Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“A e parashikoi Nostradamus fitoren e Trump?” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“A e parashikoi Nostradamus fitoren e Trump?” plus 9 more - Gazeta Dita


A e parashikoi Nostradamus fitoren e Trump?

Posted: 09 Nov 2016 02:17 AM PST

Nostradamus (1503- 1566) është konsideruar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe të famshëm të profecive të historisë.

Fama e tij erdhi me botimin e libirt të tij Profecitë, që përbehet nga përbehet nga grupe prej 100 tregimesh, në librin "Centurie in profezie" – Shekujt në Profeci.

Mbështetësit e ketyre profecive i atribuojne Nostradamusit aftësine për të parashikuar një numër të paimagjinueshëm ngjarjesh në historinë e botës midis të cilave: Revolucionin Francez, bombën atomike, ngritjen në detyrë të Adolf Hitler dhe atentatet e 11 shtatorit 2001.

Por a e parashikoi Nostradamus fitoren e Trump?

Rrjetet sociale kanë kohë që po ziejnë nga këto dyshime pasi shumë kërkues shkencorë kanë dalë në përfundim që Nostradamus vërtet ka përshkruar një president amerikan i cili ka shumë ngjashmëri me planet që Trump ka prezantuar për Amerikën dhe botën.

Nostradamus flet për një njeri në kufijt e të çmendurisë dhe zhurmës i cili është i aftë të tërheqë vëmëndjen e të gjithëve, pavarësisht kritikave madje dhe tradhëtive të njerzëve të tij ai arrin të fitojë.

Por Nostradamus nuk flet për një udhëheqës të devotshëm por për një njeri që do shkatrojë ekuilibrat botërorë dhe fundin e saj.

Por a do të jetë Trump udhëheqësi që do sjellë fundin e botës?

Asgjë nuk është më e sigurt, por fitorja e tij është një shtysë që gjërat do të fillojnë të ndryshojnë në botë.

A do e mbajnë fjalën të famshmit?

Posted: 09 Nov 2016 02:14 AM PST

Zgjedhjet në Amerikë janë në qendër të vëmendjes së gjithë botës, por fitorja e Trump është një trishtim i madh për 'bandën' e Hollivudit që mbështeti Hillary Clinton.

Lady Gaga organizoi një protestë kundër Trump, jashtë Trump Tower, duke drejtuar një ambulancë me shenjën "Love Trumps Hate". Në mesnatë, teksa nisën të jepeshin dhe rezultatet Gaga shkruan në Twitter: Thuaj një lutje Amerikë".

Gjithashtu mbështetës të tjerë të Cliton, njerëz të famshëm, kanë shprehur trishtimin e tyre në rrjetet sociale. Eva Longoria ka postuar një selfie të mërzitur në Snapchat ku shkruan "Çfarë po ndodh??????".

Mbështetës të tjerë të saj, përfshi Lena Dunham, Miley Cyrus dhe Amy Schumer kanë thënë se do të largoheshin nga Amerika nëse zgjidhej Trump. Kanadaja nëpërmjet një postimi në Tiwtter i mirëpret ato duke shkruar se "është e inkurajuar të sjellin traditën kulturore me vete për ta shpërndarë me qytetarët".

Katy Perry, me 94 milionë ndjekës në orët e para ka shkruar në Twitter: "Mos u ulni ende. Mos qani. Lëvizni. Ne nuk jemi një komb që të lejojmë URRYESIN të na drejtojë. Ne nuk do të heshtim kurrë".

Këngëtarja Cher është shprehur se fitorja e Trump i duket sikur i ka vdekur një njeri në familje, ndërsa Ariana Grande ndihet e tmerruar.

Si do ndryshojë bota me Trumpin?

Posted: 09 Nov 2016 02:14 AM PST

Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara mund të ndryshojë marrëdhëniet e vendit më të fuqishëm me pjesën tjetër të botës. Një analizë e BBC mundohet të shpjegojë se cilat do të jenë pesë ndryshimet kryesore, gjithmonë nëse Trump mban premtimet e bëra përgjatë fushatës.

Tregtia e lirë

Nëse Trump do të zbatojë me përpikmëri programin e tij, do të jetë ndryshimi më i madh në dekada i lidhjeve tregtare të Shteteve të Bashkuara me pjesën tjetër të botës. Ai ka kërcënuar me anulimin e disa marrëveshjeve tregtare, përfshirë këtu traktatin "North American Free Trade", të nënshkruar mes SHBA, Kanadasë dhe Meksikë dhe të cilin Trump e akuzon për humbjen e vendeve të punës në SHBA. Ka sugjeruar gjithashtu largimin e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Tregtisë. Favorizon taksat e larta të importit dhe ka folur për 45 përqind taksë për mallrat që importohen nga Kina dhe 35 përqind për ato që importohen nga Meksika. Ai thotë se kjo lëvizje do të ndalojë emigrimin e kompanive amerikane në vende me kosto të ulët prodhimi.

