Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Lefter Koka akuzon Dakon: Nuk bashkëpunon për mbetjet urbane” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Lefter Koka akuzon Dakon: Nuk bashkëpunon për mbetjet urbane” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Lefter Koka akuzon Dakon: Nuk bashkëpunon për mbetjet urbane

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Ministri i Mjedisit,
Lefter Koka kritikoi publikisht dje kryebashkiakun socialist të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako për mungesë bashkëpunimi me qeverinë. Koka ishte dje në Durrës, ku mori pjesë në aktivitetin me rastin e 12-vjetorit të krijimit të LSI-së. Së bashku me të rinj të LRI-së, ai mbolli dhjetëra pisha në këtë qytet. Në këtë përvjetor të LSI-së, Koka tha se në Durrës problemet mjedisore, si ndotja e ujërave të detit apo djegia e mbetjeve në fushë të hapur në Porto Romano, janë nga mungesa e bashkëpunimit të Bashkisë së Durrësit me qeverinë. I pyetur për gjendjen e fushës së mbetjeve urbane në Porto Romano, ministri Koka shprehu keqardhjen që menaxhimi i mbetjeve urbane vazhdon të mos ketë zgjidhje përfundimtare, pasi nuk ka bashkëpunim mes Bashkisë së Durrësit dhe qeverisë. “Projekte të ndryshme, problematika të ndryshme kanë gjetur bashkëpunimin dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare. Në rastin e Bashkisë së Durrësit, më vjen keq ta cilësoj, ky bashkëpunim nuk ekziston. Ne kemi një bregdet ku në matjet që bëri Agjencia Kombëtare e Mjedisit në fillim të sezonit ishte ndër më të përkeqësuarit, dhe kjo sigurisht nuk kërkon vetëm punën e bashkisë. Bashkia është një koordinator, kërkon dhe punën e të gjithë qytetarëve durrsakë”, – u shpreh Koka. “Bashkitë dhe kryetari e kanë të pamundur financimin, por kanë të mundur bashkëpunimin. Ajo që ndodh në Durrës, fatkeqësisht është që nuk është bashkëpunimi. Duhet bashkëpunim dhe një klimë më optimiste për qytetin e Durrësit”, – tha Koka.

Dy ish-deputetë të PS dhe Shpëtim Gjika tek PAA, Bello: Ja pse iu bashkuam Dukës

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Darina Tanushi

Disa socialistë të vjetër i
janë bashkuar dje
Agron Dukës në Partinë Agrare Ambientaliste. Ndërsa jemi futur në vitin elektoral, ish-deputetët Marko Bello, Gazmir Bizhga apo edhe ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u bashkuan dje me këtë parti. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, një prej ish-deputetëve dhe ish-ministri socialist, Marko Bello pohoi se ishte ftuar në këtë parti për të dhënë kontributin e tij. “Po, është e vërtetë që i jemi bashkuar. Na është kërkuar që të japim kontributin tonë në organizimin e Partisë Agrare, e cila do të ketë një dimension të ri”, – u shpreh Bello. Ish-deputeti socialist ka mbajtur poste të rëndësishme në kryesinë e PS-së, por edhe në qeveritë e saj. Shkëputja e tij me PS-në erdhi pasi u pozicionua hapur kundër kryetarit Edi Rama në lëvizjen e ashtuquajtur “LMN”, të drejtuar nga Ben Blushi. Pas kësaj ai nuk u kandidua më si deputet nga kryetari Rama, duke përcaktuar edhe largimin e Bellos nga strukturat drejtuese të PS-së. Gazmir Bizhga gjithashtu ka qenë një nga funksionarët e PS-së ndër vite, ndërkohë që PS-ja drejtohej nga Fatos Nano. Edhe largimi i tij erdhi në të njëjtën kohë kur shumë nanoistë u mënjanuan me ardhjen e të rinjve “proRama” në PS. Sa i përket ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, për të cilin u hap edhe një çështje penale, rrjedha e ngjarjeve ka qenë po njësoj. Prej vitesh atij i ishte besuar drejtimi i Bashkisë së Vlorës si përfaqësues i PS-së. Më pas ishte vetë Rama që e afroi edhe në kryesinë e partisë. Por më pas mes tyre pati mosmarrëveshje, të cilat krijuan ndarjen përfundimtare në fund, kur punët shkuan në dyert e drejtësisë. Të tre këta ish-socialistë të vjetër janë kërkuar nga Agron Duka për të kontribuar në një organizim të ri të agrarëve, e cila tashmë kërkon të forcohet si parti. Aktualisht Partia Agrare është në opozitë me Partinë Demokratike. Vetëm pak muaj më parë, themeluesi i PAA­së, Lefter Xhuveli u tërhoq nga politika, duke e lënë partinë e krijuar dhe drejtuar prej tij prej gati 25 vitesh në duart e Agron Dukës, që më parë ka mbajtur detyrën e ministrit të Bujqësisë. Ndër vite, agrarët e drejtuar prej Lufter Xhuvelit kanë qenë herë në koalicion majtas dhe herë djathtas. Vitet e fundit, PAA-ja, pasi u zhgënjye nga koalicioni me Ramën, u pozicionua me PD-në, kur kjo e fundit drejtohej nga Sali Berisha. Ndërsa tashmë agraro-ambientalistët do të drejtohen nga Duka, i cili duket se ka vendosur të afrojë rreth vetes edhe politikanë të vjetër. Ende nuk dihet se si do të pozicionohet në zgjidhjet e ardhshme parlamentare PAA-ja e Dukës, por ai ka vendosur që të organizojë strukturat në të gjithë vendin, shumë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat mund të jenë në qershor të vitit që vjen. Sipas sqarimit të Bellos, për shkak të përvojës së tyre të gjatë në politikë, do të mundësojnë hartimin e një programi shumëdimensional dhe të një strukturimi me të mirë të kësaj partie, e cila përfshin një masë të madhe popullore. Ndërkohë, Duka ka nisur takimet me qytetarë të ndryshëm, për të hapur sa më shumë anëtarësinë.

