Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Garë e nxehtë në Drenas” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Garë e nxehtë në Drenas” plus 2 more Telegrafi Opinione


Garë e nxehtë në Drenas

Posted: 03 Nov 2016 08:21 AM PDT

Valdrin Krasniqi

Drenasi ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të komunës. Këto zgjedhje vijnë pas konfirmimit të dënimit nga Apeli ndaj, tanimë ish-kryetarit Nexhat Demaku. Ndonëse mandati i kryetarit të ri, i cili pritet të zgjidhet këtë vit, është vetëm një vit, gara do të jetë mjaftë interesante dhe test për zgjedhjet e ardhshme. Por, ende pa u shpallur zgjedhjet nga presidenti Hashim Thaçi, në këtë zonë ka nisur një fushatë e madhe nga të gjitha partitë politike. Bashkë me fushatën elektorale, në këtë qytet kanë nisur edhe protestat kundër dënimeve të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, respektivisht kundër dënimit të ish kryetarit Demaku.

Bastioni i PDK-së tani ka një sfidë shumë të madhe përpara. Ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit në Drenas ka mjaftë kandidatë potencialë për të marr timonin e Komunës.

Partia Demokratike e Kosovës, ndonëse ende nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për kryetar të Drenasit, atje, njeriu më i votuar në zgjedhjet e kaluara për asamble komunale në nivel vendi, Naim Bazaj, ka nisur fushatën elektorale pa 'izën' e Kadri Veselit. Ai madje i ka dërguar kërcënim të drejtpërdrejtë PDK-së në qendër, se në rast që ajo nuk e nominon për kryetar, do t'i futet i pavarur garës.

Në PDK janë duke u lakuar disa emra si kandidatë të mundshëm për kryetar të Drenasit, përfshirë këtu edhe emrin e ambasadorit Ramiz Lladrovci dhe emrin e deputetes Sala Shala. Pas kërcënimit të Bazajt, përçarja në këtë degë të partisë më të madhe në vend është më afër se kurrë dhe vështirë e menaxhueshme.

Në anën tjetër, Nisma për Kosovën këtë herë ka kandiduar një njëri i cili gëzon mjaftë respekt tek qytetarët e kësaj zone. Një arsimtar i cili i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillet e saj, tanimë ka nisur takimet me elektoratin e tij. Isa Xhemajlaj gëzon një respekt të madh, si nga veteranët e luftës, ashtu edhe nga qytetarët e këtij rrethi. Këtë herë, gjasat janë të mëdha se Xhemajlaj të gëzojë edhe mbështetjen e Aleancës së Ramush Haradinajt e cila sakrifikon kandidaturën e saj, vetëm që ta mbështesë njeriun e Nismës dhe ta përmbysë PDK-në në këtë komunë.

Lidhja Demokratike e Kosovës këtë herë në krye të degës në Drenas e ka sjellë një biznesmen i cili ka ndikim edhe në qendër. Bedri Nika, pronari i restorantit "Shqiponja" që për shumë vjet kishte vepruar edhe në ambientet e Qeverisë dhe të Kuvendit, sot është duke e mobilizuar masën në zonën e Drenasit dhe ka marrë mbështetjen edhe të partisë e cila sot udhëheq me Qeverinë.

Njëjtë sikur LDK, edhe Aleanca e Behxhet Pacollit ka zgjedhur që në garë për kryetar të Drenasit ta vendos një biznesmen nga Llapushniku. Elmi Thaqi, që vjen nga kompania gjigante e transportit "Vëllezërit Thaqi", ka disa ditë që ka nisur fushatën me simpatizantët e AKR-së.

Kurse, partia më e zhurmshme në kuvendin komunal të Drenasit, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk e ka caktuar kandidaturën e saj për të parin e Drenasit. Por, ajo që është parë në terren tregon se për këtë garë janë interesuar në masë të madhe edhe zyrtarët kryesorë të kësaj partisë. Pak ditë më parë, ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte takuar banorët e këtij qyteti me të cilët kishte bashkëbiseduar për hallet e tyre.

Nuk janë vetëm këta kandidatët të partive politike që do të garojnë për kryetar komune. Interesim ka zgjuar edhe ish asamblisti i PDK-së, Xhavit Drenori, i cili në zgjedhjet e kaluara kishte marrë mjaftë vota. Drenori ka qenë shembull për të gjithë asamblistët se si duhet të jetë transparent në raport me votuesit dhe qytetarët. Ai, në stilin evropian kishte dorëzuar raportin e punës shtëpi për shtëpi, një praktikë e pazakontë për një politikan kosovar.

Duke marrë parasysh kandidaturat e lartcekura dhe mundësinë e përçarjes së PDK-së në këtë Komunë, gjasat që t'i shpëtojë balotazhit bastioni i PDK-së janë tejet të vogla.

