Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Leon Rei, Apolonia dhe meraku shkencor i arkeologut të madh francez” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Leon Rei, Apolonia dhe meraku shkencor i arkeologut të madh francez” plus 9 more - Gazeta Dita


Leon Rei, Apolonia dhe meraku shkencor i arkeologut të madh francez

Posted: 25 Sep 2016 02:14 AM PDT

 Të gjithë e dimë se kush dhe si e zbuloi Trojën, një zbulim që hapi një derë të madhe për të hyrë në historinë e botës antike. Qe viti 1871, kur arkeologu i famshëm Henrik Shlieman zbuloi Trojën. Dhe kjo ndodhi pas Revolucionit Grek, kur "ujërat u qetësuan". Gati të njëjtën paralele historike duhet të heqim edhe me zbulimet në Shqipëri, të cilat erdhën pas Luftës së Parë Botërore, pas qetësisë dhe rivendosjes së shtetit shqiptar. Ishte invazioni i Luftës së Parë Botërore që brenda rreshtave të ushtrisë, solli në Shqipëri, edhe shkencëtarë e dietarë të fushave të ndryshme, të cilët kanë dhenë një kontribut të shquar për zgjimin e interesave shkencore në Shqipëri. Ndodhi kështu me austriakët për zbulimin e naftës në Kuçovë, në vitin 1916, me zbulimin prej tyre të Apolonisë, por që më pas Misioni francez drejtohej nga një njeri  që e quajti Apoloninë "Troja Shqiptare" dhe pasionin e tij për të një brengë personale jetësore. Ky njeri quhej Leon Rei dhe meriton vëmendje e respekt nga histriografia shqiptare.

Kush ishte Leon Rei

14459138_1241348115917960_259916091_nLeon Rei lindi në vitin 1877 në Formantier pranë Parisit.  U diplomua për arkeologji në Universitetin Chartre, i njohur si një nga institucionet më të famshme të arkeologjisë franceze.

Në vitin 1916 gjatë Luftës  Parë Botërore u thirr nën armë, ku angazhohet në misionin arkeologjik ushtarak francez në Maqedoninë greke dhe Selanik. Këtu pati sukses të madh dhe të gjitha punimt i botoi në vitin 1921. Dy vjet më vonë, në vitin 1923 së bashku me senatorin francez Justin Gotard vizitoi vendin tonë.

I apasionuar nga burimet e autorëve antike, ai nisi punën si arkeolog në Durrës. Pas disa muajsh e “braktisi” këtë qytet, duke u zhvendosur 80 km më në jug, pikërisht në Apoloni. Këtu erdhën edhe sukseset e Reit, ku Apolonia do të bëhej “shtëpia e dytë” e tij. Nga ajo ai do të ndahej vetëm i detyruar me forcë, sepse në vitin 1939 autoritetet italiane të pushtimit ia ndaluan hyrjen në Shqipëri. Po kështu edhe përpjekjet e tij në vitin 1945, pas çlirimit, për t'u rikthyer këtu dështuan.

Me një punë të lënë përgjysëm ai vdiq në Francë në vitin 1956. Puna dhe kontributi i tij përveç se  nga Bashkia e Fierit, që i ka dhënë titullin Qytetar Nderi dhe ka emërtuar një rrugë me emrin e tij, nuk është vlerësuar nga asnjë institucion tjetër më i lartë shtetëror dhe shkencor.

 

Misioni arkeologjik dhe "shtëpia e frëngut"

14463915_1241348132584625_432982877_nMisioni arkeologjik francez u themelua në vitin 1924 me iniciativën e senatorit francez Justin Gotard, mik i Shqipërisë.  Ekspeditat kërkimore që drejtoheshin nga Rei zhvilloheshin çdo fund pranvere – fillim vjeshte. Gjatë viteve 1924-1939 u bënë gjithsej 15 fushata të tilla, duke zbuluar nga pluhuri i harresës së shekujve Apoloninë. Udhëtimi i tij i përvitshëm niste nga Parisi, ku së bashku me të shoqen, Margaritën, ata udhëtonin me veturën e tyre të veçantë, me mbishkrimin “ALBANIA”, ku rruga plot pluhur i çonte drejtë  e në Apoloni.  Ndërtesa ku ai ndenji me të shoqen, që në atë kohë quhej "shtëpia e frëngut", është edhe sot, kuptohet, e restauruar, pasi gjatë Luftës së Dytë Botërore u kthye në gërmadhë. E quajtur sot bar restorant “Rei”, ajo ka mirëpritur studiues, arkeologë, turistë, nga gjithë bota. Me objektet e zbuluara në Apoloni u hap më 8 tetor 1936 në Vlorë, Muzeu Arkeologjik, i cili mbante emrin e Mbretit të Shqipërisë “Zogu I”.  Si ndërtesë e tij shërbeu një pjesë e shtëpisë ku më 28 Nëntor 1912 u mblodh Kongresi që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa në katin e dytë qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat terrakotat dhe figurinat e ndryshme. Ky muze pati fatin e keq sepse ditët e para të pushtimit të Shqipërisë u grabit nga italianët në prill të vitit 1939. Për këtë veprim Rei u ndje shumë keq dhe nuk pushoi së protestuari, të cilën e shprehu në numrin e gjashtë të revistës arkeologjike që ai botonte “ALBANIA”.

