Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Burgjet e vdekjes dhe shteti që s’ka besë” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Burgjet e vdekjes dhe shteti që s’ka besë” plus 2 more Telegrafi Opinione


Burgjet e vdekjes dhe shteti që s’ka besë

Posted: 06 Nov 2016 08:02 AM PST

Khatuna është një femër gjeorgjiane. Emri i saj u bë i njohur në skenën ndërkombëtare, pas një veprimi që e ndërmori sa ishte në pozitën e ministres së Drejtësisë së këtij vendi. Ajo dha dorëheqje vetëm pak orë pasi i publikua një video në të cilën shiheshin të burgosurit duke u keqtrajtuar nga gardianët. Khatuna e la Qeverinë, jo pse iu kërkua, por e bëri këtë në shenjë të aktit moral që nuk kishte arritur ta mënjanonte torturimin e të burgosurve.

Ajo tash është një ish-ministre, siç do duhej të ishte nga pasditja e 5 nëntorit edhe ministrja jonë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Ngjarja që ndodhi në Qendrën e paraburgimit në Prizren, është më e rënd se sjelljet e gardianeve gjeorgjian ndaj të burgosurve. Me 5 nëntor, u privua nga jeta Astrit Dehari, një i ri, student e aktivist politik. U privua nga jeta, sepse edhe sikur të merren të mirëqena deklarimet mbi vetëvrasjen e tij, prapë dikush është përgjegjës që sot ai nuk është në jetë.

Ministrja e Drejtësisë padyshim se nuk është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për vdekjen e Astritit, por ajo është përgjegjëse për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, një sistem të cilin e ka trashëguar në gjendje të tmerrshme, e brenda të cilit janë të përfshirë edhe burgjet e qendrat e paraburgimit. S'duhet harruar se Astriti nuk është rasti i parë që ndërron jetë brenda burgjeve.

Hoxha, nuk do duhej të priste t'i bëheshin thirrje për dorëheqje, por para se ta merrte këtë akt do duhej të merrte masa ndaj drejtorit të Shërbimit Korrektues, e ky para se ta priste ndonjë vendim nga ministrja, veç do duhej ta kishte vënë para përgjegjësisë drejtorin e Qendrës së paraburgimit në Prizren. Pra, sot ne do duhej të kishim së paku një dorëheqje e dy masa ndëshkimore. Por, meqë asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur, atëherë edhe zbardhja e mënyrës së vdekjes së Astritit do të jetë e komplikuar.

Organizatat e pavarura qëmoti kanë raportuar se në Kosovë mungon infrastruktura humane dhe profesionale për trajtimin e të burgosurve dhe për pasojë kemi shumë raste kur të burgosurit janë trajtuar nën dinjitetin njerëzor, e ku pos tjerash ndaj tyre është ushtruar edhe presioni psikik. Nisur nga kjo, edhe njohësit e çështjeve të drejtësisë që nuk kanë ngarkesa politike, por që s' munden të qëndrojnë indiferentë ndaj këtij rasti, me të drejtë kërkojnë hetime të pavarura nga ekspertë të jashtëm. Një trup i tillë hetimor do të duhej aktivizuar sa më parë, për faktin sesa më shumë kohë që kalon, gjurmët që çojnë në zbardhjen e plotë të vdekjes mund të zhduken.

Tash për tash, ka mjaftë hapësirë për dilema e dyshime. Me të drejtë secili nga ne mund të pyes: si ju dhanë Astritit medikamentet? Me rekomandimin e kujt? Pse iu lejua gjithë ajo sasi? Kush e kishte nën kontroll, e mbi të gjitha pse vdekja u shpallë si "vetëvrasje" ende pa e dhënë fjalën mjekësia ligjore?