Sa të vrarë në Policinë e Shtetit!

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: BESNIK BAKIU

Para disa ditësh ra në krye të
detyrës punonjësi i policisë së
Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë,
inspektor Ardian Kodra. Në këtë
humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme është shumë e vështirë të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe kolegun e betejave në luftë me krimin, për të siguruar pak më shumë rend e qetësi në këtë Shqipëri hallemadhe, që ka kaluar jo pak trauma stabiliteti në këto 25 vite postdiktaturë.
Vdekja na e mori Ardianin, pabesisht e tinëzisht, kur më shumë se ai për ne, kishim ne më shumë nevojë për të. Këto nuk janë fjalë ngushëlluese në çaste dhimbjeje. Më shumë se fjalët, flasin vepra dhe veprimtaria e inspektor Ardian Kodrës, jo vetëm në Shkodër e Malësi të Madhe, por kudo jetoi e shërbeu.
I dashur Ardian, ti ike fizikisht nga kjo tokë e rrëmujshme, hileqare e zhurmshme. Edhe budallaqe… Thuhet se autori i vrasjes ishte i sëmurë mendor? E kujt i intereson kjo gjë? Nëse është i tillë, shteti ka struktura që paguhen me taksat tona (edhe të mijat, edhe të Ardianit e shokëve tanë) që duhet të përkujdesen dhe izolojnë atë. Pse nuk e benë? Nuk ishte rasti i parë, sa shpejt harruam që para jo më shumë se një muaji, një i sëmurë i tillë i mori jetën në mënyrë makabre një fëmije. Kur do reagojmë e parandalojmë? Kur të na vrasin e terrin të gjithëve?
Eh, miku im. Kot të flas për heroizmat, që ti së bashku me shokët e kolegët e tu keni bërë. Të gjithë në raste vdekjeje kështu flasim. Çfarë të duhen bëmat hileqare të kësaj bote?! Fëmijët duan babanë, nëna do birin, motra të vëllanë, shokët e kolegët duan shokun dhe kolegun. Askush nuk gjen ngushëllim për këtë humbje me faktin se faqet e gazetave dhe kronikat e televizioneve të hapen me ty, pavarësisht se me të drejtë të quajnë dhe bëjnë hero e dëshmor.
As mua nuk më ngushëllojnë këta tituj e ceremonira, pasi u bënë shumë. Numri i punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës është rreth 300 dhe gati po kaq janë të gjymtuar. “A është e nevojshme të kemi kaq shumë të rënë në krye të detyrës”? Ju të paharruarit tanë, ishit njerëz të thjeshtë e të përkushtuar në punë, ishit prindër, ishit bij nënash, ishit vëllezër, ishit shokë e miq të mirë. “Pse kjo shoqëri ju ktheu në Dëshmorë të Atdheut”?
Ndaj, sot, i pafuqishëm për të ndryshuar gjë, nuk më ngelet tjetër veçse të gjej ngushëllim te vargjet e Migjenit “0, si nuk kam një grusht të fortë/ t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,/ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët – /n’agoni të përdihet si vigan i vramë” dhe të akuzoj (dhe jo vetëm në emrin tim):
politikën, që e bëri krimin e organizuar dhe pandëshkueshmërinë si karakteristika të vazhdueshme të tranzicionit; për fjalorin agresiv në luftën e tyre politike, inkriminimin verbal që i bëjnë njëri-tjetrit për lidhje me trafiqet më të zeza në rajon, mbështetjen që kërkojnë te krimi për të ardhur apo mbajtur pushtetin, për grabitjen që i është bërë pasurisë publike në këtë postdiktaturë, e shumë të tjera, që duhet një natë dimri t’ia numërosh..
Sistemin e drejtësisë, i cili ka tradhtuar me kohë vetë drejtësinë. Është prokuroria që nuk i kopsit mirë çështjet, madje (në jo pak raste) harron edhe elementaren, zbatimin e afateve procedurale. Janë gjykatat, “biznesi” më fitimprurës dhe më i suksesshmi në Shqipërinë postdiktatoriale, ku konvejeri i pashtershëm i gjyqeve, seancave të pafundme, alibive dhe kundëralibive nga avokatë e sekserë të krimit, që përfundojnë në rastin më të mirë me dënimin e butë të tyre, për të riprodhuar cirkuitin e pafund të kërkesave amnistale.
Shoqërinë shqiptare, për mungesën e ndjeshme të kulturës demokratike dhe qytetare, ku kultura ligjzbatuese është shumë e mangët dhe shkelësit e ligjit janë në mazhorancë, ku denoncimi i krimit keqkuptohet si akt spiunimi dhe jo si gjest i pastër qytetar. Megjithëse jemi dëshmitarë të krimit, edhe pse ai gjallon para syve tanë, ne heshtim ose e shumta mbytemi para filxhanit të kafesë apo rakisë në “vajtime private”. Bëjmë kritika dhe presim që dikush tjetër nga jashtë të verë dorën dhe të frenojë krimin. Nuk mund të kemi sukses, pa një reagim qytetar kontestues, dëshirë për ta luftuar atë publikisht dhe frontalisht. Mungesa e përgjegjësisë qytetare dhe indiferentizmi janë aleatë të fortë që ndihmojnë lulëzimin e krimit. Ky është një mësim i madh, që vjen nga vende dhe popuj të qytetëruar, të cilët kanë bashkuar angazhimin qytetar me funksionimin e institucioneve të specializuara në luftën kundër krimit… “Shoqëritë e pacivilizuara prodhojnë më shumë krim”.
Nisur nga ajo që thotë Emil Zolaja, se “nëse e varrosim të vërtetën, ajo do të rritet nën dhe, derisa të shpërthejë duke shkatërruar çdo gjë që i del përpara”, ka ardhur koha (madje mos është vonë) që të shohim përtej ngushtësisë së interesave personale, të ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë që mbajmë për veprimet dhe mosveprimet tona. Prandaj dhe unë sot i apeloj: qeverisë, të rrisë vëmendjen ndaj trajtimit të policisë. Megjithëse mbi 2 vite që ka hyrë në fuqi ligji i ri i Policisë së Shtetit, akoma nuk janë miratuar aktet për trajtimin financiar të punonjësit të policisë, procedurat e përfitimit të pushimeve, të drejtat për përfitim kredie me interesa të butë, kompensimin për strehim, sigurimi i jetës, mbrojtja e veçantë, etj.
Personalisht, më kryesorja mendoj se do të ishte miratimi i ligjit për përfitimin e pensionit të parakohshëm suplementar, pensionit të shërbimit, i cili jo vetëm do të krijonte siguri jetese të punonjësit aktual të policisë (të trembur pas çdo rotacioni politik apo ministror), por do të ndikonte në uljen e moshës mesatare të kësaj organizate.
Është për t’u përshëndetur dhe inkurajuar këmbëngulja e ministrit të Brendshëm për t’i kërkuar kryeministrit përmirësimin e trajtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Më vjen të ulëras kur shikoj që kryefajtorëve do t’u rritet ndjeshëm dhe në mënyrë të pajustifikuar, trajtimi ekonomiko-financiar, kurse policët e shkretë do të vazhdojnë në varfërinë e vet dhe të “punësojnë fëmijët edhe në grumbullimin e plehrave”.
Opozitës (duke e mirëkuptuar në luftën politike të saj) që të mos e bëjë policinë target të kësaj lufte.
Kolegëve dhe miqve të mi punonjës policie të duam, mbështesim dhe respektojmë njëri-tjetrin. Çdo organizatë në botë, sidomos ato policore, kanë si parim bazë të ekzistencës tyre, vlerësimin dhe respektin ndaj anëtarëve të vet.
Misioneve të huaja policore (duke qenë mirënjohës për ndihmën e dhënë), të jenë më aktivë dhe konkretë në ndihmën e dhënë dhe të mos përdoren për markimin e gabimeve të politikës ndaj policisë. Të jenë më të drejtpërdrejtë, pasi janë misione policore dhe jo diplomatike.
I bëj këto apele, Ardian edhe në respekt të veprës dhe kujtimit tënd, pasi gjatë gjithë këtyre vite tranzicion, krimi na është bërë pjesë e gjithëpranuar e “suksesit” dhe mjetet kriminale të pasurimit nuk dënohen si të pamoralshme nga shoqëria.
I dashur Ardian, duke më mirëkuptuar për sa thashë më sipër, në këtë kohë dhimbjeje për humbjen tënde, pasi jam i bindur që edhe ti kështu mendoje, dua të them se ne, punonjësit e policisë, të gjithë ndjehemi krenarë për emrin dhe veprën tënde. Ti na le edhe mesazhe të larta qytetarie. Në çdo vend ku shkele, në çdo hap të jetës së tende, kudo, qysh fëmijë e deri në pafundësi, bëre shokë e miq. “Nuk ka trim më të madh e burrë më të mençur se ai që di të bëjë vetëm miq”. T’u preftë shpirti në parajsë, i dashur Ardian!