 "Skripta manent", ç'ka ngelur nga Rei

Rezultatet e punës së tij voluminoze Rei i botoi në revistën “Albania”, e cila doli në 6 numra në vitet 1927-1939. Ai disa nga këto studime arkeologjike dhe historike i formuloi në formën e cikleve të  leksioneve, të cilat i referonte në Liceun francez në Korçë, në Tiranë e në Shkodër. Ndërsa kumtonte  në konferenca shkencore të organizuara nga shoqëri të ndryshme arkeologjike jashtë vendit në atë kohë si në Berlin, Drezden, Luven (Belgjikë), etj. Ai nuk "u ngul" vetëm në Apoloni. Sa qe në Shqipëri, ai  vizitoi objekte me interes arkeologjik dhe historik në Shqipëri, ku me materialet e grumbulluara botoi “Guidën e Shqipërisë” në vitin 1930. Së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij shqiptar, arkeologun Hasan Ceka ai pregatiti edhe një studim për xhaminë e famshme të Et'hem beut në Tiranë. Në projektet e tij ishte edhe ngritja e një institut studimesh për Skënderbeun, gjë të cilën nuk e realizoi dot.  Ndërkohë që merita e veçantë e Reit ishte se me kontributin e tij ai ishte pararendësi i Arkeologjisë Shqiptare. Me botimet e studimeve të tij ai e bëri të njohur Apoloninë në fushën e Arkeologjisë dhe historisë antike, duke “na dhuruar” atë “minierë arkeologjike” që do të bëhej “shkolla” e gjithë arkeologëve të mëvonshëm shqiptarë.

Apolonia

Qytet antikë, ndër më të mëdhenjtë në Pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri në 30 qytetet e tjerë me të njëjtin emër të kohës antike. Gërmadhat e Apolonisë u zbuluan në fillim të shekullit të 19-të midis fshatrave Pojan dhe Kryegjatë në rrethin e Fierit. Si qytet Apolonia u themelua në shekullin e 6-të p.e.r. me kolonistë të ardhur nga Korkyra, Korinti dhe ndoshta edhe nga Dyrrahu. Apolonia lidhej me detit nëpërmjet lumit Vjosë, që ishte i lundrueshëm dhe kalonte pranë qytetit. Në kohën romake lulëzoi arkitektura dhe degë të tjera të artit sidomos skulptura. Qyteti e mori emrin për nder të perëndisë Apolon. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh me rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin. Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apoloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Arkeologët e quajnë Apoloninë, Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.  Ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit.

Zbulimi më i fundit

Ndryshon data e themelimit të Apolonisë

Gërmimet arkeologjike në qytetin antik të Apolonisë kanë nxjerrë në dritë një objekt të rrallë dhe të parin e këtij lloji për të gjithë rajonin e jugut. Një objekt metalik prej plumbi i periudhës parahelenistike në Apoloni, është zbuluar gjatë gërmimeve të ekspeditës shqiptaro-franceze.  Drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë thotë se ky objekt është gjetur pas zbulimit të një strukture prej 128 m gjatësi. Vetë kjo strukturë  mund të ketë qenë Agoraja e Vjetër e qytetit antik. Zbulimi i Agorasë  së qytetit mund të riformulojë njohuritë për datën e  themelimit të Apolonisë, ndërsa objekti prej plumbi përbën një zbulim të rrallë. Sipas arkeologëve objekti i në këto gërmime daton në vitet 630-620 para erës sonë çka e shtyn datën e themelimit të qytetit edhe 2 shekuj pas nga sa njihej deri tani. Të ngjashëm me këtë objekt janë  gjetur vetëm në Dodonë të Greqisë

Dita e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare

Një grup oficerësh austriakë në Shqipëri nisen për të plaçkitur monumentet e kulturës në Apolloni, por befasohen nga thirrjet “ndal” të oficerit shqiptar Kamber Benja dhe 2 nënoficerëve të tij, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani; pas shkëmbimeve të shtënash me armë, tre oficerët shqiptarë mbetën të vrarë në mbrojtje të pasurive të trashëguara kulturore. Për nder të tyre, që prej vititi 2007, Shqipëria e ka shpallur 29 shtatorin si Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Leon Rei…dhe "gurët që flasin"

Për jetën dhe veprimtarinë e arkeologut të shquar Leon Reit në Shqipëri, krahas të tjerave, hedh dritë mirë autori Luan Rama në librin e tij "Leon Rei…dhe gurët që flasin". Në libër krahas të tjerave, Luan Rama flet edhe për vizitën në Shqipëri pas vdekjes së Leon Reit, në vitin 1965, të gruas së tij, Arlette dhe të të birit, Jean Gabriel, me rastin e pagëzimit të një rruge me emrin “Leon Rei” në Fier.  Nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris ata u ftuan për një vizitë në Shqipëri Jean-Gabriel i ruan ende të freskëta kujtimet e atyre ato ditëve kur bashkë me nënën e tij, mori rrugën në aeroportin e Orly-së drejt Tiranës me një avion të “Air France”.

Me një emocion të veçantë, duke kaluar mbi Adriatik, ata prisnin të shfaqeshin brigjet e Durrësit me kështjellën e vet historike, Tirana dhe Apollonia, për të cilën aq shumë kishte ëndërruar të kthehej Léon Rey. Në aeroportin e vogël të Rinasit, ku zbritën fare pak udhëtarë, dy miqtë francezë i priti një arkeolog: ishte Skënder Anamali. Me të mbërritur në Tiranë, ata u vendosën në hotel Dajti, ku vendoseshin shpesh të gjithë të huajt, apo miqtë e ftuar të qeverisë shqiptare në atë kohë.

“Ishte e habitshme, – kujton sot Jean-Gabriel, – sepse bulevardi që mbante emrin e Stalinit, ishte tepër i gjerë dhe në të kalonin përgjithësisht këmbësorë, dhe fare rrallë makina, ca vetura të zeza të tipit sovjetik, ku në sediljet prapa qëndronin funksionarë.

Më kujtohet që në mbrëmjen e parë apo të dytë, ne shëtisnim në bulevard dhe pastaj morrëm për në thellësi të kryeqytetit, kur dy burra na u afruan dhe njëri prej tyre na tha me mirësjellje: “Zoti Rey, duhet të ktheheni në hotel. Nuk duhet të vazhdoni më tej!…”

Të nesërmen e mbërritjes së tyre, ata prisnin të shkonin për në Fier, për ceremoninë e pagëzimit të rrugës, por kjo nuk varej nga ata, pasi zyrtarët kishin vendosur tu tregonin më parë “sukseset” e Shqipërisë.

