Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

RTSH: “Profesor Kalo: Të dekriminalizohet gabimi mjeksor” plus 8 more

loading...

RTSH: “Profesor Kalo: Të dekriminalizohet gabimi mjeksor” plus 8 more


Profesor Kalo: Të dekriminalizohet gabimi mjeksor

Posted: 02 Nov 2016 02:29 PM PDT

Gabimet mjeksore në detyrë nuk janë vepra penale, por duhet të konsiderohen si çështje civile. Një nga emrat më të respektuar të mjekësisë shqiptare, profesor Isuf Kalo, ekspert në fushën e akreditimit të cilësisë dhe sigurimit të institucioneve shëndetësore, thotë për TVSH, se të kriminalizosh mjekët për gabimet në detyrë duhet të korigjosh fillimisht mangësitë e sistemit shëndetësor. “Ne nuk dimë se në çfarë mase pacientët tanë dëmtohen. Ne nuk kemi rregjistrime të asaj se çfarë shkon gabim. Nuk ka rrëfime të gabimeve se kanë frikën e ndëshkimit dhe kjo heq mundesinë e artë për tu përmirësuar. Dëmi që i bëhet të sëmurit, nuk zhdëmtohet” spjegon profesor Kalo. Sipas tij “Kjo ka krijuar një konflikt mes pacientëve dhe mjekëve. Ata pasi dëmtohen dëshirojnë të shohin mjekun e penalizuar. Asgjë nuk vjen nga kjo. Pacienti fiton vetëm kur i vendoset drejtësi për dëmin që është bërë” shton ai.
Sipas profesor Isuf Kalos fokusimi i gabimeve mjeksore tek mjeku, e çon debatin në vend të gabuar, nuk prodhon zgjidhje dhe penalizon të gjitha palët duket prodhuar konflikte. “Nese ti bën një gabim në detyrë e sipër me qëllim gjithmonë të mirë për ta shëruar të sëmurin, ky nuk është penal, por civil. Nuk ndëshkohet ai që bëri gabimin, por dëmshpërblehet i sëmuri” thotë profesor Kalo për TVSH. “Në pamundësi për të zhdëmtuar të sëmurin, e kanalizojmë gjithë mllefin dhe të drejtën e pacientëve” shton më tej ai.
Profesor Isuf Kalo sugjeron se “Çështja e sigurisë në spitale dhe në sistemin shëndetësor kërkon një platformë. Kriminalizimi i mjekëve nuk sjell asnjë përmirësim, përveç se shton frikën, i vë mjekët në pozita difensive dhe kjo është me kosto shumë të madhe edhe për pacientët edhe për shoqërinë” paralajmëron ai.
Urdhrat e profesionistëve të shëndetësisë në unison kanë kërkuar para deputetëve anëtarë të komisionit parlamentar të shëndetësisë dekriminalizmin e gabimit mjeksor në kodin penal. Viti 2015 shënoi numrin më të lartë të personave personel mjekësor të dënuar përkatësisht 12 të dënuar ndërkohë që për këtë vit deri më tani janë janë dënuar 8 mjekë.

Rama paralajmëron Greqinë: Koha e fqinjit të pasur që i tregonte arat fqinjit të varfër ka marrë fund mes nesh!

Posted: 02 Nov 2016 01:57 PM PDT

Marrëdhëniet shqiptaro-greke pritet të njohin zhvillime të reja. Kryeministri socialist Edi Rama ka paralajmëruar një përgjigje për autoritetet greke, të cilët nën sloganin e shkeljes së të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, kanë marrë në mbrojtje disa banorë të Himarës, që po kundërshtojnë prishjen e shtëpive të tyre për ti hapur rrugë zbatimit të një plani urbanistik në qytet. Duke këmbyer mendime në Fejsbuk me qytetarë të ndryshëm lidhur me këto zhvillime, zoti Rama shkruan: “Nesër në kuvend do ta marrin përgjigjen time për sa kanë thënë këto ditë, fqinjët tanë të vjetër e të dashur, me të cilet duhet dhe duam të kemi marrëdhënie të shkëlqyera! E që t’i kemi të tilla, na duhet patjetër të jemi të hapur, të vërtetë e të barabartë me njeri – tjetrin! Sepse koha e fqinjit të pasur që i tregonte arat fqinjit të varfër ka marrë fund mes nesh”. Deklarata e zotit Rama pritet me mjaft interes, pasi ministria e jashtme greke i ka konsideruar si një qasje agresive që nuk i shërben qetësimit të tensionit dhe ecjes përpara në marrëdheniet midis dy vendeve, deklarimet e ministrisë së jashtme shqiptare dhe  të vetë zotit Rama për këtë çështje.

