Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“CNN: ISIS vret 284 persona në Mosul, mes tyre edhe fëmijë” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“CNN: ISIS vret 284 persona në Mosul, mes tyre edhe fëmijë” plus 9 more Gazeta SHQIP


CNN: ISIS vret 284 persona në Mosul, mes tyre edhe fëmijë

Posted: 22 Oct 2016 02:36 AM PDT

MosulLuftime të dhunshme janë zhvilluar në orët e fundit në Tal Kayf, lokalitet strategjik rreth 10 kilometra në veri-lindje të Mosulit., Peshmergat kanë zmbrapsur trupat e ISIS-t dhe së shpejti pritet të hyjnë në fshat. Ndërkohë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka mbërritur në Baghdad për të vlerësuar personalisht progresin ushtarake në betejën për të rimarrë Mosulin që ndodhet në duart e ISIS-it.

Sipas mediave të huaja, Shteti islamik ka vrarë në gjakftohtësi 284 burra dhe djem gjatë një ekzekutimi në masë mes të enjtes dhe së premtes në Mosul. Pasi ka masakruar viktimat, shkruan CNN, – xhihadistët kanë përdorur buldozerët për t'i hedhur viktimat në një gropë të përbashkët pranë vendit të ekzekutimit, në veri të qytetit.

Viktimat janë vrarë me armë zjarri, në shumë raste janë qëlluar edhe fëmijë, – ka thënë një burim, i cili ka dashur të qëndrojë anonim, sepse nuk është i autorizuar të flasë me mediat. Edhe CNN nuk ka mundur të konfirmojë denoncimin.

Më herët, një sulm i Shtetit Islamik, ka shkaktuar të paktën 46 të vdekur në Kirkuk në veri të Irakut. "Kemi të paktën 46 të vdekur dhe 133 të plagosur, shumë nga të cilët anëtarë të shërbimeve të sigurisë, siç rezulton nga luftimet me Daesh-in (ose ISIS në arabisht)", – ka thënë një gjeneral i Ministrisë së Brendshme irakene. Bilanci është konfirmuar edhe nga mjekët. Sipas gjeneralit, kanë vdekur edhe të paktën 25 xhihadistë.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Konventa e PAA, Duka: Rritja e buxhetit për bujqësinë do të zbusë varfërinë

Posted: 22 Oct 2016 02:36 AM PDT

duka-agronËshtë mbajtur ditën e sotme Konventa VI e Partisë Agrare Ambientaliste, PAA. Në fjalën e tij me këtë rast kreu u PAA, Agron Duka falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre historik në ngritjen dhe zhvillimin e PAA duke nisur me ish-kreun e kësaj partie, Lufter Xhuveli.

Qëllimi i PPA dhe kësaj konvente sipas dukës është të ngrejë flamurin e gjelbër duke u distancuar nga politikat dhe praktikat e dështuara deri tani dhe larg egoizmave mikropolitike.

"Kontributi që japim mund të jetë modest, por kauza jonë është e madhe se e tillë është rëndësia që ka bujqësia, ambienti ku ne të gjithë meritojmë një jetë më të mirë. T'i themi jo varfërisë, krimit, korrupsionit dhe arrogancës, t'i themi po mirëqenies dhe zhvillimit të vendi tonë", tha mes të tjerash Duka.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Pukë, asgjësohen 213 bimë narkotike kanabis

Posted: 22 Oct 2016 02:20 AM PDT

MarijuanaPolicia e Shkodrës ka asgjësuar 213 bimë narkotike kanabis sativa në Pukë. Sipas policisë, bimët narkotike ishin në proces tharjeje dhe të kultivuara. Në fshatin Kçirë në një banesë të braktisur u gjetën 170 bimë të kultivuara.

Bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Dy talente shqiptarë kundër 17-vjeçarëve kuqezi

Posted: 22 Oct 2016 02:20 AM PDT

sportAlesandro Ahmetaj në muajin Prill kërkohej nga Juventus dhe Interi. Për të qenë korrekt kishte arritur t'i bindte këto dy klube të mëdha të kishin një lloj interesi për të. Sigurisht që flitet për një investim të së ardhmes. Ka lindur në vitin 2000, është mesfushor te Cesena dhe ende nuk ka mbushur 17 vjeç. Javën e ardhshme do luajë kundër Shqipërisë. Një shqiptar në Italianë e 17-vjeçarëve? Jo vetëm, së bashku me të është edhe Rilind Nivokaci, sulmues i Atalantës, gjithashtu 16-vjeçar, për të cilin interes kanë shfaqur shumë klube prestigjioze europiane, madje dhe Mançester City.

