Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Live nga Vatikani/ Nis ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Live nga Vatikani/ Nis ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës” plus 9 more - Gazeta Dita


Live nga Vatikani/ Nis ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës

Posted: 04 Sep 2016 01:53 AM PDT

Ka nisur ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan. Ceremoninë e kryeson Papa Françesku.

Në ceremoni janë të pranishëm mijëra besimtarë shqiptarë si dhe personalitet më të larta nga Shqipëria dhe Kosova.

 

Foto/ Kanabis në autobus, arrestohen dy shoferët

Posted: 04 Sep 2016 01:25 AM PDT

Një sasi lënde kanabis sativa është kapur në orët e mbrëmjes së djeshme në Kakavijë, ndërsa në pranga janë vënë dy shoferët e autobusit që ishte nisur nga Shkodra për në Athinë.

Shërbimet e Policisë Kufitare gjatë kontrollit në vijën e dytë, të ushtruar në autobusin e linjës Shkodër -Athinë me targa ITM 8162 që drejtohej nga Angjelin Suta, 39 vjeç, banues Lezhë dhe

Anastas Naska, 47 vjeç, banues në Ura Vajgurore, Berat, kanë evidentuar disa pako të dyshimta të mbështjella me natriban, të cilat ishin të fshehura në një vend të përshtatur mbi gomat e pasme.

Menjëherë kanë bërë bllokimin e autobusit, duke njoftuar grupin hetimor dhe specialistët për narkotikët. Gjatë kontrollit të imtësishëm nga grupi hetimor, u gjetën të fshehura në këtë vend të përshtatur 40 pako të mbështjella me natriban me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë totale 25 kg e 700 gr.

Këto pako u sekuestruan në cilësinë e provës materiale si dhe u sekuestrua dhe autobusi. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesve të autobusit për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve i kryer në bashkëpunim".

 

 

kanabis autobus (2)kanabis autobus (3)kanabis autobus (4)kanabis autobus (5)kanabis autobus (6)kanabis autobus (1)

 

CNN: Historia që fshihet pas sarit të Nënë Terezës

Posted: 04 Sep 2016 01:20 AM PDT

Sari i bardhe me vija blu është një veshje karakteristike për urdhrin e misionareve të Nënë Terëzës, ajo jo vetëm e adoptoi këtë veshje , por e bëri atë një ikonë të vërtetë të humanizmit.

Por e  dini cila është historia e veshjes së Nënë Terezës? Si u krijua? Ku prodhohet?

Në 1948 nëna e shenjtë shqiptare veshi për herë të parë sarin bardh e blu, thotë "CNN".

Pas asaj që historia e ka përshkruar si një "takim me Krishtin" ajo udhëtoi për në Kalkutë që të shpërndarë mesazhin e shenjtë të bilblës dhe të ndihmonte të varfrit e të sëmurit atje.

Në 1958 ajo hapi një qendër vullnetare ku pacientët me lebrozë punonin dhe shëroheshin.

Sot, kjo është pikërisht qendra ku prodhohen sarit bardh e blu të Nënë Teresës, veshje të punuara me tezjak,  për të cilat tanimë dhjetra gra indiane punojnë  në mënyrë  të devotshme në këtë punishte.

Lebroza është një sëmundje vdekjeprurëse që sjell rënien e lëkurës,  e në atë kohë asnjë nga doktorët nuk donte të vizitonte një koloni të infektuar nga kjo sëmundje, por jo Nënë Teresa.

Ajo shkoi atje bashkë me furnizime të mëdha ilaçesh dhe i mësoi njerëzve si të bënin puneedore, një ndër to, edhe sarit bardh e blu që u kthyen në veshjen simbolikë të humanizmit.

Punëtorët në qendër tashmë prodhojnë sari për 4000 murgesha nga 133 shtete.

"CNN" transmeton se Nënë Teresa e krijoi këtë veshje sepse ajo nuk përfaqësonte asnjë sek fetar, përkundrazi, ngjante më shumë me veshjet e njerëzve të varfër./SYRI.net

Screenshot_6Screenshot_7
Screenshot_3
Screenshot_3

Asgjësohen 5500 bimë narkotike

Posted: 04 Sep 2016 01:13 AM PDT

Vijon operacioni antikanabis i policisë. 5 500 bimë narkotike janë zbuluar dhe asgjësuar në sajë të këtij operacioni në Ishëm.

Sipas policisë gjatë kontrollit të ushtruar në Rrotull, Ishëm u gjetën dhe u asgjësuan me anë të djegies rreth 5 500  bimë narkotike të llojit kanabis sativa.

Po punohet ndërkohë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale"Kultivimi i bimëve narkotike".

WSJ: Tereza e Kalkutës, nga Nënë në Shenjtore

Posted: 04 Sep 2016 01:08 AM PDT

Pas një jete të përkushtuar ndaj të varfërve, ajo do të shenjtërohet nga Papa.

Disa dekada më parë, në një ditë të zakonshme, Nënë Tereza ishte duke pastruar krimbat e një trupi të vdekur në rrugët e Kalkutës. Një gazetare shkroi: "Nuk do ta kisha bërë këtë për miliona dollarë". Nënë Tereza iu përgjigj: "As unë".

