Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Tirana Observer: “5 orë kokë më kokë, Rama paralajmëron PD-në: Meta nuk ndahet nga mua” plus 9 more

loading...

Tirana Observer: “5 orë kokë më kokë, Rama paralajmëron PD-në: Meta nuk ndahet nga mua” plus 9 more


5 orë kokë më kokë, Rama paralajmëron PD-në: Meta nuk ndahet nga mua

Posted: 22 Sep 2016 09:33 AM PDT

Kryeministri Edi Rama veç debateve për ligjin e importit të mbetjeve, u ka dhënë përgjigje edhe hamendësimeve në lidhje me takimin mes tij dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta, i zhvilluar një ditë më parë që zgjati thuajse 5 orë.

Rama duke opozitën për zgjedhjet parlamentare të 2017, la të kuptohej se edhe në qershorin e vitit të ardhshëm, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste do të jënë në një koalicion të përbashkët.

"Takimi nuk ishte as për mbetjet dhe as për hashashin. Takimi ishte për të diskutuar si do të ndërtojmë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Kur të mbarojmë diskutimin do t'ju njoftojmë për dhimbjen tuaj", tha Rama.

Kryeministri thumboi opozitën për joshjen që po i bën Ilir Metës, duke thënë: "Jeni bërë si komshiu që thotë se mua nuk me merr njeri dhe do Zoti ndahen këta që të më marrë ndonjë prej këtyre".

Vula e Faik Konicës vjen në Shqipëri (Historia e saj)

Posted: 22 Sep 2016 09:28 AM PDT

Katedralja “Shën Gjergji” e Bostonit, e njohur ndryshe edhe si “Kisha autoqefale e Nolit”, i bëri Shqipërisë një dhuratë të bukur duke i dorëzuar ministrit të Jashtëm të Shqipërisë z. Ditmir Bushati, shtampën “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës”.

Fotaq Andrea

Një nder i madh Shqipërisë nga vëllezërit tanë shqiptaro-amerikanë.

Është e njohur tashmë publikisht se viti 2016 është shpallur VITI FAIK KONICA, nga Federata PanShqiptare “VATRA”, Federata e hershme historike e Diasporës Shqiptare dhe veçanërisht e vëllezërve tanë, shqiptarëve të Amerikës, e themeluar nga binomi Noli-Konica. Në këtë kuadër, Katedralja “Shën Gjergji” e Bostonit, e njohur ndryshe edhe si “Kisha autoqefale e Nolit”, i bëri Shqipërisë një dhuratë të bukur duke i dorëzuar ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Z. Ditmir Bushati, shtampën “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës”. Ky gjest i lartë i vëllezërve tanë shqiptaro-amerikanë ndaj Atdheut është një ngjarje madhore, një riatdhesim i dytë që i bëhet Rilindësit të shquar dhe gjeniut shqiptar Faik Konica, është një vlerësim i ri për Emrin dhe Veprën e tij të pavdekshme patriotike.

Me të marrë vesh lajmin se do bëhej kjo dhuratë, pata nderin t’i drejtohem Z. Dalip Greca, kryeredaktor i gazetës “Dielli” në Nju Jork me anë të kësaj letre:

I dashur Dalip,
Ishte një surprize tepër e këndshme që më emocionoi thellë lajmi që shtampa e Faik Konicës do të vijë këto ditë në Tiranë që nga Katedralja e Bostonit. Është një ngjarje madhore sepse kemi të bëjmë simbolikisht me një "riatdhesim të ri të Rilindasit erudit Faik Konica" që e donte Shqipërinë moderne, me mentalitet të përparuar perëndimor, në gjirin e familjes së bashkuar evropiane.

Shtampa Faik Konica, e njohur ndryshe si "EX LIBRIS F. K.", është pjesë e pandashme e personalitetit të tij të lartë, të cilën ai nuk e ndau në asnjë çast të jetës, ashtu sikurse nuk ndau kurrë nga dora librin, apo gramafonin. Krejt biblioteka e tij e pasur përmbante këtë vulë të tij, një shtampë e realizuar bukur artistikisht me germat e veta speciale prej platini, që përbënin artin e tipografisë koniciane të Albania-s dhe të librave të tjerë që ai shtypi me ato germa.

EX LIBRIS ka qenë vazhdimisht në modë tek personalitete të larta të Letrave dhe zakonisht shprehin grafikisht një simbolikë apo moto ideali të personit që e përdor, ose pastaj një formulë filozofike, etj.

Tek “Albania”, në tetor 1899, viti III, shfaqen për herë të parë germat e veçanta të platinit apo letrinat, me zbukurime florale e ravijëzime, krahas një morie vinjetash nga fauna dhe flora e sidomos simboli i shqiponjës. Po ashtu në fund të “Albania-s” nga tetori 1899, Konica jep emrin e shtypshkruesit të tij kryesor me adresën: “F. Donnay Imprimeur 398, Chaussée de Waterloo”.

Mendoj se shtampa EX LIBRIS F.K. është realizuar nga skulptori belg Paul Nocquet, mik i ngushtë i Konicës, me të cilin ai u ushtrua në sportin e skermës gjatë kohës së qëndrimit në Bruksel. "Kam thyer kushedi sa shpata me të", i shkruan Konica Apolinerit.

