Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Plehrat, Edi Rama: Mos dëgjoni sharlatanët politikë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Plehrat, Edi Rama: Mos dëgjoni sharlatanët politikë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Plehrat, Edi Rama: Mos dëgjoni sharlatanët politikë

Posted: 25 Sep 2016 05:41 AM PDT

Kryeministri Edi Rama, edhe pse në Vjenë, sërish u ka sqaruar shqiptarëve përmes rrjetit social, ligjin për mbetjet. "Çfarë po u thuhet sot njerëzve nga sharlatanët politikë e mediatikë, për ligjin e ri të mbetjeve, është një shpifje që synon t'u fusë frikën dhe t'i përdorë kundër qeverisë!" – u shpreh kreu i qeverisë. "Ne nuk i kemi tradhtuar shqiptarët kur ndaluam importin e plehrave nga jashtë; nuk i kemi tradhtuar kur kaluam ligjin e ri, që s'ka të bëjë gjëkundi me lejimin e importit për plehra që digjen apo groposen në Shqipëri; nuk do t'i tradhtojmë kurrë për asnjë interes që bie ndesh me interesin e tyre e të fëmijëve tanë!" – tha Rama. Sipas tij, "ligji i ri është vetëm normalizimi i jetës për industrinë e lehtë të riciklimit, 100% sipas legjislacionit të gjelbër të BE-së, e cila blen mbetje letre, plastike, alumini apo druri dhe i kthen në lëndë të parë për prodhimin e ambalazheve, shisheve plastike, kanoçeve të aluminit apo material bio për ngrohje (pelet). Ishim vendi i vetëm në Europë pa këtë ligj, dhe sot jemi thjesht një vend si të tjerët, në rajonin tonë apo në Bashkimin Europian", – deklaroi kreu i qeverisë. Disa pyetje me radhë i janë bërë kryeministrit Rama. Njërit prej komentuesve, Rama i shkruan: "Ne nuk kemi lejuar importin e plehrave! Mos dëgjoni sharlatanët politikë e mediatikë! Plehra janë mbetjet që digjen e groposen, jo mbetjet e gjelbra që riciklohen dhe rifuten në prodhim! Shqipërisë që të jetë më e pastër i duhet të riciklojë mbetjet e veta, pa dyshim! Por, sistemi i riciklimit nuk ngrihet pa një industri riciklimi, dhe industria e riciklimit nuk mbijeton dot pa lirinë për të blerë jashtë lëndë të parë!" – nënvizon Rama në komentin ndaj qytetarit. "Nuk është bota që po na lutet në këtë rast, dhe as nuk i dhuron mbetjet e gjelbra! Pasi ato nuk janë të rrezikshme, po janë të ripërdorshme, pasi rikthehen në lëndë të parë! Ato blihen si çdo lëndë e parë në treg, dhe ligji ynë thjesht lejon fabrikat tona që t'i blejnë. Doni ta kuptoni apo jo, që vendet normale këto mbetje i rikthejnë në prodhim, nuk i djegin e nuk i groposin!" – sqaroi kryeministri. Një tjetër komentues i thotë Ramës se "nëse Saliu do mbahet mend për luftën civile që i ka futur këtij vendi me tokat, ti do mbahesh mend për helmimin e këtij vendi". Përgjigjja e kryeministrit ishte e tillë: "Nuk mbahen mend liderët për atë që nuk bëjnë dhe as për shpifjet ndaj tyre! Askush po na lutet në këtë rast, përveç interesit të Shqipërisë për ligjin që kaluam, dhe s'ka vend që i dhuron mbetjet e gjelbra! Pasi ato nuk janë të rrezikshme, po janë të ripërdorshme, pasi rikthehen në lëndë të parë! Ato blihen si çdo lëndë e parë në treg, dhe ligji ynë thjesht lejon fabrikat tona që t'i blejnë", ishte po i njëjti sqarim i Ramës, për të disatën herë. Kryeministri është investuar gjatë këtyre ditëve në një fushatë sqaruese për të gjithë ata që e pyesin në rrjetin social, ndryshe nga më parë. Ligji për mbetjet, i cili u votua në Kuvend të enjten, u shoqërua me mjaft kundërshti nga shoqëria civile dhe deputetët.

Mbetjet, Lefter Koka: Gjuha e ekstremizmit nuk sjell zhvillim

Posted: 25 Sep 2016 05:41 AM PDT

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, deklaroi dje nga Durrësi, ku vizitoi një nga kompanitë e riciklimit në vend, se "gjuha e ekstremizmit nuk sjell zhvillim dhe produktivitet". Ministri Koka pa nga afër aktivitetin e kompanisë "EDIPACK" sh.a në Porto Romano, Durrës dhe ku riciklohen letër dhe karton prej vitit 1999. "Këto janë industri që në shumë shtete evropiane subvencionohen. Ndoshta jemi i vetmi vend në Evropë që nuk subvencionojmë. Mbetjet nuk janë produkt fitimprurës në vetvete, por kërkojnë të stimulohen, dhe nëse ne do të kërkojmë ta penalizojmë, kjo është një gjë që do ta dëmtojë rëndë ekonominë shqiptare, do të dëmtojë rëndë atë shtresë që nuk ka zë për t'u ankuar. Dhe unë nuk besoj që shteti shqiptar duhet të heshtë para këtij fenomeni, ndaj dhe morëm këtë vendim", – tha ministri i Mjedisit. Më tej në fjalën e tij për mediat, ministri Koka kërkoi mirëkuptimin e shoqërisë civile dhe ofroi garancinë për një transparencë të plotë të implementimit të ligjit të sapomiratuar në Kuvend. Duke theksuar edhe njëherë se "shteti ka detyrimin ligjor për t'iu përgjigjur shoqatave dhe shoqërisë civile, për të bashkëpunuar ngushtësisht me ta", ministri shtoi: "Gjuha e ekstremizmit nuk sjell produktivitet, dhe as zhvillim. Është e patolerueshme që vende të tjera si Serbia, Maqedonia etj. të konkurrojnë biznesin shqiptar në industrinë ricikluese thjesht e vetëm se kanë një tjetër politikë."

