Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Rusi, mbahen zgjedhjet parlamentare. Fushata, pa zërat kritikë kundër Putinit” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Rusi, mbahen zgjedhjet parlamentare. Fushata, pa zërat kritikë kundër Putinit” plus 9 more - Gazeta Dita


Rusi, mbahen zgjedhjet parlamentare. Fushata, pa zërat kritikë kundër Putinit

Posted: 18 Sep 2016 02:13 AM PDT

Shume pak femra janë ne gare, ndërsa fushata u dominua nga meshkujt

Rusët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të vendit, të cilat pritet të dominohen nga mbështetësit e presidentit Vladimir Putin.

Zonat e largëta lindore ishin të parat që votuan në një vend që, për shkak të shtrirjes së madhe gjeografike ka 11 zona kohore.

Zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2011 u pasuan nga protesta masive, pasi u zbuluan vjedhje të votave. Për herë të parë këtë vit, Rusia po mban zgjedhje edhe në Krime, gadishull të cilin e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, një lëvizje e dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Votuesit rusë do të zgjedhin 450 anëtarët e Dumës, apo Dhomës së Ulët, për 5 vitet e ardhshme.

Parlamenti në largim ka vetëm një grusht deputetësh kundërshtarë të presidentit Putin. Pavarësisht problemeve ekonomike dhe tensionit me Perëndimin për konfliktet në Ukrainë dhe Siri, ekspertët thonë se fushata zgjedhore në vend ishte më e mërzitshmja që mbahet mend.

Apatia e madhe e njerëzve gjatë fushatës sugjeron se pjesëmarrja në votime mund të jetë e ulët. Disa kundërshtarë të Putinit mundën të që flasin publikisht në televizione apo mitingje, por figura të rëndësishme që tërheqin vërtet turma, si Alexei Navalny, nuk u lejuan që të bënin fushatë.

Sondazhet e para priten të dielën në mbrëmje, megjithëse shumë pak njerëz kanë dyshime për rezultatin e zgjedhjeve. Ndërkohë, Ukraina ka shprehur kundërshtimin e saj të ashpër për mbajtjen e zgjedhjeve në Krime, duke e cilësuar këtë si një tjetër shkelje të rëndë nga Moska.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha se Rusia nuk diskuton me vende të tjera procesin elektoral në territorin e saj, duke lënë të kuptohet se votimi në Krime do të vazhdojë dhe se Ukraina nuk ka ç'të bëjë.

Gruaja mbërrin e vdekur në spital, la dasmën në mes

Posted: 18 Sep 2016 02:03 AM PDT

Një grua ka mbërritur e vdekur në spitalin "Nënë Tereza" mëngjesin e sotëm.

Burimet zyrtare të policisë thanë se shtetësja Rajmonda Biraçi ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta.

Mësohet se 47 vjeçarja kishte qenë në një dasmë në Pezë ku është ndjerë keq dhe më pas është dërguar menjëherë nga familjarët në spital.

Të njëjtat burime, bëjne me dije, se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, mendohet se nga një infarkt në zemër.

Policia po punon për sqarimin e rrethanave të vdekjes.

Albano Carrisi, koncert në Tiranë për shenjtërimin e Nënë Terezës

Posted: 18 Sep 2016 01:53 AM PDT

Këngëtari i njohur italian, Albano Carrisi dha të shtunën në darkë një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në nder të shenjtërimit të Nënë Terezës.

Nga skena e Pallatit të Kongreseve, Carrisi performoi disa prej këngëve më të mira nga repertori i tij, që kanë shënjuar një epokë në muzikën italiane dhe kanë ndikuar po ashtu gjenerata të tëra edhe në Shqipëri.

Koncerti u organizua me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, 20- vjetorit të shoqatës kulturore "Al Bano Carrisi", si edhe të 27-vjetorit të organizimit të koncertit të parë që dha çifti i këngëtarëve Al Bano & Romina Pouer (17 shtator i vitit 1989) në Tiranë.

Albano Carrisi, i cili mban edhe nënshtetësinë shqiptare, është ndër këngëtarët italianë me më shumë fansa në Shqipëri dhe koncerti i tij është pritur me mjaft interes.

Hyrja në koncert ishte e lirë për të gjithë të interesuarit që dëshironin të përjetonin live emocionet e dhuruara nga zëri i famshëm italian.

Albano Carrisi ka ardhur në Tiranë me ftesë të shoqatës kulturore "Al Bano Carrisi". Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, këngëtari i njohur italian me shtetësi shqiptare, Albano Carrisi, është nderuar edhe nga Bashkia e Tiranës me Çelësin e Qytetit

Gazetarët rusë të dëbuar: Do të kthehemi në Kosovë

Posted: 18 Sep 2016 01:52 AM PDT

"Do të kthehem padyshim sërish në Kosovë e Metohi sepse dua që të xhiroj reportazhe për jetën e serbëve, por edhe për tempujt ortodoksë e pozitën e tyre".

Kështu ka thënë gazetari rus, Sergej Belous, për "Novosti" menjëherë pas deportimit nga Kosova, gjegjësisht kur atë dhe kolegen e tij, Roksana Sazonova, Policia e Kosovës i ka përcjellë deri në kufirin me Serbinë, në pikëkalimin e Merdarit, prej ku të premten mbrëma kaluan në Serbi, transmeton Koha.net.

Policia e Kosovës, dy gazetarët rusë të "News front" i arrestoi të enjten mbrëma në qendër të Rahovecit, për shkak të kalimit ilegal të kufirit dhe për hyrje në territor të Kosovës pa viza.

Sulm me thikë në SHBA, plagosen 8 persona

Posted: 18 Sep 2016 01:44 AM PDT

Tetë persona janë plagosur pas një sulmi me thikë në një qendër tregtare në veri të shtetit të Minnesotas në SHBA.

Të plagosurit, sipas zyrtarëve amerikanë nuk kanë lëndime serioze.

I dyshuari i këtij sulmi në qytetin St.Cloud, është vrarë nga një polic që nuk ishte në detyrë.

Sulmuesi, që kishte një thikë, ishte veshur me uniformë të sigurimit,gjatë kohës së sulmit dhe ka bërë "disa referenca të Allahut", ka thënë shefi i policisë në St.Cloud, Blair Anderson.

"Ne e kemi konfirmuar se sulmuesi kishte pytur të paktën një person se a është mysliman, përpara se t'i sulmonte", ka shtuar Anderson.

Shefi i policisë ka refuzuar që ta quaj këtë sulm si akt të terrorizmit, duke thënë se motivet e këtij sulmi janë akoma të panjohura.

Këngët e popullit tim

Posted: 18 Sep 2016 01:31 AM PDT

Ja si i ka kënduar populli shqiptar udhëheqësve  duke nisur nga Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta e Lulzim Basha 

Zog, King of Albania. ca. 1928-1939 indoors
Mbreti Zog

Populli shqiptar i ka kënduar kurdoherë me zjarr e dashuri udhëheqësve të vet. Këngë, vjersha e poema të pafundme i janë thurur udhëheqësve nga Ahemt Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta e deri tek Lulzim Basha.