Shtampa, përbëhet pra nga dy germa platini F.K. (Konica bleu shumë shtrenjtë disa familje germash platini që përbëjnë bukurinë e artit tipografik të “Albania-s” , si dhe nga dhjetë gjarpërinj në pozicione të ndryshme, që rrethojnë inicialet e emrit të tij, dhe nga kjo logo poshtë tyre në greqisht:

"Le të thonë ç’të duan, le të dërdëllisin, unë as që pyes". (Marrë nga autori i lashtë Desiderius Erasmus – “Albania”, vit 6, janar 1902, nr.1).

Është kjo një moto koniciane me theks tepër aktual, kur edhe sot e kësaj dite po shfaqen në shtyp antikonicianë të tërbuar që e deformojnë mendimin e tij, duke luajtur me citate të shkëputura nga konteksti dhe nga vetë fryma e kohës kur janë shkruar.

Që shtampa konciane vjen më në fund në Tiranë, që një pjesë identitare e gjeniut Faik Konica vjen në Atdhe, në këtë vit jubilar shpallur nga VATRA VITI FAIK KONICA – ja një gjest fisnik dhe një dhuratë e bukur e shqiptarëve të Amerikës dhe e Kishës shqiptare të Bostonit për gjithë shqiptarët e vërtetë që e duan me zemër Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar, që e duan të përparuar e të ndriçuar, ashtu siç e donte me shpirt edhe vetë Konica kur shkruante: "PARANDJEJ NJË SHQIPËRI TË LULËZUAR DHE INTELEKTUALE".

P.S.
Bashkëngjitur “EX Libris F.K.” realizuar nga unë artistikisht, si dhe një pjesë e vogël e artit tipografik të “Albania-s”, ku shfaqet germa "K" (rreshti i parafundit) me ravijëzime që Konicës i dhanë idenë e gjarpërinjve, kundër të gjithë atyre që e sulmonin egër. / KultPlus

Narcizizmi, një patologji e kohës së sotme!

Posted: 22 Sep 2016 09:26 AM PDT

Nga Miron Çako

Narcizizmi, si patologji, e ka marrë emrin nga një personazh që vjen nga mitologjia e antikitetit grek. Narcizi (Narcissios) ishte një djalosh i pashëm dhe i mbyllur në vetvete, i cili refuzoi dashurinë e një ninfe (zanë). Ky refuzim nxiti zemërimin e ninfave të tjera, të cilat kërkuan ndihmën e hyjneshës Afrodita, që, si mallkim, e çoi Narcizin të dashurohet me veten e tij, duke e parë vetveten çdo ditë në reflektimin e një pellgu uji. Duke mos e përmbushur dashurinë e tij me një person tjetër, ai kaq shumë u dashurua pas imazhit të tij, saqë një ditë ky imazh e tërhoqi në pellgun e ujit, ku edhe u mbyt, dhe perënditë e kthyen në një lule. Kjo lule quhet "Narciz".

screenshot_22

Narcizi është një ilustrim mjaft poetik i filozofëve grekë për vetëpëlqimin dhe pasojat që ai ka në jetën e një individi të dashuruar me vetveten me një mënyrë të deformuar të egos (unit) së tij. Sipas psikologëve e psikiatërve, ndjekja e kënaqësisë ose admirimi egoist i cilësive të vetë personit quhet "narcizizëm". Në teorinë psikoanalitike, "narcizizmi" është një koncept që u prezantua gjerësisht në esenë e SigmundFreud-it "Për narcizizmin" (1914). Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e ka pasur të klasifikuar "çrregullimin narcizistik të personalitetit" në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM), që nga viti 1968, duke u bazuar në konceptin historik të megalomanisë (mendjemadhësisë).

Koncepti i egoizmit të tepruar (megalomania), ka qenë i njohur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Në Greqinë e lashtë, ky koncept u kuptua si arrogancë, por vetëm kohët e fundit egoizmi është parë si narcizizëm dhe është përkufizuar në aspektin psikologjik. Por, në vetvete, narcizizmi nuk është i njëjtë me egocentrizmin. TrevorPederson thotë për egoizmin, se;"në këtë rast, funksionon vetëm përparësia e individit kundrejt të tjerëve, por, kur flasim për narcizizmin, ne jemi vetvetja me veten. Ka dallim midis koncepteve të narcizizmit dhe egoizmit. Pra, narcizizmi mendoj se është plotësim i dëshirës së egoizmit, duke marrë kënaqësinë e tij epshore (të biesh në dashuri erotike me veten)".

Më 1898, HavelockEllis, psikolog anglez, përdori termin “Narcissus” në lidhje me "masturbimin" e tepruar, kur personi bëhet objekt i tij. Në vitin 1899, PaulNacke ishte personi i parë që përdori termin “narcizizëm” në një studim për perversionet seksuale. OttoRank, në vitin 1911, botoi gazetën e parë psikoanalitike, me fjalën specifike "Narcizizëm", duke e lidhur atë me kotësinë dhe vetadmirimin. Në vitin 1923, MartinBuber botoi një ese me titull “Ich und Du (Unë dhe Ti)”, në të cilën ai vuri në dukje se narcizizmi ynë shpesh na shtyn të lidhemi me të tjerët si objekte e jo si subjekte.

