Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Rrëfimi i kuzhinieres së Enverit: Çfarë s’mungonte në tryezë, si më foli kur theva gotat” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Rrëfimi i kuzhinieres së Enverit: Çfarë s’mungonte në tryezë, si më foli kur theva gotat” plus 9 more - Gazeta Dita


Rrëfimi i kuzhinieres së Enverit: Çfarë s’mungonte në tryezë, si më foli kur theva gotat

Posted: 02 Nov 2016 02:25 AM PDT

Nuk është e thënë që një njeri kriminel, në nivele ordinere apo "intelektuale" – si fjala vjen udhëheqës politik – të ketë qenë me patjetër i tillë dhe në jetën familjare. Natyra njerëzore e njeh paradoksin e dyfytyrësisë, ose bashkëjetesës së dy personaliteteve të kundërta, ku njëri mund të jetë thjesht aktor, mbajtës i një maske, ama edhe kjo pjesë e një personaliteti të dyfishtë.

Dhe kjo vlen edhe për Enverin. Në fillimet e pluralizmit, atëherë kur nis të gëlojë denoncimi i figurës së tij si diktator nga shumë zëra, doli dhe dikush, njohës i fëmijërisë së tij, që tha se shpirti i tij kriminel ishte ngjizur që kur vriste pamëshirshëm hardhuca nëpër mure apo u këpuste kokën zogjve. Por ka dhe rrëfime si kjo e një gruaje në moshë, së cilën fati e çoi të punonte për 14 vjet rresht si ndihmëskuzhiniere e Enverit në vilën e Vlorës. Dhe ja ç'përfaqson për të njeriu më i urryer për një pjesë jo të vogël shqiptarësh… (shënim i redaksisë)

Male Gumi nuk ka qenë partizane. Por ajo qan me lot çdo 16 tetor e 11 prill, sa herë që dega e PKSH-së në Gjirokastër organizon përkujtimore për Enverin, lindjen apo vdekjen e tij. Është 85 vjeçe, e ashtu e rënduar nga mosha, e mbajtur mbi bastun, gjen forca për të qenë aty, për ta përkujtuar, e qarë me lot pra, Envernë që nuk është me ç'prej tre dekadash.

Është ndër të rrallat gra që merr pjesë në kësi lloj organizimesh nga nostalgjikët e moshës së tretë në vendlindjen e ish-udhëheqësit komunist. Ishte dhe para dy javësh në 108-vjetorin e lindjes, aty në Palorto, ku ia puthte foton e kërkonte së bashku me bashkëmoshatarët e saj flokëthinjur e lëkurërrudhur rindërtimin e monumentit të tij.

Po çfarë e lidh plakën Male me Enverin? Thjesht nostalgjia për ish-sistemin e tij apo diçka më tepër se kaq, më e afërt, më intime?

Po. Male Gumi ka gatuar për Enverin, ka qenë ndihmësekuzhiniere në vilën qeveritare në Vlorë. Pra, nga duart e saj është ushqyer ai, "udhëheqësi i shtrenjtë i popullit dhe i partisë", siç thuhej në atë kohë e siç thuhet sot ende nga një pjesë, edhe nga Malja sigurisht.

E lindur në qytetin e Vlorës, Malja rridhte nga një familje e varfër me shume motra e vëllezër si fëmija i gjashtë në familje. Në të 17-tat e moshës, Males i duhej të punësohej diku, por ajo kurrë nuk e kishte menduar që atë ditë dhjetori do të shkelte në rezidencën numër 2 në Vlorë, aty ku vinte e qëndronte së bashku me familjen Enver Hoxha dora vetë.

"U ngrita atë mëngjes dhe babai im, Zaçja më tha se do  filloja punë si ndihëmsekuzhiniere, punë të cilën ma kishte gjetur një mik i famljes.

Sapo futem në ndërtesë mbetem e shokuar jo vetëm nga vila por edhe nga oborri me plot lule e me të gjitha llojet e trëndafilave.

Në sallon me priste një grua e cila ishte kryekuzhinierja. Më veshi një këmishë të bardhë dhe më tha se duhet të nxitonim pasi dreka ende nuk ishte gati.

Ju futa menjëherë punës. Ishte dita e parë që punova në vilën e Enver Hoxhës.

Kaluan ditët por unë ende nuk e kisha parë nga afër Enverin.

Të dy djemtë e tij qëndronin aty gjatë ditës dhe ne u përgatisnim ushqime të shumta e mjaft të shëndetshme teksa porosinë e merrnim nga Nexhmija.

Dhe me duart që më dridheshin nga emocioni, më në fund, aty rreth datës 13 dhjetor i shërbeva për herë të parë Enverit.

Kur mbarova me të servirur pjatat, shkova me vrap në kuzhinë dhe nga frika apo emocioni theva disa gota të cilat po i laja.

Kryekuzhinierja nuk foli, ndërsa nga larg më erdhi një zë ku më foli shoku Enver duke më thënë që mos të mërzitesha.

Pas kësaj ngjarjeje vija çdo ditë në punë dhe shikoja se sa thjeshtë e mirë ndihesha në shtëpinë e udhëheqësit të shqiptarëve asokohe".

Por si ishte t'i shërbeje një udhëheqësi? Çfarë i pëlqente të konsumonte më së shumti atij dhe familjes së tij?

