Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Zana Çela Rikthehet drejtoreshë e Teatrit të Operës” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Zana Çela Rikthehet drejtoreshë e Teatrit të Operës” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Zana Çela Rikthehet drejtoreshë e Teatrit të Operës

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Fatmira Nikolli

Kryeministri i vendit, Edi
Rama ka firmosur në
mbledhjen e djeshme të qeverisë emërimin e Zana Çelës në krye të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, duke shënuar rikthimin e ish-drejtoreshës në të njëjtën detyrë prej së cilës iku në vitin 2003 pas përplasjes me artistët, 13 vite më parë. Pas dorëheqjes së Ilir Kernit, Ministria e Kulturës shpalli konkurs për postin e drejtorit, ku u paraqitën gjashtë kandidatura: Zana Çela, Josif Gjipali, Agim Hushi, Ylber Gjini, Kleanthi Gjika e Gëzim Xhaxhaj. Pas intervistave dhe paraqitjes së platformave, katër kandidatë u skualifikuan, për të shkuar para kryeministrit producentja Zana Çela dhe tenori Josif Gjipali, nga të cilët Rama zgjodhi Çelën. Kjo e fundit prej 15 vitesh ka organizuar Festivalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, fati i të cilit mbetet për t’u parë me angazhimin e ri të Çelës.
Platforma
Platforma e Zana Çelës u prezantua në Ministrinë e Kulturës. Në vijim të konkursit, një komision i ngritur me urdhër të ministres së Kulturës, përbërë nga Elira Kokona, Hervin Çuli, Jusuf Beshiri, Herida Duro dhe Ornela Cikuli, intervistoi kandidatët dhe zhvilloi procedurat e vlerësimit të aplikimeve të paraqitura. Aty, Çela prezantoi platformën e mëposhtme. “Që në fill të platformës kam nënvizuar faktin që për hartimin e saj kam bërë analizën e TKOB sot, problemet, specifikat e tij. Këto më kanë shërbyer si guidë. Risqet më të mëdha të teatrove janë: rënia e interesit të shoqërisë, mungesa e subvencioneve që kërkojnë menaxhim. Si të dalim nga kjo gjendje për të siguruar të ardhmen: të rrisim audiencat që të kapin të gjitha kategoritë, sidomos të rinjtë, pra një teatër kozmopolit, duke u mbështetur në traditën e TKOBAP e në bashkëpunim me rrjetin europian të operës që siguron rritjen e nivelit. Angazhimi kryesor është ta kthejmë TKOB në një institucion të ekselencës, edukimit dhe inovacionit. Kam caktuar 6 fusha: ekselencë në program dhe zbatimin e kalendarëve artistikë, edukimin e publikut, thithjen e publikut, marketing dhe promocion. Menaxhim më i mirë i burimeve financiare që ka teatri, duke identifikuar burime të reja, donatorë, sponsorë; ripozicionim të vendeve të punës sipas aftësive dhe repertor më i gjerë: me të gjitha epokat, nga barokja te tendencat e reja.
Kanë munguar prodhimet për të rinj dhe fëmijë, duhet të ketë opera, balete, muzikale e koncerte. Muzikali ka shumë audiencë, sidomos në periudhën e rikonstruksionit. Baleti gjatë këtyre dy viteve ka bërë arritje, baleti kontemporan, do e vazhdojmë, duke respektuar edhe veprat klasike, si dhe prodhimet tona ekskluzive. Trupa të rrisë nivelin dhe të bëhet ndërkombëtare. Ndërsa koncertet për këtë periudhë të bëhen me formacion e orkestër më të vogël, të afta për t’u zhvendosur. Duhet krijuar departamenti i Edukimit, me projekte trajnimi për audiencat dhe shkollat. Unë kam platformë alternative për një teatër në tranzit: shumë njerëz më thanë se pse po kandidoj tani që teatri do jetë në rikonstruksion. Unë jam optimiste. Tani do të shkojmë aty ku është audienca, madje jam optimiste se audienca do të zgjerohet. Duhet ta orientojmë publikun tek Opera, që ata të mos e shohin si një thesar që është larg.”

Tenton të vrasë në gjendje të dehur tre policë, arrestohet efektivi i FNSH-së

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

FIER – Policia e Fierit ka vënë dje në pranga një efektiv të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), pasi akuzohet për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Bëhet fjalë për shtetasin Maliq Shehaj, i cili pohohet të ketë qenë në gjendje të dehur. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bënë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi” të këtij qyteti. Mësohet se efektivi Shehaj është përleshur me dy persona për motive të dobëta (janë përdorur dhe mjete të forta, si leva hekuri). Në këtë moment kanë ndërhyrë tre punonjës policie të Fierit, njëri prej të cilëve me uniformë. Sipas burimeve të mësipërme, punonjësit e policisë janë prezantuar dhe kanë kryer detyrën për ta neutralizuar Shehajn, por gjatë ndërhyrjes ai ka nxjerrë një armë tip pistoletë dhe pasi e ka mbushur e ka drejtuar atë ndaj punonjësve të policisë. Në këtë kohë, efektivi i FNSH-së ka bërë dhe shkrepjen e armës, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Kjo për faktin se tre punonjësit e policisë, gjatë ndërhyrjes, e kanë devijuar drejtimin e qitjes. Ndërkaq, materialet në lidhje me këtë ngjarje i janë përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Fierit.                       al.gu.

