Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Për sa Evropë kanë nevojë evropianët?” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Për sa Evropë kanë nevojë evropianët?” plus 2 more Telegrafi Opinione


Për sa Evropë kanë nevojë evropianët?

Posted: 04 Nov 2016 09:45 AM PDT

Në fjalimin e tij të fundit para Parlamentit Evropian më 1995, François Mitterrand, në atë kohë president i Francës, shëndeti i përkeqësuar i të cilit qe shumë i dukshëm, gjeti fjalë të paçmueshme për të karakterizuar të keqen e madhe të Evropës: "Le nationalisme, c'est la guerre!"

Nacionalizmi dhe lufta qenë eksperiencat përcaktuese të karrierës politike të Mitterrand dhe ai nuk po i referohej vetëm të shkuarës së tmerrshme – gjysmës së parë të shekullit të njëzetë me dy luftërat botërore, diktaturat dhe Holokaustin. Ai e shikonte nacionalizmin si kërcënimi më i madh i të ardhmes për paqen, demokracinë dhe sigurinë në Evropë.

Megjithëse lufta nacionaliste po bënte copash Jugosllavinë në atë kohë, shumë pak prej atyre që dëgjuan Mitterrand në Strasburg atë ditë mund ta imagjinonin se, 21 vjet më vonë, nacionalizmi do të përjetonte një rigjallërim mbarëevropian. Por politikanët nacionalistë, objektivi i deklaruar i të cilëve është shkatërrimi i unitetit të Evropës dhe integrimit paqësor që tashmë ka fituar në shumicën e zgjedhjeve demokratike dhe referendumeve.

Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar në qershor për të ikur nga Bashkimi Evropian shënoi një kulm të përkohshëm për një nacionalizëm të rishfaqur, por ky lloj nacionalizmi mund të shihet duke marshuar në Hungari, Poloni dhe Francë, ku Fronti Nacional i ekstremit të djathtë i Marine le Pen ka qenë duke fituar fuqi në pritje të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Po si shpjegohet që mbërritën më këtë pikë, duke marrë parasysh eksperiencat e drejtpërdrejta të Evropës me fuqinë shkatërrimtare të nacionalizmit përgjatë shekullit të njëzet, kur nacionalizmi shkaktoi miliona vdekje dhe shkatërroi një kontinent të tërë?

Sa për fillim, kriza financiare e vitit 2008 dhe recesioni botëror që pasoi shihen gjerësisht dhe në mënyrë të logjikshme si një dështim masiv nga ana e "estabilishmentit." Ndjenjat anti-elitë vijojnë të gërryejnë solidaritetin ndër-Evropian dhe besimin e ndërsjellët dhe BE-ja është zënë në ngërçin e një rritjeje të ngadaltë ekonomike dhe papunësisë së lartë.

Nëpër Perëndim, ndjesia e përgjithshme e rënies ka filluar të dominojë, për shkak të ndryshimeve botërore në pasuri dhe fuqi në drejtim të Azisë. Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga pikëpamja gjeopolitike ndërsa Rusia ka rigjallëruar ambiciet e saj prej fuqie të madhe për të sfiduar hegjemoninë dhe vlerat e Perëndimit. Në të gjithë botën, ka një pakënaqësi në rritje ndaj globalizimit, digjitalizimit dhe tregtisë së lirë, shoqëruar nga një zhvendosje e ngadaltë drejt proteksionizmit. Evropianët, në veçanti, duket se kanë harruar se proteksionizmi dhe nacionalizmi janë të lidhur në mënyrë të pandashme – njëra nuk mund të bëjë pa tjetrën.

Në fund, ka një frikë të përgjithësuar ndaj të panjohurës, për shkak se shumë vende përballen me çështjet e lidhura me flukset hyrëse të të huajve – qofshin refugjatë apo migrantë – dhe ndryshmet e brendshme të shkaktuara nga fuqizimi në rritje ekonomik dhe politik i grave dhe minoriteteve. Këto zhvillime, të cilat kanë përkuar me transformimet më të mëdha në shkallë që ka pësuar Evropa që nisi në vitin 1989, kanë shkaktuar frikë arsye për frikë, të cilën partitë e vjetra politike dhe institucionet demokratike kanë dështuar ta trajtojnë.