"Çdo gjë që shtrohej në tavolinë ishte e pëlqyer nga Enveri pasi gatuhej mjaft mirë dhe kurrë, asnjëherë nuk thoshte se nuk i pëlqente ushqimi. Gjithmonë ne i përgatisnim shumë gatime tradicionale dhe ato ishin më të preferuarat për të. Byreku ishte një prej ushqimeve që nuk mungonte në tavolinë.

Shkova në në atë shtëpi fare e vogël, mësova shumë, punova prej më shumë se 14 vjetësh dhe me pas u shkëputa me kujtimet më të bukura. U largova  për të vazhduar rrugën time. Kam pasur një jetë tepër të vështirë pas atyre viteve që lashë punën. Nuk u martova asnjëherë dhe s'munda të krijoja një familje. Gjithmonë e kam dashur një të tillë, por ja që fati  ….(dhe qan).

Kur vdiq Enveri, si të gjithë të tjerët qava. Kam qarë shumë pasi unë edhe e kisha njohur dhe nuk më është dukur asnjëherë aq hijerëndë, por gjithmonë i qetë në familje dhe në sjelljet karshi nesh.

Do të shkoj në ditëlindjen e tij dhe në çdo datë tjetër sa të kem fuqi, sepse është një pjesë e madhe e rinisë time që është e mbushur me plot histori, të mira e të këqija. Unë sot e them me krenari se i kam shërbyer ish-udhëheqësit komunist, shokut Enver Hoxha", – përfundon rrëfimin e saj Male Guma, 85-vjeçarja që i shërbeu Enverit si ndihmëskuzhiniere. ( Nga Entjola Budo- Tesheshi.com)

Administrata, a ka një çmim eficenca

Posted: 02 Nov 2016 02:25 AM PDT

 

Nga Prof. Dr. Ahmet CENI*

 

Vijon nga numri i kaluar

 

Disa rekomandime për përmirësimin e sistemit të shpërblimeve në sektorin publik

Qeveria ka vendosur të verë në dispozicion një shumë të konsiderueshme për të rritur pagat e punonjësve të grupeve të ndryshme. Po t'i referohemi fondit të pagave të parashikuar për të gjithë grupet e punonjësve të sektorit publik, shuma për rritje përbën rreth 8.64% të fondit total të pagave prej 72 miliardë, pa llogaritur sigurimet shoqërore. Pra, është një shumë e konsiderueshme. Por, në qoftë se do të akordohej si shumë që do t'i shtohej pagës bazë, atëherë kjo do të ishte një pagë e konsoliduar dhe do të vazhdohet të jepet vazhdimisht, pavarësisht nga eficenca e funksionarit apo e nëpunësit publik. Në këtë rast ajo mund të rezultojë edhe një kosto shtesë për buxhetin pa përfitimet e nevojshme.

Në fushën e pagave në sektorin publik, ka nevojë për rishikime më tërësore me qëllim që paga të luajë rolin e saj nxitës gjatë transaksionit midis punëdhënësit dhe punëmarrësit. Çdo rritje e pa studiuar dhe e pa bazuar në argumente shkencore do të çojë në shpërdorim fonde dhe krijimin e një kaste parazitësh në kurriz te taksapaguesve. Do ishte një zgjidhje shumë e mirë që rritja e pagave të bëhet sipas sistemit të meritës dhe, në këto kushte, në varësi të eficencës dhe realizimit të objektivave të sektorit.

Duke u bazuar në eksperiencën e disa vendeve dhe rekomandimet e literaturës, sugjerojmë që rritja e pagave me meritë të realizohet në kuadrin e disa ndryshimeve në menaxhimin e sistemit të shpërblimit në veçanti dhe të menaxhimit të burimeve njerëzore në përgjithësi.

Problemi i parë që duhet zgjidhur është vendosja e një çmimi më të drejtë të çdo vendi pune në këtë sektor. Kur fiksohet paga, në rrjetat e shpërblimit duhet pasur parasysh jo vetëm aspekti ekonomik, por dhe moral i pagës, ku nga njëra anë ajo të reflektojë drejt kërkesat e zhvillimit ekonomik dhe mundësitë financiare të vendit, por, nga ana tjetër, një pagë e cila mund të jetë poshtë minimumit jetik të familjes krijon probleme me motivimin dhe angazhimin në punë. Në këtë rast mund të justifikohet rritja e pagës pa meritë deri në nivelin e minimumit jetik, pra, justifikohet rritja e pagave shumë të ulëta.

Për vendet e tjera të punës, vendosja e çmimit kërkon një klasifikim më të bazuar të posteve të punës, duke ndërtuar rrjeta, të cilat krijojnë mundësinë e krahasimit të pagave të të gjitha grupeve të punonjësve me njeri tjetrin. Në tabelën e mësipërme janë paraqitur disa koeficientë për çdo grup punonjësish, të cilat, normalisht, duhet të jenë të diferencuara ndaj njëri-tjetrit sipas një politike të caktuar, që synon të respektojë drejtësinë në shpërblim midis punonjësve të administratës publike dhe institucioneve të saj. Përveç klasifikimit më të saktë, kërkohet të merren në konsideratë edhe pagat e tregut të punës të sektorit privat, me qëllim që punonjësit të jenë të motivuar për të punuar në sektorin publik dhe të jenë të angazhuar maksimalisht. Nëpërmjet një klasifikimi më të drejtë do të arrihet që të gjitha vendet e punës të diferencohen në një mënyrë më objektive sipas disa kritereve, si: vështirësia e punës, përgjegjësia, niveli i formimit të kërkuar, rrezikshmëria që paraqet kryerja e punës, etj.

