Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Mesazhi.com: “Trump: Do ta njoh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit” plus 9 more

loading...

Mesazhi.com: “Trump: Do ta njoh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit” plus 9 more


Trump: Do ta njoh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit

Posted: 26 Sep 2016 09:00 AM PDT

Kandidati i republikaneve për postin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump ka thënë se në rast se zgjidhet president ai do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Trump ka zhvilluar një takim dje me kryeministrin izraelit, Benyamin Netanyahu, në rezidencën e tij në Trump Toëer. Në takim thuhet se janë diskutuar tema si ndihma ushtarake e SHBA-së ndaj Izraelit, marrëveshja për programin bërthamor të Iranit dhe lufta kundër DAESH-it.

The post Trump: Do ta njoh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit appeared first on Mesazhi.com.

UEFA: Të mërkurën shikojeni ndeshjen mes vëllezërve Xhaka

Posted: 26 Sep 2016 08:33 AM PDT

UEFA ka reklamuar në faqen e saj zyrtare sfidën Basel-Arsenal, si ndeshjen e cila ja vlen më së shumti të ndiqet këtë mesjavë në Ligën e Kampionëve ditën e mërkurë.

Përballja do të ketë të veçantën, se në të luajnë dy vëllezër në kahe të kundërta.

Taulant Xhaka me Baselin dhe i vëllai, Graniti me Arsenalin.

Kjo nuk është hera e parë që i gjen si kundërshtarë dy vëllezërit, pasi më parë ata janë ndeshur në kuadër të Euro 2016, në sfidën midis Shqipërisë dhe Zvicrës.

Graniti vëllai i vogël, i cili tani aktivizohet me Arsenalin, ka qenë më parë një lojtar i Baselit, ku me anë të disa paraqitjeve të mira ra në sy të skuadrës gjermane Monchengladbach, e cila më pas e shiti atë te skuadra e Arsenalit për shifrën marramendëse 30 milionë funte.

The post UEFA: Të mërkurën shikojeni ndeshjen mes vëllezërve Xhaka appeared first on Mesazhi.com.

Shumica e degëve të PD-së kërkojnë dorëheqjen e Ferid Aganit

Posted: 26 Sep 2016 05:15 AM PDT

Këshilli organizativ për Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të Partisë së Drejtësisë (PD), ka njoftuar se iniciativës për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor janë duke iu bashkuar mbi 80 % e degëve të PD-së, të cilat në të njëjtën kohë kanë kërkuar dorëheqjen e Ferid Aganit.

Sipas një komunikate të grupit, i cili ka dalë kundër Aganit, shumica dërmuese e degëve të PD-së, përkatësisht 18 prej 23 degëve sa ka gjithsej PD, kanë vendosur të marrin pjesë në Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të Partisë që do të mbahet të mërkurën.

"Në të njëjtën kohë të gjitha këto degë, kërkojnë prej Aganit, që të tërhiqet prej kreut të Partisë dhe mos ta sfidojë edhe më tutje anëtarësinë e PD-së me manipulime, mashtrime, shantazhime, kërcënime e joshje. Këshilli organizativ për Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të PD-së konsideron se Aganit, i ka humbur legjitimiteti politik për drejtimin e PD-së, dhe kërkon prej tij që ti përgjigjet Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor, të ofron dorëheqjen dhe të ju mundëson pjesëmarrjen në këtë Kuvend edhe të 5 degëve të tjera që ende nuk kanë vendosur si rezultat i presionit të tij. Në të njëjtën kohë Këshilli organizativ konsideron se Këshilli Drejtues i datës 3 shtator ka marr vendim të drejtë për organizimin e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor duke hap mundësi dhe rrugë për reformimin e PD-së përmes një procesi transparent, statutor dhe demokratik", thuhet në komunikatë.

The post Shumica e degëve të PD-së kërkojnë dorëheqjen e Ferid Aganit appeared first on Mesazhi.com.

