Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

““Lulzim Bashës duan t’ia marrin partinë, por nuk kanë mbështetje”” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

““Lulzim Bashës duan t’ia marrin partinë, por nuk kanë mbështetje”” plus 9 more - Gazeta Dita


“Lulzim Bashës duan t’ia marrin partinë, por nuk kanë mbështetje”

Posted: 26 Sep 2016 02:11 AM PDT

"Disa individë në parti po i shohin gjërat me "kokëposhtë" duke menduar më parë për interesa personale dhe jo të punojnë për fitoren e së djathtës në 2017-ën". Kështu shprehet Jemin Gjana, tepër kritik ndaj kritikëve të Lulzim Bashës në PD.

Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" ai flet hapur kur thotë se këta persona po tentojnë t'ia marrin partinë Lulzim Bashës pavarësisht se ka bindjen se nuk mund t'ia arrijnë dot këtij qëllimi. Ai thotë se ata nuk kanë mbështetje në parti.

Sipas tij, "kush shkel bukën e shtëpisë, nxjerr sytë". Ish ministri dhe ish deputeti i PD-së flet edhe për aleancat e reja të PD-së duke mos përjashtuar një të tillë pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe me LSI-në e Ilir Metës.

Z.Gjana ju ishin pjesë e ekipit të madh të opozitës që ndoqi nga afër zgjedhjet në Dibër, por a e ka gjetur PD-ja përgjigjen se përse humbi atje?
Mendoj që po. Ne ishim shumica atje. Edhe unë që pata, si shumë kolegë një zonë në patronazh, e cila ngase demokratët e saj nuk u tunduan ia dolën fitores. Në Kalanë e Dodës fitoi PDja. Të gjithë e kanë parë që atje zgjedhjet u dominuan nga paratë e pista, u dominuan nga pazaret, u dominuan nga individë të inkriminuar, u dominuan nga presioni i pushtetit. Pushteti sajonte për çdo familje një shkelje.

Dikush fotografohej te arat me kanabis, dikush problem me dritat, një tjetër me ndërtim pa leje, dikush një çështje të hapur në polici a prokurori, ata në punët e administratës po e po, deri te gjobat për makinat e detyrimet ndaj tatimeve. Secilit i shkonin "të falat" e pushtetit përmes grupesh të strukturuara politiko-kriminale. E kësisoj nuk ka votë të lirë. Dibra është zonë e madhe rurale, është pellg i madh bujqësor.

Por sivjet atje nuk flitej më për bujqësi. Tema ishte kanabisi që rritej nën tytat e armëve të njerëzve me perçe fytyrës. E nën të mbjella me kanabis nuk bëhet fjalë për zgjedhje të lira dhe votim të lirë. Dibra e këtij viti i ngjante asaj të viteve pesëdhjetë kur shteti ua kolektivizoi tokat private e meratë e katundit. Atëherë pati burra e familje që kundërshtuan. Sivjet ua kishte kolektivizuar shteti bandë dhe askush nuk hapte gojë. Natyrisht të gjitha këto gjetën dhe një strukturë partiake në gjendje gripi. Viroza në këto raste bëhet dhe më e rëndë. Mendoj se riorganizimi partiak atje do merret në analizë dhe do rikthehet në forcën e fitores.

Në "gjendje gripale" janë të gjitha strukturat e PD-së në mbarë vendin?
Nuk mund të them se dega e PD-së së Dibrës është pa struktura. Por pati atje njëlloj përplasje që ka nisur që nga 2015,dhe që për fat të keq ky debat nuk arriti të reduktohej. Nuk është debat parimor, principial, si shumë herë të tjera e si dhe në zona të tjera. Madje si dhe në parti të tjera.

Model konflikti allashqiptarçe. Janë debate që kanë të bëjnë me interesat. Secili do të kapë një vend në strukturën e politikes me idenë se përfitimet pastaj vijnë vetë. Gjithnjë e më shumë po bëhet modë dhe jo vetëm në PD por në të gjitha partitë shqiptare. Duhet të kapësh një vend në strukturat e politikës që pastaj të bëhesh edhe më i mirë, të bëhesh më me emër, jo rrallë të vësh dhe ndonjë para mënjanë. Ka bjerrë shumë idealizmi dhe nuk po shkohet me sistem karriere, së pari, zotësi dhe përgjegjësi për të zhvilluar e pastaj vartësisht me to vendi në hierarki. Është kokëposhtë gjëja më se shumti, lypet vendi më parë se përgjegjësia.

Kështu mendojnë dhe disa anëtarë të grupit parlamentar të PD-së?
Nuk thonë as ndonjë gjë të re e as ndonjë gjë të paditur. Madje ka jo pak dhe nga ata që flasin se njësoj si me sipër janë sjellë, për të mos thënë se disa po japin edhe tash të njëjtat shenja. Të tregosh gishtin tek dobësitë, të drejtosh gishtin te tjetri e vetë të rrish pas gishtit është e lehtë.

Ata që kritikojnë do na bindin vërtetë se kanë të drejtën në instancë të fundit nëse e marrin një strukturë partiake, një degë partie, një zonë në qytet a në fshat dhe na e ndërtojnë një model funksional organizimi partiak, frymë politike në strukturën që sipërmarrin të gatshëm për fitore. Po disa që flasin nuk janë nga ata që e bëjnë këtë. Nuk më vjen mirë që disa njerëz me bukën që kanë marrë në shtëpinë tonë, e nxisin veten t'i gjuajnë shtëpisë me bukën e marrë. E shkelin bukën dhe kush shkel bukën, thonë, nxjerr sytë e tij.

Kush janë ata që e kanë shkelur bukën e PD-së? E keni fjalën për kritikët e kreut Basha brenda grupit të deputetëve?
Problemi këtu nuk është kritika për z.Basha. Ai dhe askush lider mbi këtë tokë nuk është i pa kritikueshëm. Por frymën në parti nuk mund ta krijojë vetëm z.Basha. Ai ka rolin e tij, por nuk mund ta krijojë këtë frymë i vetëm.

Të gjithë bashkë krijojmë frymë. Më habisin disa që shpikin "frymëzime politike" që nuk kanë ekzistuar. Nëse ndonjë u ka besuar thashethemeve të korridoreve një herë e një kohë se "do ta heqim plakun" dhe kësaj i thonë "fryma ndryshe", mua më mbetet të them bashkadava lopa e Kadisë. Në pikëpamjen time z.Basha po i kryen detyrimet e tij si kryetar i opozitës.

Përderisa po i kryen detyrimet e tij, atëherë pse sulmohet kaq shumë z.Basha edhe nga të vetët?
Nuk janë shumë. Media edhe i zmadhon.

Janë zëra të njohur të PD-së, nuk janë pak, janë z. Selami, znj. Topalli, z. Patozi, znj. Bregu, jo rrallë z. Pollo dhe z. Ruli.
Janë plotësisht në të drejtën e tyre. I vlerësoj për kontributet e deritashme, por nëse kritikojnë nuk do thotë se i kanë mbaruar detyrat dhe detyrimet e tash mund të flasin rreth oxhakut. Ka individë që ndonjëherë kanë heshtur gjatë. Kthehen pastaj të pasuruar me kritika. PD-ja është dhe mbetet parti e principeve. Po nëse principi është vetëm evidentimi i dobësive dhe delegimi i tyre tek të tjerët jemi duke menduar jo racionalisht dhe më e pakta mund të them se flitet me frymë interesi.

