Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

RTSH: “Shrëder: Drejtësia, kusht themelor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE” plus 8 more

loading...

RTSH: “Shrëder: Drejtësia, kusht themelor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE” plus 8 more


Shrëder: Drejtësia, kusht themelor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Posted: 26 Sep 2016 10:26 AM PDT

"Drejtësia është kusht themelor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian". Kjo ka qenë deklarata themelore që ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroder ka bërë sot në Tiranë në qendrën multikulturore COD i ftuar në konferecën “Mbi sfidat ekonomike të emigracionit dhe të integrimit brenda projektit europian".  "Reforma në drejtësi është kusht themelor për nisjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Do të ishte bukur nëse do të niste shpejt, por për këtë duhen bërë edhe hapa kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” tha zoti Shrëder.  “Pa reforma çdo sistem shoqëror ngurtësohet. Pa reforma rruga e sukssesshme e Shqipërisë drejt BE do të jetë e pamundur. Inkurajoj cdo qeveri në rrugën e reformave. Shqipëria do t’i përballoj me sukses bashkë me solidaritetin europian” shtoi ai.  Ish kancelari Shrëder tha më tej se “Bashkimi Europian mbështet vendin tuaj. Merkel e bëri të qartë mbështetjen për Shqipërinë. E Shqipëria drejt BE-së është me rëndësi dhe interes për të gjithë. Edhe Shqipërisë i duhet BE, edhe BE-së i duhet Shqipëria. E ardhmja e këtij vendi është në mënyrë të qartë në Bashkimin Europian për shkak të identitetit të tij europian”. Zoti Shrëder u shpreh se ” Jam i vetëdijshëm edhe për shumicën e popullsisë myslimane. Por Shqipëria është një shembull pozitiv europian, ku komunitetet fetare bashkëjetojnë në paqe me njëri-tjetrin" tha ai.

Pasi ka përmendur rolin themelor konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ish kancelari ka përshëndetur fort përpjekjen e përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë për të anëtarësuar vendet e tyre në BE, si dhe takimin Rama – Vucic. "Takimi Rama-Vucic, i pari mes krerëve të dy vendeve pas 70 vitesh u quajt gjest i madh në Gjermani. Kemi nevojë për një rajon të Ballkanit Perëndimor të qëndrueshëm e të zhvilluar ekonomikisht" tha ai.

Ndërsa kryeministri Rama ka kërkuar që Europa të ndryshojë politikat në trajtimin e refugjatëve edhe ish-kancelari gjerman Schroder ka kërkuar solidarizim të të gjithëve me refugjatët. “Problemi i tyre nuk është vetëm I Gjermanisë, por gjithë Europës” tha ai.  Për sa i përket cështjeve të tjera me rëndësi si paqja dhe siguria në Europë e përtej saj, zoti Shrëder u përgjigj se kjo mund të arrihet mes bashkëpunimit dhe dialogut e jo konfrontimit.

Nishani: Reforma në drejtësi-jetike për proceset integruese të vendit

Posted: 26 Sep 2016 09:56 AM PDT

Reforma në drejtësi dhe miratimi në tërësi i paketës kushtetuese të saj është një nga kushtet themelore të anëtarësimit në bashkimin Europian të Shqipërisë. Për presidentin e Republikës Bujar Nishani kjo reformë është tepër jetike për proceset integruese të vendit. Nishani gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i tha këto deklarata gjatë një interviste për Zërin e Amerikës. Presidenti Nishani foli edhe për zhvillimet e tjera politike dhe sociale që po zhvillohen në Shqipëri ndërsa tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë sfidat më të rëndësishme që duhen luftuar pa kompromis.

