Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Pranimet në universitet, faza e dytë asnjë ndryshim, procedura të njëjta” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Pranimet në universitet, faza e dytë asnjë ndryshim, procedura të njëjta” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Pranimet në universitet, faza e dytë asnjë ndryshim, procedura të njëjta

Posted: 22 Sep 2016 05:48 AM PDT

Ermelinda Hoxhaj
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një takimi me maturantë dhe rektorë të Institucioneve të Arsimit të Lartë ka bërë prezantimin e portalit online, nëpërmjet të cilit maturantët do të kontrollojnë hap pas hapi të dhënat e tyre pasi të kenë bërë plotësimin e Formularit të Aplikimit në universitet, ku do të kenë mundësi të përzgjedhin 10 preferenca. Gjatë takimit me maturantë pasditen e së mërkurës, Nikolla tha se regjistrimet do të nisin në 23 shtator. Po ashtu ajo informoi maturantët se 75% e kuotave në universitete janë ende bosh, pasi në raundin e parë u regjistruan vetëm 25% e maturantëve. “Raundi i dytë i aplikimeve fillon në datën 23 shtator. Fillon në një situatë krejtësisht e re, që ka krijuar përmbyllja e raundit të parë. Keni të gjitha mundësitë që të rivlerësoni zgjedhjen tuaj falë transparencës së raundit të parë dhe të mësoni që merita dhe transparenca raundin e dytë të jetë fituese. Ministria e Arsimit vë në dispozicionin tuaj sistemin online, portali i klasifikimit që do të prezantojmë sot. Në përfundim të raundit të dytë, në të njëjtin portal do të merrni rezultatet tuaja. Ky sistem do të shkurtojë të gjithë periudhën e këtij raundi dhe do të japë mundësinë e shfrytëzimit të çdo kuote të lirë, nëpërmjet një bashkërendimi në rang kombëtar të lëvizjes së vizës. Përpara se të shikojmë të gjithë prezantimin që një grup të rinjsh ka mundësuar për ju këtë portal, më lejoni të falënderoj Institucionet e Arsimit të Lartë, rektoratët dhe dekanët, duke qenë e sigurt që edhe raundi i dytë dhe spostimi i vijës së kuqe do të përmbyllen me sukses. Nuk ka vend për dilema, por për përqendrim për të marrë të gjithë informacionin në të gjitha rrugët dhe për të vijuar më pas me raundin e dytë, për të plotësuar 75% të vendeve që kanë mbetur të lira nga raundi i parë i pranimeve në universitete”, – u shpreh Nikolla.
Raundi II & Afatet
Asnjë lloj procedure nuk ka ndryshuar për maturantët që dëshirojnë të vijojnë studimet në universitetet publike dhe private të vendit edhe në këtë raund të dytë; procedurat e aplikimit do të jenë të njëjta si në fazën e parë. Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Në këtë raund të dytë kanë të drejtën të aplikojnë të gjithë ata maturantë që kanë kaluar me sukses provimet e maturës në vjeshtë, ata maturantë që kanë plotësuar Formularët A1/A1Z por nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, kandidatët që kanë aplikuar por nuk janë shpallur fitues në raundin e parë apo nuk kanë arritur të regjistrohen. Kandidatët duhet të plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë. Kriteri i notës mesatare 6, nuk është kusht vetëm për ata kandidatë që do të aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional. Universitetet kanë kriter, veç notës mesatare të tri viteve të studimet, edhe gruplëndët preferenciale, të cilat maturantët duhet t’i shikojnë me kujdes. Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-në e kandidatit; emrin, atësinë, mbiemrin; kartën e identitetit; email-in etj. Edhe në këtë raund të dytë kandidati zgjedh deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike për vitin 2016-2017. Sistemi i portalit të Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. P.sh., nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë. Të gjitha IAL-të brenda datës 22 shtator, pra sot, i dorëzojnë AKP-së kuotat e paplotësuara për çdo program studimi. Këta kandidatë kanë të drejtë të plotësojnë formularin e aplikimit në portalin “Matura Shtetërore” në datat 23 shtator-1 tetor 2016, sipas datave për DAR/ZA që i keni në tabelën e mëposhtme. Për maturantët e Tiranës aplikimi nis në datën 23 shtator, dhe do kenë afat tri ditë, deri më datën 25 shtator 2016.
Maturantët e vjeshtës
Maturantët e vjeshtës, sipas udhëzimit të MAS-it, përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë, në zyrat e Postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularëve A1/A1Z. Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studimeve. Ndërsa maturantët e tjerë që i kanë hedhur të dhënat në sistem, nuk kanë detyrime për të paguar, pasi i kanë paguar në fazën e parë.
Aplikantët
& fituesit
Në këtë raund të dytë, AKP-ja u dorëzon universiteteve listën e aplikantëve brenda datës 4 tetor 2016, së bashku me notat e tri viteve të shkollës së mesme dhe rezultatet e provimeve të maturës. Udhëzimi i MAS-it përcakton se universitetet shpallin listën paraprake brenda datës 6 tetor 2016, dhe pas periudhës së ankimimit ata shpallin listën fituese të studentëve të raundit të dytë, në datën 12 tetor 2016. Regjistrimet e fituesve bëhen online në sekretaritë mësimore me dokumentacionin përkatës deri në datën 16 tetor 2016. Më pas, në pikën 13 të udhëzimit, nga data 16 tetor deri në datën 20 tetor 2016, sekretaritë mësimore vijojnë me regjistrimin e studentëve fitues, deri në plotësimin e kuotave për çdo program studimi, duke respektuar renditjen në listë. Në këtë fazë hyn në punë edhe sistemi online i kontrollit që prezantoi ministrja Nikolla, pasi do bëhet monitorimi i lëvizjes së vijës së kuqe në mënyrë që edhe kandidatët të informohen në kohë reale se sa afër janë.

