Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Kritika bashkive për problemin e mbetjeve” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Kritika bashkive për problemin e mbetjeve” plus 9 more - Gazeta Dita


Kritika bashkive për problemin e mbetjeve

Posted: 06 Sep 2016 02:15 AM PDT

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka kritikuar bashkitë në shkallë vendi në lidhje me problemin e mbetjeve, problem që në Durrës po bëhet gjithnjë e më shqetësues.

"61 bashkitë e vendit duhet të prezantojnë projekte pranë qeverisë qendrore. Fatkeqësisht me  Bashkinë e Durrësit kjo nuk ka ndodhur. Bashkëpunimi nuk ekziston", ka thënë Koka.

Ai ka theksuar se, "qytetarët durrsakë kanë nevojë për një klimë më optimiste" dhe se "situata aktuale në këtë qytet nuk është ajo që dëshirojnë".

"Me bashkitë që kanë dashur bashkëpunim, ne si qeveri qendrore kemi bërë punë shumë të mira dhe po vijojmë të bëjmë", ka thënë Koka.

Pa perspektivë evropiane nuk ka përgjigje në Itali

Posted: 06 Sep 2016 02:14 AM PDT

Ish-kryeministri i Italisë Enrico Letta flet me DW për ekonominë italiane dhe për integrimin evropian, pas pjesëmarrjes së tij në Forumin Ambrosseti.

Perspektiva e ekonomisë italiane nuk duket shumë premtuese. Cili është vlerësimi juaj?

Mendoj se ka shumë gjëra për të cilat mund të shqetësohesh për momentin, jo vetëm në ekonomi, por ka edhe mungesë stabiliteti politik dhe pasiguri në lidhje me referendumin për kushtetutën, që do ta kemi në nëntor në Itali.

Veç kësaj kemi edhe krizën e refugjatëve, e cila po ushtron sërish një ndikim të fortë në Itali, sepse pas mbylljes së itinerarit ballkanik migrimi është spostuar në itinerarin përmes Mesdheut Qendror. Dhe pastaj janë edhe lajmet e mëdha për rritjen ekonomike prej zero përqind në Itali në tremujorin e dytë të vitit.

Pra në përgjithësi ka shumë gjëra për të cilat mund të shqetësohesh, por unë mendoj se Italia i ka aftësitë dhe fuqitë dhe shanset për t’u shlodhur prej tyre. Por duhet të punojmë fort.

Çfarë duhet bërë konkretisht?

Mendoj se duhet të punojmë për dy gjëra. Nga njëra anë ne kemi një shkallë të madhe evazioni fiskal. Por ne kemi edhe taksa të larta dhe të ardhura të larta nga taksat, gjë që është e nevojshme, sepse kemi shpenzime të larta publike. Këto janë problemet e mëdha të Italisë. Na duhet të ulim si shpenzimet publike, ashtu edhe taksat. Këto janë sfida të mëdha, por unë nuk shoh rrugë tjetër për të dalë nga kriza.

A po e lë Evropa Italinë pak vetëm me problemin e refugjatëve?

Problemi është i natyrës më parimore. Unë nuk shoh te BE një koncept të qartë për trajtimin e problemit të refugjatëve. Ne kujdesemi për një problem pas tjetrit, por nuk po zhvillojmë strategji. Na duhet të zhvillojmë instrumentat e nevojshëm për ta trajtuar krizën e refugjatëve, ashtu si bëmë për krizën e euros.

Atëherë ne i ndryshuam marrëveshjet tona, krijuam ESM. Një mënyrë e ngjashme veprimi na nevojitet edhe për krizën e refugjatëve. Na duhet të bëjmë një sërë ndryshimesh në marrëveshje, t’i harmonizojmë rregullat për mënyrën e trajtimit të refugjatëve, të ngremë një rojë të përbashkët bregdetare dhe të ngremë një mbrojtje kufiri të përbashkët. Masa si këto.

A keni përshtypjen se ideja evropiane nuk është më kaq e preferuar sa ka qenë më parë?

Absolutisht. Njerëzit janë më pak entuziastë për Evropën dhe pasoja është që politikanët besojnë që edhe ata duhet të jenë më pak entuziastë, për të marrë vota. Dhe kjo do të thotë që do të ketë më pak integrim evropian.

E dini, ka shumë sektorë për të cilët nuk ka përgjigje nacionale. Probleme si lufta kundër terrorizmit ose trajtimi i rrymave të refugjatëve. Këto janë tema të ndara, por e përbashkëta e tyre është se për të dyja na nevojiten zgjidhje evropiane. Pa përgjigje evropiane nuk do të kemi përgjigje të forta, por vetëm grindje.

Kryeministri Renzi tha se Brexit mund të jetë edhe një shans për Evropën dhe për ekonomitë evropiane. A mendoni edhe ju kështu?

Mendoj se ai tha me të drejtë se të gjithë ne ishim kundër Brexit. Por siç tha Theresa May: Brexit do të thotë Brexit. E gjitha është shans në kuptimin që ne mund ta mendojmë nga e para dhe ta ristartojmë BE me 27 anëtarë dhe veçanërisht me 19 anëtarët e rinj të eurozonës. Brexit është diçka shumë e keqe, por ne duhet ta shfrytëzojmë këtë shans për një ristartim.