“Koalicioni PS-LSI”, Rama: Ka shumë kritika e ankesa, po pres takimin me Metën

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Darina Tanushi

Kryeministri Edi Rama
deklaroi dje, se
shumë shpejt do të ulet të bisedojë me aleatin e tij, kryetarin e Kuvendit dhe të LSI-së, Ilir Meta për mandatin e ardhshëm të koalicionit qeveritar. Në një intervistë për TVSH, nga Sllovenia, Rama u shpreh se “për sa i përket mandatit të ardhshëm, unë e kam thënë dhe do e përsëris, që është koha dhe shumë shpejt ne do të ulemi për të diskutuar në mënyrë të hapur, gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me bilancin e deritanishëm, lidhur me sfidat e kësaj faze të fundit të mandatit dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme për të pasur qartësi të plotë, jo vetëm mes nesh, por dhe me publikun mbi ecurinë e mëtejshme, për të mos konsumuar energjitë e njerëzve me gjëegjëza që mund t’u vlejnë vetëm atyre që jetojnë përditë me krijimtarinë e botës së informacionit, por nuk u vlejnë të tjerëve”. Pyetjes se kur do jetë i afërt takimi me Metën, Rama shtoi: “Është koha, dhe ne po presim për këtë”. Sipas kryeministrit, “ka shumë kritika, rezerva, ankesa, në rutinën e përditshme për funksionimin e koalicionit etj., etj. Por, nëse do të merrnim pak distancë dhe do të shikonim të gjithë panoramën e këtyre tri viteve të para të bashkëpunimit tonë, do të shikonim që ky koalicion dhe kjo shumicë qeverisëse ka bërë reforma që nuk janë bërë për 20 e kusur vite, dhe ka siguruar ecjen hap pas hapi në këtë rrugë reformash me probleme minimale, në kuptimin e kompaktësisë. Dhe kjo është një gjë shumë e madhe”. “Pra, – shtoi Rama, – ka shumë gjëra për të përmirësuar në funksionimin e përditshëm të koalicionit, por ka një gjë të rëndësishme për të vlerësuar për këtë koalicion, që është kapaciteti për të garantuar një program serioz reformash shumë të thella, që hap pas hapi do na japin rezultate të dëshiruara dhe do e bëjnë koalicionin të vlerësohet pozitivisht përtej problematikave që, sigurisht janë e kërkojnë adresim.”
FORUMI
Prej dy ditësh, kryeministri vizitoi Slloveninë, ku dje ishte panelist kryesor në Forumin Strategjik të Bled-it, së bashku me Presidentin e Sllovenisë, Presidenten e Kroacisë dhe Kryetarin e Senatit të Kanadasë. Në Forum u angazhuan vendimmarrës në nivele të ndryshme, politikanë, ekspertë të sigurisë dhe opinionistë. Forumi, i cili u lançua në vitin 2006 për të promovuar dialogun e hapur mbi sfidat e kohës, politike, të sigurisë dhe zhvillimit, debatoi mbi qasjen e vendeve dhe shoqërive ndaj tyre. Këtyre sfidave, në këndvështrimin e kryeministrit Rama, duhet t’u përgjigjen institucione kombëtare adekuate dhe mund të përballen e kontrollohen me më shumë ndërveprim në nivel global. “Është e pamundur, – tha kryeministri, – në nivel kombëtar të zgjidhim probleme që janë gjithnjë e më shumë globale. Ne duhet të kuptojmë se, sa më shpejt të shkojmë drejt zgjidhjeve të përbashkëta dhe sa më shpejt të reformojmë institucionet tona kombëtare në mënyrë që të përballen me ndryshimin që ka sjellë globalizimi, aq më mirë është”. Zërat për braktisjen e projektit europian, kryeministri i cilësoi si mungesë vizioni mbi botën e sotme. Askush, në vlerësimin e kryeministrit, “nuk mund të ndërtojë një vend më të sigurt në shtëpi, nëse nuk do të jemi të ndërlidhur”. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria beson te Bashkimi Europian dhe nuk ka nevojë për referendum për t’iu bashkuar BE-së. “Është si të bësh një referendum në lidhje me faktin nëse duam të jetojmë në histori, apo të dalim nga historia”, – u shpreh ai.