The post Garë e nxehtë në Drenas appeared first on Telegrafi.

Ku mbet Fondi 1.5-miliardësh, i premtuar nga PDK-ja dhe LDK-ja?

Posted: 03 Nov 2016 01:12 AM PDT

Hashim Thaçi, nga pozita e kryetarit të PDK-së kishte premtuar formimin e fondit për punësim. Ky fond që do të mbushej nga paratë e privatizimit, fondi i kursimeve pensionale dhe kredi të tjera të buta do të kishte në total 1 miliardë e 500 milionë euro.

Këto para, siç propozonte Thaçi në secilin takim të fushatës parazgjedhore, do të shpërndaheshin tek bizneset, bujqit, bizneset e reja e më përvojë të gjatë. Qëllim i fondit ishte krijimi i vendeve të reja të punës, apo ishin premtuar hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës.

Kjo ka qenë shtylla e programit të PDK-së me të cilin kjo parti ka marr shumicën e votave të qytetarëve që kanë votuar.

Në anën tjetër, LDK-ja që është renditur e dyta për nga numri i votave të fituara po ashtu i ka premtuar 120 mijë vende të reja të punës.

Nga 30 mijë vende të reja të punës në secilin vit të një mandati katër vjeçare. Edhe LDK-ja kishte premtuar formimin e një fondi, të cilin e kishin quajtur "Fond Zhvillimor".

Fondi i LDK-së ishte paraparë të mbushej nga mjetet e privatizimit, por nuk e përjashtonte mundësinë që edhe një pjesë e kursimeve pensionale të përfundonte në këtë fond.

Çka ka ndodhur tutje në 2014 e tutje tashmë është e njohur për të gjithë: PDK-ja dhe LDK-ja kanë lidhur koalicion dhe e kanë formuar qeverinë së bashku dhe e kanë hartuar një program të përbashkët qeveritar. I kanë shkrirë aty edhe premtimet kryesore të tyre.

Në programin qeveritar është paraparë formimi i një "Fondi për investime dhe Punësim". "Investimet nga Fondi do të përqendrohen posaçërisht në aktivitetet ekonomike, që do të synojnë të rrisin punësimin, prodhimin dhe eksportin."

Ku jemi sot?

Nuk ka fond për Punësim (premtimi i PDK-së). Nuk ka fond zhvillimor (siç ka premtu LDK-ja). Dhe nuk ka fond për Investime e Punësim. Pra, PDK-ja dhe LDK-ja nuk i kanë realizuar premtimet kryesore të tyre dhe as nuk e kanë në plan të bëjnë një gjë të tillë.

Vende të reja të punës nuk janë hapur, sepse nuk ka pas investime siç ishte premtuar, por nuk ka pas as investime të mëdha të sektorit privat që duhet të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Pra, PDK-ja e ka mashtruar popullin me Misionin e tyre të ri, duke mos realizuar premtimin kryesor të tyre. As LDK-ja nuk e ka realizuar premtimin për Fondin dhe rritjen e punësimit.

Mësimi i parë që duhet nxjerrë nga ky mashtrim është që partitë politike duhet të bëjnë plane konkrete, të cilat janë racionale dhe të zbatueshme dhe jo të premtojnë çka t'iu vije në mendje. Bërja e planeve realiste do ta bënte edhe debatin ndërpartiak shumë më frytdhënës, se sa që të diskutohet për shifra që edhe në teori është vështirë që të argumentohen dhe lere më që ato të jenë të zbatueshme.

Kjo qeveri nuk ka aftësi dhe guxim që të kthej në treg mjetet e bllokuara të privatizimit. Kujtojmë që bllokimi i mjeteve të privatizimit i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së vendit, sepse ato mjete janë tërheq nga bizneset kosovare dhe janë dërguar jashtë Kosovës.

Do të ishte shumë më produktive sikur ato mjete që janë grumbulluar nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore të kthehen sërish tek bizneset, përmes kredive të buta apo kredive zhvillimore. Siç ka vepruar qeveria e Kosovës ka qenë opsioni më i keq i mundshëm për biznesin.

Sa i përket mjeteve të Trustit fillimisht duhet thënë se ato mjete janë të qytetarëve të Kosovës dhe si të tilla nuk mund të përdoren nga qeveria. Mirëpo, bëhet pyetja, se ku janë investuar aktualisht? Dhe çka i ndalon ato që të investohen edhe në Kosovë- kuptohet të investohen më shumë se sa që janë investuar tani.

Duket jo-reale, por a nuk do të dëshironin qytetarët e Kosovës t'i investonin mjetet e tyre në termocentralin Kosova e Re, të cilat do të kishin një kthim prej 7-10 për qind? Dhe cilat do të ishin përfitimet e Kosovës në këtë rast. Është normale që ka kufizime ligjore aktualisht, mirëpo një studim i mirëfilltë dhe një guxim qeveritar do të gjente një mundësi që nuk do t'i rrezikonte kursimet e qytetarëve të Kosovës, por as nuk do t'i mbante pjesën më të madhe të tyre jashtë Kosovës.

