Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Të gënjesh është një stres i vërtetë” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Të gënjesh është një stres i vërtetë” plus 9 more Gazeta SHQIP


Të gënjesh është një stres i vërtetë

Posted: 27 Nov 2016 02:26 AM PST

Sipas një studimi amerikan, duke thënë shpesh gënjeshtra, mund t'i shkaktoni një gjendje tensioni dhe ankthi shëndetit. Duke qenë të sinqertë, favorizoni një mirëqenie psiko-fizike

liePersonat që thonë të vërtetën, përveçse janë në paqe me ndërgjegjen e tyre, kanë gjasa të gëzojnë një shëndet të mirë si nga ana psikologjike, ashtu edhe fizike. A ju ndodh shpesh t'i zmadhoni pak gjërat, për shembull një histori normale ta ktheni në tragjedi? Apo t'i justifikoni vonesat, duke përdorur çdo ditë nga një justifikim absurd? Ose më keq akoma, të shtireni sikur papritur nervozoheni me kolegët për punën, se doni të dilni me partnerin për të pirë një birrë? Duhet të dini se në të gjitha rastet, keq është për atë që mërzitet, sepse përveç shqetësimit moral dhe psikologjik që shkakton kjo te disa persona, vihet në rrezik edhe shëndeti juaj. Duhet të dini se duke thënë gënjeshtra, i bëni keq vetes. Kjo është vërtetuar edhe nga një studim. Disa shkencëtarë amerikanë të universitetit të "Notre Dame" (Indiana) kanë zbuluar se thënia e gënjeshtrave mund të nxisë shqetësime të tilla si dhembje koke dhe ftohje, por edhe shfaqjen e shenjave të melankolisë e depresionit.

Zbulimi i studiuesve amerikanë është fryt i një analize që ka zgjatur dhjetë javë dhe që është provuar te 100 vullnetarë të të dyja gjinive, me moshë nga 18 deri në 71 vjeç. Të gjithë pjesëmarrësit u ftuan t'i nënshtroheshin, javë pas jave, makinës së të vërtetës dhe t'i përgjigjeshin disa pyetjeve rreth zakoneve të përditshme. Në fakt, eksperimenti kishte një ndryshim: njërit grup pjesëmarrësish, ekspertët i rekomanduan të thoshte gjithnjë të vërtetën dhe të merrte në konsideratë faktin që nëse grupi tjetër gënjente, mund të mos përgjigjeshin për pyetjen në fjalë dhe të kërkonin që të kalonin te tjetra. Grupit tjetër të vullnetarëve nuk iu tha asgjë.

Përfundimi? Grupi i parë i vullnetarëve, ose më saktë ata që nuk mundën t'u përgjigjeshin disa pyetjeve në vend që të gënjenin, tregoi se gëzonin shëndet të plotë dhe kishin një gjendje më të mirë psiko-fizike. Nga ana tjetër, vullnetarët që gënjyen, dhe në veçanti ata që thanë të paktën tri gënjeshtra në javë, treguan shenja shqetësimi. Arsyeja? Të thuash gënjeshtra do të thotë ta zhysësh trurin në një punë të vështirë, që i kushton shtrenjtë shëndetit dhe dihet që stresi është shumë i dëmshëm. Për pasojë, mund të shkaktojë dobësim të sistemit imunitar – që ndryshe përkthehet në dhimbje shqetësuese siç është ajo e kohës, dhimbja e fytit, ftohja – dhe prekjen më lehtë nga problemet e depresionit.

Kjo nuk është hera e parë që vesi i të gënjyerit studiohet shkencërisht. Në të kaluarën, studimet e bëra përtej oqeanit janë marrë me llogaritjen sesa gënjeshtra thonë amerikanët mesatarisht në 11 javë. Duke treguar të vërtetën, ulet niveli i stresit. Nuk është aspak mirë të gënjesh, sepse përveçse jeton me një konflikt të brendshëm, shton edhe peshën e rëndë të tensionit në jetën e përditshme. Ndaj specialistët këshillojnë që si terapi, çdo njeri të praktikojë ndershmërinë. Benefitet do të vëreheshin veçanërisht në nivelin social.

27 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Shkodër, i vodhën portofolin një personi, arrestohen në flagrancë 2 shtetas

Posted: 27 Nov 2016 02:03 AM PST

policia-e-shkodres-1Nga shërbimet e komisariatit të policisë Shkodër u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve  Kedis Druni, 22 vjeç, banues në Shkodër dhe Mikel Miloti, 19 vjeç, banues në Shkodër.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë më datë 26.11.2016 pasi dyshohet se shtetasit A.D. 24 vjeç, banues në Shkodër, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, i kanë vjedhur me dhunë portofolin brenda të cilit ka pasur një shumë të konsiderueshme lekësh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua portofoli, me sasinë e lekëve të sipër përmendura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

27 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Lezhë, maskat grabisin karburantin, dhunojnë barbarisht rojën

Posted: 27 Nov 2016 01:53 AM PST

maskatDy persona të maskuar ende të paidentifikuar kanë grabitur me armë një karburant në aksin rrugor Lezhë-Shkodër dhe kanë dhunuar barbarisht rojën e karburantit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës pranë fshatit Dajç të Lezhës.