Basha: Kenedy ka thënë që kush s’lejon ndryshimin paqësor, hap rrugë për ndryshim të dhunshëm

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Eni Vasili

Kreu i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi mbrëmë mazhorancën qeverisëse nga emisioni “Studio e Hapur” të gazetares, Eni Vasili në NEËS 24 se, nëse guxojnë të prekin qoftë edhe një votë në Dibër, do të përballen me irritimin e shqiptarëve. Madje Basha i kujtoi kryeministrit Rama një thënie të Jon Kerry-t: “Kush nuk lejon ndryshimin paqësor, hap rrugë për ndryshim të dhunshëm”. Për afro dy orë, kreu i opozitës foli për prishjen e konsensusit për ligjin e vetting-ut, mundësinë e aleancës së re me Ilir Metën, kërkesën për qeveri teknike dhe përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kreu i PD-së iu përgjigj pikëpyetjeve të shumta që la pas një sezon i tërë politik, siç ishin idetë për zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike, apo paralajmërimi për protesta dhe revolta popullore.
Z.Basha, të ndalemi te fushata zgjedhore në Dibër. Çfarë i konsideroni këto zgjedhje, një lakmues për zgjedhjet e ardhshme?
Këto zgjedhje janë zgjedhjet e dibranëve në radhë të parë. Kam parë një situatë shumë të rëndë atje. Një varfëri e tejskajshme. Aty përballen dy modele. Modeli i pushtetarëve, i të pasurve, të cilët duan të zgjedhin një kukull për të vazhduar të qeverisë krimi, për të marrë tendera si Sadri Abazi. Këto janë zgjedhjet sot në Dibër. Bëhet fjalë për dy koncepte se si do të jetë nesër jo vetëm Dibra, por mbarë Shqipëria. Por sot kam një lajm të mirë, që dibranët duan të votojnë kandidatin që do të jetë në shërbim të tyre dhe ata e kanë pritur shumë mirë z.Sherefedin Shehun. Edhe të majtët po i bashkohen PD-së dhe fushatës së z.Shehu. Socialistët dibranë nuk duan t’ua dorëzojnë vendin e tyre bandave dhe krimit. Unë i pyeta socialistët se pse e bëjnë këtë gjë dhe më thanë: “Urrejtja”.
Flasim për votimin e fundit në parlament, votimin për vetting-un, një moment që prishi konsensusin e madh të 140 votave. Çfarë do të bëni me këtë ligj, do ta çoni në Kushtetuese?
Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi një produkt që u shërben shqiptarëve: reforma në drejtësi. Tani ky proces që vazhdon nuk është politik, por legjislativ dhe kushtetues. Ndonëse mazhoranca është zotuar të punojë me konsensus, ne punuam me intensitet gjatë verës, argumentet u hodhën poshtë, pra komprometuan procesin. Ndaj kësaj ne reaguam me qëndrimin tonë. Pjesa tjetër do vijojë në rrugë normale. PD-ja është shprehur pro vetting-ut, SPAK-ut, BKH-së, thelbit të reformës. Po nuk mund të pranojmë që të marrë me votat e Armando Prengës me shokë atë që i ndalon Kushtetuta. Ne do të ndjekim të gjitha rrugët kushtetuese që çdo ligj të jetë në përputhje me Kushtetutën.
Ligji i vetting-ut e kishte marrë bekimin e EURALIUS dhe OPDAT…
Bekim apo jo bekim, nuk e japin EURALIUS dhe OPDAT. E dha Papa. Hartimi i këtyre ligjeve i fut ata në llagane antikushtetuese.
A do të preket politika, zoti Basha? Trembeni për veten tuaj? Se ju kanë akuzuar për “Rrugën e Kombit”, apo “21 janarin”…
Politikisht do ta quaja dështim total nëse politika nuk preket. Ne sot kemi ardhur për shkak të krizës, pasi elita ka tradhtuar interesat e njeriut të thjeshtë.
Sipas jush, ata që do preken të parët janë mazhoranca…
Një gjë e gabuar është që këtu bëhet orakulli. Sistemi i drejtësisë nuk ta lejon këtë. Është absurde që të pyesë gazetari “a do të ketë arrestime?”.
Ambasadori Lu e ka thënë ketë…
Do kalojmë edhe aty. Të gjithë politikanët duhet të përballen me konsekuencat ligjore. Zbatimi i reformës në drejtësi mund t’i hapë derën Shqipërisë për një shtet funksional. Ku i forti, qoftë kriminel, të marrë atë që i takon para ligjit.
Kjo nuk do ndodhë më thoni ju…
Jo, ajo që them unë është se me atë që votuam në 22 korrik, e kemi mundësinë që të hyjmë në rrugë të mbarë. Me këto aforizma apo fabula, nëse do të arrestohet ndokush, këtë do ta vendosë gjykata. Kjo rrugë duhet të vazhdojë. Ndaj, sfida kryesore e vendit tonë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Makthi i politikanëve të korruptuar janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
I keni rikuperuar marrëdhëniet me ambasadorin Donald Lu?
Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ai është një diplomat i shkëlqyer, unë një politikan karriere. Nuk kam pse të amnistohem unë. Jam rivendikuar. Më është dhënë të drejtë; PD-së dhe Lulzim Bashës, dhe gjithë qëndrimeve që kemi mbajtur. Ndaj në kolazhin tuaj mungon deklarata e PPE-së. PD dhe roli i PD, në përcaktimin e amendamenteve kushtetuese ka qenë përcaktues. Kemi marrë vlerësime për këtë. Ndaj, rëndësi ka rezultati.
Ka pasur momente të tensionuara?
Ka pasur shumë momente të tensionuara. Por marrëdhëniet me ambasadorin amerikan janë të shkëlqyera. Nuk pranova asgjë që nuk do ta pranonit amerikanët. Kjo çoi në një produkt me 140 vota. Atëherë nuk ka vlerë të merresh si arritëm këtu.
A jeni të zhgënjyer nga disa zëra kundër në grupin parlamentar?
Përkundrazi, kam mirënjohje për grupin parlamentar. Kemi pasur debate shumë të nxehta, por në fund të çdo debati vendimet kanë qenë unanime.