Enrico Letta ishte prej 2013 deri 2014 kryeministër i Italisë. Tani ai është Dekan i Paris School of International Affairs (PSIA), Sciences Po në Paris./DW

Epoka e Merkelit nuk po merr fund

Posted: 06 Sep 2016 02:12 AM PDT

Natyrisht që rezultatet në zgjedhje në landin e Meklenburg-Forpomeranisë janë shuplakë e rëndë, por me siguri ato nuk janë fundi i epokës së Angela Merkelit si Kancelare ose fillim i një kthese politike.

“Perëndim kancelareje”, “Sa shuplaka mund të durojë ende Merkeli?” “Disfatë në zgjedhje për Merkelin” – me këto tituj gazetash nisi kjo javë. Prej muajsh ka herë pas here momente, në të cilat duket se mandatit të Merkelit si Kancelari po i vjen fundi: pas fjalisë së saj të debatueshme “do t’ia dalim mbanë” të një viti më parë dhe strehimeve të refugjatëve që u përfshinë nga flakët, pas natës së Vitit të Ri, në të cilën refugjatët ngacmuan seksualisht dhe grabitën gratë, pas atentateve në Würzburg dhe në Ansbach, të cilat i ushtruan azilkërkues.

Dhe megjithatë Merkeli vazhdon të jetë Kancelare Federale. Edhe qëndrimit të saj për çështjen e refugjatëve ajo vazhdon t’i përmbahet.

Të mos mbivlerësohen zgjedhjet e landit

Natyrisht që rezultati i zgjedhjeve në landin e Meklenburg-Forpomeranisë është një shuplakë e rëndë për CDU-në. Natyrisht që suksesi i Alternativës për Gjermaninë (AfD), të përfaqësuar tani në nëntë nga 16 parlamentet e landeve të Gjermanisë duhet t’i bëjë të mendohen partitë tradicionale.

Një parti demokratike djathtas partive unioniste nuk duhet të ekzistojë – kjo ishte prej kohësh linja kryesore e CDU/CSU-së. Me AfD tani ka zënë vend një parti e tillë. Natyrisht që fajin për këtë e ka edhe politika e Merkelit ndaj refugjatëve – në verën e vitit 2015 Kancelarja mori një vendim.

Ajo nuk ua mbylli rrugën refugjatëve që kishin ngecur në Hungari duke i dhënë partisë së saj një kockë të fortë për të gëlltitur. Që një vendim me pasoja të gjera sjell me vete edhe probleme me pasoja të gjera, kjo vetëkuptohet. Edhe që kjo nuk i bind të gjithë në CDU, kjo nuk të habit.

Edhe para pesë vjetësh rezultati i CDU-së nuk qe i mirë

Rezultati i këtyre zgjedhjeve të landit megjithatë nuk duhet mbivlerësuar: ne flasim për zgjedhje rajonale në një land të Gjermanisë, i cili gjithmonë ka pasur shumë zgjedhës protestues. Që në vitin 2006 në parlamentin e këtij landi përfaqësohej partia ekstremiste e djathtë, NPD.

Pra kemi një land, ku mënyra e djathtë e të menduarit ka traditë. Në të cilin skajet politike, djathtas dhe majtas janë tradicionalisht të forta. Dhe në të cilin CDU-ja që në zgjedhjet e fundit pesë vjet më parë – pra shumë kohë para krizës së refugjatëe – mori vetëm pak më shumë se njëzet përqind të votave të zgjedhësve.

Pra më e mençur do të ishte që të argumentonim ndryshe dhe të thoshim: vetëm katër pikë në përqindje u humbën në pesë vjet, në të cilat në vend kanë ndryshuar shumë gjëra. Landi i Meklenburg-Forpomeranisë është një land që nga pikëpamja ekonomike nuk luan thuajse asnjë rol.

Me 1,3 milionë banorët e tij ai ka gjithsesi pak persona me të drejtë vote dhe prej tyre për të votuar shkuan vetëm rreth 60 përqind. Dhe një land, i cili vendosi që gjithçka të mbetet si ka qenë: me një koalicion stabil të dy partive më të mëdha. Nuk janë 800.000 vetë ata që vendosin për të ardhmen e një mandati në zyrën e Kancelarisë.

Merkeli tani duhet të mbajë qendrim të qartë

Problemi i vërtetë i CDU-së në Meklenburg-Forpomerani nuk ishte Merkeli, por kandidati i papreferuar i CDU-së, Lorenz Caffier. Caffier u paraqit si një kandidat i “rregullit dhe ligjit”, kërkoi ndalimin e burkas.

Kjo në një kohë kur duhet dyshuar që Meklenburg-Forpomerania ndodhet para problemit të mbulimit të plotë të grave. Vetëm 20.000 refugjatë strehoi ky land në bazë të sistemit të kuotave edhe në kohën e pikut të ardhjes së refugjatëve – dhe shumë azilkërkues ka kohë që janë larguar nga Meklenburg-Forpomerania.