Sipas psikologëve, ka edhe narcizizëm të shëndetshëm, i cili lidhet me shëndetin e mirë psikologjik. Vetëbesimi punon si një ndërmjetës midis narcizizmit dhe shëndetit psikologjik, d.m.th. të duash veten, që të kujdesesh për të. Në lidhje me gjendjen patologjike, narcizizmi i shëndetshëm ka të bëjë me një ndjenjë të fortë të “dashurisë për veten", që e mbron qenien njerëzore ndaj sëmundjes. Megjithatë individi duhet ta dojë tjetrin si subjekt të dashurisë, që të mos sëmuret nga vetmia. Individi sëmuret, si rezultat i frustrimit (zhgënjimit, acarimit) të krijuar, kur ai nuk është në gjendje të dojë subjektin, personin tjetër. Në narcizizmin e tillë patologjik, si çrregullimi narcizistik i personalitetit, libido (kënaqësia) i personit është larguar nga objektet dhe personat në botë dhe prodhon megalomaninë (madhështinë për veten) dhe dashurinë për veten.

Krahas kuptimit parësor (vetëpëlqimi) dhe atij të shëndetshëm (vetë-dashuria) të narcizizmit, ai zakonisht konsiderohet edhe si një problem në marrëdhëniet e një personi a grupi me veten dhe të tjerët. Narcizizmi është konsideruar gjithashtu si një problem social apo kulturor. Hotchkiss e ka identifikuar narcizizmin në ato që ajo i quajti "shtatë mëkatet vdekjeprurëse të narcizistit": 1- Paturpësi, 2- Mendjemadhësi në të menduar, 3- Arrogancë, 4- Përbuzje ndaj të tjerëve, 5- E drejtë e veçantë mbi të tjerët, 6- Shfrytëzim, 7- Moskufizim për veprime egoiste. Edhe pse shumica e njerëzve kanë disa tipare narciziste, nivelet e larta të narcizizmit mund të manifestohen në një formë patologjike, si çrregullim personaliteti narcizistik (NPD), ku pacienti mbivlerëson aftësitë e tij dhe ka nevojë të tepruar për admirim dhe afirmim të vetes.

Ky thuajse është koncepti i psikologëve e psikiatërve në shekujt XIX-XX për narcizizmin, por Shkrimi i Shenjtë (Bibla) i ka trajtuar këto devijime të personalitetit njerëzor shekuj më parë dhe, më e rëndësishmja është se Bibla na tregon shkakun kryesor të vetëpëlqimit (narcizizmit), që erdhi nga keqpërdorimi plot krenari i egos (unit) së dy njerëzve të parë dhe të të tjerëve pas tyre, të cilët u frymëzuan nga Eusfori, një kryeengjëll i rënë. Djalli ( gënjeshtari)  u  injektoi njerëzve gabimin e tij.

Ja çfarë thuhet në Bibël për atë, i cili ra i pari nga krijesat në dashuri egoiste dhe vetëpëlqim, gjë e cila e çoi në rebelim kundër Zotit Perëndi në vendet qiellore dhe që për këtë arsye u dënua të bjerë në kaosin e hiçit: "E thuaji atij: Kështu thotë Zoti Perëndi: T'u rrit mendja për shkak të bukurisë, pasuria të bëri të humbësh urtinë; atëherë vetë të flaka përtokë, të vura para syve të mbretërve që të të shikojnë me përbuzje" (Ezekieli 28:17), "Të gjithë popujt që do të shohin, do të çuditen se çka të gjeti. Ti u bëre shenjë tmerrimi, humbe për jetë të jetës!" (Ezekieli 28:19).

Sindromën e vetëpëlqimit djalli e injektoi te dy njerëzit e parë, të cilët i nxiti të hiqnin shikimin nga Perëndia e ta drejtonin drejt vetes, duke i futur mendimin krenar, se pa Perëndinë mund të bëheshin të pavdekshëm, hyjnorë. Kështu, mendimi krenar i çoi ata në kotësi e vetëpëlqim; në fillim Evën (gruan), e cila besoi me krenari naive se mund të bëhej perëndi në Eden, më lart se Adami (burri) që ta sundonte atë.