Vdekja e Fadil Hoxhës, familjarët denoncojnë shefin e krimeve të Divjakës dhe dy policë

Posted: 22 Sep 2016 05:47 AM PDT

LUSHNJE – Shefi i krimeve të Divjakës si dhe dy efektivë policie janë denoncuar në prokurori nga familjarët e Fadil Hoxhës, i cili pasditen e së dielës humbi jetën nga infarkti që pësoi në ambientet e komisariatit. Eridian Hoxha, djali i 53-vjeçarit që vdiq në QSUT, dje deklaroi për “News 24” dhe “GSH” se babai i tij u arrestua padrejtësisht dhe se u dhunua nga policia pa asnjë shkak. Sipas të riut, i cili është edhe kryetar i Forumit Rinor të PD-së për njësinë administrative Grabian, ngjarja ka ndodhur për motive politike. Gjithashtu, Eridian Hoxha pohoi se fillimisht babai i tij u ndalua nga policia e Divjakës për makinën që e kishte pa dokumente, dhe më pas u akuzua për vjedhje të ullinjve. Ndërkaq, ai ka siguruar një deklaratë të noterizuar, ku pronari i ullinjve mohon një fakt të tillë. Pjesëtarët e familjes Hoxha dyshojnë se kjo është një hakmarrje e nënkryetarit të Bashkisë së Divjakës, Avdis Nalla, për shkak të një konflikti të kaluar gjatë zgjedhjeve lokale në 2015-ën në Grabian. Ata u shprehën se Fadil Hoxha është dhunuar nga policët, të cilët e kanë kërcënuar që të pranonte një vepër të cilën nuk e kishte kryer. Ndërkaq, Eridiani tregoi me detaje ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë.
Pse keni ardhur në Prokurorinë e Lushnjës?
Aktualisht kemi ardhur për të bërë një kallëzim penal ndaj policisë së Divjakës, e cila në mënyrë të padrejtë arrestoi babain tim dhe në mënyrë të padrejtë e akuzoi për gjëra të paqena. E quajtën hajdut. Unë sot kam një deklaratë noteriale, ku pronari i pronës në të cilën pretendohet se kishte vjedhur babai im thotë se “mua as nuk më janë vjedhur ullinj dhe as nuk kam kallëzuar se ka vjedhur njeri në pronën time.”
Policia, e dinte se babai juaj ishte invalid, që vuante nga zemra?
Po, i kam njoftuar. Edhe në Divjakë kushedi sa herë kam shkuar. Por, ata e kishin dhunuar. Madje e kishin goditur në stomak. Ata thanë që është arrestuar për vjedhjen e ullinjve. Por nuk ka pasur asnjë kokërr ulliri në makinë.
Cilët janë policët që sipas jush kanë ushtruar dhunë mbi babain tuaj?
Janë tre persona. Konkretisht: Viktor Xaro, Arben Trimi dhe Fatjon Zela.
Të tre janë policë?
Fatjoni është shefi i krimeve, i cili e mori tim atë në hetuesi dhe atje i bërtiste në mënyrë të tmerrshme. Arben Trimi e ka keqtrajtuar gjatë rrugës kur e çonte për në komisariat. Edhe Viktor Xaro është i përfshirë në këtë ngjarje, pasi ai pretendon se e kapën në ullishte.
Pse mendoni se ka ndodhur e gjitha kjo?
Kjo ka ndodhur për arsye politike, sepse në momentin që kontaktova me kryetarin e bashkisë për makinën pa letra dhe tentova ta nxjerr, pas 10 minutash erdhi Viktor Xaro me makinën e policisë bashkiake dhe më tha që letrat po i bëhen për burg.