Pas një jete mes këtyre momenteve, Nënë Tereza e Kalkutës do të jetë Shën Tereza e Kalkutës. Selia e Shenjtë pret që çerek milion njerëz të ndjekin shenjtërimin e saj në sheshin e Shën Pjetrit të dielën, të drejtuar nga Papa Françesku. Rreth 20 vite pas vdekjes, Vatikani do tërheqë numrin më të madh të pelegrinëve se në çdo ngjarje tjetër të mbajtur këtë vit.

Shqiptarja e lindur në 1910, Nënë Tereza, u përkushtua ndaj të varfërve që e bëri atë një prej katolikeve më me ndikim në shekullin XX. Ajo la pas një organizatë me mijëra njerëz në 12 shtete, që vazhdojnë punën e saj. Por, jeta e saj shërben edhe si një provë që pakicat fetare dhe gratë mund të arrijnë aty ku se pret njeri.

Gjatë gjithë jetës dhe deri në vdekje, nacionalistët indianë kanë vënë në pikëpyetje arsyet e murgeshës, duke hamendësuar se ajo ishte e shqetësuar vetëm për katolicizmin e vendit. Një nga udhëheqësit e Vishwa Hindu Parishad, një organizatë nacionaliste Hindu, tha se së fundmi shenjtërimi i saj do të ishte një "rënie e kambanave të alarmit", sepse në Indi do të kishte më shumë konvertime të besimit. Po ashtu më tepër fonde do të jepeshin për konvertimin e besimit në Indi.

Ende në rangjet më të larta qeveritare, Shenjtorja e ardhshme mbetet një figurë e respektuar pavarësisht reagimeve të mundshme politik. Kryeministri i Narendra Modi tha se: "Është e natyrshme për ne indianët që të ndihemi krenarë për shenjtërimin".

Ky nuk është një gjest i vogël kur mendon afërsinë e Kryeministrit me liderin e organizatës nacionaliste Rashtriya Swayamsevak Sangh, që ka thumbuar herë pas here murgeshën në të kaluarën. Zoti Modi ka caktuar ministrin e Punëve të Jashtme, Sushma Swaraj, që të marrë pjesë në shenjtërim.

Në vitin 1950, Selia e Shenjtë e lejoi Nënë Terezën që të hapte një urdhër fetar "Misionaret e Bamirësisë", që do të ndihmonte të varfrit. Dy vite më pas, ajo hapi strehën e parë në Kalkutë që do të përkujdesej për njerëzit në agoni dhe pranë vdekjes. Duke vepruar si një pakicë fetare, shumë shpejt do të përqafohej nga shumica.

Autoritetet indiane i dhuruan një strehëz pranë tempullit të perëndeshës Kali, që shpesh është lidhur me vdekjen. Strehëza më parë mirëpriste pelegrinët hindu, u bë vendi ku misionaret katolike kujdeseshin për të sëmurët dhe të varfrit.

Fillimisht, fluksi i njerëzve të sëmurë nuk iu pëlqeu priftërinjve të tempullit. Por, ndryshuan mendje kur panë me sytë e tyre se si Nënë Tereza kujdesej për plagët e njerëzve që lëngonin. Kur njëri nga priftërinjtë e tempullit ishte pranë vdekjes, ajo u përkujdes personalisht për të dhe ai u varros sipas ritualeve të besimit të tij fetar.

Kjo shënoi fillimin e një tradite bashkëpunimi dhe shërbimi me indianët e të gjitha besimeve fetare.
Veshja e saj, e bardhë me blu, tashmë është kthyer në simbol. Në fillim, ajo u vesh në këtë mënyrë për t'u identifikuar me njerëzit që ajo iu shërbente.

Gjashtë dekada pas themelimit, Misionaret e Bamirësisë kanë më shumë se 5500 anëtare që ndjekin besimin e Nënë Terezës në 133 vende. Ato punojnë azile, jetimore, u vijnë në ndihmë njerëzve me lebrosë, si dhe në qendrat e rehabilitimit nga drogat dhe alkooli. Qindra dhe mijëra njerëz punojnë vullnetarisht.

Për angazhimin e saj, sikurse dhe frymës që frymëzoi veprimtarinë e saj, Nënë Terezës iu dha çmimi Nobel për Paqen në 1979. Pas marrjes së çmimit, popullariteti dhe ndikimi i murgeshës vinte direkt pas Papës, Gjon Pali II. Kjo në një Kishë që supozohet se i shtyp gratë.

Lartësimi i Nënë Terezës ka sfiduar gojëdhënën se gratë nuk mund të bëhen aktore të rëndësishme të Kishës Katolike. Në disa mënyra, ajo ishte më e fuqishme se kardinalët që zgjedhin Papën, të cilët jo të gjithë kishin marrëdhënie personale me Papa Gjon Palin II, ashtu sikurse Nënë Tereza.

Gjatë takimit në Rimini në 1987, një takim i përvitshëm i krerëve të organizatave humanitare, Nënë Tereza planifikoi të mbante një fjalim. Gjithsesi, për shkak të një ndryshimi në minutën e fundit, vendi i vetëm nga ku ajo mund të fliste ishte në një hapësirë që ishte rezervuar për një nga kardinalët. I informuar për këtë gjatë fjalimit të tij, kardinali shkeli protokollin dhe menjëherë i ofroi kohën e tij të mbetur, një gjest jo i vogël në hierarkinë kishtare.

