Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“«The Economist»: Problemi me kanabisin është duke u përkeqësuar” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“«The Economist»: Problemi me kanabisin është duke u përkeqësuar” plus 9 more - Gazeta Dita


«The Economist»: Problemi me kanabisin është duke u përkeqësuar

Posted: 23 Sep 2016 02:32 AM PDT

Fotoja me gazetarin Tim Judah, solli një furtunë reagimesh nga opozita për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Pavarësisht kësaj gazetari i "The Economist" ka botuar artikullin e tij për fenomenin kryesor në Shqipëri: kanabisin.

 

Ja artikulli i plotë

Është kulmi i sezonit dhe dhjetëra burra të mbuluar nga djersët punojnë në ara pranë fshatit shqiptar Tragjas, duke korrur frytet e kanabisit. Një grup policësh të armatosur dhe me maska qëndrojnë pranë tyre dhe i mbikqyrin.

Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, vjen me helikopter për të vëzhguar shkatërrimin e plantacioneve. Grumbuj me shkurre, gati dy metra të lartë, i ka përfshirë flaka. Tahiri e pranon se tymi i kanabisit u shkakton kollë policëve, por ky është problemi më i vogël sot. «Këtu bëhet lufta e Europës me drogën», thotë ai, «miliarda euro janë në lojë».

Shqipëria është furnizuese e madhe e tregut europian të drogës. Vendi ka qenë prej kohësh bazë, nga e cila bandat kriminale kanë kontrabanduar çdo gjë, nga cigaret tek heroina, kokaina, vaji i kanabisit dhe substanca të tjera të ndaluara në pjesën tjetër të Europës, sipas Qendrës Europiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga, që është dhe agjencia e drogës në Europë. Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po bëhet një prodhues i madh i kanabisit, që shpërndahet nga një rrjet kompleks i krimit të organizuar shqiptar.

Njëri nga destinacionet më të mëdha është Italia, aty ku «malli» kalon me skafe, kamionë dhe avionë privatë; muajin e fundit trafikantët u përpoqën ta kalojnë edhe me «jetski» (motoçikleta uji). Një gazetë italiane u hap me një titull paksa të çmendur: «Lumenj të drogës po rrjedhin nga Shqipëria në brigjet e Italisë».

Çdo ditë gjatë kësaj vere, Guardia di Finanza, një forcë ushtarake e policisë italiane, veproi në territorin shqiptar për të zbuluar koordinatat e plantacioneve të kanabisit për «djemtë» e Tahirit . «Pothuajse të gjithë plantacionet e identifikuara janë shkatërruar», thotë ai. Në fund të gushtit, ai pretendon se njerëzit e tij shkatërruan një milion bimë kanabisi, nga gjysëm milioni të regjistruara në vitin 2014.

Të tjerë janë më pak të sigurt për këto shifra. Banorët e këtyre zonave ankohen se disa plantacione – ato të cilat janë të vështira për t'u arritur – nuk janë prekur. Politika shqiptare është e mbushur me akuza për lidhje të politikanëve me mafian e drogës. Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike në opozitë, thotë se edhe vetë zoti Tahiri i mbron bosët e drogës.

Këtë akuzë, Tahiri e mohon me forcë. Basha gjithashtu pretendon se gjatë fushatës zgjedhore tre vjet më parë, Edi Rama, kryeministri socialist i Shqipërisë, bëri marrëveshje të pista me mafiozë të zonave të ndryshem, për të fituar vota; tani, ai mendon se Rama është peng i tyre.

Socialistët e hedhin poshtë këtë teori; ata argumentojnë se në tetë vitet kur partia e Bashës ishte në pushtet, kanabisi kultivohej hapur në fshatin e vogël të Lazaratit. Prodhimi ishte i tillë që Ministria e Brendshme e vlerësonte rreth 4,5 miliard euro, thuajse gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Shifrat janë për vitin 2014, deri kur në Lazarat hyri policia.

Është e vështirë të rendisësh faktet, kur kanabisi vazhdon të digjet. Plantacionet tani janë përtej Lazaratit. Por zyrtarët italianë refuzojnë të flasin, ndërsa shqiptarët janë seriozë kur bashkëpunojnë me ta. Vitin e kaluar Dritan Zagani, një zyrtar në poste drejtuese në polici, kërkoi azil politik në Zvicër, pasi u dyshua se i tregoi italianëve për një rrugë të re të kalimit të drogës; policia shqiptare tha se informacionet rrodhën tek mafia.

Një burim diplomatik thotë se problemi i kanabisit po shkon «duke u përkeqësuar». Por, pavarësisht nga shkalla e vërtetë e asgjësimit të kanabisit, është e paqartë nëse kjo ka ndonjë ndikim real. Vende të tjera, si Maroku, gjithashtu furnizojnë Europën me drogë.

Në Amerikën Latine, në përgjithësi shkatërrimi i bimëve të kokainës dëmton prodhuesit e vegjël, por i lë të paprekur bosët. Megjithatë, Tahiri është sfidues. «Pavarësisht burimeve të vogla që vumë përballë parave të drogës», thotë ai, «njerëzit janë duke punuar më mirë se kurrë këtë vit».

Për qeverinë shqiptare kjo është një çështje e rendit dhe ligjit, dhe e besueshmërisë në Europë, veçanërisht nëse synon të hyjë në Bashkimin Europian. Tahiri thotë se mafiozët duhet të dinë se nuk ka më «të paprekshëm».

Donald Lu takon Metën

Posted: 23 Sep 2016 02:19 AM PDT

Ambasadori amerikan Donald Lu po zhvillon një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta në Kryesinë e Kuvendit.

Mendohet se në qendër të diskutimeve janë paketa me 7 ligjet e emergjencës për zbatimin e reformës në drejtësi.

LSI pëmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili deklaroi votën pro këtyre ligjeve seancën e 29 shtatorit kur dhe priten të miratohen.

Koreja e Jugut plan për vrasjen e Kim Jong Un

Posted: 23 Sep 2016 02:18 AM PDT

Koreja e Jugut ka një grup trupash ushtarake elitë që janë të gatshme të vrasin Kim Jong Un, nëse vendi do të ndihet i kërcënuar nga armët bërthamore të Koresë së Veriut.

Është vetë ministri koreanojugor i mbrojtjes që e pranon këtë gjatë një seance parlamentare. I pyetur nëse ka një forcë ushtarake e gatshme të eliminojë liderin koreanoveroir, Han Min Koo u përgjigj, se ekzistonte një plan i tillë.

"Koreja e Jugut ka një plan për të përdorur raketa ndaj bazave armike si dhe për të eliminuar lidershipin e armikut", tha deklaroi ministri.

Prej kohësh dyshohej dhe spekulohej për ekzistencën e një plani të tillë, por përgjigjja e sinqertë e ministrit habiti shumë njerëz. Analistët thonë se çdo presidenti duhet të ketë një opsion të tillë dhe do të ishte një gabim të mos bëhej asgjë në këtë drejtim.