Vrau me thikë 29-vjeçarin pas sherrit në lokal, kapet i riu

Posted: 22 Sep 2016 05:46 AM PDT

Fatmir Popja

GRAMSH- Një 29-vjeçar nga Gramshi është masa- kruar me thikë, ndë-rsa disa orë pas krimit është vënë në pranga autori, Arlind Llalla. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit bënë me dije se ngjarja e rëndë ku humbi jetën Ardjan Mesiti ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të së martës, në fshatin Llallë të Gramshit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, hetuesit e çështjes deklaruan se vrasja ka ndodhur pas një konflikti mes autorit dhe viktimës. Mësohet se Mesiti e kishte akuzuar 25-vjeçarin se i ngacmonte motrën 20 vjeçe. Sipas banorëve të fshatit, viktima i kishte kërkuar disa herë Llallës që të mos ia ngacmonte të motrën, pasi kjo e fundit nuk e donte. Dy të rinjtë janë takuar në lokalin e fshatit për të zgjidhur këtë konflikt, por pas debateve të ashpra janë përleshur me njëri-tjetrin.
VRASJA
Sipas burimeve policore, Arlind Llalla së bashku me shokun e tij, Xhulian Kokomeci kishin lënë takim me Ardjan Mesitin në një lokal në hyrje të fshatit. Pasi janë takuar në lokal, tre personat në fjalë janë konfrontuar fizikisht, ndërsa kanë ndërhyrë klientë të tjerë të lokalit që i kanë ndarë. Burime jozyrtare pohuan se 25-vjeçari nga fshati Llallë ka qenë i shoqëruar edhe me dy shokë të tjerë të tij. Pas përleshjes në lokal, 29-vjeçari nga fshati Shemrize është larguar me motor drejt banesës së tij, por 1 km nga lokali, atij i është zënë pritë. Mësohet së Llalla me tre shokët e tij kanë qenë në një automjet, me të cilin kanë goditur 2-3 herë motorin e Mesitit, dhe ky i fundit është rrëzuar në tokë. Po të njëjtat burime thanë se Llalla e ka goditur tri herë me thikë Mesitin, duke e lënë atë të vdekur në vend. Dyshohet se viktima është goditur me kaçavidë nga Xhulian Kokomeci, ndërsa dy të tjerët nuk janë përfshirë në krim. Pas vrasjes, 25-vjeçari me tre shokët e tij janë rikthyer sërish në lokal sikur nuk kishte ndodhur gjë. Ndërkohë që trupi i pajetë i 29-vjeçarit është gjetur në rrugë nga banorë të zonës, të cilët menjëherë kanë sinjalizuar policinë.
ARRESTIMI
Menjëherë pas njoftimit për vrasjen e një të riu, blutë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një ciklomotor dhe një aparat celular që dyshohet se i përkasin viktimës; një xhup i zi dhe një aparat celular që dyshohet se i përkasin autorit të dyshuar për këtë ngjarje. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan në orët e para të mëngjesit të djeshëm shtetasin Arlind Llalla, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Gjithashtu është prangosur dhe 39-vjeçari Xhulian Kokomeci, i cili akuzohet për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Ndërkaq, mësohet se gjatë marrjes në pyetje, 25-vjeçari ka pohuar para bluve se vrasjen e ka bërë për vetëmbrojtje. “Nuk munda të duroja më. Unë isha i pambrojtur, ndërsa Ardjan Mesiti më ishte hedhur përsipër dhe po më mbyste duke më gjuajtur me shkelma e me grushte. Në përleshje e sipër, unë nxora nga xhepi i pasmë i pantallonave thi-kën që mbaja me vete në stan. E nxora për t’u vetëmbrojtur, pasi nuk kisha si qëllim ta vrisja, por thjesht që ta trembja”, – ka thënë Arlind Llalla, ndërsa është shprehur se është penduar për krimin që kishte kryer.

Vdekja e Fadil Hoxhës, familjarët denoncojnë shefin e krimeve të Divjakës dhe dy policë

Posted: 22 Sep 2016 05:46 AM PDT

LUSHNJE – Shefi i krimeve të Divjakës si dhe dy efektivë policie janë denoncuar në prokurori nga familjarët e Fadil Hoxhës, i cili pasditen e së dielës humbi jetën nga infarkti që pësoi në ambientet e komisariatit. Eridian Hoxha, djali i 53-vjeçarit që vdiq në QSUT, dje deklaroi për “News 24” dhe “GSH” se babai i tij u arrestua padrejtësisht dhe se u dhunua nga policia pa asnjë shkak. Sipas të riut, i cili është edhe kryetar i Forumit Rinor të PD-së për njësinë administrative Grabian, ngjarja ka ndodhur për motive politike. Gjithashtu, Eridian Hoxha pohoi se fillimisht babai i tij u ndalua nga policia e Divjakës për makinën që e kishte pa dokumente, dhe më pas u akuzua për vjedhje të ullinjve. Ndërkaq, ai ka siguruar një deklaratë të noterizuar, ku pronari i ullinjve mohon një fakt të tillë. Pjesëtarët e familjes Hoxha dyshojnë se kjo është një hakmarrje e nënkryetarit të Bashkisë së Divjakës, Avdis Nalla, për shkak të një konflikti të kaluar gjatë zgjedhjeve lokale në 2015-ën në Grabian. Ata u shprehën se Fadil Hoxha është dhunuar nga policët, të cilët e kanë kërcënuar që të pranonte një vepër të cilën nuk e kishte kryer. Ndërkaq, Eridiani tregoi me detaje ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë.
Pse keni ardhur në Prokurorinë e Lushnjës?
Aktualisht kemi ardhur për të bërë një kallëzim penal ndaj policisë së Divjakës, e cila në mënyrë të padrejtë arrestoi babain tim dhe në mënyrë të padrejtë e akuzoi për gjëra të paqena. E quajtën hajdut. Unë sot kam një deklaratë noteriale, ku pronari i pronës në të cilën pretendohet se kishte vjedhur babai im thotë se “mua as nuk më janë vjedhur ullinj dhe as nuk kam kallëzuar se ka vjedhur njeri në pronën time.”
Policia, e dinte se babai juaj ishte invalid, që vuante nga zemra?
Po, i kam njoftuar. Edhe në Divjakë kushedi sa herë kam shkuar. Por, ata e kishin dhunuar. Madje e kishin goditur në stomak. Ata thanë që është arrestuar për vjedhjen e ullinjve. Por nuk ka pasur asnjë kokërr ulliri në makinë.
Cilët janë policët që sipas jush kanë ushtruar dhunë mbi babain tuaj?
Janë tre persona. Konkretisht: Viktor Xaro, Arben Trimi dhe Fatjon Zela.
Të tre janë policë?
Fatjoni është shefi i krimeve, i cili e mori tim atë në hetuesi dhe atje i bërtiste në mënyrë të tmerrshme. Arben Trimi e ka keqtrajtuar gjatë rrugës kur e çonte për në komisariat. Edhe Viktor Xaro është i përfshirë në këtë ngjarje, pasi ai pretendon se e kapën në ullishte.
Pse mendoni se ka ndodhur e gjitha kjo?
Kjo ka ndodhur për arsye politike, sepse në momentin që kontaktova me kryetarin e bashkisë për makinën pa letra dhe tentova ta nxjerr, pas 10 minutash erdhi Viktor Xaro me makinën e policisë bashkiake dhe më tha që letrat po i bëhen për burg.