Emigrantët, Rama: Shqipëria s’mund të çelë kufijtë, por as të tradhtojë BE

Posted: 25 Sep 2016 05:40 AM PDT

Kryeministri Edi Rama mori dje pjesë në samitin "Migrimi përgjatë rrugës ballkanike" në Vjenë, Austri, me ftesë të kancelarit austriak Christian Kern. Samiti bashkoi në një diskutim të përbashkët për çështjen e refugjatëve, kryeministrat e vendeve të Ballkanit, kancelarin austriak Christian Kern, kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministrin e Hungarisë Victor Orban, të Sllovenisë Miro Cerar, si dhe Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk. Kryeministri Rama shprehu në Samit gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët. Qëndrim të cilin kryeministri e nënvizoi edhe në një prononcim në përfundim të punimeve të Samitit: "Shqipëria ka pozicionin e saj të qartë qysh në fillim. Jemi gati të marrim pjesë në këtë përpjekje, nëse kjo është e përbashkët, e mirorganizuar, e koordinuar dhe e ndershme për të gjitha vendet. Shqipëria as mund të çelë kufijtë e të nxjerrë gjoksin përpara, as nuk sillet si disa vende që faktikisht tradhtojnë vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian kur flasin dhe i qasen çështjes së refugjatëve." Kryeministri e vlerësoi samitin edhe si një rast për të dëshmuar forcimin e reputacionit të Shqipërisë. "Nga ana tjetër ishte një rast shumë i mirë për të parë, edhe në sensin e marrëdhënieve tona me të tjerët, forcimin e reputacionit të vendit tonë si një vend ku ka një vullnet të gjithëpranuar botërisht për reformën në drejtësi, për luftën kundër krimit, kundër trafiqeve dhe kundër korrupsionit. Kjo ishte nota pozitive për mua, dhe shpresoj shumë të marrim atë që na takon mbas gjithë kësaj pune të madhe që kemi bërë, rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, që na fut në një fazë të re gjatë mandatit të dytë të qeverisjes", – u shpreh Rama.

Deklaratat e pasurive, një deputet fiton 700 mijë lekë të reja në muaj

Posted: 25 Sep 2016 05:40 AM PDT

Deputeti socialist, Anastas Angjeli është më i paguari për punën si deputet dhe të tjera angazhime profesionale, gjatë vitit 2015. Sipas renditjes së bërë nga "Open Data", Angjeli ka të ardhura nga Kuvendi në vlerën 2.6 milionë lekë, dhe të ardhura nga mësimdhënia në universitete jopublike rreth 2.9 milionë lekë. Sipas deklaratave të deputetëve për vitin 2015, rezulton që një deputet fiton mesatarisht mbi 8.37 milionë lekë në vit ose mbi 697.429 lekë në muaj, mesatare kjo pesë herë më e lartë se paga si deputet. Njëqind e katër deputetë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës vetëm për funksionin e deputetit. Njëmbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë deklarojnë se kanë përfituar bonuse në vitin 2015. Vlerën më të madhe të të ardhurave nga bonuset e ka deklaruar deputeti Alban Zeneli, i cili ka përfituar 3.2 milionë lekë me Vendim të Këshillit të Ministrave si pagesë për shpenzime për mjekim. Anastas Angjeli dhe Edlira Cekrezi janë deputetët e vetëm që deklarojnë të ardhura si Këshilltarë apo Anëtarë Bordesh për vitin 2015. Të ardhurat nga interesa nga depozita bankare, letra me vlerë dhe obligacione është një tjetër formë përfitimi të ardhurash. Janë tridhjetë e tre deputetë që deklarojnë të ardhura të vitit 2015 nga ky burim. Deputeti me vlerën më të lartë të këtyre të ardhurave është Ben Blushi, i cili deklaron të ardhura nga obligacionet në vlerën 2.437.986 lekë. Znj. Liljana Elmazi dhe z. Genc Ruli pasojnë listën. Dyzet deputetë të Kuvendit përfitojnë të ardhura nga qiratë. Deputeti që ka përfituar më shumë të ardhura nga qiratë është Astrit Veliaj, me 25.7 milionë lekë. Piro Kapurani gjithashtu ka përfituar një vlerë të konsiderueshme si të ardhura nga qiratë, përkatësisht 13.3 milionë lekë. Pesëmbëdhjetë deputetë rezultojnë me të ardhura nga qiratë më të larta se të ardhurat e pagës pranë Kuvendit. Te kategoria "Të ardhura nga biznese dhe sipërmarrje" rezulton deputeti Tom Doshi në krye të listës, me njëqind e njëmbëdhjetë milionë lekë të ardhura nga bizneset. Eduard Selami deklaron të ardhura në vlerë 56 mijë dollarë amerikanë nga një biznes në SHBA dhe Dashamir Peza deklaron të ardhura nga biznesi 2.4 milionë lekë. Të tjerë deputetë kanë të ardhura të sipërmarrjeve, bizneseve dhe ndarja e dividendëve, por ato janë të kategorizuara si të ardhura të personave të familjes. Renditjen e deputetëve sipas të ardhurave më të larta të personave të familjes, kryesisht bashkëshortë apo partnerë, e kryeson zoti Anastas Angjeli, pasi znj. Greta Angjeli ka siguruar gjatë 2015-ës të ardhura vetëm nga punësimi pranë "AAEF" në vlerën 125.574 dollarë. Familja Angjeli kryeson në renditjen sipas kategorisë "Të ardhura nga persona të familjes së deputetit", pasuar nga familja Berisha, familja Ruçi dhe familja Dokle. Sa u takon pagave për bashkëshortët apo partnerët, lista e kryesuar nga znj. Angjeli pasohet nga bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, z. Artan Gaçi, njëkohësisht deputet, dhe pason me z. Florion Mima e znj. Mimoza Hafizi. Kryeministri mban renditjen me numër 14 sa u takon të ardhurave nga bashkëshortët e deputetëve, duke u renditur pas anëtarëve të grupit të tij parlamentar si Anastas Angjeli, Olta Xhaçka, Mimoza Hafizi, Klodiana Spahiu apo Taulant Balla. "Të ardhura nga detyrime të shlyera nga të tretë" është një tjetër burim të ardhurash për deputetët e Kuvendit. Këto të ardhura janë kryesisht hyrje që vijnë nga shitja e pasurive apo detyrimeve të tjera kontraktore. Z. Omer Mamo, deputet i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kryeson renditjen për këtë kategori. Në këtë renditje na shfaqet edhe çifti i deputetëve Meta dhe Kryemadhi, renditur në pozicionin numër 8, të cilët kanë deklaruar gjatë vitit 2015 hyrje në llogari për një shitje apartamenti të realizuar që në vitin 2014.