Të vërtetën mbi mënyrën e vdekjes së Astrit duhet ta kërkojmë të gjithë, pavarësisht se këtë nuk e ka kërkuar ende presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ai që vetëm para pak javësh ia dërgoi katër letra kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me kërkesat që të angazhohet në zbardhjen e vrasjeve që kanë ndodhur gjatë dhe pasluftës në Kosovë.

S'ka dyshim që ne si qytetarë duam që të zbardhet e vërteta për gjithë ato vrasje politike që kanë mbetur mister për vite të tëra. Por, presidenti duhet ta ketë të qartë se edhe vdekja e Astritit është politike. Ai u fut në burg si aktivist politik dhe nga aty u nxor pa shenja jete. Presidenti, nuk mund të hesht në këtë situatë, sepse kështu jo vetëm që nuk e kryen obligimin kushtetues për garantim të funksionalitetit të institucioneve, por i rrezikon ato.

Burgjet duhet të shfrytëzohen për vuajtje dënimesh, e jo për vdekje.

The post Burgjet e vdekjes dhe shteti që s'ka besë appeared first on Telegrafi.

Një shoqëri mercenare!

Posted: 05 Nov 2016 03:31 PM PDT

Shoqëria shqiptare bën një diferencë të fortë nga Serbia dhe Greqia, lidhur me qëndrimin që mban ndaj konflikteve shtetërore dhe historike. Nëse në dy vendet fqinje, shoqëria në tërësi mbështet në bllok Qeverinë për konfliktet me Shqipërinë, në Shqipëri ndahen gjysmë për gjysmë pro qeverisë sonë dhe pro qeverive fqinje. Në kushte të tjera, kjo duhej parë si epërsi e shqiptarëve dhe do të ishte një lajm i mirë për mendjen e hapur të tyre, por fatkeqësisht nuk është ashtu. Shqiptarët nuk rreshtohen se janë mendjehapur dhe çmojnë diçka tek Greqia apo Serbia, apo gjejnë gabime historike tek Shqipëria, po rreshtohen nga inati i Qeverisë shqiptare.

Nëse në debatin mes shqiptarëve dhe serbëve, ka plot shqiptarë që dënojnë dhe palën shqiptare apo gabime të saj, nuk gjen thuajse asnjë intelektual serb, ta bëjë këtë. Edhe me gjenocidin e fundit të Serbisë ndaj Kosovës më 1999, gjithsej janë vetëm dy veprimtare të të drejtave të njeriut nga Serbia, që kanë bërë diferencën në Serbi.

Në Shqipëri, deri në vitin 1997 shumë zëra të politikës dhe shtypit shqiptar ishin hapur me Serbinë dhe kundër kërkesës së Kosovës për pavarësi.

Ben Blushi ka shkrime në gazetën "Koha Jonë", ku ka bërë thirrje që kosovarët të dalin në zgjedhjet serbe, Andi Bejtja pak më butë, por ka sulmuar legjitimitetin e kërkesës së Rugovës për pavarësi, ndërsa një delegacion i Aleancës Demokratike bash në kulmin e luftës së Bosnjës, shkoi në Beograd dhe u takua me gjithë krerët e lartë, përveç Milosheviqit, që "nuk gjeti kohë t'i priste".

Antikosovarizmi në Shqipëri u kthye në një lloj racizmi shqiptar, kundrejt një pjesë të kombit të tyre që "shqetësonin" Serbinë.

Madje teoria e kombit kosovar, nuk është as e Halil Matoshit, as e Nexhmedin Spahiut, por e Fatos Lubonjës.

Shkrimi i tij "Ne shqiptarët dhe kosovarët", botuar tek "Përpjekja", ka qenë manifesti i parë relativizues i çështjes shqiptare në Ballkan, duke e ndarë atë në dy probleme, në atë shqiptare dhe kosovare. Por, po të mos ishte parë si çështje shqiptare, Kosova nuk do ishte çliruar kurrë. Tani që u çlirua si çështje shqiptare, si çështje kosovare mund të konsiderohet vetëm stili i qeverisjes së tyre. Mirë është të mos na ngjajnë në këtë pikë, por kam frikë se janë më keq.

