Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Tirana Observer: “Harta e vendeve që ka ofenduar Trump, në listë edhe Shqipëria” plus 9 more

loading...

Tirana Observer: “Harta e vendeve që ka ofenduar Trump, në listë edhe Shqipëria” plus 9 more


Harta e vendeve që ka ofenduar Trump, në listë edhe Shqipëria

Posted: 02 Nov 2016 08:50 AM PDT

Republikani Donald Trump është ndër kandidatët që ka shkaktuar më shumë miq dhe armiq në botë me deklaratat e tij për një sërë çështjesh globale si emigrantët, myslimanët, etj.

Megjithatë, ai do të mbahet mend edhe si kandidati që ka lëshuar një sërë fjalësh urrejtjeje gjatë fushatës elektorale.

New York Times ka grumbulluar një sërë prej tyre, veçanërisht ndaj meksikanëve, që siç thuhet, janë të denja për enciklopedi. Këtu është një harta e të gjitha vendeve që ka ofenduar Trump.

Në rastin e Shqipërisë nuk ka ndonjë ofendim të drejtpërdrejtë, por lidhet me deklaratat e tij kundër vendeve myslimane dhe ndalimin e emigrantëve nga këto vende.

Tre ton kanabis/ Operacioni antidrogë në Rrëshen, ndalohen 15 persona

Posted: 02 Nov 2016 08:47 AM PDT

Policia dhe FNSH kanë ndërhyrë në një magazinë në zonën e ish-pularisë në Rrëshen ku dyshohet se ka tre ton kanabis.

Burimet bëjnë të ditur se brenda magazinës u sekuestrua një sasi e konsiderueshme me drogë dhe në përfundim të operacionit, policia ndaloi 15 persona.

Në operacion u angazhuan forca nga Mirdita, Lezha dhe Tirana

Kjo sasi droge u denoncua edhe nga deputeti i PD, Flamur Noka.

Në një reagim të tijin në rrjetin social "Facebook", deputeti demokrat Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm i qeverisë "Berisha", ka akuzuar për përplasje dhe konflikte brenda vet policisë.

Sipas asaj që shkruan ai, pazaret e drogës nuk janë më konflikte mes bandash, por duke sjellë një rast nga magazinat e ish-Pularisë në qytetin e Rrëshenit, ai thotë se atje është zbuluar një sasi e frikshme droge.

Burime të Flamur Nokës thonë se atje gjenden rreth 3 tonë drogë brenda një ndërtese, e cila është rrethuar nga një grup i policisë "së krimit të organizuar" të Drejtorisë Lezhë.

Noka shton se Policia e Rrëshenit nuk ka pranuar të ndërhyjë dhe e ka braktisur operacionin, ndërkohë që edhe uniformat blu të Drejtorisë Lezhë nuk guxojnë të futen në aksion, teksa presin që të vijnë përforcime të RENEA-s.

Statusin e tij, Noka e mbyll me fjalinë "kjo është policia që duam në Kanabistan".

LISTA E ZEZË/ Nga bankat, shkollat e deri te mediat: Ja institucionet që Erdogan i kërkon Ramës t’i mbyllë

Posted: 02 Nov 2016 08:04 AM PDT

Ankaraja zyrtare i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë sonë të Brendshme verifikimin e disa institucioneve jopublike në Shqipëri, për të cilat ka dyshime se janë financuar nga Fetullah Gylen. ABC News ka siguruar listën e këtyre institucioneve, që i është përcjellë Ministrisë së Brendshme, përmes ambasadës turke në Tiranë.

Ambasada turke në Tiranë, i kërkon Ministrisë së Brendshme të verifikoi dhe kontrolloi institucionet jo publike në Shqipëri, të dyshuara se janë ngritur apo financuar nga fondacionet e klerikut Fetullah Gylen.

ABC News ka arritur të zotëroi një kopje të kësaj shkrese, ku janë renditur institucione të ndryshme jo publike, si kopshte, shkolla të mesme e universitete, Organizata Jo Fitimurëse, fondacione të ndryshme, banka të nivelit të dytë apo edhe agjenci informative.

Kjo shkresë, mësohet se është dorëzuar vetëm pak ditë pas puçit ushtarak të zhvilluar më 15 korrik të këtij viti, ku si pasoje e kundërshtimit nga qytetarët dështoi. Në këtë shkresë, autoritetet turke kërkojnë që të verifikohet aktiviteti i këtyre institucioneve jo publike në Shqipëri, pasi dyshohet se janë ngritur nga kleriku Fetulah Gylen, i cili akuzohet si ideator i puçit ushtarak në Turqi. Ndaj të cilit autoritetet e drejtësisë turke, kanë ngritur akuzën e terrorizimit dhe kërkohet nga SHBA të ekstradohet drejt Turqisë.

Në listën që ABC News disponon, janë renditur 7 shkolla të mesme të Medresesë, në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Në shkresën që mban firmën e ambasadorit turk, janë fiksuar edhe institucionet arsimore jo publike.

Aty përfshihen kolegjet turke në Shqipëri, që nga kopshti "Mehmet Akif", shkollat  fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza. Kolegji "Hasan Riza Pasha" në Shkodër si dhe Kolegjet "Turgut Ozal" në Tiranë dhe Durrës.

Në këtë listë, janë renditur edhe Kolegji Gulistan, Instituti i Edukimit Gulistan si fondacion, qendra e kurseve me emrin "Meridian". Fondacioni i edukimit "SEMA", shkolla në gjuhën angleze, "Memorial International School of Tirana".

Gjithashtu në listën e zezë, të renditur nga autoritete turke janë edhe Universiteti "Bedër" dhe "EPOKA".

Në listën, për të cilat kërkohet verifikimi i të ardhurave të tyre, ambasada turke ka renditur edhe qendrat kulturore, "Horizontet e Reja" apo "Drita Islame".