Klima

Hyri në fuqi vetëm katër ditë më parë, por Donald Trump është zotuar se do ta anulojë atë. Bëhet fjalë për "Paktin e Parisit", nënshkruar në dhjetor të 2015 nga 195 vende të botës. Ka deklaruar se do të ndalojë të gjitha fondet amerikane për programet e ngrohjes globale të Kombeve të Bashkuara. Largimi i një vendi të vetëm nga kjo marrëveshje nuk e cënon atë, gjithsesi, largimi i vendit më të fuqishëm do të ishte një goditje e rëndë për paktin. Trump është pro shtimit të shpimeve dhe zgjerimit të teknologjisë për naftën argjilore, premton thjeshtimin e rregulloreve në këtë sektor dhe ndërtimin e linjës së importit të naftës Keystone XL nga Kanadaja.

Kufijtë

Ndaj emigracionit Donald Trump ishte shumë i ashpër fillimisht, por sa më shumë afrohej data e zgjedhjeve, aq më shumë zbutej ai në këtë drejtim. Ndaj, sot është ende e vështirë të parashikohet nëse do të realizojë deklaratat e famshme për murin e madh me Meksikën apo për dëbimin e mbi 11 milionë emigrantëve të paligjshëm. Ky qëndrim u zbut dhe Trump nuk fliste më për emigrantët e paligjshëm, por për "ata që ishin me precedentë kriminalë". Deklaroi gjithashtu edhe një qëndrim të ashpër kundër myslimanëve, të cilët tha se nuk do t'i lejojë të hyjnë në SHBA. Edhe ky qëndrim u zbut së fundmi, kur deklaroi se i referohej ekstremistëve nga disa vende të caktuara të globit, por pa përmendur vendet.

NATO

E ka cilësuar shpesh si një organizatë "demode", ku vendet anëtare mosmirënjohëse përfitojnë nga dora e lëshuar e Shteteve të Bashkuara me fondet. Ai ka deklaruar se Amerika nuk mund të përballojë koston e mbrojtjes së aleatëve të saj në Europë dhe Azi, pa u kompensuar. Për këtë ai sugjeroi se mund të tërheqë menjëherë trupat amerikane nëse vendet anëtare të NATO-s nuk plotësojnë detyrimin e shpenzimit të 2 përqind të GDP-së për ushtrinë.

Rusia

Ka deklaruar se mund të zbusë tensionet me Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin. Shpesh e ka lëvduar si një lider të fortë, me të cilin do të pëlqente të kishte një raport miqësor. Nuk ka folur për forma konkrete bashkëpunimi me Moskën, përveç dëshirës për një aleancë mes dy vendeve kundër ISIS-it. Këmbëngul se me të në krye të Shtëpisë së Bardhë, respekti i Putinit për Shtetet e Bashkuara do të jetë më i madh sesa me Hillary Clinton apo Barack Obaman.

Të urresh Hillaryn…

Posted: 09 Nov 2016 02:11 AM PST

Le ta themi hapur, Hillary Clinton është një grua që nuk shihet me sy të mirë nga një pjesë e mirë e amerikanëve… prej kohësh.

Nuk pëlqehet arroganca e saj, nuk pëlqehet që ka një jetë në politikë, që simbolizon etsablishmentin e Uashingtonit, nuk pëlqehet "puna e pistë" me burrin e saj në Fondacionin Klinton.

Por përballë një kandidati si Donald Trump, mendohet se shumë do ta shihnin me dashamirësi dhe do të votonin për të, edhe pse pa dëshirë.

Por nuk ndodhi kështu. Latinët dhe gratë, dy komunitetet që mendoheshin se do të mobilizoheshin me më shumë forcë në favor të Hillaryt, nuk e bënë.

Pavarësisht komenteve ksenofobike të bëra nga Donald Trump gjatë fushatës (sidomos kundër emigrantëve meksikanë) dhe videos me komente seksiste të milionerit, as emigrantët e as gratë nuk janë dyndur të votojnë për të, sic mendohej të ndodhte.

Prova më e prekshme është në Florida, shteti që grupon përqindjen më të madhe të hispanikëve në Shtetet e Bashkuara.

Besohej se portorikenët që tashmë janë komuniteti më i rëndësishëm hispanik në Florida do t'i jepnin fitoren kandidates demokrate. Por kjo nuk ndodhi.

