Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Mesazhi.com: “Mustafa me Lunaçekun flasin për demarkacionin dhe vizat” plus 9 more

loading...

Mesazhi.com: “Mustafa me Lunaçekun flasin për demarkacionin dhe vizat” plus 9 more


Mustafa me Lunaçekun flasin për demarkacionin dhe vizat

Posted: 10 Nov 2016 09:33 AM PST

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është takuar me eurodeputeten Ulrike Lunaçek me të cilën ka biseduar për rrugën integruese evropiane.

Kryeministria ka njoftuar se Mustafa njoftoi Lunaçekun për implementimin e MSA-së, masat që po ndërmerren në zhvillimin e mëtejmë ekonomik, implementimin e reformave në fusha të ndryshme, strategjitë zhvillimore, qëndrueshmërinë buxhetore si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetit ligjor e luftën kundër korrupsionit.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për Agjendën e Reformave Evropiane, e cila u miratua një ditë më parë në Qeverinë e Kosovës.

Ata biseduan edhe për demarkacionin dhe për liberalizimin e vizave për kosovarët.

"Mustafa e Lunaçek biseduan edhe për domosdoshmërinë e adresimit të çështjes së demarkacionit, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës të mos iu pamundësohet edhe më tutje lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian", thuhet në njoftim.

The post Mustafa me Lunaçekun flasin për demarkacionin dhe vizat appeared first on Mesazhi.com.

Vetëvendosje bojkoton zgjedhjet për kryetar të Drenasit

Posted: 10 Nov 2016 09:21 AM PST

Lëvizja Vetëvendosje në Drenas bën të ditur se nuk do të marrë pjesë fare në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 4 dhjetor në këtë komunë.

Në një konferencë mbajtur sot kryetari i degës së VV-së në këtë komunë Shemsi Elezi arsyetoi vendimin e VV-së duke thënë se vendimi është marrë pas konsultimeve me anëtarësinë dhe strukturat e Lëvizjes.

"Sepse nuk duam të përfitojmë politikisht nga një dënim i padrejtë gjyqësor. Ne nuk e mbështesim asnjë kandidat të subjekteve tjera, ngase mendojmë se asnjëri nga ta nuk mundën të bëjnë ndryshime pozitive. Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen për të përfunduar mandatin e kryetarit, që mund te jetë vetëm disa muajsh", ka thënë kryetari Elezi.

The post Vetëvendosje bojkoton zgjedhjet për kryetar të Drenasit appeared first on Mesazhi.com.

Kurdët në Siri kanë braktisur shtëpitë për shkak të kërcënimeve të PKK-së (PYD-së)”

Posted: 10 Nov 2016 08:28 AM PST

Vëzhguesi politik i kurdve sirian, Selah Bedreddin, ka theksuar se për shkak të kërcënimeve nga organizata terroriste PKK, 60% e kurdëve në Siri kanë braktisur shtëpitë dhe janë strehuar në rajone të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për faqen e internetit të Partisë Demokratike të Kurdistanit, Bedreddin ka vlerësuar se ” PKK-ja (PYD) ushtron torture duke i mbajtur civilët. Gjendja është shumë e keqe. Për shkak të kësaj politike të gabuar, 60% e banorëve në Roajava (në veri të Sirisë) kanë braktisur shtëpitë dhe kanë rënë në statusin e refugjatëve. Njerëzit nuk kanë ikur nga regjimi i Asadit, por nga kërcënimet e PKK-së”.

The post Kurdët në Siri kanë braktisur shtëpitë për shkak të kërcënimeve të PKK-së (PYD-së)” appeared first on Mesazhi.com.

Thaçi – Jonsonit: Rajoni është i kërcënuar nga vonesa e BE-së

Posted: 10 Nov 2016 07:39 AM PST

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson.

Thaçi e ka vlerësuar lart vizitën e kryediplomatit britanik dhe mesazhet e tij të dhëna në Kosovë dhe rajon.

"Rajoni nuk ka destinacion tjetër përveç BE-së. Ne jemi të inkurajuar që të vazhdojmë rrugën e integrimit në NATO dhe BE. Por, jemi të kërcënuar nga vonesa e BE-së, që po i krijon hapësirë të tjerëve të shtrijnë ndikimin në rajon", ka thënë presidenti Thaçi.

Kryediplomati britanik, Boris Johnson, ka shprehur përkrahje për aspiratën e tërë rajonit për anëtarësim në BE.

"Mbështesim angazhimin për bashkëpunim të mirë ndërfqinjësor në rajon", ka thënë ai.

Presidenti Thaçi dhe kryediplomati Johnson kanë biseduar edhe për ndërtimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjithë sektorët ndërmjet Kosovës dhe Britanisë.

The post Thaçi – Jonsonit: Rajoni është i kërcënuar nga vonesa e BE-së appeared first on Mesazhi.com.