Veç këtyre, autoritet turke dyshojnë se janë të lidhur me fondacionet e klerikut Fetyllah Gylen edhe shtëpia botuese Prizmi apo agjencia informative ALBEU. Në këtë listë, është renditur edhe banka e nivelit të dytë, "UBA bank" që kryen aktivitetin në Shqipëri për të cilën autoritet turke dyshojnë se ka lidhje me fondacionet e klerikut tashmë të shpallur në kërkim nag drejtësia turke.

Për të gjithë këta institucione jo publike, shteti turk kërkon monitorimin, pasi pretendohet se janë pjesë e celulave të fondacioneve të klerikut Fetullah Gylen.

Veç kësaj shkrese drejtuar ministrisë së brendshme, ABC Neës ka mësuar se ambasada turke ka kërkuar edhe nga Ministria e Arsimit që të gjithë këta institucione jo publike që kryejnë aktivitet arsimor në Shqipëri, të heqin apo të ndalohet të përdorin emërtime turke apo simbolet e flamurit kombëtar turk. Shkresë, kjo që trashmë i është shpërndarë këtyre institucioneve me firmën e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së arsimit në Shqipëri.

Intervista/ Një shkrimtar i ri ka zbritur në qytet, Kaon Serjani vjen me “Qelia e lirisë”

Posted: 02 Nov 2016 07:51 AM PDT

Të shumtë janë ata që provojnë të shkruajnë e të botojnë libra në ditët e sotme, por shumë pak ndodh të godasin që me librin e parë. Kaon Serjani është njëri prej tyre. Ai sapo ka hedhur në treg romanin e tij të parë 'Qelia e Lirisë', i cili po ecën mjaft mirë dhe po pëlqehet nga lexuesit dhe njerëzit e letrave.

Në një intervistë për "Tirana Observer" Serjani rrëfen dashurinë për letërsinë që kur ishte gjimnazist; çfarë e frymëzoi për të shkruar një roman, pse zgjodhi një subjekt shqiptaro-kosovar për këtë libër; mesazhi që kërkon të përcjellë me romanin e tij; dhe domethënia intriguese që mbart titulli 'Qelia e Lirisë'…

Me një stil të ngjashëm me Dostojevskin, autor të cilin edhe e preferon, Kaon Serjani ka një mënyrë të veçantë të rrëfyeri, të thellë, zhbiruese, spontane, me detaje e grimca humori, që të bëjnë ta shfletosh librin me një frymë. Shumëkush nga ne mund të gjej veten në personazhet e romanit, janë karaktere që ngjasojnë të gjallë, që lidhen tërësisht me realitetin shqiptar, histori që përtej fantazisë së Kaonit, mund ti ndeshim në çdo ditë të jetës sonë…

Ky libër me një subjekt mjaft interesant tashmë do të mund ti shtohet pa diskutim bibliotekës suaj. 'Qelia e Lirisë' do të prezantohet gjithashtu për lexuesit edhe në Panairin e Librit që do të mbahet pas pak ditësh në Tiranë.

Kaon, sapo keni botuar romanin tuaj të parë në Shtëpinë Botuese Dudaj, me titull "Qelia e lirisë". Ku e gjetët frymëzimin për të shkruar këtë libër?

Në fakt, ideja për të shkruar një libër ka qenë në mendjen time prej disa vitesh. Më rrotulloheshin disa tema në mendje, por nuk ishin të zhanrit letrar. Mendimi për të provuar të shkruaj një roman ishte vetëm disa ditë para se të nisja këtë libër. Mbase u bënë disa rastësi bashkë. Momenti i parë ishte Tetor 2014. Pak ditë pasi ishte ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri për shkak të dronit me banderolën "AUTOKTONUS" që u valvit nga Ballist Morina mbi Stadiumin e Beogradit. U bë shkak një top dhe një flamur që të ngacmohej prushi i urrejtjes. Përmasat mediatike që mori ngjarja tregoi për ne shqiptarët se sa e vështirë është të shërohet dhimbja që ka shkaktuar gjenocidi dhe diskriminimi shekullor. Kjo atmosferë që u krijua shtroi rrugën për librin, por ende nuk kisha marrë një vendim për ta shkruar. Disa ditë më pas ndodhi një vrasje tragjike në kryeqytet, ku vdiqën katër vetë. Prindi i atij që kishte bërë krimin, bëri një deklaratë publike, e cila mua m'u duk e pazakontë për realitetin shqiptar. "Çfarëdo që ka bërë, ai mbetet djali im,"tha prindi i helmuar dhe dërrmuar emocionalisht. Në atë moment më erdhi në mendje imazhi i një pikture shumë të famshme të Rembrandit dhe ndërtova të gjithë fabulën e romanit. Kështu që, e thënë shkurt, frymëzimi për librin më erdhi pasi pash një ndeshje futbolli dhe një lajm kronike.( Qesh) Nga këto dy të dhëna, lexuesi mund ta kuptoj se fabula e librit është tërësisht shqiptare dhe shume aktuale.

unnamed-5

Që në faqet e para mësojmë se ju ia dedikoni këtë libër familjes suaj, bashkëshortes dhe fëmijëve? Çfarë roli ka luajtur familja në shkrimin e këtij libri?

11 vite më parë, kur sapo isha fejuar, i tregova të fejuarës sime atëherë, (gruaja ime tani), një fletore me poezi që kisha shkruar në gjimnaz. Sigurisht brenda kishte edhe një motiv për të shitur mend. Ishte sikur t'i thoja: "Shiko se unë kam dell poeti" apo "Je fejuar me djalin e duhur" (qesh). Po e shikoja me vëmendje kur ajo filloi të lexonte dhe njëkohësisht filloi të përveshte buzët dhe të puliste sytë. E kuptova që nuk po i pëlqenin. Kur ma dha fletoren në dorë, e mora pa bërë asnjë koment. Shkova nga dhoma tjetër, aty ku ishte oxhaku i ndezur dhe i ndoqa me sy fletët tek morën flakë derisa u bënë hi. Ajo e mori vesh 2-3 vite më vonë që unë i dogja poezitë atë natë. Ju e kuptoni që më shumë sesa sedra ime, ajo ndjenjë ishte simptoma e një të dashuruari, i cili është gati t'i thotë të bardhës të zezë nëse e dashura do të thoshte ashtu. Në fakt, Danjela (bashkëshortja) vazhdon të ketë gjykim të fortë dhe të prerë dhe ende ia marr për bazë mendimin, po nuk i djeg më dorëshkrimet. Kur i tregova subjektin që më erdhi në kokë atë mbrëmje, 11 vite më vonë nga djegia e poezive, në vend të përveshjes se buzëve dhe pulitjes së syve pash një buzëqeshje të plotë në fytyrën e saj. Kjo u kthye në inkurajimin e parë të madh për mua që duhet të shkruaja këtë histori. Atë natë shkruajta rreshtat e parë të romanit. Sigurisht, librin ua dedikoj bashkëshortes dhe femijëve edhe për arsyen se me të vërtetë iu kam munguar në shumë prej mbrëmjeve kur më duhet të merresha me skalitjen e personazheve apo me rrjedhën e ngjarjeve.