Megjithatë: CDU-ja, duke përfshirë edhe Kancelaren duhet t’i shikojë zgjedhjet në Meklenburg-Forpomerani si thirrje: jo për të ndërmarrë një kthesë të politikës së saj, por për të demonstruar qendrim dhe për t’i vënë në tryezë faktet: që në vitin 2016 në Gjermani vijnë shumë më pak refugjatë, që vitin e kaluar u regjistruan gati një milion refugjatë dhe janë strehuar në komuna.

Do të bënin mirë që t’i komunikonin edhe problemet dhe të pranonin edhe gabimet – tek integrimi, tek marrëveshja e refugjatëve me Turqinë dhe që kriza e refugjatëve nuk ka marrë fund. Sepse ja që realiteti nuk është bardh e zi, siç ka dëshirë ta vizatojë atë AfD. Më pak oportunizëm politik dhe më shumë të vërteta – ndoshta këtë zgjedhësit do të dinin t’i vlerësonin.

Nga shenjtërimi i Nënës

Posted: 06 Sep 2016 02:06 AM PDT

 

Nga Bedri Islami

Ja pra, u bë edhe shenjtërimi i Nënës Terezë. Deri dy ditë më parë ajo ishte NËNË, tani u bë Shenjt. Një shndërrim që nuk i takon gjithkujt ta shohë, aq më tepër një vendi të vogël si i yni, i cili ka pasur gjithnjë mosmarrëveshjet e tij të mëdha me të gjitha besimet fetare. Ashtu si kalonin të gjitha rrugët Perëndim-Lindje apo Lindje-Perëndim, nëpër këtë copë tokë strall, ashtu kalonin edhe të gjitha besimet. Disa nguliteshin, disa iknin e nuk zinin rrënjë, por gjithnjë, të gjitha së bashku dhe secila në vete, nuk arritën kurrë të gjakojnë njera tjetrën.

Të duket e çuditshme se si një shenjt i Kishës Katolike Romane del nga ky vend, i cili, sa ishte i madhërishëm, ishte edhe tragjik, sa ishte rebel, aq ishte edhe i mësuar me vuajtjen, dhe që në gjysmën e tij, për disa dekada bëri sikur zboi zotat nga shtëpitë e tij.

Ishte Nënë, u shenjtërua. Njëlloj si të gjithë shenjat e këtij besimi, që nga Shën Pjetri, Pali, e deri tek kjo grua e imët, thuajse e tejdukshme, me duart e mbështetura në gjoksin e saj, nga përpiqej të largonte "qoftëlargun".

Nuk e di se sa shenjtë ka Kisha Romane. Në më shumë se 2000 vite ajo ka ndërtuar udhëtimin e saj mbi gurin që u la besimi i fortë, dhe që, për fat të mirë, u ndërtua nga rrugëtimi i atyre që u bënë rrëfimtarë të së drejtës, së mirës, përkushtimit dhe dlirësisë.

Nuk e di se sa janë. Nuk kam pyetur kurrë. Të vërtetën them, jam disi profan në këtë punën e të shenjtëruarit, ashtu si ishin edhe shumica e qeveritarëve dhe njerëzve të politikës që ishin aty, në Vatikan. Nuk di shumë as për besimin islam, megjithëse të dy librat e shenjtë i kam lexuar me ëndje shumë herë. Si unë janë shumë, ndoshta se gjen një vend tjetër ku mosdija e besimeve fetare të jetë kaq e gjërë. Duke mos i ditur shenjtët e tjerë, askush nuk mund të harrojë se tashmë njëra ka zanafillën e këtij kombi dhe nuk e bëri këtë me shpatë, por me përvuajtni.

E megjithatë mua, më ndjeni, më pëlqente më shumë kur ishte Nënë. Jam lumturuar për shenjtërimin e saj, por se si më duket tani, më e largët, më qiellore, më e paprekshme, ashtu si janë shenjtët. Frymëzuese, por e largët.

Sepse jemi mësuar me Nënën. Është hapi ynë i parë me nënën, për gjithësecilin prej nesh një mrekulli e pashoqe. Dhe nuk i kemi thënë gjithkujt nënë, i kemi thënë asaj që na lindi dhe një Nëne të patakuar kurrë më parë, nënë Terezës.

Ashtu si kam thënë unë i besimit islam, të paktën nga emri, i kanë thënë edhe indianët budistë, edhe ortodoksët sllavë, edhe katolikët panjollë, edhe protestantët gjermanë, edhe metodistët anglezë, edhe bektashinjtë shqiptarë, edhe baptistët amerikanë, njëlloj si e kanë thirrur në të gjithë botën.

Nuk di ndonjë njeri tjetër që pas emrit nënë është vënë kaq natyrshëm edhe emri i saj, Terezë. Për ne shqiptarët Gonxhe. E çuditshme parandjenja e prindërve të saj: edhe emrin e saj e kanë gjetur në një lule, por në një qasje mrekullie. Gonxhe, i thonë të krishterët. Ganxhe, i thonë myslimanët. Është trëndafili para shpërthimit. Sikur ta dinin se do të bëhej shpërthimi i ndjenjës së mirësisë për të gjithë.

Isha i qetë kur e ndjeja si Nëna Terezë. Tani ajo është ngjitur shumë më lart, me të pavdekshmit. Është shenjtëruar. Por njerëzit e ndjejnë ende si nënë.