Ka pasur deklarata publike… Ka pasur deputetë që thoshin “do e votojmë” kur ju thoshit “do djegim mandatet”…
Është interpretimi juaj. Kam thënë, “nëse blihet një votë e vetme, ky është fundi i parlamentit”. Grupi ka pasur debate, dhe kjo është shenjë e një kulture të re që po forcohet në PD. S’mund të jemi një parti e gojëve të mbyllura.
Vetting-u u miratua vetëm me votat e mazhorancës, Meta nuk foli më pas asaj dite për konsensus. Mendoni se ju tradhtoi Meta?
Meta s’ka se si ta tradhtojë PD-në. Është aleat i Ramës. E përshëndeta pasi mbajti një qëndrim të arsyeshëm për t’u dhënë shqiptarëve një reformë me bashkëpunimin e të gjitha partive politike. Nuk i bëri një shërbim PD-së, por i bëri një shërbim Shqipërisë. Edhe në këtë moment ka qenë aleat i koalicionin qeverisë.
Pas takimit me Ilir Metën në Rinas…
S’e kam takuar z. Meta në Rinas, jemi gjendur në një sallë. Takimi i fundit ka qenë më 12 qershor.
A keni lënë ndonjë bisedë të hapur me z.Meta?
Jo, nuk kam lënë ndonjë bisedë të hapur. Çfarë doni të thoni?
Do të bëni koalicion me Metën?
Koalicioni i PD duhet të mbushë dy vlera, që t’i përballet alternativës sonë, të dhënies pushtet qytetarit, përmes rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës të partive politike. Të një sërë çështjes që do të jenë objekt diskutimi. Pyetja është: A është Meta për krimin dhe korrupsionin? Por ai qeveris me Ramën. Duhet të përmbushë kushtet tona. Duhet të kthejë besim dhe shpresë te qytetarët, por e kanë humbur.
A do bashkëpunoni me Ilir Metën, këtë duan të dinë shqiptarët?
Nuk duan të dinë shqiptarët këtë. Por a kanë shans të qeverisen nga njerëz të përgjegjshëm, si i zgjidhin problemet e tyre, se si t’ua bëjnë jetën më të lehtë dhe jo t’ua vështirësojnë atë. Misioni ynë është t’u shërbejmë qytetarëve. Janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Kush bashkohet me këtë, është i mirëpritur në koalicion me Lulzim Bashën. Nuk kanë rëndësi numrat, por vlerat.
Kanë rëndësi edhe numrat…
Jo, nuk kanë rëndësi. Unë po flas për vlerat. Po flas për një qeveri qe dhunon qytetarët, i zhvat ata, i rrjep ata. Dhe pyetja e madhe është: Si mund t’i japim fund kësaj gjendjeje. Nuk është çështje emrash dhe mbiemrash por çështje vlerash. Kushdo që i bashkohet kësaj është i mirëpritur te ne. PD dhe Lulzm Basha po ndërton një koalicion vlerash.
Kemi një karikaturë të z.Bujar Kapexhiu që ju jeni duke zgjatur dorën për të marrë njerëz nga e majta…
Bujar Kapexhiu është karikaturist i përmasave globale, por ideja e tij është vazhdim i telenovelave turke. Burimi i pastër, por turbullohet rrugës. Unë fola për vlerat.
Pra ju nuk e mirëpritni Ilir Metën?
Ajo që kërkon Shqipëria është koalicion vlerash. Kërkojmë të fuqizojmë pushtetin e qytetarëve dhe jo atë të zullumqarëve. Kjo vlen për çdo parti, duke përfshirë edhe Ilir Metën meqenëse e përmendët. Nuk duhet të ketë lidhje me krimin. Ne jemi për qytetarët dhe jo për pushtetin e drogës.
A do të vazhdoni ju të kërkoni një qeveri teknike, dhe si do ta arrini këtë pasi Ilir Meta e tejkaloi këtë?
E kam kërkuar unë dhe i qëndrojmë sërish, sepse Tahiri me Ramën nuk janë dhe nuk do të jenë në gjendje të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo pasi ata janë vetë të lidhur me krimin. Ndaj e kemi kërkuar një qeveri teknike që të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, zbatimin e ligjit elektoral.
Përse dy parti politike të spektrit të majtë, PS dhe LSI, duhet të lëshojnë pushtetin dhe t’ju lejojnë ju?
Thirrjen e kam bërë në kushtet e në një situate të vështirë, që është e vetmja mënyrë për të ruajtur ashtin e demokracisë, është krijimi i një qeverie teknike. Rast pas rasti kjo qeveri jo vetëm që është treguar e pagatshme për zgjedhje të lira, por përkundrazi, i ka dhunuar ato. Duke përfituar nga bojkoti i opozitës amnistuan ata që vodhën votat në Korçë. Ndaj është elementare që të kërkojmë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nëse nuk ka qeveri teknike, do të hyni në zgjedhje?
Unë nuk flas me “nëse”. Përgjigjja që dhashë ishte e qartë. Unë besoj shqiptarët do të bashkohen rreth nevojës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ju, do të hyni në zgjedhjet e 2017-ës?
Ne do të realizojmë koalicionin më të madh. Çdo shqiptar që ndihet i kërcënuar, do të jetë në krah të opozitës. Unë po flas për gjendje reale. Kemi një Shqipëri të shqetësuar për fëmijët e tyre. Shqiptarët e kuptojnë këtë, ndaj roli i opozitës është që t’i ndërgjegjësojë shqiptarët që kjo nuk është rastësi, por është produkt i kësaj qeverie. Ndaj duhet të shpërfilljet dhe të ngrihemi edhe me protesta, pasi është çështje e stabilitetit në vend. E ka thënë Jon Kerry: Kush nuk lejon ndryshimin paqësor, hap rrugë për ndryshim të dhunshëm. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e kultivuar me kanabis, dhe ky është produkt i Edi Ramës.
Cili do të jetë aksioni opozitar? Do të mjaftoheni me largimin e një ministri?
Po pse, çështja është për largimin e Tahirit?! Ai është një levë e Ramës! Zgjedhjet e lira janë në rrezik. Aksioni më i rëndësishëm i opozitës dhe shqiptarëve janë zgjedhjet e lira dhe dekriminalizimi.
Ç’po bëhet me dekriminalizimin?
Ligji nuk po zbatohet. Shteti ligjor ka rënë. Është një shtet i inkriminuar në palcë.

