Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Mesazhi.com: “Hoxhaj: Ratifikimi i demarkacionit, në tetor” plus 9 more

loading...

Mesazhi.com: “Hoxhaj: Ratifikimi i demarkacionit, në tetor” plus 9 more


Hoxhaj: Ratifikimi i demarkacionit, në tetor

Posted: 22 Sep 2016 08:40 AM PDT

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në javët e para të muajit tetor mund të pritet ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ai tha se çështja e kufirit nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës si dy vende sovrane, por më shumë një çështje e brendshme në mes të pikëpamjeve të ndryshme që kanë partitë në opozitë dhe partitë të cilat e udhëheqin qeverinë.

Hoxhaj tha se Serbia duhet të zbatojë disa marrëveshje para se të fillojë zbatimi i marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

The post Hoxhaj: Ratifikimi i demarkacionit, në tetor appeared first on Mesazhi.com.

Krojmiri bëhet me xhami të re

Posted: 22 Sep 2016 07:13 AM PDT

Sot në mënyrë solemne u bë përurimi i Xhamisë nē fshatin Krojmir të Lipjanit, donacion nga Mahmood Sherif, e në të cilin morën pjesë Kryeimami Sabri Bajgora, Ahmet Sadriu, Ekrem Simnica, lexuesi i mirënjohur i Kur’anit Egzon Ibrahimi, përfaqësues nga Kuvendi Komunal si dhe shumë mysafirë tē tjerë.

Para të pranishmëve fjalën e mori Kryeimami Sabri Bajgora i cili falënderoi të gjithë ata që mundësuan ndërtimin e kësaj xhamie.

"Lusim Allahun e plotfuqishem qe nga kjo shtepi e shenjte te rrezatoje gjithnje urtesia dhe paqja. Atyre qe kontribuan ne ndertimin e saj, Zoti i Gjithemeshireshem ua shperblefte me Xhenetin Firdevs inshallah", tha Kryeimami Bajgora./Mesazhi.com/
1
2

The post Krojmiri bëhet me xhami të re appeared first on Mesazhi.com.

Mustafa mori përkrahjen e SHBA-ve dhe shteteve të tjera për Kosovën

Posted: 22 Sep 2016 07:02 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në New York, u takua me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për zhvillimet e fundit që lidhen me proceset integruese euroatlantike, fuqizimin e shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtar si dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e deritashme, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.

Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën, transmeton Telegrafi.

Gjatë ditës, në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Isa Mustafa ka takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Maria Angela Cuellar.

Kryeministri shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke kërkuar përkrahjen e Kolumbisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Mustafa ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka takuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën.

Në një deklaratë për media, kryeministri Mustafa ka folur për agjendën e takimeve në New York.

"Agjenda jonë ka të bëjë me forcimin e subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga më shumë shtete sa që e kanë njohur deri më tani. Pastaj, vënia e marrëdhënieve bilaterale me shtete të cilat e kanë njohur Kosovën por akoma nuk kemi vendosur marrëdhënie bilaterale dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare", tha kryeministri Mustafa.

Duke folur për përkrahjen e ofruar nga SHBA, kryeministri Mustafa tha se ka pasur takime edhe me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka ardhur në shprehje interesimi i përhershëm për Kosovën.

Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se çështja është shumë qartë.

"Ne duhet t'i përmbushim detyrimet të cilat i kemi dhe detyrimi përfundimtar që tani ka mbetur që ta përmbushim është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Është një çështje e cila është e patejkalueshme sa i përket përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, mund t'ju them se kjo çështje nuk është diskutuar vetëm nga ta, kjo çështje na është shtruar gati në të gjitha takimet që i kemi pas", tha kryeministri Mustafa, për media.

The post Mustafa mori përkrahjen e SHBA-ve dhe shteteve të tjera për Kosovën appeared first on Mesazhi.com.

Prokurori kërkon riburgosjen e Azem Sylës

Posted: 22 Sep 2016 06:49 AM PDT

Azem Syla, njëri nga 52 të hetuarit për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë u dërgua në gjykatë për caktim të masës së sigurisë gjashtë ditë më parë, pasi u arrestua nën dyshimet për tentim-ndikimi në dëshmitarë.

