Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Kujdes nga diskriminimi i punonjësve” plus 9 more Ekonomia Online

loading...

“Kujdes nga diskriminimi i punonjësve” plus 9 more Ekonomia Online


Kujdes nga diskriminimi i punonjësve

Posted: 09 Nov 2016 09:57 AM PST

Të gjithë punonjësit në një kompani duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe jo të gjykohen në bazë të përkatësisë etnike, religjionit ose botëkuptimit, moshës, orientimit seksual ose gjinisë.

Diskriminimi është çdo diferencim dëmtues, që bëhet pa arsyetim thelbësor.

Për shembull një punonjës nuk mund të mos pranohet në punë për shkak të ngjyrës së lëkurës që ai ka apo nga prejardhja e tij.

Nëse puna e punonjësve është e njëjtë ose ka të njëjtën vlerë atëherë këta punonjës duhet të kenë rroga të njëjta.

Nuk mund të largohet nga puna apo ofendohet dikush për shkak se i takon një religjioni të caktuar.

Trajtimi jo i njëjtë i punonjësve për shkak të shtetësisë është i ndaluar. Çdo diskriminim ndiqet nga pasoja ligjore.

Këta persona të diskriminuar kanë të drejtë të dëmshpërblen për cenimin e dinjitetit personal të përjetuar.

The post Kujdes nga diskriminimi i punonjësve appeared first on Ekonomia Online.

Rektori i UBT-së ligjëron në Budapest për teknologjinë e informacionit

Posted: 09 Nov 2016 09:14 AM PST

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka udhëtuar sot për në Hungari, i ftuar nga përfaqësuesit e Universitetit Corvinus të Budapestit.

Prof.dr. Hajrizi, në Shkollën e njohur ndërkombëtare për Administrim Biznesi të këtij universiteti, është ftuar të mbajë një ligjëratë tematike për teknologjinë e informacionit në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.

Pos kësaj, rektori do të zhvillojë edhe takime të tjera të rëndësishme me përfaqësuesit e këtij universiteti.

Universiteti Corvinus i Budapestit, ku është ftuar rektori Hajrizi, është themeluar në vitin 1920, ndërsa njihet me traditë për fushën e kërkimeve shkencore. Aktualisht numëron 14 500 studentë. Do theksuar që UBT ka partneritet me 250 universitete ndërkombëtare.

The post Rektori i UBT-së ligjëron në Budapest për teknologjinë e informacionit appeared first on Ekonomia Online.

Bajrami: Po i fuqizojmë gratë në ndërmarrësi

Posted: 09 Nov 2016 09:08 AM PST

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Dhoma Ekonomike e Grave (G7) me temën "Sa është i favorshëm ambienti i të bërit biznes për gratë ndërmarrëse në Kosovë."

Në këtë takim, ministrja Bajrami u shpreh se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria po punojnë në mënyrë konsistente që të mbështesin fuqizimin e grave në ndërmarrësi, sepse gratë ndërmarrëse konsiderohen si partnere shumë të rëndësishme në zhvillimin e sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

"Forumi Ekonomik i Gruas që nga sot, me vendim të Qeverisë së Kosovës është bërë anëtar i rregullt i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik”, tha Bajrami, dhe shtoi se kjo do të ofrojë një mundësi shumë të mirë që të thellohet partneriteti i institucioneve qeveritare me gratë ndërmarrëse në Kosovë.

Ministrja Bajrami i ftoi gratë ndërmarrëse të jenë aktive në çdo instancë duke u bërë partnere të fuqishme në përfaqësimin e interesave të grave në çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomik në vend.

"Janë një sërë projektesh dhe aktivitetesh përmes të cilave përkrahen apo u jepet përparësi gjinisë femërore, siç janë: organizimi i panairit ‘Gratë në Biznes’, projekti i ‘Skemës Voucher të Këshillimeve dhe Trajnimeve’, projekti ‘Internship Biznesi’, e të tjera”, theksoi ministrja Bajrami.

Në fund, ajo shtoi se është bërë një punë solide në drejtim të fuqizimit të grave ndërmarrëse, por jemi të vetëdijshëm se duhet vazhduar më tej dhe pandërprerë në politikat që ndihmojnë rritjen e rolit të gruas në biznes.

The post Bajrami: Po i fuqizojmë gratë në ndërmarrësi appeared first on Ekonomia Online.

