Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

““Mbetjet”, ministri Koka: Garantojmë qytetarët për transparencë të plotë” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

““Mbetjet”, ministri Koka: Garantojmë qytetarët për transparencë të plotë” plus 9 more - Gazeta Dita


“Mbetjet”, ministri Koka: Garantojmë qytetarët për transparencë të plotë

Posted: 24 Sep 2016 02:38 AM PDT

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, zhvilloi paraditen e sotme një vizitë në një fabrikë të riciklimit të letrës dhe kartonit në Porto Romano.

Ministri Koka tha se kompania ka investuar 17 milionë euro, ndërsa importon dhe eksporton karton dhe letër. Kjo kompani, tha ai ka punësuar deri tani 100 punëtorë.

Teksa foli për ligjin e importit të mbetjeve, ministri garanton se ky ligj do të ketë transparencë të plotë.

"Mirënjohje shoqërisë civile për të gjitha nismat që kemi marrë bashkë. Garantojmë çdokënd që ligji do të zbatohet me rigorozitet", u shpreh Lefter Koka.

Ministri i Mjedisit theksoi se ekstremizmi nuk është zgjidhje. "Kemi detyrim ndaj 35 mijë njerëzve që punojnë në këtë industri. Biznesi vendas ka investuar në këtë industri mbi 230 milionë euro", tha ai.

Putin: Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik mund të mënjanohej

Posted: 24 Sep 2016 02:37 AM PDT

Shpërbërja e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) mund të mënjanohej, deklaroi dje presidenti rus, Vladimir Putin gjatë takimit në Kremlin me kryetarët e partive politike të pranishme në Dumën e re, ku partia e shefit të Kremlinit ka tre në katër vende.

"Ju të gjithë e dini mendimin tim për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Nuk ishte absolutisht e nevojshme", tha Putin.

"Mund të bëheshin reforma, përfshirë ato të natyrës demografike, por pa shpërbërje", theksoi Putin, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve, Interfax.

Putini akuzoi Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për keqqeverisje të vendit.

Siri, 2 milionë civilë pa ujë në Alepo

Posted: 24 Sep 2016 02:36 AM PDT

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se si pasojë e rinisjes së bombardimeve në qytetin sirian të Alepos, afro dy milionë persona kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Zëdhënësit e OKB-së kanë komunikuar se sulmet e ndërsjellta mes qeverisë dhe rebelëve që mbështeten nga aleatët e tyre, kanë bërë që ujësjellësit të dëmtohen dhe në kushtet kur ka ende përplasje të armatosura, riparimi i tyre është i pamundur.

Në këto kushte qytetarët kanë nisur që të konsumojnë ujë të ndenjur ose të papastër, i cili sipas ekspertëve përbën një rrezik madhor për prekjen e tyre nga sëmundje të rrezikshme.

Në këto kushte, Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka bërë edhe njëherë thirrje ShBA dhe Rusisë që të përdorin influencën e tyre në mënyrë që të ketë sërish një armëpushim, me qëllim që t'u vihet në ndihmë banorëve.

Këta të fundit që prej pesë vitesh e gjysmë kanë mbetur të bllokuar në kushte ekstreme, me mungesa të theksuara jo vetëm të ujit të pijshm, por edhe të ushqimit, medikamenteve e trajtimit shëndetsor. Sekretari amerikan John Kerry, si dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, arritën që të firmosin një marrëveshje armëpushimi në Gjenevë, e cila nuk u respektua.

Palët hodhën akuza të ndërsjellta duke akuzuar për mos-respektim të akordit. Aktualisht po bëhen përpjekje për të ulur sërish armët, ndonëse diçka e tillë duket thuajse e pamundur.

Qeveria siriane, ka deklaruar se armëpushimi u përdor nga rebelët për t'u rigrupuar.

Nga ana tjetër, grupimet që kundërshtojnë qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad, janë shprehur se forcat qeveritare nuk i qëndruan korrekte pikave për të cilat u ra dakord.

