Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Lajmi.net: “Kanadaja kërkon 300 mijë emigrantë: Ja profesionet dhe kriteret” plus 8 more

loading...

Lajmi.net: “Kanadaja kërkon 300 mijë emigrantë: Ja profesionet dhe kriteret” plus 8 more


Kanadaja kërkon 300 mijë emigrantë: Ja profesionet dhe kriteret

Posted: 01 Nov 2016 11:48 PM PDT

Kanada, foto ilustrim

Në vitin 2017, vendi do të hapë dyert dhe do të pranojë 300 mijë emigrantë, edhe pse rekomandimet ishin për rritje të numrit të tyre në mënyrë që vendi të ketë më shumë fuqi punëtore dhe rritje ekonomike.

Qeveria tha se baza e pranimeve do të jetë fillimisht 300,000 si banorë të përhershëm dhe shumica e tyre që do të përzgjidhen do të jenë emigrantë ekonomikë.

Këtë vit, sikurse ka ndodhur që nga 2011, Kanadaja ka pranuar 259 mijë shtetas të huaj, ndaj për ministrin e Emigracionit John McCallum duke e bërë objektivin e përvitshëm 300,000 është një themel i fortë.

Ashtu si shumë vende të zhvilluara, Kanadaja ka një popullsi prej 35 milionë banorësh, por shumica në plakje, çka përbën një sfidë për rritjen ekonomike. Një këshille ekonomike e rekomanduar së fundmi për vendin, ishte që Kanadaja të rriste objektivin e saj vjetor të emigracionit për 450,000 gjatë pesë viteve të ardhshme.

Lidhur me këtë shifër, ministri i Emigracionit tha se ishte e mundshme, por jo për vitin 2017. Ndërsa numri i emigrantëve ekonomikë do të rritet ndjeshëm, numri i refugjatëve që do të pranohen do të ulet po ashtu ndjeshëm nga 56 mijë në 40 mijë azilantë.

Rregullorja

Sipas rregullores që ka përcaktuar qeveria kanadeze, aplikimi kalon nëpër disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret edhe vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit.

Intervista zhvillohet në Konsullatën Kanadeze midis një oficeri të imigracionit kanadez dhe aplikantit. Pas përfundimit me sukses të saj duhet që aplikanti të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej Qeverisë Kanadeze. Ky kontroll duhet të bindë Ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore.

Disa Ambasada pas marrjes së rezultatit të analizave mjekësore i kërkojnë aplikantit të transferojë fonde të mjaftueshme monetare në një llogari bankare në Kanada të hapur në emër të tij.  Nga ana tjetër, që Ambasada të marrë vendimin përfundimtar, pra lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.

Profesionet

Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësoni formularët e duhur, në bazë të interesit që ju keni. Nëse jeni një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk keni një ofertë pune, atëherë duhet të pajiseni me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin në të cilin ju dëshironi të punoni. Ekziston një listë prej 520 lloje punësh.

Profesionet më të kërkuara janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistentë socialë, elektricistë, hidraulikë dhe ndërtues. Pasi të keni identifikuar profesionin, do t'i nënshtroheni një testimi, ku duhet të grumbulloni të paktën 67 pikë ndaj 100 pikëve të mundshme.

.

15 ditë errësirë në nëntor? Ja e vërteta

Posted: 01 Nov 2016 11:33 PM PDT

Zërat nisën të përhapen me shpalljen se në muajin nëntor, Toka do të përjetojë 15 ditë errësirë totale apokaliptike. Disa besimtarë i kapi paniku, me të dëgjuar zërat që përmendnin "errësirën totale". Sipas po këtyre zërave, errësira do të ndodhë në 15 nëntor.

Megjithatë, ekspertët nxituan që të hedhin poshtë lajmin, duke thënë se spekulimet për errësirën totale janë një mashtrim, pavarësisht se njerëzit pretendojnë që kjo gjë mund t'i atribuohet "paralelizmit" të Venusit dhe Jupiterit, një ndodhi e natyrshme qiellore. Ekspertët thonë që, ndonëse mund të shkaktojë disa shfaqje qiellore të mahnitshme, e sigurt është që nuk do të shkaktojë errësirë totale.

