Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Inaugurohen Çarshia dhe Qendra Artizanale në Pejë” plus 9 more Ekonomia Online

loading...

“Inaugurohen Çarshia dhe Qendra Artizanale në Pejë” plus 9 more Ekonomia Online


Inaugurohen Çarshia dhe Qendra Artizanale në Pejë

Posted: 07 Nov 2016 09:52 AM PST

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e Çarshisë së Vjetër si dhe të Qendrës së Zhvillimit Artizanal në qytetin e Pejës.

Në këto aktivitete, përveç qytetarëve të shumtë ishin të pranishëm edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministrat Kujtim Shala e Arban Abrashi si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kryeministri Mustafa fillimisht falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen në financimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për kulturën e Kosovës.

"Ne kemi interes të madh që të kultivojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe atë të artizanatit, pjesë e kësaj trashëgimie që pamë sot këtu në Çarshinë e Vjetër të Pejës, e cila ndërlidhë jo vetëm me decenie, por me shekuj zhvillimin tonë kulturor dhe ekonomik, atë që ne e kemi kultivuar në familjet tona, në rrethin tonë, si punë dhe si traditë", tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu përkrahjen e Qeverisë për projektet e tilla që e bëjnë Pejën regjion të zhvilluar dhe pjesë të prosperitetit të vendit, por edhe që e bashkon me kulturat evropiane.

"Prandaj, e rëndësishme është kjo që na lidh neve me Evropën, me Bashkimin Evropian, sepse përmes kësaj kulture, dëshirojmë të bëhemi pjesë e kulturave evropiane", tha kryeministri.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, u shpreh e lumtur me mbështetjen e tyre në këtë projekt.

"Uroj Komunën e Pejës dhe Organizatat Joqeveritare për Promovimin e Trashëgimisë Kulturore për një punë të mirë që kanë bërë në përmirësimin e infrastrukturës afariste nëpërmjet partneritetit objektiv dhe profitabil në mes të shoqërisë civile, sektorit publik, qeverisë lokale dhe komunitetit vendor", tha ndër të tjera Apostolova, duke siguruar që BE-ja do të vazhdoj mbështetjen e këtyre iniciativave.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe znj. Apostolova, për përkrahjen si dhe për fondet e BE-së që Çarshia e Gjatë të ndërtohet dhe që qyteti i Pejës ta ketë një investim të qëndrueshëm, i cili do të jetë promotor i zhvillimit të turizmit, por edhe ekonomisë familjare dhe zhvillimit të Komunës së Pejës në të ardhmen.

"Investimi në Çarshinë e Gjatë është një ndër investimet më të qëlluara që është bërë në Komunën e Pejës, për t'ia kthyer Çarshisë së Gjatë namin që e ka pasur dhe për t'i shërbyer gjeneratave të ardhshme si model i ri i zhvillimit ekonomik", tha kryetari Muhaxheri, duke uruar që edhe investimet tjera të jenë në drejtim të promovimit të trashëgimisë kulturore, ndihmesës në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zhvillimit të turizmit në Komunën e Pejës.

Kryetari Muhaxheri, theksoi po ashtu se Komuna e Pejës është e gatshme që edhe me fondet e veta të investojë në zhvillimin e qëndrueshëm, që të rinjtë dhe gjeneratat e reja të punojnë për zhvillimin e këtij qyteti të bukur buzë Bjeshkëve të Rugovës.

Menaxherja e projektit, Blerta Harxhi-Begolli, është shprehur e lumtur për përurimin e këtij projekti dyvjeçar.

mulliri-hazi-zekes   zkp-6

zkp-5 zkp-4-1

The post Inaugurohen Çarshia dhe Qendra Artizanale në Pejë appeared first on Ekonomia Online.

BB premton vazhdimin e projekteve për Bankën Qendrore

Posted: 07 Nov 2016 09:32 AM PST

Guvernatori i Bedri Hamza ka pritur sot në takim Ellen Goldstein, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, dhe Marko Mantovanellin, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve aktuale ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe për vazhdimin e mbështetjes nga ana e BB-së për vendin tonë.