Të dielën, Papa Françesku do të bëjë zyrtare atë çka miliona njerëz kanë pritur që të bëhet realitet që kur Nënë Tereza vdiq më 5 Shtator 1997: Të jetë Shenjtore. Një sixhade e madhe me fytyrën e saj do të varet nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit. Nga atje, ajo do të shikojë mijëra njerëz të mbledhur duke buzëqeshur. Pavarësisht të gjithë vuajtjeve që ajo ishte dëshmitare, Nënë Tereza do të ketë shumë arsye që të ndihet e lumtur.

Javier Martínez-Brocal

The Wall Street Journal

Gjermania ka ndryshuar

Posted: 04 Sep 2016 12:55 AM PDT

Edhe pse ka shumë që e mbështesin fjalën e kancelares “Ne mund t’ia dalim mbanë”, kritikat ndaj politikës së saj janë shtuar. Megjithatë politikisht në Gjermani nuk ka tendenca ekstremiste, mendon Verica Spasovska.

Ka disa gjëra që kanë ndryshuar në Gjermani këtë vit. Fillimisht një lajm i keq: racizmi në Gjermani është rritur. Partia populiste e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AFD), e cila kishte humbur ithtarë para krizës së refugjatëve, përfitoi nga frika e shumë gjermanëve prej refugjatëve.

Ndërkohë AFD mund të fitojë sipas sondazheve të fundit në mbarë vendin deri në 15 për qind të votave. Në zgjedhjet e fundit parlamentare ajo nuk arriti të kalonte pragun prej pesë për qind dhe kështu nuk mund të hynte në parlament. Por sot gjërat duken ndryshe. Ksenofobia është bërë e pranueshme në shoqërinë gjermane.

Vatër e drejtimeve politike të qendrës

Megjithatë këtë fakt duhet ta klasifikojmë në krahasim me vendet e tjera evropiane: në Francë dhe Bullgari, për shembull, populistët e djathtë kanë më shumë se njëzet për qind vende në parlamentet, në Hungari dhe në Poloni drejtojnë madje qeverinë.

Në Britaninë e Madhe, partia ksenofobike UKIP dha shtysën fillestare për daljen e vendit nga BE-ja. Krahasuar me vendet me orientim të thellë nacionalist të Evropës Lindore, Gjermania është ende një vatër e orientimit politik të qendrës dhe e stabilitetit.

Raporti i gjermanëve ndaj kancelares ka ndryshuar: popullariteti i saj kanë rënë. Shumë gjermanë janë të pakënaqur me qëndrimin në krizën e refugjatëve. Nga ana tjetër, shifrat e sondazhit për partitë e unionit konservator në pushtet janë ende të qëndrueshme.

Jashtë vendit kancelarja vazhdon të vlerësohet ende shumë lart. Edhe pse politika e saj ndaj refugjatëve nuk pëlqehet në shumë vende të BE-së, për pyetje kyç si se si do të vazhdohet pas referendumit për Brexitin fjala e saj ka ende peshë. Gjesti humanitar ndaj refugjatëve u vlerësua jo vetëm nga Presidenti amerikan Obama: “Gjermania ka vepruar drejt në këtë histori”.

Frika nga terrori rritet

Kancelarja ndesh gjithashtu në mirënjohjen e shumë njerëzve në Afrikë dhe Lindjen e Mesme: për shkak se Gjermania i bëri fjalët veprat dhe u lejoi njerëzve në nevojë të vijnë këtu. Raporti i gjermanëve ndaj refugjatëve ka ndryshuar.

Pas valës së parë të ndihmës po përhapet një lloj zhgënjimi. Sulmet në prag të Vitit të Ri, sulmet islamike e Ansbach dhe Würzburg kanë nxitur frikën nga terrorizmi islamik në mesin e gjermanëve, edhe pse të dy atentatorët kishin ardhur në Gjermani shumë kohë para hapjes së kufirit në shtator 2015 dhe vetëm pak nga sulmuesit e ditës së Vitit të Ri në Këln kishin ardhur si refugjatë në Gjermani

Ne tani e dimë, megjithatë, se islamistët e kanë përdorur rrjedhën e pakontrolluar të refugjatëve të vitit të kaluar për të hyrë në Gjermani. Por nëse kufijtë do të ishte mbajtur të mbyllur, do të kishin mbetur pa ndihmë qindra-mijëra vetë.

Pavarësisht pasigurive gatishmëria për të ndihmuar që ndihet në Gjermani që vjeshtën e kaluar, vazhdon të ndihet ende. Gjermanët ndihmojnë ku të munden: strehojnë refugjatët e mitur që janë të pashoqëruar ose u ndihmojnë për të gjetur punë. Pa punën e madhe vullnetare të mijëra qytetarëve shumë gjëra nuk do të ishin organizuar dot kaq mirë.