Pa u zgjatur ju sjellim vargjet unike për mbretin Ahmet Zogu, të shkruara me zjarr e dashuri. Po të mos e kesh mendjen duket sikur je duke dëgjuar këngë për Enver Hoxhën, sepse është ai vargu i famshëm "Rrofsh sa malet tona!"  ose "Rrofsh sa moshë e kësaj toke, apo març' nga ditët tona…".

Me të nëjtën dashuri i ka kënduar populli edhe Sali Berishës ku spikasin vargjet: "Në qiellin blu o e t'lir t'jet shqipja, prin në ball o Sali Berisha, Si një lule rrit nër pisha, emri tij Sali Berisha". Është po kaq e ndjerë kënga për Edi Ramën: "Anembanë gjëmon këmbana; Edi Rama Edi Rama; Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Evrop".enver-hoxha

Për të mos u humbur është kënga për Ilir Metën: "Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skrapar;  të mbajë në pëllëmbë të dorës…;Kush mi qan hallet e mija; Ilir Meta LSI-ja!". Po kaq emocionuese është edhe kënga që i kushtohet Lulzim Bashës: "O moj Serbi, o varrin ta plasa, O se k'tu po i  thon' more Lulzim Basha".

Këngë për Ahmet Zogun

zogu-treRroftë mbret Zogu i Parë

Që si dragua nuk përtoj

Po me nji grusht atdhetarë

Armikët i Ç'qeu e i coptoi

Është ylli i Shqipërisë

Që Perendija ia dhuroi

Ngriti flamurin e Shqipnisë

E nga rrezikët na shpëtoi

Ësht i lumtur shteti ynë

Sa askush tjatër s'ia shkon

Si dragua e ka synë

Sa gjithë botën e copton

Kjo është dita e shkëlqyer

Kur flamuri kuq e zi valon

Flamuri i papërlyer

Rrofsh o mbret sa malet tona

Këngë për Enver Hoxhën

Dëgjo Argjiro shqiponja, këngën që të sjellë gjitonja

Ç'të ka lezet lëmi i këngës për birin e shtrenjtë të zëmrës

Moj nëna gjirokastrite gjiri yt me qumësht drite

Dhe mbi gjithë djepet që rrite, ç't'i jepje shqipes e dite

Lum si ne……

Shqipërisë fjala jote

Ushtrim dhe flamur epoke

Ju bë dritë si ëndërronte

Rrofsh sa moshë e kësaj toke…

 

Këngë për Sali Berishën

Në qellin blu o e t'lir t'jet shqipja

prin në ball o Sali Berisha

Si një lule rrit nër pisha

emri tij Sali Berisha

Sot po je për në Tiranë

po n'Tropoj zemrën ke lanë

Shumë njerëz t'kan inatin,

ty 12 po t'rrin sahati

Këngë për Edi Ramën

Që nga Shkodra gjer në Vlorë

dje e mori partinë  në dorë

uragani popullorë vendosi me votë

Vendosi me shpresë dhe bindje

për rilindje për rilindje

Foli prapë historia nuk përkulet shqipëria;

S'duron t'i preket liria ajo të gjykon

Vendimi që merr sovrani peshë e rëndë jatagani

Vlorë e dallgës Vlorë e nurit me zemër uron

Anembanë gjëmon këmbana

Edi Rama! Edi Rama!

Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Evropa

 

Këngë për Ilir Metën

Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skraparë

të mbajë në pëllëmbë të dorës

Jam i ri, jam beqar nuk kam borxhe për të larë

e kam zemren si behar lindur rritur në Skraparë

 

 

Thellë në malet e Skraparit lindi burri i vatanit

Kush m'i qan hallet e mija

Ilir Meta, LSI-ja!

Këngë për Lulzim Bashën

O moj Serbi, o varrin ta plasa,

O se k'tu po i thon' more Lulzim Basha!

O moj Serbi, u murin ta prisha,

O k'tu po i thon o Sali Berisha!

O moj Serbi, o zemrën ta kalli,

O k'tu poi thon' o Azem Hajdari!

O po qan zemra, o n'demokraci e

O t'kem Lulzim Bashën, o kryetar bashkie!

Populli po vazhdon të shkruaj këngë. Të tjerë udhëheqës do të gëzojnë çastet e lumtura që të jep ai moment, kur populli të këndon këngë zemre./27.al

Gjermania kërkon 46 mijë punëtorë/ Profesionet dhe si të aplikoni

Posted: 18 Sep 2016 12:46 AM PDT

Gjermania dhe kompanitë e saj kanë të hapura 46.608 vende pune për të cilat mund të aplikojnë qytetarë nga vendet e Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë.

Mjekë, infermierë, inxhinierë të të gjitha kategorive, teknikë kompjuterash, zanatçinj, si hidraulikë, elektricistë, muratorë, mekanikë makinash, gomistë janë vetëm disa nga profesionet për të cilat mund të aplikohet nëpërmjet portalit on-line "Make it to Germany".

Kjo faqe në internet është çelur në bashkëpunim nga ministria e Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë, nga ministria e punës dhe Çështjeve Sociale si dhe nga Agjencia gjermane e Punësimit.

Në këtë link, ju mund të shihni se cilat profesione kërkohen më së shumti nga punëdhënësit gjermanë: http://www.make-it-in-germany.com/en. Për të konkurruar për vendet e punës, është e nevojshme të tregoni se keni nivel arsimor dhe të respektohen rregullat e lejes së qëndrimit në Gjermani.

Ambasada Gjermane në Tiranë ka publikuar një udhëzues për të gjithë ata persona që janë të interesuar të punësohen me dokumente të rregullta në Gjermani. Sipas tij, personat që mund të punësohen me dokumente të rregullta ndahen në dy kategori:

Ata që kanë një vend të garantuar pune nga punë-dhënësi e që përmbushin kushtet për një lëshim vize dhe ata që kanë kualifikime të veçanta pune./GSH/

PROFESIONET QE KERKOHEN NGA GJERMANIA

– Asistent teknik

– Inxhinier mekanik

– Elektricist

– Instalues elektrik

– Elektricist për ndërtimin

– Hidraulik

– Teknik i ngrohjes

– Punëtor pa kualifikime për ujë

– Shofer

– Monitorim i infrastrukturës hekurudhore

– Mirëmbajtja e infrastrukturës në hekurudhat

– Infermierë në pediatri

– Infermierë në kirurgji

– Infermierë në klinikë

– Anesteziolog

– Ndihmës anesteziolog

– Kujdestarë për të moshuar

– Specialistë në klinika gjeriatrike

– Specialistë në onkologji

– Specialistë në endoskopi

– Specialistë në nefrologji

– Specialistë në rehabilitim

– Profesionistë të shëndetësisë

– Teknikë kompjuterash

– Hidraulikë

– Muratorë

– Mekanikë makinash

– Gomistë

Prodhuesit e çimentos: Çarja në sipërfaqe

Posted: 18 Sep 2016 12:44 AM PDT

Pse firmat gri duhet të bëhen të gjelbra

Industria e çimentos është njëra prej industrive më ndotëse në botë, e cila llogarit çdo vit rreth 5% të emetimeve të dioksidit të karbonit në botë, shkruan The Economist. Prodhimi i lidhësit më të fortë kërkon sasi të mëdha të energjisë dhe ujit. Karbonati i kalciumit, përgjithësisht në formën e gurit gëlqeror, silici, oksidi i hekurit dhe aluminati shkrihen pjesërisht në një furrë të veçantë në temperaturën 1450°C.