Por, një ditë më pas, më 17 shtator Sylës iu caktua masa e paraqitjes në stacion policor nga gjyqtarja e EULEX-it Jennifer Seal.

Tomë Gashi, avokati i Azem Sylës thotë për KALLXO.com se prokurori Ceccareli është ankuar në gjykatën e Apelit në lidhje me këtë vendim të gjykatës, duke kërkuar paraburgim për Sylën.

"Prokurori ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit duke kërkuar prapë kthimin dhe ndryshimin e vendimit qe sipas tij masë e vetme për Azem Sylën duhet të jetë masa e paraburgimit, mirëpo unë besoj që Gjykata e Apelit as që do ta marrë parasysh këtë ankesë, sepse nuk ka kurrfarë baze ligjore e as faktike," deklaroi avokati Tomë Gashi.

Ish- komandanti i UÇK-së dhe ish- deputeti i PDK-së Azem Syla qëndroi në paraburgim nga 29 prilli kur u vetëdorëzua në polici, e deri më 25 gusht kur gjyqtarja Jennifer Seal ia ndërpreu këtë masë.

Por tri javë pasi iu hoq paraburgimi, Azem Syla më 16 shtator u arrestua përsëri u me arsyetim se "ka tentim të ndikimit në njërin prej dëshmitarëve të mbrojtur".

Avokati Tomë Gashi thotë se arrestimi i Sylës me këtë arsyetim e dëmton Kosovën në kohën kur po bëhen hapa për funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

"Mendoj që kjo që ka ndodhur është një skandal në vetvete dhe besoj që kjo të mos përsëritet ma, sepse dëmton vetë Kosovën si shtet-sinjalet janë dërguar deri ne Bruksel, kinse ju mirë e keni që e keni formuar Gjykatën Speciale e cila do te veprojë në Hagë dhe që po e shihni edhe vetë se si te rastet e profilit të lartë si të Azem Sylës nuk po mujnë me i mbrojtë dëshmitarët dhe kjo mendoj që ka qenë porosia," tha avokati Gashi.

Ditën kur u kërkua në shtëpi Syla, u arrestuan edhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq./KALLXO.com/

The post Prokurori kërkon riburgosjen e Azem Sylës appeared first on Mesazhi.com.

Juncker kritikon anëtaret e BE-së që nuk pranuan refugjatë, meqë janë muslimanë

Posted: 22 Sep 2016 04:15 AM PDT

BRUKSEL (AA) – Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, ka kritikuar disa vende të caktuara anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të cilat refuzuan që të pranojnë refugjatë nga Greqia dhe Italia, meqë janë migrantë muslimanë, raporton Anadolu Agency (AA).

Juncker të enjten deklaroi se disa vende të BE-së besojnë në atë "se ato janë vende katolike dhe për këtë shkak nuk kanë asnjë dhomë për muslimanët".

"Mendoj se mënyra e tillë e të menduarit është e papranueshme. Fillimisht në pah vjijnë njerëzit, më pas religjioni. Nuk bëhet fjalë njëherë për religjionin, e më pas për njerëzit", tha Juncker.

The post Juncker kritikon anëtaret e BE-së që nuk pranuan refugjatë, meqë janë muslimanë appeared first on Mesazhi.com.

Policia: Qytetarët po e presin mirë ligjin e ri për trafikun

Posted: 22 Sep 2016 02:57 AM PDT

Dy ditë pas fillimit të zbatimit të ligjit të ri për trafikun, zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se nuk kanë marrë asnjë vërejtje apo ankesë lidhur me këtë ligj. Jeton Rexhepi, drejtor i Departamenti Rrugor në Policinë e Kosovës për lajmi.net tha se kanë filluar me zbatimin ligjit dhe deri tash qytetarët e kanë pritur shumë mirë.

"Ligji ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe sigurisë rrugore duke krijuar normalitet në trafik. Nuk kemi pranuar ndonjë vërejte qoftë nga zyrtarët policorë, qoftë nga qytetarët. Gjithçka është duke shkuar mirë", thotë Rexhepi.