Është përballuar kjo forcë politike shumë gjatë me kritikën për kritikë. I pari që ka dashur ta marrë PD-në ka qenë Edi Rama. Nuk e mori dot dhe iku me bisht nën shalë si intriganti më i madh, sulmuesi më i madh dhe kritizeri me ekstrem i saj. Sot madje e rren mendja se bind kënd duke e konsideruar dhe "armike e kriminale". Pastaj të tjerët sapo i kanë bërë dy javë në PD, kanë ikur dhe kanë thënë: Kjo parti nuk bën.

Në këto 26 vjet kanë ikur dhe kanë ardhur pa pushim, kanë hyrë dhe kanë dalë pa u menduar dy herë. Disave u vjen frymëzimi për të kritikuar, janë larg postit e ndofta, duke menduar për postin. Kjo lloj kritike vlen pak ose aspak. E them me siguri se problem me strukturat partiake të terrenit nuk kemi sot për here të parë. Jam një nga ata që ka qenë aty brenda tyre 25 vjet pa lëvizur, dhe flas siç i kam parë e ndjekur.

Dhe kur ka pasur probleme në terren nuk ka shkuar lideri historik Berisha në çdo kryesi, degë partie për të racionalizuar debatet, siç disa sot ia kërkojnë vetëm Bashës. Ishte shumë i madh grupi që lëvizte në terren çdo javë, çdo muaj, sa herë lindnin probleme. Ka një të vërtetë. Drejtuesit kryesore të partisë, përveç kryetarit, drejtuesit e grupit parlamentar dhe anëtarët e kryesisë së partisë kanë pasur në terren autoritet politik të padiskutueshëm. Mendoj se kjo praktikë dhe ky autoritet ka vend të përmirësohet nga dita në ditë. E roli në komandë i Bashës këtu natyrisht është primar.

Po tentojnë t'i marrin partinë Lulzim Bashës?
Nuk jam në mendjen dhe në planet e askujt. Po nuk e marrin dot.

Pra ka një tentativë të tillë?

Mund ndonjë të japë shenja të kësaj natyre. Por ajo që mund të them me siguri është se nuk e marrin dot.

Përse jeni kaq i bindur?
Z.Selami dhe znj.Bregu kanë vënë në diskutim pozicionin e z.Basha si lidership i partisë. Duhet të kesh kryqe ta marrësh drejtimin e një partie. Madje duhet të kesh kryqe politike të forta. Unë nuk shoh aktualisht në PD ndonjë emër befasues që të më bindë se do bënte mrekullirat që ka në fjalorin publik të komunikimit. Ndonjëherë dhe atë defektoz. Këtë e them aq sa njohje kam unë dhe duke pretenduar se i njoh. Po fjala ime dhe e mijëra të tjerëve nuk i pengon ata në lirinë e zgjedhjes, në lirinë e fjalës, në lirinë e kritikës, në lirinë për t'u bërë lider. Dhe unë këtë të drejtë po përdor nënvlerësimet e mia.

Megjithatë vet z.Basha a ka gjëra që duhet t'i përmirësojë për sa i përket drejtimit të PD-së?
Po, absolutisht, si çdo drejtues po. Por nuk mund të sulmohet vend e pa vend Basha se nuk ka frymë në PD. Frymën e krijojmë të gjithë bashkë. Partia nuk është e Lulzim Bashës. Partia nuk ka qenë e Sali Berishës. Partia nuk është e askujt individualisht. PD-ja nuk është pronë private, e askujt. PDja nuk mund të bëhet zëdhënëse e interesave individuale të askujt. Frymën e krijojmë të gjithë ne bashkë. Dhe të krijosh frymën do të thotë të punojmë të gjithë. Z.Basha po sulmohet.

A ka ndonjë modalitet statutor për të shkuar PD-ja në zgjedhje para 2017-ës?
Jo. Unë pyes: Po pse krijohen këto insinuata skutave?
Kush dëmtohet nga këto insinuata, thjeshtë Basha, apo PD dhe të gjithë ne. Unë them PD-ja dëmtohet. Basha i ka kryer detyrat që ka marrë përsipër në PD. Konkretisht dekriminalizimin, reformën në drejtësi, betejën kundër krimit dhe korrupsionit, përqasjen e një programi qeverisës të reformuar për të nesërmen. Marrëdhënie racionale me palët politike në vend dhe me palët politike ndërkombëtare.

As nuk e ka ulur kurrizin dhe as nuk ka treguar irritim apo agresivitet të panevojshme. Është një nga njerëzit e klasës sëre politike në Shqipëri me ide të qarta, konseguent, pa asnjë tolerancë atje ku ai e kupton se ka te drejtë. Politikan me një verb politik që i përshtatet qetësimit të debatit pervers politik. Klithmat se do ta votojnë, apo nuk do ta votojmë ligjin e reformës në drejtësi dhe pa vendim politik, apo gjera të tjera të kësaj natyre, mendoj se janë klithma të dëshpëruara që nuk i bëjnë mirë PD-së. Por jetojmë në liri dhe kushdo ka të drejtën e tij.

Ky grup kritizerësh mund të krijojnë një parti të re. Askujt nuk i ndalohet e drejta të krijojë parti. Po nuk mendoj se njeriu duhet të gabojë tre herë, katër herë. Një herë mund të gabojë, por pastaj mbledh mendjen. Nëse dikush do që të shkojë gabim pas gabimi, atëherë është zgjedhje e gjithsecilit dhe kushdo i del për zot zgjedhjes së tij.

Ngadalësimi i Kinës, kërcënimi kryesor i ekonomisë globale

Posted: 26 Sep 2016 02:05 AM PDT

Ish-kryeekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi për BBC-në se, ngadalësimi i ekonomisë kineze është kërcënimi më i madh ndaj ekonomisë globale. Kenneth Rogoff tha se nuk mund të përjashtohet mundësia e frenimit të fortë të një prej motorëve kryesorë të rritjes ekonomike globale.

"Kina po përjeton një revolucion të madh politik. Mendoj se ekonomia e saj po ngadalësohet më shumë sesa tregojnë shifrat zyrtare", deklaroi Rogoff.

Ai shtoi se Kina ka një problem me borxhin, pasi rritja ekonomike e regjistruar është bazuar te kreditë dhe këto nuk vazhdojnë pafundësisht. Javën e shkuar, Banka e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, qendra planifikuese për bankat qendrore, tha se borxhi kinez është 30% i Produktit të Brendshëm Bruto, duke shtuar frikën se shpërthimi ekonomik kinez bazohet në një flluskë të paqëndrueshme kredish.

Ken Rogoff shtoi se, deri tani është marrë e mirëqenë se, pavarësisht çfarë ndodh në Europë apo Japoni, Kina vazhdon përpara. Por, fatkeqësisht, nuk ka një zëvendës për Kinën, nëse kjo has telashe. Sipas tij, ekonomitë europiane dhe SHBA-të duhet të sigurohen që janë të forta, para se ngadalësimi i ekonomisë kineze të shfaqë pasojat negative.

Sipas Rogoff, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimin e tij për ekonominë globale për 9 vite radhazi dhe raporte të ndryshme thonë se do ta bëjë sërish, diçka që nuk është aspak shenjë e mirë.

Drogë dhe prostitucion me “app”, pranga 10 shqiptarëve në Itali

Posted: 26 Sep 2016 02:03 AM PDT

Përmes një aplikacioni të instaluar në celularët e tyre kontrollonin lëvizjet e prostitutave dhe më pas fitimet e grumbulluara investoheshin në prodhimin e marijuanës.