Do të shkojnë shumë e shumë vite kur njerëzit do të çmësohen me emrin e Nënës dhe të mësohen me emrin e shenjtores. Ndoshta nuk do të mësohen kurrë. Unë do të jem njëri prej tyre. Nuk e kam takuar kurrë. Nuk e kam parë kurrë. Nuk e kam dëgjuar kurrë. Por e kam ndjerë gjithnjë. Ajo ka qenë e pransihme ,ashtu si erërat, që nuk i shohim, por i ndjejmë. Ndoshta ka qenë fryma e Zotit të saj përmes emrit të Nënës.

Në ditën e shenjtërimit të saj, në Vatikan, u mblodhën njerëz nga e gjithë bota. Vendi i nderit u takoi shqiptarëve, sepse ishte bija e tyre. Por, nëse do të kishe pyetur të ardhurit e të gjithë botës, secili do të kishte thënë, ashtu si ne: na takon ne. Pavarësisht se të cilit besim kanë qenë. Shikoni delegacionet shqiptare. Nga 6 përfaqësuesit e dy shteteve shqiptare, Shqipëri e Kosovë, vetëm njëri i takon besimit katolik, megjithëse nga gjyshja; pesë të tjerët janë të besimit islam. Edhe ata, rreth e rrotull tyre, nuk kishin shkuar si besimtarë të devotshëm, por që të gjendeshin në një çast pranë Nënës, e cila, edhe pse u shenjtërua, përsëri do të mbetet Nënë.

I ndjej drithmat kur mendoj se nga të gjithë njerëzit e politikës së sotme asnjëri nuk do të mbetet prijës. Ndërsa ajo, e urta deri në thjeshtësi, çfarëdo rrethi do i vënë mbi krye, përsëri do të mbetet nënë. Ndoshta është e vetmja shenjtore që kalon në shenjtërimin e saj, duke kaluar më parë nga shenjtërimi i Nënës.

 

Rama: Projekte serioze për fshatrat e Dibrës

Posted: 06 Sep 2016 02:04 AM PDT

Kandidati i koalicionit të majtë për Dibrën, Muharem Rama vijoi në kuadër të fushatës elektorale bashkëbisedimet me banorët në Pollozhan dhe Sohodoll.

Në këto takime ai shoqërohej nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe kordinatori i Partisë Socialiste për qarkun e Dibrës, Damian Gjiknuri.

Përpara qytetarëve të Pollozhanit, Rama prezantoi programin elektoral, ndërsa kërkoi votën e tyre në 11 Shtator.

"Përveç rrugës, për Pollozhanin kemi edhe projekte të tjera. Ju e keni parë edhe Peshkopinë që është bërë një kantier i madh ndërtimi. Kemi projekte në sistemimin e rrjetit të kanalizimeve, ujit të pijshëm, projekte për ndërtimin e rrugës së varrezave, kemi program për subvencionet në bujqësi e blegtori", u shpreh Rama.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli insistoi se dibranët nuk duhet të gabojnë me zgjedhjen e tyre në votimet e kësaj fundjave.

Nga ana tjetër, koordinatori socialist për Dibrën Damian Gjiknuri, Duke komentuar zhvillimet e ditëve të fundit theksoi se kampin opozitar e ka përfshirë paniku i humbjes.

Fyen presidentin amerikan, Obama anulon takimin me Duterte

Posted: 06 Sep 2016 02:03 AM PDT

Presidenti amerikan Barack Obama ka anuluar një takim me presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte, pasi më herët kishte përdorur fjalë fyese ndaj tij.

Deklarata e Duterte erdhi pasi presidenti Obama kishte premtuar se do të ngrinte çështjen e krimeve të lidhura me drogën në Filipine në takimin dypalësh që do të zhvillohej në Laos.

Lideri filipinas njihet për fjalorin e tij, që këtë herë duket se do të ketë një impakt diplomatik, raportojnë korrespondentët e mediave ndërkombëtare. Këtë e ka kuptuar edhe vetë Duterte, i cili tani thotë se është penduar për fjalët.

"Ndërsa fjalët ishin vetëm përgjigje ndaj disa pyetjeve të mediave, na vjen keq që ato u interpretuan si një sulm ndaj presidentit amerikan", reagoi zyra e tij përmes një deklarate.

Dy presidentët janë mes liderëve të mbledhur në samitin e Grupit të Vendeve të Azisë Jug-lindore që po zhvillohet në Laos.

Obama, që udhëtoi në Laos pas samitit të G20-s në Hangzhou të Kinës, ishte zotuar se do të ngrinte në takimin me homologun çështjen e abuzimit të të drejtave të njeriut në Filipine.

Por, duke folur në Manila një ditë para se të nisej drejt samitit, Duterte tha se, një gjë e tillë do të ishte "e vrazhdë" dhe shau presidentin amerikan. "Bir i … do t'i them në atë forum", deklaroi ai.

Vlorë, asgjësohen 60 parcela me kanabis

Posted: 06 Sep 2016 02:00 AM PDT

Në kuadër të aksioneve kundër kultivimit të bimëve narkotike, gjatë 24 orëve të fundit policia e Vlorës ka asgjësuar 60 parcela me rreth 7.700 rrënjë kanabis sativa.