Ai shtoi se do të analizojnë që në rast të paraqitjes eventuale të ndonjë mangësie, do të drejtohet te institucionet përkatëse. Rexhepi po konsideron se është shumë mirë që qytetari e ka kuptuar rëndësinë e sigurisë rrugore.

"Numri i gjobave të trafikut qysh dje kanë pas një ulje të lehtë në krahasim me gjobat e ditëve tjera. Ne jemi duke punuar në vetëdijesimin e vozitësve për kundërvajtjet që kanë pësuar ndryshime. Por fatmirësisht çdo shofer po është i njoftuar me ndryshimet e ligjit, dhe kjo është shumë mirë sepse ata vetëm se kanë filluar të vetëdijesohen", tregon Rexhepi.

Shoferët që kanë mundësi t'i paguajnë gjobat brenda afatit 8-ditor nga dita e dënimit, atëherë mund ta kryejnë me vetëm gjysmë shume, kurse pas 8 ditëve duhet paguar i tëri dënimi.

The post Policia: Qytetarët po e presin mirë ligjin e ri për trafikun appeared first on Mesazhi.com.

Regjimi sirian dhe Rusia bombardojnë rëndë Alepon, së paku 45 viktima

Posted: 22 Sep 2016 02:50 AM PDT

Aktivistët sirianë thonë zonat e kontrolluara nga forcat kryengritëse në veri të Alepos, janë bombarduar rëndë gjatë natës së mbrëmshme.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, organizatë kjo me bazë në Londër, ka thënë se sulmet ajrore kanë shkaktuar zjarre masive, dhe sipas zyrtarëve mjekësor, numri i të vrarëve është 45.

Nuk është akoma e qartë se kush ka kryer këto sulme, por aktivistët kanë akuzuar regjimin e Bashar Al Asad dhe aleatin e tij kryesor, Rusinë. /MESAZHI/

 

The post Regjimi sirian dhe Rusia bombardojnë rëndë Alepon, së paku 45 viktima appeared first on Mesazhi.com.

“Lufta me Malin e Zi”-lojë fjalësh, asgjë më shumë

Posted: 22 Sep 2016 02:45 AM PDT

Nuk ka asnjë indikacion për ndonjë "konflikt të armatosur të mundshëm apo luftë" ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pretekst i së cilës do të ishte Demarkacioni i kufirit ndërmjet dy shteteve, vlerësojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të zhvillimeve politike dhe të rrethanave të sigurisë në Kosovë.

Reagimet e tilla të zyrtarëve të Qeverisë, por edhe analistëve të çështjeve politike dhe të sigurisë, vijnë pas deklaratave të Albin Kurtit, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit më të madh opozitar Lëvizja Vetëvendosje, i cili nga mediet vendore është cituar të ketë thënë se "Demarkacioni i Murat Mehës (kryetar i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare) bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me Malin e Zi".

Bajram Gecaj, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i quan deklaratat e deputetit Kurti si të papërgjegjshme, si dhe ka hedhur poshtë çdo pretendim se marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, e formës së tanishme, prodhon situatë për ndonjë luftë të mundshme me Malin e Zi.

"Nuk ka kurrfarë indikacionesh dhe unë besoj, sepse ne jemi në kontakte të vazhdueshme me këtë shtet, sepse është shtet mik, është shtet fqinj, me të cilin kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Nuk besoj që këto deklarata do të merren si deklarata serioze. Megjithatë, është plotësisht e papërgjegjshme që një lider i një lëvizje apo një subjekti politik, i cili është subjekt parlamentar, të bëj deklarata të tilla, deklarata, të cilat, fatkeqësisht, do ta orientonin Kosovën drejt një lufte me një shtet, me të cilin nuk kemi aspak dhe asnjë problem kontestues", ka thënë ministri Gecaj.

Deklaratën e deputetit Kurti e e vlerëson si të papërgjegjshme edhe Halil Matoshi, analist i çështjeve politike.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pas një shekulli, në rajon ekziston një stabilitet i qëndrueshëm dhe askush i përgjegjshëm nuk do të ishte i gatshëm ta prishë këtë stabilitet, e posaçërisht duke dërguar mesazhe kërcënuese ndaj Malit të Zi, që sipas Matoshit, është një nga shtetet mike të Kosovës.

