 01:27 AM PDT

Nuk do ta besoja po të mos e kisha parë, kështu shkruan Artan Shkreli i cili është Këshilltari për Trashëgiminë i Kryeministrit. Ai është habitur kur ka mësuar se në Kurvelesh ka ekzistuar një vend sakral pagan, ku njerëzit nuk besonin në dy fe, por në lisa.

Ky është shkrimi i tij i plotë në Facebook.

“O Zot, po të mos e kisha parë nuk do ta besoja!

Një vend sakral PAGAN funksional ndodhet sot në mes të Shqipërisë (Kurvelesh), në njërën nga çukat e gjelbëruara, mbi kanionin e madh të Nivicës. është e pabesueshme kjo rrudhje tremijëvjeçare e kohës që të shpie drejt e në epokën kur Iliro-Epirotët ishin PANTEISTE dhe perëndite ishin rrufé, male ose ujra. Asnjë gjurmë tempulli të krishterë ose mysliman në atë çukë, por vetëm një shesh me diametër mbi 20 m valluar me pemë shekullore dhe një patalog 5-6 m rrethuar me mur guri ku flijimi bëhet ende n nder të LISAVE, të cilëve njerëzia u drejtohet me lutje.

Nga pemët e shqyera e të djegura, duket se kodra thith sasi mbresuese vetëtimash.

Vendi, një lisnajë e bukur, quhet “TE LISAT”.”

Ish-kryeministri: Maqedonia s’ka lidhje me antikitetin, jemi sllavë

Posted: 09 Sep 2016 01:24 AM PDT

"Maqedonia s'ka asnjë rrënjë dhe gjurmë, që lidhet me historinë antike", ka thënë ish-kryeministri i Maqedonisë Ljubço Georgievski, në një intervistë për të përditshmen "Utrinski Vesnik".

Ai ka shtuar se "rrënjët e popullit maqedonas, janë sllave", duke e akuzuar qeverinë për propagandë shkruan "Zhurnal".

"Argumenti kryesor i pushtetit aktual është se nëse do t'i vëmë një parashtresë emrit të shtetit, të tipit 'e sipërme' ose 'veriore', do ta ndryshojmë identitetin e popullit maqedonas.

Nuk ka ndryshim më të madh për identitetin e njeriut, nga ky që i është bërë popullit maqedonas nga ana e OBRM-PDUKM-së.

Ndryshimi i parë i identitetit u bë me ndërhyrjen e parë në historinë për antikuizicion që u bë pa kurrfarë baze… As që ka gjurmë dhe rrënjë që ndërlidhen me historinë antike.

Momenti i dytë për ndryshimin e identitetit është pushtimi masiv nëpërmjet mediave që tërësisht kontrollohen nga OBRM-PDUKM, të cilat transmetojnë program paradoksal që e ndryshon kodin e identitetit", thotë ish-kryeministri dhe ish-lideri i partisë OBRM-PDUKM, Ljubço Georgievski në intervistën për "Utrinski Vesnik.

Çfarë ndodhi me Gjin Markun, beratasin mirditor

Posted: 09 Sep 2016 01:24 AM PDT

 

Nga Alqi Koçiko

 

Janë të paktën dy momente gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku historiografia zyrtare e PPSH-së e përmend Beratin si vendi ku kanë ndodhur dy ngjarje të dënueshme. Më e bujshmja dhe më e madhja sigurisht që ka të bëjë me "plenumin e zi" të Beratit të nëntorit 1944, në punimet e të cilit drejtuesi politik i luftës antifashiste Enver Hoxha e pa veten befasisht me shpatulla për muri. Bashkëpunëtorët e luftës, eksponentë të lartë komunistë në praninë e jugosllavëve Velimir Stojniç dhe Nijaz Dizdareviç, nisën të akuzojnë drejtuesin e tyre dhe njëri tjetrin për sjellje shpesh të ashpra gjatë luftës.