Lufta kundër kanabisit, Rama pret ambasadorët

Posted: 02 Nov 2016 11:17 AM PDT

Në kulmin e polemikave mes qeverisë dhe opozitës për atë që mund të quhet tashmë “Çështja e kanabisit”, kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e të mërkurës një takim me ambasadorët e vendeve të ndryshme që janë akredituar në Tiranë. Ende nuk kanë dalë shumë hollësi rreth tij, por vetë zoti Rama shkruajti në Fejsbuk për një "Takim i dobishëm me miq, partnerë, përfaqësues të huaj në vend, për suksesin e represionit policor dhe sfidën e parandalimit të kanabisit!”.
Përpara këtij takimi ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët shqiptarë në rrjetin sociali Fejsbuk, tha se qveria duhet të bëjë më shumë për çështjen e kanabizimit. Zoti Lu bëri të ditur gjithshtu se DEA (Agjensia amerikane antidroge) po bashkëpunon me autoritetet shqiptare për të arrestuar trafikantët e heroinës dhe kokainës në, ata që ai i quajti "peshqit e mëdhenj"trafikantët e heroinës dhe kokainës.
Po të mërkurën është njoftuar zhvillimi i një operacion masiv anti-drogë në qarkun e Lezhës. Bilanci ka qenë ndalimi i 15 personave dhe sekuestrimi i një sasi e konsiderueshme kanabisi.

Rama : FMN “një përgjigje shembullore për gjithë politikanët dhe shkarrashkruesit e kazanit”

Posted: 02 Nov 2016 11:02 AM PDT

Kyeministri Edi Rama ka shprehur të mërkurën kënaqësinë e tij që FMN ka dhënë aprovimin për projekt-buxhetin e vitit 2017.  Në rrjetin social Fejsbuk zoti Rama ka shkruar se kjo është “një përgjigje shembullore për gjithë politikanët dhe shkarrashkruesit e kazanit”. Sipas zotit Rama “Falë reformave të thella që po fillojnë të japin rezultate” është:
1. Hera e parë që 100 milionë dollarë jepen në një buxhet të vetëm vjetor për rritje rrogash e pensionesh;
2. Rrogat e pensionet rriten për herë të parë duke ulur ndjeshem borxhin publik;
3. Borxhi Publik ulet ne 69.1 përqind të PBB, paralelisht me rritjen e rrogave e të pensioneve;
4. Defiçiti ulet në -2 përqind, më i ulëti në historinë e financave publike (deri sot më i ulëti në 25 vjet, ishte -3.1 përqind);
5. Defiçiti primar plus 0.7 përqind, më pozitivi në historinë e financave publike të 25 vjetëve të fundit;
6. Rritja ekonomike shkon në afro 4 përqind (në 2013 ishte nën 1 përqind).
Reagimi i zotit Rama vjen ndërsa opozita po këmbëngul se situata ekonomike në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm dhe se shqiptarët po varfërohen masivisht.

Proxima B: Një botë jashtëtokësore mund të ketë një oqean

Posted: 02 Nov 2016 08:29 AM PDT

Mund të jetë një planet-oqean, i mbuluar tërësisht me ujë, dhe mund të ketë përmasa të ngjashme me Tokën, një botë që ka mundësi shumë të mëdha që të presë jetën dhe që rrotullohet në një orbitë në yllin më të afërt nga Toka, Proxima Centauri. Këtë e tregon identikiti i tij që është publikuar në revistën Astrophysical Journal Letters, nga një grup ndërkombëtar i drejtuar nga Laboratori i Astrofisikës i Marsejës.

Duke u bazuar në analizat e vëzhgimeve të mëparshme dhe në një simulim, studimi tregon se planeti, që quhet Proxima B, duket se ka një masë 1,3 herë më të madhe se ajo e Tokës dhe rrezja është nga 5.990 deri në 8.920 kilometra. Planeti duket se është shumë afër yllit të vet, mendohet se ka një largësi dhjetë herë më të vogël në krahasim me atë që ndan Mërkurin nga Dielli. Por afërsia e ngushtë nga ylli i vet nuk sjell temperaturë të lartë në sipërfaqe pasi Proxsima Centauri është më i vogël se Dielli, një mijë herë më pak i ndritshëm dhe me një rreze dhjetë herë më të vogël sesa ajo e yllit tonë. Proxima B duket se ndodhet pikërisht në të ashtuquajturën zonë të banueshme të yllit të vet, ku temperaturat janë të buta dhe kushtet për të patur ujë në gjendje të lëngët në sipërfaqe.

