Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Mjeshtëria e shitjes (4): Rëndësia e shtrëngimit të duarve” plus 3 more Telegrafi Opinione

loading...

“Mjeshtëria e shitjes (4): Rëndësia e shtrëngimit të duarve” plus 3 more Telegrafi Opinione


Mjeshtëria e shitjes (4): Rëndësia e shtrëngimit të duarve

Posted: 10 Nov 2016 12:13 AM PST

Shtrëngimi i duarve hyn në komunikimin me trup, i cilin tregon shumë për ne dhe për karakterin tonë gjatë takimit me bashkëbiseduesin, kështu që duhet t'i japim kujdes të veçantë dhe ta mësojmë mirë.

Magjia e shitjes (1): Me vetëbesim drejt cakut Magjia e shitjes (1): Me vetëbesim drejt cakut

Mendohet që shtrëngimi i duarve ka zanafillën e thellë para mijëra vitesh kur njerëzit para se të takoheshin qaseshin me një hapje të duarve dhe me zgjatje të dorës për shtrëngim me çka kanë dëshmuar që vijnë në paqe dhe nuk janë të armatosur. Në figurën më poshtë e keni një dëshmi të shtrëngimit të duarve të dy ushtarëve në shekullin V para erës sonë.

1

Në disa kultura siç janë në lindjen e largët, zakonisht tek budistët nuk preferohet fare shtrëngimi i duarve dhe është zëvendësuar me bashkim të dy shuplakave i quajtur "Gjesti Namaste" me përcjellje me një përkulje të lehtë me kokë dhe me një buzëqeshje të lehtë. Edhe në këtë rast para se të takohet shihen se duart janë të zbrazëta, pa armë, që vjen në paqe. Besohet që shmangja e shtrëngimit të duarve në lindje është bërë për shkaqe higjienike, gjë që është e logjikshme.

2

Rituali i shkurt i shtrëngimit të duarve në të cilin dy persona përshëndetën njeri me tjetrin zakonisht bëhet para takimeve, gjatë ofrimit të urimit apo komplimenteve, me arritje të ndonjë marrëveshje, gjatë ndonjë aktiviteti garues sportiv, etj. Qëllimi është që të ndërtoj besim, respekt dhe barazi. Zakonisht marrëveshjet zyrtarizohen dhe urohen me shtrëngim të duarve, në disa raste përcjellët edhe me buzëqeshje dhe me puthje në faqe. Në disa kultura shtrëngimi i duarve në mes të mashkullit dhe femrës shmanget, siç është rasti te disa shtete të besimit Islam në Lindje të Mesme dhe Arabi.

Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne? Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne?

Dua të kujtoni vetën në një situatë kur jeni takuar për herë të parë me dikë dhe i keni shtrënguar duart, çfarë përshtypje të parë keni fituar për personin në fjalë.

Shtrëngimi i duarve inkuadron prekjen dhe ka raste kur njerëzit, përveç se kur është domosdoshme për shkak të bartjes se mikrobeve gjatë shtrëngimit japin vetëm një përshëndetje me ngritje të dorës.

Shtrëngimi i dorës në mënyrë të duhur hap shumë dyer të cilat nuk mund të hapen në mënyra tjera.

3

Preferohet të përdorni shtrëngimin e duarve me një shtrëngim të drejt si në figurë e mëposhtme, të jetë i drejt relativisht i fort, stabil, me shtrëngim apo mbulim me gishtin e madh të dypalëve. Kjo nënkupton që ne jemi në kushte të barabarta, unë dua të njoftoj dhe mund të më besosh.

Duhet cekur se duart para se të takoheni me dikë duhet të janë të pastra, të mos janë të ftohta, apo të djersitura, për shkak se shkaktojnë irritim të bashkëbiseduesi dhe një imazh të keq për ju.

Në anën tjetër janë disa shtrëngime, në të cilat duhet të vërejmë, siç janë shtrëngimi i duarve "peshku i butë", i cili zakonisht është një shtrëngim i duarve i dobët, ku njëra palë e jep vetëm majën e shuplakës (vetëm  pjesën e gishtërinjve), e që reflekton se personi në fjalë nuk ka vetëbesim, po e ndien veten në pozitë parehatshme, po ju shtrëngon dorën për shkak se i duhet gjithsesi.