Ishin këto aktivitetet e një bande të përbërë nga 10 shtetas shqiptarë në Itali, që është shkatërruar nga karabinierët e Torinos.

Siç raportojnë mediat italiane, shtetasit shqiptarë akuzohen përveç shfrytëzimit të prostitucionit dhe drogës edhe për dhënie parash me fajde e gjobëvënie.

Falë një hetimi disamujor, karabinierët e lokalitetit Torino Oltre Dora kanë zbuluar kultivimin e kanabisit indian në pyjet e thella, në zona posaçërisht të shpyllëzuara.

Sipas burimeve, janë mbi 4 mijë bimët narkotike të sekuestruara nga karabinierët, të cilat kapin vlerën e disa miliona eurove.

Mustafa Nano: Pse kërkova largimin e Ramës si kryeministër!

Posted: 26 Sep 2016 01:46 AM PDT

Analisti Mustafa Nano sqaroi qëndrimin e tij në lidhje me largimin e Edi Ramës si kryeministër, duke iu përgjigjur në të njëjtën kohë edhe kolegut të tij, Andrea Stefani.

Në një intervistë për gazetën "Panorama", Nano shprehet se ka kërkuar largimin e Ramës nga socialistët, pas miratimit të ligjit për importin e mbetjeve, por jo rrotacionin politik. Nano i qëndron deklaratës së tri viteve më parë se Berisha duhej larguar nga pushteti me çdo çmim.

Z.Nano, ka shkaktuar debat thirrja juaj e fundit publike ndaj socialistëve për të larguar Kryeministrin Rama. Ju njiheni si mbështetës i Ramës në opozitë, por edhe gjatë këtyre tri viteve në pushtet nuk jeni shfaqur shumë kritik ndaj tij. Ishte akti i fundit i qeverisë për lejimin e importit të plehrave që ju bëri të ndryshoni mendim, apo është një ide që e keni pjekur më parë?

Zëri im para disa vitesh, më shumë se mbështetës për të, ka qenë kritik për palën tjetër. Por nëse doni të më kualifikoni si mbështetës të Ramës në opozitë, bëjeni! Jemi OK. Nuk prishemi. Qoftë edhe indirekt, ai e ka pasur mbështetjen time. Ndërsa, për sa u takon tri viteve të fundit, jam shfaqur shumë pak në publik. Shkrime pothuaj nuk kam bërë asnjë, por reagimet e mia kritike e denoncuese ndaj qeverisë e ndaj Kryeministrit nuk kanë munguar.

Puna është se i kam shprehur në programin tim "Zululand", në një televizion online, "TemA TV", që tani ka filluar të bëhet i njohur. Sidoqoftë, nuk kam qenë ndër më kritikët ndaj Ramës e ndaj maxhorancës. Këtë medalje le ta mbajnë të tjerët. Nuk kam qenë aq kritik sa disa të tjerë, ngaqë nuk kam parë arsye të isha. Dy vitet e para të kësaj maxhorance, nuk kanë qenë të këqija. Shenja të keqpërdorimit të pushtetit dukeshin, por marrë në tërësi dy vitet e para kanë qenë të vlerësueshëm.

Ka qenë aq e vërtetë kjo sa kundërshtarët e tij, përfshirë edhe disa gazetarë që kishin paralajmëruar kohë të këqija nën hyqmin e Ramës, zunë të bëhen nervozë, ngaqë nuk po u dilte llafi tamam. Rama i ka lëshuar frenat vetëm vitin e fundit. Nuk di çfarë ka ndodhur konkretisht. Nuk besoj se e ka kondicionuar aleati i tij, Ilir Meta.

LSI-ja është ajo që është, e sikur kjo parti të mos ekzistonte, punët do të kishin shkuar më mirë në këtë vend, por duhet thënë se Ramës LSI-ja nuk i është bërë pengesë. Ramës i kanë dalë nga kontrolli gjërat dhe mendon se çdo gjë zgjidhet duke marrë nën kontroll median, duke u bërë favore disa biznesmenëve, që deri dje ishin me Berishën, duke marrë në mbrojtje ministra e zyrtarë ose idiotë, ose të korruptuar, duke i kopsitur gjërat me Metën e duke garantuar fitoren e zgjedhjeve tok me LSI-në dhe zgjedhjet do t'i fitojë. Kjo është e sigurt, sepse pala tjetër s'ekziston.

Por kjo fitore nuk ka për t'iu dashur as dreqit. As atij. Ai, kjo është frika ime, nuk di se ç'të bëjë me pushtetin. E kërkon atë, do ta ketë të pakufishëm, por nuk dihet se për çfarë e do. Kapardisjet di t'i bëjë, sidoqoftë. Trillet e tij të vanitetit di t'i kurojë mirë. Edhe kur pozon e harxhon orë të tëra me Arrigo Saçhi-in e Carlo Ancelotti-n në Kryeministri! Me siguri, këta të fundit janë duke pyetur veten edhe sot e kësaj dite: Po pse vallë Kryeministri i një vendi duhet të na priste e duhej të rrinte me ne disa orë të mira? E kushedi se ç'përgjigje japin.

Këtë apel tuajin, analisti Andrea Stefani e ka cilësuar si një thirrje për të rikthyer Sali Berishën në pushtet, të cilin edhe ju vetë e cilësoni "bandit delinkuent". Stefani e kundërshton idenë tuaj për largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë, sepse në këtë mënyrë do të pengoheshin reformat shtetformuese e mbi të gjitha zbatimi i Reformës në Drejtësi. Si e vlerësoni këtë reagim të kolegut tuaj, Stefani?

Unë jam i fundit që duhet të më bëhet akuza se dua të risjell në pushtet Berishën. Dhe Andrea është i pari që e di këtë. Përveç kësaj, askush nga ne, as unë, as Andrea, nuk kemi fuqi të sjellim në pushtet Berishën. Këtë fuqi e ka vetëm Rama. Për sa më takon mua, unë nuk jam i gatshëm, megjithatë, që dëshirën time që Berisha të jetë në opozitë, Rama ta përdorë si një smokescreen për të fshehur horrllëqet e veta, apo si licencë për të bërë ç'i do qejfi, pa pyetur fare për askënd e për asgjë. Para tri vitesh e kundërshtoi ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Madje, ishte gati t'i vinte flakën vendit nëse ai ligj miratohej. Premtoi se do ta shfuqizonte atë ligj. Dhe nën orgazmën e fitores së pushtetit e shfuqizoi shpejt e shpejt. Tani, pas tri vitesh, na e miraton fshehurazi, larg çdo debati, në formë blitzkrieg-u, duke na kapur të gjithëve në befasi. Nuk ka asnjë studim të bërë që do të justifikonte këtë gjë. Ka vetëm një pretendim se industria e riciklimit që ekziston na paska mbetur pa punë. Në gjithë këtë histori, lëri të tjerat, por ky të bën të të duket vetja si budalla. Unë isha me Ramën atëherë.

Duhet të jem me Ramën sërish? Gjë që s'bëhet.

Por nuk është vetëm kjo. Rama ka bërë gjëra më të rënda. Dhe më e rënda është se ai ka krijuar një klikë të tijën, që në një masë të madhe është e njëjta klikë e vjetër që sundonte edhe në kohën e Berishës. Hiq këta që bilbilosin nga Shqupi sot, të tjerët janë ata që ishin. Klika është e palëvizshme.