Sipas një njoftimi për shtyp, bimët narkotike u gjetën të mbjella në fshatrat Mifol, Dukat, Kotë, Cerkovinë, Skrofotinë, Palasë, Treblovë dhe Pllakë.

Ato ishin të kultivuara përgjatë luginave dhe përrenjve të thellë nëpër pyjet e këtyre fshatrave, të cilat nga hetimet e kryera rezultojnë të jenë toka pa pronarë.

Policia bëri asgjësimin e tyre me anë të shkuljes, copëtimit dhe djegës me zjarr. Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve të këtyre bimëve.

Qosja: Ja pse qëllova drejt policisë

Posted: 06 Sep 2016 01:57 AM PDT

Është lënë në burg autori i vrasjes së efektivit të FNSH-së, David Qosja. 30-vjeçari ka dalë para togave të zeza dhe ka thënë se nuk ka qëlluar ai i pari mbi policinë

"Një fqinj ka qëlluar në fillim ndaj meje. Unë qëllova mbi policinë sepse nuk doja që të hynte në shtëpinë time", ka thënë Qosja.

Efektivi i FNSH-së, Ardian Kodra, humbi jetën në Torovicë të Lezhës gjatë një operacioni për neutralizimin e Qoses, që dyshohet se është me probleme mendore.

homazhet

Rreth orës 11:50 minuta të datës 2 gusht, Policia e Lezhës u njoftua se i riu kishte dalë nga banesa duke qëlluar me automatik dhe se situata ishte serioze.

Për këtë shkak janë nisur drejt vendit të ngjarjes shërbimet e policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, me dy makina të blinduara.

Në njërën prej tyre ndodheshin Zv/Komandanti i FNSH-së, viktima Ardian Kodra dhe 2 efektivë të tjerë. Pasi janë pozicionuar përballë banesës së autorit kanë dalë nga blindi fillimisht dy efektivët e FNSH-së, të cilët kanë qëndruar pas tij. Pas pak sekondash ka dalë nga makina edhe Ardian Kodra, duke u pozicionuar pas një peme, ndërsa u ka thënë kolegëve se makina është qëlluar.
Në këto momente është dëgjuar një breshëri armësh, ndërsa punonjësi i policisë ka thirrur autorin në emër. Pas pak çastesh është mësuar se Ardian Kodra ka mbetur i vrarë. Ai është marrë me mjet të blinduar dhe është dërguar në spital, por me gjithë ndihmën e dhënë ka ndërruar jetë.

Rrëfimi i mësuesit pensionist që u mbijetoi 17 ministrave të Arsimit

Posted: 06 Sep 2016 01:55 AM PDT

 

Entela Resuli – DITA

Ilir Kanini, zotëria me flokë të thinjura, që vitet e fëmijërisë i kaloi në ish-Bllok, fundjavën që lamë pas doli në pension. Në ambientet e Ministrisë së Arsimit, ku prej 33 vitesh ishte shtëpia e tij e dytë iu organizua një festë surprizë nga ministrja Lindita Nikolla me prezencën e kryeministrit Edi Rama. U përlot. 40 vite punë dhe përkushtim nuk janë pak për një njeri.

E takojmë pranë "Shallvareve" në kryeqytet, zonë në të cilën edhe banon. 65-vjeçari, ka lindur në Tiranë, por rrënjët i ka nga Përmeti.

Për shkak se babai i tij ka punuar si kuzhinier në ish-Bllok, banesa e tij ka qenë shumë pranë asaj të Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Manush Myftiut…

Dhe pyetja për kujtimet e fëmijërisë na fut dashje pa dashje në Bllokun e viteve '50.

"Ka qenë ndryshe. Shokët me të cilët jam shoqëruar kanë qenë çuna të mirë. Zamir Myftiu, djali i Manush Myftiut ka  qenë një ndër shokët e mi më të ngushtë. Luaja shpesh te shtëpia e tij sepse na ndante një mur. Madje, më kujtohet që, çantën e parë kur kam shkuar në shkollë ma ka dhënë e ëma e tij. Në fillim më futën edhe mua në një klasë me ta, për shkak se banoja në Bllok. Ishte klasa që njihej ndryshe si "klasa e byrosë politike", pasi aty ishin djemtë e udhëheqjes. Kam pasur edhe djalin e Enver Hoxhës, Sokolin. Po atë ditë, më larguan, se unë djalë populli isha… Më pas ka filluar të qajë Zamiri, se ne ishim shokë. Aty më thonë se ka ndërhyrë vetë ministri i asaj kohe (Manush Myftiu) duke thënë se, ata që kur kanë lindur kanë qenë bashkë, kështu që nuk kemi pse t'i ndajmë. E kështu, unë deri në klasë të katërt kam qenë të Shkolla "11 Janari" me "çunat e Bllokut".

Deri në moshën dhjetë vjeç komshi me Enver Hoxhën, e keni takuar ndonjëherë, e pyesim duke e futur në kujtime.