E mendoj ai ashtu, apo jo, kjo është përshtypja të cilën e jep, kjo mund t'i ndodh çdokujt. Unë e preferoj kur ndodh kjo të ja përsëris shtrëngimin e dorës me një shtrëngim të fort dhe stabil si përmirësim i gabimit.

4

Shtrëngimi i tretë i dorës është shtrëngimi i duarve agresive, me siguri se të gjithë  e dimë këtë . Është një shtrëngim i duarve i cili quhet shtrëngim i thyerjes së kockave të shuplakës i cilin përcjellët me të dhembjeve të dorës.

Është një sjellje agresive që demonstron forcën e tepruar dhe ky lloj i shtrëngimit të duarve nuk preferohet.

Mjeshtëria e shitjes (3): Kontakti me sy Mjeshtëria e shitjes (3): Kontakti me sy

Këtë shpeshherë e përdorin gjinia mashkullore, por ndodh edhe te gjinia femërore, zakonisht në rastet kur kanë rivalitet.

E kam pas një kojshi i cili kishte shprehi të shtrëngoj duart shumë si meshkujve ashtu edhe femrave, njerëzit e tillë nuk janë të mirëseardhur në shoqëri.

5

Shtrëngimi i katërtët i duarve është kur personi me të cilin e shtrëngoni dorën gjatë shtrëngimit e kthen dorën e juaj përfundi dorës së tij që nënkuptoj se ai dëshiron të dominoj mbi ty. Nuk ju kisha sugjeruar këtë lloj të shtrëngimit të duarve për shkak se e poshtëron personin.

Nëse personi e shtrëngon dorën dhe e rrotullon dorën e tij përfundi dorës tuaj ajo nënkupton që ai e pranon superioritetin tuaj ndaj tij.

Shtrëngimi politikan i duarve quhet kur me dy duar ju shtrëngon dorën tuaj. Këtë mënyre të shtrëngimit e quajnë edhe shtrëngim i predikuesve Hoxhëve dhe Priftërinjve. Kjo metodë nuk është e preferuar ne takime afariste.

6

Si përmbyllje mund të themi që shtrëngimi afarist thjesht duhet të jetë siç e cekëm më së pari në pozitë të drejt, të jetë i fort deri në një mas të stabilitetit që ka domethënie, ku mund të më besosh, unë dua të punoj me ty, është një mënyrë e sinqertë për të ndërtuar besimin. Kjo të jetë e përcjell me një buzëqeshje të lehtë të sinqertë dhe me shikim drejt në sy.

 

 

Për më tepër informacione, pyetje, për trajnime individuale ose të dedikuara për kompaninë tuaj mund të më kontaktoni në:
Email: denis.gafuri@smardonline.com
Twitter:@DenisGafuri
LinkedIn:https://www.linkedin.com/in/denis-gafuri-1a174334
https://www.facebook.com/denis.gafuri

The post Mjeshtëria e shitjes (4): Rëndësia e shtrëngimit të duarve appeared first on Telegrafi.

Donald Trumpi dhe Abazi i Bukovikut

Posted: 09 Nov 2016 01:03 PM PST

Në Betejën e Sutjeskës (Bosnje dhe Hercegovinë, qershor 1943), mes partizanëve jugosllavë dhe nazistëve gjermanë, një granatë bie pranë Josip Broz Titos. Por, aty ishte deltari gjerman i quajtur Luks, një qen tamam besnik, që kërcen dhe ia shpëton jetën pronarit të tij.

"Po të mos e shpëtonte qeni, do ta shpëtonte arusha", e komentonte kështu këtë rrëfim, Ibrahim Selmani nga Glloxha e Tetovës.

Sidoqoftë, kur jemi te rrëfimet, para se ta shpëtonte qeni Titon, në Betejën e Neretvës (Bosnjë dhe Hercegovinë, shkurt-mars 1943), ai po ashtu e pa vdekjen me sy. Mirëpo, si fatlum që ishte, pranë i qëlloi një partizan trim, Abaz Ajeti – i njohur si Bukoviku. Në një betejë apokaliptike, ku plumbat fatalë fluturonin në çdo anë, Bukoviku heroik e mbante Titon e plagosur në krah, duke i dhënë edhe gajret: "Mbahu burrë, se nuk të lëshoj e nuk të lë kurrë në duar të gjermanit"!