Sipas policisë grabitësit  i kanë kërkuar dy punonjësve që t'ju jepnin paratë që kishin në kasafortë, por njëri prej rojeve të karburantit, Lek Përkeqi ka bërë rezistencë dhe është përpjekur të përleshet me grabitësit. Por, këta të fundit e kanë goditur disa herë në kokë me levë 50-vjeçarin duke e lënë pa ndjenja dhe pasi kanë marrë paratë janë larguar në këmbë nga karburanti.

Policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen, dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

27 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

ÇFARË RREZIKON SHQIPËRIA NGA LIGJI ITALIAN PËR “CALL CENTERS”?

Posted: 27 Nov 2016 01:15 AM PST

Jorida TABAKU *

Jorida Tabaku_1Këto ditë në media ka qarkulluar një amendament i miratuar nga Dhoma e Ulët e Parlamentit Italian, që lidhet me kompanitë italiane që përdorin shërbimet Call Center jashtë territorit të Italisë dhe BE-së. Ky amendim i ligjit është dërguar vite më parë në Parlamentin Italian, por u aprovua pas debateve të gjata para dy ditësh si pasojë e rastit "Almaviva".

Shkurtimisht mbi këtë rast, në prillin e vitit 2016 kompania "Alamaviva" në Itali ka shkurtuar mbi 30 mijë punonjës si pasojë e konkurrencës së fortë që vinte nga Call Center që operonin jashtë vendeve të BE-së dhe që kanë kosto më të ulët. Për rrjedhojë, parlamenti i Italisë, rishqyrtoj amendimin e ligjit i cili:
Detyron kompanitë Italiane që kanë Call Center e tyre të drejta për drejta (pa palë ndërmjetësuese) të zhvendosin qendrat Call Center në Itali apo vendet e BE nga vendet jashtë BE-së. Gjithashtu, ligji, detyron kompanitë Italiane që kanë kontrata me palë të treta (siç është rasti i Shqipërisë) që të krijojnë opsionin e lajmërimit të klientit nëse dëshiron të flasë me një operator që ndodhet në Shqipëri apo me operatorë që ndodhen në Itali.

Pikërisht kjo pikë është ajo çfarë ka nxitur një reagim dhe frikësim legjitim të shumë të rinjve që mbajnë familjet, tarifat e studimit por edhe sigurojnë një të ardhme përmes kësaj forme punësimi. Ligji në fjalë, parashikon që kompanitë që përdorin Call Center me palë të treta, nuk do të përfitojnë më nga lehtësirat fiskale si dhe subvencione të qeverisë italiane. Kjo do të thotë që shumë prej kompanive italiane si pasojë e kësaj shtrëngese do të detyrohen që të ulin çmimin me të cilin ato paguajnë operatorët e Tretë. këto të fundit, si efekt zinxhir, do të ulin shpenzimet dhe për rrjedhojë do të ketë shkurtime por edhe ulje rroge.

Nga një llogaritje e thjeshtë, në kete sektor punojne rreth 30,000 te rinj. Po çfarë reagimi ka qeveria Shqiptare për një situatë të tillë? Ka dëgjuar njeri deri më tani ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale të flasë? Po ministrja e Ekonomisë është dëgjuar të flasë? Po ministrin e Financave e ka dëgjuar ndokush?
Po kryeministrin e vendit që nga çdo podium lartëson dhe propagandon një Shqipëri që nuk ekziston vetëm se në përrallat e tij, e ka dëgjuar ndokush të flasë për ndonjë plan në një rast të tillë?

Deri më tani asgjë përpos heshtjes. E cila dëshmon paaftësinë e një qeverie të kurdisur vetëm për të ngritur taksat dhe jo për të krijuar mundësi punësimi.

Sot, vendi realisht është në një situatë delikate. Shërbimet më të rëndësishme (si ai urban, shëndetësor, arsimor) janë rritur ndjeshëm ndërsa të ardhurat jo. Qeveria ka taksuar në këto katër vjetër mbi 1 mld USD ndërkohë që nuk ka rritur numrin e të punësuarve dhe rritja ekonomike aktuale mbahet në këmbë nga investime të djeshme.

Italia, sot është përpjekur të gjejë një zgjidhje (e cila na bie ne rëndë për shkak të rrethanave tona), ndërkohë që ne nuk kemi asnje oferte per imvestitoret e huaj. Mbyllja e këtyre Call Center do të shoqërohej me emigrimin e të rinjve, me uljen e konsumit, uljen e çmimeve në tregun e banesave, rritjen e papunësisë dhe një gjendje paniku.

Përballë kësaj sfide, qeveria ka vendosur të heshtë, ndërkohë që opozita ka ofertën e saj. Politikat e ulëta fiskale, një taksë e sheshtë dhe mbi të gjitha subvencione dhe mundësi për të investuar në vend; janë ilaçi që mund të mbajë ende në jetë këto vende pune që sot janë më të shtrenjta se kurrë.

Deputete e Partisë Demokratike

27 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

PO PASTAJ ÇFARË DO TË BËJË BERISHA…?