Ndryshon buxheti, Ahmetaj: Po shlyejmë detyrimet e Transporteve

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ornela Manjani

Detyrimet e krijuara
rishtas për punimet
në rrugë nga Ministria e Transporteve kanë shërbyer për debate brenda mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë. Kreu i Komisionit, Erjon Braçe i ka kërkuar ministrit të Financave të japë shpjegime në lidhje me bllokimin e punimeve në tri prej akseve kryesore në vend, në rrugën Tiranë-Elbasan, në “baypass”-in e Fierit dhe atë të Vlorës. Kreu i Financave publike ka pohuar se po punohet për zgjidhjen e ngërçit mes kontraktorëve dhe nënkontraktorëve, si dhe ka pohuar se Ministria e Financave po shlyen detyrimet e krijuara rishtas nga Ministria e Transporteve për punimet në rrugë. Fondi i vënë në dispozicion, që është pjesë e ndryshimeve të buxhetit të këtij viti arrin deri në 1.1 miliardë lekë shtesë. Ndërkohë, në ndryshimet buxhetore të miratuara dje vetëm me votat e mazhorancës është miratuar ulja e të ardhurave me 3 miliardë lekë, ku pjesën kryesore e shkurtimet e të ardhurave nga buxheti vendor dhe të ardhurave nga dividentet. Ahmetaj theksoi se të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë parashikuar të mbeten në të njëjtat nivele me ato të fillimit të vitit, ndërkohë që është parashikuar ulja e borxhit me paratë e privatizimit të INSIG. Në lidhje me rritjen e pagave, ministri i Financave tha se edhe pse në buxhet nuk është parashikuar një zë i veçantë rritje pagash, ndryshimet fiskale kanë reflektuar një rritje të tyre deri në masën 7.3%.
Ndryshimet në buxhet
Në buxhetin e rishikuar të ardhurat janë ulur me 4.4 miliardë lekë, në buxhetin e shtetit ishin parashikuar në masën 418 894 miliardë lekë dhe në buxhetin e rishikuar janë 414 494 miliardë lekë. Ndërsa shpenzimet janë shkurtuar me 3.1 miliardë lekë, në buxhetin e vitit 2016 ishin parashikuar në masën 453, 325 dhe në buxhetin e rishikuar janë 450, 224 miliardë lekë.
Kompensimi i pronave
Rishikimi i buxhetit ka sjellë një rrije prej 600 milionë lekësh të fondit të kompensimit të pronave. Në buxhetin e vitit 2016 ishte parashikuar që shpenzimet për kompensimin e pronarëve të ishin në vlerën 3 miliardë lekë, ndërsa me buxhetin e rishikuar fondi shkon në 3,6 miliardë lekë.
Fondi rezervë
Fondi rezervë i buxhetit ishte 1 miliard lekë, ndërsa me rishikimin e buxhetit ka shkuar në prej 1,6 lekë dhe do të përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Fondi i kontingjencës prej 2 200 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave për ekzekutimin e pagesave për detyrime ndërkombëtare, si dhe për shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese.
Deficiti
Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit është 35,7 miliardë lekë, nga i cili 2,6 miliardë lekë financohet nga të ardhurat e privatizimit. Huamarrja totale nga burime të brendshme dhe të huaja është 33, 1 miliardë lekë. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare, ose nga shkurtimi i shpenzimeve.