Pa e ditur se po e mbante në shpinë fatin e një shteti të tërë, Abazi thuhet se e shpëtoi burrin më të madh të Jugosllavisë komuniste – Mareshalin Tito. Ky i fundit, katundarit nga Bukoviku i Gjilanit i premtoi se nuk do ta harrojë e se ka me u kujdes tërë jetën për të.

Kështu, Abazi, një personazh sa real e aq edhe mitik (por që dihet se ishte një çoban analfabet), pas Luftës së Dytë Botërore, "me dekret të Titos" u bë kryetar i Komunës së Gjilanit. Por, si i pashkollë që ishte, nuk dinte gjë tjetër të thoshte – kur "mbante" rregull, duke hapur dyert e zyrave – pos të fliste me "diskursin rural": "Ngutuni burra, se po na zë zhegu"!

Për Abazin sot thuren shumë legjenda. Madje përmenden 60 medalje që ia ka dhënë Tito, i cili fort gëzohej sa herë që ia dëgjonte zërin shqiptarit kur i shkonte për vizitë në Dedinje të Beogradit. Sidoqoftë, gjilanasit sot kanë fjalë të mira për të, sepse ishte i sinqertë, nuk kishte dashnore, e nuk e shpenzonte buxhetin për nevoja personale – aq më pak për kurvëri…

Abazi ishte produkt i kohës ku ka jetuar, një kohë kur njerëzit kishin turp e kur modestia e ndershmëria ishin virtyte. Sot gjërat kanë ndryshuar. Këtë bile e kishte parashikuar një banor i Prishtinës, që në vitet '80 të shekullit të kaluar, i cili me zemër të plastë kishte thënë: "Po vjen koha kur çdo gjë që është e turpshme dhe idiote, do të cilësohet moderne". Këtë ai e tha teksa njerëzit i shkonin për ta parë, pas një "debati" për "modën moderne" që për pak nuk përfundoi me tragjedi në familjen e tij!

Në këtë aspekt duhet parë edhe kampanja e Donald Trumpit, i cili që nga janari i vitit 2017 do të njihet si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump që 10 vite ishte pjesë e "The Apprentice", një reality-show i cili si çdo spektakël tjetër, është i destinuar për zbavitje të masave. Dhe, në një botë të manisë pas zbavitjes e me një elektorat që harron shpejtë, ai donte të dilte fitues. Bota sot është teatër absurd, e në këtë teatër katarsisi vjen nga personazhet ekscentrike e debile – siç e shfaqi ai veten këtë vit.

Trump në kampanjën e tij nuk ishte serioz, por llafazan i madh. Në fjalime nuk lodhej të ofronte zgjidhje, por projektonte burime të problemeve që ndërlidheshin me tërë establishmentin politik amerikan. Në fakt, ai ishte një aktor i mirë, i cili nga perandoria që i peshonte afro katër miliardë dollarë, nga "froni" i lakmisë për shumicën e amerikanëve, e ulte veten në pozitën e një amerikani mediokër, që flet me fjalor rrugësh, por të kapshëm për shumicën – përderisa shprehej për gjërat që populli thjeshtë donte t'i dëgjonte!

Një miliarder megjithatë nuk është aq budalla të mos e dijë se fjalamanët që nuk ofrojnë fakte, e aq më pak alternativa, po fitojnë kudo. Ata fituan në Kosovë, duke premtuar qindra-mijëra vende pune; fituan në Shqipëri, pa planprogram zhvillimi; e hoqën Britaninë e Madhe nga Unioni Evropian; dominojnë politikën italiane që 22 vite (Silvio Berlusconi dhe partia e tij); e djathta ekstreme veç po e shton ndikimin politik në Greqi, në Francë, Finlandë, Gjermani, Austri…

Trump pra nuk bëri gjë tjetër, pos që luajti me kartën fituese në epokën e triumfit të injorancës. "Në tokën e të verbërve, mbret është njeriu me një sy", ka thënë moti Erazmusi i Roterdamit. Apo, siç thonë shqiptarët: "Si populli, ashtu Qeveria"!