Lartësi

Posted: 25 Sep 2016 05:39 AM PDT

Nga Milen Ruskov*

I tillë është ai – pak hutaq. Hem përlan çfarë ti bie në dorë, hem përhumbet. Sesi i ndërthurren të dyja nuk mund të të them, por ja! Ai është… sesi quhet kjo…Ëndrrues. Ëndrrimtar. Djalë i ri është Asenço, nuk ka as 20 vjeç. Atij jepi dashuri dhe dele. Ai shpreson se nuk kanë gjëra të përbashkëta…Jo, unë këtë e thashë për shaka. Ky djalë s'më ngjan fare pervers. Ndryshe këta barinjtë, vlla, të paktën gjysma e tyre janë perversë, më dëgjo mua ti. Ç'të bëjnë në të vërtetë? Gjashtë muaj sillen me delet andej-këtej. Gjysma e tyre janë perversë! Por ti do të thuash- "Ama edhe ju të esnafit tuaj të abaxhive, si doni fare, prandaj flisni kështu". Ne që si duam shumë, si duam. U jemi mirënjohës, se po s'qenë ata që t'na japin leshin, si do t'i bënim zhgunat – ajo që është e vërtetë, e vërtetë është. Por, e kemi diçka në mend për ata. Si të thuash, mendojmë pak mbrapsht. A nuk i shikoj se janë edhe çfarë bëjnë në Kotell. Ne abaxhinjtë jemi pakicë. Kurse ata kanë pushtetin. Ata janë të fortët. Im atë është abaxhi, siç ishte dhe i ati i Rakovskit, gjyshi Stojko, të cilin këta barinj pasanikë e dogjën dhe e shkatërruan, e futën tre vjet në burgun Tophane për shpifje. Kjo, jo për gjë tjetër, por për para, për atë kush ta mbajë arkën e shkretë të qytetit. Barinjtë ndërkohë janë më të pasur se ne. Sigurisht nuk kam parasysh të tillë si Asenço. Ai është kaqol. Kam parasysh barinjtë pasanikë. Këta janë ku e ku më të pasur sesa pasanikët abaxhi. Sepse, duke mbajtur kafshë, fitimi është shumë më i madh sesa puna e zanatit. Delet e tyre shtohen vetvetiu, ia qifsha nënën! Qihen dhe shtohen vetvetiu. Merr ti dy zhguna njëra mbi tjetrën, të shohim, a do të qihen dhe të shtohen? Ke për të pritur goxha. Po qe se dëshiron të kesh pak më shumë, duhet punë për të bërë. Kurse ata, s'dinë të bëjnë asgjë, s'marrin vesh prej asgjëje. E, nga kafsha kuptojnë, edhe djath' dinë të bëjnë, por unë nuk kisha parasysh këtë. Po t'i çosh në ndonjë vend krehje të leshit, ose në derstil, diçka e tillë, pak më e ndërlikuar – do rrinë dhe do të zgurdullohen, do të kruajnë kokat me morra, në fund do t'u vijë të bëjnë shurrën, do hapin dyqanin, (që ne ua kemi bërë) do bëjnë shurrën mbi krehër dhe do shkojnë në shtëpi. Ja, këtë dinë të bëjnë ata! Por, ama, bien si shumë natyrorë, në kuptimin marrin vesh dhe kanë ndjenja për këto gjëra – pyje, rrjedhadritë, jetë, kafshë, ku di unë çfarë të tjera. Prandaj dhe Asenço është i tillë, edhe pse është nga Zheruna. Në kuptimin se këta të Kotellit janë pak si të trashë, mendo si janë në Zheruna. Por, ja, shyqyr që s'është nga Medven, gjithsesi. Ndryshe, ai djalë është mik i mirë, s'mund të qahem! Është djalë i ri, i mirë, edhe ka guxim. Zoti i dhëntë shëndet, siç i thonë.
Kur u kthyem, atje gjetëm Collo Topallskin. Ishte vonuar se kishte humbur një dhi dhe ka qenë duke e kërkuar. Vlla! …por, si të jetë! A është këtu tani.
Në mbledhje Obshti e udhëzoi grupin të niset në lindje, përgjatë Malit Ballkan, sa më shpejt dhe më larg, sepse tani, thotë Obshti, turqit do të nisin ndjekjen për arsye të thesarit dhe do të kërkojnë përqark, do dërgojnë dhe spiunë të shumtë të nuhasin, kështu që, për njerëzit tanë bëhet shumë e rrezikshme të rrinë këtu. Sa të qetësohet puna këtu, për dy – tre muaj, shkoni, tha ai nga Sliveni drejt Aglikena poljana, bile edhe nga Razbojna. Obshtij për vete, tha se do të qëndrojë këtu dhe do të strehohet në njerëz të komitetit. Pasi të shuhet zhurma përsëri do t'ju thërrasë, por, ndoshta këtë vit nuk do të shihemi më – tha ai. Varet; Si të vijë! Lidhjen do ta mbajmë me Todorin e Shumenit, i cili tani do të ishte vojvoda ynë.
Unë flas kështu, sikur kjo ka të bëjë edhe me mua, por në të vërtetë s'ka lidhje. Dhe jo sepse do të çoj paratë e thesarit në komitet, siç mendova. Puna doli pak më ndryshe dhe më e fshehtë, sepse pas mbledhjes, ndërkohë që grupi po bëhej gati për rrugë në Ballkan, Obshti më thirri dhe më tha:
– Giço, nuk do ta bësh ashtu si të thashë dje, përpara të gjithëve. Unë fola kastile, kështu që të gjithë dëgjojnë, se nga ta di robi. Paret nuk do t'i çosh në Lloveç, por në Tetevene. Collo Topallski, ia qifsha motrën bariut, do t'ju shoqërojë në rrugë të fshehta, deri në Teteven. Kujdes, se mos ju diktojnë, sepse turqit tashmë do të nisin ndjekjen dhe spiunët. Jo më vonë se nesër, pasnesër. Në Tetevene do të shkoni në shtëpinë e Haxhi Stanju Vrabevski. Colloja do t'ua tregojë. Torbat me pare do t'i lini atje. Ai është i njoftuar, për të gjitha, jam marrë vesh paraprakisht me të. Pasta ai do t'i dërgojë në Lloveç, me njerëz të Komitetit. Kur të mbrrini, atij që do t'ju hapë derën do t'i thoni se ju dërgon tregtari Fotaqi Kara Iskaqi. Kuptove?
– Të gjitha i kuptova – u përgjegja unë. Tregtari Kara Iskaqi.
– Mirë – tha Obshtij dhe nxori një letër, vulosur me dyll të kuq – pastaj këtë letër do t'ia dorëzosh Levskit. Në Tetevene, Baba Haxhi do t'ju udhëzojë ku ta gjeni. Dhe, mbaje mend: Vazhdoni vetëm ju të dy me Asençon. Collo Topallski, kthehet. Po tha se do të vijë edhe ai me ju, domethënë se është qelb puna. Nga ta di unë nëse vërtet ka kërkuar gjithë mëngjesin dhinë e humbur…
– Shiko, mua kjo s'më kishte shkuar në mend.
