Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Sinjalet e trupit që nuk duhet t’i neglizhoni” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Sinjalet e trupit që nuk duhet t’i neglizhoni” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Sinjalet e trupit që nuk duhet t’i neglizhoni

Posted: 19 Sep 2016 09:03 AM PDT

E dëgjoni sa duhet trupin tuaj? Ndonjëherë ai lëshon disa zhurma të lehta për të treguar se diçka nuk shkon mirë. Ja cilat janë ato sinjale që nuk duhen neglizhuar asnjëherë.
Fishkëllima në mushkëri
Ndjeni një si fishkëllimë në mushkëri kur merrni ose kur nxirrni frymën? Kjo zhurmë mund të jetë sinjal i një infeksioni pulmonar, i një astme apo i një bronkiti. Për fëmijët e vegjël mund të jetë edhe shenjë që ai ka gëlltitur një trup të huaj.
Kërcitja e
artikulacioneve
e shoqëruar me dhimbje
Shpesh artikulacionet kërcasin dhe kjo është gjë normale, por kur kjo zhurmë bëhet shpesh dhe shoqërohet me dhimbje, duhet pasur kujdes, për më tepër kur jeni mbi 45 vjeç. Bëni grafi, sepse mund të bëhet fjalë edhe për probleme artroze.
Fishkëllima në hundë
Nëse nuk jeni me rrufë apo me grip dhe ndieni shpesh një fishkëllimë në hundë, bëni kujdes. Ndonjëherë mund të bëhet fjalë për një pengesë, mbase mund të keni mish të huaj.
Lemza e shpeshtë
Në përgjithësi lemza nuk është e rrezikshme, por kur ndodh shpesh dhe pa arsye, mund të jetë sinjal i një irritimi të nervit pneumo-gastrik ose i nervit frenik. Bëni sa më shpejt vizita te specialistët.
Qetësia e plotë
e barkut
Gërhitjet e barkut që ndonjëherë ju bezdisin, në fakt janë shenjë që gjërat funksionojnë si duhet në organizëm. Qetësia nga ana tjetër duhet t’ju shqetësojë. Kjo qetësi mund të pasohet me dhimbje barku, të vjella, mosçlirim të gazrave dhe jashtëqitjes etj. Duhet bërë një vizitë te specialisti që ai të gjejë shkaktarët.
Kërcitja
e dhëmbëve
Kërcitja e dhëmbëve dhe lëvizja e pakuptueshme e nofullave mund të jetë shenjë e mosfunksionimit si duhet të artikulacionit temporo-mandibular. Disa mund të kenë edhe dhimbje nofulle, dhimbje koke etj. Këshillohuni me dentistin tuaj.
Shushuritja
në vesh
Ndjeni fishkëllimë të lehtë, rrahje, apo një zhurmë tjetër në vesh gjatë gjithë kohës? Kujdes, sepse mund të bëhet fjalë për një arterie të zgjeruar, ose për një hipertension arterial. Nuk duhet të shqetësoheni nëse këto zhurma ndodhin pas një ekspozimi në ambient me zhurma të forta.
Gërhitja e fortë
Shumë njerëz gërhasin natën, por jo të gjithë mund të kenë probleme shëndetësore. Kur kjo gërhitje bëhet gjatë të gjithë kohës dhe është e fortë, kur lind nevoja shpesh për urinim, kur gjatë ditës ka dhimbje koke, kur ka mungesë përqendrimi etj., mund të bëhet fjalë për një problem serioz me shëndetin, i cili nuk duhet neglizhuar.