Pagat e reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Posted: 24 Sep 2016 02:20 AM PDT

Në kuadër të reformës në drejtësi, pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve pritet të njohin një rritje të ndjeshme.

Megjithatë, nuk do jetë ajo rritje që ishte propozuar fillimisht, pasi Ministria e Financave është treguar e kursyer.

Ndërsa propozimi fillestar ishte që paga mesatare të ishte 330 mijë lekë të reja në muaj, tani ajo ka zbritur në 247 mijë lekë të reja në muaj.

Në përgjithësi, shumica e njerëzve të drejtësisë do marrin mbi 2 milionë lekë të vjetra pagë në muaj.

Ndiqni më poshtë tabelën.

 

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese

Ishte propozuar: 455 mijë lekë

Miratohet: 341 mijë lekë

 

Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese

Ishte propozuar: 380 mijë lekë

Miratohet: 285 mijë lekë

 

Kryetar i Gjykatës së Lartë

Ishte propozuar: 345 mijë lekë

Miratohet: 258 mijë lekë

 

Gjyqtar në Gjykatën e Lartë

Ishte propozuar: 313 mijë lekë

Miratohet: 234 mijë lekë

 

Kryetar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda

Ishte propozuar: 345 mijë lekë

Miratohet: 258 mijë lekë

 

Kryetar në Gjykatën e Apelit

Ishte propozuar: 334 mijë lekë

Miratohet: 250 mijë lekë

 

Kryetar Gjykate Rrethi për Krimet

Ishte propozuar: 345 mijë lekë

Miratohet: 258 mijë lekë

 

Kryetar Gjykate Rrethi

Ishte propozuar: 324 mijë lekë

Miratohet: 243 mijë lekë

 

Gjyqtar Apeli

Ishte propozuar: 304 mijë lekë

Miratohet: 228 mijë lekë

 

Gjyqtar Apeli Krimet

Ishte propozuar: 304 mijë lekë

Miratohet: 228 mijë lekë

 

Gjyqtar Rrethi

Ishte propozuar: 295 mijë lekë

Miratohet: 221 mijë lekë

 

Gjyqtar Rrethi Krimet

Ishte propozuar: 313 mijë lekë

Miratohet: 234 mijë lekë

 

Prokurori i Përgjithshëm

Ishte propozuar: 345 mijë lekë

Miratohet: 258 mijë lekë

 

Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

Ishte propozuar: 345 mijë lekë

Miratohet: 258 mijë lekë

 

Drejtues i Prokurorisë së Rrethit

Ishte propozuar: 324 mijë lekë

Miratohet: 243 mijë lekë

 

Drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Ishte propozuar: 345 mijë lekë

Miratohet: 258 mijë lekë

 

Drejtues i Prokurorisë së Apelit

Ishte propozuar: 324 mijë lekë

Miratohet: 243 mijë lekë

 

Prokuror i Apelit

Ishte propozuar: 345 mijë lekë

Miratohet: 258 mijë lekë

 

Prokuror Rrethi

Ishte propozuar: 295 mijë lekë

Miratohet: 221 mijë lekë

 

Prokuror i Krimeve të Rënda dhe Apelit të Krimeve të Rënda

Ishte propozuar: 313 mijë lekë

Miratohet: 234 mijë lekë

 

 

13 Euro për në BE?

Posted: 24 Sep 2016 02:12 AM PDT

BE-ja do t’i intensifikojë në mënyrë masive kontrollet në kufi. Kush do të udhëtojë,. duhet të regjistrohet ose të aplikojë për vizë. Qëllimi është për më shumë siguri. Por qytetarët e BE-së nuk do të regjistrohen.

Australia e ka prej kohësh, SHBA-ja qysh nga viti 2007, fjala është për një sistem elektronik për udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë. Këtë sistem do ta aplikojë tani edhe BE-ja, për të kontrolluar më mirë, se kush hyn e del në kufijtë e saj.