Ministria koreanojugore e mbrojtjes tha se planifikon gjithnjë skenarin më të keq, atë të luftës bërthamore me Korenë e Veriut dhe vrasja e Kim Jong Un është pjesë e tij. Tensioni është i lartë në gadishullin korean pasi vendi komunist kreu testin e pestë bërthamor dhe pretendon se është gati për një të gjashtë.

Protestat në SHBA, shtetrrethim në Charlotte

Posted: 23 Sep 2016 02:17 AM PDT

Policia dhe protestuesit në Charlotte u përballën për natën e tretë rresht mes domonstratave masive, ndërsa familja e Keith Skot, viktimës që u vra nga policia, tha se kishte më shumë peytje se përgjigje pasi pa në mënyrë private videon e vrasjes së tij.

Policia përdor gazin lotsjellës për të shpëndarë një turmë prej disa qindra njerëzish në autosatrdën Xhon Belk, ku ata kishin bllokuar trafikun. Përplasjet e shumta mes autoriteteve dhe protestuesve detyruan kryebashkiaken Xhenifer Roberts që të shpallte gjendjen e shtetrrethimit gjatë natës, një vendim që ajo kishte refuzuar ta merrte më herët.

Gjithsesi, mediat raportojnë se situata është më e qetë se ditët e shkuara, pasi policia ka pasur një qasje të re ndaj protestave. Mësohet se autoritetet janë përpjekur që të shmangin përballjet sa më shumë dhe kanë ndërhyrë vetëm kur e kanë cilësuar si të domosdoshme.

Ndërkohë, pasi panë videon, përfaqësues të familjes së Keith Skot, vrasja e të cilit shkaktoi protestat, thanë se ishte e pamundur të kuptohej nga filmimi se çfarë mbante ai në dorë.

Më herët policia tha se bëhej fjalë për një armë, por më pas ndryshoi qëndrim, duke konfirmuar fjalët e familjes, se në video nuk duken duart e viktimës.

Pavarësisht gjendjes së shtetrrethimit, protestuesit vazhduan që të qëndrojnë në rrugë duke sfiduar policinë dhe autorietet ndërsa premtuan se do ta bëjnë këtë në vazhdim duke kërkuar drejtësi. Përdorimi i forcës nga policia amerikanë ndaj njerëzve me ngjyrë ka qenë subjekt protestash prej dy vitesh në SHBA dhe së fundmi është bërë edhe çështje e zgjedhjeve presidenciale.

Shqipëria pjesë e Kongresit Botëror të Turizmit Aventurë

Posted: 23 Sep 2016 02:15 AM PDT

Ago:  "Ndërgjegjësim për mbrojtjen e natyrës dhe rritje e standardeve të produkteve turistike"

Kongresi Botëror i Turizmit Aventurë këtë vit është mbajtur në Alaska të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kufiri i fundëm i Botës nga 19 deri në 22 Shtator ka pritur rreth 850 delegatë nga 65 shtete të cilët i janë bashkuar komunitetit të aventurës duke promovuar destinacionet më të mira botërore turistike.
Federata Shqiptare e Rafting prezantoi Shqipërinë nëpërmjet projektit inovativ Albanian Adventure Resort duke treguar historinë e riciklimit dhe transformimit të një reparti ushtarak të braktisur, simbol i izolimit në një qendër për aktivitete sportive, vend i shpresës për një jetë mirë dhe lirisë për t’u përfshirë në aktivitetet e aventurës duke transformuar një zonë të tërë nëpërmjet turizmit.

Në një prononcim nga shteti i Alaskës, Blerina Ago e Albania Rafting tha: "Kongresi Botëror i Turizmit Aventurë ishte shumë frytdhënës dhe në të njëjtën kohë frymëzues pasi u dhanë shumë shembuj nga e gjithë bota mbi zhvillimin e turizmit të aventurës. Në mënyrë të veçantë më bëri përshtypje se ndryshe

Blerina Ago në Alaska

Blerina Ago në Alaska

nga vendet e tjera të zhvilluara, në vendin tonë ka një mungesë të theksuar të ndërgjegjes kolektive për mirëmbajtjen e pasurive natyrore.

Ndryshimi është po aq i dukshëm dhe në cilësinë e shërbimit të bizneseve pritëse, restoranteve, etj të cilëve iu mungon një vizion për të ardhmen dhe përqendrohen te modeli i fitimit afat-shkurtër kryesisht gjatë sezonit të verës.

Në evente të tilla e kupton vërtet rëndësinë që ka turizmi për mirëqenien e vendit, për zhvillimin e zonave të izoluara dhe për ruajtjen e pasurive kombëtare dhe traditave. Për mua ishte një mundësi e jashtëzakonshme të isha pjesëmarrëse dhe të përfaqësoja një vend të jashtëzakonshëm si Shqipëria dhe njëkohësisht do bëj të pamundurën që kur të kthehem nga ky event të përcjell mesazhin e turizmit të përgjegjshëm, të cilësisë në shërbimin turistik dhe të konsideratës për natyrën sa herë të më jepet mundësia.

Padiskutim që ne mund të kthehemi në një destinacion botëror duke i dhënë turistëve sa më shumë arsye për të na vizituar dhe duke e parë veten si pjesë e diçkaje më të plotë dhe të madhe, Ballkani.

Prandaj gjatë këtyre ditëve punuam sëbashku me përfaqësuesit e Ballkanit për strategjinë 3-vjeçare në zhvillim të turizmit të qëndrueshëm, duke mos e parë njëri-tjetrin si konkurrent, por si partnerë e që ndajnë vlera dhe trashëgimi, duke rritur standardet dhe sasinë e cilësinë e produkteve turistike."

14446055_10157538371885650_1741532469963328872_n2016-09-19-18-31-51

Sfida e të qenit Kryebashkiak i Tiranës

Posted: 23 Sep 2016 01:54 AM PDT

 

Erion Veliaj ndan me Prishtina Insight (PI) qasjen e tij lidhur me ndërhyrjet akupunkturale, si një mënyrë për të rregulluar kryeqytetin e Shqipërisë, si dhe betejën e tij të vështirë kundër zaptimit të hapësirës publike

 

Menjëherë pasi u shpall fitues në zgjedhjet e qershorit të vitit 2015, Erion Veliaj vuri re se nxënësit e shkollave në qytetin e tij kishin një problem: humbisnin 33,000 orë mësimi çdo javë, si pasojë e mungesës në orën e parëpasi mbeteshin në trafik. Fajtori kryesor? Furgonët që transportonin ushqime, të cilët bllokonin rrugët.

"Ishte [një situatë] kaotike", tha Veliaj për PI, gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë, javën e kaluar. "Ata duan të shpërndajnë mallrat ushqimore nëpërmjet makinave të mëdha dhe në këtë mënyrë bllokojnë trafikun", pohon ai. Pavarësisht protestave të bizneseve, Veliaj publikoi një urdhër nëpërmjet të cilit ndalonte lëvizjen e furgonëve që shpërndanin mallra ushqimorë prej orës 7 deri në orën 9 të mëngjesit.