Interi dominon Juven në derbin e Italisë

Posted: 19 Sep 2016 09:02 AM PDT

Interi fiton Derbin e Italisë. Me një provë force dhe zemre, zikaltrit dominuan dhe në fund mposhtën me përmbysje 2-1 Juventusin. Edhe pse u luajt vetëm në javën e katërt të Serisë A, dueli më spektakolar në Itali, kishte mjaft rëndësi. Te Interi trajneri De Boer rrezikonte postin vetëm pas pak javësh, prej disfatës në Europa League nga Hapoel Ber Sheva, ndërsa Juventusi synonte të rikthehej në krye të kampionatit. Zikaltrit e nisën sfidën menjëherë në sulm, me D’Ambrozion që nuk shfrytëzoi topin e devijuar me kokë nga Ikardi. Pak çaste më pas Medel tentoi nga distanca, pa shënjestruar si duhet, por duke marrë duartrokitjet e publikut në “San Siro”. Juventusi provoi të reagonte me goditjen fluturimthi të Dibalas, por Interi u shfaq më superior, duke rrezikuar me goditjen e Eder në kufi të zonës. Problemeve të bardhezinjve iu shtua edhe dëmtimi i Benatias, i cili i la vendin në fushë Barzajlit, por në momentin më të mirë të kundërshtarëve, “Zonja e Vjetër” kishte shansin më të mirë për të shënuar. I harruar përpara portës zikaltër në minutën e 32-të, Kheidira shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme aksionin e shkëlqyer të Dibala dhe topin e harkuar nga Aleks Sandro. E menjëhershme kundërpërgjigjja e Interit, me Ikardin që goditi shtyllën pas duelit të fituar me Kielinin. Momenti i fundit i rrezikshëm në pjesën e parë të lojës ishte tentativa e Pjaniç nga jashtë zone, me topin që përfundoi pak centimetra jashtë. Loja me ritëm të lartë vazhdoi edhe në fraksionin e dytë, me Interin që ishte sërish pranë golit të avantazhit me Ikardin, pas harkimit të bukur të Eder. Këmbëngulja e të besuarve të De Burit vazhdoi me harkimin e Kandrevas, që u shndërrua në një goditje dhe rrezikoi të befasonte Bufonin, ndërsa Juventusi rrezikoi edhe pas tentativës së Eder, me topin të devijuar nga Bonuçi. Volumi i madh i lojës dhe presioni i lartë i Interit nuk u shfrytëzua përpara portës, ndërsa edhe fati nuk ishte me me Kandrevan, që bëri gjithçka mirë pas harkimit të Ikardit. Me fat Bufon! Në momentin më të mirë të zikaltërve, Juventusi kaloi në avantazh me Lishtajnerin në minutën e 66-të. I vetëm përpara portës, zvicerani kishte vetëm detyrën të shtynte në rrjetë harkimin e Aleks Sandros, pas inkursionit të shkëlqyer nga e majta. Udhëzimi i De Burit që kërkoi nga Interi të godiste portën, u zbatua menjëherë nga Ikardi, që u prishi festën bardhezinjve vetëm pas dy minutave. Sulmuesi kërceu më lart se të gjithë nga goditja e këndit e Banegas, duke mposhtur Bufon dhe rihapi sfidën. Kapiteni zikaltër pretendoi edhe 11-metërsh pas kontaktit në zonë me Kielinin, por me gjithë protestën e publikut, gjyqtari Taliavento vazhdoi lojën. Avantazhi i merituar i Interit erdhi në minutën e 78-të, me Ivan Perisiçin. I aktivizuar vetëm prej nëntë minutave, kaloi të tijtë në avantazh pas asistit të Ikardit, që shfrytëzoi pasigurinë e mbrojtjes juventine. Perisiç ishte pranë golit të tretë, duke vënë seriozisht në vështirësi Bufon. Pas disavantazhit, Juventusi provoi të reagonte me Gonzalo Higuain, që e nisi duelin nga stoli, me devijimin me kokë të argjentinasit, që përfundoi pak centimetra jashtë. Pas tij tentoi edhe Miralem Pjaniç nga goditje standarde, pa gjetur portën. Interi e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Banegas në sekondat e fundit, e megjithatë fitoi pas gjashtë vitesh përballë Juventusit në “San Siro”, pikërisht në momentin kur skuadra duhej të reagonte në fushë. Në anën tjetër, kampionët e Italisë pësuan humbjen e parë sezonale. Disfata konfirmon krizën në lojë dhe rezultate, pas barazimit ndaj Seviljes në Europë.