12-vjetori i LSI, Meta mbjell pemë: Marrëveshjes me PS i kemi qëndruar me korrektesë

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Darina Tanushi

Kreu i Kuvendit,
njëherësh edhe kry
etar i LSI-së, Ilir Meta deklaroi dje, se LSI-ja i ka qëndruar marrëveshjes së Shkodrës me PS-në dhe i qëndron me shumë korrektesë. “Besoj që LSI-ja ka marrë gjithmonë vendimet e duhura, dhe vendimi i saj për këtë koalicion mendoj se ka qenë i drejtë dhe shumë luajal edhe në raport me PD-në. LSI-ja zgjodhi të kalojë në opozitë para zgjedhjeve. Natyrisht, kalimi në opozitë mund të kishte efekte të tjera. Pra LSI-ja mund të mbetej në opozitë, dhe kjo do të ishte fare normale, sepse në demokraci duhet të respektohet çdo vendim i qytetarëve shqiptarë. Në këtë drejtim, LSI-ja i ka qëndruar marrëveshjes së Shkodrës dhe i qëndron me shumë korrektesë”, – deklaroi dje Meta për “Ora News”. Ai theksoi se kërkesa për rezultate nga qeveria dhe institucionet është gjithmonë e më shumë në rritje. Në lidhje me ndryshimin e ministrave, Meta u shpreh: “E theksoj edhe njëherë tjetër, që kjo është një përgjegjësi që në radhë të parë i takon kryeministrit, por më e rëndësishmja është që gjithë drejtuesit e qeverisë, të institucioneve, çdo ditë të jenë gjithnjë e më me kërkesa për rezultatet që ata duhet të sjellin në drejtimin e tyre. Pasi kuptohet që jemi në një moment të rëndësishëm të zbatimit të disa reformave që janë miratuar, por edhe të vazhdimësisë së shumë të tjerave. Nuk është fatkeqësi të mos jesh ministër, kryetar parlamenti apo mos të jesh në ndonjë pozitë pushteti. Fatkeqësi është të mos kesh bukë për fëmijët. Fatkeqësi është të mos kesh një shtëpi. Fatkeqësi është të mos i çosh në shkollë fëmijët, të mos kesh mundësi që t’i çosh në ambiente për t’u mirëedukuar dhe për t’u përgatitur për të ardhmen. Ndërsa të jesh ministër, të jesh në pushtet, do të thotë përgjegjësi dhe të japësh shembullin më të mirë për të bërë maksimumin për qytetarët tanë, sidomos për ata që kanë më shumë nevojë. LSI-ja prioritet ka pasur dhe do të ketë më shumë të ardhmen, interesin publik dhe interesin e qytetarëve të thjeshtë, sepse të privilegjuarit nuk kanë nevojë për LSI-në”, – u shpreh Meta për dorëheqjen e Haxhinastos. Ndërsa, i pyetur nga gazetarët pas një aktiviteti për mbjelljen e pemëve në Farkë, me rastin e 12-vjetorit të krijimit të LSI-së, Meta tha se brenda koalicionit ka frymë bashkëpunimi. “Patjetër, kjo frymë bashkëpunimi është kudo, që këtu në Farkë ku jemi. Kjo frymë bashkëpunimi është brenda koalicionit. Kjo frymë bashkëpunimi është edhe jashtë koalicionit, me të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë, sepse bashkëpunimi nuk duhet të njohë kufij. Ndërsa zgjedhjet politike, pozicionet politike, u takojnë qytetarëve shqiptarë që t’i vendosin, dhe ne duhet t’i respektojmë”, – u shpreh Meta. “Për LSI-në sot nuk është e rëndësishme se si do të dalin zgjedhjet e tjera. E rëndësishme është ku do të jetë Shqipëria në zgjedhjet e qershorit 2017, dhe për këtë qëllim LSI-ja është shumë e përqendruar aktualisht dhe në muajt që vijnë. Në radhë të parë, në ecurinë e suksesshme të reformës në drejtësi. Në ecurinë e suksesshme të gjithë reformave të tjera përveç asaj në drejtësi, që janë kyçe për integrimin evropian të vendit”, – tha Meta. Gjatë intervistës, kreu i LSI-së u shpreh se gjatë qëndrimit në PS ka pasur mundësinë të ishte edhe kryetar i PS-së.