Posted: 27 Nov 2016 12:40 AM PST

Nga Spartak NGJELA

NgjelaNëse Komisioni i Venecias do të sjellë vendimin e tij të prerë: "ligji i vetingut është i mbështetur plotësisht në kushtetutë", dhe do ta sjellë këto ditë këtë përgjigje – çfarë duhet të bëjnë kundërshtarët që penguan historinë europiane të Shqipërisë?

Sali Berisha, dhe një varg firmëtarësh të padisë antiveting duhet të japin dorëheqjen nga politika; ndryshe do të vërtetonin armiqësinë e egër kundër prosperitetit europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dhe sigurisht që kjo do t'i rëndonte më shumë në krimet që kanë bërë me abuzimin e pushtetit në Shqipëri.

Gjykata Kushtetuese duhet të japë dorëheqjen për pezullimin e ligjit të vetingut, sepse, në të kundërt, do të vërtetonte se, për të mbrojtur korrupsionin në Shqipëri, ka vonuar me kast historinë progresive të popullit shqiptar.

Por, a ka mundësi që Komisioni i Venecias ta quajë antikushtetues ligjin për vetingun? Kjo është pamundësi absolute.

E para, sepse ajo është shprehur një herë për vetingun në rastin kur ky ishte ligj kushteturs; dhe e dyta, sepse sipas burimeve të mia të mirëinformuara, Komisioni i Venecias e ka marrë vendimin e pranimit të ligjit si plotësisht kushtetues, dhe pritet ta shpallë këto ditë.

Ndoshta me rastin e vizitës së kryeministrit shqiptar në Berlin.

Koha e progresit europian shqiptar nuk mund të griset më nga asnjë lloj force regresive në Tiranë, kushdo qoftë ajo.

27 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 27 nëntor 2016

Posted: 27 Nov 2016 12:25 AM PST

horoskopi1-212DASHI

Diskutime në familje do t'ju kërkojnë një farë durimi nga ana juaj. Do të keni rastin për të shprehur të gjithë kreativitetin tuaj. Pak shqetësime në jetën në çift.

DEMI

Mos prisni gjithmonë t`ju ndihmojnë të tjerët, sepse kështu nuk do të arrini të gjeni vërtetë atë çka ju keni nevojë. Mundohuni të merrni situatën në dorë, që gjithçka të jetë në vendin e duhur.

BINJAKET

Durimi është arma juaj fituese për të mundur çdo rezistencë. Nëse jeni shumë të influencuar nga pasioni, rrezikoni  që të tërhiqeni në një terren të papërshtatshëm, prandaj kini kujdes.

GAFORRJA

Është e nevojshme të bëni zgjedhje koherente: në të tanishmen veçanërisht, do të arrini të sistemoni shumë gjëra në jetën tuaj profesionale, por edhe në atë sentimentale.

LUANI

Influenca pozitive e Hënës është në gjendje, të balancojë gjërat në favorin tuaj, duke ju dhuruar ide të reja dhe entuziazëm. Por mos shpresoni, që sot, t`ja dilni të ndikoni dhe tek të tjerët.

VIRGJERESHA

Në një farë mënyre,sot do të ndjeheni si të shfrytëzuar. Ndryshoni sjellje në jetën private, sepse nuk do të arrini të mirëkuptoheni si me shoqërinë ashtu dhe me partnerin.

PESHORJA

Jeni të vlerësuar për kapacitetin tuaj por ju duhet, jo vetëm të bashkëpunoni në mënyrë efikase për të arritur objektivat e përcaktuara më parë nga ju por dhe të kini kujdes nga kontradiktat.

AKREPI

E gjithë ngarkesa e këtyre javëve do të bëjë që sot të filloni të shijoni arritjet tuaja. Do të planifikoni projekte të reja për jetën tuaj në çift.

SHIGJETARI

Keni vendosur të relaksoheni dhe do të lini mënjanë çdo impenjim tuajin. Kjo do të bëjë shumë mirë për shëndetin tuaj pasi kishit kohë që nuk kujdeseshit aq shumë për të.

BRICJAPI

Sot, fal influencës së veçanta të Hënës, është e mundur që t`ju japin mundësinë e re në aspektin profesional, merreni seriozisht konsideratën e një mundësie të re.

UJORI

Sot do të ndjeheni të lodhur dhe do të keni nevojë për vëmendjen e dikujt që t`ju ndihmojë. Miqtë tuaj do t`ju ndihmojnë për të gjetur qetësin dhe humorin.

PESHQIT

Në planin personal kjo është një ditë e përshtatshme për të përfituar. Do të tërhiqni vëmendjen e disa personave e do ju takojë vetëm të vendosni se deri në ç'pikë do ta çoni lojën.

Vlorë, mjeti bie në një gropë pranë “Lungomares”, humb jetën 18-vjeçari

Posted: 26 Nov 2016 03:52 PM PST

foto ilustruese
foto ilustruese

Një aksident tragjik ka ndodhur pak para mesnatës së sotme në Vlorë pranë Ujit të Ftohtë në zonën e njohur si “Rrapi”. Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike, pasi automjeti me të cilin udhëtonin ka rënë në gropën e hapur në mes të rrugës për ndërtimin e shëtitores së quajtur “Lungomare”.

