Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Kuvendi propozon ngritjen e një nënkomisioni të posaçëm” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Kuvendi propozon ngritjen e një nënkomisioni të posaçëm” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Kuvendi propozon ngritjen e një nënkomisioni të posaçëm

Posted: 27 Sep 2016 12:07 AM PDT

Kontrolli i Lartë i Sh
tetit duhet të rrisë bashkëpunimin me proku-rorinë dhe të ndjekë nga afër çdo kallëzim të dorëzuar në organin e akuzës. Propozimi vjen nga Kuvendi dhe do të realizohet përmes ngritjes së nënkomisioni të posaçëm. “KLSH duhet të angazhohet për të rritur bashkëpunimin institucional me Prokurorinë e Përgjithshme nëpër-mjet monitorimit të ecurisë së padive penale dhe të zhvillojë një analizë fundore të saj në rast të pushi-mit të çështjeve ose të mosfillimit të çështjeve të referuara nga KLSH në organin e akuzës”, tha Ervin Koçi, deputet i Partisë Socialiste në Komisionin e Ekonomisë. Sipas tij, kjo do të shërbejë për të kryer një analizë më të plotë si dhe kontrollin e cilësisë së vetë raporteve të auditimit. “Të shikojë mundësinë e krijimit të një nënkomisioni parlamentar brenda Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për të monitoruar në mënyrë sistematike aktivitetin e KLSH-së dhe zbatimin e rekomandimeve”, tha koçi. Ndërkohë, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi ndër të tjera edhe një marrëveshje për konvertimin e një borxhi prej 20 milionë eurosh me Italinë në programe të ndryshme sociale. Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi marrëveshjen për konvertimin e borxhit me Italinë. Relatorë në komision ishin përfaqësues të Ministrisë së Financës, Brikena Jazxhi specialiste dhe Ismail Ademi bashkëdrejtor i njësisë teknike mbështetëse të programit të konvertimit të borxhit për zhvillim. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Jazxhi tha se marrëveshja ndërmjet KM dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për konvertimin e borxhit për zhvillim synon promovimin e kohezionit social në bazë territoriale, zhvillimin rajonal të balancuar, barazinë sociale dhe krijimin e vendeve të punës, me synim mbështetjen e aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në BE. “Marrëveshja në vetvete synon konvertimin e një sërë detyrimesh që ka RSH ndaj Republikës së Italisë në kuadër të borxheve, ose krediteve të akorduara nga RI dhe këto detyrime do të konvertohen në kontribut financiar, i cili do të depozitohen në 9 këste, në një llogari të posaçme në Bankën e Shqipërisë”, sqaroi Jazxhi.