Analizat e para nënvizojnë se shumë më shumë latinë se sa mendohej në fillim kanë votuar për milionerin, të bindur se emigrantët pa dokumente janë konkurrenca e tyre e madhe në tregun e lirë dhe kanë mbështetur planet e Trump për të dëbuar 11 milionë prej tyre.

Dhe të tjerët, sidomos kubanët, janë tmerruar me hapjen e Obamas dhe Hillaryt me me Kubën e Fidel Kastros. Me gratë ndodh pak a shumë e njëjta gjë.

Mendohej se gratë do të përfshiheshin nga një valë entuziazmi, me perspektivën se do të bëhej gruaja e parë në Shtëpinë e Bardhë në 227 vjet. Por përsëri, kjo nuk ndodhi.

Më shumë peshojnë disavantazhet: (pra ka një jetë në politikë, ka qenë zonjë e parë, senatore, sekretare e shtetit) se sa fakti që do të ishte pas dy shekujsh gruaja presidente.

Antipatia që ngjall Hillary në mesin e amerikanëve vjen nga larg. Që në vitin 1996 revista New Yorker botoi një artikull me titull "Duke urryer  Hillary”, në të cilën thuhej: "Njësoj si garat me kuaj, të urresh Hillary është shndërruar në një sport kombëtar që bashkon elitën me shtresën popullore".

Dita

Bushati uron Trumpin: Roli i SHBA, jetik për rajonin tonë

Posted: 09 Nov 2016 02:04 AM PST

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka uruar Donald Trumpin për fitoren si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Urime Donald Tramp!", shkruan kryediplomati shqiptar në rrjetet sociale, duke theksuar rolin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.

"Roli i Shteteve të Bashkuara është jetik për stabilitetin dhe demokracinë në këtë cep të Europës", mbyll postimin e tij ministri Bushati.

Bashkia e Tiranës: Parametrat e ujësjellësit të Bovillës po përmirësohen

Posted: 09 Nov 2016 01:56 AM PST

Bashkia e Tiranës njofton se prej mëngjesit të sotëm, parametrat në ujëmbledhësin e Bovillës janë përmirësuar dukshëm, duke sjellë rënie të ndjeshme të nivelit të turbullirës së shkaktuar nga reshjet e dendura, dhe se deri sot në mbrëmje impanti do të rifillojë proçesin normal të furnizimit të plotë me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Pavarësisht reshjeve të dendura që kanë rënë edhe gjatë natës së kaluar, punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës kanë punuar me intensitet të lartë për rregullimin e tubacionit kryesor të burimit të Shën Mërisë, që furnizon pjesën lindore të qytetit, i cili ishte dëmtuar si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.

Një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe menaxhimit të situatës në impiantin e filtrimit të ujit në Bovillë, ku të dhënat e fundit tregojnë se situata sa vjen e përmirësohet.

Bashkia e Tiranës falenderon qytetarët për mirëkuptimin, pas situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të dendura, dhe i siguron ata se të gjithë punonjësit e saj janë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën, me qëllim garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm të të gjitha zonave të kryeqytetit.

Liqeni ujëmbledhës i Bovillës furnizohet nga ujëra me rrjedhje natyrale sipërfaqësore dhe si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit u shkaktua turbullirë e ujrave të këtij liqeni. Bashkia e Tiranës dhe UKT morën masa të menjëhershme për të shmangur kufizimin me ujë të pijshëm për qytetarët.

 gjate-punes-per-permiresimin-e-situates-ne-ujembledhesin-e-bovilles-6gjate-punes-per-permiresimin-e-situates-ne-ujembledhesin-e-bovilles-2

gjate-punes-per-permiresimin-e-situates-ne-ujembledhesin-e-bovilles-3gjate-punes-per-permiresimin-e-situates-ne-ujembledhesin-e-bovilles-5

Renato Mekolli ka gati “Sekretin e Shijes”

Posted: 09 Nov 2016 01:48 AM PST

 

Nga Entela Resuli – DITA

"Kur bashkë me ekipin tim shkuam të eksploronim restorantin historik të Athinës, shoqëruesi ynë na tregoi se këto receta ishin krijim i një djali të ri, tepër të talentuar të cilin ai me të drejtë e cilësoi si një "Star" dhe një "Top Chef" të kuzhinës moderne greke. Për këtë u bindëm pas shijuam pjata të menusë së këtij restoranti"- do të shkruante disa vite më parë Frank Bruni, kritik i shijes në gazetën Nju Jork Tajms, për shqiptarin Renato Mekolli. Sot ai shkruan vetë. Po, në ditën e parë të Panairit të Librit, shefi i njohur i kuzhinës, vjen me "gatimin" e tij të radhës; një libër për të gjithë ata që duan të mësojnë rreth artit të gatimit.