Sipas burimeve, makina e aksidentur ka qenë një “Bmw” e llojit “X6” me targa AA010AU dhe mësohet se pasagjeri i mjetit, Kristi Panajoti 18 vjeç, ka humbur jetën pak pasi ka mbërritur në spital, ndërsa drejtuesi, i identifikuar si Petro Bego 21 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë. Policia ka shkuar në venddngjarje për të zbardhur rrethanat e aksidentit.

27 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Hapja e dosjeve, një mundësi e mirë për dinjitet dhe vetë-lustrim

Posted: 26 Nov 2016 02:00 PM PST

Gentiana SulaKryetarja e sapo-zgjedhur e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Genta Sula, tha sot në një intervistë për "Zërin e Amerikës" se institucioni i ri do të bëjë gjithçka është e mundur, që t’u sjellë viktimave të Sigurimit të Shtetit dinjitetin e nëpërkëmbur ndër disa dekada. Zonja Sula thotë se pas një rehabilitimi financiar dhe shëndetësor ish të dënuarit e regjimit komunist mund të kenë tani edhe një rehabilitim shpirtëror për vuajtjet e rënda, që pësuan nga përndjekja e diktaturës . Autoriteti i Hapjes së Dosjeve do t’u sigurojë të interesuarve informacion mbi përndjekjen e tyre gjatë diktaturës mbi bazën e dokumenteve të ish-sigurimit famëkeq të shtetit. Zonja Sula thotë se është e mundur që në kërkimet arkivore të rikuperohen edhe ato të dhëna, që janë djegur apo dëmtuar nga dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Zonja Sula, ju sapo jeni emëruar nga parlamenti në krye të Autoritetit për Hapjen e Dosjeve. Si lindi ideja për këtë institucion dhe cili do të jetë hapi i tij i parë?

Së pari, programi i qeverisë Rama ishte shumë konkret dhe i guximshëm sa i përket qasjes me të shkuarën komuniste. Ai bënte thirrje për 3 gjëra kryesore: së pari, krijimi i një institucioni të memories, ku një nga pjesët përbërëse është edhe hapja e arkivave, që deri sot kanë qenë të mbyllura,

Së dyti programi përcaktonte dëmshpërblimin më të drejtë dhe më transparent për ish të dënuarit politikë dhe së treti, zbardhja e natyrës së krimit në shoqërinë tonë gjatë viteve të komunizmit, që përfshiu edhe hapjen e disa muzeumeve, si Bunkarti.

Ne filluam së pari me dëmshpërblimet, sepse u pa që aty ishte nervi. Vuajtjet kanë qenë aq të mëdha dhe një shtresë e madhe e ish të dënuarve politikë dhe familjeve të tyre mbetën të paintegruar në shoqëri nga ana ekonomike, pati dhe ka ende probleme të rënda me banimin dhe punësimin.

Ka qenë një prapambetje e madhe, jo për faj të tyre, në aspektet arsimore, ndaj u morën një sërë masash për të parë aspektin shoqëror; dëmshpërblimin financiar, që është një e drejtë e tyre e pamohuar dhe së dyti garantimi i arsimit falas për fëmijët e ish të dënuarve, shërbimi shëndetësor falas, si dhe për pensionet në kuadrin e madh të reformës së pensioneve, për të cilat ende nuk është gjetur një gjuhë, do të thosha.

Njëkohësisht u morën masa për institucionin e memories, që prej dy dekadash e gjysmë një lëvizje e shoqërisë, e cila për shkak të tabusë, frikës së madhe ndaj institucionit të tmerrshëm të diktaturës kishte mbetur në ngërç, sidomos për sa i përket të drejtës së shoqërisë për t’iu qasur informacioneve.

Ju tani keni marrë përsipër të ndriçoni ngjarje të fshehta dhe të dhunshme të diktaturës. Cila është ideja juaj e parë, bazuar te ligji, për ta nisur këtë detyrë?

Grupi më i zëshëm i shoqërisë, që bënte thirrje për transparencë është pjesa që e ka përjetuar më egër, por e gjithë shoqëria është shumë e ndjeshme për këtë çështje dhe nga përvoja personale me dëmshpërblimet, e kam të qartë, se çfarëdo që kemi bërë, çështjet që kishin të bënin me të kaluarën, sidomos emri i Sigurimit ngjall një reagim të menjëhershëm.

Ndaj tij ekziston ende një frikë në mendjet e njerëzve. Mendoj se është e pafalshme që një shoqëri demokratike të pranojë që një segment i shtetit të ngjallë akoma aq shumë frikë te qytetarët e vet.

Një shoqëri demokratike ka detyrimin e vet që të japë informacion mbi informacionet që shteti mbledh për qytetarët e vet. Natyrisht që ka edhe informacione të karakterit sekret, por në bazë të gjithë normave të shtetit demokratik të sanksionuara në konventat më të mira, qoftë të të drejtave të njeriut dhe të drejtën për informim, ka një kohë në të cilën shteti i jep llogari qytetarëve të vet për veprimet që ka bërë, nëse ka patur dyshime, të drejta apo jo.

Për të gjitha veprimet që ka bërë është një kohë kur shteti përballet me qytetarët. Për shqiptarët shteti nuk e kishte dhënë këtë të drejtë për informim, që buron nga e drejta e njerëzve për të ditur dhe për këtë arsye jemi këtu ku jemi.