"Qelia e lirisë", një titull mjaft tërheqës, por edhe paradoksal. Si është e mundur të ketë 'qeli' liria?

Sa herë kur bashkërenditen dy antonime përftohet një figurë letrare që quhet oksimoron. Kjo fjalë vjen nga greqishtja dhe ka kuptimin i luajtur mendsh. Edhe titulli i librit ta jep këtë ndjesi kur e lexon: "Mos ke luajtur mendsh. Si mund të ketë 'qeli' liria?" mund të thotë dikush natyrshëm. Kjo është një antitezë e një lloji të veçantë. Bashkimi i të kundërtave në këtë rast sjell një kuptim të ri. E kam zgjedhur këtë titull sepse besoj se aty qëndron edhe çështja kryesore e librit. Jeta e personazhit kryesor, e cila është një studente, jo thjesht vërtitet mes qelisë dhe lirisë, por qelia e lirisë kthehet në një destinacion shpirtëror në udhëtimin e saj, nga ku ajo duhet të gjej forcën dhe rrugën për të dalë. Mund ta lexosh edhe literalisht librin. Zgjedhjet e saj e çojnë në një izolim fizik, në një qeli burgu. Por aty është edhe qelia tjetër, në të cilën e çon mënyra se si ajo e kupton të drejtën e saj për të ushtruar lirinë e zgjedhjes apo lirinë për të ndjekur ëndrrat dhe lumturinë e saj. Libri trajton pyetje ekzistenciale rreth lirisë individuale. Nuancat e kësaj teme lexuesi pa dyshim i ka ndeshur në librat klasikë të letërsisë botërore Zonja Bovari, Ana Karenina apo Krim dhe Ndëshkim, por unë përpiqem t'a risjell temën e lirisë me personazhe shqiptarë dhe me një kontekst problematik siç është marrëdhënia delikate, e vështirë, dhe e pashëruar shqiptaro-serbe.

Çfarë do të gjejë lexuesi në libër?

E thënë shkurt, por pa prishur kureshtjen, lexuesi do të gjej jetën e një studenteje të lindur në Kosovë, dhe të rritur në Tiranë, e cila përballet me këto tre gjera: një vdekje të papritur, një dashuri të pamundur dhe një betejë për të fituar lirinë.

Në qendër të librit është një familje nga Kosova që jeton në Tiranë…me problemet e së tashmes dhe të së shkuarës…Pse zgjodhët pikërisht këtë subjekt, për librin tuaj të parë. Ju lidh diçka me Kosovën, apo me atë periudhë për të cilën flet libri?

Në shtator të vitit 1998, kur në gjithë Kosovën po ndodhnin masakrat më të tmerrshme të gjenocidit të Milloshevishit, unë isha 14 vjeç. Sapo kisha nisur shkollën e mesme në Gjirokastër. Palestra e shkollës Pedagogjike u mbush me familje kosovare. Pjesa dërrmuese e tyre ishin gra dhe fëmijë. Me është ngulitur në memorie fytyra e një fëmije,duhet të ketë qenë 8 ose 10 vjeç, me flokë të verdhë, me quka në fytyrë, i cili më shikonte në dritë të syrit. Dukej i drobitur dhe i paushqyer mirë. Shikimi i tij sikur më pyeste "pse jam këtu,larg shtëpisë sime?" Të jem i sinqertë, as unë nuk e kuptoja mirë se çfarë po ndodhte me të vërtetë në Kosovë në atë periudhë. Media nuk ishte kaq e avancuar sa tani. Kishte vetëm një televizion që përcillte informacione, Televizioni Publik Shqiptar.Më vonë i kuptova edhe më shumë përmasat e tragjedisë, kur pash dokumentarë dhe lexova dëshmi, por kjo skenë e përballjes më atë fëmijë dhe gjendja e atyre familjeve, nuk më është shqitur nga mendja asnjëherë. Ky fragment nga koha e adoleshencës sime është një nga lidhjet e mia të para me Kosovën dhe me dramën e shqiptarëve atje. Tani më lidhin shumë më shumë gjëra. Pas shumë vizitash në Prishtinë, kam takuar shumë studentë dhe kam bërë mjaft miq, disa prej të cilëve tani i kam edhe kolegë. Për shkak të këtyre lidhjeve që përmenda, m'a kanë bërë më të lehtë të ndërtoja një kontekst shqiptaro-serb në libër.

foto-kaoni

A ka nota autobiografike ky libër, apo personazhe real brenda tij?

Ka vetëm një personazh për të cilin jam frymëzuar nga dikush që unë e kam mik. Ka shumë të përbashkëta mes personazhit dhe mikut tim, por dy janë ngjashmëritë thelbësore. Të dy janë të verbër dhe të dy janë shpresëplotë. Këto ditë, ai sapo ka filluar të lexojë librin (ia lexon e shoqja) dhe më tha: "Albani jam unë apo jo?". Alban quhet personazhi në libër.

Sigurisht që je ti ai që ka krijuar dhe iu ka dhënë jetë të gjithë personazheve në libër, por na trego pak, me cilin prej tyre je më i lidhur?