"Mendova se kjo është fillimisht një çështje vlerash. A janë 100,000 fëmijë të cilët humbasin orën e parë të mësimit më të rëndësishëm se 1000 furgona çamçakëzësh? Ky është vetëm një detaj i vogël, mes një mijë gjërash të tjera, që tregon se ne na mungojnëhapësirat. Prandaj, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të vëmë rregull nëpërdorimin hapësirën që kemi në dispozicion", shprehet kryetari i Bashkisë. Këtë vit të ri shkollor, zërat kundërshtues ndaj këtij urdhri janë shuar, por kritikuesit kanë gjetur kauza të reja, kundër disa nismave të tjera të ndërmarra nga Veliaj. Një prej tyre ishte lëvizja e detyruar e familjeve të komunitetit rom, për të zhvilluar ambiente rekreacionale pranë parkut të liqenit.

Problemin e nxënësve të shkollave dhe trafikut të mëngjesit, Veliaj e ndeshi përmes një aplikacioni të prezantuar prej skuadrës së tij, që synonte të afronte administratën me qytetarët duke marrë informacion të drejtpërdrejtë prej tyre, për t'iu përgjigjur më mirë nevojave që ata kishin. Veliaj, një aktivist i shoqërisë civile, i cili u bashkua me Partinë Socialiste të Edi Ramës në vitin 2009, më pas në 2013 si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e nisi fushatën për kryetar bashkie vetëm 45 ditë para zgjedhjeve. Ai dhe skuadra e tij zhvilluan një aplikacion që do të grumbullonte informacion mbi nevojat e komunitetit dhe në bazë të këtij informacioni ata do të zhvillonin propozime te detajuara, në varësi të nevojave specifike të njësive të ndryshme të Tiranës.

Përdoruesit e këtij aplikacioni dërguan foto apo raportime mbi kapakë të munguar pusetash, xhama të thyer dritaresh, kazanë të tejmbushur me mbetje dhe problematika të tjera që ndeshnin në zonën ku ndodheshin. Ai e cilëson këtë qasje si faktor kryesor që e ka ndihmuar të fitojë, në një garë të fortë elektorale. Pas emërimit, Veliaj instaloi sensorë trafiku, vendosi kamera në rrugë dhe e ktheu aplikacionin fillestar, që bazohej në të dhënat e dërgurara nga qytetarët, në atë që u quajt më pas "Tirana Ime". Gjatë vizitës zyrtare, ai ia ofroi këtë platformë për përdorim edhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke theksuar se një prej ngjashmërive të shumta mes dy kryeqyteteve është sfida që shfaqet prej përdorimit masiv të makinave.

"Deri në vitin 1990, shqiptarët nuk mund të kishin një makinë në pronësi. Sot në Tiranë, një qytet në të cilin banojnë gati 1 milion banorë, ka 130,000 makina që kryejnë rreth 800,000 udhëtime në ditë", thotë Veliaj. Sipas të dhënave të mbledhura nga skuadra e tij, gjysma e këtyre udhëtimeve me makinë, janë më të shkurtra se 1 kilometër. "Është tejet e qartë që ky fakt nuk lidhet me hapësirën e parkimit apo distancat e mëdha brenda qytetit, por me mentalitetin", thotë Veliaj. Tirana po kthehet në një qendër të artit, arkitekturës dhe kuzhinës. Edi Rama, i cili përpara se të zgjidhej Kryeministër i vendit, ka shërbyer si Kryetar Bashkie, është i njohur për gjallërimin e ndërtesave të zbehta post-komuniste, nëpërmjet lyerjes së tyre me motive plot ngjyra. Veliaj, anëtar i Partisë Socialiste, po ndjek hapat e tij, por kësaj radhe duke i ndryshuar ndërtesat.

"Rem Koolhaas do të vijë këtë muaj [në Tiranë] për të vlerësuar mundësinë e ndërtimit të një ndërtese", thotë Veliaj. "Stefano Boeri, arkitekti i famshëm italian i cili ka projektuar Pyllin Vertikal (Bosco Verticale) po punon mbi Planin e Përgjithshëm të Tiranës. Një ndërtesë gjigande e Winy Maas sapo u hap në qendër të Tiranës. Mendoj se për shumë prej tyre duhet të jetë interesante të kenë Shqipërinë në CV-në e tyre dhe për ne është shumë e rëndësishme të vendosim qytetin në hartë, duke sjellë personazhe të tillë, për të lënë shenjën e tyre në qytet".

"Por ndryshimet nuk janë vetëm në nivel kozmetik", thotë Veliaj. Sipas tij, lipset që edhe qytetarët e Tiranës të ndryshojnë zakonet e tyre. "Njëzetë e pesë vjet më parë, ne vuanim prej urisë dhe mbaj mend radhën e bukës në Tiranë. Isha 10 apo 11 vjeç dhe qëndroja duke pritur me orë të tëra kamionin e bukës. Sot problemi ynë kryesor është obeziteti. Dhe kjo brenda një gjenerate! Në fillim kritikat ishin të mëdha: Ti je kryetari i Bashkisë, ti je këtu për të shtruar me asfalt, për të rregulluar parqet dhe për të ndërruar poçat e dëmtuar të ndriçimit, jo për t'u mësuar njerëzve se si të rrisin fëmijët e tyre", thotë ai. "Por duhet t'i bësh të dyja, infrastrukturën dhe kulturën".

Këto ditë në Prishtinë, thotë Veliaj, po flitet shumë mbi çështjen delikate të demarkacionit të kufijve me Malin e Zi, pa marrë parasysh mënyrat se si jeta e qytetarëve në qytet çdo ditë demarkohet. "Ështe tema e preferuar e bisedës për gjithkënd, kush është më shumë turbo patriot… E di se njerëzit janë të shqetësuar për këtë çështje, është e kuptueshme. Por na duhet demarkacioni në qytet, sepse ne jemi duke uzurpuar çmendurisht hapësirat publike: po uzurpojmë rrugët ku gjithkush duhet të jetë i barabartë dhe ku njerëzit ecin, po uzurpojmë trotuaret për të vendosur makinat luksoze, po uzurpojmë parqet për të krijuar më shumë kafene dhe për të shtuar numrin e dembelëve të cilët rrinë gjithë ditën duke pirë cigare, në një vend ku duhet në fakt të luajnë fëmijët. Na duhet ca nga ky lloj demarkacioni, e askush nuk flet për të, ndërkohë që flitet për një hapësirë të gjelbër në të cilën s'ka qenë askush, por që duket shumë mirë në fotografi", shprehet ai.