Dhe Rama do që gjithë Shqipërinë ta vërë në shërbim të kësaj klike. Korrupsioni që po bëhet është në përmasa të frikshme. Andrea do fakte dhe unë personalisht do të tentoj, nëse mundem, të vihem edhe në gjurmë të fakteve korruptive. Por, sidoqoftë, nuk besoj se ka nevojë të priten faktet e mia. Një gjëje që i ndihet kutërbimi, nuk ka nevojë ta prekësh për t'u bindur që ekziston.

Kur u bëni thirrje socialistëve për të larguar Ramën, a keni parasysh një ose disa figura të mundshme brenda PS-së si kandidatë për Kryeministër, apo jeni për rrotacion në zgjedhjet e ardhshme të 2017-s?

Jo, nuk jam për rrotacion. Ç'rrotacion? Po të risillnim sërish në pushtet Berishën, do të ishte njësoj si t'i thoshim botës se jemi një popull i sëmurë me dementia. Prandaj, shoh si zgjidhje që socialistët të largojnë Ramën. Nuk do të doja që edhe socialistët të bënin atë që bëjnë gjithë kohën demokratët, d.m.th. të ngatërrojnë (njëjtësojnë) interesin e vendit me interesin e një të paudhi.

Dhe në këtë mënyrë të hedhin në greminë partinë, e më keq akoma, vendin. Se kush vjen në krye, këtë nuk e di. Por mos më thoni se "nuk ka kush ta zëvendësojë". Kushdo mund ta zëvendësojë një kryeministër, që ka harruar se është zgjedhur për të qeverisur. Dhe në çdo rast do të jetë më mirë.

Po një Edi Rama që vendos të bëjë ndryshime, e të bëjë atë që presin njerëzit, do ta mirëprisnit?

Unë do ta mirëprisja, sigurisht. Mbi të gjitha, ngaqë kjo do të ishte provë se ai i ka duart e lira. Por kam frikë se vetëm kjo nuk mund të ndodhë. Rama, dhe ky është fakti më i dhimbshëm, nuk i ka duart e lira. Edhe kreun e një institucioni qeveritar që ka dështuar nuk e heq dot. Ja, nën presion, hoqi nja dy këto ditë, dhe u gjeti fët e fët nga një vend tjetër pëllumbash. Qeverisja e tij, përsëris, është një klikë e mbyllur dhe e korruptuar.

Sot, pas tri vitesh, a mendoni se ishte e drejtë thirrja juaj për "bashkimin e qelbësirave" për të hequr me çdo lloj çmimi Berishën nga pushteti, përderisa ju thoni se preferoni më mirë një "bandit delinkuent" sesa një të "kapur nga delinkuentët" si Rama?

Absolutisht, po! Është një nga gjërat më me mend që kam thënë ndonjëherë. Sikur të më thoshin se po krijohet një arkiv i veçantë, që do të ruhet për shekuj me radhë, ku secili prej atyre që kanë mbajtur qëndrime publike, do të duhet të zgjedhë vetëm një qëndrim për ta futur në këtë arkiv, dhe sikur të më kërkonin edhe mua të zgjidhja një qëndrim timin për këtë arkiv, unë do të zgjidhja pikërisht këtë qëndrim.

Mua më vjen keq që ka ende shqiptarë që nuk e kuptojnë se në vitin 2013 ka ndodhur një gjë e madhe. Një gjë fantastike. Kemi larguar nga drejtimi i një vendi një motherfucker. Më vjen keq edhe që në shoqërinë shqiptare ka një kompleks subordinimi kur vjen puna te qëndrimi ndaj tij.

Shikojeni se ç'ndodh! Ka tre vjet që ka humbur zgjedhjet, që i ka humbur ato në mënyrë spektakolare, ka tre vjet që bën si gore në Parlament, ka tre vjet që mban peng partinë demokratike dhe askush nuk i bën dot as kritikën më minimale. Të gjithë i qurraviten, deputetët, aparatçikët e Partisë Demokratike, kryetari i PD-së po se po, gazetarët që e kanë për zanat t'i atashohen partisë, por edhe gazetarë që mbahen me të madh si opinionistë nacionalë.

Dhe jo vetëm kaq. Edhe kritikët e lidershipit të Partisë demokratike nuk mungojnë t'i përcjellin herë pas here sinjale dashurie e solidariteti. Majlinda Bregut nuk i erdhi asnjë çikë turp kur na kujtoi këto ditë se ajo kish qarë kur Berisha ka dhënë dorëheqjen. Edhe hajde prit hair nga Majlinda!

Të vjen për të vjellë nga këta njerëz. Për dëmet që i ka bërë vendit ky njeri do të flitet mirë kur ai të qërohet nga politika. Atëherë do të flasin edhe ata që s'kanë gojë sot. Por për ta njohur se kush është, nuk ka nevojë të presësh kaq shumë. Nuk ka nevojë as të dish se ç'ka bërë. Është mjaft ta shohësh në Parlament një ditë të enjte dhe ti e kupton se kush është.

Bijtë e etërve…

Posted: 26 Sep 2016 01:45 AM PDT

Bijtë e etërve-thotë Sala,
dhe në kor të gjithë kusarët,
po ne jemi shumë krenarë,
ballëlart për baballarët.

Ata ishin ballë luftës,
zgalem në mes të furtunës,
dhe më pas si koha deshi,
u bënë dhe heronj të punës.

Ata janë burra titanë,
shumicën e njoha vetë,
ata-jo ky sharlatan,
këtu e bënë shtetin-shtet.

Etërit tanë ishin burra,
dhe të fjalës dhe të nderit,
bënë dy revolucione,
nën komandën e Enverit.

Po Saliu si Saliu,
blozën e ka prej natyre,
se në atë kohë ka qenë,
thjesht një shërbëtor i tyre.

Ndaj Bibla herët e ka shkruar:
"Toka rënkon e ulëret,
kur shërbëtorja bëhet zonjë,
dhe shërbëtori bëhet mbret!"

Ai thotë-bijtë e etërve,
dhe s'ka turp të turpërohet,
me të tillë baballarë,
ku ka bir që mos nderohet?!

Po Berisha-si Berisha,
e quan një njollë patjetër,
po Stefanaqi i Pollos,
a bën pjesë në ata etër?

Berisha ja fut katundit,
flet porsi arush i malit,
a mendon në fund të fundit,
për Çajupin e Rusmailit?

Dëgjoj të parin e SHQUP-it,
edhe qesh krejt me pahir,
sepse etërit e PD-së,
qenkan ca etër të mirë!

Mbase për babën e vet,
Saliu e ka tamam,
që ka qenë një burrë i mirë,
se i mirë është një Çoban.

Nuk kam pushtet politik,
po s'jam fare pa pushtet,
e nderoj unë atin tim,
dhe më shumë se Zotin vetë!

Mik i dashur socialist,
le të bjerë ajo kambanë,
po vendin që kemi sot,
e ndërtuan etërit tanë!

Ngrini zërin dhe këndoni,
për inatin e zuzarëve:
"Neve jemi bijtë e etërve,
partizanëve-fitimtarëve!"

Në vitin dyzet e katër,
Shqipëria qe kënetë,
njëmijë herë ndryshoi për mirë,
gjer në vitet nëntëdhjetë!

Pastaj u derdhën falangat,
rrafshuan fushat dhe malet,
shyqyr që s'hodhën në erë,
shpëtuan hidrocentralet!