Clinton pranon humbjen, i ofron mbështetje Trumpit

Posted: 09 Nov 2016 09:07 AM PST

Hillary Clinton ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.

Kandidatja demokrate humbi në zgjedhjet e së martës nga Donald Trump dhe për herë të parë pas humbjes ka uruar presidentin e ri të SHBA-së.

Ky ishte fjalimi i Hillary Clinton:

Duhet ta pranojmë këtë rezultat.

Mbrëmë urova Donald Trumpin dhe i ofrova ndihmën në të mirë të shtetit.

Shpresoj të jetë president për të gjithë në shtetin tonë.

Më vjen keq që nuk fituam këto zgjedhje për shkak të vlerave që ndanim.

Ju përfaqësoni më të mirën e Amerikës dhe të qenit kandidatja juaj ishte nderi më i madh në jetë. E di sa të zhgënjyer jeni, sepse edhe unë jam ashtu.

Është e dhimbshme dhe tani do të jetë për një kohë të gjatë. Por dua të kujtoj këtë. Kampanja jonë nuk ishte vetëm për një person… ishte për ndërtimin e shtetit që ne duam… Kemi parë se shteti ishte më i ndarë se që kemi menduar më parë. Duhet ta pranojmë rezultatin… Donald Trump do të jetë presidenti jonë… I kemi borxh të jemi mendjehapur dhe t'i japim shansin për të udhëhequr.

Kemi kaluar një vit e gjysmë duke bashkuar miliona njerëz. Ne besojmë në ëndrrën amerikane për të gjithë. Përgjegjësia jonë si qytetarë është të vazhdojmë të bëjmë punën tonë për të forcuar dhe për të bërë Amerikën më të drejtë.

Faleminderit Tim Kainet dhe Holton dhe jam rehat që Kaine do të shkojë në senat. Faleminderit Barack dhe Michelle Obama. Shteti jonë ju ka borxh një mirënjohje të madhe. Faleminderit për lidershpin që kishte vlerë të madhe…. Faleminderit Bill dhe Chelsea, Mark Charlotte Aidan… dashuria ime për ju është më e madhe se që mundem ta shpreh.

Faleminderit të gjithëve dhe miliona vullnetarëve, liderëve, aktivistëve dhe organizatorëve. Dua të gjithë që t'ju dëgjohet zëri dhe të keni suksese përpara.

Ju lutem kurrë mos u ndalni që të luftoni për atë që mendoni se është e drejtë.

Faleminderit të gjitha grave… për besimin në këtë kampanjë dhe besimin te unë… Dua të dini se asgjë nuk më ka bërë krenare më shumë sesa të qenit lideria juaj. Faleminderit edhe vajzave të vogla që po shikojnë këtë, mos dyshoni kurrë në vlerat tuaja… dhe se meritoni çdo shans… për të realizuar ëndrrën tuaj.

Jam shumë krenare që pata këtë shans.

Zoti ju bekoftë juve dhe Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

The post Clinton pranon humbjen, i ofron mbështetje Trumpit appeared first on Ekonomia Online.

9 këshilla për të kuptuar se kë kemi përballë… sipas ish-agjentes së FBI-së

Posted: 09 Nov 2016 09:00 AM PST

"Nuk ka nevojë ta marrësh në pyetje, për të kuptuar se çfarë vërtitet në kokën e dikujt. Sinjalet janë gjithmonë të njëjtë, mjafton të dish t'i rrokësh".

Fjalë të Larae Quy, ish-agjente e FBI-së, për 23 vite agjente e kundërspiunazhit të FBI-së, sot lektore për teknika dhe këshilla se mund të "lexohet" personi që kemi përballë, si të kontrollohen emocionet, dhe si të kesh sukses në punë dhe jetë. Ja 9 këshilla të saj për të kuptuar se kë kemi përballë, të nxjerra nga revista Inc.