Fillimisht, Hamza e ka njoftuar znj. Goldstein për ceremoninë e sotme të zhvilluar me rastin e përurimit të Qendrës për Vazhdimësi të Punës në Prizren dhe ka falënderuar atë për mbështetjen që BB ka dhënë për ndërtimin e kësaj qendre të rëndësisë së veçantë.

Guvernatori, po ashtu e ka njoftuar znj. Goldstein për gjendjen aktuale në sektorin financiar të vendit e cila është vlerësuar stabile dhe e shëndoshë, sipas një njoftimi shtypi të BQK-së.

“Hamza dhe Goldstein shkëmbyen informacione mbi zhvillimet aktuale ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe u diskutua për mbështetjen shumëdimensionale që Banka Botërore vazhdon t'i japë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Republikës së Kosovës”.

Nga ana e saj, Ellen Goldstein i ka konfirmuar guvernatorit Hamza se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së dhe për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi. Ajo e ka çmuar lart bashkëpunimin me Bankën Qendrore dhe të gjitha të arriturat në projektet të cilat janë përkrahur nga asistenca teknike e Bankës Botërore. Ajo theksoi se suksesi i projekteve të zhvilluara në Kosovë merret si model për të dizajnuar projektet për vendet e tjera, duke e përgëzuar guvernatorin për punën që po bënë në zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së, theksohet në njoftimin e BQK-së.

Hamza dhe Goldstein u zotuan se BQK-ja dhe Banka Botërore nuk do përmbyllin bashkëpunimin me përfundimin e projektit të Qendrës së Vazhdimësisë, por që bashkëpunimin do ta zgjerojnë edhe më shumë në fushat tjera me projekte në të ardhmen.

Për kontributin e dhënë në punën e saj për zhvillimin e projektit të Qendrës së Vazhdimësisë së Punës, si dhe për mbështetjen e vazhduar të Bankës Botërore, Guvernatori Hamza i ka ndarë një mirënjohje falënderimi drejtoreshës Goldstein.

The post BB premton vazhdimin e projekteve për Bankën Qendrore appeared first on Ekonomia Online.

Polici i Kosovës që ka 10 banesa, 4 shtëpi, 11 vetura, lokale

Posted: 07 Nov 2016 09:22 AM PST

Ish-zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili që nga viti 2011 është drejtor në këtë institucion, bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë është zyrtari policor më i pasur në vend.

Për më tepër, ai ka deklaruar më shumë pasuri se drejtori i tij Shpend Maxhuni, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, si dhe vet kryeministri Isa Mustafa, , shkruan Infokusi.

Sipas pasurisë që ka deklaruar në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK), Elshani i posedon 10 banesa, 4 shtëpi, dyqane, zyra administrative, tokë bujqësore, vlera e përgjithshme e së cilave kalon shifrën prej rreth 1.5 milionë euro. Kliko për dokumentin

Elshani poashtu i ka deklaruar se i posedon 11 automjete, përfshirë këtu automjete të markave si: Mercedes, Audi, VW, kamioneta…

Paga e tij vjetore në Policinë e Kosovës është rreth 10 mijë euro dhe 2700 euro të tjera i merr si pension invalidor, përderisa pagën e bashkëshortes në prokurori e ka deklaruar 3200 euro në vit.

Ndërsa të hyrat vjetore të prindit, nga biznesi privat, si dhe paga nga Ministria e Shëndetësisë, Elshani i ka deklaruar 260 mijë euro.Në anën tjetër, pasuria e paluajtshme e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, është rreth 200 mijë euro dhe rreth 50 mijë euro para të gatshme në bankat komerciale në vend.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ka 470 mijë euro patundshmëri dhe mbi 5000 euro para tdhe mbi 5000 euro para të gatshme në bankat komerciale në vend.

The post Polici i Kosovës që ka 10 banesa, 4 shtëpi, 11 vetura, lokale appeared first on Ekonomia Online.

Aktivistëve të burgosur të VV-së nuk u lejohet pjesëmarrja në varrimin e Deharit

Posted: 07 Nov 2016 09:20 AM PST

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj- Bujupi përmes një postimi në Facebook ka thënë se gjykatësi nuk u ka lejuar pjesëmarrjen në varrimin e Astrit Deharit, pesë aktivistëve të tjerë që po mbahen në arrest.

