Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne?” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne?” plus 2 more Telegrafi Opinione


Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne?

Posted: 20 Sep 2016 10:30 PM PDT

Në aspektin psikologjik, perceptimi që kemi ndaj profesionit të shitjes ndikon drejtpërdrejt tek klienti në procesin e prezantimit të produktit apo të shërbimit tonë. Mënyra se si ne e shohim veten dhe se si i shohim të tjerët, mund të jetë ndihmesë – por edhe pengesë – në realizimin e synimit për t'i bindur klientët për ofertën që kemi. Një shitës i mirë e ka të qartë se shitja nuk është të marrësesh thjeshtë një porosi – një kërkesë në një moment, përmes një kontakti të shkurtër! Ndaj, qasja jonë kundrejt shitjes duhet të shmanget nga bindja se cak parësor është transaksioni financiar, kjo sepse cak kryesor i shitjes duhet të jetë ndërtimi i raporteve afatgjata me klientët.

Të gjithë kanë obligime për të përmbushur, kanë fatura për të paguar e shpenzime për të mbuluar. Por, qasja e deritashme – ku pikësynim është vetëm profiti – duhet ndryshuar. Ne duhet ta shtojmë çdo herë kureshtjen tonë për kërkesat e klientit, duke ndërtuar raporte të shëndosha e duke e vënë fokusin tek ta. Sepse, ata blejnë duke u bazuar tek nevojat e tyre e jo ato tonat.

Shitësit pa eksperiencë mendojnë se shitja bazohet tek arsyet apo bindjet e tyre. Kjo qasje është po ashtu e gabuar. Prandaj, duhet ta dini se blerësi ka shumë mundësi para vetes – mundësi këto që mund të të ndihmojnë, e edhe dëmtojnë, përderisa:

– Ata mund blejnë nga ju;

– Ata mund të blejnë nga konkurrenca juaj;

– Ata mund të mos blejnë fare.

Ne duhet ta dëgjojmë klientin, ta lëmë atë të shprehet, ta njohim duke na treguar se për çfarë ai ka nevojë. Duke vepruar kështu, ne e fitojmë besimin e tyre, e të njëjtën kohë ua shtojmë vetëbesimin se ata dinë çfarë kërkojnë dhe se mendimi i tyre ka vlerë e rëndësi.

Ne pra duhet ta synojmë afatgjatën, gjithnjë me parimin: duaje, beso, bli! Ne duhet të kërkojmë marrëveshje të reja, klientë të rinj, duke i ruajtur gjithmonë ata të vjetrit. Sepse, magjia e shitjes nuk është të tregosh se sa je në gjendje te shesësh, por të mësosh se pse klientët blejnë prej teje!

Thuhet se njerëzit blejnë me rezon, porse arsyetohen me ndjenja. Kjo do të thotë se vendimet bazohen tek emocionet, sipas parimit: pëlqe, beso, bli! E, kjo na bënë të kuptojmë se ne nuk shesim vetëm produkte, por edhe ndenja – që mbase është komponenti kryesor për sukses ne shitje.

Nga përvoja ime me kompaninë Smard – gjatë realizimit të marrëveshjeve për shitje të materialeve për zyre – ne synojmë ta dëshmojmë kualitetin, përkushtimin dhe kujdesin tonë. Kështu ne ndërtojmë raporte emocionale, të besimit të ndërsjellët. Ky besim e ky raport bën pastaj të dështojë çdo tendencë e konkurrentit për t'u futur në këtë mes, madje edhe me çmime më të lira. Sepse, çmimi jo gjithmonë është përcaktues në bashkëpunim, nëse këtij profesioni nuk i jep atë që fshihet brenda teje – ndjesinë!

Mjeshtëria e shitjes (1): Me vetëbesim drejt cakut Mjeshtëria e shitjes (1): Me vetëbesim drejt cakut

Eksperti dhe ligjëruesi i njohur i shitjes, Brian Tracy, me të drejtë thotë se njerëzit kanë dëshirë të blejnë. Por, pse? Ata blejnë pasi kjo ndërlidhet me teorinë e vetaktualizmit të Abraham Maslowit, të hierarkisë së nevojave, të bazës së piramidës së tij për ushqim, për ujë e kulm mbi kokë (Unë kam nevojë). Në kohët moderne kësaj i shtohet edhe nevoja e zëvendësimeve të gjërave të dëmtuara, nevoja për brende të besueshme, për të qenë në hap me teknologjinë, për të dhuruar e për të shpërblyer, për të krijuar siguri apo për të përmbushur egon personale që madje krijon varësi për të blerë.

Te gjitha këto tregojnë se njerëzit kanë nevoja e kërkesa të cilat duhet t'i plotësojnë; se kanë probleme që duhet të zgjidhin; se kanë ndjenja që duhet të përmbushin. Ndaj, nuk është i rastësishëm promovimi dhe efekti i ditës së zbritjeve të madhe të çmimeve, që në Perëndim e quajnë "Black Friday" (E premtja e zezë). Në këtë ditë turren blerësit, kacafyten me njëri-tjetrin, luftojnë për produktin që e duan. Ata përgatiten për të poseduar produktin e caktuar dhe assesi nuk duan të heqin dorë nga realizimi i këtij caku!

Këto nevoja, që janë psikologjike, duhet t'i njohë çdo shitës. Ai pra duhet ta njohë klientin dhe t'ia ofrojë gjënë që atë e ngushëllon. E, pasi që blerja bëhet me emocion, kur ndërtohet besimi hapen horizontet për t'u vetaktualizuar edhe ju si shitës. Këtë e dëshmojnë edhe hulumtimet e bëra nga konsulentët e Gallup-it, Benson Smith dhe Tony Rutigliano, që thonë se kënaqësia e konsumatorit dhe e biznesit është e bazuar në një lidhje emocionale me shitësin. Konsumatorët të cilët ndërtojnë lidhje emocionale me shitësin e tyre, kanë gjasa të vazhdojnë të blejnë dymbëdhjetë herë më shumë sesa ata te cilët nuk kanë raporte të tilla,

Kur jemi tek emocionet, duhet cekur se shitësi duhet të posedojë edhe këto dy aftësi: aftësinë e konceptit të lartë, dhe aftësinë e lartë të prekjes. E para është aftësia për të sintetizuar të dhënat, për të njohur tendencat dhe modelet, e për t'i përpunuar në zgjidhje kreative. Kjo mjeshtëri është jetike, sepse shitësit takohen rregullisht me klientët, janë të ngarkuar me informacione të cilat shpeshherë nuk dinë si t'i ndajnë dhe si t’i përzgjedhin për nga pesha e rëndësisë. Ndërsa, aftësitë e prekjes se lartë ndërlidhen me zbulimin, me të menduarit kritik, me zgjidhjen e problemeve dhe ndërtimin e marrëdhënieve.

Pos këtyre dy aftësive, është edhe diçka tjetër me rëndësi në procesin e shitjes: të shkëlqejmë në punë e të dukemi mirë drejtë ndërtimit të bashkëpunimit. Si dhe, t'i dimë po ashtu përgjigjet në këto pyetje që ndërlidhen jo vetëm me blerësin:

– Çka ka rendësi për ju, kur blini diçka?

– Pse blini dhe çfarë kërkoni kur vendosni të blini?

– Si e dini që e keni marrë vendimin e duhur gjatë blerjes?

Dëgjojini pra klientët, sepse nëse jeni dëgjues i mirë, ata do t'ju tregojnë se si duan që ju të silleni ndaj tyre. Në këtë mënyrë, pasi t’i zbuloni nevojat dhe kërkesat e tyre, ju mund të ndërtoni një strategji të përsosur të shitjes. E, me këtë qasje, suksesi assesi nuk do të mungojë!