Shablloni i qeverive i krijuar tash e disa vite duhet të ndryshojë. Kosova ka nevojë për një qeveri më vizionare, për një qeveri më të guximshme, për një qeveri më proaktive në mënyrë që të ketë një rritje ekonomike dyshifrore.

Kjo rritje është e domosdoshme për Kosovën, nëse synohet të trajtohet papunësia e varfëria.

Ndryshe, nëse vazhdohet me premtime të parealizueshme dhe një rritje ekonomike që nuk e kalon no2rmën prej 4 për qind, atëherë do të vazhdojmë të kemi telashe me papunësinë e varfërinë. Opsioni i vetëm i qytetarëve do të jetë migrimi, që për Kosovën është humbje e asetit kryesorë – kapitalit njerëzor.

The post Ku mbet Fondi 1.5-miliardësh, i premtuar nga PDK-ja dhe LDK-ja? appeared first on Telegrafi.

Edi Rama, Sanço Panço dhe portalet

Posted: 02 Nov 2016 02:31 PM PDT

Ai me gjasë, në rininë e tij, si rebel që ishte, shihte tinëz në televizionet jugosllave! Dëgjonte tinëz muzikën e Goranit, Migjenit, Kusturicës (këtij më vonë do t'ia ketë parë edhe filmat), të cilët duket se kanë lanë një mbresë të pashlyeshme te artisti i ri që po formësohej në një regjim ku këto konsideroheshin devijime dhe joshje nga revizionizmi, imperializmi dhe… kush i mban mend më. Ndërkohë, ai u rrit, u bë një djalë i madh, i gjatë gjithsesi, dhe rebel me apo pa arsye. Si duket eksperimentoi gjatë duke e kërkuar veten në profesione dhe angazhime të ndryshme, derisa u gjet në politikë. Shpejt e kishte kuptuar se vetëm aty mund të eksperimentohet pafundësisht, me shpenzime të publikut. Vetëm në politikë bëhesh i famshëm pa bërë gjë. Ose duhet të kesh "asetet" e Kallashit.

Tash, të dalim aty ku po na dhemb dhëmbi të gjithëve. Kështu shpëtoj edhe nga rreziku të më ndërhyjë në fjalë. Debati i zhvilluar këto ditë në Prishtinë, sipas Edit, e nxiti kryengritjen digjitale në profilin e tij në Facebook. Nga kjo mund të nxjerrim përfundim se në këtë debat ai Ishte fitimtar, apo vetëm na duket kështu, sepse Edi sillet ashtu, por këtë po ua lë të e vlerësoni vet.

Sido që të jetë, Edi Rama në Prishtinë e dha kumtin të cilin qytetarët e Kosovës ende nuk e kanë ndier sa duhet, atë se Serbia e paska humbur dhe se shqiptarët e paskan fituar luftën. Ky mesazh ndoshta do të duhej të përcillej nga politikanët lokalë, në Prishtinë, por kjo nuk ndodhi ende, sepse atyre u mungonte vetëbesimi qoftë edhe i rremë. Pastaj, ata ishin të zënë me punë të tjera dhe nuk kishin kohë për popullin. Fundja, popullin këtu do e gjenin, ndërkohë që buxheti, donacionet ndërkombëtare edhe privatizimet, mund t'u iknin nga duart. Mund të ikin për një dimër pesë për qind apo dhjetë, por jo më shumë. Pastaj, e kanë kuptuar tashmë se populli nuk u beson. Prandaj, bëjnë aq anketime me porosi, për të dërguar sugjestione te populli se çka dhe kë duhet të besojë.

Kështu, edhe pse pretendon se përcjell mesazhe evropiane, në fakt, Edi Rama, në debatin me analistët bëri vetëm nacionalistin dhe patriotin modern, sepse retorika e një euro- integristi do të tingëllonte krejt ndryshe, së paku do të pohonte se në këtë proces po fitojnë të gjithë, edhe serbët edhe shqiptarët, dhe se po humbiste vetëm ekstremi mesjetar nacionalist andej dhe këndej llogoreve të luftës, ende të hapura në kokat tona.

Por jo, Edi e do triumfin dhe poshtërimin, sidomos ndaj analistëve kosovarë. Ana e mirë e këtij debati doli mësimi se të fituarit nga lufta doli të ishim ne, dhe kjo na gëzoi pa masë, le që na ra edhe befasisht. Sa për vet debatin, vështirë se ndonjë analizë sado serioze do ta nxjerr fitimtar "më të madhin e shqiptarëve" si e quajti moderatoja e "Prive". Por, Edi Ramës nuk i duhet të e shpallin fitues , ai vet po sillej ashtu. Fitimtarët nuk sillen si humbës, i qortonte ai bashkëbiseduesit e tij skeptik.