Kombëtarja, barazim me ‘silenciator’ ndaj Marokut

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Jeton Selimi

Barazim pa gola në de
butimin e Ko
mbëtares në “Loro Boriçin” e ri. Kuqezinjtë e De Biazit u ndanë me rrjeta të paprekura me një skuadër të fortë si Maroku, në një ndeshje të kontrolluar mirë nga Shqipëria, që gjithsesi i mungoi finalizimi, ndërsa u pa qartë dhe kujdesi për të menaxhuar energjitë para ndeshjes së 5 shtatorit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. De Biazi e nisi me formacion sulmues në të parën ndeshje në “Loro Boriçi”, Cikalleshi dhe Gashi njëkohësisht në fushë, në krahët e Mavrajt shiriti i kapitenit me Agollin që e niste nga stoli, përkrah tij Gjimshiti në vend të Lorik Canës në qendër të mbrojtjes, titullar Jahmir Hyka në rikthimin e tij pas dy vjetësh në Kombëtare, i duhen vetëm 3 minuta për t’u vënë në dukje një goditje nga distanca që përfundon jashtë. Në të 7-ën provon edhe Gashi, por me të njëjtin rezultat. Shqipëria merr shpejt frenat e lojës me një qarkullim të mirë të topit. Në Shkodër tifozët nuk kanë harruar trajtimin e veçantë për djemtë e shtëpisë, me Salihin që është figurativisht aty në banderolat e tifozëve, ashtu si dhe Elsid Hysaj, por Maroku shënon në të 19-ën, edhe pse është një gol që anulohet me të drejtë nga arbitri pasi Aziz Bouhaduz bën qartësisht faull ndaj Gjimshitit para se të godasë topin.
Afrikanët provojnë në të 24-ën me Tanine, por është një goditje pa problem për Berishën. Menjëherë më pas Shqipëria ndërton një rast të pastër goli, me Elseid Hysajn që jep një krosim perfekt në qendër të zonës, por goditja e Cikalleshit me kokë është jashtë. Nuk mungojnë këshillat e De Biazit, shumë aktiv në stol, për dy sulmuesit. Në të 40-ën provon me një goditje nga të tijat edhe Taulant Xhaka, por megjithëse me vështirësi, arrin të neutralizojë portieri i Marokut. Mbyllet pa gola një pjesë e parë e mirë për Shqipërinë dhe e dyta fillon sërish me iniciativën në krahun e kuqezinjve, në të 49-ën Sokol Cikalleshi që futet në zonë për të lëshuar një silurë drejt portës, por bën mrekullinë portieri i Marokut, El Kajoui. De Biazi pas një ore lojë ndërron gjysmën e skuadrës, duke nxjerrë nga fusha Lenjanin, Abrashin, Hykën, Gashin dhe Xhakën, për t’u bërë vend Veselit, Kukelit, Memushajt, Sadikut dhe Agollit.
Në minutën e 71-të në fushë dhe Kace për Bashën, me Marokun që kërkon më tepër për të dalë përpara, por gjithsesi pa ndonjë problem serioz. Në të 83-ën veprim i bukur i Cikalleshit, që gjuan në rrotullim e sipër, por topi shkon jashtë portës së miqve. Maroku reagon me një goditje nga distanca të Rherras, ndërsa në të 89-ën Mavraj mund të kishte përfituar më tepër nga naiviteti i portierit maroken, dhe përfundon me rrjeta të paprekura: një provë e mirë në kompleks për Shqipërinë, që forcën e vërtetë do t’i duhet ta tregojë pas pak ditësh, kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në të njëjtin stadium.

Nis botimi i ditarëve të Mbretit Zog

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Kremtohet sot përvjetori i
Mbretërisë shqiptare, organizuar nga Agjencia “Pro Democratia”. Kjo e fundit prezanton projektin me 9 akte, që do të realizohet në një hark kohor dyvjeçar duke shënuar ditën e shpalljes së Mbretërisë shqiptare më 1 shtator 2018. Në logon 90 vjet/ Mbretëri shqiptare, trashëgimi kulturore dimensioni i festimeve do jetë gjithëpërfshirës jo vetëm si kujtesë politike dhe historike, por sidomos si trashëgimi kulturore. Projekti “90 vjet/Monarkia Shqiptare – Trashëgimi Kulturore” nëntë pika nga botimet tek muzetë. Më në detaje parashikohen 10 tema doktorature në Universitetin Europian të Tiranës, rreth periudhës dhe Familjes Mbretërore; botimi i plotë ditarëve të Mbretit Zog, një album fotografik me 90 foto, shumë prej të cilave publikohen për herë të parë, do të pasqyrojnë momentet më të rëndësishme të familjes, por edhe më të bukurat, si dasma e Mbretit Zog apo ajo e Princit Leka II, pesë bursa studimi “Mbretëresha Geraldinë” në UET për vajza në vështirësi ekonomike, një film artistik me metrazh të gjatë mbi mbretin, krijimi i “Albanian Ladies Club” me pjesëmarrjen e zonjave dhe zonjushave shqiptare me influencë, libër për “Zogollët dhe familjet e mëdha të Shqipërisë”, kthimi i bilës së Mbretit Zog në Shirokë në muze kombëtar të familjes mbretërore dhe në fund një biografi e Princit Leka II.

Pajisjet mjekësore me certifikatë nga BE, kusht regjistrimi brenda 15 ditëve

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Të gjitha pajisjet mjekë
sore që hyjnë në vendin tonë duhet të regjistrohen pranë Agjencisë së Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM). Sipas urdhrit nr. 360, datë 22.8.2016 të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, çdo aparaturë duhet të bëjë aplikimin për t’u regjistruar brenda 15 ditëve nga zhdoganimi. Sipas pikës 3 të këtij urdhri, regjistrimi bëhet për pajisjet mjekësore të të gjitha klasave: pajisjeve mjekësore in vitro; pajisjeve mjekësore të implantueshme aktive; pajisjeve mjekësore me porosi; sistemet apo paketat procedurale. Efektet e urdhrit nisin nga data 26 gusht 2016. “Aplikimi bëhet pranë Agjencisë së Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM), brenda 15 ditëve pune, duke filluar nga data e zhdoganimit të pajisjeve mjekësore. Prodhuesit e pajisjeve mjekësore që kanë të regjistruar aktivitetin në Republikën e Shqipërisë duhet të paraqesin aplikimin për regjistrim brenda 15 ditëve nga dita e lëshimit të certifikatës CE. Për pajisjet me porosi apo ato për hetime klinike, regjistrimi duhet të kryhet para vënies në përdorim. Aplikuesi (administratori ose personi i autorizuar zyrtarisht prej tij), plotëson me të gjitha të dhënat e kërkuara formularin e regjistrimit të pajisjeve mjekësore që i bashkëlidhet këtij urdhri, e firmos, vulos dhe e dorëzon pranë AKBPM-së me të dhëna që regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Pajisjeve Mjekësore. AKBPM-ja lëshon një certifikatë për regjistrimin e pajisjes mjekësore në Regjistrin Kombëtar të Pajisjeve Mjekësore, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së aplikimit”, përcaktohet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë. Aplikuesit duhet të bëjnë plotësimin e formularit, dhe veç tij duhet të paraqesin fotokopje të certifikatës së konformitetit CE ose deklaratë të konformitetit për pajisjet e klasës I dhe listën e standardet përkatëse për atë certifikatë si dhe dokumentin e kryerjes së pagesës për kryerjen e aplikimit. Pagesa për aplikim është 500 lekë dhe kryhet në një bankë të nivelit të dytë. Regjistrimi cakton një numër identifikimi për çdo operator në Regjistrin Kombëtar të Pajisjeve Mjekësore.