Ndryshon ligji për legalizimet, nuk ka tapi pa paguar taksën

Posted: 22 Sep 2016 05:45 AM PDT

Ornela Manjani
Qeveria ndryshon sërish kriteret dhe procedurat për lejet e legalizimit. Të gjithë personat që kanë ndërtuar pa leje duhet të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, e cila është një taksë që administrohet nga pushteti vendor. Tarifa llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatëse për këto sipërfaqe. Për ndërtesat të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit. Pagesa ose jo e taksës nuk ndikon në procesin e kualifikimit të ndërtimit për legalizimin, pra dosja shqyrtohet nga ALUIZNI pavarësisht faktit nëse është shlyer kjo taksë ose jo. Ndikimi i pagesës së taksës do të jetë në procesin e pajisjes me tapi të ndërtimit të pajisur me leje.
Vendimi
Këshilli i Ministrave ndryshoi në mbledhjen e djeshme vendimin nr.954, datë 25.11.2015, të Këshillit të Ministrave, duke bërë shtesa dhe ndryshime. “Leja e legalizimit miratohet pasi të jetë administruar dokumentacioni i vërtetimit për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, vetëm nëse kjo taksë është llogaritur nga ALUIZNI dhe është arkëtuar përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.50/2014. Për rastet e tjera, ky dokumentacion administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të nenit 23, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006,

Ndryshojnë procedurat tatimore dhe penalitetet për biznesin

Posted: 22 Sep 2016 05:44 AM PDT

Qeveria ka miratuar dje një sërë ndryshimesh në ligjin për procedurat tatimore. Me propozim të Ministrisë së Financave janë ndryshuar 58 nene në këtë ligj, ku një pjesë e rëndësishme është ndryshimi i penaliteteve për biznesin. Kështu, moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo ? faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100% të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore. Ndërsa për tatimpaguesit që kryejnë shkelje të përsëritur të moslëshimit të faturës, përveçse aplikohet dënimi me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, gjithashtu ndërmerren masat e mëposhtme: a) Tatimpaguesi që nuk është i regjistruar për TVSH-në, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur sipas këtij neni, regjistrohet për TVSH-në. b) Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në dhe tatimin e thjeshtuar të fitimit, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur sipas këtij neni, regjistrohet për tatimin mbi fitimin. c) Tatimpaguesi i tatimit mbi fitimin përfshihet menjëherë në listën e subjekteve me risk për efekt të analizës së riskut. Në rastet kur moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo ? faturës tatimore me TVSH është shkelje e përsëritur i më shumë se 2 herë. Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë me 100.000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin dhe 50.000 lekë për tatimpaguesit e tjerë. Ministri i Financave përcakton me udhëzim rastet kur për natyrën e aktivitetit përmbushja e detyrimit për afishimin e çmimeve të shërbimeve nuk mund të ushtrohet.