Në Gjermani refugjatëve nuk u duhej të flinin në rrugë.Pjesa më e madhe e refugjatëve që kanë ardhur në Gjermani janë në gjendje më të mirë se më parë. Ky gjest bujar i strehimit të njerëzve në nevojë mund të konsiderohet prej Gjermanisë me të drejtë si histori suksesi.

Detyra të mëdha përpara

Por sfidat e vërteta janë ende përpara. Shoqëria që pranon refugjatë duhet të ndërmarrë shumë masa integruese që fëmijët të shkojnë në shkolla dhe të rriturit të gjejnë në punë. E gjithë kjo kushton para dhe shkakton debate nga zilia që mund të prishin paqen sociale.

Në të njëjtën kohë, kriza e refugjatëve është edhe një mundësi për ta nxjerrë në pah bashkësinë individuale të vlerave me më tepër vetëbesim nga në të kaluarën. Duhet të jetë e vetkuptueshme që të gjithë refugjatët që mund të qëndrojnë në Gjermani duhet të mësojnë gjermanisht, të respektojnë vlerat e shoqërisë së lirë dhe demokratike, të venë Kushtetutën mbi Biblën, Kuranin apo shkrime të tjera të shenjta dhe të pranojnë barazinë e burrit dhe të gruas. Shkeljet e ligjit duhet të dënohen menjëherë dhe dëbimi i të huajve që kryejnë vepra penale duhet të bëhet shumë më shpejt se deri tani.

Nevojitet solidaritet

Po, kriza e refugjatëve i ka nxjerrë gjermanët nga zona e tyre e rehati dhe kërkon shumë prej tyre. Ajo ofron sfida të reja duke krijuar njëkohësisht edhe mundësi. Sepse një lajm i mirë është që diversiteti i kulturave përmban gjithashtu një potencial të madh, në qoftë arrihet që refugjatëve t’u përcillet ndjenja se ata i përkasin këtij vendi. Atëherë ata do të kontribuojë pozitivisht në shoqëri. Paratë që refugjatët dërgojnë në shtëpitë e tyre, janë më shumë se paratë që paguan Gjermania për ndihmën për zhvillim.

Nëse gjermanët nuk i shohin refugjatët si problem, por i shohin gjërat realisht, në qoftë se ata konstatojnë se solidariteti me njerëzit në nevojë mund ta forcojë një komunitet, atëherë në retrospektivë mund të themi: mirë që Gjermania ka ndryshuar!/DW

Sa rrezikon Shqipëria nga tërmetet!?

Posted: 04 Sep 2016 12:51 AM PDT

Të dhënat historike tregojnë se tërmetet kanë shkatërruar krejtësisht disa herë Durrësin, teksa lëkundjet sizmike renditen të parat për katastrofat që mund t'i krijojnë vendit fatkeqësitë e tjera natyrore.

Shqipëria renditet e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet, ndërsa lëkundjet shkatërruese mund të shfaqen çdo shekull. Ekspertët tregojnë se vendi nuk ka as fondet e as infrastrukturën e mjaftueshme për të përballuar dukuri të tilla. Ja qytetet më të rrezikuara nga tërmetet dhe llojet e ndërtesave që shemben

Elona Bedalli
Blerina Hoxha

Amfiteatri 2700-vjeçar i Durrësit, një vepër gjigante antike, u zbulua vetëm në fund të viteve '60. Vendasit thonë se shkak u bë fundosja e një fiku që zgjoi kuriozitetin edhe të arkeologëve për të zbuluar pse pema u zhyt thellë në tokë. Pas gërmimeve poshtë kodrës plot me banesa u gjet objekti gjigant antik 2700-vjeçar, Amfiteatri i Durrësit. Gërmimet zbuluan se poshtë qytetit të Durrësit ishin rrënojat e një qyteti antik të vjetër.

Llambro Duni, ekspert i njohur i sizmologjisë në vend, thotë se ka dëshmi të besueshme se qyteti i vjetër i Durrësit (Dyrrahum) është goditur disa herë nga tërmete të fortë, të cilët kanë shkaktuar dëmtime serioze njerëzore dhe ekonomike.

Të dhënat historike tregojnë se në vitet 177 para Krishtit, 344 pas Krishtit dhe më vonë në vitet 506, 1273, 1279, 1869 dhe 1870 qyteti është shkatërruar totalisht.

Duni thotë se goditje të ngjashme ka pësuar edhe Butrinti në vitin 1153 dhe Apolonia që është shkatërruar tërësisht në shekullin I, para Krishtit. Më vonë, gjatë shekullit XX, vendin tonë e kanë prekur një numër tërmetesh të fuqishëm, ndër të cilët tërmeti i Shkodrës i vitit 1905; ai i Pogradecit, i vitit 1911; Tepelenës i vitit 1920; i Lushnjës i vitit 1959; i Korçës i vitit 1960; i Fierit i vitit 1962; i Dibrës më 1967; tërmeti i 15 prillit 1979 me epiqendër në territorin e Malit të Zi si dhe tërmeti i 9 Janarit 1988 në Tiranë.