Krasniqi: Arslan është miku im më i mirë

Posted: 19 Sep 2016 09:02 AM PDT

Reagimi
Akuzave se pse Luan Krasniqi kishte mbështetur Firat Arslan në duelin kundër Nuri Seferit, duke i dhënë këshilla gjatë duelit të mbrëmshëm, u është kundërpërgjigjur vetë ish-boksieri i njohur me një postim në rrjetet sociale. Ai ka shpjeguar se me Arslan kishte një miqësi të hershme dhe se edhe 45-vjeçari i kishte qëndruar përkrah gjatë gjithë karrierës në ndeshje shumë të rëndësishme. Ndaj Krasniqi ka kërkuar mirëkuptim nga tifozët e shumtë, të cilët e kishin kritikuar për qëndrimin e tij. Kjo ishte edhe një lloj kundërpërgjigje ndaj Nuri Seferit, i cili kishte lëshuar thumbime në adresë të tij nëpërmjet disa postimeve në rrjetet sociale. “Miq të mi, mbrëmë patëm rastin të shohim një meç interesant në mes të Nuri Seferit dhe Firat Arsllan, ku u dëshmua një boks cilësor që e fascinoi publikun e shumtë pranë ringut dhe para ekraneve televizive. Për fat të keq, në media, e sidomos në rrjetet sociale, më shumë dhe në forma të ndryshme u komentua përkrahja ime ndaj shokut tim të ngushtë Firatit, i cili në të gjitha vitet e boksimit tim, më ishte afër, më mbështeti në të gjitha format, në ushtrime, në meçe, në kohën e lirë dhe ai, në këtë mënyrë u bë pjesë e sukseseve të mia. Në veçanti, më dha mbështetje të fuqishme në meçin kundër Samil Sam, boksierit me prejardhje turke, ku ngadhënjeva suksesshëm, dhe në qindra raste si ky, për çka Firatit, i jam mirënjohës. Duke e respektuar maksimalisht boksierin e spikatur Nuri Seferin dhe vlerat e tij sportive, në këtë mbrëmje, kam konsideruar se duhet të triumfojë më i miri. Fati sportiv deshi që fitues të shpallet Firati dhe, konsideroj se sporti, duhet të shihet si i tillë, me të drejtën e secilit simpatizues që ta mbështesë adhuruesin e tij. Do të më gëzonte, pa dyshim, si shumë herë deri më tash, edhe fitorja e Nuriut, ndaj, keqinterpretimet e qëndrimit tim në meçin e mbrëmshëm, nuk përkojnë me frymën sportive. Që të dy boksierëve u dëshiroj suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm sportiv, dhe sportdashësve u uroj çaste të këndshme në të gjitha llojet e sporteve”, lexohet në reagimin e Luan Krasniqit.