Ironia e fatit e do që këta djem të luajnë ndaj atdheut të tyre, Shqipërisë. Ata janë grumbulluar nga Italia për eliminatoret e Europianit që zhvillohen pikërisht përtej Adriatikut. Shorti është realisht interesant, sepse përveç Shqipërisë dhe Italisë në grup luajnë edhe Serbia e Maqedonia. Vetëm dy të parat kalojnë në Elite Round. Të dy shqiptarët që luajnë me Italinë, në të ardhmen mund të kenë shanse të luajnë edhe për Shqipërinë, në qoftë se kjo do të jetë zgjedhja e tyre. Për momentin ata nuk e dinë çfarë do të ndodhë dhe t'u kërkosh me pahir të luajnë për Shqipërinë nuk është e drejtë. Janë pothuaj fëmijë, të talentuar dhe me të ardhmen përpara. Të rritur e shkolluar në Itali. Shpresa është që pas 4-5 vitesh pse jo të zgjedhin ngjyrat kuqezi.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Prishet marrëveshja me TransAtlantic, 2 vendburime nafte i rikthehen shtetit

Posted: 22 Oct 2016 02:17 AM PDT

albDy vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul do t'i rikthehen në administrim qeverisë shqiptare. Kompania shtetërore e naftës Albpetrol ka njoftuar koncesionarin TransAtlantic Albania për mbylljen e njëanshme të marrëveshjeve hidrokarbure për këto vendburime të rëndësishme të nëntokës shqiptare.

Në mars të këtij viti, Albpetrol njoftoi kompaninë se nuk kishte përmbushur detyrimet ndaj shtetit shqiptar dhe në zbatim të marrëveshjes hidrokarbure paralajmëronte me nisjen e procedurave të prishjes së kontratës në mungesë reagimi.

Më 19 shtator 2016, Albpetrol i është drejtuar me shkresë zyrtare administratorit të TransAtlantic Albania z. Naim Kasa dhe drejtorëve të kompanisë z. Mark Crawford dhe z. Kresnik Grezda. Ne shkresë kompania shtetërore e naftës argumenton se "periudha 6-mujore që keni pasur në dispozicion për të korrigjuar shkeljet materiale të detyrave dhe detyrimeve themelore ka përfunduar më datë 8 shtator 2016. Me marrjen e njoftimit, TransAtlantic, nuk ka korrigjuar dhe nuk është angazhuar për të korrigjuar në mënyrë substanciale këto shkelje brenda afatit që parashikon marrëveshja".

Detyrimet që TransAtlantic Albania ka ndaj kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol arrijnë në rreth 20 milionë dollarë, borxh ky i krijuar përgjatë viteve 2007-2013 nga operimi i kësaj marrëveshjeje hidrokarbure.

Në shkresën e Albpetrol konstatohet se në fund të muajit gusht 2016, gjendja e detyrimeve në naftë bruto që i takojnë Albpetrol sh.a. për llogari të PPE dhe PPA vazhdon të mbetet në nivelet e përllogariturave në fund të muajit Dhjetor 2015. Për periudhën prill 2015-gusht 2016, llogaritë bankare, pasuritë e paluajtshme dhe aktivet e tjera të regjistruara të TransAtlantic rezultojnë të bllokuara në masën 100% nga ana e Përmbaruesve Gjyqësorë në kuadër të ekzekutimit të detyrimeve të ndryshme të kësaj kompanie nga të tretët.

Referuar vendburimit të Cakran-Mollajt, konstatohet se për vitin 2015, realizimi faktik i investimeve është në masën 5% krahasuar me Planin e Zhvillimit dhe në masën 1% krahasuar me Planin e Punës e Buxhetin e vitit 2015. Ndërkaq, për 3-mujorin e parë 2016, realizimi faktik është në masën 0%, krahasuar me Planin e Zhvillimit dhe në masën 0% krahasuar me Planin e Punës dhe Buxhetin e vitit 2016.

Referuar vendburimit të Gorisht-Kocul, konstatohet se për vitin 2015, realizimi faktik i investimeve është në masën 10% krahasuar me Planin e Zhvillimit dhe në masën 21% krahasuar me Planin e Punës dhe Buxhetin e vitit 2015. Për 3-mujorin e parë 2016, realizimi faktik është në masën 0% krahasuar me Planin e Zhvillimit, ndërkohë që në Planin e Punës dhe Buxhetin 2016 nuk janë parashikuar investime (CAPEX).

Në këto kushte, Albpetrol thotë se mbyllja e marrëveshjeve hidrokarbure bëhet efektive në përfundim të afatit 120 ditor nga marrja e njoftimit ndërsa kompania shtetërore e naftës do të marr në dorëzim puset dhe asetet e vendburimeve.

Në fund të shkresës konstatohet se mbyllja e marrëveshjes nuk do të lehtësojë kontraktorin TransAtlantic nga çdo angazhim i paplotësuar ose detyrime të tjera nën marrëveshje duke përfshirë pa kufizim pagesat e detyrimeve monetare për angazhimet e punës të paplotësuara, riparimet sipërfaqësore, përmirësimet e mjedisit dhe abandonimit etj.