Një ditë ishte vizita në Kombinatin Tekstil “Stalin”; një tjetër ditë në hidrocentralin “Karl Marks”, pastaj në ekspozitën “Lenin”, apo në ekspozitën fotografike të Ho Shi Minit dhe luftëtarëve vietnamezë kundër agresorëve amerikanë; dhe kështu, vizitat vazhdonin më pas në një fabrikë çorapesh, në një shkollë apo fermë.

Padyshim, atyre u bënte përshtypje pritja dhe dashuria që u tregonin shqiptarët, por gjithnjë ata prisnin ceremoninë për të cilën kishin ardhur. Jean-Gabriel nuk i harron parullat e mëdha të vendosura në të katër anët, e sidomos një parullë të shkruar në faqen e malit të Dajtit ku shkruhej: “Poshtë Revizionizmi”.

Pas një jave, më së fundi, “delegacioni” nga Franca u nis drejt Fierit, në një rrugë plot gjelbërim. Kjo ishte një kënaqësi e veçantë për ta. Në Fier, ata morën pjesë dhe në ceremoninë që u zhvillua për përurimin e rrugës me emrin “Leon Rey".

Miqtë shqiptarë të Reit

Leon Rei ka patur tre bashkëpunëtorë shqiptarë për të cilët është shprehur me konsideratat më të larta. Këta ishin arkeologu Hasan Ceka, që ka punuar gjashtë vjet me Rein. Në vitin 1930 ai u caktua si vëzhgues i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, pranë misionit francez, me qëllim që të merrte në dorëzim të gjitha objektet, që do të zbuloheshin nga rrënojat antike. Hasan Ceka njihet si “Babai” i arkeologjisë shqiptare, në të cilën dha një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Në Apoloni ai punoi për rreth 40 vjet duke përfunduar gërmimet e ndërmara nga Leon Rei, si dhe punime e botime të tjera. Një tjetër bashkëpunëtor i Leon Reit ishte edhe Perikli Ikonomi, drejtor i shkollës femërore të Fierit. I diplomuar në “Zosimean” e famshme të Janinës ai ishte një njohës i mirë i disa gjuhëve, veçanërisht i greqishtes së vjetër. Pikërisht si zotërues i saj ai u angazhua në misionin arkeologjik, për të zbërthyer mbishkrimet antike, ku dha edhe kontributin e tij. Kjo pjesëmarrje i dha shkas Perikli Ikonomit, që të botonte më vonë disa vepra si: Historia e Tomorrit dhe Dodonës Pelazgjike dhe Historikun e rrethit të Fierit, ku vend të veçantë zinte edhe Apolonia antike. I treti, ishte Pilo Samarxhiu, nga Pojani, një ish-emigrant i kthyer nga SHBA. Ai ishte kryepunëtor i misionit francez. Përvoja e fituar pranë Leon Reit dhe vite më vonë pranë Hasan Cekës e ndihmoi që të shërbente pas vitit 1960 si cicëroni i parë i Muzeut Arkeologjik të Apolonisë. Për kohën e gjatë që ndenji në Shqipëri, Rei zuri shumë miq të tjerë, midis të cilëve edhe poetin Ali Asllani, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Vlorës.

 

 

 

 

 

Përplasja me armë në Sauk, për tavolinat VIP të klubit të natës

Posted: 25 Sep 2016 02:12 AM PDT

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur banorët në Sauk, rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm. Burime për "BalkanWeb", bëjnë të ditur se dy grupe të rinjsh janë përplasur me armë zjarri, në hyrje të "Arena Culb" në Sauk, ku kishin kaluar mbrëmjen.

Mësohet se sherri ka nisur fillimisht brenda clubit, dhe më pas ka vijuar jashtë, ku të rinjtë kanë përdorur edhe armët. Shkak për sherrin mes dy grupeve, që kishin rivalitet mes tyre, është bërë prenotimi i tavolinave në zonën VIP të lokalit të natës.

Mësohet se të rinjtë kanë qëlluar me armë nga 4 makina të ndryshme, në drejtim të njëri –tjetrit. Fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar.

Ndërkohë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e të rinjve që qëlluan me armë. Në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja pistolete, ndërsa policia shoqëroi dy truproje të lokalit, P. G dhe E. D, si persona që kanë dijeni për ngjarjen.

Lu reciton Migjenin në Pukë. Mesazh për politikën?

Posted: 25 Sep 2016 02:07 AM PDT

Panairi i vjeshtës në Pukë ka dërguar këtë fundjavë në Pukë shumë të huaj, në mesin e të cilëve edhe Ambasadorin Amerikan Donald Lu, i cili së bashku me familjen zhvilloi një vizitë në qytetin verior.

I mahnitur nga veshjet tradicionale të zonës, diplomati amerikan në fjalën përshëndetëse, teksa vlerësoi Pukën si një prej resurseve të pazbuluara në Shqipëri, interpretoi dhe një nga krijimet e Migjenit, pikërisht në vendin ku poeti ishte frymëzuar të shkruante, çfarë la të kuptohej se ky ishte një tjetër mesazh për politikën shqiptare.

"Vjeshtë në natyrë, vjeshtë ndër fytyrat tona
Afshon erë e mekun, lëngon i zymt dielli
Lëngon shpirti i smun ndër krahnoret tona
Dridhet jet' e vyshkun ndër gjemba të një plepi.

Ambasadori Lu gjatë vizitës në Pukë u përball me bujarinë e fermerve pukjane të cilët gjithnjë shpejtonin ti dhuronin diçka nga prodhimet e tyre, por gjithnjë ambasadori ka paguar si të gjithë blerësit e tjerë. Një kostum kombëtar, dhuratë nga kryebashkiaku i Pukës, është konsideruar si një nder i veçantë nga familja Lu.

Panairi i Agro Pukës organizohet prej 11 vitesh në qendër të qytetit malor, përmes të cilit shpalosen prodhimet bujqësore, blegtorale dhe atyre artizanale, duke e kthyer qytetin në destinacion të fundjavës.