Veliaj thotë se në datat 26 dhe 27 Nëntor, pak ditë para festës së pavarësisë, do të organizojë në Tiranë një takim të kryetarëve të Bashkisë, të qyteteve kryesore në pesë shtete Ballkanike, ku jeton një numër i madh popullsie shqiptare. "Dëshiroj të sjell kryetarët e secilit prej qyteteve kryesore me popullsi shqiptare, kryetarin e Bashkisë të Prishtinës, të Ulqinit, të Tetovës, të Preshevës. Për një herë të vetme le të mos flasim për Shqipërinë emadhe, por për Shqipërinë e Mirë. Në këto qytete jeton një e treta e popullsisë shqiptare të rajonit. Dhe nëse këto qytete bashkëpunojnë me sukses me njëri-tjetrin, atëherë kemi bërë shumë për një të tretën e bashkë-atdhetarëve  tanë", deklaron ai.

Kjo mendësi edrejtoi atë në Galerinë Serpentine në Londër, së bashku me artistin kontemporan Anri Sala. I kërkuan nëse Tirana mund të kthehej në një shtëpi të dytë për instalacionet e kësaj Galerie, duke filluar me Renë, një pavijon i ndërtuar me shufra të bardha nga artisti japonez Sou Fujimoto. Kjo strukturë është sot një vend i shumëkërkuar për organizimin e eventeve. Veliaj thotë se ka 361 evente të planifikuara nga 365 ditë të vitit. Kjo është vetëm një pjesë e asaj ç'ka ai konsideron qasje akupunkturale e rregullimit të qytetit, duke u fokusuar intensivisht në përmirësimin e hapësirave më të rëndësishme të qytetit.

"Akupunktura nuk masazhon çdo pjesë të trupit, thotë ai, – por prek nervin i cili mund të ndikojë në mënyrën se si funksionon i gjithë trupi. Mendoj se qyteti është si trupi i njeriut, ti nxit një nerv dhe të gjithë qytetarët me tej tërhiqen dhe drejtohen drejt asaj nxitje". Ai nuk ndjek detyrimisht modelin e vendeve të zhvilluara të Evropës Perëndimore, por është fokusuar në nxjerrjen në pah të shpirtit unik të qytetit dhe në inovacionet e ardhura nga hapësirat më dendësi të lartë të popullsisë urbane në Amerikën e Jugut.

"Unë nuk kam muzeun e Luvrit, por mund të kem Renë e Foujimoto dhe kam gjithashtu bunkerin e Enver Hoxhës", thotë ai. "Kam kuptuar se risitë më të mira nuk po vijnë nga Evropa, por udhëtojnë prej vendeve si Bogota dhe Medellin, apo edhe nga shumë qytete të Amerikës Latine. Ata kanë një mentalitet shumë të ngjashëm me tonin, jetojnë pranë detit, dëshirojnë të pijnë kapuçino gjithë ditën, janë qejf-dashës, të apasionuar ndaj aktiviteteve që zhvillohen jashtë, në ambiente të hapura. Mendoj se një pjesë e mirë e risive sot vjen prej konteksteve të ngjashme, që nuk gjenden në Evropën Veriore. Le të tregohemi të sinqertë, shqiptarët nuk do munden kurrë të kthehen në Kalvinistë".

Jo të gjitha përpjekjet e Veliajt për zbukurimin e qytetit janë mirëpritur nga masa. Vjeshtën e kaluar administrata e tij u kritikua për largimin e 48 familjeve të komunitetit rom, të cilat jetonin pranë parkut të Liqenit të Tiranës. Sipas planit, familjeve të cilat ishin të regjistruara në Tiranë, iu ofrua zgjidhje e përkohshme strehimi, ndërkohë që atyre të cilët ishin të regjistruar në bashki të tjera, iu ofrua transporti pa pagesë deri në qytetet nga vinin.Ky plan u kritikua nga Këshilli i Evropës dhe institucione të tjera që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në shkurt kabineti i Veliajt nisi punimet për ndërtimin e një parku për fëmijë pranë Liqenit të Tiranës, zona mëe preferuar rekreative e qytetit. Anëtarë të shoqatave mjedisore dhe partive opozitare u vendosen në çadra në park për 78 ditë, për të protestuar kundër ndërtimit të parkut, duke u ndeshur shpesh herë edhe me forcat policore. Sipas një investigimi të BIRN, kontrata që përfshinte ndërtimin e faciliteteve rekreacionale përfshirë këtu një pistë kalërimi, fusha futbolli dhe basketbolli si dhe një bar kafe, u shpall pa organizuar një tender.

Së fundmi, administrata e Veliajt u kritikua edhe si pasojë e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, një punonjës i paregjistruar i turnit të natës në landfillin e qytetit. Në një përpjekje për të ndaluar riciklimin informal dhe dukurinë e grumbullimit të mbetjeve pranë kazanëve që është shumë e përhapur në Tiranë, në mars, Veliaj vizitoi pikën e grumbullimit të mbetjeve në Sharrë, duke u shprehur se grumbulluesit informalë të mbetjeve, kryesisht anëtarë të komunitetit rom, do të kishin mundësi të punësoheshin në pikën e grumbullimit, në përputhje me të gjitha ligjet dhe procedurat e rregullta. Partia Demokratike, opozitare, protestoi pas vdekjes së të riut dhe kërkoi dorëheqjen e Veliajt.

Veliaj thotë se vdekja tragjike po përdoret për përfitime politike, duke insistuar se Bashkia nuk e menaxhon pikën e grumbullimit të mbetjeve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe se kjo çështje do të investigohet plotësisht. Administratori i pikës së grumbullimit të mbetjeve është në shpallur në kërkim. "Sigurisht ata [menaxherët e pikës së grumbullimit] shkelën kodin e punës", shpjegon Veliaj. "Le të lejojmë vijimin e hetimeve. Në Tiranë momentalisht kam 100 kantiere të hapura pune. Në secilën prej urave, në secilin prej bulevardeve, në secilën prej brigjeve të lumenjve në të cilët po punojmë në zonat rurale, mund të ndodhë një aksident. Në rast se bëhemi pjesë e lojës së hienave politike, që shprehen se gjithkush në këto kantiere pune është i lidhur drejtpërdrejt me kryetarin e bashkisë që siguron këtë punë, kjo thjesht nuk do të funksionojë".

Ashtu si Rama, i cili la pas fasadat shumëngjyrëshe të pallateve dikur të rrënuara, Veliaj është i vendosur në vizionin e tij për një qytet më të rregullt. "E di se mund të ketë njerëz të cilët dëshirojnë vërtetë të jetojnë poshtë statujës së Skenderbeut [në qendër të Tiranës], por kjo thjesht nuk mund të ndodhë", thotë ai. "Por di gjithashtu se ka një mënyrë për t'i bërë të dyja. Mua nuk më duhet të zgjedh mes ofrimit të mundësive të banimit për qytetarët, apo të paturit të një qyteti të lirë, me hapësira të lira".

Kryetari i Bashkisë pranon se zgjedhjet e tij, që në thelb synojnë lirimin e hapësirave publike në Tiranë do të kritikohen. Por ai thotë se nuk lëkundet prej tyre, sepse e di gjithashtu që do t'i sigurojnë edhe shumë mbështetës. "Nëse shkatërron garazhin ku dikush mban Mercedesin e tij luksoz, ai do të urrejë, por nëse kjo të lejon të lirosh hapësirën e lojërave të fëmijëve, 100 persona të tjerë do të të duan për këtë".