Shumë e kanë njohur duke shijuar pjatat e tij, të tjerë e kanë parë në ekranin e vogël, në programe të ndryshme televizive, ndërsa tani do e njihni nëpërmjet recetave të shkruara nga vetë ai.

33-vjeçari sjell librin "Sekreti i shijes" të cilin këto ditë do e gjeni edhe në Panair. Në këtë intervistë për Dita-n do të mësoni më shumë mbi Renaton dhe projektet e tij.

-Renato, më në fund libri doli nga furra, sa e vështirë ishte të gatuaje një gjë ndryshe?

Ishte një punë shumëvjeçare të cilën unë e kisha paralajmëruar para një viti, por gjërat e mira vonohen pak. Të them të drejtën ishte e vështirë sepse unë si shef punova shumë mbi recetat që amvisat ta kishin të lehtë t'i kuptonin ato. Të gjitha janë punuar me shumë merak dhe me shumë kujdes. Qëllimi ishte që të ishin të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjithë grupmoshat që duan të futen në kuzhinë, por nuk duan të rrinë me orë të tëra aty, dhe mbi të gjitha mos të shpenzojnë një pasuri për të krijuar një recetë.

-Ju jeni një shef kuzhine që edhe shkruani, apo ju ka ndihmuar dikush në këtë botim?

Kjo është një punë e cila filloi nga unë si shef. U menduan. U shkruan me qindra receta, dhe më pas u rregulluan nga mua po ashtu. Redaktimin final të fjalëve e mori përsipër shtëpia botuese.

-Sa kohë t'u desh ta sillje këtë libër dhe çfarë do të gjejmë brenda?

Për këtë libër m'u deshën shumë vite punë, por tani u finalizua dhe u realizua ajo që unë desha. Në libër do të gjeni çdo gjë që ka lidhje me kuzhinën, me ide të reja, me receta të ndryshme, plot ngjyra, shije, teknika dhe aroma.

-Si i ke përzgjedhur recetat?

E vështirë, pasi desha që këto receta të afroheshin sa më shumë me shijen e shqiptarëve, me mënyra të ndryshme, dhe me ide të ndryshme. Është një libër që ka ato që duhet të ketë një libër gatimi.

-Renato, ndodh ndonjëherë që për amvisat në shtëpi, gatimet në televizor janë shumë të sofistikuara dhe me ingredient të vështirë, por edhe të shtrenjtë, libri juaj flet për kësi gatimesh?

Jo ndonjëherë, por shpesh herë. Dhe gjatë gjithë këtij viti që jam marrë me librin jam munduar që çdo gjë që nuk më ka pëlqyer në emisione apo libra gatimi, ta ndryshoj dhe të bëj atë që duhet vërtet në një libër gatimi dhe duke menduar mbi të gjitha, më të mirën për amvisat.

Ky libër nuk do të ketë produkte të shtrenjta, të komplikuara dhe nuk do të ketë receta që duan një pasuri për t'u përgatitur. Në këtë libër kam menduar edhe për atë njeri të thjeshtë që nuk ka as peshore në shtëpi për të peshuar produktet, nuk ka as produkte të shtrenjta, dhe nuk do të këtë fjalë të pakuptueshme për shqiptarët. 90 për qind e librit do të jetë me emra shqip, me produkte që gjenden kudo.

-Kush duhet ta ketë "Sekretin e shijes" në shtëpi?

“Sekretin e shijes”, librin tim të parë duhet ta kenë të gjithë, femra dhe meshkuj, pasi jam shumë i gëzuar që kam shkruar një libër të kuptueshëm, të qartë dhe të thjeshtë në përgatitje. Një libër që shumë lehtë mund ta marrë një person i cili nuk është futur kurrë në kuzhinë dhe me recetat që do të përgatisë të befasojë çdo njeri.

-Je një djalë që ke ikur herët në emigracion, ke punuar në Greqi, më pas je bërë kuzhinier, ke fituar çmime si pasojë e punës tënde. U bëre i njohur në televizion si trajnues dhe shef kuzhine dhe tani je duke marr pjesë në një program televiziv kërcimi. Renato, kur kthen kokën pas çfarë mendon?

Jam shumë krenar për të gjitha ato që kam arritur, se nuk m'u dhurua asnjë gjë, nuk jam nga familje e pasur. Kam punuar shumë në jetën time gjithë këto vite, sepse e kisha dhe e kam pasion punën, dhe përsëri vazhdoj me të njëjtin ritëm në jetën time. Jam një njeri që nuk dua të relaksohem, dua të bëj më të mirën dhe më të veçantën.

-Duket ndonjëherë sikur je i prerë për televizion si pasojë e shout që bën, madje shumë thonë se një njeri që është kaq ekzibicionist nuk ta mbush mendjen se gatuan mirë, si do ju përgjigjeshe këtyre kritikëve?