"Jo vetëm që e ka njohur shtetin e ri, por ia ka shtrirë edhe dorën e miqësisë, do të thosha. Dhe, duke qenë se është kandidat potencial për NATO, Mali i Zi, praktikisht duhet të ishte partner i Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe jo dikujt t'i shkojë mendja që të kërcënojë me luftë një shtet fqinj. Prandaj, mendoj që zoti Kurti nuk është serioz në këtë deklaratë dhe mendoj që nga publiku nuk do të merret seriozisht".

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat dhe parashikimet e deputetit Kurti për një luftë të mundshme me Malin e Zi, nuk kanë asnjë bazë të qëndrueshme dhe asnjë argument me premisa reale.

Por, sipas tij, ato janë deklarime që me një dozë të madhe tentojnë ta nxisin dhe rikthejnë një gjuhë të urrejtjes ndërshtetërore, ndërkohë që një gjuhë e tillë është e papranueshme për integrimet euro-atlantike të Kosovës.

"Nëse e shohim mozaikun e gjerë pas kësaj deklarate të fundit për luftë me Malin e Zi, atëherë ne po japim një mesazh, i cili është mesazh i destabilitetit rajonal dhe i vendosjes së Kosovës në pozita armiqësore edhe me një fqinj tjetër, i cili deri më tash nuk ka pasur asnjë lloj indikacioni armiqësor ndaj Kosovës. Për bindjen time, zoti Kurti, si parashikues ose si analist ka dalë krejtësisht i gabueshëm dhe si politikan krejtësisht i papërgjegjshëm".

Ramadani ka shtuar se çështja e Demarkacionit është problem krejtësisht i brendshëm i politikës së Kosovës dhe jo i Malit të Zi, me të cilin, siç thotë ai, Kosova ka marrëdhënie shumë të mira.

Se në Mal të Zi nuk ka pasur shumë polemika për çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Kosovën, e ka konfirmuar edhe Nik Gjeloshaj, deputet i Alternativës shqiptare në përbërjen e deritanishme të Parlamentit të malit të Zi.

Në një intervistë për Radion Evropa e lirë, ai ka theksuar se "më shumë është diskutuar për atë se a do ta pranojë ose jo Kosova marrëveshjen" dhe ka shprehur mendimin se "dy shtetet fqinje, Kosova dhe Mali i Zi, duhet ta zgjidhin çështjen me gjyq ndërkombëtar, i cili do ta definonte saktë dhe nuk do të linte dilema".

The post "Lufta me Malin e Zi"-lojë fjalësh, asgjë më shumë appeared first on Mesazhi.com.

“Loro Boriçi” i gatshëm për ndeshjen Kosovë-Kroaci

Posted: 22 Sep 2016 02:11 AM PDT

Stadiumi “Loro Boriçi” është gati për t’i hapur dyert për ndeshjen Kosovë-Kroaci.

Një delegacion i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe i Federatës së Kroacisë, kanë vizituar stadiumin në Shkodër.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, përcjellë "Lajmi.net".

Ai dje u takua edhe me ambasadoren kroate në Republikën e Kosovës, Marija Kapitanovic, e cila do të jetë e pranishme në ndeshjen e 6 tetorit.

The post “Loro Boriçi” i gatshëm për ndeshjen Kosovë-Kroaci appeared first on Mesazhi.com.

Tahiri: Marrëveshja me Serbinë i jep fund përdorimit të tabelave “proba”

Posted: 22 Sep 2016 12:29 AM PDT

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka theksuar se marrëveshja me Serbinë për tabelat e automjeteve, do t'i jap fund përdorimit të tabelave "proba".

Tahiri në Kuvendin e Kosovës ka thënë se kjo marrëveshje lehtëson qarkullimin në mes dy vendeve dhe u jep fund tabelave ilegale.

The post Tahiri: Marrëveshja me Serbinë i jep fund përdorimit të tabelave "proba" appeared first on Mesazhi.com.

Related Posts :