“Në dhimbje nuk më përgjigjet askush“

Posted: 23 Sep 2016 01:50 AM PDT

 

Nga libri në punim, disa poezi nga Bedri Islami

 

HISTORI E SHKURTËR

Në fillim ishte Gjergji,
e tradhtoi Hamzai,

pastaj për shumë vite nuk ishte askush,
rrinim nën mjegull,

me trishtimin e viteve erdhi Ismaili,
e tradhtoi Esati,
Esatin e vrau Avniu,
Avniun e vrau Ahmeti,
Ahmetin e përzuri Enveri,
Enverin e përcolli Ramizi,
Ramizin e burgosi Saliu,
Saliun e hëngri dreqi,

…po ne ku ishim…

mbetëm duke pritur
kur do të rivijë Gjergji…

 

KUR TË KTHEHESH

Kur të kthehesh kësaj nate në shtëpi
do të gjesh nga unë
lulet e blirit të vjetër
në oborrin e shtëpisë së ëndrrave…

Këmbanëzat e argjëndta të fjalëve
do të tringëllijnë
si notat e harpës së vjetër..
ndërsa
nata kalon përmes syrit tënd,

do të doja të isha aty,
të të dashuroja deri në fundin e shpirtit
dhe përmes drithërimit
të të thoja
atë që e di prej një shekulli..

Pastaj, përmes puthjes së
Natës së mirë
të mos rikujtoja asgjë
veç mrekullisë së ardhjes tënde…

kujtimet lëvizin përmes luleve të blirit…

 

KOHË TJETËR

Nuk janë më dëbornat e dikurshme,
hojet e zgjatura nuk ngrijnë më nën strehë,
erërat e murlanit janë zbutur,
vijnë rrotull natën si zonjusha budallaqe,
shirat bien mërzitshëm,
si të mbështjella nën një çarçaf hiri
i ftohti nuk të ngrin në faqe….

edhe fjalët e mia janë tmerrsisht të qeta,
më kot e bind veten se koha është e tillë,
vajmedet,
po mbesim larg njëri-tjetrit
si lumenj të tharë…
në këtë kohë të tjetërsuar
kur fjalët nuk ngjitin
dhe asgjë nuk është si më parë…

Ah, dimrat e ftohtë kanë parë
si e sillnin duart tona pranverën.

 

E VËRTETË

E vërtetë, e kam dashur me shpirt,
Nuk ka asnjë nënkuptim, të fshehtë a përçartje…
Të duash me shpirt nuk është mëkat,
Megjithëse koha ish e mëkateve…

Nuk jam vërvitur pa shpresë, zhuritur nga largësia
Penduar nuk jam për asgjë, gjithçka është brenda meje,
Zotin me flatra e pashë, nga dashuria,
Pendimi nuk më vinte nga pas si një qerre..

Me shpirt kam dashur, si i marrë, e vërtetë,
Jam dehur nga fjalët, kam plasur si gur,
Nëse kohrat do të shtyheshin prapa në jetë
Do doja përsëri si dikur…

 

PËRSËRITJE

Historia përsëritet pambarimisht
miku im,
në një skaj të pyjeve
unë jam stërgjyshi im,
druvar, i zbardhur nga motet,
djalë i ri, në natën e martesës,
prek brumin që ka bërë fisin tim
gjyshi im jam,
mbështetur në gardhishtet e lista,
dyzimi i së djeshmes,
rikthim i të parëve,
prag i së ardhmes,
kumti pagan i natës së zjarreve..

ditëfundi i tim eti,
koka e mbështetur në shkëmb,
ndjekur nga hijet dhe ëndrrat,
askund nuk jam dhe jam gjithkund.

Nesër, a pas një shekulli
një tjetër si unë do të vijë,
i butë, çamarrok, inatçi, i dashur,
dashuronjës si fëmijë,
i tradhtuar, tradhtonjës,
i heshtur, zhurmonjës,
bujk a poet,
shkapetës dyersh a përkdhelës ëndrrash,
puhizë a dallgë mbi det,

unë do e mbaj atë
si më mbajtën mua,
qetësisht, pa zhurmë…
ai do të mbajë një tjetër,
si e mbajta unë…

 

MBRËMJE

Në mbrëmjen e shtrirë
mbi çetinat e vjetra
duke pritur erërat e detit
nuk harrova dot vjeshtën e shkuar,
skuqjen e mollëve,
dhe trëndafilin e bardhë,
rënë pikëllueshëm
në një fillim rruge…..

Ende sot,
më duken
petalet e trëndafilit
si dallgët që më erdhën
tek këmbët
dhe shkuan
së bashku me mëngjesin…

erërat e detit,
si kujtimet,
është e pamundur

t’i qetësosh…
as t’i mbash në vete

përmes tyre mund të shkërmoqet
gjumi yt i brishtë
si një ëndërr vjeshte…

 

LUMI I VDEKSHËM

Lumi i vdekshëm i jetës sonë
rrjedh drejt së panjohurës së vjetër,
në çastin e shterrjes së tij
fillon udhëtimin
lumi i vdekshëm i dikujt tjetër…

në shkëmbimin e lumejve
të gjitha ndryshojnë,
ekzistenca,
iluzionet, papërshtatshmëria,
e vetmja që
mbetet njëlloj,
në gjithë lumejt e vdekshëm,
dashuria…

në lumin absolut të kohës kozmike
pafundësisht mister dhe të prekshëm,
si nga e ardhmja paraekzistuese
rrjedhin
të gjithë
lumejt e vdekshëm..

 

ETJE

 

Pikat e shiut, duke u shuar,

Përplasen në fytyrën e saj

 

degëzohen pastaj,

në sytë e mistershëm,

në faqet e skuqura,

 

mblidhen në oazën e gojës..

 

vetmi të shkreta,

 

gjithë jetën,

aty u përkula të shuaj etjen

dhe i etur mbeta.

 

 

 

SHITJA

 

Ai tha:

"ky është Jezusi"…

Ai vetë…

 

Pastaj numëroi asprat,

Dhjetë,

Njëzet,

Tridhjetë..

 

Vetëm kaq?

 

Asprat u rrokullisën në pluhur…

 

Të ishe në kohën time

O Judë

Jezusin e shenjtë..

Do e kishe

Shitur

Shumë më shtrenjtë.

 

Për sa aspra më kanë shitur?

 

MARRËZI

Të marrët
Janë njerëz të lumtur
Nuk e ndjejnë
dhimbjen.

I marrosur
isha pas teje

Ç'm'u desh
që u bëra i mënçur.

 

NË MBRETËRINË E HESHTJES

Kjo është mbretëria e përjetshme
E heshtjes
Vija dikur këtu
Dhe njihja vetëm tim atë,
Askënd tjetër – për fat..

Tani, miqtë më të shumtë
Janë këtu – të heshtur
Ne, të paktët,
Kemi mbetur vetëm
Duke pritur
Të bëhemi – të shumtët..