Vrasja te “1 Maji”, prokuroria kërkon burg përjetë për autorët

Posted: 22 Sep 2016 05:43 AM PDT

Sonila Musaj
Dënim të përjetshëm ka kërkuar organi i akuzës për dy autorët e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së një personi të tretë, ngjarje e ndodhur në zonën e quajtur “Lulishte 1 Maji”, në kryeqytet, më datë 01.10.2015. Konkretisht për Vasiel Çavon dhe Sael Sulajn, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin donin të vrisnin Elvis Gaçajn, por nuk mundën dot ta arrinin qëllimin e tyre pasi vetëm e plagosën. Çavo dhe Sulaj gjatë atentatit, teksa po qëllonin me armë lanë të vdekur shtetasit Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Këta dy të pandehur do të përfitojnë 1/3 e dënimit, pasi gjykimi është proceduar në mënyrë të shkurtuar. Më herët, gjatë seancave gjyqësore dy autorët kanë kërkuar mëshirë nga trupi gjykues, por edhe nga familjarët e viktimave. Ata kanë deklaruar se janë penduar për veprën që kanë bërë, duke u shprehur se nuk kanë fjalë për ta shprehur pendesën. Në dhomat e paraburgimit ndodhet edhe Elvis Gaçaj, i cili nuk ka pranuar gjykim të shkurtuar, por gjykim të zakonshëm, ndërsa avokati i tij Vladimir Meçaj më herët ka kërkuar nga gjykata shuarjen e masës së Gaçajt, por prokurori i çështjes nuk e ka pranuar si kërkesë, me pretendimin se ai është një person me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë.
Hetimi
Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezultoi se të pandehurit Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo janë autorët e vrasjes me armë zjarri të shtetasve Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, si dhe të plagosjes së shtetasit Elvis Gjeçaj. Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se më 1 tetor 2015, rreth orës 19:45, në rrugën “Beqir Rusi”, në sheshin mes pallateve afër lulishtes “1 Maji”, dy persona kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një autoveture të markës “BMW”, seria 5, në të cilën sapo kishin hipur dhe po largoheshin shtetasit Elvis Gaçaj, drejtues, Aurora Oskian, pasagjere në vend të parë, Kevin Rugova dhe E.GJ., pasagjerë në ndenjësen e pasme, të ulur përkatësisht pas Aurorës dhe Elvisit. Nga goditjet me breshëri me armë automatike kallashnikov, janë vrarë në vend Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, të dy të ulur në krahun e djathtë të mjetit, është plagosur Elvis Gaçaj dhe ka shpëtuar pa dëmtime Eda Gjura. Elvis Gaçaj u shtrua në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Nga hetimi rezultoi se objekt i këtij sulmi kriminal ishte Elvis Gaçaj, person me precedent penal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike. Ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti mes tij dhe të pandehurve Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo.
Shërbimet e policisë gjyqësore arritën që më 02.10.2015 të shoqëronin në mjediset e DPQ Tiranë Sael Sulajn dhe Vasiel Çavon. Të pyetur në cilësinë e personave nën hetim, të lartpërmendurit pranuan autorësinë e krimit si dhe shpjeguan tërë mekanizmin e ngjarjes. Nga deklarimet e tyre rezulton që motivi i kësaj ngjarjeje është një konflikt i disa muajve më parë mes të dëmtuarit Elvis Gaçaj dhe personit nën hetim Vasiel Çavo. Elvis Gaçaj e ka rrahur Vasielin dhe, në mënyrë të përsëritur, ka vijuar të fyejë dhe shajë Sael Sulajn. Mbrëmjen e datës 01.10.2015, shtetasi Sael Sulaj ka parë rastësisht në një lokal pranë lagjes ku ai banon, shtetasin Elvis Gaçaj, duke darkuar me tre të tjerë. Ai njihte Kevin Rugovën si njërin prej personave që rrinte vazhdimisht me Elvisin. Po ashtu, ka parë që brenda lagjes, afër me shtëpinë, ishte parkuar autovetura “BMW” që ai e dinte që ishte e Elvis Gaçajt. Në këtë kohë, për shkak të konfliktit të lartpërmendur, shtetasit Sael Sulaj i ka lindur mendimi që të hakmerrej ndaj shtetasit Elvis Gaçaj dhe, për këtë qëllim, i ka telefonuar shokut të tij Vasiel Çavo. Pasi janë takuar, kanë biseduar për t’u hakmarrë. Këtë hakmarrje e kanë dëshiruar të dy, sepse edhe Vasieli kishte pasur debate dhe konflikte fizike me Elvis Gaçajn. Të tilla konflikte ai i kishte pasur gjashtë muaj para ngjarjes, dhe kishin edhe këmbime fyerjesh personale dhe familjare. Saeli dhe Vasieli kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit dhe kanë marrë një armë zjarri tip automatik, që ishte futur në një çantë me rrota, e mbështjellë me një bluzë dhe një qese të zezë. Vasieli ka marrë