Jo vetëm Bibla, por edhe mësuesit e Kishës, Etërit e shenjtë që e egzaminuan shpirtin njerëzor nga ndriçimi i Perëndisë dhe përvoja personale, thonë se krenaria dëmton aftësinë tonë për të menduar, na bën të jemi injorantë (të paditur) dhe të paaftë për të menduar drejt për vetveten. Atëherë kotësia prek pjesën dëshiruese të shpirtit tonë, na bën të duam e të realizojmë ide të çmendura, që krenaria na sjell në mendje. Kotësia është ajo që u jep sinjal të gjitha mendimeve të kota, për të vazhduar më tej. Njerëzit që kanë shumë kotësi janë ata njerëz, të cilët nuk punojnë nga dashuria apo nga një nevojë e natyrshme, por për t'u njohur e pëlqyer nga të tjerët, njësoj si aktorët, që realisht nuk janë ata që duken në shfaqjet teatrale. Pra, me krenarinë, ne jemi krejtësisht të paditur se çfarë është vetja jonë, por me kotësinë ndërtojmë vullnetarisht një imazh të gënjeshtërt të asaj që jemi në të vërtetë. Ndërtojmë imazhin e vetes sonë, që të mund ta kundrojmë me kënaqësi të madhe, si Narcizi, që u dashurua me fytyrën e tij dhe "perënditë" vendosën ta shndërrojnë në një lule, që të rritej pranë ujërave të qeta e të kundronte në përjetësi imazhin e tij në ujë, por që, natyrisht, kjo ishte vdekja e tij si njeri. Dhe, kur ne ndërtojmë një imazh të vetes sonë, me qëllim që ta admirojnë të tjerët, kjo do të thotë gjithashtu vdekje për ne si person njerëzor. Vetja jonë e vërtetë varroset në një varr të vogël të ndërtuar në zemrën tonë të prishur, të cilën tanimë e kontrollon kotësia e ku askush nuk dëgjon asgjë prej vetvetes, sepse ka dalë nga vetja reale. Prandaj dhe shënJoani i Shkallës (shek. VII) thotë: "Lavdia e kotë është ndryshimi i natyrës, një perversion (neveritje, shtrembërim) i karakterit, harxhimi i kotë i mundimeve, shpërdorimi i djersës së derdhur".

E keqja është se njeriu lind i infektuar me narcizizmin, me vetëpëlqimin e trashëguar nga ADN prindërit si një deformim i psiqikës. Këtë e vërejmë që në moshën fëmijërore dhe, në qoftë se nuk bëhet kujdes nga prindërit dhe vetvetja sipas moshës, atëherë fara e vetëpëlqimit zhvillohet dhe bëhet një gjembaç që shpon çdo njeri që i afrohet, por më shumë vetë veten e tij. Në sytë e tij, njeriu mund të duket i madh, i ditur, i bukur, por çfarë thuhet për atë në Shkrimin e Shenjtë? "Sepse ti thua: Unë jam i pasur, u pasurova dhe s`kam nevojë për asgjë; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur"(Zbulesa 3:17). Kurse për bukurinë e jashtme pozante të fytyrës së gruas, që nuk korrespondon me pamjen e brendshme të shpirtit të saj, thuhet: "Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend"(Fjalët e Urta 11:22). Dhe po ashtu, për kotësinë e tërë jetës tokësore me shkëlqimin e saj të rremë, thuhet përsëri: "Ditët e njeriut janë si bari, lulëzon porsi lulja e fushës. Se fryn era mbi të dhe s'është më dhe nuk dihet më se ku e ka pasur vendin" (Psalmi 102:15-16).

Pra, thamë se të gjithë njerëzit janë pak a shumë narcizistë, të sëmurë me këtë sëmundje patologjike, që transmetohet në breza nga mëkati stërgjyshor-prindëror dhe personal. Kjo gjendje e narcizizmit vazhdon derisa të çlirohemi nga imazhi i gënjeshtërt për veten e të njohim veten se jemi njerëz të vdekshëm, të pendohemi për mëkatin e krenarisë, që është shkaku i narcizizmit, e të kërkojmë mjekun. Mjeku nuk mund të jetë thjesht një psikolog ose psikiatër, pavarësisht nga respekti për shkencën e psikologjisë dhe mjekësisë. Ato, në vetvete, janë të paafta për ta shëruar këtë patologji, sepse, që të shërohet një sëmundje, nuk mjafton vetëm konstatimi i saj, por gjetja e shkak-pasojës dhe më pas e ilaçit të duhur. Njeriu me patologjinë e narcizizmit mendon se është zot i vetes së tij ose njeri-zot. Por kjo, sado e dëshirueshme që mund të jetë, është e pamundur, sepse njeriu në fund bie nga "piedestali"  që e kishte lartësuar vetëveten dhe në fundë vdes dhe varroset. Kështu, i vdekshmi nuk mund të ngjallë të vdekshmin dhe pacienti nuk mund të shërojë pacientin. Në të kundërt, Perëndia, që është i pavdekshëm, i përsosur dhe i gjithëfuqishëm, mund ta shërojë njeriun nga sëmundja vdekjeprurëse e vetëpëlqimit, duke i mësuar të vërtetën e realitetit njerëzor dhe duke i dhuruar, si ilaç për krenarinë, të kundërtën: një mendje të përulur. Perëndia i ndihmon njerëzit që të çlirohen nga narcizizmi, kur ata dëgjojnë dhe pranojnë si shpëtimtar Birin e Perëndisë, Zotin-Njeri, Jisu Krishtin, "i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit (përulësia e përsosur)" (Filipianve 2:6-7). Ai i fton të gjithë njerëzit, pa dallim: "Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë" (Mateu 11:28-30). "Sepse pa mua nuk bëni dot asgjë" (Joani 15:5).