  • Nëse keni ndonjë koment apo pyetje, mund të kontaktoni duke shkruar në emailin denis.gafuri@smardonline.com, apo në këto rrjete sociale: TwitterLinkedIn apo Facebook.

The post Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne? appeared first on Telegrafi.

Kimikatet në ushqime dhe kanceri: Si mund të mbrohemi?

Posted: 20 Sep 2016 01:36 PM PDT

Kristaq Sini

Po mbushet një vit nga deklarata e OBSH-së në lidhje me rrezikun e kancerit nga mishi dhe sidomos sallami, që këshillonte kufizimin e konsumit të këtyre produkteve. Kjo deklaratë i drejtohej të gjitha vendeve, sepse rritja e rasteve apo e sëmundjeve kanceroze është shndërruar në problem botëror. Me të drejtë, një gazetar, në lidhje me këtë deklaratë u shpreh në rrjetet sociale se "na thatë të lëmë duhanin, e lamë; na thatë të lëmë alkoolin, e lamë, e tani na thoni të lëmë dhe mishin…"! Me të drejtë, sepse çdo njeri duhet të informohet për arsyet e një deklarate të këtij niveli dhe, sepse ushqimi i njerëzve nuk përbëhet vetëm nga mishi e sallami, por nga shumë produkte dhe nënprodukte me origjinë shtazore dhe bimore.

Kanceri ka pasur viktimat e tij edhe para 20, 200… 2000 vjetësh. Por, sot dëgjojmë gjithnjë e më shpesh për të dhe njerëzit habiten se përse sëmundjet kanceroze po bëhen po aq të "zakonshme" sa ato të zemrës, veshkave, mëlçisë etj.

Të jenë thashetheme dhe zmadhim i realitetit?

Aspak!

Të dhënat nga ekzaminimet radiologjike (Dr. Kastriot Mëlyshi), nga kirurgjia (Prof as. Dr. Sokol Paparisto) apo nga Dr. Ferdinand Jorgoni (epidemiolog në Spitalin Onkologjik), flasin për rritje të rasteve të sëmundjeve kanceroze në përgjithësi dhe atyre të aparatit tretës në veçanti. Le ta ilustrojmë sipër me disa shifra dhe fakte: sipas të dhënave të Dr. Ferdinand Jorgonit, sëmundjet kanceroze të aparatit tretës janë rritur nga viti në vit: nëse në vitin 2000 ishin 400 raste të reja, në vitin 2013 numri i rasteve të reja arriti në 634 ose rreth 58 për qind më shumë!

Por, po t'i referohemi mesatares në vitet 2010-2013, numri i sëmundjeve kanceroze të aparatit tretës është 620 raste të reja çdo vit, që përbën rreth 18 për qind të të gjithë sëmundjeve kanceroze në Shqipëri (mesatarisht 3500 raste të reja në vit), duke u renditur në vendin e pare.

Të dhënat nga statistikat e mësipërme, tepër shqetësuese, janë bërë objekt studimesh dhe diskutimesh të shumta edhe nga mjekë të tjerë apo në literaturë dhe lidhja me ushqimin që konsumojmë çdo ditë del në plan të parë. Prandaj, vendosa të shkruaj dhe të shpjegoj si vazhdimi dhe përkeqësimi i mënyrës shpeshherë të mbrapshtë të prodhimit blegtoral dhe bujqësor, me ushqimet që na ofron, na sëmurë deri me kancer. Këtu do të përqendrohet edhe ky artikull, me qëllimin që çdokush të mund të kuptojë ndikimin e cilësisë të ushqimit në shëndetin tonë.

Por, le të shohim më parë se ç'është kanceri dhe kush e shkakton.

Ç'ËSHTË KANCERI?

Që të kuptojmë se çfarë është kanceri, le të kujtojmë paraprakisht se trupi i njeriut përbëhet nga një sërë organesh, si zemra, veshka, mëlçia, lëkura etj. Një nga organet e njeriut është edhe sistemi endokrin, i përbërë nga disa gjëndra të shpërndara në pjesë të ndryshme të organizmit. Produkti kryesor i këtyre gjëndrave janë hormonet, që rregullojnë gjithçka: rritjen dhe riparimin e organeve, metabolizmin, zhvillimin seksual dhe riprodhimin, presionin e gjakut dhe reagimin e organizmit ndaj streseve.

Qelizat e çdo organi, nëpërmjet metabolizmit të tyre i shërbejnë organit ku bëjnë pjesë dhe organizmi në tërësinë e tij. Ky metabolizëm përcaktohet nga ADN-ja e organizmit. E gjithë veprimtaria e organizmit mbrohet nga një sistem që quhet sistemi imunitar – i ndodhur në limfë, gjak, e deri në çdo qelizë – i cili mbron organizmin nga agjentët e jashtëm fizikë, kimikë dhe biologjikë. Pas këtij përshkrimi të shkurtër se si është i ndërtuar dhe mbrohet organizmi i njeriut për një funksionim normal të tij, le të përshkruajmë se ç'është kanceri.

Kanceri shfaqet në një organ të caktuar nëpërmjet formimit, shumimit dhe shumëzimit të qelizave anormale të quajtura kanceroze. ADN-ja e këtyre qelizave kanceroze ka pësuar ndryshime dhe këto qeliza kanë rritje të pakontrolluar, ngaqë "nuk i binden" mekanizmave të kontrollit hormonal të organizmit. Këto qeliza kanceroze anormale mund të mbeten të pakta në numër dhe pa pasoja në funksionimin normal të organizmit, si p.sh. disa lloje të veçanta të nishaneve të lëkurës. Por, kur në kushte të veçanta, nën veprimin e agjentëve të jashtëm fizikë, kimikë dhe biologjikë ato pësojnë ndryshime të njëpasnjëshme (mutacione), mund të shumohen në një organ ose/dhe të përhapen në organe të tjera të organizmit. Një formë e dytë është shumëzimi vetëm i disa qelizave, që formojnë tumore. Nga ana tjetër, qelizat anormale kanceroze karakterizohen nga një metabolizëm i ndryshëm nga ai normal.

Nëse në një metabolizëm normal, qelizat në përbërje të organeve prodhojnë për nevojat e veta dhe të organizmit, qelizat anormale kanceroze zhvillohen si një "organizëm parazit" që vetëm merr dhe nuk jep asgjë për organizmin "mëmë" brenda të cilit u formua dhe zhvillua. Si konkluzion, një sëmundje kanceroze ndodh: së pari, kur sistemi imunitar është i paaftë të mbrojë organizmin nga agjentët e jashtëm fizikë, kimikë dhe biologjikë, apo kur e ka të pamundur sepse mund të jetë dëmtuar prej agjentëve të sipërpërmendur; së dyti, kur këta agjentë ndërhyjnë dhe prishin balancën e sistemit të kontrollit hormonal; dhe, së treti, kur shkaktojnë ndryshime (mutacione) të ADN-së të njeriut.

Por, a mund të ndryshojë struktura e ADN-së vetvetiu, pa ndërhyrje nga jashtë organizmit?

Ja ku dolëm tek thelbi i këtij shkrimi. Në të vërtetë, mund të ndodhë që këto ndryshime (mutacione) të ADN-së të trashëgohen edhe tek pasardhësit. Por, të dhënat e literaturës shkencore referojnë se vetëm rreth pesë për qind e sëmundjeve kanceroze kanë origjinë gjenetike. Pra, pjesa dërmuese e sëmundjeve kanceroze nuk janë të trashëguara, por shfaqen gjatë jetës së njeriut nga kontakti i tij me mjedisin e jashtëm. Në këtë kuptim, sëmundjet e kancerit do mund të shpjegoheshin vetëm me efektin e agjentëve të jashtëm fizikë, kimikë dhe biologjikë që quhen faktorë kancerogen dhe që shpesh shkaktojnë mutacione.