Si gjithmonë, kur frika është e gjithëpërhapur në Evropë, njerëzit kërkojnë shpëtim te nacionalizmi, izolacionizmi, homogjeniteti etnik dhe nostalgjia – "ditët e mira të vjetra," kur supozohet se gjithçka ecte mirë në botë. Nuk mendohet gjatë për faktin se e shkuara qe kaotike dhe e përgjakshme e aspak perfekte. Udhëheqësit nacionalistë dhe mbështetësit e tyre tashmë janë duke jetuar në një realitet "post-empirik", ku e vërteta dhe eksperienca nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

E gjitha kjo pasqyron ndryshimin e thellë të mënyrës se si Evropianët e shohin veten. Pas dy Luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, integrimi Evropian qe diçka e vështirë për t'u imagjinuar. Por të kuptuarit e përbashkët se bashkimi jep paqe, mirëqenie dhe demokraci është dobësuar me kalimin e kohës nga krizat e gjata dhe tashmë mund të humbet tërësisht në rast se nuk përforcohet përmes një mesazhi që sheh nga e ardhmja.

Është absurde të mendohet se shtetet kombe historike të Evropës janë përgjigje për realitetet e globalizuara politike, ekonomike dhe teknologjike të shekullit të njëzet e një. Nëse Evropianët e besojnë këtë, atëherë ata duhet të jenë të gatshëm të paguajnë çmimin për më pak integrim, në formën e varësive të reja. Vendimet më të rëndësishme botërore të këtij shekulli nuk do të merren në Evropën demokratike por në mënyrë të njëanshme në Kinë a gjetkë.

Gjuhët dhe kulturat e Evropës kanë një histori të gjatë. Por, nuk duhet të harrojmë se shtetet kombe të Evropës janë zhvillim më i vonë, veçanërisht ato jashtë Evropës Perëndimore. Do të qe një gabim i rëndë të mendosh se ata përfaqësojnë "fundin e historisë" të Evropës. Përkundrazi, nëse modeli i shtetit komb fiton mbi integrimin, Evropianët do të paguajnë një çmim të lartë në këtë shekull. Se si do të ecin punët për shtetet Evropiane në të ardhmen është një çështje që mund të marrë përgjigje vetëm në mënyrë kolektive, jo në bazë të disa interesave kombëtare të përkufizuara individualisht, siç ndodhi në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Për më tepër, me Rusinë, Turqinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën pranë, Evropa jeton në një fqinjësi të vështirë dhe plot sfida. Ajo nuk gëzon luksin amerikan të të pasurit të sigurisë të garantuar nga gjeografia. Përkundrazi, siguria dhe mirëqenia e saj duhet të mbrohet në mënyrë të vazhdueshme përmes politikës, gjë që është domosdoshmërisht një përpjekje e përbashkët.

Pyetja qendrore për Evropën e së ardhmes është se sa shumë fuqi BE-ja ka nevojë për të garantuar paqen dhe sigurinë për qytetarët e vet. Kjo, gjithashtu, mund të trajtohet vetëm në mënyrë kolektive. Ajo që është sakaq e qartë është se Evropianët to të kenë nevojë jo vetëm për më shumë Evropë, por edhe për një Evropë më të fuqishme. /Project Syndicate/reporter.al/

The post Për sa Evropë kanë nevojë evropianët? appeared first on Telegrafi.

Kush ishte Gjergj Dushmani dhe kush është injorant i historisë?

Posted: 03 Nov 2016 03:21 PM PDT

Rami Memushaj

Lidhur me sulmet që kanë shpërthyer në Greqi ndaj kryeministrit Edi Rama duke e cilësuar injorant të historisë, vërehet një padije që të lë pa mend e politikanëve dhe e gazetarëve grekë. Si mik i historisë dhe i së vërtetës, po jo si historian, po sjellim këtu disa të dhëna që kushdo që di shkrim e këndim dhe që ka një telefon android, tablet a kompjuter mund t'i gjejë fare lehtë, mjafton që të kërkojë në Wikipedia fjalën Dushmani.