Përse unë besoj tek e nesërmja?

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: ARIAN GALDINI

Duke qenë se jemi në prag të
ceremonisë së Shenjtërimit të
Nënë Terezës, ndërsa pyes veten
përse unë besoj tek e nesërmja,
më kujtohet mençuria e kësaj gruaje të madhe në fjalët e saj të thëna thjesht, por goditshëm: “E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur ende. Ne kemi vetëm të sotmen. Ndaj le t’ia fillojmë sot”.
Pikërisht tek këto fjalë unë gjej fillin e përgjigjeve për pyetjen time: Përse unë besoj tek e nesërmja? Fillin tim e pikëtakoj sot dhe ‘sot’ unë i them vetes sime se unë nuk kam, se ne nuk kemi nevojë për fjalë e përbetime, përdëllime e ankimime, sot unë, sot ne duhet të vendosim.
E për t’ia nisur mbarë, ne sot do të na volitet t’i hedhim hapat me një qasje të re, me shtysë e qëllim që jo vetëm ta nderojmë Nënë Terezën, sikundër mirësisht është bërë e do bëhet nga shteti, politika, institucionet fetare, grupet sociale, civile apo akademike shqiptare, me fjalë e fjalime, me përkujtimore, përshpirtje, lutje, koncerte, e memoriale, por ta nderojmë vërtetësisht dhe sinqerisht në plotësi dhe me përunjësi, duke ndjekur dhe përbrendësuar shembullin e saj.
Pikërisht këtu tek nevoja madhore për përbrendësimin e modelit të Nënë Terezës fillon edhe ngasja për sfidën dhe betejën më të bukur e më të vështirë me të cilën mund të ballafaqohet individi, qytetari shqiptar i kohëve tona, që ne vetë shpeshherë i konsiderojmë si kohë të marrëzisë.
Kjo sfidë është as më shumë e as më pak, por sfida për të përsosur vetveten. Kjo sfidë asesi nuk mundet t’u kërkojë llogari të tjerëve, pretendojë nga të tjerët, presë nga të tjerët, etj., etj.
Kjo sfidë është mirëfilli një ekzaminim dhe ushtrim i drejtpërdrejtë i kapaciteteve për të ujdisur punët vetëm dhe vetëm me vetveten.
Askush nuk na ndihmon dot në këtë sfidë, askush nuk na dëmton dot në këtë sfidë, përveç vetes sonë.
E të mendosh se udha nëpër të cilën kalon kjo sfidë është një paradoks i stërmadh i kohës dhe ambientit ku jetojmë.
Vini re paradoksin nëpër të cilin të gjithë ne jemi të detyruar e përcaktuar të kalojmë e durojmë, qofshim me veshë e sy të mbyllur apo të hapur, qofshim me mendje të mbyllura apo të hapura, të bindur apo të pabindur, me dinjitet apo pa dinjitet, me zemra kurajoze apo me zemra të trembura dhe frikacake.
Paradoksi është i dukshëm deri në dhimbje, i prekshëm deri në tronditje, ulëritës deri në gufosje, arrogant e shpërfillës deri në asgjësim të ndërgjegjes qytetare.
Paradoksi ynë: Të gjithë thonë se në ditët e sotme, në këto ditë të territ dhe keqnajës sistematike, në këtë mënyrë sesi funksionon sistemi këtu në vendin tonë të shtrenjtë, të jesh mashtrues është e domosdoshme dmth., e lehtë e gati-gati natyrshmëri. Të jesh i korruptuar, hajdut, i babëzitur e batakçi është e domosdoshme, dmth., e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh servil, i bindur, kokulur, është e domosdoshme, dmth., e lehtë e natyrshmëri.
Të thurësh lavde, e bësh hosanara për “Udhëheqësit” dhe shefat që të shpërblejnë e japin bukën e gojës apo karrierën e padrejtë dhe të mallkosh, mohosh, përbaltësh, fyesh e shash të gjithë të tjerët që janë jashtë rrethit tënd të interesit, apo edhe thjesht pse janë të ndryshëm nga ty apo të kundërt me ty është e domosdoshme, dmth., e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh mediokër, i paaftë, i mbushur me xhelozi dhe zili sociale për të tjerët që rrezatojnë e shkëlqejnë nga talenti, kreativiteti, virtytet dhe mirësia është e domosdoshme, dmth., e lehtë e natyrshmëri. Të jesh mohues i palodhur, përbaltës, shpifës, biçakues i passhpinës, të tradhtosh, shesësh miqtë, t’ia fusësh kujt të mundësh për përfitim personal apo në grup, të skemosh është e domosdoshme, dmth., e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh me vese, imoral dhe amoral, para-dashës, pushtet-dashës, famë-dashës me çdo kusht dhe çmim është e domosdoshme, dmth., e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh pa integritet, pa dinjitet, pa fytyrë, pa emër, pa numër (no face, no name, no number), të jesh firmëtar i bindur, është e domosdoshme, dmth., e lehtë e natyrshmëri.
Ja kështu pra mund të vazhdojmë gjatë e më gjatë me zbulesën e këtij paradoksi që në Shqipërinë e këtyre 25-26 viteve është shndërruar dalëngadalë në mënyrë e stil jetese.
Ndaj edhe them se në ditët e sotme, kur në vendin tonë ka pllakosur kaq fort zezona, shthurja morale, shpërbërja e dinjitetit, grabitja e pronës së shtetit dhe tjetrit, gardhëzimi i lirisë, trajtimi i shtetit si plaçkë lufte që ndahet për të shpërblyer “të babëziturit” dhe “barbarët” që luftuan apo bënë a mund të bëjnë numrat për fitoren, sfida e vërtetë, sfida kthjelltësisht dhe këmbëngultësisht personale është që të jesh kundër rrymës.
Sot në Shqipëri, të jesh qytetar i thjeshtë që ke thjesht guximin dhe integritetin që t’i dalësh me dinjitet e ndershmëri për zot vetes, familjes, qytetit dhe vendit tënd, është shumë e vështirë madje në kufijtë e së pamundurës dmth., je kundër rrymës.
Të jesh i virtytshëm dhe të përballesh plot kurajë e urtësi me vesin kudo që e sheh, është kundër rrymës.