Problemi i dytë që duhet zgjidhur mbi bazën e një klasifikimi dhe përcaktimi më të drejtë të çmimit të çdo vendi pune në administratën publike, është të caktohen standardet e çdo vendi pune. Aktualisht, ekzistojnë përshkrimet e punës si sintezë e asaj se çfarë duhet të bëjnë punonjësit në punë dhe disa prej tyre kanë edhe ndonjë objektiv, por ato nuk janë të detajuara dhe konkrete që t'i imponojnë punonjësit kryerjen e detyrave në sasi, në kohë dhe me cilësi. Pra, standardet duhet të jenë të ndërtuara si nga pikëpamja sasiore, cilësore, kohore dhe tregues të tjerë. Ato duhet të jenë të zbërthyera në objektiva të matshëm për çdo vend pune, me qëllim që vlerësimi i këtyre punonjësve të bëhet pikërisht mbi bazën e këtyre standardeve dhe paga të lidhet me shkallen e plotësimit të tyre. Në qoftë se do të kishim këto standarde dhe punonjësit do të punonin sipas tyre, me siguri që niveli i cilësisë së funksionimit dhe shërbimit të administratës publike do të ishte shumë herë më i lartë. Duke vendosur standarde, mund të bëhet edhe një seleksionim i personave të paaftë që mund t'i kenë zënë ato vende jo në bazë të parimit të meritës.

Së treti, matja apo vlerësimi i këtyre standardeve në mënyrë objektive është një hap tjetër që do ta përmirësonte intensitetin dhe cilësinë e punës së administratës publike. Aktualisht, zbatohen procedura të vlerësimit të performancës së punonjësve në sektorë të ndryshëm të administratës publike, por nuk mbahen parasysh veçoritë e secilit sektor lidhur me metodën që mund të aplikohet për vlerësimin e performancës së punonjësve. Metoda e zbatuar aktualisht tenton të marrë në konsideratë disa objektiva, por procedurat e ndjekura për verifikimin e ecurisë së objektivave individuale nuk janë të plota dhe të sakta. Kjo situatë do të përmirësohej nëse do të përdoren metoda të larmishme dhe, kryesisht, metoda e "performancës së plotë", metoda "360 gradë" dhe metoda "sipas objektivave". Sigurisht, sektorë të veçantë, si për shembull shërbimet e sigurisë, apo punonjës që punojnë në sektorë specialë, mund të përdorin metoda vlerësimi që marrin në konsideratë sjelljen apo karakterin. Pra, metoda e vlerësimit e ndjekur duhet të jetë e tillë që të pasqyrojë aktivitetin e institucionit dhe objektivat e individit.

Në këtë aspekt, duhet gjetur më mirë edhe personi që bën vlerësimin, mbasi titullari shpesh herë konstatohet  tendenca  për të bërë vlerësime subjektive për shkak të afrimitetit me kolegët e zyrës.

Së katërti, niveli i arritjeve në vlerësimin e performancës duhet të japë efekte në shkallën e motivimit të punonjësve dhe në efektet korrigjuese të sjelljes së tyre në drejtimin gjithnjë e më pozitiv. Kjo është e lidhur më atë se si motivohet një person që ka punuar mirë dhe çfarë pasojash ka një person që ka punuar më dobët. Sipas akteve qeveritare në fuqi, punonjësit e shërbimit civil që vlerësohen shumë mirë duhet të marrin afërsisht deri 75% të një page vjetore  shtesë në vit, por ajo nuk zbatohet, mbasi nuk ka pasur një fond page të planifikuar në buxhet si shtesë për rezultate të arritura.  Gjithashtu, problemi shtrohet nëse është e mjaftueshme kjo pagë për të motivuar punonjësit? Në këtë aspekt do të ishte më mirë që pjesa e pagës e lidhur me realizimin e objektivave të jetë më e lartë, e cila mund të shkojë në 30 deri 40% të pagës gjithsej. Me praktikat që ndiqen, punonjësit duken sikur motivohen vetëm nga frika e largimit nga puna. Siç përmendëm në fillim, shpërblimi duhet të përbëhet nga paga bazë, shtesat dhe përfitimet., Paga bazë, e fiksuar në rrjeta, e dhënë vetëm për kohen e punës, nuk i motivon punonjësit, ajo nuk është e instrumentalizuar, prandaj kërkohet që struktura e pagës të jetë e larmishme, duke ju përgjigjur pritjeve që ka institucioni ndaj atij nëpunësi. Këto pritje duhet të jenë edhe objektivat me të cilat do të vlerësohet performanca. Shpërblimi i rezultateve sipas realizmit të objektivave të ndryshme është njëra forme e organizmit të pagave, e cila nuk është e konsoliduar, pra që një punonjës e merr këtë vit, por mund të mos e marrë vitin tjetër.