Pse janë të tillë këta, beratasit?!…

Posted: 25 Sep 2016 02:07 AM PDT

Para disa ditësh, në statusin e fb të miku tim, Ilir Manka, gazetar i vjetër nga Berati, ishte hedhur një shënim nga kolegu tjetër beratas, shkrimtari dhe publicisti Simon Vrusho. Shënimi, që, për mua, s'ishte thjeshtë shënim, por një ese, pamflet a diçka tjetër më e fortë dhe më e zëshme, që nuk e klasifikoj dot si gjini, mbante titullin "Pse janë të tillë këta beratasit"?!…Dhe më poshtë vazhdonte:

"Këtë pyetje e ka formuluar një krutan, një krutan i veçantë, Xhavit Qesja. Gjimnazist i shkëlqyer -1941, komisar i brigadës 23 gjatë Luftës, sekretar i parë në Shkodër e Berat (1955), kundërshtues i Enver Hoxhës, disident, që këtë kundërshti e pagoi me 30 vjet burgje e internime.
E ka dashur Beratin, i ka dashur beratasit dhe këtë e ka dëshmuar vetëm me një pyetje, një pyetje prekëse, të lënë në ditar, pyetjen e dhimbshme:
-Pse janë kështu, këta, beratasit?

Zylyftar Hoxha

Zylyftar Hoxha


Me këtë pyetje Xhavit Qesja, inteligjent, i zgjuar dhe i mençur, siç ishte, ka nënvizuar, ka qartësuar, ka evidentuar, ka dalluar, ka theksuar, madje, në kontekst, edhe e ka stigmatizuar një tipar të dukshëm të beratasve:
Timiditetin.
Timiditeti. Beratasit e kultivuar, të ndriçuar e kuptojnë fort mirë Xhavit Qesen. Shkaqet, arsyet, rrethanat që kanë sugjeruar dhe përvetësuar këtë tipar duan analiza, shqyrtime, argumentime.
Por kupolistët e Tiranës, jo vetëm në shek. XX, para dhe pas viteve ’90-të, por edhe në fillimet e shek. XXI e kanë parë Beratin dhe beratasin timid deri në atë shkallë, sa në funksione kyçe kanë emëruar apo kanë zgjedhur teleshmënë, molomënë, injorantë, debilë edhe të marrë, deri në funksione prefekti apo zgjedhjeje si deputetë dhe shumica e tyre jo nga Berati, por të importuar, sepse Berati është i urtë, njëlloj si të thonë se Berati është i humbur!
E papranueshme.
Refuzoji Berat horrat që të imponojnë xhahilët e Tiranës"!

Pasi e lexova dy-tri herë, mu duk pak, madje nënvleftësuese, të vendosja shenjën e pëlqimit (like); u hodha te komentet dhe fillova të shkruaj konsideratat, dobësitë dhe nostalgjitë e mia personale për qytetin e lashtë dhe të bukur të Beratit, për të cilin, sa herë e kujtoj, si i thonë fjalës, ngrihem në këmbë, për historinë dhe kulturën e tij, por edhe se aty kam kaluar adoleshencën time në shkollën e mesme pedagogjike dhe më pas kam patur lidhje të vazhdueshme me shumë miq e shokë beratas.

Duke vazhduar të shkruaj, mu kujtua se për Beratin, unë jam shprehur më se një herë publikisht dhe do të qe më mirë, që, në vend të komentit, të postoja diçka nga ato që kam shkruar më parë. Hoqa dorë nga komenti dhe, në vend të tij, zgjodha nga libri im "Orakuj të harruar" pjesën "Berati, për ata që nuk e njohin" dhe bisedën (e pa botuar më parë) me shkrimtarin dhe publicistin e njohur, Ylli Polovinën. Më duket se duke botuar këto dy shkrime, kam plotësuar diçka dhe kam marrë pjesë në merakun që ka miku dhe kolegut im, Simon Vrusho për timiditetin, urtësinë, ndrojtjen dhe modestinë e Beratit dhe beratasve, që politika dhe horrat e saj i shfrytëzojnë keqas.

Berati, për ata që nuk e njohin

Në emisionin "Top Show" të kanalit më të njohur televiziv në Shqipëri, "Top Chanel", para disa kohësh u paraqit Berati. Jo për meritë të organizatorëve të kësaj shfaqjeje, që, pa dyshim, janë profesionalë dhe mjaft të talentuar, por më tepër të protagonistëve të saj në sallë, disa prej intelektualëve të shquar dhe të qytetarëve të thjeshtë beratas, që me qytetarinë, me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e tyre karakteristik dhanë një nga shfaqjet më të realizuara, më pasionantet dhe më mbresëlënëset që kemi parë në këtë kanal televiziv. Të paktën ky ishte një opinion i përgjithshëm i marrë menjëherë pas shfaqjes.

Intelektualët më në zë të Beratit, profesori i mjekësisë Pandeli Çina, Hysen Kordha, Bujar Lybesha, Yzedin Shelegu, Myslim Hotova, Virgjini Mile e shumë të tjerë, por edhe mjaft qytetarë në platé, folën për vlerat e qytetit të tyre, që Berati i ka me shumicë, të pakrahasueshme me të tjerët dhe të gjithanshme: arkeologjike, arkitektonike, historike, kishtare, shpirtërore dhe, mbi të gjitha, njerëzore.

Nga ky emision, por edhe shumë raste të tjera, nxjerr përfundimin se Berati, vlerë mbi vlerat ka njerëzit e tij, banorët e vjetër e të rinj, me një kulturë të trashëguar, por edhe të kultivuar, që e duan aq shumë qytetin e tyre piktoresk, por edhe civilë në të gjitha pikëpamjet, sa nuk gjejnë dot mënyrën për ta shprehur këtë dashuri. Secili në atë sallë ku sundoi patetizmi, donte të thoshte një fjalë për qytetin e tij. Me të drejtë. Jo të gjithë e dinë ç'është Berati, jo të gjithë ia njohin thesaret që ai fsheh nën atë bukuri mahnitëse. Një fjalë e urtë e popullit e që shkon në këtë rast, thotë: "Se çfarë ka tenxherja që zien, e di luga që e përzien". Ndaj pasioni, patetizmi dhe mburrja e beratasve janë plotësisht të ligjshme.