20 mënyra për të përshpejtuar metabolizmin

Posted: 26 Sep 2016 05:55 AM PDT

Përmirësoni metabolizmin tuaj duke e bërë atë më të shpejtë. Benefitet janë të shumta, por që t’ia dalësh mbanë nuk është e lehtë. Megjithatë, me disa këshilla do të shihni që mund të arrini rezultate të mira. Këtu kemi përmbledhur 20 këshilla sugjeruar nga revista prestigjioze “Elle”, duke qenë se metabolizmi nuk është njësoj për të gjithë, me shpresën se do të gjeni të duhurën, ose të duhurat për ju.
1. Ushqehuni mjaftueshëm. Kjo mund të tingëllojë në kundërshtim me temën, por nuk është aspak kështu. Nëse ju merrni pak proteina trupi, nuk arrin të vendosë masën muskulore dhe metabolizmi përjeton një rënie të papritur.
2. Pini çaj jeshil. Një studim i ri ka treguar se konsumimi i çajit jeshil në vend të kafesë, i shoqëruar me një aktivitet të lehtë fizik mund të çojë në humbjen e deri dy kilogramëve masë dhjamore në një javë.
3. Rrisni konsumin e vajit të ullirit. Përdorimi i vajit të ullirit rrit nivelin e serotoninës në gjak, një hormon që mund t’ju japë ndjesinë e ngopjes.
4. Hani një vezë. E verdha e vezës përmban shumë substanca ushqyese, që furnizojnë me karburant metabolizmin tuaj, mes të cilave vitaminat lipo të shpërbëshme, acide yndyrore esenciale dhe kolinë, një kompleks i fuqishëm, që sulmojnë gjenet përgjegjëse për magazinimin e yndyrës rreth mëlçisë.
5. Duhet të tresni karbohidratet gjatë natës. Një hulumtim i kohëve të fundit ka zbuluar se termogjeneza është më efikase në orët e natës dhe i mundëson trupit djegien e më shumë kalorive.
6. Pini qumësht të paskremuar. Studimet të Institutit të Nutricionit në Universitetin e Tenessese tregojnë se konsumi i kalciumit, i cili gjendet në qumësht mund të ndihmojë trupin të metabolizojë yndyrën në mënyrë më efiçente.
7. Zgjidhni grurë integral. Organizmi sforcohet më shumë për të tretur drithërat integrale se ato të rafinuara e përpunuara siç është mielli, i cili përdoret për të bërë bukë e makarona.
8. Hani hudhra. Hudhrat mbështesin metabolizmin glicemik dhe ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të nivelit të yndyrnave në gjak. Veç të tjerave i bëjnë shumë mirë zemrës.
9. Eliminoni pijet me gaz. Sheqernat e ndodhura në këto produkte shkaktojnë rritje të oreksit, duke shkaktuar trazira në ushqyerje.
10. Thjerrëza, të paktën dy herë në javë. Shpesh është mungesa e hekurit, ajo që çekuilibron metabolizmin dhe me këtë ushqim do të ndiheni më energjikë.
11. Mos harroni arrat! Me përmbajtje të ulët kalorish, ato kanë efekte të dobishme për insulinën.
12. Sa më shpesh salmon. Peshqit janë një ushqim i shkëlqyer, por sidomos salmoni, pasi është i pasur me acide yndyrore omega?3.
13. Një mollë në ditë. Nuk është një frazë klishe, sepse parandalon problemet që lidhen me yndyrën e barkut.
14. Mos e ekzagjeroni me mëngjesin. Edhe pse është vakti më i rëndësishëm i ditës, nuk është mirë ta teproni me yndyrnat që sapo zgjoheni.
15. Ndaloni rreptësisht abuzimin me alkoolin. Ndërsa një konsum i moderuar i tij nuk do t’i bëjë shumë keq barkut tuaj, të shndërruarit e alkoolit në një ritual mund të ngadalësojë normën metabolike.
16. Jogurt si vakt i ndërmjetëm. Jo vetëm që është një burim i madh i proteinave dhe kalciumit, por duke e konsumuar si pjesë e një diete hipokalorike, mund të përshpejtojë metabolizmin tuaj.
17. Përdorni ndriçim LED. Edhe drita, ashtu si tek bimët ka rëndësinë e saj kur bëhet fjalë për metabolizmin. Braktisni llambat inkandeshente dhe shkoni për dritën e ftohtë.
18. Djathi është një ushqim i shkëlqyer. Është i pasur me kalcium, vitaminë D dhe proteina. Mund të favorizojë humbjen e peshës, sepse ndikon në tonifikimin e masës muskulore, e cila përshpejton dhe ndihmon në ruajtjen e normës se metabolizmit. Ndihmon në djegien e kalorive në mënyrë efikase për gjatë gjithë ditës.
19. “Edhe engjëjt hanë fasule”. Procesi i tretjes së fibrave dhe proteinave të fasuleve djeg shumë kalori, rrit nivelet e ulëta të insulinës pas tretjes dhe ndihmon trupin për të ruajtur më pak yndyrë.
20. Qeshni më shumë. Nuk është shaka, kush qesh shumë, ka një normë më të mirë të rrahjeve të zemrës, duke ndihmuar në djegien e deri dyqind kalorive në ditë.

Lume Blloshmi në Vjenë “Artistja që u rezistoi regjimeve”