Tirane, 21 mars 2016, mesnatë

Gomonia me 812 kg marijuanë drejt Italisë, arrestohen trafikantët

Posted: 23 Sep 2016 01:45 AM PDT

Një ngarkese e madhe marijuane është kapur në orën 02:00 të mëngjesit nga policia italiane. Droga ishte nisur nga Orikumi në Vlorë mbrëmjen e djeshme. Policia ka arrestuar dy trafikantët ndërsa bën të ditur edhe detajet e operacionit të përbashkët Shqipëri-Itali.

"Në afërsi të Orikumit,  është identifikuar dhe sekuestruar një mjet lundrimi i tipit gomone me dy motora. Ndërsa në afërsi të vendit të quajtur Kepi i Gjuhzës, u identifikua një mjet lundrues i paidentifikuar, i cili lëvizte në drejtim lindje-perëndim", deklaron policia.

"Në ndjekje të tij u vunë shërbimet e Repartit Special "Delta" dhe të Njësisë së Guardia di Financa në Vlorë dhe njëkohësisht operacioni u koordinua me shërbimet e Guardia di Financa të Barit. Rreth orë 02.10 (e premte) shërbimet e Guardia di Financa, në afërsi të Leçes, kanë arritur të identifikojë dhe të ndalojë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi.

U sekuestrua një sasi mariuanë prej rreth 812 kg, e ndarë në 30 pako,  dhe në pranga u vunë  shtetasit D. A. dhe A. B. 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punon për dokumentimin e plotë veprimtarisë kriminale të personave të arrestuar", deklaron Policia e Shtetit.

gomonia1gomonia223gomonia

Miti i manipuluar i Eneas në Butrint

Posted: 23 Sep 2016 01:44 AM PDT

 

Nga MOIKOM ZEQO

 

E kam takuar dy herë arkeologun anglez Oliver Gilkes në Butrint dhe në Tiranë. Kemi biseduar për arkeologjinë dhe posaçërisht për Butrintin. Oliver Gilkes është kërkues shkencor në Institutin e Arkeologjisë Botërore në Norwich të Anglisë. Oliveri ka mbi 10 vite që punon në ekspozitat arkeologjike në qytetin e madh antik të Butrintit. Ai trajnon në mënyrë konceptuale arkeologët dhe studentët e rinj.

Oliver Gilkes gjithashtu ka shkruar sintezat e tij shkencore për gërmimet në Butrint, për metodat moderne të arkeologjisë dhe të leximit të qartë të relikteve dhe dëshmive historike. Mitizimi shpesh edhe politik i historisë së Butrintit duhet ballafaquar me shkencën rigoroze, – kjo pikë inkandeshente e bën arkeologun një dijetar të pavarur, me dyshim dekartian, dhe me maturi arsyetimi dhe optikë të patjetërsueshme zbulimi.

A është Butrinti Troja e Re? Përse Virgjili e përfshin Butrintin në rrëfenjën e tij si strukturë vizionare perandorake romake të Oktavian Augustit?

 

Para unë eci e shoh një Trojë ndërtuar sipas shembullit të së madhes,

Një Pergam dhe një përrua të thatë me emrin e Ksanthit,

Duke hyrë putha pragun e portës Skea.

(Virgjili "Eneida" III 346-351)

 

Nga emocionet që përftohen duke parë Bradd Pitin në prodhimin hollivudian "Troja", shumëkush mund të harrojë që Troja e dytë shtrihej në Butrint, në Shqipëri. Për shekuj me radhë, rrëfimi i Virgjilit se si Enea i shpëtoi rënies së Trojës, ka shërbyer si burim frymëzimi për studentët e botës klasike. Kështu me radhë nga Qirjaku i Ankonës, humanisti i shekullit të 15 që vizitoi Butrintin, te vizitorët e mëdhenj që vizituan Shqipërinë dhe Greqinë në shekullin e 19, e deri te Heinrich Shlieman. Këtë të fundit, mbresat e pashlyeshme, qysh nga fëmijëria e hershme, nga një imazh i Eneas duke shpëtuar nga qyteti i shkatërruar, e frymëzuan vite më vonë për të kërkuar qytetin e lashtë.

Poema e Virgjilit, "Eneida", ndjek gjurmët e heroit trojan gjatë rrugës që ai bën për të plotësuar misionin e tij historik, për themelimin e Romës. Përgjatë rrugës, ai dhe shoqëruesit e tij patën shumë aventura, iu desh t'u bënte ballë shumë tundimeve që i viheshin qëllimisht përpara për ta shpërqendruar nga misioni i tij i vërtetë. Një nga këto ishte dhe ndalesa në Butrint, ku ai gjeti një koloni të vogël refugjatësh trojanë midis të cilëve gjendeshin dhe Helenusi, djali i mbretit Priam si dhe Andromaka, gruaja e Hektorit. Përse atëherë Virgjili e përfshiu Butrintin, historia dhe arkeologjia e të cilit flasin për një qytet jo shumë të madh, në rrëfenjën e tij?!

Shpjegimi është i lidhur me shumë arsye më të gjera që lidhen me faktin që Virgjili nuk ishte thjesht një poet, por një fenermbajtës për programet e Oktavian Augustit në fund të shek. I p.K. Augusti kishte arritur vendin e parë në Shtetin Romak pas një sërë luftërash të përgjakshme civile që u zhvilluan pjesërisht edhe përgjatë bregdetit shqiptar.

Detyra e tij kryesore ishte të siguronte stabilitet dhe një "epokë të re të artë" si dhuratë për Mesdheun. Virgjili ishte vetëm njëri nga një rreth shkrimtarësh ku bënin pjesë dhe poetët Ovidi dhe Horaci si dhe historiani Livi, që gëzonin përkujdesjen e Augustit në përpjekjen e përbashkët për të hedhur themelet e një Rilindjeje Kulturore.

Në poemën e Virgjilit, udhëtimet e Eneas paralajmërojnë fundin e periudhës Perandorake të Romës. Virgjili zgjodhi si një nga vendndodhjet e ngjarjeve të tij Butrintin dhe Epirin për shkak të lidhjeve midis Augustit dhe fitores së tij mbi Antonin dhe Kleopatrën në Aktium, për shkak të marrëdhënieve shumë të afërta që kishte në atë kohë midis Epirit dhe Italisë për mëse një shekull. Roma pat vendosur një farë niveli kontrolli politik gjatë luftërave me Mbretërit Maqedonas, Filipi V dhe Perseu, gjatë të cilave seksione të tëra të Epirit (me përjashtim të rajonit të Butrintit) shtriheshin të pashfrytëzuara.