Frrok Çupi pastaj ishte kampion i fushatës proserbe në Shqipëri, aq sa dhe kur ishte në ATSH si drejtor, shpërndante lajme ku thuhej se "Ushtria jonë rrëzoi një avion armik". Bëhej fjalë për rrëzimin e një avioni amerikan që bombardonte Serbinë nga Ushtria serbe. Aq e turpshme ishte situata, sa Pandeli Majko u detyrua ta shkarkonte si drejtor dhe nuk e firmoste shkarkimin presidenti.

Por, e njëjta gjë ndodh dhe me Greqinë. Prej vitit 1991 kur është hapur Shqipëria e deri më sot, kemi pasur kriza ciklike me Greqinë, të natyrës politike, historike, fetare, emocionale dhe ndonjëherë banale, por në të gjitha rastet opinioni në Shqipëri ka qenë i ndarë, kurse në Greqi është unik, kundër Shqipërisë.

Kriza e parë e fortë ajo e vitit 1993, që nisi me incidentin me një prift grek në Dropull, lindi fenomenin "fshesa" . Ajo u thellua më tej me ngjarjet tragjike të Peshkëpisë, ku u vra një oficer dhe dy ushtarë shqiptare dhe një nga të akuzuarit për vrasje është Fred Bejleri, ai që kandidon për Bashkinë e Himarës nga PBDNJ. Kundërpërgjigja shqiptare ishte po aq paranojake, dhe çoi në arrestimin e pesë veprimtarëve grekë të minoritetit lidhur me sillogjet e "Vorio Epirit", duke i akuzuar për tradhti kombëtare dhe përkeqësimi shkoi tek vendosja reciproke e vizave dhe gati gjendje lufte.

E gjithë kjo situate, ku natyrisht kishte përgjegjësi dhe qeveria shqiptare, në fakt shikohej me admirim nga opozita e asaj kohe dhe e përdori politikisht. Aq shumë u frikësua Berisha nga kjo sjellje e opozitës shqiptare dhe përfitimet e saj, sa iu mbush mendja që e rrëzoi Greqia nga pushteti dhe jo "Piramidat" dhe votat e vjedhura, dhe kur u rikthye, u bë njeriu më servil ndaj Greqisë.

E njëjta situatë po ndodh dhe sot me Edi Ramën. Retorika e tij antigreke është e qartë, jo aq si retorikë, po si mospërfillje për ta. Ashtu si nisi debati, pra tek brutaliteti i Qeverisë greke për një garazh në Himarë që prishet nga plani rregullues, natyrisht që është provokim, por si vazhdoi në fakt tregoi se si janë punët mes dy vendeve.

Por, dhe në këtë debat, shoqëria shqiptare mendon politikisht. Mbështetësit e Edi Ramës e lavdërojnë për patriot, të tjerët, që nuk e duan Edi Ramën, kanë nisur vajtojnë për ata që kthen Greqia në kufi dhe po mallkojnë Kryeministrin pse ua kthen fjalën mbrapsht grekëve.

Në fakt, për shkak të origjinës së tij nga Bregu, për shkak të formimit të tij, për shkak origjinës ortodokse familjare dhe besimit katolik që ka vetë, Rama nuk ka komplekse ndaj grekëve, dhe është i sinqertë në distancën me ta. E ka natyrale, si qytetar, por ai është i dënuar të sillet si Kryeministër.

Do të ishte fatlume nëse do kishim një shoqëri mendjehapur dhe kozmopolite dhe intelektualë të mirëfilltë, që me mençurinë e tyre do të ulnin tonet e politikës rajonale dhe do t'i vinin frê nacionalizmit etnik, por kjo që ndodh në Shqipëri, është diçka më primitive se ajo që ndodh në Greqi dhe Serbi. Aty, në të dy ato vende ka një nënvleftësim për shqiptarët si njerëz koti, dhe bëhen pa menduar shumë me qeverinë e tyre dhe kur nuk e duan.