– Po erdhi me ju, qërojeni në ndonjë grykë – tha Obshti, pastaj vazhdoi përsëri për letrën: – Do të kërkosh Dervishugllu Asllan. Shiko – tha ai dhe rrotulloi letrën duke më treguar mbishkrimin. Shkruante për "Dervishugllu Asllan". Nga Fotaqi Kara Iskaqi. – E kupton ai që duhet për çfarë është fjala. Kjo letër është personalisht për Levskin prej meje. Nuk e dërgoj me postën e Komitetit, letra është personale. Kuptove? – Unë pohova me kokë. – Është shumë e rëndësishme ta gjesh dhe t'ia dorëzosh. Ruaje letrën si sytë e ballit. Dua t'më premtosh se nuk do ta lexosh.
Unë premtova, pastaj edhe i dhashë fjalën se s'do t'ia tregoj askujt.
– Kaq kisha unë – tha Obshti dhe vuri dorën mbi supin tim, me dorën tjetër mbante pushkën "LaFoshee". – Kërkojeni sa ta gjeni, mund të ndodhë lehtë, por mund të jetë shumë vështirë, varet. Sa të vazhdojë, të vazhdojë. Por, jepini këtë letër. Kjo tani, është detyra jote. Ajde, nisuni!
Ai më ra krahëve, buzëqesha dhe pastaj u ktheva me vrik dhe i vërshëlleva Asenços dhe Topallskit, të cilët prisnin në majë të kodrës me kalin ngarkuar me torbat, gati për të ardhur nga unë, por edhe unë vetë u nisa drejt tyre. I hodha një sy letrës në duart e mia dhe përsëri buzëqesha. Punë e djallëzuar, o vlla! Se nëse je i lidhur me çështjen shikon se Dervishugllu Asllan do të thotë pikërisht dhjak Levski, sepse a është "dervish" murg mysliman, ndërsa "asllan" do të thotë "luan". Prej andej edhe fjala e urtë – "nisur si asllanë, kthyer si të dhjerë". Ee, të shpresojmë se puna jonë nuk do të dalë e tillë. Po çfarë kosh plehrash është koka e njeriut, vlla! Mbushur me lloj–lloj mbeturinash, kalon, s'kalon koha, dhe ndonjë prej tyre të del nga e ashtuquajtura mendje.
Pasi u bashkuam me Asençon, Topallskin dhe kalin, u nisëm përposhtë, përmes një shtegu. Topallski ecën në krye dhe na drejton. Unë ktheva kokën dhe pashë Obshtin në kodër, 200 hapa larg nesh, na sheh me pushkën LaFoshee në krah si një trim i vërtetë i kalitur ndër beteja. Sikur ajo pushkë të ishte kërrabë. Ama sa pushkë e mirë ishte LaFoshee-ja, e hollë, si trupi i vashës, me dy tyta të zgjatura, gjë që e bën të duket edhe më e gjatë, por në fakt është një metër e njëzet, të vjen deri në bel. Kondaku i saj, zbukuruar me diej – aplikime prej bakri – është më i shkurtër, prandaj duket më i gjatë.
Sikur dikush më pëshpëriti: "Shikoje Obshtijn tani, ta mbash mend kështu!". Prandaj ndala dhe i hodha një shikim të gjatë, derisa m'u fiksua në tru: Ashtu si qëndron atje në lartësi, me këmishë të bardhë linoje, me mëngë të mbërthyer deri në bërryl, me flokë të verdhë dhe me mjekër të verdhë kozmopolite, me pushkë në krahë, të cilën e ka kapur për tyte, dorën tjetër ngritur lart për përshëndetje – ashtu më ka mbetur i fiksuar në mendje. Njeri pa shtëpi e katandi. Pas tij dielli shkëlqen lehtë, tashmë zbret ngadalë nga Araba-Konaku. A thua do shihemi prapë? A thua rrugët tona do takohen përsëri, kur dhe ku? Zakonisht kjo ndodh, por në revolucion njeriu kurrë nuk di çdo bëhet, sepse ajo është punë e rrezikshme.
Unë gjithashtu ngrita dorën për t'u përshëndetur, pastaj u ktheva dhe vrapova për të arritur shokët. Asenço, miku i të gjitha krijesave të gjalla, me dorë mbi krifën e kalit i flet me një zë të ëmbël, të qena e të paqena të ndryshme. I thashë ta lerë rehat kalin, se edhe kështu po mban një peshë të rëndë.
– Aa, jo! – u përgjegj Asenço. – Kur i flet ai merr fuqi. Kafsha kërkon t'i sillesh me ledha.
Unë tunda kokën, por nuk thashë asgjë. Nga ta di, ndoshta kështu është, s'kam qenë kafshë.
Kjo rrugë ishte e rrezikshme. Në fillim kaluam fare hapur pranë Etropolesë, dhe në qoftë se turqit do të kishin zënë rrugët, baja zor do të kishin parë me këtë kalë, ngarkuar me para. Që të kërkojmë si t'i gënjejmë. Unë pata parasysh edhe Topallskin, mbasi Obshti më futi mizat, kështu që gjithë kohën isha pak vigjilent, por turqit janë pak të ngadaltë, akoma s'kishin nis ndjekjet, andaj kaluam shëndoshë e mirë pranë Etropoles dhe prej andej vazhduam nëpër ca shtigje të fshehta, kaluam Manastirin "Sveta Trojica", të cilin e pamë nga larg, edhe ujëvarën, ecëm drejt fshatit Jamnë, prej andej në fshatin Çerni Vid, ku gjithashtu ishte një moment i rrezikshëm, sepse, dashje pa dashje duhej të kalonim urën e Çerni Vidit. Ndërkohë ra nata e thellë dhe përsëri çdo gjë kaloi mirë. Pastaj qëndruam për fjetje nën një çardak bosh për kafshë, dhe herët në mëngjesin tjetër, mjaft të shplodhur, morëm rrugën në drejtim të veriut duke ndjekur Çerni Vid. Dyshimet e mia për Topallskin dolën të kota, sepse jo vetëm se nuk kërkoi të mbetet me ne, pas Tetevenes, por madje s'donte të vinte me ne edhe atje. Nxitonte të kthehej. Prandaj u ndamë, që tek ura e dytë mbi Çerni Vid, për në Tetevene. Më tej pas urës rruga është e qartë. Pasi të merrni rrugën djathtas dhe të ndiqni gjithnjë lumin, do të hyni në Tetevene. Ai na sqaroi gjithashtu si ta gjejmë atje shtëpinë e Baba Haxhiut, nëse jo të pyesim, sepse të gjithë e dinë ku është. Mirë, thashë unë, dhe u ndamë shëndoshë e mirë. Por ne nuk e vazhduam rrugën drejt Tetevenes. E lashë Asençon t'më presë tek ura dhe shkova tek manastiri Gllozhensko të marr bagazhin tim dhe të Asenços, sepse ai i kishte lënë atje. Arrita pa pengesë në manastir, i mora torbat e mia, ku kisha disa rroba, armë dhe librin "Udhtari i Pyllit", si dhe disa libra të tjerë, mora dhe një torbë të Asenços dhe shkova të përshëndetem me igumenin Eftimij, i cili më përcolli deri tek porta.