Nuk është një ngjarje e sajuar apo thjesht një kuriozitet, por një e vërtetë, që e dëshmojnë autoritete të kulturës të asaj kohe, ajo që ka ndodhur aty nga fundi i viteve '80-të, kur një grup i huaj turistësh kishin ardhur  për të vizituar Beratin dhe, kur u ngjitën në kala, nga ku qyteti duket si në pëllëmbë të dorës, u shprehën: ”Sikur ta kishim ne këtë qytet, në hyrjen e tij kryesore, te Kombinati do të vinim një portë, ku çdo vizitori të huaj që do të vinte për ta vizituar do t'i duhej të paguante biletën e hyrjes…”.

Bindet për këtë atij që i ka rënë rasti të vizitojë Akropolin e lashtë të Athinës, apo shumë komplekse muzeale nëpër Evropë. Por ne, si ne, mes halleve të tjera, pak na shkon mendja tek këto pasuri, tek këto trashëgimi e vlera të paçmuara që na kanë lënë të parët tanë. Ajo që bëhet, është pak. Edhe për të ruajtur vlerat tona ne shikojmë nga bota, nga ajo botë që, megjithëse e ndjeshme ndaj artit dhe e kulturës, përsëri po na lë pas derës, siç është rasti i dosjes së Beratit nga UNESKO.

Pushtetarë, mbroni Beratin!

14424170_1241347872584651_1829999871_oPas një mjeshtri të kuzhinës karakteristike, i cili tregoi se si një paraardhës i tij, kuzhinier beratas, kishte çuditur Carin e Rusisë me ëmbëlsirën e gatuar me…rrënjë preshi; fjalën e mori një zonjë e vjetër nga Tutulanët e dëgjuar për shpirtin e tyre poetik e shpërthyes; "Çdo gur që rrëzohet nga Kalaja apo muret në Berat krijon dhimbje therëse në shpirtin e çdo banori", tha ajo, dhe, duke iu drejtuar deputetit të zonës, ngriti zërin përvajshëm: "Pushtetarë, shpëtojeni Beratin, se njërës nga vlerat më të çmuara të vendit, po i ikin gurët në lumë, po shkërmoqet zishëm në mes të ditës para syve tanë. Nuk durojmë dot…"!

Edhe Virgjini Mile s'ndihet mirë në këto çaste. Ajo ka bërë epokë në vitet '60-'70 me këngën karakteristike beratase, por këtë këngë tani po e shpërdorojnë keqas, po e deformojnë dhe po i marrin autorësinë. Këngës së Qerimesë i dihet edhe autori edhe rrethanat si u krijua, ajo është e vetme dhe s'ka të dytë në llojin e vetë, por fatkeqësisht e dëgjon në Elbasan me variante banale. Po kush ta mbrojë këngën? Grupi karakteristik i këngës së vjetër qytetare, që i kishte dalë për zot asaj, është bërë kokrra-kokrra, s'ka fonde të mbahet e të ringrihet. Po kush pyet për të, kur s'ka fonde për më të dukshmen, restaurimin fizik të qytetit.

Bashkëjetesa, vlerë

Kur profesori i respektuar Pandeli Çina foli për figurat më të ndritura të Beratit, dhe ndër të parët renditi Kahreman Yllin, dikush ia mori për një lapsus. Por profesori e çoi deri në fund atë që tha. Në thelb mendimi i tij ishte se Skrapari dhe Berati janë një, janë ata që kanë ruajtur gjuhën e Naimit, janë ata që bashkë kanë përballuar luftëra e përpjekje, kanë patur dhe kanë një administratë të përbashkët, një fat të përbashkët dhe ngjashmërinë etno-kulturore si dy pika uji.

Në '14-ën Berati u bë strehë e skraparasve që iu dogjën shtëpitë nga greku, një pjesë e mirë e tyre qëndruan përgjithmonë aty. Pas çlirimit shumë oficerë e kuadro civilë, të shpërndarë në të katër anët e vendit, kur u dilte transferimi, parapëlqenin Beratin, si vendin e tyre, por edhe për të qenë pranë të afërmve dy çapa më tej. Është kjo një nga arsyet që në Berat skraparasit zënë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, të integruar plotësisht në jetën ekonomike, politike e kulturore të qytetit.

Por le ta lëmë profesorin e nderuar me opinionet e tij dhe të ecim pak më tej. Në një qytet ku kisha dhe xhamia i bëjnë hija njëra-tjetrës, në një qytet ku siç thotë kënga; djemtë e Goricës dhe të Kalasë (krishterë) prisnin të dilnin nga Xhamia e Beqarëve djemtë e Kasabasë (myslimanë) për t'u larë bashkë në lumë, bashkëjetesa kthehet në një vlerë, në pasuri shpirtërore. Se beratasit janë aq të urtë, aq miqësorë dhe tolerantë, sa gjen aty familje me origjinë të lashtë çifute, persiane, greke, sllave, egjiptiane, por që tashmë e kanë harruar origjinën e tyre, janë shkrirë natyrshëm, ashtu siç janë shkrirë edhe skraparasit që kishin dhjetë arsye më tepër për t'u shkrirë më shpejt.

'97-a nuk i dogji dot lulet e Beratit

14455859_1241347889251316_1136339101_oRrëmuja e 97-ës e goditi keqas Beratin, dëshmi e kësaj ngjarje kobë janë qindra viktima të vendosura në një parcelë përmendore që i ngrihet absurdit. Ndaj beratasit nuk kanë dëshirë t'ua përmendësh '97-ën, ndaj ata bëjnë përpjekje për ta mbyllur atë kapitull të errët, për ta harruar një herë e përgjithmonë.