Kosova përgatitet për Turqinë

Posted: 10 Nov 2016 07:38 AM PST

FFK ka njoftuar se përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur sot seancën e dytë në Turqi, para ndeshjes ndaj këtij shteti në kualifikimet për Botërorin "Rusia 2018".

Sipas njoftimit, përzgjedhësi Albert Bunjaki ka aplikuar lojë për të forcuar mbrojtjen, por edhe kundërsulmet.

FFK njofton se interesimi i medieve turke është i madh, e në disa media pati edhe transmetim të drejtpërdrejtë.

Kosova luan ndaj Turqisë më 12 nëntor prej orës 18:00.

The post Kosova përgatitet për Turqinë appeared first on Mesazhi.com.

Turqia do ta mbështesë zhvillimin e FSK-së

Posted: 10 Nov 2016 07:07 AM PST

Ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës, Haki Demolli, ka takuar në Stamboll ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Fikri Isik.

Në takimin e dy ministrave, Demollit dhe Isik, u bisedua rreth bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, si dhe rolin dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi.

Sipas njoftimit, ministri Demolli falënderoi Ministrin turk të Mbrojtjes, për kontributin që ka dhënë dhe po jep në drejtim të zhvillimit, profesionalizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimit të kapaciteteve të saj me përkrahje logjistike dhe të ekspertëve, si dhe mbështetjen në fushën e trajnimeve, shkollimeve dhe stërvitjeve të pjesëtarëve dhe njësive të FSK-së.

Gjithashtu, ministri Demolli theksoi se përkrahja, mbështetja dhe kontributi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Turqisë për Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në është mjaft i rëndësishëm, dhe se ky bashkëpunim dhe kjo mbështetje, për të cilën ka gatishmëri nga pala turke, duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Fikri Isik, u shpreh se Ministria e Mbrojtjes së Republikës të Turqisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për FSK-në në rrugën e zhvillimit të saj, e gjithashtu do mbështesë Republikën e Kosovën për anëtarësimin në iniciativa dhe organizma ndërkombëtare të sigurisë.

The post Turqia do ta mbështesë zhvillimin e FSK-së appeared first on Mesazhi.com.

Zyrtarë të FBI-së vizitë në Kosovë

Posted: 10 Nov 2016 06:04 AM PST

Atashetë për çështje ligjore në zyrën e FBI-së, Jack H. Liao, Daniel J. Yocca, dhe Andreë de la Rocha po qëndrojnë në Kosovë me ç'rast janë pritur nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Ky takim u mbajt në kohën kur pritet të nënshkruhet Marrëveshja për Shkëmbimin e Informacionit për Verifikimin e Terrorizmit, në mes të Kosovës dhe SHBA-së dhe në kohën kur ky ekip i FBI-së, i cili mbulon Republikën e Kosovës, po e ndryshon selinë, ku nga Sarajeva do të vendosen në Sofje të Bullgarisë. Gjatë këtij takimi zëvendësministri Hoxha i informoi zyrtarët e FBI-së lidhur me mekanizmat e ndërtuar në funksion të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme, ndërtimin e legjislacionit primar, sekondar, Strategjitë Kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal.

Po ashtu zëvendësministri Hoxha i njoftoi zyrtarët e FBI-së lidhur me rolin dhe mandatin e MPB-së, autoritetet e përfshira në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, detyrat dhe aktivitetet që kryhen, bashkëpunimin me autoritetet e zbatimit të ligjit, si vendore dhe ndërkombëtare, sistemet e vendosura, zbatimin e masave në kufi lidhur me kontrabandimin me migrantë, masave anti-terror, masave anti-korrupsion, shkëmbimin në kohë reale të informatave, inteligjencën dhe hetimet e përbashkëta, shfrytëzimin e bazave të të dhënave ndërmjet autoriteteve dhe mekanizmin që bashkërendon këto aktivitete 24/7 që është QKMK, e cila është e vendosur në objektin e MPB-së. Gjatë kësaj vizite, zyrtarët e FBI-së u ndanë të kënaqur me progresin e arritur nga mekanizmat e Sigurisë të Republikës së Kosovës, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit që është kusht për bashkërendim efikas dhe efektiv në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme që ndodhin si në kufi dhe brendi të territorit. Ata konfirmuan përkrahjen e tyre dhe projekteve që mbështeten nga Ambasada Amerikane, në zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave të sigurisë në Kosovë.

The post Zyrtarë të FBI-së vizitë në Kosovë appeared first on Mesazhi.com.

Johnson: Bashkëpunimi me Specialen tejet i rëndësishëm, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë

Posted: 10 Nov 2016 04:35 AM PST

Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson në një fjalim para deputetëve të Kuvendit tha se Kosova ka përparuar shumë krahasuar me vitin 1999 kur ishte këtu, por tha se të zgjedhurit e popullit duhet të punojnë më shumë në shërbim të qytetarëve të saj.

Ai duke folur para deputetëve tha se qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë të kërkojnë më shumë zhvillim dhe llogari nga njerëzit e zgjedhur.