Formë tjetër e organizimit të shpërblimit mund të jetë paga e konsoliduar, e cila stimulon jo vetëm realizimin e detyrave, por edhe ngritjen në karrierë dhe pagat janë të fiksuara për çdo hap të karrierës së punonjësve. Sipas kësaj forme, shpërblimi do të bazohet në  karrierën vertikale dhe horizontale, ku vertikalisht janë nivelet dhe shkallët e karrierës, dhe në aksin horizontal niveli i formimit apo hapat në karrierë sipas vlerësimit. Kështu, për shembull, në sektorin e arsimit nivelet vertikale mund të jenë: mësues fillestar, mësues profesionist, mësues i konfirmuar dhe mësues ekspert dhe secila prej tyre ka disa shkallë në vetvete. Nivelet horizontale kanë të bëjnë më nivelin e formimit të mësuesit, si bachelor, master apo doktoratë. Ndërsa në sektorë të tjerë, si për shembull në shërbimin civil, në ushtri, etj., mund të zbatohen nivele dhe shkallë vertikale dhe hapa horizontalë me qëllim që, në çdo periudhë një ose dy vjeçare, punonjësi të ketë mundësi që të kalojë në një nivel më përpara në karrierë në mënyrë horizontale, gjë që do t'i krijojë punonjësit mundësinë për të marrë edhe një shpërblim më të madh. Pasi mbarojnë hapat horizontalë, atëherë kalohet në nivelin apo shkallën tjetër vertikale, e cila edhe ajo ka disa hapa horizontalë. Këtu ka diskutime në lidhje me numrin e niveleve dhe shkallëve vertikale dhe të hapave horizontale, në varësi të politikës që ndiqet lidhur me afatin e përfundimit të karrierës. Në këtë mënyrë mund të zbatohet shpërblimi edhe për kategoritë e tjera të funksionarëve publikë.

Së pesti, punonjësit që punojnë në administratën publike, me gjithë se individualisht mund të përbëjnë një kapital njerëzor, por, kur e shohim të lidhur me kontributin që ata mund të japin për organizatën, në mjaft raste, ata nuk përbëjnë aspak një kapital njerëzor apo intelektual. Kjo ndodh sepse specialistët që kanë zënë vende të ndryshme, nuk kanë formimin dhe specialitetin e nevojshëm sipas vendeve të punës, apo nuk e kanë kapacitetin e nevojshëm për të kryer atë lloj detyre Duke pasur parasysh që kapitali njerëzor i administratës publike është ai që garanton cilësinë e lartë të shërbimit dhe përparësinë ndaj sektorëve të tjerë, atëherë është e nevojshme që ky sistem shpërblimi i lidhur me rezultatet të jetë i shoqëruar me një proces rivlerësimi të nevojave në formim të specializuar sipas vendeve të punës dhe jo formim në përgjithësi, që nuk kanë lidhje me detyrat që kryejnë në vendin e tyre të punës. Sistemi i formimit duhet të shoqërohet me një provë korrekte lidhur me aftësimin e punonjësit për të kryer detyrën në vendin e punës dhe, në rast dështimi, personi ose duhet të zbresë në karrierë, ose duhet të largohet nga vendi i punës.

Së gjashti, problem jo më pak i rëndësishëm është edhe roli që duhet të luajë sistemi i shpërblimit në përmirësimin e imazhit të funksionarit dhe administratës publike. Në praktikë ka një perceptim negativ dhe, madje, në disa raste, shumë negativ lidhur me funksionarët publikë, si njerëz të korruptuar dhe të paaftë, perceptim që ka ardhur si pasojë e sjelljeve të individëve apo edhe të një shumice individësh ndaj kërkesave apo shqetësimeve të publikut. Është pikërisht kapitali intelektual ai që e modernizon funksionimin e administratës, sepse supozon që në administratë punojnë njerëz të aftë profesionalisht, që plotësojnë standardet, të angazhuar maksimalisht dhe të përfshirë në mënyrë maksimale në realizimin e objektivave të institucionit. Por sistemi i shpërblimit duhet ti diferencojë figurat intelektuale që i rrisin imazhin administratës publike dhe institucioneve të saj.

Në qoftë se do të zbatohen masat e mësipërme në mënyrë korrekte, pa ndërhyrje të karakterit individual, subjektiv apo militant atëherë edhe imazhi i funksionarit dhe i administratës publike do të përmirësohet shumë, sepse do të rritet kapitali intelektual i sektorit dhe administratës publike.

E gjitha kjo analizë u bë me qëllim që vënia në dispozicion të institucioneve të ndryshme të administratës publike e një fondi page prej 100 milionë dollarë, duke qenë një vendim i guximshëm i qeverisë, të akordohet duke e menduar më mirë skemën, sepse, në rast se ai do të akordohet pa meritë, atëherë ky do të ishte një shpenzim pa efekte dhe një rëndesë për buxhetin e shtetit. Realizimi i masave të mësipërme të propozuara, supozon një reformë apo përmirësim të punës në mënyrë relativisht tërësore, por edhe në fazën e tanishme akordimi i shtesës në pagë prej 100 milionë dollarë mund të organizohet sipas meritës së secilit dhe pastaj, brenda një apo dy viteve, mund të ndërtohet një sistem më tërësor dhe i përsosur i shpërblimit dhe i motivimit të punonjësve të sektorit publik. Ai fond (i shtuar në vitet në vijim) ngelet për t'ia dhënë punonjësve të administratës sipas meritës, ku raporti i pagës bazë dhe asaj sipas meritës mund të shkojë maksimumi 60% -70% me 30% deri në 40%. Administrata publike duhet të jetë një organ model i funksionimit, me qëllim që të jetë shembull edhe për sektorin privat, por kurrsesi ajo nuk duhet të jetë strehë e parazitëve që paguhen me taksat e popullit.

 

*Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Plagosje për motive hakmarrjeje, babë e bir në pranga

Posted: 02 Nov 2016 02:15 AM PDT

Një konflikt i ashpër mes dy familjeve për disa vite me radhë ka vijuar deti në ditën e sotme, duke shkaktuar një të plagosur. Një 60-vjeçar nga Malësia e Madhe së bashku me djalin e tij 34 vjeç dhe nipin 36-vjeçar, kanë tentuar të vrasin një person ditën e djeshme.