Albpetrol mësohet se ka aktivizuar shërbimin përmbarimor i cili ndërkaq ka kryer bllokimin e aseteve dhe pikave ku kompania shet naftën e nxjerrë nga puset.

Në maj të këtij viti TransAtlantic ndryshoi administrator, ndërsa në derën e shoqërisë prej kohësh dyndeshin kreditorët.
Përmbaruesit kërkonin në emër të tyre mbledhjen e faturave të papaguara, çka bëri që kuotat e kompanisë të bllokoheshin duke vështirësuar dhe procesin e transferimit të tyre te blerësi i ri.

Ndër kredituesit përmenden emra të tillë si La Petrolifera Italo Albanese, Gr Albania, Shoqëria Besta shpk, por edhe
Ruçi Trans, Silvi Oil & Drilling që gjithashtu u vunë në radhë.

Kompania shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)/Monitor

Ngjela: Maqedonia do të shpërbëhet, do apo jo Putini

Posted: 22 Oct 2016 02:14 AM PDT

NgjelaAvokat Spartak Ngjela beson se Maqedonia do të shkojë drejt shpërbërjes si pasojë jo vetëm e kërcënimit rus për të zgjeruar politikat e tij në Ballkan. Në një postim në profilin e tij në "Facebook", Ngjela shkruan se Gruevski kërkon të mbijetojë politikisht falë Rusisë.

"Gruevski, kryeministri i inkriminuar i Maqedonisë, është i pari kryeministër i korruptuar ballkanik që po kërkon të mbijetojë politikisht me anë të Rusisë. Në fakt kjo është metoda e të gjithë banditëve në pushtet që i ndëshkon vendosja e një shteti të drejtë demokratik".

Ngjela bën një paralelizëm edhe me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta: "Edhe Meta, në Kinë shkoi, për t’i shpëtuar ndëshkimit për vjedhjet masive që ka bërë në Shqipëri. Na bëri për të qeshur, neve, por edhe amerikanët. Po shqiptarët çdo bëjnë në Maqedoni? Kancelarja gjermane, Merkel, që po viziton Ballkanin, nuk pranoi të shkojë në Shkup. Po liderët shqiptarë të Maqedonisë? Edhe ata të korruptuar janë. Po shqiptarët e Maqedonisë? Ata po presin shpërbërjen e Maqedonisë. Dhe shenjat janë që ajo do te vijë, duan apo nuk duan rusët e Putinit".

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Njihuni me fëmijën që lindi dy herë

Posted: 22 Oct 2016 02:12 AM PDT

1Lynlee Boemer ishte vetëm 500 gramë kur doktorët e nxorën nga mitra e nënës për t'i hequr një tumor që peshonte më shumë se ajo vetë. Në javën e 23 të shtatzënisë ajo u hoq nga mitra e nënës për 20 minuta në mënyrë që mjekët të ndërmerrnin një operacion të vështirë, i cili zgjati 5 orë për heqjen e tumorit.

Mjekjet më pas e rikthyen Lynlee në mitrën e nënës. Nëna e foshnjës, Margaret shprehet se nuk u mendua 2 herë kur mjekët konstatuan tumorin që po zhvillohej në trupin e fëmijës së saj në bark dhe i sugjeruan operacionin e vështirë.

2

Kur ishte në javën e 16 të shtatzënisë, nëna e dy fëmijëve të tjerë zbuloi gjatë një kontrolli rutinë me ultratinguj se fëmija i saj kishte sacrococcygeal teratoma, një tumor shumë i rrallë që zhvillohet para lindjes dhe ndodh vetëm 1 herë në 40 mijë shtatzëni.

3

Pas operacionit kompleks, Margaret e mbajti edhe për 12 javë të tjera në bark foshnjën e saj dhe e solli në jetë më 6 qershor në javën e 36 të shtatzënisë, kur lindi me peshë 2,5 kilogramë. 8 ditë pasi erdhi në jetë për herë të dytë, Lynlee iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje për heqjen e pjesës tjetër të tumori dhe tashmë gëzon shëndet të plotë.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Një anije kozmike gjermano-ruse për herë të parë në Mars

Posted: 22 Oct 2016 02:00 AM PDT

anija1Agjencisë Europiane të Hapësirës zbriti për herë të parë në planetin Mars një sondë eksperimentale, në kuadër të misionit për të eksploruar atmosferën e planetit dhe për të kërkuar për shenja jete.

Kontrollorët e misionit në Gjermani e përshëndetën me duartrokitje shkëputjen e sondës Schiaparelli nga anija hapësinore, Trace Gas Orbiter, në përputhje me planin, pas një udhëtimi shtatë mujor, prej 496 milionë kilometrash nga Toka.