Takimi Meta-Arvizu për reformën në drejtësi dhe trafikun e drogës

Posted: 26 Sep 2016 09:18 AM PDT

Ish ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë Aleksandër Arvizu tashmë Ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar Narkotik dhe Sundimit të Ligjit, u prit nga kreu i parlamentit Ilir Meta. Ata biseduan per forcimin dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, krimit të organizuar dhe kundër të gjithë elementëve të tjerë kriminalë që shkojnë ndesh me axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë.Siç njofton zyra e shtypit e kuvendit, Meta- Arvizu folën mbi ecurinë e reformës në drejtësi për të cilën ish ambasadori SHBA-ve vlerësoi miratimin me konsensus të ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend si dhe, rolin e kreut te kuvendit përsa i takon kësaj reforme. Gjithashtu, kryeparlamentari theksoi se, reforma në drejtësi duhet të shoqërohet me dekriminalizimin e plotë të politikës dhe institucioneve shqiptare, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të besueshëm politik dhe institucional për zbatimin me efikasitet të reformimit të tërë sistemit të drejtësisë. Në takim u vlerësua edhe mbështetja amerikane në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Teksas, 6 të plagosur nga të shtënat në një qëndër tregare

Posted: 26 Sep 2016 08:56 AM PDT

Një burrë ka hapur zjarr në një qendër tregtare të Hjustonit në Teksas, duke shkaktuar plagosjen e 6 personave. Policia ka publikuar lajmin e të shtënave me armë zjarri në profilin e saj në "Twitter", duke folur për disa persona të transportuar në spital dhe ka saktësuar se agresori është qelluar për vdekje nga armët e agjentëve të policisë. E gjithë zona është izoluar. Në profilin zyrtar të policisë lexohet që "i dyshuari ka mbërritur i vdekur në spital". Pak më herët, autoritetet kishin komunikuar që forcat e policisë kishin kontrolluar makinën e autorit. Burri filloi të qëllojë kundër makinave që kalonin përballë qendrës tregtare, e cila ndodhet në nje zonë rezidenciale. Por policia e neutralizoi me një të shtënë pistolete duke e plagosur fillimisht. Pas ngjarjes, një dëshmitar rrëfeu se kishte dëgjuar rreth 30 të shtëna. Edhe pse situata u duk se u kthye nën kontroll, agjentët i këshilluan qytetarët të mos dilnin nga shtëpitë. Agresioni në qendrën tregtare të Hjustonit, vjen disa javë pas tensionit në SHBA: në 24 shtator, një djalë vrau 5 persona në një qendër tregtare të Burlington (Siatëll), pikërisht disa ditë pas sulmit të një studenti somalez në një tjetër qendër tregtare në Minesota.

KATEGORIA E PARË, LUSHNJA-TOMORI 1-0, DIREKT NË RTSH

Posted: 26 Sep 2016 07:31 AM PDT

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet ndryshe si Kategoria e Parë, ka luajtur të hënën ndeshjet e fundit të javës së saj të parë. Siç dihet, kjo Kategoria, edhe për efekt gjeografik, është ndarë në dy grupe, atë të Jugut, që njihet si grupi A, dhe atë të Veriut, që njihet si grupi A. Kështu, në takimin që nisi të luhet në ora 14:00 dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Lushnja ka mundur minimalisht Tomorin e Beratit me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e dytë. Sikundër është bërë e ditur, në bazë të kontratës së nënshkruar pak javë më parë me Federatën Shqiptare të Futbollit, transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt 3 prej takimeve më të spikatura të çdo jave të Kategorisë së Parë. Takimi i zhvilluar në Stadiumin "Roza Haxhiu" të Lushnjës u vendos në minutën e 55-të, me golin e shënuar për vendasit nga futbollisti peqinas, Endri Magani. Të dielën, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar solli për sportdashësit takimin midis Dinamos dhe Shkumbinit, që u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje.