Produkti i ndërmjetëm që del si rezultat i procesit të mëparshëm, përzihet me gips dhe dhѐ (tokë) për të prodhuar çimenton, përbërësi kryesor i betonit. Thyerja e gurëve gëlqerorë prodhon gjysmën e emetimeve, pjesa tjetër vjen nga djegia e gazrave fosile për të ngrohur furrën.

Rreth 4.3 miliardë tonë çimento u përdorën në vitin 2014, vetëm Kina ka nevojë më shumë se gjysmën e asaj sasie. Gjithashtu, ajo prodhon 60% të saj, e ndjekur në distancë nga India dhe Amerika. Industria ka një qarkullim prej 250 miliardë dollarësh në vit.

Firmat e çimentos nuk kanë shkaktuar zemërim tek aktivistët e mjedisit, siç e kanë bërë firmat e naftës. Por, kjo mund të ndryshojë nëse ata i drejtojnë përpjekjet për të zvogëluar emetimet në mënyrë të vazhdueshme, për të mbajtur temperaturën botërore 2°C më të ulët si në periudhën e paraindustrializimit. Tani për tani, pak firma kanë vendosur objektiva mjedisorë, të cilat janë mjaft të vështira.

Arsyeja kryesore ka qenë mungesa e financave të domosdoshme, por kjo po ndryshon. Dhe si kanë ardhur punët për shumë industri, mbrojtja e mjedisit kursen para. Pothuajse një e treta e kostove të prodhimit të industrisë i faturohet energjisë. Meremetimi i furrave të vjetra për të përmirësuar efikasitetin mund ta pakësojë energjinë që përdor industria me dy të pestat, sipas Carbon Disclosure Project, një grup kërkimor.

Një tjetër mënyrë për të mbrojtur mjedisin është zëvendësimi i zgjyrës së metaleve në çimento me përdorimin e hirit të qymyrit që vjen nga bimët (shtresa të formuara nga karbonizimi i ngadaltë i bimëve) apo skorieve nga furrat e çelikut, të cilat janë duke u rralluar dhe duke u shtrenjtuar.

Mbledhja e gazit të karbonit dhe izolimi i tij, shpesh në nëntokë, është një tjetër mënyrë për të pakësuar emetimet. Por angaria dhe kostoja e lartë e një skenari të tillë e bën këtë praktikë një gjë të rrallë. Ka disa mënyra se si mund të reduktohen kostot në vendet e pasura.

Në vend që të groposet dioksidi i karbonit dhe mbetjet e tjera të procesit, Blue Planet, një firmë çimentoje me bazë në Kaliforni, krijon prej tyre materiale për ndërtim në formën e mbetjeve të betonit. Në këtë mënyrë bëhet riciklimi duke prodhuar beton dhe duke shmangur nevojën për më shumë gurë gëlqerorë.

Ashtu si të gjitha firmat e mëdha të çimentos prodhojnë dhe materiale ndërtimi, si betoni dhe asfalti, çlirimi i emetimeve për të prodhuar të tilla produkte ja vlen. Gjithashtu mund të zvogëlojnë hapjen e vaskave për të shkrirë gurin gëlqeror, të cilat janë tepër ndotëse. Blue Planet po siguron materialet për ndërtimin e aeroportit të ri të San Franciskos dhe ka shumë projekte në të gjithë Amerikën e Veriut.

Grupi i bosëve të çimentos, ndaj të cilëve aktivistët e mjedisit duhet të fitojnë, janë të pakët. Vetëm 6 firma, LafargeHolcim, AnhuiConch, CNBM, Cemex, Heidelberg dhe Italcementi dominojë tregun global. Dy të fundit kanë vendosur të bashkohen, duke lënë vetëm 5 "përbindësha" në treg.

Natyra e industrisë na ndihmon të shpjegojmë prirjen për konsolidim. Pesha e rëndë e çimentos dhe e përbërësve i bën materialet të vështira për t'u transportuar, duke krijuar tregje lokale. Kompanitë preferojnë që të hyjnë në tregjet e largëta duke blerë kompanitë vendase.

Marrëveshjet janë shumëfishuar, sikurse firmat në vendet e pasura mburren karshi atyre të vendeve në zhvillim dhe, sipas rastit, edhe anasjelltas. Ngadalësimi i rritjes së Kinës ka krijuar një tepricë oferte të madhe të çimentos në vend, që do të përkthehet në marrëveshje të reja.

Konsolidimi i mëtejshëm, që do të rrisë ekonominë e shkallës, do të ndihmojë industrinë që të pastrohet. Kina do të prezantojë një skemë të tregtimit të karbonit në vitin 2017, si dhe skema e BE-së do të pakësojë emetimet me 2.2% çdo vit pas 2020. Industria po preket nga legjislacioni për frenimin e emetimeve, thotë Phil Reseberg nga Sanford C. Bernstein, një firmë kërkimi.

Disa prej gjigantëve të çimentos të paktën po marrin masa. LafargeHolcim po përdor tashmë një çmim të brendshëm për karbonin 32 dollarë për ton ndërsa Heidelberg operon me çmimin 23$ për ton. Në ndryshimin e mjedisit politik dhe rregullator, investitorët mund të fillojnë të shikojnë një çarje në modelin e biznesit të firmave që do të ngecin në mënyrat e vjetra të ndotjes së industrisë./MONITOR

Qumështi, 65% e tregtisë në të zezë

Posted: 18 Sep 2016 12:42 AM PDT

Formalizimi në bujqësi dhe mbështetja e tij me subvencione nuk po funksionon për shkak se sektori është zhytur thellë në informalitet. Rasti i qumështit tregon se produkti grumbullohet dhe tregtohet 65% në të zezë. Nga 450 baxho dhe fabrika, vetëm 150 janë të regjistruara. Si nuk po funksionin skema e formalizimit nëpërmjet subvencionit nga pagesat e ulëta dhe komisionet e larta bankare

Në të gjithë zinxhirin e industrisë së përpunimit të qumështit ka aktorë që operojnë në mënyrë informale, pa pasur NIPT-in dhe pa lëshuar fatura me TVSH.

Këshilli i Investimeve ka zhvilluar një studim të hollësishëm mbi prodhimin dhe tregtimin e qumështit në vend dhe ka vërejtur se 65% e aktivitetit zhvillohet në informalitet të plotë.

Këta "xhepa të zbrazët" krijojnë premisa për informalitet dhe çojnë drejt operacioneve problematike për aktorët e tjerë, ata formalë në këtë zinxhir, duke krijuar probleme serioze që sektori i bujqësisë të përfitojë njësoj nga subvencioni.

Në veçanti, grumbulluesit informalë të qumështit dhe baxhot informale jo vetëm që qarkullojnë volume të mëdha të qumështit dhe kapital të konsiderueshëm, por gjithashtu përmes operacioneve të tyre informale dëmtojnë përpjekjet për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve. Përderisa cikli i TVSH-së nuk është i mbyllur, rrjedhimisht nuk mund të jetë efektiv në mënyrë të mjaftueshme.