Partizani thyen Teutën dhe i lëshon sfidën Tiranës

Posted: 19 Sep 2016 09:01 AM PDT

Jeton Selimi
Partizani rikthehet te fitorja, dhe këtë e bën në një fushë të vështirë si ajo e Teutës, por mbi të gjitha e bën duke gjetur ritmin dhe lojën që të gjithë tifozët presin nga skuadra kryeqytetase. Në fillim Atanda në pjesën e parë dhe më pas Ekuban në pjesën e dytë, fusin tri pikët në kasafortë dhe i lëshojnë Tiranës sfidën për derbin e madh të fundjavës së ardhshme.
Ndeshjen e nisin më mirë të kuqtë. Ekuban vë në provë Moçkën në minutën e katërt, ndërsa portieri i durrsakëve devijon në goditje këndi. Në minutën e 14-të Kalari kroson nga e majta, por Idi Batha nuk koordinohet siç duhet. Në minutën e 18-të Musta do të humbasë një rast të pabesueshëm, ndërsa kishte të gjitha mundësitë për të kaluar Teutën në avantazh, por gjuajtja e tij është jashtë. Në minutën e 27-të Partizani fiton një goditje dënimi, ndërsa Trashi do të marrë përsipër ekzekutimin e saj, por gjuajtja e tij do të jetë qendrore. Tre minuta më pas të kuqtë zbresin mirë në të majtë me Trashin, që harkon për Ekubanin, por sulmuesi nuk arrin të gjejë kohën me topin. Gjithsesi këmbëngulja e Partizanit do të shpërblehet në minutën e 34-rt, kur pas harkimit nga këndorja, Atanda do të devijojë saktë me kokë për të mposhtur Moçkën dhe për t’i dhënë avantazhin ekipit të tij. Katër minuta më pas Lamçja do të ketë të gjitha mundësitë ta rikthejë ndeshjen në baraspeshë, por gjuajtja e tij nuk do të sjellë asnjë shqetësim për Alban Hoxhën. Me avantazhin e një goli për Partizanin do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa dhe e dyta do të nisë me të kuqtë në sulm. Minuta e 46-të dhe përsëritet dueli Ekuban-Moçka, por edhe njëherë gardiani i Teutës arrin të devijojë në këndore. Në minutën e 50-të Partizani i shkon fare pranë dyfishimit, kur Trashi në zhvillimet e një goditjeje dënimi, do të gjuajë shtyllën e Moçkës. Lamçja do të asistojë për Mustën në të 56-ën, por gjuajtja e këtij të fundit shkon mbi tra. Partizani tërhiqet disi dhe përpiqet të reagojë me kundërsulm, por edhe njëherë goli do të vijë nga një goditje standarde. Trashi kroson me të majtën e tij dhe Ekuban fiton duelin ajror me Moçkën duke tundur rrjetën. Në festë tifozëria e kuqe, ndërsa sulmuesi mbetet për pak çaste i shtrirë përtokë për shkak të përplasjes me portierin durrsak. Teuta fiket pas këtij momenti, ndërsa Sormani aktivizon dhe lojtarët e rinj si Bardhi e Jaupaj, me sulmuesin që humbet rastin e fundit për shënim të ndeshjes, kur në të 84-ën nuk arrin të realizojë ndonëse pak hapa nga porta. Mbyllet 2-0 për Partizanin. Të kuqtë thyejnë Teutën, ruajnë hapin e Skënderbeut dhe shkojnë në derbi me frymën e duhur. Durrsakët nga ana tjetër, janë larg rezultateve të një sezoni më parë, ndërsa ekipi ende nuk po arrin të gjejë qëndrueshmëri.

Shuhet reformatori i KMSH, Selim Muça

Posted: 19 Sep 2016 09:00 AM PDT

Shuhet ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça. Vdekja e 80-vjeçarit erdhi pas luftës për përballimin e një sëmundjeje të rëndë. Ceremonia mortore u zhvillua dje, ndërsa të gjithë kryetarët e partive kanë shprehur keqardhjen me mesazhet e tyre.
Haxhi Selim Muça do të mbahet mend si drejtuesi që e reformoi KMSH-në dhe punoi shumë për bashkësinë islame shqiptare. Ai ndërmori hapa konkretë për institucionalizimin e punës së KMSH-së në mbarë vendin dhe për gjallërimin e jetës shpirtërore të besimtarëve myslimanë.
Gjithashtu ai do të kujtohet e vlerësohet për frymën e tij përherë pozitive dhe prioritetin që u jepte dialogut, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe në të gjitha hapësirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan.
Haxhi Selim Muça e drejtoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për dhjetë vite (2004-2014), dhe me gjithë pengesat e moshës dhe të shëndetit, ai punoi dhe u angazhua deri ditën e fundit në mbështetje të punës së KMSH-së. “Me hidhërim të thellë mësova sot lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të besimtarit të devotshëm e të përkushtuar, të drejtuesit të mençur, largpamës, paqedashës dhe të urtë të komunitetit të besimtarëve të fesë islame, të mikut të mirë në ditë të mira e në ditë të vështira, të prindit të mrekullueshëm, Selim Muça. Kontributi i tij i pazëvendësueshëm për ndriçimin e rrugës së besimit të besimtarëve gjatë të gjithë jetës së tij dhe, në mënyrë të veçantë gjatë periudhës që ai ka drejtuar Komunitetin Mysliman Shqiptar, e vendos atë në mesin e personaliteteve më të shquara të vendit tonë që kanë kontribuar për fe e për atdhe”, shkruan presidenti i vendit, Bujar Nishani. Kryeministri Rama e ka quajtur lider të butë Selim Muçën, ndërsa shkruan: “Selim Muça e udhëhoqi për shumë vite Komunitetin Mysliman Shqiptar, me urtësinë dhe kthjelltësinë e një lideri të butë por të vendosur, në mbrojtjen e esencës paqësore të porosive të profetit dhe të thesarit të bashkëjetesës harmonike mes feve në Shqipërinë tonë. E paç siç e ke ëndërruar, udhëtimin pas ndarjes nga kjo botë, miku im i respektuar Selim Muça!” Mesazh ngushëllimi për familjen ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. “Kohët e ndryshimeve të mëdha kanë nevojë për njerëz të mëdhenj. Haxhi Selim Muça ishte një njeri që madhështinë e gjente te besimi dhe përkushtimi në besim. Ikja e tij ka dëshpëruar të afërmit dhe familjarët e ngushtë, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë, ?sepse është ikja e një njeriu të mirë”, – është shprehur kryetari i Kuvendit. Ndërkaq, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha shkruan: “Ngushëllimet e mia për bashkëshorten e tij Ziza, fëmijët Almën, Ermalin e Arjanin, dhe të afërmit e miqtë e tij të panumërt. Selim Muça foli me punën dhe me veprat e tij në shërbim të komunitetit dhe atdheut dhe udhëhoqi besimtarët myslimanë vendosmërisht me vlerat e duhura.”