Krahas të drejtës së informimit, është bërë një ligj i ri për t’i trajtuar këto të dhëna ende të fshehta Si do të ecet më tej?

U bë një ligj i ri për t’i trajtuar ato dokumente, sepse edhe karakteri i informacioneve, që ndodhen aty brenda, është i veçantë, sepse ka të bëjë me jetët personale të individëve. Vetë qëllimi i Sigurimit ishte që të kontrollonte njerëz të caktuar, që i konsideronte persona kundër regjimit, t’i manipulonte, t’i vinte në pozita, që të shërbenin si pjesë e luftës së klasave etj.

Informacionet e mbledhura aty janë të një karakteri tepër personal. Shpesh herë ka edhe elementë të sigurisë kombëtare, ka tema të ngërthyera, ndaj janë të një natyre të veçantë. Vende të tjera, ku ne kemi mësuar, që trajtojnë këtë trashëgimi të Sigurimit, e kanë parë të arsyeshme që të organizojnë një qasje të veçantë.

Ju thoni se nëpër dosje ka të dhëna personale. Por një pjesë e shoqërisë janë të shqetësuar se deri sot nuk është ruajtur privatësia e viktimave, por është ruajtur privatësia e persekutorëve. Si do ta trajtoni ju këtë gjë?

Ligji i ri u jep mundësinë të gjithë personave të survejuar dhe të dëmtuar nga Sigurimi që të njihen me dosjen e tyre personale dhe nëpërmjet kësaj ata të mund të shkojnë në burimin e aktivitetit represiv që ka ushtruar institucioni ndaj tyre, duke njohur edhe karakteret që kanë marrë pjesë në këtë "lojë" apo në këtë "film", që është luajtur me jetët e tyre.

Sa informacion mund të marrin personat e interesuar përmes Autoritetit tuaj? Si vihet në lëvizje kërkimi i dokumenteve dhe deri sa thellë mund të shkojnë ata në zbardhjen e fatkeqësive të jetës së tyre?

Nuk ka ndonjë mister për këtë. Si edhe në vendet e tjera, ekspertët që kemi kontaktuar, thonë që klasifikimi i dokumenteve në arkivat e Sigurimit është shumë i ngjashëm me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, buruar nga modeli i shërbimeve sekrete ruse. Çdo individ ka një dosje të vetën, dhe vetëm ky person ka të drejtë ta shohë dosjen e tij, pasi bën kërkesën pranë Autoritetit, nëse ky person nuk është zyrtar publik i niveleve të caktuara nga ligji.

Autoriteti, nëpërmjet personelit që ka, bën pastrimin nga elemente informacioni për persona të tretë. Aty do të dalë me pseudonim personi që ka pasur një rol në survejimin e këtij personi dhe në bazë të dëshirës së qytetarit për të shkuar më thellë dhe arsyeve që ai do të shprehë, varet se për çfarë është i interesuar.

A mund të hapë i dënuari tani një gjyq ndaj persekutorëve të tij me të dhënat që merr nga ju zyrtarisht?

Ky është një informacion shtesë, që atij i shërben për të rindërtuar historinë e tij personale krahas shumë informacioneve të tjera që ka. Mbetet për t’u parë dhe është vendim i tij pastaj se si mund ta përdorë.

Dikush mund ta publikojë informacionin, dikush mund ta mbajë për vete, dikush mund t’ia tregojë fëmijëve, dikush mund të qartësohet për historinë e jetës së tij. Besoj se edhe për të hapur një gjyq është e drejtë e kujtdo, sepse njerëzit janë etiketuar si armiq, sabotatorë, terroristë, tradhtarë etj. Rehabilitimin moral ai do ta kërkojë.

E dyta, mundet të ketë pasur vuajtje te e ashtuquajtura hetuesi, për të cilën nuk ka pasur dokumentim dhe nuk ka marrë as dëmshpërblim, mund ta përdorë informacionin për të vërtetuar përndjekjen. Njerëzit mund të kenë qëllime të ndryshme, por mundet edhe të sqarojë pozicionet e veta para familjarëve të vet, ai vetë të qartësohet në raport me ngjarjet që i kanë ndodhur në jetën e tij.

Janë ngjarje të rëndësishme të jetës së njeriut; lindja, vdekja, divorci, kujdestaritë e fëmijëve, ndryshimi i karrierës, ndryshimi i banimit, heqja e pronësisë nga objekte të caktuara, sende personale, që nuk i di ku i ka, dikush kërkon ditarët, që kishte mbajtur, dikush tjetër kërkon një dorëshkrim libri, që kishte shkruar, dikush tjetër kërkon objekte personale të prindërve të vet ose të vetat.

Të dhënat mundet të përdoren për qëllime nga më të ndryshmet. Dikush mund edhe të kërkojë të shfajësohet nga një akuzë, për të cilën i është bërë shantazh. Kushdo mund të vijë e të kërkojë informacione të mëtejshme për një larmi ngjarjesh dhe detajesh për të sqaruar pozicionin e vet para publikut.