Se u tha i pari i tyre,
pishtar i demokracisë:
"T'i shembim hidrocentralet,
se quhen Dritë e Partisë!"

Flet në sensin negativ,
o Sali-se je idiot,
po kokovenë e etërve,
as këta s'e bëjnë dot!

Maj 2013-Shtator 2016

Milionat ruse që po trazojnë Ballkanin

Posted: 26 Sep 2016 01:33 AM PDT

 

Nga Bedri Islami

 

Të dielën e djeshme, serbët e Bosnjes, të grumbulluar në atë gjetje fatkeqe me emrin Srbska Republika, Republika serbe e Bosnjes, dolën në një referendum ilegal, përmes së cilit do të vendosin rregulla të reja në lojën e politikës boshnjake, duke kërcënuar për shkëputjen e tyre nga krijesa dejtoniane e Bosnje Hercegovinës. Janë trimëruar nga rublat ruse, që të përkthyera shumë shpejt do të jenë mbi 100 milion euro, dhe të cilat, veç nacionalizmit të çartur serb, do të "ushqejnë" edhe klasën politike që udhëheq në këtë copëz republike.

Në Bosnje gjithçka po shkon drejt një përplasjeje, e cila, si duket edhe nga faktet e deritashme, edhe nëse nuk do të jetë fatale, do të ketë pasoja. Në mos tjetër, pasoja të rënda politike.

E gjithë ajo që është nënshkruar në Dejton do të hidhet në erë. Nga skutat do të dalin gjithëfarë lëvizjesh gjithësesi regresive dhe pas saj pakkush do të jetë i qetë.

Nënshkrimi i largët i Dejtonit që krijoi këtë republikë tre palëshe mund të zhbëhet shumë shpejt dhe, ashtu si papritur, por në fakt e përgatitur që në ditët e nënshkrimit të marrëveshjes, kjo pjesë boshnjake e populluar me serbë, shumica të shpërngulur, një ditë do të jetë pjesë e Serbisë së Madhe.

Elita politike beogradase, qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë, po bën sikur nuk e do këtë lëvizje politike, megjithëse drejt kufirit ka nisur forcat e saj ushtarake dhe, sado që të mundohen të mbulojnë me perde atë që po ndodh, gjithçka është e qartë.

Boshnjakët kanë disa kohë që janë të trazuar. Të paharruar ende me krimet e luftës të 20 e ca viteve më parë, ata kanë ende në kujtesë krimet serbe dhe kjo i bën edhe më të rënda përjetimet e sotme.

Mund të ndodhë që të jetë një varg shpërthimesh politike, të cilat mund të çojnë në ndarje e probleme të reja, por, edhe në se asnjëra prej tyre nuk do të ndodhë, konflikti i tashëm është i mjaftueshëm për të ndezur pasionet nacionaliste serbe, përballimin boshnjak me agresivitet dhe qetësinë kroate, që megjithëse qëndron në heshtje, ajo mund të jetë përfituesja më e madhe e këtij sherri që ndjell luftë dhe përgjakje.

Srbska Republika ka ndezur të gjithë këmbanat. Nga kishat e politikës dhe nga politika kishtare është dhënë sinjali i njëjtë, atë që kemi kaq dekada që e dëgjojmë.

Këmbanat po dëgjohen në Sarajevë, por është koha të dëgjohen edhe në Prishtinë. Këmbanat bien për t'u dëgjuar dhe, më parë se gjithë të tjerët, duhet ta dëgjojnë politika e Prishtinës dhe, pas saj, ndoshta paralel me të, edhe elita politike shqiptare në Tiranë.

Përse duhet ta dëgjojë Prishtina?

Bosnja nuk është larg, edhe ajo ka kaluar, para Kosovës, përmes llavës së luftës. Është djegur e përzhitur mizorisht, edhe në praninë ndëkombëtare, të cilët, pas masakrave, kanë ngritur duart si të pafajshëm.

Në Bosnje u krijua një enklavë serbe, që megjithëse mezi duket në një hartë evropiane, përsëri mori emrin e republikës, brenda republikës. Një shartim i dyfishtë politik. Pas qetësisë që serbët ndien pas krimeve, ende e quanin veten fajtorë, tani vjen revanshi i tyre, dhe nesër mund ta quajnë veten viktima.

Një gjendje e tillë, mund të krijohet edhe në Kosovë, përmes procesit të quajtur "Zajednica", ose krijimi i Asosacionit komunal me shumicë serbe. Nuk do të ketë emrin e republikës, nuk do të jetë pjesë e treshes presidenciale, nuk do të ketë përfaqësuesin e saj në presidencë, si zevendsues rotativ, por do të ketë, si deri tani, një zëvendëskryeministër, ministra, pushtet politik e parlamentar.

Të gjitha këto të fundit janë krijuar e miratuar përmes Pakos së Ahtisaarit, dhe si të tilla kanë fuqi ligjore të pakundërshtueshme. Deri më tani, zërat e kundërshtimit kanë qenë të pakët, ndoshta nga që e dinë se kalimi në pushtet ose mbajtja e pushtetit, duan apo nuk duan, kërkon edhe miratimin ndërkombëtar.

Sido që të thonë dhe sido që të mendohet, krijimi i këtij Asosacioni, i cili në pamjen e parë duket të jetë thjeshtë administrativ, do të jetë një forme e republikës brenda republikës, por pa pasur emërin e saj. Do të quhet Asosacion, por, pas disa viteve, kush mund të jetë i sigurtë se nuk do të kthehet në një formë republike brenda shtetit të Kosovës, e më pas, do nuk do të ndodhë ssi këtë të diel në Srbska republika?

Në Prishtinë ka disa javë që zien debati për Kishën Ordhodokse serbe, ngritur në kompleksin universitar. Një Kishë, e cila më shumë se sa një kult fetar është një dëshmi e dhunës mbi Kosovën, edhe kur ajo kishte të ashtuquajturën pushtet të dyfishtë. Ajo kishë filloi të ngrihej nga regjimi i Millosheviqit, me praninë e Arkanit, si dëshmi se në Serbi politika dhe krimi janë të njëjtë.

Ka 24 vite që kjo kishë është aty, e nisur, e pambaruar, e nëmur, por e pa ngarë; sherr i politikës dhe heshtje ndaj saj. Kanë kaluar bri saj katër presidentë, Rugova, Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga, kanë shkuar disa kryeministra, Rexhepi, Haredinaj, Kosumi, Çeku, Thaçi, në fakt bri saj ka shkuar e gjithë trupa politike e Kosovës, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet e kush në opozitë.

Tani ka lindur ideja e prishjes së saj. Ajo, në fakt, duhej prishur me kohë dhe jo të bëhen tani deri hipotezat më absurde që bri saj, si është  Katedralja, të ngrihet edhe një xhami e madhe, pastaj dikush tjetër do të kërkojë edhe një Teqe, megjithëse në Kosovë nuk ka besimtarë bektashinj, etj.

Por, më e ngutshme se sa prishja e saj është ajo që mund të ndodhë me krijimin e bashkësisë serbe në një strukturë të vetme.

Pa mohuar të drejtën e tyre për jetë të barabartë, në fakt kanë gjithë të drejtat e botës, sa jam i bindur, asnjë pakicë në këtë bashkësinë europiane, shteti ka ligjet, rregullat dhe perspektivën e vet.