Sonda Schiaparelli do të dërgojë imazhe nga Marsi dhe do të bëjë matje shkencore të sipërfaqes së planetit, por synimi kryesor është vënia në provë e pajisjeve për një mision të ardhshëm në Mars.

anija2

Anija ka udhëtuar në orbitë, duke analizuar gazet e atmosferës së Marsit për të zbuluar nëse ka aktualisht apo ka pasur më parë jetë në këtë planet.

Dy mjetet hapësinore janë pjesë e misionit ExoMars, një përpjekje e përbashkët e Agjencisë Europiane të Hapësirës dhe Agjencisë Ruse Roscosmos.

"Mund të konfirmojmë se Misioni ExoMars 2020 ndodhet tashmë në vend, – bënë të ditur zyrtarë të Agjencisë Europiane të Hapësirës. Trace Gas Orbiter është gati për misionin e saj të gjatë. Kemi 100 kilogramë instrumente shkencore në orbitën përreth Marsit, ndaj jemi gati të nisim hulumtimin e vërtetë shkencor për të zbuluar origjinën e shpërndarjes së gazeve, sidomos Metanit që duhet të shkatërrohet shpejt në Mars, por që duket të jetë prezent.

Në fazën e ardhshme, programi ExoMars planifikon të dërgojë një sondë në Mars në 2020, të pajisur me instrumente për të studiuar përbërjen gjeokimike të planetit.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Super-rinovimi i Neimar, te Barça deri më 2021

Posted: 22 Oct 2016 01:54 AM PDT

NeimarMuaj me radhë negociata, por tashmë erdhi kontrata e re dhe njoftimi zyrtar nga klubi: Neimar rinovoi me Barcelonën deri në vitin 2021. Në këtë mënyrë "blaugranat" largojnë rrezikun që paraqitej nga interesi i Paris Saint-Germain, për sulmuesin, me kampionët e Francës që ishin të gatshëm të paguanin klauzolën me vlerë 190 milionë euro për prishjen e kontratës. Nga marrëveshja e re, përmirësohen në mënyrë të ndjeshme përfitimet financiare të "O' Ney", me brazilianin që tashmë do të paguhet 15 milionë euro në sezon, të cilave u shtohen edhe shpërblimet për paraqitjet individuale dhe ato ekipore.

"Jam i lumtur që rinovova me Barçën, pasi këtu ndihem në shtëpi", ishin fjalët e para të Neymar. Sulmuesi shpjegoi se pasi admirimit në distancë që gëzonte për katalanët, lidhja e tij me klubin është përforcuar prej transferimit në vitin 2013, me yjet e Barçës që nga kolegë u shndërruan në miqtë e tij të afërt, duke evidentuar marrëdhënien e shkëlqyer që ka me Lionel Messin dhe Luis Suarez.

Me rinovimin e yllit brazilian, "blaugranat" kanë rritur edhe çmimin e përcaktuar në klauzolën për prishjen e kontraës. Nga 200 milionë euro në sezonin e parë, çmimi rritet në mënyrë progresive duke kaluar në 222 milionë në vitin e dytë dhe në 250 milionë euro nga viti i tretë e në vazhdim.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Zbulohen 650 kg drogë në brigjet e Pulias, dyshohet se vinte nga Shqipëria

Posted: 22 Oct 2016 01:49 AM PDT

PuliaNjë sasi e madhe lëndë narkotike është zbuluar sot në mëngjes në brigjet e plazhit të Pulias në Itali. Mediat italiane shkruajnë se në Komunën e Monopolit, janë gjetur të braktisura rreth 650 kg hashash në plazhin e Santo Stefanos, i cili ishte fshehur pas një muri rrethues të një vile që ku të zotët e frekuentojnë vetëm në muajt e verës.

Sipas mediave italiane, mësohet se pranë vendit ku u gjet droga, është zbuluar edhe një gomone e braktisur. Lënda narkotike ishte mbështjellë në 137 pako dhe vlera e saj nëse do të shitet në treg shkon deri në 3 milionë euro.

Pulia 1Gjithnjë sipas mediave italiane, droga dyshohet të ketë ardhur nga Shqipëria përmes detit, duke parë se rastet më të shumta të transportit të marijuanës drejt brigjeve italiane kanë si pikënisje Shqipërinë. Dyshohet se trafikantët kanë hasur në ndonjë problem të paparashikuar dhe kanë fshehur lëndën pranë vilës për ta rimarrë atë në një moment të dytë.

Pulia 2Policia, e cila është njoftuar nga një banor i zonës, ka sekuestruar sasinë e marijuanës dhe ka nisur hetimet mbi ngjarjen, duke inepskeutar imtësisht zonën në bashkëpunim me kapitenerinë e portit të Barit.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Related Posts :