1. Klasifikoni sjelljet që vini re tek të tjerët

Çdo person ka veçantitë e veta dhe adopton një sjellje të caktuar. Ka nga ata që pastrojnë fytin, që shikojnë në dysheme ndërsa janë duke folur, që kryqëzojnë krahët, që kruajnë kokën, që lëvizin qafën, që hapin sytë, etj. Në përgjithësi nuk i kushtojmë shumë vëmendje këtyre qëndrimeve, ose, në qoftë se e bëjmë, nuk e vërejmë në cilat raste shfaqen. Në origjinën e këtyre veprimeve mund të jenë arsye të ndryshme: mund të jenë manierizma, ose mund të jenë shenja të zemërimit, nervozizmin, gënjeshtrës. Kalimi "në sitë" i sjelljeve të të tjerëve, do ju ndihmojë që t'i njihni më mirë.

2. Vini re mospërputhjet

Kushtojini vëmendje çdo mospërputhjeje, midis modelit të sjelljes që shihni normalisht në një person dhe veprimeve të tij jashtë të zakonshmes. Për shembull: A keni vënë re se një nga furnizuesit tuaj më të mëdhenj ka një zakon të kruajë fytin në mënyrë të përsëritur, kur është nervoz? Ai e bën kur teksa përpiqet për të bërë ndryshime në marrëveshjen tuaj tregtare. Dhe në qoftë se prapa kësaj fshihen edhe gjëra të tjera? Nëse vëreni një qëndrim të tillë mund të këqyrni mirë situatën duke bërë më shumë pyetje, se sa do të kishit bërë në një situatë normale.

3. Kushtojini vëmendje tërësisë së gjesteve

Asnjë gjest apo fjalë të marra individualisht, nuk do të thonë asgjë, por kur shtrembërimet e sjelljes bëhen më shumë se sa një, mbani shënim. Për shembull, furnizuesi jo vetëm që vazhdon të pastrojë fytin, por edhe tund kokën dhe lëviz këmbët. Bëni kujdes.

4. Krahasoni veprimet

A e keni vënë re që dikush vepron në mënyrë pakëz ndryshe nga normalja? Zhvendosni fokusin tek pjesëtarët e tjerë të grupit, për të parë mënyrën si ndërvepron me ta. Ndryshon shprehje? A ndryshojnë qëndrimi dhe gjuha e trupit?

5. Shihuni në pasqyrë

Neuronet në pasqyrë janë monitorë të ngulitur në trurin tonë, që pasqyrojnë gjendjen e mendjes së të tjerëve, na lidhin me të tjerët në mënyrë që ne të mund të kuptojmë sjelljen e tyre. Një buzëqeshje, për shembull, aktivizon muskujt e buzëqeshjes në fytyrat tona, ndërsa një vrenjtje na çon në vrenjtje të mëtejshme. Kur ne shohim dikë që na pëlqen, vetullat dhe muskujt e fytyrës relaksohen, koka anohet pak dhe gjaku na fryn buzët. Nëse kur e shihni partneri nuk ndër-këmben atë që ju ndieni, mund të jetë duke dërguar një mesazh të qartë: nuk i pëlqeni, ose nuk është i kënaqur me diçka që ju keni bërë.

6. Identifikoni kush ka "ërine fuqishëm"

Njeriu me më shumë ndikim, nuk është gjithmonë kush ndodhet në krye të tavolinës. Kush është i sigurt në vetvete ka një ton zëri të spikatur. Në një sallë mbledhjesh përreth një tryeze është e mundur që personi më i sigurt të jetë edhe ai më me ndikim: qëndrim ekspansiv, zë i fortë, buzëqeshje e gjerë (kujdes, mos ngatërroni zërin e lartë me zërin fuqishëm). Nëse je duke i propozuar një ide, një grupi personash, së pari kushtoji vëmendje liderit të tyre, që mundet edhe të ketë një personalitet të dobët, e për këtë arsye të mos jetë personi i duhur tek i cili të drejtoheni. Edhe pse në dukje mund të mos duket kështu, ai ose ajo varen në një masë të madhe nga të tjerët në marrjen e vendimeve, dhe është lehtësisht i/e ndikuar nga gjykimi i tyre. Prandaj identifikoni tek grupi "zërin e fuqishëm" dhe mundësitë tuaja për sukses do të rriten dukshëm.

7. Vini re ecjen

Shpesh herë, personat që ecin duke u lëkundur, nuk kanë fluidet në lëvizje apo e mbajnë kokën ulur, nuk kanë besim tek vetja. Nëse vini re këto tipare tek një anëtar i ekipit tuaj, mund të bëni një përpjekje më shumë për ta lëvduar apo vlerësuar punën e tij/saj, me qëllim që ta ndihmoni të ketë më shumë besim tek vetja. Ose gjatë një mbledhjeje, mund t'i bëni pyetje që të nxjerrë jashtë idetë e veta.