Posted: 26 Sep 2016 05:55 AM PDT

Fatmira Nikolli
E kaluara na ka lënë një trashëgimi arti e kulture të pasur, por të diskutueshme dhe kur ke të bësh me këtë trashëgimi është e rëndësishme të theksohet kompleksiteti i së kaluarës socialiste dhe të nxirren në pah prirjet e ndryshme, duke filluar nga mohimi dhe përbuzja, te nostalgjia dhe fetishizmi. "Ballafaqimi me të kaluarën", ka qenë sistematikisht shqetësimi i shumë institucioneve të artit dhe projekteve në rajon. Në fakt, "Tirana Art Lab" është pjesë e projektit "Heronjtë që ne duam" dhe në prill të këtij viti kemi organizuar një konferencë ndërkombëtare "Arti i periudhës socialiste mes përbuzjes, fetishizmit dhe tranzicionit" ku kuratorë, historianë arti, artistë dhe arkitektë u ftuan për të diskutuar. "Pamja" ime kuratoriale është gjysma brenda meje e gjysma jashtë meje".
Adela Demetja është në Vjenë ndërsa jep këtë shpjegim për ndjesinë që endet mes përbuzjes e nostalgjisë. Përballë ka me gjasë, edhe njerëz që pak munden ta kuptojnë këtë ndjesi të ndërmjetme, ndërsa përreth saj, artistë të lindjes përcjellin artin e ditëve tona- krejt modern. Citimi është shkëputur nga një intervistë dhënë mediave të huaja ndërsa gjendet si kuratore në Vjenë. "Në fokus: Ish-Jugosllavia dhe Albania" kuruar nga Adela Demetja është pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Artit në Vjenë. Kjo ekspozitë e veçantë e kuruar Adela Demetja, merr në shqyrtim një rajon të Evropës Juglindore: ish-Jugosllavia dhe Shqipëria. Ndërsa hapësira alternative e të pavarura të artit u themeluan në vitin 1970 në Evropën Perëndimore dhe në SHBA; në kundërshtim me tregun e artit, me zhvillimin e tyre ato luajtën një rol të rëndësishëm për shfaqjen e kritikës kundrejt institucioneve; ndërkaq skena e artit alternativ në ish-Jugosllavi dhe Shqipëri eci në anën tjetër të rrymës dhe u zhvillua ndryshe; në mungesë të institucioneve të artit bashkëkohor dhe në mungesë të një tregu të artit. Prandaj, hapësirat e pavarura të artit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e një sistemi të artit bashkëkohor në këtë rajon dhe në komunikimin e tij përtej kufijve. Në disa raste, ato janë të vetmet vende ku komunikimi dhe diskursi rreth artit bashkëkohor mund të bëhet. Në dritën e ndryshimeve historike që kanë ndodhur në këtë rajon dhe krizave financiare, kultura është fusha që ka pësuar më së shumti. Efektet mund të lexohen nga problemet aktuale të institucioneve kulturore publike. Për këtë arsye, hapësirat e pavarura të artit janë aktualisht ambientet vendimtare për artin bashkëkohor. "The Focus" përfshin vepra nga artistët të rinj dhe emra të njohur nga këto vende prezantuar nga këto institucione:
Igor Eskinja, Andrea Knezovic, Neven Korda (Galeria Alkatraz, Ljubjana, Slloveni); Dalibor Martinis, Damir Oèko, Dino Zrnec (Apoteka Space for Contemporary Art, Vodnjan, Kroaci); Dusan Percinkov, Nada Prlja, Ilija Prokopiev (Serious Interests Agency, Shkup, Maqedoni); Milan Nesic, Slavica Obradovic, Slobodan Stosic (Sok Zadruga, Novi Sad, Serbi) dhe Lumturi Blloshmi, Alketa Ramaj, Aurora Kalemi (Tirana Art Lab – Center for Contemporary Art, Tiranë, Shqipëri). Sot mbahet biseda me temë "Të spekulosh mbi të ardhmen e hapësirave alternative të artit", ku do flasin veç Demetjes, Branka Bencic, kuratore dhe drejtuese e "Director Apoteka Space for Contemporary Art" Kroaci, Jadranka Plut, drejtore artistike e "GALERIA ALKATRAZ" në Slloveni, Nada Prlja artiste e drejtore e "Serious Interests Agency" Maqedoni dhe artisti serb Slobodan Stosic.
Adela Demetja ka mbaruar masterin e saj në "Studime kuratioriale– Teori – Histori – Kritikë" në "Städelschule and at the Goethe University" në Frankfurt. Është bashkëthemeluese dhe drejtuese e Tirana Art Lab – Center for Contemporary Art dhe ka kuruar një numër të madh ekspozitash ndërkombëtare, përfshirë ekspozitat tematike "The Aesthetics of the Small Act", festivalin e arteve pamore në Selanik dhe "Zërat e të vërtetës" më 2012 në "Villa Romana" në Firence. Më 2015 ka kuruar bienalen "D-0 Ark Underground" në Konjic, Bosnjë dhe Hercegovinë, që u mbajt në një bunker atomik ndërtuar gjatë regjimit të Titos. Adela Demetja jeton e punon mes Shqipërisë e Gjermanisë.
ARTISTET
Krahas informacionit mbi "The Focus: Ex-Jugoslavia and Albania" ka një informacion të detajuar edhe mbi jetën e artisteve veprat e të cilave ekspozohen, informacion që arsyeton edhe përzgjedhjen kuratoriale të Adela Demetjes.