Dy herë. Njëherë kur na çuan si kopsht në shtëpinë e tij, pasi kishte ditëlindjen dhe unë isha në kopshtin e fëmijëve të udhëheqjes. Mbaj mend që, na priti në një dhomë të madhe, ku kam parë në një tavolinë të pjerrët shumë telefona, më janë fiksuar sepse unë nuk kisha parë ndonjëherë telefona. Po nuk më kujtohet çfarë është thënë se isha i vogël.

Herën e dytë ka qenë kur ka pasur ditëlindjen djali i madh, Iliri, Lilo i thoshim ne atëherë. Pas Bllokut, afër shtëpisë së Haxhi Lleshit ka qenë një fushë sportive, aty kemi bërë një ndeshje klasash, Iliri ka ndenjur si arbitër. Aty ishte edhe Enveri. Kemi bërë edhe foto të cilat janë botuar diku, por më vonë nuk  i kam gjetur më. Ata kanë qenë çuna shumë të mirë, të edukuar, si Zamiri (Myftiu) edhe Koli (djali i Enver Hoxhës). Kanë qenë edhe nxënës të mirë. Pas klasës së pestë u ndamë. Unë shkova në një shkollë tjetër. Kemi patur kontakte, por më rrallë. Unë isha djalë populli, atë djem Blloku, por të them të drejtën dhe ata kishin qejf të rrinin me ne. Luanim bashkë…."

Një "jetë" tjetër

Kanini edhe pse kishte të dëshirë të bëhej mjek, kjo ëndërr nuk iu plotësua. Ai studioi Histori-Gjeografi dhe u diplomua në vitin 1975 si "Mësues i Historisë dhe Gjeografisë për shkollat e mesme".

"Partia" e emëroi si mësues në fshatin Troshan të Lezhës ku qëndroi për nëntë vite. Nuk ishte e thjeshtë për një djalë nga Tirana të zhvendosej duke punuar dhe jetuar në këtë qytet verior, por Iliri nuk i bënte bisht punës. Nga Lezha ka mësuar shumë. Breza të tërë ka nxjerrë nga bankat e shkollës, ka gëzuar ndër vite dashurin e banorëve, por mbi të gjitha, aty njohu dhe njeriun e jetës, bashkëshorten e tij të ardhshme, Marian. Sot, janë prindër të dy djemve të rritur.

Ilir Kanini

Ilir Kanini

Pas 9 vitesh pritje erdhi dhe transferimi për Ilirin… por ndërkohë Lezha ishte vendi nga i cili u largua me dy dekorata lavdërimi për shkrimet dhe punën e bërë.

Në '83 u emërua redaktor dhe më pas kryeredaktor i gazetës e përjavshme "Mësuesi" (gazetë e Ministrisë së Arsimit), post të cilin e mbajti deri në vitin 2003.

Gazetën "Mësuesi" mund ta quajmë një ndër dashurit e tijë të mëdha. Flet me pasion për punën me të, në të cilën ka pasur jo pak vështirësi.  Pas viteve '90 asgjë nuk ishte si më parë."Gazeta 'Mësuesi' përmbante shkrime për arsimin, shkollat, kushtet, mësuesinë. Sigurisht kishte kritika dhe akuza si p.sh, që shkruante në favor të qeverive, por në fakt synimi ynë ishte të shkruanim jo për çfarë nuk ishte bërë, por për atë që po bëhej, sepse aty po ndërtohej diçka; Po zhvilloheshin tekstet, shkollat, programet, dhe qëllimi jonë  ishte t'ju tregonim njerëzve se edhe këtu arsimi po merrte zhvillim"- shprehet Kanini

Në këtë punë, e cila ka qenë pjesë e jetës së tij, me bindje tregon se ka dhënë "shpirtin".

Në 2003 e lë gazetën dhe që prej asaj kohe Iliri ka vazhduar të punojë në Ministrinë e Arsimit si specialist i inspektimit dhe i monitorimit nëpër shkolla.

Nuk e ka patur të thjeshtë t'i mbijetojë ndryshmeve politike, qeverive dhe ministrave (17 ministra gjatë viteve të punës). Madje shumë herë tregon se ka qenë në fije të perit, për t'u hequr nga puna. Por as vetë nuk e shpjegon dot, se si arriti ta mbyllte me sukses karrierën e tij.

"Nuk kam pasur frikë të them atë që mendoja edhe kur e dija që mund të më pushonin, përkundrazi ju kam shprehur eprorëve të mi të gjitha ato që mendoja se nuk shkonin siç duhej, dhe më vjen mirë që më kanë dëgjuar dhe nuk ka pasur qejfmbetje"-tregon profesori.

"Shikoni, administrata është një nga gjërat më të çmuara të një shteti. Njerëzit të cilët fillojnë të punojnë aty, marrin përvojë, eksperiencë, trajnohen. Shteti harxhon miliona për formimin e tyre dhe nuk mund t'i heqësh sa hap mbyll sytë. Një person i cili ka 20 vite në një sektor, e bënë shumë herë më mirë punën se sa një i ri i cili duhet ta fillojë nga zero. Politika nuk duhet t'i fusë hundët tek punonjësit e administratës. Ata janë pasuri. Largimi i tyre, shkatërron sistemin e punës dhe asgjë nuk ecën mirë"- shprehet Kanini.