Por tërmeti i fundit, që ndodhi në Italinë Qendrore shumë afër Romës me magnitudë 6.4 ballë, duke shkaktuar më shumë se 250 viktima dhe duke rrënuar qindra shtëpi, ka krijuar pasiguri edhe në vendin tonë, pasi Shqipëria, njësoj si Italia, Greqia dhe Turqia është në një rajon në mes të pllakave tektonike që, sipas studiuesve prodhojnë tërmet rreth 6 ballë gati çdo vit.

Përtej pasojave sociale, këto fenomene natyrore të pashmangshme kanë ndikim të madh në ekonominë e vendeve. Shqipërisë, ndër vite, i është dashur të paguajë një faturë të lartë për shkak të dëmeve që kanë krijuar fatkeqësitë, të tilla si tërmetet, përmbytjet dhe zjarret etj. Një studim që ka bërë Qendra Europiane për Çështje të Sigurisë, tregon se humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis viteve 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 8.5 miliardë lekë në vit.

Ndërsa eksperti Duni, në studimet e tij për riskun e tërmeteve, thotë se, nëse një tërmet i përmasave 6 ballë prek kryeqytetin, objektet që rrezikojnë shembjen janë ato të ndërtuara para viteve 1960, kryesisht parafabrikatet dhe ato me qerpiç. Ndërsa për ndërtesat pas viteve '90 garancia është më e lartë, pasi për ndërtimin e tyre është përdorur hekur dhe beton.

Hajredin Fratari nga Konfindustria shqiptare, një nga ndërtuesit më të hershëm në vend, thotë se përgjithësisht, ndërtimet në Tiranë në dy dekadat e fundit janë realizuar duke marrë në konsideratë tërmete nga 7-8 ballë, por ai nuk e përjashton mundësinë e abuzimeve me hekurin dhe betonin. Në Tiranë nuk funksionojnë analizat për cilësinë e betonit dhe të hekurit. Për më tepër nuk respektohen eurokodet dhe operohet ende me standardet ligjore të sizmologjisë e ligjit të 1989.

Objektet që rrezikojnë shembjen

Studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.

Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960.
Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara.

Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve.

Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave.

Në rast të tërmeteve me ndikim të lartë, që mund të ndodhin një herë në 500 vjet, potenciali energjetik i çliruar është i aftë të shkaktojë një katastrofë të ndërtimeve në nivel kombëtar.
Por procesi i zhvendosjes së popullsisë ka ulur impaktin e tërmeteve të fortë në vatrat tërmetore në veri dhe jug të vendit, por ka rritur dukshëm ekspozimin në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera që ndikohen nga zonat burimore të tërmeteve në zonën bregdetare.

Ekspertët e Institutit të Sizmologjisë tregojnë se parametrat e parë sizmike që shoqëronin të parën hartë të zonimit sizmik të Shqipërisë u miratuan në vitin 1952. Më vonë, në vitet '60, është bërë një rishikim i rrezikut sizmik ku janë bërë përmirësime.

Pas tërmetit të vitit 1979, në Malin e Zi u miratua një hartë sizmike e Shqipërisë. Më vonë gjatë viteve '80 është bërë një rishikim i përgjithshëm i kushteve teknike të projektimit antisizmik dhe kanë hyrë në veprim rregullat e reja për qëndresën ndaj tërmeteve në vitin 1989, të cilat vijojnë të jenë sot e kësaj dite në fuqi.

Vrojtimet e bëra deri tani për dëmet e shkaktuara nga tërmetet tregojnë se projektimi korrekt i një strukture duhet të marrë në konsideratë ndikimin e dukurive të mësipërme në themelet e godinës.

monitor 744.indd

Shqipëria, e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet

Në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.

Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton që qysh prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë. Prej këtyre 55 tërmeteve të një periudhe më shumë se 2000-vjeçare, 36 i takojnë shekullit të 19, gjë që na bën të mendojmë se numri i tërmeteve shkatërrues të përmendur më sipër është i nënvlerësuar dhe se tërmete të tjerë shkatërrues janë fshehur në errësirën e historisë, shprehet Duni në studimin e tij.

Stacionet europiane të sizmologjisë kanë regjistruar matjen e saktë të tërmeteve në Shqipëri me magnitudë 6 ballë që në fillim të shekullit të 20-të. Ndërsa magnitudat më të ulëta deri në dy ballë kanë nisur të maten në fund të viteve 1960.

Shqipëria është në mesin e një zone të gjerë kontakti midis pllakave tektonike të Afrikës.
Rajonet që rrethojnë Shqipërinë përfshijnë një zonë tektonike mjaft të gjerë, ku bëjnë pjesë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria Jugore dhe Turqia Perëndimore. Çdo vit, në këtë rajon ndodh të paktën një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5 ballë.

monitor 744.indd

Skenarët shqiptarë të tërmeteve

Nga vlerësimet e rrezikut sizmik rezulton se tërmetet me magnitudë 5,0 kanë një periudhë përsëritje prej 3.6 vjetësh, ndërsa tërmetet 5.5, 6, 6.5 dhe 7 ballë kanë një periudhë përsëritje 10, 29, 94 dhe 505 vjet.

Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit, nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë dhe një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë.

Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë–Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi. Këto zona janë goditur nga tërmete 6-7 ballë në vitet 1905, Shkodra, në vitin 1985; Lezha me 6 ballë dhe në vitin 1979 Petrovaci me 7.2 ballë, që dha efektet gati në të gjithë Shqipërinë.