Jeremiq i dyti pas raundit të pestë të votimit, por SHBA-ja e bllokon për shkak të Kosovës

Posted: 26 Sep 2016 05:07 AM PDT

Vuk Jeremiq, kandidat i Serbisë për sekretar gjeneral të OKB-së, sot është renditur i dyti pas raundit të pestë të votimit, derisa në vendin e parë edhe më tej vazhdon të jetë ish kryeministrit portugez, Antonio Guteresh.

Guteresh ka marrë 12 vota pozitive, dy negative dhe një votë të papërcaktuar, derisa Jeremiq i ka pasur tetë vota pozitive, gjashtë negative dhe një të papërcaktuar, transmeton lajmi.net.

Në anën tjetër, shefi i diplomacisë sllovake, Mirosllav Lajçka në raundin e pestë ka marrë tetë vota pozitive, tetë negative dhe asnjë të papërcaktuar.

Raundi i kaluar ishte mbajtur më 9 shtator dhe atëherë ish kryeministrit portugez sërish ishte i pari, derisa Jeremiq ka arritur rezultatin më të mirë deri me tash – ishte i treti me dy vota pozitive më shumë së më parë.

"Nga 26 shtatori shpejtohet ritmi i zgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, pasi që pas raundit të pestë të votimit joformal, më 3 tetor do të mbahet votimi i fundit, ku vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit do ta kenë pasqyrën e qartë të votave", shkruan "Danas".

Por, duket që Jeremiqit nuk i hynë fare në punë këto vota, pasi që SHBA-të do ta bllokojnë zgjedhjen e tij për shkak të Kosovës.

The post Jeremiq i dyti pas raundit të pestë të votimit, por SHBA-ja e bllokon për shkak të Kosovës appeared first on Mesazhi.com.

Donjeta Sadiku, kampione e Evropës në boks

Posted: 26 Sep 2016 05:01 AM PDT

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja që po mbahet në Turqi.

Ajo në finale në kategorinë deri në 57 kilogramë fitoi ndaj ukrainases Maria Cherednichenko.

Fituesja u shpall me vendim unanim të gjyqtarëve.

The post Donjeta Sadiku, kampione e Evropës në boks appeared first on Mesazhi.com.

BE: Referendumi në Republikën Sërpska është jolegal

Posted: 26 Sep 2016 04:27 AM PDT

Referendumi që është mbajtur të dielën në Republikën Sërpska është jolegal dhe nuk ka asnjë bazë ligjore, sepse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka pezulluar vendimin për mbajtjen e tij, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

"I inkurajojmë institucionet shtetërore në Bosnje që ta zgjidhin këtë çështje me Republikën Sërpska, brenda kornizës ekzistuese kushtetuese, nëpërmjet dialogut konstruktiv", tha Kocijançiq për gazetarët në Bruksel.

Në referendumin e së dielës, serbët e Bosnjës kanë votuar me shumicë dërrmuese për të shënuar 9 janarin si festë kombëtare.

Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar këtë datë si diskriminuese për myslimanët dhe kroatët e rajonit, pasi më 9 janar të vitit 1992, serbët kanë shpallur krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjës, duke nxitur konflikt etnik.

Bosnja vazhdon të jetë e ndarë në dy entitete: Republika Sërpska dhe Federata Myslimane-Kroate.

"Është e rëndësishme që palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim", tha Kocijançiq.

The post BE: Referendumi në Republikën Sërpska është jolegal appeared first on Mesazhi.com.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO, vendim politik”

Posted: 26 Sep 2016 04:25 AM PDT

Më shumë se 1.700 trupa të Forcave të Armatosura shqiptare, atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Italisë, Kosovës dhe Malit të Zi po zhvillojnë në disa rajone të vendit stërvitjen 10-ditore "Joint Effort".

Stërvitja në Bizë të Martaneshit u ndoq nga afër edhe nga komandanti i Ushtrisë Amerikane në Evropë, Ben Hodges.