Nis me Lume Blloshmin. E lindur më 1944, ajo u diplomua në vitin 1968 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Si pothuajse të gjithë artistët e kohës së saj, ajo pikturoi deri në fund të viteve '80 në stilin e realizmit socialist. Pas viteve '90 ajo qe një nga pak artistë të brezit të saj që arriti të ripozicionojë veten dhe punën e saj brenda diskursit të artit bashkëkohor. Veprat e saj në pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë janë karakterizuar nga një qasje ironike dhe satirike që sjellin reflektim dhe kritikë ndaj realitetit në të cilin ajo jeton. Blloshmi qëndron në mes të kozmosit saj pa qenë një shikuese pasive, përkundrazi është një pjesëmarrëse aktiv. Kjo i lejon Lumes të shprehë haptas pikëpamjet e veta në lidhje me botën e artit, skenën politike dhe shoqërinë ku bën pjesë. Pamja e saj është ajo e një gruaje, një gruaje të fortë që kritikon me humor dominimin nga burrat. E bën këtë me butësi, thjeshtësi dhe optimizëm anipse ka të bëjë me një realitet të ashpër. Ndërsa kultivon dhe mbron një qasje femërore, Blloshmi u ka rezistuar pa pushim regjimeve dhe zhvillimeve të ndryshme duke u bërë një nga artistet më të rëndësishme dhe inovative bashkëkohore shqiptare. Veprat e saj janë ekspozuar në grup dhe në ekspozita vetjake në institucione si Muzeu "Chelsea Art" në New York, "Municipal Art Gallery of Bydgoszcz" në Poloni, "Alexandria Biennale for Mediterranean Countries" Egjipt, Shqipëri; Galeria Kombëtare e Arteve, Galeria Kombëtare e Kosovës. Ajo jeton e punon në Tiranë, Shqipëri.
Aurora Kalemi (lindur 1993 në Tiranë, Shqipëri) ka ndjekur studimet bachelor dhe master në Akademinë e Arteve në Tiranë. Punët e saj zhvillohen mes mediumit të pikturës dhe Video Artit. Kalemi, i përket një brezi artistësh të rinj që mund të konsiderohen individualistë, pasi ata kanë vendosur me vetëdije të mos të merren direkt me ngjarjet, por me ndikimin dhe pasojat që ngjarjet socio-politike kanë mbi individët. Praktika e saj është e karakterizuar nga një qasje individuale ndaj mediumit dhe mënyra si puna bëhet mundëson që të merresh me perceptimin individual të ekzistencës dhe të realitetit. Nga pafundësia e ideve të botës së brendshme, përmes procesit të pikturës, ato bëhen mënyrë komunikimi me realitetin. Është brenda këtij diskursi ekzistencial dhe individual, midis të Qenit dhe të dukurit që praktika e saj del dhe kjo duhet të kuptohet, si në përmbajtje dhe në formë. Ajo ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme artistike brenda dhe jashtë vendit, të tilla si: "Tirana Open- Festivali i Artit dhe Letërsisë" Shqipëri; Festivali Multikulturor i Beratit; "Inside Out" -Tirana Art Lab; Art Vision Project, Venecia dhe Puglia, Itali. Jeton dhe punon në Tiranë.
Alketa Ramaj (1983, Përmet) është diplomuar në vitin 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Marrëdhënia emocionale që artisti ndërton me mjedisin ku jeton në terma të lidhjes sociale, historike dhe kontekstit politik janë pasqyruar në praktikën e saj që zhvillohet në mediume të ndryshme nga piktura te fotografia, nga video tek instalacioni. Puna e Ramajt karakterizohet nga një kureshtje e pandërprerë dhe studime të përhershme të formave të reja të shprehjes, që zbulojnë një pavarësi të mrekullueshme në drejtim të aplikimit të metodave të saja kritike dhe personale të punës. Ramaj ka fituar çmimin "Onufri 2012" dhe atë "Ardhja 2013".
Punët e saj janë ekspozuar në Shqipëri dhe jashtë vendit në ekspozita ku përfshihen: Bienal del Fin del Mundo, Mar De Plata, Valparaiso, Venecia; Fondazione Museo "Pino Pascali", Bari; "International Studio & Curatorial Program", New York; Stacion Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; "Basement", Basel; "Artistë në rezidencë" Artpoint Gallery, Vjenë; "La Fenice Gallery", Venecia; Galeria Kombëtare e Tiranës; "BADISCHER Kunstverein" në Karlsruhe. Jeton dhe punon në Tiranë.
"Vienacontemporary" është një nga panairet më frymëzuese dhe provokuese të mendimeve mbi artin. Me mbi 112 galeri nga 28 vende, ajo ofron koleksione të gjera të artit bashkëkohor nga Austria, Evropa Lindore dhe galeritë e tjera ndërkombëtare. Ajo mbledh së bashku artistë të rinj dhe artistë të afirmuar nga e gjithë bota. Mbahet në datat 22-25 shtator me sloganin "Art/Must/September", shfaq talentet e reja të artit në botë.