Të jesh i moralshëm është kundër rrymës.
Të flasësh me vërtetësi, drejtësi, kurajë, mençuri e urtësi kur të gjithë kanë frikë të flasin, është kundër rrymës.
Të jesh i mbushur me mirënjohje e të shprehësh pareshtur mirënjohje, në një kohë kur të gjithë e kanë shkulur me gjithë rrënjë pemën e mirënjohjes nga shpirti e mendja e tyre është kundër rrymës.
Të mos pranosh padrejtësitë dhe paudhësitë e shefave dhe udhëheqësive arbitrare dhe abuzive, është kundër rrymës.
Të bësh gjimnastikë të përditshme mendore dhe shpirtërore duke i thënë vetes çdo ditë papushim: ‘Unë jam, unë mundem. Unë jam qytetar i thjeshtë, i mirë ligjzbatues e i ndershëm, unë nuk vjedh, unë nuk mashtroj, unë nuk skemoj, unë nuk e shes votën e nuk mbjell kanabis, unë i dua shqiptarët, unë e dua Shqipërinë, unë e dua Perëndimin’, është kundër rrymës.
Të ndërtosh moral personal, të
ndërtosh vlerë publike nëpërmjet talentit, zotësisë, dijeve, përvojës, karakterit, dinjitetit dhe virtytit tënd, nëpërmjet angazhimit, pjesëmarrjes, fjalëve, aktivizmit dhe përfshirjes tënde është kundër rrymës.
Të ngjitesh lart, të arrish suksesin, të bësh karrierë të drejtë dhe të merituar, të realizohesh, duke ndihmuar, lartësuar, vlerësuar, mbështetur dhe ngritur të tjerët, është kundër rrymës.
Të flasësh fjalë pozitive, të falësh pa u lodhur e pa pushim ata që të lëndojnë e të bëjnë keq, të flasësh me dashuri dhe mirësi, të mendosh pozitivisht, të shpërndash paqe brenda vetes tënde dhe rreth e qark vetes kudo që jeton, ecën, rri, e punon është kundër rrymës.
Të kesh mendje dhe zemër ndërtimtare, ofruese, komunitare, të duash dhe respektosh të tjerët këdo, të afërmit, të ndryshmit, të kundërtit, madje edhe armiqtë, është kundër rrymës.
Të mbrosh plot energji dhe pareshtur lirinë tënde, të drejtat e tua, hapësirat dhe pronën tënde, identitetin, integritetin dhe dinjitetin tënd personal, por edhe të të tjerëve, është kundër rrymës.
Të jesh mbi të gjitha i ngritur në lartësitë ku të ngre veç përunjësia dhe modestia, është kundër rrymës.
Kjo pra është edhe sfida jonë krejtësisht personale, që nëse merr jetë dhe ngrihet në këmbë, i ka të gjitha shanset të përballet e ngjadhnjejë mbi çfarëdolloj paradoksi të së sotmes sado i madh, i palëvizshëm dhe i paprekshëm të duket ai.
Sikurse thotë Nënë Tereza: “…. E nesërmja nuk ka ardhur ende. Ne kemi vetëm të sotmen. Ndaj le t’ia fillojmë sot”.
A mundemi ne t’ia fillojmë sot që të jemi kundër rrymës?
A mundemi ne t’i bëjmë virtytin, talentin, zotësinë, dijen, moralitetin, aftësinë, dinjitetin, integritetin, si kërkesa të kohës?
A mundemi t’i bëjmë këto kualitete trendi, prirje për breznitë e të rinjve dhe të kohëve që po vijnë?
A mundemi t’i sjellim këto kualitete në modë?
E sigurt është që të gjitha janë kualitete kundër rrymës, dmth., i kanë të gjitha shanset që vetvetiu të jenë trendi dhe në modë.
Lum kush ka kurajë të jetë kundër rrymës.
E këtu sfida është për të gjithë ata që janë apo ndihen të rinj në moshë, të rinj në shpirt, të rinj në mendje, e kësisoj që kanë forca, energji, kurajë, mundësi dhe dëshirë për të qenë kundër rrymës e për të sjellë në Shqipëri këtë modë të re, këtë prirje të re.
Unë dhe miqtë e mi e kemi ndarë mendjen të jemi kundër rrymës. Unë dhe miqtë e mi besojmë tek e nesërmja, sepse jemi të vendosur të punojmë për të.
Unë dhe miqtë e mi
nuk jemi as më shumë e as më pak përveçse disa njerëz të thjeshtë, të kthjellët dhe të vendosur për të ofruar vetvetet tona në betejën e madhe për transformim, europianizim dhe perëndimorizim të Shqipërisë.
Unë dhe miqtë e mi jemi thjeshtësisht njerëz në gatishmëri të shoqërisë.
Ne kemi vetëm vullnetin, vendosmërinë dhe qartësinë për të sfiduar vetvetet tona për t’u përsosur çdo ditë.
Ne nuk jemi më të mirët.
Ne nuk pretendojmë e as synojmë si qëllim në vetvete të jemi më të mirët.
Ne nuk jemi të veçantë, apo ku di unë çfarë.
Jemi thjesht njerëz që kanë gjetur arsyet, ndriçimin dhe çlirimin për kurajë për të bashkudhëtuar me njëri-tjetrin, për t’u vënë në gatishmëri të shoqërisë dhe vendit tonë, e për të punuar e luftuar fort që në Shqipëri të vijë një modë e re, një kohë e re, një prirje e re.
Ne jemi kundër-rrymës.
Dhe a e dini pse unë besoj tek e nesërmja, pse ne besojmë tek e nesërmja?
Sepse ne dimë të buzëqeshim, ne dimë të argëtohemi, ne dimë ta jetojmë jetën, ne kërkojmë më të mirën për jetën tonë.
Ne duam të buzëqeshim, duam të argëtohemi, duam ta jetojmë jetën plot ngjyra e larushi.
Ne dimë e duam plot buzëqeshje të themi: Të jesh me virtyte, dije, talente, zotësi, mençuri, moralitet dhe me dinjitet, Je mbret!
Të jesh me virtyte, dije, talente, zotësi, mençuri, moralitet dhe me dinjitet, je pasha!
Të jesh me virtyte, dije, talente, zotësi, mençuri, moralitet dhe me dinjitet është edhe moda.
Si përfundim, ka vetëm dy pyetje që gjithsecili prej nesh volitet t’i bëjë vetes: Nëse jo unë, atëherë, kush? Nëse jo tani, atëherë, kur?
Përgjigja që unë i kam dhënë vetvetes, përgjigja që miqtë e mi i kanë dhënë vetvetes është: Unë jam, unë mundem. Ne jemi, ne mundemi. Koha është tani!