Natyrisht, në shoqëritë e fuqishme, siç është ajo amerikane, presidentët e tillë "rehabilitohen". Pra, Trumpi i kampanjës zgjedhore nuk do të jetë i njëjtë si presidenti Trump që jeton në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, fitorja e tij është alarm për tërë njerëzimin dhe rrugën që ka marrë, sepse dija, fjala dhe ndershmëria më nuk kanë vlerë.

Këto dy të fundit – fjalën dhe ndershmërinë – thonë se i kishte Abazi i Bukovikut. Ndaj, plotë gjilanas shprehen se po të kishte ai shkollimin e duhur, me këto virtyte do të linte vepra shumë të mëdha për vendin e tij!

Ndoshta dikur, por jo sot, apo jo?!

The post Donald Trumpi dhe Abazi i Bukovikut appeared first on Telegrafi.

Patriotizmi si streha e fundit e politikës

Posted: 09 Nov 2016 10:17 AM PST

Këtë kolumne mund ta lexoni edhe si satirë, edhe si opinion, edhe si matematikë identitare…

E famshme në përmasa botërore, dhe si e cilësojnë mediat tona, një ndër aktoret më të "nxehta" të industrisë pornografike në SHBA, Alby Rydes, e kishte veshur flamurin kuqezi. Ajo duket të jetë ndodhur para një dileme morale: të dalë lakuriq para bashkëpatriotëve të saj, apo e veshur. Përpara botës nuk e ka dert. Por, lagjja ka të tjera rregulla…

Dorën në zemër, ajo na promovoi si komb edhe në përmasa globale, pra si një popull që dimë ta bëjmë, atë punën, ashtu edhe kështu, madje edhe… por, të lëmë detajet. Kaq kishte mundësi ajo.

Por, kontributi (ndër)kombëtar është i matshëm sot. Nëse i heqim ato të publicitetit negativ, të cilin e krijojnë fanatikët fetarë ose grupet mafioze, ku kemi dhënë shumë dëshmorë, publiciteti i cili krijon imazhin e një populli perëndimor është i matshëm në "Google" dhe brouserët e tjerë më të vegjël. Kur e kërkon emrin e saj, pra të porno yllit me emrin që e tregon edhe origjinën, për të në "Google" merr rreth dy milionë "rezultate". Ajo, dorën në zemër, është shumë prapa me emrat e tjerë të famshëm, si me Ritën për shembull, e cila ka mbi tetëmbëdhjetë milionë, apo "Bebe" me mbi njëmbëdhjetë milionë, por ndodhet përpara Bleonës me vetëm mbi një milion, Dua Lipas me po ashtu me mbi një milion, "Erës" me mbi 600 mijë, e kështu me radhë…! Pra, është një nga emrat e mëdhenj shqiptarë në botë.

E, kur jemi te publiciteti në rrjet, pas këngëtarëve dhe porno yjeve vijnë sportistët, sidomos futbollistët e Kombëtares, shumë prej të cilëve me mbi një milion dhe vetëm pas tyre vjen me Jeep-a politika jonë kombëtare, ku prin ish-presidentja e Kosovës me mbi 700 mijë dhe larg pas saj vjen Salih Berisha me mbi 400 mijë, Hashim Thaçi me diçka më pak se 400 mijë dhe Edi Rama që i shkel hijen këtij të fundit me disa dhjetëra-mijëra më pak. Këtu nuk janë llogaritur "llajkat" në profilet e tyre në Facebook e as ndjekësit në rrjetet e tjera sociale. Të tjerët nuk i njeh "Google", ose nuk i bënë hesap. Kontributi i tyre ndërkombëtarë është i vogël.

Pra, një i huaj, kur do të dijë diçka më shumë për ne, pyet në "Google". Nga "Google" tashmë marrin shumë informata, jo vetëm mediat, por edhe shërbimet sekrete, dhe kjo na bënë të dyshojmë se edhe politika ndërkombëtare ndaj nesh udhëhiqet pikërisht nga këta numra. Pra, kjo është elita e kombit e cila na përfaqëson, për të mirë dhe të keq nëpër botë, gjithnjë duke theksuar karakterin relativ të së mirës dhe së keqes.