FAKTORËT KANCEROGJENE

Të renditura sipas literaturës mjekësore, faktorët kancerogenë, janë:

1. Rrrezatimet (ultraviolet, rrezet X dhe Gama);

2. Kimikatet organike të duhanit dhe ushqimeve;

3. Ndotësit (kimikate industriale, pesticide etj.) të ndodhur në ujë, tokë, ajër dhe ushqime;

4. Viruset me të cilat mund të lidhen vetëm tri lloje sëmundjesh kanceroze (një me hepatitin B, i pranishëm në Shqipëri, dhe dy lloje virusesh të pranishëm në Kinë dhe Afrikë).

Si përfundim, të gjithë faktorët ndodhen në ajrin me të cilin jemi në kontakt dhe thithim, në ujë, në produktet industriale që ne përdorim – si veshje, lodra etj. – si dhe në ushqime. Për çdo sëmundje, si për çdo fenomen, ka një shkak kryesor dhe të tjerë që e përshpejtojnë apo e frenojnë atë. Kuptohet se nëse uji përmban metale të rënda (shkaku kryesor është ai), apo ajri (mjedisi) kur ka radioaktivitet (si në rastin e personave me kontakte të shpeshta me repartin e radiologjisë, si dhe atyre të gjeologjisë).

Po kështu, shkak kryesor mund të jetë edhe duhani. Por, është një faktor që është i përbashkët për të gjithë njerëzit: për ata që pinë apo jo duhan, për ata që janë në kontakt me rrezatime apo jo, për ata që kanë kontakte me kimikate kancerogene apo jo, për ata që ndodhen në zona të ndotura atmosferike apo jo… Ky faktor është ushqimi!

Le të përqendrohemi tani te roli i ushqimit në lidhje me sëmundjet në përgjithësi dhe kancerin në veçanti. Sikundër dihet, nëpërmjet ushqimit organizmi merr të gjithë elementët që i duhen për funksionimin normal të tij. Nga ana tjetër, çdo ushqim apo element ushqimor karakterizohet nga aftësia për të krijuar në qelizat tona një mjedis acid apo bazik. Kjo është e rëndësishme, sepse shkenca mjekësore ka arritur në konkluzionin se ambienti i theksuar acid mund të jetë shkaku kryesor i fillimit të sëmundjeve në përgjithësi dhe atyre kanceroze në veçanti. Duhet theksuar se mjedisi acid mund të krijohet edhe nga metabolizmi nëpërmjet tretjes së ushqimeve të ndryshme.

Një rol shumë të rëndësishëm në neutralizimin e këtij aciditeti të qelizave kanë elementët minerale, që, gjithashtu, merren nëpërmjet ushqimit shtazor dhe sidomos atij bimor. Ndërkohë, nuk duhen lënë pa përmendur edhe antioksidantët që gjenden në vitamina dhe ushqime të ndryshme (fruta-perime, vaji i ullirit, vera etj.). Antioksidantët mund të parandalojnë formimin e radikaleve të lira që mund të dëmtojnë ADN-në – shkaku kryesor i tjetërsimit të metabolizmit dhe përhapjes së qelizave kanceroze.

Mungesa e një apo disa elementëve të ushqimit ose prania e tepërt e disa komponimeve organike apo e metaleve të rënda në të, mund të japin efekte akute apo kronike në metabolizmin e njeriut, duke shkaktuar devijime të tij, me pasojë sëmundje me emërtime të ndryshme, sipas organit që pëson devijimin e rrugës metabolike. Kuptohet, ka devijime të rrugëve metabolike (sëmundje) që, kur nuk prekin apo bllokojnë funksione jetike, janë të kurueshme nga shkenca e mjekësisë.

Në të kundërtën, kurimi është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur, kur substancat e ndodhura në ushqim, sidomos ato të shtuara nëpërmjet praktikave "të legalizuara shkencërisht", dëmtojnë sistemin imunitar dhe ndërhyjnë në sistemin hormonal duke dëmtuar dhe ndryshuar tërësisht metabolizmin e qelizës. Tërësisht më keq, këto substanca të rrezikshme mund të futen deri në bërthamën e qelizave dhe të modifikojnë gjenet e ADN-së që janë përgjegjëse të metabolizmit dhe të kontrollit hormonal. Prandaj, ka raste kur trashëgimia gjenetike e sëmundjeve mund të ngatërrohet me "trashëgiminë e tryezës familjare" (lidhja shkak-pasoje: ushqim-metabolizëm-ADN-shëndet).

Pra, ushqimi që konsumon çdo njeri, në varësi të mënyrës së të ushqyerit (llojshmëria dhe sasia e tij) dhe cilësisë së tij, mund të jetë shkaku kryesor apo/dhe dytësor i shfaqjes dhe zhvillimit të kancerit, ose i frenimit dhe eliminimet të efekteve negative të faktorëve të sipërpërmendur. Këtu, mbase qëndron edhe kuptimi i "genit të kancerit dhe genit supresor (shtypës, pengues)" që referon literatura: "geni i kancerit" është prania e ndonjë faktori kancerogen, ku përfshihet edhe te ushqyerit e gabuar dhe/ose jo cilësor, kurse "geni supresor" mund të jetë ushqimi i shëndetshëm. Por, mënyra e të ushqyerit nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë e përkryer për këdo, sepse ushqimi, në fund të fundit është mundësi, nevojë dhe kënaqësi, prandaj kanceri është përshkruar që në kohën e Herodotit.

Por, përse rastet e kancerit janë shtuar shumë në Shqipëri këto 10 vitet e fundit? Çfarë ka ndryshuar ne jetën tone të përditshme? Ka ndryshuar cilësia e ushqimit, prandaj, shpesh pyesim veten:

ÇFARË TË HAMË?

Kjo pyetje na shqetëson e shoqëron sa herë duhet të blejmë ushqime, sepse blejmë bukë dhe ajo është plot konservantë kimikë dhe ngjyrues. Blejmë djathë e gjizë dhe ngopemi me niseshte e vaj palme. Vaji i palmës mund të ndodhet edhe tek majoneza, produktet e pastiçerisë apo vaji i etiketuar "vaj vegjetal". Blejmë kos dhe ai nuk thartohet, sepse është me konservantë apo/dhe antibiotikë. Blejmë fruta dhe perime dhe ato janë plot kimikate (hormone, pesticide, nxitës artificial të pjekjes etj.) dhe disa herë me ngjyrues. Blejmë mish dhe është me hormone. Blejmë pula dhe mishi i tyre është me antibiotikë. Blejmë sallam dhe ai është me konservantë, hormone, nitrit, ngjyrues etj.

Si përfundim, në ushqime kemi shtim të përdorimit të kimikateve organike dhe falsifikim të tyre nëpërmjet zëvendësimit të përbërësve natyrale me komponime organike dhe kimike, shpesh të huaj për organizmin dhe të dëmshme për të. Një tregues që fatkeqësisht vërteton konstatimet e mësipërme është fakti që prodhimet me origjinë shtazore (përveç vezëve) dhe bimore (perime, patate, karota, etj.), nuk lejohen të eksportohen në vendet e BE-së. Pse të ndodhë kështu? Përgjigja është e njohur: etja për fitim e tregtisë dhe interesi i qeverive për treguesit globalë financiarë shpesh kalojnë në plan të parë, dhe ndikimi i këtyre praktikave të gabuara dhe "shkencërisht" të legalizuara në shëndetin e popullit mbetet në plan të "dytë".