Grindja dhe hasmëria nuk kanë qenë në natyrën e këtij qyteti, ato dikush i futi si një magji të zezë. Po asht siç erdhën, ikën. Gjërat shumë shpejtë u normalizuan. E keqja s'gjeti dot shtrat të ngrohtë. Se Berati është i gjerë, është i dashur, është miqësor, me një qytetari të kahershme, që di t'i zgjidhë punët e veta. Ai nuk e njeh kanunin dhe hakmarrjen. Në vend të këtij institucioni ai ka institucionin e mirëkuptimit, të pajtimit. Berati është edhe qytet i luleve dhe i trëndafilave; ai ka lule edhe për ata që lanë një borxh që s'ia kishin askujt, e që prehen në qetësi në varreza, por ka edhe lulet e kënaqësisë e të bukurisë që mbushin lulishte e ballkone, lule që '97-a nuk i përzhiti dot.

Tingëllojnë pak si patetike këto fjalët e fundit të këtyre shënimeve. Por kush shkel në këtë qytet, nuk u shpëton dot ngarkesave emocionale nga ajo që sheh dhe dëgjon në çdo hap që hedh. Provojeni!

  Korrik, 2007

Të mirë, se janë pranë orakujve dhe historisë!…

Bashkëbisedim elektronik me publicistin dhe studiuesin e njohur, Ylli Polovina

14470822_1241347382584700_110916962_n

Ylli Polovina

Një natë, aty nga ora 12, pasi ktheva faqen e fundit të librit më të ri të publicistit dhe studiuesit të njohur, Ylli Polovina, "Gjysma e harruar e Skënderbeut", vendosa të flisja me të, jo me telefon, jo në ndonjë takim në ndonjë kafe, por on-line me elektronikë. Fat i madh që edhe pse në moshë të dy, si unë dhe ai, jemi aty te vjeshta, e kemi kapur këtë produkt të lartë të mendjes njerëzore që na i ka thjeshtuar shumë punët.

Me Yllin njihemi qysh herët, kur ne të dy, në të njëjtën kohë, ishim kryeredaktorë të gazetave lokale, ai në "Kushtrimin" e Beratit dhe unë në "Jehonën e Skraparit".

Më pas puna e ka sjellë të takohemi rrallë, por, edhe pse në distancë, e kemi ndjekur dhe kemi pyetur për njëri-tjetrin. Më ka gëzuar çapitja e tij e matur dhe e kujdesshme në jetë, vitaliteti i tij krijues, me gati 20 libra të karakterit politik, historik, diplomatik dhe shoqëror të shkruar brenda një dhjetëvjeçari, zëri i tij i ndjeshëm intelektual dhe polemist në shtypin e përditshëm, suksesi i tij diplomatik në vitet që ai përfaqësonte vendin tonë në Itali; ashtu siç ka ndodhur edhe e kundërta: më kanë hidhëruar peripecitë e telashet e tij me politikën, kur trajta veprore është bërë për të pësore, uljet e ngjitjet e pamotivuara dhe ai pozicion i sotëm i një punonjësi të thjeshtë në Ministrinë e Jashtme, që edhe pse ashtu, herë-herë ia përflasin kërcënueshëm atë të shkretë vend dhe atë të shkretë zyrë, që mezi nxë shpirtin bohem të një diplomati të suksesshëm, por të pafat.

Nejse, ashtu siç thashë më lartë, në mëngjes hapa email-in dhe shkrova:

I dashur Ylli,

Mbrëmë mbarova librin tënd të fundit "Ana tjetër e Skënderbeut" dhe të them të drejtën kisha shumë për të thënë. Por çuditërisht në mëngjes i harrova të gjitha. Kot s'thonë që nata të bën gjeneral dhe të gdhin ushtar. Megjithatë, hulumtimi dhe përpjekja jote është e admirueshme, me vlera të gjithanshme, madje edhe historike, që pasurojnë dhe ndriçojnë pikat më të errëta të legjendës tonë kombëtare.

Ajo që do të theksoja dhe që më ka ngelur në mend, është se me atë urtësinë tipike të një beratasi të kulturuar dhe me nam modest siç je, e ke kapur mirë fillin. Suksesi yt i padiskutueshëm në këtë libër është te qëndrimi yt gjakftohtë, profesionalizmi i padiskutueshëm dhe patriotizmi i ndjerë thellë. Veç kësaj do të shtoja se vështrimi yt nëpër skutat e errëta të historisë në këtë rast është skifterik. Të lumtë!

Kam edhe të tjera për të thënë, por po e lë me kaq për Skënderbeun, ndërsa "Kallashnikovin" sapo e kam nisur.

Ylli: Mik e koleg i dashur,

Në të vërtetë ndodhi që ta "kalova"(?!) Ndërsa i shkëmbyem miqësisht në një ditë unë e mbarova librin tënd "Orakuj të harruar" dy-tre dyzina orësh më parë se ti t'i jepje fund timit, "Gjysma e harruar e Skënderbeut". Siç e sheh, që të dy shkruajmë për gjëra të shtrenjta që kanë rrezik të harrohen nga poterja e ditëve të sotme dhe që të dy bëhemi një me ata bashkëkombas, të cilët nuk duan që kjo të ndodhë.

 I dashur skraparlli (ta dish se sa me qejf e shqiptoj këtë fjalë, si të jetë varg kënge!) i ke rrënjët në një truall me në gjoks Malin e Tomorrit. Ti dhe kushdo që është rritur pranë kësaj madhështie shkëmbi, pyjesh, ujërash e bore e di shumë mirë se nuk mund të lejohet të bëhet ai mal i lartë, ai rrokaqejsh, një kodër apo një pirg me dhe. Si mund të bëhet xhuxh historik Gjergj Kastrioti?! Nuk ka Skrapar e Berat pa Tomorrin, nuk mund të ketë Shqipëri pa Skënderbeun.

Ky është vëllimi im i parë për këtë temë, do të ketë edhe të tjerë në vazhdim…Ndërkohë po ta them intimisht, i miri Zylyftar, se do të ketë edhe një libërth për Skënderbeun dhe Beratin, ose më qartësisht për Kastriotët, zotërit e Krujës dhe Muzakët, zotërit e Beratit, të Skraparit dhe të Myzeqesë.