Zona e dytë sizmike është ajo e Ultësirës pranë Adriatikut me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Beratit. Pranë Tiranës në vitet 1988 është regjistruar një tërmet 6 ballë, në Durrës në vitin 1926 është regjistruar një termet 6,6 ballë dhe në Berat në vitin 1959 në termet 6.6 ballë.

Zona e tretë sizmike është ajo e bregdetit Jon me qytetet e Vlorës, Himarës, Tepelenës dhe Sarandës. Këto dy të fundit janë goditur në vitin 1920 nga tërmeti me fuqi 6.6 ballë, Himara është goditur në vitin 1930 nga një tërmet 6.6 ballë dhe Vlora në vitin 1962 nga një tërmet 6.6 ballë.

Zona e katërt është Kukës–Peshkopi, ku të dy këto qytete janë të ekspozuara. Në vitin 1998, në Kukës, është regjistruar një tërmet 6 ballë dhe në Peshkopi, një tërmet 6 ballë në vitin 1942.

Zona e pestë sizmike është ajo Dibër-Elbasan-Korçë, ku ekspozimin më të lartë e ka qyteti i Elbasanit. Në liqenin e Ohrit, është regjistruar në vitin 1911 një tërmet me fuqi 6.7 ballë dhe Leskovik në vitin 1919, një tërmet po me fuqi 6.7 ballë. Në Elbasan në vitin 1967 është regjistruar një tërmet me fuqi 6.6 ballë.

"Shuhet" stafi…
Rrjeti sizmologjik aktualisht përbëhet nga 13 stacione plus 34 stacione të tjera "të lëkundjeve të mëdha". Ky rrjet po operon tashmë si një sistem dixhital, i integruar plotësisht, nëpërmjet përdorimit të komunikimit satelitor. Këto rrjete monitorimi janë e vetmja infrastrukturë sizmologjike në vend, që trajton monitorimin dhe studimin e aktivitetit sizmik në Shqipëri.

Personeli i shërbimit sizmografik është trajnuar së fundi nga NATO, për është i nevojshëm trajnimi i mëtejshëm i tyre, për arsye se sizmologët ekzistues (6 veta) marrin pjesë në kërkim-shpëtim, evakuim, trajtim e transportim të personave të plagosur.

Drejtori për sizmologjinë në Institutin e Gjeoshkencës, Spiro Duni, tha se mbetet sfidë kualifikimi dhe përgatitja e burimeve njerëzore në të ardhmen. Të rinjtë nuk kanë interes të fokusohen në sizmologji, për shkak se shpërblimet financiare nuk i korrespondojnë investimit në fushën kërkimore.

Kapacitetet për reagimin
Në një studim që koloneli Foto Duro ka bërë për Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë, thotë se kapacitetet reaguese ndaj situatave të emergjencës sigurohen nga institucione të ndryshme, midis të cilave, pjesa kryesore është kontribut i ushtrisë. Për shërbimet jetësore janë në dispozicion për evakuim 16 kamionë, 17 helikopterë dhe rreth 65 motobarka të vogla.

Për strehim janë në dispozicion tenda për 17 mijë njerëz vetëm nga ushtria plus tenda të siguruara nga të tjera institucione.

Për evakuim mjekësor janë 178 autoambulanca (nga Ministria e Shëndetësisë në 36 qarqe, ku janë edhe spitalet, 11 prej tyre në Tiranë) plus 12 autoambulanca janë në dispozicion nga ushtria.
Në dispozicion të ushqimit janë dy njësi prodhimi bukë për 2400 kilogramë bukë në ditë dhe 12 kuzhina për deri në 3000 racione në ditë.

Për ujin e pijshëm janë në dispozicion 7 autobote, që në total sigurojnë 67 tonë 11 pompa. Dy njësi janë për pastrim uji dhe dy njësi dushesh që përballojnë 200 veta në ditë, që mund të ngrihen jashtë zonës së prekur, 72 orë pas shpalljes së emergjencës. Gjashtë njësi janë në dispozicion për situata tërmeti, përmbytje, zjarre, 2 helikopterë nga ushtria janë për aksidente ajrore apo në det dhe 4 anije nga ushtria për aksidente në det.

Duke krahasuar Shqipërinë dhe Estoninë, konstatohet se në rang vendi, një automjet zjarrfikës u shërben respektivisht 37 mijë personave (Shqipëri) dhe 6 mijë personave (Estoni), ndërsa në kryeqytetet e tyre, këto shifra janë respektivisht 52 mijë dhe 33 mijë persona. Duke konsideruar ndihmën mjekësore, në rang vendi, një autoambulancë u shërben respektivisht 17,800 personave në Shqipëri dhe 12,700 personave në Estoni.

Një tjetër problem në lidhje me këto kapacitete është niveli relativisht i ulët i gatishmërisë teknike të automjeteve, agregateve dhe pajisjeve, i cili në vlerësim të përgjithshëm nuk shkon më shumë se 60-70%.