Ngjarja e dytë ka ndodhur më herët gjatë luftës. Fjala është për të shumëpërfolurin "kompromis i Beratit" në vjeshtën e vitit 1943 (një situatë e ngjashme, por jo kaq e komplikuar ndodhi edhe në Gjirokastër), që ka për protagonist kryesor Gjin Markun, drejtuesin partizan të të gjitha veprimeve luftarake në zonën e Berat-Skraparit. Por si ndodhi që lufta partizane në një nga zonat më luftarake të Shqipërisë së jugut, u lidh me emrin e një mirditori?

I lindur më 2 qershor 1918, Gjin Marku ishte nga fshati Baz i zonës së Kthellës në Mirditë, djali i madh i Pjetër Markut, një luftëtar nacionalist kundër trupave austro-hungareze gjatë Luftës së Parë dhe pjesëmarrës në lëvizjen e qershorit 1924, në mbështetje të Fan Nolit. Me një sjellje tipike të Ahmet Zogut, kjo "njollë" e Pjetrit nuk e pengoi presidentin (e më pas mbretin) që ta afronte pas marrjes së pushtetit, duke e emëruar komandant xhandarmërie në zonën e Mirditës. Por vrasja e tij në krye të detyrës më 1927-ën, la gjashtë fëmijë jetimë. Gjini u dërgua në Strehën Vorfnore në Tiranë e më pas mbaroi të mesmen teknike të Harri Fulcit. Në vitin 1936 emërohet agronom në rrethin e Korçës. Këtu, në kontakt me grupin komunist të Korçës, zë fill aktiviteti i tij antifashist dhe komunist që e shndërron në një nga emrat kryesorë të grupit. Ngritja e degës së këtij grupi në Tiranë, ashtu si dhe Enver Hoxhën, zhvendos Gjin Markun drejt kryeqytetit por edhe drejt ilegalitetit, pasi figuronte në listat italiane si eksponent kryesor i lëvizjes antifashiste, për çka më pas u dënua me vdekje në mungesë. Eshtë ndër themeluesit e PKSH-së dhe zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror Provizor. Ndërkaq, çeta e njohur e Pezës kishte muaj që kishte nisur aktivitetin luftarak. Edhe organizata e parë komuniste në radhët e çetave territoriale u krijua pikërisht aty, nën drejtimin e Gjin Markut. Në fakt, Peza ishte shkolla e parë e përgatitjes luftarake në terren, një lloj laboratori prej nga drejtuesit partizanë shkëputeshin për të organizuar luftën në zonat e tjera të vendit. Kështu ndodhi me Vasil Shanton (komisar i çetës së Pezës), Mihal Durin, Ferit Xhajkon. Kështu edhe me Gjin Markun, i cili u caktua të organizojë lëvizjen guerrilase në zonat Lushnje, Fier, Berat, Skrapar etj, dhe të orientojë veprimtarinë antifashiste të çetave territoriale, deri më atëherë "kaçake". Konkretisht, pas kontaktit të Gjinit me Mestan Ujanikun, çeta e këtij të fundit në zonën e Skraparit mori epitetin "patriotike-partizane" në mars 1942.

Gjin Marku

Gjin Marku

Që nga ky moment, veprimtaria e kësaj çete u kthye në legjendë në zonën Skrapar-Berat, pa harruar Kolonjën, Përmetin etj. Nuk ka ngjarje më domethënëse për këtë aktivitet, sesa çlirimi i Çorovodës më 5 shtator 1942, një goditje trullosëse për fashistët që pati jehonë edhe jashtë vendit. Vetëm pas disa kohësh do të dilnin në skenë dhe do bënin emër edhe drejtues të lëvizjes partizane si Mehmet Shehu, Hysni Kapo etj.