Zylyftari: Me që e nisëm, kur kam qenë në pedagogjiken e Beratit, por edhe më pas, pasi unë kam pasur lidhje të vazhdueshme pune me Beratin, kisha dëgjuar se, në se të duhet të dish për familjet e njohura beratase, ato janë shumë, por nëse të duhen pesë apo gjashtë, në këtë numër ke pa diskutim Polovinat. Nuk e di sa e saktë është kjo, por unë veç teje kam njohur edhe një Polovinë tjetër, të cilin e kam patur kujdestar konvikti në pedagogjike, Pajtim Polovina e quanin, një burrë shumë-shumë i mirë, korrekt dhe me kulturë, nuk e di ku është tani.

Ylli: Berati përherë e më shumë më mahnit me thesaret historikë që ka. Prej kohësh po pasuroj një arkivë personale me këtë temë. Duke punuar, kam vënë re se janë me qindra familjet e nderuara të qytetit tim, janë aq shumë, i dashur Zylyftar, sa që Polovinat duken fare modestë, edhe pse kanë kontributin e tyre. Në librin tënd një nga ato që më dha emocione, por edhe dituri, ishte citimi yt pambaruar i fiseve, familjeve apo individëve që kishte jo vetëm qyteti, Çorovoda, por krahina juaj. E veçanta me Beratin është se pjesën më të madhe të bëmës historike ne e kemi në qytet, ju në rrethinat. Por sikur të bashkosh historinë e dy qyteteve dhe fshatrave tanë, pra të Beratit me të Skraparit, a e di çfarë mrekullie del? Sepse racat i kemi përzierë dhe nga martesa mes një beratasi e një skraparlliu, të siguroj edhe pse ti e di mirë këtë gjë, minimalisht del një pasardhës i bukur fizikisht, që vishet mirë e po ashtu di të hajë me qejf, por mbi të gjitha që është i matur dhe i pangutur. Patjetër beratasit kanë patur fat me fqinjin e tyre, sepse urtësinë, ndonjëherë edhe në kuptimin e plogëtisë së veprimit historik, ja kanë pasuruar skraparllinjtë me pasionin për protagonizëm.

Më vjen mirë që kujton Pajtim Polovinën. Gjyshi im ishte vëlla i babait të tij. Me Galo Polovinën, veprimtar në "Vatra", në emigracion, në SHBA dhe pastaj sepse e mbyti malli për vendin e tij u rikthye në Shqipëri, ne krenohemi. Pajtimi ka disa vite që nuk jeton më. Një sëmundje e papritur zemre e vuri poshtë atë njeri që nuk kishte lodhje e mundim njerëzor ta bënte të dorëzohej. Faleminderit që e kujtove!

Zylyftari: Sa herë që kemi biseduar bashkë ti flet me shumë admirim dhe respekt për Skraparin dhe skraparllinjtë, mos nga që je dhëndër në Skrapar?

Ylli: Po të përgjigjem shkurt, edhe pse diçka për këtë temë thashë më sipër: Unë jam e do të jem gjithë jetën krenar që vjehrrin tim, Skënder Hysin, e kam bir të Skraparit. Ndihem i nderuar që kam marrë vajzën e tij, Fatbardhën.

Zylyftari: Faleminderit për telefonatën dhe mendimet për librin tim "Orakuj të Harruar". Më fole me superlativa, por si publicist profesionist të kam marrë për të vërtetë dhe që më nxit mendimin për stilin dhe mënyrën e të shkruarit.

Ylli: Ti je njeri i tokës, i tabanit. Ti je vërtet tomorrian. Tomorrian do të thotë forcë Anteu. Nëpërmjet librit tënd kuptova më mirë sa afër legjendës dhe Dodonës hyjnore, sa afër orakujve dhe thellë historisë jeni ju, skraparllinjtë. Tomorrian do të thotë edhe njeri i ngrohtë, i ëmbël. Në Shqipëri si malësorë të ëmbël unë deri tani kam njohur vetëm bashkëkombasit që janë rritur në krahinën tuaj.

 Zylyftari: Ke një faqe interneti shumë të ngrohtë dhe intime. Aty, veç Bardhës që e kam njohur me kohë, u njoha edhe me gocat e tua, Albanën dhe Besjanën. U uroj sukses dhe fat në jetë!

Ylli: Faleminderit, gëzime paç edhe ti në familjen tende!

I dashur Zylyftar, tani jetohet edhe në on-line, siç e di. Nëpërmjet webfaqes time dygjuhëshe përpiqem të komunikoj me të tjerët. Atje është vendosur pothuaj e gjithë krijimtaria ime. Kur ka kohë, dëshirë apo mundësi, secili mund të gjejë atje një tashmë një gjashtëdhjetë vjeçar që të paktën nuk i gënjen kurrë në ato të thotë.

Tiranë 23 maj 2008

 

Rama i shpreh ngushëllimet familjarëve të Arben Malos

Posted: 25 Sep 2016 02:02 AM PDT

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllime për ndarjen e papritur nga jeta të kryetarit te bashkisë së Kolonjës, Arben Malo.

Nëpërmjet një postimi në statusin e tij Facebook paraditen e së dielës, kryeministri Rama shprehet:"Arben Malo, një mik i mirë dhe pjesëtar i respektuar i familjes sonë të madhe politike, kryebashkiak i Bashkisë së re të Kolonjës propozuar nga LSI, u nda papritur nga jeta".

"Me respekt për punën e tij të mirë në drejtimin e bashkisë dhe me dhembshuri për humbjen e tij, ngushëllime familjarëve, miqve, qytetarëve të Kolonjës".

Durrës, aksidenton për vdekje të moshuarin

Posted: 25 Sep 2016 02:00 AM PDT

Një i moshuar 76 vjeç u aksidentua për vdekje në aksin rrugor Fllakë-Fshati Rinia.