"Ndoshta, sekreti i jetëgjatësisë sime në këtë punë ka të bëj më faktin që unë nuk jam përzier me asnjë parti. Edhe pse, këtu tek ne është një fenomen i çuditshëm. Kur kundërshton një nismë të një qeveria se ty nuk të duket mirë, të akuzojnë si i partisë kundërshtare. Kur vjen pala tjetër dhe t'i thuaj në të njëjtën mënyrë mendimin tënd hapur, janë këta që të hedhin nga krahu tjetër. Edhe unë, gjatë këtyre

Iliri me bashkeshorten dhe djemte

Iliri me bashkeshorten dhe djemte

viteve, për nga bindjen jam bërë ping-pong. Por e kam patur të ngulitur në vetvete, se partia ime e vetme është puna".

17 ministra, 33 vite në Ministrinë e Arsimit, si i vlerësoni ministrat?

"Unë profesionist vë në vend të parë Skënder Gjinushin, nuk i binte fjala në tokë. Et'hem Ruka, po ashtu, elokuent. Një tjetër profesionist ka qenë edhe Luan Memushi. Linditën e vlerësoj për anën e saj njerëzore. I akullt ishte Ben Blushi. Për mua siç hyri, doli. Krijoi rrjetin e vet, bënte punë të mbyllur".

Pas viteve '90 arsimi ka ndryshuar rrënjësisht. 65-vjeçari ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë dhe e njeh gjendjen e shkollave. Thotë se kemi institucione të mira të dijes, por edhe vende ku gjërat nuk shkojnë mirë. "Arsimi është shumë i vështirë. Unë mendoj se po ka një vend ku nuk duhet të fusë hundët politika është arsimi. Nëse specialistët do të zgjidhen politikisht, atëherë ne i kemi vënë flakën arsimit. Po që se do ndërrohen qeveritë dhe do bëjnë ndryshime për inat të njëri- tjetrit, ne nuk kemi për t'u bërë ndonjëherë".

Është i lumtur që ka punuar me përkushtim, por e gjitha kjo nuk e ka lënë pa pasoja. "Shumë herë jam stresuar, kam debatuar, jam zemëruar… kokëfortësia dhe dëshira për t'i bërë gjerat korrekt, sot me kanë lenë pasoja. Jam operuar katër herë nga zemra. Jam me diabet, me nerv shiatik… por, së punuar nuk do të pushoi asnjëherë"- tregon Kanini duke qeshur.

Kur e pyesim se çfarë do bëjë tani si pensionist, thotë se do të vazhdojë të punojë. "Nuk kam asnjë para mënjanë. Nuk është e lehtë të arsimosh dy fëmijë".

Teksa përshëndetem me profesorin, pranë asaj që njihet si ura e Bllokut, shkëmbehem me një grup turistësh të huaj pensionistë, të cilët ecin qetësisht në trotuar. Mendja më shkon te profesor Iliri, i cili mund të ishte një prej tyre, por me rrogën e tij ka mbajtur vetëm familjen. A nuk duhen vlerësuar më shumë këta njerëz?!

Edhe tiran edhe patriot?

Posted: 06 Sep 2016 12:46 AM PDT

 

Nga Andrea Stefani

Vërehet një baticë, të paktën në media, për të rehabilituar figurën e diktatorit Enver Hoxha si patriot me merita të veçanta për Shqipërinë. Dhe bashkë me të, edhe të gjithë trashëgiminë e tij diktatoriale. Një dukuri që nuk ka të bëjë thjesht me të shkuarën apo vërtetësinë historike, por më shumë me të ardhmen. Sepse nëse diktatori dhe diktatura janë një kujtim i mirë, përse të mos jenë edhe një aspiratë dhe perspektivë edhe më e mirë?