Burime të kufizuara financiare
Në legjislacionin aktual, nuk ka përcaktim të qartë për përqindjen e fondeve të parashikuara për menaxhimin e fatkeqësive natyrore. Por kohët e fundit është bërë një përcaktimin që ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore duhet të kenë një buxhet të ndarë për Mbrojtjen Civile, në nivel 0.3 deri në 1% të buxhetit të tyre.

Ligji përcakton gjithashtu, jo vetëm nevojën që pushteti lokal të mbështetet me fonde nga ai qendror në rast fatkeqësish, por edhe detyrimin e pushtetit lokal për të përdorur për këtë qëllim të ardhurat e veta.

Në nivel bashkie, 3% e buxhetit të vet, planifikohet për të kompensuar qytetarët nga dëmet prej fatkeqësive natyrore, një shumë kjo shumë më e ulët se përcaktimi në ligj që kompensimi i popullsisë së prekur nga fatkeqësia natyrore duhet të shkojë deri 40%.

Janë katër lloj buxhetesh për emergjencat: buxheti për emergjencat i MB, buxheti për emergjencat i pushtetit lokal, buxheti i rialokuar për emergjencat i ministrive të linjës dhe Fondi Rezervë i qeverisë. Pjesa dërmuese e fondit në këto lloj buxhetesh është e alokuar për parapërgatitje dhe masat e rimëkëmbjes postemergjencë.

Në buxhetet e ministrive të linjës të dedikuara për zhvillim e trajnim, ka gjithashtu fonde që të paktën në letra shkojnë për emergjencat. Sidoqoftë, në terma të përgjithshëm, burimet financiare në Shqipëri, të dedikuara për RRF janë shumë të kufizuara, sidomos në nivel pushteti lokal, vlerësojnë ekspertët e fushës.

Sigurimi
Edhe pse intensiteti i fatkeqësive natyrore është shtuar së tepërmi vitet e fundit, sidomos nga përmbytjet, ende nuk ka një skemë kombëtare sigurimi për të zbutuar pasojat e fatkeqësive. Banka Botërore e ka asistuar në vijimësi Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, por ende nuk ka rezultate.
Banka Botërore ka propozuar ngritjen e skemës kombëtare të sigurimit ku parashikohet një fond i veçantë sigurimi për këtë qëllim.

Avni Ponari, administratori i kompanisë së sigurimeve SIGAL, tha se çështja e parandalimit të dëmeve financiare nga fatkeqësitë natyrore zgjidhet në dy mënyra. E para, nëpërmjet rrugës institucionale, ku duhet hartuar dhe miratuar një ligj nëpërmjet të cilit të bëhet sigurimi i detyrueshëm për fatkeqësitë natyrore.

Ka një përpjekje disavjeçare në këtë drejtim, tha Ponari, por ende nuk është dhënë zgjidhja ligjore. Që të funksionojë skema e sigurimit duhet mbështetja e qeverisë për ngritjen e një fondi të posaçëm që të jetë si një e ardhur për kompanitë me destinacion kompensimin e dëmeve që krijohen nga përmbytjet.

Ndërkohë është rritur ndërgjegjësimi në zonat me risk të lartë nga fatkeqësitë natyrore për sigurimin. Ponari tha se vetëm SIGAL ka mbi 500 klientë në këto zona. Tre prej tyre ishin në zonat e përmbytura dhe përfituan totalisht nga dëmet që krijuan në të mbjella bagëti dhe banesa.

Primet për sigurimin e pronës janë 15 euro, një shumë kjo mjaft e përballueshme për të shmangur humbjet që krijohen nga katastrofat natyrore të tilla si përmbytjet dhe tërmetet. Zgjidhje të ngjashme kanë bërë edhe vendet e rajonit, ku shteti ka krijuar një fond të veçantë që mbështet kompanitë e sigurimit posaçërisht për kompensimin e dëmeve që mund të krijohen nga përmbytjet.

monitor 744.indd

Historia shqiptare e fatkeqësive natyrore

Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla. Prej tyre, nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme – thuhet në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë.

Gjatë kësaj periudhe, referon studimi, për shkak të këtyre fatkeqësive, 163 njerëz humbën jetën, ndërsa rreth 4 milionë u prekën në një masë apo në një tjetër. Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore.

Së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Lindor e Juglindor, ajo ka pësuar pothuajse çdo vit një tërmet me magnitudë më pak se 6.5 ballë. Shtatë qytetet më të mëdha të Shqipërisë futen në zonën me probabilitet 75% prej këtij rreziku. Rreth 10% e territorit shqiptar konsiderohet "e paqëndrueshme", objekt i rrëshqitjes së dherave.

Përmbytja e Ultësirës Perëndimore (sipas skenarit më të keq në 100 vjet) mund të prekë seriozisht 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85500 banesa (në rreth 7.9 milionë m²) rreth 565 mijë njerëz.
Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve. Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë). Studimi nxjerr në pah se, Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret, pasi pyjet zënë rreth 29% të sipërfaqes. Në vitin 2007, sipërfaqja totale e djegur (për shkaqe natyrore apo nga njeriu) arriti 127 mijë hektarë./MONITOR

Nënë Tereza, shenjtorja e të varfërve

Posted: 04 Sep 2016 12:39 AM PDT

"Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit", janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Kur ishte gjallë, Nënë Tereza cilësohej si "një shenjtore e gjallë", sot pas 19 vjetësh nga vdekja e saj merr zyrtarisht këtë titull gjatë ceremonisë në sheshin San Pietro në Vatikan.