"Më datë 24.09.2016, rreth orës 19:00,  më afërsi të kryqëzimit të rrugës Fllakë- fshati Rinia, një automjet, ka aksidentuar shtetasin H.A. 76 vjeç, banues në fshatin Qerret. Për pasojë shtetasi i mësipërm ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës", deklaron policia. 

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale"Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor"dhe"Largimi nga vendi i aksidentit"parashikuar në nenet 290 dhe 273 të Kodit Penal.

Ish-ambasadori amerikan Arvizu rikthehet në Tiranë

Posted: 25 Sep 2016 01:53 AM PDT

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Alexander Arvizu është rikthyer në Tiranë duke darkuar me miqtë e tij.

Ish-ambasadori ndodhej mbrëmë për darkë në një restorant të Tiranës nën shoqërinë e ish-pjesëtarëve të stafit të tij në Ambasadën Amerikane.

Alexander Arvizu ka qenë ambasador i SHBA në Shqipëri gjatë viteve 2010-2014.

Arziu1Arziu2

Vrasja në Sarandë/ Historia e shkeljeve të ligjit të vëllezërve Bardhi

Posted: 25 Sep 2016 01:47 AM PDT

Ditën e sotme është gjetur i vrarë me armë zjarri Aleksandër Bardhi, 47 vjeç në Shëndelli të Sarandës.

Petrit Bardhi, ish-zyrtar vendor

Mësohet se ai është qëlluar me automatik dhe është hedhur në kanal, ku e ka gjetur një i afërm. Por, Aleksandër Bardhi është vëllai i Petrit Bardhit, ish-kryeplak i Shëndellisë dhe ish-administrator i Kaçinarit në Mirditë.

Petrit Bardhi dhe Vëllai tjetër, Florian Bardhi kanë patur probleme me ligjin. Petriti dhe Floriani janë arrestuar kohë më parë për trafik të lëndëve narkotike.

Një sasi e madhe droge, prej 424 kg kanabis u gjet në banesën e tyre në Sarandë, e cila dyshohet se kishte si denstinacion Greqinë, raporton Panorama.

Floriani, do të merrte përsipër trafikimin e drogës nga Saranda në Greqi, pasi në banesë u gjet edhe një pasaportë biometrike me emrin e Florian Bardhit, 50 vjeç.

Operacioni policor në atë kohë ishte koduar "Shëndellia", pikërisht me emrin e fshatit të Sarandës ku jeton Petrit Bardhi dhe ku në 00:35 të këtij mëngjesi u gjet i vrarë vëllai i tij.

Petrit Bardhi rezulton i dënuar edhe më parë për veprën penale "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit".

Në maj të vitit 2015 Petrit Bardhi u ndalua në Tiranë pasi iu gjet një pistoletë, por më vonë u vërtetua se ai kishte leje për mbajtjen e armës. Ndërsa në vitin 2013 kur mbante postin e kryetarit të komunës së Kaçinarit ai pati një përplasje me armë me policinë.

Madje, Petrit Bardhi u lirua nga burgu me pretendimin se "gërhiste shumë".

44-vjeçari u emërua administrator i njësisë administrative Kaçinar pas zgjedhjeve vendore 2015, nga kryetari i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj, i Partisë Socialiste.

Berisha flet për herë të parë për Arminën

Posted: 25 Sep 2016 01:46 AM PDT

Sali Berisha ishte i ftuar mbrëmë në një intervistë me Ermal Mamaqin, ku ka folur për familjen, politikën dhe Partinë Demokratike. Duke folur për Arminën, e cila është në lidhje me djalin e tij, Berisha tha se ajo jeton me Shkëlzenin në një shtëpi tjetër dhe se lidhja e tyre po shkon drejt finalizimit.

I pyetur nëse e ka bekuar këtë lidhje, ai thotë se ka bekuar zgjedhjen e djalit. "Absolutisht, unë zgjedhjen padiskutim. Respektoj zgjedhjen e djalit tim dhe të sajin pa diskutim", ka thënë Berisha.

Më tej, Ermali e ka pyetur edhe për kohën e Fatos Nanos. Ai e ka pyetur nëse e merr malli për atë kohë dhe Berisha mendohet të jetë përgjigjur shkurt se me Nanon nuk ka patur marrëdhënie të mira.

Ermali e ka ngacmuar Berishën edhe për ish-aleatin e tij, Ilir Metën, duke e pyetur nëse e ka puthur ndonjëherë atë. Përgjigja e Berishës është befasuese: "Burrat si rregull nuk puthen, por ka edhe përjashtime", mësohet të ketë thënë Berisha.

 

Qan me lot një gur i thinjur (baladë)

Posted: 25 Sep 2016 01:42 AM PDT

Tani shkoj në fshat pa zhurmë
se syri mu mjegullua
qan me lot një gur i murrmë
qan për vete-qan për mua.

Trupin drejt s’e mbaj më dot
m’u venitën sytë e zinj
guri i murrmë derdhi lot
dhe nga fati im u thinj.

Trokëllij ngadalë me shkop
në qilim të Luarisë
bëj t’i ngjall e s’i ngjall dot
kujtimet e miturisë.

Në rrugicën me barishte,
jap e marr të bëhem djalë
në një këngë labërishte
them të tretem dalëngadalë.

në një këngë labërishte,
them të rri- e them të tretëm,
të tretem si rreze drite
dhe aty përjetë të mbetem.

Të me gjejnë si mjaltë të tretur
gjithë ata që dot s’më panë
në Labovë ende ka mbetur,
për poetin një kambanë.

Për poetin një kambanë
një kandile-një qiri
ju të gjithë merrni dynjanë
unë këtu përjetë do rri.

Unë këtu përjetë do mbetem
në rrjetat e dashurisë,
do më bëhet Monument
Gur i Murrmë i Luarisë.

Te ky prag e te ky krua,
buza kurrë s'më është nginjur,
qan për vete dhe për mua,
qan me lot një gur i thinjur.

Tiranë, 29.01.2007

Related Posts :