Pra, pa diskriminim, sipas analogjisë, Alba, bazuar në publicitetin ndërkombëtar të saj dhe etjen tonë për publicitet, mund të konsiderohet në njëfarë mënyre edhe krenari kombëtare për aktivitetin e saj civilizues, edukativ, ku kryesisht e "veshur" nudo mëson qytetarinë e globit për bashkëjetesën e së këndshmes dhe të dobishmes, për teknikat e taktikat e invadimeve nga të gjitha anët, pra për pornografinë.

Por, a nuk e bënë edhe politika, pak a shumë po të njëjtën gjë?

Kjo, pornografia , për ata që nuk e dinë, është industri shumë e fuqishme, legale në Evropë, e sidomos në SHBA, e cila qarkullon shumë miliardë dollarë dhe e cila është ëndërr e miliona femrave dhe meshkujve anembanë globit. Kjo i ka përfshirë edhe portalet. Një lajm historik për kombin klikohet më pak se një postim për të pasmet e dikujt. Të gjitha sistemet kabllovike ndër ne tashmë i kanë edhe kanalet për të rritur, si quhet me eufemizëm: arti i shtratit. Yjet e këtij arti dhe biznesi paguhen shumë, shumë më shumë se ajo pjesa jo artistike që zhvillohet nëpër trotuare të metropoleve apo edhe në motelet skaj rrugëve.

Trafikimi është krim, e pornografia biznes. Biznes me pretendime artistike.

Tash, në botën tonë restriktive, të bësh seks është turp. Gjenerata e mesme për ekzistencën e vet ende i fajësojnë lejlekët që i sollën, ndërkohë që fëmijët të cilët po rriten me tablet në dorë tashmë i dinë të gjitha. Një artiste nga porno-industria, në fshatin e saj mund edhe të cilësohet si lavire, por ajo që është e sigurt kur shikohet nga këndi joprovincial është se ajo është biznesmene, artiste dhe… dhe paguan tatim. Pra, ajo është patriote.

Kjo logjikë mbase edhe mundet me na sjell në konfuzion, por kjo nuk është e domosdoshme për një shoqëri e cila pretendon moralin nën kulmin individual, ndërkohë që shikon me kureshtje striptizin publik të politikës dhe artit. Thjesht, punët e shpisë dhe punët e shtetit dallojnë.

Tash mund të bëhen vërejtje se në kohë të papërshtatshme e kishte (zh)veshur flamurin kombëtar, pikërisht atë rreth të cilit po zhvillohen debate serioze , herë-herë me emocione të fuqishme, se a është flamur shtetëror apo kombëtar. Krejt kjo ka mundur të jetë krejtësisht e rastit. Ajo ka mundur të vesh edhe flamurin kaltër e verdhë, me yjet e Evropës, por nuk e bëri kësaj radhe, ndoshta pikërisht për të mos u përfshirë në debatin (ndër)kombëtar Kosovë-Shqipëri.

Rapsodët popullorë, këta në "Youtube", do ta këndojnë me gjenerata këtë akt trimërie dhe për kontributin e saj. Është promovim i kulturës kombëtare. Kultura seksuale dhe edukata seksuale janë sot diçka që përmenden shpesh dhe ekzistojnë edhe shumë paragjykime rreth kësaj. Po të themi se nuk kemi këso kulture, apo edukate, të gjithë do të pyesin për lejlekun që na solli në Ballkan, madje do të hapen edhe thashetheme. Pra, kur kemi përfaqësuesit tonë, kështu na njeh bota dhe paragjykime kemi më pak.

Nuk e kishte veshur, do të thoni ju, e kishte pikturuar mbi gjoksin e saj?!

Nuk mund të thuhet se nuk kishte respekt: e kishte pikturuar mbi zemrën dhe gjoksin e saj. Shqipëri të kam në zemër, është mesazhi i saj. Do të thoni, mos alarmoni, nuk është asgjë e re kjo, sot të gjithë që nuk duan të shihen lakuriq fshihen prapa simboleve. A nuk e bën politika këtë përditë? A nuk fshihet prapa kombit për të mos dukur pjesët e sajë të turpshme, si buxheti për shembull, tenderët? Sa herë i pyet për fondet publike, privatizimet, e tjera pyetje të cilat rrezikojnë të qesin në pah turpin e politikës, ata mbulohen me flamur. Kur i shajnë në raporte ndërkombëtare për krim të organizuar, të paorganizuar, apo të çoroditur për fare, ata menjëherë e qojnë dorën në flamur dhe në Atdhe.