Veliaj: Kërkesat për privatizim të UKT janë lajm i mirë, rrjet i ri për banorët në Kinostudio

Posted: 19 Sep 2016 09:00 AM PDT

Rreth 5 mijë banorë të rrugës “Kahreman Ylli” në Kinostudio nuk do të kenë më probleme të furnizimit me ujin e pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës ka ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit duke e ndërruar plotësisht atë, për shkak të amortizimit që kishte pësuar ndër vite. Kjo ndërhyrje bën të mundur që gjithë banorët e kësaj zone të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm. Punimet u inspektuan nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falënderoi qytetarët që iu përgjigjën thirrjes së ujësjellësit për të paguar faturat e ujit, duke marrë si përgjigje investime konkrete nga ana e UKT-së. “Falënderoj qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes së ujësjellësit për të paguar faturat dhe likuiduar borxhet. Kjo është e vetmja mënyrë se si këto pagesa i përkthejmë në investime. Për 5 mijë banorë të rrugës ‘Kahreman Ylli’, një pjesë të madhe të bllokut të ri të banesave në Kinostudio, shtojmë furnizimin me ujë, kalojmë nga tubat e gizës dhe çelikut, që kishin 50 vjet pa u vënë dorë dhe që arnoheshin dhe saldoheshin çdo vit, në një linjë magjistrale, e cila furnizon me ujë të bollshëm këtë zonë”, – tha Veliaj. Kryebashkiaku kujtoi se, edhe pse kjo ka qenë një verë e thatë, falë gatishmërisë dhe punës së vazhdueshme të bashkisë dhe UKT-së është bërë e mundur që banorët të mos vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. “Morëm një ndërmarrje të falimentuar, e cila kishte probleme jo vetëm me furnizimin me ujë, por edhe me mbifaturimet dhe çudira të kësaj natyre. Jo vetëm që këto probleme nuk ekzistojnë më, por kemi arritur që brenda një viti të dyfishojmë rrjetin dhe furnizimin me ujë në të gjithë qytetin e Tiranës. Do të vazhdojmë me këtë ritëm. Kjo është në fakt arsyeja pse kompania është bërë tërheqëse dhe pse ka pasur oferta për shitblerje të aksioneve. Ky është një lajm i mirë, jo një lajm i keq. Kjo shton vlerë dhe nuk duhet të prodhojë histeri për Tiranën”, – tha ai.