"Ushtria shqiptare po përparon, por ka ende për të bërë. Duhet të dimë që asgjë nuk është falas ndaj Shqipëria duhet të rrisë investimet për ushtrinë. Shqipëria ka dhënë një zotim që buxheti për ushtrinë do të jetë 2% e GDP-së. Sa i takon ushtrisë së Kosovës, anëtarësimi në NATO është një vendim politik", deklaroi Hodges, raporton Tch.

"Kemi 7 vjet që jemi në NATO, por kjo është hera e parë që ne organizojmë dhe bashkëdrejtojmë në vendin tonë një stërvitje me të tilla përmasa", deklaroi Jeronim Bazo, shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA.

Për ministren Kodheli, stërvitja i shërben skenarëve të ndryshëm me të cilët mund të përballet Aleanca. "Kërcënimet e sotme në kufijtë lindorë dhe jugorë të Aleancës dëshmojnë rëndësinë e mirëpërgatitjes së saj për përballimin e çdo rreziku", tha Kodheli.

Stërvitja "Joint Effort" pritet të çertifikojë edhe batalionin e dytë të këmbësorisë, që është një kërkesë e vazhdueshme e NATO-s për FA-të shqiptare.

The post “Anëtarësimi i Kosovës në NATO, vendim politik” appeared first on Mesazhi.com.

Së shpejti pritet finalizimi i marrëveshjes së partive politike për Demarkacionin

Posted: 26 Sep 2016 04:21 AM PDT

Gjatë kësaj jave, përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në Kosovë, kanë paralajmëruar vazhdimin e takimeve në kuadër të përpjekjeve për harmonizimin e një deklarate të përbashkët rreth marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Takimi pritet të lehtësohet nga Grupi Ballkanik për Politika, ku do të jenë të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues diplomatik në Prishtinë.

Sipas ecurisë së deritashme të bisedimeve, kanë mbetur edhe tri – katër pika që presin të harmonizohen para se subjektet më të mëdha parlamentare të miratojnë, eventualisht, deklaratën e përbashkët. Deklarata është thënë se do të përmbajë edhe pika që nuk ndërlidhen vetëm me Demarkacionin, por edhe me aspektet e përgjithshme politike. Ndërkaq ,në lidhje me Demarkacionin, është thënë se ka një harmonizim që të mos procedohet në Kuvend pa një pajtim të përgjithshëm politik.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ka thënë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të përmbyllet sa më shpejt.

Ndonëse nuk është përqendruar në versionin aktual të Marrëveshjes së nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi apo në deklaratën e përbashkët që eventualisht pritet të nënshkruhet, Veseli ka thënë se Kosova nuk guxon që të rrezikojë rrugën e saj integruese evropiane dhe zotimin e saj për marrëdhënie të mira me fqinjët, siç është rasti me Malin e Zi.

"Demarkacioni duhet të kalojë për arsye se është interes strategjik i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk duhet të dëmtohet perspektiva e së ardhmes euro-atlantike e Kosovës".

"Çdo veprim i cili destabilizon apo cenon faktorët e paqes, siç është partneriteti ynë me fqinjë, në këtë rast Republika e Malit të Zi, është cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit tonë", ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, për opozitën, versioni i Marrëveshjes së nënshkruar në fund të gushtit të vitit të kaluar me Podgoricën është i dështuar.

Opozita pret që procesi të kthehet në pikën fillestare, duke korrigjuar, siç thuhet, gabimet që janë bërë në Marrëveshjen e parë, e cila sipas pretendimeve të tyre, i shkakton humbje territoriale prej mbi 8 mijë hektarë tokë, Kosovës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se me vet faktin që Qeveria nuk e ka proceduar sërish në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit, të cilin e kishte tërhequr në seancën e 1 shtatorit, nënkupton se ai version ka dështuar dhe tani gjërat duhet të kthehen në pikën zero.

"Procedura është ndjekur, por pa asnjë argument është tërheq ligji nga Kuvendi dhe unë nuk e di më pse i njëjti version të vijë në Kuvend".