Simulimet në kompjuter tregojnë se uji mund të mbulojë tërësisht planetin, duke formuar një oqean të vetëm të thellë rreth 200 kilometra dhe me një përbërje të ngjashme me atë të oqeaneve të mbuluar të disa hënave të akullta të Jupiterit dhe Saturnit. Planeti mund të jetë i formuar për 50% nga uji dhe 50% nga shkëmbinj, me një zemër prej metali të fortë të ngjashëm me atë të Mërkurit. Kufiri ndërmjet bërthamës metalike dhe mantelit shkëmbor (të formuar nga silikate) duhet të jetë në 1.500 kilometra thellësi. Sipas kërkuesve, planeti mund të ketë edhe një atmosferë të hollë me gaz, si Toka, dhe ky, sëbashku me ujin, e bëjnë planetin Proxima B shumë të mundshëm për të qënë i banuar.

Teatri kombëtar eksperimental publikoi sot kalendarin artistik

Posted: 02 Nov 2016 07:03 AM PDT

Me një buxhet minimal me të cilin mund të prodhoheshin 3 shfaqje, Teatri kombëtar eksperimental këtë vit realizon 23 produksione shumë prej tyre premiera. Me këtë aksiomë drejtori i këtij institucioni ka prezantuar para gazetarëve kalendarin e pasur të këtij sezoni artistik duke e vënë theksin tek ringritja e resurseve të teatrit të lirë në bashkëpunim me teatrin publik.

Në gjithë kalendarin janë 7 premiera të dedikuara publikut të rritur me vepra që peshojnë nga emra si Joe Orton, Jasmina Rais, Tenessee williams apo Henrik Ibsen. Por ndërkaq teatri eksperimental do të organizoje për herë të parë edhe Festivalin e oratorisë shqiptare.

Ndërsa mbrëmja e sotme inaguron përveç serisë së shfaqjeve edhe sallën alternative ku do të ngjitet monodrama "rrno për me tregue" me interpretim të Arben Derhemit dhe regji të Milto Kutalit.

Nis ndërtimi i rrugës Qendër-Babrru-Institut, investim ky i Bashkisë Kamëz

Posted: 02 Nov 2016 06:46 AM PDT

Bashkia e Kamzës ka nisur punimet për ndërtimin e rrugës Qendër Babrru-Rruga e Institutit me një gjatësi prej 7 kilometrash, investim që mendohet të ketë impakt tek 50 mijë banorë të njësisë administrative Paskuqan. Ndërtimi i kësaj rruge pritet të lehtësoje edhe trafikun për banorët e kryeqytetit që do ta përdorin atë.

Pas prishjes së ndërtimeve pa leje nga Inspektoriati Vendor i Mbrotjes së Territorit, Bashkia Kamëz po e financon realizimin e kësaj vepre infrastrukturore përmes të ardhurave të veta. E pajisur me sistem ndriçimi, në dy anët e kësaj rrugë do të ketë trotuare me gjerësi 2 metra, ndërsa gjërësia e saj totale do të jetë 7-8 metra.

Mirel Josa, trajner i ri i Tiranës

Posted: 02 Nov 2016 06:33 AM PDT

Edhe pse mori vetëm një humbje, në përfundim të fazës së parë të kampionatit të kategorisë superiore, trajneri Ilir Daja nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili ka vendosur të ndërpresë kontratën me Dajen dhe në vend të tij do të jetë Mirel Josa.

Trajneri Josa ka theksuar se Tirana ka lojtarë të mirë dhe synimi i tij do të vazhdojë të jetë po i njëjtë, titulli kampion dhe pjesëmarrja në kupat e evropës. Më tej presidenti Halili ka zbuluar një fakt tejet të rëndësishëm për të gjithë sportdashësit e Tiranës, se borxhi sportiv i klubit është shlyer gati 95%. Trajneri Mirel Josa ka nisur që të mërkurën pasdite stërvitjen me Tiranën për të realizuar objektivat e klubit.

SHBA: Rënia e dollarit dhe aksioneve botërore

Posted: 02 Nov 2016 06:23 AM PDT

Tregjet globale të aksioneve dhe dollari amerikan kanë shënuar rënie për shkak të shenjave se gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara po bëhet gjithnjë e më e ashpër dhe më e paqartë. Investitorët botërorë për javë të tëra ishin të bindur se kandidatja demokrate, Hillary Clinton, mund të fitoje pa probleme, pasi sondazhet tregonin vazhdimisht se ajo avanconte në krahasim me rivalin e saj republikan, Donald Trump. Paqartësia lidhur me rezultatin e zgjedhjeve më 8 nëntor ka ndikuar në rënien e aksioneve në Wall Street mbrëmë, ndërsa dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët në tri javët e fundit, kundër euros dhe monedhave të tjera kryesore.

Related Posts :