dhe një pistoletë. Sipas planit të thurur prej tyre, kur Elvis Gaçaj të hipte në makinë, Saeli do të qëllonte me automatik i pari, ndërsa Vasieli do ta mbështeste atë me pistoletë nëse do dilte ndonjë e papritur. Saeli ka qëndruar në sheshpushimin që ishte përballë dhe sipër vendit ku qe parkuar mjeti, pikërisht përpara xhamit të përparmë të mjetit, dhe ka pasur me vete automatikun. Ndërsa Vasieli, i pajisur me pistoletë, rrinte në një shkallë ngjitur, edhe ai në sheshpushim, me fushëpamje nga pjesa anësore e autoveturës “BMW”. Elvisi dhe personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga lokali dhe i janë drejtuar automjetit të tyre. Shtetasi Sael ka mbushur armën automatike dhe, pasi të lartpërmendurit kanë hipur në mjet dhe mjeti është ndezur, ai është ngritur dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke qenë përballë mjetit derisa ka mbaruar të gjithë fishekët. Menjëherë më pas, në drejtim të automjetit, anash tij, ka hapur zjarr me pistoletë edhe shtetasi Vasiel Çavo, dhe të dy personat e armatosur janë larguar më këmbë në drejtime të ndryshme bashkë me armët e krimit. I pandehuri Sael Sulaj ka marrë automatikun që e ka siguruar brenda çantës me rrota dhe e ka hedhur në Lumin e Lanës automatikun dhe çantën ku e mbante, sende këto që u sekuestruan më pas si prova materiale. Ka ecur përgjatë lumit disa qindra metra, dhe, kur ka qenë afër “Bar D…”, është futur pas lokalit; aty ka hequr bluzën e zezë me kapuç. Të dy djemtë janë larguar nga banesat, kanë qëndruar gjatë natës në lëvizje, kanë komunikuar në mëngjes, ku kanë ndërruar numrat e telefonit dhe më pas, janë shoqëruar në polici pasi kanë folur edhe me të afërmit. Qesja e zezë që shërben për mbeturina dhe që kishte mbajtur të mbështjellë automatikun para ngjarjes, u la prej tij në vendngjarje, dhe u gjet më pas gjatë këqyrjes, ku u fiksua dhe iu nënshtrua ekspertimit. Po kështu, edhe shtetasi Vasiel Çavo ka pohuar për ngjarjen. Ai deklaroi që për praninë e Elvisit (shkurt Evit, siç njihej prej tyre), ishte njoftuar nga Saeli, që i ka kërkuar që ta godisnin sepse ishte rast i mirë. Pasi kanë rënë dakord, kanë shkuar në banesën e Vasielit, ku ai mbante automatikun dhe pistoletën. Automatikun e ka marrë Saeli, ndërsa Vasieli ka marrë pistoletën. Kanë bërë kontrollin e armëve nëse ishin në rregull teknikisht dhe me fishekë brenda, dhe Vasieli ka qëndruar në një hyrje pallati afër mjetit dhe është mbështetur te parvazi i shkallëve, ndërsa Saeli ka qëndruar te sheshpushimi i shkallëve në hyrje të apartamentit ku ai vetë banon dhe që ishte përballë mjetit, pikërisht përballë xhamit të parë të mjetit ku do ulej edhe Elvis Gaçaj. Vasieli ka parë që Elvisi po afrohej me një djalë dhe dy femra, dhe pretendon që nuk ka pasur mundësi që të njoftonte Saelin që duhej të hiqnin dorë nga veprimi sepse kishte dhe njerëz të tjerë. Ka parë që Elvisi ka hipur në vendin e drejtuesit, një bionde te vendi i parë dhe dy të tjerët kanë hipur pas. Sapo mjeti është ndezur dhe ka nisur lëvizjen mbrapsht, ka dëgjuar krisma të pandërprera dhe ka kuptuar që Saeli po qëllonte, sikurse kishin rënë dakord. Pasi Saeli ka mbaruar, edhe ai ka nxjerrë armën pistoletë nga brezi dhe ka qëlluar, duke e mbajtur me të dyja duart në drejtim të Elvis Gaçajt. Pas kësaj është larguar mes pallateve deri afër Urgjencës, duke e fshehur armën te xhepi i barkut të bluzës që mbante veshur, pa u lidhur me Saelin për të kuptuar se nga kishte shkuar ai. Më pas, është kthyer në drejtim të Unazës, ka kaluar urën e vogël të këmbësorëve që është mes rrugës “Gjin Bua Shpati” dhe ish-Ekspozitës; aty, ka hedhur kapelen që mbante në kokë dhe armën e zjarrit pistoletë. Më pas, duke shfrytëzuar rrugicat ka dalë deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”, ku në një kosh plehrash ka hedhur bluzën që mbante veshur. Disa minuta më vonë është takuar me Saelin te një Fast Food, ku kanë biseduar për vrasjen. E ka pyetur pse nuk kishte ndërprerë veprimet kur kishte parë që kishte edhe të tjerë. Saeli i ka pohuar që e kishte humbur kontrollin e vetes nga hutimi. Më pas, secili është larguar. Vasieli është drejtuar në banesën e tij, ndërsa Saeli te disa të njohur në Fushë-Krujë. Ai pohon për rrahjet që ka pësuar nga Elvis Gaçaj dhe që kanë ndodhur muaj më parë, por për të cilat ai nuk i ka treguar gjë policisë. Me gjithë kërkimet e bëra, policia gjyqësore nuk arriti të gjejë armën e zjarrit pistoletë.