Mendoj se kjo është një arkivë e rëndësishme për shoqërinë, për individët. Pastaj arsyetim tjetër arkivi do t’u japë historianëve dhe gazetarëve, të cilët do të kenë një bazë dokumentare të rëndësishme për të zhvilluar analizat e veta.

A mund të nisin hakmarrje, bazuar në këto të dhëna të reja?

Mendoj që jo. Këto 25 vjet unë kam pasur kontakte të shpeshta me grupime të ish të përndjekurve, sidomos 3 vjetët e fundit. Ata i dinë se si kanë ndodhur ngjarjet në pjesën më të madhe, janë përballur me dëshmitarët, me gjyqtarët, me hetuesit.

Në Shqipëri dhe në Evropën Lindore është fakt që nuk kanë ndodhur gjeste të hakmarrjeve personale. Një gjë është e vërtetë, sa i takon qasjes së këtij ligji: ai mban në qendër të vëmendjes personat e dëmtuar. Autoriteti u jep atyre një instrument më shumë që ata të rehabilitojnë figurën.

Kjo është edhe një kërkesë për reflektim ndaj personave që kanë qenë pjesë e makinerisë represive. Ato duhet të reflektojnë për veprimet, qoftë edhe në kontekstin e kohës, apo të rrethanave të jashtëzakonshme, ku çdo gjë ka ndodhur. Ka pasur edhe rekrutime nën dhunë, në presion. Gjithë familja mbahej peng nga lufta e klasave.

Kështu që, do t’i bëj thirrje shoqërisë të mirëkuptojë edhe kontekstin e kohës kur kanë ndodhur ngjarjet. Aty ku Sigurimi vendoste të bënte një rekrutim, pothuajse të gjithë nuk kishin kurajën të thoshin Jo, sepse e dinin që refuzimi kishte pasoja. Pati edhe nga ata që i duruan pasojat me guxim.

Nevojitet një mirëkuptim për rrethanat dhe kohën e ngjarjeve, por nevojitet reflektim edhe nga ata që ishin pjesë e makinës së represionit. Duke ditur që informacioni tashmë hapet, ata duhet t’i bëjnë një thirrje ndërgjegjes së vet dhe të mundohen të lehtësojnë paqen sociale dhe të kërkojë falje në format e veta dhe ky hap i ri me dosjet ka për qëllim pajtimin.

A keni edhe ju shqetësimin, si shumë të tjerë, se kjo procedurë e re, në vend që të njollosë sigurimsat, mund të njollosë viktimat e përndjekura, që mund të jenë rekrutuar nën presion dhe dhunë?

Qasja e dosjeve nuk do të përqendrohet te karakteret, te personazhet se sa te fenomenologjia. Ne e kemi vënë theksin te historianët dhe gazetarët, sepse ata do të jenë shumë të specializuar dhe do t’i ndihmojmë me trajnime me ekspertë ndërkombëtare, madje ata do të pajisen shumë mirë për të bërë saktë fenomenologjinë. Ambicia ime është hapja e një dialogu më të mirë mbi historinë, për identitetin tonë të grupit, për të përmirësuar narrativën e komunizmit drejt të vërtetës.

Cilat janë ambiciet tuaja në këtë nismë të re?

Një mesazh që dua t’ua jap sot shikuesve tuaj: Deri më sot muzealizimi është marrë shumë me ilustrimin e dhunës, si është bërë etj., jemi fokusuar shumë në këtë pjesë. Në fakt, ajo që pres me padurim nga dosjet e Sigurimit është të shikoj gjurmët e rezistencës. Fakti është që shqiptarët kanë rezistuar. Janë disa ngjarje të njohura pak a shumë për publikun, por nuk janë vënë mjaftueshëm në dukje janë disa kryengritje, e Malësisë së Madhe, e Postribës, e Qafë Barit, e Spaçit, që kanë qenë me humbje jetësh njerëzore. Por njëkohësisht ka pasur qindra akte rezistence të njerëzve që kanë menduar ndryshe, që janë grupuar, kanë bërë një analizë kritike të regjimit dhe e kanë paguar. Hapja e dosjeve do të na ndihmojë ta ndërtojmë mirë narrativën e rezistencës.

Tjetër ambicie e imja është që ka një formë tjetër rezistence që është shprehur me njerëzillëkun e njerëzve. Shoqëria shqiptare është plot me episodet të njerëzillëkut dhe ndihmës që i kanë dhënë njëri tjetrit edhe në atë kohë kur solidariteti njerëzor dënohej. Lufta e klasave bënte thirrje të ndërpritnin lidhjet shoqërore me njerëzit e etiketuar si armiq, madje etiketoheshin si armiq të popullit, por po ky popull i priti dhe u hapi dyert dhe i ndihmoi duke rrezikuar kokën.

E kam të mbushur kujtesën time me ngjarje të tilla të bukura nga familjarët e mi dhe nga persona të tjerë. Mendoj se do të ishte një vepër e autoritetit që t’i dokumentonte këto dy gjëra; rezistencën e popullit shqiptar dhe njerëzillëkun që duhet vënë në dukje.

Si do të trajtoni ju çështjen e dëmtimit të dokumentacionit në vitet 1991 dhe 1997?