Mes të tjerave ka edhe të drejtën historike, e cila, edhe sot e kësaj dite, duam apo nuk duam, nuk përcjell tek mendimi politik në Kosovë, reflektimin serioz.

Pak kush në këtë kontinent ka qenë i informuar për xhamitë e hedhura në erë nga makineria serbe në luftën e Kosovës, pak kush e di në Europë, deri në selitë më të larta të tij, deri në hollësitë e domosdoshme, krimet që janë bërë, masakrat e zhvilluara, qoftë edhe në kontekstin e religjionit. Por të gjithë e dinë se sa kisha, edhe pse të shtuara në propagandën serbe, janë djegur në marsin e vitit 2004, megjithëse askush nuk e di se nga kush u dogjën dhe pse nuk u dogjën gjatë luftës ose menjëherë pas saj, kur dhimbja mund të justifikonte djegiet.

Politika serbe është mjeshtre e dizinformimit. Ajo prej kohe, që nga shtatori i vitit 1999, dy muaj pas luftës, ka nisur tezën e viktimës së ekstremistëve shqiptarë dhe, si mendohet, ajo ka paraqitur mbi 300 mijë faqe dëshmi, shumica të ngritura nga hiçi, për "krimet" në Kosovë.

Kjo politikë, duke ngulur këmbë fort në krijimin e "Zajednicës" sot, me premisa për të drejta qeverisëse, nesër mund të bëjnë që këmbanat e kësaj strukture të bien ndryshe.

Janë këmba edhe për Tiranën zyrtare, e cila, edhe pse ka hequr dorë nga paternaliteti ndaj politikës në Kosovë, dhe mirë ka bërë, duhet ta ndjejë si një çështje të saj, tepër të afërt, ndoshta më të afërtën në politikën e saj ballkanike.

Këmbanat bien për të dëgjuar.

 

Meta: Bashkëpunim konstruktiv për të garantuar cilësinë e reformave

Posted: 26 Sep 2016 01:30 AM PDT

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta tha se duhet një bashkëpunim konstruktiv për të garantuar cilësinë e reformave. Në hapjen e shkollës verore europiane, Meta deklaroi se integrimi europian i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm.

Dua tju përgëzoj për këtë iniciative që i shërben cilësisë së integrimti të Shqipërisë. Kuvendi është në mbështetje të projekteve të tilla. Duhet të forcojmë mekanizmat për kuadrin ligjor për politikat e çështjes së integrimit. Kuvendi është i angazhuar për të bashkëpunuar me grupet e interesit. Në kuadër të kësaj reforme kryefjala jonë duhet të mbetet bashkëpuniomi konstruktiv dhe dialogu  për të garantuar cilësinë e duhur të reformave” përfundoi kreu i Kuvendit

Ngjarja në Kamëz, Basha: Hetim të plotë

Posted: 26 Sep 2016 01:27 AM PDT

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka dhënë një mesazh ngushëllimi për familjarët e policit që humbi jetën mbrëmë në detyrë. Ai u aksidentua nga një 22 vjeçar që ecte me shpejtësi të madhe në rrugën Tiranë-Kamëz. Basha theksoi se nuk ka siguri në vend ndaj ndodhin çdo ditë krime dhe aksidente të rënda.

Mesazhi i plotë i liderit demokrat, Basha

Ngjarje jashtë mase tronditëse ajo mbrëmë në Kamëz, ku pas një aksidenti humbi jetën në detyrë, polici Ervin Haxhiaj. Dua të ngushëlloj nga zemra familjarët, të afërmit dhe kolegët e tij, dhe uroj shërim sa më të shpejtë për dy policët e tjerë, Besmir Voi dhe Neil Hoxha.

Duke kërkuar hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes, dua të shpreh shqetësimin e thellë për pasigurinë në rritje, në çdo drejtim në vendin tonë si pasojë e shthurjes totale të sigurisë dhe rendit.

Nuk kalon një ditë e vetme pa një viktimë në rrugët tona, pa një përplasje me armë, apo një vrasje për shkak të drogës. Duhet një reflektim, duhet zgjidhje, vendi meriton rend dhe siguri.

Nishani përuron shtatoren e Nënë Terezës në Bruklin

Posted: 26 Sep 2016 01:21 AM PDT

Kreu i Shtetit përuron në Bruklin shtatoren e shenjtores shqiptare Nënë Tereza: Të gjithë ju dhe kushdo tjetër që banon në Bruklin, do të frymëzohet dhe marrë shembull nga jeta dhe vepra e kësaj Shenjtoreje shqiptare!

Në ditën e fundit të vizitës së Tij zyrtare në Nju-Jork, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani ishte i ftuar në Kishën e Saint Athanasiusit në Bruklin, ku mori pjesë në meshën e shenjtë duke falënderuar klerikët dhe veprimtarët shqiptarë që kontribuan në ngritjen e shtatores për nismën e tyre fisnike dhe atdhetare si dhe më pas, në veprimtarinë kulturore të organizuar nga Imzot David Cassato dhe nga Shoqata "Rrënjët Shqiptare".

Në prani të Imzot David Cassatos dhe klerikëve të tjerë, përfaqësuesve dhe drejtuesve të komuniteteve të ndryshme fetare, drejtuesit Marko Kepi dhe anëtarëve të shoqatës "Rrënjët Shqiptare (Albanian Roots), Senatorit të Distriktit 22 të Shtetit të Nju-Jorkut Martin J. Golden, Asambleistit Mark Gjonaj si dhe shumë bashkëatdhetarëve e besimtarëve bruklinezë, Kreu i Shtetit përuroi shtatoren e bamirëses me famë botërore shqiptare Nënë Terezës, tashmë të shpallur Shenjtore Tereza nga Papa Françesku disa javë më parë në Vatikan.

Tërbaçi, historia e një fshati që përkujtohet çdo vit

Posted: 26 Sep 2016 01:18 AM PDT

 

Bexhet Rrapo (Kryetar i Shoqatës Atdhetare  Kulturore "Tërbaçi")

Fshati i Tërbaçit njihet nga më të hershmit në krahinën e Labërisë e Luginën e Mesaplikut të Vlorës. Ai ndodhet midis kurorës së maleve të Stogoit, Qores, Çikës, Bogonicës, Kunjovës, Çipinit e Tartarit, në pjerrësinë jugore të vargmalit të Lungares, rrëzë malit, në lartësinë 552 m mbi nivelin e detit. Mali i Çikës me lartësi 2050 m e kufizon atë me fshatrat e Bregut.

Terreni i tij dhe përreth fshatit është fushor, kodrinor dhe malor i thyer me pyje e shkurre vende – vende të zhveshura. Nga perëndimi ai kufizohet me malet e fshatit Brataj deri në qafën e Shëngjergjit, ku kufizohet me fshatin Dukat. Nga veriu kufizohet me fshatin Brataj dhe nga jugu me fshatin Vranisht e malin e Çikës, pas të cilit ndodhen fshatrat e Bregut. Fshati shtrihet në lartësi, nga 200 m e deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Si pasuri kryesore zona ka bagëtinë e imët dhën e dhi. Fshati ka plot kullota verore dhe dimërore, në kodrat me shkurre e pyje dhe malet e larta. Banorët e fshatit Tërbaç, shquhen për tradita të mira në mbarështimin e blegtorisë.