"Gjykatësi përgjegjës për montim të rastit ndaj gjashtë aktivistëve të Lëvizjes, sot e paska bërë shkeljen tjetër, duke mos lejuar pjesëmarrjen e Atdheut e Egzonit, e as Adeas, Frashërit e Petritit, në varrimin e Astritit. Ndonëse një gjë e tillë ishte pranuar fillimisht. Por, poshtërsia e këtij pushteti nuk ka fund. Prandaj, ky pushtet duhet të largohet me gjithë poshtërsinë e pashoqe", ka shkruar Kadaj- Bujupi.

Astrit Dehari vdiq dy ditë më parë në burgun e Prizrenit në rrethana ende të paqarta.

The post Aktivistëve të burgosur të VV-së nuk u lejohet pjesëmarrja në varrimin e Deharit appeared first on Ekonomia Online.

Thaçi thërret takimin e radhës për reformën zgjedhore

Posted: 07 Nov 2016 09:08 AM PST

Presidenti Thaçi sot ua ka dërguar edhe ftesën e radhës subjekteve politike për pjesëmarrje në takimin e dytë për reformën zgjedhore.

Telegrafi ka mësuar se kjo ftesë sot u është dërguar disa subjekteve politike.

Takimi i radhës do të mbahet më 11 nëntor 2016, nga ora 11:00, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Salla C-301.

Kjo është konfirmuar edhe nga kabineti i presidentit Thaçi.

"Po, takimi i radhës me kryetarët e subjekteve politike apo me të deleguarit e tyre, ku do të diskutohet sërish për reformën zgjedhore, do të mbahet këtë të premte, në orën 11:00. Ftesa tash ishte duke iu shpërndarë subjekteve politike", ka konfirmuar për Telegrafin, Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit Thaçi.

Pjesë e takimit të parë të Thaçit për reformën zgjedhore ishin përfaqësuesit e 15 subjekteve politike, parlamentare dhe atyre joparlamentare, përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve, ata të Zyrës së BE-së, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, kryetarja e KQZ-së, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në këtë takim kanë munguar përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

The post Thaçi thërret takimin e radhës për reformën zgjedhore appeared first on Ekonomia Online.

Autopsia gjen se Astrit Dehari vdiq nga asfiksia, jo nga ilaqet

Posted: 07 Nov 2016 09:05 AM PST

Ka përfunduar procesi i autopsisë së të ndjerit Astrit Dehari, i cili vdiq dy ditë më parë në Burgun e Prizrenit.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se informacioni sipas ekspertëve ligjorë, pasojë e vdekjes së tij ishte asfiksia ose mosfrymëmarrja dhe pengesat në frymëmarrje.

"Rezultatet përfundimtare do të dalin së shpejti, me ç'rast do të informohen të gjithë".

"Prej ditës së parë kemi qenë mjaft transparent si prokurori e shtetit, në bashkëpunim me policinë dhe me ekspertët e mjekësisë ligjore dhe kështu do të jemi deri në fund".

autopsi

"Një mjek i kësaj fushe nga Shqipëria, një nga Anglia të angazhuar nga familja Dehari, kanë qenë vëzhgues të këtij procesi. Ne u takuam pas përfundimit të autopsisë, na falënderuan edhe ekspertët e autopsisë nga familja, sepse çdo gjë ka qenë profesionale dhe korrekte".

Shefi i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha, ka hedhur poshtë dilemat se Astrit Dehari ka vdekur nga përdorimi i ilaçeve.

"Sipas dëshmitarëve nuk ka pasur kuti apo ndonjë ilaç në dhomën ku ka qëndruar Dehari. Dëshmitarët e rastit kanë dhënë se Dehari nuk ka përdorur ilaçe. Edhe rezultatet e obudksionit nuk kanë treguar se Dehari ka marrë ilaçe", ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi, ka thënë se procesi i autopsisë zgjati gati dy orë e gjysmë.