*Përktheu nga origjinali Milena Selimi

Rama kryeson listën, i dyti Blushi, më shumë të ardhura nga shitja e librave

Posted: 25 Sep 2016 05:38 AM PDT

Publikimet dhe e Drejta e Autorit, një mënyrë përfitimi të ardhurash për deputetët. Sipas "Open Data", kryeministri Edi Rama kryeson listën e kësaj kategorie me 2.694.009 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e nëntë) lekë, të ardhura nga krijimtaria e tij artistike shitur dhe arkëtuar në vitin 2015. Kjo vlerë është përfituar nga shitja e librit "Kurban" gjatë këtij viti, si dhe nga shitja e veprave artistike, skica dhe piktura. Kryeministri, njëkohësisht deputet, ka specifikuar se kjo është vlera neto e përfituar, pasi janë zbritur tatimet mbi të ardhurën personale. Në deklaratën e tij të pasurisë, kryeministri Rama ka renditur edhe të ardhurat e të birit, Gregor Rama, fituar nga shitja e veprave të artit, e që kapin shifrën 3.400 euro. Ndërkohë, i dyti në listë në renditje është deputeti kontrovers i Partisë Socialiste, njëherazi shkrimtar, Ben Blushi, i cili vitin e kaluar ka siguruar nga shitja e librave dy milionë lekë të ardhura. Dy vite më parë, në vitin 2014, shitjet e librave për kontroversin Blushi garantuan pesë milionë lekë. Sakaq, në raportin e publikuar, bazuar te deklarimi i pasurisë, shihet se kryeministri disponon të ardhura nga paga (vlera neto) 2.037.188 (dy milionë e tridhjetë e shtatëmijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë. Ndërsa, Blushi deklaron të ardhura nga interesat e depozitave bankare, letrave me vlerë dhe obligacioneve. E treta në listën e të ardhurave nga botimet është deputetja Mimoza Hafizi, e cila në total ka marrë 424.005 lekë. E më pas vijnë Dashamir Shehi me 419.280 lekë. dhe në fund Vasilika Hysi, nga angazhimet në Fakultetin e Drejtësisë, me 180.700 lekë.