"Para 17 vjetëve isha në Prishtinë, dhe pash një qytet krejt tjetër nga ky që shoh sot. E mbaj mend që kam parë xhamitë dhe fshatrat që po digjeshin… Ne dhe NATO padyshim po ndihmonin në krijimin e një shoqërie dhe shteti të ri…", tha Johnson.

Tani sipas tij, Kosova është transformuar, nga një vend lufte, në një shoqëri që ka zgjedhur përfaqësuesit e saj, një shoqëri sekulare. "Mendoj se Kosova mund të jetë shembull i ndritshëm i të tjerëve, për të dëshmuar se çfarë mund të bëhet", tha ministri i jashtëm britanik.

Johnson foli edhe për zhvillimet e brendshme në Kosovë.

Ai tha se vendosja e njerëzve në pozita sipas meritës është esenciale për zhvillimin e një vendi.

"Jam i gëzuar që Britania e Madhe po ndihmon ta luftoni nepotizmin", tha ai.

Johnson po ashtu tha se vendi i tij mbështet krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm që ta zhvillojë turizmin.

"Shumë mund të bëjmë së bashku… Keni miq dhe mbështetës në Mbretërinë e Bashkuar", tha ai.

Ministri i Jashtëm britanik foli edhe për sfidat e përbashkëta, si luftën kundër terrorizimit, ekstremizmit, krimit të organizuar. Ai po ashtu përmendi grupet kriminale shqiptare në Britani, e që janë problem për vendin.

Johnson ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai tha se e di se kjo është e vështirë pasi ende ka dhimbje nga e kaluara, por sipas tij, përmirësimi i raporteve Kosovë-Serbi, është në dobi të dy shteteve.

Ministri i Jashtëm ka folur edhe për Gjykatën Speciale.

Ai tha se duhet të bashkëpunohet me këtë gjykatë dhe të gjithë fajtorët për krime lufte që eventualisht kanë ndodhur në Kosovë duhet vënë para drejtësisë.

"Bashkëpunimi me Gjykatën Speciale është tejet i rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë kjo", ka thënë Johnson.

The post Johnson: Bashkëpunimi me Specialen tejet i rëndësishëm, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë appeared first on Mesazhi.com.

Hoxha, Lunacekut: Do t’i adresojmë rekomandimet e Raportit të progresit për sundimin e ligjit

Posted: 10 Nov 2016 03:24 AM PST

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka takuar, Ulrike Lunaçek, nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe Raportuese për Kosovën pranë Komisionit të Parlamentit Evropian për Kosovën.

Vizita e Lunaçekut në Kosovë po zhvillohet pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian, raport që evidenton hapat pozitiv të Kosovës por edhe kriteret që duhen përmbushur për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave.

Forcimi i shtetit ligjor është kriteri i dytë, theksoi Ministrja Hoxha, dhe shprehu përkushtimin e realizimit të reformave për sundimin e ligjit, konsolidimin e qeverisjes së mirë por edhe reformat ekonomike, në funksion të këtij kriteri. Këto, sipas saj, arrihen bashkërisht përmes koordinimit dhe mbikëqyrjes nga ana e BE-së.

"Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit, përfshin politikat kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, sistemin e llogaridhënies, transparencës së funksionimit të institucioneve. Ne do t'i adresojmë këto rekomandime", theksoi ministrja Dhurata Hoxha.

Ministrja më tej foli për ecurinë e rishikimit gjithëpërfshirës të legjislacionit, me theks të veçantë për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale që prekin çështjet thelbësore të evidentuara në Raportin e Progresit.

Lunaçek potencoi se progresi i arritur duhet çuar përpara sepse rruga euro-integruese e Kosovës është e pakthyeshme dhe ofroi mbështetjen e saj të plotë që ky proces të përmbyllet sa më parë dhe me sukses.

The post Hoxha, Lunacekut: Do t'i adresojmë rekomandimet e Raportit të progresit për sundimin e ligjit appeared first on Mesazhi.com.

Johnson: Politikanët të punojnë në shërbim të popullit

Posted: 10 Nov 2016 03:22 AM PST

Boris Johnson, Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, gjatë vizitës së tij zyrtare të zhvilluar të enjten në Kosovë, është takuar dhe ka folur edhe me liderët opozitarë të vendit, raporton Klan Kosova.

Në takimin ku është lansuar projekti "Përkrahja për Zhvillimin e Partive Politike të Kosovës", Johnson ka diskutuar me opozitarët, duke iu kërkuar bashkëpunim në mes partive politike në vend.

Johnson para këtij takimi, ka folur edhe para deputetëve nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku ka përmendur rëndësinë e Gjykatës Speciale, ka kërkuar pajtim me Serbinë dhe ka bërë thirrje që politikanët të punojnë në shërbim të popullit.

The post Johnson: Politikanët të punojnë në shërbim të popullit appeared first on Mesazhi.com.

Related Posts :