Dushmanët ishin një familje fisnike shqiptare e cila gjatë shek. XIV–XV sundoi një territor të Shqipërinë Veriore që shtrihej nga fusha e Zadrimës deri në Alpet shqiptare.

Kjo familje përmendet për herë të parë në dokumentet venedikase si vasalë të Balshëve. Një anëtar i kësaj familjeje, Gjin Dushmani, përmendet bashkë me feudalë të tjerë shqiptarë, si komandant i trupave ndihmëse shqiptare në betejën e Ankarasë më 1402. Pas humbjes së trupave otomane, ata iu ofruan si vasalë Republikës së Venedikut më 1403.

Më 2 korrik 1403, senati i Venedikut u njohu sundimin e Pultit, Goranit, Damjanit dhe Nenadit, anëtarë të familjes Dushmani. Anëtarë të kësaj familjeje ishin edhe disa klerikë katolikë; një ndër ta ishte Pal Dushmani, i përmendur si peshkop i Pultit ("Dusmanus ep. Polat."). Një anëtar tjetër i familjes Dushmani, Lekë Dushmani, përmendet si një nga themeluesit e Lidhjes së Lezhës. Vajza e tij Irenë Dushmani u bë e famshme për shkak të një grindjeje për të, e cila shpuri në çarjen e madhe midis anëtarëve të Lidhjes së Lezhës, që përfundoi në luftën shqiptaro-venedikase të viteve 1447–1448.

Familja Dushmani, bashkë me familjen Spani, qenë kundër luftës me Venedikun dhe nuk morën pjesë në të.

Në mars 1451, Lekë Dushmani dhe Bozhidar Dushmani bënë plan të sulmonin Drishtin e kontrolluar nga Venediku, por komploti i tyre u zbulua dhe Bozhidari u detyrua të ikte në mërgim. Në korrik 1452, papa dërgoi Pal Dushmanin të zgjidhte konfliktin midis Lekë Dukagjinit dhe Skënderbeut10.

Autori Demetrios Sicilianos, në librin "Athina e re dhe e vjetër" (1960, f. 23), shkruan: "Familja Dushmani është me prejardhje shqiptare. Paraardhësi i tyre Leka (Aleksandër) Dushmani luftoi me Gjergj Kastriotin (ose Skënderbeun) kundër turqve (1468). Pas pushtimit të Shqipërisë nga sulltan Mehmeti, ai u strehua në Greqi. Dy shekuj më vonë, kur turqit e rimorën Athinën pas tërheqjes së venedikasve, Gjergj Dushmani, që ishte vendosur atje, u largua me venecianët në Peloponez…"

Të dhënat biografike të pasardhësve të kësaj familjeje provojnë se Lekë Dushmani u vendos në Korfuz. Gjergj Dushmani, që përmend autori i mësipërm dhe për të cilin shkroi edhe kryeministri Edi Rama, i përket kësaj familjeje, që ka nxjerrë politikanë dhe ushtarakë të shquar të Greqisë, si Anton Dushmani (1800–1890), kont i Korfuzit dhe politikan grek, dhe nipërit e tij, vëllezërit Viktor Dushmani (1861–1949) e Sofokli Dushmani (1868–1952), oficerë madhorë të ushtrisë greke, të tre të lindur në Korfuz.

Pra, nuk është kryeministri ynë ai që nuk e njeh historinë, po janë historianët, politikanët dhe gazetarët grekë, që, të helmuar keq nga nacionalizmi i sëmurë, e shtrembërojnë në mënyrë të paturpshme historinë. Wikipedia është një enciklopedi e hapur për gjithë botën, atë mund ta lexonin edhe politikanët dhe gazetarët grekë para se të reagonin marrëzisht dhe, nëse nuk i besojnë kësaj, le t'u hyjnë burimeve historike. Por, leximi për së prapthi i historisë përbën një konstante të politikës greke dhe ne shqiptarëve na ka rënë fati i keq të përballemi me këta injorantë të pailuminueshëm të historisë në vendin ku ka lindur historia.