E gjitha ka ndodhur për motive hakmarrje. Sipas policisë së Shkodrës, Dan Toskaj, 60 vjeç (babai); Besmir Toskaj, 34 vjeç (i biri); dhe Edmir Toskaj, 36 vjeç (nipi), të 3 banues në Malësi të Madhe, kanë goditur me sende të forta shtetasin Q.S. për motive hakmarrje pasi prej disa vitesh janë në konflikt të ashpër si familje.

Ngjarja ka ndodhur tek një lokal në fshatin Vrakë.

Mësohet se i plagosuri ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq, materialet për ngjarjen iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje", "Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje" në bashkëpunim.

E kërcënoi me armë për drutë e zjarrit, në kërkim 26 vjeçari

Posted: 02 Nov 2016 02:12 AM PDT

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pogradec. Mësohet se një 26-vjeçar ka vjedhur me dhunë bashkëfshatarin dhe më pas e ka mbajtur atë të izoluar nën kërcënimin e armës. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal si edhe shpallën në kërkim Fation Bonon, banues në fshatin Vërdovë, (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimit kundër personit).

Procedimi ndaj tij filloi pas, kallëzimit të bërë nga shtetasi L.M, 35 vjeç, i cili ka deklaruar se Bono duke përdorur dhunë fizike, si edhe duke e kërcënuar me armë i ka përvetësuar këtij të fundit rreth 15 m sterë dru zjarri nga banesa e tij dhe më pas e ka mbajtur këtë shtetas të izoluar rreth 2 orë nën kërcënimin e armës, në vendin e quajtur "Gurore" mbi fshatin Vërdovë.

Nga ana e Policisë, po vijon puna për kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale: "Vjedhja me dhunë", "Heqja e paligjshme e lirisë".

“Hillary është në telashe”

Posted: 02 Nov 2016 02:00 AM PDT

Ai njihet si një ndër piratët kibernetikë më të famshëm dhe më të pasur në planet, themeloi Megaupload dhe së fundmi rikthehet në qendër të vëmendjes së mediave për një deklaratë të bërë në rrjetet sociale në lidhje me e-mailet e Hillary Clinton.

Kim Dotcom ka paralajmëruar kandidaten demokrate se ndodhet në telashe të mëdha, duke lënë të kuptohet se Wikileaks mund të publikojë të tjera mesazhe nga posta e saj elektronike, përfshirë këtu edhe 33 mijë që janë fshirë.

"Ka materiale të tjera ende të papublikuara, që pritet të bëhen publike në vazhdim. Clinton është në telashe të mëdha", shkruan ai në Twitter.

Më herët, Kim Dotcom ka lënë të kuptohet se Wikileaks zotëron 33 mijë mesazhet e fshira, të pranuara nga Clinton, por që kandidatja demokrate thotë se ishin personale dhe nuk kishin lidhje me punën e saj si Sekretare e Shtetit. Ai ka postuar edhe një guidë sesi të sigurohen edhe në rrugë ligjore mesazhet e fshira nga kandidatja demokrate për Presidente.

"Janë të gjitha të regjistruara në serverat e NSA-së në Utah. Senati dhe Kongresi mund t'i kërkojnë këto e-maile nga NSA", thotë ai.

Kim Dotcom, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 200 milionë dollarë, është shpallur në kërkim nga drejtësia amerikane për shkelje të të drejtës së autorit që me të famshem Megaupload, e mbyllur prej kohësh.

Konflikti për pronën, parandalohet vrasja

Posted: 02 Nov 2016 01:45 AM PDT

Policia e Lezhës ka parandaluar një vrasje. Kanë qenë banorët e fshatit Torovicë që kanë njoftuar policinë, për një konflikt.

Pas efektivët kanë shkuar në vendngjarje kanë arrestuar 40-vjeçarin Agron Gjeka. Ky i fundit, pas një konflikti për motive pronësie ka tentuar të vrasë me armë gjahu 31-vjeçarin L.B.

Mbi 40-vjeçarin Agron Gjeka tani rëndojnë akuzat: "Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë" dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjahut".

Zbardhet i plotë projekti për rritjen e pagave

Posted: 02 Nov 2016 01:39 AM PDT

Qeveria ka detajuar politikën e për rritjen e pagave të administratës. Projekti tashmë është gati për në Kuvend si pjesë e projektbuxhetit të vitit 2017.

Rritja e mesatare e pagës për sektorët kryesore arsimin, shëndetësinë dhe policinë e shtetit do të jetë me 10 për qind, ndërsa për punonjësit e administratës qendrore 7%. Kosto vjetore për këtë rritjen është 7.5 miliardë lekë, por duke qenë se kjo politikë do të aplikohet në muajin mars kosto reale ne buxhetin e 2017 nga kjo rritje do të jetë 6.2 miliardë lekë.

Nga kjo rritje do të përfitojnë 110 000 punonjës, nga të cilët 81 mijë punonjës janë buxhetorë dhe rreth 29 mijë punonjës të tjerë janë mjeke, infermierë dhe punonjës mësimorë të universiteteve publikë.

Politika e rritjes së pagave do bëhet e diferencuar duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike si dhe pagës së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit.