Mendoj se jam i lidhur me të gjithë personazhet, por mbase kam një ndjesi më të veçantë me ata që vuajnë më shumë. Problemi është se në libër ka më shumë se një personazh që kalon në shumë peripeci. Përveç Shqipes, janë edhe Fadili, Albani apo plaku Llazar. Mbase për këtë të fundit ruaj pak më shumë dhembshuri, sepse ai ka një fund shumë tragjik. Pavarësisht se rrjedha e jetës se tij është fryt i fantazisë sime, më dhimbset për shkak se e gjej shumë real në shoqërinë shqiptare dhe nuk mundesha ta përshkruaja dot ndryshe.

unnamed-3

U bë disa javë që libri ka dalë në treg. A keni mundur të merrni përshtypjet e para, si nga lexues të thjeshtë ashtu edhe nga kritikë letrarë?

Deri tani kryesisht librin e kanë marrë miq të mi dhe përshtypjet kanë qenë shumë pozitive. Disa prej tyre, madje kanë ardhur edhe me sugjerime se si do kishin dashur ata të rridhnin ngjarjet në një vëllim të dytë. Kjo më ka inkurajuar pa masë për faktin se më tregon se sa shumë janë përfshirë ata me personazhet dhe ndodhitë e librit. Nga njerëz të letrave do të veçoja përshtypjet e z.Petrit Ruka; Prof.dr Gjovalin Shkurtaj,dhe znj. Rudina Çupi, të cilët më kanë dhënë vlerësime pozitive dhe fjalë të bukura që unë realisht si prisja.

Libri yt i parë në prozë, po me poezinë sa je i lidhur?

Nuk shkruaj shumë poezi. Edhe atëherë kur e bëj, e bëj për qejf dhe jo për ta publikuar si vepër letrare. Mbase më vonë ndryshoj mendim.

Cili është shkrimtari dhe libri yt i preferuar?

Dostojevski pa asnjë dyshim. Është mjeshtër i përshkrimit të botës së brendshme të personazheve. Nga shkrimtarët shqiptarë nuk po them autorin, por librin, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".

Ç'mendim keni për marrjen e çmimit Nobel në letërsi nga një muzikant, siç është Bob Dilan?

Nuk e njoh mirë historinë e nobelave, por kam përshtypjen se është laureati i parë që njihet më shumë si këngëtar sesa si njeri i letrave. Gjithsesi Nobeli i mbetet letërsisë, sepse Bob Dilan e merr çmimin për mjeshtërinë e fjalës në tekstet që ka shkruar. Dhe nuk ka shkruar pak. Motivimi i çmimit ishte edhe popullariteti i këngëve të tij, që në këtë rast shikohen edhe si shumë ndikuese tek disa gjenerata. Jam i gëzuar për diçka. Ky çmim i jep vlerë këngës. Shpresoj që kjo do t'i bëj tekstshkruesit e këngëve të jenë më të përgjegjshëm, sidomos ata shqiptarë. Ky nobel tregoi se puna, e atyre që përleshen dhe mundohen me fjalën para se ta këndojnë, shpërblehet .Sapo e dëgjova emrin e Bob Dilanit, me erdhi në mend një këngë e tij që kisha menduar ta kisha në libër. Në fakt është një kapitull që kam hequr gjatë redaktimit. Nuk ishte teksti i kengës, por ishte koncepti i saj. "You gona serve somebody" "Ti do t'i shërbesh dikujt". Kur flitet për shërbim, nënkuptohet mungesa e lirisë. Thelbi i mendimit tim në atë kapitull ishte se njeriu ka lirinë të zgjedhë kujt t'i shërbejë, por nuk është i lirë të zgjedhë të mos i shërbejë askujt. P.sh. Ne ose do t'i shërbejmë drejtësisë ose padrejtësisë, por nuk mund të qëndrojmë neutral. Këtë ide e ka edhe kënga e tij, sidomos në refren: "Ti ke për t'i shëbryer dikujt, Ti ke për t'i shëbryer dikujt, Mund të jetë djalli ose Zoti, Por ti ke për ti' shërbyer dikujt. Kapitulli që vendosa të mos e përfshijë në libër, ishte një përsiatje mbi poezinë e Bob Dilanit. Por nuk jam pishman. E kam thënë atë që dua të them në kapitujt e tjerë.

Së shpejti po afron dhe Panairi i Librit Tirana 2016, a do të jeni pjesëmarrës?

Patjetër që do të jem. Tek stenda e Shtëpisë Botuese Dudaj. Përveçse të takoj lexues të rinj të mundshëm, jam shumë kurioz të takoj njerëz që tashmë e kanë lexuar librin dhe të marr përshtypjet e tyre.

Do të kemi në duar libra të tjerë nga Kaon Serjani në të ardhmen?

Në të ardhmen e largët nuk e di. Tani për tani nuk kam ndonjë plan. Ka momente që më ngacmon ndonjë ide, por nuk më ka bindur asnjë. Do duhet të jetë një ide e shkëlqyer, përndryshe nuk do e merrja mundimin. Intervistoi/ E.Duraj

unnamed-2

 

Kanë thënë për autorin: 

 Prof.dr Gjovalin Shkurtaj: "Qelia e lirisë" nuk të lë të kuptosh se është 'krijesa' e parë e autorit

"Ndonëse është i pari në radhën krijimtarisë së Kaonit, romani "Qelia e lirisë" ka formësim, gjuhë e stil që nuk lë shteg ta kuptonim se është krijesa e parë e tij në këtë gjini. Kaoni ka zotërim të sigurt të frenave të "kalit të betejës". Ai i është qasur prozës së gjatë, sepse e ndien se ka me se ta mbjellë atë arë të gjerë; ka edhe shkathtësinë e frazës dhe të një sintakse të organizuar e të krahishtuar jo si rishtar, dhe kjo është me shumë rëndësi."