Shpallja zyrtare e kapitullimit të Italisë fashiste në 8 shtator 1943, ishte prologu i ngjarjes së mbetur në histori si kompromisi i Beratit, në të cilën po përpiqemi të hedhim dritë. Ishte e qartë që pas kapitullimit italian, trupat gjermane priteshin të hynin në Shqipëri nga çast në çast. Ajo që mund të bënin forcat partizane në ato ditë tranzicioni ishte e qartë: Thirrje italianëve për t'u dorëzuar bashkë me armët dhe materialet luftarake, e më tej ftesë për ata që dëshironin, për t'u bashkuar me formacionet partizane me argumentin e saktë se tashmë ata konsideroheshin armiq nga gjermanët dhe do ta pësonin prej tyre, si dhe sigurimi i sa më shumë armëve, municioneve dhe furnizimeve nga më të ndryshmet, në pritje të përplasjeve të ardhme. Ndërkohë, për herë dytë gjatë luftës, një qytet i lirë ishte në duart e partizanëve, këtë radhë Berati. Forcat balliste të Abaz Ermenjit dhe Ali Këlcyrës ishin gjithashtu në periferi të qytetit. Synimi i të dyja palëve, ishte zbrazja e kapanoneve dhe magazinave të bollshme të ushtrisë italiane nga materialet luftarake dhe ushqimet.

Gjin Marku dhe drejtues të tjerë kontaktuan me komandën e divizionit italian "Peruxhia", që mbulonte dhe Beratin, dhe i bënë thirrje të vepronte sa më shpejt në dorëzimin e tyre bashkë me materialet dhe armët, se do ta pësonin nga gjermanët. Në fakt, ushtarakët italianë në Shqipëri ishin të fundit që po merrnin vesh se ç'kishte ngjarë në atdheun e tyre: Hutimi, vonesat dhe mungesa e vendimmarrjes në pritje të "urdhrave nga lart", shkaktuan shumë viktima në radhët italiane. Sidomos historia e divizionit Peruxhia është veçanërisht tragjike.

Ata italianë që pranuan të luftonin, u organizuan në batalionin partizan "Antonio Gramshi". Në kohën që forcat partizane po kryenin transportimin e materialeve italiane në thellësi të vendit, në Otllak pranë Beratit u vendos një formacion i vogël por i super-pajisur gjerman nën drejtimin e kapitenit Manjec, me mjete të motorizuara dhe disa avionë luftarakë Stukas, që kishte për mision sigurimin e aeroportit strategjik të Kuçovës.

Nga ana e partizanëve, sipas shpjegimeve që më pas Gjin Marku ka dhënë, situata ishte e tillë: Pjesa më e stërvitur dhe me më shumë përvojë e formacioneve luftarake të zonës, ishin inkuadruar në Brigadën e Parë, të sapoformuar në Vithkuq të Korçës. Pjesa tjetër, e lodhur nga luftimet e shpeshta përgjatë tre muajve të verës, po rioganizohej dhe plotësohej me partizanë të rinj të ardhur nga fshatrat, të pastërvitur në luftime. Gjatë këtyre ditëve, kapiteni gjerman mbërriti me makinë i vetëm në Berat, dhe kërkoi lejen partizane për t'u furnizuar me bukë në furrat e qytetit. Siç do të kujtonte në disa intervista të pas viteve 90-të sekretari i komitetit ekzekutiv të qarkut, Nexhmi Ballka, që ishte interlokutori për palën shqiptare, Gjin Marku dhe Kahreman Ylli vlerësuan situatën, ku partizanët ishin në qytet bashkë me civilët, furnizimet italiane po tërhiqeshin nga magazinat vetëm me dy kamiona që bënin rrugë vajtje-ardhje dhe gjermanët qenë të armatosur më së miri; ndaj vendosën ta lejonin kapitenin Manjec të furnizohej. Ky ishte dhe thelbi i "kompromisit": Që gjermanët të mos shtinin në dorë rezervat gjigande të italianëve, atyre iu lejua për disa ditë të bënin pazar në Berat, pa u ngacmuar. Ishte një pakt provizor gojor, i diktuar nga rrethanat dhe që u leverdiste të dyja palëve, por sidomos partizanëve. Asnjë dokument nuk ekziston për këtë ngjarje në arkivat e Vermahtit.