Hannah Höch, Punk-u origjinal i artit

Posted: 25 Sep 2016 05:38 AM PDT

I pari Panair Ndërkombëtar Dada u mbajt në Berlin në verën e vitit 1920 dhe përfshinte vepra nga George Grosz, John Heartfield, Max Ernst dhe Francis Picabia. Fotografi nga ceremonia e çeljes shfaqnin galerinë me piktura, posterë dhe montazhe të vrazhdë; varur prej tavanit është Krye-engjëlli Prusian, nga Heartfield dhe Rudolf Schlichter: një debil me fytyrë derri në uniformë ushtarake. Veshur e pispillosur, dadaistët u sollën me shpërfillje spitullaqe ndaj shpikjeve të tyre anti-art. Ishin të pranishme vetëm dy gra dhe njëra prej tyre ishte imcakja dhe kokëqethura Hannah Höch, e mbështetur në mënyrë lojcake në një prej bastunëve të huazuar prej Grosz –it ndërsa sheh shpatullat e dashnorit të saj, Raoul Hausmann. Në të djathtë të çiftit qëndron një slogan i ngjitur: "Arti ka vdekur. Rroftë makina e artit të Tatlin-it!" Dhe në të majtë, një kompozim katror në të cilin dikush mundet vetëm të dallojë fytyra, tekste dhe fragmente të makinerisë. Vepra në fjalë është fotomontazhi i Höch –ut "Prerë me një Thikë Kuzhine tejetej barqeve me birra të Republikës së Vajmarit". Gjykuar nga recensentë të kohës, vepra ishte një nga sukseset e panairit, ndoshta sepse është shumë e lexueshme në terma të politikës kulturore bashkëkohëse. Radhitur në cepin e djathë lart janë forcat "anti-dada"; përfaqësues të sertë të perandorisë së vonë, ushtria dhe qeveria e re e Vajmarit. Poshtë, është qoshku Dada; janë grumbulluar artistë, komunistë dhe radikalë të tjerë. Raoul Hausmann-i është shtrydhur, lënë jashtë nga një makinë ku është fiksuar koka e Karl Marksit. Ka të tjera makina anatomike më pak brutale shpërndarë rreth një kolazhi të gjerë një metër dhe yje femërorë të kinemasë si Pola Negri, e cila përleshet me emisarët mustaqellinj të rendit të vjetër gjerman. Në fund të qoshkut të djathtë, Höch-u kishte ngjitur një hartë të vogël që shfaqte vendet europiane në të cilat gratë më vonë do të votonin. "E prerë me Thikën e Kuzhinës" është vepra më e njohur e Höch –ut. Ajo ka pretenduar se ka goditur në teknikën e fotomontazhit ndërsa ishte me pushime në Baltik me burrin e martuar Hausmann, më 1918 –ën; duke u përballur me disa foto poshtëruese dërguar në shtëpi nga ushtarët gjermanë ku kokat e burrave të rinj ishin mbivendosur mbi pikturat e musketjerëve, ata kuptuan fuqinë e "pri e ngjit" për të "tëhuajësuar" imazhet. Kjo rrëfenjë e origjinës është kuptuar disi gabim, sidoqoftë për shkak se prej 1916 –ës Höch –u punonte për botuesin berlinez Ullstein, duke prodhuar dizajnë qëndismash dhe dantellash për periodikë si "Die Dame" dhe "Die Praktische Berlinerin". Me gjasë ajo ishte e njohur me këto lloj kolazhesh që media e shtypur praktikonte me fotografitë. Höch-u punoi në këto revista artizanati për një dekadë dhe madje shkroi edhe manifeste për disa lloj qëndistarish moderne, në të cilën ajo gëzoi gratë e epokës së Vajmarit për të "zhvilluar një ndjenjë drejt formave abstrakte". Höch-u, me fjalë të tjera ishte një shtesë e pangjashme ndaj formësimit të egër të Dada-së Berlineze, dhe përpjekjet për ta nxjerrë jashtë tablosë u bënë thuajse të menjëhershme.
Mbase për shkak të trajnimit të saj tradicional në artet e aplikuara, përfshirjen e saj në ilustrimet komerciale apo për vetë faktin se ishte një grua, Grosz-i dhe Heartfield-i iu vunë kundër veprës së saj dhe u përpoqën ta përjashtojnë nga panairi; ajo u rikthye vetëm kur Hausmann-i, një figurë qendrore e grupit, kërcënoi me tërheqjen e tij. Pjesa më e madhe e asaj çka ekspozoi më 1920 –ën ka humbur: kanë mbetur më shumë fotomontazhe dhe pak nga kukullat e saj të famshme dada. Një fotografi e Höch –ut që përkund një prej këtyre figurave të çuditshme e shfaq atë duke u zbavitur me një kostum të hatashëm të fanta-shkencës por ajo nuk e shijoi këtë element ekzibicionist në Dada. Thuhej se ajo sikletosej nga antikët bohemë të konfederatave mashkullore, megjithëse ajo është shfaqur në rol mbështetës (e armatosur me një sahan dhe një pushkë lodër) në të paktën një performancë të bujshme. Montazhet që Höch –u bëri në vitet në vijim u ndan barabar mes komenteve politike të qarta – pak a shumë në linjë me kolegët komunistë si Heartfield – dhe një kremtim pamor i Gruas së Re të viteve 1920: megjithëse më vonë shtrihet drejt eksperimenteve më formale e abstrakte. Te "Kreu i Shtetit" i 1920 –ës, ajo mori një gazetë të kohëve të fundit të presidentit gjerman Friedrich Ebert dhe ministrit të mbrojtjes Gustav Noske, të pikturuar me mbathjet e banjës në resortin e Baltikut dhe i vendosi figurat e tyre barkalece mbi një model qëndisme të një gruaje me ombrellë, rrethuar nga lule dhe flutura. Një vit më vonë, në Dada-Ernst – që mund të ketë kuptimin e "Dada –Serioz" apo mund të jetë një referencë e kolazhistit Max Ernst – ajo pranëvendoste imazhe sentimentale të feminineti të shekullit XIX me fotografitë e grave të reja atlete, gjymtyrët e të cilave të çliruara nga shtrëngimet e shekullit të vjetër, barazohen me format e lartuara të qiej-gërvishtësve. Nga kjo pikë e tutje, ka këmbë të zhveshura kudo në artin e Höch –ut: duke u përkulur dhe kërcyer, shpesh të amputuar nga trupe çfarëdo, motivi shpreh njëherazi energjinë grafike të Gruas së Re dhe një lloj grotesku surrealist –gjymtyra e prerë me një jetë të vetën. Nga fundi viteve '20, Höch-u humbi kontaktet me pjesën më të madhe të grupit Dada të Berlinit, megjithëse mbajti kontakte të mira me avangardën Europiane: miqtë e saj dhe bashkëpunëtorë të herëpashershëm, përfshinin Tristan Tzara-ën, László Moholy-Nagy-in dhe Kurt Schwitters-in. (Së bashku me Hans Arp, Schëitters, që më pas ajo e kujtoi si nga të paktët artistë meshkuj që kishte vullnetin ta merrte seriozisht një grua si kolege). Ajo u nda nga Hausmann –i më 1922-shin dhe nga fundi i dekadës lëvizi drejt Holandës ku nisi një marrëdhënie lesbike me shkrimtaren holandeze Til Brugman. Për afro 10 vjet pas panairit Dada, Höch-u refuzoi të ekspozonte fotomontazhet e saj, duke preferuar të përqendrohet te pikturat. Por nuk u ndal duke prerë dhe ngjitur dhe kjo periudhë prodhoi dy prej projekteve të saj më imponuese dhe më vetjake. E parë në Një Muze Etnografik është një grup prej 17 veprash të bëra në fund të viteve '20 që shfaqin imazhe të skulpturave jo europiane të qepura në fragmente të trupave dhe fytyrave njerëzore. Në një katalog për ekspozitën "Ëhitechapel", studiuesi Brett Van Hoesen shqetësohet për sjelljen e saktë të artistet ndaj materialeve me burim kolonial. Höch-u kish frekuentuar muze etnografikë në Leiden dhe Berlin, por nuk mund të thuhet me siguri se kishte zhvilluar perspektive kritike kundrejt relikteve të kolonive të humbura gjermane apo në mënyrat sesi ato ekspozoheshin. Ajo dukej më e interesuar këtu në format sesa në politikën, duke eksperimentuar me aglomerate groteske të kokave dhe pjesëve të trupit dhe duke vendosur shpikjet e saj në pllaka me ngjyra të zbehta. Në të njëjtën kohë kishte nisur një projekt më privat, i përmbyllur më 1934 –ën. Albumi i Höch-ut është një album me pjesë të ngjitura me më pak se 100 faqe, në të cilin ka ngjitur 421 fotografi nga revista dhe gazeta….