NASA dhe ekspertët e quajnë këtë fenomen "bashkimi" i Venusit dhe Jupiterit. Kjo gjë ndodh kur dy planetët i afrohen shumë njëri-tjetrit me vetëm "një të pesëmbëdhjetën gradë" larg mes tyre. Këtë vit, "bashkimi" ndodhi për herë të fundit në 27 gusht./Bota.al/

.

Përkujtohen dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Posted: 01 Nov 2016 11:13 PM PDT

Në ora 11:00 bëhen homazhe në fshatin Llugë, te Obelisku i Heroit te Kombit Afrim Zhitia.Në ora 12:00 bëhen homazhe te përmendoret e heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu në fshatin Llaushë. Në ora 14:00 bëhen nderime në Breg të Diellit në vendin ku kanë rënë heroikisht heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.  Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Besianës.

Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Në vitin 1981-1982 shkon në shërbimin ushtarak, dhe pas kthimit nga shërbimi ushtarak u punësua si dispeçer i trenave në Organizatën Hekurudhore "Prishtina", ku këtu edhe ishte personi i parë që urdhëresat do t'i shkruajë në gjuhën shqipe.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në fshatin Llugë të Besianës ndërsa Shkollën fillore e kreu në vendlindje, e të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës.

Kurse, më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg. Më 2 nëntor të dy bashkë Afrimi dhe Fahriu u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit dhe pas një lufte disa orësh që bënë me forcat pushtuese ranë në altarin e lirisë.

.

Horoskopi, 2 nëntor 2016

Posted: 01 Nov 2016 11:05 PM PDT

Horoskopi

Dashi – Do jeni shume me tolerante sot ju te dashuruarit dhe marrëdhënia me partnerin ka për te qene e jashtëzakonshme. Mes jush nuk ka për te ndodhur asgjë e keqe, përkundrazi. Beqaret do kenë plot takime, por asnjeri prej tyre nuk do përfundojë ne lidhje afatgjate. Me financat duhet te tregoheni sa me vigjilente, pasi ne te kundërt situata mund t’iu dale jashtë kontrollit.

Demi – Do kërkoni sa me shume qetësi ne jetën tuaj ne çift gjate kësaj dite. Yjet do ju gjenden gjithë kohës pranë dhe do ua plotësojnë te gjitha dëshirat. Beqaret do realizojnë disa takime fantastike me persona mjaft inteligjente. Jeta e tyre do ketë edhe me shume emocione. Dielli do ketë ndikim pozitiv tek financat dhe gjendja do jete e shkëlqyer. Mund te bëni edhe ndonjë investim.

Binjakët – Sot do jete dita e vendimeve te mëdha për ju qe jeni ne një lidhje. Nëse keni pasur debate te forta kohet e fundit, mund te mendoni edhe për një ndarje përfundimtare. Ata qe kane një marrëdhënie te qete do mendojnë për gjera me serioze. Edhe beqaret do jene me shume fat ne dashuri. Buxhetin do e riorganizoni me se miri kështu qe gjendja do mbetet e qëndrueshme.

Gaforrja – Dite shume e qëndrueshme do jete kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do jeni te logjikshëm dhe me maturi do i zgjidhni disa hatërmbetje te se shkuarës. Beqaret do fillojnë një lidhje, por ajo nuk do zgjate aq sa ata e kane ëndërruar. Buxheti nuk do jete ne gjendjen me te mire kështu qe mos ndërmerrni hapa për te cilat mund te pendoheni shpejt.

Luani – Dite e bukur dhe e mbushur me momente te këndshme do jete kjo e sotmja për te dashuruarit. Çdo gjë do ju ece për mrekulli dhe nuk do keni për çfarë te ankoheni. Beqaret nuk duhet t’i refuzojnë te gjitha ftesat qe do ju bëhen sepse me vone do pendohen. Financat duhet t’i mbani gjate gjithë kohës nen kujdes sepse po filluan problemet nuk do i ndalni dot.

Virgjëresha – Do merreni vesh me se miri me partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe te gjithë do ju kenë zili. Shume do ju adhurojnë për mënyrën e komunikimit dhe për tolerancën ndaj njeri-tjetrit. Beqaret as qe do e kenë mendjen tek krijimi i një lidhjeje sepse do jene te angazhuar me pune. Financat do jene shume here me te mira nëse arrini t’i menaxhoni si duhet shpenzimet e nevojshme.