Nga ana e tij, vetëm ideja e një marrëveshjeje qoftë dhe kalimtare e taktike me gjermanët, ngjalli reaksion në  udhëheqje. Qarkorja e firmosur prej Enver Hoxhës në emër të Komitetit Qendror, thotë: "Kompromisi me gjermanët është një nga punët më të këqija që mund të ketë bërë ndonjë qarkor i Partisë…Këto janë konsekuencat e shkëputjeve të lidhjeve me Komitetin Qëndror. Ky kompromis do të jetë një nga pikat e bisedimeve të mbledhjes së ardhshme të Komitetit Qëndror.. . Qarkorja që ju dërgohet duhet të punohet me kujdesin më të madh në Qarkor, ku të marrin pjesë gjithë anëtarët e tij si dhe shoku Gjin Marku, i cili të thërritet apostafat për këtë gjë. Të fala shoqërore, për Komitetin Qëndror, Shpati".

 

Gjini me të shoqen, jugosllaven Natali

Gjini me të shoqen, jugosllaven Natali

Drejtuesit kryesorë të luftës në qark, Gjin Marku, Kahreman Ylli, Myqerrem Fuga, Nexhmi Ballka etj, u mblodhën për të diskutuar çështjen. Udhëzimet e deriatëhershme kishin të bënin me demaskimin e ballistëve, pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes. Të shqetësuar nga letra e Hoxhës, u vendos që të fillohej lufta me gjermanët. Por realisht, faktet treguan se ky ishte një vendim i nxituar dhe i pallogaritur mirë. Një kamion me 12 gjermanë që po shkonin në përforcim të kapitenit, teksa udhëtonin të qetë se nuk do të sulmoheshin, u ndalua dhe u mbajt rob nga një çetë partizane nën drejtimin e Neim Kuçit, pas një prite tek Ura e Kuçit. Robërit u çuan në teqenë e Kulmakut, në malin e Tomorrit ku ishte shtabi i Mestan Ujanikut. Por partizanët harruan që po prisnin dy kamionë me partizanë të transportuar nga Sulova drejt Beratit, kamionë të cilët nuk kishin rrugë kalimi tjetër përveçse nga Otllaku. Kështu, kapiteni Manjec zuri robër 40 partizanë dhe i vuri të hapnin llogore pranë aeroportit. Pozicioni i drejtuesve të qarkut ishte ligsht dhe u duhej të negocionin. Pas bisedimeve, u krye këmbimi i robërve dhe i famshmi "kompromis" mori fund. Të nesërmen artilierë italianë të inkuadruar me partizanët, goditën pozicionet gjermane dhe si përgjigje, nazistët e përforcuar me tanke dhe avionë, sulmuan Beratin. Pas një dite luftimesh, jo vetëm partizanët por dhe krejt popullsia civile e qytetit, zbrazi shtëpitë dhe u largua. Përveç kësaj, gjermanët kapën dhe një pjesë të mirë të mallit italian, që ishte grumbulluar prej partizanëve në Vërtop. Më pas, qarkori i Beratit u riorganizua dhe anëtarët e tij u transferuan.

Gjin Marku u caktua komandant i brigadës së VII që u krijua në Skrapar, por historia e "paktit" do të ndiqte për tërë jetën edhe pse në analizën e Komitetit Qëndror, u vlerësua se "gabimi i Gjinit nuk ja ul vlerat e tij të mëdha në luftë". Gjin Marku drejtoi brigadën e VII në shumë veprime luftarake, mes të cilave sigurimi i Përmetit të lirë, ku u mbajt kongresi i 24 majit. Vijuan çlirimi i Beratit dhe Myzeqesë, pastaj Mirdita, Lezha dhe Shkodra, në ndjekje të gjermanëve që po tërhiqeshin. Pikërisht në qytetin e fundit shqiptar që u zbraz nga nazistët, u krijua divizioni VI i përbërë nga katër brigada, dhe që u vendos të komandohej nga Gjin Marku. Ishte ky divizion që vazhdoi luftimet edhe jashtë kufirit, në Mal të Zi e Vishegrad të Bosnjes. Më pas, ky formacion mori urdhrin të kalonte në Kosovë përmes Sanxhakut.