Në këtë kuadër, dhe, duke ditur se prodhuesit e ndershëm dështojnë dhe falimentojnë përballë falsifikimeve dhe praktikave të sipërpërmendura, bëhet urgjent argumentimi pse cilësia e ushqimit, e lidhur me përmbajtjen e tij, sjell fatkeqësi shëndetësore deri në kancer dhe një faturë shumë të lartë financiare, që bëhet e papërballueshme nga individi dhe shteti. Këtu artikulli mund të mbyllej, por askush nuk do të bindej, ashtu siç nuk u bind edhe nga deklarata e OBSH-së, nëse nuk do argumentohej përse përdorimi i disa kimikateve në veçanti dhe pa kriter i kimikateve në përgjithësi, sjell pasoja të rënda deri në fatale për organizmin e njeriut.

PËRDORIMI I KIMIKATEVE NË KAFSHË DHE BIMË

Kimikatet që i janë shtuar përmbajtjes natyrale të produkteve ushqimore janë hormonet, antibiotikët, pesticidet, herbicidet, fungicidet etj.; ngjyruesit, vaji i palmës, konservantët kimikë, nxitësit artificialë të pjekjes etj. A është e domosdoshme të përdoren të gjithë këto kimikate? Në fakt, ashtu si njerëzit, edhe kafshët dhe bimët duhet të ushqehen dhe të mbrohen, sepse nëpërmjet ushqimit dhe mbrojtjes së tyre, njerëzit ushqejnë dhe mbrojnë vetveten. Bimët ushqehen me plehra kimike, sepse bimët janë organizma që formojnë lëndët organike nga ato minerale nëpërmjet fotosintezës, kurse nëpërmjet përdorimit të produkteve kimike, si antibiotikët tek kafshët dhe pesticidet etj. te bimët, mbrojmë prodhimin shtazor dhe bimor nga sëmundjet dhe dëmtuesit.

Deri këtu është normale dhe e nevojshme. Por, që para viteve '50-të të shekullit të kaluar, ishte vërejtur shtimi artificial i prodhimit shtazor dhe bimor nga përdorimi i hormoneve, antibiotikëve dhe pesticideve. Kështu që shtimi i prodhimit u bazua edhe te përdorimi i këtyre kimikateve me qëllim, një prodhim më të madh shtazor dhe bimor nëpërmjet shtimit artificial të qelizave dhe në këtë mënyrë, të peshës së produktit. Le të kujtojmë këtu se gjedhët, si gjitarë (ku bëjnë pjesë edhe njerëzit), kanë prani të natyrshme fiziologjike të hormoneve, të njëjta me ato të njeriut. Por, jo vetëm gjitarët. Edhe bimët, si patatja, gruri, disa vajra etj. kanë përmbajtje të hormoneve njerëzore, kurse mjaft bimë përmbajnë komponime me aktivitet hormonal human.

Tani le të flasim shkurtimisht për përdorimin e këtyre kimikateve dhe ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut.

PËRDORIMI I HORMONEVE TE KAFSHËT

Hormonet tek kafshët për qumësht dhe për mish, sipas literaturës, përdoren në 30 vende, përfshirë SHBA, Brazil, Argjentinë, Australi etj,. Përdoren edhe në Shqipëri, por jo në vendet e BE-së. Në SHBA përdoren 6 hormone të aprovuara, për shtimin e prodhimit të qumështit (mbi 15% më shumë) dhe mishit (rritje mbi 20% më shpejt), por duke ushtruar njëkohësisht një inspektim të rreptë të produkteve të mishit dhe bulmetit. Por, nëse në SHBA, injektimi i këtyre hormoneve bëhet me implant të vendosur në veshin e kafshës (direkt në gjak), në Shqipëri bëhet me injeksion në qafën e kafshës.

E theksojmë këtë, sepse në SHBA, nga kafshët e trajtuara me hormone, rekomandohet të konsumohet mishi, por jo organet dhe yndyra (dhjami), sepse hormonet përqendrohen dhe degradohen në stomak, zorrë, veshka dhe mëlçi. Kurse në Shqipëri, ashtu siç ka "gojëdhëna" për kastravecë që rriten gjatë natës në frigorifer, ka edhe për njerëz që kanë ngrënë pjesën e qafës dhe janë bërë obezë për një muaj! Gjithashtu, në SHBA, mishi apo qumështi etiketohen dhe i tregohet konsumatorit se është hormonal ose organik. Në SHBA këto produkte etiketohen si "organike", kur kafsha nuk ka marrë hormone dhe antibiotikë për shtimin e peshës, nëpërmjet ushqimit dhe ujit. Kurse, në Shqipëri nuk ka asnjë etiketim që të tregojë se mishi është me/apo pa hormone.

Të dhënat e literaturës tregojnë edhe për probleme të shëndetit të kafshëve, kur trajtohen me hormone, të cilat kanë shtim të rasteve me mastit që është proporcional me sasitë e hormonit të përdorur, probleme të gjymtyrëve etj. Te njerëzit, sasia e hormoneve, që natyrshëm prodhohet nga organizmi i tyre, ndryshon sipas moshës, seksit, dietës, aktivitetit fizik dhe sipas shtatzënisë dhe ciklit menstrual tek femrat.

Por, ç'mund të ndodhë kur këtyre niveleve fiziologjike normale, i shtohen edhe sasitë e mara nëpërmjet ushqimit të trajtuar me hormone? Literatura botërore referon problematikën me kancerin e gjirit, prostatës, kancerit vaginal, kancerit të zorrës së trashë, stomakut, mëlçisë, pankreasit, etj. që ka shumë mundësi të lidhen me konsumin e produkteve ushqimore të trajtuara me hormone.

Në vendet ku lejohet përdorimi i hormoneve për rritjen e prodhimit të qumështit dhe mishit, ka norma të caktuara të mbetjeve të tyre. Por, nga njëra anë, saktësia dhe ndjeshmëria e analizave për sasitë e vogla të hormoneve dhe nga ana tjetër, pasiguria në nivelin e ndikimit hormonal, kanë lënë shumë për të dëshiruar Këto janë dy arsyet ku bazohet vendimi i BE-së për ndalimin e përdorimit të tyre dhe importit të mishit hormonal. Nga ana tjetër, sado e vogël qoftë mbetja e hormoneve të përdorura në mish apo në qumësht, ajo mund t'i shtohet sasisë së hormoneve që natyrshëm i ka çdo njeri. Dhe efekti mund të jetë i ngjashëm me rastin e rrëkesë që derdhet vetëm nga një pikë ujë e shtuar në gotën apo fuçinë e mbushur plot. Kjo është edhe arsyeja e tretë e vendimit të BE-së.

Në Shqipëri jo vetëm që importohet mish hormonal, por hormonet tregtohen dhe përdoren siç u përshkrua më lart. Por, fatmirësisht nuk përdoren kudo, prandaj urgjent është etiketimi dhe nuk është vonë për të reaguar ndaj përdorimit të tyre. Hormonet e përdorura tek gjedhët, nuk përdoren tek pulat dhe derrat, sepse nuk sjellin përfitim ekonomik, kurse antibiotikët përdoren te të tre llojet, për të njëjtat arsye të përfitimit nëpërmjet shtimit të rritjes.

PËRDORIMI I ANTIBIOTIKËVE

Ashtu si tek njerëzit, antibiotikët përdoren në mjekësinë veterinare për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve. Por, me justifikimin e parandalimit të sëmundjeve, në komplekset e rritjes së gjedhëve dhe pulave u lejua përdorimi në vazhdimësi me doza më të vogla se terapia e zakonshme. E njëjta praktikë u zbatua edhe për rritjen e peshqve.

Ndërkohë, antibiotikët përdoren edhe te bimët, por në sasi shumë më të vogla se tek kafshët. Por, cili është ndikimi i mbetjeve të antibiotikëve në produktet ushqimore që ne konsumojmë?

Në radhë të parë, rritja e prodhimit tek kafshët, peshqit dhe bimët, nënkupton ndërhyrjen në mekanizmat e kontrollit të rritjes normale të tyre. Mbetjet e tyre në produktet që ne konsumojmë, mund të veprojnë po njësoj te njerëzit që i konsumojnë këto produkte, pra, të ndërhyjnë dhe të prishin mekanizmat e kontrollit të rritjes qelizore, një nga premisat e formimit të tumoreve.