Por, mos u ngatërroni, ju lutem, me dy paraqitje krejt ndryshe të tij. Ky shkrim vë përballë Edit nga debati, ku u dallua për arrogancë, Edin tjetër në një intervistë të shkurtër e cila duhet të jetë bërë përpara apo menjëherë pas debatit, ku ai lë shumë dyshime serioze nëse ishte vetvetja. Aty dukej i brishtë, i lëndueshëm, çapkën madje… Edhe rebel e edhe çapkën! Në fakt, në debat Edi i lavdëroi dhe falënderoi analistët që ishin vetvetja, por sa ishte ai vet, vetvetja?

I pyetur në këtë intervistën 60-sekondëshe, se ku do të shkojë pas kësaj (interviste), ai i (vet)mbështetur për muri në stilin e James Dean, nga "Rebel pa shkak", e mbase edhe pa e menduar mirë, u përgjigj: "Ku të më çojë Baton Haxhiu"! Kah po e çon, o Baton?

Nuk ka asgjë të keqe që heroi, apo tradhtari i rrëfimit tonë, politikani shqiptar dikur e adhuronte fshehtas Goran Bregoviqin, Emir Kosturicën, dhe Ivo Andriqin, artin e tyre, por mund të i bëhet vërejtje mbase se së voni këtë e tha pa kurrfarë kompleksi edhe publikisht, në Beograd, ku ishte si njeriu i parë i Qeverisë shqiptare. Edhe pse kjo nuk e bënë vetvetiu as hero e as tradhtar, ai me deklaratat e tij i lëndoi kosovarët, e mbase do të duhej edhe votuesit e tij, sepse këta artistë serbë, të famshëm gjithsesi, njihen për anti-shqiptarizmën e tyre.

Ajo që nuk dëgjuam nga Edi ishte se cili në fakt ishte karakteri i vizitës së tij në Beograd: ishte atje si artist apo si politikan? Ishte vizitë private apo publike? Apo ishte publiko-private?

Pyetje po aq me rëndësi për një lexues nga Kosova është se si arriti që në fjalën e tij publike të formojë pa gabime këtë listë të personaliteteve që ai i adhuron, ku të gjithë njihen si antishqiptarë, me bindje dhe angazhime. A kishte menduar Rama politikan se cili ishte mesazhi që po dërgonte te publiku serb duke shprehur adhurim për këto personalitete? Po bënte politikanin evropian, apo…? Po bënte pajtuesin apo mazohistin? Është me rëndësi të kuptohet, për të kuptuar edhe profilin e tij prej politikani: e bëri fjalimin vet apo e mori të gatshëm nga stafi?

Lëre, o portal, do të thoshte Edi. Duket ngushëlluese sidoqoftë, sepse ai e ka gjetur sharjen e tij politike. Ai i ka gjetur mullinjtë e tij të erës. Në intervistën 60-sekondëshe e pyetën se cila është fjala më e ndytë të cilën e përdorë jo publikisht, dhe ai përgjigjet se nuk e thotë dot. Por, e tha, publikisht: "O portal"!

E, në pyetjen se "Ku ke me shku mas këtuhit", "më i madhi", kryeministri virtual i Republikës së Shqipërisë, u përgjigj: "Ku të më çojë Baton Haxhiu".

Sanço Panço ia shërbeu analistët, nën një pllakë gramafoni apo nën një rrotë mulliri me erë, sido që ta ketë menduar skenografi. "Më i madhi" i shihte nga lartë, jo veç në kuptimin fizik të fjalës. Sanço, si dihet u bënë favore politikanëve, e këtë e pranon edhe vet me raste. Madje, në një intervistë tjetër këto ditë pretendon se edhe UÇK-ja në njëfarë forme ishte virtuale dhe produkt i "Kohës Ditore" të asaj kohe kur ai ishte "Shefi" i gazetës. Kur e prodhoi një UÇK, përse të mos e prodhojë edhe një kryeministër digjital, apo virtual, gjithsesi gjithë shqiptar?

"O, nuk thash asgjë, o ju nuk kuptoni asgjë," po i thoshte kryeministri virtual, gjithëshqiptar, njërit nga debutuesit i cili së paku provoi të refuzonte pozën fodulle të gjithëdijshmit që e kishte marrë ai. Hidhërohej Sanço, më shumë se "i madhi".

Mos u hidhëroni aman, po ku di ai gjë, o Edi? Ku ai, ku ti? Mbaje pozën ti! Nuk ka parë botën, ky i shkreti. Nuk ka vizë!

The post Edi Rama, Sanço Panço dhe portalet appeared first on Telegrafi.

Related Posts :