Malet e Tërbaçit janë shumë të mira si kullota, për të veruar e vjeshtuar me mijëra krerë dhen e dhi. Pra, blegtoria e saj nuk e ka të domosdoshme për të shtegëtuar në zona të tjera të largëta. Tërbaçi në kuptimin e përgjithshëm, është me një terren tërësisht të thyer malor. Në aspektin fizik, territori ka mundësi tepër të kufizuar komunikimi. Si i tillë ai përbën një ekosistem tërësisht të veçantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, çka i jep karakteristika të tipizuara fshatit dhe e bën atë me emër në të gjithë krahinëne Labërisë.

Emri i Tërbaçit shfaqet për herë të parë në vitet 350 të erës së re dhe i përket fisit ilir, dega e Labjonëve. Paraardhësi i tyre është Gjin Kriqi, i cili përbën edhe familjen fshat-formuese.

Në këto troje, ndoshta edhe nga karakteristikat natyrore, janë rritur burra e gra me karakter të fortë e të besës. Ata vazhdimisht kanë luftuar në mbrojtje të territoreve të tyre si dhe atyre kombëtare. Në vitet 1700-1900, janë dalluar si prijësa e luftëtarë, Lulo Abazi, Labe Aliu, Shako Xhaka, Zenel Hodo, Dulo Koka, Miro Tërbaçe, Gego Bobja, etj. Këta luftëtarë me çetat e tyre kanë bashkëpunuar me çetat e tjera të Labërisë, Mallakastrës, Himarës, etj.

Nga Tërbaçi kanë marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë më 1912, në mbështetje të Ismail Qemalit; në Revolucionin e Qershorit 1924, në Luftën e Vlorës, më 1920 me komandant çete, Selman Gjodedaj.

54389423Në Luftën Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashist, kanë marrë pjesë mbi 250 vetë, duke u rreshtuar përkrah Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.

Në luftërat për liri e pavarësi kanë dhënë jetën 102 veta, janë shpallur dëshmorë 61 veta. Tërbaci ka 4 heronj populli: Halim Xhelo, Hysni Kapo, Haredin Bylyshi e Vehbi Hoxha dhe 3 Heronj të Punës.

Tërbaçi është fshati i bashkimit, unitetit, i besës dhe mirkuptimit. Ai kurrë nuk ka qenë shkaktar konfliktesh me fshqinjët. Tërbaçi është fshati që i dha besën 13 birbilejve dhe i strehoi në truallin e tij duke u përballuar me ushtarët turq.

Tërbaçi është nga të vetmit fshatra të lumit të Vlores dhe Labërisë që mbas Luftës Nacionalçlirimtare nuk cilësoi asnjë kundërshtar politik. Nisur nga këto virtyte të komunitetit Tërbaçiot dhe emrit Tërbaç, disa e shpjegojnë se vjen nga fjala tërë-bashkë.

Në vitet '90 u bë ndryshimi i sistemit ekonomiko-shoqëror, nga ai i centralizuar në sistemin pluralist demokratiko-kapitalist. Këto ndryshime Tërbaçi i mbështeti. Por ky ndryshim, krahas të mirave që pruri, si ajo e levizjes së lirë që ishte e domosdoshme, boshatisi fshatin. Kjo çoi në largimin e njerëzve nga vendlindja, gjë që rrezikonte të harrohej vetë kjo e fundit dhe vlerat e saj historike, për të cilat folëm edhe më lart, si dhe të ndërpriteshin lidhjet me njëri-tjetrin. Ishte kjo arsye, që një grup intelektualësh tërbaçjot në vitet 1998-2000, krijuan Shoqatën Atdhetare dhe Kulturore "Tërbaçi", kryetari parë i saj do të ishte intelektuali Gëzim Arshi Xhelili, kurse vendimi i parë i marrë do të ishte një takim në Tërbaç, duke e pagëzuar me emrin "Takim brezash", shumë kuptimplotë e përbashkues. Qëllimi i këtij takimi ka qënë dhe është bërja bashkë e gjithë tërbaçioteve në një ditë të caktuar dhe në moment të përshtatshëm për të gjitha shtresat dhe moshat duke mos privuar asnjë. Do të ishte më keq në qoftë se do t'i përshtatesh vetëm një shtrese.

Ky aktivitet, "Takimi i brezave", po bën 16 vite që organizohet nga shoqata Tërbaçi. Që në takimet e para ky ishte mjaft mbresëlënës. Këtu në Tërbaç vinin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, takoheshin me bashkëfshatar e të afërm, me te cilët kishin shumë vite pa u parë. Në kushtet e emigrimit jashtë shtetit, ky takim ishte shumë më i domosdoshëm për djemtë e vajzat e Tërbaçit, të cilët në vitet e para nuk kishin as dokumente të rregullta për të ardhur pranë familjeve dhe jo më të takonin shumë miq e të afërm që jetonin si në Shqipëri, por edhe jashtë: Greqi, Itali, Angli, Amerikë e deri në Zelandën e Re. Pra ky takim jepte mundësinë e çmalljes me njëri-tjetrin.

Efekti i këtij takimi brezash është i gjithanshëm. Krahas çmalljes me njëri-tjetrin, rëndësi merr edhe njohja apo vizitat në vendet historike, vendosja e buqetave me lule tek ata që kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe Tërbaçit, kjo sidomos për më të vjetrit. Shoqata po punon që edhe të rinjtë, deri tek nxënësit e shkollave të njihen me këto vlera e kontribute për vendlindjen dhe historinë. Sa më shpesh që të takohen me këto vende historike e vlera kulturore, aq më shumë do t'u nguliten në kujtesën e tyre. Njohja e brezit të ri me vlerat historike është një investim i madh për të ardhmen.

qen

Qeni i Tërbaçit, si një simbolikë e vendit të origjinës

Në Shqipëri njihen dy raca qenësh që janë unikalë edhe në botë, qeni i Sharrit dhe qeni i Tërbaçit. Në këtë rast do të flasim për qenin e Tërbaçit, që përbën një simbolikë dhe një vlerë të shtuar për vendin e origjinës së tij.

Shpesh, në Labëri përdoret shprehja: "Ma ke kokën si qen Tërbaçi"! Natyrshëm lind pyetja, se përse qentë e kësaj treve janë mbartës të emrit të këtij fshati të zonës së Lumit të Vlorës? Barinjtë tërbaçiotë kanë arritur te krijojnë një tip qeni me nam. Ata i mbanin qentë të ushqyer mirë dhe i mësonin të bëheshin të egër. Qeni i Tërbaçit është shumë i afërt gjenetikisht me ujkun. Si i tillë ai është i lashtë e primitiv, i papërpunuar dhe i pakryqëzuar, rrjedhimisht autokton, sipas studimeve,  rezulton se është i lashtë prej rreth 24 shekujsh. Struktura gjenetike qenit të Tërbaçit ka ngelur e pacënuar. Jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta fuqizuar qenin e tyre, bariu tërbaçot në shekuj ka përdorur në mënyrë empirike, por me shumë rezultat, parimet kryesore të seleksionimit e të çiftëzimit të kafshëve. Mësohet se ata kanë përdorur me sukses në këtë drejtim, çiftëzimin e bushtrave të staneve me ujkun e malit, gjë që njihet edhe shkencërisht.

Përveç kësaj, intuita dhe zgjuarsia natyrore e barinjve tërbaçot, shkonte më tej në "edukimin" e qenve. Këlyshët mbaheshin 1,5-2 vjet brenda në katua në errësirë të plotë dhe larg njerëzve e kafshëve të tjera. Kjo, derisa ata të bëhen të aftë si qen roje stani. Si njeri i vetmuar gjithmonë nëpër male, gërxhe apo livadhe, ditë e natë pas bagëtisë, çobani tërbaçiot detyrohej të kishte të paktën tre "shokë" të përhershëm dhe të pandarshëm: qenin, kërrabën dhe culen (fyelli, xhura).