Mos ma prek Atdheun! Po cili është mesazhi të cilin një politikan i sharë globalisht për krim dhe korrupsion, e dërgon në rrjet, "i mbështjell" me flamur kombëtar? Mos po shfaq pretendime politike, Alba?

The post Patriotizmi si streha e fundit e politikës appeared first on Telegrafi.

Shqiptarët dhe Muri i Berlinit

Posted: 09 Nov 2016 10:15 AM PST

Sot 27 vjet, më saktë më 9 nëntor të vitit 1989, bota drejtoi sytë kah Berlini i ndarë mespërmes. Mijëra gjermanë nisën të rrënonin murin famëkeq e bashkë me të edhe kampin komunist. Për habinë e të gjithëve, tre shqiptarë nga Kosova, aktivistë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, kundërshtonin fuqishëm rënien e tij. Zërat kundërshtues të majtistëve kosovarë humbnin midis atyre gjermanë, të cilët botës i shpërndanin kumtin: Ra Muri i Berlinit! Paradoksi qe i madh. Gazetarët gjermanë të habitur ua kujtonin majtistëve kosovarë një mur tjetër në Ballkan; kufirin shqiptaro-shqiptar i ndarë me bunkerë e tela gjemborë!

Dyzetekatër ditë pas rënies së Murit të Berlinit, në Kosovë u themelua partia e parë pluraliste, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe shef i saj u zgjodh dr. Ibrahim Rugova. Shqiptarët, sado i brohoritën rënies së Murit të Berlinit, harruan se një mur tjetër nisi të fortifikohej në trurin e tyre.

Ndryshe nga Kosova, e cila sapo hyri në okupim të ri më mizorin në Evropë, në Shqipëri pluralizmi vononte. Një vit më vonë, Shqipërinë komuniste e vizitoi shefi i OKB-së, Javier Perez De Cuellar. Shefi komunist, Ramiz Alia, në kryeqytetin shqiptar i mbajti leksion shefit të OKB-së plot njëzet minuta, duke i folur për "idealet socialiste!". Kampi komunist po vdiste, por kufomës së tij Shqipëria e drobitur, pikërisht nga ky regjim pervers, vendosi t'i bënte pararojë!

Jemi në kohën kur pluralizmi politik nisi të konsolidohej në disa shtete të kampit komunist. Autoriteti i disidentit e shkrimtarit çek, Vaclav Havel, shkëlqente faqe botës, ai i disidentit polak Lech Walesa po ashtu, ndërsa diktatori rumun Ceausescu përfundoi me vdekje në ekzekutim.

Dy vjet më vonë, në Shqipërinë komuniste, Partia e Punës mori emër të ri Partia Socialiste, por rekuizitat e regjimit komunist ishin po aty. Në zgjedhjet e para të vitit 1991, trashëgimtarja e Partisë së Punës fitoi me rezultat të thellë!

Këndej kufirit, majtistët kosovarë të frikësuar se po humbisnin "atdheun enverist" dhe me instruksione të Partisë Socialiste u rreshtuan në lëvizjen më të madhe politike; Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pesë vjet më vonë, në Kuvendin e Dytë zgjedhor të saj, më 14 korrik të vitit 1994, nacionalkomunistët enveristë pushtuan "kalanë përbrenda". Praktikisht nga kjo datë, fraksioni majtist u fuqizua shumë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e mori veten për t'iu rikthyer gjenezës së saj. Njëra nga gazetat më prestigjioze amerikane, këtë ngjarje e shënoi me titull sportiv: Rugova humbi me rezultat 8:6!

Sot, 27 vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, shqiptarët kudo që janë qeverisen nga parti e fraksione majtiste! Shqipëria qeveriset nga pasardhësja e partisë së diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe satelitja e saj LSI, ndërsa Kosova nga koalicioni i madh; Partia Demokratike e Kosovës, e përbërë nga nacionalkomunistët enveristë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kapur nga autonomistët jugosllavë.