Peshorja – Dite fantastike do jete kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Gjithçka ka për te ecur për mrekulli mes jush dhe atij qe keni ne krah kështu qe ne çdo moment do përjetoni emocione. Edhe për beqaret jeta do marre një tjetër drejtim. Buxheti do jete me i mire se disa dite me pare, por kjo nuk do te thotë qe ju te kryeni shpenzime te ekzagjeruara vetëm për t’i bere qejfin vetes.

Akrepi – Perspektivat për jetën tuaj ne çift duken te jene te mira sot. Mes jush dhe partnerit do mbizotërojë harmonia, qetësia dhe mirëkuptimi. Beqaret do jene mjaft kërkues dhe nuk do arrijnë dot ta gjejnë një person qe do ju përshtatet ne çdo pike. Ne planin financiar, disa miq, do ju ndihmojnë t’i kaloni problemet sa hap e mbyll sytë. Do jeni shume here me te qete.

Shigjetari –  Dite e zakonshme dhe fatmirësisht pa probleme do jete kjo e sotmja. Me partnerin do ndiheni gjithmonë mire dhe nuk do keni aspak probleme. Beqaret duhet te presin ende për te pasur ndryshime te statusit, pasi sot nuk do jete dita më me fat. Financat do jene goxha te mira, por kjo nuk do te thotë qe ju te shpenzoni shuma marramendëse dhe te mos ruani para për me vone.

Bricjapi – Do ndiheni mjaft mire me partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe tashme do jeni gati te hidhni edhe hapa me tej me te. Çdo gjë për ju do jete fantastike. Beqaret do ndihen mire edhe ashtu si janë dhe nuk do kërkojnë me ngulm ndryshime rrënjësore. Financat do jene shume here me te mira kështu qe mund te kryeni pa frike edhe disa shpenzime me tepër nga zakonisht.

Ujori – Dita e sotme nuk do jete shume e mire për ata qe janë ne një lidhje. Do keni goxha mosmarrëveshje me partnerin tuaj dhe ne një moment do mendoni edhe t’i jepni fund gjithçkaje. Beqaret do flirtojnë gjate gjithë kohës me disa persona dhe do joshin këdo qe do ju pëlqejë. Shume gjera kane për te qene ndryshe për ta. Financat nuk do jene te shkëlqyera, por te qëndrueshme.

Peshqit – Sot do hidhni ju hapat për t’u pajtuar me partnerin. Do i kuptoni gabimet qe keni bere dhe do gjeni mënyrat e përshtatshme për te kërkuar falje. Beqaret do kenë një dite tejet pasionante edhe pse jo te gjithë do fillojnë lidhje serioze. E rëndësishme është qe do ndihen mire. Buxheti do jete i mire kështu qe përfitoni nga rasti për te shlyer edhe disa borxhe te hershme.

.

Clinton udhëheq me vetëm 2 për qind ndaj Trumpit

Posted: 01 Nov 2016 11:02 PM PDT

Clinton

Clinton shkoi në shtetin e Floridës, në tre qytete të ndryshme. Florida është me rëndësi të veçantë për garën dhe Trump ka pranuar se që të sigurojë fitoren e zgjedhjeve të javës së ardhshme, atij i duhet fillisht të fitojë Floridën.

Disa anketa të kohëve të fundit tregojnë se Trump udhëheq me 1 për qind garën në këtë shtet, por mbetet ende i paqartë rezultati, në kushtet kur të dy kandidatët janë duke kryer vizita të shumta në këtë shtet gjatë ditëve të fundit para zgjedhjeve.

Trump vizitoi të martën dy shtete, ku Clinton ka kryesuar ndjeshëm garën: shtetin lindor të Pensilvanisë dhe atë qendror të Uiskonsinit, me shpresën për t'i ndryshuar votuesve mendimin në favor të tij; të mërkurën ai shkon përsëri në Florida.

Anketat në rang kombëtar vazhdojnë të tregojnë Hillary Clintonin si kryesuese të garës me Donald Trumpin, me 2-4 për qind.