Parashikimi: Donald Trump, presidenti i ardhshëm i USA

Posted: 26 Sep 2016 05:54 AM PDT

Donald Trump do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të paktën kështu parashikon Allan Lichtman, një profesor i njohur historie në Universitetin Amerikan. Akademiku ka ndërtuar një sistem shkencor të përbërë nga 13 pika, që mundësojnë parashikimin e zgjedhjeve presidenciale. Lichtamn është i famshëm në SHBA, pasi prej vitit 1984 dhe në vazhdim ka arritur të gjejë me sukses fituesin e garës për Shtëpinë e Bardhë. Në plot 8 raste ai ka parashikuar saktë presidentin e ardhshëm dhe pretendon se edhe këtë herë nuk do të gabojë. Një nga pikat kryesore që sipas profesorit amerikan flet kundër kandidates demokrate Hilari Klinton, është mungesa e karizmës, një karakteristikë që padyshim e gjeni tek rivali i saj Tramp. Lichtman thotë se pavarësisht popullaritetit të madh që ka presidenti aktual Obama, kjo nuk do të pasqyrohet te Klinton, për të cilën thekson se në një periudhë afatmesme e ka humbur mbështetjen nga amerikanët. Nga ana tjetër për Klintonin flasin sondazhet e fundit të kryera në mediat amerikane. Ish-Sekretarja e Shtetit rezulton me një avantazh prej 6 pikë përqindje nga Donald Trump. Ndërkohë, Trump çdo ditë e më shumë po fiton mbështetës në favor të tij. I fundit që ka deklaruar hapur mbështetjen ndaj republikanit ka qenë ish-i nominuari republikan për kandidat për president, Ted Cruz. Senatori nga Teksasi, i cili luftoi ndaj Trumpit me të gjitha mënyrat për t’ia hequr atij mundësinë e shpalljes kandidat zyrtar i republikanëve, tashmë bëri të ditur se i ka dhënë miratimin manjatit të pasurive të paluajtshme dhe këtë e ka bërë përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”. Cruz tha se do të përmbushte premtimin e tij për të votuar kandidatin republikan, sepse nëse zgjidhet demokratja Hilari Klinton do të ishte “tërësisht e papranueshme”. Edhe ish-e dashura e Bill Klintonit, Gennifer Flowers thotë se do të marrë pjesë si e ftuar e Donald Trumpit në debatin televiziv të së hënës mbrëma, mes kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë dhe rivales së tij demokrate, Hillari Klinton. Rritja e mbështetësve ndaj Donald Trump është e çuditshme, duke konsideruar ekstremizmin që ai ka shfaqur në fushatë dhe deklaratat e bujshme që janë kritikuar ashpër nga ekspertët. Por, kritikat nuk e kanë ndalur miliarderin, i cili edhe në prag të fundit të fushatës vazhdon të shprehet kundër refugjatëve, duke i konsideruar si përgjegjës së terrorizmit. Sulmet më të fundit në Amerikë kanë qenë “bukë” për argumentet e Trump, i cili në një përballje të fundit me Klinton ka thënë se hijet e reja të terrorit luajnë rol të drejtpërdrejtë në vizionin e një kombi nën rrethim. “Nuk mund ta lejojmë këtë të keqe të triumfojë”, tha miliarderi në Florida, pas kapjes së amerikanit me origjinë afgane, që dyshohet si vendosësi i bombave. “Nëse zgjidhni Donald Trumpin, – vazhdoi manjati, – këto probleme do të zhduken”.

Lufta në Siri, Johnson akuzon Rusinë për krime lufte

Posted: 26 Sep 2016 05:54 AM PDT

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka deklaruar se Rusia është fajtore për zgjatjen e luftës në Siri. Ish-kreu i Bashkisë së Londrës ka shkuar edhe më tej, duke hedhur idenë se Rusia mund të ketë kryer krime lufte me sulmin në karvanin e ndihmave. Rusia ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e autoriteteve amerikane se kanë qenë avionët e saj luftarakë që kanë kryer sulmin, i cili vrau 20 civilë të pafajshëm. Rusia është fajtore për zgjatjen e luftës në Siri dhe mund të ketë kryer krime lufte, duke goditur karvanin e ndihmave të destinuara për në zonat e izoluara të vendit. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, gjatë një interviste me Andrew Marr në rrjetin “BBC”. “Ata janë fajtorët që kjo luftë po zgjat kaq shumë, duke e bërë atë edhe më të tmerrshme. Kur bëhet fjalë për bombardimet e kamionëve të ndihmave në Aleppo, ne duhet të verifikojmë nëse kjo bëhet me koshiencë, pra në dijeni që ata janë civilë të pafajshëm, gjë e cila do të përbënte krim lufte”, ka thënë Johnson. Një autokolonë me 31 kamionë u sulmua natën e të hënës, duke lënë të vdekur 20 civilë. Autoritetet amerikanë besojnë se sulmi është kryer nga avionët luftarakë rusë, por Moska e ka mohuar një gjë të tillë. Johnson u pyet edhe për afatin kohor të procesit formal për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, “Britania ka shumë punë për të bërë para se të nisë procedurën formale të divorcit me Bashkimin Europian, por në momentin e nisjes – tha ai – vendi nuk do të lejojë zvarritjen e procesit”.