Në SHBA sistemi i regjistrimit elektronik përmes internetit quhet “ESTA”. Në Europë ai do të emërtohet “Etias” (European Travel Information and Authorisation System). Komisioni i BE- së ndërkohë po provon në një studim fizibiliteti, se si “Etias” mund të instalohet në qindra aeroporte dhe kalime kufitare të BE-së. Në fund të vitit do të nisë procesi i hartimit të ligjit.

Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së vitin e kaluar e ripërsëritën kërkesën për një sistem elektronik regjistrimi pas sulmeve terroriste në Paris. Ky sistem ishte planifikuar prej kohësh për të mbyllur boshllëqet e konstatuara në sistemin e sigurisë.

Tani ai do të aplikohet në praktikë. Ngjashëm si në sistemin amerikan të SHBA-së, udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë në BE, duhet të regjistrohen në internet. Për këtë ashtu si në SHBA do të aplikohet një pagesë, që sipas të dhënave të nëpunësve të BE-së mund të jetë rreth 13 deri në 50 Euro. Nga rreth 30 milionë udhëtarë nga vendet jo anëtare të BE-së që kanë nevojë për vizë, këto të ardhura do të jenë të konsiderueshme nga 390 milionë deri në 1,5 miliardë Euro në vit.

Hyrje me regjistrim edhe për britanikët?

Numri i njerëzve që nuk kanë nevojë për vizë, por megjithatë duhet të paguajnë tarifën e “hyrjes”, vitin e ardhshëm mund të rritet ndjeshëm. Miliona britanikë, që pas Brexit do të vijnë në BE për pushime ose me shërbim pune, duhet të paguajnë për t’u regjistruar në sistemin “Etias”. Po ashtu edhe udhëtarët nga Turqia apo Ukraina, në rast se BE-ja do t’u garantojë atyre qarkullimin pa viza.

Deutschland Einreise Visum Reisepass Kontrolle

Sistem kompleks kontrolli

“Etias” është vetëm një komponent i një iniciative në shkallë të gjerë të Komisionit të BE-së, për të siguruar kufijtë e jashtëm pas sulmeve terroriste dhe migracionit të pakontrolluar të vitit të kaluar. Zemra e këti sistemi të ri për sigurimin e kufijve do të jetë sistemi i regjistrimit të të gjitha hyrje-daljeve të udhëtarëve në BE nga vende jo anëtare. I ashtuquajturi rrjeti “EES” duhet të vendoset deri në fund të vitit. Ndërkohë janë duke u përpunuar detajet teknike.

Nga viti 2020 çdo hyrje-dalje në BE do të regjistrohet në një bankë të dhënash. Njëkohësisht duhet të verifikohet vlefshmëria e pasaportave dhe e vizave. Përveç kësaj do të ketë edhe një pyetësor të rregullt, të ashtuquajturin “Schengen-Informations-System” (SIS), në të cilin do të regjistrohen të dhëna për hetimet dhe rreziqet e mundshme terroriste.

Do t’i jepet fund kësisoj edhe ekzistencës së një sërë bankash europiane të të dhënave, premtoi komisari përgjegjës i BE-së Dimitris Avramopoulos javën e kaluar në Parlamentin Europian në Strazburg. Të dhënat për hyrje-daljet do të ruhen për pesë vjet. Aktivistët e mbrojtjes së të dhënave e kritikuan sistemin e planifikuar si një “tumor të dhënash”.

Derisa të vihen në funksion këto sisteme të reja do të duhen të paktën katër vjet që të instalohen scanner-at dhe bankat e të dhënave./DW

Nishani dekoron shqiptarët e Amerikës

Posted: 24 Sep 2016 02:03 AM PDT

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara në kuadër të punimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Presidenti Bujar Nishani u takua edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptarë përtej Atlantikut.

Në një ceremoni të organizuar në Manhatan, kreu i Shtetit dekoroi një sërë figurash për kontributet e dhëna në fushën atdhetare, kulturore e shoqërore.

Me këtë rast, Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të saj në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo ku janë.

"Kjo traditë do ta vazhdojë në ditët, muajt, vitet, dekadat dhe shekujt në vijim miqësinë mes Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës" – theksoi Presidenti.