Unë jam një profesionist dhe çfarëdo që të bëj, do jap maksimumin tim. Më bëhet qejfi që ekrani më do, por nuk mendoj se jam ai tip që dua të jem në ekran. E shfrytëzoj ekranin për pjesën e punës time, sepse ekrani ka forcë. Për sa i përket pjesës së kritikave nuk më shqetëson aspak, do më shqetësonte nëse nuk merreshin me mua. Më pëlqen që gjejnë kohën dhe diskutojnë për mua. Unë jam shumë mirë, dhe e di po kaq mirë se ç'më bëhet dhe se çfarë dua.

Vazhdoni dhe merruni me mua, u them atyre që më kritikojnë, se kjo do të thotë që ke vlerë. Një person që nuk do ja vlente nuk do diskutohej. Më pëlqen shumë, dhe e shijoj që më kritikojnë.

unnamed-1

Renato Mekolli

-Si po ndihesh si balerin në "Dance With Me"? Sa aktron dhe sa je real aty?

"Dance with me" për mua është një gjë që e kaloj pa i dhënë rëndësi. Nuk është ajo që unë dua, nëse jam aty, jam sepse me këtë mënyrë unë ndihmoj projektet e mia, libri i cili sapo doli, hapja e restorantit në dhjetor. Për sa i përket aktrimit, jam 100 për qind origjinal, jam profesionist, i cili ndan punët dhe nuk i ngatërron.

-Çfarë po bëhet me restorantin?

Edhe restoranti ashtu siç edhe librin, në fakt i kisha paralajmëruar një vit më parë. Por nuk do të bëja kurrë një gjë të mesme dhe të vendos firmën time në diçka që nuk më pëlqen. Preferoj të vonohen projektet që unë kam në plan sesa të bëj diçka vetëm dhe vetëm për të fituar para apo për të qenë në vëmendje.

Restoranti do të jetë gati në dhjetor. Punimet po ecin dhe kjo gjë më gëzon pamasë, po bëhet një punë gjigante, me një staf gjigant, për një restorant modern, me një koncept të ri, ndryshe, dhe mbi te gjitha do të jetë i prekshëm nga të gjithë. Dua që ato që unë prek dhe bëj t’i bëj për njerëzit e thjeshtë, duke u dhënë maksimumin, të ndihen vërtet si mbretër dhe mbretëresha, por pa paguar një rrogë mujore për të ngrënë. Jam shumë i kujdesshëm në çdo gjë, dhe sigurisht unë do të jem prezent çdo ditë në restorant, me një kuzhinë gjigante, me pasjet më moderne dhe me teknologjinë e fundit, një kuzhinë e cila do të jetë "open kitchen" dhe të gjithë do shohin se çfarë ndodh në të. Këto për momentin nga restoranti, pasi të tjera detaje dua që t'i shihni nga afër.

-Tani Renato shkëputemi pak nga kuzhina për të bërë një bisedë me ndryshe… Sa vjeç do të ishit, në qoftë se nuk do e dinit se sa vjeç jeni?

Mosha që jam tani, 33.

-Nëse jeta është kaq e shkurtër, pse bëjmë kaq shumë gjëra që nuk na pëlqejnë dhe pëlqejmë kaq shumë gjëra që nuk i bëjmë?

Nuk e di për të tjerët, por unë bëj gjithmonë atë që dua, dhe e shijoj jetën ashtu siç dua.

-Cila është gjëja që do të më donit më shumë të ndryshonit në lidhje me botën?

Do të doja që njerëzit të ndihmonin më shumë njëri-tjetrin, të shikonin punën e tyre, dhe jo punën e tjetrit. Do të doja që të kishin sa më pak komplekse dhe të jetojnë për veten e tyre dhe jo për të tjerët.

-Nëse lumturia do të ishte monedha kombëtare, çfarë lloj pune do t'ju bënte të pasur?

Çfarëdo lloj pune që të bëjmë, sado të pasur të jemi, përsëri diçka do duam më shumë, përsëri diçka do të na mungojë.

-A jeni duke bërë atë që besoni, apo thjesht po përshtateni me atë që po bëni?

Bëj gjithmonë atë që besoj dhe atë që dua.

-Nëse jetëgjatësia mesatare do të ishte 40 vjet, si do e jetonit ndryshe jetën tuaj?

Nuk dua të ndryshoj asgjë nga jeta ime. Jam shumë i kënaqur kështu si jam, e jetoj dhe e shijoj ashtu siç dua unë, për veten time, jo për të tjerët.

-Deri në çfarë mase e keni patur nën kontroll rrugën që ka marrë jeta juaj?