Shqipëria, qesharake para Gjeorgjisë

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Kombëtarja shqiptare
e basketbollit debuton me humbje në eliminatoret e Europianit 2017. Kuqezinjtë u mposhtën nga Gjeorgjia 86-47, në sfidën e parë të Grupit F. Ashtu siç pritej, dueli në Tbilisi ishte pa histori, edhe sepse gjeorgjianët janë pretendentët për ta fituar grupin, me lojtarë që luajnë edhe në NBA-në amerikane dhe në Euroligë. Endrit Hysenagolli realizoi 2 pikët e para të Shqipërisë gjatë ndeshjes, të cilat mund të cilësohen historike, për faktin se kuqezinjtë nuk janë përfaqësuar në arenën ndërkombëtare gjatë 4 viteve të fundit. Gjithçka ishte e lehtë për Gjeorgjinë, ndërsa te Shqipëria amerikani i natyralizuar Rashaun Broadus tregoi se i nevojitet ende kohë të ambientohet me realitetin e ri, ndërsa amerikani tjetër Kevin Dilart ishte gati për debutimin me përfaqësuesen kuqezi të basketbollit, por në momentin e fundit nuk u lejua nga skuadra e tij e re, Pinar Karshiaga. Perioda e parë e sfidës u mbyll me shifrat 21-9 për gjeorgjianët, me avantazhin që u rrit në mënyrë të ndjeshme në dy minutat e fundit të lojës. Diferenca ishte e madhe edhe në periodën e dytë, ku vendasit fituan 24-10. Në gjysmën e duelit, Gjeorgjia nuk kishte realizuar asnjë goditje për 3 pikë, por dominimi në zonën shqiptare bëri që të shkonin në pushimin e ndeshjes në avantazh 45-19. Në periodën e tretë, gjeorgjianët qëndruan në të njëjtin nivel pikësh, ndërsa Shqipëria realizoi 13 të tilla, me rritjen progresive që ishte sërish e pamjaftueshme. Perioda e katërt, kur vendasit larguan të gjithë titullarët nga parketi, regjistroi edhe diferencën më të ngushtë, prej vetëm 3 pikësh ndërmjet dy ekipeve. Në fund Gjeorgjia fitoi 86-47, dhe statistikat konfirmojnë se Shqipërisë i duhet ende kohë dhe eksperiencë të rritet në arenën ndërkombëtare.

Veshja, shprehje e dinjitetit njerëzor!