Kjo që ndodh në Shqipëri është më primitive. Këtu opinioni ndahet gjysmë për gjysmë pro qeverisë sonë dhe pro qeverisë greke apo serbe, për shkak se i shikojnë ata si aleatë për të rrëzuar qeverinë. Sikur ta shisnim këtë për shoqëri mendjehapur, me intelektualë vizionarë, mirë do ishte, por e keqja është se ata e dinë çfarë jemi. Një shoqëri mercenare! /Gazeta Tema/

The post Një shoqëri mercenare! appeared first on Telegrafi.

Përse Trumpi është ndryshe

Posted: 05 Nov 2016 03:29 PM PDT

Gjatë kësaj fushate, kam dëgjuar nga shumë njerëz që kanë përshëndetur kundërshtimet e mia ndaj Donald Trumpit. Por, të tjerë më kanë kundërshtuar, duke argumentuar se kam qenë i anshëm, se edhe Hillary Clintoni mund të ketë të meta. Kështu që, lejomëni të shpjegoj, për herë të fundit, përse Donald Trumpi meriton vëmendje të veçantë.

Unë nuk jam person shumë partiak. Kam disa pikëpamje që janë në të majtë të qendrës, por edhe të tjera që janë konservatore. Unë kam ardhur në këtë vend kur Ronald Reagani ishte president dhe e admirova. Kam mendim shumë të mirë për shumë politikanë republikanë, duke përfshirë edhe dy kandidatët e fundit të Partisë Republikane, John McCain dhe Mitt Romney, të cilët të dy janë burra të nderuar, që do të kishin qenë presidentë të mirë.

Donald Trumpi është ndryshe – jo thjeshtë sepse është i padurueshëm, ngjitës dhe vulgar, apo sepse bizneset e tij tregojnë qartë se është një mjeshtër i mashtrimit. Ai është i ndryshëm, për shkak të asaj në të cilën beson.

Mënyra më e thjeshtë për të kuptuar gjërat themelore që beson Trumpi është të shohësh fjalët dhe veprimet e tij, dhe jo vetëm sot, por shumë kohë më parë. Politikanët kënaqin dëshirat e votuesve, dhe pikëpamjet e Trumpit për Sigurimet Shoqërore dhe Kujdesin Mjekësor (që ai premton të mos i prekë) dhe taksat (që ai premton t'i shkurtojë) duken goxha të pasinqerta, ose reflektime të asaj që ai mendon se votuesit duan të dëgjojnë. Por ai ka besime, vlera dhe instikte më të thella.

E para në radhë është raca. Trumpi është shprehur vazhdimisht – me fjalë dhe vepra – në mënyra që mund të përshkruhen vetëm si raciste. Në vitet e tij të hershëm si ndërtues, ai është paditur nga Departamenti i Drejtësisë për faktin se u ka mohuar strehimin zezakëve, të kualifikuar për ta marrë atë shërbim. Në rastin e Pesëshes së Central Parkut, Trumpi kërceu në arenën publike, duke marrë dhe paguar faqe të plota reklamash ku sulmonte dhe akuzonte adoleshentët me ngjyrë, si dhe duke kërkuar që "kur ata vrasin, të ekzekutohen për krimet e tyre". Ai refuzoi të sprapset, kur provat e ADN i kishin shfajësuar qartësisht të pestët, dhe qyteti i Nju Jorkut u detyrua që të paguajë 41 milion dollarë dëme, për burgosje të padrejtë të tyre, për 13 vjet me radhë.