Analiza e Këshillit të Investimeve vë në dukje se, transaksionet nëpërmjet sistemit bankar për të gjithë prodhuesit nuk janë një mënyrë efikase, për më tepër duke pasur parasysh se shumica e tyre duhet të udhëtojnë në distanca të gjata për të arritur bankat në qytete dhe shuma e parave të marra nga shitja e qumështit është shumë e vogël në krahasim me përpjekjet, kohën e harxhuar dhe shpenzimet.

Ka mungesë informacioni dhe vështirësi në ndërgjegjësimin e fermerëve mbi legjislacionin tatimor dhe ndryshimet e tij, si dhe të gjithë skemën e formalizimit. Kapacitetet administrative rajonale përgjegjëse janë të kufizuara dhe shpesh jo afër fermerit për t'i asistuar.

Problemet në regjistrimin e tokës dhe tregun e saj, identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve, mungesa e besueshmërisë së të dhënave statistikore kërkojnë adresim të qartë për të mundësuar formalizimin afatgjatë të sektorit.

Baxhot, 65% informale
Sektori i blegtorisë shqiptare është dhe do të mbetet pjesë e kërkesës në rritje për sasi dhe cilësi për t'ju përgjigjur nevojave të popullsisë. Edhe pse statistikat bujqësore nuk japin të dhëna plotësisht të besueshme dhe të sakta, disa prej shifrave që lidhen me sektorin e blegtorisë tregojnë se numri i fermave që merren me blegtori është 352 mijë.

Fermat që merren kryesisht me gjedh janë 214,9 mijë, ato që merren kryesisht me dhi janë 23,4 mijë dhe dele 47 mijë.
Sasia e qumështit në një nivel prej 1,1 milionë tonësh në vit prodhohet nga 358 000 lopë, 1,896,000 dele dhe 904,000 dhi.
Për shkak të menaxhimit më të mirë, tendenca është drejt uljes së numrit të krerëve të bagëtive dhe rritjes së prodhimit të qumështit dhe mishit.

Rreth 80% kanë nga 2 deri në 4 lopë; rreth 15% kanë nga 5 deri në 10 lopë, rreth 4% kanë nga 10 deri në 15 lopë, dhe vetëm 1% kanë mbi 15 lopë.
Qumështi përpunohet në baxho, të cilat afërsisht janë llogaritur të jenë 450, nga të cilat rreth 35% kryejnë veprimtari në mënyrë formale (të regjistruara, me Tatim mbi Vlerën e Shtuar – TVSH), ndërsa 65% veprojnë në mënyrë informale.

Si funksionon subvencioni

Një skemë pagese direkte për zonë (skemë subvencioni) me një vlerë totale prej 6 milionë eurosh filloi të zbatohet për herë të parë në vitin 2006. Aktualisht, mbështetja e qeverisë për sektorin e bujqësisë është 12,5 milionë euro, që në rastin e blegtorisë u adresohet fermerëve të regjistruar në mënyrë të ligjshme (NIPT), sipas skemës së TVSH-së, që bëjnë identifikimin dhe regjistrimin (I & R) e bagëtive.

Është përgatitur një regjim i veçantë për formalizimin e prodhuesit të bujqësisë dhe kompensimin e TVSH-së.
Në bazë të Udhëzimit Nr. 19, blerësi i produkteve bujqësore është subjekt i TVSH-së dhe taksave të tjera dhe ndjek një regjim normal TVSH-je. Blerësi lëshon një faturë TVSH-je për çdo produkt bujqësor të blerë nga fermerët (auto-faturë), ku cilësohet shitësi (prodhues) i produkteve bujqësore, NIPT-i i shitësit dhe të dhëna të tjera siç kërkohet në formën e miratuar të faturës.

Vlera totale e faturës përfshin vlerën që i është paguar fermerit, duke përfshirë normën e kompensimit të fermerit prej 20%. Kjo vlerë prej 20% ka për qëllim të mbulojë TVSH-në e paguar nga fermerët për blerjen e inputeve dhe shërbimet për prodhimin e produkteve bujqësore.

Me Udhëzimin Nr. 26, datë 26.10.2015 të ministrit të Financave u përcaktua se blerësi nuk ka të drejtë të kreditojë 20% të TVSH-së në rast se nuk provon kryerjen e kompensimit të fermerit përmes transaksioneve bankare (nga llogaria bankare e blerësit në llogarinë bankare të fermerit), ose përmes Shërbimit Postar të Shqipërisë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, fermerët me një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë, nuk konsiderohen tregtarë dhe në këtë rast, mbajtja e NIPT-it është e nevojshme vetëm për qëllimin e kompensimit të TVSH-së. Fermerët me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë duhet të regjistrohen si tatimpagues normalë që përdorin fatura me TVSH. Aktualisht vetëm rreth 30 000 fermerë kanë marrë NIPT.

Zinxhiri dhe aktorët e tij
Veprimtaritë në sektorin e nënprodukteve të qumështit përfshijnë furnizuesit e mallrave dhe shërbimeve, prodhuesit, grumbulluesit e qumështit, përpunuesit e qumështit, transportuesit, shitësit me shumicë, shitësit me pakicë, tregjet dhe përdoruesit fundorë.

Në vijim, secili prej aktorëve analizohet në funksion të formalitetit dhe informalitetit të veprimtarisë. industria e prodhimit të qumështit përfshin disa furnizues të mallrave dhe ofrues shërbimesh të tilla si: kompanitë e farave (misër, jonxhë); furnizuesit e foragjereve (koncentrate), furnizuesit e elementëve mineralë dhe vitaminave; farmacitë veterinare; furnizuesit e spermës; shërbimin veterinar; shërbimin e mbarështimit artificial; shërbimin e mekanizimit.

Aktualisht, shumica e furnizuesve të inputeve janë të regjistruar si tatimpagues të TVSH-së, ndërkohë që në shumë raste veterinerët, teknikët e mbarështimit artificial dhe operatorët e pajisjeve mekanike nuk janë të regjistruar si tatimpagues. Vetëm 30 000 fermerë kanë marrë deri më tani NIPT-in, përmes të cilit kanë hyrë në skemën e kompensimit të TVSH-së, në bazë të faturave me TVSH të përgatitura nga blerësit. Megjithatë, pjesa më e madhe e fermerëve nuk janë regjistruar ende.

Ka dy lloj grumbulluesish qumështi. individë që grumbullojnë qumështin dhe ua shesin baxhove (fabrikave të vogla apo të mëdha), ose direkt konsumatorëve ruralë dhe grumbulluesit e punësuar nga baxhot.

Të parët në shumë raste janë informalë, ndërsa të dytët janë pjesë e stafit të fabrikës së nënprodukteve të qumështit.
Nga 450 njësi të vogla përpunimi, ose "Baxho" dhe fabrika rreth 300 prej tyre operojnë në mënyrë informale dhe vetëm 150 janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese formale. Shumë prej njësive të paligjshme shërbejnë për të furnizuar popullsinë lokale rurale.

Për shkak të detyrimit për zbatimin e ligjit, transportuesit janë duke operuar në mënyrë formale, sidomos ata që transportojnë qumështin dhe nënproduktet e tij drejt zonave urbane. Shitësit me shumicë dhe pakicë gjithnjë e më shumë po veprojnë në një mënyrë të formalizuar, veçanërisht ata shitës me shumicë dhe pakicë që shesin në zonat urbane.