"Do të jetë një gëzim i madh ta shikojmë shenjtore, e meriton", janë fjalët e Papa Françeskut, në prag të ceremonisë së shenjtërimit.

Data 4 shtator do të shënohet në kalendarin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës. Papa Françeksu firmosi në 15 mars 2016 dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës.  Papa Françesku miratoi në dhjetor të 2015 një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të Nënë Terezës me Perëndinë.

Ndërsa në vititn 2008 Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet Nënë Terezës atë të shërimit të një mashkulli brazilian me tumor në kokë.

Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi  imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra "njerëz të trotuar".

Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim rrace, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

 

Jeta e Nënë Terezës

Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u bë më njeriu më popullor në botë për shkak të manifestimit të ndjenjës së humanizmit. Ajo kaloi 45-vjet në shërbim të plotë të varfërve, të të sëmurëve, jetimëve duke ofruar dhe kërkuar ndihma për ta në mbarë botën.

Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18 vjeçare, e nxitur nga dëshira për t'u bërë misionare, Gonxhia u largua nga shtëpia atërore për të hyrë në Institutin e Motrave të Loretos.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë.

Më 10 shtator 1946, gjatë shtegtimit me tren nga Kalkuta, në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, motër Tereza, profesoreshë gjeografie në shkollën e mesme të vajzave, ndjen thirrjen në thirrje. Del nga mjediset e qeta të Institutit drejt e në rrugë të madhe, ku e thërret zëri i Krishtit.

Bëhet e varfër, në mes të varfërve, si Zoti, të cilit ia kushtoi gjithë jetën. Më 17 gusht 1948 vesh për herë të parë sarin e bardhë me vija blu të grave të varfëra indiane. E veshur me këtë rrobe të përvuajtur, me këmbët mbathur me sandalet, më pas simbol i shtegtimeve të saj në lagjet më të varfra të mbarë botës, ajo nisi t'i kërkonte të varfërit më të varfër nëpër të gjitha skutat e Planetit.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. "Nënë Tereza e Kalkutës" u quajt kur themeloi urdhrin "Misionaret e Dashurisë" (1951) për t'u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: "Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri".

Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve '90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë.

Në 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tirane, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë "me të varfërve nga të varfërit" në 450 qendra në mbarë botën.

Shtëpia e parë e Misionarë të Bamirësisë në Shtetet e Bashkuara ishte themeluar në Bronksin e Jugut, Nju Jork; deri më 1984 asambleja punonte në 19 institucione gjatë gjithë vendit. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë : Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindishte.

Shqiptarja trupvogël ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë të jashtëligjshëm e binjakë.

Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes.

Shqiptarët kanë shenjtoren e tyre: Shën Tereza

Posted: 04 Sep 2016 12:37 AM PDT

Nga dita e sotme – e diele, 4 shtator 2016 – Nënë Tereza do të thirret Shën Tereza, një titull ky i merituar për një shqiptare që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve.

Ndërkohë, prej të premtes në Vatikan ka hyrë në zbatim plani i sigurisë së lartë i hartuar nga Prefektura e Romës me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të humanistes shqiptare, ku janë parashikuar të marrin pjesë rreth 100 mijë besimtarë në meshën e Shenjtërimit të Nënës Tereze.

Praninë e kanë konfirmuar delegacione qeveritare nga e gjithë bota. Ndërsa, rreth 600 gazetarë e 125 korrespondentë televizivë janë të akredituar për të ndjekur këtë ngjarje të madhe.

Ceremonia e Shenjtërimit të Nënës Terezës si dhe mesha e Festës së Shenjtores Terezë, do të transmetohet direkt nga qendra televizive e Vatikanit, si dhe nga 120 televizione të ndryshme në botë, përfshirë edhe televizionet nga Kosova dhe Shqipëria.

Gjithashtu, ceremonia mund të ndiqet me live stream në kanalin në YouTube te qendrës televizive të Vatikanit.

Agnese Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare (prindërit e lindur në Kosovën e sotme), në Shkup. Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.

Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003.

Më 17.12. 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian, të sëmurë me tumor në tru.

Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit: e diele, 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Shenjtërimi i Nënë Terezës, Trump: Më e mira e të gjithëve

Posted: 04 Sep 2016 12:35 AM PDT

Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump ka komentuar shenjtërimin e të madhes Nënë Tereza.

"Nënë Tereza përfaqëson më të mirën e të gjithëve ne. Ajo ishte e shenjtë dhe e devotshme dhe unë mendoj se është e mrekullueshme të shohësh katolikët anembanë botës duke nderuar kontributet e saj të shumta",- ka shkruar Trump në faqen e tij në Facebook.

Postimin e tij, Trump e ka shoqëruar edhe me një video me disa nga momentet e shenjtores shqiptare.

Ceremonia për shenjtërimin e Nënë Terezës do të mbahet nesër në Vatikan nga Papa Françesku. Sakaq yjet e muzikës shqiptare po këndojnë në koncertin që po mbahet sonte në Vatikan.

Related Posts :