Petrit Ruka: Kaon Serjani ka hyrë në letërsinë shqipe me romanin e tij të parë

"Kaon Serjani e pagëzon ambicien e tij për të hyrë në letërsinë shqipe me romanin e tij të parë "Qelia e lirisë" dhe ia del mbanë që në sprovën e parë të jetë i talentuar, joshës, origjinal, i thellë dhe tepër premtues. Një histori e bukur jete, me një rrëfim mbresëlënës nga ato ngjarje që janë rreth nesh dhe ku pikëtakohemi çdo ditë, me këto karaktere të ndërtuar mjeshtërisht dhe këtë stil mjaft tërheqës, ku lexuesi ndihet bashkautor me përjetimet e tij faqe më faqe të romanit. Nuk të mbetet veçse të zgjedhësh urimin tënd për këtë kënaqësi që të jep libri i tij i parë dhe t'i urosh mirëseardhjen në këtë mision kaq të mundimshëm e fisnik."

unnamed-1

Rudina Çupi: Një roman me arkitekturë të detajuar; ekuilibruar dhe të pjekur

Leximi i një vepre në dorëshkrim të jep gjithnjë një ndjesi të veçantë dhe të vyer, por duke mos parë fotografinë e autorit në paskopertinë, të bën të gjykosh ndryshe për të: nga përshkrimi që të përfshin e të tërheq, nga arkitektura e detajuar dhe e ekuilibruar e romanit, nga pjekuria në portretizimin shpirtëror të personazheve dhe nga mesazhi human dhe delikat që përcjell… të gjitha këto më çuan të mendoj gabimisht se ky nuk ishte libri i parë i autorit dhe se ky i fundit ishte më "i moçëm" nga sa është. Por besoj se kjo pjekuri dhe përkryerja në stil, në kompozim dhe në mesazh përbëjnë një hap të sigurt për të hyrë në mendjen e lexuesit e për të mbetur gjatë aty.

 

Donald Lu: DEA po bashkëpunon për të kapur “peshqit e mëdhenj”, disa ministra i vlerësoj me zero

Posted: 02 Nov 2016 07:40 AM PDT

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu po u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve në Facebook. I pyetur për kanabisin, ambasadori Lu tha se qeveria duhet të bëjë më shumë dhe se përpara se të gjithë duhet të përpiqen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje

"Qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë edhe ne si partnerë të huaj duhet të bëjmë më shumë. DEA po bashkëpunon ngushtë me autoritetet shqiptare për të arrestuar trafikantët e drogës 'peshqit e mëdhenj"

Ka debate për kanabisin por në vend të tyre duhet bashkëpunim për të gjetur zgjidhje", tha Lu.

Reforma në drejtësi

Lidhur me reformën në drejtësi, Lu tha se "edhe në Kosovë pati një reformë në drejtësi dhe 35 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhanë dorëheqjen, ose u larguan për shkak të reformës në drejtësi. Unë mendoj se në Shqipëri do të ketë më shumë. Kjo reformë duhet të ecë përpara.

Jam i bindur se shqiptarët që të jenë në këtë proces do të jenë në gjendje për të larguar gjyqtarët dhe prokurorët që janë të korruptuar nuk janë të kualifikuar ose politikisht janë të manipuluar dhe kjo është një hap i rëndësishëm.

Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj sidomos me reformën në drejtësi. Ka politikanë të korruptuar, që duhet të kenë frikë se ndryshimi po vjen

Plani A dhe B për vettingun, respektimi i vendimit të Kushtetueses. Nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën do zbatohet. Nëse Gjykata thotë se ligji ka probleme, do të rregullohen. Uroj që këto probleme të rregullohen sa më parë në Parlament".

Ambasadori Lu tha se ka politikanë të korruptuar, që duhet të kenë frikë se ndryshimi po vjen. "Disa ministra i vlerësoj me 10, disa me zero", tha ambasadori amerikan.

Erdogan përgatitet për gjakderdhje

Posted: 02 Nov 2016 06:50 AM PDT

Nga Michael Rubin

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan tentativën e dështuar të grushtit të shtetit të 15 korrikut e cilësoi "një dhuratë nga Zoti". Qeveria turke menjëherë bëri përgjegjës për tentativën e grushtit të shtetit, ish-aleatin e dikurshëm të Erdoganit, tashmë rivali i tij kryesor, Fethullah Gylenin, duke e akuzuar atë se qëndron prapa komplotit. Ndonëse zanafilla e grushtit të shtetit mbetet ende e paqartë, faktikisht asnjë nga zyrtarët e rëndësishëm turq ende nuk kanë paraqitur asnjë provë apo fakt të qenësishëm për akuzat e tyre, dhe sigurisht asnjë provë të vetme të besueshme, që mbështet akuzat e Erdoganit. Vlen të theksohet fakti se shtypi dhe mediat turke vazhdimisht i rikthehen çështjes së reagimit të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe theksojnë se këta të fundit kanë pranuar materialet e paraqitura nga pala turke, por në të vërtetë deri më tani asnjë zyrtar amerikan nuk është rezulton që të ketë thënë asgjë nga ajo që shkruan shtypi turk. Në fakt, të tjera fakte dhe pohime alternative për tentativën e grushtit të shtetit të 15 korrikut, janë janë shumë bindëse.

Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë, është fakti se tentativa për grushtin e shtetit shërbeu si justifikim i nevojshëm, të cilin Erdoganit i duhej ta përdorte dhe ta realizonte për të spastruar kundërshtarët e tij, ose të gjitha ata që nuk ishin entuziastë dhe nuk mbështesnin axhendën e tij. Pjesa më e madhe e asaj që është raportuar në mediat perëndimore, kryesisht është përqendruar në spastrimin e vazhdueshëm të mësuesve dhe profesorëve në të gjitha universitetet. Sigurisht, ironikisht lajmi më i rëndësishëm i ditës është ai i një njeriu, i cili me shumë gjasa duket që ka falsifikuar diplomën e tij të universitetit, dhe pavarësisht kësaj, i ka njohur vetes të drejtën të emërojë rektorët e universiteteve nëpërmjet një bordi, të cilin ai e ka mbushur me miqtë dhe besnikët e tij. Por, kjo është ajo që Erdogan ka bërë ditët e fundit për policinë, e cila duhet të të jetën nën kontrollin e atyre dhe që dridhen përpara eprorëve që nuk hezitojnë dhe kujdesen për realizimin e qëllimeve të Erdoganit dhe të ardhmen e Turqisë.