 

Miro Tërbaçe, amazona e trimërisë labe

Në luftërat e vazhdueshme për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore, krahas trimave kordhëtarë të kryengritjeve popullore, bij të shpatës shqipëtare, kanë luftuar edhe gratë.

Legjenda Miro Tërbaçja është heroinë popullore, që doli nga gjiri i Labërisë, u vesh si djalë, u ngjesh me jatagan si burrat, sepse, mbeti e vetme në familje, pa nënë, pa baba, pa vëlla. Babai i saj Kostë Strati u vra nizam në hapësirat e shkreta të Perandorisë Osmane, ndërsa vëllain, Skëndon ia vranë në Bramyshnjë të Tërbaçit administratorët shërbëtorë të Perandorisë së Murme Osmane. Vajza u betua se do të mirrte hak, të çonte nderin e familjes në vend.  Nga person i thjeshtë ajo u kthye në personazh epik, në faqet e historisë dhe në gjirin e këngës epike, të epikës historike. Ajo tregoi një akt të lartë në shërbim të atdhetarizmit. Mirua u betua se do të merrte hak. Preu flokët si djalë, hodhi pallën e argjendtë mbi supe, e veshur si burrë, u vu në ndjekje të gjurmëve të vetë sundimtarit, hipur mbi kalin e saj të shpejtë si era e vetë vetëtimë mbi të, e shoqëruar me kalorës të tjerë tërbeç. Në Vlorë s'e gjeti. U hodh në Mallakastër, kaptoi qafën e Sinjës e zbriti në sarajet e rënda, e ballëpërballë me pallatin e Pashait, ky qe strukur sanxhaktari i Vlorës. Rrufeshëm këtu funksionoi intuita e Miros Kapedane. U kërkoi rojave të sigurisë një takim me sundimtarin e Vlorës, mbasi do t'i dorëzonte një letër shumë sekrete dhe koha nuk vhhpriste. Ata e hëngrën (e besuan). Sundimtari po zbriste. Dy plumba në ballë i nisi Mirua dhe ai ra në vend i vdekur. Kjo shqiponjë mali i shoqëroi krismat e kobures me fjalët: "Po të kthejmë borxhin, o sanxhaktar, se shumë ta kemi vonuar!". Dhe u kthye si suferinë, bashkë me trimat e saj për në Labëri. Në Dhemblan ndodhet varri i kësaj atdhetareje. Në Tërbaç, Flamur Lushaj, si një nga pinjollët e sotëm të mëhallës së Strate, ka mundësuar ngritjen e një shtatorje të Miros në sheshin qendror, në ballkon të fshatit, si dhe ka bërë një varr simbolik me dhè, marrë atje ku mendohet se prehet Mirua, në varret e fisit Meçaj, te dajorit e saj, në Dhemblan.

Në Tërbaç, Lumin e Vlorës dhe në të gjithë Labërinë populli ka përcjellë gojë më gojë e brez pas brezi aktin e saj heroik të Miro Tërbaçit. Ja ç'thotë një variant i saj:

E shkreta Miro Tërbaçe,

Moj e rritura bonjake,

me lakëra burdullake.

nëpër dyer të Tërbaçe;

Ike, te berberi vajte:

"O berber, ore vëllamë,

premi çepetë si djalë,

se do vë dyfek e kamë,

do marr hakë për babanë,

për baban' e për vëllanë!

dhe për kushurin' e parë,

për të gjithë shqipëtarë.

Qëllove mbi pashallarë,

Tërbaçit se ç'i le namë!…

 untitled-1

Tërbaç (Tërë bashkë)

Kronika e takimit të sivjetshëm

Si çdo vit edhe sivjet, shoqata Tërbaçi mori masat e nevojshme për ta organizuar sa më mirë këtë takim me 20 gusht. Nuk u mjaftua vetëm me organizimin e ndonjë dreke, por u zhvilluan edhe veprimtari të tjera brenda këtij formati, për ta bërë takimin sa më të larmishëm për të gjithë pjesëmarrësit.

Siç dihet, Tërbaçi në të kaluarën është dalluar për grupet folklorike, djem dhe vajza, por koha bëri që ato të pushojnë. Për t'i riaktivizuar iu bë thirrje disa ish-pjestarëve të grupit të vajzave 1974-1978, si Shpresa, Margarita e Liliana Kapo, Baftie Dauti, Shpresa Abazi, Hava Çela e Lavdie Xhaka. Ato u treguan të gatshme, filluan përgatitjet dhe kënduan disa këngë për bashkëfshatarët e tyre, të cilat u mirëpritën për interpretimin e mrekullueshëm. Mësuesja e apasionuar Albana Gjika, si edhe herë të tjera, me kërkesë të shoqatës, organizoi një grup nxënësish me recitime nga krijimtaria e autorëve tërbaçjotë.

Në ambientet e ish-shkollës 8-vjeçare, tashmë e mbyllur, para 12 vjetësh, ishte hapur një muze i vogël historik për Tërbaçin. Me dëmtimin e shkollës edhe ky i fundit kishte pësuar dëmtime. Duke e vlerësuar si të domosdoshëm, shoqata Tërbaçi, punoi dhe e ribëri atë me disa investime modeste. Për ta shpënë në parametra normalë, u freskuan shumë materiale figurative, u zëvendësuan stendat e dëmtuara si dhe u bënë stenda të reja duke i shoqëruar edhe me materiale të reja. Në qendër është historia e heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve tërbaçjot, në të gjitha kohërat.

Fjalën e mirëseardhjes në takimin e këtij viti e mbajti kryeplaku Arben Abazi, kurse kryetari i shoqatës Tërbaçi, Bexhet Rrapo, ku foli për vlerat historike të Tërbaçit si dhe punën e bërë nga shoqata. Përshëndetën gjithashtu, Hasan Hoxha, nënkryetar i shoqatës Tërbaçi; Flamur Çela, anëtar i kryesisë dhe kontribues financiar; kryetari i veteranëve të Tërbaçit, Izmir Kapo, Lavdie Nanaj, në emër të shoqatës atdhetare kulturore "Labëria"; përfaqësuesi i bashkisë Himarë, Thoma Seva; veterani nga Tirana, Ali Xhaka etj. Momenti më i bukur ishte drekimi vëllazëror në vendlindje të ndarë grupe-grupe shoqërore apo familjare.
Pjesëmarrja ishte më e mirë se vitet e tjera gjë që i dedikohet vlerësimit të vetë tërbaçjotëve, por edhe organizimit të mirë nga drejtuesit e shoqatës Vlorë, Tiranë e Fier.

Ky takim kishte shumë të veçanta, por më e rëndësishme ishte pjesëmarrja e disa përfaqësuesve të fiseve të larguar prej shumë vitesh nga Tërbaçi, rreth 200-300 vjet si, Siri Petani nga Petanajt dhe Ibrahim Lutaj nga Lutajt (Baçoj). Po ashtu mund të thuhet edhe për Veli Bufin, i cili është aktivizuar në shoqatën Tërbaçi nga fillimi.

"Mirë u takofshim vitin tjetër"! – ky ishte urimi në ndarje nga të gjithë pjesëmarrësit.

Related Posts :