"Janë marrë të gjitha mostrat e nevojshme dhe në rast nevoje disa prej tyre do të dërgohen edhe në Angli", ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se rezultatin përfundimtar do ta thotë Mjekësia Ligjore.

The post Autopsia gjen se Astrit Dehari vdiq nga asfiksia, jo nga ilaqet appeared first on Ekonomia Online.

EULEX mirëpret pushimin e hetimeve rreth pretendimeve për korrupsion brenda misionit

Posted: 07 Nov 2016 08:41 AM PST

Misioni EULEX dhe Zyra e BE/PSBE e vlerësojnë aktvendimin e sotëm për pushimin e hetimeve penale në një rast të PSRK-së, ku u hodhën poshtë akuzat për veprat e dhënies dhe marrjes së ryshfetit kundër katër të pandehurve.

"Ne e mirëpresim faktin se ndaj këtij rasti të pretendimeve për korrupsion brenda EULEX-it janë zhvilluar hetime të thukëta nga një ekip i përzier i prokurorëve i përbërë nga një prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror vendas", thuhet në njoftim.

Siç është theksuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës, provat e mbledhura përgjatë këtyre hetimeve dëshmojnë se ish-gjyqtari i EULEX-it Francesco Florit nuk ka kryer ndonjë vepër gjatë kryerjes së detyrave të tij.

"Ne shprehim kënaqësinë që Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës e ka theksuar qartë se në bazë të provave, gjyqtari i EULEX-it Florit nuk e ka kryer veprën penale të kërkimit apo marrje të ryshfetit. Misioni EULEX dhe Zyra e BE/PSBE besojnë në rikthimin e plotë të integritetit të ish-punonjësve dhe punonjësve aktualë të EULEX-it", thuhet në njoftim.

The post EULEX mirëpret pushimin e hetimeve rreth pretendimeve për korrupsion brenda misionit appeared first on Ekonomia Online.

Njihuni me hotelin e mahnitshëm me 7 yje

Posted: 07 Nov 2016 08:37 AM PST

Një shikim mbi Shangain, linja të pastra të xhamit dhe çelikut, eleganca e detajeve të stilit të viteve '20. Ky është hoteli i ri me 7 yje, "Wanda Reign on the Bund", i dizejnuar nga studioja arkitekturore Foster and Partners dhe Heatherwick.

I përuruar në qershor, pas tre vitesh punime, hoteli ka kushtuar plot 466 milionë euro, dhe është e fundit që hyn në listën e hoteleve të preferuara nga elita kineze.

Hoteli ndodhet në Huangpu, një nga qytetet kineze me një zhvillim të shpejtë. Hoteli ka dhoma elegante të përmasave nga 45 në 58 metra katrore, me çdo tip komforti për klientët.

 

The post Njihuni me hotelin e mahnitshëm me 7 yje appeared first on Ekonomia Online.

Stafi i UP-së ndez qirinj për Astrit Deharin

Posted: 07 Nov 2016 08:25 AM PST

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema ka ngushëlluar familjen Dehari, me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ndërroi jetë këtë të shtunë në burgun e Prizrenit, shkruan Zëri.info.

"Familje e nderuar Dehari, me dhembje e pikëllim morëm lajmin për vdekjen e birit Tuaj dhe studentit tonë Astrit Dehari. Si rektor i UP-së, bashkë me gjithë menaxhmentin dhe studentët e Universitetit, na lejoni t'u shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkë me Ju, të ndajmë këtë dhembje të madhe që ka plandosur studentët dhe stafin e tonë", thuhet në telegramin ngushëllues.

Me këtë rast, Dema ka njoftuar se në orën 17:00 sot, do të ndizen qirinj pranë bibliotekës kombëtare, në shenjë mirënjohje për Astrit Deharin.

"Në shenjë respekti për vdekjen e Astritit, rektori me stafin e tij dhe studentët e UP-së, në orën 17.00h, në shkallët e Bibliotekës Kombëtare do të ndezin qirinj", thuhet ndër të tjera.

 

The post Stafi i UP-së ndez qirinj për Astrit Deharin appeared first on Ekonomia Online.