The post Kush ishte Gjergj Dushmani dhe kush është injorant i historisë? appeared first on Telegrafi.

Alarm i shkallës së fundit: Angela Merkel dhe Turqia

Posted: 03 Nov 2016 12:06 PM PDT

Jens Thurau

Të hënën e kësaj jave, kur u arrestua bordi drejtues i gazetës “Cumhuriyet” në Turqi, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, u shpreh se Gjermania është mjaft e shqetësuar. Liria e shtypit është tejet e rëndësishme. Në të njëjtën kohë, kreu i Të Gjelbërve, Cem Özdemir, u shpreh se nuk ka më liri mendimi në Turqi dhe se ky vend nuk mund të bëhet më anëtar i BE-së. “Kush do të fusë dënimin me vdekje, mund të bashkohet me Korenë e Veriut, por jo me Bashkimin Evropian.” Fjalë të qarta.

Njëri flet për qeverinë, tjetri për opozitën. Këto janë role të ndryshme. Por, ndërkohë kancelarja e ka kuptuar se Gjermania dhe BE duhet që zhvillimeve në Turqi t’ua vënë emrin ashtu si e kanë. Tani ajo flet për zhvillime në masën më të lartë shqetësuese.

E trishtueshme. Shumë alarmuese. Këto janë fjalë të qarta, që shumë kanë dashur t’i dëgjojnë prej kohësh nga kancelarja gjermane. Fakti që asaj iu desh shumë kohë, ka dy arsye: Politika e refugjatëve të BE-së dhe lidhjet e veçanta me Turqisë dhe Gjermanisë.

Kriza e refugjatëve: Merkel është e varur nga Turqia në krizën e refugjatëve. Marrëveshja me Turqinë është struktura e vetme mbi të cilën është mbështetur Merkel. Tani, ministri i Jashtëm Cavusoglu kërcënon me prishjen e saj, nëse nuk bëhet realitet liberalizimi i vizave për turqit. Por, kjo nuk do të ndodhë, nëse Evropa nuk do ta humbasë tërësisht fytyrën para Erdoganit. Tani që Merkel gjen fjalë të qarta për mënyrën e veprimit ndaj gazetarëve, duket si një indikator që edhe ajo nuk beson më në lidhje me Ankaranë në çështjen e refugjatëve. Ende nuk dihet se si duhet të formësohet një politikë e re për refugjatët.

Hezitimi i gjatë i Merkelit ka të bëjë edhe me lidhjen e veçantë të Gjermanisë me Turqinë. 4,5 milionë turq apo gjermanë me origjinë turke jetojnë në vend. Nëse vendlindja e tyre kthehet në një diktaturë, kjo ka pasoja për Gjermaninë. Merkel e ka ditur këtë. Nëse hezitimi i saj ka këtë kontekst kjo është e shpjegueshme.

Por, vetë kancelarja nuk ka qenë asnjëherë përkrahëse e idesë së pranimit të Turqisë në BE. Në mandatin e saj u përdor koncepti magjik i “partneritetit të privilegjuar”, që nuk do të thoshte gjë tjetër, veçse skepticizmin për një anëtarësim të plotë. Për një kohë të gjatë konservatorët gjermanë (edhe në vende të tjera) nuk mund ta përfytyronin të pranonin një vend mysliman si anëtar të BE. Nën qeveritë e mëparshme turke, shanset të paktën ekzistonin. Nën qeverinë aktuale jo më. Kjo është histori e shkuar tanimë. Nuk mund të ketë dy mendime për atë që po ndodh në Turqi. Prandaj reagimet e qeverisë gjermane dhe të opozitës tani janë përafruar.

The post Alarm i shkallës së fundit: Angela Merkel dhe Turqia appeared first on Telegrafi.

Related Posts :