Prokuroria nis hetimin për tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat

Posted: 22 Sep 2016 05:42 AM PDT

Pas dyshimeve në media dhe padisë së PD-së për abuzimin me tenderin e uniformave të policisë, Task-Forca e prokurorisë ka nisur hetimin për mënyrën se si është zhvilluar tenderi i uniformave të reja. Nga veprimet e para hetimore, sipas prokurorëve ekzistojnë dyshime edhe për cilësinë e mallit të përdorur për qepjen e uniformave. Burime nga organi i akuzës dyshojnë se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Brendshme ka hapur dy herë procedurat e tenderimit për uniformat. Fillimisht më 6 nëntor të 2015-ës, ku brenda ditës është anuluar për të vijuar dy muaj më pas, në dhjetor të 2015-ës, ku fituese u shpall kompania turko-shqiptare si fituese e tenderit me vlerë rreth 1 miliard lekë. Sipas vendimit të shpalljes së fituesit, kompania shqiptare “M…” dhe ajo turke “Y…” janë renditur si ofertueset me çmimin më të ulët për dizajnin dhe qepjen e 27.900 copë uniformave të ndryshme të policisë. Gjithashtu, nga hetimet e deritanishme pretendohet se uniformat e policisë nuk janë prodhuar në Turqi, siç është raportuar nga Ministria e Brend-shme apo edhe nga kompania fituese e tenderit, pasi nuk janë gjetur fatura doganore të hyrjes së këtyre uniformave. Gjithashtu pro-kuroria po verifikon edhe kompaninë turke “Y…”, pasi dyshohet se mund të ketë bashkëpunuar me kompaninë “M…” në fitimin e këtij tenderi rreth 1 miliard lekësh. Sipas verifikimeve të procedurave të kompanisë, rezulton se kompania shqiptare “M…” është krijuar në vitin 2012, dhe më pas në vitin 2014 është ndryshuar pronësia dhe administratorët. Hetimet nga organi i akuzës nisën pas publikimit në media të dyshimeve për abuzimin me tenderin e uniformave të policisë. Prezantimi i uniformave të reja të Policisë së Shtetit u bë shtatë muaj më parë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Elementi kryesor i këtyre uniformave do të ishte shqiponja me përkrenaren e Skënderbeut lart, që është një derivat i shqiponjës origjinale nga modeli i flamurit të vitit 1992. Gjithashtu, gjatë prezantimit u raportua se në uniformën e re u rikthye shiriti i kuq në pantallonat e efektivëve të policisë. Shtatë muaj më parë u raportua se uniformat e reja do të ishin gati për skuadrën “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore brenda javës (që nga momenti kur u bë prezantimi), ndërsa për Policinë e Rendit pas disa javësh (që nga momenti kur u bë prezantimi). S.Musaj

Jaka: Liberalizim kanabisit farmaceutik

Posted: 22 Sep 2016 05:42 AM PDT

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka ka hedhur idenë e lejimit të kanabisit për nevoja farmaceutike. Në një deklaratë për mediat, Jaka pohoi se duhet të zbatohet formula ashtu si në vendet europiane, si Holanda, Italia dhe Greqia. “Balkanweb” raportoi dje se kreu i Dhomës së Tregtisë ka pohuar se duhet të ketë qasje ligjore edhe për prostitucionin. “Pse të mos e zbatojmë edhe ne formulën e Holandës, Italisë, Greqisë, për lejimin e kanabisit për nevoja farmaceutike, siç e lejojnë ligjet europiane?! Pse të mos kalojmë edhe te ligjet e tjera, që është paketë, siç janë qasjet ligjore që liberalizojnë shërbimin e femrës, siç e ka Gjermania dhe Holanda?! Janë gjëra normale, të jemi të ndershëm. Njëkohësisht të shprehim elementë sigurie, për turistin, qytetarët, për të parandaluar efektet dhe pasojat sociale që krijojnë vakumet që lë legjislacioni shqiptar”, – tha Jaka. Jaka gjatë një konference për shtyp për projektligjin e plehrave, u ndal të komentojë edhe ligjin për importin e plehrave, një ligj i cili shkaktoi debate dhe kundërshti në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, por që në fund mori votat e nevojshme për kalimin në seancë plenare. Kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh se klasa politike duhet ta votojë unanimisht këtë ligj, sepse i shërben ekonomisë së vendit. “Ky ligj nuk sjell mbetje, nuk sjell ndotje, por është një ligj që sjell lëndën e parë për ricikluesit shqiptarë. Shpëton industrinë e riciklimit. Duhet të mirëkuptohet edhe nga ambientalistët, politika, dhe të gjithë ata që janë skeptikë dhe ata që mendojnë se ky ligj sjell ndotje”, – përfundoi kreu i Dhomës së Tregtisë. Ndër-kohë, në emër të sipërmarrjes së pro-dhuesve ai përshëndeti iniciativën e deputetëve të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese për miratimin me mirëkuptim të ndryshimeve ligjore në ligjin e menaxhimit të mbetjeve. “Ky ndryshim do të mundësojë furnizimin e ndërmarrjeve prodhuese të industrisë të ricikluara me lëndë të para për veprimtarinë e tyre, duke i vendosur këto ndërmarrje në kushte të barabarta kon-kurrence me ndërmarrjet e tjera të rajonit dhe BE-së. Theksojmë me vendosmëri të bëhet fjalë vetëm për mbetje që konsiderohen lëndë të para dytësore nga të gjitha vendet e BE-së, dhe shprehim keqardhje për identifikimin abuziv të tyre me plehrat për të cilat e gjithë industria është e vendosur që të mos lejohet importi”, – u shpreh Jaka. Sipas tij, “lejimi i importit të lëndëve të para për riciklimin do të bënte të mundur fuqizimin e industrisë së riciklimit, si hallkë themelore në mena-xhimin e integruar të mbet-jeve në vend. Pa industri riciklimi në Shqipëri, nuk ka mjedis të pastër!”