Mjekët pa kredite, provimi i certifikimit nga 3 deri në 7 tetor

Posted: 19 Sep 2016 08:59 AM PDT

Ermelinda Hoxhaj
Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) për profesionistët e shëndetësisë ka përcaktuar datat e provimit të certifikimit të mjekëve të cilët nuk kanë plotësuar kreditet. Sipas njoftimit të QKEV-së, në periudhën 3-7 tetor 2016 janë parashikuar të zhvillohen provimet e certifikimit për profesionistët e shëndetësisë (mjekë, stomatologë, farmacistë), të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të programit të certifikimit 2010-2014.
Datat &
profesioni
Provimet për mjekët zhvillohen pranë Universitetit të Mjekësisë, në departamentet përkatëse, në orën 09:00, sipas datave të mëposhtme: Data 3 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Mjekësi Familje, Endokrinologji, Mikrobiologji, Shëndet Publik, Mjekësi ligjore. Data 4 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Kirurgji, Radiologji, Neurologji, Kardiologji, Biokimi. Data 5 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Anestezi-Reanimacion, Hematologji, Onkologji, Psikiatri, Reumatologji. Data 6 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Pediatri, Obstetrikë-Gjinekologji, Urgjenca mjekësore, Ortopedi”, njofton Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Ndërkohë që, provimi i certifikimit për farmacistët zhvillohet pranë Universitetit të Mjekësisë (Departamenti i Farmacisë), në datën 6 tetor 2016, në orën 09:00, dhe provimi i certifikimit për stomatologët zhvillohet pranë Fakultetit të Stomatologjisë, në datën 7 tetor 2016, në orën 09.00. Pjesëmarrësit në provim duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe me një fotokopje të saj, të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit, e cila është 10 mijë lekë. Po ashtu njoftohet se mjekët që do hyjnë në provimin e certifikimit, duhet të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit.
Rregullorja
Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi i Edukimit në Vazhdim në muajin korrik kanë miratuar rregulloren për provimin që japin mjekët, stomatologët, farmacistët e infermierët të cilët nuk marrin kreditet e mjaftueshme brenda cikleve vjetore apo 5-vjeçare. Po ashtu, në rregullore janë parashikuar edhe kategoritë e bluzave të bardha të cilat do të përjashtohen nga hyrja në provimin e certifikimit, për matjen e nivelit të njohurive. Ndryshimet në rregullore kanë të bëjnë kryesisht me organizimin në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe fondin e pyetjeve që del për mjekët që neglizhojnë aktivitetet dhe seminaret e edukimit në vazhdim. Në varësi të numrit të personave që do të testohen për çdo specialitet mjekësor, dy do jenë format e testimit. Kështu, neni 9 përcakton se, në rastet kur numri i pjesëmarrësve një provim për një specialitet të caktuar është më i vogël se 50 vetë, provimi do të zhvillohet me shkrim pranë Komisionit të Provimit të Certifikimit, ndërsa pyetjet do të jenë me zhvillim. Ndërsa, kur ka mbi 50 punonjës të të njëjtit specialitet, provimi do të zhvillohet pranë AKP-së me fond të hapur pyetjesh. Pra, do të jenë pyetje me 4 alternativa, nga të cilat një përgjigje do të jetë e saktë. Sa i përket tarifës që do të duhet të paguajnë profesionistët që do të hyjnë në provim, është vendosur që të jetë sa tarifa e provimit të shtetit: 10 mijë lekë kush testohet për herë të parë. Secili prej kandidatëve ka mundësi deri në pesë herë për të ruajtur vendin e punës, pasi kaq janë edhe shanset që të mund të hyjë në provim.
Vlerësimi
Komisioni i provimit të ricertifikimit, pas përfundimit të testit, kryen vlerësimin e pjesëmarrësve në provim, dhe ai quhet i suksesshëm në rast se pjesëmarrësit marrin të paktën 50 për qind të pikëve totale. Pas kalimit me sukses të provimit, çdo pjesëmarrës merr dëshminë përkatëse nga Bordi i Edukimit në Vazhdim, e nëpërmjet dorëzimit të saj në organet e urdhrave profesionalë konfirmohet edhe vlefshmëria e kontratës së punës. Profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim, dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë.