Edhe Kisha, si trupi i Krishtit, këtë mision ka: ajo është një spital që me anën e klerit (infermierët) i drejton njerëzit e sëmurë nga krenaria, egoizmi, vetëpëlqimi, për te Zoti Krisht(Mjeku i Madh), me anën e Mistereve të shenjta. Njëri prej tyre shumë efikas për shërimin e vetëpëlqimin(narcizizmit), është dhe ai i Pendim-Rrëfimit, i cili kryhet me ndihmën dhe përpara një ati rrëfyes, që jo vetëm e konstaton sëmundjen e narcizizmit, por edhe transmeton Hirin e Perëndisë në emër të Krishtit, që fal mëkatin e krenarisë dhe  është i domosdoshëm për shërimin e kësaj sëmundjeje patologjike me të gjithë pasojat e saja. Prandaj mund të themi se ati rrëfyes është edhe psikolog, por psikologu nuk është një atë rrëfyes,kështu ai nuk mund të japë shërimin e plotë nga vetvetja e tij, tek pacienti narcizistë.screenshot_23

Te Fjalët e Urta thuhet: "Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij, shtrin një rrjetë në hapat e tij (Fjalët e Urta 29:5). Lajkat e frymëzojnë dhe e shtojnë dozën e narcizizmit. Dhe është një koincidencë se si fjala "like" në rrjetet e ndryshme sociale, mund të tingëllojë "lajkë" në gjuhën shqipe. Këtu e kam fjalën, p.sh. për fotografitë që postojmë, dhe jo për çdo fotografi, por për ato raste kur teprohet në ekspozimin e vetes, gjë që vjen nga një vetëpëlqim i lidhur me narcizizmin. Kjo është bërë në mënyrë të pavetëdijshme një varësi, një problem psikologjik, një patologji e njerëzve që keqpërdorin portalet e rrjeteve sociale. Për shembull, ka individë që e nisin ditën duke vetëpozuar para mikrokamerës së celularit e duke bërë sa më shumë fotografi të jetë e mundur, në mënyrë që midis tyre të gjejnë fotografi të përshtatshme për postimin e radhës, duke pritur reagimin e të tjerëve. Ose postojnë pa u menduar, mjafton që të tërheqin like-t e të tjerëve. Kam dëgjuar se dikush bënte rreth dyqind fotografi në mëngjes, për të zgjedhur një për portalin e saj. Shpeshherë pamjet janë sa qesharake, aq edhe të trishtueshme; pozimi shpeshherë vjen me ngërdheshje ose me poza ekstravagante deri në "striptizëm", vetëm për të tërhequr sa më shumë interes te të tjerët. Krahas kësaj, prindërit ekspozojnë pa kriter edhe fëmijët e tyre, vetëm për t'u mburrur, dhe këtu shfaqet narcizizmi prindëror. Me këto veprime prindërit u mësojnë diçka të gabuar fëmijëve, të cilët përvetësojnë nga shembulli i prindërve të tyre.

Mendoj se ky fenomen, që po na infekton përditë e më shumë, është tregues se brezi i sotëm po bëhet gjithnjë e më tepër egoist, me vetëpëlqim dhe dashuri për veten, duke ndaluar së qeni një qenie shoqërore normale në komunikim me të tjerët. Ashtu si profetizoi apostulli i kombeve, Pavli: "Dhe brezi i fundit do të jetë egoist". Ky fenomen po na shkatërron (rrënon) si individë dhe si shoqëri. "Sepse është e pamundur që dikush që është i robëruar nga dashuria për duartrokitje, të mendojë ose të bëjë diçka fisnike dhe të madhe. Ai duhet të jetë i ulët, i keq, i pandershëm, i vogël, mendjengushtë", thotë shën Joan Gojarti (shek. IV).

Teknologjia e komunikimit online (siç është  Facebook-u, Instagram-i etj), e cila sot ka një shtrirje në gjithë globin dhe sipas faqes Zephoria.com informohet, se deri në gusht të 2015  gati 1.5 miliardë persona përdorin llogarinë e tyre në Facebook, vetëm në Shqipëri janë 1.3 milion përdorues, 44.9 % e popullsisë. Pra një deri në shtatë njerëz në të gjithë botën përdorin Facebook-un. Gjatë një dite 4.5 miliardë përdorin butonin like,30 % e personave janë 23-24 vjeç, 47 % meshkuj dhe 53 % femra. 50% e personave nga mosha 18 – 24 vjeç futen në facebook sapo zgjohen nga gjumi dhe çdo minutë publikohen 293 mijë statuse. Në 1 minutë postohen 136 mijë fotografi dhe në një ditë 300 milion,  çdo sekondë hapen pesë profile të reja.

Kjo shpikje për komunikim, pavarësisht se është një arritje e madhe e teknologjisë moderne për njerëzimin,  në vetvete ajo nuk është as e mirë e as e keqe, sepse  varet nga mënyra sesi e përdorim. Ne mund ta përdorim atë si një pellg uji, ku thjesht mund të shohim çdo ditë veten, duke u dashuruar me të deri në perversion dhe pastaj të mbytemi e të vdesim si njerëz të natyrshëm në pellgun e marrëzisë dhe egoizmit, si Narcizi i mitologjisë, ose mund ta përdorim si një pasqyrë, nëpërmjet së cilës të reflektojmë, me përulësi dhe dallim, dashurinë e shëndetshme për veten dhe për të tjerët, dhe të kontribuojmë për të mirën e të gjithëve, ashtu si thuhet në Shkrimin e Shenjtë: "Duaje tjetrin si veten".

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH.