Presidenti Nishani çmoi rolin thelbësor të diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve.

Kapen 130 kg kanabis në portin e Durrësit, arrestohet një person

Posted: 24 Sep 2016 01:53 AM PDT

Një sasi prej 130 kg kabanis sativa është sekuestruar në portin e Durrësit ndërsa është arrestuar në flagrancë drejtuesi i kamionit ku u gjet droga. Në kërkim u shpall pronari i firmës së konfeksioneve i cili dyshohet se  është organizatori i trafikimit të lëndës narkotike me destinacion Italinë"

Pakot me drogë ishin fshehur mes pakove me konfeksione që do të dërgoheshin në Itali.

Në pranga përfundoi shoferi Edmond Xhaja 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Policia informoi sot: "Më datë 23.09.2016, gjatë kontrollit të ushtruar në Portin e Durrësit në automjetin tip Benz, kamionçinë, me targa AA 143 NC, në brendësi të ngarkesës me konfeksione, me drejtues shtetasin e mësipërm, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 100 pako me rreth 130 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva"

Hetimet mbi pronarin- Eshtë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarit të firmës së konfeksioneve, shtetasin:  A.X. 50 vjeç, banues në Tiranë.

"Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi i mësipërm është organizatori i trafikimit të lëndës narkotike me destinacion Italinë"

Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale"Trafikimi i lëndëve narkotike" e mbetur në tentativë  parashikuar nga neni 283/a/2 dhe 22 të Kodit Penal.

Screenshot_3Screenshot_4Screenshot_5Screenshot_6Screenshot_1

Krimet e L2B: “Njësia 731”, sinonimi i vdekjes mizore!

Posted: 24 Sep 2016 01:38 AM PDT

Lufta e Dytë Botërore ishte konflikti më vdekjeprurës në historinë e njerëzimit. Gjatë atyre viteve të përgjakshme, kanë humbur jetën më shumë se 60 milionë njerëz, që i bie rreth 3 për qind e popullsisë botërore që asokohe numëronte rreth 2.3 miliardë njerëz.

Besohet se edhe rreth 20 milionë tjerë kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet e ndryshme si pasojë direkte e luftës, dhe kështu numri i përgjithshëm i të vdekurve kishte arritur në 80 milionë.

Më së shumti kishin pësuar sovjetikët – ku gjatë luftës janë vrarë 26 deri në 27 milionë njerëz. Makineria vrasëse naziste gjatë Holokaustit kishte vrarë rreth 5.7 milionë hebrenj dhe për këto fakte shumica e njerëzve i dinë dhe shpesh flitet për to.

Por rrallë herë flitet që Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë humbur jetën rreth 15 milionë njerëz nga Kina. Shumica prej tyre (11 milionë) kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet si pasojë direkte e luftës.

Pjesa tjetër janë vrarë nga japonezët gjatë Luftës së Dytë kinezo-japoneze, që ka filluar në vitin 1937 dhe ka zgjatur deri më 1945, dhe që ishte bërë pjesë e Luftës së Dytë Botërore pas sulmit të japonezëve ndaj bazës ushtarake amerikane Pearl Harbor.

Që nga fillimi i luftës në Kinë, ka vepruar "Njësia Kvatung e ushtrisë për parandalimin e epidemive dhe pastrimin e ujit", kjo njësi japoneze është përgjegjëse për disa nga krimet më të rënda që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit. Në vitin 1941, kjo njësi u bë e njohur si "Njësia 731" ku deri në fund të luftës vrau qindra mijëra njerëz.

Kjo njësi ishte themeluar me qëllim të testimit të armëve biologjike dhe kimike, ku përmes luftës do të zgjeronte "biznesin" e saj.  Kjo njësi ka operuar në një kompleks gjashtë kilometra katrorë, që ishte ndërtuar në lagjen kineze Pingfang të Harbinit, që asokohe cilësohej si qyteti më i madh marionetë i shtetit Manchukuo. Në shumicën e rasteve eksperimentet janë kryer mbi popullatën lokale.