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Miron Çako *

Veshja, së bashku me ushqimin
dhe strehimin, është
një aksesor i domosdoshëm për
ekzistencën bazike të jetës së trupit
tonë ashtu siç thuhet: “Në qoftë se ke të hash e të vishesh, të mjafton”. Ajo e mbron trupin nga agjentët natyralë, si: lagështira, të ftohtët, të nxehtët. Përvoja njerëzore në shekuj ka përcaktuar edhe garderobën që i përshtatet çdo klime në hapësira të ndryshme gjeografike të globit, prandaj kemi një gamë të pafund stilesh dhe formash veshjeje.
Përveç kësaj, veshja është edhe tregues i gjinisë përkatëse, e cila, e mbuluar, shprehet së jashtmi nëpërmjet stilit dhe ngjyrave të rrobave, që mbajnë veshur meshkujt dhe femrat. Meqenëse njeriu është krijuar heteroseksual, duhet që edhe veshja t’i përshtatet gjinisë së ndryshme. Sipas ligjeve të vjetra ishte e ndaluar dhe madje e neveritshme që burri të vishte rroba gruaje dhe anasjelltas. Prandaj dhe veshja unisex nuk i përgjigjet këtij rregulli dhe, pavarësisht se ajo duket më praktike, bëhet shkak i ngatërrimit të gjinisë dhe për më tepër, një mjet promovimi i konceptit “modern” për ndryshimin e gjinisë dhe përqasjes homoseksuale sipas lirisë së individit në kohën e sotme, ose i shfaqjes së një krijese të re njerëzore, biseksuale.
Veshja në shekuj ka qenë mbrojtëse ndaj shikimeve mikluese (provokuese) dhe ndaj rrezikut të bërjes viktimë e abuzimit seksual. Arsyeja se pse sot po rritet frikshëm numri i abuzimeve seksuale është pa diskutim edhe veshja e papërshtatshme ose, më mirë, provokuese, jo vetëm në ambiente publike, si: rrugë, institucione etj., por edhe në shtëpi, duke qenë faktor nxitës për abuzim seksual me pjesëtarët e familjes, deri në incest. Statistikat janë alarmante. Psh., në Angli, më shumë se 35 gra raportojnë në polici se janë abuzuar seksualisht. Sipas “Daily Mail”, në total janë regjistruar 22 000 përdhunime, duke pasur një rritje prej 29% në vit. Në Amerikë, organizata RAINN (organizatë kundër sulmeve seksuale) thotë se në 2 minuta ndodh një dhunë seksuale, psikologjike ose fizike. Në 47% të rasteve, përdhunimet vijnë nga njerëz të njohur e të afërm të viktimave. 44% e viktimave janë nën moshën 18-12 vjeç. Kjo është mosha më liberale dhe jo shumë e përgjegjshme në lidhje me veshjen e përshtatshme si masë mbrojtëse.
Që nga qytetërimet primitive, veshja ka pasur funksion përcaktimin jo vetëm të statusit gjinor, por edhe të rendit në shoqërinë njerëzore. Ajo ka qenë tregues i gradës dhe i funksionit në shkallën sociale dhe nderim e përgjegjësi për atë që e mbante. Psh., ndryshe ishte rroba e një monarku dhe ndryshe e popullit të thjeshtë, ndryshonte dukshëm rroba e një funksionari nga ajo e një shtetasi, e të pasurve nga e të varfërve, e zotërinjve nga e skllevërve, e klerikut nga e laikut, e përfaqësuesve dhe grupimeve të komuniteteve të ndryshme fetare. Madje, sot veshja po bëhet një faktor kryesor i përplasjeve të kulturave të ndryshme dhe bindjeve fetare.
Pra, rroba ishte tregues i larmisë së funksioneve të jetës në shoqërinë njerëzore, për ta rregulluar dhe harmonizuar këtë bashkëjetesë. Kjo gjë vazhdon të ndodhë edhe sot, por në kohët tona ka një tendencë për unifikim të veshjeve funksionale në emër të barazisë, e cila në vetvete po krijon më shumë anarki dhe po humbet respektin ndaj funksioneve të rëndësishme shoqërore, që siç thamë, shprehen sipas rendit të tyre me anë të veshjes përkatëse. Për shembull, të gjithë ne e konstatojmë se ndryshe është respekti ndaj një shtetasi me detyrë të veçantë, kur ai është i veshur me rrobën e statusit shoqëror, p.sh. si polic, e ndryshe kur ai është i veshur si civil.
Rroba ishte edhe tregues i kulturës së fiseve, trevave, kombeve. Duke qenë të dallueshme nga njëra-tjetra, ato përcaktonin kufijtë etnografikë të një populli, por duke qenë të veçanta për nga stili, ato ngjanin si gurë mozaiku, që së bashku na jepnin një tablo të përgjithshme folklorike të popujve; kjo është një pasuri e madhe e njerëzimit, që nuk duhet humbur.
Krahas këtyre, veshja ishte edhe mjet për të lidhur miqësi e vëllazëri midis njerëzve, ashtu siç ishte zakon dhënia e mantelit si shenjë e vëllazërimit mes personave, ose e bashkimit të dy individëve në martesë, siç ishin rrobat që dhëndri i dërgonte nuses dhe nusja dhëndrit.
Veshja ishte dhe vazhdon të jetë, por më e zbehtë, tregues i shprehjes së gjendjes shpirtërore dhe pozicionit social në shoqëri. Ndryshe vishej një i gëzuar dhe ndryshe një i hidhëruar a i penduar, ndryshe një e martuar dhe ndryshe një e pamartuar a një e ve, ndryshe një i lirë dhe ndryshe një i burgosur.
Rroba ishte edhe një marrëdhënie jetike për shoqërinë, sipas porosisë: “Të veshësh atë që është i zhveshur”, jo vetëm për të mbuluar gjymtyrët e njeriut nevojtar, por edhe që nëpërmjet dashurisë konkrete, të mbajë gjallë një komunitet, ku e mira dhe e keqja e dikujt është e mira dhe e keqja e të gjithëve. Kjo e bën të qëndrueshëm një komunitet lokal, por edhe gjithë shoqërinë njerëzore, që në esencë janë e njëjta gjë: vëllezër e motra, rrjedhojë e çiftit të parë, Adamit dhe Evës, të cilët u krijuan nga Perëndia dhe u vendosën në një kopsht (Eden) ku trupat e tyre të krijuar prej dheu, ishin të veshur me një rrobë drite sipas Hirit (energjitë e Perëndisë). Kjo i tregonte ikona të Perëndisë, të ngjashëm me Atë, ndryshe nga të gjitha krijesat e tjera mbi dhé.