Javën e kaluar, Erdogani emëroi drejtorët e rinj të policisë në 61 nga 81 provincat e Turqisë. Ai gjithashtu caktoi dhe 55 drejtuesit e lartë të departamenteve qendrore të policisë, të cilat veprojnë si organe profesionale. Disa prej drejtuesve të policisë të përjashtuar nga Erdogani, ishin fetarë dhe disa prej tyre mbështetës të tij. Asnjëri prej tyre nuk ishte mbështetës apo pasues i Gylenit, pasi mbështetësit dhe simpatizantët e tij janë spastruar prej kohësh nga rradhët e policisë.

Shumica e drejtëorëve të emëruar së fundmi nga Erdogani, janë nacionalistë të thekur, shumë të rinj në moshë dhe relativisht pa përvojën e duhur, dhe për rrjedhojë ka të ngjarë që të jenë më lehtësisht të bindur ndaj urdhërave të Erdoganit. Problemi duket se nuk qëndron në faktin se Erdogani nuk u besonte të gjithë shefave të policisë, pasi shumica e tyre ishin besnikë dhe shumë prej tyre i kishte emëruar vetë Erdogani në pozicione të larta drejtuese, por ai i konsideronte ata të butë, dhe jo të të gatshëm për të përdorur dhunën ekstreme, të cilën Erdogani beson se do të jetë e nevojshme për ta përdorur jo vetëm ndaj kurdëve të Turqisë, por dhe ndaj shumë prej turqve liberalë apo apolitikeë, ndërsa ai vazhdon të konsolidojë kontrollin e tij.

Ditët e fundit, në vazhdën e shumë masave të ndërmarra, ai ka zgjatur afatin për të cilin turqit mund të mbahen të ndaluar pa patur mundësi të përfaqësohen apo të mbrohen nga një avokat. Kjo në fakt përcakton dhe bazat për një shtim të konsideruesëm të torturës në ambientet e paraburgimit, më qëllim marrjen e dëshmive të detyruara, një praktikë që është bërë e zakonshme që nga korriku i këtij viti.

Partia në pushtet e Erdoganit ka nisur gjithashtu lejimin e përdorimit të armëve për besnikët e saj, sidomos nëpërmjet Autoritetit Rinor Osman (Osmanli Ocaklari). Në shkrimet e mëparshme kam cekur dhe çështjen e emërimit të ish gjeneralit, Adnan Tanrëverdi, në postin e komandatit të SADAT, njësia mbrojtëse e Erdoganit. Tanrëverdi është përjashtuar nga ushtria nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Turqisë menjëherë pas ngjarjeve të grushtit të shtetit të vitit 1997 dhe duket i vendosur për t'u hakmarë ndaj rendit laik. SADAT, e cila ka trajnuar forcat paramilitare dhe forcat speciale, gjithnjë e më shumë po shndërrohet një Gardë Revolucionare Islamike e Erdoganit. Në të vërtetë, ka shumë gjasa që SADAT qëndron pas shumë prej vrasjeve të civilëve, të fajësuar nga mediat e Erdoganit, në mungesë të ndonjë provë përtej rrëfimit të detyruar, në neutralizimin e grushtit të shtetit të gulenistëve.

E gjitha kjo lë të kuptohet se kjo është një lojë e gjatë Erdoganit. Ai duket se po konsolidon kontrollin e vet fetar përmes Shërbimit për Fondacionin e Rinisë dhe të Arsimit të Turqisë (TÜRGEV, ku djali i Erdoganit është anëtar i bordit të këtij fondacionit) dhe Hajrettin Karaman, është udhëheqësi islamik i preferuar i Erdoganit.

Por, ndërsa Erdogan po përpiqet me çdo mënyrë që të ndryshojë kushtetutën, ai gjithashtu dëshiron të fitojë pikë me një armë që ai nuk mund të fitojë gjerësisht. Çështja në fjalë nuk është thjesht publiku turk, Erdogani beson se ia ka dalë mbanë të frikësojë opinionin publik, por më së shumti Doğu Perinçek, një ish maoist dhe ultranacionalist. Perinçek ka qenë një nga përfituesit kryesorë të spastrimeve të Erdoganit, pasi ata kanë eliminuar dhe shumë prej kundërshtarëve të tij. Sot, Perinçek është efektivisht ministri i mbrojtjes në hije. Ai ka thënë se nuk do të lejojë ndryshimin kushtetutës, që do të thotë që tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për të luajtur me karta të hapura.

Kushdo që të fitojë, është e sigurtë që Turqia tashmë është drejt një gjakderdhjeje. Të vetmet pyetje që mund të shtrohen në kushtet e tanishme janë: sa shpejt mund të ndodhë kjo dhe nëse Erdogani është më i përgatitur se Perinçek, apo jo?

*https://www.aei.org/publication/erdogan-prepares-for-a-bloodbath/

Nga Valbona Selimllari te Jonida Vokshi: Të famshmet shqiptare që i kanë rezistuar bisturisë (FOTO)

Posted: 02 Nov 2016 06:10 AM PDT

Ndoshta nuk do ta besoni, por ka ende mjaft femra të famshme të ekranit shqiptar që nuk i janë dorëzuar bisturisë.

Përveç photoshop-it që përdoret rëndom në fotot e tyre, edhe pse jo te të gjitha, ka shumë bukuroshe të showbiz-it që janë të lumtura me tiparet dhe bukurinë që iu ka falur natyra, shkruan Iconstyle.