Operacioni dhe amputime "për së gjalli"

Dhjetëra mijëra kirurgë kanë amputuar gjymtyrë të ndryshme të trupit që zakonisht janë kryer pa kurrfarë lloj anestezioni. Ata në atë mënyrë përcillnin më mirë humbjen e gjakut, kurse gjymtyrët e amputuara shpesh u  janë ngjitur në pjesë tjera të trupit për të monitoruar reagimin e organizmit. Amputime të tilla zakonisht janë kryer mbi komunistët kinezë, të cilët urreheshin deri në palcë nga japonezët.

Pjesa tjetër janë infektuar nga sëmundje të ndryshme, ku më pas i janë nënshtruar operacioneve për të monitoruar ecurinë e sëmundjes. Disave u është hequr një organ i tërë, dhe të gjitha operacionet janë kryer "për së gjalli", pa anestezion,

Vrasja e civilëve me sëmundje

Brenda kompleksit, anëtarët e "Njësisë 731" të burgosurve u injektonin sëmundje të ndryshme me arsyetimin se janë duke i vaksinuar kundër sëmundjeve. Ata ishin të interesuar në efektet e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, dhe kështu infektonin të burgosurit me sifiliz dhe gonorre.

Në zonat e varfra të Kinës, japonezët shpërndanin ushqim dhe veshje të kontaminuar. Dhe kështu qindra mijëra civilë kishin vdekur asokohe nga antraksi, kolera dhe murtaja.

Sëmundje seksualisht të transmetueshme, përdhunime dhe shtatzëni

Pasi disa të burgosur janë infektuar me sëmundje seksualisht të transmetueshme përmes injeksioneve, japonezët vendosën që të vazhdojnë të përhapin në mënyrë "natyrore" sëmundjet.

Të gjithë ata që kanë refuzuar të kryejnë marrëdhënie seksuale janë pushkatuar. Trupat e të infektuarve janë "hapur" nga kirurgët në faza të ndryshme të sëmundje, në mënyrë që të preken organet e brendshme dhe të jashtme. Dhe si në gjitha eksperimentet tjera, edhe në këtë rast nuk janë kursyer edhe fëmijët e porsalindur.

Shumë gra janë detyruar dhunshëm të mbesin shtatzënë në mënyrë që të monitorohet bartja e sëmundjes nga nëna tek foshnja, shkalla e mbijetesës së fetusit dhe ndikimi negativ që mund të ndodhë në organet riprodhuese të nënës. Por edhe pse në kompleksin e "Njësisë 731" kanë lindur shumë fëmijë, asnjë prej tyre nuk ka dalë i gjallë prej aty.

Lufta biologjike

Me torturimin e shumë të burgosurve, "Njësia 731" ka punuar në përsosmërinë e bombës biologjike me të cilën më vonë kanë helmuar burimet e ujit në territorin e kinës, duke shkaktuar antraksin, murtajën, kolerën, dizenterinë, tifos dhe shumë sëmundje tjera vdekjeprurëse.

Përveç që u kanë dhënë civilëve ushqim dhe rroba të helmuara, fëmijëve u janë edhe bonbone dhe ëmbëlsira të helmuara. Dhe në këtë mënyrë janë vrarë rreth 580 mijë njerëz.

Japonia e kishte përgatitur sulmin biologjik edhe mbi qytetin kalifornian të San Diegos. Ai është dashur të ndodhte më 22 shtator të vitit 1945, por Japonia ishte dorëzuar pesë javë para sulmit të planifikuar.

Pas luftës

Të gjitha ata që morën pjesë në "Njësinë 731" janë detyruar të bëjnë betimin se gjithçka që kishin parë dhe bërë do ta marrin me vete në varr. Kur janë tërhequr nga Kina, japonezët janë përpjekur të shkatërrojnë tërë kompleksin i cili përbëhej nga 150 ndërtesa, por nuk ia arritën qëllimit pasi gjithë kompleksi ishte ndërtuar me material të fortë.