Asnjëherë e djathta shqiptare në historinë e saj nuk ka qenë më e rrezikuar se sot. Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, shkruan jo rrallë për "strehsat", biografitë e të cilëve ende kullojnë gjak. Strehsat, të cilët kryesisht janë ish-udhëheqës dhe sigurimsa të regjimit komunist, jo vetëm u strehuan në partitë politike, por edhe i pushtuan majat e tyre!

Majtistët shqiptarë jo rrallë keqpërdorin auditoriumin duke justifikuar rrejshëm se disa shtete të Evropës udhëhiqen nga parti të majta, duke "harruar" se partitë e majta evropiane, nuk janë pasardhëse diktatorësh, por janë ndërtuar mbi kauzat e socialdemokracisë evropiane.

Në kaosin e krijuar politik nga majtistët shqiptarë, 27 vjet mbas Rënies së Murit të Berlinit, dy republikat; Shqipëria e themeluar nga Perandoria Austro-Hungareze dhe Kosova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë, sot janë shtetet më të izoluara në Evropë. Çdo ditë janë duke humbur përkrahjen e miqve ndërkombëtarë dhe janë zhytur në krim të organizuar, kaos e izolim. Shqiptarët janë duke vuajtur periudhën më depresive në historinë e ekzistencës së tyre në Gadishull.

Problemi më i madh i shqiptarëve janë liderët politikë, karriera politike e të cilëve është dashur të merr fund me Luftën e Ftohtë. Ata mbijetuan më gjatë se diktatorët më të frikshëm të botës. Diktatori rus Iosif Stalin sundoi Bashkimin Sovjetik 29 vjet, kinezi Mao Zedong sundoi 27 vjet sa edhe kiliani Augusto Pinochet. Josip Broz Tito sundoi Jugosllavinë 35 vjet, rumuni Causesku – 24, ndërsa shqiptari Enver Hoxha – 40 vjet. Në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës, ekzistojnë individë të cilët i kanë mbushur gati gjysmë shekulli në politikë duke i kalëruar të gjitha regjimet!

Shqiptarëve u rëndon një gur i madh në qafë dhe nuk duan t'i japin zgjidhje, pasi liderët e tyre kanë një mal mëkate nga e kaluara.

Kur u shemb Muri i Berlinit, Qeveria gjermane vlerësoi: Secili gjermanolindor mund t'i ketë në duar dosjet e STAS-it, shërbimit më të frikshëm sekret në kampin komunist. Ishte mënyra më e mirë që kombi gjerman të lirohej nga e kaluara e errët. Sigurimsat e STAS-it as u ndoqën penalisht, por edhe iu ndalua me ligj që të ngjiten sërish në krye të shtetit. Sikur të ndodhte kjo në shtetet shqiptare, do të prosperonim më shpejtë dhe mbrapa krahëve do të mbetej e kaluara e hidhur.

Shqiptarëve, si asnjë kombi tjetër në Gadishull u duhet lustrimi i dosjeve. Derisa mungon kjo kurajo, atëherë mbetemi kombi më ndërgjegjevrarë në Gadishull dhe larg integrimeve euroatlantike. Denoncimet dhe të fshehtat shqiptarët në Shqipëri i mbajnë peng për gjysmë shekulli të regjimit komunist, ndërsa shqiptarët e Kosovës plot një shekull gjatë sundimit serb. Pa lustrim të dosjeve, shqiptarët nuk mund të prosperojnë të ardhmen. Liderët shqiptarë do ta përdorin Brukselin vetëm si rekuizitë për të mbijetuar në pushtet, derisa Kosova dhe Shqipëria as do të kenë stabilitet politik, as zhvillim ekonomik.

Ish-komunistët andej e këndej kufirit i rëndon një fakt; policia shqiptare ishte më antikombëtarja në kampin komunist. Nuk mund të ishin antikombëtarë, pa qenë antikombëtare udhëheqjet e tyre, prandaj Muri i Berlinit edhe njëzeteshtatë vjet më vonë ende nuk është shembur nga truri i tyre.

The post Shqiptarët dhe Muri i Berlinit appeared first on Telegrafi.

Related Posts :