Shqipëria nuk është vendi i parë, ku ka pasur episode të shkatërrimit të dokumenteve. Qeveritë dhe shtetet represive, si çdo diktaturë, u vjen një ditë fundi, dhe të tmerruara nga ato që kanë bërë, mundohen të prishin gjurmët e veta. Në Gjermani, për shembull, STAS-i ndezi furra për të djegur dokumentet dhe kur panë tymin, qytetarët u mblodhën masivisht tek dyert e STAS-it me parullat: Na ktheni jetët tona". Në Shqipëri nuk ka pasur një lëvizje të tillë dhe sigurisht ka pasur edhe shkatërrime.

Personalitete të ndryshme kanë folur në media për këto dëmtime. Detyra jonë është që t’i mbledhim çfarë mund të mblidhet, të rregullojmë çfarë mund të rregullohet, sepse nuk ka shtet pa arkiva. Arkiva është shtylla kurrizore e një shteti. Autoriteti do të japë edhe një shembull të mbajtjes së një arkive mirë, një ambicie e jona kjo në varësi edhe të financave që do të kemi, ta bëjmë si duhet, ta dixhitalizojmë dhe ta japim te publiku në mënyrë sa më moderne.

Sa i madh është dëmi mbi këtë dokumentacion?

Ende Autoriteti po merret me çështje organizative. Një inventar serioz me ekspertizë të mirëfilltë do të nisë menjëherë pasi të hartohen rregullore, buxheti etj. Ekspertë të arkivës pohojnë se ka mjaftueshëm materiale që të fokusohemi dhe të punohet. Gjithë analizat do të jenë transparente dhe do t’i themi publikut çdo gjë, që do të gjejmë.

Në grupin tonë është Simon Miraka dhe Daut Gumeni, që përfaqësojnë rezistencën dhe e paguan me vite burgimi politik. Ata janë personalitete që kanë përvojë në administratën e lartë. Dy zotërinj të tjerë, zoti Kasmi dhe zoti Hoxha, vijnë me ekspertizë; njëri është historian ushtarak, që i njeh mirë arkivat, tjetri vjen nga shërbimet e sigurisë dhe njeh mirë natyrën e informacioneve të klasifikuara. Kapaciteti është i plotë për të ndërtuar një proces sa më të mirë. Vendimi i përbashkët ishte që të ndërtojmë një institucion transparent ndaj publikut.

A mund të rikuperoni në mënyra të tërthorta materialet e shkatërruara?

Genta Sula: Do të punohet me ekspertët më të mirë dhe na është thënë që ka potenciale për këtë. Ajo që mund t’iu them sot është që do të punohet me ekspertët më të mirë; me Institutin gjerman homolog si ne, drejtuesi i të cilit, Roland Jan ka ardhur 2-3 herë në Shqipëri. Ai është shprehur i gatshëm që të vijë personalisht në Shqipëri bashkë me ekspertët e vet. Organizimi i këtij partneriteti është një nga gjërat e para që do të bëhet. Ata vazhdojnë të rikuperojnë maksimalisht dokumente të dëmtuara përmes software të posaçme.

Ligji detyron personat privatë, që kanë marrë informacione nëpër shtëpitë e tyre përmes formave të çuditshme, t’i sjellin pranë Autoritetit. Qëllimi është që të krijohet një bazë sa më e plotë; deri tani dosjet janë nëpër thasë, janë diku të hedhur, në mjedise me lagështirë. Ne do të punojmë fort që asnjë informacion të mos humbasë dhe të kthehet në jetë e në përdorim me metodat më të mira shkencore që ekzistojnë.

Një pyetje për lustrimin. Shumë nga punonjësit e Sigurimit, ministrisë brendshme dhe bashkëpunëtorë të tyre në diktaturë kanë arritur të përfshihen edhe në administratën e demokracisë.

Ligji parashikon që për disa funksione drejtuese të institucioneve publike është e mundur të hapësh dosjen e tyre, nëse ata kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ligji na jep si detyrë që me kërkesë të institucioneve, ne të japim informacion. Dy institucionet kryesore, që tashmë e kanë bërë pastërtinë e figurës, shërbimi i jashtëm diplomatik dhe sistemi gjyqësor, për të cilin dha një shtytje të madhe reforma e fundit në drejtësi. Për këto të dy sektorë ligji na kërkon të japim informacion dhe ata vendosin vetë më tej për emërimet.

Pastaj çdo institucion tjetër që dëshiron të njëjtën gjë, le të sjellin listën dhe ne do të dërgojmë informacion. Ne nuk marrim vendime për rekrutime në administratë apo për promovimet, ne jemi institucion i të drejtës për informim.

A mund të vijnë te ju të verifikojnë listat e tyre edhe partitë politike para zgjedhjeve, nëse kanë midis kandidatëve bashkëpunëtorë të Sigurimit?

Po. Mund të vijnë. Ne japim informacion dhe pas kësaj lustrimi mbetet në vullnetin e tyre. Ligji është një instrument në dorën e shoqërisë, në dorën e politikës, në dorën e arsimit të lartë deri në zëvendës-rektorë etj.

Pra, po thoni se ky lig i ri po u bën një ftesë gjithë institucioneve dhe partive për vetë-lustrim?