"Ne nuk kemi kërkuar debat dhe nuk kërkojmë debat sa i përket kësaj çështje, sepse ne e shohim që ky version është i vdekur", ka theksuar Lekaj.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është nënshkruar në javën e fundit të gushtit të vitit të kaluar në Vjenë nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Podgoricës. Por, kjo marrëveshje më pas u cilësua e papranueshme nga opozita. Ndërkaq, nuk gjeti mbështetjen as të një grupi të deputetëve nga partitë në pushtet, me çka u rrezikua ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend, ngase koalicioni nuk i kishte numrat e nevojshëm.

Zhvillime të tilla patën ngritur edhe tensionet politike në Kosovë. Andaj, nisur nga kjo gjendje, Grupi Ballkanik për Politik kishte ndërmarrë një nismë për t'i ulur në një tavolinë përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe opozitë në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje praktike dhe të pranueshme.

Në këtë drejtim, kjo javë pritet që të jetë mbase vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje politike. /rel/

The post Së shpejti pritet finalizimi i marrëveshjes së partive politike për Demarkacionin appeared first on Mesazhi.com.

Të shtëna në Francë, 2 të plagosur në gjendje të rëndë

Posted: 26 Sep 2016 04:11 AM PDT

Francë

Dy persona janë në gjendje kritike, pasi një burrë hapi zjarr pranë një supermarketi në një qytet në perëndim të Parisit.

Oficerët e policisë kanë rrethuar banesën ku i dyshuari është strehuar, e që raportohet të jetë në qytetin Port-Marly.

Sulmuesi i cili besohet të jetë në mes të gjashtëdhjetave, thuhet se hapi zjarr në drejtim të një 57-vjeçari, dhe se për ta sulmuar përdori një armë gjahu, dhe më pas pati në shënjestër një burrë 73-vjeçar para se të largohej nga vendi.

Personi është i njohur për policinë, pasi edhe më parë kishte shfaqur sjellje të dhunshme, raporton TV BMF. /MESAZHI/

 

The post Të shtëna në Francë, 2 të plagosur në gjendje të rëndë appeared first on Mesazhi.com.

Gjykata: Pronat e uzurpuara duhet të lirohen

Posted: 26 Sep 2016 04:02 AM PDT

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka thënë se me datën 19.09.2016 dhe sot më 26.09.2016 është vepruar në ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me lirimin e pronave të uzurpuara.

"Çështja për të cilën është vepruar me datën 19.09.2016 dhe sot në gjykata ka filluar të trajtohet që në vitin 2005. Gjykata ka kërkesë për ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm ( në këtë rast aktgjykimi C.nr.2137/05) i cili ka formën e prerë që nga data 17.11.2008.

Nga kjo rezulton se tani në vitin 2016 po ekzekutohet një vendim gjykata i plotfuqishëm që para 8 viteve", thuhet në njoftimin për media.

Më tej gjykata ka theksuar se të gjitha palët që ju takon ky vendim i plotfuqishëm kanë qenë në dijeni që nga viti 2008 se këto prona të uzurpuara duhet të lirohen.

'Për më tepër Gjykata Themelore në Prishtinë në procedurë të ekzekutimi të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës ka treguar maturi, dhe kujdes të posaçëm dhe çdo pretendim se ka qoftë edhe një shkelje të drejtave të palëve është absolutisht i pa bazë. Për qartësim-mos ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme është vepër penale", thuhet më tej në njoftim.

Gjykata ka thënë tutje se është duke vepruar në aplikim të dispozitave ligjore në fuqi. Dhe ky është obligim ligjor për gjykatën.

Policia e Kosovës është duke vepruar në përkrahje të Gjykatës për zbatimin e aktgjykimeve të plotfuqishme.

The post Gjykata: Pronat e uzurpuara duhet të lirohen appeared first on Mesazhi.com.

Related Posts :