 

Gjithnjë e më tepër Butrinti filloi të bëhej një vend i modës për aristokratët romakë për të gjetur kënaqësitë pastorale të fshatit dhe shijuar kulturën e helenizuar. Oktavian Augusti vetë studionte për filozofi në shkollat e Apolonisë deri sa vrasja e Cezarit, ungjit të tij, e detyroi të hynte në punët publike. Edhe i famshmi Pompon Atiku, miku dhe letërkëmbyesi i Ciceronit, zotëronte toka pranë Butrintit dhe filloi të interesohej shumë për punët e qytetit dhe të punonte në emër të tij, në kohën kur aty u ngrit një koloni nga Cezari dhe Augusti. Miti i Eneas shpjegon edhe pjesën më të madhe të interesit të treguar për Butrintin, por vetëm në vitin 1930, u bë një përpjekje për ta provuar këtë shkencërisht duke aplikuar teknikat arkeologjike. Në vitin 1928 një Mision Arkeologjik italian u dërgua nga Musolini, ekipi drejtohej nga Luigi Ugolini. Qëllimi i vërtetë ishte të ngrihej në Shqipërinë e Jugut një prezencë Italiane si pjesë e një programi politik dhe penetrimi ekonomik. Ekzistonte gjithashtu një justifikim më filozofik, fashistët kthenin kokën mbrapa te një Romë mitike dhe Perandorake si paraardhëse të tyre.

Mussolini e shihte veten e tij si kulminacionin e vazhdës së gjatë të heronjve romakë që zinin fill me Enean për të vazhduar te Romuli e Augusti.

Ugolini ishte dërguar për të gjetur gjurmët e Eneas.

Në 15 vite gërmimi, shumë monumente madhështore u zbuluan në Butrint, shumica datonin në periudhën e mbretit Pirro ose dhe më vonë. Ndërmjet këtyre ishin rrethimet e mureve të qytetit me portat e hyrjeve, një nga të cilat e njohur si Porta e Liqenit, është një shembull i shkëlqyer i ndërtimit helenistik të shek. VII p.K. I shtyrë nga dëshira për të gjetur dëshmi të ndalesës së Eneas në Butrint, Ugolini e pagëzoi këtë portë si Porta Skea, dhe argumentoi që Heroi Trojan hyri që këtu për në qytet për të takuar Mbretin Helenus. Kjo u përdor si një mjet i fuqishëm propagande me rastin e përvjetorit të 2000 të ditëlindjes së Virgjilit, në vitin 1931, dhe u prodhua një pullë që tregonte portën Skea prej nga ku Helenusi përshëndeste me dorë Enean në anijen e tij, që përngjasonte shumë me përshëndetjen e njohur fashiste.

 

Thellë brenda vetes, Ugolini megjithatë nuk besonte që Butrinti ishte pikërisht vendi ku kishte ndaluar Enea. Fare qartë ai besonte që legjenda e kishte një bazë të vërtetë, por mendonte që Enea pat ndaluar në Kalivo, në një qendër të Periudhës së Bronzit që shtrihet në bregun Jugor të Liqenit të Butrintit. Ai argumentonte që ky vend ngjante më shumë me përshkrimin e Virgjilit për "qytetin e lartë Buthrot".

Ugolini gërmoi aty, por vdiq në vitin 1936 përpara se të botonte tërë rezultatet e gërmimit të tij.

Cila pra është e vërteta e Trojës së Re?

Që në vitet 50 arkeologët që kanë gërmuar nëpër varreza në Iliri dhe Epir kanë zbuluar një sërë objektesh artizanati, qeramike dhe metali, shpata, etj. që ose ishin të importuara ose të inspiruara nga Bota Homerike e Egjeut. S'kishte trojanë atëherë, por shumë romakë. Nga qyteti i Butrintit ka mbishkrime që dëshmojnë bujarinë e familjes së Atikut dhe padronëve të tjerë të kolonisë romake. Gërmimet nga Instituti i Arkeologjisë dhe Fondacioni Butrinti në vilën në Diapor përtej Liqenit të Butrintit kanë zbuluar diçka nga bota e Virgjilit dhe Augustit. Drejtorët e gërmimit të Diaporit, Luan Përzhita dhe Will Bowden kanë zbuluar një vilë të madhe, një nga të parat e zbuluar me teknikat moderne në gadishullin e Ballkanit, me një histori të gjatë. Zhvillimi i saj i mëtejshëm ndodhi më vonë në gjysmën e dytë të shek. I p.K., kur banjat, dhomat e ngrënies dhe banesat elegante mbulonin një seri tarracash përballë.

Butrintit, përgjatë ujit. Shumë më vonë, në ditët e vdekjes së botës antike, rreth 480 p.K. një kishë dhe një manastir i vogël u ndërtuan në gërmadhat e Kompleksit Romak. E gjithë kjo strukturë, nën të, përshkohet nga fragmentet e një kompleksi vilash që datohen në kohën e Ciceronit dhe Atikut, në shek. I p.K. Gërmimet këtu, synuan për të eksploruar më tej këto fragmente për t'ia shtuar grupit të vilave të kësaj date që rrethojnë Butrintin.

Legjenda e Eneas, megjithatë nuk përbën vetëm një mjet të propagandës romake, megjithëse qytetarët antikë të Butrintit krenoheshin me prejardhjen e tyre.

Në mes të monedhave të prodhuara në Butrint, si një vend aleat i Romës, ishte një monedhë e vogël bronzi e gjetur në Diapor në vitin 2003 që është unike.

Megjithëse shumë e konsumuar ajo tregon Enean dhe mikun e tij Ulas duke mbajtur Paladiumin e shenjtë të shpëtuar në Trojë.

Që tregon se si bashkëkohësit e Atikut përpiqeshin t'i shfrytëzonin sa më mirë mitet dhe legjendat e tyre.

 

***

Kaq i qartë është Oliver Giles sa mund të thuash sa e hedh tutje grimin dhe makiazhin mitologjik për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Butrintit.

Mistifikimi si manipulim politik është i dyfishtë: në antikitet, në shekullin augustian dhe në shekullin XX. Oktavian Augusti zgjodhi Virgjilin.

Në shekullin XX fashisti Benito Musolini zgjodhi Luigi Ugolinin.

Është e pabesueshme që edhe "Eneida" e Virgjilit u instrumentalizua banalisht si parafjalë e pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939.

Miti se princi Enea i Trojës erdhi në Butrint s'ka asnjë bazë historike. Lufta e Trojës ka ndodhur në shekullin XIII para Krishtit. Pse edhe Enea qe i këtij shekulli, në atë kohë Butrinti nuk ekzistonte fare.

Ugolini e ka ditur këtë, prandaj mendoi të kërkonte arkeologjikisht në një stacion të bronzit në Kalivo, në bregun jugor të liqenit të Butrintit.

Pra emërimi i Portës Skea qe një falsitet, një mashtrim banal shkencor. Por megjithatë puna disavjeçare e Ugolinit për zbulimin e Butrintit kërkon një vlerësim pozitivist të kondicionuar historikisht, por edhe si dëshmi arkeologjike.

Mësuesi Ibish nga Kosova dhe historia e një fotoje

Posted: 23 Sep 2016 01:43 AM PDT

 

Nga Sefer Pasha

 

Fotografia që kam në duar është shkrepur rreth 60 vjet më parë. Ajo ka për autor mësuesin tim të kalasës së parë në fshatin Kremenar të Mallakstrës. Ai quhej Ibish Kelmendi. Kur u paraqit para nesh e tha vetë se ishte nga Kosova.