Përktheu Suadela Balliu

7 deputetë të PS i marrin Kuvendit 8.8 milionë lekë

Posted: 25 Sep 2016 05:38 AM PDT

Shtatë deputetë të Partisë Socialiste, Arta Dade, Gramoz Ruçi, Besnik Baraj, Eduard Shalsi, Fatmir Xhafaj dhe Erjon Braçe, kanë përfituar të ardhura nga një vendim gjyqësor ku ata kanë paditur institucionin e Kuvendit për ndalesa nga paga gjatë ushtrimit të detyrës së deputetit, mandati i mëparshëm (përpara vitit 2013). Këtë vendim e kanë fituar edhe të tjerë deputetë socialistë, të cilët kanë preferuar ta deklarojnë së bashku me pagën. Deputetja Arta Dade ka fituar për 2015-ën rreth 1.513.221 lekë, si të ardhura nga vendimi gjyqësor në favor të kthimit të ndalesave të pagës për vitet 2009-2010. Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, po ashtu si të ardhura nga vendimi gjyqësor i datës 25.06.2015 ka marrë 1.489.308 lekë. Deputeti Besnik Baraj, si të ardhura nga procesi gjyqësor lidhur me mospagesën gjatë mandatit të mëparshëm, ka marrë 1.388.909 lekë. E po kështu vijon lista me 7 deputetë, të cilët për vitin 2015 i kanë marrë Kuvendit 8.880.858 lekë.

Dadaizmi te femrat

Posted: 25 Sep 2016 05:38 AM PDT

Dada është një ndër rrymat e para të artit ku morën pjesë edhe femrat me vargjet e tyre, modelet, pik
turat dhe kompozimet e tyre. Mjeshtrja e fotomontazheve Hannah Höch, artistja abstraksioniste Soohie Arp, piktorja Suzanne Duchamp, poetesha Emmy Hennings, diva e filmave pa zë Musidora, balerina Valeska Gert, e shumë talentuara Else von Freytag- Loringhoven, e sa e sa të tjera të cilat dhanë kontributin e tyre në rrënjosjen e një tradite të re tashmë në art, duke u radhitur kështu në avangardën e kësaj rryme dhe duke ndikuar edhe në veprën e kolegëve të tyre meshkuj. Vepra artistike e tyre me ide të mëdha u perceptua nga një publik mjaft i gjerë. Sophie Arp, njihet si pioniere dhe nismëtare e artit konkret konstruktiv.
Marionetat e saj gjenden sot në koleksionin e muzeut në Zyrih. Ajo ndoqi rrugën e dadaistëve, shkatërrimin e kulturës perandorake me mjete radikale, si lufta në formë delikate, dhe me marionetat me një forcë të fuqishme talenti. Ajo nisej nga parime të thjeshta të paraqitjes së formës horizontale me atë vertikale , nga e cila lindi pastaj skulptura komplekse. Jo njerëzorja, absurditeti i organizmit shtetëror, ushtari pa fytyrë, të gjitha këto bënë një revolucion në artin tradicional të asaj kohe, duke thyer kështu normat e tij dhe duke krijuar norma të reja me ide konkrete nga figura absurde. E krijuar që në mes të luftës së parë botërore, Dada është ende sot e re, e freskët dhe depërtuese në art.
Artistet e Dada nuk kishin një stil të përbashkët, ata i bashkonte dëshira që standardet e artit dhe strukturat e tij në shoqëri t'i përmbysnin tabutë e vjetra, duke përmbysur arsyen dhe logjikën, duke krijuar një traditë tjetër në art drejt absurdes, kaosit, lojërave, humorit, asaj që nuk ishte ndeshur ndonjë herë deri atëherë në art. Në praktikat e tyre hynë teatri eksperimental, lojërat, belbëzime rrokjesh, pasthirrma, kolazhe, fotomontazhe, duke gjetur kështu një rrugëdalje dhe një shpëtim për artin standard të asaj kohe. Duke u nisur nga kjo, ato janë zanafilla e artit konceptual.

Të ardhurat për 2015, Doshi në krye me 1 milion dollarë

Posted: 25 Sep 2016 05:37 AM PDT

Darina Tanushi
Deputeti Tom Doshi është deputeti me të ardhurat më të larta për vitin 2015. "Gazeta Shqiptare" publikon renditjen e "Open Data", ku fitimet vjetore të Doshit janë 129.332.218 lekë. Veç të ardhurave si deputet, Doshi merr të ardhura nga qiraja në Australi, 15.600 euro. Të ardhura të tjera nga qiraja 6.000 euro. Po kështu ai ka të ardhura vjetore edhe nga shpërndarja e fitimit nga shoqëria "ALDOSCH" shpk, 4.020.729 lekë, nga fitimi në shoqërinë "Antibiotik" sh.a, 16.050.342 lekë, nga shpërndarja e fitimit nga shoqëria "Profarma" sh.a, 76.149.478 lekë dhe nga shoqëria "Galaxy" shpk, 15.225.050 lekë. Pasuria e tij ndiqet nga Anastas Angjeli, i cili merr 58.138.558 lekë fitime në vit, veç pagës si deputet, të ardhurave nga pjesëmarrja në borde. Angjeli disponon një shtëpi banimi 450 m2 sip. truall dhe 589 m2 sip. banimi, me vlerë 11.500.000 lekë, ndërtuar në vitet 1992-1995, tokë me sip. 440 m2, në rrethin e Sarandës, me vlerë 264.000 lekë, blerë me të ardhurat familjare, apartament me vlerë 330.000 dollarë në Boston, SHBA, blerë me të ardhurat familjare dhe të ardhurat nga investimet, dhe një sërë pasurish të tjera të paluajtshme. Ish-kryeministri Sali Berisha është i treti në radhë për nga pasuria, me plot 55.073.977 lekë në vit të ardhura. Të ardhura nga paga, shpërblime në Kuvend shkojnë rreth 1.368.578 lekë në vit, të ardhura nga dietat 11.900 lekë, të ardhura nga pensioni ish-pozicion i punës 863.520 lekë. Pjesën më të madhe të pasurisë, Berisha e ka prej familjarëve të tij. Djali i tij, Shkëlzeni merr të ardhura nga Konsulenca Juridike 1.000.000 (një milion) lekë, nga punësimi 759.789 lekë, nga ndërmjetësimi 210.000 euro dhe nga qiratë për vitin 2015 47.956 euro. Me më pak të ardhura vjetore në listën e 140 deputetëve renditet për çudi Eduard Ndocaj, ose i quajtur "kaubojsi", me 187.536 lekë, si dhe deputetja e re e PKD-së, Mirela Ferracaku, me 156.770 lekë në vit. Në listën e të ardhurave për Ndocajn figuron vetëm paga si deputet prej 187.536 lekësh në vit, ndërkohë që pasuri të paluajtshme ka disa: Pronar me 100% i 14 apartamenteve në Shëngjin me sipërfaqe totale 725.92 m2, plus dy bodrumeve me sipërfaqe totale 234.62 m2, vlera 32.580.220 lekë. Disponon një ndërtesë 600 m2 në Shëndëlli të Sarandës, plus trualli i saj sipërfaqe 1.200 m2, vlera sipas deklaruesit 100.000 euro, pa specifikuar burimin, dy dyqane në Lezhë me sipërfaqe 259 m2 në pronësi të bashkëshortes, znj. Valentina Ndocaj, dhe një sërë dyqanesh e apartamentesh.