Tusk: Ballkani, i mbyllur për migracionin ilegal

Posted: 26 Sep 2016 05:53 AM PDT

Gardhe kufitare, burgime, dëbime, vendet përgjatë itinerarit të Ballkanit ka kohë që ndjekin politikën e izolimit ndaj refugjatëve. Tani krerët e qeverive takohen në Vjenë për ta konfirmuar edhe një herë këtë. Merkel shprehet në përfundim të samitit të Vjenës për refugjatët se ka progres në drejtim të luftimit të migracionit ilegal. “Qëllimi ynë është të ndalojmë sa të mundemi migracionin ilegal”, tha ajo. Merkel siguroi Italinë dhe Greqinë se Gjermania do të japë ndihmë në krizën e refugjatëve. Gjermania do të marrë në muaj disa qindra migrantë që kanë të drejtë qëndrimi, tha Merkel. Agjencia europiane e mbrojtjes së kufijve, “Frontex” pritet të zgjerojë kompetencat e saj. Edhe sipas vullnetit të Kryetarit të Këshillit të BE-së Donald Tusk nga samiti i dytë i refugjatëve në Vjenë duhet të dalë një sinjal i fortë. Tusk shpreh në samitin për refugjatët në Vjenë, se prioritet duhet të jetë sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së. Qëllimi duhet të jetë “rivendosja e kontrolleve efektive brenda BE-së”. Tusk e shikon samitin e Vjenës si një mundësi që “praktikisht dhe politikisht të sigurojmë që itinerari i Ballkanit është mbyllur përgjithmonë për migracionin ilegal”. Kryetari i Këshillit të BE-së Donald Tusk u shpreh në samitin për refugjatët në Vjenë, se prioritet duhet të jetë sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së. Qëllimi duhet të jetë: “rivendosja e kontrolleve efektive brenda BE-së”. Tusk e shikon Samitin e Vjenës si një mundësi për të “theksuar se itinerari i Ballkanit është mbyllur përgjithmonë për migracionin ilegal”. Si do ta zgjidhë Europa krizën e refugjatëve? Kjo çështje u vu në qendër të Samitit të Vjenës ditën e shtunë, ku morën pjesë krerët e qeverive të vendeve përgjatë itinerarit të Ballkanit. Ftesa ka ardhur nga kancelari austriak, Christian Kern (SPÖ). Në konferencën e Vjenës marrin pjesë kryeministrat e Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Shqipërisë, Hungarisë, Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë dhe Greqisë. E ftuar në Vjenë është edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel si edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk dhe eurokomisioneri për refugjatët, Dimitris Avramopoulos. Në samitin për refugjatët pikërëndesa është vënë te mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, dhe koncepteve të përbashkëta për sigurimin e tyre. Kancelari austriak, Christian Kern kërkon edhe rritjen e ndihmave për vendet nga vijnë refugjatët. “Me këtë ritëm si deri më tani nuk mund të jesh i kënaqur”, është shprehur Kern. Në konferencën e fundit të zhvilluar në Vjenë, në shkurt 2016, u vendos mbyllja e itinerarit të Ballkanit. Në samitin e Vjenës nuk u priten vendime kaq të rëndësishme, por edhe njëherë konfirmimi i politikës aktuale të këtyre vendeve, që në thelb është edhe fundi i një kulture të mirëseardhjes. /DW/