Pagesa me bankë si funksionon
Rreth 70%-80% e fermerëve shesin deri në 10-15 litra qumësht në ditë. Çmimi i qumështit është mesatarisht 38 lekë për litër dhe fitimi ditor është mesatarisht 380-570 lekë.

Pagesat nga blerësi janë bërë çdo 10 ose 15 ditë, kështu që shuma e përgjithshme për pagesë luhatet nga 3800-5700 lekë (në 10 ditë), ose 5700- 8550 (në 15 ditë).

Distanca mesatare e fermave nga qendrat e qyteteve ku gjenden bankat është midis 40-50 km. Kostoja e transportit është rreth 400 lekë. Për të marrë shërbimin duhen së paku 3 orë, i cili i konvertuar në lekë është rreth 400 lekë.
Komisionet bankare të përmuajshme luhaten nga 150 – 500 lekë dhe shpenzimet totale për çdo tërheqje të pagesës janë midis 950 – 1300 lekë.

Për shkak të transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar, shpenzimet e fermës kundrejt të ardhurave të nxjerra nëpërmjet shitjes së qumështit janë llogaritur të jenë midis 16,6% deri në 25% kur pagesat bëhen çdo 10 ditë dhe detyrimet bankare janë 150 lekë.

Në rastin tjetër shpenzimet e fermës janë 11,1% deri në 16,6% kur pagesat bëhen çdo 15 ditë dhe detyrimet bankare janë 150 lekë.

Baxhot e paregjistruara
Sipas studimit të Këshillit të investimeve, nga 450 njësi (njësi të vogla përpunimi, ose "Baxho" dhe fabrika) rreth 300 prej tyre operojnë në mënyrë informale dhe vetëm 150 janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese formale. Shumë prej njësive të paligjshme shërbejnë për të furnizuar popullsinë lokale rurale.

Sasia minimale e qumështit të përpunuar në një baxho është 500 litra në ditë. Në rastin kur baxhot funksionojnë gjatë të gjithë vitit, kapaciteti vjetor i përpunimit është182 500 litra. Çmimi i blerjes së qumështit është 6, 935,000 lekë në vit.
Nga kjo sasi e qumështit të grumbulluar është prodhuar 26, 071 kilogramë djathë Çmimi i shitjes së djathit 350 lekë për kilogram me një xhiro minimale vjetore 9, 124, 850.

Këshilli i investimeve rekomandon që të gjitha njësitë e përpunimit duhet të jenë pjesë e sistemit të faturave me TVSH, përndryshe konkurrenca e padrejtë do të rritet dhe cilësia e produkteve do të mbetet problematike. Përveç kësaj, për sa i përket standardeve të operacioneve, të gjitha baxhot duhet të inspektohen në mënyrë rigoroze nga autoritetet kompetente.

Fermat e copëzuara rrisin kostot
A-ja e problematikave të këtij sektori mbetet grumbullimi i qumështit dhe copëzimi i fermave, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 5 krerë bagëti. Kompanitë pohojnë se operojnë ende duke grumbulluar qumështin nga shumë fermerë, që kryesisht janë trajnuar nga vetë ata për t'jua sjellë lëndën e parë në kushtet që e duan.

Firmat përpunuese të qumështit vuajnë kufizimet e furnizimit dhe siguria e cilësisë së lëndës së parë është thembra e Akilit në këtë proces.

"Çmimi i lëndës së parë në vendin tonë është më i shtrenjtë sesa gjithë vendet e tjera të rajonit. Te ne, çmimi i qumështit në ferma varion nga 44 lekë deri në 58 lekë për litër, ndërsa në Hungari, çmimi i qumështit shkon edhe 28 cent për litër", – tha Luis Ndreka.

Nikolin Jaka, i cili ka në pronësi fabrikën e qumështit Ambla thotë se që një fermë të jetë eficiente, minimumi i kapacitetit është jo më pak se 600 (lopë) dhe rentabiliteti më i mirë arrin në 1200 të tilla. Një fermë e përmasave të tilla mundëson investimin në teknologjinë e mjeljes dhe atë të tregtimit.

"Sot nuk ka asnjë në Shqipëri, as me 600 dhe as me 1200. Por nga të gjithë analizat del se nuk kemi parë një projekt që qeveria të orientojë iniciativa të fermerëve, në këto përmasa, por vazhdojnë që të suportohen projekte të vogla, qoftë edhe me 2 apo 5 lopë, gjoja duke i shërbyer punësimit dhe mirëqenies familjare, ndërkohë që nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse fusin një produkt të kontaminuar në tregun e industrisë së qumështit", thotë Jaka.

Lënda e parë e shtrenjtë e bën industrinë pak konkurruese dhe ajo nuk ka diferencë në raft me produktet e importit. P.sh., Gjermania ose Hungaria sot e çon lëndën e parë për përpunim në Itali me 0.18 euro (rreth 25 lekë) për litër. Si rrjedhojë, çmimi përfundimtar pas përpunimit, del më i shtrenjtë për përpunuesit vendas.

"Çmimi që ne blejmë lëndën e parë, është i barabartë me atë që gjermanët kanë në raftet e marketit për t'u shitur", thotë Jaka. E gjitha kjo, sipas tij, vjen si rrjedhojë e mungesës së zinxhirit të lëndës së parë dhe mungesa e politikave të duhura të qeverisë, për të strukturuar dhe për të garantuar këtë sektor.

Vetë Jaka thotë se ai po studion një variant për të marrë qumështin (lëndën e parë për përpunim) nga Çekia me 45 lekë për litër dhe me cilësi shumë të mirë.

I vetmi investitor i huaj që hyri pak vjet më parë në industrinë e përpunimit të qumështit, kompania gjermane Meggle, duke blerë markën Fast në 2010-n, u tërhoq në mars të vitit 2015. Gjatë 2014-s, kompania rezultoi me humbje sistematike. Arsyeja kryesore duket se ishte konkurrenca e pandershme.

Meggle blinte qumësht cilësor te furnitorët me 50 lekë për litër, ndërsa kompanitë e tjera e grumbullonin jo më shumë se 30 lekë për litër, duke mos respektuar standardin. Në këtë mënyrë, Meggle e ka pasur të pamundur të përballojë kostot, duke ofruar çmime konkurruese. Për ironi, Meggle vijon të jetë e pranishme në supermarketet shqiptare, por tashmë me qumësht të importuar të markës së saj.

A është zgjidhje subvencionimi
Luis Ndreka, drejtor i "Lufra", thotë se një zgjidhje për të rritur konkurrueshmërinë është subvencionimi. "Në vendet e rajonit dhe ato të zhvilluara, shteti subvencionon zhvillimin e bujqësisë dhe kjo e ul koston e prodhimit të lëndës së parë. Ndryshe ndodh në Shqipëri, ku realisht këtë 'subvencion' po e bëjnë kompanitë e bulmetit, duke e blerë qumështin me një çmim të shtrenjtë".

Saimir Begaj, drejtor i kompanisë "Erzeni", sjell shembullin e rajonit. Kosova, edhe pse me problematikat e pas luftës, në drejtim të bujqësisë ka bërë një progres të konsiderueshëm, kryesisht duke e nxitur fermerin me anë të subvencioneve mbi bazën e cilësisë. Kjo gjë përkthehet me përmirësimin e racave të bagëtive dhe përmirësim të kushteve higjieno-sanitare të pasmjeljes.