U ndalua se vodhi ullinj, vdes pas 24 orësh në polici lushnjari

Posted: 19 Sep 2016 08:59 AM PDT

Sonila Musaj
Një i paraburgosur nga Lushnja ka ndërruar jetë në QSUT si pasojë e problemeve me zemrën. Viktima është Fadil Hoxha, 53 vjeç, i cili ishte shoqëruar para dy ditësh nga policia në Lushnjë pas denoncimit nga pronari i tokës, pasi akuzohej se kishte vjedhur disa ullinj. Kur është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, 53-vjeçari ka thënë se vuante nga hipertensioni arterial dhe merrte mjekim tri herë në ditë. Ai ka pirë ilaçe pardje në mbrëmje dhe dje në mëngjes. Në orën 11:30 të ditës së djeshme ai ka ndjerë dhimbje në gjoks dhe ka njoftuar policin roje, i cili ka njoftuar shërbimet, që e kanë shoqëruar në Urgjencën e spitalit të Lushnjës, ku u diagnostikua me infarkt akut të miokardit dhe nivel të lartë të TST-së. Nga mjekët u mor vendim të çohej në QSUT në reanimacionin e Kardiologjisë, ku iu bë koronarografia dhe arteria e majtë rezultoi e bllokuar. Pati ulje tensioni. Iu bë masazh kardiak, u godit disa herë me debrifilator, iu bë adrenalinë, u intubua, dhe më pas nga gjendja e rëndë u çua në reanimacionin qendror, ku jetoi edhe 30 minuta dhe ndërroi jetë. Ndërkaq, familjarët fajësojnë policinë për vdekjen, pasi sipas tyre Hoxha ishte i sëmurë nga zemra e tensioni dhe merrte tri herë në ditë ilaçe, ndërsa në momentin e shoqërimit nuk janë lejuar që t’ia japin në ambientet e paraburgimit. Sipas policisë, Fadil Hoxhës i janë dhënë mjekimet, ndërsa i është dhënë ndihma në spitalin e Lushnjës. Sipas burimeve zyrtare, të gjitha lëvizjet janë dokumentuar. Pas vdekjes janë njoftuar oficerët e policisë gjyqësore, dhe në prani të tyre është çuar trupi në morg. Për hetimin e kësaj ngjarjeje janë vënë në dispozicion EKG-ja e zemrës e bërë në Lushnjë dhe epikriza, si edhe DVD-ja e koronarografisë së bërë në QSUT. Për sa i përket shkakut të vdekjes kanë nisur hetimet, ndërsa pritet autopsia mjekoligjore.
Familjarët
Nipi i 53-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin “Nënë Tereza” akuzon policinë e komisariatit të Divjakës se ka përdorur presion dhe dhunë ndaj të afërmit të tij. Ai pohon se arrestimi i dajës së tij kishte ndodhur paraditen e djeshme, ndërsa ai ishte lajmëruar në orën 12:30. Pasi kishte marrë njoftimin, Veiz Veliu, nipi i 53-vjeçarit kishte shkuar në komisariatin e Divjakës dhe kishte paralajmëruar policinë për gjendjen e dajës së tij. Sakaq, të njëjtin qëndrim akuzues ndaj policisë mbajnë edhe familjarët e tjerë, të cilët kanë kërkuar nga organet hetimore zbardhjen e ngjarjes. Ai tregon se pasi u kishte thënë të mos ushtronin presion ndaj dajës së tij, policët e kishin nxjerrë jashtë. Gjithashtu ai thotë se në polici i dërguan ilaçe rreth orës 18:30, ndërsa ka dyshime se daja e tij është keqtrajtuar nga policët. Veiz Veliu kërkon që të zbardhet sa më parë vdekja, pasi ata dyshojnë se ka ardhur si pasojë e keqtrajtimit.

‘Jugu shqiptar të prezantohet si një territor i njësuar në turizmin europian’