Një efekt tjetër i përdorimit të vazhdueshëm të tyre 'për qëllime parandaluese", është që mikrobet patogjene që ndodhen në produktet ushqimore dhe në mjedisin rrethues (ndotja e mjedisit, që vlen edhe për hormonet e trajtuara më lart), bëhen rezistente ndaj antibiotikëve. Kjo ka pasoja të rënda, sepse bën që antibiotikët të mos kenë efekt kurues te njerëzit në raste sëmundjesh infekive.

Për këto arsye, në Korrik 1989, BE ndaloi përdorimin e katër antibiotikëve që rrisin artificialisht peshën e produkteve, në vitet 1995 deri 2000 ndaloi përdorimin edhe të pesë antibiotikëve të tjerë, të përdorur për të njëjtin qëllim dhe në janar 2006 edhe për katër të tjerë. Përdorimi i antibiotikëve për rritjen artificiale të prodhimit nuk mbështetet edhe nga shumë organizma ndërkombëtare në Evropë, Amerikë (SHBA) dhe OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë). Në Shqipëri antibiotikët përdoren dhe ka raste (të prezantuara në emisionin "Rrathë" Top Chanel), që nuk respektohet koha e përdorimit të tyre përpara kohës së tregtimit.

PËRDORIMI I PESTICIDEVE DHE HERBICIDEVE

Pesticidet dhe herbicidet përdoren gjerësisht në produktet bimore konvencionale. Mbetjet e tyre ndodhen edhe tek kafshët që ushqehen me këto bimë. Në këtë mënyrë, njerëzit i marrin ato nga dy burime, bimor dhe shtazor. Këto kimikate, të njohura si ksenoestrogen, kanë efekte të ngjashme hormonale që lidhen me dëmtim të funksionimit të sistemit imunitar dhe disa forma të kancerit, por më të rrezikuarit janë fermerët që i përdorin këto kimikate, që kanë shpeshmëri më të lartë të kancerit të stomakut, prostatës, kokës dhe gjakut (leucemia).

FALSIFIKIMI I USHQIMEVE

Falsifikimi i ushqimeve njihet që në kohën e Romës së lashtë, por, që në atë kohë e deri të paktën në 2009-tën, kur Presidenti Obama formoi Grupin e Punës (task-force) të Sigurisë Ushqimore, të gjitha qeveritë e vendeve normale (përfshi edhe atë të Romës së lashtë), janë munduar të minimizojnë falsifikimet e ushqimeve, për të minimizuar efektet negative në shëndetin e qytetarëve të tyre dhe për të mbrojtur ekonominë e vendit.

Le të japim një shembull: në Italinë e vitit 1986, 26 njerëz vdiqën dhe 20 të tjerë u verbuan. Shkaku: përzierja e verës me metanol. Konsumi i verës ra ndjeshëm dhe shumë prodhues të ndershëm falimentuan. Pas kësaj, Qeveria italiane kontrolloi seriozisht cilësinë, që shishja të përmbante atë që thotë etiketa.

Kjo bëri që vit pas viti, vera italiane të konkurrojë atë franceze! Në vitet '90-të të shekullit të kaluar ndodhi e njëjta gjë në Shqipëri me rakinë, por asnjë evidencë dhe asnjë masë… Çdo lexues, me të drejtë do të pyeste: Çfarë lidhje ka falsifikimi i ushqimeve me kancerin? Lidhja është e thjeshtë: vaji i palmës, ngjyruesit dhe plot kimikate të tjera që shtohen, janë komponime organike dhe kimike që nuk i përkasin produkteve ushqimore përkatëse dhe sasitë e tepërta të tyre sjellin dëme shëndetësore të referuara edhe nga shumë studiues të huaj, mjekë e dietologë. Nga ana tjetër, le të rikujtojmë dy nga faktorët kancerogen që përmendëm në fillim të artikullit: kimikatet organike dhe ndotësit kimik të ushqimeve.

Nga sa u trajtua më lart, në Shqipëri ushqimet përmbajnë hormone të ndaluara në vendet e BE-së, si dhe kimikate të tjera të përdorura shpesh jashtë kritereve. Këto kimikate ndikojnë në sistemin imunitar të njeriut, në dëmtimin apo prishjen e rritjes së kontrolluar nga sistemi hormonal, në tjetërsimin e metabolizmit normal dhe të geneve përgjegjëse të rrugëve kryesore metabolike, duke pasur si pasojë sëmundje të ndryshme deri në kancer. Që të mbrohemi nga këto rreziqe, kafshët dhe bimët me të cilat ushqehemi, nuk duhet të trajtohen me kimikate për shtim artificial të peshës dhe prodhimit, si dhe të ushqehen dhe mbrohen sipas kritereve duke respektuar kohën e përdorimit të kimikateve përpara kohës së tregtimit.

KUSH DUHET TË NA MBROJË

Në Shqipëri, sistemi i kontrollit veterinar dhe agronomik i produktit shtazor dhe bimor lë shumë për të dëshiruar. Fakti që ka një vit që diskutohet privatizimi i kontrollit veterinar, si dhe përhapja nga veriu deri në Shqipërinë e Mesme e dermatozës nodulare te gjedhët, apo vonesa në fillimin e vaksinimit e vërteton këtë.

Shembuj të tjerë?

Para një muaji, një i vdekur dhe disa të prekur nga Antraksi (plasja): ISHP (Instituti i Shëndetit Publik) analizoi dhe vërtetoi infeksionin nga Bacillus Anthraxis, duke shprehur edhe mos informimin nga ISUV në raste epidemish tek bagëtitë apo vaksinimesh, kurse më pas, ISUV-i (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë) deklaroi se nga analizat e tyre nuk ishte Antraks (sipas mediave vizive). Bruceloza, tek bagëtitë e imta dhe të trasha ekziston nga jugu në veri, kurse analiza mikrobiologjike të ushqimeve pothuajse nuk kryhen fare.

Analizat fiziko-kimike të produkteve ushqimore vazhdojnë të bëhen mbi bazën e standardeve të vitit 1987, kur nuk ekzistonin falsifikime etj. Kush duhet të na mbrojë? Përgjigja është e thjeshtë për këdo, prandaj, le të shpresojmë se do fillojnë të merren masa, mbase nga detyrimet që ka anëtarësimi në BE. Ndërkohë, në nivel individual, ndërgjegjësimi sa vjen dhe rritet: me aq sa munden, banorët e qyteteve kanë filluar të kultivojnë perime në ballkonet e tyre… Por, le ta mbyllim këtu, duke dhënë një informacion se si njerëzit të mund të minimizojnë rreziqet e kancerit në veçanti dhe të sëmundjeve në përgjithësi. Ky është vetëm hapi i parë i ndryshimeve që duhet të bëhen…

SI MUND TË MBROHEMI

Është e sigurt se rreziku i shumë sëmundjeve kanceroze mund të reduktohet nëpërmjet disa sjelljeve mbrojtëse dhe një mënyre të shëndetshme të të ushqyerit. Disa nga sjelljet mbrojtëse mund të jenë:

• Mos pini duhan. Ka njerëz që mund të pinë deri 4-5 cigare në ditë, por pjesa dërmuese krijon vartësi dhe e shtojnë në një paketë apo me keq, mbi dy paketa. Edhe në sasi të vogël, duhani mbetet faktor kancerogen

• Shmangni rrezatimet e tepruara jonizuese X në kabinetet mjekësore dhe dentalë;

• Eliminoni banjat e diellit në orare të papërshtatshme (12 – 17 mbasdite);

• Shmangni teprimin me pije alkoolike, sidomos kur shoqërohet me duhan;

• Kujdes me ekspozimin ndaj agjentëve të ndryshëm industrialë (nikel, kromat, azbest, vinil klorid, kimikate bujqësore, etj.);

• Kujdes me terapinë hormonale gjatë menopauzës. Konsultohuni me mjekun për çdo shqetësim që mund të keni gjatë zbatimit të saj.