8. Identifikoni fjalët e veprimit

Kur isha agjente e FBI, zbulova se fjalët janë mjeti më i mirë përmes të cilit të hysh në kokën e një tjetër personi. Fjalët pasqyrojnë mendimet, prandaj në një frazë është mirë të identifikosh më domethënëset.

Për shembull, nëse shefi thotë që "është vendosur të blihet marka X", fjala përcjellëse është "vendosur". Me shumë gjasë tregon që: shefi juaj 1) nuk është impulsiv, 2) ka vlerësuar opsione të ndryshme, 3) reflekton mbi gjërat. Fjalët që tregojnë veprime ofrojnë tregues për mënyrën se si mendon një person.

9. Krijoni disa të dhëna të personalitetit

Secili prej nesh ka një personalitet unik, por ka disa vija udhëzuese që mund të ndihmojnë për të lexuar atë që keni përballë.

Ky person a shfaq një sjellje prej njeriu të mbyllur apo të hapur?

Në ç'mënyrë e përballon rrezikun dhe sigurinë?

Cila gjë e ushqen egon e tij?

Si sillet kur është nën stres?

Po kur është i relaksuar?

The post 9 këshilla për të kuptuar se kë kemi përballë… sipas ish-agjentes së FBI-së appeared first on Ekonomia Online.

Shumica e heshtur e Amerikës së Donald Trumpit

Posted: 09 Nov 2016 08:48 AM PST

Kur të premten e kaluar po sillesha nëpër turmën e njerëzve në tubimin e Donald Trump, në një hangar të qytetit Wilmington të Ohios, më ra në sy një parullë.

Ishte disi e veçantë, pasi nuk e kuptoja mirë se cili ishte mesazhi që ajo përçonte.

"Shumica e heshtur për Trump", shkruante në të.

"Çfarë do të thotë kjo?", e pyeta një të moshuar, që e mbante në dorë.

"Do ta kuptosh më vonë", më tha ai.

E lashë me kaq, me idenë se as plaku nuk ia ka idenë se çfarë është ajo. Mendova se ia ka dhënë dikush ta mbajë dhe ai nuk po bën gjë tjetër, pos që e kryente një punë që i ishte thënë ta bëjë.

Duke mos menduar për këtë, të nesërmen shkova të shoh si po shkojnë votimet në Cuyahoga County, në qytetin e Ohios, Cleveland.

Ndonëse joetike, më interesonte të dija se për kë do të votojnë këta njerëz. Kishte që nuk donin të flisnin. E ata që pranonin, me shumicë dërmuese ishin pro Hillary Clinton.

Dikur vonë pata fatin ta intervistoj një votues të Trump. Ishte një grua, latinos, siç i quajnë këtu të ardhurit nga Meksika e Amerika Latine. Republikani nuk i do ata në vendin e tij. I quan kriminelë dhe drogaxhi.

"Trump e ka mirë. Kush vjen këtu e bën keq, duhet të kthehet. Kush rri mirë e punon mirë, bëhet amerikan i mirë", më tha ajo.

Meqë ishte vetëm një me Trump e shumë më Clinton, për arsye profesionale të zanatit tim, duhej të kërkoja edhe tjerë që janë me republikanin.

"Kot e ke. Ata nuk flasin pasi fshihen. Nuk duan të deklarohen se e mbështesin atë", më tha një nga punëtorët zgjedhor. "Ose të gënjejnë se janë me Trump".
Nuk i besova. Kjo është Amerikë dhe liria e shprehjes këtu është mbi çdo gjë tjetër, thashë me vete. Pse mund të kenë frikë njerëzit të deklarohen?! Kot ia futi tipi.

Por, kështu më ndodhi edhe ditë ne zgjedhjeve, kur vizitova dy vendvotime në Lower Manattaan të New Yorkut. Pos një amerikani me origjinë ruse, të gjithë që i intervistova më dolën të jenë anti-Trump.