Më poshtë kemi renditur disa prej tyre që mund t'i shihni dhe të besoni se bukuria natyrale gjithmonë vlerësohet:

Klea Huta

Moderatorja Klea Huta njihet për bukurinë e saj natyrale. Bukuroshja brune ka tipare të veçanta që shpesh herë e bëjnë ta krahasojnë me këngëtaren e ish-grupit Pussy Cat Doll, Nicole Scherzinger.

kle-huta

Marsela Çibukaj

Këngëtarja Marsela Çibukaj është shprehur shpesh herë në publik se nuk është nga ato femra që do të donte të shfrytëzonte imazhin apo pamjen e saj për të bërë karrierë në muzikë. Ajo është kundër bisturisë dhe nuk ka bërë asnjë ndërhyrje.

????????????????????????????????????

Miriam Cani

Ajo jo vetëm që është "bio", por nëse i hedh një sy Instagram-it të saj, në pjesën më të madhe të fotove shfaqet edhe pa make-up. Miriam Cani mbetet një femër sharmante, e ëmbël dhe që preferon të shfaqet ujë e sapun. Këngëtarja është një nga femrat, shembullin e së cilës do të bënin mirë ta ndiqnin shumë kolege të sajat.

14956486_10154251733747880_7464267355365743878_n

Ronela Hajati

Bisturisë, botoksit apo edhe "fillersa" duket se u ka rezistuar edhe rebelja e skenës shqiptare, Ronela Hajati. Këngëtarja e hitit "A do si kjo" e ka thënë shpesh nëpër intervista se ka dashur t'i frynte pak buzët apo edhe të rriste numrin e gjoksit, por më pas është dorëzuar dhe e ka pranuar veten ashtu siç është.

 

ronela

Eneda Tarifa

Këngëtarja dhe ish-prezantuesja e "Portokalli"-së, Eneda Tarifa, është një tjetër artiste që nuk ka preferuar të rimodelojë asgjë në imazhin e saj. Ndonëse pa buzë të fryra dhe forma bombastike, Eneda mbetet shumë simpatike me tiparet që i ka falur natyra.

eneda tarifa

Arbana Osmani

E njëjta gjë vlen edhe për moderatoren Arbana Osmani, e cila duket se i ka kushtuar gjithnjë peshë fjalës. Ndonëse është një nga figurat e ekranit që vishet me shumë stil dhe shije, Arbana komplimentohet edhe për origjinalitetin dhe për ruajtjen e "identitetit" në pamjen e saj.

arbana okgfg

Diellza Kolgeci

Ish-miss Kosova, Diellza Kolgeci, është nga ato femra që të lë me gojë hapur kur je përballë saj. Me të natyra duket se është treguar shumë bujare duke i dhuruar forma perfekte, fytyrë shumë të bukur dhe mbi të gjitha një gjatësi që çdo femër depresionohet kur është krah saj. Dejzi është nga ato vajza të ekranit që i mëshon shumë idesë së origjinalitetit te femrat dhe i urren operacionet plastike.

diellza4

Enca Haxhia

Është pak por e sigurt që fotot e saj i photoshop-on, por që Enca Haxhia është "bio" kjo është akoma edhe më e vërtetë. Ndonëse ekrani dhe klipet i kërkojnë grim (dhe me të drejtë), Enca është shumë simpatike ujë e sapun. Format bombastike që ia ka falur natyra (edhe pse e goxha e shëndetshme), ajo nuk ngurron t'i tregojë.

enca-3

Amarda Toska

Që pa u bërë e famshme, Ami është cilësuar si një nga femrat më të bukura të kryeqytetit. Aktualisht, brunia simpatike është një nga moderatoret më të dashura për publikun dhe që vazhdon të mbetet një bukuri natyrale. Pas lindjes së djalit të saj, Joel, Ami erdhi në formë të shkëlqyer fizike.

amarda toska

Jonida Vokshi

Aktorja e njohur është një tjetër bukuroshe që mbi të gjitha është edhe origjinale. Edhe Jonida poston shpesh foto pa make-up në Instagram-in e saj, pasi e di që arma e saj më e fortë nuk është grimi, por buzëqeshja.

jonida vokshi45

 

 

Inis Gjoni

Shoëgirl-i dhe regjisorja e njohur, Inis Gjoni, të deh me bukurinë e saj. Inisi nuk guxon as në ndryshim look-u, pasi gjithë jetën e mbajmë mend me flokët kaçurrela dhe mbi të gjitha me format e saj superseksi. Ato nuk kanë ndryshuar aspak edhe me ardhjen në jetë të vajzës së saj, Coco Antonel.

inis-gjoni

Valbona Selimllari

Nuk e kanë cilësuar kot si më të bukurën shqiptare të të gjitha kohërave. Miss-i i parë shqiptar, Valbona Selimllari, vazhdon të mbetet ende një nga yjet e skenës shqiptare, që s'ka aspak nevojë për ndërhyrje estetike. Bobi është nënë e tre fëmijëve, por edhe 20-vjeçaret e kanë zili.

valbona

Adrola Dushi

E kanë cilësuar si pasardhësen e Valbona Selimllarit dhe duket se këtë stafetë e meriton më së miri ish-"Universe Albania", Adrola Dushi. Edhe modelja shqiptare është nga ato bukuroshe që u ka qëndruar besnike formave dhe tipareve që i ka falur natyra.

adrola

Një tjetër socialist i famshëm drejt partisë së Agron Dukës

Posted: 02 Nov 2016 05:48 AM PDT

Kreu i PAA-së, Agron Duka deklaroi sot se ka nisur nga puna për krijimin e koalicionit.

Ai deklaroi qartë qëndrimin e tij pro PD-së dhe se në këtë garë politike nuk do të ketë bashkëpunim me Partisë Socialiste.

Duka ka ftuar publikisht në partinë e tij deputetin socialist të Gjirokastrës, Vladimir Kostën.

"Me Vladimir Kostën kam miqësi", tha Duka, duke shtuar se "është i mirëpritur të anëtarësohet në PAA".

Po ashtu, Duka la të nënkuptohet se pjesë e PAA-së do të jetë edhe një emër i njohur socialist, ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.

"Gjika është afër PAA, ka qenë në takimet në Vlorë. Me Vladimir Kostën kam miqësi, është i mirëpritur në PAA", theksoi Duka për mediat.