MËNYRA E TË USHQYERIT

Studimet statistikore kanë treguar se të ushqyerit e shëndetshëm shmang në maksimum sëmundjet kanceroze, prandaj po përshkruaj disa rregulla bazë të të ushqyerit të shëndetshëm dhe në vazhdim, kalendarin vjetor të fruta- perimeve të fushës.

SHUMËLLOJSHMËRIA E USHQIMIT DHE DIETA MESDHETARE

• Ushqimi i shëndetshëm është i shumëllojshëm dhe i ekuilibruar, sepse shumëllojshmëria e ushqimit krijon mundësinë e ekuilibrimit të tij, pa nevojitur domosdoshmërisht llogaritjen dhe peshimin e përditshëm të llojeve të ndryshme të ushqimeve, që mund të realizohet në klinika të specializuara, por që është praktikisht i pamundur në kushtet shtëpiake.

• Konsideroje ushqimin, sidomos atë bimor (graminoret, frutat dhe perimet) në tërësinë e tij, sepse janë me përmbajtje fibrash, që mbrojnë nga kanceri i zorrës së trashë me shpeshmëri të lartë vdekjesh. Gjithçka që përmban ushqimi është e dobishme. Por, p.sh. frutën qëroje që të eliminosh kimikatet në lëkurë, por mos e shtrydh, sepse eliminon fibrat dhe elementët e tjerë ushqimore që ai përmban. Nga ana tjetër, shumëllojshmëri ushqimi, por jo përzierje apo kokteje ushqimesh. Ushqime të ndryshme kanë përbërje dhe raporte të ndryshme të elementëve ushqyes. Prandaj, më mirë ha nga një frut të ndryshëm, tre apo katër herë gjatë ditës, dhe jo të katër frutat së bashku. E njëjta gjë vlen edhe për ushqimet e tjera. Pasojën negative të përzierjes së shumë ushqimeve e ka provuar kushdo.

• Të njohësh dhe privilegjosh ushqimet me tendencë mbrojtëse. Ushqime të tilla janë ato që përmbajnë vitamina dhe antioksidantë, si perimet gjethore, ato me jeshile të errët, karotat, frutat, bishtajoret dhe graminoret e plota, frutat e thata, peshku (mundësisht peshk deti, një deri dy herë në javë), vaji i ullirit, vera, çajrat bimore etj.

• Konsumoni në mënyrë të moderuar (të pakët) kripën, sheqerin dhe alkoolin

• Për të pasur një ushqim të shumëllojshëm, përdorni Dietën Mesdhetare që karakterizohet nga përdorimi i shumtë i perimeve dhe frutave të freskëta sipas stinës, në të katër stinët, ushqimeve të gatuara në shtëpi, vajit të ullirit dhe përdorim i kufizuar i mishit. Me anë të Dietës Mesdhetare njerëzit ushqehen: me frutat dhe perimet e freskëta të fushës dhe të stinës, që janë shumë më të shëndetshme se ato të serrave, ku përdoren sasi të shumta kimikatesh; me ushqimet e gatuara në shtëpi, që shmangin konservantët kimikë të përdorur në ushqimet e fabrikuara (kufizojini, sidomos për fëmijët, por edhe për të rriturit, konsumimin e tyre); me sasi te kufizuara të mishit që përmban, përveç sa thamë për hormonet dhe antibiotikët, edhe yndyrat e ngopura. Mishi më mirë të gatuhet i zier, rrallë i pjekur (por jo i djegur) dhe asnjëherë i skuqur.

• Konsumi i mishit të jetë 200-400 gramë në javë, sipas moshës, aktivitetit fizik dhe temperaturave të ambientit). Shmangni, sa të mundeni mishin me hormone!

• Dietë të varfër në yndyrna të ngopura dhe kolesterol, të pasur me vaj ulliri (kujdes nga falsifikimet e tij) dhe të moderuar në vaj bimor (por jo vaj palme). Larg vajit të djegur. Ashtu si mishi i djegur edhe vaji i djegur përmbajnë substanca kancerogene.

• Sasi të kufizuara të ushqimeve të trajtuara me kripë, të tymosura apo me nitrit si turshitë, sallamet e tymosura dhe me përmbajtje nitriti mbi normën e lejuar, apo djathërat e ushqime të tjera që përmbajnë sasi të mëdha kripe.

VËZHGONI REAGIMIN E ORGANIZMIT TUAJ NDAJ USHQIMEVE QË KONSUMONI

Shumëllojshmëria e ushqimit, i shërben individualitetit metabolik të çdo njeriu. Nëpërmjet tij, njeriu merr rrallë, ushqime që mund të mos përputhen me metabolizmin e tij, duke pasur mundësi neutralizimin dhe jashtëqitjen e tyre. Por kjo shumëllojshmëri duhet shoqëruar me sasinë e duhur të çdo lloj ushqimi, në mënyrë që t'i lejojë njeriut edhe atë që përbën ushqimi: nevojën, por edhe kënaqësinë. Prandaj, mjeku Ilia Petro (1935) ka thënë:" Një njeri që pëlqen pijen (me masë) jeton 100 vjet. Një njeri që s'di të ngopet së ngrëni, kurrë!"

SASIA E USHQIMIT

• Shmangni mbingopjen që të shmangni obezitetin, që ka filluar të shtohet në Shqipëri, sidomos tek fëmijët, por edhe tek një pjesë e të rriturve, për të minimizuar kancerin e zorrës së trashë, të gjirit dhe mitrës.

• Mos hani në mes të vakteve. Jepini mundësi organizmit të "çlodhet" dhe të "pastrohet".

• Respektoni një regjim (orar) ushqimi. Orari kondicionon oreksin nëpërmjet sekretimit të enzimave tretëse dhe rregullon kohën e punës së organizmit.

• Bëni shumë kujdes me sasinë e disa ushqimeve që pëlqeni më shumë. Mbizotërimi i një apo pak ushqimeve, sidomos kur konsumohen në sasi të madhe është shkaku kryesor i sëmundjeve, sepse, përveç individualitetit metabolik të çdo individi, duhen pasur parasysh edhe ndryshimet metabolike të mashkullit me femrën: jo çdo ushqim i përshtatshëm për njërën gjini është edhe për tjetrën. Femra ka në përbërjen e saj trupore më shumë yndyrë dhe më pak proteina dhe karbohidrate se mashkulli.

• Sasia e moderuar bën që me të njëjtat ushqime, metabolizmi t'i përshtatet këtyre veçorive, pa pasur nevojë për ushqim të diferencuar dhe kjo vlen për të gjithë anëtarët e familjes. Nëse shpesh sëmureni, ju zë gripi, keni infeksione etj., vëreni çfarë konsumoni më shumë dhe eliminojini për disa muaj. Më pas konsumojini si të gjitha ushqimet e tjera. Nuk ka rëndësi se ushqimi që mbizotëron në dietën tuaj është mish apo fasule, është djathë apo ëmbëlsirë. Hipokrati ka thënë: "Përpiquni që ushqimi të jete ilaçi juaj i përditshëm".

• Dhe ushqimet janë si ilaçet, që të shërojnë, por edhe të dëmtojnë kur merren shpesh dhe në sasi të mëdha. • Hani pa nxitim dhe përtypuni mirë. I pari që e pëson është stomaku dhe më pas i gjithë aparati tretës • Në se është e mundur, ushqimin e çdo dite, blijeni çdo ditë. Kohës së qëndrimit të ushqimeve në njësitë tregtare mos i shtoni edhe qëndrimin në shtëpi. Mos i besoni shumë frigoriferit. Jeta e ushqimit (edhe i gatuar) në frigorifer është shumë e shkurtër.