NJË KOMEDI ALLA ITALIANE NGA SHQIPËRIA

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Revista e njohur italiane
“Internazionale.it” boton një shkrim mbi romanin “Një ëndërr italiane” e shkrimtarit Ylljet Aliçka! Në një analizë që i bën botimit të romanit “Një ëndërr italiane” (Rubbettino editore) kritiku Goffredo Fofi në revistën italiane “Internazionale.it”, ndër të tjera shkruan: “Menjëherë të shkon mendja se çfarë filmi do nxirrnin nga ky roman Age& Scarpelli (skenaristët e njohur të filmit ‘Il Postino’, si dhe shumë filmave të njohur të neorealizmit…) apo si do e realizonte vetë regjisori Mario Moniceli këtë roman, me kusht që në këtë rast të bëhej më cinik a më agresiv.
Ngjarjet e këtij romani nisin në njëzetvjeçarin e fundit të shekullit të shkuar, pjesa e parë në Shqipëri dhe e dyta në Itali”. Ai shton se në fakt bëhet fjalë për një stil ironik (alla shqiptar dhe njëkohësisht alla italian), që e merr ngacmimin nga një histori reale, ajo e një familjeje shqiptare që sapo ndërroi jetë Enver Hoxha, kërkuan azil në ambasadën shqiptare në Tiranë. Sipas tij, pjesa e parë e romanit tregon qëndrimin e motrave dhe vëllezërve të kësaj familjeje dhe konfuzionin diplomatik që provokoi kjo ngjarje në Shqipërinë posthoxhiste dhe Italinë e Craksit dhe Andreotit, teksa në pjesën e dytë tregohet mbërritja e tyre në Itali, pas rënies së murit të Berlinit dhe odiseja burokratike në realitetin e ashpër të azilkërkuesve.
Fofi shton se sado që e hidhur, romani të bën të qeshësh, sepse kjo ngjarje nxjerr në pah anët më absurde dhe në të njëjtën kohë më “normale” të botës ku jetojmë, si të historisë së re, ashtu edhe kohës së sotme, mes burokratësh e politikanësh nga njëra anë dhe viktimave të frustruara të çoroditura, duke ballafaquar kësisoj ligësitë spekulative të komunizmit dhe kapitalizmit. Aliçka është dhe diplomat karriere, por ashtu si dhe në përmbledhjen me tregime “Parullat me gurë (Guaraldi editore-2006), ai di se çfarë të thotë, di të vëzhgojë dhe gjykojë absurdin e historisë”.

PD: Nuk keni shtruar as edhe 1 metër rrugë. PS: Në pushtet s’vihet me shpifje

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Deputetët e PD-së në Komisionin parlamentar të Ligjeve akuzuan dje qeverinë se ka shpenzuar miliona euro për projekte luksi, ndërkohë që nuk ka ndërtuar asnjë metër rrugë duke lënë në mes dhe projektet e trashëguara nga qeveria e demokratëve. Shkak i debateve u bë marrëveshja për financimin e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e rrugës së vjetër që lidh Tiranën me Durrësin dhe disa akse të tjera në vend. “Nuk ka filluar një rrugë të vetme. Për 3 vjet janë bërë vetëm palma. Pa pikë turpi i kërkojmë qeverisë italiane 2 milionë euro për të bërë studimet se nuk kemi para. Turp”, – u shpreh demokrati, Eduard Halimi. Por në replikë ndaj këtyre akuzave, deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia deklaroi duke iu drejtuar kolegëve të PD-së se “ju po tentoni të vini në pushtet vetëm duke bërë deklarata të tilla duke kryer rolin e atyre që thonë se këtu gjithçka po shkon rrëmujë por të jeni të bindur se do zhgënjeheni dhe zhgënjimin e rradhës do e merrni që nga Dibra”, – u shpreh ai. Ndërkohë ligjëvënsit e mazhorancës dhe opozitës debatuar edhe për situatën e kultivimit të kanabisit në mbarë vendin. Shkak u bë projektligji për aderimin e Shqipërisë në Konventën Evropiane të Peisazheve. “Kërkojmë miratimin e një konvente me demek që qeveria do të mbrojë biodiversitetin kur e gjithë Shqipëria  është shndërruar në drogë”, – u shpreh Halimi.

Robert Ndrenika, ministres: Po e shembët teatrin, nuk do të tretem në gropë, por do të shtrihem atje

Posted: 07 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nëse ndodh që godina
e teatrit shembet, unë nuk do të tretem në gropë, por do të shtrihem atje”. Kjo mësohet të ketë qenë deklarata që aktori i njohur Robert Ndrenika ka bërë para ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, mbrëmjen e së hënës ndërsa janë gjendur në të njëjtën tavolinë në teatër “Kame” në Ibë. Mediat raportojnë se ‘deklarata’ është bërë gjatë një bisede joformale, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Ministrja është takuar me aktorin e njohur në teatër “Kame”, gjatë natës së fundit të Festivalit Ballkanik të Teatrit, ku raportohet të ketë pasur tension, megjithëse palët nuk e kanë komentuar lajmin gjatë ditës së djeshme.
Pjesë e së njëjtës bisedë mësohet të ketë qenë shqetësimi i Ndrenikës për të ardhmen e Teatrit Kombëtar, godina e të cilit është ende në qendër, por sot, pritet që të bëhet prezantimi i projektit të teatrit të ri “Turbina”, që do të ndërtohet në mjedisin e ish-Laboratorit të Hidrologjisë në Tiranë.
Referuar debatit të vitit 2000, kur kundërshtohej zhvendosja e teatrit nga godina aktuale për të ndërtuar aty një godinë të lartë, edhe gjatë vitit të kaluar aktorët dolën kundër zhvendosjes së përhershme të godinës. Në “Gazeta Shqiptare”, emra të njohur të skenës e kundërshtuan sërish zhvendosjen. Duke pranuar një lëvizje të përkohshme, në harkun kohor që do t’i duhej godinës aktuale për t’u shndërruar në funksionale ose ndërtimit në të njëjtin vend të teatrit të ri.
Sipas mediave që kanë raportuar për përplasjen Kumbaro-Ndrenika, aktori i njohur ka treguar se ka shëtitur në të gjithë Ballkanin, në Shkup, Athinë, Bukuresht, ku teatrot janë prej 400 vjetësh, ndërsa në Tiranë po bëhen xhami, stadium, dhe teatër jo. Citohet se me ironi, Ndrenika ka kujtuar një bisedë me mikun e tij, Loro Kovaçin, kur ishte i ri, se i kishte thënë: “Ju të rinjtë do ta gëzoni teatrin”, duke ironizuar se ai nuk ka arritur ta gëzojë…
Gjatë ditës së djeshme, “GSH” e ka kontaktuar disa herë Ndrenikën, pa mundur të komunikojë me të për deklaratën. Asnjë reagim nuk ka pasur as nga Ministria e Kulturës. Palët dje, nuk e kanë pohuar e as mohuar debatin për teatrin.

Related Posts :