M'u kujtua ai burri i qendrës zgjedhore ne Cleveland dhe nisa të dyshoj. Ky mbase e pati mirë, mendova me vetvete. Nuk është lehtë për njeri normal të thotë se është pro një kandidati që angazhohet për të ndërtuar një mur të madh, të gjatë e të lartë për të penguar tjerët të hyjnë në Amerikë. Për një njeri që del kundër myslimanëve, por edhe vetë amerikanëve jo të bardhë. Dhe për një njeri, që del se ka bërë e ka thënë gjëra të papëlqyeshme për gratë.

Mbase për shkak të turpit, ata që e kanë dashur Trumpin, nuk janë deklaruar të gjithë, sinqerisht, kur janë pyetur. Pothuajse të gjitha anketat që janë bërë në Amerikë, e kanë lënë atë pas Clinton. Në ditën e zgjedhjeve kjo ka hyrë me 3-4 pikë përparësi.

"Me gjasë keni dëgjuar njerëzit të flasin për atë se a mund të ketë votë të fshehur për Trump. Nuk është e fshehur. Ka njerëz që thonë se ky vend është duke shkuar në drejtim të gabuar e të cilët nuk janë duke u deklaruar për të, tashti", e kisha dëgjuar të thotë John McLaughlin, CEO i McLaughlin and Associates, një firmë e specializuar për anketa dhe hulumtime në një takim me gazetarë të huaj si puna ime, që po mbulonim zgjedhjet në Amerikë. "Ata mund të jenë 10 deri në 12 për qind e elektoratit".

Trump ishte kandidat më i papërshtatshëm dhe më i pafavorshëm për t'u bërë president. Dhe kjo gëzonte edhe firmat e specializuara të sondazheve, nga perspektiva liberale (prodemokratike), si ajo e Jefrey Pollock, për dallim nga McLaughlin, që i takonte perspektivës konservative (prorepublikane) që bëjnë sondazhe.
"Nëse shihet historia e industrisë së sondazheve, me shumë herë ia kemi qëlluar sesa kemi gabuar", tha Pollock, themelues dhe president i "Global Strategy Group" tha ai, kur u pyet nga Klan Kosova. "Historia e sondazheve ende është në favor tonin dhe shpresoj që, për hir të vendin tonë, sondazhet të jenë OK edhe nesër",.
Ai po qeshte kur i thoshte këto gjëra. Ishte i bindur në fitoren e Clinton dhe nuk e fshehte këtë aspak, pavarësisht se e dinte që votuesit e padeklaruar, ata të fshehurit, mund ta kenë njëfarë ndikimi. Por jo të madh, sipas tij.

E këta, tash pas fitores së Trump, kanë nisur të "qelen".

"Sot po vjen era liri", më tha një i bardhë, qe e takova mëngjesin e të mërkurës. "Latinos dhe zezakët na kanë lodhur. Nuk punojnë gjë dhe menjëherë ankohen për diskriminim".

Kur më tha kështu, u binda për shumicën e heshtur, si puna e tij. Edhe më shumë kur e bëra pak muhabet me një femër në ashensorin e hotelit.

"Si po ndihesh sot me Trumpin president?", e pyeta unë.

"Foli shumica e heshtur", më tha ajo shkurt.

Mu kujtua burri me parullën në tubimin e Trump në Wilmington.

E kush janë këta shumicë e heshtur në Amerikë?

Shpjegimin më të mirë për këtë e dëgjova nga Christina Greer, një profesoreshë e shkencave politike të cilën pata mundësi ta takoj në një ngjarje të organizuar nga Zyra për Shtypin e Huaj të Departamentit të Shtetit, të hënën në New York.

"Krejt Amerika është e kuqe", tha jo. "Çështja është se a ka mjaft qytete të kaltra në shtetet e kuqe për t'ua ndryshuar ngjyrën".
E kuqja në Amerikë është ngjyrë e republikanëve. E kaltërta për republikanët.

Të martën, nuk pati mjaft qytete të kaltra.

Trump fitoi. Falë shumicës së kuqe, që po heshte ose nuk po tregohej e sinqertë, në sondazhet e mëhershme. Ajo foli të hënën, me vota të përnjëmendta.

(Autori është drejtor i Informacionit në Klan Kosova)

The post Shumica e heshtur e Amerikës së Donald Trumpit appeared first on Ekonomia Online.

AGK: Raporti i Progresit vërteton gjendjen e rëndë të gazetarëve

Posted: 09 Nov 2016 08:26 AM PST

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit, i cili edhe gjatë këtij viti ka vërejtur ngecje në lirinë e shprjes dhe lirisë së medieve.