Të Ardhura Totale për Deputet  të Kuvendit, Viti 2015
Tom DOSHI 129332218
Anastas ANGJELI 58138558
Sali BERISHA 55073977
Sherefedin SHEHU 40082318
Omer MAMO 34253061
Astrit VELIAJ 29149176
Gramoz RUÇI 22013767
Namik DOKLE 18987947
Shkëlqim SELAMI 17995306
Ilir XHAKOLLI 17823175
Olta XHAÇKA 17181409
Piro KAPURANI 17088498
Gjovalin KADELI 16278346
Florjon MIMA 15335314
Dashamir KAMBERI 14665632
Artan GAÇI 14631296
Ilir META 13145062
Mimoza HAFIZI 12652474
Eduard SELAMI 12436822
Fidel YLLI 12335026
Bujar DERVENI 12180853
Besnik BARAJ 11622437
Koço KOKËDHIMA 11105740
Arben RISTANI 10957500
Jorida TABAKU 10555354
Majlinda BREGU 10158223
Bashkim FINO 10099446
Astrit PATOZI 9931933
Aldo BUMÇI 9503828
Ben BLUSHI 9314099
Edi RAMA 9079588
Liljana ELMAZI 9040886
Vexhi MUÇMATAJ 9016847
Fatmir XHAFAJ 8957259
Genci RULI 8666389
Namik KOPLIKU 8603621
Përparim SPAHIU 8489761
Agron ÇELA 7964729
Bujar KLLOGJRI 7699616
Eduard SHALSI 7623907
Parid CARA 7529032
Mimoza HAJDARMATAJ 7243745
Gentian BEJKO 7063066
Arben IMAMI 6967457
Ridvan BODE 6831039
Sadri ABAZI 6644283
Kastriot ISLAMI 6615732
Klodiana SPAHIU 6571865
Taulant BALLA 6479737
Vasilika HYSI 6371289
Paulin STERKAJ 6367714
Robert BITRI 6342678
Valentina LESKAJ 6188481
Nard NDOKA 6135190
Eduard HALIMI 6109557
Jozefina TOPALLI 6094520
Dashamir PEZA 5793714
Rakip SULI 5535567
Ervin KOÇI 5494939
Alban ZENELI 5469219
Spartak BRAHO 5457388
Flamur NOKA 5415864
Erion BRAÇE 5402246
Armando PRENGA 5285656
Dashamir SHEHI 5248584
Agron DUKA 5078877
Mira SHEHU 5078500
Shpëtim IDRIZI 5056642
Mesila DODA 4980848
Musa ULQINI 4903122
Kozma DASHI 4846002
Luan DUZHA 4837394
Fatmir MEDIU 4783468
Luçjano BOÇI 4724757
Monika KRYEMADHI 4685183
Luljeta ARAPI 4673063
Piro LUTAJ 4609718
Ilirjan PENDAVINJI 4565775
Oerd BYLYKBASHI 4417070
Gjergji PAPA 4408057
Ulsi MANJA 4377491
Arta DADE 4357527
Enkelejda SHKRELI 4353956
Pandeli MAJKO 4344788
Anduel XHINDI 4241916
Evis KUSHI 4177953
Vladimir KOSTA 4147775
Arben ÇUKO 4142948
Edi PALOKA 4117232
Anila AGALLIU 4070740
Xhemal QEFALIA 4018365
Vangjel DULE 3934193
Edmond SPAHO 3856320
Bedri HOXHA 3850965
Kejdi MEHMETAJ 3832603
Blerina GJYLAMETI 3695650
Albina DEDA 3694008
Eduart BEJKO 3642392
Andrea MARTO 3584201
Shkëlqim CANI 3573198
Gledjon REHOVICA 3564487
Igli CARA 3546290
Ervin BUSHATI 3455080
Silva CAKA 3444310
Adelina RISTA 3413277
Helidon BUSHATI 3399555
Fatmir TOÇI 3397301
Eleina QIRICI 3323802
Aqif RAKIPI 3259701
Antoneta DHIMA 3243403
Bedri MIHAJ 3161360
Pjerin NDREU 3121029
Luan RAMA 3013955
Vangjel TAVO 2988206
Petrit VASILI 2957733
Gjovalin BZHETAJ 2898349
Esmeralda SHKJAU 2860430
Mhill FUFI 2769664
Erjeta ALHYSA 2688122
Ylli ZIÇISHTI PETRAJ 2631296
Dashamir TAHIRI 2523368
Albana VOKSHI 2506660
Bujar ÇELA 2492960
Gent STRAZIMIRI 2443827
Keltis KRUJA 2348785
Asllan DOGJANI 2313781
Edlira ÇEKREZI 2311524
Irma KOPLIKU 2206489
Genc POLLO 2179758
Ylli SHEHU 2148622
Shkëlqim TROPLINI 2045526
Gerti BOGDANI 3449647
Blendi KLOSI 2908900
Arbjola HALIMI 1661336
Ermonela VALIKAJ FELAJ 1097028
Eduart NDOCAJ 187536
Mirela FERRACAKU 156770
Totali 1,163,612,524 lekE

Related Posts :