Trumpi duket se beson thellësisht në stereotipet etnike. Ai mburret për linjën e tij të gjakut dhe e krahason me mbarështimin e kuajve të garave. Në një libër të vitit 1991, një prej ndihmësve të Trumpit përshkruan se si ai ndihej i tmerruar që kishte dy afro-amerikanë në departamentin e financës në dy prej hoteleve të tij, duke e cituar Trumpin të thoshte: "Zezakë që numërojnë paratë e mia! E urrej këtë gjë. Të vetmit lloje njerëzish që dua të më numërojnë paratë, janë burra të shkurtër me kapelë ortodoksësh në kokë". Trumpi e pranoi vërtetësinë e këtyre komenteve në një intervistë të mëvonshme për "Playboy", përpara se ta quante "marrëzi" në një tjetër intervistë në vitin 1999, të dhënë për NBC.

Trumpi ka qenë gjithmonë një proteksionist. Në vitet 1980, ai ishte i sigurtë që japonezët do të merrnin kontrollin e botës dhe zgjidhja e vetme ishin tarifat dhe luftërat tregtare. Duket se ai nuk e ka vënë re që, e ardhmja që ai parashikoi, nuk ndodhi kurrë. Tani ai e ka fokusuar zemërimin e tij tek Kina, pikërisht teksa ekonomia ka nisur të ngadalësohet, dhe Meksika, një vend kaq i vogël, saqë ndikimi i tij në ekonominë e SHBA është minimal. Fija që i bashkon të gjitha është se Trumpi nxiton gjithmonë t'u thotë amerikanëve që janë në vështirësi ekonomike, se duhet të fajësojnë të huajt për problemet e tyre.

Nëse ka një pikëpamje që Trumpi e ka shprehur vazhdimisht, haptas dhe me ngazëllim, kjo është se gratë ekzistojnë si objekte për kënaqësitë e burrave. AI ka thënë e ka bërë dhjetëra gjëra gjatë 30 viteve, që konfirmojnë këtë pikëpamje poshtëruese për gratë – në intervistat me Houard Stern, gjatë kohës që kishte në pronësi konkursin e Miss Universe, kur përshkruante gratë që punonin, dhe kur ka debatuar me kandidate femra, si Carly Fiorina dhe Hillary Clintonin. Një herë, në revistën e Nju Jorkut, Trumpi ka thënë për gratë se "ato duhet të trajtohen si m…".

Së fundi, Trumpi ka shprehur padurim dhe pakënaqësi për shumë prej themeleve të demokracisë liberale. Ai ka premtuar vazhdimisht që të ndryshojë ligjet, për ta bërë më të lehtë ndëshkimin e gazetarëve që e sulmojnë. Ai ka kërcënuar njerëz që kanë kontribuar për kundërshtarët e tij republikanë, duke lënë të kuptohet se do të shtyjë qeverinë që të shohë "me lupë" bizneset e tyre. Ai ka premtuar një numër politikash që janë joliberale, jokushtetuese e madje edhe krime lufte, si për shembull ndalimi i hyrjes në SHBA për të gjithë myslimanët, apo përdorimin e torturës për të dyshuarit si terroristë, dhe vrasjen e familjeve të tyre. Ai ka krahasuar idetë e tij me internimin e nënshtetasve të SHBA dhe jonënshtetasit me prejardhje japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke lënë të kuptohet se e miraton atë lloj mase. Dhe ai ka premtuar të burgosë kundërshtarët, nëse zgjidhet.

Këto pra, janë bërthama e besimeve të DOnald Trumpit, të shprehur nëpër dekada, dhe të konfirmuar nga shumë prej veprimeve të tij: racizëm, seksizëm, proteksionizëm, ksenofobi dhe autoritarizëm. Pikëpamjet e tij për taksat dhe rregullat janë pa lidhje. Pikëpamja juaj për Hillary Clintonin është pa lidhje. Donald Trumpi nuk është një kandidat normal. Ai është një rrezik për demokracinë amerikane. Dhe për këtë arsye do të votoj kundër tij të martën. /The Washington Post/www.bota.al/

The post Përse Trumpi është ndryshe appeared first on Telegrafi.

Related Posts :