AGK thotë se liria e shprehjes dhe liria e mediave janë të drejta të garantuara në vendin tone, por fatkeqësisht AGK vlerëson se si shoqëri jemi duke u ballafaquar me shkelje të kësaj të drejte të garantuar edhe me Kushtetutë.

Në vazhdim mund ta lexoni reagimin e plotë të AGK-së:

Liria e shprehjes dhe liria e mediave janë të drejta të garantuara në vendin tonë. Por fatkeqësisht ne si shoqëri jemi duke u ballafaquar me shkelje të kësaj të drejte të garantuar edhe me Kushtetutë.

Ndonëse gjatë gjithë vitit kemi kërkuar respektim të lirisë së shprehjes, situata nuk ka ndryshuar për të mirë. Sërish Raporti i Progresit, veçon ngecjet e Kosovës në këtë fushë.

Ne jemi të shqetësuar me të gjeturat e raportit të progresit sa i përket lirisë së shprehjes dhe ambientit në të cilin punojnë gazetarët në vendin tonë.

Raporti veçon sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve për të cilat Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngritur zërin kundështues në vazhdimësi. Te gjeturat e Raportit të Progresit janë vetëm disa prej shqetësimeve tona që i kemi si komunitet. Por me e rëndësishmja është mungesa e trajtimit dinjitoz të gazetarët nga mediat. Ashtu siç theksohet edhe në Raportin e Progresit, një numër i caktuar i kolegëve gazetarë vazhdojnë të punojnë pa kontrata dhe shpesh herë janë pre e cenzurës në vendet e tyre të punës.

Duke parë nevojën e përmirësimit të situatës kërkojmë angazhim të menjëherëshm të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.

The post AGK: Raporti i Progresit vërteton gjendjen e rëndë të gazetarëve appeared first on Ekonomia Online.

Këto gjëra asnjëherë nuk duhet t’ia tregoni shoqeve për lidhjen tuaj

Posted: 09 Nov 2016 08:17 AM PST

Është tejet natyrale dhe normale të flisni me shoqet e ngushta se çfarë po ndodhë me lidhjen tuaj, por ka disa gjëra të cilat ekspertët e lidhjeve mendojnë se më mirë është të mbesin mes juve dhe partnerit tuaj.

Kur po përjetoni një krizë seksuale…

A ka disa muaj ose javë që nuk keni bërë seks me partnerin? Nuk e dini përse, por për shkak të frustrimit e ndjeni nevojën t'ia shprehni brengat ndonjë shoqeje? Më mirë jo, mbajeni për vete!

Sipas ekspertëve, ky lloj komenti e normalizon një problem i cili duhet të adresohet, transmeton Telegrafi.

Veç tjerash, jeta seksuale është shumë private dhe kjo duhet të respektohet.

Kur partneri jua tregon fantazinë seksuale

Në sezonin e tretë të se-rialit "Friends", një episod i tërë i kushtohet momentit kur Rachel i tregon shoqes së saj Phoebe rreth fantazisë së partnerit të vet (Ross) për Princeshën Leia – dhe Rossi gjatë tërë se-zonës është i zemëruar se përse ajo e ka ndarë këtë sekret.

Pra, siç e shpjegojnë edhe tera-pistët e seksit, shumica nga ne kemi fantazi me të cilat nuk ndjehemi komod, pra është tejet intime kur dikush ua tregon fantazinë.

Assesi mos i tregoni dikujt për fantazitë seksuale të partnerit sepse vetëm sa do të nxitni probleme.

The post Këto gjëra asnjëherë nuk duhet t'ia tregoni shoqeve për lidhjen tuaj appeared first on Ekonomia Online.

Grabovci i Epërm shndërrohet në “liqen”

Posted: 09 Nov 2016 08:17 AM PST

Reshjet e mëdha të shiut që kanë përfshirë vendin tonë kanë bërë që disa fshatra të rrezikohen seriozisht nga vërshimet.

Grabovci i Epërm i komunës së Obiliqit, sikur shihet nga këto fotografi të dërguara nga një banor në adresë të Ekonomia Online, pasqyrojnë gjendjen e rëndë të krijuar pas vërshimeve në këtë fshat.