Po publikohen edhe dokumente që rreken të faktojnë se tirani nuk kishte faj që, për shembull, e shfarosi "grupin e deputetëve" që në nisje të sundimit, sepse ata paskan qenë agjenturë në shërbim të imperializmit për përmbysjen e “pushtetit popullor” dhe vrasjen e Enver Hoxhës. Harrojnë të pyesin: Pse nuk ndëshkoi vetëm agjentët dhe ta linte opozitën të jetonte? Pse pas asgjësimit të agjentëve në vitet e para të pushtetit komunist nuk mbiu opozitë më në Shqipëri? Sepse lindja e opozitës është dukuria më e rëndomtë në një situatë politike normale, domethënë, me liri.
Por nuk kishte liri sepse tirani e kish vrarë atë. Dhe justifikimi për këtë krim? Si përherë tradhëtia e atdheut që, në këtë rast, emërohej "pushteti popullor". Po sa popullor qe pushteti "popullor", një pushtet që i mori popullit lirinë?! Formula qe e njëjtë me atë të zbatuar edhe gjatë luftës. Edhe jo pak nacionalistë që nuk kishin bashkëpunuar me pushtuesin, u shpallën tradhëtarë pikërisht sepse duhej gjetur preteksti për asgjësimin e tyre. Duheshin vrarë "në emër të Atdheut" edhe pse në të vërtetë, në emër të një pushteti tiranik.
Nuk përjashtohet, madje është e konfirmuar, që deputetë të opozitës të pushkatuar më pas si agjentë, të kenë bashkëpunuar me shërbime inteligjente apo të diplomacisë së disa shteteve perëndimore për përmbysjen e pushtetit stalinist në Shqipëri. Por a duhet të na bëjë ky fakt, sot, të arrijmë në përfundimin se Enveri kish të drejtë që u dha plumbin? Si diktator që mbronte pushtetin e vet, po. Por jo si një qeveritar që mbronte pushtetin e popullit. Se po të qe i tillë, nuk do të kish as edhe një opozitë që do tentonte ta përmbyste. Përjashtuar ndonjë opozitë bolshevike apo marksiste-leniniste si ato që financoi ai më vonë. Dhe a është krim të tentosh të përmbysësh një diktaturë? Në fund të fundit, a është krim të tentosh të vrasësh edhe Cezarin ose, a është një Brut një kriminel?
Bashkëpunimi mes segmenteve të politikës që tentojnë të sjellin një ndryshim regjimi në një shtet, me forca apo institucione jashtë vendit, mbetet një dukuri e rëndomtë edhe e kohës sonë. Edhe vetë Enveri ka organizuar e financuar bashkëpunime me parti të ashtuquajtura marksiste-leniniste dhe që tentonin revolucionin proletar. Varet si e shikon problemin. Prandaj, të qëndrosh vetëm në rrafshin e fakteve nuk është racionale. Eshtë thjesht empirike. Sepse pala kundërshtare mund të servirë të tjera fakte mbi shtypjen dhe tiraninë që e përligjin aktivitetin subversiv kundër tiranit. Faktet janë edhe të brishta, të zhdukshme, të modifikueshme, të interpretueshme, të racionalizueshme sipas interesave e qëllimeve. Prandaj të vërtetave faktike i duhet bashkangjitur edhe e vërteta logjike që nuk manipulohet dot.

Vetëm e vërteta logike na e zgjidh problemin, nëse Enver Hoxha duhet të jetë një figurë e dashur apo e urryer për shqiptarët. Natyrisht, logjika i ngre silogjizmat e saj mbi bazë të disa të vërtetave faktike që merren si të paluajtshme. Një e tillë është pohimi se Enver Hoxha ishte diktator. Ai ka qëndruar për 45 vjet, me pushtet absolut, në krye të një sistemi që edhe vetë e shpallte se qe diktaturë. Mbi këtë premisë ngrihet ky silogjizëm:

Diktatorët janë figura të urryera
Enveri qe diktator
Enveri është një figurë e urryer

Ky është arsyetimi logjik që bën çdo njeri që e çmon lirinë e vet dhe lirinë në përgjithësi. Besoj se shumica e shqiptarëve sot arsyetojnë kështu. Natyrisht (më saktë jo natyrisht sepse liria, edhe e ndrydhur, mbetet thelb natyror i qenie humane) një njeri që i ka humbur lidhjet me lirinë e tij, sepse nuk është takuar kurrë me të, do ngrejë këtë arsyetim:

Diktatorët janë figura të dashura
Enveri qe diktator
Enveri është një figurë e dashur

Kësaj i përkasin ata që vazhdojnë t'i dalin në mbrojtje Enver Hoxhës pikërisht për faktin se sistemi i diktaturës, por edhe tranzicioni kaotik që pasoi, nuk i ka lejuar të shijojnë se ç'është liria. Nuk janë fajtorë, janë viktima,

Ndërsa shtjellon temën e despotizmit oriental, Wittfogel na rrëfen sesi persiani Hidarnes i propozon dy spartanëve t'i bëjë mjaft të pushtetshëm, mjafton të lidheshin me zotin despotik të Persisë. Përgjigja që mori qe kjo:

 "Hidarnes, ti je një këshilltar i njëanshëm. Ti njeh vetëm gjysmën e punës, por gjysmën tjetër nuk arrin ta kuptosh. Jetën e skllavit ti e kupton; por pasi kurrë nuk e ke shijuar lirinë, s'mund të thuash nëse është ose nuk është e ëmbël. Ah ta kishe ditur ç'është liria, do të na ishe lutur të luftonim për të jo vetëm me heshtë, por edhe me sëpatë".

 

Ky është problemi që kanë ca shqiptarë sot. Njohin vetëm gjysmën e punës, vetëm jetën e skllavit. Dhe meqenëse nuk e kanë shijuar lirinë, nuk e kanë problem ta braktisin shansin e saj. Dhe jo pak nga këta i përkasin gjeneratave të reja. Kjo e bën edhe më të madh rrezikun.

Esenca e lirisë së njeriut është arsyeja. Vetëm ajo të ndihmon të japësh zgjidhje një problemi të tillë: A mund të quhet patriot një diktator që ka tredhur te bashkatdhetarët e tij aftësinë për të dashuruar lirinë e vetvetes duke i shndërruar në eunukë të skllavërisë që vadisin me gjyma kujtimin e një tirani edhe 20 e kusur vjet pas vdekjes së tij? Edhe patriot edhe diktator?! Ç'marrëzi! Dhe nuk mund të mos na kujtohet Rusoi: Nuk ka patriotizmë pa liri!

 

 

Related Posts :