Unë nuk kam asnjë fotografi të fëminisë time dhe as më vonë në shkollen fillore e atë shtatë vjeçare në Fratar. Prindërit ishin të varfër dhe mësuesit vendallinj gjithashtu. Për fat kjo foto e vetme ka shpëtuar. As vetë nuk e di se si. Historinë e kësaj fotoje e kam shumë të qartë. Tek shega e kuqe përpara shkollës mësuesi Ibish Kelmendi na mbështeti tek drurët e saj mua dhe shokun tim Guri Avdiaj, që është në krahun tim të majtë dhe që është ndarë nga jeta. Para se të na bënte fotografinë, mësuesi Ibish Kelmendi na vuri nga një libër të trashë në duar. Ato ishin librat e mësuesit. Unë dhe Guriu nuk kishim as lekë të blinim librat e klasës së parë. Para se Ibish Kelmendi të shkrepte aparatin fotografik, më pyeti mua se çfarë dëshiroja të bëhesha. Unë me librin në duar mes dy degëve të shegës ngrita supet. Nuk e dija se çfarë do të bëhesha. Kur pas meje mësuesi pyeti Guriun, ai i dha Ibish Kelmendit një përgjigje befasuese. Guri Avdija i tha mësuesit se ai dëshironte që të bëhej "komandant".

Ibish Kelmendi qeshi dhe u emocionua. Mësuesi ishte i gjatë si një lis, i shëndetshëm dhe mbante mustaqe të zeza. Kur dëgjoj përgjigjen e nxënësit Guri Avdiaj, mësuesi Ibish e mori atë për qafe. Pa e shkrepur aparatin i tha se i vinte mirë që ai kishte dëshirë të bëhej komandant. Tek sytë e tu, i tha mësues Ibishi Guriut, unë shoh çika stërralli. Besoj në ëndrrën tënde. Ti Guri Avdiaj me të vërtetë do të bëhesh komandant. Do të vijë një ditë dhe do të thuash se i doli fjala mësuesit nga Kosova.

 

Kur dolëm në jetë dhe Guri Avdiaj arriti të bëhej Komandant Brigade, sa herë që takoheshim Guriut ja kujtoja atë që i tha mësuesi nga Kosova, Ibish Kelmendi. Para se të bëhej ajo foto mësuesi e sqaroi Guriun dhe të gjithë klasën, që ishte rrotull shegës së kuqe, se për t'u bërë komandant duheshin mbaruar shkolla ushtarake. E mbaj mend mirë kur ai përmendi Isa Boletinin, i cili kishte qënë një komandant i madh dhe me 400 kalorës nga Kosova kishte shkuar në Vlorë, ku kishte marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë me Ismail Qemalin. Ne për herë të parë e dëgjonim fjalën "Kosovë" si dhe emrin e Isa Boletinit. Nuk dinim asnjë hollësi. Në odat e prindërve tanë këndoheshin këngë për Ismail Qemalin.

guri-avdiajMësuesi Ibish Kelmendi e shkrepi aparatin fotografik dhe na premtoi se pas një jave kur ai do të kthehej nga Fieri do të na i sillte fotografitë. Dhe ashtu ndodhi. Kur shkuam për të marrë fotografinë, unë dhe Guriu i çuam mësuesit vezë të zjera dhe nga një shportë me rrush dhe fiq. Ishte vjeshtë. Ibish Kelmendi nuk na bëri vërejtje për dhuratat. Unë dhe Guriu ishim shumë të emocionuar. Në ato mote mësuesi në fshat ishte si shënjtor. Ne i morëm fotografitë dhe u gëzuam shumë. Për herë të parë e shikonim veten në fotografi (Guriu nuk e ruajti këtë fotografi). Mësuesi Ibish Kelmendi në dhomën ku flinte kishte disa rafte me libra. Aty ishin dhe dy librat të cilat ai na i vuri në duar para se të na bënte fotografinë. Siç qe i ulur në karrike na foli përsëri për Isa Boletinin. E kishte nga anët e tija. Guriu më vonë mbante mend dhe një varg nga ato që na recitoi Ibish Kelmendi: /Karadaku me Serbinë/ /Na vranë Isa  Boletinë/.

Ibish Kelmendi qëndroi disa vite në Mallakstër. Më vonë nuk di hollësira për jetën e tij. As kur u rrita nuk mësova ndonjë detaj për fatin e mësuesit, që na la dhuratë një fotografi të paharrueshme. Megjithatë emrin Ibish Kelmendi nuk e harrova kurrë. Kur kam shkuar në luftën e Kosovës, në Koshare i pyeta luftëtarët e UÇK-së e ata më thanë se me mbiemrin Kelmendi ka në disa zona të Kosovës. Jeta bëri të sajën. Guri Avdiaj që i tha Ibish Kelmendit se kur të rritej do të bëhej "komandant", mbaroi të gjitha shkollat ushtarake dhe kur doli në jetë ai mori gradën e kolonelit dhe mundi të bëhej Komandant Brigade dhe drejtues i lartë në Koorpusin e Fierit.

Ka kaluar një jetë. Asgjë nuk di për fatin e mësuesit tim të klasës së parë Ibish Kelmendi. A mundet të jetë gjallë? Kosovarët jetojnë mbi 100 vjet. Pasi iku nga Fratari i Mallakastrës a i mbijetoi regjimit të Enver Hoxhës apo e persekutuan? Po sido që t'i ketë ecur jeta Ibish Kelmendi, në Mallakastër la mbresa të shkëlqyera. Mësuesi i nderuar Selman Ameti nga Çërrila e Mallakastrës e që tani i ka kaluar të nëntëdhjetë vjetët, e kujton me respekt mësuesin e nderuar nga Kosova për të cilin edhe sot këndohet një këngë labe. Jeta e njeriut të mirë është e lidhur me veprën që ai lë pas.

Ibish Kelmendi na bëri mua dhe Guriut një fotografi të thjeshtë. Por për mua ajo është një monument. Flet shumë. Në fshatin tim në ato mote fluturonin vetëm skifterët. Dhe një mësues me origjinë nga Kosova na fliste për Naim Frashërin, Migjenin e Gjergj Fishtën. Unë po shkruaj një libër, ku personazh kam dhe mësuesin tim të klasës së parë Ibish Kelmendin. Disa kolegë të tij që janë gjallë si Selman Ameti, Qemal Veliu, Nuredin Jaupaj, Teki Hodaj, Syrja Ahmeti, Ylli Pajaj e të tjerë e kujtojnë me nderim e sjellin shumë mbresa nga puna e tij si mësues dhe agronom. Po a ka marrë ndonjë medalje mësuesi i talentuar nga Kosova Ibish Kelmendi, që dikur përhapte dritë në Mallakstër…. Askush nuk më jep përgjigje.

 

Istog, 20 shtator 2016

 

Related Posts :