Vendi i njohur si "Guri i Plakës", përskaj rrugës që përshkon këtë fshat, i përngjan një liqeni të vërtetë.

B. Mjeku, banor i këtij fshati, tha se organet kompetente duhet të intervenojnë dhe sanojnë këtë problem, ngase vërshime ndodhin çdoherë kur të reshurat janë më të mëdha, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica.

image-0-02-05-5539344fe757080929bdc4c9ba593989c05f9d8f91c87f1643caadda32f254b1-v

image-0-02-05-79277b70d032a20d5a783877b46c5b92b924129421099e9fcfe045a06289641b-v

image-0-02-05-0cc9c9428abea666e2477e6b27e3b4602f148a5cc6fcf48ec42142c05bee09c6-v

The post Grabovci i Epërm shndërrohet në “liqen” appeared first on Ekonomia Online.

Gjilani subvencionoi më shumë se 4 mijë fermerë

Posted: 09 Nov 2016 08:12 AM PST

Sektori i bujqësisë në Komunë e Gjilanit si fushë e punësimit është model për gjithë Kosovën. Andaj vetëm gjatë këtij viti Gjilani i ka subvencionuar më shumë se 4 mijë fermerë. kështu ka bërë të ditur drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, përmes një konference për media.

Ai ka theksuar se nga janari e deri më tani, projektet për sektorin e bujqësisë janë të pandalshme dhe që të gjitha në kuadër të zhvillimit të Gjilanit, që më së miri arrihet përmes investimit dhe përkushtimit në fushën e gjerë dhe mundësitë e mëdha që jep bujqësia.

Ramadani ka paralajmëruar, po ashtu, që projektet dhe programet për bujqësinë janë të vazhdueshme, raporton Ekonomia Online.

"Pranverën e kemi filluar me projektin e mjedrës ku janë përzgjedhur 39 përfitues me sipërfaqe prej 10 hektarë, në një vlerë financiare prej 60 mijë euro. Pastaj subvencionimi i mbjelljeve pranverore në vlerë prej rreth 15 mijë euro", ka bërë të ditur Ramadani.

Më tej ai ka përmendur projektin e një rëndësie të veçantë, atë të ndërtimit të serrave, i cili kap një shifër prej mbi 23 mijë euro.

Drejtori Ramadani ka thënë se bashkëpunimi me donatorët vetëm në fushën e bujqësisë Gjilanit i ka sjellë mbi 100 mijë euro investime, duke nisur që nga mbështetja e 56 fermerëve me mekanizim bujqësor, prej organizatës gjermane "HELP", pastaj "TIKA" me pajisje bujqësore, financimi i projekteve nga BE dhe Care International dhe shumë donatorë të tjerë, të cilët, janë partnerë të fuqishëm në rrugën e përbashkët të zhvillimit të bujqësisë.

"Projekti i mbjelljes së mjedrës, serrat, mini-gradet për fermerë, pajisjet bujqësore, bimët aromatike, centrifugat elektrike, makinat elektrike, mekanizimi bujqësor janë disa nga aktivitetet e përbashkëta të realizuara me donatorët dhe fermerët. Dhe kur i shtojmë kësaj angazhimin për korrje shirje, financimin e mbjelljeve pranveriore dhe atyre vjeshtore vlera rritet gjithnjë e më shumë", ka shtuar drejtori Ramadani.

"Të gjithë sektorët në Komunën e Gjilanit janë potencial i fuqishëm i zhvillimit. Pemëtaria dhe perimtaria, mbeten ende mundësi të mëdha për fermerin gjilanas. Kapacitetet e vlerësuara përpunuese dhe prodhuese dëshmojnë se mjedra dhe rritja e sipërfaqeve me vishnje, janë mundësi të mëdha për bujkun e kësaj Komune, që me mbështetjen e USAID-it, kjo do të jetë më e lehtë dhe mundësi shumë e madhe për një ndryshim të gjendjes në këtë drejtim", ka thënë në fjalën e tij Ramadani.

Ndryshe, të suksesshëm sipas drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë, janë treguar edhe sektori i Pylltarisë dhe sektori i Inspeksionit për Bujqësi dhe Veterinari.

ramiz-ramadani

 

The post Gjilani subvencionoi më shumë se 4 mijë fermerë appeared first on Ekonomia Online.

Related Posts :