Posted: 19 Sep 2016 08:58 AM PDT

Po merr rrugë ideja që i gjithë jugu shqiptar të prezantohet si një territor dhe një produkt i njësuar në tregun e turizmit europian. Këtë e mundëson bashkëpunimi i nisur i njësive të qeverisjes vendore të 7 bashkive të jugut me projektin gjerman “GIZ”. Një grup ekspertësh nga ky projekt, të kryesuar nga koordinatorja Dhurata Gazulli, ishte në një tryezë bashkëbisedimi për elementët më të rëndësishëm të këtij projekti me kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka. Në tryezë u biseduan për konceptin e turizmit si një i tërë dhe për nevojën e brandimit të të gjithë produktit turistik të jugut shqiptar, për të mundësuar shkuarjen dhe prezantimin e tij si rajon në panairet europiane të turizmit. U fol për nevojën e ndërtimit të një strategjie të përbashkët zhvillimi në këtë sens. Ana më e dallueshme e këtij rajonizimi do të jetë dalja edhe me një logo të vetme për të gjithë rajonin jugor, që përfshin 7 bashkitë e rajonit, nga Vlora në Konispol. Në takim u bisedua gjithashtu edhe për rrugët e realizimit të kësaj strategjie, në mënyrë që rajonizimi të mos bëhet shkak për humbjen e identitetit të secilës bashki pjesëmarrëse në brandim. U tha se kriter i parë i përfshirjes në këtë rajonizim, do të jetë kualiteti i produktit që ofrohet dhe sugjerimi për konkreten e secilës bashki do të bëhet në rrugë institucionale. Nga partnerët në tryezë u bë e qartë se ky kërkohet të jetë një njësim mbi baza identitare dhe partneriteti, ku palët të japin e të marrin, pa asnjë protagonizëm. ar.su.

Mjekësia ligjore, Sinamati: Shpretka mund të dëmtohet edhe nga goditjet e bebit

Posted: 19 Sep 2016 08:58 AM PDT

Ermelinda Hoxhaj
Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk e ka përfunduar hetimin e plotë për vdekjen e dyfishtë në maternitetin “Koço Gliozheni”. Por sipas nëndrejtorit, dr. Admir Sinamatit, duke qenë se kjo çështje ka një ndjeshmëri të madhe, po punohet që koha e përfundimit të të gjitha analizave të jetë më e shkurtër. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Sinamati thekson se ka përfunduar autopsia, por jo analizat toksikologjike. Ndërkohë që, i pyetur në lidhje me çarjen e shpretkës, si diagnoza e përcaktuar e cila i ka shkaktuar vdekjen 35-vjeçares Aida Çajka dhe foshnjës 9-muajshe që kishte në bark, ai thotë se kjo është një gjë e mundur gjatë shtatzënisë për shkak të ndryshimeve hormonale që pësojnë femrat, por edhe nga goditjet e fëmijëve. “Foshnja ishte e madhe, pasi peshonte 4.8 kg. Dëmtimi mund të ketë ardhur edhe nga goditjet e fëmijës. Është një gjë që nuk përjashtohet”, theksoi nëndrejtori i mjekësisë ligjore, Admir Sinamati për “GSH”.
Zoti Sinamati, në çfarë pike është mjekësia ligjore në lidhje me tragjedinë e dyfishtë në maternitetin “Koço Gliozheni”? Kur mund ta kemi ekspertizën përfundimtare?
Ekspertiza të tilla normalisht kërkojnë 2 javë kohë, tani ka përfunduar autopsia. Por duhen bërë analizat toksikologjike, të mblidhen të gjitha ekzaminimet që të dalë ekspertiza mjekoligjore. Duke qenë se kjo është një ngjarje që ka ndjeshmëri të madhe publike, do të punohet që përgjigjja të dalë në kohë më të shpejtë.
Diagnoza që u dha si shkaktare e vdekjes, është çarja e shpretkës. Si e gjykoni ju këtë, pasi ka shumë zëra profesionistësh të mjekësisë që thonë se dëmtimi i shpretkës ndodh nga traumat e rënda, nga një aksident me makinë apo goditje…
Dy janë arsyet madhore të dëmtimit të shpretkës: nga traumat, dhe në rastet kur personi vuan nga sëmundje të gjakut. Te gratë shtatzëna kjo diagnozë nuk është një gjë e pamundur, për shkak të ndryshimeve të komponentëve hormonalë që ato pësojnë. Teorikisht mund të ndodhë edhe nga goditjet që mund të shkaktojë fëmija, dhe sidomos nëse është një fëmijë i madh, si në këtë rast. Por asgjë nuk është vërtetuar. Duhet të presim të dalë ekspertiza përfundimtare.
Sa i madh ishte fëmija?
Nga të dhënat rezulton 4.8 kg. Dhe, nëse godet vazhdimisht në një pozicion ku ndodhet shpretka, nga ana mjekësore mund të ndodhë edhe dëmtimi i saj.

Related Posts :