"TVSH-ja në Kosovë për produktet e bulmetit është diku te 7-8% si në blerje ashtu edhe në shitje. Çmimi i shitjes së qumështit me sa di unë është diku te 25-27 cent/litër përfshirë TVSH-në, ndërsa këtu te ne shkon mbi 40 cent/litër përfshirë TVSH-në. Kurse çmimet e shitjes së produkteve të gatshme në Kosovë janë sa te ne, vetëm se janë në euro, nëse atje 1 kg kos shitet 1.1 euro këtu te ne shitet 110 lekë/kg". E njëjta situatë, por edhe më lirë, është në Maqedoni, Slloveni, Bullgari etj.,- ka shtuar zoti Begaj.

Skema e deformuar
Skemat e subvencionit në bujqësi të orientuara në mbulimin e kostos dhe jo në rritjen e zinxhirit të vlerës, i kanë nxjerrë nga shinat fondet publike që shkojnë në mbështetje të Bujqësisë. Të papërfshira në monitorim dhe pa marrë në konsideratë elemente të eficiencës subvencionet për bujqësinë, në vend që të rrisin produktivitetin në sektor, po shkojnë si fonde të falura për mbulimin e kostos. Kjo praktikë tashmë e dështuar edhe në Bashkimin Europian nuk i shkon më për shtat nevojave të zhvillimit të bujqësisë shqiptare.

Ish-zv.ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se subvencioni duhet të orientohet nga rritja e vlerës. Fondet nuk duhet të falen, sipas skemës aktuale, por të kthehen në investime dhe përfituesit pas një periudhe 5-vjeçare të japin "llogari" se sa këto fonde i janë kthyer mbrapsht shtetit përmes pagimit të taksave, apo sa ato kanë ndikuar në punësimin dhe shtimin e të ardhurave.

Për të realizuar këtë, Ministria e Bujqësisë duhet të ngrejë një sistem monitorimi për subvencionet dhe të vërë disa kushte. P.sh., duhet të financohet një aktivitet që ka mundësi të shlyejë subvencionin në pesë vitet e para nëpërmjet taksave. Përfshirja në proces monitorimi i elementeve të eficencës mund të bëjë më të dobishme skemën, – sugjeron Zusi.

Drejt ciklit të mbyllur
Problemet me sigurimin e lëndës së parë po i shtyjnë bizneset të investojnë vetë në mbylljen e ciklit, duke ndërtuar ferma të mëdha. Nikolin Jaka e ka në plan një gjë të tillë, por problem mbetet mungesa e financimeve nga bankat.

Ndreka i "Lufra"-s thotë se është në planet e kompanisë që të investojnë për të krijuar fermat e veta. "Ne vazhdimisht kemi investuar në hallkën e parë të këtij zinxhiri. Kemi investuar duke krijuar disa pika grumbullimi. Investimi më i rëndësishëm janë trajnimet për fermerët e vegjël e të mëdhenj. Gjithashtu kemi punësuar veterinerë, të cilët japin vazhdimisht njohuritë e tyre mbi mirëmbajtjen e kafshëve, kushtet e mjeljes e deri te përzgjedhja e ushqimit të kafshëve".

Një shembull pozitiv vjen nga sipërmarrësi Petrit Ago. Ai po tenton të krijojë ciklin e mbyllur në bujqësi në industrinë e qumështit. Pranë Fushë-Krujës, në fund të rrugës përbri malit të Krujës, ai ka ngritur fermën më të madhe në vend me mbi 400 lopë, 1500 dele dhe 400 dhi alpine që janë të sistemuara në mbi 13 stalla në një ambient të ngritur krejtësisht për to, ndërsa çdo gjë është e automatizuar, nga mjelja te depozitimi frigoriferik, sterilizimi, kontrolli i cilësisë.

Ferma që prodhon 7 tonë qumësht në ditë do të furnizojë fabrikën që është në përfundim e sipër afër saj (me kapacitet përpunimin e 48 tonë qumësht, djathë dhe kos), teksa rrjeti i shpërndarjes me pakicë është i ngritur. Ago e shikon të ardhmen në eksportin e djathit me feta në tregjet e Bashkimit Europian, ku kërkesa është e madhe.

Ushqimi i kafshëve është një tjetër problem për industrinë. Copëzimi i tokës bujqësore në ferma jo më shumë se 1.3 hektarë është një problem madhor edhe për funksionimin e fermave të mëdha blegtorale. Ago e importon rreth 70% të bazës ushqimore që nga Spanja, Greqia, Maqedonia etj. Tregu vendas nuk mund t'i sigurojë atij furnizime të mjaftueshme. Edhe pse ka bërë mjaft takime me fermerë në zona të ndryshme, ata nuk kanë rënë dakord të bashkojnë tokat për të siguruar jonxhën e bagëtive.

Rekomandime për formalizimin
Ka një konsensus të gjerë mbi nevojën për formalizim të ekonomisë dhe avantazhet që ka ky proces për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, thithjen e investimeve serioze dhe rritjen ekonomike në afat të gjatë. Por nga ana tjetër, ka akoma paqartësi për biznesin mbi hapat e mëtejshëm, shtrirjen në kohë të aksionit të ndërmarrë dhe mungesë informimi mbi planin e veprimit.

Eksperiencat botërore kanë treguar se përqasja ndaj formalizimit nënkupton një reformë të shtrirë në kohë dhe në dimensione ligjore dhe institucionale, ofrimin e incentivave ashtu si dhe shtrëngimin e penaliteteve, mbrotjen e shtresave në nevojë dhe të disa sektorëvë që kanë pasur tendencën për të qenë më informalë.

Megjithëse Ministri i Finacave ka deklaruar në media pergatitjen e një plani dy-vjeçar në Dhjetor, akoma nuk ka asnjë dokument qeveritar në lidhje me platformën e masave, nëse ka analiza sektoriale mbi të cilat do të merren këto masa. Për më tepër grupet e interesit shprehen për nevojen e konsultimit paraprak dhe domosdoshmerine e partneritet në këtë fushatë.

Sipas literaturës ndërkombëtare , për reduktimin e informalitetit sugjerohet që të merren në konsideratë tre parime kryesore. I pari ka të bëjë me përqasjen graduale për formalizim nëpërmjet përgatitjes, diskutimit dhe zbatimit të Strategjisë së integruar kundër informalitetit.

I dyti ka të bëjë me radhën e masave që merren. Rregullat e forta duhet të vijnë mbasi të jenë aplikuar rregullat e mira. Nëse luftohet ekonomia informale me represion ndërkohë që kemi probleme me zbatimin e ligjit, rrezikon më tepër të dëmtosh ekonominë dhe rritësh papunësinë.

I treti ka të bëjë me ndërtimin e kapitalit social. Është e rëndësishme të synohet rritja e transparencës dhe lufta kundër korrupsionit. Edhe rregullat e mira mund të mos funksionojnë nëse ka nivel të ulët të kapitalit social dhe institucione të dobëta./MONITOR

Gara rajonale për 6.5 miliardë euro në vit në infrastrukturë

Posted: 18 Sep 2016 12:39 AM PDT

Bashkimi Europian synon të forcojë ndikimin e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor kundrejt konkurrentëve të drejtpërdrejtë si Kina, Rusia, etj. Por, rajoni ka nevojë për shumë fonde për të siguruar një ndërlidhje që do t'i shërbente kësaj logjike.