Paga minimale do të rritet me 36.3 % ose me 8 000 lekë/muaj. Numri total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për vitin 2017 është rreth 6 900 punonjës dhe fondi i nevojshëm nga kjo rritje është rreth 1 miliardë lekë në vit – raporton Monitor.

Rritja e pagës në sistemin arsimor publik parauniversitar dhe universitar do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 38 000 punonjës mësimorë. Fondi i parashikuar për t'u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë.

Gjithashtu, kjo rritje page do të financohet nga buxheti i shtetit edhe për 8000 punonjës të tjerë mësimore që janë në varësi të bashkive , duke shtuar financimin e grandit në masën 500 milion lekë.

Rritja e pagës në sistemin shëndetësor publik do të jetë 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 18 500 mjekë dhe infermierë. Fondi i parashikuar për t'u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.5 miliardë lekë, sqaron Ministria e Financave.

Rritja e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është rreth 10 000 punonjës policie dhe fondi i parashikuar për t'u akorduar për këtë qëllim arrin në 800 milionë lekë.

Ndërsa rritjen e pagës së nëpunësve të Administratës Publike mesatarisht me 7%.

Arrestohet doganieri dhe biznesmeni kosovar

Posted: 02 Nov 2016 01:35 AM PDT

Një doganier dhe një biznesmen nga Kosova janë arrestuar nga policia, në pikën kufitare të Morinës. Në pranga ka përfunduar doganieri Saimir Thaçi, 30 vjeç dhe biznesmeni nga Kosova, Afrim Sopaj, 33 vjeç.

Për këtë të fundit policia kishte informacione për kontrabandë të mallrave. Ndaj ditën e martë kur kaloi në pikën kufitare, doganieri Saimir Thaçi nuk e kishte kontrolluar automjetin e tij.

Më pas efektivët kanë ndaluar automjetin tip "Golf 4", me targa 04-583FE. Nga kontrolli u zbulua se në makinë kishte këpucë, të cilat i kishte kaluar pa doganë.

Kadri Hazbiu dhe marrëveshja sekrete e Sigurimit me STAS-in gjermanolindor

Posted: 02 Nov 2016 01:29 AM PDT


Shërbimet Sekrete

Një bashkëpunim i veçantë, jashtë vëmendjes e syve të opinionit publik ka qenë ai i shërbimeve sekrete të të dyja vendeve. Ato njiheshin me të njëjtin emër si në Shqipëri dhe në RDGJ: "Sigurimi i Shtetit".

Nga pikëpamja organizative në Shqipëri, ai mbeti deri në fundin e regjimit komunist brenda strukturës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa në RDGJ u shkëput pas mesit të viteve '50-të dhe u krijua si Ministri e Sigurimit të Shtetit (STAS). Të dyja këto institucione ishin instrumente besnike të regjimeve respektive që garantonin përmes dhunës, frikës, terrorit psikologjik, burgosjeve, torturave, vrasjeve, kontrollin dhe pushtetin e partive komuniste që i kishin ngritur. Nuk dihet se cili ka qenë më i egër e më famëkeq se tjetri: STAS-i gjerman apo Sigurimi shqiptar. Për këtë nevojitet një studim i veçantë krahasues e këtu nuk është rasti.

Natyra e njëjtë dhe objektivat e përbashkëta të regjimeve komuniste që i kishin ngritur i çoi të dy shërbimet sekrete në një bashkëpunim të ngushtë. Propozimi për bashkërendimin e veprimeve u bë nga pala gjermane në korrik të vitit 1955. Në përgatitje për nënshkrimin e marrëveshjes, Sigurimi i Shtetit shqiptar hartoi platformën e bisedimeve dhe kërkoi në tetor miratimin e saj prej udhëheqjes më të lartë të regjimit.

Pikat kryesore të kësaj platforme ishin: luftë të përbashkët kundër qendrave të shërbimeve sekrete armike që punonin kundër Shqipërisë, shkëmbimi i përhershëm i informatave, ndihmë për krijimin e agjenturës shqiptare në RFGJ, koordinimi i radiozbulimit, funksionimi dhe legalizimi i grupit operativ të Sigurimit shqiptar në Berlin, etj. Drejtimi kryesor i veprimtarisë së përbashkët do të ishte Republika Federale e Gjermanisë, përpunimi i grupeve të emigracionit politik shqiptar që ndodheshin aty.

Marrëveshja për bashkëpunim dhe teksti i protokollit të bisedimeve rreth saj u nënshkruan në Berlin në 12 nëntor 1955 nga ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë shqiptare, Kadri Hazbiu dhe nga zëvendësministri i Ministrisë së Sigurimit të Shtetit i qeverisë gjermano-lindore, Erich Mielke.

Shërbimi sekret shqiptar edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kishte informacione për veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar në RFGJ, të grumbulluar në afërsi të Mynihut. Agjentë të tij me pseudonimet "Besniku" dhe "Agroni" kishin depërtuar në radhët e këtij emigracioni dhe njoftonin Sigurimin. Ata informonin se në vitet 1950-1952 në Mynih, kishte mbi 230 shqiptarë antikomunistë, të cilët i vizitonin rregullisht krerët e emigracionit politik si Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Abas Ermenji, Vasil Andoni, etj.

Ata stërviteshin e përgatiteshin për t'u dërguar në Shqipëri nga instruktorë amerikanë e britanikë në një vilë në Berhtesgaden. Për t'u folur për misionin e tyre për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, aty kishin shkuar edhe disa emra të tjerë të njohur antikomunistë shqiptarë në emigracion si Abas Kupi, Zef Pali, Seit Kryeziu, Gaqo Gogo, etj. Në vitin 1956, Sigurimi i Shtetit kishte harta me plan vendosjet e emigrantëve shqiptarë në Mynih.