Jeta ime është nën kontrollin tim, dhe në jetën time janë ata njerëz që jam unë rehat dhe i dua pranë meje.

-A jeni më i shqetësuar për të bërë gjërat si duhet, apo për të bërë gjërat që duhet?

Edhe me gjërat që duhen edhe me ato siç duhen përsëri do kërkoja më shumë.

-Ju jeni duke ngrënë drekë me tre njerëz që i respektoni dhe i admironi. Ata të gjithë fillojnë duke kritikuar një mikun tuaj të ngushtë, duke mos e ditur se është miku juaj. Kritika është e shpifur dhe e pajustifikuar. Çfarë do bëni?

Sigurisht që do të reagoja, dhe do të largohesha.

-Në qoftë se ju do të mund t'i ofronit një të porsalinduri vetëm një copë këshillë, cila do të ishte?

Jeto për veten tënde, dhe jo për të tjerët.

-Për çfarë jeni më shumë mirënjohës?

Për çdo gjë që më ka dhënë jeta.

-Cili është kujtimi juaj më i lumtur i fëmijërisë? Çfarë e bën atë kaq të veçantë?

Festat e fundvitit me familjen.

unnamed

Renato Mekolli

-A ju ka ndodhur të keni qenë me dikë, të mos keni thënë asgjë, dhe të jeni larguar me ndjesinë që keni patur bashkëbisedimin më të mirë?

Po, më ka ndodhur, vetëm me prekjen dhe shikimin.

-Nëse do fitonit një milion dollarë, do ta linit punën tuaj?

Përsëri do më mungonte puna ime, sado lekë që të kisha, sigurisht që do isha më rehat, por nuk do ta lija punën, jam mësuar të punoj shumë.

-Po të dinit që, të gjithë ata që njihni do të vdisnin nesër, kë do të vizitonit sot?

Nuk më pëlqen aspak kjo pyetje, sepse dhe ideja që do humbas atë njeri që dua më tmerron.

-A do të ishit gati ta ulnit me 10 vite jetëgjatësinë tuaj, për të qenë tejet tërheqës dhe i famshëm?

Jo, nuk do ta bëja, ku jam tani nuk më mungon asnjë gjë, kam çfarë kam dashur.

-Nëse ne mësojmë nga gabimet, përse kemi gjithmonë frikë se mos gabojmë?

Unë bëj gabime, dhe kam bërë gabime, nuk kam frikë nga gabimet.

-Çfarë do të bënit ndryshe, po ta dinit se askush nuk do ju gjykonte?

Kam bërë shumë gjëra që jam gjykuar, por kjo pak më intereson. Ajo që më intereson është që të ndihem unë rehat me veten time dhe gjithmonë kam bërë atë që unë kam dashur.

Nishani, PD dhe antikomunizmi parazgjedhor

Posted: 09 Nov 2016 01:44 AM PST

 

Nga Agim Dalipi

 

Në Selenicë, ku mori pjesë në 73 vjetorin e betejës së Drashovicës, Bujar Nishani u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të bëhen bashkë kur bëhet fjalë për çështje madhore. "Të bashkuar për çështjet kombëtare dhe të mos harrojmë" – ky ka qenë dhe do të mbetet deri në ditën time të fundit në zyrë si President i Republikës si  motoja e qëndrimeve të mija. Të bashkuar, sepse kështu kemi fituar gjithmonë. Të mos harrojmë, sepse vetëm përmes kësaj kemi qenë të motivuar dhe shpresëplotë për të shkuar përpara. uroj që kjo ngjarje dhe të tjera të ngjashme si këto, të na shërbejnë jo për të na ndarë sipas interesave politike të ditës, por si ura për të na bashkuar rreth kombit tonë dhe për të na ndriçuar drejt perspektivës evropiane të Shqipërisë sonë të dashur".

Ajo ngjarje që po përkujtonte qe një prej betejave më të ashpra zhvilluar për 19 ditë në vitin 1943 kundër pushtuesve fashistë. Dhe atyre partizanëve që luftuan e dhanë jetën aty Nishani u ngriti dhe dolli. Por nuk u mbushën tre muaj dhe dekoroi dhe 60 e ca ballistë si "Martirë të demokracisë" që akuzoheshin nga partizanët për bashkëpunim me pushtuesin nazifashist. E këtë e bën tinëzisht, në një ceremoni gati të fshehtë, në Divjakë të Lushnjes. S'është hera e parë që vepron kështu siç bëri dhe me ceremoninë e dekorimit e kreut të përfolur të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika. E bën edhe në kohën që, në "Dita" e jo vetëm , është hapur e vazhdon debati që mund të përmblidhet me pak fjalë: tradhëtoi Balli Kombëtar gjatë luftës NAÇL apo jo.