Surpriza e PD-së në KQZ, eleminon nga gara Lefterije Luzin

Posted: 02 Nov 2016 05:42 AM PDT

Partia Demokratike ka surprizuar me përzgjedhjen e kandidaturave për kreun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. PD i ka hequr mundësinë kryetares aktuale të KQZ, Lefterije Luzi për një mandat të dytë duke e skualifikuar nga gara, shkruan Ora News.

Demokratët eleminuan edhe femrën e dytë në garë, Rozeta Ivanova.

PD i dha bekimin Denar Bibës dhe Koli Beles, kandidatura këto që do të shkojnë në seancën e nesërme parlamentare për votim.

Nga dy kandidaturat, favorit shikohet kandidatura e Denar Bibës që aktualisht mban postin e nënkryetarit të KQZ.

Ishte Komisioni i Ligjeve që në mbledhjen e sotme pa praninë e PD, shqyrtoi vlefshmërinë e 5 kandidaturave.

Mazhoranca në Komision përzgjodhi vetëm katër, duke skualifikuar nga gara Anton Lleshaj.

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë: Kujt i ofrojmë viza pune

Posted: 02 Nov 2016 05:34 AM PDT

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz ka përsëritur se nuk ka azil për shqiptarët në Gjermani.

Në një intervistë për emisionin "Studio e Hapur" të gazetares, Eni Vasili në "Neës24", Schütz theksoi se edhe gjatë vitit 2016 ka pasur shqiptarë që kanë kërkuar azil në Gjermani.

Ajo i bëri një apel shqiptarëve që të qëndrojnë dhe punojnë në vendin e tyre. Po ashtu ambasadorja pohoi se e vetmja mënyrë e qëndrimit në Gjermani është leja e punësimit.

-Vitin e shkuar shqiptarët ishin mes shtetasve më të shumtë në numër që kërkuan azil në Gjermani. Sa ishte konkretisht numri i azilkërkuesve të ardhur Shqipëria? Mund të kemi disa shifra për këtë vit ju lutem?

Azilkërkuesit shqiptare ne vitin 2015, me një shifër që shkon deri ne 55 mije persona kane qene grupi i dyte i personave qe kërkonin azil në Gjermani pas atyre siriane. Nëse do te krahasonim gjendjen mes Sirisë dhe Shqipërisë do të vinim re se këtu ka diçka qe nuk shkon tek këto shifra. Ndaj dhe qeveria federale verifikoi gjendjen ne terren ne Shqipëri dhe konstatoi se këtu nuk ka përndjekje me baza politike apo fetare. Me duhet te them gjithashtu se ne vitin 2016 gjendja ka ndryshuar ndjeshëm. Janë shumë më pak shqiptarë që shkojnë në Gjermani për të kërkuar azil. Ende nuk ka shifra të konfirmuara por numri i azilkërkuesve deri tani është dukshëm më i vogël. Sa i përket kthimeve, mund të them se janë rreth 10 fluturime çdo muaj që nga Gjermania sjellin në Shqipëri azilkërkues. Ndërkohë gjendja e tyre kur kthehen këtu është mjaft dramatike. Ata gjenden përpara hiçit dhe asgjësë. Dy janë mënyrat që I kthejnë azilkërkuesit në Shqipëri, me dëshirë apo me forcë. Në çdo rast ata marrin një penalizim. Nëse kthehen me dëshirë, atyre u ndalohet hyrja në Gjermani për një vit, nëse kthehen me detyrim, u ndalohet hyrja për dy vite e gjysmë.

A është e Gjermania e shqetësua nga ky fenomen gjatë këtij viti, edhe pasi Shqipëria u fut në listën e vendeve të sigurta?

Mund të them se hyrja jo ligjore, azilkërkimi, është rruga e gabuar. Azil për shqiptarët nuk ka. Në vend të kësaj, Gjermania po shikon të zgjerojë mundësitë që shqiptarët të shkojnë dhe qëndrojnë në mënyrë ligjore atje për të gjithë ata që kërkojnë apo kanë siguruar një vend pune apo studimi në Gjermani. Kjo mundësi u ofrohet punonjësve të specializuar.

Risia është që edhe shqiptarët me kualifikim të vogël, mund të marrin një vizë pune. Me mbështetjet e Gjermanisë është hapur edhe një zyrë informacioni në Tiranë, Dimak, që ofron konsulencë për qëndrimin ligjor në gjermani.

Për mua personalisht është shumë shqetësues fakti që shqiptarët ndoshta nuk janë të informuar sa duhet se në Gjermani nuk lejohet të merret azil. Mes tyre janë edhe shumë të rinj shqiptarë që kërkojnë të largohen dhe unë do të apeloja që këtu të punohet dhe të krijohen kushtet e nevojshme për një perspektivë sa më të mirë të qytetarëve shqiptar.

A keni një koment se përse shqiptarët largohen nga vendi i tyre dhe kryesisht preferojnë Gjermaninë?

Lidhur me arsyet që i detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi i tyre nuk do të doja që të spekuloja shumë gjatë sepse ato janë arsye të karakterit thellësisht individual. Megjithatë do të thoja që ekzistojnë shumë mundësi të përmirësimit të jetesës në vend, për të krijuar vende të reja pune, mundësi formimi më të mirë profesional në mënyrë që njerëzit ta kenë më të lehtë aksesin në vendin e tyre të punës duke u përshtatur me nevojat e tregut. Gjithashtu duhet të krijohet një lloj luajaliteti më i madh në shpërndarjen e vendeve të punës dhe në përzgjedhjen e punonjësve dhe kuadrove. Dihet në mbarë botën që korrupsioni dhe nepotizmi janë faktorë që e pengojnë zhvillimin ekonomik të një vendi. Për këtë arsye unë do të përshëndesja përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar këtë fenomen. Në këtë drejtim ne, Gjermania jemi duke e mbështetur qeverinë që të arrihet sa më parë në rezultate optimale në mënyrë të veçantë sa i përket zhvillimit të arsimit profesional dhe zhvillimit ekonomik edhe në zonat rurale.

Related Posts :