Vetëm për investimet në infrastrukturë, shifra e kërkuar llogaritet mesatarisht në rreth 6.5 miliardë euro në vit për një periudhë dhjetëvjeçare. Disa akademikë kanë realizuar një studim në lidhje me investimet që do të kërkohen dhe ku duhet të përqendrohen ato

Kur vjen puna për të ruajtur ndikimet në arenën gjeopolitike, mjetet që përdoren shpesh mund bien në kundërshtim edhe me vetë politikat e brendshme. Por, në fund të fundit, mjeti justifikon qëllimin. Ky është edhe rasti i strategjisë që Bashkimi Europian po ndjek me vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6). Bëhet fjalë për atë që njihet si Procesi i Berlinit, për zbatimin e të cilit është krijuar edhe një program që lehtëson menaxhimin e projekteve strategjike, i njohur si "Western Balkans Investment Framework" (WBIF).

Bashkimi Europian është i vendosur që të forcojë ndikimin në rajonin e Ballkanit, në kushtet kur konkurrentët e drejtpërdrejtë si Rusia e Kina po tregohen agresivë.
Rajoni ka shumë probleme, ai nuk është i ndërlidhur mes tij.

Tre akademikë, Claude Berthomieu, Massimo Cingolani, Anastasia Ri kanë ndërmarrë një studim të detajuar ku paraqesin gjendjen e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, problemet që kanë dhe sfidat që i presin për një periudhë të paktën 5-10-vjeçare.

Pavarësisht, nga një tendencë e qartë e Procesit të Berlinit për t'i dhënë më shumë prioritet energjisë dhe transportit, sipas studimit, sektori social dhe ai mjedisor kanë nevojë për investime kyçe, që janë të rëndësishme për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm.

1001 problemet e Ballkanit
Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me sfida të rëndësishme, si: tejkalimi i tranzicionit të institucioneve përmes reformave strukturore, adaptimi i legjislacionit, arritja e nivelit më të lartë të të ardhurave për frymë, reduktimi i papunësisë, ulja e varfërisë dhe pabarazisë etj.

Modernizimi i infrastrukturës dhe integrimi i suksesshëm janë një test i vërtetë për rajonin në kushtet e tanishme, përfshirë këtu edhe emigracionin. Adresimi i këtyre sfidave në të njëjtën kohë, thuhet në studim, është i vështirë dhe duhet të mbështetet edhe nga zhvillimi ekonomik.
Zgjidhja për pazëllin duhet të gjendet në bashkimin e copave dhe baza janë investimet. Zhvillimi i qëndrueshëm i rajonit nuk mund të arrihet pa investimet, private dhe publike.

Investimet private janë ende të ulëta, pas rënies dramatike që pësuan për shkak të krizës së 2008-s. Në këto kushte, thonë ekspertët, duhet të jenë investimet publike ato që të udhëheqin. Në kushtet e masave shtrënguese, qeveritë tentojnë që të shkurtojnë buxhetet për këto investime.

Por, tani që po shfaqen shenjat e përmirësimit, është e rëndësishme që rritja të mbështetet përmes investimeve në infrastrukturë.

Investimet që kërkohen janë thelbësore. Në Ballkanin Perëndimor stoku i kapitalit fizik për frymë llogaritet nën 30% dhe kjo është poshtë mesatares së BE-së. Në studim thuhet se është e vështirë që të jepen elemente të saktë të investimeve që kërkohen, megjithatë kërkimet e mëparshme kanë treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor shpesh parashikojnë buxhete të konsiderueshme për investime dhe rreth 25% e tyre i zënë ato në infrastrukturë.

Pikërisht për të mbështetur këto zhvillime, në vitin 2014 nisi edhe ai që më pas u njoh si procesi i Berlinit. Në të u bë e ditur se rreth 150 milionë euro në vit do të dedikoheshin nga buxheti për të garantuar zhvillimin e ndërlidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2020.

Projektet e para u miratuan në Samitin e Vjenës që u mbajt më 27 gusht 2015, që parashikonte zbatimin e 6 projekteve rrugore dhe hekurudhore, për një vlerë prej rreth 342.5 milionë euro që do të financoheshin me fonde nga Programi i Para-Anëtarësimit (IPA).

U vendos gjithashtu që do të mbështeteshin edhe 4 projekte fushën e interkonjeksionit dhe transmetimit të energjisë për një total prej 274 milionë eurosh.

Përveç ndërlidhjes, thuhet në studim, rëndësi i është kushtuar edhe kërkesës për të mbështetur sektorë si ai social dhe mjedisor. Kjo do të mund të arrihet me ndihmën e fondeve IPA.
Vlerësohet se përveç fondit 1 miliard euro për ndërlidhjen, do të mund të sigurohen edhe 1.8 miliardë euro për projektet e investimeve kapitale në rajon.

Nevoja për më shumë investime
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia kanë nevojë urgjente për investime, thuhet në studim, në mënyrë që të arrijnë rrjetet bazë infrastrukturore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Nevojat janë të mëdha në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Ndërsa investimet private janë ngadalësuar, ekziston një mundësi për të përshpejtuar ritmin e zhvillimit, kjo duke i dhënë një shtysë më të madhe infrastrukturës. Një gjë e tillë do të eliminonte kufizimet për të krijuar një mjedis më të favorshëm për investime private vendase dhe të huaja direkte.

Në studim thuhet se nëse kjo mundësi do të humbasë, në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, atëherë do të vazhdojë pabarazia aktuale strukturore dhe do të mbeten të "mbërthyera" në tranzicion, moszhvillim, tensione sociale edhe për vitet në vijim.

Një infrastrukturë më e mirë do të përmirësonte tërheqjen e kapitalit të huaj, si dhe do të ngushtonte hendekun që ekziston me Bashkimin Europian.
Në studim thuhet se gjatë vitit 2015 janë bërë përpjekje për të rritur investimet, veçanërisht ato direkte, që janë udhëhequr nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

Është e rëndësishme që të mbështetet ky trend pozitiv për ta vendosur Ballkanin Perëndimor në rrugën e rritjes së qëndrueshme. Një infrastrukturë më e mirë do të thotë akses më i shpejtë në energji, ndërlidhje më e mirë transportuese drejt tregjeve me forcë pune të kualifikuar. Të gjitha këto janë sinjale pozitive për sektorin privat.

 

 

Dhe një nga aspektet tërheqëse të Ballkanit Perëndimor është fuqia punëtore me kosto të ulët. Sipas studimit, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, paga mesatare është 420 euro. Për orë pune, kostoja për çdo punëtor mesatarisht është 4.4 euro. Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagesës për orë pune, për çdo punëtor në rreth 2.2 euro, e cila është 10% më e ulët se mesatarja e BE-së.