Megjithatë, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga rezultati në secilin prej 50 shteteve dhe kryeqytetit Uashington: shtetet më të mëdha kanë më tepër peshë në rezulatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Bazuar në rezultatet e secilit prej shteteve, kandidatit fitues i duhet të sigurojë të më shumë se 270 prej 538 votave të Kolegjit Elektoral.

Megjithëse anketat tregojnë për një fitore jo me shumicë të konsiderueshme të votës popullore nga zonja Clinton, analistët thonë se ajo pritet të fitojë bindshëm prej Kolegjit Elektoral.

Studjuesi i shkencave politike Alan Abramowitz, i tha Zërit të Amerikës se nuk sheh që ndonjëri prej 19 shteteve plus Uashingtonin, të cilët kanë së bashku 242 vota elektorale dhe që kanë votuar për kandidatët demokratë në 6 zgjedhjet e fundit presidenciale, që të ndryshojnë mendimin e tyre, duke votuar për zotin Trump.

Në se kjo pikëpamje materializohet, Hillary Clintonit do t'i nevojiteshin vetëm 28 vota elektorale më tepër për t'u bërë presidentja e 45-të e Shteteve të Bashkuara.

Kjo është arsyeja përse Florida, me 29 vota elektorale, një shtet shumë i rëndësishëm për zgjedhjet, do të ishte e mjaftueshme që Clinton të fitojë zgjedhjet, në se ajo fiton në të gjitha shtetet që votojnë për demokratët që nga viti 1992.

.

Konica në “New York Times”: Ju rrëfej krimet e grekëve ndaj çamëve

Posted: 01 Nov 2016 11:00 PM PDT

Faik Konica

Prej disa kohësh, ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, gjë që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen së Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërisë. Porse, a nuk ka thënë, njëherë, një autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata janë të "paartikuluar"? Kërkesave të përsëritura unë u jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës. Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë.

Ata e dinë që unë kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke, që bën pjesë në krahinën e vënë në diskutim; kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme. Ata mendojnë se askush tjetër, më mirë se unë, nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më përmendin vazhdimisht se, si drejtues i rinisë, unë njëherë e një kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj, ndonëse me lëkundje, vendosa ta thyej heshtjen dhe t'i paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull.

(I)

Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekët kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë "kontinent"; në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël, përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën "kontinenti", me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon, gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk, përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër.

Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, "Fjalori i antikiteteve klasike" të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull "në zanafillë banohej nga ilirët". Kurse ata, që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin "Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë", do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek. Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar; deri edhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që "banorët e Epirit janë shqiptarë". Pak nga pak, depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë.

(II)

Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtrembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak! Autoriteti që na e njofton këtë mizori është një grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë Perandorake Bizantine, me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Siç thotë Dukasi, një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte t'u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t'i linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t'i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë, nën flamurin e armëpushimit, i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.

Siç e thotë historiani, ambicia e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrasës. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shumë prej tyre në qytet. Së fundi, thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë "të zbrazte" Janinën nga banorët e rrënjës. Natyrisht, zor se mund të shpikte një metodë më të efektshme për të ndryshuar përbërjen etnike të një vendi, porse "të drejta" të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në formën më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380, dhe në pak vite më parë.

Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila, ndërkaq, ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t'u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikëqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greqisht. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë, me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore. Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Ëian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe, sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Ëien. Në traktatin e Ajzenburgut, të nënshkruar më 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve.

(III)

Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t'i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë. Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.

Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.

Një nga marifetet më të padëgjuara të grekëve ka qenë dhënia e rryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje, edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t'i degdisnin në burgje të largëta.

(IV)

Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t'ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin "Njëzet vjet ngatërresa ballkanike", Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.

Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eliminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti. Një rast i rrallë iu paraqit grekëve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t'i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t'i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.

Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizuara. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta.

Ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studiues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusian, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë, ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri). Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?

Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjesëtim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë.

E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

(V)

Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonjë mund të kundërshtojë se, megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekët, ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar; kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re, nuk tingëllon aq mirë. Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme.

Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t'i bërë bisht çështjes. Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti është i qartë: Italia ka këtu një përgjigje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Cezarit.

(Faik Konica, "Ju rrëfej grekët", botuar në "New York Times", më 1940) /Tirana Observer/

.