 

Holanda mbështet FED Invest: Projekt për teknologjinë e re bujqësore, Konini: Aktiviteti rural do rritet me 40 %

Posted: 22 Sep 2016 09:23 AM PDT

unnamed-1 unnamed-2


Ambasada e Holandës dhe FED Invest kanë firmosur sot një marrëveshje bashkëpunimi për zgjerimin e shërbimeve financiare dhe zhvillimin e ekonomisë së zonave rurale në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua paraditen e sotme mes kryetares së Bordit të FED Invest znj.Zana Konini dhe ambasadores së Holandës në Shqipëri, znj.Dewi van de Weerddo. Projekti 3 vjeçar konsiston në futjen e teknologjisë më të fundit bujqësore për fermerët shqiptarë dhe në zgjerimin e aktivitetit rural me 40 %.

Zana Konini

Në fjalën e saj zonja Konini, duke e përshëndetur këtë marrëveshje, u shpreh se FED Invest është sot institucioni financiar me specifika të qarta dalluese, si një partner i rëndësishëm biznesi në zonat rurale. Gjithashtu zonja Konini shtoi se sa i përket projektiti në fjalë, synimi është një përshpejtim i ndjeshëm i rritjes së aktivitetit, me jo më pak se 30%-40% që në vitin e dytë, gjë që do të sjellë plotësimin e mëtejshëm të nevojave të popullsisë rurale. "FED Invest ka në qendër të egzistencës së tij, anëtarin, fermerin, ka përgjegjësi sociale, dialog e zhvillim të ekonomisë rurale. Gjatë rrugës sonë të gjatë që prej themelimit në vitin 1992 kemi hasur mjaft vështirësi por ia kemi dalë mbanë. Axhenda jonë nuk ka përfunduar, ja ku jemi sot në firmosjen e këtij projekti të rëndësishëm për 3 vitet e ardhshme. Ky projekt me Ambasadën Holandeze synon futjen në Shqipëri të teknologjisë së re bujqësore, zgjerimin e gamës së produkteve të mbjella, dhe rritjen e prodhimit dhe të aktivitetit rural në masën 30-40 %," tha Konini, ndërsa shtoi se aktualisht FED Invest ka një portofol depozitash prej 2.55 miliradë lekësh dhe portofol kredie prej 2.83 miliardë lekë.unnamed-3

Edhe vetë ambasadorja znj.Dewi van de Weerddo në fjalën e saj vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje ndërsa theksoi se nisur edhe nga eksperienca holandeze në këtë drejtim, projekti do të jetë shumë inspirues dhe do të përmirësojë ndjeshëm aktivitetin rural në Shqipëri. Ajo gjithashtu vlerësoi punën e bërë nga FED Invest në gjithë këto dekada si institucioni kryesor financiar në mbështetje të fermerëve. Holanda do të vijojë të mbështesë edhe në të ardhmen Shqipërinë me projekte të tilla zhvillimore.  unnamed-5

Financimi i projektit

Projekti "Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve financiare, me qëllim zhvillimin ekonomik të Shqipërisë rurale", do të implementohet nga FED invest me asistencë teknike të RIAS dhe EFSE, me synim përmirësimin strukturor të përfshirjes financiare në Shqipëri, si kontribuese e zhvillimit të ekonomisë rurale të vendit dhe rritjen e nivelit të jetesës së popullsisë rurale. Projekti pason zhvillimin e suksesshëm transformues të ish Unionit Shqiptar Kursim Kredi në FED invest, përmes bashkimit me përthithje të 70 shoqërive të kursim kreditit dhe licencimit nga Banka e Shqipërisë të shoqërisë së re më 2 mars 2016. Aktualisht, FED invest ka një portofol depozitash prej 2,55 miliardë lekë dhe portofol kredie prej 2,83 miliardë lekë.unnamed-4

Transformimi i FED Invest

I shtrirë në më shumë se një të tretën e fshatrave të vendit, FED Invest është një kooperativë financiare, në pronësi të bazës së tij, prej më se 37 mijë anëtarësh në mbarë vendin. Si i tillë, fokusi strategjik dhe institucional i FED invest mbi agrokulturën është unik në Shqipëri, pasi nuk synon maksimizimin e fitimit, por është i përqendruar në ofrimin e vlerës maksimale për anëtarët e tij dhe ofrimin e shërbimeve financiare të përshtatshme e të favorshme. Objektivat e projektit pasqyrojnë aspiratat e FED invest, që mbështetur në lidhjen simbiotike të Institucionit me komunitetin rural, të bëhet aktor i rëndësishëm i agro-financës në zonat rurale, financues i një numri më të madh ndërmarrjesh të vogla dhe të mesme dhe ofrues i shërbimeve për të gjithë ata, të cilët aktualisht nuk kanë akses në shërbimet financiare.

 

Eurostat: Bie numri i azilkërkuesve shqiptarë, 11 mijë më pak se një vit më parë

Posted: 22 Sep 2016 09:04 AM PDT

img_news-albania_eurostat_731066169Politikat e Bashkimit Europian për të klasifikuar Shqipërinë si një vend i sigurt origjine duket se kanë dhënë efektin e parë.

Numri i shqiptarëve që kanë aplikuar për azil në një prej vendeve të Bashkimit Europian ka rënë me 11.700 të tillë në tremujorin e dytë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në përqindje, rënia fiksohet pranë 65%.