Po. Çdo institucion ka mundësinë të vijë e të kërkojë të dhëna për njerëzit e vet. Diplomacia dhe drejtësia e kanë taksative me ligj. Avokati i Popullit, për shembull, u shpreh publikisht, që do të amendojë ligjin e vet dhe do të futë pastërtinë e figurës, sepse administrata e tij nuk duhet të ketë asnjë çështje të hapur, asnjë dyshim, sepse është një institucion i ndjeshëm teksa ndjek të drejtat e njeriut.

Çdo institucion mund të bëjë analizën e vet se sa është e rëndësishme për të një pastërti 100 për qind e punonjësve të vet. Autoriteti mund t’ua japë të gjithë institucioneve këtë informacion, të cilin deri sot ata nuk kanë pasur se ku ta marrin.

A i druheni ardhjes së një numri të madh kërkesash për dokumente, dhe ndërkohë që ju po organizoheni, kur do të duken frytet e para të punës tuaj?

Mendoj që interesi do të jetë i lartë. Gjërat do të prioritizohen. Ligji do të jetë kryesori. Do të ketë një fazë përgatitje disa muaj, dhe ka të ngjarë të fillojmë me vitet sa më të hershme 1944-1950, sepse ato janë vite shumë të rëndësishme për themelet e diktaturës nga pikëpamja fenomenologjike. Janë vitet kur u godit disidenca shumë egër dhe do të ketë interes të madh nga historianët. Kjo do të na japë kohë dhe mundësi që të testojmë veten si institucion.

Po ashtu, kemi vendosur të thërrasim një rreth të miqve të Autoritetit; diplomatë, filozofë dhe figura publike, historianë që e kanë mbështetur këtë proces.

Por, cilët mendoni se do të keni "armiq" të Autoritetit, njerëz që do të përpiqen t’iu pengojnë?

Nga dita e parë deri kur u miratua ligji dhe sot që është bërë votimi i Autoritetit kishte një frikë dhe tabu të madhe. Por mbështetja ka qenë në rritje. Armiku i parë është skepticizmi; dëgjoja njerëz që "kjo nuk bëhet", se "ky është një projekt i vdekur", se "nuk do të arrihet gjë". Ky skepticizëm më duket se është mundur. Edhe frika e madhe më duket se është mposhtur, dhe është ngjallur një interes i madh publik dhe flitet përherë e më shumë për këtë proces. Të gjitha frikërat u dëgjuan gjatë procesit dhe konsultimi ishte i gjatë dhe i plotë. Ky është një ligj për pajtim dhe jo për të goditur. Garantojmë të drejtën për informim, dokumentojmë rezistencën dhe njerëzillëkun gjatë atij sistemi dhe inkurajojmë pajtimin.

26 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)/VOA

Foto që ndryshuan botën

Posted: 26 Nov 2016 01:30 PM PST

fotoRevista 'Time' ka zgjedhur 100 nga fotot më të fuqishme të të gjitha kohërave në një listë imazhesh të jashtëzakonshme.

foto1

Një skuadër e përzgjedhur kuratorësh, historianësh dhe editues fotosh nga e gjithë bota kanë dërguar sugjerimet për klasifikimin e revistës prestigjioze. Imazhet dokumentojnë disa nga momentet më të rëndësishme të shekullit të 19, 20 dhe 21.

foto2

Që nga kërpudha e famshme e bombës atomike në Nagasaki in 1945, tek zbarkimi në Hënë i Aldrin landing në 1969, imazhet dëshmojë anën e mirë dhe të keqe në qenien njerëzore.

foto3

Më poshtë mund të shihni disa nga fotot më të spikatura të përzgjedhura nga lista e Time.

foto4

foto5

foto6

foto7

foto8

foto9

foto10

26 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Si po ndryshon pamje Pazari i Ri në Tiranë (Video)

Posted: 26 Nov 2016 01:24 PM PST

Veliaj te Pazari i Ri (1)Markata e fruta-perimeve tek zona e njohur si Pazari i ri po merr pamjen përfundimtare duke u kthyer në një atraksion turistik për të gjithë ata që vizitojnë kryeqytetin.  Falë punës intensive të nisur nga Bashkia e Tiranës, tashmë ka filluar edhe fasada e markatës e cila do të ndryshojë rrënjësisht pamjen e kësaj zone, duke rritur në të njëjtën kohë edhe vlerën e të gjithë zonës.

Kryebashkiaku Veliaj ka publikuar edhe një video e cila tegon punimet që po kryhen me ritme të shpejta.  "#PazariRi nga “zgëqe” në pikë turistike 🙂 Je gati? Drejt fundit markata e fruta-perimeve, ecim shpejt me markatën e mishit-peshkut, e sapo kemi nisur fasadat e pallateve aty. Shton vlerën e pronës dhe punësimin në Njësitë 2 dhe 8. #ZemraTiranes #TiranaNëPunë", shkruan Veliaj në profilin e tij në Facebook.

Në projektin e Bashkisë së Tiranës është menduar që Pazari i Ri të jetë një hapësirë që të funksionojë 24 orë, ku paradite fokusi më i madh të jetë tek çështjet e tregtisë dhe të pazarit dhe pasdite të jetë kryesisht në çështje të kulinarisë, për restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, siç mund të jenë shumë prej festave apo panaireve.

26 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Related Posts :