Bombardimi i Aleppos, Ban Ki-moon: Ditë e zezë për civilët

Posted: 26 Sep 2016 05:53 AM PDT

Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon është i tronditur nga përshkallëzimi i frikshëm ushtarak i situatës në qytetin e shkatërruar të Aleppos. Kështu deklaroi zëdhënësi i tij, Stefan Dujariç, i cili shtoi se Ban Ki-moon është i alarmuar nga raportet për sulme ajrore, ku janë përdorur bomba ndezëse dhe bomba antibunker. Qeveria siriane ka shtuar ndjeshëm sulmet ndaj qytetit rebel, që pas dështimit të armëpushimit të javës së shkuar. Në kuadër të kësaj situate, SHBA-të, Mb-retëria e Bashkuar dhe Franca kanë kërkuar një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit. “Që prej lajmërimit të dy ditëve më parë nga qeveria siriane, për nisjen e ofensivës për të rimarrë kontrollin e zonave lindore të Aleppos, kemi raporte për përdorimin e bombave ndezëse dhe armëve të përparuara si raketa antibunker. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mendon se kjo është një ditë e zezë për angazhimin për të mbrojtur civilët”, deklaroi zëdhënësi i Ban Ki-moon. Qyteti verior i Aleppos është bërë një fushëbetejë kyçe në luftën civile thuajse 6-vjeçare të Sirisë. Disa ditë më parë, kreu i OKB-së akuzoi drejtpërdrejt regjimin e Bashar al-Assadit se ka vrarë shumicën e civilëve në konflikt, por kjo nuk ka ndaluar aspak përleshjet. Përkundrazi, qeveria siriane tha se po shënon progres të madh kundër terroristëve, term me të cilin cilëson këdo që është kundër saj. Analistët thonë se, për sa kohë ekzistojnë mosmarrëveshje mes Amerikës dhe Rusisë, të cilat mbështesin palë kundërshtare në Siri, lufta atje do të vazhdojë derisa dikush të fitojë në terren.

Ekzekutohet me automatik vëllai i ish-kreut të Komunës Kaçinar

Posted: 26 Sep 2016 05:52 AM PDT

Agron Lisi

SARANDË- Aleksandër Bardhi (Doda), vëllai i ish-kreut të njësisë administrative Kaçinar të Mirditës, Petrit Bardhit, është ekzekutuar me automatik mbrëmjen e së premtes në fshatin Shëndëlli të Sarandës. Trupi i babait të dy fëmijëve është gjetur anës rrugës së këtij fshati rreth orës 00:35 të së dielës nga djali i xhaxhait të tij. Ka qenë ky i fundit, i cili e ka dërguar 47-vjeçarin në urgjencën e spitalit “Stefan Mekshi” të qytetit të Sarandës. Ndërkohë që mjekët e këtij spitali kanë konfirmuar se Aleksandër Bardhi kishte ndërruar jetë. Mësohet se viktima kishte marrë një plumb në rrëzë të kofshës së djathtë dhe se ka gjetur vdekjen për shkak hemorragjisë. Menjëherë pas sinjalizimit për vrasjen e mirditorit, forca të shumta të policisë së Sarandës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve. Pas kryerjes së hetimeve paraprake hetimore, blutë kanë vënë në pranga dy persona të dyshuar si autorë të krimit. Bëhet fjalë për shtetasit Gj.A., 15 vjeç dhe Fernando (Florin) Deda, 29 vjeç, të dy me origjinë nga Mirdita dhe banues në fshatin Shëndëlli. Ndërkohë, burime zyrtare nga blutë e qytetit bregdetar bënë me dije se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe se viktima ka qenë person me precedent penal. Mësohet se 47-vjeçari ka qenë i dënuar me 8 vite burg për veprën penale “Plagosje të rëndë me dashje”, ngjarje kjo e ndodhur disa vite më parë në Mirditë. Gjithashtu, edhe dy vëllezërit e tij, Petrit e Florian Bardhi janë persona me precedentë penalë.
VRASJA
Mbrëmjen e së dielës, Aleksandër Bardhi (Doda), i cili merrej me fruti-kulturë ka shkuar për të kontrolluar pompën e ujit në një parcelë në pronësi të tij në territorin e fshatit Shëndëlli të Sarandës. Gjatë kthimit për në shtëpi, ai është qëlluar për vdekje.
Nuk dihen ende rrethanat e vrasjes së 47-vjeçarit. Pas njoftimit për ekzekuti-min e babait të dy fëmijëve, policia ka ngritur postblloqe të shumta në vende kyçe, ndërsa ka shoqëruar 16 persona. Të shoqëruarit janë marrë në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprimtarinë e viktimës dhe rrethanat e ngjarjes. Vetëm pas disa orë hetimesh policia ka arrestuar shtetasit Gj.A. dhe Fernando (Florin) Deda. Ky i fundit u arrestua në vitin 2011 për trafik të mjeteve motorike, u lirua dhe më pas u dënua me 5 vite burg në mungesë (ishte në kërkim).
HETIMET
Falë hetimeve intensive, policia e Sarandës ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Burime pranë grupit hetimor dje deklaruan se 47-vjeçari Aleksandër Bardhi i ka kapur Dedën dhe Arapin duke vjedhur në plantacionin e tij të agrumeve dhe njëkohësisht duke transportuar lëndë narkotike. Po sipas të njëjtave burime, minoreni dhe shoku i tij e kanë qëlluar 47-vjeçarin për ta trembur (ngaqë i ka parë duke transportuar lëndë narkotike) dhe jo me qëllim për ta vrarë. Dy të arrestuarit akuzohen për “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automatik model 56, një krehër me 30 fishekë të kalibrit 7.62 mm si dhe 26 fishekë të tjerë të të njëjtit kalibër.