Nga ana tjetër, në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti, numri i azilkërkuesve është rritur me 2%. Gjatë muajit qershor ndërkohë vihet re një rritje e ndjeshme e kërkesave për azil. Tashmë, shqiptarët janë grupi i 9-të më i madh azilkërkues në Bashkimin Europian, nga vendi i dytë apo i tretë që mbante një vit më parë.

Të dhënat i ka bërë publike Eurostat. Pavarësisht klasifikimit të Shqipërisë si një vend i sigurt origjine, 6155 shtetas shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil në një prej 28 vendeve të Bashkimit Europian.

Në të gjithë Bashkimin Europian ndërkohë, numri total i azilkërkuesve ka rënë me 40% në tremujorin e dytë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por nga ana tjetër është rritur me 6% në krahasim me tremujorin e parë të vitit.

Sirianët vazhdojnë të mbeten grupi më i madh azil-kërkues, të ndjekur nga afgnët dhe irakenët. Gjermania vazhdon të mbetet destinacioni kryesor për azilkërkuesit, e ndjekur nga Italia, Franca dhe Hungaria.

Alban Hoxha flet për herë të parë për Çiljetën: Ajo është tifozja ime më e zjarrtë

Posted: 22 Sep 2016 08:47 AM PDT

cili-albani-405x450Portieri i Partizanit, Alban Hoxha duket se e ka rigjetur dashurinë dhe këtë fakt nuk e mohon më. Eshtë folur prej disa muajsh për një lidhje mes tij dhe këngëtares Çiljeta Xhilaga, por çifti vetë nuk e kishte pranuar zyrtarisht.

Një ditë më parë në rrjetet sociale, ishte Çiljeta ajo që shkroi "Dashuria ime" në një foto të Albanit, ndërsa sot është futbollisti që flet për Çilin.

Në një intervistë për programin e mëngjesit në "Top Channel", sapo është përmendur emri i këngëtares, Albani ka nisur të qesh. "Më pëlqejnë shumë këngët e Çiljetës", ka thënë ai.

I pyetur nga Eno Popi dhe Isli Islami nëse Çiljeta do të jetë apo jo të dielën në tribunën e stadiumit "Elbasan Arena", për ta ndjekur në derbin Partizani­Tirana, Hoxha ka shtuar: "Sigurisht që do jetë! Ajo ka qenë edhe në ndeshje me më pak vlerë, në një sfidë si kjo e derbit do jetë patjetër. Ajo është tifozja ime më e zjarrtë", ka thënë ai për "Ëake Up".

Alban Hoxha, humbi bashkëshkorten, Dorinën, afro dy vite më parë teksa sillte në jetë fëmijën e tyre, Bekimin.

Irritohet Monica Belluci, Instagram i censuron foton nudo

Posted: 22 Sep 2016 08:18 AM PDT


monica_bellucci_desnudo_censura_instagram
Monica Belluci befasoi të gjithë më imazhin e saj nudo në Instagram pak ditë më parë.

Ndërsa tashmë nuk do të kemi mundësinë ta shikojmë këtë pozë të aktores seksi siç ishte më parë, pasi Instagrami e ka censuruar atë, duke i mbuluar gjoksin me yje.1472167821_monica-bellucci-350x450

"Ne bëjmë shumë fotografi dhe disa janë më të fuqishme se të tjerat. Gjëja më e rëndësishme është se ne kemi nevojë gjithmonë për bukuri dhe duhet ta respektojmë atë ", ka thënë aktorja 51 vjeçare e cila duket se nuk është pajtuar më këtë veprim të rrjetit social.

Gjyqi i studentëve, kryeministri Edi Rama thirret dëshmitar

Posted: 22 Sep 2016 08:17 AM PDT

Kryeministri Edi Rama është thirrur si dëshmitar në gjyqin ndaj studentëve që i gjuajtën me vezë.

Gjykata ka pranuar kërkesën e studentëve të ndaluar dhe proceduar pasi gjuajtën me vezë kryeministrin.

Ata kërkuan që kryeministri Rama të thirrej si dëshmitar, kërkesë që është pranuar nga gjykata.

Po kështu studentët kërkuan edhe pyetjen e tre gardistëve.

Tetë studentë që morën pjesë në protestën kundër reformës së arsimit të lartë u ndaluan një vit më parë pasi qëlluan me vezë kryeministrin Edi Rama në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale.

Ata u lanë të lirë pas disa orësh, por ndaj tyre pati procedim penal.

228 shkencëtarë nga 33 vende të ndryshme i shkruajnë kryeministrit Rama

Posted: 22 Sep 2016 07:19 AM PDT

228 shkencëtarë nga 33 vende të ndryshme i bëjnë thirrje kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të tërhiqet nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit mbi lumin Vjosa të paktën për tre vitet e ardhshme. Ata konsiderojnë, se gjatë kësaj periudhe duhet kryer një vlerësim i duhur për ndikimin mjedisor të këtij projekti në lumin Vjosa, raporton korrespondentja e ABC News në Bruksel.