Tri arsye pse duhet të dashuroheni me një djalë më të shkurtër

Posted: 01 Nov 2016 05:46 PM PDT

Ka shumëçka përtej përmasave trupore.

Por ju sigurojmë se nëse i jepni një mundësi vetes dhe atij, do të filloni të kuptoni se ka disa gjëra shumë më të rëndësishme, të cilat sipas studimeve nuk ua japin meshkujt më të gjatë.

1. Djemtë që ndihen mirë me gjatësinë tuaj ndihen mirë edhe me intelektin, ambicien, talentin tuaj.

Nëse nuk ia ndjen për gjykimin e të tjerëve, do të thotë se ju vlerëson për atë çka jeni.

2. Ju ndihmon të tejkaloni pasiguritë mbi përmasat tuaja

Shumica e vajzave të gjata kanë "kompleksin e madhësisë". Por një partner më i shkurtër do t'ju mësojë t'i shikoni gjërat përtej përmasave, përfshirë veten tuaj.

3. Studimet thonë se meshkujt më të shkurtër përfshihen më shumë në çështjet e shtëpisë

Që nga pastrimi e deri tek të ardhurat financiare, sipas studimeve meshkujt e shkurtër janë më të prirur t'ju ndihmojnë. Ata shkojnë përtej mendësive tradicionale të tipit "burri për punët jashtë, gruaja brenda".

Burimi: "Cosmopolitan"

 

.

Si të pastroni njolla të ndryshme me disa përbërës të thjeshtë

Posted: 01 Nov 2016 05:44 PM PDT

Në këtë shkrim Living do të ndajë me ju disa këshilla si të pastroni disa lloje njollash nga tapeti duke përdorur përbërës të thjeshtë që mund të keni në shtëpi.

1. Njollat e kafesë dhe çajit
Për këto njolla thjesht përdorni uthull të bardhë përzier me ujë. Ju mund të përdorni një leckë të pastër, sfungjer ose peshqir për të pastruar njollën.

2. Urinë apo të vjella kafshësh
Nëse një njollë e tillë është e vështirë për t'u hequr me leckë të njomur vetëm me ujë, ju mund të aplikoni pak sode buke në zonën e ndotur. Soda e bukës është një përbërës i fuqishëm i njohur për heqjen e njollave dhe pastrimin e tapicerive nga mikrobet.

3. Çamçakëz
Kjo njollë mund të hiqet nga tapeti apo copa e divanit duke e fërkuar me një kub akulli.

4. Manikyr , bojë
Thjesht përzieni një lugë e gjysmë uthull me detergjent dhe ujë në një legen, dhe fërkoni qilimin me një sfungjer.

.

Kush punon në kompjuter ka nevojë për këtë vitaminë

Posted: 01 Nov 2016 05:42 PM PDT

Sytë harxhojnë shumë rodopsinë, pigment fotosensitiv, që është i nevojshëm për të parë sa më mirë. Vitamina A luan rol të rëndësishëm në prodhimin e rodopsinës.

Njerëzit të cilët duhet ta zvogëlojnë marrjen e yndyrave dhe kolesterolit, mund të hanë ushqim në të cilin ka më shumë beta-karotene.

Ato janë të pranishme në shumicën e perimeve, pastaj në pemët siç janë kumbullat e thata, pjepri, pjeshka dhe mango.

Këshilla për ata që punojnë në kompjuter:

1. Ruani pjerrësinë e tastierës, kur lexoni dhe shkruani.

2. Për të pasur një qëndrim të mirë, krijoni pjerrësinë në lexim ose shkrim, të ngjashme me bankat e shkollës. Pjerrësia duhet të jetë 20 gradë.

3. Sfondi përtej ekranit të mos jetë asnjëherë krejt i errët. Të mos ketë reflekse në ekran kontrasti dhe drita e ekranit të rregullohen në vlera mesatare.

4. Ekrani duhet të jetë rreth 50–60 cm larg syve.

5. Mundësisht të përdoret filtër për ekranin kundër reflekseve.

6. Të rrotullohen sytë në ambientin përreth ose të paktën çdo një orë të bëhet një pushim prej 15 minutash.

7. Punoni me dritë natyrale sa më shumë.

.

Related Posts :