Plagoset me armë zjarri nipi i Aldo Bares dhe shoku i tij

Posted: 26 Sep 2016 05:52 AM PDT

LUSHNJE – Dy të rinj nga Lushnja janë plagosur me armë zjarri, ndërsa është shpallur në kërkim autori i krimit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në një nga lokalet këtij qyteti, që ishte i mbushur plot me klientë. Sipas bluve, të plagosur kanë mbetur shtetasit: Xhulio Shkurti 21 vjeç, nipi i Aldo Bares (Alfred Shkurtit) dhe Sajmo Xhelili 24 vjeç. Burimet e mësipërme pohuan se dy të rinjtë kanë qenë duke pirë kafe në pjesën e jashtme të lokalit së bashku me dy persona të tjerë. Por, mes tyre ka pasur një debat, gjë që ka tensionuar situatën. Më pas, njëri prej tyre ka shkuar në shtëpinë e tij dhe është kthyer me armë zjarri. Ky i fundit ka ndaluar automjetin pak metra larg lokalit dhe ka nxjerrë armën e ka qëlluar disa herë në drejtim të Shkurtit dhe Xhelilit. Për pasojë, ata kanë mbetur të plagosur. Ndërkaq, autori i krimit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Krismat e armëve kanë shkaktuar panik te qytetarët, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorit. Policia zyrtarisht bën me dije se të plagosurit kanë mbërritur në spitalin e Lushnjës rreth orës 16:15, me plagë në këmbë të shkaktuara nga një armë zjarri dhe se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pas plagosjes, blutë kanë nisur hetimet për zbardhjen e motivit të plagosjes së dy personave në fjalë. Mësohet se është identifikuar edhe autori i plagosjes së të rinjve dhe po punohet për kapjen e tij.

Precedentët e vëllezërve Bardhi, ja si u lirua nga burgu ish-kryekomunari i Kaçinarit

Posted: 26 Sep 2016 05:51 AM PDT

SARANDË – Në fillim të viteve ’90, familja Bardhi është zhvendosur me banim në fshatin Shëndëlli të Sarandës, ashtu si shumë mirditorë të tjerë. Petrit Bardhi për shumë vite ka qenë kryeplak i fshatit Shëndëlli, deri sa u zgjodh kryetar i Komunës Kaçinar në Mirditë dhe prej 2015-ës, administrator i kësaj njësie, gjithnjë nën siglën e Partisë Socialiste. Ndërkohë që Florian Bardhi është këshilltar në Bashkinë Konispol, nën siglën e FRD-së. Petrit Bardhi rezulton person me precedentë penalë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Ai është i njohur edhe për disa përplasje të dhunshme me policinë në Sarandë. Në vitin 2008, Petrit Bardhi u konfliktua me ish-shefin e Policisë Kufitare në Qafë-Botë. Ndërsa, në një tjetër rast bashkë me disa banorë të fshatit u konfliktua me forcat e policisë, të cilat shkuan ta shoqëronin pas një vrasjeje të ndodhur në fshat po në vitin 2008. Petrit Bardhi u arrestua më 6 shkurt të këtij viti, pasi ishte shpallur në kërkim në tetor të vitit 2015 për trafik të lëndëve narkotike. Një vit më parë, në banesën e tij u gjetën 424 kg lëndë kanabis, 3 mijë fishekë dhe 4 kallashnikovë pa leje. Ai u la i lirë nga Gjykata e Lezhës më 18 shkurt, pra 12 ditë pasi ishte arrestuar. Ndryshimi i masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie” u bë nga gjyqtari Ilir Përdeda. Ai pranoi kërkesën e palës mbrojtëse, sipas të cilës, 43-vjeçari vuante nga astma dhe gërhiste natën.  Edhe vëllai i tij, Florian Bardhi u arrestua në qershor të këtij viti për sasinë e drogës që iu gjet vitin që shkoi në banesë dhe më pas u la i lirë.

Related Posts :