Kjo lëvizje provokuese e Nishanit, që vjen nga fundi i mandatit presidencial sigurisht që ngjalli reagimin e veteranëve të Luftës por, si rrallë herë edhe të vetë partisë së Ballit. Kreu i Partisë, Alimadhi, ka akuzuar Nishanin se ka marrë një mision, përçarjen e Ballit Kombëtar. Ai i bëri një urim: "Do të uroj shumë sinqerisht që Presidenti im të ishte uniteti i kombit shqiptar dhe të mos kishte qëllim ndarjen dhe përçarjen e ballistëve. Por, ai në fakt e ka realizuar një gjë të tillë". Pra dhe Alimadhi, pavarësisht se ka hallin e Ballit, më në fund ka kuptuar se Nishani nuk është "i unitetit kombëtar sepse nuk e ka realizuar një gjë të tillë".

Por si reagoi Nishani? Me siguri as është munduar të lexojë ndonjë nga ato që e kritikuan dhe "me fakte e dokumenta" atë që bëri dhe as ka pyetur ndonjë këshilltar për të vërtetat e historisë. Le që dhe po pati ndonjë të tillë e ka brenda gardhit të vet politik.

Ai e thelloi atë që kishte nisur duke e lidhur, ku është dhe qëllimi i tij, me antikomunizmin: "Me keqardhje konstatoj se pas 26 vitesh modeli gjerman, Shqipëria nuk është ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Dosjet se sigurimit të shtetit në Shqipëri nuk janë ende të aksesueshme dhe lustracioni as që merret në konsideratë. Simbolet e diktaturës dhe regjimit komunist, po rikthehen fatkeqësisht dukshëm e shpesh të kamufluara me elementë artistikë". Dhe më tej: "Klasa politike shqiptare sot ka për detyrë të marrë seriozisht dënimin e krimeve të komunizmit dhe respektimin e rezolutave të Këshillit të Europës të viteve 1996-2006". Por ka harruar se kur ka qënë në pushtet as nuk i hapi dosjet por, i ka pastruar nga ato që mund të implikonin "të vetët". Paçka se thotë: "Shtimi i zërave nostalgjikë, shpeshherë dhe nga politikanë në mbrojtje të hapur të krimeve të kryera nga komunizmi dhe sigurimi i shtetit, duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë shqiptare".

Pra, në shërbim të "pavarësisë" së tij si Kryetar Shteti , por i varur nga partia dhe ata njerëz që e vunë aty ku është, kërkon të bien kambanat. Dhe këto kambana janë në unison me PD që, e frikësuar nga rrudhja e influencës së saj politike, pamundësisë për t'u mburrur me ndonjë gjë të mirë që kanë bërë, frikës së humbjes së ardhshme në zgjedhje, nga ndëshkimi që mund t'ju sjellë (dhe duhet të sjellë) reforma në drejtësi për të bërat e të pabërat që kanë mbjellë në këtë vend që nga vjedhjet e deri te vrasjet në mes të ditës, po mundohen të gjejnë shkaqe për të fajësuar qeverisjen e sotme "kriminale" dhe për të arritur ta ndalojnë të punojë deri në braktisjen e parlamentit.

Por Nishani dhe ata që vijnë pas tij, kur festonin me bujë e zhurmë  hyrjen e Shqipërisë në NATO si fitore të tyre, pra të PD-së, harronin se në vend të anëtarësimit në organizatën atlantike, me bëmat e 1997-ës kishin sjellë vetëm trupat e huaja që na ruanin edhe nëpër hotele gjatë konferencave të shtypit se shtetit i nxorën rrënjët. Pra kishte hyrë NATO në Shqipëri e jo ne atje, dhe ushtrinë, policinë e gjithë shtetin e mëkëmbën këta "kriminelët" e sotëm. Harrojnë nishanët deklaratat e "mundimet" e Berishës për të mos firmosur Rambujenë; harrojnë që u janë shmangur aferave korruptive me raporte mjekësore e procedura; harrojnë vjedhjet e zgjedhjeve lokale e të përgjithshme; harrojnë rrugët që i bënë "vetë" e lanë borxhe pa shlyer vetëm për fushata elektorale; harrojnë piramidat e Sude&Co nga të cilat morën vetëm 3% ata që kishin paratë më të pastra në botë; harrojnë të përndjekurit që i nxorrën me dhunë nga greva dhe sot duan t'u dalin për zot, harrojnë Gërdecin e 21 janarin, Trebickën e Remzi Hoxhën e kështu me radhë se lista e tyre është goxha e gjatë dhe në vazhdë gjaku të të pafajshmëve, pa harruar dhe miliona e miliona të ikura "në drejtim të paditur".