Menjëherë pas luftës, Gjin Marku ishte në mesin e atyre pak drejtuesve ushtarakë shqiptarë që u dërguan në akademinë ushtarake "Voroshillov" në Bashkimin Sovjetik. Veç shkollimit, ai kishte dhe detyrën e atasheut ushtarak shqiptar dhe në këtë funksion, mori pjesë direkte në bisedimet mes Stalinit dhe Enver Hoxhës. Siç më pas kanë treguar arkivat, ky takim dhe biseda në fjalë nuk ishin ashtu siç qenë paraqitur në historiografinë zyrtare. Stalini kritikoi në shumë pika qeverisjen shqiptare të pasluftës dhe ndërkohë, në bisedë me të dërguarit e lartë të Titos (Gjilas e Kardelj) nuk kishte ndonjë kundërshti që Shqipëria të "gëlltitej nga Jugosllavia".

Akuzat e para Gjin Marku i mori në Kongresin e Parë të PKSH-së, kur ai kritikoi disa kolegë që e kishin toleruar qëndrimin projugosllav të Koçi Xoxes. Por duket se Hoxha nuk toleroi faktin që përzgjedhjen e shënjestrave për t'u kritikuar ta bënte dikush tjetër. Ai i përmendi sërish Beratin dhe kompromisin. Nga ana tjetër, Gjin Marku ishte njohur dhe martuar me jugosllaven Natalia Mirioviç, shoqen e jetës që ai s'pranoi ta ndante pas prishjes me Titon. Nisi një zbritje e butë, por e pandalshme. E emëruan komandant të Shkollës së Bashkuar, komandant korpusi, pastaj komandant i Mbrojtjes Kundërajrore e kështu me radhë, derisa në vitin 1961 "emërohet" drejtor i fermës së Llakatundit.

Më tej vijon një fat i trishtë. Pas dy vjetësh Gjin Marku internohet në Zvërnec dhe pesë vjet më vonë dënohet me dhjetë vjet burg. Ditën e 21 gushtit 1977, bashkë me fletën e lirimit, Gjin Markut i dhanë edhe fletën e ridënimit me 10 vjet. Ai vdiq në spitalin e burgut në vitin 1986, një vit para se t'i përfundonte dënimi, nga një sëmundje e rëndë. Lutjes së familjes për ta lenë të vdiste në shtëpi, ish vartësi i Gjin Markut në Berat dhe aktivisti i rinisë antifashiste, "i urti" Ramiz Alia, nuk iu përgjigj. Mbase sepse dikur, për të Gjin Marku kishte bërë këtë karakteristikë: "Nuk shquhet për trimëri, por është djalë i mirë dhe me perspektivë!" Për perspektivën, kishte patur të drejtë…

Koreja e Veriut kryen testin e pestë bërthamor

Posted: 09 Sep 2016 01:02 AM PDT

Koreja e Veriut thotë se ka kryer me sukses testin e saj të pestë bërthamor.

Njoftimi në mediat shtetërore u bë disa orë pasi ngjarja sizmike u zbulua pranë vendit të testimit.

Korea e Jugut beson se është testi më i madh i Koresë së Veriut, duke rritur frikën se shteti ka bërë përparime reale bërthamore.

Presidenti i Koresë së Jugut, Park Geun-hye e quajti atë një akt "vetë-shkatërrimi" të liderit Kim Jong-un.

SHBA paralajmëroi për "pasoja serioze". Ministria e Jashtme e Kinës tha se Pekini ishte kundër provës dhe i bënte thirrje Koresë së Veriut të shmangte veprimet të mëtejshme që mund të përkeqësojnë situatën.

Korea e Veriut tha se testi ka qenë një provë bërthamore e zhvilluar rishtazi dhe se tani ishin në gjendje të zhvillonin një pajisje bërthamore.

Rrëshen, vritet drejtori i OST i shkarkuar para një jave

Posted: 09 Sep 2016 01:00 AM PDT

Ish-drejtori i Tensionit të lartë në Veri të vendit, është vrarë me armë zjarri nga dy persona të maskuar mëngjesin e sotëm.

Saimir Jaku mbeti i vrarë në një lokal  në qytetin e Rrëshenit.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në një lokal në qendër të qytetit. Dy persona të maskuar ende të paindentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tij.

Policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Jaku mbante poston e drejtorit të tensionit të lartë në Zonën e Veriut deri para një jave kur dhe u shkarkua nga detyra.

 

Related Posts :