Në komunikimin e brendshëm ndëragjenturor të Sigurimit të Shtetit shqiptar, STAS-i e kishte pseudonimin "Morava". Të dyja shërbimet ndiqnin dinamikën e ndryshimeve e të lëvizjeve të grupit të emigrantëve shqiptarë. Në arkivin e Shërbimit sekret shqiptar ndodhen listat e vitit 1957, me emrat e shqiptarëve antikomunistë që ishin grupuar në kompaninë 4000, në adresën L.S.C. Keiserlauten post fahr 5, rreth 400 km larg Mynihut, por edhe të atyre që ishin larguar nga ajo e që kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1960 raportohej se radhët e emigrantëve politikë shqiptarë në Gjermani ishin përgjysmuar. Megjithatë, kjo nuk e uli vëmendjen e STAS-it ndaj tyre.

Në tetor 1960, në rrugë diplomatike, regjimi gjermano-lindor kërkoi në Tiranë informacione për dy kategori njerëzish: për emigrantët politikë shqiptarë që pas vitit 1945 ishin larguar nga Shqipëria e që luanin një rol politik ose nxitës dhe për emrat e funksionarëve e të komandantëve nazistë që kishin vepruar në kohën e pushtimit, për të hetuar nëse ata punonin në Gjermaninë Perëndimore në poste drejtuese. Lista të tilla ekzistonin të plota në arkivin e Sigurimit të Shtetit, por nuk dihet nëse ato iu dërguan STAS-it në fund të vitit 1960, kur kishte shpërthyer hapur çarja shqiptaro-sovjetike e që menjëherë do të reflektohej edhe në marrëdhëniet shqiptaro-gjermanolindore. Objekt i bashkëpunimit midis STAS-it dhe Shërbimit sekret shqiptar ishte dhe krijimi rrjetit të agjentëve shqiptarë në RFGj për zbulimin e veprimtarisë së organizatës "GEHLEN" kundër Shqipërisë.

Ajo, sipas informacioneve që shkëmbenin të dy shërbimet sekrete, ishte një organ zbulimi që në vitin 1956 kishte kaluar me vendim të Bundestagut në varësi të qeverisë federale gjermano-perëndimore. Gjithnjë sipas burimeve arkivore të Sigurimit shqiptar, "GEHLEN" kishte një zyrë të veçantë në Frankfurt mbi Main që merrej me Shqipërinë dhe që drejtohej nga Pohl Frederik me origjinë polake.

Puna e kësaj zyre ishte që të rekrutonin nga radhët e emigracionit antikomunist shqiptar në Gjermaninë Perëndimore dhe në vende të tjera perëndimore agjentë për t'i dërguar në Shqipëri. Sipas Shërbimit sekret shqiptar, kanali më i mirë për t'ia arritur këtij qëllimi ishte ai i riatdhesimit të shqiptarëve. Strukturat e posaçme të Sigurimit të Shtetit që kontrollonin procesin e riatdhesimit porositeshin që të ishin tepër të vëmendshëm në këtë çështje.

Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme që mbulonte Sigurimin e Shtetit, në vijim edhe të njoftimeve të mëparshme, në qershor 1957 informoi ministrin e STAS-it, Vollveber se zyra e posaçme gjermano-perëndimore që merrej me çështjen shqiptare vepronte edhe në Itali përmes Vehbi Frashërit, që kishte hapur një firmë tregtare, Xhafer Devës, Mentor Çokut, Nexhmedin Vrionit, etj.

Për të organizuar e udhëhequr nga afër punën zbuluese në adresë të kësaj zyre, në bashkëpunim edhe me dijeninë e STAS-it, në ambasadën shqiptare në Berlin me petkun e diplomatit ishte ngritur një njësi operative e Sigurimit shqiptar. Kjo njësi, që përbëhej nga tre "diplomatë" nuk ishte risi shqiptare, por ka qenë e është edhe sot, një praktikë e njohur.

Për shkak të volumit të madh të punës, STAS-it iu kërkua që njësisë operative shqiptare në Berlin t'i shtoheshin edhe dy anëtarë të tjerë, por kjo kërkesë u refuzua. Shërbimi sekret shqiptar arriti që të ketë në Gjermaninë Perëndimore rrjetin e vet agjenturor, prej të cilit disa agjentë kishin pseudonime si "Boga", "Mario", "Studenti", "Furxhiu", etj. Madje, Sigurimi shqiptar i kërkoi STAS-it që t'i rekrutonte edhe tri femra që punonin si kameriere në ambientet që frekuentoheshin nga kontingjentet e "Lindjes" dmth., nga emigrantët politikë të vendeve komuniste të Evropës Lindore, përfshirë edhe shqiptarë.