• Merruni me aktivitet fizik. Krijojini mundësi fëmijëve të lozin dhe të rinjve të merren me sport. Kur nuk mund të vraponi, praktikoni ecjen deri në djersitje 30-45 minuta çdo ditë ose të paktën tre herë në javë.

KALENDARI I FRUTA-PERIMEVE TË FUSHËS SIPAS MUAJVE TE VITIT

Janar: Perime: Brokoli, angjinare, kërpudha, prasi, lakër, lule lakër, lakër brukseli, spinaq, pazi, karota, panxhar i kuq, rrepa, rilka, selino (gjeth), sallatë, majdanoz, kopër, labot, lëpjetë, çikore, endivia, finok, lakra e kuqe ruse. Fruta: mollë, portokall, mandarinë, dardhë, ftoi, hurma, ulliri

Shkurt: Perime: Angjinar, kërpurdha, prasi, lakër, qepë e njomë, lule lakër, brokoli, lakër brukseli, spinaq, pazi, karrota, panxhar i kuq, rrepa, rilka, selino (gjeth), sallatë, majdanoz, kopër, labot, lëpjetë, çikore, endivia, finok. Fruta: mollë, portokall, mandarinë, dardhë, hurma

Mars: Perime: Angjinar, lulelakër, lakër, çikore, kërpudha, prasi, qepë e njomë, hudhër, brokoli, spinaq pazi, karota, panxhar i kuq, rrepa, rilka, selino (gjeth), sallatë lakër, majdanoz, kopër, labot, lëpjetë, nenexhik (menta), finok, asparagu, Fruta: mollë, portokall, mandarinë.

Prill: Perime: Angjinar, lulelakër, bathë, kërpudha, prasi, qepë e njomë, hudhër, spinaq pazi, karota, panxhar i kuq, rrepa, rilka, selino (gjeth), sallatë lakër, majdanoz, kopër, labot, lëpjetë, nenexhik (menta), finok, asparagu Fruta: mollë, portokall, nespola

Maj: Perime: Pazi, brokoli, lulelakër, kërpudha, qepë e njomë, hudhër, spinaq, kungull, bizele e njomë, karota, panxhar i kuq, rrepa, rilka, selino (gjeth), sallatë lakër, majdanoz, kopër, labot, lëpjetë, nenexhik (menta), finok, angjinar, asparagu. Fruta: mollë, luleshtrydhe, pjeshkë, qershi, mani, nespola

Qershor: Perime: Brokoli, fasule, barbunja (mashurka), lakër sallatë, rrepa, spinaq, domate, speca, bamje, qepë gjysmë e thatë, hudhër, pazi, kungull, kastravec, bizele e njomë, karota, panxhar i kuq, rilka, selino (gjeth), majdanoz, kopër, nenexhik (menta), finok, angjinar, asparagu. Fruta: mollë, luleshtrydhe, qershi, dardhë, pjeshkë, nektarinë, kajsia, vishnje, kumbulla, fiq, mani, nespola

Korrik: Perime: brokoli, karota, lulelakër, qepë, fasule, lakër sallatë, patate, rrepa, kungull, spinaq, , domate speca, patëllxhan, qepë gjysmë e thatë, pazi, kastravec, barbunja, bizele e njomë, bamje, karota, panxhar i kuq, selino (gjeth), majdanoz, kopër, nenexhik (menta), finok, angjinar. Fruta: pjeshkë, kajsi, kumbulla, mollë, dardhë, nektarine, vishnje, fiq, manaferra, pjepër, shalqi, luleshtrydhe, nespola, rrush

Gusht: Perime: Pazi, karotë, lakër, finok, kërpudha, sallatë lakër; rrepa, spinaq, kungull, domate, kastravec, speca, patëllxhan, bamje, selino (gjeth), majdanoz, kopër, nenexhik (menta), finok, patate Fruta: pjepër, pjeshkë, shalqi, kumbulla, mollë, dardhë, fiq, manaferra, rrush,

Shtator: Perime: Pazi, karotë, patate, lakër, finok, kërpudha, sallatë lakër, rrepa, spinaq, kungull, domate, speca, patëllxhan, bamje, selino (gjeth), majdanoz, kopër, nenexhik (menta), finok, patate Fruta: kumbulla, rrush, dardhë, mollë, pjeshkë, fiq, shega, shalqi, kivi, hide

Tetor: Perime: Pazi, brokoli, patate, karota, lakër, lulelakër, finok, kërpudha, sallatë lakër, rrepa, selino, spinaq, domate, speca, patëllxhan, kungull, barbunja, bamje, rilka, selino (gjeth), majdanoz, kopër, çikore, endivia, nenexhik (menta), finok. Fruta: rrush, hurma, dardha, mollë, ftoi, pjeshkë, kumbulla, kivi, shega, mushmolla.

Nëntor: Perime: brokoli, lulelakër, finok, kërpudha, lakër, patate, prasi, spinaq, pazi, karota, panxhar i kuq, rrepa, rilka, selino (gjeth), majdanoz, kopër, labot, lëpjetë, çikore, endivia, nenexhik (menta), finok, Fruta: mollë, hurma, dardha, gështenja, mollë, ftoi, kivi, mushmolla, ullinj

Dhjetor: Perime: Brokoli, lulelakër, kërpudha, lakër sallatë, prasi, lakër brukseli, spinaq, pazi, karota, panxhar i kuq, rrepa, rilka, selino (gjeth), majdanoz, kopër, labot, lëpjetë, çikore, endivia, nenexhik (menta), finok, Fruta: mollë, dardhë, portokall, gështenja, ftoi, hurma, ullinj Frutat e thata (arra, bajamja, stikat, lajthi…), ulliri. dhe perimet e thata (qepa, hudhra, fasulja..), si dhe patatja dhe limoni përdoren të gjitha muajt e vitit. /Gazeta Shqiptare/BalkanWeb/

(Autori është Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT. Ky artikull është konsultuar me mjekët e QSUT-së, Kastriot Mëlyshi (radiolog), Ferdinand Jorgoni (epidemiolog në Spitalin Onkologjik), dhe Sokol Paparisto (kirurg). Për konvejerin fushor gjithëvjetor të perimeve dhe frutave, është konsultuar me kolegë dhe specialistë të frutave dhe perimeve).

The post Kimikatet në ushqime dhe kanceri: Si mund të mbrohemi? appeared first on Telegrafi.

Brainstorming për një kishë politike

Posted: 20 Sep 2016 12:51 PM PDT

Ideja e parë, që përmendet lidhur me objektin e ndërtuar pa leje, në hapësirën e Universitetit tonë publiko-partiak, nuk është aspak kreative. Ata thonë të rrëzohet kisha. Do të reagoja menjëherë, po të mos ishte rregulli se asnjë ide nuk duhet hedhur poshtë paraprakisht. Le të shprehen njerëzit. Ky është rregulli themelorë i brainstorming.

Brainstorming? E keni parasysh metodën e shtrydhjes publike të trurit? Është ajo kur populli i pamësuar të mendojë, e lodh kokën për të gjetur një zgjidhje, aty ku politika e ka dh…!? Duke qenë se politika pak a shumë çdo gjë dhe çdo ditë në këtë vend e ka dh… populli e ka ndjenjën sikur e merr pushtetin drejtpërdrejtë në Facebook, për me i rregullu gjërat. Realiteti virtual po e risjell nga antika vet demokracinë e drejtpërdrejtë. Vox populli! Veçse pushtetin nuk e ka populli, qytetari. Ka popull dhe popuj. Populli shumicë i cili nuk pyetet për çështjet madhore, aktivizohet vetëm në debate të pafund rreth temave simbolike në rrjetet sociale dhe kështu zhvendoset vëmendja sa herë ka nevojë (para)politika. Populli shumicë nuk duhet me u hetu se është shumicë, sepse demokracia jonë është e pakicës.