Shpallet kompania që do mirëmbaje tunelin e Kalimashit

Posted: 26 Sep 2016 06:40 AM PDT

Mirëmbajtja dhe menaxhimi i pajisjeve dhe sistemeve të Tunelit të Kalimashit do të jenë tashmë përgjegjsi e firmës 4 A-M shpk . Kjo kompani ishte ofertuesja e vetme që iu përgjigj kërkesës së Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas publikimit në buletinin e Agjensisë së Prokurimit Publik vlera e kësaj mirëmbajtje për vitin 2016 është 164.5 milionë lekë. Ndërkohë  ARRSH ka konfirmuar që në rast se zgjidhet ngërçi i krijuar me shpalljen e fituesit të mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës, kontrata për mirëmbajetjen e tunelin do të anullohet për të mos u krijuar kosto e dyfishtë. Por ngërçi për të gjithë Rrugën e Kombit u krijua që nga data 6 shtator kur Komisoni i Prokurimit Publik i ka dhënë të drejtë ankimimit të shoqërive Catilist, Salillari dhe Kastrati të cilët në 1 gusht ankimuan vendimin e komision të shqyrtimit të ofertave të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për vendim të padrejtë në shpalljen e fituesit të gares për konçensionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot – Morinë. Vetë ministria e transportit ka ankimuar këtë vendim i cili aktualisht është akoma në proçes shqyrtimi.

Rusi 2018: Ukrainë – Kosovë në prani të tifozëve

Posted: 26 Sep 2016 06:11 AM PDT

Federata Ukrainase e Futbollit ka njoftuar sot në lidhje me ndeshjen me Kosovën, që zhvillohet më 9 tetor në Krakov të Polonisë, e vlefshme për kualifikimin në botërorin Rusi 2018. Ata kanë përgënjeshtruar mediat ukrainase dhe ato polake, se për shkaqe sigurie, ndeshja mund të luhet pa tifozë.

“Ndeshja me Kosovën do të luhet në praninë e tifozëve”, thuhet në njofimin e federatës ukrainase, raporton Olle.

Ky është një lajm shumë i mirë për mbështetësit e Kosovës të cilët munden të ndjekin në stadium djemtë e drejtuar nga Albert Bunjaku.

AKIP: Kryeministri të konsiderojë grup interesi të gjithë popullin shqiptar

Posted: 26 Sep 2016 06:11 AM PDT

Aleanca Kundër Importit të Plehrave deklaron se takimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama me një grup të njohur si “Shoqata e Ricikluesve” përbën veprimin e rradhës propagandistik dhe të pavlerë të kryeministrit në mbrojtje të importit të plehrave.

AKIP i sugjeron kryeministrit që të mos konsiderojë “grup interesi” vetëm 11 përfaqësuesit e fabrikave të plehrave, por, në përputhje me ligjet në fuqi, të konsiderojë grup interesi të gjithë popullin shqiptar dhe në veçanti, të konsiderojë grup interesi të gjitha komunitetet që jetojnë pranë fabrikave të riciklimit.

AKIP hedh edhe një herë poshtë pretendimin se ligji i miratuar së fundmi është i ndryshëm nga ai i vitit 2011. Në formë dhe në thelb, ligji i fundit është ekzaktësisht i njëjti me atë të vitit 2011 dhe si i tillë, duhet rrëzuar.

Ligji për importin e plehrave është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar pa kaluar në proçedurat e rregullta ligjore të konsultimit publik, thuhet në deklaraten e AKIP, shkel rregullat e legjislacionit aktual shqiptar.

AKIP i bën thirrje popullit të bashkohen në protestën 1 tetorit në Bulevard në Tiranë.

Veliaj në segmentin Lundër-Farkë: Standarde të njëjta qendër-periferi

Posted: 26 Sep 2016 06:01 AM PDT

Bashkia e Tiranes ka zgjeruar hartën e investimeve, duke shkuar edhe në zonat periferike, që iu shtuan administrimit të saj me ndarjen e re territoriale. Në përfundimin e rrugës që lidh Lundren me Farken, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se institucioni që drejton ka hartuar një plan për rrugët lidhëse mes fshatrave, që sipas tij do të sjellë jo vetëm përmirësim të infrastruktures, por rritjen e vlerës së prones. Sipas Kryebashkiakut investimet e Bashkisë janë edhe impakt i mbledhjes së taksës së prones, e cila për herë të parë këtë vit është mbledhur në masën 93%.

Related Posts :