Një tjetër çështje që mundon Ballkanin janë edhe flukset emigratore në rritje, gjë e cila shoqërohet me një sërë pasojash zinxhir. Studimi tregon se gjatë dy viteve të fundit, kërkesat nga personat që kanë kërkuar për herë të parë azil nga vendet e Bashkimit Europian janë trefishuar. Në vitin 2013, numri i tyre ishte 56,000, ndërsa në vitin 2015, ky numër arriti në rreth 172,000, veçanërisht si pasojë e kërkesave të mbërritura nga Shqipëria dhe Kosova. Azilkërkuesit nga gjashtë vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë më shumë se 15% të numrit total të atyre me origjinë nga vendet jo të BE-së.

 

Studimi tregon se zgjidhja për këto flukse emigratore duhet të gjendet te përmirësimi i tregut të punës, në këtë mënyrë do të mund të ulej ritmi i tyre.

Në këtë aspekt do të ndihmonin edhe investimet private, por ritmi i tyre është ulur ndjeshëm. Investimet private, thotë studimi, janë në nivele të ulëta dhe së bashku me papunësinë mbeten probleme kyçe.
Në vitin 2015, norma e papunësisë në rajonin e Ballkanit ishte 23% ose rreth 13 pikë përqindje më e lartë se mesatarja e EU15.

Kjo tendencë rrit emigracionin drejt vendeve europiane më të zhvilluara.
Një aspekt i rëndësishëm që pengon zhvillimin e këtij rajoni është edhe infrastruktura, e cila vuan nga mirëmbajta e dobët dhe fondet që kërkohen për rehabilitim janë të larta. Infrastruktura rrugore në vendet e Ballkanit Perëndimor është tre herë më e dobët sesa në vendet e BE-së.

Rrjeti hekurudhor gjithashtu është në gjendje të vështirë dhe përthith më pak investime sesa ai hekurudhor, edhe pse është më konkurrues me tarifat.

Vetëm për të zhvilluar 31 projekte prioritare të përcaktuara në rrjetin e SEETO-s, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për 6.7 miliardë euro investime. Në total, vetëm për transportin investimet e nevojshme llogariten në rreth 40 miliardë euro, përfshirë këtu edhe Kroacinë.

Nga ana tjetër, rajoni nuk shfrytëzon të gjithë potencialin e tij për prodhimin e energjisë. Megjithatë, varësia nga importet në këto vende është më e ulët, por ky sektor në zonat urbane kërkon rritje të kapaciteteve. Çmimet e energjisë janë dy herë më të ulëta sesa në BE dhe energjia e prodhuar është më konkurruese, duke u kthyer në potencial eksporti dhe input të lirë për industrinë e brendshme. Sipas Strategjisë së Komunitetit të Energjisë, skenari me kosto minimale parashikon një total investimi që kërkohen për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në rreth 35.5 miliardë euro.

Por, një skenar më ambicioz që parashikon edhe reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit e çon këtë shifër në 59.9 miliardë euro.

Sektori i mjedisit ofron një sërë mundësish, por duhet marrë në konsideratë vulnerabiliteti i tij. Hendeku infrastrukturor në këtë sektor është i madh dhe mund të prodhojë një sërë efektesh.
Sektori social, veçanërisht ai i edukimit gjatë periudhës së tranzicionit, nuk ka qenë ndër prioritetet kryesore të qeverive. Niveli i regjistrimeve në institucionet arsimore ka rënë ndjeshëm, veçanërisht në rajonet si Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë–Hercegovina.

Në vendet e Ballkanit, shpenzimet për shëndetësi dhe edukim nga ana e qeverive janë më të ulëta se niveli europian. Studimi tregon se investimet në edukim dhe shëndetësi nuk mund të japin rezultate të menjëhershme, por ato ndikojnë në zhvillimin afatgjatë, pa të cilën struktura e papunësisë nuk mund të përmirësohet.

Studimi i akademikëve europianë tregon se duke marrë në konsideratë normën e lartë të papunësisë, qeveritë nuk duhet të tregohen neglizhente, por duhet t'i konsiderojnë si prioritete kombëtare.

Një sektor me potenciale të mëdha janë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Roli i tyre në rritjen e punësimit është thelbësor, por ato përballen me kushte të forta për kreditimin, gjë që i vë përballë vështirësive. Ky vlerësohet si sektori që ka nevojë për më shumë investime në terma vjetorë.
Investimet në infrastrukturë do të përmirësonin kushtet e zhvillimit. Numri i tyre është më i madh në sektorin e ndërtimit.

Çfarë duhet të ndryshojë
Mesazhi kryesor që përcillet përmes këtij studimi për vendet e Ballkanit Perëndimor është se asnjë strategji nuk mund të zhvillohet pa investime.

Në infrastrukturë, nevojat janë të mëdha dhe urgjente. Fondet IPA II parashikojnë grante për vendet e Ballkanit Perëndimor në vlerën 2 miliardë euro për periudhën 2015–2020. Në logjikën e Western Balkans Investment Framework, këto grante mund të mbështeten edhe nga kreditë që mund të ofrojnë institucionet ndërkombëtare financiare.

 

Në studim thuhet se në Shqipëri ka nevojë urgjente për investime në sektorin hekurudhor, i cili është ndërtuar që në vitin 1917. Ndërsa vlerësohen përmirësimet që janë bërë në përmirësimin e rrjetit rrugor, i cili është zgjeruar në masën 45% (sipas të dhënave të vitit 2014). Gjatë dhjetë viteve të fundit, thuhet në studim, Shqipëria ka bërë përpjekjet më të mëdha, duke ndërtuar më shumë se 300 km rrugë, e ndjekur nga Kroacia dhe Serbia përkatësisht me 280 dhe 240 km.

Megjithatë, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kenë densitetin më të ulët të rrugëve 1 km/1,000 banorë në rreth 13-19 km. Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, investimet vjetore në infrastrukturën rrugore llogariten mesatarisht në 0.8%. Sipas SEETO-s, investimet urgjente në infrastrukturë vlerësohen në rreth 12.5 miliardë euro (9.3 mld euro për hekurudhat dhe 3.1 mld euro për rrugë). Vetëm për zbatimin e 48 projekteve prioritare të nisura në vitin 2016 nevojiten 9.64 miliardë euro.

Në studim thuhet se duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë promovimit të SME-ve, të cilat janë shtyllat e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Ato përbëjnë 99.6% të "popullsisë" sipërmarrëse, shifër e cila është afër mesatares së BE-së që është rreth 99.8%.

Shqipëria renditet ndër vendet e Ballkanit që kanë një kontribut të ulët të SME-ve në punësim, në rreth 60%, në një nivel gati të njëjtë me Malin e Zi. Parashikohet që investimet në SME, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2020 të llogariten në rreth 9.7 miliardë euro, sipas skenarit më të mirë.

Sipas studimit, rritja ekonomike mund të stimulohet përmes investimeve, por kapacitetet huamarrëse duhet të adaptohen sipas konceptit të 'hapësirës fiskale' bazuar edhe në vizionin e donatorëve të të institucioneve financiare ndërkombëtare. Ekziston gjithashtu rreziku se rajoni mund të mbërthehet në një cikël vicioz të rritjes së ulët, të investimeve të dobëta private, papunësisë së lartë dhe nivelit të lartë të borxhit.

Për të adresuar këtë sfidë, roli i zhvillimit të financave është vendimtar. Kjo është e vetmja mënyrë për të financuar projekte afatgjata të nevojshme./MONITOR

Related Posts :