Agjentët e Sigurimit shqiptar në RFGJ kishin për detyrë të grumbullonin e të dërgonin informacione për gjendjen politike, ekonomike dhe ushtarake në vend. Duke qenë materiale konfidenciale, ato ishin në mjaft raste realiste e që shkonin në kundërshtim edhe me propagandën zyrtare komuniste shqiptare e gjermano-lindore. Në një nga këto informacione, shkruhej:

"Populli gjerman në përgjithësi është i kënaqur deri sot me qeverinë që ka si në politikë, edhe në ekonomi, sepse thonë se kurrë populli gjerman nuk ka ruajtur më mirë dhe në demokraci të tillë si sot". Shkëmbimi i informacionit për gjendjen në RFGJ e për lëvizjet e njerëzve të pakët prej saj në drejtim të Shqipërisë ngjallnin vëmendje të veçantë në STAS. Kur në Tiranë, në fillim të vitit 1958 erdhën dy përfaqësues të firmave tregtare gjermano-perëndimore, nga Berlini u kërkua menjëherë informacioni. Në mars, Kadri Hazbiu i dërgoi Erich Mielke-s një letër plot informata për aktivitetin, takimet e bisedimet e tregtarëve gjermano-perëndimorë në Shqipëri.

Njësia operative e Shërbimit sekret shqiptar në Berlin kishte për detyrë të mbulonte edhe Austrinë për shkak se me këtë vend, Shqipëria ende nuk kishte vendosur marrëdhënie diplomatike. Edhe aty funksiononte një rrjet i vogël agjenturor me njerëz, pseudonimet e të cilëve ishin "Shkupi", "Thana", "Dragobia", etj.

Po për të njëjtën arsye, të mungesës së marrëdhënieve diplomatike, por edhe të marrëdhënieve të acaruara shqiptaro-greke, Sigurimi shqiptar ka qenë vazhdimisht i fokusuar në problematikën greke. Edhe grupi operativ i Sigurimit shqiptar në Berlin e kishte përparësi punën zbuluese në Greqi. Kjo edhe për një arsye të veçantë. Në RFGJ gjatë viteve '50-të, për shkak të luftës civile në Greqi (1946-1949) dhe papunësisë së madhe kishin ardhur disa qindra mijëra emigrantë grekë. Mes tyre kishte një numër jo të vogël njerëzish me bindje të majta, madje edhe komuniste, por edhe të rinj që studionin jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por edhe në atë Perëndimore.

Ky kontingjent i madh njerëzish u bë objekt parësor i punës së njësisë operative të Sigurimit shqiptar në Berlin. Prej tyre u rekrutuan një numër jo i vogël agjentësh me pseudonime shqiptare si "Mekaniku", "Tregtari", "Butrinti", "Ylli", "Ambulanti", "Shpati" por edhe me pseudonime me emra grekë. Në planin e punës të grupit operativ të Berlinit në vitin 1958, detyrë e këtyre agjentëve ishte të punonin mes emigrantëve, sidomos atyre demokratë e të rinjve, të shkonin në Greqi e të grumbullonin informacione për dislokimin e forcave amerikane e të NATO-s, si dhe për gjithçka tjetër që lidhej me Shqipërinë.

"Diplomatët" e Sigurimit në Berlin si edhe kudo në vendet e tjera, kishin për mision të vëzhgonin nga afër e të kontrollonin studentët shqiptarë që studionin në universitete të ndryshme gjermano-lindore. Në planin e punës të grupit operativ të Berlinit në nëntor 1959, theksohej se ai do të ndiqte "me kujdes çështjen e sigurimit të studentëve… duke ngritur rezidenca për t'i mbrojtur ata nga penetrimi i armikut në radhët e tyre".

Gjykata Kushtetuese rrëzon ndërtuesit, mbetet në fuqi taksa 8% për ndërtimet në Tiranë

Posted: 02 Nov 2016 01:23 AM PDT

Merr fund përplasja 1 vjecare e ndërtuesve me Bashkinë e Tiranës, të cilët kundërshtonin me forcë taksën 8% të ndërtimit të vendosur nga kryebashkiaku Veliaj një vit më parë, si një masë shtrënguese për të ulur ndërtimet në Tiranë, por edhe për të shmangur ndërtuesit abuzivë. Ndërtuesit e kishin ankimuar ligjin "Për sistemin e taksave vendore" në Gjykatën Kushtetuese, me shpresë që kjo e fundit të rrëzonte edhe taksën 8%.

Por, burime nga Gjykata Kushtetuese shprehen se në mbledhjen e sotme kërkesa e ndërtuesve u rrëzua me një votim të ngushtë 4 me 3 në favor të Bashkisë së Tiranës, duke lënë një herë e mirë në fuqi taksën 8% për ndërtuesit. Një betejë ligjore e cila është fituar nga Veliaj, e që i jep fund jo vetëm përplasjes së kryebashkiakut me ndërtuesit, por zeron shpresat e këtyre të fundit për të shmangur taksën në fjalë.

Taksa 8% e ndërtimit u vendos një vit më parë me qëllimin për të ulur ritmin e ndërtimeve në qytet, por edhe për të shmangur abuzimet e rënda të ndërtuesve, të cilët pasi merrnin fare lehtë një leje ndërtimi, hapnin themelet e pallatit dhe më pas zhdukeshin në drejtim të paditur apo falimentonin, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve që blinin shtëpi.

Një situatë e tillë u denoncua disa muaj më parë nga kryebashkiaku Veliaj në Farkë, ku themelet e një pallati rrezikuan seriozisht shembjen e një pallati tjetër aty afër, çka vuri në rrezik jetën e qindra banorëve.

Këshilli Bashkiak i Tiranës në bazë të këtij ligji rriti vjet taksën e ndërtimit dhe atë të zënies së hapësirave publike, edhe si një mënyrë për të siguruar më shumë të ardhura për qytetin nga fitimet e ndërtuesve dhe bizneseve që zaptonin pa kufi trotuaret dhe hapësirat publike.

Related Posts :