Tri janë kërkesat që 228 shkencëtarët kanë përpiluar në memorandumin e tyre drejtuar kryeministrit Rama. Së pari, të vendoset një moratorium tre vjeçar për çfarëdolloj plani ndërtimi në lumin Vjosa dhe degëve të tij. Së dyti, tê kryhet një procedurë e vlerësimit tê impaktit mjedisor sipas standardeve të BE-së brenda tre vitesh dhe së treti të kryhet një hulumtim sistematik dhe vlerësim i lumit Vjosa nga një ekip i shkencëtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Shkencëtarët angazhohet  të kërkojnë fonde për një program tre vjeçar për këtë projekt.

“Vjosa është me rëndësi të madhe për shkencën. Askund tjetër nuk është ende e mundur për të hetuar se si punon dinamika natyrore e lumenjve dhe  shërbimet e shumta që ofron ekosistemi: bazën prodhuese të peshkimit, tokën pjellore, biodiversitetin, ujë e pijshëm të pastër, mbajtjen e përmbytjeve, apo përvojat e natyrës. Hidrocentrali Poçemit mund të shkatërrojë këtë vlerë unike në një goditje të vetme «  shprehet Dr. Martin Pusch nga Leibniz-Instituti i ujërave të ëmbla ekologjisë në Berlin.

“Vlerësimet mjedisore në këtë vend në përgjithësi nuk i korrespondojnë asaj që shkruhet në letër. Në Vjosës njohuritë tona  lidhur me florën dhe faunën, si dhe për bilancin e sedimentit janë tepër të kufizuara për të mundësuar një vlerësim të impaktit mjedisor  të besueshëm thotë profesor Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës.

“Kjo mbështetje e spikatur pasqyron rëndësinë globale të Vjosës dhe rëndësinë e politikave të përgjegjshme për tê vendosur drejtësi për një vlerë të jashtëzakonshme të lumit Vjosa. Një vlerësim i impaktit mjedisor adekuat është i nevojshëm në mënyrë që të evidentohet në mënyrë të besueshme ndikimi i projektit hidroenergjetik të Poçemit”, thotë Prof. Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës.

Ky memorandum vjen pas më shumë se një viti përpjekjesh të komunitetit shkencor për të bindur kryeministrin Rama të tërhiqet nga projekti.

Mbetjet/ Blushi: Çdo deputeti që voton sot këtë ligj, t’i shkruhet emri në kazanin e plehrave

Posted: 22 Sep 2016 07:10 AM PDT

Deputeti Ben Blushi ka akuzuar ashpër mazhorancën për ligjin e mbetjeve, duke thënë se ai është një ligj i sponsorizuar dhe se qeveria me këtë akt po shet jetën e qytetarëve për arsye tregu.

"Ky është një ligj i blerë e i sponsorizuar që nuk vjen për shkak të vullnetit për të hapur vende pune, apo për të nxitur industrinë e riciklimit. Rilindja në 3 vjet ndërtoi tregun e ligjeve. Një ligj sot mund të blihet dhe vjen në Parlament e votohet. Nëse je biznesmen e blen, nëse nuk ke para, jo", ka deklaruar Blushi.

Blushi akuzoi deputetët e mazhorancës se në këtë mënyrë po marrin përsipër dëmtimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë.

"Me helmet që do të vijnë në Shqipëri a e dini çfarë merrni përsipër? Ju që qeshni sot, edhe ju të opozitës, po helmoni shëndetin e shoqërisë. Sa vatra kanceri do të hapen në Shqipëri? Sa fëmijë si Arditi i Sharrës do të punojnë atje? Fëmijë të sëmurë ose të vrarë, për fat të keq. Sepse fëmijët e të varfërve do të mbledhin këto mbetje për t'i ricikluar, siç thoni ju", tha Blushi.

Ai ka theksuar se, ky ligj nuk ka arsye as industriale e as morale, "por vetëm arsye tregu dhe Rilindja këtë nuk e fsheh më".

"Tregu ndërkombëtar i mbetjeve do të vijë në Shqipëri sepse këtu çdo gjë është më lirë, dhe mund të blesh mëkatin. Meqë thoni se industria e riciklimit paska kaq shumë fitim dhe  kur ajo kthehet në mafie sigurisht që ka fitim. I keni bërë një pyetje vetes.

Nëse Itali, Francë Gjermani që kanë impiante kolosale në krahasim me kioskat tona të riciklimit, pse nuk janë të interesuar të blejnë mbetjet tona, siç janë të interesuar të blejnë naftën apo prodhimet bujqësore, detin e ujin?!

Nuk foli askush nga ju për shëndetin, por vetëm për industrinë. Përfaqësuesit e kujt jeni ju? Sigurisht që jeni të biznesit. Ky është vendi më i ndotur i Europës dhe ju keni ndërmend ta mbysni me plehra? Bilancin po e rëndojmë më shumë duke hequr kufijtë e helmeve që do të hyjnë në Shqipëri. Ky është një manual se si të jetoni në kazane plehrash. Ju do ta votoni këtë ligj si robotë, sepse nuk keni ndërgjegje", tha Blushi.

Në fund të fjalës së tij, Blushi kërkoi nga qytetarët që "çdo deputeti që voton sot këtë ligj, duhet t'i shkruhet emrin në kazanin e plehrave të lagjes. Sepse ka ardhur koha, që çdo kazan të ketë një emër. Emrin e deputetit që e voton sot këtë ligj".

Related Posts :