Shumica prej tyre nuk janë gjykuar, kurse qeveria japoneze kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet e "Njësisë 731", dhe as që u ka lejuar familjeve të viktimave të identifikojnë më të dashurit e tyre.

Pa gjykim dhe pa pasoja

Shumica e shkencëtarëve dhe ushtarëve japonezë, që kanë marrë pjesë në zbatimin e eksperimenteve nuk u dënuan. Vetëm 12 prej tyre janë dënuar nga sovjetikët me nga 25 vite punë të rëndë fizike në llogore të Siberisë.

Falë dokumentacioneve që i kanë mbledhur në kompleksin e "Njësisë 731" sovjetët pas luftës në Sverdlovsk kanë ndërtuar një fabrikë për prodhimin e armëve biologjike.

Gulen: Në Turqi duhet të rikthehet Demokracia

Posted: 24 Sep 2016 01:31 AM PDT

Fethullah Gulen, kleriku turk me seli në SHBA, i akuzuar për tradhti kombëtare, ka thënë të premten se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, po e përdor puçin e dështuar për ta promovuar veten si hero kombëtar dhe e nxiti Evropën që të intervenojë për të shmangur katastrofën në vendin e tij.

Në një intervistë dhënë për të përditshmen italiane "La Stampa", Gulen sugjeroi se liderët evropianë nuk e kanë kritikuar mjaftueshëm Erdoganin për arrestimin e dhjetëra e mijëra personave, duke nisur nga oficerët ushtarakë deri te gazetarët, gjykatësit dhe artistët, dhe për suspendimin e më se 100.000 të tjerëve nga vendet e tyre të punës.

"Presioni i brendshëm nga refugjatët, zgjerimi i grupeve radikale, persekutimi i dhjetëra e mijëra civilëve, nxitimi i Erdoganit për të proklamuar veten si hero kombëtar…. këto duhet t'i detyrojnë liderët evropianë që të ndërmarrin masa efektive për të parandaluar ecjen e qeverisë drejt autoritarizmit", tha ai, duke mos i specifikuar masat që duhen ndërmarrë.

"Rikthimi i demokracisë, i sundimit të ligjit dhe i respektimit të të drejtave njerëzore në Turqi janë një domosdoshmëri absolute për menaxhimin e krizës së refugjatëve dhe të luftës kundër ISIS-it në aspekt afatgjatë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Evropa rrezikon të gjendet përballë një problemi edhe më të madh, një katastrofe", tha Gulen.

Kleriku që jeton në azil në SHBA ka qenë dikur aleat i ngushtë i Erdoganit, mirëpo marrëdhënia e tyre është përkeqësuar dukshëm viteve të fundit, me të arritur në pikën e vlimit pasi Erdogan e akuzoi Gulenin për orkestrimin e tentim puçit të korrikut. Mirëpo Gulen hedh poshtë çdo lloj përfshirjeje në puç dhe madje e ka dënuar atë.

Më shumë se 240 persona u vranë në puçin e 15 korrikut.

Gulen në "La Stampa" tha se liderët evropianë duhet të inkurajojnë hyrjen e Turqisë në Bashkimin Evropian – që është pjesë kyç e marrëveshjes që BE-ja bëri me Ankaranë për frenimin e fluksit të emigrantëve – pasi që në këtë formë forcohet demokracia dhe respektimi i të drejtave njerëzore në Turqi.

Rama në Vjenë me ftesë të homologut austriak

Posted: 24 Sep 2016 01:15 AM PDT

Me ftesë të kancelarit austriak, Christian Kern, Kryeministri Edi Rama udhëton drejt Austrisë për të marrë pjesë në samitin e organizuar në Vjenë me temë "Migrimi përballë rrugës ballkanike".

Në samit marrin pjesë edhe drejtues të vendeve të tjera të rajonit dhe përfaqësues të Bashkimit Europian, ku tematika kryesore është sfida e refugjatëve me të cilët po përballet Europa.

Gjatë qëndrimit në Vjenë, kryeministri do të zhvillojë një sërë takimesh.

Related Posts :