I plagosuri në Rrëshen, apel shtetit: Më ndihmoni, më rrezikohet jeta

Posted: 22 Sep 2016 05:41 AM PDT

Xhensila Kodra
Gjergj Prenga, personi i cili mbeti i plagosur në atentatin që iu bë ish-drejtorit të OSHEE-së për Veriun, Saimir Jaku, i bën apel shtetit për ndihmë, pasi gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Në ngjarjen e ndo-dhur më 9 shtator të këtij viti në një lokal në qendër të Rrëshenit, ku autorët (të paidentifikuar ende), të maskuar e të armatosur qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj Jakut, 4 prej plumbave kapën edhe 50-vjeçarin Prenga. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tregon se i ka kërkuar ndihmë edhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tij.
Kanë kaluar rreth dy javë nga ngjarja e ndodhur në qendër të Rrëshenit, ku i vrarë mbeti Saimir Jaku, ndërsa ju u plagosët me 4 plumba në trup. Si është gjendja juaj aktuale pas kaq ditësh?
Unë fatmirësisht shpëtova, por gjendja ime tashmë ka filluar të përkeqësohet. Nga 4 plumbat që mora, 2 prej tyre më kapën krahun e djathtë. Sipas një klinike greke së cilës unë i kam çuar të gjitha grafitë e mia, plumbat kanë thërrmuar të gjitha kockat. Plus kësaj, plumbat kanë dëmtuar edhe nervin. Jam tronditur shumë në momentin që mjekët më kanë thënë se duhet të më bëhet transplanti i nervit. Unë jam me diabet dhe këtu mund të rrezikoj krahun. Sa më parë ta bëj ndërhyrjen, aq më mirë për mua. I jam drejtuar me mesazhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për të më ndihmuar. Kam pasur dhimbje të jashtëzakonshme, dhimbje që nuk mund të durohen. Gjendja ime po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Po më rrezikohet jeta.
Ju thatë se keni kontaktuar me ministrin; ju ka kthyer përgjigje?
Jo, nuk më ka kthyer asnjë përgjigje. As “të shkuara” nuk më tha. Më dërgoi vetëm drejtorin e spitalit, Gjovalin Bushi.
Drejtori, ju tha se e kishte dërguar ministri?
Po. I thashë se çfarë shqetësimesh kisha. Më pas i kam dërguar sërish mesazh ministrit dhe nuk më ka kthyer akoma një përgjigje se çfarë do të bëhet me mua. I kam kërkuar të më çojë jashtë vendit.
Po mjekët e spitalit, çfarë ju kanë thënë?
Këtu më kanë thënë se në fillim duhet të mbyllet plaga, pastaj të bëjnë ndërhyrjen. Kurse klinika në Athinë më ktheu përgjigje se nuk ka asnjë problem plaga, pasi ndërhyrja duhet të bëhet urgjente: sa më parë, aq më mirë! Ua kam thënë mjekëve këtë gjë dhe më kanë thënë “do ta shohim mundësinë këtej” e “do ta shohim andej”, dhe deri më tani asgjë. Por, kirurgu Erjon Çato më ka qëndruar pranë në çdo rast dhe dua ta falënderoj për këtë. Përveçse më ka bërë mjekimet, më ka dhënë edhe forcë për hallin që më ka rënë. Vjen çdo ditë këtu dhe më jep kurajë.
Po mjekët, ju kanë dhënë ndonjë informacion më të detajuar pse ju thonë se fillimisht duhet mbyllur plaga?
Nuk kam arritur ta kuptoj këtë gjë. Nuk di nëse nuk kanë mjete të më bëjnë ndërhyrjen apo nuk kanë fonde.
Cili është apeli juaj?
Unë i kërkoj shtetit që të më çojnë për të kryer transplantin në një klinikë jashtë shtetit, që të më bëjnë edhe nervin, edhe kockën. Sepse unë tani po rrezikoj të humb krahun, ndoshta edhe më shumë se kaq. I kërkoj ministrit që të më çojë në një klinikë dhe të më heqë të gjitha shpenzimet. Unë kam qenë i siguruar. Kam pasur një biznes të vogël dhe i kam paguar shtetit çdo lloj takse. Duhet ta bëj ndërhyrjen sa më parë, para se të më rrezikohen krahu dhe jeta.
Ku keni punuar më parë?
Kam punuar në linjën Tiranë-Athinë me autobusët e Greqisë. Para shumë vitesh jam marrë edhe me transportin e mësuesve.
Nëse nuk merrni ndihmë nga shteti, si do të veproni më tej?
Nuk kam se çfarë të bëj vetëm, sepse nuk kam asnjë mundësi për të paguar ndërhyrjen. Nëse shteti nuk më jep ndihmën që më duhet, do t’i drejtohem ambasadorit amerikan. Vetëm ai mund ta gjejë të drejtën.
Ju vetë me të ardhurat tuaja, nuk keni mundësi të kuroheni jashtë vendit?
Jo, nuk kam mundësi, sepse shuma që më kanë kërkuar është marramendëse. Unë kam për të vdekur këtu dhe shumën nuk mundem ta paguaj. Ministri vetë thotë “shëndetësi falas”, e nga krahu tjetër të lë të vdesësh.
Sa kushton ndërhyrja që duhet të bëni?
Klinika greke më ka kërkuar 20 deri në 25 mijë euro.
Çfarë shprese të kanë dhënë pasi të kryhet ndërhyrja?
Më kanë dhënë 100% shpresë.

Related Posts :