Burgjet e Kosovës larg standardeve evropiane

Posted: 07 Nov 2016 08:18 AM PST

Gjendja në burgjet e Kosovës vlerësohet të jetë larg standardeve evropiane, por nëse krahasohet me vendet e rajonit, Kosova qëndron më mirë.

Veprimtaritë e jashtëligjshme, kontrabanda dhe dukuritë tjera që hasen nëpër burgjet e Kosovës, megjithatë, vlerësohen se nuk janë në shkallën e gjendjes së rëndë që mbretëron në disa vende tjera fqinje.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se veprimtaritë korruptive brenda burgjeve dhe keqpërdorimet për të cilat edhe ka gjykime ndaj oficerëve duke kontrabanduar drogë, telefona e gjësende, tregojnë për gjendjen ekzistuese.

"Bazuar në gjetjet e vazhdueshme të Institutit të Kosovës për Drejtësi, si dhe një serie të hulumtimeve që i kemi bërë nëpër burgje, gjendja krahasuar me vendet e rajonit është më e mirë në Kosovë, por ende larg respektimit të standardeve ndërkombëtare të shërbimeve korrektuese. Shërbimi korrektues ende vazhdon me problemin e kontrabandës, veprimtarive korruptive, çka po e rrezikon sigurinë e burgjeve",ka thënë Musliu.

Por, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka bërë të ditur se buxheti i limituar i ndarë për këtë fushë nuk lejon që kushtet të përmirësohen, ndonëse, siç thotë ai, gjendja aktuale në burgjet e Kosovës është e kënaqshme.

"Gjendja aktuale në burgje është e mirë. Ne kemi buxhet të limituar, por jemi munduar që gjërat elementare, si: ushqimi, akomodimi, trajtimi shëndetësor, të jenë në nivel. Mendoj që ia kemi dalë, ndonëse kemi sfida. Por, nëse krahasohet me shumë vende tjera, qoftë rajonit apo edhe më gjerë, ne jemi mirë".

"Qendra korrektuese për fëmijë është pilot projekt dhe kjo qendër korrektuese do të jetë në nivel të lartë, është projekt i Këshillit të Evropës dhe mendoj se do ta implementojnë", ka thënë Zogaj.

Ndryshe, numri aktual i të burgosurve në Kosovë është 1,600 veta, dhe siç thotë Zogaj, së shpejti do të hapen edhe dy burgje, ai i Gjilanit dhe i Prishtinës. Me këto dy burgje të reja, sipas tij, do të evitohet mbipopullimi nëpër burgje.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, ka thënë se baza materiale e përcakton edhe gjendjen në burgje. Ai potencon faktin se buxheti për burgjet e Kosovës është i mangët.

"Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova qëndron më mirë. Gjendjen e të burgosurve gjithmonë duan ta paraqesin në kontekstin negativ. Në përgjithësi, nuk është gjendja e keqe, por ka hapësirë për gjendje edhe më të mirë", ka thënë Shala.

Edhe Isabelle Servoz Gallucci, shefe e zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, thotë se pas hulumtimeve të bëra nëpër burgjet e Kosovës, në bashkëpunim me komisionin për parandalimin e torturës, kanë dalë me vlerësimin se ka korrupsion dhe mungesë të trajnimeve të stafit dhe se do të përqendrohen në këto pika për të ndihmuar.

"Në bazë të vizitës që është bërë në vitin 2014, të cilin e ka bërë komisioni për parandalim të torturës, ka gjetur që niveli i keqtrajtimit të burgosurve ka rënë, por ka gjetur që korrupsioni në burgje apo mungesa e trajnimeve të stafit në burgje është në rritje".

"Janë pikërisht këto rekomandime të Këshillit për Parandalim të Torturës të Komisionit Evropian që ky projekt të fokusohet duke u bërë një analizë më e thellë dhe do të hyhet në ato pika ku ka nevojë për të intervenuar" , ka thënë Galluci.

Gjendja në burgjet e Kosovës është ri-aktualizuar këto ditë, sidomos pas vdekjes së Astrit Deharit, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili po mbahej në burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara. (REL)

 

The post Burgjet e Kosovës larg standardeve evropiane appeared first on Ekonomia Online.

Related Posts :