Ta lëmë anash faktin se asnjë problem i hapur deri sot nuk është zgjidhur pas grindjeve gjithëpopullore që ka prodhuar gazetaria jonë, megjithatë, ndoshta kësaj radhe edhe dhez! Shpresa vdes e fundit.

Pra, Brainstorming! Shtrydhja gjithëpopullore e trurit e cila zakonisht bëhet në grupe të vogla, te ne ka marrë përmasa plebishitare në rrjetet sociale. E ka kapur populli karremin. E ka ngrënë, si thonë në standard.

Deri tash qytetarët nuk ishin kushedi sa kreativ. Është fjala se ky objekt i nisur për kishë mori një përgjigje aspak të hijshme popullore duke u shndërruar pak a shumë në, me nderë me thënë, në një tualet publik. Tash kishë i thënçin, sepse ajo ishte nisur si një projekt parapolitik nga "Shën" Millosheviqi dhe ishte shenjtëruar publikisht nga shenjtori tjetër i politikës serbe në Ballkan, "Shën" Arkani, ku me këtë rast u shenjtëruan edhe krimet monstruoze që po kryheshin dhe do të kryheshin edhe pas kësaj, në emër të Krishtit, të klerofashizmit serb i cili e veshi në të zeza krejt Ballkanin.

Ideja tjetër ishte që ky tualet publik joformal, të shndërrohej në xhami. Thjesht, sikur në rastin e "Shën Sofisë" në Stamboll, t'i viheshin katër minare kësaj kishe dhe pastaj të rrënohej. Propozuesi garanton se kjo metodë është plotësisht e sigurt, politikisht. Askush, as BE, as Serbia, as shoqëria civile, as Qeveria, nuk do të kundërshtojnë rrënimin e një xhamie, aq më tepër të ndërtuar në hapësirat e Universitetit publik. Kjo u dëshmua kur, një grup qytetarësh, të frymëzuar nga lulëzimi i lirive fetare në këtë vend, patën marrë iniciativën që përball katedrales më të madhe katolike në Ballkan (e cila ishte ndërtuar në hapësirën ku dikur ishte një shkollë e mesme publike), të hapin themelet e xhamisë më të madhe në Kosovë, për të simbolizuar harmoninë fetare në këtë vend. Por, shteti reagoi ashpër. Është hapësirë universitare, tha shteti, dhe aty nuk lejohen objektet fetare. Pra, te ideja e dytë propozuesi ka llogarit se porsa të shndërrohet në xhami, të gjithë, me inercion, përfshirë edhe kishën pravosllave serbe, do të kërkojnë që ajo të rrënohet, të hiqet nga aty, ashtu siç edhe ishin rrënuar disa qindra të tjera gjatë luftës.

Ide tjetër edhe më e krisur ishte zhvendosja e vetë Universitetit nga aty, për të bërë kështu qefin kishës pravosllave e cila ende nuk ka hequr dorë nga Serbia e Madhe dhe Kosova si djep i saj. Kështu edhe amaneti i "Shën" Millosheviqit do të çohej në vend. Natyrisht, në brainstorming edhe zhvendosja e UP-së është opsion, edhe pse kjo dukej më tepër si ide sarkastike. Por, rregulli themelor i kësaj metode është që asnjë ide të mos hidhet.

Pra, duhet shqyrtuar edhe ideja me e bë krejt këtë hapësirë universitare, hapësirë fetare. Me e përzënë edhe Darwinin e edhe shqiptarët. Me e marrë prej shqiptarëve, e me ja dorëzua zotit të tyre, në të gjitha format formale që i ka marrë në këto hapësira. Zotit të politikës.

Ideja mund të zhvillohet më tej, varësisht prej imagjinatës. Për shembull Bibliotekën Kombëtare, atë me "plisa" pra, me e ba me minare dhe me e shndërru në xhami, pastaj Fakultetin Filozofik me e bë Fakultet për Studime Islame dhe me e kalu nën menaxhim të BIK-ut. Edhe Instituti Albanologjik mundet me u bë Institut i Osmanishtes, apo Sllavishtes, ndërsa atë të Historisë munden me e bë çka të donë.

Kjo nuk paraqet ndonjë dëmtim të arsimit tonë (ndër)kombëtar në Kosovë. Tashmë ka mjaft universitete private, e pasi paguan mijëra euro, diploma të vjen vet në shtëpi. Pra, kujt i duhet dija kur janë diplomat.

Nuk ka lidhje edhe me e mbyll krejt këtë Universitetin publik të Prishtinës. Në çdo qendër regjionale është ngritur nga një universitet publik – partiak. Edhe ata kanë lëshuar diploma aq sa ishte e nevojshme të pajisej klasa politike.

Pra, mos vajtoni, se dëme ndoshta edhe nuk ka. Ndoshta po të ishte e krahasueshme, mund të thuhet se më pak do bëjë dëm një kishë në hapësirat e Universitetit publik, e instaluar nga Serbia, sesa profesorët e instaluar nga partia.

Nejse, të kthehemi te metoda. Para se të fillohet me hedhjen e ideve, të tipit futkot, fillimisht duhet definuar se cili është problemi, dhe atë shumë qartë. Cili pra është problemi me këtë objekt? Problem është se u ndërtua pa leje, thonë disa, ose thënë më saktë pa leje valide, sepse ajo leje ishte lëshuar nga organet e dhunshme të instaluara nga "Shën" Millosheviqi dhe "Shën" Arkani në Kosovë? Nëse pranohet kjo leje dhe ky vendim, duhen pranuar të gjitha lejet dhe të gjitha vendimet e tjera, edhe vet pohimi i tyre se vendimet ende duhet të merren në Beograd. Po pranohet ideja se qytetarët nuk janë sovrani.

Ndoshta duhet të debatohet se a bën të ndërtohet objekti fetar në hapësirat e Universitetit publik? Të gjithë pajtohen se jo. Sidomos kur kihet parasysh se nuk u lejua të ndërtohet aty xhamia, atëherë argumentimi duket i qëndrueshëm duke pasur parasysh normën kushtetuese se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Nëse bën të ndërtohen objekte fetare, pa leje dhe në hapësirën e Universitetit publik, padyshim se edhe themelet e xhamisë mund të hapen me të njëjtën normë.

Problem tjetër është se, sikurse insistojnë disa, se edhe nëse pajtohemi se ishte jocivilizuese dhe e jashtligjshme, objekti tashmë është ndërtuar dhe nuk është e hijshme të rrënohet. Pra, propozohet të pranohet logjika e aktit të kryer. Nëse është jocivilizuese të rrënohet një objekt fetar, a është civilizuese të rrënohet një Universitet? A bën të dallohen qytetarët?

Dikush thotë se nëse rrënohet ky objekt, atëherë botës i dërgohet mesazh i gabuar se ne jemi kundër kishave dhe lirisë fetare dhe se ata nuk e dinë se shqiptarët i kanë kishat e tyre qoftë ortodokse apo katolike. Kjo është qesharake. Ndoshta ne duhet t'i dërgojmë botës mesazhe se këtu nuk ka shtet as pushtet dhe kush të dojë mund të bëjë çfarë të dojë? A mundet Kisha Pravosllave Serbe të bëjë çka të dojë në Kosovë? Po Bashkësia Islame? Po Kisha Katolike? A munden të veprojnë jashtë ligjit apo mbi të? T'i shpërndajmë pra institucionet laike?

Vështirë që të japësh përgjigje përfundimtare. Sidoqoftë, përjashtimi në politikë nuk e vërteton rregullin.

The post Brainstorming për një kishë politike appeared first on Telegrafi.

Related Posts :