Por pse kthehen, përherë para zgjedhjeve, tek antikomunizmi? Për të bërë njehsimin midis Partisë Socialiste dhe sistemit para viteve 90-të. Se "këta" të sotmit janë ata të djeshmit. E ringjallin komunizmin për ta luftuar megjithë që kemi dhe parti komuniste legale. Dhe as që e kanë vrarë ndonjëherë mendjen për ato slloganet e dikurshme me opozitarët si vëllezër. Se opozitarët edhe mund t'i vrasësh e të mos të hyjë asnjë gjemb në këmbë.

Por ndodhin dhe bëma në kufijtë e logjikës, në mos jashtë saj. Kërkojnë që Evropa mos të na japë datën e fillimit të negociatave. E denjë kjo vetëm për përrallat e tersit të Pojanit. Dhe nuk janë arsye ato që i shkruan Bumçi KE-së, po ai Bumç që email-et e Ministrisë së Mbrojtje ja dërgonte të birit të Saliut. Ato janë sebepe: duan vetëm që çdo gjë në këtë vend të kalojë nga dora e tyre. Por harrojnë se, më së shumti, ka qënë dorë e zezë me ato që i kanë punuar këtij vendi e këtij populli.

Nishani e të tjerët do të vazhdojnë me këtë histori. Do të japin dekorata të tjera e do të akuzojnë për kataklizma e apokalipse që po ndodhin në Shqipëri. Do të dëgjojmë edhe histori të tjera më të pabesueshme se ato deri më sot. Dhe kjo tregon vetëm një gjë: frikë nga zgjedhjet që po i kualifikojnë që sot si jo të ndershme. Hajduti po kërkon gjurmët. Dhe do t'i gjejë në zgjedhjet që vijnë. Pavarësisht se çfarë do të bëjë Nishani që vetëm simbol i unitetit kombëtar nuk është. Dhe as nuk e lënë të bëhet edhe sikur të dojë.

Nishani: Me Trump si President do të forcohen marrëdhëniet Shqipëri-SHBA

Posted: 09 Nov 2016 01:41 AM PST

Presidenti Bujar Nishani duke uruar Donald Trump për zgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë theksoi se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë do të jenë edhe më të ngushta.

"Jam i bindur se zgjedhja e Trump  në krye të Shtëpisë së Bardhë do të sjellë një marrëdhënie më të ngushtë, më të fortë, ashtu siç e kanë cilësuar anëtarët e stafit të tij.

Partneriteti SHBA-Shqipëri është strategjik.

Është fat i madh që ne kemi një mik kaq të madh, siç janë SHBA jam i bindur se Trump do ta nxisë këtë marrëdhënie kaq të mire, këtë frymë bashkëpunimi mes dy vendeve tona.

Në radhë të parë garancia është përputhja e interesave strategjike. Së dyti eksperienca që ka pasur Shqipëria dhe shqiptarët në ndihmën që ka marrë nga SHBA. Jo vetëm nga Shtëpia e Bardhë por edhe nga senati, marrëdhënia SHBA-Shqipëri është e konsoliduar, e orientuar drejt vlerave të lirisë", tha Nishani për Ora Neës.

Kreu i shtetit deklaroi më tej se "orientimi i Shqipërisë është euroatlantik, është një orientim perëndimor dhe unë jam i bindur që edhe eksperienca e demonstruar në jetën e tij të suksesshme presidenti i zgjedhur Trump do të jetë një garanci e madhe për këtë besim që ne kemi në hapësirën mbarë shqiptare".

Kush ishte Konstandin Shpataraku?

Posted: 09 Nov 2016 01:36 AM PST

I nderuar lexues!

Konstantin Shpataraku (shek.XVIII) ishte piktor kishtar. Në mbishkrimet e disa ikonave gjendet emri i tij dhe mbiemri Shpataraku, çka tregon se do të ketë qenë nga ndonjë fshat i krahinës së Shpatit të Elbasanit. Emri i tij gjendet edhe në një kodik të kishës së Shën Kollit në Elbasan më datë 31.5.1759. Ka bërë afreske edhe në kishën e manastirit të Sh. Marinës në rrethin e Pogradecit. Ikonat e tij më të hershme kanë datën 1736. Ka bërë shumë ikona në kishën e manastirit të Ardenicës, të Çikalleshit afër Kavajës, të Shën Pjetrit në Vithkuq, të Shën Prokopit në Vërdovë të Pogradecit. Ndër më të njohurat është ikona më titull "Shën Gjon Vladimiri". Disa nga ikonat e Konstandin Shpatarakut ruhen në Muzeun e artit mesjetar në Korçë.

Related Posts :