Por, rrobën e Hirit njeriu e humbi, sepse u rebelua i mashtruar nga xhelozia e djallit. Kur hëngri frutin e ndaluar, ai e pa veten lakuriq, domethënë të zhveshur nga Hiri dhe pati turp e frikë për dobësitë e tij mishore dhe bëri rroba si mbulesë prej gjethesh fiku. Kjo gjë na tregohet në kapitullin e tretë të librit të Zanafillës në Biblën e Shenjtë. Kur Zoti e kërkoi Adamin duke e pyetur “Ku je?”, Adami dhe Eva iu përgjigjën: “Dëgjova zërin tënd në kopsht dhe pata frikë, se jam lakuriq dhe u fsheha” (Zan. 3- 1). Pavarësisht se Adami dhe Eva ishin të veshur me gjethet e pemës së fikut për të mbuluar lakuriqësinë e tyre, ajo lloj veshjeje ishte e pamjaftueshme për ta mbuluar lakuriqësinë e tyre; aq më tepër veshja me gjethe fiku tregon se njeriu u vesh me mëkatin, duke ngrënë frutin e ndaluar të një peme. Kjo na bën të kuptojmë se mëkati ka veshjen që ai e frymëzon në stil dhe i shërben, e cila duket si veshje, por në të vërtetë është ekspozim i lakuriqësisë tunduese.
Lakuriqësia e ndau njeriun nga marrëdhënia me Zotin dhe e afroi me kafshët, që nuk kanë rroba në trupat e tyre. Kjo është edhe arsyeja përse kur kolonët (spanjollët, portugezët, anglezët etj.) kolonizonin vende të ndryshme e i gjenin lakuriq vendësit, i “shikonin” ata si kafshë, e kështu justifikonin veprimet e tyre të dhunshme e abuzuese ndaj këtij populli, duke i quajtur kafshë dhe jo njerëz. Kjo teori ka qenë e vjetër në sistemin skllavopronar, ku skllavi gjithmonë ishte i zhveshur, sepse lakuriqësia e tij e tregonte në nivelin e kafshës përpara skllavopronarit, i cili i veshur, tregonte një pushtet të pakrahasueshëm dhe të padiskutueshëm ndaj skllavit, njësoj si ka njeriu ndaj kafshës.
Sa paradoksal tingëllon ky fakt te njerëzit e brezit të sotëm, ku lakuriqësia është bërë një trend (modë) dhe një shenjë e “civilizimit” të këtij brezi. Dhe këtu nuk e kam fjalën për lakuriqësinë deri në nudo në plazh, e cila justifikohet për shëndetin e trupit, por kur kjo lakuriqësi transferohet në rrugët e qytetit. Sipas konceptit të rendit skllavopronar, kjo lloj kategorie lakuriqësh ose gjysmë lakuriqësh do të quheshin skllevër ose dhe më keq, kafshë me fytyrë njeriu.
Këtë fakt nuk duhet ta harrojmë si prindër dhe fëmijë, se njeriu bëhet skllav i atij që e skllavëron. Në qoftë se nuk vishemi vetë dhe nuk i veshim edhe fëmijët me hijeshi sipas dinjitet njerëzor, por zhvishemi publikisht me paturpësi, ky është tregues se brezi ynë është bërë skllav i mishit (natyrës së rënë instiktive), se jemi rrëzuar nga rendi dhe dinjiteti njerëzor, se jemi njësuar me kafshët e paarsyeshme, që udhëhiqen vetëm nga instinktet dhe mburrja e gjymtyrëve të zhveshura, se jemi në fund të qytetërimit tonë, se meritojmë përbuzje dhe braktisje nga providenca Hyjnore. Zoti, gjykatësi me drejtësi, në të tilla gjendje të shthurjes morale thotë me qortim, siç tha edhe para përmbytjes globale në kohën e Noes: “Shpirti im nuk do hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij nuk është veçse mish” (Zan. 6-3). Dhe Zoti Krisht u tha nxënësve: “Koha e fundit do jetë si në kohën e Noes”.
Por, Bibla vazhdon e thotë se Zoti nuk e la njeriun të zhveshur, por e veshi me rroba prej lëkure (kafshe). Kjo lloj veshjeje nuk e riktheu njeriun në gjendjen e parë, siç ishte i veshur me rrobën e Hirit, por i tregoi se njeriu nuk duhet të qëndrojë lakuriq, duhet të vishet dhe kjo e dallon njeriun në rendin e krijimit nga kafshët e paarsyeshme. Që nga ai moment, veshja është shenjë e dyfishtë: ajo e ruajtjes disi të dinjitetit të njeriut të rënë në rendin e krijimit dhe mundësia që njeriu të rivishet me rrobën e Hirit. Rrobat prej lëkure, me të cilat u veshën njerëzit tregojnë se Perëndia flijoi kafshë për njeriun, që ai të vishet me lëkurën e tyre. Pra, për të fituar përsëri rrobën e Hirit, duhet bërë një fli më e lartë se ajo e kafshëve; këtë flijim e bëri të mundur përsëri Perëndia me anë të sakrifikimit vullnetar të Krishtit, që është Biri i Perëndisë dhe Biri i njeriut, i Cili u flijua vullnetarisht në Kryq, si Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e njerëzve. Arsyeja pse Krishtin e zhveshën në Kryq, ishte për ta ofenduar, por si Njeri ai pranonte vullnetarisht të zhvishej, të turpërohej, që ta çlirojë Adamin dhe Evën dhe të gjithë ne që i besojmë Atij nga turpi i lakuriqësisë mëkatare dhe, pasi pagoi njëherë e përgjithmonë për mëkatet tona, u ngjall përsëri me lavdi si Adam i ri i veshur me dritën e shkëlqimit hyjnor, që kështu të mund ta riveshë përsëri njeriun me rrobën e Hirit të Perëndisë. Prandaj, kur njeriu vjen pagëzohet në Kishën Orthodhokse në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, ai zhvishet dhe futet lakuriq në ujë, simbol i gjendjes mëkatare të zhveshur nga Hiri si ajo e Adamit pas mëkatit, dhe mbasi del, e veshin me rroba të bardha, simbol i rrobës së Hirit që e rimori nga bashkimi me Krishtin në Misterin e Pagëzimit. Nga ai moment, njeriu i pagëzuar fiton përsëri dinjitetin, duke u veshur me Hirin e Perëndisë që është në Krishtin, Adamin e Ri, duke u bërë kështu një bir Perëndie, pjesëmarrës i natyrës Hyjnore. Prandaj edhe në shërbesën e Pagëzimit këndohet himni “Sa u pagëzuam me Krishtin, me Krishtin u veshëm. Aliluia”.
Ata që do t’i qëndrojnë besnikë këtij bashkimi, kësaj veshjeje (Hiri) me Krishtin, deri në fund të jetës, vetë Zoti Krisht, i cili do të vijë përsëri me lavdinë e Atit bashkë me engjëjt për të gjykuar çdo njeri, u premton: “Kush fiton, do të ecë me mua me rroba të bardha…. dhe këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit (Krishtit) të veshur me rroba të bardha (pastërti dëlirësi) dhe me palma në duart e tyre (lavdi e përjetshme)” (Zbul. 3-4\ 7- 9).
Këtu përmbushet kuptimi i veshjes, si shprehje e dinjitetit të lartë njerëzor.
* Përgjegjësi i zyrës së
Katekizmit të KOASH

Shtetasit e huaj, regjistrimi në universitet në datat 5-10 shtator

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Agjencia Kombëtare
e Provimeve njofton shtetasit e huaj që dëshirojnë në vijojnë studimet në universitet0 se ka nisur plotësimi i Formularit A1Z, ndërsa aplikimin online për në universitet e bëjnë në datat 5-10 shtator. Sipas AKP-së, ky aplikim nuk është për kuotat e veçanta për kandidatët me kombësi shqiptare jashtë trojeve të Shqipërisë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Preshevë apo për invalidët, jetimët etj., por bëhet vetëm për kuotat e parashikuara për të huajt. “Bazuar në udhëzimin nr. 13, datë 22.07.2016, i ndryshuar, njoftohen të gjithë kandidatët shtetas të huaj që dëshirojnë të ndjekin studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, se aplikimi me Formularin A1Z kryhet në datat 31 gusht 2016-4 shtator 2016, në shkollat apo institucionet arsimore të autorizuara nga MAS-i për hedhjen në Portalin e Maturës Shtetërore të rezultateve të provimeve të MSH dhe notës mesatare të njësuar në MAS, nën mbikëqyrjen e specialistëve të DAR/ZA dhe MAS. Hedhja e mesatares në sistem sipas VKM nr. 407, datë 01.06.2016, kryhet në datat 5-10 shtator 2016, pasi kandidatët kanë bërë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë”, njofton AKP-ja. Po ashtu, sipas AKP-së, kandidatët shtetas të huaj për ndjekjen e studimeve në IAL, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online, për kuotat për shtetasit e huaj, në Portalin e Maturës Shtetërore, në datat 5-10 shtator 2016, sipas procedurave të përshkruara në udhëzuesin teknik të publikuar në faqen zyrtare të AKP-së. Kandidatët shtetas të huaj aplikojnë me formularin e aplikimit, duke zgjedhur deri në 10 (dhjetë) programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga IAL-të, për vitin akademik 2016-2017.

Parcelat me hashash, banorët raportojnë vrasjen e një personi

Posted: 01 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Lediona Xheladinaj

Banorë të fshatit Lekas
në rrethin e Korçës
dje kanë vënë në alarm policinë, pasi kanë raportuar për vrasjen e dy personave në afërsi të fshatit Tudas. Menjëherë pas telefonatës, uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Pas krehjes së gjithë zonës, ku thuhej se kishte ndodhur vrasja e dyfishtë, burime zyrtare nga policia e qytetit juglindor pohuan se nuk janë gjetur trupat e viktimave dhe se nuk ka persona të vrarë. Po të njëjtat burime pohuan se alarmi mund të jetë fals dhe se kanë identifikuar shtetasin që telefonoi. Ndërkohë, grupi i xhirimit të “News 24” është nisur për në vendngjarje, ndërsa gjatë rrugës ka konstatuar një postbllok të ngritur nga një automjet i Ministrisë së Brendshme në dalje të Voskopojës, në vendin e quajtur “Kulet”. Mësohet se efektivët kontrollonin çdo automjet që kalonte aty. Më pas grupi i xhirimit ka kontaktuar me banorë të fshatit Lekas, të cilët deklaruan se ngjarja është e vërtetë dhe se dyshohet të jetë vrarë një person (jo 2 siç u raportua fillimisht) me mbiemrin Llapanji. Ata pohuan se viktima merrej me kultivimin e bimëve narkotike dhe se para disa vitesh ai kishte vrarë një person për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Jo vetëm kaq, por banorët u shprehën se trupi i viktimës mund të jetë zhdukur dhe se nuk mund të flasin më shumë, pasi kanë frikë se u ikën koka.
BANORET
Mbetet në kufijtë e misterit ngjarja e raportuar pasditen e djeshme nga banorët e fshatit Lekas të Korçës. Kjo për faktin se dëshmitë e dhëna nga ata dhe policia janë kontradiktore. E ndërsa policia deklaroi zyrtarisht se nuk ka ndodhur krim, banorët pohuan të kundërtën, madje sqaruan se viktima është nga fshati Tudas dhe se është qëlluar për vdekje në fshatin fqinj, Denas. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar dëshmitë e banorëve të zonës, të cilët pretendojnë se policia po tenton të fshehë ngjarjen, e cila ka marrë shkas nga kontrolli i parcelave me hashash. “Ka pasur krisma armësh dhe është vrarë një person. Dyshojmë se viktima ka mbiemrin Llapanji. Para disa vitesh ai ka vrarë një person nga fisi i tij po për drogë. Në atë kohë, ai u dënua vetëm me 3 vjet burg, pasi ngjarja u konsiderua si aksidentale”, thanë banorët. Sipas tyre, viktima e ditës së djeshme merrej me kultivimin e hashashit në këtë zonë. Gjithashtu, banorët e Lekasit deklaruan se në zonën e tyre lulëzon hashashi. “Persona nga rrethe të ndryshme të vendit, si Fieri, Elbasani dhe Gramshi, kanë kultivuar në zonën tonë hashash. Ata kanë punësuar banorë të zonës, të cilët paguhen nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë në ditë. Tokat tona janë zaptuar, dhe për këtë jemi ankuar disa herë në komunë dhe polici. Këta të fundit janë në dijeni se çfarë ndodh këtu, por deri tani nuk është marrë asnjë masë, ndaj kemi frikë të flasim më shumë, pasi na ikën koka”, u shprehën banorët.

Related Posts :